Anketimi i IDM: Shqiptarët, të zhgënjyer dhe mosbesues ndaj partive politike

tiranaNë Tiranë, një anketim i Institutit për Demokraci dhe ndërmjetësim nxori se shqiptarët janë gjerësisht të zhgënjyer dhe mosbesues ndaj partive politike.

Sipas studimit, qytetarët mendojnë se deputetët njohin pak shqetësimet e tyre dhe se sistemi zgjedhor duhet reformuar.

Pjesa më e madhe e të anketuarve janë të pakënaqur me funksionimin aktual të demokracisë shqiptare dhe shprehin hapur zhgënjimin nga partitë politike.

Kjo është një nga gjetjet kryesore në anketimin kombëtar “Shqipëria në Kuvendim”, publikuar këtë të premte nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Sipas anketimit, mbi 60 për qind e qytetarëve pohuan se janë pak dhe aspak të kënaqur me mënyrën se si po funksionon demokracia aktualisht në Shqipëri, dhe se ata i konsiderojnë partitë politike si institucionet më pak të besueshme në vend.

“Ka një zhgënjim të qytetarëve me sistemin politik në përgjithësi, që rikonfirmohet përsëri edhe sot, sepse ka qenë i pranishëm edhe në studime të mëparshme. Ka një zhgënjim edhe me proceset politike edhe me aktorët që mbizotërojnë këto procese, parti politike, qeveri, opozitë etj” – thotë Gjergj Vurmo, autor kryesor i anketimit.

Afro 70 për qind e të anketuarve nuk besojnë se parlamenti bën punët e duhura. Edhe pse marrin pjesë në zgjedhje, ata shprehën një interesim të ulët për politikën, por treguan një interes të lartë që të gjithë projektligjet duhen konsultuar me qytetarët dhe grupet e interesit, pavarësisht nga kostot dhe kohëzgjatja e procesit.

Qytetarët shprehën një besim të ulët tek sistemi i tanishëm zgjedhor, i cili pohojnë se nuk pasqyron plotësisht vullnetin e tyre, ndaj kanë një skepticizëm të madh për deputetët dhe politikanët.

“Nga anketimi u vërtetua një mbështetje dhe mirëpritje, që qytetarët u japin formave të tjera alternative të sistemeve zgjedhore, si sistemi maxhoritar apo sistemi proporcional rajonal me lista plotësisht të hapura” – thotë Besjana Kuçi, bashkautore e studimit.

Votimi i Diasporës është një çështje e ndjeshme, temë e anketës, për realizimin konkret të të cilit, pohojnë autorët, nevojitet konsensus i gjerë politik.

Pjesa më e madhe e të anketuarve nuk dinë nëse diaspora ka ende të drejtën ligjore për të votuar në zgjedhje, por shumica e qytetarëve dëshirojnë që kjo e drejtë e diasporës të bëhet realitet dhe ata ta thonë fjalën e tyre në zgjedhje.

“Realizimi ose jo i votimit të diasporës është thjesht çështje e vullnetit politik të partive kryesore. Votuesit nga diaspoa janë një trupë votuesish që nuk bien nën presione të ndryshme si vihen grupe votuesish brenda Shqipërisë. Ata janë një grup votuesish me aftësinë dhe kapacitetin që ta shkundin si tërmet sistemin politik në vend” – thotë zoti Vurmo.

Shqipëria është vendi me një nga diasporat më të mëdha në botë. Më shumë se një e treta e shtetasve të saj jetojnë në mënyrë të përhershme jashtë vendit.

Por edhe pse e kanë emrin në Regjistrin e Zgjedhësve, e vetmja mënyrë që të votojnë, është që të vijnë fizikisht në Shqipëri.

Emigrimi ka vazhduar dhe pritet të vazhdojë me ritme të larta, pohojnë studiuesit, por të anketuarit tregojnë mbështetje më të madhe, që të jepen paga më të larta për shqiptarët vendas, sesa që të importohen imigrantë të huaj.

Ndërkaq, një pjesë e vogël janë në dijeni se është miratuar një ligj për ndryshimet klimatike dhe shpreh mirëkuptim për këtë temë, ndërsa pjesa më e madhe janë më të ndjeshëm ndaj ndotjes së dukshme të mjedisit.

Nga anketimi doli se pjesa më e madhe e qytetarëve janë të hapur për të lexuar dhe dëgjuar opinione të kundërta dhe këndvështrime të ndryshme ndaj çështjeve politike, por më pak se gjysma e tyre është e hapur për të ndryshuar aspekte të bindjeve personale politike.

voa

OBSH: Gati 15 milionë njerëz vdiqën nga COVID ose prej pasojave të pandemisë

covidOrganizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se gjatë dy viteve të fundit gati 15 milionë njerëz humbën jetën nga koronavirusi, ose si pasojë e sistemeve të mbingarkuara shëndetësore, më shumë se dyfishi i numrit zyrtar prej 6 milionë vdekjesh nga COVID në botë.

Shumica e vdekjeve janë identifikuar në Azinë Juglindore, Evropë dhe kontinentin amerikan.

Në raportin e publikuar të enjten, drejtori i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se shifrat japin një pasqyrë të kthjellët, ndërsa shtoi se kjo duhet t’i nxisë vendet të investojnë për të shtuar kapacitetet e tyre në rast të urgjencave të ardhshme shëndetësore.

Shkencëtarët e angazhuar nga OBSH për të ndjekur numrin e vdekjeve nga COVID-19 nga janari i vitit 2020 deri në fund të vitit të kaluar, vlerësuan se kishte midis 13.3 milionë dhe 16.6 milionë vdekje, që ishin shkaktuar drejtpërdrejt nga koronavirusi, ose nga ndikimi i pandemisë në sistemet shëndetësore. Këtu hyjnë edhe të diagnostikuarit me kancer, që në disa raste e kishin të pamundur marrjen e trajtimit të nevojshpm për shkak se spitalet ishin të stërmbushura me pacientë të infektuar me COVID.

Këto shifra bazohen në të dhënat e raportuara dhe modelin statistikor të organizatës, por vetëm rreth gjysma e vendeve ndanë informacionet e kërkuara. OBSH tha se ende nuk kishte arritur të zbërthente shifrat për të parë se sa është numri i vdekjeve direkte nga COVID-19 dhe atyre që humbën jetën si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia. Organizata shton se në një projekt të ardhshëm do të shqyrtohen çertifikatat e vdekjes për të kuptuar më shumë hollësi.

Në një studim të fundit të botuar në revistën Lancet, shkencëtarët në Institutin e Metrikës dhe Vlerësimit të Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit mendojnë se nga janari 2020 deri në dhjetor 2021 mbi 18 milionë njerëz vdiqën nga COVID.

voa

Vuçiq: Deklaratat e Putinit për Kosovën rrisin presionin mbi Serbinë

VucicPresidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se vendi i tij “është nën presion gjithnjë e më të madh” për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Ai tha se situata në Serbi “ka ndryshuar për të keq”, pas deklaratave të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Ky i fundit, më 26 prill, e ka krahasuar Kosovën me dy rajonet separatiste në Ukrainë, Donjeckun dhe Luhanskun, të njohura bashkërisht si Donbas.

Rusia, ashtu si edhe Serbia, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Duke iu drejtuar kombit, pasditen e së premtes, Vuçiq tha se “i gjithë Perëndimi do t’i kërkojë Serbisë që të shkojë shpejt kah njohja e pavarësisë së Kosovës, në mënyrë që t’i thotë Putinit se Kosova nuk mund të krahasohet me atë që po ndodh në territorin e Ukrainës”.

Sipas tij, “një numër i vogël vendesh thonë se janë në favor të normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës” dhe se “një numër në rritje kërkon njohje reciproke”.

Vuçiq tha se Serbia “po paguan çmim të lartë” edhe për faktin se nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Serbia mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka sanksionuar shtetin rus, me gjithë thirrjet e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara.

Fjalimi i Vuçiqit pason qëndrimin e tij në Berlin më 4 maj.

Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, janë pritur në takime të ndara nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.

Ky i fundit ka porositur se njohja e Kosovës nga Serbia duhet të jetë pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Kurti, pas takimit, ka thënë se “njohja reciproke duhet të jetë në qendër dhe jo në fund të procesit të negociatave me Serbinë”.

Vuçiq, në anën tjetër, ka thënë se Serbia “do të bëjë të pamundurën për të arritur një zgjidhje kompromisi”.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011.

Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren.

rel

Përse Dita e Fitores në Rusi është e ndryshme këtë vit

Moskva dita e fitoresSulmi ndaj Ukrainës do të thotë se më pak tanke ruse dhe pajisje të tjera ushtarake do të përshkojnë Sheshin e Kuq të Moskës të hënën, kur vendi do të shënojë fitoren ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Ethet patriotike që shoqërohen me këtë festë të shenjtë mund të jenë megjithatë po aq të forta sa më parë.

Dita e Fitores e këtij viti nuk do të nderojë thjesht konfliktin që mori fund 77 vite më parë. Shumë rusë do të jenë duke menduar për mijëra forcat ushtarake që po luftojnë në Ukrainën fqinje. Shenjat e mbështetjes për ushtarakët janë shtuar në mbarë vendin, që kur filloi sulmi më 24 shkurt. Gërma “Z” shfaqet nëpër stenda, tek shenjat e rrugëve dhe stacionet e trenave, si dhe në televizione dhe mediat sociale.

Kremlini ka refuzuar t’i referohet luftimeve në Ukrainë me fjalën “luftë”, dhe e quan “një operacion special ushtarak”. Disa vëzhgues besojnë se Presidenti Vladimir Putin mund ta përdorë këtë festë për ta shpallur më në fund operacionin një luftë, me synimin për të rritur angazhimin mbarëkombëtar të Rusisë ndaj kësaj përpjekjeje.

Por çfarë domethënieje ka Dita e Fitores në Rusi?

LUFTË DHE KUJTESË

Bashkimi Sovjetik humbi 27 milionë njerëz në Luftën e Dytë Botërore, e cila u quajt Lufta e Madhe Patriotike. Konflikti që rrënoi qytete dhe fshatra, shkaktoi vuajtje të jashtëzakonshme dhe la plagë të thella në psikikën kombëtare.

Dita e Fitores është një ngjarje e rrallë në historinë përçarëse post-sovjetike të vendit që adhurohet nga të gjithë aktorët politikë dhe Kremlini e ka përdorur këtë ndjesi për të inkurajuar krenarinë patriotike dhe për të nënvizuar rolin e Rusisë si një fuqi globale.

Festimet vjetore përfshijnë një paradë masive ushtarake në Sheshin e Kuq ku paraqiten armatimet më të fundit, që nga tanket, avionët luftarakë dhe deri tek raketat balistike ndërkontinentale me mbushje bërthamore.

Këtë vit, moria e armëve që do të shfaqen në paradë është zvogëluar në mënyrë domethënëse krahasuar me vitin e kaluar, me sa duket si reflektim i angazhim të madh të ushtrisë në Ukrainë.

LUFTA NDAJ “NEO-NAZISTËVE”

Kur dha urdhërin për sulmin, Presidenti Putin deklaroi se synonte “çmilitarizimin” e Ukrainës për të eliminuar një kërcënim ushtarak ndaj Rusisë nga “neo-nazistët” – një retorikë kjo që është denoncuar nga Ukraina dhe Perëndimi si një mbulesë fiktive për një akt të qartë agresioni.

Në përpjekje për ta mbështetur këtë pretendim, Presidenti Putin dhe zyrtarët e tij kanë përmendur admirimin e grupeve të djathta ukrainase për udhëheqësit nacionalistë Stepan Bandera dhe Roman Shukhevych, të cilët morën anën e nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe përdorën simbolet e njësive naziste.

Kjo retorikë është përdorur gjithashtu nga Kremlini në përpjekje për të nxitur mbështetjen e publikut për luftën, ndërkohë që ka humbje të mëdha të forcave dhe paisjeve ushtarake, si dhe një dëm masiv ekonomik nga sanksionet e Perëndimit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili është hebre, e ka hedhur poshtë pretendimin e Kremlinit për “denazifikimin”. Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov u kundërpërgjigj duke bërë paralelizma mes zotit Zelenskyy dhe Adolf Hitlerit – një deklaratë kjo që u kritikua ashpër nga Izraeli.

PËRSHPEJTIMI I OFENSIVËS?

Disa në Ukrainë dhe në Perëndim mendojnë se Presidenti Putin do të kërkojë avancime të shpejta përpara festës së 9 majit, në përpjekje për t’i paraqitur si një fitore vendimtare dhe për ta përdorur këtë si një mënyrë daljeje nga një situatë shkatërrimtare që po i shëmbëllen një moçali që po thith çdo ditë burimet e Rusisë dhe që po rrezikon stabilitetin e saj.

Pas një përpjekjeje të dështuar për të marrë Kievin dhe qytetet e tjera të mëdha në veriun e Ukrainës gjatë fazës së parë të luftës, Kremlini e ka zhvendosur vëmendjen drejt zemrës industriale në lindje të vendit, të njohur me emrin Donbas, ku rebelët e mbështetur nga Moska kanë luftuar me forcat qeveritare që në vitin 2014. Konflikti filloi disa javë pasi Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Ushtria ruse ka riarmatosur dhe rifurnizuar forcat e saj të tërhequra nga Kievi dhe i ka zhvendosur ato në Donbas në një përpjekje të dukshme për të rrethuar dhe shkatërruar forcat më të afta dhe më të sprovuara ukrainase të përqendruara atje.

Por ofensiva në lindje është përballur me mbrojtjen e vendosur ukrainase dhe ka bërë vetëm përparime të vogla, duke ia ulur shpresat Kremlinit për një fitore të shpejtë. Fitoret e rëndësishme duken të pamundura para 9 majit.

Në një intervistë këtë javë, zoti Lavrov tha se: “Ushtria jonë nuk do ta lidhë artificialisht veprimin e saj me asnjë datë, përfshirë Ditën e Fitores”.

RRITJA E RISKUT

Disa rusë të linjës së ashpër e kanë kritikuar Kremlinin për përdorimin vetëm të një force të kufizuar dhe kanë kërkuar një përpjekje mobilizimi mbarëkombëtar. Disa zyrtarë dhe vëzhgues perëndimorë besojnë se Presidenti Putin mund ta përdorë 9 majin për të shpallur zyrtarisht luftën dhe një mobilizim total të popullsisë për të rritur numrin e forcave për ofensivën.

“Ai po përgatit situatën, duke krijuar terrenin për të qenë në gjendje që të thotë: ‘Shikoni, kjo është tani një luftë kundër nazistëve dhe ajo që më duhet janë më shumë njerëz’, tha Sekretari Britanik i Mbrojtjes Ben Wallace për Radion LBC javën e kaluar.

Shefi i zbulimit të Ukrainës, Kyrylo Budanov, bëri një paralajmërim të ngjashëm të hënën, duke pretenduar se Rusia ka filluar fshehurazi përgatitjet për një mobilizim të gjerë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i hodhi poshtë pretendimet si “të pakuptimta” të mërkurën.

Autoritetet ruse kanë pohuar se vetëm ushtarë vullnetarë me kontratë kanë luftuar në Ukrainë, edhe pse shumë rekrutë u zunë rob në ditët e para të luftës.

Ushtria ruse ka rreth 1 milion personel aktiv – 400 mijë prej tyre ushtarë me kontratë, përfshirë 147 mijë në forcat tokësore. Zyrtarët perëndimorë e vlerësuan fuqinë fillestare të forcës pushtuese të Rusisë në rreth 180 mijë.

Ushtria pranoi se kishte humbur 1,351 ushtarë që nga 25 marsi dhe nuk i ka përditësuar numrat e viktimave që atëherë. Zyrtarët perëndimorë kanë thënë se humbjet ruse ishin shumë më të rënda dhe vlerësuan se deri në një e katërta e forcës fillestare sulmuese ishte bërë e papërshtatshme për luftim.

Nëse lufta zgjatet, numri aktual i forcave ruse në Ukrainë mund të jetë i pamjaftueshëm për të mbështetur operacionet, duke e detyruar Kremlinin të mbështetet tek rekrutët e trajnuar dobët ose tek thirrja në shërbim e rezervistëve.

Kremlini përballet me një zgjedhje të ashpër midis përpjekjes për të fituar luftën me një forcë të kufizuar ose përpjekjes për të përforcuar trupat në Ukrainë me rekrutime të reja dhe me rezervistë, një lëvizje që mund të sjellë zemërim publik dhe që mund të destabilizojë situatën politike.

 

voa

Qeveria i hap rrugë resorteve pas rishikimit të kufijve natyrorë të Parkut të Butrintit

gjiri i manastirit SarandeQeveria shqiptare përmbylli në fund të prillit procedurat ligjore për ndërtimin e një resorti turistik në Gjirin e Manastirit në Sarandë.

Resorti është i pari që pritet të ndërtohet në zonën bregdetare Sarandë -Butrint, një nga zonat më të lakmuara të vendit për ndërtime turistike.

Reth 800 hektarë të kësaj zone bregdetare deri në janar të këtij viti ishin pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, por u hoqën me një vendim qeverie në kuadër të rishikimit të kufijve natyrorë të disa parqeve kombëtare.

 

Harta Parku i ButrintitHarta e Parkut të Butrintit, me ngjyrë portokalli zona prej 800 hektarësh, ish pjesë e parkut në kategorinë “B”, tashmë e hequr në janar 2022 nga qeveria në kuadër të rishikimit të kufijve të zonave të mbrojtura.

 

Sipërfaqja e hequr së fundi prej 800 hektarësh, në një pjesë të së cilës do të ngrihet “Manastiri Resort” ishte përfshirë në zonën e Parkut të Butrintit prej vitit 2005 dhe gëzonte statusin e mbrojtur në kategorinë “B”, ku nuk lejoheshin zhvillime ndërtimore intensive.

Projekti “Manastiri Resort” që do të zbatohet, fitoi statusin e investimit strategjik në fund të vitit 2021 me një vendim të Komitetit të Investimeve Stategjike që drejtohet nga Kryeministri Edi Rama.

 

gjiri i manastirit Sarande projektiProjekti i pjesshëm i “Manastiri Resort”, marrë në faqen zyrtare të projektit

 

Sipas vendimit të qeverisë vlera e investimit parashikohet 28 milionë Euro, në një sipërfaqe zhvillimi rreth 53 mijë metra katrorë, pronë private, me struktura akomoduese me kapacitet total që variojnë nga 83-100 shtretër, restorant, bar, pishinë e jashtme, etj.

Qeveria ka miratuar në parim edhe lejimin e përdorimit të brigjeve të detit si dhe zonës së plazhit, për tridhjetë vjet.

“Manastiri Resort” është krijuar së fundmi si subjekt nga palët sipërmarrëse, Shoqëria ALB-STAR dhe Shoqëria ANDI shpk të cilat edhe u pajisën me leje ndërtimi nga qeveria në shkurt të këtij viti.

Në zonën ku do të ndërtohet resorti ishte ndërtuar 23 vite më parë vetëm një hotel, në rreth 200 metra katrorë, i cili u prish vitin e shkuar nga Inspektoriati Kombëtar i Ndërtimit.

Ndërhyrja u bazua në një vendim prishjeje të Bashkisë së Sarandës, ndërsa pronari i hotelit tha se kishte leje ndërtimi të lëshuar në vitin 1999 dhe ishte në proces gjyqësor të papërfunduar për legalizimin e objektit.

Ndërtimet e resorteve turistike apo zhvillimet ndërtimore masive në zonat bregdetare ishin paralajmëruar nga 25 organizata mjedisore dhe 4 profesorë të shkencave të natyrës që kur u rishikua harta e zonave të mbrojtura për disa parqe në janar të këtij viti.

Përmes një reagimi të përbashkët organizatat më të mëdha mjedisore në vend dhe profesorët e shkencave të natyrës Aleko Miho, Ferdinand Bego, Mihallaq Qirjo dhe Spase Shumka pohuan se “me rishikimin e kufijve të zonave të mbrojtura ‘fshihen’ zhvillime të paqëndrueshme, si urbanizim, aeroporte, sipërfaqe habitatesh të mbuluara nga parqe industriale “.

“Hapja e rrugës për këto projekte do të dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme këto zona”, kishin pohuar organizatat dhe profesorët e njohur të shkencave të natyrës.

Ndërtimi i resorteve turistike favorizohet edhe nga një ligj për investimet startegjike, i miratuar në vitin 2015 nga parlamenti i Shqipërisë dhe i projektuar për të tërhequr investime të mëdha.

Sipas një hulumtimi të Agjensisë BIRN, bizneset vendase që synojnë fitimet afatshkurtra kanë korrur shumicën e përfitimeve pasi nga 35 projekte të shënuara si investime strategjike nga viti 2016 deri në vitin 2021, 26 ishin të orientuara drejt turizmit dhe vetëm dy të ardhur plotësisht nga jashtë.

BIRN veçoi si të diskutueshme dy projekte që kishin fituar statusin e investimit strategjik, sipas ligjit të 2015-ës.

Njëri prej projekteve lidhet me një vendim të qeverisë për t`i dhënë leje partneres amerikane të vëllait të ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, të merrte në përdorim një plazh në Dhërmi, për 30 vjet.

Ndërsa projekti tjetër lidhet me ndërtimin e një kompleksi turistik me rreth 13.8 milionë euro në Dhërmi i cili do të zhvillohet nga dy kompani, njëra prej të cilave me administrator aktorin shqiptar të humorit Gazmend Paja, i panjohur më parë në sferat e biznesit.

voa

Mendoni se 8 orë gjumë janë mjaftueshëm? Mendohuni sërish!

gjumiPrej kohësh tetë orë gjumë ka qenë rregulli i artë për një pushim të mirë gjatë natës. Por studiuesit nga Kina dhe Mbretëria e Bashkuar thonë tani se njerëzit e moshuar kanë nevojë për më pak gjumë.

Shumica prej nesh e kanë përvetësuar këtë rregull: Një natë e plotë me gjumë do të thotë tetë orë për të rriturit. Por kjo mund të mos jetë më e vërtetë, pasi njerëzit arrijnë një moshë të caktuar.

Një ekip studiuesish nga Universiteti i Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Universiteti Fudan në Kinë zbuluan se shtatë orë gjumë mund të jenë koha ideale e gjumit për njerëzit e moshës së mesme dhe të moshuar.

Në një studim të botuar në revistën “Nature Aging”, studiuesit thanë se shtatë orë gjumë ishin më idealet për shëndetin mendor.

Pjesëmarrësit në studim raportuan sjelljet e tyre të gjumit dhe gjithashtu iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me mirëqenien dhe shëndetin e tyre mendor. Ata iu nënshtruan një sërë ushtrimesh që lidheshin me aftësitë konjitive, të cilat testuan shpejtësinë e tyre të përpunimit të informacionit, vëmendjen vizuale, kujtesën dhe aftësitë e zgjidhjes së problemeve. Ata që kishin pasur shtatë orë gjumë të pandërprerë, ia dolën më mirë.

Megjithatë, duhet qartësuar diçka: 94% e pjesëmarrësve ishin të bardhë, kështu që është e paqartë nëse rezultatet janë të vërteta për njerëzit me ngjyrë dhe prejardhje të tjera etnike ose kulturore.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është qëndrueshmëria. Rezultatet më të mira u panë tek njerëzit që treguan vetëm pak luhatje në rutinën e tyre të gjumit për periudha të gjata kohore dhe që ishin besnikë të periudhës shtatë-orëshe.

 

Gjumë i ndërprerë: rrezik për demenca

“Të bësh një gjumë të mirë gjatë natës është e rëndësishme në të gjitha fazat e jetës, por veçanërisht teksa plakemi” – tha Barbara Sahakian, profesore në Universitetin e Kembrixhit dhe bashkëautore e studimit.

Studiuesit thanë se mungesa e gjumit ka të ngjarë të pengojë procesin e trurit për të çliruar veten nga toksinat. Ata gjithashtu thonë se një ndërprerje e gjumit të ngadaltë ose të thellë mund të jetë përgjegjës në përkeqësimin e aftësive konjitive.

Trazimi i gjumit të thellë ndikon në dëmtimin e kujtesës dhe kjo mund të çojë në akumulimin e amiloidit, një proteinë që – nëse nuk funksionon siç duhet – mund të shkaktojë “konfuzion” në tru, pra çon drejt demencës.

Gjumi i pamjaftueshëm ose i tepërt mund të jetë një faktor rreziku për plakjen e trurit.

“Nuk mund të themi përfundimisht se pak gjumë ose shumë gjumë shkakton probleme me aftësitë konjitive”  – thotë Jianfeng Feng, studiues i trurit dhe profesor në Universitetin Fudan. “Por arsyet pse njerëzit e moshuar kanë gjumë më të dobët duket të jenë komplekse, të ndikuara nga një kombinim i përbërjes sonë gjenetike dhe strukturës së trurit tonë.”

 

truriKohëzgjatja e gjumit ndikon në strukturën e trurit 

Studiuesit analizuan gjithashtu imazhet e trurit dhe të dhënat gjenetike, por ato të dhëna ishin të disponueshme vetëm për më pak se 40.000 pjesëmarrës.

Këto të dhëna treguan se sasia e gjumit mund të lidhet me ndryshimet në strukturën e rajoneve të trurit si hipokampusi, i cili konsiderohet qendra e kujtesës dhe mësimit në tru, dhe korteksi precentral, i cili është përgjegjës për kryerjen e lëvizjeve të vullnetshme.

Meqenëse rreziku i Alzheimerit dhe demencës – sëmundjet e plakjes që vijnë me dëmtime të aftësive konjitive– është i lidhur me kohëzgjatjen e gjumit, studiuesit thanë se puna e mëtejshme në fushën e shkencës së gjumit është thelbësore.

“Gjetja e mënyrave për të përmirësuar gjumin për njerëzit e moshuar mund të jetë vendimtare për t’i ndihmuar ata të ruajnë shëndetin dhe mirëqenien e mirë mendore dhe të shmangin rënien e aftësive konjitive, veçanërisht për pacientët me çrregullime psikiatrike ” – tha Sahakian.

dw

Lambrecht: Gjermania përkrah Kosovës në rrugëtimin drejt BE-së dhe NATO-s

Christine Lambrecht KurtiMinistrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Christine Lambrecht gjatë vizitës së saj në Kosovë, tha se Gjermania e mbështet shumë qartë rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE po ashtu edhe në NATO.

Ministrja e Mbrojtjes e Gjermanisë, Christine Lambrecht, tha në Prishtinë se Gjermania e mbështet Kosovës në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe do t’i qëndrojë përkrah edhe për mbështetje ushtarake në kuadër të KFOR-it. Po ashtu Lambrecht është e vetëdijshme për synimet e Kosovës për anëtarësim në NATO, dhe edhe në këtë rrugëtim do ta mbështesë, ndonëse ka shumë pengesa. Këto deklarata ministrja gjermane e Mbrojtjes i bëri në një konferencë për medie së bashku me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, gjatë qëndrimit të saj të shkurtër në Kosovë.

”Gjermania e mbështet shumë qartë rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE po ashtu edhe në NATO. Ky rrugëtim duhet të bëhet, por mund të ketë edhe pengesa. Kjo nënkupton që edhe sa i përket anëtarësimit në BE, po mundohemi t’i japim shtytje këtij procesi në mënyrë që pengesat të hiqen. Ne e shoqërojmë Kosovën në procesin e anëtarësimit në NATO”, tha Lambrecht.  Sipas saj, Gjermania qëndron krah Kosovës edhe sa i përket mbështetjes ushtarake dhe këtë e bën përmes KFOR-it.

“Unë e kam siguruar palën kosovare, se ne qëndrojmë krah Kosovës edhe për sa i përket mbështetjes ushtarake, ne jemi në kuadër të KFOR-it prej vitesh të angazhuar dhe do të jemi edhe më tej. Ne do ta vazhdojmë angazhimin tonë edhe për sa i përket trajnimit të FSK-së, (Forcës së Sigurisë së Kosovës) dhe do të mbetemi partnerë edhe në të ardhmen”, tha Lambrecht. Ministrja gjermane e Mbrojtjes gjatë vizitës në Prishtinë nuk foli vetëm për mbështetjen ushtarake, por u ndal edhe te dialogu politik Kosovë-Serbi, për të cilin ajo shpreson që të ketë progres.

“Shpresoj që ky proces të marrë një dinamikë të re dhe shpresoj që do të ketë vendime të mira më 13 maj në Bruksel. Hapat e parë do të mund të ishin për njohjen reciproke të dokumenteve dhe ky do të ishte një sinjal i mirë”, tha Lambrecht. Se mund të ketë diҫka konkrete në takimin e kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me datën 13 maj, kur do të takohen në Bruksel, e tha edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili vetëm një ditë më parë në Berlin takoi kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

“Më 13 maj, unë shpresoj që përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet për zgjidhje reciproke për targat, edhe për çështjen e mospagesës së energjisë në veri të Kosovës, e po ashtu edhe për nevojën për të përshpejtuar çështjen e zbardhjes së fatit të të pagjeturave, të të zhdukurve me dhunë”, tha Kurti. Për këto tema, Kurti tha, se  bisedoi në Berlin edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuҫiq, në një darkë joformale që kishte organizuar kancelari gjerman, Olaf Scholz që nuk mori pjesë në të, por që i pranishëm ishte i dërguari i BE-së në dialog Mirosllav Lajҫak. “Unë besoj që dialogu i Kosovës me Serbinë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duhet të zhvillohet brenda vlerave të BE-së, të ketë karakter transformues, edhe Kosova edhe Serbia, me qytetarët e tyre, të përfitojnë dhe t’i afrohemi anëtarësimit në BE. Ky dialog duhet të rezultojë me marrëveshje, por kjo marrëveshje duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër. Nuk mund të them që njohja reciproke të jetë elementi i vetëm, por duhet të jetë në qendër”, tha kryeministri Kurti.

Edhe në Berlin kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Kurti, tha se “njohja është pjesë e dialogut dhe do të duhet të përfshihet në marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”. Kancelari gjerman mësohet, se në vjeshtë do ta vizitojë rajonin e Ballkanit dhe këtë e konfirmoi në Prishtinë ministrja e tij e Mbrojtjes Christine Lambrecht.

dw

Maqedoni, sot mot me diell me vranësira mesatare, pasdite priten reshje shiu

moti-Sot do të mbaj mot me diell dhe me vranësira mesatare, pasdite dhe në fund të ditës me mundësi për reshje lokale shiu të rrëmbyeshëm, shtrëngata dhe erë të fortë.

Temperaturat minimale do të lëvizin nga 4 deri në 10 gradë, ndërsa ato maksimale nga 15 deri në 24 gradë.

Mot i qëndrueshëm dhe relativisht i ngrohtë do të mbizotërojë gjatë fundjavës. Në fillim të javës së ardhshme do të ketë sërish kushte për reshje lokale të rrëmbyeshme dhe bubullima.

telegrafi

Pendarovski: Argumentet e Bullgarisë nuk kuptohen, shanset për heqjen e vetos bullgare janë më pak se 50%

StevoPresidenti i vendit, Stevo Pendarovski mendon se shanset për heqjen e vetos bullgare janë më pak se 50% dhe kjo për arsye siç thotë ai, të qasjes bullgare në negociata.

“Kjo është kryesisht për shkak të sjelljes së palës tjetër. Unë gjithashtu mbështeta qasjen e re. Petkov bëri disa gjëra dhe e ndau të gjithë dypalëshin në pesë tema dhe çështja e historisë ishte vetëm një nga temat. Ai i bëri të gjitha në një mënyrë të bukur dhe ne folëm për shumë tema. Shanset po bien, sepse fatkeqësisht pala bullgare në muajin e fundit dëshiron ta kthejë historinë në derë të madhe. Nuk mendoj se Petkov, por faktorë të tjerë brenda dhe jashtë qeverisë bullgare kanë ndikim”, tha Pendarovski në emisionin “Samo Intervju”.

Sipas tij, shqetësimi i marrëdhënieve ka nisur pasi ai ka pritur në një takim përfaqësuesit e “OMO Ilinden Pirin”.

“Morëm një breshëri fyerjesh dhe sulmesh. Ata iu kthyen fjalorit të vjetër bullgar. Petkov u sulmua frontalisht në qeveri dhe ai duhej të forconte referencën e tij politike,” tha Pendarovski.

Presidenti theksoi se asnjë shtet anëtar i BE-së nuk i kupton argumentet bullgare.

“Nuk bazohen në një axhendë të thjeshtë. Ajo që më shqetëson është se nuk shoh një fokus real të BE-së mbi problemin. Ata nuk ishin mjaftueshëm aktivë se Europa është një projekt gjeostrategjik. Evropa gjithmonë ka qenë dhe ka filluar si një projekt paqeje, madje as lufta në Ukrainë nuk duhet të ndodhë për të hyrë në BE”, mendon Pendarovski për ndikimin e Unionit në zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

telegrafi