KRRE Maqedoni nesër bën të ditur se sa do të rritet çmimi i energjisë elektrike

evn-faturaNjë ditë para vendimit përfundimtar, Komisioni Rregullatori i Energjetikës bën përllogaritjet përfundimtare se sa do të jetë rritja e çmimit të energjisë elektrike nga 1 korriku.

 

Për mediat nuk është publikuar asnjë detaj, vetëm shifra jozyrtare.

Është e sigurt vetëm se rritja do të jetë 10 deri mbi 10 përqind.

Kompanitë energjetike kanë treguar kosto shumë të larta, por, sipas presidentit të ERC-së, nuk do të njihen të gjitha.

Ekspertët pajtohen se rryma do të jetë më e shtrenjtë, sepse çmimi po rritet në tregun botëror, por është mirë që do të zhvlerësohet, pra do të jetë më e ulët se realja.

Ekspertët energjetik thonsë se ndarja tarifore në 4 blloqe mund t’i ngatërrojë qytetarët dhe të lërë vend për dyshime se a ka EVN kapacitet për të lexuar matësat çdo muaj në të gjithë vendin?

“Çmimet do të jenë më të larta, por shpresoj që prodhimi vendas të rritet. Do të prisja nëse do të ketë lexime të rregullta të njehsorëve në mbarë Maqedoninë dhe nëse qytetarët do të informohen se cila pajisje ka konsum më të madh”, thotë Sanja Bozhinovska, analiste energjetike.

Faturat familjare nga muaji i ardhshëm do të ndahen në 4 blloqe.

Ata që konsumojnë më shumë, mbi 1 megavat, do të paguajnë më shumë.

Megjithatë, shumica e familjeve do të hyjnë në 2 ose 3 blloqe, ku sipas autoriteteve çmimi do të jetë i pranueshëm dhe pak më i lartë.

Ndryshe, ESM i ofroi EVN Home-it 17% çmim më të lartë, pra 48 euro për megavat orë.

MEPSO dhe Elektrodistribucia kërkuan rritje të çmimit prej 68 dhe 80 për qind.

Për të parandaluar ndikimin në standardin e qytetarëve, çmimi i përcaktuar do të jetë më i ulët se ai real, ndërsa diferenca do të subvencionohet nga shteti.

Nga 1 gushti, përveç rrymës, qytetarët i pret edhe ngrohje më e shtrenjtë.

telegrafi

Ballkani i Hapur nuk vlen për Shqiptarët

kufiri mes shqiptarve rmv rsShqiptarët kërkojnë hapjen e kufirit mes Shqiptarëve nën Serbi-Maqedoni e Veriut

Kufiri Serbi-Maqedoni e Veriut, gjegjësisht në Miratoc të Preshevës dhe Llojan të Likovës, nuk është hapur ende pavarësisht premtimeve nga qarqet zyrtare për një gjë të tillë. Banorët e fshatrave me shqiptarë andej e këndej kufirit vazhdojnë të ankohen për këtë problematikë. 

Mentor Ademi nga Miratoca ka dëgjuar nga prindërit e tij se dikur kufiri mes dy fshatrave shqiptare Miratocës së Preshevës dhe Llojanit të Likovës, ka qenë i hapur, por vetëm nuk e ka përjetuar. Ndërkohë që është rritur me premtimin se ky kufi një ditë do të hapet, por në realitet ai as tokat që i ka përtej kufirit nuk po mund t`i punojë.

“Më kanë kallëzuar prindërit edhe ata më të vjetrit që kanë qenë, se kanë mundur me dal andej të lirë. A sot s`mundesh me dal, ke polic, s`mundesh me dal. Kemi edhe toka andej, ara, mirëpo nuk mundesh t`i punosh, s`mund të shkosh sepse është kufiri”, ka theksuar Mentor Ademi për rtk.

Pavarësisht premtimeve që kanë bërë politikanët, kufiri vazhdon të jetë i mbyllur. ”Është e nevojshme sepse bëhen lehtësime, në kufirin poshtë në Tabanoc, presim me orë të shumta mbi tri katër orë presim për me shkuar këtu dy kilometra që e kemi kufirin Miratoc. Çdo kund edhe ku s`ekziston kufiri bien dakord dy qeveri edhe bëjnë hapjen për lehtësimin e qytetarëve, këtu fare s`bëhet kjo. Do të apeloja tek Ballkani i Hapur, tri qeveritë ajo e Serbisë e Shqipërisë dhe Maqedonisë që ta kenë parasysh këtë kufi për hapjen sa më të shpejtë”, Sadat Ismaji, kryetar i Bashkësisë Lokale në Miratoc – Llojan.

Mos hapja e vendkalimit kufitar detyron banorët jo vetëm të fshatrave kufitare, por të tërë kësaj zone, të bëjnë mbi 40 kilometra rrugë për ta vizituar njëri-tjetrin. “Ne si Bashkësi lokale i kemi shkruar edhe institucioneve të Serbisë edhe të Evropës, ambasadave te shteteve evropiane, mirëpo nuk ka pas ndonjë shenjë për rihapjen. Këtë vit kanë premtuar se do të hapet, por s`ka për momentin asnjë lëvizje për rihapjen e kufirit”, ka thënë Rami Hyseni nga Miratoca.

Ndonëse të dyja shtetet tashmë janë pjesë të nismës ‘Ballkani i Hapur’ dhe kanë promovuar qarkullimin e lirë, kjo zonë mbetet e mbyllur. Këtu janë vrarë dy shqiptarë, në rrethana tërësisht të pazbuluara. Serbia së fundi ka ndërtuar një gardh të hekurt të lartë mbi 2.5 metra përgjatë tërë vijës kufitare, duke uzurpuar dhjetëra hektarë tokë të shqiptarëve të këtushëm, me arsyetim parandalimin e kalimeve ilegale të refugjatëve nga Lindja e Afërt.

Kufiri Serbi-Maqedoni e Veriut, gjegjësisht në Miratoc të Preshevës dhe Llojan të Likovës, nuk është hapur pavarësisht premtimeve nga qarqet zyrtare për një gjë të tillë. Banorët e fshatrave me shqiptarë andej e këndej kufirit vazhdojnë të ankohen për këtë problematikë.

Subvencionimi i paneleve diellore për dalje nga kriza energjetike

panele dielloreNga 1 korriku qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët do të vendosin në kulmet e tyre panele diellore për prodhimin e energjisë elektrike, Ministria e Ekonomisë do t’ua mbulojë shpenzimet deri në 30 për qind, por jo më shumë se një mijë euro.
Prodhimi i rrymës elektrike me ndryshimet në Rregulloren për burimet e rinovueshme të energjisë për një familje kufizohet në gjashtë kilovatë në orë. Ndërsa, tepricën e energjisë elektrike ata do të mund t`ia shesin kompanisë, e cila shpërndan rrymën, EVN HOME, ose kjo pjesë t’u zbritet nga llogaria gjatë muajve kur nuk do të mund të prodhojnë mjaftueshëm rrymë për nevojat familjare.

Në bazë të llogaritjes që kanë bërë ekspertët në lëmin e energjetikës, kostoja e vendosjes së paneleve diellore për një familje, përkatësisht prodhimi i rrymës prej gjashtë kilovatësh në orë, është rreth katër mijë euro – përkatësisht 700 deri në 800 euro për një kilovat orë – investim ky që në këto kushte të rritjes së çmimit të rrymës kthehet brenda tre vjetësh.

“Për prodhimin e gjashtë kilovatëve rrymë në orë, çmimi i pajisjeve mesatarisht është katër mijë euro, më shumë ose më pak, varësisht nga cilësia e instalimit të paneleve diellore nëse ato janë statike apo kanë sistem rotacioni në varësi të lëvizjes së diellit, më pas këtu kemi dhe kabllon që lidh panelet diellore me sistemin e furnizimit etj”, thotë Gjorgji Manaskov, kryetar i Odës Ekonomike për Energjetikë.

Ai thekson se në kushte të krizës energjetike vendosja e paneleve diellore nga ana e amvisërive në masë të konsiderueshme do ta ulë varësinë nga tregu i jashtëm energjetik. Sipas tij, ky investim, qytetarëve do t’u kthehet brenda pak vjetësh për faktin që Maqedonia e Veriut si shtet në shumë pjesë të territorit saj ka shumë ditë me diell brenda vitit.

Por, qytetarët thonë se nga kjo masë më së shumti do të përfitojnë familjet me më shumë të ardhura pasi katër mijë euro janë të papërballueshme për një familje, e cila nuk arrin të sigurojë as pagë mesatare prej 500 eurosh.

“Nëse nuk i hap mirë sytë për çdo qindarkë ikën paratë për bukë e jo më për investime për panele diellore. Nuk mund të ndaj para për panele diellore kur unë mezi siguroj gjërat elementare për ushqim për familjen time pesë anëtarëshe. Panele do të vendosin vetëm të pasurit, madje do të marrin edhe para nga shteti, neve të varfërve na mbetet që gjatë dimrit të qëndrojmë nën batanije, s`kemi çka bëjmë”, thotë Jovan Dimitrievski.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ka nënvizuar se ka interesim të madh nga ana e amvisërive për vendosjen e paneleve diellore dhe shfrytëzimin e mjeteve shtesë nga shteti për instalimin e tyre.

“Me rregulloren e re mundësohet prodhimi i 6 kilovatëve, kështu që nëse një amvisëri përdor vetëm 2 kilovatë, energjia e tepërt prej 4 kilovatësh mund t’i kalojë EVN-së, e cila është furnizues universal. Kështu, amvisëritë mund të shkëmbejnë dhe më pas energjia elektrike e prodhuar të kompensohet apo tarifohet”, ka sqaruar Bekteshi.

Trajan Angelloski, kryetar i Lidhjes së Odave Ekonomike thotë se Maqedonia e Veriut ka mbetur shumë vonë sa i përket shfrytëzimit të burimeve të Ripërtërishme edhe pse ka shumë interes nga ana e kompanive për vendosjen e paneleve diellore për të ulur koston e shpenzimeve.

“Ne jemi 20 vjet vonë për sa i përket shfrytëzimit të energjisë diellore. Dhe, akoma s’arrijmë të zëmë hapin edhe në këtë situatë të krizës si pasojë e proceduarve burokratike në mbledhjen e dokumentacionit për të marrë leje për vendosjen e fotovoltaikëve, pasi në vende të caktuara kompanive u bëhen obstruksione”, thotë Angelloski.

rel

Përvjetori i Betejës së Kosovës, thirrje pro Rusisë gjatë festimeve

manifestimi serb beteja e kosovesGrupe pjesëtarësh të komunitetit serb morën pjesë të martën në manifestimet në Gazimestan afër Prishtinës, me rastin e 633 vjetorit të Betejës së Kosovës. Përgjatë manifestimeve banorët serbët bën thirrje në mbështetje të Rusisë dhe kundër pavarësisë së Kosovës, ndërsa përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe bënë thirrje për paqe në mes serbëve dhe shqiptarëve.

 

Me thirrjet në mbështetje të Rusisë dhe kundër pavarësisë së Kosovës, grupe pjesëtarësh të komunitetit serb u mblodhën në Gazimestan afër Prishtinës për të kremtuar Vidovdanin siç e quajnë serbët ditën e Shën Vitos, përkatësisht 633 vjetorin e Betejës së Kosovës.

Policia e Kosovës që kujdesej për sigurinë nuk lejoi që pjesëmarrësit të mbanin mbishkrime nxitëse.

Më 28 qershor të vitit 1389 ushtritë e Ballkanit u mundën në betejë me ushtrinë e Perandorisë Osmane me çka filloi edhe sundimi 500 vjeçar osman në Evropën Juglindore. Serbët e kremtojnë këtë si ditë të fitores së tyre shpirtërore dhe dëshmi të pranisë së tyre në Kosovë.

Patriarku i Kishës Ortodokse serbe Porfirije tha në liturgjinë e mbajtur në Manastirin e Graçanicës se Kosova është vend i shenjtë për serbët ndërsa bëri thirrje, siç tha për paqe dhe dashuri me shqiptarët.

“Jemi thirrur të jemi vëllezër me të gjithë dhe me shqiptarët sigurisht mbi të gjitha sepse jetojmë këtu me ta. Zoti i krijoi të dy, të gjithë jemi ikona të zotit. Dhe jam i sigurt se edhe ata e dinë nëse besojnë në Zot, një Zot, se edhe në librat të cilët ata më së shumti besojnë, bëhet thirrje për të njëjtën gjë, bëhet thirrje dhe kujtojnë se vetëm në bashkësi mund të jemi në rrugën e Zotit”, tha ai.

Në vitin 1989 në përvjetorin e betejës së Kosovës ish presidenti i atëheshëm serb Sllobodan Millosheviç shpalli siç thuhej bashkimin e Serbisë me rrënimin e autonomisë së Kosovës dhe paralajmëroi luftërat e përgjakshme që çuan në shkatërrimin e ish federatës jugosllave.

Tridhjetë e tri vjet pas asaj dite Kosova ka hyrë në vitin e 15 të pavarësisë së saj të njohur nga më shumë se 100 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të fuqishme të Bashkimit Evropian. Pavarësia e saj kundërshtohet nga Serbia e cila mbështetet në përkrahjen ruse. Çështja e Kosovës radhitet në mesin e arsyeve që Beogradi nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime për më shumë se njëmbëdhjetë vjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që është kusht për integrimet evropiane, por ende pa ndonjë përparim të dukshëm.

voa

 

Shumë synime, pak gjëra konkrete – përfundon takimi i G7

g7Lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike dominuan takimin e G7. Temat e tjera, si ngrohja e klimës, ishin në rend të dytë.

 

Lufta në Ukrainë është luftë për ndikim dhe pushtet. Rusia kërkon të ndryshojë rendin botëror. Demokracitë perëndimore janë kundër dhe kërkojnë aleatë. Edhe në takimin e nivelit të lartë të grupit G7 në Elmau, vendet më të mëdha të industrializuara, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, Japonia, Kanadaja dhe SHBA u vunë në kërkim të partnerëve dhe aleatëve. Sepse jo vetëm prej sulmit rus kundër Ukrainës është bërë e qartë se bota do të ndahet sërish në zona ndikimi dhe pushteti. Cili ndodhet në krah të kujt? Cili është mik dhe cili armik?

Konkurencë me Kinën

Kina është duke ecur përpara me gjithë fuqinë në projektin e saj për të ndërtuar një Rrugë të re të Mëndafshtë, duke i lidhur vendet me veten përmes dhënie kredish dhe projektesh infrastrukturore si për shembull ndërtime portesh. G7 dhe BE e kanë kuptuar prej kohësh këtë, por kanë bërë pak kundër këtij projekti. Kjo gjë do të ndryshojë tani.

Ditën e parë të takimit të nivelit të lartë u konkretizua projekti “Partneritet për infrastrukturën dhe investimet globale”. Një ide që ka lindur që gjatë kohës që presidencën e takimeve të nivelit të lartë të G7 e mbante Britania e Madhe, dhe që është mbështetur me 600 miliardë dollarë. Me këto para pritet të financohen projekte për infrastrukturën, mbrojtjen e klimës dhe shëndetin në vendet në zhvillim dhe vendet që pritet të kthehen në vende të industrializuara. Pikërëndesa do të vendoset në Afrikë, por edhe vende të tjera të varfëra mund të marrin pjesë. Programi do të vazhdojë deri në vitin 2027.

A nuk janë vendet perëndimore vonë për këtë gjë?

“Nëse demokracitë tregojnë çfarë mund të ofrojnë, atëherë nuk duhet të shqetësohemi nëse fitojmë apo jo ndaj konkurencës,” thotë i bindur presidenti amerikan, Joe Biden. Duke ftuar Indonezinë dhe Indinë në Elmau, aty qenë ftuar njëkohësisht kryesia aktuale dhe e ardhshme e G20. Senegali mban kryesinë e Unionit Afrikan, Argjentina mban kryesinë e Bashkësisë së Vendeve Latinoamerikane dhe Karaibeve.

 

“Duke qenë demokraci ne e shohim botën në të njëjtën mënyrë dhe është mirë, është e rëndësishme dhe e domosdoshme që ne të këmbejmë mendime me njëri tjetrin,” tha Scholz pas takimeve të punës me përfaqësuesit e këtyre vendeve. “Ne i vëmë veshit njëri-tjetrit dhe kjo krijon mirëkuptim reciprok dhe lehtëson bashkëpunimin. ”Për çështjet e mbrojtjes së klimës, furnizimit me energji dhe luftën kundër urisë në botë” folëm me njëri-tjetrin shumë mirë, hapur dhe në mënyrë konstruktive”, tha kancelari gjerman. “Ky dialog është shumë i rëndësishëm dhe do të vazhdojë”.

Ndryshimet në pikëpamje mbeten 

Çështja kryesore e diskutueshme ka të bëjë me qëndrimin ndaj Rusisë. Kur Kombet e Bashkuara dënuan në muajin mars sulmin rus kundër Ukrainës dhe i kërkuan Kremlinit t’i japë fund agresionit të tij, India, Senegali dhe Afrika Jugore nuk e dhanë votën. Gjatë vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, Argjentina dhe Indonezia nuk ishin në të njëjtën linjë me Perëndimin. Ndërsa India importon madje ndërkohë më shumë naftë ruse se para luftës.

Kombet e industrializuara demokratike e dinë se megjithë fuqinë ekonomike që kanë, nuk mund ta izolojnë Rusinë, nëse shtetet e tjera nuk i respektojnë sanksionet. Por, por këto vende nuk duan ta prishin me Rusinë edhe për shkaqe ekonomike.

Financim i energjive nga lëndë fosile?

G7 nuk u mor vetëm me synime gjeopolitike, por edhe me burimet për ekonominë. Perëndimi duhet të shkëputet nga varësia energjetike prej Rusisë. Afrika ka burime të mëdha gazi, të cilat nuk janë të lidhura me tregjet ndërkombëtare. Senegali mund të furnizojë me gaz të lëngshëm, dhe aktualisht po zhvillohen bisedime për shfrytëzimin e një fushe të re pusesh nafte në bregdetin afrikano-perëndimor. Furnizimet ruse me nikel mund të zëvendësohen prej importeve nga Indonezia. Një vend që ka po ashtu rezerva të mëdha qymyrguri.

Mbrojtësit e mjedisit kanë vënë alarmin. “Shpenzimi i parave publike për fusha të reja pusesh nafte në vendet e Jugut Global është i papërgjegjshëm si sa i përket politikës së zhvillimit ashtu edhe politikës së klimës,” tha presidentja e organizatës “Bukë për Botën”, Dagmar Pruin. Pasi Gjermania njoftoi gjatë konferencës së fundit për klimën në Glasgow, se pas vitit 2023 nuk do të investojë më në energji nga lëndë fosile hapi mbrapaktheu që bëhet në Elmau është një “mbrapaktheu historik në politikën ndaj klimës”.

Heqja dorë nga qymyri do të bëhet më ngadalë 

Pas bisedimeve midis G7, BE dhe vendeve partnere shtatë vendet më të mëdha të industrializuara deklaruan në Elmau se janë të gatshme të luftojnë kundër ndryshimit të klimës. Por ato duan njëkohësisht të krijojnë edhe siguri në furnizimin me energji. Këtu bëhet fjalë për shkëputjen graduale nga qymyri dhe krijimin e mundësive për prodhimin me “drejtësi sociale” të energjive të ripërtëritshme.

Në fund të deklaratës së takimit të nivelit të lartë të G7 dëgjohet të flitet për rolin e rëndësishëm të gazi të lëngshëm, i cili duhet të rritet në mënyrë që të kapërcehen vështirësitë e mundshme sidomos në Europë. Në një nga versionet e deklaratës thuhet se investimet publike në sektorin e gazit janë të rëndësishme si përgjigje e përkohshme ndaj krizës aktuale të energjisë.

Në një tavolinë me Putinin, po apo jo?

Interesante do të jetë si do të zhvillohen planet për takimin e nivelit të lartë të G20, që pritet të mbahet në muajin nëntor në ishullin indonezian të Balit. Krahas Kinës në grupin e shteteve të G20 bën pjesë edhe Rusia. Sipas agjencisë ruse të lajmeve, Tass, presidenti Vladimir Putin planifikon të marrë pjesë në takimin e niveli të lartë të G20.

Çfarë do të bëjë Perëndimi? Kancelari Olaf Scholz do të vendosë “pak para udhëtimit” dhe pavarësisht gjendjes aktuale. Presidentja e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen tha në Elmau, se në takimin e nivelit të lartë të G20 ajo do të ulet në një tavolinë me Putinin. “Është e rëndësishme që atij t’i thuhet në fytyrë çfarë mendojmë për të,” theksoi ajo.

dw

Kompania në Danimarkë që prodhon vaksinën e vetme për linë e majmunit

lija e majmunitNë Danimarkë gjendet kompania e vetme e licensuar për të prodhuar vaksinën për linë e majmunit. Kompania “Bavarian Nordic” me seli në Kopenhagen thotë se ka besim se do të përmbushë kërkesën në rritje në mbarë botën. Kompania ka arritur marrëveshje me disa qeveri pas valës së fundit të përhapjes së këtij virusi, ndër to edhe me qeverinë e Shteteve të Bashkuara, e cila ka lejuar edhe licensimin për ilaçe për linë e majmunit.

 

Këtu gjendet linja e prodhimit të vaksinës që qeveritë në mbarë globin shpresojnë se do t’i japë fund shtimit të rasteve me linë e majmunit.

Vaksina përdor një formë të dobësuar të virusit që shkakton sëmundjen, e cila është e ngjashme me linë, por është më pak e dëmshme. Ajo nuk shumëfishohet kur futet në trup, por arrin të krijojë një reagim të fortë imunitar.

Në Evropë vaksina tregtohet me emrin IMVANEX, në Shtetet e Bashkuara quhet JYNNEOS dhe IMVAMUNE në Kanada. Në vitin 2019, Administrata amerikane për Ushqimin dhe Barnat (FDA) miratoi përdorimin e saj kundër lisë së majmunit.

Është si vaksinat tradicionale. Aktivizon sistemin imunitar, e stimulon atë që të jeni më të përgatitur për ta luftuar linë e majmunit kur të infektoheni. Madje mund edhe të përdoret për rastet e personave që mendohet se janë infektuar tashmë“, thotë Rolf Sass Sorensen, nënpresident i kompanisë “Bavarian Nordic”.

Sipas kompanisë, Qendra Evropiane për Reagimin ndaj Emergjencave (HERA) ka porositur 110 mijë doza, qeveria e Shteteve të Bashkuara 500 mijë doza, si dhe Kanadaja ka angazhuar 56 milionë dollarë për të blerë vaksina. Nga kërkesa e menjëhershme, kompania ka rritur katër herë parashikimin për të ardhurat financiare gjatë vetëm disa javëve.

Qendrat amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve thonë se nga të dhënat e mëparshme nga Afrika rezulton që edhe vaksina ndaj lisë ofron të paktën 85% efektshmëri në parandalimin e lisë së majmunit, dhe se të dyja vaksinat janë të efektshme për t’i mbrojtur njerëzit, nëse u injektohet përpara ekspozimit. Nëse merret pas infektimit, besohet se vaksina mund të ndihmojë për të ulur ashpërsinë e infeksionit.

Kompania beson se është në gjendje të përmbushë kërkesën globale, megjithëse ka vetëm një fabrikë.

“Kemi një fabrikë shumë moderne dhe shumë të madhe këtu në Danimarkë dhe mund të prodhojmë 30 milionë doza në vit. Pra, është një kapacitet shumë i madh krahasuar me kërkesën e tanishme. Mendojmë se e kemi situatën nën kontroll dhe po monitorojmë me kujdes kërkesën globale çdo ditë”, thotë zoti Sorensen.

Deri një muaj më parë, lija e majmunit nuk kishte shkaktuar përhapje të mëdha përtej Afrikës. Shkencëtarët nuk kanë konstatuar mutacione të virusit që të sugjerojnë se virusi është bërë më i transmetueshëm, dhe një këshilltar kryesor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha muajin e kaluar se rritja e rasteve në Evropë ka gjasa të ketë lidhje me aktivitetin seksual të meshkujve homoseksualë dhe biseksualë në dy festa masive në Spanjë dhe Belgjikë.

Gjatë një konference për shtyp këtë muaj, drejtori i OBSH-së për Evropën, dr. Hans Kluge, tha se përhapja përbën një “rrezik të vërtetë”.

“Sa më shumë të qarkullojë ky virus, aq më shumë do të shtrihet, dhe aq më e fortë do të jetë prania e sëmundjes në vendet jo-endemike. Qeveritë, strukturat e kujdesit shëndetësor dhe shoqëria civile duhet të veprojnë me urgjencë për ta vendosur nën kontroll përhapjen e këtij virusi”, tha dr. Kluge.

Më 25 qershor, OBSH-ja tha se përhapja e lisë së majmunit në mbi 50 vende duhet të monitorohet nga afër, por se nuk është ende në stadin për t’u shpallur një emergjencë globale shëndetësore.

 

voa

“Ne na mashtruan”: Robërit rusë të luftës në Ukrainë

rober rus ukraineUshtarët rusë të zënë rob në Ukrainë mbahen në burg. Si trajtohen ata atje dhe çfarë mendojnë për luftën? Një reportere e Deutsche Welles arriti të flasë në vend me të burgosurit.

 

Ky është një burg në Ukrainë ku mbahen ata që nuk janë dënuar ende, vendin e saktë Deutsche Welle nuk e thotë për shkaqe sigurie. Kati i dytë i ndërtesës është ndarë për robërit rusë të luftës. Ata mbahen të shkëputur nga të burgosurit e tjerë, për “t’i mbrojtur”, siç thuhet.

Pas një kërkese të gazetarëve bërë Shërbimit Shtetëror të Burgjeve në Ukrainë, Deutsche Welles iu krijua mundësia që të flasë me të burgosurit rusë, duke qenë kështu media e parë që bën një gjë të tillë. Edhe xhirimet në burg kanë qenë ekskluzive. Leja u dha me kusht që Deutsche Welle të mos e thotë as vendndodhjen e saktë të të burgosurve, as të mos i tregojë fytyrat e tyre. Po ashtu gazetarët u lejuan të flasim vetëm me të burgosurit që nuk akuzohen për krime lufte dhe ndaj të cilëve nuk është hapur ende ndonjë process penal. Për të folur me persona të tillë do të duhej një leje tjetër e hetuesve ose prokurorisë.

“Kur erdha këtu m’u hapën sytë” 

Në një qeli ndodhen shtatë burra të moshave të ndryshme. Vizita e gazetarëve nuk i habit ata. Ata thonë se përfaqësues të Kombeve të Bashkuara ose të Kryqit të Kuq vijnë çdo javë.

Gjatë intervistës gazetarët e Deutsche Welles shoqërohen nga punonjësit e burgut. Ata i ofruan Deutsche Welles mundësinë që të vendosë vetë me kë do të flasë. Deutsche Welle zhvilloi intervista me katër të burgosur, pasi ata patën dhënë pëlqimin për të folur: ata të gjithë janë ushtarë profesionistë dhe thanë se nuk kanë çfarë të fshehin.

“Sinqerish: Ne na mashtruan,” tregon Romani, nga Vyborgu rus. “Në fillim n u tha se kishim të bënim me çështje humanitare. Por mua më dërguan menjëherë në front.” Gjatë luftimeve në rajonin e Karkivit Romani u plagos. Ushtria ukrainase e mori me vete dhe la mjekun ta trajtojë, tregon ai.

Kurse Artjomi, një i burgosur tjetër, thekson se pati vendosur vetë që të marrë pjesë në “operacionet speciale” kundër Ukrainës. (Kështu quhet zyrtarisht në Rusi lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Shënim i redaktorit). Pasi kishte lexuar një lajm në internet ai shkoi në Doneck që kontrollohet nga separatistët prorusë, ku në pak ditë mësoi të drejtojë një tank T-72. Pastaj e dërguan në drejtim të Saporishtjas. Por tanku i tij u shkatërrua dhe ai u kap nga regjimenti ukrainas Asow. Ai siguron se i është dhënë ushqim dhe cigare dhe shton: “Nuk pashë asnjë fashist”. I pyetur se pse shkoi në Ukrainë, Artjomi përgjigjet: “Në televizion thuhet se ne luftojmë për një çështje të drejtë, por në fakt kjo nuk është e vërtetë. Këtu filluan të më hapen sytë.” Ai e quan ushtrinë ruse “plaçkitëse dhe vrasëse”.

Si e kalojnë ditën të burgosurit?

Qelia e të burgosurve është e pajisur me mobilje, ajo është e vogël por e pastër. Mbi tavolinën e përbashkët ka enë plastike, secili ka enët e veta. Lugët dhe pirunjtë janë prej metali. Sipas rojes tek të burgosurit e zakonshëm edhe lugët e pirunjtë janë prej plastike, për shkaqe sigurie. Por me robët e luftës është më lehtë, ata nuk janë agresivë dhe presin vetëm që të bëhet këmbimi i të burgosurve.

 

Ushqimi i drekës shpërndahet tek rusët nga një i burgosur ukrainas, i cili mbahet nën vëzhgim nga një roje. Tek të çarat e dyerve të çdo qelie futet një pjatë supë borshç dhe një qull me grurë. Në mëngjes kishte qull misri me mish, tregojnë të burgosurit. Sipas planit të ushqimit që është varur në korridur, ushqimi jepet tri herë në ditë. Përveç kësaj të burgosurve u lejohet të shëtisin dhe të lahen përditë.

“Zhdukuni! Nuk keni çfarë kërkoni këtu!”

Në një qeli tjetër ndodhen tre djem të rinj rreth të njëzetave. Mbi tavolinën që ndodhet në krah të krevateve ka një tufë librash. Të burgosurit thonë se lexojnë romane artistikë dhe policorë.

Një prej tyre është Dmitrij. Ai thotë se nuk e ka ditur që më 24 shkurt do të shkojë në Belgorodin rus në Ukrainë. “Nuk na u tha ku ishim duke shkuar. Vetëm kur u ndodhëm në territorin ukrainas dhe pamë tabelat dhe flamujtë, na u bë e qartë. Unë pyeta komandantin çfarë jemi duke bërë këtu dhe morra përgjigjen, të mos shtroj pyetje të panevojshme,” kujton Dmitrij. Kur tanku i tij u godit në afërsi të Pryluky-t në Rajonin Tschernihiw, ai u dorëzua tek ukrainasit.

Gjatë zhvillimit të intervistës me të dhe dy robët të tjerë lufte, ndodhej prezent një roje, një psikolog burgu dhe një i burgosur tjetër. Gazetarët e Deutsche Welles patën përshtypjen se prezenca e punonjësve të burgut nuk kishte ndikim tek tregimi i të burgosurit ose dëshira e tij për të folur. Rojet nuk e ndiqnin bisedën. Ata ndodheshin në distancë dhe nuk bënin presion mbi partnerët e bisedës me Deutsche Wellen.

Me të burgosurin Oleg nga Karelien, Deutsche Welle foli vetëm në një dhomë të ndarë. Ai tregoi se në muajin mars kishte zgjatur kontratën me forcat e armatosura ruse. “Unë i besova lajmeve të televizionit, sipas të cilave ne vijmë në Ukrainë për të ndihmuar, sepse këtu ka nacionalistë, që vrasin njerëzit dhe i torturojnë,” tregon i riu. Por kur erdhi në rajonin e Karkivit, ai nuk pa asnjë nacionalist. “Kur erdhëm në fshat, njerëzit na thanë direkt: “Zhdukuni! Nuk keni çfarë kërkoni këtu!'”

 

Kur nënshkroi kontratën, tregon Olegu, atij iu premtua t’i jepej shkollim dhe të mos dërgohej në vijën e parë të frontit. Por mbas tri ditësh ai u transferua në rrethinat e qytetit milionësh Karkiv. Njësia e tij u mundua të kthehej në Rusi, por Komanda i ndaloi. Më vonë kontakti me Komandën u shkëput dhe njësia e tij u morr peng nga ushtria ukrainase.

A mund t’u besohet robërve të luftës?

Të gjithë të burgosurit me të cilët foli Deutsche Welle na sigurojnë se u vjen keq për pjesëmarrjen në pushtimin e Ukrainës dhe se nuk kanë qëlluar mbi njerëzit paqësorë në fshatra dhe qytete. Hetuesit ukrainas nuk kanë dëshmi për krime të mundshme lufte të kryera prej tyre. Të burgosurit do të kontrollohen edhe me aparaturën dedektuese për gënjeshtrat.

Punonjësit e burgut pretendojnë se ushtari rus Wadim S., i cili ka qenë po ashtu në këtë burg, ka pranuar gjatë kontrollit në makinën e gënjeshtrave se ka qëlluar mbi një civil në rajonin e Sumy-t dhe e ka vrarë atë. Më 23 maj ai u dënua nga një gjykatë ukrainase me burgim të përjetshëm. Ky ka qenë gjykimi i parë dhënë në një proces kundër një robi rus lufte në Ukrainë.

Sa kushton mbajtja e një robi lufte të burgosur? 

Në bisedë me Deutsche Wellen asnjë nga të burgosurit nuk ankohet për kushte të këqija ose për trajtim çnjerëzor: “Çdo ditë na pyesin nëse na duhet gjë. Kur është e mundur na e sjellin atë gjë që na duhet. Ushqimi është në rregull,” thotë Romani.

 

Sipas të dhënave të Ministrisë ukrainase të Drejtësisë për një të burgosur lufte nevojiten çdo muaj rreth 3000 grivna (rreth 95 euro) për ushqime, veshje, artikuj higjene si dhe ujë dhe drita. Këtyre u shtohen shpenzimet për aparate mjekësore dhe medikamentet si dhe kostot e personelit.

Zëvendësministrja e Drejtësisë Olena Wysozka i tha Deutsche Welles se shpenzime të tilla justifikohen, sepse kushtet e burgimit për të burgosurit duhet të përtshtaten me Konventën e Gjenevës. Përveç kësaj të bursogurit rusë duhet të jenë të gjallë dhe të shëndetshëm për të bërë këmbime me ukrainasit e kapur nga rusët.

Trajtimi i të burgosurve në Ukrainë dhe Rusi

Në një intervistë me Deutsche Wellen, drejtuesja e Misionit të OKB për të drejtat e njeriut në Ukrainë, Matilda Bogner, deklaroi se kushtet e burgimit për robët rusë të luftës janë në përgjithësi të kënaqshme. Sipas Bogner vëzhguesit e OKB kanë pasur edhe informacione se ushtarët rusë janë keqtrajtuar pas kapjes dhe janë torturuar.

 

Ka të dhëna se të burgosurot ukrainas në Rusi dhe territoret e kontrolluara nga rusët në Ukrainë, janë torturuar direkt pas kapjes, thotë Bogner: “Ka pasur mungesa ushqimi dhe higjene, trajtimi i të burgosurve nga rojet ka qenë i ashpër.” OKB kërkon nga të dy palët që t’i trajtojë me humanizëm të burgosurit e luftës dhe të hetojë pa vonesë me efektivitet të gjitha rastet e pretenduara për tortura dhe keqtrajtime të të burgosurve.

Të dhëna zyrtare për numrin e ushtarëve rusë që ndodhen të burgosur në Ukrainë, nuk ka. Numri i tyre ndryshon vazhdimisht për shkak të këmbimeve të herëpashershme. “Shpresa vdes e fundit,” thotë 20 vjeçari Dmitrij, i cili shpreson po ashtu të këmbehet. Mbas tre muajsh burgim ai nuk do gjë tjetër, por vetëm të kthehet në shtëpi. Dhe ai thotë se nuk do të shërbejë më kurrë në ushtri.

dw

 

Takimi G-7 u jep fund punimeve, premton ndihma për Ukrainën

g7Udhëheqësit e demokracive më të pasura në botë kanë dalë me një qëndrim të bashkuar të martën për të mbështetur Ukrainën “për aq kohë sa është e nevojshme”, ndërsa vazhdon agresioni rus.

 

Ndërsa i dhanë fund takimit të G-7, udhëheqësit thanë se po shqyrtojnë hapa të mundshëm për të kufizuar të ardhurat e Kremlinit nga shitja e naftës, me të cilat financon luftën.

Deklarata përfundimtare nga takimi i G-7 parashtron nevojën për të ndërmarrë masa që ndalojnë importin e naftës ruse përtej një çmimi tavan. Udhëheqësit ranë dakord të ndalojnë importin e arit rus dhe të shtojnë ndihmat për vendet e prekura nga mungesa e ushqimit, si rezultat i bllokadës ruse ndaj dërgesave të drithërave ukrainase përmes Detit të Zi.

Udhëheqësit e G-7 hapën dyert e takimit të hënën për ekonomitë në zhvillim, duke ftuar udhëheqësit e Argjentinës, Indisë, Indonezisë, Afrikës së Jugut dhe Organizatës Botërore të Tregtisë, ndër të tjera, për të kontribuar në përballjen me disa nga sfidat më të mëdha të botës: në radhë të parë intensifikimin e agresionit rus në Ukrainë dhe ndikimin global.

Rusia intensifikoi sulmet ndërsa vazhonte takimi i G-7, me një raketë që goditi një qendër tregtare të mbushur me njerëz në Ukrainën qendrore të hënën. Kancelari gjerman Olaf Scholz, vendi i të cilit organizoi takimin, dënoi sjelljen e Rusisë.

“Më herët, me shumë vetëdije e quajta këtë një pikë kthese, për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës. Të gjitha rregullat dhe marrëveshjet që kemi bërë me njëri-tjetrin për mënyrën dhe bashkëpunimin e shteteve janë prishur. Sidomos pajtueshmëria se kufijtë nuk duhet të zhvendosen përmes forcës”.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, iu drejtua shtatë udhëheqësve të hënën në mëngjes përmes një video-konference duke kërkuar më shumë ndihma. Ai ka shprehur shqetësime lidhur me thellimin dhe përhapjen e mundshme të konfliktit.

“Dua t’u drejtohem qytetarëve të Bjellorusisë, si civilëve edhe ushtarakëve, po ju detyrojnë të hyni në luftë. Gjithçka për ju është vendosur në Kremlin, sot më shumë sesa në shkurt, ose në muajt e pranverës. Jetët tuaja nuk kanë asnjë vlerë për ata. Por ju nuk jeni skllevër apo mish për top”.

Udhëheqësit e ekonomive më të mëdha në botë thonë se ata gjithashtu duan ta shtojnë trysninë ekonomike ndaj Rusisë. Ndër idetë e diskutuara ishte edhe çmimi tavan i naftës ruse, që në thelb do të thotë refuzimi i pagesës përtej një çmimi të caktuar.

Analistët thonë se është e paqartë nëse kjo ide do të funksionojë pa bashkëpunimin e Indisë, e cila kohët e fundit ka blerë naftë nga Rusia me zbritje çmimi.

“Për të patur rezultat, të gjithë blerësit e naftës duhet të jenë dakord. Ka një pajtueshmëri mes vendeve të G-7 dhe disa vendeve të tjera, por jo India dhe Kina, dy vende të mëdha, që po blejnë naftën ruse tani. Mendoj se nuk ka gjasa që Kina do t’i bashkohet një klubi të tillë, duke patur parasysh se në thelb ka një qëndrim pro-rus ose neutral ndaj luftës. Gjithmonë do të ketë qëndrime kundër, por një qendrim i unifikuar, edhe pa Kinën, do të dëmtonte seriozisht të ardhurat financiare ruse”, thotë Dan Hamilton, profesor në Universitetin Johns Hopkins dhe analist me Institutin Brookings.

Konflikti në Ukrainë dhe zgjidhja e këtyre çështjeve ka të ngjarë të dominojë takimin e NATO-s që fillon punimet të mërkurën në Madrid.

voa

Studimi: Moti ekstrem lidhet me ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njerëzit

moti ekstremShkencëtarët më në fund kanë konfirmuar lidhjen midis ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu dhe disa ngjarjeve ekstreme të motit, në një studim të ri

Hulumtimi tregon se aktivitetet njerëzore kanë një efekt të drejtpërdrejtë në disa lloje të motit ekstrem duke përfshirë valët e të nxehtit dhe reshjet në formë stuhie.

Vala e të nxehtit që prek aktualisht Evropën, për shembull, ka të ngjarë të jetë nga një deri në tre gradë më e nxehtë për shkak të ndryshimeve klimatike.

“Unë mendoj se mund të themi me shumë besim se çdo valë e të nxehtit që ndodh sot është bërë më intensive dhe më e mundshme për shkak të ndryshimeve klimatike”, thotë shkencëtarja klimatike Dr Friederike Otto, e cila është bashkautore e studimit.

Studimi paralajmëron gjithashtu se boshllëqet e mëdha në të dhënat nga shumë zona në botë ende fshehin shkallën e plotë të dëmit të ndryshimeve klimatike, ndërsa valët e të nxehtit po bëhen deri në 10 herë më të mundshme në disa zona .

Top Channel

Për Vjosën/ Bashkëpunim i qeverisë shqiptare me Patagoninë, për të shpallur Park Kombëtar lumin e egër të Europës

VjosaKompania e veshjeve, Patagonia, e përfshirë në fushata ndërgjegjësuese, mes të cilave mbrojtjen e lumit Vjosa, njofton se ka nënshkruar një marrëveshje me qeverinë shqiptare për të krijuar parkun e parë kombëtar të lumit të vetëm të egër në Evropë.

 

Qeveria shqiptare u angazhua të punojë bashkë me një ekip ekspertësh, përfshirë EcoAlbania, Riverwatch, Euronature dhe të tjerë nga fushata Save the Blue Heart, për të mbrojtur Vjosën.

Lumi Vjosa dhe degët e tij në mbi 300 km gjatësi është shtëpia e 1.100 llojeve të kafshëve, duke përfshirë 13 kafshë të kërcënuara globalisht dhe dy specie bimore.

Top Channel