Petkov: Bullgaria ka tre kushte për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE

PetkovKryeministri i Bullgarisë, Kiril sot takoi eurokomisarin Oliver Varhelyi me të cilin biseduar për veton kundër Maqedonisë së Veriut.

 

“Që nga mëngjesi dhe në ditët e fundit kam dëgjuar lloj-lloj pretendimesh të rreme se qeveria bullgare kishte dy politika të jashtme. Dua t’u bëj të qartë qytetarëve bullgarë dhe komisionerit Varhelyi se Bullgaria ka tre kërkesa të qarta për përparimin e Maqedonisë së Veriut.

Respektimi i qëndrimit kornizë, të cilin e miratoi Parlamenti bullgar, përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së, në mënyrë që të mbrohen të drejtat e tyre dhe së treti, të zbatohet marrëveshja e fqinjësisë”, tha Petkov, njofton “BGNES”.

Këto kanë qenë diskutimet tona më parë, thekson Petkov, ndërsa tani dhe ne po punojmë për të parë nëse është e mundur që BE të jetë garantuese e këtyre tre kushteve.

Eurokimsari Varhelyi tha se ende nuk ka zgjidhje, çka është fustruese për ne, sepse nuk mund të vazhdojmë me procesin e anëtarësimit”, tha Varhelyi.

“Ende presim mbështetjen e Bullgarisë dhe për këtë po punojmë në të gjithë këto bisedime që kam udhëhequr në Sofje, ashtu edhe në Shkup, që përfundimisht të sqarohen dhe të forcohet perspektiva evropiane për RMV-në.

Do të doja të shikoja që të arrihet marrëveshje në qershor, për këtë në mëngjes takohem me kryemnistrin dhe ministrin e jashtëm, do të takohem edhe me Presidentin”, tha Varhelyi.

Parlamenti i BE-së voton për fundin e motorëve me djegie të brendshme

kolonaParlamenti Evropian dëshiron që pas 13 vjetësh në Evropë të mos regjistrohet më asnjë makinë e re me benzinë ​​a naftë. Por përpara se një rregullore e tillë të hyjë në fuqi, nevojiten negociata me shtetet e BE-së.

 

Në luftë për një mbrojtje më të madhe të klimës Parlamenti i BE-së dëshiron të ndalojë shitjen e makinave të reja me motorë me djegie të brendshme duke filluar nga viti 2035. Parlamentarët votuan me një shumicë të qartë pro një propozimi përkatës të Komisionit të BE-së. Sipas këtij propozimi duke nisur nga mesi i dekadës së ardhshme, prodhuesit pritet të lejohen të hedhin në treg vetëm makina dhe furgonë që nuk lëshojnë gazra që shkaktojnë efektin serrë dhe që janë të dëmshëm për klimën.

Para se një rregullore e tillë të hyjë në fuqi, Parlamentit i duhet të negociojë me shtetet e BE-së. Ende nuk është ende e sigurt, nëse vendet anëtare të BE-së do të bien dakord, por kjo konsiderohet si e mundshme. Deri në fund të muajit vendet anëtare duan të përcaktojnë qëndrimin e tyre për ndalimin e shitjes së makinave me benzinë ​​dhe naftë dhe pastaj dy institucioneve të BE-së do t’u duhet të gjejnë një kompromis në mënyrë që rregullorja të hyjë në fuqi.

 

Gjermania dhe koncernet e mëdha të automobilëve janë gati

Gjermania ka deklaruar prej disa kohësh se duke filluar nga viti 2035 do të ndalojë shitjen e makinave të reja me motorë me djegie të brendshme. Këtë e bëri të qartë në mars në Bruksel edhe ministrja Federale e Mjedisit, Steffi Lemke, e cila theksoi në emër të qeverisë federale, se Gjermania mbështet ndalimin e përdorimit të motorëve me djegie të brendshme në Evropë duke filluar nga viti 2035.

Edhe një numër prodhuesish të mëdhenj automobilësh, si Mercedes, Ford dhe Volvo, e kanë mbështetur publikisht ndalimin e shitjes së makinave me djegie të brendshme duke nisur nga viti 2035. Kurse prodhues të tjerë si Volkswagen kanë njoftuar se nga ky vit nuk do të ofrojnë më në tregun evropian motorë me djegie të brendshme.

Eurodeputeti gjerman i të Gjelbërve, Michael Bloss tha pas votimit, se ne vendosëm pro të ardhmes së Evropës, sepse në të ardhmen makinat elektrike më të mira dhe bateritë më moderne do të prodhohen në Evropë.

Kurse eurodeputeti demokristian, Jens Gieseke, e kritikoi vendimin duke thënë se: “Për fat të keq të Gjelbrit, Liberalët dhe Social-Demokratët preferojnë t’i vendosin të gjitha në kartën e elektro-mobilitetit”. Ai u shpreh se ka frikë për aftësinë konkurruese të Evropës si dhe për sigurinë e shumë vendeve pune, por pranoi se ndalimi i motorëve me djegie të brendshme në vitin 2035 duket se nuk do të mund të pengohet më.

dpa

 

Gjermani: Përgatitje për një valë të re Corona në vjeshtë

KE CoronaKëshilli i ekspertëve për Coronën në Gjermani: Federata dhe landet të përgatiten në kohë dhe si duhet për luftimin e një vale të mundshme të re infeksionesh, ndonëse zhvillimet e virusit nuk mund të parashikohen saktë.

 

Ndaj është e domosdoshme një “përgatitje largpamëse me mundësinë e reagimit sa më shpejt” për rritjen e pritshme të rasteve dhe ndryshimin e gjendjes së infeksionit në vjeshtë dhe në dimër”, thuhet në një prononcim të këtij forumi. Raporti “Përgatitjet për pandeminë në vjeshtë/dimër 2022/23″ u paraqit në Berlin (08.06). Sidoqë të zhvillohet situata kërkohet që përgatitjet ndër të tjera të kenë një bazë solide ligjore për masat mbrojtëse ndaj infeksionit.

Këshilli i ekspertëve të qeverisë për Coronën nisi punën në mes të dhjetorit 2021. Në këtë forum bëjnë pjesë studiues nga disiplina të ndryshme.

 

Tre skenarë të mundshëm

Ekspertët përpilojnë skenarët të mundshëm të zhvillimit të gjendjes. Këshilli i ekspertëve përmend tre skenarë të mundshëm për vjeshtën dhe dimrin e ardhshëm. Në një “model bazë” supozohet rritja e numrit të të sëmurëve nga infeksioni.  “Pavarësisht ngarkesës së moderuar prej COVID-19 në sektorin e mjekësisë intensive, mungesat në punë sërish mund të bëjnë të nevojshme masa gjithëpërfshirëse (mbajtje maske dhe ruajtje distance në mjediset e mbyllura), por edhe masa për pakësimin e kontakteve sipas direktivave rajonale”, bëhet e ditur në këtë dokument.

Në rast të një skenari negativ boshllëqet me vaksinimin në popullsi dhe rënia e imunitetit me kalimin e kohës mund të përkojnë me variante më të rrezikshme të Coronës, e kësisoj edhe të vaksinuarit plotësisht mund të përballen me rrjedhë të rëndë të sëmundjes. Një zhvillim i tillë mund ta mbingarkonte sërish sistemin e shëndetësisë me rastë COVID-19 si në sektorin e shërbimit intensiv edhe në pavionet normale. Në një rast të tillë masat e nevojshme mbrojtëse si mbajtja e maskës dhe ruajtja e distancës mund të zbuten vetëm në pranverën e vitit 2023.

Në skenarin më të favorshëm një variant i ri i virusit mund të jetë më pak i rrezikshëm, si rrjedhojë masat e mbrojtjes ndaj infeksionit “nuk do të ishin më të domosdoshme për të gjithë, por ndoshta vetëm për personat e rrezikuar”. Këshilli i ekspertëve thekson shprehimisht, se “zhvillimi i mëtejshëm i virusit SARS-CoV-2-Virus ndërkohë nuk mund të parashikohet bindshëm”. Eshtë i mundur një dobësim i tipareve që shkaktojnë sëmundjen, por nuk mund të nisesh nga një premisë e tillë.

 

Ekspertët: Popullsia pret planifikim efikas

Qëllimi i politikës ndaj Coronës duhet të jetë “mbrojtja e sistemit të shëndetësisë, e infrastrukturës kritike si dhe e grupeve më vulnerabël të popullsisë, duke minimizuar ngarkesën kolaterale dhe shëndetësore të shoqërisë” thuhet më tej.  Për këtë arsye duhet që të gjitha masat profilaktike, terapeutike dhe të tjera të orientohen në kufizimin mundësisht sa më parë të një vale të re. Prioritet të lartë ka gjithashtu që të mundësohet për fëmijët dhe të rinjtë që të ndjekin pandërprerje shkollën, të shkojnë në kopshte e në aktivitete sportive.

 

“Pandemia definitivisht nuk ka kaluar”

Profesor Heyo Kroemer, kryetar i kryesisë së Berliner Charité dhe anëtar i këshillit të ekspertëve tha, se forumi nuk do të krijojë imazhe dhe shqetësime dramatike. Ky prononcim është një “përpjekje profesionale” për të zbardhur zhvillimin e mundshëm të pandemisë dhe për të dhënë në kohën e duhur këshillat e duhura. “Pandemia definitivisht nuk ka kaluar”, tha Kroemer.

Në radhët e koalicionit qeverisës ndërkohë ka nisur debati për një rikonceptim të ligjit të mbrojtjes ndaj infeksioneve, rregullorja e të cilit lidhur me Coronën ka afat deri në shtator.

 

 

qu/se (rtr, dpa, afp, kna)

Zelenskiy: Forcat ruse po përballen me humbje të mëdha në Sievierodonetsk

ZelenskiyPresidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të mërkurën se mbrojtësit e qytetit të Sievierodonetskut po u shkaktojnë humbje të mëdha trupave ruse, gjatë asaj që ai e quajti, një betejë shumë të ashpër e tejet të vështirë.

 

Fati i Donbasit vendoset atje“, tha zoti Zelenskiy gjatë një fjalimi në internet.

Më herët gjatë ditës, forcat ukrainase që po luftojnë në Sievierodonetsk, paralajmëruan për një tërheqje të mundshme, po guvernatori rajonal Serhiy Haidai, këmbënguli se ato vazhdojnë të luftojnë ende për çdo pëllëmbë të qytetit.

Beteja në rrugët e Sievierodonetsk, një qytet kyç në lindje të vendit, është dëshmi e një përparimi të mundimshëm të forcave ruse, teksa përpiqen të marrin kontrollin e plotë të Luhanskut.

Pas një përpjekjeje të vështirë për të pushtuar Kievin në ditët e para të luftës, Rusia ndryshoi objektiv, duke u përqëndruar në rajonin e Donbasit. Rajoni ka qenë pjesërisht i kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Rusia për vite me radhë, çka i ka dhënë mundësi Moskës të përdorë forcat separatiste për të mbështetur ofensivën e saj. Por nga ana tjetër Rusia po përballet me trupa ukrainase me eksperiencë, që kanë luftuar kundër separatistëve për tetë vite me radhë në këtë rajon.

Rezultati është një përparim i avashtë i të dyja palëve që shkëmbejnë breshëri artilerie e që në dukje shkaktojnë humbje të mëdha, por pa ofruar qartësi se cila palë po fiton terren.

Guvernatori i Luhanskut Serhiy Haidai pranoi të mërkurën vështirësitë që paraqiten për trupat ukrainase në Sievierodonetsk. Ai tha për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se ndoshta trupat do të duhet të tërhiqen, por shtoi se aktualisht beteja për qytetin vazhdon.

Sipas zotit Haidai forcat ukrainase mund të tërhiqen në pozicione që janë më të lehta për t’u mbrojtur. Qyteti përtej lumit, Lysychansku, shtrihet në një terren malor.

Sievierodonetsku u bë kryeqyteti administrativ i rajonit pasi qyteti i Luhanskut u pushtua nga separatistët, në vitin 2014. Si ky qytet, ashtu edhe Lysychansku, ndodhen nën trysninë e forcave ruse në lindje, veri dhe jug, dhe janë ndër disa qytete të Luhanskut, që vazhdojnë ende të rezistojnë.

Kremlini pretendon se forcat e tij kontrollojnë pothuajse të gjithë rajonin e Luhanskut dhe rreth gjysmën e rajonit të Donetskut, që rrethon Donbasin.

Ndërkaq në veri të vendit, forcat ruse vranë pesë persona dhe plagosën 12 të tjerë gjatë 24 orëve të fundit, pasi goditën me artileri rajonin e Kharkivit. Lajmi u njoftua të mërkurën nga guvernatori rajonal Oleh Syniehubov.

Ushtria ruse bëri të ditur sot, se kishte përdorur “raketa me precizion të lartë” për të goditur një fabrikë të riparimit të autoblindave pranë Kharkivit, gjë që nuk është konfirmuar nga zyrtarët ukrainas.

voa

Scholz në Prishtinë takon vetëm Kurtin

ScholzVetëm një takim në Kosovë, do ta ketë kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe ai takim do të jetë me kryeministrin Albin Kurti.

 

Përveç me të dhe vizitës që do t’u bëjë trupave gjermane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it, takime të tjera në Prishtinë, deri të enjten, nuk janë parashikuar.

Kështu kanë deklaruar për RTKlive, në përgjigje me shkrim, Zyra për Media e Qeverisë së Gjermanisë.

Kjo zyrë konfirmon se kancelari gjerman do të mbërrijë në Prishtinë, nesër me 10 qershor në orën 9:45 minuta.

Ai do të pritet në takim nga kryeministri Albin Kurti kurse më pas, në orën 11:30, është përcaktuar të mbahet dhe një konferencë e përbashkët për media.

Me kaq, takimet kancelarit gjerman në Kosovë do të mbarojnë.

“Mbërritja në Serbi është parashikuar në orën 15:00. Atje kancelari do të pritet nga presidenti Vuçiq ku do të ketë diskutime me të dhe kryeministren Bërnabiq”, thotë për RTKlive, një zëdhënës për media në Qeverinë e Gjermanisë.

Bazuar në këtë agjendë, është parashikuar që në orën 16:50 të ketë një konferencë të përbashkët për media të kancelarit Scholz e presidentit Vuçiq.

Kancelari Olaf Scholz, pas Kosovës dhe Serbisë, do të vizitojë edhe Greqinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, ku edhe i jep fundit kësaj vizite në vendet e Ballkanit perëndimor.

Të gjitha këto vizita dhe takime do të realizohen me datën 10 dhe 11 qershor.

rtk

Serwer: Kosovës nuk i është dhënë status i barabartë, propozimi për “Ballkanin e Hapur” nuk duhet të merret parasysh

serwerE vetmja rrethanë kur Kosova duhet ta marrë në konsideratë propozimin për anëtarësim në ‘Ballkanin e Hapur’, është nëse i ofrohet statusi i barabartë me shtetet tjera që marrin pjesë.

 

Kështu ka deklaruar për Portalin D profesori i Universitetit “John Hopkins” në SHBA, Daniel Serwer.

Ai ka thënë se, një gjë e tillë nuk i është ofruar Kosovës, dhe se sipas mendimit të tij, Kosova nuk duhet as ta marrë parasysh propozimin e jo më të anëtarësohet.

“E vetmja rrethanë në të cilën Kosova duhet të marrë në konsideratë një propozim është nëse i jepet statusi i barabartë me shtetet e tjera sovrane të përfshira. Kjo, unë e kuptoj, nuk i është ofruar Kosovës në Ballkanin e Hapur, kështu që propozimi as që duhet të merret parasysh”, ka deklaruar Serwer.

Serwer, thotë se iniciativa ‘Ballkani i Hapur’, nuk është hap i duhur për Ballkanin, dhe se sipas tij,  të gjitha aktivitetet që supozohet se mund të kryhen në ‘Ballkanin e Hapur’, mund të bëhen edhe në alternativa të tjera, që janë më të dobishme, siç është procesi i Berlinit apo SEFTA.

“Jo me të vërtetë. Gjithçka që kam dëgjuar për Open Balkan sugjeron që aktivitetet e tij mund të kryhen të gjitha brenda Procesit të Berlinit dhe SEFTA-s”, ka thënë shkurt ai.

Profesori amerikan, e ka komentuar edhe deklaratën e dhënë nga ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, i cili pati thënë se ideja për Ballkanin e Hapur, ishte e Serbisë. Kjo deklaratë sipas Serwer-it, do ta pengojë krijimin e një nisme të tillë, për shkak reputacionit negativ të shtetit në Ballkan.

Sipas tij, Rusia është e mirëpritur vetëm në Serbi dhe në ‘Republika Srpska-n’, në Bosnjë e Hercegovinë.

“Unë mendoj se shumica prej tyre tani do të kenë mendime të dyta rreth anëtarësimit. Rusia nuk është një faktor i mirëpritur në Ballkan këto ditë, me përjashtim të Serbisë dhe Republika Srpska”, është shprehur Serwer.

I pyetur, se a është edhe në interesin e SHBA-së, iniciativa e Ballkanit të Hapur, Serwer u shpreh se personalisht mendon se jo, por që të njëjtin mendim nuk e ndan edhe Qeveria amerikane.

“Unë jo, por qeveria amerikane e bën. Ata duhet vendosin se si duhen bërë gjërat”, ka thënë shkurt ai.

Në fund, Serwer thotë se nuk është i sigurt nëse të gjitha vendet pjesëmarrëse do të qëndrojnë gjatë në një iniciativë të tillë. Sipas profesorit amerikan, Ballkani i Hapur në rrethanat aktuale, është një iniciativë e vdekur.

“Nuk jam i sigurt që të gjitha këto pozicione do të mbahen. Mendimi im është se në rrethanat aktuale, për shkak të agresionit rus në Ukrainë, Open Balkan është një letër e vdekur”, ka deklaruar Serwer.

 

Samiti i Ohrit, Kosova nuk merr pjesë, SHBA-ja kërkon trajtim të barabartë të shteteve pjesëmarrëse

Ashtu sikurse emërtimi i tij, “Ballkani i Hapur”, duhet të jetë i hapur dhe i barabartë për të gjithë shtetet pjesëmarrëse, ka thënë zëvendësndihmëssekretari i SHBA-së, Gabriel Escobar, në deklaratën e dhënë gjatë samitit të kësaj iniciative mbajtur në Ohër.

Kërkesë tjetër e tij ishte që kjo iniciativë të mos shndërrohet në projekt politik, por të ketë në qendër zhvillimin ekonomik për të gjitha vendet që marrin pjesë.

“Ne i përkrahim të gjitha iniciativat ekonomike që e afrojnë regjionin, promovojnë paqe dhe bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Besojmë që të ketë sukses duhet të jetë e hapur për të gjithë. Secila iniciativë për integrim ekonomik duhet t`i përfshijë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë të barabartë”, ka deklaruar Escobar.

Sipas emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “Ballkani i Hapur”, duhet të bashkëpunoj, me iniciativa të tjera të ngjashme të rajonit.

“Ka shumë iniciativa për integrime prandaj ju jap kurajo liderëve që të kërkojnë mënyra si të bashkëpunojnë me iniciativat e tjera që ekzistojnë në rajon. Me këtë nënkupton se nuk duhet të dublifikohen punët dhe do të ketë një integrim më të mirë. E dyta duhet të ketë një plan për zhvillim institucional”, është shprehur ai përmes një video-lidhje.

Mundësi të mirë, iniciativën e “Ballkanit të Hapur”, e ka cilësuar komisioneri evropian për zgjerim dhe fqinjësi, Oliver Varhelyi. Ai ka thënë se përmes kësaj iniciative do të përshpejtohet rruga e rajonit për  në Bashkimin Evropian.

Sipas Varhelyi-t, Ballkani i Hapur do të ketë efekte pozitive edhe në ekonomitë e vendeve pjesëmarrëse, pos kësaj ai ka thënë se kjo është mundësi e mirë për mundësinë e bashkëpunimit në mes të vendeve të rajonit.

“Nuk ka logjikë të flasim për aderimin në BE dhe për euro-integrim të rajonit nëse në vetë rajonin ende duhet të nostrifikohet diploma juaj nëse duhet të punoni në një vend tjetër. Nuk vlen asgjë nëse biznesi juaj nuk bënë tregti si duhet, apo t’i shesë shërbimet në rajon”, ka thënë ai.

Në samitin e mbajtur në Ohër, përsëri iu bë ftesë Kosovës që të jetë pjesëmarrëse. Nikoqiri i takimit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se sukseset që do të ketë iniciativa rajonale do ta bëjë atë atraktive për të tjerët, edhe për Kosovën, ftesa për të cilën tha se është e hapur ende.

“I sigurt që përfitimet e Ballkanit të Hapur do të kenë shtetasit e Malit të Zi, Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. Besojmë që ky samit do të bëjë kthesë të papritur sa i përket çështjes së Ballkanit të Hapur”, ka thënë ai.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Kosovës i referohej si Prishtinë. Ai ka thënë se pjesë e grupeve punuese për koordinim lidhur me gjetjen e zgjidhjeve për problemet që i shqetësojnë mund të bëhen edhe shtetet e tjera.

“Të mirëseardhur, nëse dëshirojnë të marrin pjesë në formimin e grupeve punuese janë edhe përfaqësuesit e Bosnjë Hercegovinës, Prishtinës, Malit të Zi e kështu me radhë”, ka thënë ai.

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, nënshkruan katër marrëveshje bashkëpunimi që kanë për qëllim luftën kundër evazionit fiskal, njohjen e diplomave të arsimit të lartë, bashkëpunim kulturor dhe bashkëpunim në fushën e turizmit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Kosova është shtet sovran dhe vendos vetë për fatin e saj, por sipas tij vendimi për të mos iu bashkuar nismës së Ballkanit të Hapur, vetëm po sjellë humbje kohe.

“Do të dëshiroja që të ishim gjashtë dhe dëshiroj që të jemi gjashtë. Por, një gjë është e sigurt, pikërisht sepse është e njerëzve, i vendeve, i të ardhmes. `Ballkani i Hapur` as nuk ndalet as nuk mbyllet. Kjo është mbase pak por kjo është e sigurt dhe kush i kundërvihet është i destinuar të zhgënjehet dhe kush heziton është i destinuar që të humb kohë për të përfituar nga kjo nismë”, ka thënë ai.

Që prej kur u shfaq në publik ideja për “Ballkanin e Hapur”, shteti i Kosovës ka refuzuar të jetë pjesë e saj. Javën e kaluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte bërë të ditur se e ka refuzuar ftesën nga kryeministri maqedonas për të marrë pjesë në samitin e Ohrit që kishte nisur të martën e është përmbyllur të mërkurën.

Cooper: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të anëtarësohen sa më shpejt në BE

CooperLaura K. Cooper, Zv.Ndihmës Sekretare e Mbrojtjes

Gjatë një interviste me shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës, Zv.Ndihmës Sekretarja amerikane e Mbrojtjes për Rusinë, Ukrainën dhe Euroazinë, Laura K. Cooper, tha se për Shtetet e Bashkuara, procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duhet të përparojë me shpejtësi.

Zonja Cooper vlerësoi rolin udhëheqës të Maqedonisë së Veriut për përqasjen e procesit të integrimit nëpërmjet bisedimeve ndërmjet Shkupit dhe Sofies, nga të cilat ka rezultuar një dialog i dobishëm diplomatik.

Ajo megjithatë paralajmëroi se Rusia do të përpiqet të shfrytëzojë ndasitë dhe të pengojë anëtarësimin në BE të këtyre dy vendeve, ashtu siç pati vepruar më parë me anëtarësimin në NATO.

Zonja Cooper tha se në këtë kuadër merr vlerë të veçantë lufta kundër dezinformimit, që do të jetë një sfidë e vazhdueshme për të gjitha vendet anëtare të NATO-s dhe më gjerë në mbarë globin. Ajo vlerësoi angazhimin e Maqedonisë së Veriut për t’u përballur me këtë sfidë, nëpërmjet krijimit të programeve konkrete, caktimit të burimeve të duhura, si dhe zhvillimit të një dialogu të drejtpërdrejtë me publikun dhe vendet aleate të NATO-s.

“Nuk mund të ndreqet çdo pjesë dezinformimi. Kjo nuk është një mënyrë frutdhënëse. Por, mund të jemi të qartë për drejtimin e duhur, si p.sh. të themi të vërtetën për atë që po ndodh në Ukrainë”, tha ajo.

E pyetur për pasojat që mund të kenë vende si Maqedonia e Veriut nga një reagim i mundshëm i Rusisë pas ndalimit të udhëtimit të ministrit të jashtëm rus drejt Beogradit, zonja Cooper vuri në dukje se pikërisht në këto momente, Rusia po përpiqet të rikthehet në pozita rëndësie në marrëdhëniet ndërkombëtare.

“Dhe realiteti është se Rusia është më e izoluar se kurrë më parë. E pamë këtë në votimet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. E pamë këtë në sanksionet masive ndaj Rusisë, përfshirë masën më të fundit të ndërmarrë nga evropianët për të kufizuar importet energjitike nga Rusia… Rusia mendoi se lufta në Ukrainë do të përçante NATO-n. Rusia mendoi se do ta ndihmonte të arrinte objektivat e politikës së saj të jashtme. Në fakt, ajo çfarë konstatoi Rusia është se ushtria e saj po turpërohet nga rezultatet e dobëta dhe metodat e vjetëruara”, tha zonja Cooper.

Zv.Ndihmës Sekretarja amerikane e Mbrojtjes përsëriti se në rajonin e Ballkanit mjetet që përdor më shumë Rusia janë në fushën e informacionit, ndërsa bën përpjekje të vazhdueshme për të ndikuar tek mediat që përgatisin lajmet dhe për të ndikuar tek mënyra se si njerëzit e perceptojnë politikën e jashtme të Rusisë, si dhe për të penguar punën e qeverive në rajon dhe për të mbjellë përçarje në popullatë. Fatmirësisht, tha zonja Cooper, edhe Perëndimi ka aftësi për të vënë në përdorim me vërtetësi informacionin dhe për t’iu kundërvënë mjeteve dezinformuese të Rusisë.

voa

Ftesë e hapur për Ballkanin e Hapur

Ballkani i hapurKryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski i ka bërë ftesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Samitin e Ballkanit të Hapur në Ohër të bëhet pjesë e kësaj iniciative.

Në Ohër zhvilon punimet samiti i vendeve që përkrahin iniciativën Ballkani i Hapur. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili e ka mirëpritur pjesëmarrjen e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq në samit, edhe njëherë i ka bërë ftesë kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, që të bëhet pjesë e kësaj iniciative. “Ftesa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti është e hapur. Ne i ftojmë të na bashkohen të gjithë. Na priftë e mbara në këto procese që kemi nisur”, ka thënë ndër të tjera kryeministri maqedonasverior, Kovaçevski. Ballkani Perëndimor duhet të bëhet pjesë e BE-së dhe se vendi i secilit vend të rajonit është në BE, theksoi Kovaçevski.

Vuçiq përshëndet iniciativën e “Ballkanit të Hapur”

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç gjendet në Ohër për të marrë pjesë në Samitin e “Ballkanit të Hapur”. Ai ka thënë se nuk e ka problem të flasë me palën kosovare për “Ballkanin e Hapur”. “Nuk e kam problem të flasë me askënd nga Prishtina. Shikoni shkëmbimin tregtar në CEFTA, sot është shumëherë më i madh se në fillim. Kjo sjell përfitime për Ballkanin”, ka thënë Vuçiq.

“Ballkani i Hapur është iniciativa më e mirë që kemi pasur për dekada. Ndryshe nga tjerët, nuk kam pse justifikoj, nëse dikush do apo nuk do të hyjë. Nëse do të bashkohet, atëherë bashkohet, nëse jo atëherë jo. Kemi rritje të konsiderueshme në tregti”, ka theksuar Vuçiq.

Liderët nënshkruajtën katër marrëveshje bashkëpunimi – për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit.

Bosnja dhe Mali i Zi dërgojnë sinjale pozitive për Ballkanin e Hapur

Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija, deklaroi në Ohër se pret që Presidenca e Bosnjë e Hercegovinës së shpejti të marrë vendim për t’iu bashkuar kësaj nisme.

“Jam këtu sepse e di se pothuajse i gjithë komuniteti i biznesit në Bosnjë e Hercegovinë, shumica e politikanëve, dëshirojnë të jenë pjesë e projektit ‘Ballkani i Hapur’, por edhe entitetet janë të vendosur t’i bashkohen këtij projekti. Unë jam këtu për të përcjellë mesazhin tek anëtarët e ‘Ballkanit të Hapur’ se Bosnjë e Hercegovina po përgatitet dhe dëshiron të bëhet anëtare sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka deklaruar Tegeltija.

Edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka dhënë sinjale se vendi i tij mund të përfshihet në “Ballkanin e Hapur”. “Ballkani Perëndimor ka vend në BE dhe Mali i Zi si lider në integrim është i gatshëm të jetë shembull pozitiv në këtë proces “, ka thënë Abazoviq.

Kurti: Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka njoftuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, se refuzon pjesëmarrjen në këtë takim, pasi, siç ka thënë, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.

Kurti ka thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.

dw

Escobar: Mbështesim Ballkanin e Hapur si nismë ekonomike

Gabriel EscobarI dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara e mbështesin nismën “Ballkani i Hapur”, duke nënvizuar se çdo nismë duhet të përfshijë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë.

 

Duke ju me një video mesazh takimit të kësaj nisme që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, zoti Escobra tha se Shtetet e Bashkuara e shohin rajonin nga prizmi i shekullit të 21-të e jo nga problemet e shekullit të 20-të.

“Ky nuk është projekt politik, por është një projekt shumë i rëndësishëm ekonomik. Dhe me rëndësi është që të mbetet projekt ekonomik në mënyrë që të përqendrohet në krijimin e mundësive për njerëzit e rajonit dhe të keni përkrahje më të madhe”, tha mes tjerash zoti Escobar.

Takimit të udhëheqësve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut që janë edhe themeluesit e nismës, u janë bashkuar në cilësinë e vëzhguesve, kryeministri i Malit të Zi dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës. Kosova ka refuzuar ftesën për t’iu bashkuara nismës.

 

Kryeministri shqiptarë Edi Rama tha se lufta në Ukrainë e bën “Ballkanin e Hapur” një domosdoshmëri edhe më të madhe.

“‘Ballkani i Hapur’ nuk është i Serbisë siç dëgjojmë këtyre ditëve, por i të gjithë njerëzve që jetojnë këtu, është i fermerëve shqiptarë, sa më shumë të afrohemi aq më shumë zgjidhim problemet dhe armiqësitë, aq më shumë kemi mundësi të zgjidhim edhe problemin mes Kosovës dhe Serbisë”, tha kryeministri Rama, duke komentuar debatet që nxiti edhe një deklaratë e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov i cili e cilësoi Ballkanin e Hapur, nismë të Beogradit.

Kosova refuzon t’i bashkohet nismës në radhë të parë për shkak të qasjes së Serbisë e cila nuk e njeh pavarësinë e saj, por edhe që të mos bëhet pjesë e nismave që synojnë zëvendësimin e proceseve integruese evropiane.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha ndërkaq se “Ballkani i Hapur” sjell përfitime për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe se kjo iniciativë nuk e zëvendëson integrimin në Bashkimin Evropian, por është një nismë e veçantë e popujve ballkanikë.

Gjatë ditës do të nënshkruhen katër marrëveshje të bashkëpunimit për luftën kundër evazionit fiskal, njohjen e diplomave të arsimit të lartë, bashkëpunimin kulturor dhe bashkëpunimin në fushën e turizmit.

Nisma, sipas organizatorëve të saj, synon vendosjen e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve në rajon.

voa

Alt: Scholz t’i bëjë presion Serbisë për njohjen e Kosovës

Renata AltKancelari gjerman, Olaf Scholz nis të premten një vizitë dyditore në Ballkanin Perëndimor. Kryetarja e komisionit të të drejtave të njeriut në Bundestagun gjerman në intervistë me DW pret mesazhe të qarta ndaj Serbisë.

 

Deutsche Welle: Zonja Alt Ju kryesoni Komisionin për të Drejtat e Njeriut në Bundestagun Gjerman dhe keni qenë për shumë vite raportuese për Ballkanin Perëndimor në grupin parlamentar të FDP-së. Kancelari gjerman, Olaf Scholz së shpejti do të vizitojë disa vende të rajonit. Si e vlerësoni situatën e të drejtave të njeriut atje?

Renata Alt: Natyrisht, situata e të drejtave të njeriut në Ballkanin Perëndimor duhet mbajtur gjithmonë nën vëzhgim. Nuk ka ende progres të mjaftueshëm, nuk ka reforma të mjaftueshme, madje në Serbi të drejtat e njeriut vijnë duke u reduktuar. Sidomos në fushën e lirisë së medias, kontrolli mbi të cilat është rritur në mënyrë masive.

A do ta quanit Serbinë një regjim autoritar?

Në fakt ka organizata joqeveritare që në bazë të vëzhgimeve afatgjata thonë se Serbia është bërë shtet hibrid apo autokraci. Dhe kjo është shqetësuese, veçanërisht kur bëhet fjalë për një vend kandidat për në BE.

Cilat janë pritshmëritë tuaja nga vizita e kancelarit gjerman në rajon?

Do të ishte e rëndësishme që kancelari Scholz, gjatë vizitës së tij në Serbi, të ushtrojë presion ndaj Aleksandar Vuçiqit dhe qeverisë së ardhshme në Serbi dhe t’u bëjë të qartë se Serbia duhet të përkrahë sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe të dënojë qartazi krimet e luftës të kryera nga Rusia në Ukrainë. Serbia duhet t’i japë fund politikës së luhatjes dhe të vendosë: a dëshiron të shkojë kah Rusia apo është vërtet e interesuar të antarësohet në BE?

 

Apele të tilla i bëhen shpesh zotit Vuçiq, por ai deri më tani nuk ka ndryshuar kurs. Përkundrazi, Serbia sapo përmbylli një marrëveshje të re me Rusinë për furnizimin me gaz. Pse Gjermania nuk reagoi fare për këtë marrëveshje?

Për fat të keq, Gjermania e ka bërë veten shumë të varur nga gazi rus, falë edhe një politike të dështuar të kancelares Merkel. Kështu është edhe në Serbi. Qeveria serbe duhet t’u garantojë qytetarëve apartamente dhe shtëpi të ngrohta në dimër. Por në planin afatgjatë nuk ka kuptim të lidhet me Rusinë dhe të blejë armë nga Rusia dhe Kina. Në Serbi ka edhe shumë kompani që janë pronë e Rusisë. Do të ishte e rëndësishme që këto kompani ose këta individë të përfshiheshin në listën e sanksioneve, siç ndodh në të gjitha vendet e tjera të BE-së.

Çfarë ka Gjermania në dorë për ta kthyer Serbinë në drejtimin e duhur?

Është e rëndësishme që të intensifikohet dialogu. Prandaj unë e përshëndes vizitën e kancelarit në rajon. Edhe pse momenti më duket i çuditshëm, menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes me Rusinë. Druhem se Serbia do ta përdorë vizitën e kancelarit Scholz për një lloj propagande ndryshe nga ajo që do të donim ne në Gjermani. Vizita e kancelarit Scholz do të interpretohet nga media serbe si mbështetje për politikën e Aleksandar Vuçiqit.

Shqetësuese ishin edhe fjalët e presidentit Vuçiq, kur ai u betua pas zgjedhjeve, se ai kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Prandaj është e rëndësishme që kancelari Scholz ta bëjë të qartë se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës në mënyrë që të vazhdojë të konsiderohet një kandidate serioze dhe e besueshme për anëtarësim në BE.

Mendoj se si mjet presioni mund të përdoren burimet financiare. Nëse Serbia vazhdon politikën e saj luhatëse e largohet gjithnjë e më shumë nga demokracia, unë sugjeroj ngrirjen e fondeve dhe marrjen në konsideratë të pezullimit të negociatave të pranimit në BE. Sigurisht që edhe Kosova duhet të afrohet me Serbinë, për shembull, nuk është shumë e mençur që të pengohet mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Pra, të dyja palët duhet të lëvizin drejt njëra-tjetrës. Megjithatë, është e rëndësishme që të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u jepet një perspektivë e qartë evropiane. Është e pakuptueshme, se pse Maqedonia e Veriut të mos fillojë negociatat e anëtarësimit me BE-në, sidomos pas ndryshimit të emrit.

Perspektiva evropiane është theksuar vazhdimisht edhe nga ish-kancelarja Merkel, kur ajo udhëtonte në rajon. Megjithatë, nuk pati lëvizje. Cila qe arsyeja?

Ne si FDP e kemi kritikuar politikën e jashtme të qeverisë së mëparshme si naive. Ne kërkojmë që të komunikohen kushte të qarta. Duhet të jetë në interesin tonë që të kemi paqe në Ballkanin Perëndimor. Serbia nuk është e përfshirë vetëm në konfliktin e Kosovës, por edhe në tendencat separatiste në Republika Srpska. Prandaj duhet ta bëjmë të qartë se nëse duam të mbetemi të bashkuar dhe të kemi paqe e siguri dhe të respektojmë të drejtat e njeriut në kontinentin evropian, vendet kandidate duhet gjithashtu të përfaqësojnë vlerat tona.

 

Maqedonia e Veriut është e bllokuar nga vetoja e Bullgarisë. Sa realiste është, që çelja e negociatave të bëhet duke hequr parimin e vendimmarrjes unanime në BE?

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ndryshoi shumë gjëra në Evropë. Ukraina ka aplikuar gjithashtu për anëtarësim në BE. Natyrisht, duhet pranuar se reformat në vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor janë shumë më të avancuara sesa në Ukrainë. Dhe në mënyrë që BE-ja të mund të marrë vendime për zgjerimin, duhet gjithashtu të marrë parasysh, se cilat reforma do të ishin të nevojshme dhe ndoshta të heqim dorë nga parimi i unanimitetit.

dw