Shtetet e Bashkuara rikonfirmuan të enjten mbështetjen për integrimin e Ballkanit Perëdimor në Bashkimin Evropian dhe shprehën angazhimin për të nxitur këtë proces, në interes të vetë vendeve, BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.
Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar tha para anëtarëve të nënkomisionit për Evropën dhe Euroazinë, se administrata e Presidentit Joe Biden është e përkushtuar ndaj “një rajoni që është historikisht, nga ana kulturore dhe gjeografikepjesë e Evropës.
„Mesazhi më i fortë që BE mund të japë tani është të planifikojë fillimin e negociatave të pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE përpara fundit të këtij viti“
“Synimi ynë për të gjashtë vendet e rajonit është të mbështesim integrimin e suksesshëm në institucionet e instituteve evropiane dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha zoti Escobar.
Ne po punojmë me partnerët tanë, tha zoti Escobar për të përforcuar mesazhin se anëtarësimi mbetet një mundësi reale brenda një afati kohor realist dhe për të shërbyer si një shtysë kritike për që të ketë vullnet të vazhdueshëm politik për të zbatuar dhe intensifikuar reforma të vështira.
“Mesazhi më i fortë që BE mund të japë tani është të planifikojë fillimin e negociatave të pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE përpara fundit të këtij viti”, tha ai.
Vonesat në këtë proces tha zoti Escobar, do të dëmtonin shpresat e brezave të ardhshëm dhe do të krijonin hapësirë për ndikimin keqdashës së vendeve si Rusia dhe Kina.
“Moska dhe Pekini janë aktivisht kundër integrimit perëndimor të rajonit, duke përdorur dizinformata dhe duke shfrytëzuar dobësitë për t’i shmangur vendet e Ballkanit Perëndimor nga rruga demokratike që kanë zgjedhur ndërsa atë vetë vënë gjurmët e tyre ekonomike dhe politike në Evropë”.
Ai tha se puna e përbashkët mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian drejt objektivit të integrimit evropian, përfshin edhe mbështetjen ndaj bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, “si rruga më e mirë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.”
“Dialogu është forumi përmes së cilit të dyja palët duhet të punojnë si të barabarta për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre dhe për të normalizuar marrëdhëniet dhe ideale do të ishte që kjo të bëhej përmes njohjes së ndërsjellë”, tha ai.
„Dialogu është forumi përmes së cilit palët duhet të punojnë si të barabarta për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre dhe për të normalizuar marrëdhëniet dhe ideale do të ishte që kjo të bëhej përmes njohjes së ndërsjellë“
Zoti Escobar tha se nga perspektiva e Uashingtonit dhe aleatëve të tij është që dy vendet të zbatojnë marrëveshjet e deritanishme.
“Megjithëse nuk jemi pjesë e dialogut, nuk jemi pjesë e procesit të negociatave, ne punojmë shumë ngushtë me zotin Lajçak, duke i inkurajuar palët të jenë fleksibël, pragmatike dhe të orientuara drejt zgjidhjeve.
“(Zgjidhja e) tensioneve më të fundit, mendoj tregoi se ka mundësi për të punuar së bashku, sepse vërtetoi se dialogu funksionon si një forum për zgjidhjen e problemeve”, tha ai.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje për Ballkanin e Hapur, zoti Escobar tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin të gjitha nismat që afrojnë vendet ekonomikisht.
“Udhëheqësit e tre vendeve (Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut) që e kanë hedhur nismën për Ballkanin e Hapur, na kanë siguruar seështë e hapur për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ne u besojmë. Në fakt nuk mund të ketë sukses pa tre vendet tjera”, tha ai.
Ai shtoi se kjo nismë është e ngjashme më atë që nën procesin e Berlinit njihet si tregu i përbashkët rajonal.
“Mendoj se plotësojnë njëra-tjetrën dhe çdo gjë që i afron vendet mes tyre, do të krijojë mirëbesim ndërmjet njerëzve, do të krijojë mundësi për lëvizje politike në disa çështje tjera. Pra, po, i mbështesim të gjitha përpjekjet për të afruar vendet ekonomikisht mes tyre”, tha ai.
Një treg i tillë do të ishte shumë tërheqës për kompanitë amerikane, tha zoti Escobar.
Lidhur me Malin e Zi, ai tha se partneriteti i Shteteve të Bashkuara është me me vendin, popullin e tij dhe institucionet demokratike dhe jo me ndonjë parti politike.
“Ne jemi të përgatitur të punojmë me të gjithë partnerët malazezë për të ndarë vizionin e një vendi demokratik sovran gjithëpërfshirës, i cili avancon reformat e nevojshme si një vend që aspiron anëtarësimin në BE, duke respektuar njëkohësisht premtimet solemne si një aleat i palëkundur i NATO-s”.
„Ne po angazhohemi fuqishëm me aktorët lokalë dhe partnerët tanë për të zmbrapsur çdo lëvizje që rrezikon një kthim në të kaluarën e trazuar të Bosnjës, në vend që të sigurojë një të ardhme më të ndritur“
Zv/ndihmës sekretari i shtetit, tha se roli i SHBA-së mbetet kritik për ruajtjen e sovranitetit të integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës dhe arritjeve të njëzet e gjashtë viteve të fundit që nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit.
“Kërcënimet e fundit ndaj institucioneve nga Milorad Dodik janë të rrezikshme dhe kërcënojnë të minojnë Dejtonin dhe zgjedhjen dhe perspektivën evropiane të gjithë qytetarëve të Bosnje-Hercegovinës. Ne po angazhohemi fuqishëm me aktorët lokalë dhe partnerët tanë për të zmbrapsur çdo lëvizje që rrezikon një kthim në të kaluarën e trazuar të Bosnjës në vend që të sigurojë një të ardhme më të ndritur.”
Kryetari i Nënkomisionit për Evropën dhe Euroazinë, William Keating tha se shpresonte që një seancë e tillë t’u jepte përgjigje shqetësimeve që Uashingtoni nuk po i kushton rëndësi rajonit dhe se integrimi i vendeve të tij është në të mirë të vetë atyre, BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.
voa