Ndërroi jetë Madeleine Albright

Madeleine AlbrightIsh sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ndërroi jetë të mërkurën në moshë 84 vjeçare.

Familja e saj tha në një njoftim se Madeleine Albright, vdiq nga pasojat e kancerit.

“Ajo ishte e rrethuar nga familjarët dhe miqtë”, thuhet në deklaratën e shpërndarë në rrjetet sociale.

E lindur si Marie Jana Korbelová, zonja Albright iku nga nazistët si fëmijë nga vendlindja e saj, Çekosllovakia gjatë Luftës së Dytë Botërore, për t’u bërë më vonë gruaja e parë Sekretare amerikane e Shtetit.

Ajo u zgjodh në këtë post më 1997 ku shërbeu deri në vitin 2001. Zonja Albright luajti një rol të jashtëzakonshëm në procesin e paqes në Kosovë dhe mbështeti fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, që i dhanë fund luftës në Kosovë.

Në qendër të Prishtinës ngrihet busti i saj si shenjë nderimi për rolin e saj në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Zonja Albright, para se të behej sekretare e Shtetit shërbeu si ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

 

Kosova kujton zonjën Albright

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, shkroi se “jeta e Madeleine Albright ishte personifikim i ëndrrës amerikane – ngritja nga refugjate në Sekretaren tonë të parë të Shtetit. Udhëheqja e saj e guximshme në Ballkan shpëtoi jetë të panumërta. Përparimi i Kosovës është një nderim i vazhdueshëm për trashëgiminë e saj”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh “e tronditur thellësisht nga humbja e mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright”.

“Ajo na dha shpresë, kur nuk e kishim atë, u bë zëri ynë e krahu ynë kur nuk kishim as zë e as krah. E njohu dhimbjen e popullit tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër (Slobodan) Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahu parreshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, shkroi mes tjerash presidentja Osmani.

“Me pikëllim dëgjova për vdekjen e Madeline Albright, një grua e shquar, me moral të pakompromis për Shtetet e Bashkuara, një mike e Kosovës deri në fund dhe një partnere me të gjithë ata që ndoqën paqen, lirinë dhe demokracinë. Do të na mungosh, zonja sekretare”, shkroi ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, duke shprehur pikëllimin për vdekjen e zonjës Albright, shkroi se ajo “ishte një personalitet i papërsëritshëm, simbol i diplomacisë amerikane në botë dhe i humanitetit e i lirisë për shqiptarët. Ajo do të mbetet përherë e dashur në zemrën e secilit qytetar të Kosovës, për rolin e saj vendimtar në ndalimin e gjenocidit serb në vendin tonë. Ajo ishte e lidhur fort nga dashuria për Kosovën dhe këtë më së miri e tregon thënia e saj: “Kosova më bën krenare më së shumti në gjithë karrierën time”. Kosova është me fat që pati një mbrojtëse e mike të tillë”, shkroi mes tjerash zoti Krasniqi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku shkroi se “një kampione e demokracisë, një themeltare e mbështetjes ndërkombëtare për Kosovën në orën tonë më të vështirë, Madeleine Albright do të mbetet emër i gravuar në historinë tonë përgjithmonë. Emra të tillë janë të rrallë; sonte humbëm një ikonë të lirisë”!

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh “i pikëlluar për humbjen e mikes së madhe të Kosovës, sekretares Albright. Kosova e populli i saj do të kujtojnë gjithmonë, angazhimin e saj për t’i dhënë zë dhe rrugë, përpjekjeve tona për liri e konsolidim të shtetit të Kosovës”.

 

Reagime të politikanëve të Shqipërisë për zonjën Albright

Autoritete shtetërore dhe politike të Shqipërisë shprehën nderimet e tyre për ish Sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, sapo mësuan lajmin se ajo ndërroi jetë.

Presidenti Ilir Meta e vlerësoi zonjën Albright si “një nga personalitetet më të spikatura të politikës së jashtme amerikane”, e cila “”mishëronte në mënyrë të përkryer vlerat më të shkëlqyera të demokracisë amerikane”.

Zoti Meta theksoi se zonja Albright fuqizoi rolin e gruas në politikë dhe frymëzoi gratë kudo në botë për lidership dhe barazi në vendimmarrje.

“Roli i saj për çlirimin e Kosovës dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme në rajonin tonë ishte jetik dhe mbetet historik, duke i dhënë fund dhunimit dhe spastrimit etnik të shqiptarëve nga regjimi kriminal i Millosheviçit, në momentet më kritike për ta dhe të ardhmen e Ballkanit” – u shpreh zoti Meta.

Presidenti Meta shtoi se shqiptarët i janë mirënjohës veprës dhe përkushtimit të saj për vëmendjen e posaçme në forcimin e marrëdhënieve strategjike Shqipëri-SHBA.

Ai vet tha se ishte “dëshmitar i përkushtimit dhe i vendosmërisë së saj për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan”.

Kryeministri Edi Rama theksoi se ky ishte një “lajm i trishtueshëm” për “gruan, që mbikqyri rrugën e lirisë së Kosovës”. Ai e shoqëroi komentin e tij në Facebook me një foto të zonjës Albright me ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ndërsa drejtuesi i sapodorëhequr i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, përmes një postimi në Tëitter shprehu “mirënjohjen për mbështetjen e vendosur të ish sekretares Albright për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe për ndalimin e genocidit në Kosovë”.

Zoti Basha theksoi se “shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë shtytjen e saj, që aleanca të ndërmarrë veprime vendimtare për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë”.

voa

Serbia: Nuk do t’i bashkohemi sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë

Ministri i brendshëm serb Aleksandar Vulin duke shtrënguar duart me zyrtarin rus Aleksandar Bocan-HarčenkomMinistri i brendshëm serb Aleksandar Vulin duke shtrënguar duart me zyrtarin rus Aleksandar Bocan-Harčenkom

Një zyrtar i lartë serb tha të martën se Beogradi nuk do të vendosë kurrë sanksione, ose nuk do t’i bashkohet “histerisë” perëndimore kundër Rusisë për sulmin e saj ndaj Ukrainës.

Ministri i Brendshëm i Serbisë Aleksandar Vulin tha se “Serbia nuk do të jetë kurrë pjesë e histerisë anti-ruse, sipas së cilës vidhet prona e qytetarëve rusë dhe prona e Federatës Ruse”. “Ne gjithashtu nuk do të ndalojmë mediat ruse”, tha ai.

Serbia është një aleat i fortë i Rusisë, megjithëse e ka dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës.

Serbia po kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por është i vetmi vend evropian që ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare ndaj Kremlinit.

voa

Vuçiç, serbët e Kosovës do të votojnë në Serbi

zgjedhjet serbiPresidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të martën në mbrëmje se autoritetet në Prishtinë kanë kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në atë pjesë.

 

Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarët pas takimeve që mbajti në kuadër të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe ambasadorët e vendeve të Kuintit në Serbi.

Kemi pranuar kompromise të panumërta që kanë insistuar vetëm për t’u mundësuar njerëzve që të dalin në votime për atë që ata dëshirojnë të votojnë, por ata kanë këmbëngulur dhe kanë kërkuar vetëm një gjë dhe kjo është që Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës. Serbia nuk ka mundur ta pranojë këtë dhe Serbia nuk do ta pranojë, pavarësisht çmimit”, tha ai.

Presidenti Vuçiç tha se serbët e Kosovës do të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 prillit në Serbi, duke votuar në komunat në Serbinë qendrore. Ai tha se serbët e Kosovës kanë kërkuar që të largohen nga institucionet e Kosovës si përgjigje për moslejimin e votimit brenda Kosovës.

Unë i pyeta, në rregull e bëjmë sot, por çfarë një ditë pas? Ne do të marrim barrën financiare, por të nesërmen kam frikë se mund të hyjmë në një rreth pa dalje të konflikteve të luftës pa përfundim”, tha ai duke nënvizuar se ka kërkuar nga serbët e Kosovës për durim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

Të martën, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, tha se Kosova ka refuzuar propozimin e diplomatëve perëndimorë për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Dhe derisa Serbia ka qenë e hapur për gjetjen e zgjidhjes, ne shprehim keqardhjen që konsensusi mes palëve në fund nuk u arrit pas vendimit të Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të Quint-it”, tha ai duke e konsideruar vendimin e Kosovës në kundërshtim me përkushtimin për rrugën e saj evropiane dhe në kundërshtim me parimin e mbrojtjes së të drejtave demokratike të të gjithë qytetarëve të saj.

Tani presim që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet dhe retorikat që mund të rrisin tensionet dhe gjithashtu u bëjmë thirrje të dyja palëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë kontraktive në negociatat e vazhdueshme në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian“, tha zoti Stano.

Më 3 prill, Serbia mban zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale ndërsa synonte që në zgjedhje të marrin pjesë edhe serbët e Kosovës.

Zgjedhjet e Serbisë në Kosovë në të kaluarën janë lehtësuar nga misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ky mision në një përgjigje për Zërin e Amerikës tha se që nga viti 2002 ka bërë mbledhjen e votave për zgjedhjet serbe në Kosovë, të mbështetur nga institucionet e Kosovës, përfshirë Policia e Kosovës dhe KFOR-i dhe se kjo ka qenë gjithmonë e bazuar në marrëveshje të ndërsjellë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe pëlqimit të të gjitha institucioneve. Misioni i OSBE-së në Kosovë vazhdon të jetë i gatshëm për të kryer mbledhjen e votave me kusht që të plotësohet ky kusht”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së.

Viteve të kaluara, Kosova, nuk e ka penguar pjesëmarrjen në zgjedhjet e Serbisë, në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, por kësaj radhe zyrtarët e qeverisë thonë se serbët e Kosovës mund të marrin pjesë në zgjedhje vetëm përmes postës apo zyrës ndërlidhëse serbe në Prishtinë.

voa

Navalny dënohet me nëntë vjet burg

NavalnyUdhëheqësi i opozitës ruse Alexei Navalny u dënua për mashtrim dhe mospërfillje të gjykatës dhe u dënua me nëntë vjet burg të martën, në gjykimin që kritikët e Kremlinit e shohin si një përpjekje për ta mbajtur sa më gjatë në burg armikun më të zjarrtë të Presidentit Vladimir Putin.

 

Një gjykatës vendosi gjithashtu se Alexei Navalny do të duhet të paguajë një gjobë prej 1.2 milionë rublash (rreth 11,500 dollarë). Zoti Navalny mund ta apelojë vendimin.

Alexei Navalny, i cili tashmë po vuan një dënim me 2 vjet e gjysmë burg, ishte akuzuar për përvetësim të parave që ai dhe fondacioni i tij grumbulluan gjatë viteve dhe për fyerje të një gjyqtari gjatë një gjyqi të mëparshëm.

Ai i ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur ato të motivuara politikisht. Prokuroria kishte kërkuar 13 vjet burg të sigurisë maksimale për aktivistin kundër korrupsionit dhe një gjobë prej 1.2 milionë rublash.

Nuk është e qartë nëse Navalny pritet ta vuajë këtë dënim në të njëjtën kohë me dënimin e tij aktual apo pas kryerjes së tij, dhe në cilin objekt të sigurisë maksimale do të transferohet ai dhe kur.

Llogaria e zotit Navalny në Twitter iu përgjigj vendimit me një citim nga seriali televiziv “The Wire”: “Nëntë vjet. Epo, siç thoshin personazhet e serialit tim të preferuar televiziv The Wire: ‘Bën vetëm dy ditë. Dita kur hyn dhe dita kur del.’

Madje kisha një bluzë me këtë slogan, por autoritetet e burgut e konfiskuan, duke e konsideruar ekstremizëm printimi”.

Gjyqi, i cili u hap rreth një muaj më parë, u krye në një sallë gjyqi të improvizuar në ambjentet e burgut disa orë larg Moskës, ku Navalny po vuan dënimin për shkelje të lirimit me kusht. Mbështetësit e Navalny-t e kanë kritikuar vendimin e autoriteteve për të zhvendosur procedurat atje nga një gjykatë në Moskë, duke thënë se ajo ka kufizuar në mënyrë efektive qasjen e medias dhe mbështetësve tek procedurat e ndjekura.

Alexei Navalny, 45 vjeç, është paraqitur në seanca i veshur me rroba burgu dhe ka mbajtur disa fjalime të hollësishme gjatë gjyqit, duke i dënuar akuzat kundër tij si false.

Ai u arrestua në janar të vitit 2021 menjëherë pas kthimit të tij nga Gjermania, ku kaloi pesë muaj duke u shëruar nga një helmim për të cilin ai fajësoi Kremlinin, një pretendim që zyrtarët rusë e mohuan me forcë. Menjëherë pas arrestimit, një gjykatë e dënoi atë me 2 vjet e gjysmë burg për shkelje të lirimit me kusht që vinte nga një dënim i vitit 2014 në një rast mashtrimi që zoti Navalny këmbëngul se ishte i motivuar politikisht.

Pas burgosjes së Navalny-t, autoritetet filluan një goditje gjithëpërfshirëse ndaj bashkëpunëtorëve dhe mbështetësve të tij. Aleatët e tij më të afërt janë larguar nga Rusia pasi u përballën me akuza të shumta penale dhe Fondacioni i tij për Luftën kundër Korrupsionit dhe një rrjet prej gati 40 zyrash rajonale u shpallën të jashtëligjshmee si ekstremistë – një përcaktim që ekspozon personat e përfshirë ndaj ndjekjes penale.

Muajin e kaluar, zyrtarët rusë shtuan Alexei Navalny-n dhe një numër të bashkëpunëtorëve të tij në një regjistër shtetëror të ekstremistëve dhe terroristëve.

Disa çështje penale janë nisur kundër zotit Navalny individualisht, duke bërë që bashkëpunëtorët e tij të sugjerojnë se Kremlini synon ta mbajë atë pas hekurave për aq kohë sa të jetë e mundur.

voa

Forcat ukrainase në kundërsulm ndërsa ngadalësohet ofensiva ruse

UkrainaGati një muaj pasi forcat ruse pushtuan Ukrainën, ka tregues në rritje se forcat ukrainase po kalojnë në ofensivë, duke sulmuar trupat ruse dhe, në disa raste, duke rimarrë terrenin e humbur.

 

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha të martën se forcat e saj kishin rimarrë Makarivin, një periferi të kryeqytetit të Kievit, pas luftimeve të ashpra.

Ushtria e Ukrainës gjithashtu duket se ka nisur një kundërsulm në qytetin lindor Izyum, 120 kilometra në juglindje të Kharkivit, dhe në zonat pranë qytetit Kherson, në pjesën jugore të vendit.

Zyrtarët amerikanë nuk pranuan të komentojnë përpjekjet e Ukrainës, por ata thanë se në disa pjesë të vendit, energjia duket se po ndryshon.

“Kemi parë tregues se ukrainasit po hidhen pak më shumë në sulm tani”, u tha gazetarëve të martën vonë sekretari i shtypit i Pentagonit, John Kirby.

“Ata janë mbrojtur me shumë zgjuarsi, shumë shkathtësi, shumë novacion në vende që ata besojnë se janë vendet e duhura për t’u mbrojtur”, tha ai. “Dhe ne i kemi parë ata tani në disa vende, veçanërisht në jug pranë Khersonit, që ata janë përpjekur të rifitojnë territorin”.

Zyrtarë të tjerë amerikanë u treguan edhe më të hapur për gjendjen e operacioneve ushtarake ruse.

“Rusia deri më tani ka dështuar dukshëm”, u tha gazetarëve këshilltari për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, në lidhje me planet e Kremlinit për Ukrainën.

“Pavarësisht nëse Rusia merr një qytet, merr një qytet apo merr më shumë territor, ata kurrë nuk do të jenë në gjendje të arrijnë qëllimin që ata vendosën… që ishte ta bënin këtë vend të gjunjëzohej”, tha ai. “Qytetarët e guximshëm të Ukrainës po refuzojnë të dorëzohen. Ata po luftojnë”.

Në njoftimet në gjuhën angleze në rrjetin Telegram, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë portretizoi një përpjekje krejtësisht të ndryshme luftarake, duke lavdëruar forcat ruse që përparonin në pjesë të Ukrainës juglindore, ndërsa forcat ukrainase iknin dhe duke pretenduar sukses në asgjësimin e depove dhe depozitave të karburantit të Ukrainës me armë “preçizioni të lartë dhe rreze të gjatë veprimi”.

Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane, duke informuar gazetarët në kushte anonimiteti për të diskutuar të dhënat e zbulimit, konfirmoi se anijet ruse në Detin Azov kishin filluar të bombardojnë qytetin ukrainas Mariupol, i cili është sulmuar shumë prej ditësh.

Por zyrtari tha se të dhënat e tjera të zbulimit sugjerojnë se pushtimi i Rusisë në Ukrainë është bërë një makth logjistik, me forcat ruse që ende po luftojnë për të kapërcyer mungesat e karburantit, ushqimit dhe municioneve të drejtuara me saktësi.

Zyrtarët e Pentagonit thanë të martën se këto mungesa mund të jenë pjesë e arsyes që Rusia “të paktën në një rast” ka përdorur një raketë të avancuar hipersonike për të asgjësuar një objekt magazinimi ushtarak ukrainas, një lëvizje që një zyrtar e përshkroi si “habitëse”.

Madje edhe furnizimet bazë duket se mungojnë.

“Morëm disa sinjale se disa nga ushtarët e tyre po vuajnë nga ngricat sepse u mungojnë pajisjet e përshtatshme për motin e ftohtë”, tha zyrtari. “Trupat në fakt kanë vuajtur dhe [janë] nxjerrë nga lufta”.

*Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjensitë e lajmeve Associated Press, AFP dhe Reuters.

Kosova refuzon propozimin e vendeve të QUINT për zgjedhjet e Serbisë

zgjedhjet serbiKosova refuzoi propozimin e vendeve të QUINT për zgjedhjet e Serbisë. Kryeministri Kurti tha se për zgjedhjet serbe në Kosovë duhet të ketë marrëveshje ndërmjet dy vendeve.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai nuk dëshiron që t’ua pamundësojë serbëve të Kosovës të drejtën e votës, por se në të njejtën kohë nuk mund të veprojë kundër ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë së Kosovës.

Këtë deklaratë Kurti e bëri  gjatë një takimi virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike të Kosovës pak ditë para se në Serbi të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale më 3 prill.

 

Këto zgjedhje synohet të zhvillohen edhe në Kosovë, por Kurti tha se “për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kurti tha se është në komunikim të vazhdueshëm me ambasadorët e vendeve të QUINT-tit në Kosovë, por nuk saktësoi nëse do ta lejojë apo jo mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, siҫ ka ndodhur kjo në të kaluarën.

 

BE: Keqardhje për “vendimin e Kosovës

Zëdhënësi i BE-së për çështje të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, tha në Bruksel se BE-ja shpreh keqardhje për “vendimin e Kosovës për të refuzuar propozimin e QUINT-it, për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi”.

“BE-ja ka vepruar si ndërmjetësuese, Përfaqësuesi i Lartë ishte i angazhuar në kontakte për të gjetur marrëveshje për zgjidhje praktike që do t’u mundësonte qytetarëve me dyshtetësi të marrin pjesë në zgjedhje. Kemi bërë përpjekje të gjejmë zgjidhje praktike duke përdorur analogjitë që ishin vendosur në votime në të kaluarën”, tha Peter Stano, duke sqaruar se “Serbia ka qenë e hapur për gjetjen e një zgjidhjeje.”

 

Stano tha se vendimi i Prishtinës është në “në kundërshtim me përkushtimet e Kosovës për rrugëtim evropian” dhe se tani Bashkimi Evropian pret “nga Kosova dhe Serbia që të përmbahen nga veprimet dhe retorika, e cila mund të rrisë tensionet”. Po ashtu u bëhet thirrje të dyja palëve “që të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociata në kuadër të dialogut”.

 

Prishtina reagon ndaj deklaratës

Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas deklaratës  se “Mendoj që ka pak pasaktësi në konstatim. Ne nuk kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është jokushtetuese, por kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë pa aprovim të institucioneve të Kosovës, është jokushtetuese. Ne mendojmë që në të kaluarën dhe për këtë ka pajtim dhe konsensus të përgjithshëm edhe brenda vet QUINT-it, se zgjedhjet e Serbisë në Kosovë nuk kanë qenë deri tani kushtetuese.”

 

Reagimi i Serbisë

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, nga ana e tij, duke komentuar qëndrimin e qeverisë së Kosovës që Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë marrëveshje për zgjedhjet serbe, tha se “Qeveria e Kurtit kërkon nga Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të lejohen zgjedhjet të cilat mbahen më 3 prill”.

 

Pas një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, dhe pas refuzimit të Kosovës për zgjedhjet, presidenti serb anuloi ditën e martë të gjitha tubimet elektorale me arsyetimin që “situata në Serbi është e vështirë”, duke paralajmëruar takim me përfaqësuesit e serbëve në kuvendin e Kosovës.

“Kjo është një situatë shumë e rëndë për vendin. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në takimin me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova”, tha Vuçiq.

 

Votim përmes postës ose zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë

Në janar të këtij viti Parlamenti i Kosovës  mbështeti me anë të një rezolute një vendim të qeverisë së Kosovës, për të mos lejuar hapjen e qendrave të votimit në Kosovë, për referendumin e Serbisë që u mbajt më 16 janar, me gjithë thirrjet e vendeve të QUINT-it që votimi të lejohet.

Sipas rezolutës së kuvendit thuhej se “mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë, cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.

Si duket kjo rezolutë dhe pikat e saj do të aplikohen edhe në rastin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, që mos  të lejohet organizimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, por serbëve nuk do t’u ndalohet votimi përmes postës apo zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020. Ato zgjedhje janë mbajtur sipas praktikave të mëhershme, ku misioni i OSBE-së, i ka grumbulluar votat në Kosovë ndërsa më pas ato janë numëruar në dy qytete në jug të Serbisë. Zyrtarë të misionit të OSBE-së janë shprehur se ata janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe kësaj radhe për zgjedhjet e 3 prillit të Serbisë, por vetëm me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse.

dw

Vaj luledielli dhe bunkerë: Gjermania në frikë nga lufta

vajLufta në Europë është rikthyer dhe me këtë edhe frika në Gjermani. Çfarë ndikimi ka tek gjermanët agresioni rus kundër Ukrainës dhe si përgatiten gjermanët për katastrofat?

 

Ndryshimi i klimës, pandemia e Coronës dhe sikur këto të mos mjaftonin ato, agresioni rus kundër Ukrainës ka mbuluar gjithçka, lajmet e këqija po shtohen. Një atmosferë krize është përhapur në Gjermani. Si matës për një vend të trembur janë kthyer raftet bosh në supermarkete, kufizimet tek makaronat dhe majaja.

Javët e muajt e ardhshëm “priten kufizime të flukseve të mallrave si vaj luledielli, liri, dhe soje nga rajoni i konfliktit”, paralajmëron Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Vajit, OVID. Ukraina dhe Rusia janë eksportueset kryesore të vajit të lulediellit. Gjermania e mbulon 94% të nevojës për këto produkte nga importi. Nga shqetësimi se mund të ketë mungesë furnizimi të këtyre artikujve ushqimorë, po mblidhen rezerva të miellit dhe makaronave. Megjithëse për këto produkte nuk është dhënë alarmi.

Sipas një sondazhi të Forsas, 69% e të anketuarve kanë frikë se NATO dhe me këtë edhe Bundeswehri mund të përfshihen në luftë. Sipas sondazhit të fundit të Trendit të Gjermanisë, shumë të pyetur janë të mendimit se ky konflikt do të lerë gjurmë në Gjermani. 64% presin përkeqësim të situatës ekonomike. Deri tani qytetarët gjermanë ishin me besim tek e ardhmja, por lufta, që pjesërisht mund të ndiqet live në mediat sociale dhe gjeografikisht është kaq pranë i ka prekur emocionalisht gjermanët.

 

Në telefon për të folur për frikën

Shumë më shpesh se më parë po kërkohet ndihmë në linjën telefonike të këshillimit psikologjik. “Kërkesat janë bërë shumë intensive”, shprehet Christina Zajackovski nga qendra e Kölnit. Çdo e pesta telefonatë lidhet me frikën e luftës që mund të shtrihet deri në Gjermani, me frikën se mund të bombardohet shtëpia apo se mos u ndodh diçka njerëzve të dashur. Për ata që telefonojnë është qetësuese “të flasin për frikën e tyre dhe të shqiptojnë fantazitë më të frikshme që lidhen me luftën”, thotë Zajaskovski.

Ky brez “në kohë paqeje ka mënjanuar gjithçka. Tani këto janë bërë aktuale”, thotë Thomas de Vachroi për DW. I ngarkuari i Kishës evangjeliste për Varfërinë në Neukölln, Berlin drejton “Haus Britz”, një institucion për banim të lehtësuar për të moshuarit. “Ata kanë shumë frikë, se  tejkalohet vija e kuqe dhe NATO ndërhyn dhe të gjithë shohin vetëm tmerr. Më duhet të them hapur, që edhe unë e kam këtë frikë.”

 

“Çfarë po ndodh në botë?”

Të moshuarit në “Haus Britz” nuk kanë frikë për veten, por edhe për fëmijët e nipërit, thotë Vachroi. Pas përvojës së luftës në vitet 1945-1955 ata thonë se “nipërit e mi nuk mund të përballojnë atë që kemi përjetuar ne pas luftës. Të durojnë urinë, të kërkojnë ushqim nëpër fusha, të mos kenë veshje.” Kjo i shqetëson shumë ata, rrëfen Vachroi. “Ata ulen përballë dhe të thonë, zot i madh, çfarë po ndodh në këtë botë?”

Reagime që kreu i Shoqatës Botërore të Mjeëve, Frank Ulrich Montgomery i merr seriozisht. “E rëndësishme është që njerëzit që kanë frikë nga lufta të merren seriozisht dhe të mos minimizohen këto emocione”, thotë ai për grupin mediatik, Funke Mediengruppe.

 

Përgatitje për katastrofën

Argumentat e arsyeshme nuk i arrijnë sigurisht këto kohë të ashtuquajturit “preprer” ata që prej vitesh përgatiten për katastrofat me imtësi, sepse gjithmonë mendojnë më të keqen. Në internet prezantohen çanta shpine me materiale mbijetese, tableta jodi kundër radioaktivitetit, apo gjeneratorë të rrymës. Një përdorues nxjerr në youtube me pseudonimin “Prepper Norddeutschland” videon “Lufta Rusi-Ukrainë-çfarë duhet të bësh tani?” Të tjerë publikojnë video si të mbijetosh në rast të emergjencave të aksidenteve atomike.

Frika është e mirë për biznesin. Dega e sigurisë përjeton një bum të vërtetë. Tek “Sistemet e Hapësirës Mbrojtëse në Bunkerë për Gjermaninë, BSSD në Berlin janë shumëfishuar pyetjet. “Deri tani klikimet në faqen tonë të internetit kapnin 100 deri në 300 klikime në ditë, tani ato kapin shifrën e 10.000 klikimeve”, thotë drejtuesi i qendrës, Mark Schmiechen. Pyetjet fillojnë nga hapësirat e mbrojtura të çelikut dhe vazhdojnë me bunkerët që të mbrojnë nga sulmet atomike. BSSD ofroi një hotline me 6 telefona për këtë arsye. “Për çdo telefon kishim 10 thirrje në orë”, thotë Schmiechen.

 

Institucionet e IT-s i tremben sulmeve kibernetike

Frika e shumë gjermanëve lidhet me sulmet kibernetike dhe kolapsin e furnizimit me energji dhe ujë në rast të ndonjë hakerimi rus. Ministrja e Mbrojtjes, Nancy Faser apeloi që ky rrezik të merret seriozisht. Edhe Zyra Federale për Sigurinë e Teknikës së Informacionit është e alarmuar. Autoriteti mbrojtës nga sulmet kibernetike në një njoftim është shprehur se mënyra e verimit të forcave ruse apo atyre të shërbimeve sekrete “është e lidhur me një rrezik të ndjeshëm për sulme me sukses të infrastrukturës së  IT-s”.

Zyra Federale për Mbrojtjen e Popullsisë, BBK tha për DW, se është “parimisht e mundur” një ndërprerje e furnizimit me rrymë elektrike në rast të një sulmi hakerimi. Para dy vjetësh pati tallje, kur kjo zyrë rekomandoi që të mbahen rezerva për 10 ditë. Tani kërkesat tek ky institucion janë shumëfishuar dhe ai ka ofruar në faqen e internetit edhe një rubrikë të posaçme pas luftës në Ukrainë. Situatën aktuale kërcënuese shumë vetë e kanë konsideruar për të pamundur, “por jo Bundeswehri, dhe jo ne, edhe për shkak të detyrës që kemi si institucion”, sqaron BBK. Në këtë kuptim nuk ndryshon asgjë nga skenarët e përgatitjes, por “vetëm intensiteti i përgatitjeve”.

dw

Rigjykimet rrisin mosbesimin në drejtësi

drejtesiaFamiljarët e 14 viktimave dhe të lënduarve në aksidentin që kishte ndodhur më 14 shkurt të vitit 2019 në afërsi të fshatit Llaskarcë, në autostradën Shkup-Tetovë, ende janë në pritje të drejtësisë lidhur me këtë fatkeqësi komunikacioni.

Por, ata dyshojnë se zvarritja e procesit gjyqësor mund të çojë në rigjykimin këtë lëndë pasi tash e 90 ditë nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore.

Mitko Avramovski, i cili në këtë aksidenti kishte humbur djalin e tij Bobanin, 30-vjeçar, thotë se zvarritja e procesit gjyqësor i shkakton edhe më shumë vuajtje, ndërsa kërkon që vepra të kualifikohet si “vrasje”.

“Ne nuk pajtohemi me kualifikimin e veprës si fatkeqësi komunikacioni, por kërkojmë që kjo vepër penale, në të cilën i humbëm të afërmit tanë të rikualifikohet në veprën penale ‘vrasje’. Zvarritja e këtij procesi gjyqësor, ndërkohë, edhe më shumë na shton dhimbjen dhe na bën të dyshojmë se institucionet po i mbrojnë autorët e kësaj vepre të rëndë. Kanë kaluar tre vjet dhe ende nuk ka epilog, kjo është e rëndë për ne pasi gjërat janë të pastra dhe gjithçka duhet të përfundonte shumë shpejt”, thotë ai.

Në aksidentin në Llaskarcë ishin lënduar rreth 40 persona dhe një prej tyre është edhe Lulzimi 50-vjeçar nga Gostivari. Ai thotë se lëndimet që ai ka pësuar, i kanë kushtuar me humbje të vendit të punës.

“Edhe sot e kësaj dite i vuaj pasojat. Kam humbur vendin e punës pasi tani jam në pension invalidor. Porosis institucionet e drejtësisë që t’i japin fund këtij procesi që të mos zvarritet me vite të tëra pasi është dëshpërim i madh, të marrin masa, të zbardhet fatkeqësia dhe drejtësia të jetë në nivelin e duhur”, thotë Lulzimi.

Shkaqet e këtij aksidenti të rëndë ende nuk dihen, ndërsa pronari i kompanisë, “Durmo Turs”, shoferi i autobusit, një i punësuar dhe inxhinieri i qendrës së kontrollit teknik, po gjykohen për “vepër të rëndë për sigurinë e njerëzve në komunikacion”.

Autobusi besohet të ketë qenë duke lëvizur me shpejtësi të madhe në momentin që ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga autostrada, por vendim gjyqësor ende nuk ka.

Gjatë tre vjetëve janë mbajtur dhjetëra seanca, por edhe shumë tjera janë anuluar për shkak të mungesës së ndonjërit nga anëtarët e trupit gjykues, mungesës së mbrojtjes, dëshmitarëve apo edhe për shkak të kërkesave për ekspertiza të reja. Nga gjykata nuk pranojnë se proceset janë shtyrë qëllimisht.

“Ky rast gjatë këtij viti është proceduar siç edhe ishte planifikuar. Janë dëgjuar dëshmitarët e propozuar, të lënduarit dhe ekspertët. Ka mbetur vetëm që të kryhet super ekspertiza, e cila do të mbyllë procedurën e provave dhe çështja do të kalojë te fjalët përmbyllëse dhe aktgjykimi”, thuhet në njoftimin e Gjykatë Penale Shkup.

Por, meqë në 90 ditët e fundit nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore, i gjithë procesi mund të kthehet në rigjykim, nëse mbrojtja e të akuzuarve e kërkon një gjë të tillë, apo nëse paraqiten kërkesa për prova të reja, siç ishte edhe ajo për një ekspertizë të veçantë, e cila ende nuk ka përfunduar.

Ky rast nuk është i vetmi që është kthyer në rigjykim shkaku i zvarritjes së procedurave apo për arsye të tjera.

Në rigjykim ishte kthyer edhe rasti “Monstra”, lidhur me vrasjen e pesë maqedonasve më 12 prill të vitit 20212 në afërsi të Smillkovës në Shkup, pastaj rasti “Sopoti”, i dënimit të 11 banorëve fshatit Sopot të Kumanovës me 150 vjet burgim për vendosjen e një mjeti shpërthyes në mars të vitit 2003 nga i cili kishin humbur jetën dy ushtarë polakë të NATO-s, por edhe raste tjera, të cilat ose ishin kthyer në rigjykim ose janë vjetërsuar.

Zvarritja e proceseve gjyqësore dhe kthimi i tyre në rigjykim, sipas profesorit të së drejtës kushtetuese, Mersim Maksuti, flet se Maqedonia e Veriut ende po ballafaqohen me problemet e së kaluarën në gjyqësor, si prania e korrupsionit, por edhe ndikimet politike.

“Kësaj radhe më tepër mund të ketë elemente të korrupsionit që çojnë në zvarritjen e procedurave përderisa deri tani ballafaqoheshim me ndikimet politike, të cilat po ashtu nuk mund t’i përjashtojmë. Kjo tregon edhe njëherë se sistemin gjyqësor këtu, apo më saktë gjyqtarëve u duhet një lloj i vetingut që është i pashmangshëm pasi duke analizuar një sërë faktorësh e shohim se në çfarë gjendje e kemi gjyqësorin këtu te ne”, vlerëson për Radion Evropa e Lirë Maksuti, profesor në Universitetin e Tetovës.

Nga shoqata “Të gjithë për gjykim të drejtë”, thonë se mosefikasiteti i gjyqësorit, ngecja dhe vjetërsimi i lëndëve po ndikon negativisht në perceptimin e qytetarëve ndaj punës së gjyqësorit.

“Shtyrja e vazhdueshme e proceseve gjyqësore dhe mungesa e një sinkronizimi gjatë seancave, ndikon që të mos kemi një proces gjyqësor të pavarur. Kjo reflektohet te qytetarët, të cilët krijojnë përshtypjen se nuk po marrin drejtësinë që e presin nga institucionet gjyqësore”, thotë Natalija Petrovska nga shoqata “Të gjithë për gjykim të drejtë”.

Pushteti gjyqësor në Maqedoninë e Veriut në vazhdimësi është kritikuar nga institucionet ndërkombëtare, të cilat në të gjitha paraqitjet kërkojnë reforma që vlerësohen si kyçe në procesin e integrimit evropian të vendit.

rel

58% e të rinjve do të shpërnguleshin nga Maqedonia e Veriut

Shkupi58% e të rinjve në Maqedoninë e Veriut do të shpërnguleshin nga vendi, ndërsa 64.8% janë të pakënaqur me vendin e tyre në shtet.

Këtë e tregojnë të dhënat e rezultateve të hulumtimit nga Fondacioni për Demokraci “Vestiminster”, në të cilin kanë marrë pjesë rreth 1000 të rinj. Drejtori i Forumit rinor arsimor Petar Barllakovski, në konferencën e sotme me temën: “T’i themi STOP ikjes së të rinjve”, tha se ajo që mund të shihet nga rezultatet është se një numër i madh i të rinjve dëshirojnë të largohen.

Gjithashtu ai tha se është e lartë shkalla e pakënaqësisë te të rinjtë, si arsye se shteti nuk kontribuon për përmirësimin e standardit të tyre, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Kemi shkallë të lartë të pakënaqësisë së të rinjve me mënyrën se si autoritetet shtetërore kujdesen për këtë kategori të njerëzve dhe kemi mospërputhje të madhe midis mundësive dhe nevojave të të rinjve në nivelin lokal dhe qendror”, tha Barlakovski.

Ai shtoi se indikacionet janë se gjatë krijimit të politikave duhet të merren masa në nivel lokal, sepse siç shtoi, nevojat e të rinjve në Shkup me të rinjtë në një zonë rurale janë vërtet shumë të ndryshme.

“Shumë të rinj vendosin të shpërngulen për shkak të mundësive që kanë në vendet e tjera për sa i përket jetës shoqërore, ngjarjeve kulturore, mundësive arsimore etj. Prandaj, mendimet janë që në këto fusha shteti të përpiqet të gjejë zgjidhje që do të tërheqin të rinjtë të qëndrojnë këtu. Shumica e emigrantëve janë të emigruar në fushën e profesioneve mjekësore dhe në fushën e inxhinierisë, të cilët shkojnë në vendet anëtare të BE-së”, tha Barlakovski.

Shqiptarët – kufiri i fundit i botës perëndimore me botën dhe interesat ruse në Gadishullin Ilirik

mbeshtesin ukrainen

“Ambasadorit të Federatës Ruse i thashë se mbështes integritetin territorial dhe sovranitetin e çdo shteti të pavarur siç është Ukraina … sepse jo shumë kohë më parë atdheu ynë, Maqedonia jonë ishin objekt i agresionit nga veriu dhe perëndimi”, deklaroi z. Mickoski, lideri i VMRO-DPMNE në qytetin Veles, me rastin e promovimit të 100 ditëve pushtet lokal, pasi ishte sulmuar më parë nga rivalët e tij politikë për vonesën e një qëndrimi mbi agresionin rus në Ukrainë.

 

Ndërkohë, për dallim nga z. Mickoski, votuesit e tij, ashtu si shumica dërmuese e qytetarëve të tjerë “maqedonas”, bashkë me “vëllezërit” e tyre serbë, shprehën hapur përmes rrjeteve sociale dhe protestave në sheshet e Beogradit dhe Shkupit, përkrahjen e tyre pa rezervë për Putinin dhe agresionin e regjimit të tij në Ukrainë, bashkë me urrejtjen e vjetër kundër perëndimit dhe shqiptarëve.

Gazetari i njohur Sasho Jordanovski, në shkrimin e tij në “Sloboden Peçat”, këtë eufori përkrahjeje të qytetarëve serbë dhe “maqedonas” për Putinin, dhe urrejtjen e tyre ndaj shqiptarëve dhe perëndimit, e shpjegon me “një padurim të ndrydhur ndaj shqiptarëve, që vjen si rezultat i llojeve të ndryshme të frikës së nënndërgjegjeshme dhe pasigurisë si “shumicë” për të ardhmen kolektive të popullit të tyre (maqedonas), të bindur se “projekti perëndimor” është “shqiptarizimi” i Ballkanit”. Ndërkaq Tito Petkovski kryetar i Partisë së Re Socialdemokrate, deputet në të gjitha mandatet dhe kyetar i parlamentit të ish IRJM në një mandat, kandidat i LSDM per president shteti në zgjedhjet e vitit 1999… ishte më i drejtëpërdrejtë, duke deklaruar se “maqedonasit e lavdërojnë presidentin rus Vladimir Putin në rrjetet sociale, sepse janë në kërkim të një lideri që do t’i mbrojë me dorë të fortë në qeverisje dhe që do t’i kundërshtojë padrejtësitë e Perëndimit…”.

 

Pra, cfarë është ajo që sqaron realisht këtë tifozllëk të qytetarëve serbë dhe “maqedonas” per Putinin dhe “aksionin e tij special” në Ukrainë? Është pikërisht solidariteti i agresorit me agresorin dhe pushtuesit me pushtuesin. Është garancia qe gjejnë shovinistët dhe hegjemonistët serbë tek “autoriteti” i Putinit, në “mbrojtje” të asaj që nuk është e tyre – Kosovës me vetëm 2% serbë, Sanxhakut me 33% serbë, Luginës së Preshevës me 30% serbë… Është garancia që gjejnë shovinistët “maqedonas” në mbrojtje të pozitës së privilegjuar në shtetin unitar, të ndërtuar dhe mirëbajtur me dhunë mbi themelet e identitetit, historisë, gjuhës dhe territoreve të përvetësuara. Është shembulli i gjuhës së “suksesshme” të kërcënimit drejtuar gjithë njerëzimit, dhe forca e kërcënimit që gjejnë shumica e serbëve dhe “maqedonasve” tek “autoriteti” i Putini, për t’ua drejtuar atë shqiptarëve, për të mbjellur terrorin që do të siguronte vazhdimësinë e botës së tyre të bazuar në pabarazi, diskriminim, dhunë, korrupsion… Dhe mu këtu gjejnë edhe arsyen e urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe perëndimit: sepse shqiptarët dhe demokracinë perëndimore i përjetojnë si kërcënim për këtë botë të tyren.

 

Ndërkohë roli i partive shqitpare në pozitë, në ish IRJM, është katandisur në shërbim mercenarësh tanimë të dëshmuar, të BDI, AAA dhe PDSH, të cilët japin legjitimitenin dhe ngjyrën demokratike politikave antishqiptare, madje deri tek përfaqësimi këtyre politikave në botë, përmes resorit të ministrisë së jashtme. Ndërsa “opozitën” shqiptare, tani e katandisur në krerët e lodhur të “Aleancës për Shqitparët”, të konsumuar dhe të vënë në lojë me rradhë nga BDI, LSDM dhe në fund Alternativa, dhe krerët e gjysëm-partisë erdoganiste “Lëvizja Besa”, padurimi dhe etja e papërmbajtur për pushtet i bashkoi pikërisht me VMRO-DPMNE-në, parti e cila ka akoma për inspirim politik luftën dhe granatimet e fshatrave shqiptare në vitit 2021, dhe shqiptarët i konsideron “agresorë nga perëndimi dhe veriu”. Koalicionimi me këtë parti, pas nje lufte pa epilogun minimal të zgjidhjes kushtetuese të statusit të shqiptarëve në ish IRJM, turpëron dhe poshtëron jo vetëm “opozitën”, kohëve të fundit e reklamuar si “e keqja e vogë” që lufton BDI-në “të keqen e madhe”, por çdo shqiptar që përjetoi luftën e vitit 2001. Poshtëron të gjithë ata që patën guximin dhe kapën armët për t’ju kundërvënë pushtetit diskriminues dhe agresor nën udhëheqjen e VMRO-DPMNE, e cila akoma thiret në këtë luftë. Dhe njëkohësist përdhos në mënyrën më të vrazhdë kujtimin për dëshmorët që dhanë jetën, dhe të gjitha viktimat e pafajshme në në këtë luftë, shumë e freskët në kujtesën tonë!

Situata e krijuar lidhur me agresinin rus në Ukrainë, sjellja e Serbisë dhe përkrahja e hapur e qytetarëve serbë dhe “maqedonas” këtij agresioni, dhe si pasojë, reziku i përhapjes së konfliktit në Gadishullin Ilirik, i dhanë një leksion të rëndësishëm, si gjithë botës perëndimore, ashtu edhe vet shqiptarëve – shqiptarët kanë qenë, dhe vazhdojnë të jenë kufiri i fundit i botës perëndimore, me botën dhe interesat ruse në Evropë. Ndaj, çështja e pazgjidhur shqiptare dhe konfliktet që ringjall kjo çështje gjatë gjithë kohës në ketë pjesë të Evropës, duhen zgjidhur, në vend se të zbuten ose shtyhen, siç është bërë deri tani. Me të keqen nuk duhet bërë kompromis, aq më pak duhet mbështetur, duke e kategorizuar dhe toleruar si “e keqe më e vogël”. E keqja duhet dënuar gjithmonë, pa përzgjedhje, sado e vogël të jetë, kudo që ndodh, dhe kushdo që e bën. Sepse heret a vonë, e keqja e vogël bëhet e madhe, madje, sot jemi dëshmitarë, deri në atë masë, saqë të kërcënojë gjthë njerëzimin.

Afrim Fanda