Katër marrëveshjet e nënshkruara sot në “Ballkanin e Hapur”

ballkan hapurShqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, në kuadër të “Ballkanit të Hapur” kanë nënshkruar katër marrëveshje të bashkëpunimit sot në Ohër.

 

Tri shtetet nismëtare të “Ballkanit të Hapur” kanë nënshkruar marrëveshjen për luftën kundër evazionit fiskal, njohjen e diplomave të arsimit të lartë, bashkëpunimin kulturor dhe bashkëpunimin në fushën e turizmit.

Muaj më parë tri shtetet kanë nënshkruar edhe disa marrëveshje të tjera që sipas tyre lehtësojnë barrierat tregtare.

Në Samitin e “Ballkanit të Hapur”, u firmosën disa marrëveshje bashkëpunimi mes vendeve, në fushën e arsimit, kulturës, turizmit dhe administratës tatimore, si më poshtë:

-Marrëveshje për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor në fushën e njohjes reciproke të diplomave dhe gradave shkencore të lëshuara në institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet e tjera të autorizuara

-Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunimin kulturor në Ballkanin Perëndimor

-Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunimin në fushën e turizmit në Ballkanin Perëndimor

-Memorandum Mirëkuptimi për Bashkëpunimin e administratave tatimore në Ballkanin Perëndimor.

Publikohen çmimet e reja të derivateve të naftës në Maqedoni

naftaKomisioni Rregullator për Energjetik dhe Shërbime të Ujit ka miratuar vendim me të cilin çmimet me pakicë të derivateve të naftës rriten mesatarisht për 1.09 për qind krahasuar me vendimin e datës 6.06.2022.

Çmimet e derivateve të naftës në tregun botëror krahasuar me llogaritjen e mëparshme janë rritur mesatarisht: për benzinën me 0.800%, për naftën me 3.797%, për vajin ekstra të lehtë me 3.933% dhe për mazutin me 0.340%.

Çmimet me pakicë të benzinës EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 si dhe të mazutit M-1 NS nuk ndryshojnë. Çmimi me pakicë i EURODIZELIT (DV V) rritet për 2.50 denarë/litër. Çmimi me pakicë i vajit ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) rritet për 3.00 denarë/litër.

EUROSUPER BS – 95 do të shitet për 110.00 denarër për litër

EUROSUPER BS – 98 për 112.00 (dena/litër)

EURODIESEL BS (DE V) për 104.50 (denarë / litër)

Vaj për djegie Extra light 1 (EL-1) 102.50 (den/litër)

Mazuti M-1 NS për 55,508 (denarë /kg).

Telegrafi

Çfarë pritet të ndodhë në Ohër?

Open BalkanSerbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të obligohen me një marrëveshje të përbashkët për përpjekjet e përbashkëta për të luftuar evazionin fiskal në të tri vendet.

 

Kështu thuhet në tekstin e Memorandumit të mirëkuptimit, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje dhe të cilin përfaqësuesit e tre vendeve duhet ta nënshkruajnë në qytetin maqedonas të Ohrit, në takimin e nismës “Ballkani i Hapur”, të planifikuar për të mërkurën, më 8 qershor.

Krahas kësaj, në Ohër do të nënshkruhet edhe marrëveshje për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, si dhe memorandume për bashkëpunim kulturor dhe në fushën e turizmit.

Në asnjërën prej katër dokumenteve të planifikuara nuk përmendet zgjerimi, por u drejtohet ftesa shteteve tjera të interesuara të bashkëpunojnë në të ardhmen.

Në samitin e Ohrit për herë të parë do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Malit të Zi, kryeministri Dritan Abazoviq.

Ai është kritikuar nga një pjesë e publikut në vendin e tij për shkak se nuk e përjashton mundësinë e anëtarësimit të Malit të Zi në “Ballkanin e Hapur”, një nismë e nisur në vitin 2019, e cila deri më sot, pavarësisht se ka mbështetjen e BE-së, si dhe të administratës së mëparshme dhe asaj aktuale të SHBA-së, nuk arriti të zgjerohej.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar ftesën e kryeministri të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski për të marrë pjesë në nismën Ballkani i Hapur

Tre nismëtarët, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë dhe Zoran Zaev, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, e ideuan këtë koncept me qëllim të krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor.

Çfarë thuhet në pjesën për taksat?

Në tekstin e Memorandumit që ka të bëj me taksat, i cili do të nënshkruhet dhjetë muaj pasi nisma e Ballkanit Perëndimor u emërua zyrtarisht “Ballkani i Hapur”, në vend të emrit të mëparshëm “mini-Schengen”, thuhet se nënshkruesit kanë parasysh “rëndësinë e shtuar” të bashkëpunimit në luftën kundër evazionit fiskal, gjegjësisht, shmangies së pagesës së tatimit.

“Dispozitat e këtij dokumenti nuk do të rezultojnë në vendime apo veprimtari të veçanta që janë të detyrueshme dhe të imponuara për asnjë palë apo palë të tretë”.

Ndër të tjera, gjithsej tetë nene të marrëveshjes theksojnë nevojën për punë të përbashkët për të inkurajuar përmbushjen e detyrimeve tatimore në të tre vendet dhe se secila palë mund të caktojë një person për të koordinuar aktivitetet në emër të saj.

Gjithashtu, secila palë i paguan shpenzimet e veta për zbatimin e Memorandumit.

Përshpejtimi i njohjes së diplomave

Në tekstin e Marrëveshjes së paraparë në fushën e njohjes reciproke të diplomave, në të cilën Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje, iniciativa mbron përshpejtimin e procedurave për njohjen e diplomave të arsimit të lartë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Marrëveshja me shtatë nene i referohet kualifikimeve të nivelit e pestë (arsimi i lartë), si dhe niveleve gjashtë deri në tetë të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve (nga njohuritë dhe aftësitë e arsimit të avancuar në atë të lartë).

Është specifikuar që diplomat me vulën apostile të institucionit kompetent i nënshtrohen njohjes së drejtpërdrejtë. Vula apostile është një shenjë e legalizimit të dokumenteve të përdorura në korrespondencën juridike ndërkombëtare.

Në qoftë se paraqitet dyshimi për vërtetësinë e diplomës, parashikohet mundësia që përmes rrugës elektronike të kërkohet vërtetimi nga institucioni që e ka lëshuar atë. Afati për përgjigje nga ajo adresë është 14 ditë, ndërsa për përfundimin e plotë të procesit të njohjes, 20 ditë.

Specifikohet se diplomat në Shqipëri do të njihen nga Qendra për shërbime arsimore në Ministrinë e Arsimit, në Serbi nga Agjencia për kualifikime për njohje profesionale, si dhe në Maqedoninë e Veriut nga Njësia për njohjen e diplomave profesionale e Ministrisë së Arsimit.

Tri anëtaret e “Ballkanit të Hapur”, ftojnë edhe me këtë rast vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen Marrëveshjes.

Memorandum për shkëmbimin kulturor

Siç u tha, për të promovuar shumëllojshmërinë kulturore, dialogun ndërkulturor dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, të tre palët synojnë të nënshkruajnë një Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin kulturor në Ballkanin Perëndimor.

Në shtatë nenet e Memorandumit, në të cilat Radio Evropa e Lirë kishte qasje, nënshkruesit angazhohen për të inkurajuar lëvizshmërinë e punonjësve të kulturës dhe thellimin e bashkëpunimit institucional.

Palët kontraktuese deklarojnë se do të përpiqen të harmonizojnë kriteret dhe të shtojnë numrin e konkurseve për financimin e projekteve kulturore.

“Përparësi do t’i jepet projekteve të lëvizshmërisë që janë inovative, eksperimentale dhe/ose shumë-disiplinare, si dhe që lidhin operatorët e mundshëm nga disa palë kontraktuese”, thuhet në dokument.

Neni 6 i Memorandumit specifikon se shtetet nënshkruese do të hartojnë një “kalendar të përbashkët kulturor”, “në afatin më të shpejtë të mundshëm”.

Planifikohet harta turistike

Në Memorandumin e mirëkuptimit në fushën e turizmit në Ballkanin Perëndimor, i cili gjithashtu duhet të nënshkruhet në Ohër dhe në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje, parasheh formimin e një harte turistike të quajtur “Ballkani i Hapur”.

Shtetet nënshkruese janë të detyruara të inkurajojnë kontaktet ndërmjet organizatave të tyre turistike dhe punëtorëve, si dhe parashikohet krijimi i grupeve të posaçme të punës për këtë fushë.

“Duke formuar grupe të posaçme pune, palët kontraktuese marrin përsipër të identifikojnë kuadrin ligjor në fushën e turizmit, si dhe të nisin përpjekjet për harmonizimin e ligjeve të tyre në mënyrë që të përshtaten reciprokisht me sistemin e operatorëve turistikë”, specifikohet në njërin prej tetë neneve në Memorandum.

Gjithashtu, nënshkruesit theksojnë se do të përpiqen të shkëmbejnë informacione për legjislacionin e tyre në fushën e mbrojtjes së burimeve natyrore dhe ruajtjes së trashëgimisë historike dhe kulturore, të cilat janë atraksione turistike.

“Palët kontraktuese, në përputhje me ligjet e tyre të brendshme, do të nxisin krijimin e kushteve të favorshme për tërheqjen e investimeve në industrinë e turizmit”, thuhet gjithashtu.

Si element marrëveshjeje mes të tre palëve në fushën e turizmit, saktësohet se zgjerimi i turizmit detar, lumor dhe liqenor mund të konsiderohet si “portë e turizmit rajonal”.

rel

Scholz për vizitë në Ballkan

ScholzKancelari gjerman Olaf Scholz zhvillon javën e ardhshme vizitën e tij të parë në Ballkan. Në Selanik ai do të zhvillojë një takim me krerët e vendeve anëtare të SEECP.

 

Kancelari gjerman Olaf Scholz do të vizitojë javën e ardhshme (10.06./11.06) Ballkanin. Këtë e bëri të ditur të premten, më 03.06.22 në Berlin, në konferencën rregullt për shtyp, zëvendës-zëdhënësi i qeverisë gjermane, Wolfgang Büchner.

Më 10 qershor kancelari gjerman do të jetë në Kosovë, ku, veç liderëve të Kosovës, do të takohet edhe me përfaqësues të trupave gjermane të KFOR-it. Qysh atë ditë Scholz do të vijojë udhëtimin në Serbi.

Po atë ditë në Selanik ai do të zhvillojë një takim me krerët e vendeve të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP.), një forum politik ky, i iniciuar në Sofje në vitin1996. Ai konsiderohet si ombrella politike e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, që është krijuar në vitin 2008, si pasardhës i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore. Kryesinë e SEECP aktualisht e ka Greqia, mbi bazën e parimit të rotacionit.

Të nesërmen, më 11 qershor, Scholz do të vijojë udhëtimin në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari.

“Fokusi i udhëtimit do të jetë perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe tejkalimin e bllokadave dypalëshe”, tha Büchner.

 

Vucic Scholz KurtiTejkalim i bllokadave dypalëshe 

Është hera e parë që kur ka marrë postin si kancelar i Gjermanisë që Olaf Scholz viziton rajonin e Ballkanit Perëndimor. Itinerari i kancelarit Scholz tregon njëkohësisht se cilat janë tri sfidat aktuale të politikës së jashtme gjermane në rajonin e Ballkanit, të cilin koalicioni aktual e ka shpallur prioritet: mungesa e përparimit në procesin e dialogut Serbi-Kosovë, ngecja e Procesit të Berlinit dhe bllokimi i Bullgarisë për çeljen e negociatave më Maqedoninë e Veriut, e rrjedhimisht edhe Shqipërinë.

Politikani socialdemokrat, i cili në kabinetin e mëparshëm të demokristianes Angela Merkel ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i financave, ka deklaruar në thuajse çdo fjalim të tij mbi politikën e jashtme se dëshiron të dërgojë një mesazh të qartë për perspektivën evropiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Këtë ai e përsëriti edhe në një takim që pati të enjten 2.6. me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, “Është shumë e rëndësishme që tani të vihet në zbatim  premtimi i kahershëm se shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë evropiane dhe se dikur do t’i bashkohen Bashkimit Evropian”. ash

Lufta elektronike i jep formë betejës Rusi-Ukrainë

Lufta elektronikeNë fushat e betejës në Ukrainë, akti i thjeshtë i ngarkimit të një celulari mund të sinjalizojë një breshëri vdekjeprurëse nga qielli. Radarët e artilerisë dhe telekomandat për mjetet ajrore pa pilot mund të shkaktojnë gjithashtu sulme ajrore të armikut.

 

Kjo është një luftë elektronike, një aspekt kritik, por kryesisht i padukshëm i betejës së Rusisë kundër Ukrainës. Komandantët ushtarakë kryesisht shmangin diskutimin e tij, nga frika se do të rrezikojnë operacionet duke zbuluar sekrete.

Teknologjia e luftës elektronike synon sistemet e komunikimit, navigimit dhe udhëzimit për të lokalizuar, verbuar dhe mashtruar armikun dhe goditjet e drejtpërdrejta vdekjeprurëse. Ajo përdoret kundër artilerisë, avionëve luftarakë, raketave të lundrimit, dronëve dhe pajisjeve të tjera. Ushtritë e përdorin atë gjithashtu për të mbrojtur forcat e tyre.

Është një fushë ku Rusia mendohej se kishte një avantazh të qartë në fillim të sulmit në Ukrainë. Megjithatë, për arsye jo plotësisht të qarta, aftësia e saj e shumëpërfolur e luftës elektronike mezi u pa në fazat e hershme të luftës në dështimin kaotik për të marr kontrollin e kryeqytetit ukrainas të Kievit.

Lufta elektronike është bërë shumë më tepër një faktor në luftimet e ashpra në Ukrainën lindore, ku linjat e furnizimit më të shkurtra dhe më të lehta për t’u mbrojtur, i lejojnë Rusisë të lëvizë pajisjet e luftës elektronike më pranë fushës së betejës.

“Ata po bllokojnë gjithçka që sistemet e tyre mund të arrijnë,” tha një zyrtar i Aerorozvidkas, një ekip zbulimi ukrainas i mjeteve ajrore pa pilot, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të shqetësimeve të sigurisë. “Nuk mund të themi se ata dominojnë, por na pengojnë shumë”.

Një zyrtar i zbulimit ukrainas e quajti kërcënimin rus të një shkalle “shumë të rëndë” kur bëhet fjalë për ndërprerjen e përpjekjeve të zbulimit dhe komunikimit të komandantëve me trupat. Bllokimi rus i rrjetit GPS në dronët që Ukraina përdor për të lokalizuar armikun dhe për të drejtuar zjarrin e artilerisë është veçanërisht intensiv “në vijën e kontaktit”, tha ai.

Ukraina ka shënuar disa suksese në kundërshtimin e përpjekjeve të luftës elektronike të Rusisë. Ajo ka kapur pjesë të rëndësishme të pajisjeve dhe ka shkatërruar të paktën dy njësi të luftës elektronike të lëvizshme me shumë automjete.

Kapacitet e saj të luftës elektronike është e vështirë të vlerësohen. Analistët thonë se janë përmirësuar dukshëm që nga viti 2014, kur Rusia pushtoi Krimenë dhe nxiti një revoltë separatiste në Ukrainën lindore. Por ka pengesa. Javën e kaluar, Rusia pretendoi se shkatërroi një qendër elektronike të zbulimit ukrainas në qytetin juglindor Dniprovske. Pretendimi nuk mund të konfirmohej në mënyrë të pavarur dhe zyrtarët ukrainas nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.

Ukraina gjithashtu ka përdorur me efikasitet teknologjinë dhe të dhënat e zbulimit nga Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të NATO-s. Një informacion i tillë ndihmoi Ukrainën të fundoste kryqëzorin Moskva. Satelitët e aleatëve dhe avionët e vëzhgimit ndihmojnë nga qiejt, ashtu si edhe rrjeti i komunikimit satelitor Starlink i dhuruar nga miliarderi Elon Musk.

Lufta elektronike ka tre elemente bazë: hulumtimin, sulmin dhe mbrojtjen. Së pari, mblidhen të dhënat e zbulimit duke lokalizuar vendndodhjen e sinjaleve elektronike të armikut. Në sulm, bllokimi përmes “zhurmës së bardhë” çaktivizon dhe degradon sistemet e armikut, duke përfshirë komunikimet me radio dhe celularë, mbrojtjen ajrore dhe radarët e artilerisë. Pastaj vjen procesi i mashtrimit, i cili ngatërron dhe mashtron sinjalet. Kur funksionon, predhat humbasin objektivat e tyre.

“Të operosh në një fushë beteje moderne pa të dhëna është vërtet e vështirë,” tha Kolonelja në pension Laurie Buckhout, një ish-shefe e luftës elektronike të Ushtrisë Amerikane. Bllokimi “mund të verbojë dhe të shurdhojë një avion shumë shpejt dhe shumë rrezikshëm, veçanërisht nëse humbet rrjetin GPS dhe radarin dhe ke një avion që fluturon me 600 milje në orë”.

E gjithë kjo shpjegon fshehtësinë rreth luftës elektronike.

“Është një fushë tepër e klasifikuar sepse është shumë e varur nga teknologjitë e evoluuara, të avancuara, ku përfitimet mund të kopjohen dhe fshihen shumë shpejt,” thotë James Stidham, një ekspert i sigurisë së komunikimit që është konsulent për departamentet e Shtetit dhe Sigurisë Kombëtare në SHBA.

Ukraina mori mësime të vështira për luftën elektronike në 2014 dhe 2015, kur Rusia përdori fuqishëm aftësitë e saj kibernetike ndaj forcave ukrainase. Rusët rrëzuan dronët nga qielli dhe çaktivizuan armatime, depërtuan në rrjetet e telefonave celularë për operacione psikologjike dhe bllokuan paisjet ukrainase.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu përjetuan luftën elektronike të Rusisë në veprim në Siri, ku kundërshtarët kanë mbështetur palë kundërshtare në luftën civile. Në vitin 2018, shefi i Operacioneve Speciale të SHBA-së, gjenerali Raymond Thomas, shpjegoi se si komunikimet e pilotëve amerikanë u “ndërprenë” rregullisht në Siri në mjedisin “më agresiv” të luftës elektronike në planet.

Në betejën aktuale, lufta elektronike është kthyer në një teatër të furishëm grindjesh.

Aerorozvidka ka modifikuar dronët e pajisur me kamera për të identifikuar pozicionet e armikut dhe për të hedhur mortaja dhe granata. Hakerimi përdoret gjithashtu për të çaktivizuar elektronikën e armikut dhe për të mbledhur të dhëna zbulimi.

Zyrtarët ukrainas thonë se aftësitë e tyre të luftës elektronike janë përmirësuar shumë që nga viti 2015. Ato përfshijnë përdorimin e pajisjeve të koduara amerikane dhe turke të komunikimit. Ukraina ka avancuar aq shumë saqë eksporton një pjesë të teknologjisë së saj.

Rusia është angazhuar në bllokimin e rrjetit GPS nga Finlanda e deri në Detin e Zi, tha nënkoloneli Tyson Wetzel, një bashkëpunëtor i Forcave Ajrore në Këshillin Atlantik. Një transportuesi rajonal finlandez, Transaviabaltica, iu desh të anulonte fluturimet për një javë si rezultat i këtij veprimi. Bllokimi rus ka ndërprerë gjithashtu transmetimin e televizionit ukrainas, tha Frank Backes, një zyrtar i lartë me kompaninë Kratos Defense me bazë në Kaliforni, e cila ka stacione tokësore satelitore në rajon.

Megjithatë, në ditët e para të betejës, përdorimi i luftës elektronike nga Rusia ishte më pak efektiv se sa pritej. Kjo mund të ketë kontribuar në dështimin e saj për të shkatërruar mjaft njësi radarësh dhe anti-ajrore për të fituar epërsi ajrore.

Ministria ruse e mbrojtjes nuk iu përgjigj një kërkese për koment për këtë artikull.

Disa analistë besojnë se komandantët rusë nuk i përdorën njësitë e pajisjeve teknologjike nga frika se do të kapeshin.

Problemet e komunikimit ishin të dukshme me shumë trupa ruse që flisnin në kanale radioje të hapura dhe të pasigurta, të monitoruara lehtësisht nga të huajt.

Është e paqartë se sa avantazh mund të ofrojnë tani pajisjet elektronike të Rusisë. Forcat e Ukrainës tani janë më të përqendruara se në fillim të luftës, gjë që mund t’i bëjë më të lehta për t’u shënjestruar.

Shumë varet nëse grupet taktike të batalionit të Rusisë “janë të konfiguruara në realitet ashtu siç janë në letër”, tha James Rands, i zbulimit ushtarak. Çdo grup, i përbërë nga afërsisht 1000 trupa, supozohet të ketë një njësi të luftës elektronike. Pentagoni thotë se në Ukrainë janë 110 grupe të tilla.

Kremlini gjithashtu pretendon se ka më shumë se 1,000 mjete ajrore të vogla, të gjithanshme Orlan-10 që përdor për zbulimin, shënjestrimin, bllokimin dhe përgjimin e celularëve.

Rusia ka humbur rreth 50 nga pajisjet Orlan-10 në këtë luftë.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania furnizojnë gjithashtu pajisje bllokimi, por është e paqartë sa ndihmojnë ato. Asnjë vend nuk ka ofruar detaje. Aftësia e të dyja palëve për të çaktivizuar dronët e tjetrit është thelbësore.

Sistemi Starlink i Elon Musk-ut është një pajisje e provuar të ketë dhënë ndihmë. Më shumë se 2,200 satelitët e tij me orbita të ulëta ofrojnë internet me bazë të gjerë për më shumë se 150,000 stacione tokësore të Ukrainës. Ndërprerja e këtyre lidhjeve është një sfidë për Rusinë. Është shumë më e vështirë të bllokosh satelitët në orbitën e ulët të tokës sesa ato gjeostacionare.

Elon Musk ka marrë lëvdata nga Pentagoni për të paktën mposhtjen përkohësisht të bllokimit rus të lidhjeve të satelitëve ukrainas me një përshtatje të shpejtë të programeve kompjuterike.

voa

Shqipëri, një gjeneral për president. PS propozon Bajram Begajn, shefin e shtabit të ushtrisë

Bajram BegajGjeneral Bajram Begaj

 

Shefi aktual i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare është kandidatura e përzgjedhur nga socialistët për postin e presidentit të ri të vendit. Emrin e tij e bëri publik kryetari i PS-së dhe kryeministri Edi Rama.

 

Zoti Rama e cilësoi atë si “shëmbëlltyra e atij normaliteti, qytetarie dhe sensi të shërbimit ndaj vendit dhe njerëzve të këtij vendi për të cilin ajo zyra ka nevojë urgjente”, me një referencë të qartë ndaj presidentit aktual Ilir Meta, me të cilin shumica ka patur përplasje të gjata e të vazhdueshme.

Zoti Rama bëri të ditur se kandidatura e zotit Begaj, ishte përzgjedhur në mesin e shumë emrave, ku më parë ishin përjashtuar ata që i përkisnin grupit parlamentar socialist, e më pas dhe ata që kishin, në një farë mënyre, lidhje me partinë socialiste.

“Shefi i Shtabit të përgjithshëm është një nga profilet më të larta të një shteti, dhe eksperienca na tregon se ne radhën e presidentëve që kemi patur, ai që vinte nga forcat e armatosura është dhe presidenti që, jo sot mbahet mend për mirë, por që do mbahet mend shumë gjatë”, tha kryeministri Rama duke përmendur ish presidentin Alfred Moisiu.

Sipas kryeministrit “nëse i besojmë përfaqësuesve të Forcave të armatosura, dhe një detyrë civile të jetës qytetare, ata përgjithësisht nuk zhgënjejnë”, u shpreh zoti Rama.

Pas mbledhjes së kryesisë, ai e priti në zyrë kandidatin për president, duke e falenderuar atë që pranoi propozimin për marrë detyrën e kreut të Shtetit. “Do të jetë nder për ne që t’ju japim votën dhe të zgjidheni zyrtarisht president”, u shpreh kryeministri.

Nga ana e tij, zoti Begaj deklaroi se “është vlerësim shumë i madh të jesh president i një vendi. Do përpiqem të jem personi i duhur për atë çfarë përfaqëson ky post. Do të jem në lartësinë e detyrës dhe do të jem i përgjegjshëm në kryerjen e saj. Vij nga ushtria dhe mjekësia, të dyja janë profesione të përkushtuara. Nëse nesër do të votohem nga parlamenti, do të jem i lumtur ta kryejë këtë detyrë me nder”, tha zoti Begaj.

Kandidatura e tij, pritet të marrë nesër firmat e deputetëve të grupit parlamentar të cilët janë thirrur të mblidhen në orën 10.00, dy orë para skadimit të afatit për dorëzimin e kandidaturave.

Tre raundet e para u dogjën pa asnjë kandidat, pasi shumica dhe opozita dështuan në arritjen e një marrëveshjeje për të shkuar drejt një emri konsensual. Në raundin e katërt, socialistët e kanë shumicën e thjeshtë të votave, 70+1 deputet, që nevojiten për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Seanca e votimit do të mbahet nesër pasdite. Përpara se të bëhej publik emri i kandidatit të propozuar nga Partia Socialiste, opozita sërish u shfaq e ndarë, ndonëse të dyja palët bashkohen në faktin se sipas tyre, kjo shumicë nuk e ka legjitimitetin për të zgjedhur e vetme presidentin. Kryetari i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj deklaroi se nuk do të marrin pjesë në seancë, për të mos legjitimuar kapjen nga ana e shumicës dhe të institucionit të presidentit. Ndërsa ish kryeministri Sali Berisha, i cili ka marrë drejtimin e PD-së, bëri të ditur se ai dhe deputetë që e mbështesin, do të jenë në sallë për të votuar kundër.

Pak pasi shpalljes së emrit të shefit të Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, grupi parlamentar demokrat që përfaqësohet nga zoti Alibeaj reagoi me tone të forta kritike ndaj propozimit të socialistëve dhe akuza direkte ndaj zotit Begaj. “Asnjë surprizë nga procesi personal i Edi Ramës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Ai nxorri sot nga xhepi zarfin me emrin e kandidatit të paracaktuar nga mafia e pronave shtetërore”, thuhet në një deklaratë të publikuar në Facebok.

Gjeneralmajor Bajram Begaj, 55 vjeç, ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998. Edhe karriera e tij në ushtri lidhet në pjesën më të madhe me profesionin e mjekut. Ndërsa përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, në vitin 2020, për një periudhë 3 vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

voa

 

Ministri i Jashtëm rus javën e ardhshme në Beograd

Lavrov VucicMinistri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, pritet të qëndrojë për një vizitë në Serbi javën që vjen, mes debatesh për refuzimin e Beogradit që t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

 

Ministria e Jashtme ruse tha të premten se ministri Lavrov do të vizitojë Serbinë më 6 dhe 7 qershor për t’u takuar me presidentin e saj, Aleksandar Vuçiç dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Njoftimi u bë një ditë pasi presidenti serb tha se “po ndërlikohet situata rreth vizitës së ministrit Lavrov në çdo kuptim… Çështja është si do të vijë ai…dhe çështje tjera”. Por, presidenti serb nuk deshi të flasë më hollësisht rreth kësaj çështjeje.

Vëzhguesit thonë se ministri Lavrov nuk mund të udhëtojë me avion rus meqë qiejt e vendeve përreth Serbisë janë të mbyllur për fluturime nga Rusia. Kësisoj atij do të t’i mbetej mundësia e udhëtimit me avion komercial të Serbisë që është vendi i vetëm që lejon fluturimet Beograd – Moskë.

Analistët në Serbi thonë se vizita e ministrit rus në këtë periudhë do të ishte e dëmshme për Beogradin i cili ndodhet nën trysninë perëndimore për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Moskës.

Tri ditë pas vizitës së paralajmëruar të ministrit rus, është planifikuar një vizitë e kancelarit gjerman, Olaf Scholtz në Beograd. Vëzhguesit në Serbi thanë se vizta e ministrit Lavrov do të mund të çonte në anulimin e vizitës së kancelarit gjerman. Madje edhe presidenti serb i pyetur rreth kësaj mundësie tha se “do të ishte një lajm shumë i keq”.

Paralajmërimi i vizitës së ministrit Lavrov në Beograd pason dakordimin e presidentit presidenti serb, Aleksandar Vuçiç me presidentin rus Vladimir Putin, për një kontratë të re trevjeçare për furnizimin me gaz nga Rusia. Presidenti serb thotë se synon anëtarësimin e vendit të tij në Bashkimin Evropian, por me vite ka punuar për forcimin e lidhjeve me Rusinë.

Serbia e cila ka varësi të plotë nga gazi rus, ka ritheksuar shpesh se mbështetja e saj për Rusinë është e rëndësishme për shkak të kundërshtimit të saj ndaj pavarësisë së Kosovës.

voa

Intervista Shaban Murati – “Rusët po vijnë…”

ShabanStudiuesi i njohur i diplomacisë rajonale dhe ndërkombëtare, Shaban Murati, sapo ka botuar në Tiranë librin e tij më të fundit me titull “Rusët po vijnë”. Në një intervistë më Zërin e Amerikës ai shpjegon se libri është një përpjekje për të kuptuar në thellësi pasojat e sotme dhe të ardhme, nga veprimtaria aktuale e diplomacisë ruse në drejtim të Shqipërisë, Kosovës dhe Ballkanit.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Murati! Urime për botimin e ri! Pse e titulloni “Rusët po vijnë”, dhe çfarë përmban studimi?

Shaban Murati: Faleminderit që më jepni mundësinë dhe kënaqësinë të komunikoj me shikuesit e Zërit të Amerikës, kësaj media prestigjioze! Kam dashur të tërheq vëmendjen për një fenomen gjeopolitik, diplomatik dhe strategjik, që i kërcënohet Ballkanit dhe Shqipërisë, dhe natyrisht dhe çështjes tonë kombëtare, duke përfshirë dhe Kosovën. Është një fenomen jo i ditës, jo i lidhur thjesht me agresionin e fundit rus në Ukrainë, por është një fenomen që ka karakterizuar 30 vjet të post-komunizmit në Ballkan, fenomen të cilit nuk i është kushtuar vëmendja dhe rëndësia e duhur nga qeveritë e quajtura demokratike dhe që erdhën në Ballkan pas shembjes së komunizmit.

 

Zëri i Amerikës: Si i vlerësoni ju qëndrimet dhe veprimet e Rusisë ndaj Ballkanit? Çfarë synon Moska në këtë rajon?

Shaban Murati: Unë kam një analizë në libër, për të cilën them që është hera e parë që është trajtuar si çështje:Propozimi i Vladimir Putin që në 2014, pas agresionit të parë rus në Ukrainë, që kërkon rishikimin e rezultateve të Luftës së Ftohtë dhe nënshkrimin e një traktati paqeje midis palëve për të parë kufijtë e rinj të ndarjes së zonave të influencës. Kjo tregon që Rusia, e cila zëvendësoi Bashkimin Sovjetik, kërkon rimarrjen e të njëjtit statusi dhe rimarrjen e sferave të saj të influencës. E inkurajuar nga agresioni i parë i Rusisë në Ukrainë, si rezultat i të cilit ajo aneksoi një territor ukrainas si Krimeja, qendra e dytë ku do të ndodhte zhvendosja gjeopolitike e Rusisë ka qenë Ballkani. Ballkani, së pari si hallka më e dobët e sigurisë së kontinentit europian dhe së dyti si qendër e botës ortodokse. Rusia nuk ka asnjë rajon në Evropë, ku janë përqendruar vende ortodokse dhe krijohet baza e lidhjeve të vjetra të kohës cariste, komuniste e demokratike, të Rusisë për të rivendosur fuqinë e saj. Pra është një fenomen, që ka ardhur gjithmonë në rritje, e Rusia nuk mund të konkurrojë me ideale, me ide demokratike e as me standarde ekonomike ose me vlera të tjera. Rusia, e cila këto vlera europiane e perëndimore nuk i ka zbatuar asnjëherë në territorin e saj, nuk mund ta lejonte që të zbatoheshin në shtete, të cilat prireshin nga Perëndimi. Ajo do të sulmonte vlerat perëndimore, lidhjet perëndimore të Ballkanit dhe do t’i përqendronte më shumë në lidhjet ideologjike, okulte e fetare, që e kanë lidhur gjithmonë me Ballkanin.

 

Zëri i Amerikës: Si e keni vlerësuar këto 100 ditë të sulmit rus ndaj Ukrainës dhe rezistencën e paparashikuar të Ukrainës?

Shaban Murati: Agresioni i dytë i Rusisë në Ukrainë nuk përbën një befasi. Unë e kam ndjekur politikën ruse për 30 vjet dhe kam një libër të posaçëm për Rusinë me titull “Rusia ballkanike” ku analizoj gjerësisht marrëdhëniet e Rusisë me Ukrainën dhe përplasjen e parë gjeopolitike midis BE-së dhe Rusisë në Ukrainë, duke përfshirë dhe agresionin e parë. Rusia në 2014 krijoi 11 Shtatorin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe nuk mund të befasoheshim nga një sulm i dytë. Këtë ecuri unë e kam ndjekur dhe është interesante se që në fillim të 2015 sekretari amerikan i shtetit John Kerry paralajmëroi se pas Ukrainës vija e zjarrit është në Ballkan. Por Ballkani fjeti gjumë, edhe pse e paralajmëroi sekretari amerikan i shtetit. Kjo vijë zjarri do t’i afrohej Ballkanit. Në këtë kuptim agresioni i dytë rus në Ukrainë nuk përbën një befasi por është një demonstrim i qartë i ambicies së madhe imperiale, që ka presidenti i Rusisë, i cili ngutet se është 70 vjeç, dhe nuk ka më kohë të përmbushë ëndrra të tjera gjeopolitike dhe i cili nuk ka pranuar kurrë shembjen e Bashkimit Sovjetik. Ka një befasi për rezistencën e Ukrainës përballë një fuqie ushtarake të madhe si Rusia, por unë mendoj se këtu ka disa elemente. Së pari janë një popull i madh mbi 40 milionë, së dyti është një popull që mban tradita sovjetike dhe ruse, qoftë për rezistencë dhe për ushtrinë. Kanë të njëjtën shkollë e doktrinë ushtarake. Dhe e treta që është shumë e rëndësishme, është përkrahja e madhe e shteteve të perëndimit. Shtetet demokratike e mbështetën Ukrainën në pikëpamjen diplomatike e ushtarake, duke i furnizuar armatimet të cilat kishin nevojë. Krijuan një barrierë të papritur për ushtrinë ruse. E katra, mendoj se vet taktika ruse nuk është e pushtimit të menjëhershëm. Rusia e di nga eksperienca në Afganistan që nuk e mban dot të pushtuar të gjithë Ukrainën, por vetëm Donbasin dhe Donietskun. Pra janë disa elementë që e kanë ngadalësuar këtë proces dhe ka bërë që dhe vetë Putin të rishikojë strategjinë e ndërmarrjes së agresionit të tij, nga një pushtim i gjithë Ukrainës ai po synon ta bëjë atë një shtet të mbyllur nga pikëpamja tokësore e ta bëjë një shtet pa det duke pushtuar bregdetet e duke dalë në kufi me një shtet të NATO-s që është Rumania.

 

Zëri i Amerikës: Si i komentoi qëndrimet e Shqipërisë dhe Kosovës lidhur me ngjarjet e Ukrainës?

Shaban Murati: Shqipëria veproi drejt, që u bashkua me mendimet e NATO, e kundërta do të ishte absurde, që iu bashkua dënimit të agresionit ushtarak rus, bashkimin me të gjitha deklaratat e NATO-s dhe BE-së, që u bashkua me sanksionet e BE-së dhe Amerikës ndaj Rusisë. Pra mori një qëndrim të drejtë duke u bashkuar me qëndrimin e NATO-s dhe BE-së. Ky është një qëndrim i detyrueshëm si një anëtar i NATO-s, e cila po përballet me një përplasje gjeopolitike. Mendoj se krahas Shqipërisë, edhe qëndrimi i Kosovës do të thoja se është dy herë më fisnik, duke ditur që Ukraina nuk e njeh shtetin e Kosovës. Ajo gjeti largpamësinë t’iu bashkohej sanksioneve dhe qëndrimeve të Europës dhe NATO-s dhe duke qenë të gatshëm për të pritur refugjatë lufte nga Ukraina, si edhe Shqipëria. Pra, kemi një rreshtim të drejtë të faktorit shqiptar nga ana e duhur, gjë që për fat të keq, nuk ndodh shpesh.

 

Zëri i Amerikës: Cilat janë vlerësimet tuaja për afrimin e Shqipërisë me Serbinë dhe për nismën Open Balkan?

Shaban Murati: Nga përvoja ime e gjatë në diplomaci dhe në politikën e jashtme di të them se Tirana nuk ka mësuar ende të luaj shah gjeopolitik me gjithë përvojën e saj të hidhur në marrëdhëniet me Serbinë që nga mesi i shekullit të kaluar, nuk ka mësuar nga përvoja edhe më e hidhur e Kosovës me Serbinë. Pra Shqipëria nuk po arrin të orientohet në parametrat e duhur për interesin e saj shtetëror dhe kombëtar. Dalja befas e projektit të presidentit Vuçiç për Mini-Shengen dhe për Ballkanin e hapur ishte një propozim i cili duhet të ishte menduar 10 herë përpara se të jepej një përgjigje. Ka një disinformim të qëllimshëm, që e paraqet shpesh herë Open Balkan si një nismë trepalëshe. Ky është një naivitet sepse që në 2016 Vuçiç e ka propozuar jo rastësisht në Paris nismën e krijimit të një zone të përbashkët ballkaniko-perëndimore të tregtisë së lirë dhe aty deklaron, në Paris, që ia ka dërguar propozimin të gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në 2017 në një intervistë me mediat amerikane presidenti Vuçiç, i pyetur nga gazetari amerikan, deklaroi se hapur se “zona ekonomike ballkanike perëndimore është rilindja e Jugosllavisë plus Shqipërinë”. Këtë e keni në median amerikane Politiko.com në vitin 2017. Thuhet se edhe palët e tjera janë propozues, por propozuesi është thjesht Serbia. Të gjithë dokumentet e Ballkanit të Hapur, që nga Novi Sadi në 2019 e deri tani, i përgatit ministria e jashtme e Serbisë. Nuk ka zënë kapitull as ministria e jashtme e Maqedonisë së Veriut as ministria e jashtme e Shqipërisë. Ministria e jashtme e Shqipërisë duhet të kishte disa parametra për t’u shqyrtuar: së pari; Ç’duhej një nismë e re rajonale, kur kanë dështuar dhjetë nisma të tjera rajonale? Ç’duhej një nisme rajonale pas procesit të Berlinit? Ne kemi Procesin e Berlinit, një nismë gjermane me angazhimin e kancelares gjermane, me një fuqi ekonomike të jashtëzakonshme europiane dhe e cila kishte marrë përsipër pikërisht krijimin e tregut të përbashkët rajonal. Madje edhe në 2020, kur u bë samiti i Ballkanit perëndimor nga Bashkimi Europian në Sofie, theksohet e zeza mbi të bardhë, se objektivi është krijimi i tregut të përbashkët rajonal. Atëherë, ç’është ky treg i ri, që na propozon befas Serbia?! Që në mbledhjen themeluese presidenti Vuçiç dhe kryeministri Rama theksojnë me forcë vet ata, që këtë nismë e bëjnë pa sponsorizimin dhe pa mentorët europianë, të shkëputur prej tyre. E dyta që është më e rëndësishme në aspektin shtetëror dhe kombëtar: si mund të pranojë Shqipëria të hyjë në një nismë të ngushtë subrajonale ndërkohë që Serbia nuk njeh Kosovën. Serbia ka deklaruar hapur që në nismën Open Balkan Kosova do të vijë si provincë. Kështu shkruhet në dokumentet zyrtare serbe. Shqipëria që është shteti amë, kështu nuk është as amë as njerkë, derisa pranon të hyjë në këtë nismë serbe, në kohën që Serbia nuk njeh Kosovën. Çfarë është kjo nismë, që ka pesë shtete dhe një provincë?! Sa për ato katër liritë e famshme të Helsinkit, unë desha të theksoj që këto shtete të Ballkanit të Hapur janë shtete ish jugosllave dhe këto liritë jugosllave ata i kanë patur në federatën jugosllave. Megjithatë ata vrapuan të iknin nga ajo federatë e përbindshme, që drejtohej nga Serbia. Pse u dashka të kthehen prapë me ato katër liri tek Serbia?! Shqipëria pse nuk ia bën këtë pyetje vetes?! Propagandat mbi fitimet ekonomike të kësaj nisme përpiqen të mbulojnë një fenomen tepër të rrezikshëm: Open Balkan nuk po lejon faktorin shqiptar të ketë kohezion në Ballkan. Strategjia bazë e Serbisë në drejtim të faktorit shqiptar me Open Balkan është çarja e faktorit shqiptar në Ballkan. Ne e dimë fare mirë që tre vjetët e fundit kohezioni i faktorit shqiptar është në kuotat më të ulëta dhe sipas analizës time profesionale, mëkati, ose faji kryesor i bie Tiranës. Të tre kryeministrat që do të takohen më 7 qershor për Ballkanin e Hapur i kanë të tre presidentët e tyre kundër kësaj nisme; presidenti Pendarovski është kundër, presidenti Gjukanoviç po ashtu, edhe presidenti Meta është kundër. Atëherë, çfarë janë këta kryeministra, që nuk bindin dot as presidentët e tyre dhe kërkojnë të bindin popujt se do të fitojnë nga kjo nismë?! Këtu ka një thyerje, që duhet të na vërë në mendim. Në Mal të Zi, në zgjedhjet e gushtit 2020, kemi një inxhiniering elektoral nga Serbia dhe nga Rusia për të përmbysur regjimin në Podgoricë dhe për të sjellë një regjim anti-atlantik dhe anti-perëndimor. Serbët e bënë ndryshimin atje, gjë që u pa në ndryshimin e ligjit për fetë, duke bërë një kthim prapa. Bashkimin e tanishëm të mundshëm me Open Ballkan do ta quaja një akt regresiv.

 

Zëri i Amerikës: Ata ende nuk janë shprehur qartë për këtë.

Shaban Murati: Po, por ministri i mbrojtjes dhe zëvendës kryeministri është shprehur se kryeministri shkon në Open Ballkan si vëzhgues dhe se ai nuk ka të drejtë të bëhet pjesë si shtet i një nisme që nuk është në interesin e Malit të Zi. Megjithatë personat që marrin ose jo pjesë në atë nismë nuk e ndryshojnë karakterin e vet nismës. Këtu është vendi të sqaroj një spekulim të qeverisë së Shqipërisë dhe të Serbisë, sipas të cilave, departamenti i shtetit përkrah këtë nismë. Por diplomati i lartë amerikan Escobar ka përcaktuar dy elementë të rëndësishëm: Ai thotë që nisma Open Balkan do të gjejë mbështetje nëse do të jetë e varur dhe e lidhur me Procesin e Berlinit dhe nëse ajo do të ketë karakterin gjithëpërfshirës, ku do të marrin pjesë të gjithë shtetet e Ballkanit perëndimor. Këto elementë kjo nismë nuk i plotëson, pra edhe nga një pikëpamje më tolerante, mund të themi se kjo nismë është e gabuar dhe për mendimin tim ajo do të ketë fatin e nismave të tjera të mëparshme, si për shembull nisma serbo-malazeze Ballkan 6. Aty mori pjesë edhe Shqipëria, u bënë mbledhje ministeriale, samite dhe në fund dështoi. Kështu do të shkojë edhe kjo.

 

Zëri i Amerikës: Pse shuhen nismat në këtë mënyrë?

Shaban Murati: Si nisma serbo-malazeze si edhe kjo e tanishme puro serbe nuk janë nisma për integrimin europian, por janë nisma që synojnë të konsakrojnë rolin hegjemon të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Kjo mendohet si një lloj kompensimi që disa qarqe politike në Europë duan t’ia bëjnë Serbisë dhe duan ta rikthejnë si një forcë drejtuese si ishte në kohën e federatës komuniste jugosllave.

 

Zëri i Amerikës: Si e vlerësoni pozicionimin e Kosovës në këtë situatë?

Shaban Murati: Asnjë nismë rajonale shtetërore nuk mund të jetë e suksesshme, nëse së pari nuk do të jetë e saktë në pikëpamjen formale, juridike, protokollare, ku shtetet pjesëmarrëse duhet të jenë të barabarta. Pa e njohur Serbia Kosovën nuk mund të mendohet që kjo nismë të quhet e saktë. Së dyti; dhe më e rëndësishmja, nisma Open Ballkan është kundërvënie e procesit të njohjes diplomatike të shtetit të Kosovës. Dy ditë më parë u bë betimi i presidentit të Serbisë dhe u betua që do të ruajë Kosovën si pjesë të Serbisë. Këtu ka vdekur çdo lloj dialogu dhe për mua është e habitshme se si BE-ja, qarqet diplomatike të Europës dhe ndërmjetësuesit e dialogut nuk reaguan. Si mund të pretendosh dialog, kur njëra palë kërkon të drejta koloniale mbi një palë tjetër?! Qëndrimi i qeverisë së Kosovës është pozitiv, sepse ajo ka bërë të sajën atë që unë e quaj formula Biden, ose doktrina Biden: presidenti amerikan Biden, pas inaugurimit në Shtëpinë e Bardhë, në telegramin që i dërgoi presidentit Vuçiç, ai jep formulën e qartë dhe të saktë diplomatike, duke i thënë: Dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet të qendërzohet në çështjen e njohjes së Kosovës. Për mua kjo është formula e saktë dhe e drejtë, e cila i jep fund spekulimeve dhe zvarritjeve të qëllimshme dhjetë vjeçare të dialogut në Bruksel midis dy shteteve. Qëndrimi i Kosovës sipas formulës Biden është qëndrimi më i drejtë dhe më i saktë, që jep rrugën e zgjidhjes jo vetëm çështjes së njohjes mes dy shteteve, por edhe jep rrugën e stabilizimit të situatës në Ballkanin perëndimor.

“Rusët po vijnë”, një botim nga studiuesi Shaban Murati

ruset po vijneStudiuesi i njohur i diplomacisë rajonale dhe ndërkombëtare, Shaban Murati, sapo ka botuar në Tiranë librin e tij më të fundit me titull “Rusët po vijnë”.

 

Libri “Rusët po vijnë” është, sipas tij, një përpjekje për të kuptuar në thellësi pasojat e sotme dhe të ardhme, që vijnë nga veprimtaria aktuale e diplomacisë ruse në drejtim të Shqipërisë, Kosovës dhe Ballkanit.

Botimi është një përmbledhje e analizave diplomatike mbi politikën e jashtme të Rusisë në Ballkan në 8 vitet e fundit.

Në botimin voluminoz me 98 analiza mbi dinamikën e diplomacisë ruse në Ballkan, studiuesi i njohur Shaban Murati ngre shqetësimin se si politikat proruse dhe proserbe në rajon po dëmtojnë interesat e kombit shqiptar.

“Diplomacia ruse, – thekson zoti Murati në intervistën për Zërin e Amerikës, – klasifikohet si kundërshtare historike e pavarësisë së Shqipërisë dhe e pavarësisë së Kosovës, dhe një nga pengesat kryesore diplomatike për çështjen kombëtare shqiptare në 110 vjetët e fundit e në vazhdim”.

Ai thotë se me këtë libër tërheq vëmendjen për një dukuri gjeopolitike, diplomatike e strategjike, që i kërcënohet Ballkanit, Shqipërisë dhe Kosovën.

“Kur them “Rusët po vijnë” është një dukuri jo e ditës, jo thjesht e lidhur me agresionin e fundit rus në Ukrainë, por është një dukuri që ka karakterizuar 30 vjet të post-komunizmit në Ballkan, dhe që për fat të keq, nuk i është kushtuar vëmendja dhe rëndësia e duhur nga qeveritë e quajtura demokratike, që erdhën në Ballkan pas shembjes së komunizmit” – thotë zoti Murati.

Autori thekson se presidenti rus Putin ka kërkuar qysh në vitin 2014 një rishikim të pasojave të luftës së ftohtë dhe ndarje të zonave të ndikimit.

Pas sulmit të parë në Krime ndaj Ukrainës, Putin mendoi të kthehej në Ballkan, duke e cilësuar atë një rajon me interes të veçantë për Rusinë, shton ai.

“Ballkani është për Moskën pika më e dobët e sigurisë së kontinentin europian si dhe një qendër ortodokse, për të cilën ka investuar prej 100 vjetësh nga epoka cariste e komuniste, ku mund të rivendosë fuqinë e saj” – thotë zoti Murati.

Shqipëria dhe Kosova, shton ai, vepruan drejt që u rreshtuan me NATO-n, SHBA-të dhe BE-në në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe sanksionet ndaj Moskës, si dhe në pritjen e refugjatëve të luftës; për Shqipërinë ishte një detyrim, për Kosovën ishte një fisnikëri, sepse Ukraina nuk e njeh shtetin e Kosovës.

“Qëndrimi i Kosovës ëhstë dy herë më fisnik se i Shqipërisë, sepse Ukraina nuk e njeh Kosovën, por Kosova pati largpamësinë që të bashkohej me qëndrimin e NATO-s dhe të BE-së. Kemi një rreshtim të faktorit shqiptar në anën e duhur, gjë që për fat të keq, nuk është shumë e shpeshtë” – thotë zoti Murati.

Në vitin 2015 sekretari amerikan Xhon kerry paralajmëroi se pas krimesë, vija e dytë e zjarrit do të jetë Ballkani, kujton autori, por Ballkani fjeti gjumë, sipas tij.

“Rusia nuk mund të konkurojë me ideale as me ide demokratike, të cilat nuk i ka zbatuar kurrë në territorin e vet, ndaj i sulmon ato edhe në vende që priren nga perëndimi, sulmon vlerat demokratike perëndimore të Ballkanit dhe u mëshon gjithmonë lidhjeve ideologjike, okulte, fetare, që e kanë mbajtur të lidhur me këtë rajon” – thotë zoti Murati.

Nga ana tjetër, ai vlerëson me një sy kritik edhe angazhimin e Shqipërisë përkrah nismës Ballkani i hapur.

“Cili është dukuria më e rrezikshme: Open Balkan nuk po lejon faktorin shqiptar të ketë kohezion në Ballkan. Strategjia bazë e Serbisë në drejtim të faktorit shqiptar me Open Balkan ështëçaraje e faktorit shqiptar në Ballkan. Ne e dimë fare mirë që këto tre vitet e fundit kohezioni midis Shqipërisë dhe Kosovës është në kuotat më të ulëta dhe, sipas analizës time profesionale, mëkati, ose faji kryesor për këtë i bie Tiranës” – thotë studiuesi Murati.

Ai thekson se Ballkani i Hapur nuk është një nismë trepalëshe, por është një projekt i Serbisë, i nisur fillimisht si MiniShengen dhe si zonë e përbashkët ballkanike perëndimore ekonomike, të cilën ua ka shpërndarë vendeve të rajonit nga Parisi qysh më 2016.

Ata e shohin rilindje të Jugosllavisë dhe Shqipëria duhej të mendohej 10 herë para se të jepte një përgjigje për këtë nismë, shton zoti Murati.

“Si mund të pranojë Shqipëria të hyjë në një simë të ngushtë subrajonale këtu në një kohë që Serbia nuk njeh Kosovën?! Serbia ka deklaruar hapur se në nismën Open Balkan Kosova do të vijë si një provincë; kështu shkruhet në dokumentat zyrtare serbe. Më falni,por Shqipëria, si shteti amë, nuk është kështu as amë as njerkë, kur pranon që të hyjë në një nismë serbe, në një kohë që Serbia nuk njeh Kosovën. Ç’është kjo nismë që ka pesë shtete dhe një provincë?!” – pyet zoti Murati.

Diplomati dhe analisti i njohur vëren se të presidentët e tre vendeve, që pritet të takohen pas disa ditësh në kuadër të Ballkanit, i Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe janë kundër kësaj nisme dhe kundër kryeministrave të tyre, pra këta kryeministra nuk bindin dot as presidentët e tyre.

Ndërsa nga pikëpamje amerikane është bërë e qartë, shton ai, se SHBA do ta mbështesin nismën, nëse ajo është e lidhur me Procesin e Berlinit dhe nëse do të përfshihen në të 6 vendet e rajonit, por këto dy kritere nuk plotësohen dhe vet nisma është në thelb e gabuar.

Sipas tij, Nisma Open Ballkan është kundërvënie ndaj procesit të njohjes diplomatike të Kosovës, por asnjë nismë në rajon, thekson zoti Murati, nuk do të ketë sukses, nëse nuk njihet dhe nëse nuk respektohet Kosova si e barabartë.

“Presidenti Biden ka deklaruar se dialogu mes Serbisë dhe Kosovës duhet te qendërzohet në çështjen e njohjes së Kosovës, por dy ditë më parë presidenti Vuçiç u betua përsëri se nuk do ta njohë Kosovën dhe askush nuk reagoi”, thotë zoti Murati.

Libri më i fundit, Rusët po vijnë, i autorit Shaban Murati është i 16 botim mbi ngjarjet rajonale dhe ndërkombëtare, vazhdim i studimit Rusia Ballkanike.

Shaban Murati është diplomat karriere, me titujt dhe detyrat më të larta në këtë fushë, si dhe autor një seri studimesh mbi marrëdhëniet ndërkombëtare të shteteve në Ballkan, nga Kosova, Shqipëria e Greqia, Serbia e Bosnja dhe deri tek veprimtaria diplomatike e SHBA, BE-së në rajon.

voa