Bullgarët, serbët dhe turqit s’i pranojnë rezultatet e regjistrimit në Maqedoninë e V.

regjistrimetMinistria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë të premten ka reaguar lidhur me rezultatet e regjistrimit të popullsisë c duke kontestuar numrin e popullsisë bullgare.

Sipas rezultateve të Entit të Statistikës, në Maqedoninë e Veriut jetojnë 3,504 bullgarë.

“Si është e mundur që të ketë një dallim të madh mes atyre që janë deklaruar si bullgarë (3,504) dhe numrit prej mbi 100.000 shtetasve maqedonas, të cilët janë të pajisur me shtetësi bullgare. Objekt i analizës serioze është fakti se 7.2% e qytetarëve të shtetit fqinj nuk janë të numëruar aktivisht. Sipas informacioneve, të dhënat për ta janë mbledhur nga një bazë e duhur informative, por pa u theksuar përkatësia e tyre etnike dhe fetare”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë.

 

Rezultatet e regjistrimit i kontestuan të premten edhe Partia Demokratike e Serbëve dhe komuniteti serb në Maqedoni. Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, në Maqedoninë e Veriut jetojnë rreth 26 mijë serbë apo 1.3 për qind.

Edhe pakica turke ka thënë se nuk i pranon rezultatet pasi pretendon se turq ka më shumë se shifrat zyrtare prej rreth 75 mijë personave apo 3.84 për qind.

Komisioni Evropian konsideron se regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut është realizuar, sipas të gjitha standardeve evropiane. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, tha të premten se “ligji dhe metodologjia në të cilën bazohet përgatitja, organizimi dhe zbatimi i regjistrimit ishin në përgjithësi në përputhje me standardet përkatëse të përcaktuara me legjislacionin statistikor të Bashkimit Evropian”.

Në Maqedoninë e Veriut, bazuar në rezultatet e publikuara më 30 mars, jetojnë 1,836,713 banorë apo rreth 10 për qind më pak se në regjistrimin e vitit 2002. Prej tyre 58.44 për qind maqedonas dhe 24.3 për qind shqiptarë.

 

rel

Ekspertët paralajmërojnë, Rusia nuk është gati për armëpushim me Ukrainën

antitankEkspertët thonë se Rusia po dërgon sinjale të paqarta, duke vazhduar të godasë qytetet ukrainase në mes të bisedimeve të paqes. Zyrtarët ukrainas thonë se të dy delegacionet diskutuan në Stamboll kushtet e një armëpushimi të mundshëm, së bashku me garancitë ndërkombëtare të sigurisë për Ukrainën në këmbim të zotimit të Kievit për një status neutral.

Forcat ushtarake ruse po vazhdojnë të bombardojnë Kharkivin, Kievin dhe qytete të tjera të Ukrainës, pavarësisht premtimit të bërë nga Moska për të reduktuar sulmet në kryeqytet.

Të dy delegacionet përmendën hapa modeste në bisedimet e paqes në Stamboll, megjithëse nuk ka pasur ndonjë përparim të rëndësishëm.

Ministri i Jashtëm i Turqisë përshëndeti përparimin në bisedime. Ekspertët thonë se Turqia dëshiron me ngut që agresioni 6-javor rus i Ukrainës të përfundojë, sepse pasojat për ekonominë e saj janë të mëdha.

“Turqia mbështetet në energjinë ruse për një pjesë të madhe të importeve të saj. Ajo importon grurë dhe produkte të tjera bujqësore nga të dy vendet. Dhe vuan pasojat e rritjes së çmimeve si në tregjet e energjisë ashtu edhe në ato të mallrave. Gjithashtu turizmi është vendimtar për ekonominë e Turqisë, për rezervat e saj valutore, duke i rimbushur këto rezerva. Dhe turistët rusë dhe ukrainas janë një pjesë e rëndësishme dhe nuk ka gjasa të vijnë ose nuk ka gjasa të shpenzojnë aq shumë para këtë vit, duke pasur parasysh rrethanat”, thotë Maxwell Hoffnam me Qendrën Amerikane për Përparim.

Një tjetër eksperte i tha Zërit të Amerikës se fakti që Turqia është anëtare e NATO-s do të thotë se këto bisedime u zhvilluan në një vend me më shumë “avantazh” për presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy.

“Ky është një ndryshim i madh nga negociatat e mëparshme që po ndodhnin në Bjellorusi, e cila është sigurisht një nga aleatët më të afërt të Rusisë. Kështu që mendoj se ky është gjithashtu një tregues se situata po ndryshon disi dhe, Rusia nuk ka më përparësinë e qartë”, thotë Elizabeth Shackelford me organizatën Këshilli i Çikagos për Marrëdhëniet Globale.

Negociatorët ukrainas thanë se ata parashtruan propozime konkrete, duke u zotuar të mos bashkohen me NATO-n ose ndonjë aleancë tjetër ushtarake në këmbim të garancive të besueshme ndërkombëtare të sigurisë se ata nuk do të përballen me një agresion tjetër rus.

Në fillim të kësaj jave, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shprehu skepticizëm rreth dëshirës së Rusisë për paqe, duke thënë se Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë atë që po ndodh në terren në Ukrainë.

“Nuk kam parë asgjë që të sugjerojë se bisedimet po ecin përpara në një mënyrë efektive, sepse nuk kemi parë shenja të seriozitetit të vërtetë nga Rusia. Por nëse Ukraina arrin në përfundimin se ka shenja përparimi, kjo është mirë dhe ne e mbështesim”.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka ofruar të përpiqet të lehtësojë bisedimet e drejtpërdrejta midis presidentit Zelenskiy dhe homologut rus Vladimir Putin, por presidenti rus ka refuzuar bisedime të drejtpërdrejta.

voa

Austria dhe Gjermania për përshpejtimin e zgjerimit të BE

Kancelarët Scholz dhe NehammerKancelarët Scholz dhe Nehammer u takuan në Berlin: Gjermania dhe Austria në sfondin e luftës me sulmin rus ndaj Ukrainës duan ta avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Çdo vonesë e mëtejshme e bën Ballkanin Perëndimor vulnerabël dhe të hapur ndaj influencës nga një palë e tretë”, tha kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz të enjten (31.03) në Berlin në takimin me homologun austriak, Karl Nehammer. “Nuk na duhen vetëm fjalimet për perspektivat e mundshme europiane, por tani duhet ta realizojmë këtë”, theksoi Nehammer. Nëse nuk bëhen përparime të shpejta ky rajon mund të bëhet zonë influence e Rusisë dhe Kinës.

Në Ballkanin Perëndimor Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia kanë statusin e vendit kandidat për antarësim në BE, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova janë si kandidatë “potencialë” ende larg antarësimit. Me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut bisedimet e antarësimit duhej të kishin filluar prej kohësh, por hapja e tyre ka dështuar vazhdimisht prej rezistencës së vendeve të ndryshme anëtare të BE-së.

Socialdemokrati Scholz kërkoi që më në fund të fillojnë bisedimet me këto dy vende, duke ndjekur të njëjtën frymë si edhe paraardhësja e tij kristiandemokrate Angela Merkel, që është angazhuar fort prej vitesh për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor. “Edhe ne në BE duhet të çojmë përpara reformat institucionale, për të qenë edhe vet të aftë të zgjerojmë BE-në”, shtoi Scholz.

Nehammer iu referua “zonave të mëdha të influencës së Federatës Ruse” në Ballkanin Perëndimor. Nisur nga “interesi gjeostrategjik” është e rëndësishme dhe e drejtë, që “ne vërtetë (…) të vihemi në lëvizje dhe t’u ofrojmë vërtetë njerëzve perspektivën frytdhënëse”. Për këtë ai tha, se do të angazhohet për të bindur “skeptikët” brenda BE-së. “Pohimi i qartë, që Ballkani Perëndimor i përket Europës, tani duhet edhe të jetësohet”, tha Nehammer.

dw

Kërcënoi Kurtin për veteranët, LVV i përgjigjet Haradinajt: Ke fryrë listat në masa të paimagjinueshme

ramush-veteranetMbrëmë në “Debat Plus” kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka kërcënuar kryeministrin Albin Kurti në lidhje me pensionet e veteranëve.

Qeveria pos problemeve ekonomike globale, mund të përballet edhe me një krizë të re.

Haradinaj ka deklaruar se Kurti nuk ka qare pa e rrit pagën minimale.

“Nuk ka qare pa i përfshirë edhe veteranët e kategoritë e lirisë në të njëjtat kritere. Unë po ja jap sot një paralajmërim Kurtit: Po i ofendove veteranët, do më kesh me ta në rrugë. Dhe nuk të falim pasi je duke bërë shaka. Unë do të jem i pari në rrugë për protesta”.

Qeveria nuk ka pasur ndonjë reagim ndaj këtyre kërcënimeve të Haradinajt, por shumica ka akuzuar Haradinajn për manipulim me lista të veteranëve.

“Është Haradinaj bashkë me subjektin politikë në fushata zgjedhore ka shtuar numrin e veteranëve në masa të paimagjinueshme”, ka deklaruar për RTV Dukagjinin, Mimoza Kusari-Lila.

Akuzave të Kusari-Lilës i është përgjigjur zëdhënësi i AAK-së, Lulzim Blaka.

“Si duket zonja Kusari-Lila ende nuk është rikuperuar nga humbja në zgjedhjet lokale në Gjakovë. Ajo së pari duhet të merret me aktakuzat që janë ngritur ndaj saj, pastaj nëse ka kohë le të merret me Ligjin e Pagave, por jo edhe me veteranët”.

Mimoza Kusari-Lila thotë se veteranët duhet të kompensohen më shumë, por sipas saj jo përmes pagës minimale.

“Veteranët e UÇK-së duhet të kenë një pagë të dinjitetshme, por së pari duhet të ketë qartësi me listat se kush ka kontribuar e sakrifikuar me të vërtetë”, deklaroi tutje Kusari-Lila.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha thotë se mund të marrin pjesë në protesta bashkë me veteranët.

‘Do të provojmë politikisht që Brenda seancave të përfshijmë veteranët në rritjen e pagave. Por nëse se kjo qeveri ka ndonjë qëllim ndaj kësaj kategorie dhe nuk i përfshinë në rritjen e pagave, ne do të jemi me veteranët”, deklaroi Berisha.

Qeveria ka propozuar që paga minimale nga 170 euro sa është aktualisht, të rritet në 264 euro.

Për shkak se Ligji aktual për veteranët kushtëzon që pensioni i tyre nuk mund të jetë më i ulët se paga minimale, qeveria ka iniciuar ndryshimin e tij duke mos përfshirë në rritje këtë kategori.

Sipas draftit të ligjit qeveria ka lënë hapësirë që pagesa për veteranët të rregullohet me ligj të veçantë.

Telegrafi