Shenja shtensionimi pas negociatave të Stambollit

stambollShenja shtensionimi pas negociatave të Stambollit. Amnesty International akuzon Rusinë për krime lufte në Ukrainë. Situatë “shumë e tensionuar” sipas Zelenskit pavarësisht sukseseve.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, Moska do t’i reduktojë në mënyrë të dukshme “aktivitetet e saj ushtarake”në Ukrainë në afërsi të Kievit dhe të Çernihivit. Kjo u vendos përballë mënyrën si ecën negociatat me Ukrainën, bëri të ditur zëvendësministri i Mbrojtjes i Rusisë, Alexander Fomin, pas bisedimeve në Stamboll. Atje u takuan për negociata paqeje delegacionet nga Moska dhe Kievi. Kjo ishte deklarata e parë për një tërheqje të këtij lloji nga pala ruse.

Ukraina ofron neutralitet

Në këmbim të garancive të sigurisë, Ukraina ofroi neutralitetin. Me këtë, Ukraina nuk do të anëtarësohej në asnjë aleancë ushtarake, thanë negociatorët pas negociatave në Stamboll. Veç kësaj, në Ukrainë nuk do të ketë baza ushtarake. Përpara se të hyjë në fuqi një marrëveshje përfundimtare, në të gjithë territorin e Ukrainës duhet të ketë sërish paqe dhe të vendoset për një referendum për kushtet e një marrëveshjeje me Rusinë. Si garante për respektimin e sigurisë mund të shërbenin Turqia, Izraeli, Polonia dhe Kanadaja.

Për herë të parë në pothuajse tre javë, Ukraina dhe Rusia folën drejtpërdrejt me njëra-tjetrën në Stamboll. Sipas ambasadës së Ukrainës në Turqi, diskutimet zgjatën rreth katër orë, me ndërprerje të herëpashershme.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan i mirëpriti negociatorët në zyrën presidenciale të Dolmabahçes në Stamboll. Përfundimi i “tragjedisë” është në duart e të dyja palëve, tha Erdogani. Nga një armëpushim i menjëhershëm do të përfitonin të gjithë.

Mediat ruse kanë publikuar foto në të cilat shihet se në pritje ishte i pranishëm edhe miliarderi Roman Abramoviç. Biznesmeni është në mesin e oligarkëve rusë që janë sanksionuar nga Perëndimi për shkak të afërsisë së tyre me presidentin Vladimir Putin. Moska kishte konfirmuar pak ditë më parë se Abramoviçi kishte marrë pjesë në fillim të marsit në negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë si ndërmjetës.

Ukraina i kishte kërkuar Abramoviçit që të ndihmonte për ndërmjetësim kur filloi pushtimi rus. Të hënën, “Wall Street Journal” raportoi se Abramoviçi dhe negociatorët ukrainas patën simptoma të mundshme helmimi pas bisedimeve të ndërmjetësimit në Kiev. Megjithatë, përfaqësues të qeverisë së SHBA dhe të Ukrainës shprehin dyshime për këtë.

Raundet e mëparshme të negociatave kanë qenë jashtëzakonisht të vështira

Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski, “garancitë e sigurisë dhe neutraliteti” si dhe statusi i Ukrainës si “shtet pa armë bërthamore” janë ndër temat kryesore. Neutraliteti i Ukrainës është një nga kërkesat kryesore të Rusisë. Zelenski tha të dielën se qeveria e tij do ta shqyrtojë çështjen “në mënyrë rrënjësore”. Negociatat e para në nivel ministror më 10 mars në Antalia të Turqisë nuk sollën përparim të ndjeshëm drejt armëpushimit në Ukrainë. Që atëherë, diskutimet  vazhduan përmes videokonferencave. Të dyja palët në konflikt i cilësuan negociatet së fundmi si “të vështira”.

Kombet e Bashkuara synojnë një armëpushim humanitar

Kombet e Bashkuara duan të angazhohen për një armëpushim humanitar. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres tha se ai i kishte kërkuar Koordinatorit të Ndihmës Emergjente, Martin Griffiths “të diskutonte menjëherë me palët në fjalë marrëveshjet dhe aranzhimet e mundshme për një armëpushim humanitar në Ukrainë”. Sekretari i Përgjithshëm dënoi sërish luftën e agresionit rus kundër vendit fqinj. Kjo ka çuar në “humbjen e pakuptimtë të mijëra jetëve njerëzore, zhvendosjen e dhjetëra miliona njerëzve dhe shkatërrimin sistematik të infrastrukturës thelbësore” në Ukrainë, deklaroi Antonio Guterres. “Kjo duhet të ndalet”.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës, sipas presidentit ukrainas Zelenski janë vrarë në luftë 20.000 vetë.  Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 3.9 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina. Sipas këtyre shifrave, 6.5 milionë persona të tjerë janë në arrati brenda vendit. Qeveria e Kievit është veçanërisht e shqetësuar për situatën në Mariupol, në jug të vendit. Sipas të dhënave të Ukrainës, në këtë qytet të rrethuar nga trupat ruse janë vrarë të paktën 5000 vetë. Situata humanitare cilësohet si “katastrofike”.

Amnesty akuzon Rusinë për krime lufte

Organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International (AI) ka denoncuar “krimet e luftës” në Ukrainë. “Ajo që po ndodh në Ukrainë është një përsëritje e asaj që kemi parë në Siri,” tha Sekretari i Përgjithshëm Agnès Callamard gjatë prezantimit të raportit vjetor të organizatës. Rusia po sulmon “qëllimisht” instalimet civile dhe po i kthen rrugët e arratisjes në “kurthe vdekjeje”.

Drejtoresha e Evropës Lindore Marie Struthers tha se përfaqësuesit e Amnesty-së kishin dokumentuar gjatë një vizite në terren në Ukrainë “përdorimin e të njëjtave taktika si në Siri dhe Çeçeni”. Sipas tyre, Rusia përdorte edhe armë të ndaluara nga ligji ndërkombëtar. Callamard e krahasoi qytetin e rrethuar të Mariupolit me qytetin sirian të Alepos. Ai ishte shkatërruar plotësisht nga presidenti sirian Bashar al-Assad me ndihmën e Forcave Ajrore Ruse. Amnesty vëren një “shtim të krimeve të luftës” në Ukrainë.

Zelenski: Situata ushtarake mbetet e tensionuar

Pavarësisht disa sukseseve ushtarake, presidenti ukrainas beson se situata në vendin e tij mbetet e tensionuar. Kështu u shpreh ai në videomesazhin e tij të çdo mbrëmjeje, të publikuar në Telegram. Mbrojtësit ukrainas padyshim kanë qenë në gjendje të zmbrapsnin njësitë ruse nga qyteti Irpin pranë Kievit, tha ai. Megjithatë, në këtë rajon si dhe në pjesë të tjera të vendit luftimet kanë vazhduar. Trupat ruse kanë ruajtur kontrollin në pjesën veriore të Kievit. Ata qenë përpjekur të rindërtonin njësitë e çmontuara. Situata mbetet gjithashtu “shumë e vështirë” në rajonet e Çernihiv, Sumy, Kharkiv, Donbass dhe në jug të Ukrainës.

Zelenski bëri thirrje sërish për sanksione më të ashpra kundër Rusisë. Lidhur me një embargo ndaj furnizimeve ruse të naftës që po diskutohet në Evropë, ai tha se tani ka shumë të dhëna se një shtrëngim i tillë i sanksioneve kundër Rusisë do të ndodhte vetëm nëse Moska do të përdorte armë kimike. “Nuk ka fjalë për këtë,” tha Zelenski. “Mendoni për atë që po ndodh: në pritje për armë kimike.” Ai më tej pyeti nëse Rusia nuk e meritonte tashmë një embargo të tillë me gjithçka që ka bërë deri tani.

aud  (dpa, afp, rtr, DW)

SPAK firmos 9 urdhër-arreste për inceneratorët, 7 në pranga dhe 2 në “arrest shtëpie”. Tjetër akuzë për Lefter Kokën

SPAKProkuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka firmosur 9 urdhër arreste për çështjen e inceneratorëve.

Nga nëntë urdhër-arrestet që janë lëshuar, 7 persona kanë përfunduar në pranga, ndërsa dy janë lënë në masën “arrest shtëpie”. Të arrestuarit janë komisionerët e inceneratorëve në Ministrinë e Mjedisit, dy administratorët e Fierit, pronari Klodian Zoto dhe ish-ministri Lefter Koka.

 

Masat e marra “arrest me burg”:

Lefter Koka, akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i tëzgjedhurv evendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në rretha nëncilësuese në bashkëpunim”. Ndaj tij është regjistruar padi tjetër krahas të parës, për shkak të cilës ndodhet në qeli,  për “shpërdorim detyre”, “pastrim parash” dhe “korrupsion” në kohën kur drejtonte Ministrinë e Mjedisit.

Pëllumb Abeshi, ish-anëtar i Komisionit për dhëniet e inceneratorit, drejtor i politikave në Ministrinë e Mjedisit, akuzohet për “Shpërdorim detyre..

Azem Shatëri, drejtor i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike në Fier, akuzohet për shpërdorim detyre.

Florjan Muçaj, anëtar i Komisionit të prokurorimeve, akuzohet për ‘shpërdorim detyre’.

Klodian Zoto, akuzohet për “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Arenc Myrtezani, ish-administrori i inceneratorit të Fierit. Akuzohet për “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”,

 

Masa ‘Arrest Shtëpie’

Sabina Cenameri, ish-anëtarja e Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Fierit e cila akuzohet për veprën “Shpërdorimi i detyrës”.

Etleva Kondi, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionti, akuzohet për veprën  “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Top Channel

Olaf Scholz: Të çelen sa më shpejt negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

olafÇdo pengesë e bën Ballkanin Perëndimor më vulnerabël ndaj ndikimit të palëve të treta, tha kancelari gjerman

 

Kancelari gjerman Olaf Scholz po angazhohet fuqimisht për hapjen sa më të shpejtë të negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Scholz tha të hënën në Berlin, pas një takimi me homologen suedeze Magdalena Andersson, se të dy janë të mendimit se ka ardhur koha për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut:  “Çdo vonesë e bën Ballkanin Perëndimor më vulnerabël ndaj ndikimit të palëve të treta,” paralajmëroi Scholz.

Nuk është hera e parë që kancelari gjerman e shtyn përpara axhendën e zgjerimit. Çelja e negociatave aktualisht pengohet nga konflikti mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Verut. Shqipëria tani  po përpqiet për çeljen e negoicatave edhe pa  Maqedoninë e Veriut. Së fundmi në Berlin ishte kryetari i grupit parlamentar të maxhorancës së Shqipërisë, Taulant Balla, pikërisht për të lobuar për shkëputjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e zgjerimit.

dw

Hiqen maskat në shkollat fillore të Maqedonisë së Veriut

maskaQeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim të martën, 29 mars, për heqjen e detyrimit për mbajtjen e maskave në shkollat fillore.

Vendimi i Qeverisë është miratuar me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive, i cili doli me këtë propozim pas përmirësimit të gjendjes epidemiologjike me koronavirus.

Maskat vazhdojnë të jenë të detyrueshme për nxënësit e shkollave të mesme, ndërsa në universitete lejohet mësimi me prani fizike.

Qeveria ka miratuar edhe propozimin tjetër për shfuqizim të vendimit për prezantim të certifikatave për COVID-19 në tarracat e kafeneve.

Qeveria e ndryshoi edhe vendimin për kapacitetet e brendshme të objekteve të gastronomisë, nga 50 për qind në 75 për qind, por duke mbajtur maskat mbrojtëse dhe duke respektuar vendimet tjera.

Sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, autoritetet maqedonase kanë kryer javën e kaluar më shumë teste sesa në javën paraprake, megjithatë përqindja e të infektuarve është ulur me 7.5 për qind dhe janë regjistruar 1,700 raste të reja.

Në spitale janë të shtruar vetëm 84 pacientë, që është 24 për qind më pak krahasuar me javën e kaluar.

Rritja ka sa i përket vdekjeve, dhe sipas të dhënave, në shtatë ditët e fundit kanë vdekur 17 persona, që është 13 për qind më shumë se një javë më parë.

Por, krahasuar me periudhën e para tre javëve, numri i viktimave është shumë më i ulët.

Alekandar Petliçkovski, kryetar i Komisionit për Sëmundje Infektive, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Maqedonia e Veriut do të heqë edhe masat tjera mbrojtëse nga pandemia, por në disa faza, për të mos rrezikuar gjendjen e mirë epidemiologjike, që, sipas tij, i garanton Maqedonisë së Veriut të ketë një verë më relaksuese.

rel

Simovski: Përkundër gjitha sfidave, regjistrimi është i saktë

simovski-apostol“Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave 2021, është regjistrimi i parë sipas shumë parametrave – i pari pas dy dekadave, i pari pas pandemisë, i parë me metodë të kombinuar, i pari që është regjistruar edhe diaspora dhe më e rëndësishmja është se ka përfunduar me sukses”.

Këtë në një intervistë për AIM, e deklaroi drejtori i Entit Shtetëror për Statistika (ESHS) Apostoll Simovski. Ai tha se është krenar duke shtuar se regjistrimi është efikas, profesional dhe i përfunduar me sukses, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Simovski gjithashtu thotë se analiza e kryqëzuar e të gjitha të dhënave, nuk lë hapësirë ​​për manipulime dhe kur ke baza serioze të të dhënave përmes të cilave kontrollon disa herë të dhënat e mbledhura, mundësia e gabimit praktikisht nuk ekziston. Sipas tij, informacioni i saktë për gjendjen reale të popullsisë do t’i japë shtetit mundësinë për të krijuar politika që mund t’i përgjigjen më mirë nevojave të qytetarëve dhe biznesit.

Publikimi i të dhënave do të bëhet radhazi, sipas grupeve të të dhënave. Grupi i parë i të dhënave që do të publikohet nesër përfshin të dhëna për popullsinë totale rezidente, totalin e popullsisë jorezidente, gjininë, moshën, përkatësinë etnike, fenë, gjuhën amtare dhe gjuhën e zakonshme të familjes, numrin e banesave dhe numrin e familjeve, ndërsa në muajt në vijim do të publikohen grupe të dhënash për karakteristikat arsimore dhe ekonomike të popullsisë, strehimin, familjet, aftësinë e kufizuar.

Ndryshe, statistikat janë pjesë e kapitullit të parë në procesin e negociatave me BE-në, që sipas Simovskit do të thotë se pa statistika asnjë kapitull nuk mund të hapet apo mbyllet. Statistikat, me përjashtim të Kapitullit 18 të saj, duhet të jenë mbështetëse për të gjithë kapitujt e tjerë.

Telegrafi

Yuri Kim ndan lajmin e mirë: SHBA zgjat në 10 vjet vlefshmërinë e vizave për shqiptarët

Yuri KimNë 100-vjetorin e marrëdhënieve mesh SHBA-së dhe vendit tonë, ambasadorja amerikane Yuri Kim ka ndarë një lajm të mirë për shqiptarët.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zgjatur vlefshmërinë e vizave, duke nisur nga 1 prilli.

Vlefshmëria për një vizë të re turistike apo biznesi do të zgjatet nga tre në dhjetë vjet. Kjo do të thotë se nëse jeni një qytetar shqiptar që merr një vizë turistike apo biznesi në 1 prill ose më pas, viza do të jetë e vlefshme për dhjetë vjet, jo vetëm tre.


Yuri Kim:
 Ndërsa festojmë 100 vjet marrëdhënie midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, kam kënaqësinë të ndaj me ju një lajm të mrekullueshëm që besoj do t’i sjellë amerikanët dhe shqiptarët akoma dhe më afër së bashku.

Çdo vit, shumë e më shumë shqiptarë po vizitojnë Shtetet e Bashkuara, ashtu si gjithnjë e më shumë amerikanë po vizitojnë Shqipërinë. Tashmë do ta bëjmë më të lehtë për shqiptarët të cilët duan të vizitojnë miqtë dhe familjen në Amerikë, të shohin vendet tona dhe të ndërtojnë marrëdhënie biznesi.

Duke filluar nga 1 prilli, vlefshmëria për një vizë të re turistike apo biznesi do të zgjatet nga tre në dhjetë vjet. Kjo do të thotë se nëse jeni një qytetar shqiptar që merr një vizë turistike apo biznesi në 1 prill ose më pas, viza juaj do të jetë e vlefshme për dhjetë vjet, jo vetëm tre. Ju do të keni mundësi të shkoni dhe të vini në Shtetet e Bashkuara në bazë të ligjeve dhe rregullave përkatëse, pa pasur nevojë që të rinovoni vizën tuaj deri në 2032.

Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të zgjatur vlefshmërinë e vizës në dhjetë vjet pasqyron faktin që shqiptarët gjithnjë e më shumë po ndjekin rregullat kur vizitojnë Shtetet e Bashkuara. Shpresoj që të gjejmë akoma dhe më shumë mënyra për të afruar shqiptarët dhe amerikanët së bashku. Ne presim me kënaqësi që t’ju mirëpresim në Shtetet e Bashkuara dhe presim me kënaqësi edhe 100 vite të tjera si miq. Faleminderit!

Në dhjetor të vitit 2014, ambasadori amerikan Alexander Arvizu, gjatë intervistës së tij në “Top Story” njoftoi se çdo qytetar shqiptar që do të kualifikohej për marrjen e një vize amerikane, do ta kishte për një periudhë 3-vjeçare.

“Deri më sot, shqiptarët, të cilët janë kualifikuar për vizat më popullore, pra B1, B2, vizat turistike, të studentëve ose vizat e vlefshme për një vit, në ambasadë ne kemi punuar me Byronë e Çështjeve Konsullore në Departamentit për një kohë të gjatë në mënyrë që të lehtësonim kushtet e vlefshmërisë së vizave.

Jam shumë i kënaqur që të njoftoj që duke nisur nga sot, për ata shqiptarë që kualifikohen për këto viza, vlefshmëria e tyre do të jetë tani me 3 vite, jo 1. Pra, nëse kualifikoheni do të thotë që viza do të jetë e vlefshme për 3 vjet, pra do të kursejmë para pasi njerëzit nuk do të duhet të aplikojnë cdo vit, do të kursejnë kohë si dhe e shohin si një zhvillim shumë pozitiv që do të lehtësojë udhëtimet e ligjshme drejt SHBA që ne inkurajojmë. Sërish, njerëzit duhet të kualifikohen për ta marrë dhe nëse disa raste të vecanta, zyrtari konsullor mund të ketë ende autoritetin që ta kufizojë kohëzgjatjen e vizave, por pjesën më të madhe do të jetë 3 vjecare. Unë vërtetë shpresoj që do të vijë një ditë kur kufizimet do të lehtësohen dhe hapi tjetër do të ishte vlefshmëria e vizave për 5 vite dhe pas kësaj, ndoshta një ditë Shqipëria do të kualifikohet për programin e lëvizjes pa viza”, tha Arvizu për Top Story.

Bateritë e litiumit, përfitimet mjedisore dhe prirja e industrisë së makinave elektrike

makina bateriSuedia po harton plane për prodhimin e baterive të makinave më miqësore me mjedisin, ndërsa një ligj i propozuar nga Bashkimit Evropian do të ndalojë nga tregu i bllokut bateritë e automjeteve që nuk i plotësojnë standatet evropiane kundër ndotjes. Bateritë e gjeneratës së re me përbërje litiumi pritet të përshpejtojnë planet botërore për kalimin tek automjetet që nuk shkaktojnë ndotje të mjedisit.

Në veriun e acartë të Suedisë, Evropa po harton plane për të prodhuar bateri makinash më miqësore për mjedisin. Një projektligj i propozuar nga blloku, që pritet të marrë dritën jeshile këtë vit, do të lejonte në tregun evropian, duke filluar nga mesi i vitit 2024, vetëm bateritë e automjeteve që tregojnë gjurmët e karbonit.

Fabrika gjigande Northvolt në Suedi filloi prodhimin e qelizave të para të baterive një vit më parë. Planet për zgjerimin e kapaciteteve do të ishin të mjaftueshme për të ofruar mbi një milionë bateri makinash në vit.

Dy ish drejtues të kompanisë Tesla, Peter Carlsson dhe Paolo Cerruti, të cilët themeluan këtë ndërmarrje gjigande në periferi të qytetit suedez Skelleftea, thonë se ata nuk i tërhoqi moti i acartë apo ajri i pastër, por mundësia e furnizimit të fabrikës me energji të rinovueshme.

Rreth 200 kilometra në jug të Rrethit Arktik, fabrika Northvolt do të furnizohet tërësisht me energji të rinovueshme nga era dhe uji.

Drejtuesit thotë se fabrika do të prodhojë bateri me një gjurmë karboni 80% më të ulët krahasuar me fabrikat që përdorin energji elektrike nga centralet me qymyr.

Fredrik Hedlund, Shef Ekzekitiv i fabrikës Northvolt, thotë se shpreson që këtë vit të fillojnë dërgesat e baterive për tregun.

“Për prodhimin e çdo kilovat orë baterie, mund të duhet të konsumohet 60 deri 80 kilovat orë energji elektrike. Prandaj është shumë i rendësishëm vendi se ku e ndërton një fabrikë gjigande si kjo.”

Prodhimi i baterive kërkon nxjerrjen dhe transportin e mineraleve të rralla si dhe sasi të larta energjie elektrike që shpenzohet gjatë të gjitha proceseve.

Northvolt gjithashtu ka plane për të përdorur materiale të ricikluara, përfshirë nikelin, kobaltin dhe pilulat e baterive.

Këtë vit pritet të fillojë ndërtimi i një linje riciklimi pranë fabrikës në Skelleftea me shpresën për të ricikluar 125 mijë tonë bateri në vit.

Aktualisht, Azia dominon tregun botëror të prodhimit të baterive me bazë litiumi. Sipas një raporti të Komisionit Evropian, Evropa pritet të rrisë tregun e saj nga 6 – 16% deri në vitin 2029. Rreth 25 fabrika gjigande do të ndërtohen në të gjithë kontinentin, përfshirë fabrikën e kompanisë Tesla në Berlin.

Qëllimi është sigurimi i një burimi të brendshëm për prodhuesit evropian të makinave elektrike në përpjekjet për t’u përshtatur me masat e rrepta të Bashkimit Evropian për kufizimin e emetimit të karbonit.

“Kemi nevojë për një zinxhir të brendshëm evropian furnizmi. Që të mos varemi nga rajone të ndryshme si Azia. Kjo ka rëndësi strategjike jo vetëm për prodhuesit e makinave, por për Evropën në përgjithësi”, thotë Fredrik Hedlund, Shef Ekzekitiv i fabrikës Northvolt.

Fabrika Northvolt ka marrë porosi që kapin shifrën mbi 30 miliardë dollarë nga prodhuesit e automjeteve, përfshirë BMW, Volkswagen, Volvo dhe prodhuesin suedez të automjeteve elektrike Polestar. Kompania Volvo është zotuar që duke filluar nga viti 2030 të prodhojë vetëm makina elekrtike.

“Importimi i baterive miqësore me mjedisin nga një vend shumë larg fabrikës që prodhon makinat elektrike shkakton humbje, pasiguri dhe rritje të ndotjes”, thotë Erik Severinsson me kompaninë Volvo.

Volvo, nën pronësinë e kompanisë kineze Geely, njoftoi kohët e fundit planet për partneritet me fabrikën Northvolt për të ndërtuar një fabrikë të re baterish në Gothenburg, jo larg fabrikës së makinave në Torslanda të Suedisë.

Zoti Severinsson thotë se fabrika më e madhe e makinave Volvo në Torslanda do të prodhojë makinën e parë elektrike në fillim të vitit 2025.

“Jemi përqendruar tek makinat elektrike sepse është rritur kërkesa dhe kjo kërkesë vazhdon”.

Sfidë për firmën Northvolt mund të jetë furnizimi i qendrueshëm me materiale të ricikluara, thotë Martina Petranikova, profesoreshë në Universitetin Chalmers të Goteborgut në Suedi.

“Do të ketë një konkurrencë të fortë në tregun e baterive. Do të jetë e vështirë që makinat e përdorura elektrike të kthehen në qendrat e riciklimit pasi shumë prej tyre shkojnë në tregje të treta”.

Profesoresha Petranikova thotë se riciklimi është një proces tejet i nevojshëm për të plotësuar kërkesat e tregut në të ardhmen.

voa

Zelenskiy: Ukraina e gatshme të diskutojë për status neutral me Rusinë, por me garanci nga palë të treta

ZelenskiyUkraina është e gatshme të diskutojë mundësinë e një statusi neutral si pjesë e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, por me kusht që një status i tillë të garantohet nga pale të treta dhe të hidhet në referendum, tha Presidenti Volodymyr Zelenskiy në komente të transmetuara të dielën.

Zoti Zelenskiy foli me gazetarë rusë në një bisedë 90 minutëshe përmes videos, një intervistë për të cilën autoritetet ruse kishin paralajmëruar mediat ruse që të mos ta transmetonin.

Presidenti ukrainas tha se agresioni rus kishte shkaktuar shkatërrimin e qyteteve me banorë rusishtfolës në Ukrainë dhe tha se dëmi ishte më i rëndë se ai i shkaktuar nga luftrat ruse në Çeçeni.

“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë për garanci sigurie dhe neutralitet, për status jo-bërthamor të vendit tonë. Kjo është pika më e rëndësishme,” tha zoti Zelenskiy.

Ukraina mund të diskutojë për përdorimin e gjuhës ruse në Ukrainë në bisedimet me Rusinë, por refuzon të diskutojë kërkesa të tjera ruse, siç është çmilitarizimi i Ukrainës, tha zoti Zelenskiy.

Ndërkohë një anëtar i delegacionit ukrainas në bisedimet me Rusinë tha të dielën se të dyja palët kanë vendosur të takohen në Turqi duke filluar nga e hëna.

Davyd Arakhamia, kreu i grupit parlamentar të partisë “Shërbëtori i Popullit” të presidentit Volodymyr Zelenskiy, tha në Facebook se ishte rënë dakord për bisedimet gjatë një konsultimi me video. Ai nuk dha detaje të tjera.

Megjithatë, kryenegociatori i Rusisë tha se bisedimet do të fillonin të martën dhe jo të hënën.

Të dyja palët janë takuar më parë pa arritur asnjë marrëveshje.

Po të dielën zyrta e presidentit turk Tajip Erdogan tha pas një telefonate me homologun e tij rus Vladimir Putin, se ata kishin rënë dakord që raundi i ardhshëm i bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë të mbahej në Stamboll.

Zyra e zotit Erdogan tha se ai kishte bërë thirrje gjatë bisedës telefonike për një armëpushim me Ukrainën dhe kushte më të mira humanitare.

“Erdogani vuri në dukje rëndësinë e një armëpushimi midis Rusisë dhe Ukrainës, zbatimin e paqes dhe përmirësimin e kushteve humanitare në rajon,” tha zyra e presidentit turk pas telefonatës.

 

voa

CODA fiton Oscarin për filmin më të mirë

CODADrama CODA, që tregon për sfidat e një familjeje të shurdhër, ka fituar çmimin kryesor për filmin më të mirë në ndarjen e Çmimit Oscar.

CODA u bë filmi i parë nga platforma Apple TV+ që fitoi çmimin kryesor të Akademisë së Filmit.

Por, edicioni i 94-të i Oscars u karakterizua me një ngjarje tjetër.

Aktori Will Smith goditi në fytyrë komedianin Chris Rock në skenën e Oscars, pasi komediani bëri një shaka për gruan e aktorit, Jada Pinkett Smith.

Shakaja e Rock ishte një referencë për pamjen e Jada Pinkett Smith, e cila u paraqit në këtë ngjarje me kokë të rruar.

Pasi Smith e goditi në fytyrë Chris Rock dhe i kërkoi që të mos e përmendte gruan e tij, Rock tha se “kjo ishte nata më e mirë në historinë e televizionit”.

Smith më pas kërkoi falje, gjatë fjalimit të tij pasi fitoi çmimin për aktorin më të mirë.

“Dua t’i kërkojë falje Akademisë dhe të nominuarve të tjerë”, tha Smith.

Ky ishte çmimi i parë Oscar i Smith për rolin e tij në King Richard, ku ka portretizuar babanë e dy tenisteve amerikane, Venus dhe Serena Williams.

Jada Pinkett Smith më herët ka folur për rënien e flokëve për shkak të sëmundjes alopecia.

Pas incidentit, Akademia e Filmit tha përmes Twitterit se “nuk pranon dhunën në asnjë formë”.

Ndërkaq, sa i përket çmimeve të tjera, Jane Campion u bë gruaja e tretë që fitoi Çmimin Oscar për regjisoren më të mirë për filmin Power of the Dog.

Jessica Chastain fitoi çmimin për aktoren më të mirë për rolin e saj në The Eyes of Tammy Faye.

Ndërkaq, Troy Kotsur, bëri histori duke u bërë personi i parë i shurdhër që fitoi Oscar, për rolin e tij si aktori më i mirë dytësor në filmin CODA. Ndërkaq, Ariana DeBose, fitoi çmimin për aktoren më të mirë dytësore në filmin West Side Story.

Filmi Dune, i kategorisë fantashkencë, fitoi më së shumti çmime në edicionin e 94-të të Oscars. Ky film fitoi gjashtë çmime në kategori të ndryshme, përfshirë atë për kinematografi dhe montazh.

Maqedonia e Veriut ka shpallur persona non grata pesë diplomatë rusë

Maqedoni-RusiMinistria e Punëve të Jashtme informon se Maqedonia e Veriut ka shpallur persona të padëshiruar pesë diplomatë nga Ambasada e Federatës Ruse.

“Sot në hapësirat e Ministrisë së Punëve të Jashtme është thirrur Ambasadori i Federatës Ruse në vend, Sergei Bazdnikin, të cilit i është dorëzuar notë diplomatike, me të cilën pesë diplomatë nga Ambasada e Federatës Ruse janë shpallur të padëshirueshëm në vend ose persona non grata”.

“Sipas informacioneve që kemi marrë, punonjësit e përmendur të Ambasadës së Federatës Ruse kane kryer aktivitete në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike. Diplomatët rusë do të duhet të largohen nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në pesë ditët e ardhshme”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

telegrafi