Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në Shkup për ‘propozimin francez’

MichelAutoritetet maqedonase e shohin vizitën e kreut të Këshillit Evropian si një tregues për përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me Bullgarinë fqinje dhe integrimit të vendit në Bllok.

 

Autoritetet në Shkup dhe zoti Michel janë të një mendimi se ai që tashmë po njihet si ‘propozim francez’ do të mundësojë hapjen e fazës së parë të bisedimeve, me çka do të zhbllokohet procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Kjo gjë, sipas Shkupit, do të paraqiste avancim dhe mirëqenie jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për gjendjen e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor.

“Nëse e ndryshoni Kushtetutën, kjo do të shikohet si zotim i mëtejmë për standardet e larta dhe pa nevojën e vendimeve të tjera do të nxisë në mënyrë automatike konferencën ndërqeveritare dhe do të çelen bisedimet. Vendimi u takon ju”, tha Presidenti i Këshillit Evropian gjatë një konference shtypi. Ai iu drejtua publikut duke thënë se “ky shans nuk duhet humbur dhe se asnjëherë nuk keni qenë më afër për t’i thënë “po”, BE-së dhe së ardhmes”.

Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski lidhur me propozimin tha se të gjitha kundërshtitë në opinionin publik janë të rreme; populli maqedonas nuk ka mundur të asimilohet as në të kaluarën dhe as nuk do të asimilohet, tha ai, ndërkohë që shtoi se Protokolli me Bullgarinë është një çështje dypalëshe dhe nuk është çështje e çeljes së negociatave me BE-në.

Propozimi evropian apo francez, ka përfshirë vërejtjet e palës maqedonase sipas zotit Kovaçevski.

“Në propozimin evropian kemi qëndrime të përcaktuara për pranimin e qartë dhe pa dilema të gjuhës maqedonase; gjuha maqedonase në propozim është absolutisht e pastër dhe e njejtë me gjuhët tjera të BE-së pa kurrfarë fusnotash apo shpjegimesh”, tha zoti Kovaçevski.

“E ardhmja e tre fëmijëve të mi dhe e ardhmja e të gjithë fëmijëve tanë do të jetë më e sigurt dhe më përparimtare me Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ne, shtoi kreu i Këshillit Evropian, duam që ju të na bashkoheni dhe qëllimi ynë është ta përshpejtojmë procesin”. Zoti Michel theksoi se çelja e negociatave do të sillte avansime si për shembull në investime dhe shkëmbime tregtare; pastaj përfshirje në nisma që janë të hapura vetëm për vendet anëtare të BE-së

Presidenti Stevo Pendarovski, nga ana tjetër ka ngritur shqetësimet e një pjese të qytetarëve lidhur me çështjet e identitetit të popullit maqedonas duke theksuar se gjuha dhe identiteti duhet patjetër të respektohen dhe garantohen nga Bashkimi Evropian.

Çeljen e shpejtë të bisedimeve e dëshirojnë edhe Shtetet e Bashkuara, të konsideruara si partnere strategjike të vendit të vogël Ballkanik.

Jake Sullivan, këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, shkruante në Twitter se “që nga anëtarësimi në NATO, Maqedonia e Veriut ka qenë një aleate e fuqishme, se ajo mund të kontribuojë edhe BE-së. Inkurajojmë miqtë tanë që të gjejnë mundësinë për çeljen e negociatave për procesin e anëtarësimit në BE”, shkruante zotëri Sullivan.

Ndërkohë, përpjekjet për arritjen e shpejtë të kompromisit po synohen të bllokohen nga opozita maqedonase me VMRO-DMPNE-në që po thërret në protesta kundër qeverisë. Mbrëmë protestat ishin të dhunshme para ndërtesës së qeverisë dhe parlamentit dhe ishin protestuesit ata të cilët thyen barrikadat dhe hodhën mjete të forta kundër dy institucioneve më të larta, duke lënë të plagosur, sipas organeve të rendit, të paktën katër policë.

Policia u tregua e qetë dhe nuk ndërmori masa për zmbrapsjen e demonstruesve. Protesta janë parlajmëruar edhe për sonte. VMRO-ja dhe demonstruesit thonë se qeveria po heq dorë nga gjuha, historia dhe identiteti maqedonas, pa të cilat popullit maqedonas “s’ka çka i duhet Bashkimi Evropian”.

Qeveria pritet ta miratojë edhe Protokollin me Bullgarinë, i cili deri më tani nuk ka qenë i disponueshëm për publikun. Aty jepen hollësi lidhur me gjuhën, historinë dhe identitetin maqedonas. Ndërsa qeveria maqedonase thotë se këto çështje janë të garantuara dhe nuk do të jenë në tryezën e bisedimeve, propozimi francez kërkon hapjen e Kushtetutës dhe futjen e pakicës bullgare në Preambulë para fillimit të negociatave midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, për hapjen e Kushtetutës dhe njohjen e pakicës bullgare në Preambulë, nevojitet dy e treta e votave në parlament, të cilat aktualisht shumica parlamentare nuk i ka. Partitë shqiptare të opozitës janë deklaruar pro propozimit francez, teksa votën e tyre e kushtëzojnë me ndryshimin e formulës për gjuhën shqipe së cilës kushtetuta i referohet si “gjuha të cilën e flasin 20 përqind e popullatës”.

voa

Termometri do të shënojë 39 gradë Celsius, parashikimi i motit për sot

moti-Temperaturat e larta do të mbizotërojnë në vendin tonë dhe këtë të mërkurë, ndërkohë që parashikohet mot i kthjellët dhe pa vranësira.

 

Vendi mbetet nën zotërimin e masave ajrore nga kontinenti afrikan.

Sipas MeteoAlb, temperaturat e ajrit do të ulen në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 15°C deri në 39°C. Parashikohet që gjatë pasdites të këtë grumbullim të vranësirave në zonat veri-veriperëndimore por nuk do të kemi reshje shiu.

Era do të fryje mesatarisht me shpejtësi 40 km/h nga drejtimi Veriperëndimor duke krijuar në det dallgëzim 2 – 3 ballë.

Top Channel

PE-ja voton sot raportet për Kosovën dhe Serbinë

flamujt parlamenti BENë seancën plenare të Parlamentit Evropian të mërkurën do të votohen raportet për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, që ishin miratuar para një muaji në Komisionin e Politikës së Jashtme. Votimi pason debatin e zhvilluar të martën mbrëma në PE për këto raporte.

 

Gjatë debatit, sa i përket Kosovës dominuan thirrjet që të liberalizohen vizat dhe të ketë përparim në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Raportin për Kosovën e ka përgatitur deputetja gjermane, Viola von Cramon. Gjatë fjalimit në debatin e 5 korrikut, von Cramon tha se mirëpret qëndrimet e Kosovës rreth luftës në Ukrainë dhe bëri thirrje edhe një herë që të liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës.

“Qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm po ashtu se unë personalisht dhe Parlamenti Evropian kemi ngritur vazhdimisht nevojën për liberalizimin e menjëhershëm të vizave, gjë që është zgjatur së tepërmi përkundër faktit se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet”, tha von Cramon.

Me përjashtim të disa deputetëve nga radhët e të djathtës ekstreme, shumica e ligjvënësve kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën dhe kjo do të jetë edhe në versionin përfundimtar të tekstit të raportit që do të votohet të mërkurën.

Teksti pritet të mbetet pak a shumë ashtu siç ishte miratuar në Komisionin e Politikës së Jashtme. Në seancë plenare, sipas deputetëve, do të jetë sfidues vetëm votimi rreth një amendamenti ku kërkohet që marrëveshja gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, që duhet të dalë nga dialogu, të përfshijë edhe njohjen e ndërsjellë.

 

Kjo kërkesë ishte miratuar në Komisionin e Politikës së Jashtme edhe pse këtë e kishte kundërshtuar raportuesi për Serbinë, Vladimir Biliçik, i cili është nga Sllovakia, shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Tani ka përpjekje që formulimi që përfshin njohjen e ndërsjellë të hiqet gjatë votimit në seancën plenare.

Në tekstin e raportit po ashtu përsëritet thirrja që pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.

Pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën janë: Spanja, Sllovakia, Rumania, Qipro dhe Greqia.

Nga Serbia në raport do të kërkohet që të mbështet qëndrimet e BE-së ndaj Rusisë dhe agresionit ndaj Ukrainës, përfshirë edhe sanksionet që Bashkimi Evropian i ka vendosur kundër Moskës.

 

Serbia është i vetmi shtet në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Ndryshe, rezoluta të tilla të Parlamentit Evropian, që në formën e raporteve individuale për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor miratohen një herë në vit, kanë një rëndësi politike, por ato nuk janë obliguese për vendet anëtare të BE-së.

rel

Kurti: Procesi i Berlinit i nevojshëm për integrimin në BE

Olaf Scholz dhe Albin KurtiKryeministri i Kosovës shpreson që Procesi i Berlinit do të rinisë këtë vjeshtë nga kancelari gjerman, Olaf Scholz. Sipas Kurtit Kosova beson te ky paralajmërim i Gjermanisë.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është i bindur dhe shpreson shumë që procesi i Berlinit që përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor, do të rifillohet nga kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz. Kurti tha se zgjidhja për Ballkanin Perëndimor është Bashkimi Evropian dhe se drejt arritjes së këtij qëllimi duhet “Procesi i Berlinit 2.0”.

Këtë deklaratë kryeministri i Kosovës e bëri  nga Greqia ku po merr pjesë në konferencën “Evropa Juglindore – a mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?”,  organizuar nga Qeveria e Greqisë dhe “The Economist”.

“Unë besoj se me presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe me kancelarin Scholz në Berlin, ne mund të ringjallim urën transatlantike, e cila në shekullin 21-të është edhe më e rëndësishme sesa në shekullin e 20-të. Procesi i Berlinit 2.0, nëse mund ta quajmë kështu, mund të sjellë një valë që mund t’i shtyjë përpara të gjitha anijet në Ballkanin Perëndimor, kryesisht disa nisma, programe të modeluara sipas EFTA EEA, diçka të ngjashme sikurse Norvegjia, Lihtenshtajni, Zvicra dhe Islanda kanë me BE-në, komitete dhe këshilla të përbashkët, mekanizma vëzhgimi, gjykatë të përbashkët me BE-në si vlerë dhe mekanizëm, jo jashtë BE-së”, tha Albin Kurti gjatë diskutimit në këtë konferencë.

 

Gjermania prioritet ndihmën për shtetet e Ballkanit Perëndimor

Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, gjatë vizitës së tij në Kosovë me 10 qershor, tha se Qeveria gjermane e ka vendosur si prioritet ndihmën për shtetet e Ballkanit Perëndimor që të përafrohen me Bashkimin Evropian dhe në këtë linjë ai tha se këtë vit do ta rijetësojë procesin e Berlinit me një takim në vjeshtë.

“Rajoni duhet të përparojë referuar krijimit të një tregu të përbashkët rajonal dhe katër marrëveshjet e rëndësishme për lëvizjen e lirë, të njerëzve, për njohjen e diplomave profesionale që duhet të lidhen shpejt”, tha kancelari Scholz.

Nga ana e saj qeveria e Kosovës vazhdon ta refuzojë nismën tjetër rajonale “Open Ballkan”, ndërsa sipas kryeministrit të Kosovës “Procesi i Berlinit do të përshpejtojë reformat dhe do t’i sjellë gjashtë shtetet e Ballkanit më pranë bllokut evropian”.

Procesi i Berlinit është një nismë e iniciuar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme e Gjermanisë, Angela Merkel dhe ky proces ka në fokus ka lëvizjen e lirë të njerëzve, të shërbimeve, mallrave dhe kapitalit. Procesi i Berlinit përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinën. Me nismën e Gjermanisë, shtetet pjesëmarrëse në procesin e Berlinit janë: Gjermania, Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Polonia, Sllovenia dhe Italia.

dw

Kosova dhe MCC diskutojnë për zbatimin e marrëveshjes së re për energjinë

Sarah Olmstead MCCNjë delegacion i Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit, diskutoi të martën me autoritetet në Prishtinë mbi zbatimin e programit 202 milionë dollarësh të kësaj korporate për energjinë, i cili u miratua ditë më parë. Programi 5 vjeçar parasheh investime në infrastrukturën energjetike.

 

Drejtoresha për Kosovën e Korporatës amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), Sarah Olmstead, tha të martën se programi prej 202 milionë dollarësh i miratuar ditë më parë me qeverinë e Kosovës, po ndodh në kohën e duhur kur bota po përballet me krizë energjetike, të nxitur edhe nga agresioni rus në Ukrainë.

Ajo i bëri këto komente pas takimit të bordit të kësaj korporate me autoritetet në Prishtinë.

“Të gjithë e dimë se sektori i energjisë në Kosovë dhe në tërë rajonin është në një situatë mjaft të vështirë, për shkak të krizës me energjinë në Evropë dhe luftës, prandaj do t’u bëja thirrje të gjithëve që të shfrytëzojnë këtë moment dhe të punojnë së bashku për të përshpejtuar procesin e përfitimit që do të kenë njerëzit në Kosovë nga ky investim”, tha ajo.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ky program paraqet investimin më të madh në historinë e Kosovës, që sipas saj edhe një herë dëshmon për partneritetin dhe miqësinë e thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ky program do të sjellë në Kosovë rezerva të energjisë nëpërmjet baterive të kapacitetit të lartë, rreth 347 megavat orë rezerva, të cilat do të kryejnë funksionin e stabilizimit të frekuencave të rrjetit si dhe shfrytëzimit të energjisë së ruajtur gjatë natës – në orët më të ngarkuara gjatë ditës, që do të thotë ulje të importit të shtrenjtë të energjisë”, tha zonja Rizvanolli.

Ajo tha se programi do të përqendrohet edhe në zhvillimin e shkathtësive të fuqisë punëtore, posaçërisht grave, ndërsa do t’ia kursej Kosovës rreth 15 milionë euro në vit.

“Programi kompakt do të mundësojë një tranzicion të shpejtë dhe të drejtë energjetik në Kosovë në një të ardhme me energji të ripërtërishme. Strategjia e energjisë, siç e dini, parasheh instalimin e së paku një mijë 400 megavatëve kapacitete të energjisë diellore dhe të erës të cilat do të kyçen në rezerva për t’u shfrytëzuar në kohërat kur nuk kemi diell ose erëra të mjaftueshme, me anë të baterive që do t’i blejmë përmes këtij programi”, tha ajo.

Zonja Olmstead, tha se përfshirja e grave në sektorin e energjisë dhe në përgjithësi në tregun e punës në Kosovë është shumë e rëndësishme.

“Mendoj se nuk është befasi për askënd këtu që Kosova ka një ndër shkallët më të ulta në botë të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, dhe luftimi i pengesave që po i mbajnë gratë jashtë tregut të punës është shumë me rëndësi, në mënyrë që t’u mundësohet të gjithëve të përfitojnë nga zhvillimet në sektorin e energjisë në Kosovë dhe rajon”, tha ajo.

Programi ‘kompakt’ ka vlerën e 202 milionë dollarëve që nuk duhet të kthehen, ndërkaq qeveria e Kosovës investon rreth 35 milionë euro në të. Programi 5 vjeçar synon nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të ekonomisë së Kosovës.

Marrëveshja u negociua gjatë pranverës dhe pasoi një periudhë debatesh pas vendimit të muajit shtator të vitit të kaluar të qeverisë së Kosovës për t’u tërhequr nga projekti i propozuar nga kjo korporatë, i cili parashihte lidhjen e Kosovës me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut.

Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit është një agjenci e pavarur e qeverisë amerikane që punon për të zvogëluar varfërinë në botë përmes rritjes ekonomike. E themeluar në vitin 2004, MCC-ja ofron ndihmë të kufizuar në kohë për vendet që përmbushin standardet e rrepta për qeverisje të mirë, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e të drejtave demokratike.

voa

Kur në bordel kërkohet moral

flamur-shqiptar-dhe-maqedonShqiptarët nuk mashtrohen me teatrot e “luftës kundër krimit dhe korrupsionit” të udhëhequr pikërisht nga kriminelë dhe të korruptuar, e as me maskarada të shëmtuara në parlamentin e ish IRJM që për shqiptarët përfaqëson një bordel politik, ku përfaqësuesit e tyre shesin shërbime politike partive sllave…

“Duhet ti biesh tavolinës me grusht” mburreshin rrugeçërit dhe mashtruesit, të cilët, në teatrin e sapokrijuar politik të quajtur “Maqedoni” panë mundësinë e artë për t’u pasuruar, dhe menjëherë zunë majat e organizimit politik të shqiptarëve të ish IRJM. Derisa njëra palë e përfaqësuesve politikë shqiptarë, mbeturina të sistemit monist dhe shërbëtorë të vjetër të pushtetit sllav, me autoritetin e pushtetarit me përvojë, shisnin hapur, ashtu siç ishin mësuar, interesat e shqiptarëve, pjesa tjetër, e mobilizuar si “gjak i freskët” nga po i njëjti pushtet, bënte sikur luftonte  gjithë zell tradhtinë e këtyre të parëve. Ndërkohë, pasi në shkëmbim të luksit që ua premtonte pushteti,  shisnin çdo gjë që mund të shitej në tavolinë, në fund, në sy të publikut,  nuk harronin ti binin  tavolinës me grusht. Gjithmonë të ndjekur me buzëqeshje nga shefat e tyre, të kënaqur nga aktrimi dhe loja e bukur dhe “bindëse” që po interpretonin rekrutët e tyre të rinj.

Pikërisht një teatër i tillë na u servua edhe para ca ditësh, kur para kamerave të mediave televizive, në mbledhjen e rradhës të Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane, u përplasën deputetët e VMRO dhe ASH me kryetarin e komisionit, dhe ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademin.

Vërtetë, Arbër Ademit dhe zyrtarëve të tjerë të BDI, u lexohet në ballë tradhëtia që janë duke i bërë interesave kombëtare të bashkëkombasve të tyre, ndaj kjo farsë e “trimit” që u përplas në fytyrë aleatëve të deridjeshëm, deputetëve të VMRO dhe ASH filxhane kafeje, ishte e pritshme dhe lehtësisht e kuptueshme.

Por kush ishin “trimat” që “luftonin” me Arbër Ademin dhe për çfarë bëhej “lufta”?

Sa i përket deputetëve të VMRO, çdo gjë të bëhet e qartë kur kujton klithmat nëpër mitingjet e tyre ku kërkohet dhoma gazi për shqiptarët, krimi dhe korrupsioni galopant gjatë qeverisjes së tyre, dhe fytyrat e shtrembëruara nga urrejtja e militantëve të VMRO, derisa ushtronin dhunë në parlamentin e ish IRJM, më 27 prill 2017. Ishin pikërisht këta deputetë të VMRO, një pjesë e të cilëve hapën dyert e parlamentit, ndërsa pjesa tjetër vëzhgonin të qetë militantët e tyre duke përgjakur deputetë të partive kundërshtare.  Dhe ishte pikërisht kryetari i partisë së dy deputetëve, Halil Snopçe dhe Elmi Aziri, që u përfshinë të parët në maskaradën e shëmtuar në mbledhjen e Komisionit për Çështje Evropiane, që e pësoi më së shumti, duke rrezikuar edhe jetën.

Çfarë ishte “kauza” që po mbronin dy deputetët e ASH, bashkë me ata që para ca vitesh, masakruan kryetarin e tyre?

Në një kohë kur ish IRJM, e konsideruar  nga vet zyrtarë të ish IRJM, e tani më edhe nga një shtet i BE, si krijesë politike artificiale e partisë komuniste të Serbisë, gjendet në udhëkryqin, i cili shqiptarëve që përfaqësojnë së paku një të tretën e popullsisë,  u jep përsëri një shans për të avancuar statusin e tyre të kushtetues, deputetët e ASH “opozitare” bëjnë “luftë” me BDI, për të penguar projektligjin për zgjatjen e moshës së pensionimit të gjykatësve! Athua se për shqiptarët do të ndryshonte gjë mosha e pensionimit të gjyqtarëve, në gjyqësorin e pareformuar që nga sistemi monist. Në gjyqësorin kryekëput antishqiptar, i cili si në monizëm ashtu edhe tani, si me gjykatës të vjetër ashtu edhe me të rinj, ka për detyrë për të mbrojtur shtetin unitar të “maqedonasve”, nga shqiptarët “agresorë”.

Shqiptarët nuk mashtrohen me teatrot e “luftës kundër krimit dhe korrupsionit” të udhëhequr pikërisht nga kriminelë dhe të korruptuar, e as me maskarada të shëmtuara në parlamentin e ish IRJM që për shqiptarët përfaqëson një bordel politik, ku përfaqësuesit e tyre shesin shërbime politike partive sllave që paguajnë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Sikur ASH, të ishte një parti e mirëfilltë opozitare, me një platformë politike kombëtare në vend të luftës për pushtet në koalicion me VMRO, e cila shqiptarët i konsideron agresorë të “shtetit të tyre”, sot këta deputetë të ASH, do të duhej të ishin në ballë të protestave kundër mercenarizmit të BDI në pushtet, me kërkesat e drejta për hapjen e kushtetutës, avancimin e statusit kushtetues të shqiptarëve në atë të shtetëformuesit, dhe ndryshimin e sistemit qeverisës unitar, qe shkel me të dy këmbët të drejtat kolektive të shqiptarëve.

Në qoftëse në ASH, në vend të kandidatëve për punësim, ka anëtarësi që ndjek oferta, programe dhe platforma politike, për një të ardhme më të mirë, evropiane, do të ishte pikërisht kjo më sipër, që do të kërkonte me ngulm nga kryesia e Partisë. Veprime politike të tilla, realisht opozitare të ASH, do ti përkrahja edhe unë.  Këtyre protestave do t’u bashkohesha edhe unë!

Afrim Fanda

Thirrjet e Rexhep Qosjes për rikthim drejt vlerave etike

QosjaRexhep Qosja thërret me zë për rikthim drejt vlerave etike.

Ai e orienton thirrjen e tij sidomos ndaj veprimtarëve, intelektualëve dhe qytetarëve. Dhe këtë gjë e bën në një mënyrë tepër të rrallë: “Në Greqinë e lashtë, në kohën e Homerit, rreth zjarrit të ndezur në nderim të heroit të rënë në luftë ecnin shokët, miqtë dhe adhuruesit e tij, duke hedhur në zjarr të gjitha ato që i donin më së shumti: kush kalin, kush robin e kush vetveten…”

së shpejti artikulli i plotë…

koha

Moti sot me diell dhe me temperatura deri në 39 gradë celsius

moti-Në Maqedoni moti sot në mëngjes do të jetë me diell dhe shumë i ngrohtë me vranësira të ulëta deri në mesatare.

 

Pasdite dhe në mbrëmje do të ketë zhvillim të vranësirave të paqëndrueshme me reshje lokale të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë të fortë, me mundësi të kushteve klimatike për shfaqjen e stuhive afatshkurtëra.

Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 12 deri në 21 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 31 deri në 39 gradë.

UV indeksi do të jetë =9

Në Shkup do të mbaj mot me diell me vranësira të vogla deri në mesatare dhe me erë të dobët veriperëndimore.

Pasdite në një pjesë të luginës do të ketë zhvillim të vranësirave të paqëndrueshme me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë të fortë.

Temperatura minimale do të zbresë deri në 20 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë në 37 gradë.

Sot dhe nesër do të mbajë mot shumë i ngrohtë, pasdite dhe në mbrëmje do të ketë zhvillim të vranësirave të paqëndrueshme të përcjella me reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të fortë.

Ditën e mërkurë do të kemi mot të paqëndrueshëm, në shumë vende dhe do të ketë rënie të temperaturave, sidomos në pjesët veriore me 3 deri në 5 gradë.

Një tjetër valë e lagësht me temperatura në rënie do të jetë kudo nga e premtja deri në fundjavë.

Temperatura përvëluese deri në 41 gradë! Mësoni parashikimin e motit për sot në vendin tonë

vapaMbetemi në ndikimin e motit të kthjellët dhe të nxehtë gjatë gjithë paradites, por orët e pasdites do të sjellin zhvillim të vranësirave në vend ku në zonat veriore dhe verilindore do të gjenerojnë rrebeshe afat-shkurtra shiu, herë pas here priten dhe mini- stuhi breshëri.

 

Sipas MeteoAlb, mbrëmja dhe nata përmirësojnë sërish motin duke ri-sjellë kthjellimet në territor.

Temperaturat e ajrit do të rriten lehtë në mëngjes, por konstante vijojnë në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 17°C deri në 41°C.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 30 km/h nga drejtimi verior – veriperëndimor, duke krijuar në brigjet detare dallgëzim të ulët.

Top Channel

Scholz: Gjermanët duhet ta përballojnë së bashku krizën e kostove të jetesës

Kancelari gjerman Olaf ScholzNë një video podcast kancelari Olaf Scholz tha se rritja e çmimeve është mjaft shqetësuese. Ministrat, sindikatat, banka federale dhe akademikët mblidhen për të diskutuar për gjendjen.

 

Kancelari gjerman, Olaf Scholz u kërkoi qytetarëve që t‘i përballojnë së bashku problemet ekonomike të vendit, sepse inflacioni në ekonominë gjermane vazhdon të mbetet i lartë.

Në video podkastin e tij javor kancelari Scholz pranoi se rritja e çmimeve po shqetëson shumë qytetarë në Gjermani dhe u bëri thirrje qytetarëve të përkrahin dhe mbështesin njëri-tjetrin.

Sipas të dhënave të fundit çmimet në qershor u rritën me 7.6% krahasuar me një vit më parë, dhe Scholz tha se do të organizojë një takim ekspertësh për të trajtuar krizën e kostove të jetesës. Kancelari tha se për këtë takim ka ftuar sindikatat, punëdhënësit, përfaqësues të Bankës Qendrore (Bundesbank) dhe akademikë.

Fushata e quajtur “Veprim i Koncertuar” të kujton përpjekje të ngjashme të ish-kancelarëve të Gjermanisë Perëndimore në vitet 1960 dhe 1970.

 

Rritje e përhershme pagash apo një shtesë vjetore 

Ekonomistë dhe politikanë kanë hedhur ditët e fundit disa ide për të lehtësuar barrën e kostove mbi qytetarët.

Ministri i Punës, Hubertus Heil, hodhi idenë e pagimin të një shtese vjetore për beqarët që fitojnë më pak se 4,000 euro bruto në muaj dhe për të martuarit që fitojnë më pak se 8,000 euro së bashku.

Expertët e Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW) thanë se pagimi i njëhershme i një shtese vjetore ofron vetëm lehtësim të përkohshëm. “Vetëm paga më të larta dhe përfitime sociale mund të kompensojnë në mënyrë të qëndrueshme dëmin ndaj qytetarëve me të ardhura të mesme dhe të ulëta,” tha presidenti i DIW, Marcel Fratzscher për agjencinë e lajmeve dpa.

Politikania social-demokrate, Saskia Esken, kërkoi rritjen e ndihmave dhe mbështetjes sociale në përshtatje me rritjen e inflacionit.

Përveç kësaj ajo kërkoi edhe një ngritje të ndjeshme dhe të përhershme të pagave, veçanërisht të pagave të ulëta.

Ekspertja ekonomike e partisë CDU, Julia Klöckner, bëri thirrje për uljen e përhershme të taksave, ndër të tjera ato mbi energjinë.

Inflacioni i lartë në Gjermani u përkeqësua nga pushtimi rus i Ukrainës. Kryeekonomisti i DekaBank, Ulrich Kater, tha për agjencinë e lajmeve Reuters se nuk mendon se çmimet do të ulen në një të ardhme të afërt. Kater tha se “deri në fund të vitit duhet të llogarisim me një rritje inflacioni deri në rreth 7%”.

dw dpa