Arkivi mujor: Shkurt 2021
Çka është Dinjiteti?
1. Tërësia e vlerave morale të njeriut a të një grupi njerëzish (nderi, krenaria etj.); vetëdija që ka njeriu a një grup njerëzish për këto vlera e për të drejtat e veta në shoqëri dhe nderimi i tij për vetveten; shfaqja e jashtme e kësaj vetëdije dhe e këtij nderimi. Dinjiteti kombëtar. Dinjiteti i njeriut (i familjes, i ndërmarrjes, i institutit).
Me (pa, plot) dinjitet. Ngre (ul, fyen, merr nëpër këmbë) dinjitetin. S’ka pikë dinjiteti. Flet (sillet) me dinjitet.
2. Cilësia e mirë a vlera e lartë e diçkaje që e bën atë të çmohet. Me dinjitet artistik. Vepër plot dinjitet.
Ja disa thënie për dinjitetin:
„Dinjiteti nuk matet me titujt që zotëron, por me vetëdijen që i meriton. “ Aristoteli
„Çdo marrëdhënie njerëzore përfshin kompromiset, por kufiri i kompromisit është dinjiteti i çdonjërit. „ Fausto Cercignani
„Kur bëhet fjalë për dinjitetin njerëzor, nuk mund të bëjmë kompromise. „ Angela Merkel
„Njeriu i kulturuar duhet të reagojë kundrejt çdo gjëje që ofendon dinjitetin dhe ndërgjegjen e tij. Përndryshe kultura nuk shërben për asgjë. “ Oriana Fallaci
„Uria shkon e vjen, por dinjiteti njëherë që ikën, nuk kthehet më. „ Nicolai Verjbitkii
„Detyra nuk bëhet për të marrë falënderime. Bëhet për princip, për dinjitet vetjak.“ Oriana Fallaci
„Brishtësia dhe dinjiteti nuk mësohen nga mjeshtri i vallëzimit, por nga shkolla e zemrës.“ Fjodor Dostojevski
„E mira e parë e një populli është dinjiteti i tij. „ Camillo Benso di Cavour
„Mos e kini kurrë aq frikë vdekjen sa një jetë të padenjë. „ Bertolt Brecht
„Më mirë të vdes në këmbë se të jetoj në gjunjë. “ Emiliano Zapata
„Nëse një njeri nuk ka zbuluar diçka për të cilën ia vlen të vdesë, nuk është i denjë të jetojë. “ Martin Luther King Jr.
IKShPK: prej 2040 mostrave kemi 178 raste pozitive dhe 267 të shëruar!
Covid 19: prej 755 testeve, kemi 51 raste të reja, 9 viktima dhe 308 persona të shëruar
- Shkup – 25 (territori i Shkupit me 617.646 banorë)
- Prilep – 9 (me 75.132 banorë)
- Kavadarci – 7 (me 38.741 banorë)
- Strugë – 2 (me 65.801 banorë)
- Strumica – 2 (me 57.175 banorë)
- Veles –1 (me 54.384 banorë)
- Kumanovë – 1 (me 109.228 banorë)
- Koçani – 1 (me 37.758 banorë)
- Delçevë –1 (me 17.713 banorë)
- Shtip – 1 (me 43.625 banorë)
- Kërçovë – 1 (me 56.937 banorë)
Janë raportuar gjithsej 9 raste vdekjeje. 3 pacientë nga Prilepi, nga 2 pacientë nga Shkupi dhe Tetova, dhe nga 1 pacient janë raportuar nga Kumanova dhe Ohri. Pacientët janë të moshës 54-87 vjeç.
Besoni vetëm institucionet përgjegjëse shëndetësore dhe jo individët!
Mbani maskën, ashtu si që mbani pantallonat në ambientet e hapura jashtë shtëpisë, në mënyrë që të minimizohet përhapja e infeksionit.
Ju lutemi mbroni vetveten = ashtu do ti mbroni edhe të afërmit tuaj.
Çka tash?
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në zgjedhjet e së dielës mori mbi 150,000 vota më shumë se në zgjedhjet e 2019.
Në bazë të 98% të votave të numëruara, Vetëvendosje fitoi 48% të votave apo mbi 374 mijë.
Por, a do të mundet ky subjekt politik që i vetëm të krijojë qeverinë?
Me rezultatin aktual, Albert Krasniqi nga ‘Demokraci Plus’, tha për Radion Evropa e Lirë se Lëvizja Vetëvendosje mund të ketë 56 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 20, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 mandate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nëntë deputetë.
Megjithatë, rezultati final do të dihet pas numërimit të votave me kusht, dhe votave përmes postës.
Në KQZ, deri më 12 shkurt, kanë arritur 43.447 pako me fletëvotime nga jashtë, të cilat do të hapen më 15 shkurt për verifikim, proces ky që mund të marrë kohë deri në dhjetë ditë. Numri i votave mund të jetë më i madh, pasi besohet se brenda një pakoje, mund të ketë më shumë se një fletëvotim. Pritjet janë që vota e diasporës të jetë në masë të madhe dedikuar për LVV-në. Kjo do të rriste gjasat e arritjes së shumicës parlamentare.
Si zgjidhet qeveria?
Kosova është republikë parlamentare. Kuvendi i saj ka 120 ulëse, ku 20 prej tyre janë të rezervuara për komunitetet joshumicë. Për formimin e qeverisë, nevojiten votat e 61 deputetëve të kuvendit.
Fillimisht, presidenti i Republikës mandaton fituesin e zgjedhjeve që të formojë qeverinë. Nëse mandatari i parë nuk arrin të formojë qeverinë brenda 15 ditëve pas dekretimit, atëherë, presidenti dekreton një tjetër mandatar, i cili ka një afat ligjor prej dhjetë ditësh për formimin e qeverisë së re. Kandidati për kryeministër, sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të publikuar më 2020, mund të jetë edhe nga partitë e tjera, pra jo partia fituese. Ai duhet të dëshmojë se ka votat e nevojshme që të zgjidhet në kuvendit. Nëse edhe mandatari i dytë dështon të sigurojë shumicën parlamentare, atëherë vendi shkon sërish në zgjedhje.
Kandidati i mandatuar nuk është i obliguar që të ketë koalicion edhe me partitë e komuniteteve joshumicë, por në qeveri, duhet të ndaj të paktën dy poste ministrore për komunitetet joshumicë, nëse qeveria ka 12 ministri. Nëse numri i ministrive tejkalohet, atëherë, një post i tretë ministror i ndahet komuniteteve.
Cilat janë opsionet?
Nëse LVV-ja nuk arrin të fitojë e vetme 61 deputetë, atëherë duhet të kërkojë partnerë për të formuar qeverinë e re. Në këtë rast, mund të ofrojë bashkëpunim për partitë e komuniteteve joshumicë, apo edhe për ndonjë nga partitë shqiptare.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka cilësuar këto zgjedhje si referendum dhe nuk ka folur asnjëherë për koalicione paszgjedhore. Në konferencën ku shpalli fitoren pak para mesnatës së 14 shkurtit, Kurti tha se “nuk ka nevojë dhe as interes të bëj koalicion me ata që kanë nevojë të reformohen në opozitë”.
Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani kanë garuar në një listë të përbashkët, ku Kurti është nominuar për kryeministër, ndërkaq Vjosa Osmanin për postin e presidentes.
Partitë e tjera politike në këto zgjedhje nuk kanë folur për vija të kuqe, siç ishin pozicionuar në zgjedhjet e kaluara.
Por, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër Avdullah Hoti, pas përfundimit të votimeve, paralajmëroi se partia e tij do të qëndrojë në opozitë.
“Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”, tha Hoti.
Edhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka thënë se partia e tij, nuk do të hyjë në koalicion me LVV-në, pasi siç është shprehur, “janë shumë larg me qëndrime”. Ai ka thënë se PDK-ja do të mbetet në opozitë.
Megjithatë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka shprehur hapur gatishmërinë që të jetë pjesë e Qeverisë Kurti. Lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, i cili synon të bëhet president i Kosovës, ka thënë se nuk ka “vija të kuqe, as për Vetëvendosjen as për ndonjë subjekt politik”. Por, një koalicion eventual me AAK-në, bart në vete edhe kushtin që Haradinaj të zgjidhet president i vendit. Sipas rezultateve preliminare, partia e Haradinajt ka fituar 7.5% të votave.
Kush janë fitues nga minoritetet?
Në Qeverinë Kurti 1, LVV-ja nuk kishte bërë koalicion me Listën Serbe, e cila kishte fituar të dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në kuvend. Pavarësisht se kishin raporte të acaruara, Lista Serbe ishte pjesë e qeverisë me dy ministra.
Por, edhe partitë e tjera të komuniteteve mund të kenë kushtet e tyre.
Lista Serbe ka thënë të ketë fituar të dhjetë vendet, por në Kuvendin e Kosovës, këtë herë do të ketë edhe hyrje të reja nga komunitetet e tjera.
Në mesin e komunitetit boshnjak, Adrijana Hoxhiq nga veriu i Mitrovicës, me subjektin e saj “Komuniteti i Bashkuar”. Sipas rezultateve preliminare, ajo është e para në mesin e subjekteve boshnjake dhe ka fituar 5.688 vota. Subjektet e tjera boshnjake, siç është ajo e Emilia Rexhepit, Partia e Re Demokratike, ka fituar 2.753 vota, ndërkaq Unioni Socialdemokrat i Duda Baljes ka fituar 2.427.
Përfaqësuesit nga radhët e komunitetit boshnjak, të cilët kanë tri vende në kuvend, kanë ngritur dyshime se Hoxhiq, bashkë me subjektin e ri rom, Inciativa Rome nga Graçanica, po përpiqen të hyjnë në kuvend, me ndihmën e votave të komunitetit serb dhe se do “të punojnë për interesin e Listës Serbe”. Hoxhiq, e cila është nënkryetare e Mitrovicës së Veriut, i ka quajtur shpifje këto lajme.
Ndërkaq, Iniciativa Rome e Gazmend Salijeviq nga Graçanica ka fituar 3.730 vota, duke prirë në zgjedhje në mesin e partive të komunitetit rom.
Mbetet të shihet, nëse përfaqësuesit e ri të komuniteteve, do të bashkëpunojnë me fituesin e zgjedhjeve.
A do të mandatohet Kurti për kryeministër?
Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, që mund të marrë deri në një muaj kohë, ushtruesja e detyrës së presidentit, Osmani si u.d. e presidentit mund ta dekretojë Kurtin që të krijojë qeverinë e re. Por, ka dilema nëse kjo është e ligjshme, pasi Kurtit i është ndaluar garimi në zgjedhjet parlamentare, për shkak të dënimit të formës së prerë, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Aktgjykimi i Kushtetueses, por edhe neni 29 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, thotë se kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili gjatë tri vjetëve të fundit ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë. Ky afat për Kurtin, përfundon në shtator të këtij viti.
Ekspertët janë të ndarë në këtë çështje, pasi disa argumentojnë se vendimi i Kushtetueses vlen vetëm për deputet, por opozita mund ta kontestojë këtë dekretim dhe të kërkojë interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
Presidenti, sfida e parë
Për të mbijetuar, qeveria e re duhet të sigurohet se do të ketë mbështetjen e 2/3 në kuvend, pasi më së largu në prill të këtij viti, duhet të fillojnë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Kushtetuta e përcakton se presidenti i Republikës duhet të zgjidhet me të paktën 61 vota (në raundin e tretë), por kërkon që në procesin e votimit, të marrin pjesë të paktën 81 deputetë. Presidenti i ri duhet të zgjidhet brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes.
Në rast se kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin, atëherë vendi shkon sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme.
LVV-ja është përcaktuar që në këtë post ta nominojë u.d. e presidentit, Vjosa Osmanin, por bazuar në rezultatet e 14 shkurtit, zgjedhja e Osmanit nuk mund të arrihet pa mbështetjen e partive opozitare.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj po ashtu po synon postin e presidentit të Republikës dhe ka shprehur gatishmëri që partia e tij të bëhet pjesë e koalicionit të ardhshëm. Por, ende nuk dihet nëse LVV-ja do të “sakrifikojë” Vjosa Osmanin, për t’i plotësuar kushtin eventual, liderit të AAK-së.
Çka e pret qeverinë e re?
Qeveria e re pritet të krijohet sërish në kohë pandemie. Pasojat në ekonominë e vendit, të shkaktuara nga mbylljet dhe masat kundër COVID-19, janë evidente dhe menaxhimi i kësaj situate, mbetet prioritet dhe sfidë e vështirë.
Pos kësaj, Kosova vazhdon të ketë shkallë të lartë të papunësisë. Raportet ndërkombëtare e rendisin Kosovën në mesin e vendeve me korrupsion të lartë dhe arsimim të dobët.
Aktualisht, Kosova është e angazhuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë. Por, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se “dialogu nuk është prioritet” dhe ka paralajmëruar rikthim të masave të reciprocitetit të plotë. Ai ka përsëritur se do të angazhohet për dialog të brendshëm me serbët e Kosovës, të cilët duhet ta shohin Kosovën si atdhe të tyre.
rel
Plani i Kurtit
Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në Kosovë më 14 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.88 për qind të votave, duka dalë si partia e parë në këto zgjedhje.
Lëvizja Vetëvendosje ka garuar në këto zgjedhje pa certifikimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të liderit të saj Albin Kurti, i cili është kandidat i këtij subjekti politik për kryeministër të vendit.
Në listën e Lëvizjes Vetëvendosje ka garuar edhe Vjosa Osmani, e cila ka qenë numri dy, në krye të listës së këtij subjekti politik.
Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, e cila ka nisur më 3 shkurt dhe ka mbaruar më 12 shkurt, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka prezantuar programin e ardhshëm qeverisës të partisë së tij, duke thënë se dëshirojnë “të nxjerrin Kosovën nga kriza e shumëfishtë dhe ta vendosin në binarët e progresit”.
Programi qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, siç ka deklaruar Kurti, do ta ketë në fokus të menjëhershëm përballjen me pandeminë e koronavirusit, ku do të krijohen kushtet që shpjegimet dhe rekomandimet e ekspertëve të jenë bazë për çdo vendim që do të merret nga institucionet.
Vaksinimi i 60 për qind të popullatës
“Pa vonesë do të vëmë në zbatim planin aksionar të detajuar të mbështetur financiarisht dhe i bazuar në situatën në terren. Masat e veprimit të menjëhershëm do të jenë: vaksinimi i së paku 60 për qind të popullatës, sigurimi i qëndrueshëm i materialeve elementare mbrojtëse, barnave dhe testeve, trajnimi i vazhdueshëm i stafit shëndetësor, komunikim transparent, i sinqertë dhe i dendur me qytetarë”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se do të nisë menjëherë bisedimet me vendet e rajonit, me theks të veçantë Shqipërinë, për përballjen e përbashkët me pandeminë COVID-19. Kurti gjithashtu, ka theksuar se do të bëhen përgatitjet për aplikim dhe anëtarësim të Kosovës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
Për rimëkëmbje ekonomike, “intervenim ambicioz fiskal”
Kurti ka theksuar se kthimi i jetës ekonomike në normalitet është prioriteti kryesor i angazhimit në ditët, muajt dhe vitin e parë të qeverisjes së tij.
“Për këtë jemi të gatshëm të ofrojmë një intervenim ambicioz fiskal”, ka thënë Kurti.
Ai ka premtuar se në qoftë se Lëvizja Vetëvendosje do të qeverisë vendin, do të synohet “një ekonomi që del nga pandemia dhe e shëruar edhe nga sëmundjet tjera”.
Në ekonomi, sipas tij, do të ketë më shumë nevojë dhe hapësirë për gratë, për rininë, për mërgatën, për komunitetet, për fshatin, e sidomos për ata që kanë nevojë për më shumë mbështetje prej shoqërisë dhe shtetit.
Ai ka premtuar një ekonomi ku ka më shumë prodhim dhe eksport, më shumë punëtorë, më shumë kontrata të punës dhe më shumë respektim të të drejtave të punëtorit.
Ekonomia që ai synon, siç ka thënë, duhet të jetë pa monopole, por me ndërmarrje publike që operojnë suksesshëm, si dhe një ekonomi ku fuqizohen komunat në mënyrë që ato të vendosin vetë për prioritetet e tyre.
Ndërmarrësve u është premtuar ofrimi i qasjes së volitshme në financa, të nevojshme për të përballur rritjen e prodhimit.
“Për këtë do të krijojmë partneritet të fuqishëm në mes pesë shtyllave, që së bashku garantojnë daljen relativisht të shpejtë nga recesioni i tanishëm; ndërmarrjet, shteti, sistemi bankar, Fondi kosovar për garantimin e kredive, si dhe komuniteti i donatorëve dhe i kredidhënësve ndërkombëtarë”, është shprehur Kurti.
LVV-ja ka thënë se mbështetja do të shtohet për të gjitha bizneset që arrijnë të krijojnë qasje në tregjet e reja ndërkombëtare dhe të rrisin eksportet e Kosovës, për të gjithë ndërmarrësit që hapin linja të reja të prodhimit, fusin produkte të reja apo që arrijnë të shtojnë numrin e punëtorëve.
Vetting-u dhe lufta kundër korrupsionit
Kurti ka premtuar që pjesë e programit të tij qeverisës do të jenë qasja më serioze ndaj drejtësisë.
Siç ka theksuar ai, pjesë integrale dhe e domosdoshme të sistemit e drejtësisë është gjyqësori i pavarur dhe i paanshëm, me integritet dhe efikas.
“Për të arritur këtë, nivelet më të larta hierarkike të sistemit të drejtësisë dhe jo vetëm, do t’i nënshtrohen procesit të vetting-ut. Nëpërmjet këtij procesi, synohet të arrihet integriteti gjyqësor dhe prokurorial dhe do të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se procesi i vetting-ut do të nisë nga Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial.
“Qeveria e jonë do të dëshmojë përkushtim në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë drejtim, do të shtohen kapacitetet njerëzore dhe profesionale në Departamentin Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të asaj të Apelit”, është shprehur Kurti.
Kurti ka thënë se kjo do të mundësohet përmes mbështetjes financiare për sistemin e drejtësisë, me qëllim të plotësimit të nevojave të tyre..
Rivendosje e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë?
Çështja e reciprocitetit me Serbinë, e cila kishte prodhuar mjaft probleme brenda skenës politike në Kosovë, por edhe në raport me faktorët ndërkombëtarë, është potencuar sërish nga Vjosa Osmani, e cila në listën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje ishte numri dy, por edhe nga lideri i vetëvendosjes, Albin Kurti.
Në një debat të transmetuar nga mediat vendore, më 12 shkurt, Osmani ka deklaruar që “reciprociteti është baza më e shëndoshë e ndërtimit të raporteve, në veçanti tregtare dhe ekonomike, ndërmjet shteteve”.
“Natyrisht që ajo që mund të pritet është se ne do të sillemi në mënyrë reciproke për ta mbrojtur dinjitetin e shtetit tonë. Për këtë ne do të ulemi me partnerët tanë, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me Bashkimin Evropian, që kanë qenë ndërmjetësues të këtyre marrëveshjeve, për t’i bindur që kjo është rruga e drejtë, për të arritur barazi, jo vetëm në raport me Serbinë, por siç e thash, për ta mbrojtur dinjitetin shtetëror mbi të gjitha”, ka thënë Osmani.
Ndërkaq, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se vendosja e reciprocitetit me Serbinë, do të jetë ndër gjërat e para që do ta bëjë qeveria e tij.
“Është çështje ditësh, javësh dhe kurrsesi muajsh. Nuk e di tash se cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do të bëjmë”, ka thënë Kurti.
Marrëdhëniet me SHBA-në
Lidhur me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti ka theksuar Kosova i do marrëdhëniet “jo vetëm të mira, por edhe shumë më të mira se që janë, në aspektin bilateral, ushtarak, ekonomik dhe kështu me radhë”.
“Nuk mund t’i zëvendësojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me asnjë partner ose aleat tjetër… me SHBA-në ne kemi raporte të një shteti të ri me një shtet, për të cilin të thuash na ka ndihmuar, përkrahur e mbështetur, gjithmonë është pak”, ka thënë Kurti dhe ka shtuar:
“Me Sekretarin amerikan të Shtetit (Antony) Blinken mendoj që do të kem një bashkëbisedues të shkëlqyeshëm për marrëdhëniet tona të ndërsjella”.
Dialogu me Serbinë “nuk është prioritet”
Pa një zhvillim të brendshëm ekonomik të Kosovës, Kurti ka theksuar se nuk do të ketë as marrëveshje me Serbinë. Kjo për shkakun se, sipas tij, përderisa shteti i Kosovës është i dobët, Serbia nuk do ta respektojë asnjë marrëveshje.
“Gjithmonë do të kërkoj edhe më shumë. Ne duhet ta forcojmë shtetin tonë. Nuk po them që të mos dialogojmë me Serbinë, por kjo nuk është ndër prioritetet e para. Së dyti, Serbia na ka borxh. Unë jam i gatshëm të dëgjoj kërkesat për të drejtat dhe nevojat e serbëve në Kosovë, mirëpo nuk mund të dëgjoj vajtimet dhe piskamat në Beograd, se si paska humbur shteti serb Kosovën në kohën e (Sllobodan) Millosheviqit. Nuk mund të kem kurrfarë mirëkuptimi për këso lloj vajtimesh. Kur thuhet se ‘çka ofroni ju’, mendohet të kompensohet Serbia për humbjen e Kosovës. Jo. Serbia na ka borxh për krimet këtu, të kryera gjatë luftës, pra krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe të gjenocidit. Unë Serbisë do t’ia kërkoj borxhin”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se në rast se shikohet prezantimi programor i Lëvizjes Vetëvendosje, “fjala Serbi nuk është fare aty”.
Osmani: Asociacioni i rrezikshëm sa ndryshimi i kufijve
Zonja Osmani, e cila në listën e Vetëvendosjes ka garuar për postin e presidentes, ka theksuar se nuk do t’i qasen formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas kërkesave që ka Serbia.
“Asociacioni me kompetenca ekzekutive është po aq i rrezikshëm sa edhe ndryshimi i kufijve sepse e ka atë qëllim përfundimtar. Madje, e destabilizon Kosovën për një kohë të gjatë, por në fund shkon te po i njëjti skenar. Prandaj duhet të respektohet ajo që ka thënë Gjykata Kushtetuese….Ai skenar duhet të eliminohet dhe nuk mund të hyjmë në këtë proces me logjikën se çka do t’i japë Kosova Serbisë sepse ne kemi dhënë mjaft”, ka thënë Osmani.
Për ambasada në Jerusalem, konsultime me administratën e SHBA-së
Lidhur me zotimet e nënshkruara nga Kosova në Uashington, më 4 shtator të vitit 2020, pjesë e së cilës është edhe njohja që Kosova ka marrë nga Izraeli, si dhe se a do të hapë Kosova ambasadën e saj në Jerusalem, siç edhe është kërkesa e shtetit izraelit, Vjosa Osmani ka deklaruar se për këtë çështje do të konsultohen me administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të vendosin bashkë me të.
“Në zotimin unilateral thuhet që Kosova (Prishtina) dhe Izraeli pajtohen që të bëjnë njohje reciproke. Pikë. Askund nuk përmendet Jerusalemi. Ne që të dy (Osmani dhe Kurti) e kemi përshëndetur lidhjen e marrëdhënieve diplomatike. Por, ajo që do të bëjmë në tërësi për këtë marrëveshje, nga pika e parë deri te e fundit, është se do të insistojmë që të ulemi menjëherë, urgjentisht pas krijimit të qeverisë, me presidentin (e SHBA-së, Joe) Biden, me administratën e tij të re, në mënyrë që të rishikojmë secilën pikë dhe të shohim se cili është përkushtimi i tyre në raport me to”, ka deklaruar Osmani.
Njohja nga Izraeli, sipas Osmanit është tejet e rëndësishme dhe arsyeja se pse Kosovën e ka njohur Izraeli “është për shkak të ndërmjetësuesit, që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
rel
“Triumf për Kurtin në Kosovë” – shtypi gjerman për zgjedhjet
Dy nga gazetat më të njohura gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung dhe Süddeutsche Zeitung ofrojnë analizat e para për rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë.
Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) konstaton në titullin e saj një “Triumf për Kurtin në Kosovë”.
Analisti për Evropën Juglindore i kësaj gazete, Michael Martens paraqet situatën në të cilën ndodhet pas fitores Lëvizja Vetëvendosja dhe raportin e saj me partitë e mundura.
Atij i tërheq vëmendjen”para së gjithash përparësia e saj (LVV) ndaj konkurrencës”.
PDK-ja doli forca e dytë politike, me rreth 17 përqind. PDK-së “iu desh ta bënte fushatën elektorale pa fytyrën e saj më të njohur”, sepse “që nga viti i kaluar Thaçi duhet të mbrohet para një gjykate speciale në Hagë kundër akuzave për kryerjen e krimeve të luftës si udhëheqës guerilas në fund të viteve 1990.” Rezultati me rreth 13 përqind, i LDK-së që “dikur ishte dominuese e jetës politike në Kosovë””është rezultati më i keq i historisë së saj.””
Martens regjistron që kryetarët e partive të mundura e uruan Kurtin dhe e pranuan humbjen, një gjë “jo e vetëkuptueshme në Ballkanin Perëndimor” ku partitë e mundura shpesh pohojnë se janë falsifikuar zgjedhjet ose regjistrat zgjedhorë.
Autori paralajmëron se te mbështetësit e Kurtit nderimi i ngjashëm me një “Mesia” për Kurtin mund të kthehet në zhgënjim, nëse “premtimi kryesor i Kurtit – luftimi i korrupsionit dhe i nepotizmit” nuk do të arrihen dot kaq thjeshtë sa shpresohet prej shumë vetëve.
Përsa i përket mundësisë që opozita të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për ta kontestuar fitoren e Kurtit, autori i FAZ kujton se “përpjekjet për ta nxjerrë jashtë loje Kurtin përmes Gjykatës Kushtetuese mund të përfundojnë politikisht në rritjen e mëtejshme të popullaritetit të tij.”
Edhe pa u shpallur rezultati përfundimtar i votimeve, analisti gjerman thotë se Vetëvendosjes në çdo rrethanë do t’i duhet bashkëpunimi me partitë e mundura.
“Kurti dhe “Vetëvendosje” kanë nevojë për partnerë, pavarësisht fitores së qartë. Pas vajtjes së Thaçit në Hagë, parlamenti duhet të zgjedhë një kryetar të ri shteti. Vetëm partia e Kurtit nuk mund të garantojë kuorumin e kërkuar për zgjedhjet. Këtu forcat e opozitës do të përpiqen të ushtrojnë ndikimin e tyre”.
Edhe për këtë arsye, vlerësimi se mori fund koha e ish-udhëheqësve guerilas të kohës së luftës në Kosovë të kthyer në politikanë, mund të rezultojë e parakohshme”, konkludon artikulli i FAZ.
Ndërsa gazeta Süddeutsche Zeitung (SZ) nën titullin “E majta fiton në Kosovë” konstaton se “lëvizja e majtë reformatore Vetëvendosje i fitoi qartë zgjedhjet parlamentare në Kosovë”. Njësoj si gazetës FAZ, edhe SZ i tërheq vëmendjen deklarata e Albin Kurtit para mbështetësve: “Rruga para nesh është e gjatë, ne do të bëjmë edhe gabime, por qëllimet tona janë fisnike”.
SZ kujton se rezultati i votimit “i përgjigjet dëshirës së shumë kosovarëve për një shndërrim rrënjësor”. Vetëvendosja “ka mbledhur rreth vetes para së gjithash politikanë të rinj dhe të pakonsumuar”. Së fundi “në partinë e majtë reformiste (LVV)”kaloi “politikania kryesore Vjosa Osmani”, e cila “tani kandidoi në vendin e dytë të listës së Vetëvendosjes… Ajo mund të zgjidhet nga parlamenti i ri si presidente e rregullt”.
dw
Gjermania mbyll pjesërisht kufijtë për shkak të koronavirusit
Në fundjavë Bavaria mbylli kufirin me Çekinë dhe Tirolin në Austri. Ministri i Brendshëm Seehofer synon që me kufizimin e qarkullimit ndërkufitar të pengohet përhapja e mutantëve të COVID-19.
Policia federale u vendos në mesnatë (13.02) në pikun e të ftohtit me ngrica në minus 20 gradë në pikëkalimin kufitar Schirnding me Çekinë si dhe në vendkalime të tjera kufitare mes Bavarisë dhe Çekisë. Në këtë rajon nuk janë vendosur binarët e kufirit, por policia kryen kontrolle në çdo automjet që kalon kufirin, pasagjerët pyeten për qëllimin e udhëtimit dhe në rast se është e nevojshme edhe mund të mos u lejohet hyrja në vend. Arsyeja e kontrolleve ka të bëjë me masat për të ndaluar qarkullimin nga zonat e ashtuquajtura „të mutacioneve”, prej nga shtohet rreziku i përhapjes së varianteve të reja të koronavirusit. Deri në fund nuk ishte e qartë, se çfarë lëshimesh bëhen në këtë rast për kalimet e kufirit, të vendosura nga ministri i Brendshëm Horst Seehofer. Policia federale vë në dukje, se do të lejohen të hyjnë nga Çekia vetëm ata persona që punojnë në Gjermani në sektorë kritikë si p.sh. në infrastrukturën mjekësore. Po ashtu edhe shoferët e kamionëve dhe pjesëmarrësit në ceremoni mortore do të lejohen të kalojnë. Çdo udhëtar duhet t’i nënshtrohet testit ndaj koronavirusit. Eshtë e pasigurtë, nëse personat që punojnë dhe udhëtojnë mes dy vendeve do të duhet t’u nënshtrohen çdo ditë testeteve, apo vetëm një herë në javë. Edhe qarkullimi i trenave dhe autobusëve mes Bavarisë dhe Çekisë do të ndërpritet.
Çekia është duke i izoluar zonat e rrezikuara nga përhapja e virusit që ka pësuar mutacion. Në anën tjetër të kufrit me Bavarinë në qarqet çeke Sokolov dhe Trutnov në fundjavë u vendos izolimi i plotë.
Në Tirol dyshohet të jetë përhapur varianti afrikano-jugor i virusit. Qeveria e landit në Tirol është kundër një izolimi të rreptë. Ndërsa qeveria qendrore në Vjenë ka filluar me rrethimin e këtij landi.
Seehofer kritikon BE-në
Ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer në gazetën „Bild” kritikoi Komisionin e BE-së në Bruksel. “Ne luftojmë në kufi me Çekinë dhe Austrinë ndaj virusit që ka pësuar mutacione. Komisioni i BE-së në vend që të na ndihmojë na nxjerr pengesa me udhëzime të stërholluara”, tha Seehofer. Ministri tha, se kështu nuk shkon më „Komisioni ka bërë mjaft gabime me porositjen e vaksinave.”
Një zëdhënës i Komisionit të BE-së (12.02) tërhoqi vëmendjen, se kryetarët e shteteve dhe të qeverive të vendeve të BE-së kanë vendosur, që t’i koordinojnë mes tyre kontrollet kufitare. Kommisioni i BE-së pret, që kjo të respektohet edhe në rastin e Gjermanisë. Këto të deklarime Seehofer i ka perceptuar si kritikë. Ndërkohë janë në fuqi rregullore me kufizime sa i përket lëvizjes midis disa shteteve të BE-së. Gjermania ka ndaluar edhe udhëtimet nga Portugalia dhe Sllovakia, ndonëse nuk ka kufij të drejtpërdrejtë me këto vende. Vitin e kaluar krerët e qeverive dhe të shteteve të BE-së u angazhuan, që kufijtë e hapësirës Shengen të qendrojnë të hapura.
Rënie e incidencës në Gjermani
Numri i infeksioneve të reja në harkun shtatë ditor në Gjermani për 100.000 banorë sipa Institutit Robert Koch është 57,4. Përpara një jave incidenca ishte 136. Niveli më i lartë është regjistruar në dhjetor me 197,6. Shumica e landeve shënojnë rënie të kësaj kuote. Baden-Vyrtembergu me 48,5 dhe Renani-Palatinate me 46,6 janë nën kuotën 50. Të 14 landet e tjera kanë një incidencë nën 100.
Qëllimi politik i deklaruar për muaj me radhë ka qenë arritja e një kuote nën 50. Në konferencën javën e kaluar kancelarja Angela Merkel dhe kryeministrat e landeve ranë dakord për një kuotë të incidencës 35 si orientim për zbutjen e masave kufizuese.
Sipas vendimeve të fundit lockdown në Gjermani do të vazhdojë deri më 7 mars. Nën masa të rrepta higjiene do të hapen më përpara kësaj date shkollat, kopshtet e fëmijëve dhe qendrat e estetikës.
wa/nob (epd, dpa, afp)
E trishtë në Dibër! Fshati ‘çohet në këmbë’ për ta transportuar, por e moshuara humb jetën pa mundur të mbërrijë në spital
Një ngjarje e rëndë është shënuar në Dibër, ku ditën e djeshme një e moshuar në fshatin Limnjan ka pasur nevojë për tu transportuar në spitalin e Peshkopisë, por ka humbur jetën rrugës.
Të rinjtë e fshatit janë mundur me lopata për të hapur rrugën e bllokuar nga dëborë, madje ata kanë shtyrë fuoristradën me krahët e tyre, por pas disa orësh përpjekje e moshuara 71-vjeçare ka humbur jetën pa mundur që të marrë ndihmën mjekësore në spitalin e Peshkopisë.
Siç shihet në pamjet e siguruar nga Top Channel, shihet se rruga ka qenë totalisht e bllokuar dhe vetëm forca e të rinjve ka bërë të mundur që fuoristrada të zhvendoset për disa metra, por pa sukses për t’i shpëtuar jetën të moshuarës.
Ndërkohë sot situata duke pak më ndryshe pasi me ndalimin e reshjeve, situata po përmirësohet.
Top Channel
Jeta pas vaksinimit
Çfarë ndodh pasi të keni marrë të dyja dozat e një vaksine kundër COVID-19? Zëri i Amerikës analizon ndryshimet në jetë para dhe pas imunizimit.
Edhe nëse jeni vaksinuar kundër COVID, kjo nuk nënkupton se mund të hiqni maskën dhe të shmangni distancimin fizik, thonë mjekët. Respektimi i masave të sigurisë duhet të vazhdojë.
“Punoj në një spital rehabilitimi, pra trajtoj pacientë që kanë pasur COVID por që janë në gjendje të dobët dhe ende në oksigjen. Ne vazhdojmë të përdorim maska, pra mbajmë maskën e tipit N95 kur është e nevojshme dhe respektojmë distancën fizike”, thotë Tamar Sivaslian, fizioterapiste.
Për mjekët ende nuk është e qartë nëse një person i vaksinuar mund ta shpërndajë ose jo virusin.
“Ka mundësi që trupi juaj ka ende virusin i cili nuk ju dëmton ju vetë, por shpëndahet nga kolla, tështitja ose kur flisni afër dikujt”, thotë mjekja Michele Heisler.
Prandaj mjekët kërkojnë nga të vaksinuarit të vazhdojnë respektimin e masave të sigurisë.
“Duhet të vazhdojmë të kërkojmë mbajtjen e maskës në komunitetin e gjerë. Nuk mund të kemi disa njerëz pa maska dhe disa të tjerë me maska. Mbajtja e maskës duhet të jetë normale për këtë kohë. Ne do t’ju njoftojmë kur mund ta hidhni maskën”, thotë William Schaffner, Profesor i Mjekësisë Parandaluese në Universitetin Vanderbilt.
Mjekët theksojnë po ashtu se një vaksinë e vetme nuk garanton se ju nuk do të infektoheni me variante të reja të koronavirusit.
“Ka prova se vaksinat që kemi janë të efektshme, por ka edhe shqetësime të reja se ndoshta nuk janë aq të efektshme kundër variantit të Afrikës së Jugut”, thotë Michel Heisler.
Shkencëtarët nuk kanë të dhëna për kohëzgjatjen e efektit të vaksinës. Megjithatë imunizimi mundëson heqjen e disa kufizimeve.
“Supozojmë se doni të takoheni me gjyshërit dhe familjarë tjerë. Nëse ata dhe ju janë vaksinuar, mund t’i takoni. Po nëse ata janë vaksinuar ndërsa ju jo? Them se po, mund të takoheni por me kujdes”, thotë William Schaffner.
Mjekët nuk mund të thonë me siguri se kur mund të kthehet normaliteti. Sipas tyre, për momentin është i rëndësishëm vaksinimi i sa më shumë njerëzve.
voa