Pasojat e kontrollit rus në rajonet e Khersonit dhe Zhaporizhias

UkrainaDepartamenti amerikan i Shtetit thotë se Shtetet e Bashkuara mbeten të shqetësuara lidhur me hapat që po ndërmerr Rusia për të institucionalizuar kontrollin mbi territorin sovran të Ukrainës. Në dy rajone të vendit, Kherson dhe Zhaporizhia, Moska ka ndërmarrë hapa konkrete për të konsoliduar praninë e saj.

Departamenti i Shtetit thotë se zhvillimet e fundit në rajonet e Khersonit dhe Zaporizhias të Ukrainës — aktualisht nën kontrollin rus — dëshmojnë synimin e Rusisë për të krijuar një tjetër të ashtuquajtur republikë në atë zonë.

Në rajonin e Khersonit, nënkryetari i administratës rajonale i emëruar nga Rusia, nuk e ka përjashtuar mundësinë e një referendumi si ai që i parapriu aneksimit të Krimesë.

“Do të njoftojmë më vonë për një votim apo referendum, por nuk do të jetë sot ose nesër, sepse detyra jonë e parë është të rivendosim rendin në rajonin e Khersonit”, thotë Kirill Stremousov.

Javët e fundit, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi një dekret që lejon banorët e rajoneve Kherson dhe Zaporizhia të marrin shtetësinë ruse. Më 2 qershor, rreth 250 banorë të rajonit Kherson aplikuan për pasaportë ruse, sipas administratës së Khersonit të emëruar nga Rusia.

Për më tepër, kartat ruse të celularëve po shiten tani në këto dy rajone. Dhe më 31 maj, autoritetet lokale ukrainase thanë se interneti dhe shërbimi celular ukrainas ishin ndërprerë në territoret e pushtuara.

Megjithatë, ekspertët amerikanë thonë se ka shumë pak gjasa që dy rajonet të bashkohen me Rusinë.

“Asnjë nga këto rajone nuk donte të shkëputej nga Ukraina. Këto janë territore ukrainase. // Pra, nëse ata përpiqen të mbajnë një referendum tani, duke pasur parasysh shkatërrimin që shkaktuan dhe mungesën e njohjeve nga vendet e tjera, nuk do të kishte asnjë vlerë”, thotë David Kramer i Institutit “George W. Bush”.

Në këto territore të pushtuara, u ndalua transmetimi i kanaleve televizive ukrainase dhe tani banorët mund të shikojnë vetëm televizionin rus, i cili i quan rajonet Kherson dhe Zaporizhia “të çliruara”.

Përveç kësaj, gruri nga korrjet e vitit të kaluar po transportohet nga rajoni Kherson në Rusi. Fermerët lokalë njoftojnë se po ua marrin prodhimet.

“Ata sjellin pajisjet e tyre, marrin të korrat e drithit dhe i çojnë në Krime. Prej andej i çojnë në Sevastopol ku i shesin”, thotë Denis Marchuck i Këshillit Agrar të Ukrainës

Shumë refugjatë ukrainas, që kanë ikur nga vendi, mbajnë kontakte me familjen dhe miqtë në Ukrainë. Ata që kanë mbetur thonë se i frikësohen shtypjes nga pushtuesit, si dhe një referendumi të rremë që do ta bënte rajonin e tyre pjesë të Rusisë. Meshkujt kanë frikë se do të thirren në ushtri dhe do të detyrohen të luftojnë kundër njerëzve të tyre.

“Familjarët e mi janë në Kherson përfshirë babain tim. Bankat nuk funksionojnë. Është e pamundur të tërheqësh para – as rrogë, as pension, asgjë! Dyqanet ushqimore nuk funksionojnë. Ndonjëherë mund të blesh ushqim drejtpërdrejt nga njerëzit e tjerë. Por të gjithë kanë frikë të dalin nga shtëpitë, sepse ka shumë njoftime për njerëz të zhdukur”, thotë Alena Krutienko, refugjate nga Khersoni.

Kateryna Shkolyar jeton në Zaporizhia. Kohët e fundit, ajo ka shërbyer si vullnetare, duke çuar ndihma humanitare në zonën e pushtuar të rajonit.

“Nuk po bombardohen, por njerëzit janë nën pushtim. Çmimet e ushqimeve janë rritur në mënyrë dramatike. Shumë njerëz natyrisht humbën punën – ata që nuk donin të punonin me pushtuesit. Shumë shtëpi po kontrollohen. Disa burra dërgohen diku dhe mbahen atje për disa ditë – u kërkohet të bashkëpunojnë me forcat ruse”, thotë ajo.

Sipas gazetës New York Times, një e pesta e territorit ukrainas është aktualisht nën kontrollin rus.

voa

Zelenskyy: Bllokada e portit rus mund të nënkuptojë miliona të vdekur nga uria

ZelenskiyPresidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy akuzoi Rusinë se po vazhdon t’i “bëjë shantazh botës përmes urisë” duke bllokuar portet e Ukrainës dhe duke frenuar eksportet e grurit, misrit, vajit vegjetal dhe produkteve të tjera ushqimore.

Në një mesazh të regjistruar në video për mbrëmjen gala të revistës Time të enjten, presidenti Zelenskyy tha se veprimet e Rusisë e kanë lënë botën “në prag të një krize të tmerrshme ushqimore”.

“Miliona njerëz mund të vdesin nga uria nëse vazhdon bllokada ruse e Detit të Zi”, tha zoti Zelenskyy.

Rusia ka fajësuar sanksionet ndërkombëtare për rënien e eksporteve dhe ato që thotë se janë minat e Ukrainës në Detin e Zi.

Luftimet e ashpra vazhduan të enjten në qytetin lindor të Sievierodonetskut dhe zyrtarët ukrainas që thanë se u nevojitet artileri me rreze të gjatë veprimi për të mposhtur forcat ruse që kanë pushtuar zona të mëdha.

Presidenti Zelenskyy tha në një fjalim të veçantë të mërkurën vonë se beteja për Sievierodonetskun është “një nga më të vështirat” e luftës, ndërsa theksoi rëndësinë e tij në rajonin kyç të Donbasit.

“Në shumë mënyra, fati i Donbasit tonë po vendoset atje”, tha presidenti Zelenskyy.

Forcat ukrainase u detyruan të tërhiqen në periferi të Sievierodonetskut të mërkurën pas një sulmi të ashpër rus.

Ditë më parë, forcat ukrainase nisën një kundërofensivë që u dha atyre kontrollin e rreth gjysmës së qytetit, por guvernatori rajonal i Luhanskut, Serhiy Haidai i tha medias RBC-Ukrainë se kur Rusia filloi të rrafshonte qytetin me bombardime dhe sulme ajrore, nuk kishte kuptim të qëndrohej më gjatë.

“Forcat tona tani kontrollojnë përsëri vetëm periferinë e qytetit,” tha guvernatori Haidai. “​Por luftimet po vazhdojnë; forcat tona po mbrojnë Sievierodonetskun. Është e pamundur të thuhet se rusët kontrollojnë plotësisht qytetin”.

Ai pranoi vështirësitë për forcat e Kievit, duke thënë për agjencinë Associated Press se “gjithçka që zotëron ushtria ruse – artileri, mortaja, tanke, aviacion – të gjitha po i përdor në Sievierodonetsk për të fshirë qytetin nga faqja e dheut dhe për ta marrë plotësisht nën kontroll”.

Guvernatori Haidai tha se forcat ukrainase mund të tërhiqen në pozicione më të mbrojtura, të tilla si Lysychansku, një qytet përtej lumit Siverskyi Donets që ndodhet më në lartësi. Ai ka sugjeruar edhe më parë se forcat e Kievit do të duhet të tërhiqen për të shmangur rrethimin.

voa

Scholz: Marrëveshja politike me Serbinë duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës

Scholz Kurti 1Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha në Prishtinë se për dialogun Kosovë-Serbi duhet qëndrim konstruktiv dhe një marrëveshje përfundimtare, e cila do të kontribuonte në stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha në Prishtinë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës. Sipas tij, dialogu është rruga e vetme që i hap Kosovës perspektivën e mëtejme drejt Bashkimit Evropian dhe një qëndrim konstruktiv në këtë dialog është në interes të të gjithë qytetarëve në Kosovë. Scholz tha se një marrëveshje politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është një kusht i rëndësishëm për investime dhe për vende pune.

Dy vende që nuk njohin njëra-tjetrën nuk bëhen dot anëtare të BE

Kancelari gjerman i bëri deklaratat në një konferencë të përbashkët për medie në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, në kuadër të vizitës së tij në rajon. “E qartë është që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Scholz. Kancelari gjerman duke ju referuar situatës në Ukrainë dhe vazhdimit të pushtimit rus, tha se “zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe Serbisë bëhet edhe më e rëndësishme”.

“Me rëndësi për Kosovën është që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, të çohet përpara dhe në kohëra si kjo, vlera e sigurisë dhe lirisë na bëhen më të qarta. Është një arsye edhe më shumë dhe më e rëndësishme që Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të gjejnë një zgjidhje politike, e cila kontribuon në stabilitetin rajonal”, tha Olaf Scholz.

Scholz: Kosova partnere e besueshme

Kancelari gjerman tha se me kryeministrin Kurti ka biseduar edhe për pozicionimin e qartë të Kosovës lidhur me pushtimin rus në Ukrainë. “Lufta e agresionit rus kërkon një qëndrim të qartë dhe një përgjigje të prerë ku kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës nëpërmjet mbështetjes së të gjitha masave dhe sanksioneve, ka treguar se Kosova, si partnere e besueshme, qëndron në anën tonë dhe në anën e bashkësisë evropiane dhe ndërkombëtare”, tha Scholz.

Kancelari gjerman tha se  Qeveria gjermane e ka vendosur si prioritet ndihmën për shtetet e Ballkanit Perëndimor që të përafrohen me Bashkimin Evropian dhe në këtë linjë ai tha se këtë vit do ta rijetësojë procesit e Berlinit me një takim në vjeshtë. “Dëshiroj që së bashku me partnerët tanë, në kuadër të Procesit të Berlinit ta rijetësojë atë këtë vit dhe në vjeshtë do të thërras një konferencë në Berlin. Rajoni duhet të përparojë referuar krijimit të një tregu të përbashkët rajonal dhe katër marrëveshjet e rëndësishme për lëvizjen e lirë, të njerëzve, për njohjen e diplomave profesionale duhet të lidhen shpejt”, tha Scholz.

Kosova do të aplikojë për statusin e kandidatit në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që refuzon të jetë pjesë e nismës “Open Ballkan”, tha se “procesi i Berlinit do të përshpejtojë reformat dhe do të sjellë gjashtë shtetet e Ballkanit më pranë bllokut evropian”. Kurti tha, se ai ka kërkuar mbështetjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz për integrim të Kosovës në Bashkimin Evropian, dhe njëkohësisht bëri të ditur se në fund të këtij viti, Kosova do të aplikojë për statusin e kandidatit për Bashkim Evropian.

“Në përputhje me premtimet dhe perspektiven evropiane po punojmë për përmbushjen e reformave për anëtarësim në BE. Do të vazhdojmë edhe me aspiratën tonë për statusin e kandidatin për BE ku planifikojmë të aplikojmë në fund të këtij viti”, tha Kurti. Sipas tij, prania e NATO-s në Kosovë është e domosdoshme dhe nuk bën të krijohen vakume të sigurisë. “Konsiderojmë që prania e NATO-s në Kosovë është e domosdoshme. Dëshirojmë të bëhemi anëtarë në Partneritetin për Paqe. Kemi nevojë për NATO-n në Kosovë deri atëherë kur Kosova të anëtarësohet në NATO. Nuk bën të krijohet kurrfarë vakumi i paqes dhe sigurisë”, tha kryeministri Kurti.

Ndërkohë, për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, Kancelari gjerman tha se qeveria e tij po angazhohet maksimalisht me partnerët që Kosovës t’i liberalizohen vizat. “Ne angazhohemi që liberalizimi i vizave të vijë sa më shpejt, pasi kushtet janë plotësuar dhe për këtë po flasim me partnerët tanë që edhe ata të binden siç jemi bindur ne”, tha Olaf Scholz.

Vizita në Kosovë e një kancelari të Gjermanisë, ndodh pas 11 vjetësh, pas vizitës së fundit që kishte ish-kancelarja Angela Merkel. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte më 4 maj për vizitë zyrtare në Gjermani, me ftesë të kancelarit Olaf Scholz. Kancelari gjerman vizitoi Kosovën në kuadër të turit të tij në Ballkanik. Nga Kosova ai udhëtoi të premten për në Serbi ku takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

dw

Mickoski: Bullgarët në Kushtetutë nëse japin garanci se kjo do të jetë kërkesa e fundit

mICKOVSKIKryetari i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski për “Prizma” tha se nëse kërkesat bullgare përfshihen në kornizën e negociatave kjo do të thotë kapitullim për Maqedoninë dhe se OBRM-PDUKM do të votojë kundër në Kuvend, nëse arrin një propozim i tillë.

 

“E kam thënë dhe po e përsërisë kjo është një kapitullim për Maqedoninë në planin diplomatik. Kjo do të thotë ose asimiloheni, bullgarizoheni dhe bëheni pjesë e BE-së ose asnjëherë nuk do bëheni asnjëherë pjesë e BE-së. Nëse vjen për ta votuar në Kuvend do të votojmë kundër”, tha Mickoski.

Në lidhje me kërkesën për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, Mickoski tha se për të biseduar për këtë Bullgaria duhet të japë garanci se kjo do të jetë kërkesa e fundit dhe nuk do ta bllokojnë më Maqedoninë, por edhe të shfuqizoj Rezolutën që është votuar në Kuvendin bullgar në vitin 2019.

Mickoski theksoi se ashtu si kur Maqedonia u bë anëtare e NATO-s, edhe Bullgaria tha se nuk ka pyetje të hapura, për të thënë se nuk ka pyetje të hapura, për të interpretuar historinë ose çfarë lloj njerëzish kemi qenë ose për të folur një gjuhë të ngadaltë.

Telegrafi

144-vjetori i Lidhjes së Prizrenit/ Veliaj takon kreun e Komunës: E rëndësishme të bashkëpunojmë dhe të mësojmë nga njëri-tjetri

Lidhja e PrizrenitKryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet sot në Prizren për të marrë pjesë në ceremoninë e përkujtimit të 144-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku janë mbledhur të gjithë kryetarët e komunave shqipfolëse të rajonit.

 

Me këtë rast, Veliaj zhvilloi edhe një takim me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, me të cilin diskutoi mbi rëndësinë e platformës së bashkëpunimit mes komunave dhe bashkive shqipfolëse në rajon, sidomos për të rinjtë.

Sot, në 144-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, ne nuk diskutojmë për forcë që po na pushton, nuk lipset të marrim armët dhe të luftojmë në rrugë e male, por lipset të marrim dije, lipset t’iu mësojmë të rinjve se cilat janë armët e së ardhmes, të nxisim të rinjtë të kodojnë etj. Mezi pres që ta rrisim bashkëpunimin mes nesh dhe jam shumë optimist që, përmes platformës së Unionit të Bashkive shqipfolëse të mësojmë më shumë prej njëri-tjetrit, për të marrë idetë e mira dhe t’i sjellim në Tiranë, ndërkohë që gjërat që funksionojnë në Tiranë, mund t’i provojmë edhe këtu në Prizren”, u shpreh Veliaj.

Ai veçoi edhe disa prej projekteve konkrete që tashmë funksionojnë mes dy qyteteve. “Bashkia e Tiranës do të jetë pjesë e sponsorëve të festivalit “Doku Fest” sepse e shikojmë si një produkt jo vetëm të Prizrenit, por të gjithë shqiptarisë, pasi ekonomia që na vjen prej aktiviteteve të tilla është e jashtëzakonshme. Ndaj, mezi pres që t’ju bashkohem edhe në gusht, kur të jemi përsëri bashkë për të promovuar kulturën, Doku Festin si “brand”-in më të njohur të qytetit të Prizrenit. E di që punët dhe veprat më të mira janë përpara, ama ajo që pashë sot më mbushi me shpresë të një qyteti që funksionon, të një qyteti ku po lëviz ekonomia, po lëviz biznesi, pashë turistë që po kënaqeshin. Ditët më të mira i kemi përpara dhe ju uroj shumë sukses”, u shpreh Veliaj.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj u shpreh i lumtur për projektet në të dyja qytetet. “Tani po diskutojmë për opsionet, alternativat, mënyrat se si t’i menaxhojmë më mirë qytetet tona në hapësirën mbarëshqiptare, në mënyrë që të sjellim një cilësi të re të jetës për banorët që jetojnë në qytetet tona. E natyrisht që, nga Tirana mund të mësojmë shumë. Jemi akoma në fillim të mandatit dhe shohim disa gjëra të mira, të bukura, të cilat, pse jo, t’i zbatojmë, por ndoshta mund të ofrojmë edhe ne ndonjë ide më të mirë për Tiranën. Jo vetëm kaq, por do të ecim më tutje me projekte, me punë për përbashkëta, me një vizion të përbashkët dhe me një rezultat, sepse tek e fundit performanca nuk matet me fjalë të mira, por me rezultate konkrete. Prandaj, ju falenderoj që keni ndarë kohë për të na vizituar, edhe ju, edhe stafin tuaj të mrekullueshëm, edhe sot të festojmë 144-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, për të dhënë mesazhin se Kombi Shqiptar është faktor stabiliteti kudo që jeton, së bashku me gjithë të tjerët me të cilët jetojnë bashkë në këto treva”, u shpreh ai.

Në nder të “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, shkollat shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë ditën e sotme ia kushtuan orën e parë të mësimit Lidhjes së Prizrenit.

Top Channel

Scholz: S’ka anëtarësim në BE të Kosovës e Serbisë, pa njohur njëra-tjetrën

Scholz Kurti voaKancelari gjerman Olaf Scholz, në konferencë për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Prishtinë, deklaroi se është i gëzuar që po viziton Kosovën si vendin e parë në Ballkanin perëndimor.

 

“Fakti se pas një muaji, pas vizitës në maj kur u takuam në Berlin, jam në vizitë në Kosovë, tregon  sa i ngushtë është bashkëpunimi mes dy vendeve tona”, tha kancelari Scholz.

“Edhe transformimi i kampit ushtarak në Prizren në një kam biznesi, tregon bashkëpunimin tonë”.

Kancelari Scholz u shpreh se krahas  marrëdhënieve Kosovë-Gjermani, me kryeministrin Kurti folën edhe për perspektivën evropiane dhe liberalizimin e vizave dhe pozicionin e Kosovës, që është i qartë për luftën në Ukrainë.

“Qeveria e Kosovës me sanksione vendosur Rusisë, ka dëshmuar vetën si partnere të besueshme, që  qëndron në anën tonë dhe bashkësisë ndërkombëtare”, tha ai.

Scholz u shpreh se Procesi i Berlinit do të vazhdojë dhe tanimë me një dinamikë të re. “Për këtë arsye, në vjeshtë do të kemi një takim të vendeve pjesëmarrëse në këtë proces në Berlin”.

Ai  tha se  do të punohet për lëvizjen të lirë dhe njohja e diplomave të arrihen së shpejti.

“Kosova dhe Serbia duhet të duhet arrijnë  marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe i dërguari Lajcak ka mbështetjen tonë për këtë çështje”, tha kancelari gjerman.

Sipas tij, dialogu është në interes të të gjithë qytetarëve. “E qartë është se marrëveshja  duhet të zgjidhë edhe njohjen e Kosovës dhe Serbisë, sepse nuk mund të bëhen këto dy vende pjesë të BE-së, pa e njohur njëra tjetrën. Ky proces duhet të jetë pragmatik”.

Ai foli edhe për liberalizimin e vizave.  “Kjo çështje duhet të shkojë përpara. Unë brenda bisedave me partnerët tanë në BE, angazhohem me këmbëngulje për këtë çështje sepse Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet”.

Kancelari Scholz deklaroi se krahas krijimit të vendeve të punës që Kurti i ka vendosur në prioritet, ka qenë edhe klima dhe  energjia.

“ Sa angazhohet Gjermania për stabilitet në Ballkanin perëndimor,  tregon edhe angazhimi i ushtrisë gjermane”.

 

Kurti: NATO në Kosovë derisa Kosova të jetë pjesë e saj

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se në vitin 1999 NATO e përbërë nga 19 shtetet ndërhyri për të ndalë gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve.

“Më 12 qershor në 1999 NATO është pritur me lot gëzimi. Gjatë këtyre 23 viteve nuk kemi pasur asnjë incident me ushtarët gjerman. Ata gjithë kanë qenë të mirëpritur për popullsinë e Kosovës, andaj ata kanë ndikuar për të mbajtur sigurinë dhe paqen”, tha ai. Sipas tij prania e NATO-së në Kosovë, është e domosdoshme, duke e marrë parasysh lidhjet e Serbisë dhe Rusisë.

Ai tha se Kosova duhet të jetë pjesë e partneritet për paqe. “NATO në Kosovë duhet të jetë deri sa Kosova të jetë pjesë e NATO-s”, tha ai.

 

Kurti: Procesi i Berlinit mundësia më e mirë për rajonin

(E plotësuar, ora 11: 40) Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz, në konferencën e përbashkët për media tha se kjo është një vizitë historike për Kosovën.

“Kjo është vizitë historike për Kosovën dhe vizita e parë e një kancelari gjerman pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Jemi në një moment vendimtar për Kosovën”, tha ai.

Sipas tij Gjermania e Kosova janë të bashkuar për një Evropë të lirë. Ai ka përmendur edhe ushtarët gjerman që kanë shërbyer në Kosovë., raporton RTKlive.

Kurti ka përmendur rolin e Gjermanisë në zhvillimin e Kosovës. I pari i qeverisë bëri me dije se do të aplikojnë për anëtarësim për statusin e vendit kandidat për BE. Anëtarësimi i Kosovës në partneritetin e paqes të NATO-s, sipas Kurtit është urgjente. Kurse për dialogun, Kurti tha se Kosova është kreative, kurse Serbia është fajtore për ngecje.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se Procesi i Berlinit mundësia është më e mirë për rajonin.

 

Kancelari gjerman arrin në Prishtinë, pritet me nderime të larta shtetërore

(E plotësuar, ora 10:27) Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz ka arritur në Prishtinë, ku me ceremoni shtetërore është nderuar nga Garda Ceremoniale e FSK-së. Scholz është pritur nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Pas takimi është paraparë të mbahet konferencë për media nga Scholz dhe Kurti.

rtk

Abraham: Duhet të rifitojmë motivimin në Ballkanin Perëndimor

Knut Abraham, CDUPritshmëritë e deputetit gjerman të CDU-së, Knut Abraham nga vizita e Kancelarit Scholz në rajon.

 

Deutsche Welle: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga vizita e Kancelarit Scholz në rajon?

Ne duhet të sjellim besueshmëri në procesin e anëtarësimit. Në thelb, që nga fillimi i viteve 1990, vendet janë në pritje të një afrimi me Evropën. Nëse nuk ndodh asgjë, zhgënjimi është i madh, prandaj edhe është me rëndësi që të rifitojmë motivimin.

Çfarë duhet bërë për të rikthyer këtë besueshmëri?

Për shembull, duke filluar negociatat e anëtarësimit dhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Pra, të ushtrojmë ndikim masiv tek miqtë në Sofje, në mënyrë që çështjet dypalëshe, siç janë problemet maqedono-bullgare, të mos pengojnë të gjithë procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

Çfarë ka në dorë Gjermania apo BE-ja?

Ne kemi pritshmëri nga qeveria bullgare, si në BE ashtu edhe në planin dypalësh. Dhe duhet t’ua bëjmë të qartë miqve tanë në Sofje se ky problem është një problem që duhet zgjidhur në planin dypalësh, e jo në nivel evropian.

Çfarë mesazhi duhet të sjellë z.Scholz në Prishtinë?

Edhe këtu është e rëndësishme të rifitojmë besimin e humbur. Për shembull, sa i përket liberalizimit të vizave: kushtet janë plotësuar. Dhe kur ke punuar me vite me kushtet dhe kur i ke arritur ato dhe ende nuk e ke arritur qëllimin, rezultati është zhgënjimi. Dhe kjo është arsyeja pse unë shpresoj shumë që vendimi për liberalizimin e vizave të merret deri në fund të qershorit nën Presidencën Franceze. Një vend i rëndësishëm si Gjermania dhe një personalitet i rëndësishëm si Kancelari Federal mund të japin këtu një kontribut të rëndësishëm.

Në prag të udhëtimit të tij, Scholz tha se do të ringjallte Procesin e Berlinit të iniciuar nga ish-kancelarja Angela Merkel. Ai takohet në Selanik me përfaqësues të të gjitha vendeve të rajonit. Megjithatë, shumë pak vendime të Procesit të Berlinit janë zbatuar. A do të ishte nisma e Ballkanit të Hapur një alternativë më efektive?

Besoj se Procesi i Berlinit që lidhet me emrin e zonjës Merkel sigurisht që ka sjellë përparim në rajon. Bashkëpunimi me Komisionin Evropian është gjithashtu një trashëgimi e rëndësishme nga koha e zonjës Merkel në detyrë. Çdo gjë që forcon tregtinë ndërrajonale dhe ekonominë ndërrajonale për të mirën e të gjithë partnerëve është e mirë. Pra, edhe nisma e Ballkanit të Hapur është një element pozitiv .

Megjithatë, Kosova nuk dëshiron të marrë pjesë në këtë nismë. Cila është këshilla juaj?

Ky është një kompromis. Përvoja e Kosovës me fqinjin e saj është mbrujtur nga mosbesimi. Kjo nuk mund të anashkalohet. Por unë besoj se çdo gjë që ndihmon në zgjerimin e ekonomisë kosovare është e mirë. Dhe në këtë kuptim, unë besoj se Ballkani i Hapur mund të jetë një perspektivë.

Serbia është kritikuar për marrëdhëniet e saj me Rusinë. Si duhet të sillet kancelari Scholz në Beograd?

Serbia është një partner jashtëzakonisht i vështirë për të gjithë ne, por sigurisht veçanërisht për Kosovën, thjesht për shkak të fqinjësisë dhe historisë së saj. Por mesazhi ynë për Beogradin është shumë i qartë: Edhe pse mund të ketë interesa të kuptueshme energjetike, ka ardhur koha që Serbia të pozicionohet. A dëshiron të shkojë në Evropë apo dëshiron të jetë një lloj zone neutrale me marrëdhënie të shkëlqyera me Moskën? Tani, në këtë kohë, në këtë situatë lufte, është koha për të marrë një vendim.

Pa zgjidhjen e problemeve dypalëshe, procesi i zgjerimit nuk duket shumë real. Kohët e fundit ka pasur propozime të reja: zoti Macron ka hedhur idenë e një federate shtetesh përtej BE-së dhe kolegu juaj i partisë Krichbaum flet për anëtarësim të asociiuar. A do të ishte kjo një zgjidhje për vendet e Ballkanit Perëndimor?

Kjo është një pikë shumë e rëndësishme dhe jam mirënjohës që mund ta sqaroj këtu. Një ide e tillë, e paraqitur nga Presidenti francez dhe gjithashtu nga të tjerë, mund të jetë vetëm një hap i ndërmjetëm. Ne duhet të konsiderojmë modele, në të cilat këto shtete të mund  të miratojnë pjesë të legjislacionit evropian, sidomos atë të tregut të brendshëm, dhe kështu mund të përfitojnë edhe nga avantazhet ekonomike të BE-së, pa u bërë anëtar me të drejta të plota. Pra, jo në asnjë mënyrë një klub i veçantë i fqinjëve të vështirë. Anëtarësimi në tregun e përbashkët është një hap drejt anëtarësimit të plotë dhe jo një zëvendësim i anëtarësimit të plotë.

dw

Mision për të shuar ‘zjarret’ në Ballkan – Scholz viziton Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut

ScholzVizita e kancelarit gjerman në Shkup dhe Sofje shënon përpjekjen e fundit për të thyer ngërçin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

 

Më 4 qershor 2022 një burrë i maskuar shkoi me biçikletë tek klubi kulturor bullgar, Vanço Mihailov në qytetin e Manastirit në Maqedoninë e Veriut dhe i vuri zjarrin derës. Edhe pse përveç derës në ndërtesë nuk pati shumë dëmtime, zjarri rindezi konfliktin e ashpër politik të marrëdhënieve maqedono-bullgare në vitet e fundit.

Edhe pse zjarrvënësi u arrestua shpejt, politikanët në të dy anët e kufirit e shfrytëzuan shpejt incidentin. Presidenti bullgar, Rumen Radev, tha se sulmi me zjarrvënie “ishte një tjetër provokim, pjesë e një fushate të gjatë antibullgare në Maqedoninë e Veriut”. Qeveria e Maqedonisë së Veriut e dënoi incidentin. Megjithatë pati thirrje nga të paktën një parti opozitare dhe shumë individë në rrjetet sociale për protesta në mbështetje të zjarrvënësit.

Klubi bullgar mban emrin e Vanço Mihailovit, një revolucionar bullgar, i cili bashkëpunoi me nazistët në Luftën e Dytë Botërore. Hapja e këtij klubi rreth dy muaj më parë u promovua nga politikanët bullgarë si një veprim pajtues, por ndezi një stuhi zemërimi në Maqedoninë e Veriut. Presidenti Stevo Pendarovski e dënoi emrin e zgjedhur nga Sofja si një provokim që “nuk kontribuon në afrimin midis dy popujve”.

Këto janë aspekte që kancelari gjerman Olaf Scholz duhet t’i ketë parasysh gjatë vizitës në Shkup dhe Sofje më 11 qershor 2022, në një përpjekje për të gjetur një kompromis që synon fillimin e negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut. Në sfondin e luftës agresore të Rusisë ndaj Ukrainës zgjerimi i BE-së është më i rëndësishëm se kurrë.

 

Probleme me fqinjët

Ish-ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov e sheh vizitën e Scholz-it si një “kulmim të përpjekjeve diplomatike gjermane për të bërë një hap të rëndësishëm përpara jo vetëm për Ballkanin, por edhe për Ukrainën”. “Ky problem”, tha Dimitrov për DW, “e bën BE-në të paaftë gjeo-politikisht në rajonin e saj”.

BE-ja është e prirur të demonstrojë aftësinë e saj për të ndërmjetësuar për problemet brenda fqinjësive evropianë dhe në të njëjtën kohë të parandalojë Rusinë, Kinën dhe lojtarët e tjerë rajonalë që të hyjnë në Ballkanin Perëndimor. Dy nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Serbia dhe Mali i Zi – janë tashmë në negociata për anëtarësimin e plotë në BE dhe Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina shpresojnë të bëhen kandidate. Ndërkohë, një veto bullgare ka bllokuar proceset e pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë për dy vitet e fundit.

 

Ukraina ndërlikon anëtarësimin e Ballkanit në BE

Berlini e sheh zgjerimin e BE-së si një nga shtyllat kryesore të politikës së tij evropiane, gjë që është edhe pjesë e marrëveshjes së koalicionit të qeverisë. Por Scholz nuk është i vetëm në përpjekjet e tij diplomatike.

Më 6 qershor 2022, presidenti francez Emmanuel Macron telefonoi me homologët e tij në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari për të ofruar Parisin si vend për nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe “kur të vijë koha”. Por koha është një luks që askush nuk e ka aktualisht. Parisi po bën presion për një zgjidhje deri në fund të qershorit 2022, kur përfundon presidenca franceze e BE-së.

Kërkesa e Ukrainës për anëtarësim në BE i ndërlikon më tej gjërat. Hapja e negociatave me Kievin në qershor 2022 përbën një problem për Brukselin, pasi disa vende të Ballkanit Perëndimor po presin me vite që anëtarësimi i tyre të konkretizohet.

Më 9 maj, i pyetur për kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në BE, Scholz iu referua drejtpërdrejt kësaj situate gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Macronin në Berlin. Shumë prej tyre vendeve të Ballkanit kanë bërë tashmë përgatitje të gjera dhe kanë marrë vendime të guximshme. Prandaj një guxim i tillë duhet të shpërblehet, si p.sh. në rastin e Maqedonisë së Veriut, tha Scholz-i.

 

Jo kompromise jetëshkurtra dhe sipërfaqësore

Komisioni Evropian dhe shumica e vendeve anëtare të BE-së, përfshirë Gjermaninë, nuk duan të lejojnë që mosmarrëveshjet dypalëshe mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të bëhen pjesë e kornizës negociuese, por janë të gatshëm të bëjnë kompromis, nëse Shkupi dhe Sofja gjejnë një lloj dakordimi për to.

Ish-ministri i Jashtëm maqedonas, Dimitrov paralajmëron se zgjidhje të tilla diplomatike vetëm do ta shtynin problemin duke e “lëvizur veton bullgare në kornizën e negociatave”, duke i mundësuar Sofjes të bllokojë më tej Maqedoninë e Veriut gjatë negociatave të anëtarësimit. “Të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm, sepse një hap i tillë mund të rezultojë lehtësisht si jetëshkurtër dhe sipërfaqësor.”

BGJ/dw

Osmani: Lidhja e Prizrenit, frymëzim i përhershëm për emancipim kombëtar

Lidhja e Prizrenit 144 vjetoriPresidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në 144 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, ka thënë Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historisë tonë mbarëkombëtare.

 

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historisë tonë mbarëkombëtare. Ky kuvend historik për kombin, nëpërmjet organizmit gjithëkombëtar politik dhe luftarak, paraqet organizim kulmor për çlirimin e trojeve shqiptare dhe mbrojtjen e tyre nga çdo kërcënim dhe pretendim i vendeve fqinje”, ka thënë Presidentja Osmani.

Sipas presidentes, kjo Lidhje parqet bashkimin më të madh të shqiptarëve pas Kuvendit të Lezhës, ndaj sot në 144 vjetorin e saj, kujtojmë me respekt ideologët e saj si: Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi e të tjerë, të cilët arritën unitetin e faktorit shqiptar, i cili është i nevojshëm edhe sot e kësaj dite.

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit është frymëzim i përhershëm për emancipimin tonë kombëtar, konfirmimin e orientimit tonë evropian, si dhe referencë e fuqishme në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë”, ka thënë Osmani, njofton zyra për informim e presidentes.

Ngjarjet e tilla historike sikur kjo na bëjnë të reflektojmë ndaj të kaluarës sonë, duke ecur përpara dhe duke gjetur forcën njësoj sikur dikur që në funksion të mbrojtjes së kombit e atdheut, të gjithë të jemi një, ka thënë ajo.

rtk

Rama e pranon në Kuvend: Kemi çmimin më të lartë të karburantit, sepse ndryshe nga rajoni…

ramaNë replikë me deputeten e PD, kryeministri Edi Rama pranoi se Shqipëria ka cmimin më të lartë të karburantit në rajon, por për këtë kreu i qeverisë dha argumentet e tij pse.

“Është e vërtetë nuk është sekret, ne kemi një cmim më të lartë se të tjerët në rajon. Por ndryshe nga të tjerët në rajon ne kemi taksat me të ulëta. Ndryshe nga rajoni ne bizesit të vogël nuk I marrim asnjë lek. Ndryshe nga rajoni ne vërtet e kemi më të lartë taksën mbi biznesin e madh por ne subvencionojmë 100% energjinë elektrike, dhe të gjitha këto janë para, sepse ne ju japim para të gjithë shqiptarëve që lëvizin me transportin public. Ne do vijojmë t’I japim para për naftën fermerëve, jo më larg se sot kemi folur për të shtuar sasinë, sepse ndryshe nga rajoni ne kemi një industri peshkimi që është në rritje të vazhdueshme. Sepse barrën e krizës do e shpërndajmë.

Këto janë të vërtetat e këtij moment, që është një moment shumë I vështirë, kërkon debat dhe ide të reja por nuk kërkon të vijojë avazi sikur këtu nuk ka ndodhur asgjë.

Nëse keni ide, jemi të lumtur t’i marrim idetë tuaja, por mos thuaj ne bëmë tavan cmimi, por nuk bëhet kjo. Vihet një tavan që askush mos shkojë më lart, ne jemi në ekonomi tregu, ku kemi një bord komunist aty, se nuk duhet të ishte, por është aty se është në kushtet e jashtënormales është një ndihmë, psikologjike e financiare, sepse në ekonomi tregu nuk hyn shteti të kontrollojë cmimet me dhunë. Por në këtë fazë ka një meritë, vendos një tavan ku të tjerët s’mund të shkojnë. Cmimi I naftës është komplet I qartë dhe ëndrrat në beze se cmimet në ekonomi tregu dhe kohë lufte mund të shkojnë në pikën sikur asgjë s’ka ndodhur, këto mund të bëhen vetëm për politikë.” u shpreh Rama.

Top Channel