Rritja e inflacionit në Turqi

turqiaZyrtarisht, inflacioni në Turqi ishte pothuajse 80 për qind në qershor. Opozita dhe ekspertët e vlerësojnë shumë më lart. Opozita dhe ekspertët thonë se inflacioni është shumë më i lartë.

 

Në qershor, kostoja e jetesës në Turqi është rritur me 78,6 përqind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2021. Kjo u njoftua nga Zyra Kombëtare e Statistikave në Ankara të hënën. Në muajin e kaluar, maj 2022, norma e inflacionit ishte rreth 74 përqind.

Në qershor në veçanti janë rritur çmimet e transportit dhe gjërave ushqimore. Edhe kostot e prodhimeve janë rritur shumë. Sipas Zyrës së statistikave, çmimet që paguajnë prodhuesit për mallrat e tyre janë rritur me rreth 138 përqind në qershor.

Opozita akuzon qeverinë se ka manipuluar shifrat e inflacionit, sepse ajo supozon një normë dukshëm më të lartë. Grupi që merret me studimin e inflacionit, me seli në Stamboll, Enag, pohon madje se inflacioni në qershor ka qenë 175,5 përqind.

 

Inflacioni dyfish më i lartë?

Norma e inflacionit në Turqi nxitet nga disa faktorë. Monedha e dobët kombëtare, Lira, ka bërë që çmimet të rriten ndjeshëm për një kohë të gjatë, pasi mallrat e importuara në Turqi po shtrenjtohen. Çmimet e shumë mallrave po rriten gjithashtu, jo vetëm për shkak të sulmit rus në Ukrainë.

Sipas shumë ekonomistëve, Banka qendrore turke nuk po e lufton inflacionin e lartë me vendosmëri të mjaftueshme. Në fakt, Banka ka lehtësuar politikën monetare që nga vera e kaluar.

Sipas ekonomistëve, rritja e normave të interesit mund të kundërshtojë rritjen e inflacionin. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, nga ana tjetër, argumenton se normat e larta të interesit shkaktojnë inflacion. Banka qendrore ndjek linjën e Erdoganit dhe deri më tani është përmbajtur nga rritja e normave të interesit. Që nga janari ajo ka mbajtur normat e interesit në 14 përqind.

 

Rroga minimale dhe varfëria

Pas inflacionit të lartë, Erdogani ka kërkuar rritjen e rrogave për rreth 30 përqind. Rrogat minimale do të rriten në 5.500 lira turke neto (rreth 316 euro) në muaj, tha Erdogan të premten (01 korrik) në Stamboll. Është kjo rritja e dytë brenda një viti. Normalisht, paga minimale rishikohet vetëm një herë në vit.

Sipas organizatës ombrellë të sindikatave Türk-Is, shuma e nevojshme për të ushqyer një familje me katër anëtarë ishte 6.391 lira në qershor, gati 900 lira më shumë se paga minimale.

Ndërsa kufiri i varfërisë për një familje me katër persona në Turqi ka qenë në qershor 20.818 lira (rreth 1.200 euro). Kjo do të thotë se një familje katëranëtarëshe është dashur të fitojë dy herë më shumë se para një viti, për të mos u llogaritur në kategorinë e personave të varfër.

 

 

bc/bea/hb (dpa)

Mali i Zi, protestë kundër marrëveshjes së paralajmëruar me Kishën Ortodokse Serbe

protesta Mali i ziPara selisë së qeverisë të Malit të Zi, të hënën në mbrëmje u mbajt një tubim i qytetarëve, të cilët kundërshtuan paralajmërimin e kryeministrit Dritan Abazoviq se qeveria do të bëjë publike të enjten, tekstin e një marrëveshjeje me Kishën Ortodokse Serbe.

 

“Mesazhi ynë është i qartë. Kjo marrëveshje është e dëmshme për të gjithë qytetarët e Malit të Zi”, tha aktivisti për të drejtat e njeriut, Aleksandar Sasha Zekoviq.

Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Tuzi, Husein Gjokaj tha se shqetësimin e sheh të arsyeshëm.

“Ne u themi jo atyre që negociojnë fshehurazi fatin e vendit tonë në Beograd. Edhe një herë, për të disatën herë, ne do të qëndrojmë me vendosmëri prapa vendit tonë” – tha zoti Gjokaj.

Amar Borançiq nga Partia Liberale tha se kjo qeveri edhe një herë po mbjell dyshime në veprimet e veta.

“Qeveria duhet të garantojë të njëjtat të drejta për të gjitha bashkësitë fetare në përputhje me kushtetutën – tha zoti Borançiq.

Ai tha se me marrëveshjen bazë po tentojnë të krijojnë shtet brenda shtetit dhe se një gjë të tillë nuk do t’u lejohet.

“ Sot ne mbrojmë të drejtën e çdo njeriu për të qenë i barabartë. I bëjmë thirrje qeverisë që më në fund të na ofrojë një rrugë evropiane në vend të kësaj mitomanie dhe ta çojë Malin e Zi në komunitetin e shteteve evropiane ku ka qenë gjithmonë “, tha zoti Borançiq.

Studenti Jovan Baroviq, akuzoi qeverinë aktuale se po kapitullon para Kishës Ortodokse serbe.

“Ne nuk duhet të lejojmë nënshkrimin e këtij akti të kapitullimit, çështja e nënshkrimit të kontratës bazë është “çështje e integritetit tonë”, tha Jovan Baroviq.

Protestuest mbanin pankarta të tilla si “Serbia po gllabëron Malin e Zi, do të jetë një luftë e vazhdueshme”,“Abazoviq, kishat na i morët me ligj dhe tani me marrëveshjen bazë doni të na merrni ekzistencën dhe shpirtin” ,“Tradhti” etj.

Protestuesit valëvisnin flamuj kombëtarë malazezë, si dhe flamuj të BE-së dhe NATO-s.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, hodhi poshtë mundësinë e një marrëveshjeje të afërt mes qeverisë në Podgoricë dhe Kishës Ortodokse Serbe, duke u munduar kështu të ulë disi tensionet që kanë përfshirë shtetin ballkanik.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, u shpreh më 29 qershor se pavarësisht fërkimeve në koalicion, qeveria e tij do të nënshkruante një “marrëveshje thelbësore” që do të përmirësonte marrëdhëniet e ndjeshme me Kishën Ortodokse Serbe.

Përveç çështjeve të pazgjidhura rreth pronës , analistët thonë. se kisha serbe është përzier disa herë edhe politikisht në çështjet malazeze, përfshi organizimin e protestave përpara zgjedhjeve që rrëzuan aleatët qeverisës të Gjukanoviqit në vitin 2020.

Kurti në Athinë: Zgjidhja për Ballkanin Perëndimor është BE

Albin Kryeministri Albin Kurti ka thënë se zgjidhja për Ballkanin Perëndimor është përfshirja në Bashkimin Evropian. Ai gjatë paraqitjes në panelin me temë “Evropa juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?” në Athinë, ka thënë se së bashku me presidentin e SHBA-së, Jo Biden dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz mund të krijojnë një urë transatlantike.

 

“Zgjidhja për Balllkanin Perëndimor është Bashkimin Evropian dhe drejt kësaj rruge ne kërkojmë procesin e Berlinit 2.0, në bazë të një standardi të potencuar nga kancelari Scholz. Besoj se me presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe në Berlin me kancelarin Scholz ne mund të krijojmë një urë transatlantike që në shekullin 21 është më i rëndësishëm se sa ka qenë“, ka thënë Kurti.

Sipas tij procesi i Berlinit 2.0 mund të sjellë thjesht një lëvizje të të gjitha forcave në Ballkanin Perëndimor, me një iniciativë dhe program të FTAA, ngjashëm me atë që kanë Lihtenshtajni dhe Norvegjia në kuadër të BE-së.

“Bashkimi ynë në BE duhet të jetë si vlerë dhe mekanizëm, në bazë të mekanizmave të mbikqyrjes e vëzhgimit, jo të mbesim jashtë BE-së. Besoj që BE duhet të rritet përbrenda saj dhe ne kemi nevojë nga jashtë, por ne duhet të nxjerrim në pah përbrenda vlerat e BE-së duke zhvilluar reforma demokratike gjithmonë si prioritet karshi stabilitetit politik. Reforma demokratike kundrejt stabilitetit politik për të siguruar se nuk do të kemi një shthurrje”, ka theksuar kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se sot Kosova është një tregim suksesi në bazë të intervenimeve të 99-tës nga NATO për të ndaluar gjenocidin e Serbisë dhe në këtë mënyrë për të mundësuar refugjatët që të rindërtojnë vendin dhe të rikthehen në atdhe. Po ashtu, Kurti ka thënë se Kosova është tregim suksesi edhe me zhvillimin ekonominë dhe demokracinë në zhvillim dorënëdorë.

“Kosova po tregon që përmes reformave demokratike mund të përparojë në zhvillim ekonomik. 33 përqind kemi rritje në bazë të GJDP-së dhe po ashtu kemi rritje të WDI 20 përqind, 33 përqind kemi rritje të eksportit. Investimet kapitale kemi rritje 10 përqind. Krahasuar para dy viteve buxheti vjetor i shtetit tonë është më i lartë për diku 20 përqind. Ne, po ashtu po tregojmë se me reforma demokratike në njërën anën po e bëjmë ekonominë që të rritet por po e bëjmë edhe rishpërndarjen dhe rritjen edhe më të madhe ekonomike përmes sasisë në bazë të rritjes së GJDP-së. Ne, jemi të parët në sundim të ligjit në projektin e drejtësisë, teksa edhe në Transparencë International kemi shënuar progres në adresim të korrupsionit. Kështu që Ekonomia dhe zhvillimi shkojnë së bashku. Nuk jemi shkëlqyeshëm, por jemi një shembull i mirë“ ka nënvizuar Kurti.

Ai tutje ka thënë se Kosova që nga dita e parë e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë, teksa e ka quajtur fashizëm rus atë që po ndodh në Ukrainë, derisa ka kritikuar Serbinë që është shteti i vetëm në Ballkan që nuk iu ka bashkuar sanksioneve të shteteve të BE-së ndaj Rusisë.

rtk

Politika dhe morali sipas Qosjes

Rexhep_QosjaFilozofia dhe etika politike e Rexhep Qosjes

Konceptet etike dhe filozofike të Rexhep Qosjes kanë natyrë humane. Ai nuk është një nacionalist i ashpër, siç është portretizuar shpesh në mediat serbe, por një humanist i bindur. Ai fton për sjellje racionale, etike dhe të përgjegjshme në raport me individin tjetër. Edhe bashkësia njerëzore mund të ekzistojë vetëm në saje të përgjegjësisë që ndan njeriu për njeriun dhe populli për popullin. Kombëtaren Qosja e sheh vetëm si një mundësi për të shprehur botëroren, universalen, për të krijuar parakushtet për zhvillimin e lirë të individit dhe kombit 

Hyrje

Duhet të ketë qenë vjeshta e vitit 1995 kur e kam parë për herë të parë akademik Rexhep Qosjen, në një orë letrare. Me një mjekër të zezë e karakteristike, me trupin drejt dhe kokën lart, kur hyri në sallën e Fakultetit Filozofik, ku mbahej ora letrare, salla u elektrizua nga duartrokitje frenetike. Kishte diçka sokratiane në këtë skenë. Ai ishte bërë simboli karizmatik i dijetarit, të cilin ne, të rinjtë dhe të rejat veprimtarë për Republikën e Kosovës, e konsideronim se është “në anën tonë, në anën e Republikës.” Diçka e tillë nuk ishte e rëndomtë në atë kohë.

Sociologu francez Pierre Bourdieu, duke analizuar ambientin social në një shoqëri, në mesin e katër formave të kapitalit e definon edhe kapitalin kulturor. Ai e dallon kapitalin kulturor nga ai ekonomik, social dhe simbolik. Nuk ka asnjë personalitet në botën intelektuale shoqërore në Kosovë të jetë i pajisur me më shumë vlera etike e kulturore sesa akademik Rexhep Qosja. Në krijimin e këtij kapitali vleror, profesor Qosja është ndeshur me kundërshti, arrogancë të pushtetit, përndjekje dhe dhunë të hapur psikologjike. Rezistenca e tij ndaj të padrejtës, robërisë dhe pabarazisë e ka shndërruar atë në simbol të dinjitetit intelektual ndër shqiptarë.

Figura karizmatike e Rexhep Qosjes është krijuar nëpër decenie për të marrë karakterin e një prej personaliteteve më të shquara të botës shkencore, politike dhe shoqërore ndër shqiptarë. I lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj, në Krahinën e Malësisë, ku mbaroi klasat e para të fillores dhe pastaj gjysmëmaturën në Gusi, si djalë i ri u vendos fillimisht në Mitrovicë dhe pastaj në Prishtinë. Prishtina dhe Vuthaj do ta përcjellin gjatë gjithë jetës së tij si ambiente jetësore, me gjithë dallimet e mëdha të tyre. Çdo verë profesori do të shkojë në Vuthaj, për të shijuar ajrin e pastër të bjeshkëve dhe për të përjetuar dashurinë e pamasë të malësorëve, kurse në kohë pune e semestrash do të kalojë në mesin e studentëve, pedagogëve, studiuesve dhe veprimtarëve për liri.

Profesor Qosja ka shkruar disa dhjetëra libra me studime letrare, kritikë letrare, romane, tregime, drama, recensione, vështrime, trajtesa, artikuj, sprova dhe punime politikologjike. Disa nga librat e tij janë botuar në gjuhë të ndryshme si në anglisht, gjermanisht, frëngjisht dhe gjuhë të tjera. Të njohur më së shumti e ka bërë libri i tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë.” Ky nuk është një roman i thjeshtë. Ai është paraqitja e një tabloje të zymtë të jetës së shqiptarit në Kosovë. Në të ai përshkruan jetën e rëndë nën kontrollin policor të regjimit të Lidhjes Komuniste. Ndeshja morale në mes të Danjollit të Sherkës, si shërbëtor i pushtetit, dhe Xhezairit të Xhikës, ka karakter moral, politik dhe human. Përshkrimi i gjendjes së zymtë nën robëri, përcjell një mesazh politik vleror për lexuesin që do të mund të përmblidhej në një thirrje për veprim: Kjo gjendje nuk durohet më! Këtë gjendje duhet ndryshuar! Sistemi diktatorial, me sytë e tij që vrasin, duhet zhbërë, duke punuar për të krijuar sistemin e lirisë individuale dhe kolektive. Shkrimtari ynë i njohur Ismail Kadare, duke ia paraqitur këtë vepër publikut francez, ka shkruar: “Vdekja më vjen prej syve të tillë’ është një vepër me inspirim kafkian, një roman që prish qetësinë, një vepër që profetizon apokalipsin dhe një nga veprat më të mëdha të letërsisë shqiptare.”

Por, Rexhep Qosja nuk është vetëm romansier, dramaturg dhe studiues i letërsisë. Ai është edhe një ndër politikologët tanë më të mirë. Në veprat e tij “Strategjia e bashkimit shqiptar”, “Çështja shqiptare – Historia dhe politika”, “Fjalor Demokratik”, “Paqja e përgjakshme”, “Shpërngulja e shqiptarëve”, “Demokracia e shpërdorur”, “Ideologjia e shpërbërjes”, “Realiteti i shpërfillur”, “Rilindja e dytë” etj., Qosja na shfaqet si një mendimtar origjinal në lidhje me një numër idesh dhe fenomenesh politike dhe shoqërore. Pikërisht këtë dimension të krijimtarisë së tij do ta trajtojmë në këtë punim. 

Politika dhe morali sipas Qosjes

Politika si shkencë ka lidhje të rëndësishme me etikën. Ajo përmban gjithnjë edhe anën e saj morale. Etika politike studion mundësitë e argumentimit të principeve etike (parimeve, aksiomave), normave (ligjeve dhe rregullave) dhe virtyteve (pikëpamjeve, ideve).

Profesor Qosja preferon një politikë me bazë etike, e përmbledhur në dy parime: “Parimi i parë: morali i shtetit pashmangshëm kushtëzon moralin e shoqërisë dhe, parimi i dytë, politika e moralshme historikisht është treguar më e leverdishme dhe natyrisht shumë më frytdhënëse si në përpjesëtime kombëtare ashtu edhe në përpjesëtime botërore sesa politika e pamoral.”

Duke i analizuar rrethanat e krijuara pas luftës në Kosovë, Qosja konstaton se “populli shqiptar po “kalon një krizë të shtrirë shpirtërore dhe morale.”***** Ai e shpreh hapur zhgënjimin e tij për gjendjen morale të shoqërisë shqiptare: “Deri kur dija dhe ndershmëria politike do të jenë pengesë, kurse mosdija, banaliteti dhe mashtrimi – përparësi?” Kjo krizë, sipas tij, shpërfaqet në formën e “keqpërdorimit të padenjë të lirisë.” Qosja thërret për kthim tek vlerat, idetë, parimet dhe virtytet. Në këtë kontekst Qosja është shumë i ashpër ndaj mungesës së etikës te politikanët:

“Është dobësuar shumë njeriu në politikën tonë dhe është dobësuar shumë njeriu në politikanin tonë. Më i shpeshtë se politikani i përgjegjshëm dhe zemërhapur është politikani i tjetërshfaqshëm e pa skurpuj. Më i shpeshtë se politikani i qëndruar, është politikani makiavelsit a i hallakatur, që vazhdimisht e sheh kanibalin para dyerve dhe nxit përçarje e urrejtje në opinion.”

Rexhep Qosja në projektet e tij teorike synon ta krijojë njeriun e ri shqiptar, të bazuar në idetë e Naim Frashërit për moralin: një njeri të ditur, me karakter, të qytetëruar, i cili bashkon dijen me natyrën, mendjen me nderin, aftësinë me përgjegjësinë, që i kupton nevojat e vendit, e kuptimëson jetën dhe shoqërinë. Pra me një njeri të tillë “në të cilin janë bashkuar mendja e karakteri, cilësia mendore dhe cilësia shpirtërore, natyra dhe kultura, mund të tejkalohet kriza shpirtërore e morale.” Dhe, një njeri të tillë ideal mund ta krijojë politika, shkenca dhe arsimi përmes shtetit të së drejtës, sistemit demokratik dhe sistemit arsimor të orientuar drejt shkencës. 

Ideja e lirisë dhe demokracisë

Krijimtarinë politikologjike të Rexhep Qosjes e përshkon mendimi i qartë për vlerat politike. Ai angazhohet për liri, barazi, demokraci dhe vetëvendosje si parime themelore të humanizmit njerëzor. Ai nuk beson në demokraci pa liri, as në barazi pa demokraci. Barazia e popujve nuk realizohet përmes diktateve të popujve të tjerë. Aty ku synohet të vendoset demokracia përmes gjendjes së jashtëzakonshme, aty nuk ka as liri dhe as demokraci: “Demokracia nënkupton lirinë dhe barazinë e popujve dhe të njerëzve. Pa barazi të popujve në bashkësinë shumëkombëshe, nuk mund të flitet për barazi të qytetarëve.”

Konceptet etike dhe filozofike të Rexhep Qosjes kanë natyrë humane. Ai nuk është një nacionalist i ashpër, siç është portretizuar shpesh në mediat serbe, por një humanist i bindur. Ai fton për sjellje racionale, etike dhe të përgjegjshme në raport me individin tjetër. Edhe bashkësia njerëzore mund të ekzistojë vetëm në saje të përgjegjësisë që ndan njeriu për njeriun dhe populli për popullin. Kombëtaren Qosja e sheh vetëm si një mundësi për të shprehur botëroren, universalen, për të krijuar parakushtet për zhvillimin e lirë të individit dhe kombit.

Janë me dhjetëra artikuj dhe punime tjera në të cilat ai e trajton vlerën e lirisë. Liria për të “është kuptimi i jetës së njeriut. Por, siç është provuar shumë herë gjatë historisë, sidomos gjatë shekullit të kaluar, liria në varfëri, në pushtime dhe në diktaturë nuk e kuptimëson jetën e njeriut. Liria është vërtetë liri vetëm në demokraci.” Sipas tij njeriu ka lindur për të qenë i lirë. Ai është i bindur se të gjitha pushtetet që këtë të drejtë natyrore të njeriut “e gulçojnë, e cenojnë, e kufizojnë me dhunë pashmangshëm do të vdesin prej dhunës.” Ideja e lirisë është motori shtytës i lëvizjes drejt historisë.

Kur po ushtrohej trysni e madhe ndaj shkrimtarëve shqiptarë për t’u bërë pjesë e instrumentalizimit politik në procesin e shtypjes së të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi, Rexhep Qosja ishte i pari shkrimtar shqiptar që hapur, në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë, në vitin 1985, do të fliste për mungesën e lirisë në Kosovë, do të mbronte gjuhën shqipe, identitetin kombëtar shqiptar dhe do të demaskonte dhunën që ushtronte shteti jugosllav ndaj shqiptarëve. Ai do të deklaronte: “Do të flas në gjuhën serbokroate, jo që të mos më quaj kush shkrimtar ‘autoqefal’, sepse besoj se gjuhë autoqefale s’ka në këtë botë dhe jo që të më dhurohet ndonjë duartrokitje, se e di përpara, duartrokitje për këtë diskutim nuk mund të pres, por që të më marrin vesh të gjithë. Do të flas si intelektual shqiptar, e të jesh intelektual shqiptar – shkrimtar a shkencëtar – shqiptar domethënë të jesh, porsi personazhi i Franc Kafkës, Jozef K., njeri që vazhdimisht pret ta thërrasin. Do të flas si intelektual shqiptar, e të jesh intelektual shqiptar sot, më në fund, domethënë: të jesh çka nuk je e të mos jesh çka je.”

Pas fjalimit të tij në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë do të fillonte një tiradë akuzash kundër tij. Këtij presioni kundër lirisë së tij individuale dhe kundër lirisë së popullit shqiptar, Qosja do t’i përgjigjej para shkrimtarëve jugosllavë: “Detyrë morale e shkrimtarit nuk është që të flasë siç i pëlqen dikujt, por siç është e vërteta. Unë jam këtu në parlamentin e mendjes – që të them të vërtetën, e jo në kishë – që të rrëfehem.” Në këtë fjali, në fakt, përmblidhet e gjithë esenca e etikës politike të Rexhep Qosjes.

Për të realizuar idenë e lirisë Rexhep Qosja nuk e përjashton edhe përdorimin e luftës. Pra, ai është humanist, por jo pacifist. Një popull mund të pësojë disfatë në luftë, por ai është më mirë të humb duke zhvilluar betejën, se sa pa hyrë fare në betejë. Prandaj, lindja e UÇK-së e gëzon fort profesorin. Në të ai e sheh mundësinë për të realizuar lirinë. Ajo është subjekti që e sfidon Serbinë. UÇK është për Qosjen “ushtria e popullit: ajo është e pazhdukshme, ajo pavarësisht prej disfatave që në çaste të caktuara do të mund të pësojë, do të ringjallet prej hirit të vet – si Feniksi.” Ai e adhuron krenarinë, qëndresën, vendosmërinë, qëllimet liridashëse dhe gatishmërinë për flijim të luftëtarëve tanë. Ishin këta ushtarë lirie që i dhanë shtytje zhvillimit të historisë në drejtimin e duhur: në shpërbërjen përfundimtare të burgut të popujve të quajtur Jugosllavi. 

Ideja e bashkimit kombëtar

Profesor Qosja e fillon librin e tij “Strategjia e bashkimit shqiptar” me një konstatim interesant: “Gjeografia e ka bashkuar popullin shqiptar me Evropën, por historia shumë kohë e ka ndarë prej saj. Megjithëse për nga pozita gjeografike është Evropë, për nga historia ai ishte gjatë i detyruar të jetë Azi.” Ky fakt ka bërë që shqiptarët të përceptohen në mënyrë të njëanshme edhe nga Lindja edhe nga Perëndimi. Për Lindjen ata janë më shumë perëndimorë se sa lindorë, kurse, për perëndimin, shqiptarët janë më shumë lindorë se sa perëndimor. Ky konteskt paragjykues ka sjellë edhe momente tragjike në historinë shqiptare.

Si duhet të sillen shqiptarët në këtë kontekst gjeostrategjik dhe kulturo-historik? Qosja mendon se duhet të sillen të tillë siç janë, pa u munduar të dëshmohen më perëndimorë se perëndimorët, por edhe pa pasur drojë nga elementet e trashëguara religjioze dhe kulturore nga lindja. E rëndësishme për të është që ata të maksimalizojnë fuqinë e tyre politike, ekonomike dhe kulturore: të bashkohen në një shtet.

Në fakt Rexhep Qosja në rrafshin ideor ka diçka të përbashkët me ish kancelarin Helmut Kohl. Të dy i lidh ideja e bashkimit. Më 28 nëntor 1989 kancelari gjerman Helmut Kohl pati paraqitur Programin 10-Pikësh për Bashkimin e Gjermanisë para Bundestagut Gjerman. Me këtë Plan kancelari gjerman nuk i befasoi vetëm opozitën dhe miqtë e tij ndërkombëtar, por edhe shumë nga anëtarët e partisë së tij. Në fjalën e tij para Bundestagut ai pati thënë: “Rruga drejt bashkimit nuk është shtruar në tavolinën e gjelbërt ose përmes planifikimit me dorë të një plani terminesh….Ne mundemi, nëse vetëm duam, që sot t’i përgatisim ato etapa, të cilat sjellin deri te ky qëllim…Se si do të duket një Gjermani e ribashkuar, nuk e di sot askush. Por, që bashkimi do të vijë, nëse njerëzit në Gjermani këtë gjë e duan, për këtë jam i sigurtë.”

Ndryshe nga Helmut Kohli, Qosja ishte vetëm në një fazë të shkurtër kohore aktiv politikisht. Por, struktura teorike dhe argumentuese e Rexhep Qosjes në librin e tij “Strategjia e bashkimit shqiptar” është në të njëjtën linjë me Programin e Helmut Kohlit për bashkimin e Gjermanisë. Në këtë kuadër ai e sheh zgjidhjen e çështjes shqiptare në Evropën e popujve të bashkuar: “Çështja e shqiptarëve mund të zgjidhet në mënyrë të tërësishme e jo të pjesshme, të përhershme dhe jo të përkohshme, në Evropën e popujve të bashkuar, sepse në Evropën e popujve ata, si popull i ndarë, do të bëheshin të bashkuar.”

Koha / Sabri Kiçmari

Nga data 5 korrik 2022 nga ora 00:01, çmime të reja të derivateve të naftës

karburantiKomisioni Rregullativ për Energji dhe Shërbime të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendimin me të cilin çmimet me pakicë të derivateve të naftës ulen mesatarisht për 0,40% në krahasim me vendimin e datës 01.07.2022.

 

Çmimet e referencës së derivateve të naftës në tregun botëror në krahasim me llogaritjen e mëparshme tregojnë një rënie mesatare: benzina me 0,860%, nafta me 1,390%, vaji ekstra i lehtë me 1,407% dhe vaji djegës me 0,959%.

Çmimet me pakicë të benzinës

EUROSUPER BS-95 dhe EURODIESEL (D-E V) ulen për 0,50 den/litër, ndërsa çmimet me pakicë të benzinës

EUROSUPER BS-98 dhe vajit ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) ulen për 1,00 den/litër.

Çmimi me pakicë i karburantit M-1 NS rritet për 0,422 den/kg dhe tani do të arrijë në 53,727 den/kg.

Nga data 5 korrik 2022, nga ora 00:01, çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:

EUROSUPER BS – 95 108,50 (den/litër)

EUROSUPER BS – 98 110,50 (den/litër)

EURODIESEL BS (D-E V) 103.50 (denarë/litër)

Naftë Extra Light 1 (EL-1) 102.00 (denarë/litër)

Mazuti M-1 NS 53,727 (denarë/kilogram)

Inflacioni në Turqi arrin në nivel rekord në dy dekadat e fundit

inflacioni turqiInflacioni në Turqi në qershor ka arritur në nivel vjetor prej 78.6 për qind, që është niveli më i lartë në 24 vjet.

Këto të dhëna u publikuan të hënën, më 4 korrik, teksa politikat kundërthënëse ekonomike të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, po e rëndojnë situatën.

Por, vlerësimet jozyrtare të publikuara nga ekonomistët në Turqi tregojnë se rritja e çmimeve është dyfish më i lartë krahasuar me shifrat e prezantuara nga autoritetet.

Niveli i inflacionit i raportuar nga agjencia shtetërore turke e statistikave është niveli më i lartë që prej janarit të vitit 1998.

Në maj, inflacioni ishte 73.5 për qind dhe 15.0 për qind në fillim të vitit të kaluar.

Javën e kaluar, ministri i Ekonomisë, Nureddin Nebati, u zotua se çmimet e konsumit do të nisin të bien në muajin dhjetor.

“Ju premtoj ju dhe presidentit se do të shohim rënie të inflacionit duke filluar nga dhjetori”, ka thënë ai sipas mediave turke.

Sipas të dhënave zyrtare, rritja e inflacionit në qershor u nxit nga rritja prej 123.4 për qind e kostos së transportit dhe rritjes prej 94 për qind të pijeve joalkoolike.

Kriza ekonomike në Turqi nisi kur Erdogan detyroi Bankën Qendrore që të merrte vendime për uljen e normave të interesit vitin e kaluar, si pjesë e “modelit të ri ekonomik” të prezantuar nga ai.

Por, kjo politikë rriti çmimet e konsumit. Megjithatë, lideri turk nuk pranon modelin konvencional ekonomik dhe insiston se normat e larta të interesit shkaktojnë rritje të çmimeve.

Ekonomistët besojnë se kjo qasje e Erdoganit ka përkeqësuar gjendjen në mbarë botën, pas rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë, të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës.

rel

Qeveria me draft-strategji të re të sigurisë

qeveria kurtiQeveria e Kosovës ka miratuar draft-strategjinë e sigurisë 2022-2027, e cila sipas kryeministrit Albin Kurti parasheh rreziqet, kërcënimet dhe sfidat e vendit në fushën e sigurisë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 4 korrik, Kurti tha se kjo strategji është hartuar në konsultim edhe me partnerët e QUINT-it.

Në QUINT bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar.

“Strategjia paraqet objektivat e ndërlidhura me interesat shtetërore siç janë: mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajta e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, siguria njerëzore dhe zhvillimi shoqëror, si dhe integrimi në strukturat euroatlantike dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë”, tha Kurti.

Sipas tij, parakusht për sigurinë dhe zhvillimin e Kosovës është anëtarësimi në organizatat euroatlantike.

“Synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe BE, si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, por edhe të rajonit. Në këtë drejtim, Kosova do të aplikojë në Programin për Partneritet për Paqe dhe anëtarësim në Kartën e Adriatikut si dhe në mekanizma rajonalë të tjerë të sigurisë. Njëkohësisht Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat dhe do të zbatojë reformat e nevojshme për të plotësuar procesin e integrimit në BE”, tha Kurti.

Kjo është strategjia e dytë e sigurisë qëkur Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008. Pas miratimit në Qeveri, draft-strategjia do të dërgohet në Kuvend për t’u miratuar nga deputetët.

Që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të këtij viti, autoritetet në Kosovë kanë shtuar thirrjet për anëtarësimin e vendit në Programin për Partneritet të NATO-s.

Po ashtu, krerët shtetërorë kanë paralajmëruar se Kosova gjatë këtij viti do të aplikojë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Por, anëtarësimi në këta dy mekanizma vështirësohet për faktin se në NATO janë katër shtete që ende nuk e njohin Kosovës, ndërkaq në BE janë pesë shtete mosnjohëse.

rel

Debate të ashpra pro dhe kundër propozimit francez

vmroPropozimi francez për zgjidhjen e konfliktit me Bullgarinë ndan Maqedoninë e Veriut në mbështetës të tij e refuzues të hapur. Presidenti Pendarovski shprehet pro “kompromisit kalimtar”, por protestat në vend vazhdojnë.

 

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski pas përfundimit të seancës së Këshillit të Sigurimit, ku është diskutuar propozimi francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë ka vlerësuar se ky propozim  është i pranueshëm pasi bëhet fjalë për një “kompromis kalimtar”, për të nisur bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Sipas Presidentit, qeveria duhet të miratojë edhe një konkluzion apo aneks në propozimin e modifikuar se do të refuzojë bisedimet në rast se gjatë këtij procesi pala bullgare insiston që të negociohet edhe për gjuhën dhe identitetin maqedonas. “Ne nuk duhet të presim që dikush të na bllokojë, por ne duhet menjëherë të tërhiqemi nga bisedimet. Këtë e them, sepse e dimë se me kë kemi punë”, ka deklaruar presidenti Pendarovski. Presidenti Pendarovski beson se me propozimin e modifikuar francez nuk rrezikohen çështjet që kanë të bëjnë me identitetin maqedonas dhe se nuk mund të bëhet fjalë për bullgarizimin e maqedonasve siç pretendon opozita.

 

“Frika te një pjesë e maqedonasve se në BE do të hyjmë vetëm si bullgarë, nuk qëndron. Si mundet që një maqedonas të bëhet bullgar? Në historinë e diplomacisë botërore nuk ekziston diçka e tillë, se me marrëveshje dypalëshe apo shumëpalëshe dikush brenda natës ju ndërron identitetin”, ka deklaruar Pendarovski. Sipas tij ,vendimi për të pranuar propozimin e modifikuar francez, “nuk është as triumf historik apo dështim dhe mossukses”.

 

Kovaçevski: Propozimi francez mundësi e vetme për zhbllokimin e procesit

Propozimi francez është diskutuar edhe në takimin midis kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe liderit të opozitës maqedonase Hristijan Mickoski. Sipas kryeministrit Kovaçevski propozimi i modifikuar francez “nuk rrezikon as gjuhën e as identitetin maqedonas dhe është mundësia e vetme për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian. Sipas Kovaçevskit bëhet fjalë për dokument të rrallë, i cili nuk mund të përsëritet për të ardhmen europiane të vendit. “Nevojitet qasje burrështetase, gjatë marrjes së vendimeve shtetërore nuk bisedohet për përqindje por për përgjegjësi për ardhmërinë e këtij shteti dhe të qytetarëve të këtij vendi. Unë edhe një herë do të përsëris, tani është koha kur duhet ta bëjmë përcaktimin tonë strategjik. Janë SHBA-të dhe BE, vendet ku sundojnë demokracia dhe liria e mendimit kritik, prosperiteti ekonomik, dhe e drejta sociale. Ne duhet të marrim vendim të gjithë së bashku, i cili do t’iu mundësojë qytetarëve ti kenë këto tre prioritete”, ka thënë kryeministri Kovaçevski.

 

Mickoski : Nuk pranojmë asimilim – propozimi francez i dëmshëm

Por kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski mbetet në qëndrimin se propozimi francez është i dëmshëm për interesat kombëtare dhe shtetërore të Maqedonisë së Veriut. “Për VMRO-DPMNE ky propozim është i papranueshëm. Unë i ofrova Kovaçevskit që të dalë dhe ta refuzojë këtë që është paraqitur si propozim dhe unë të tërhiqem nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo nuk është një kornizë negociuese, me të cilën ne sigurojmë një të ardhme evropiane. Kjo është një kornizë negociuese me të cilën ose asimilohemi ose bullgarizohemi që të jemi pjesë e BE-së ose nuk do të jemi pjesë e BE-së”, është shprehur lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski.

 

Byrnës: Mbështesim ardhmërinë europiane, po shohim rrugë për të ecur përpara

Ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kate Byrnës përmes një mesazhi në Twitter ka shprehur mbështetjen për bisedimet e brendshme që po zhvillohen në Maqedoninë e Veriut mbi propozimin e modifikuar francez. Byrnës thotë se me këtë po shihet një rrugë drejt ardhmërisë evropiane të vendit.

“SHBA-ja mirëpret bisedimet në Maqedoninë e Veriut për propozimin e rishikuar të BE-së për fillimin e bisedimeve aderuese, duke njohur rëndësinë e gjuhës dhe identitetit të Maqedonisë së Veriut. Ne një kohë të gjatë kemi mbështetur ardhmërinë evropiane të Maqedonisë dhe tani shohim rrugë për të ecur përpara”, shkruan ambasadorja Byrnës.

 

Vazhdojnë protestat kundër propozimit francez

Në Shkup për të dytën rradhë janë mbajtur protesta para godinës së qeverisë kundër propozimit francez për zhbllokimin e vetos bullgare. Me moton “Ultimatum-Jo falemiderit”, protestuesit kanë ngritur zërin kundër kapitulimit të Maqedonisë së Veriut ndaj kërkesave të Bullgarisë, sipas tyre. Pjesëmarrësit në protesta apelojnë që të mos pranohet propozimi francez.

dw

Biontech dhe Pfizer marrin porosi në miliarda euro nga SHBA

Pfizer BioNtechQeveria e SHBA-së porosit vaksina disa milionë vaksina kundër koronës tek kompanitë farmaceutike Pfizer dhe Biontech.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatiten për vjeshtën dhe kanë porositur më shumë se 100 milionë doza vaksine kundër virusit korona nga kompanitë Biontech dhe Pfizer. Uashingtoni njoftoi se është arritur një marrëveshje për të blerë 105 milionë doza vaksinash me një çmim prej 3.2 miliardë dollarësh. Qeveria e SHBA-së ka frikë nga një rritje e re e numrit të infeksioneve në vjeshtë.

Porosia përfshin vaksina si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët. Furnizimi me vaksinat kundër COVID-19 është planifikuar të fillojë në fund të verës. Sipas shefit të Pfizer, Albert Bourla, bëhet fjalë për vaksina që mund të mbrojnë në mënyrë specifike kundër varianteve më të reja të virusit si p.sh. Omikron.

 

Një vaksinë kundër shumë virusesh korona

Me vaksinat kundër Covidit, kompania Biontech po punon me partnerin e saj amerikan, Pfizer jo vetëm për një vaksinë të përshtatur me variantin shumë ngjitës Omikron, e cila pritet të marrë miratimin e mundshëm për përdorim në vjeshtë.

Në gjysmën e dytë të vitit kompania me qendër në Mainz dëshiron të fillojë gjithashtu testimin klinik të vaksinave të gjeneratës së ardhshme, të cilat pritet të ofrojnë mbrojnë kundër një numri të madh virusesh korona. Këto përfshijnë vaksina për forcimin e qelizave T, të cilat mbrojnë kryesisht kundër sëmundjeve të rënda, dhe vaksina ndaj pan-koronavirusit, të cilat janë krijuar për të mbrojtur kundër të gjithë familjes së virusit dhe mutacioneve të tij. Qëllimi është “të ofrohet mbrojtje e përhershme kundër varianteve të ndryshme”.

dw

Gjermania po përgatitet për një dimër të ftohtë

Nord Stream 1Zyrtarët u bëjnë thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë, veçanërisht gazin. Në Gjermani ekziston frika se Rusia mund të përdorë mirëmbajtjen e Nord Stream si pretekst për të bllokuar gazin.

 

Presidenti i Agjencisë Federale të Rrjeteve të Gjermanisë, Klaus Müller, ka frikë nga ndërprerja e plotë e dërgesave të gazit rus dhe u bën thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë tani.

Së shpejti do të fillojnë punët në rregullimet dhe kontrollet vjetore të mirëmbajtjes së gazsjellësit Nord Stream 1, i cili lidh drejtpërdrejt mes dy vendeve. Në këtë kohë gazi rus nuk rrjedh, ndërsa punimet zakonisht zgjasin dhjetë ditë.

 

Por, siç paralajmëron ai, këtë herë mund të jetë “mirëmbajtje politike afatgjatë”. Në një rast të këtillë, Gjermania duhet “të mendojë seriozisht për kursime”, tha ai, duke qenë se sezoni i ngrohjes fillon zyrtarisht pas dymbëdhjetë javësh.

Të enjten, ministri i Ekonomisë Robert Habeck paralajmëroi se punimet e rregullta në Nord Stream (që do të fillojnë me 11 korrik) mund të përdoren si një justifikim politik nga Kremlini që të ndalojë transportin e gazit në Gjermani.

Siç tha Habeck, furnizimi me gaz për periudhën e verës është i siguruar, por më pas do të vijnë problemet.

Agregatët si zgjidhje?

Kreu i Agjencisë për Rrjete, e cila është përgjegjëse edhe për energjinë, u bën thirrje qytetarëve që të kontrollojnë sa më shpejt sistemet e ngrohjes, të bëjnë riparimet e domosdoshme dhe të kursejnë gaz. Ai u bëri thirrje teknikëve që të përqendrohen në instalimet e ngrohjes dhe ujit të ngrohtë në periudhën e ardhshme.

Familjet, thotë Müller, “duhet të diskutojnë tashmë nëse do të ruajnë temperaturën e zakonshme në çdo dhomë gjatë dimrit, apo nëse mund të jetë më ftohtë në ndonjë dhomë apo vend.”

Sipas tij, shteti do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për furnizimin me gaz dhe për pajisjen e familjjeve, spitaleve dhe institucioneve të domosdoshme.  Por nuk dihet nëse kjo do të mjaftojë për furnizim me sasi të mjaftueshme të gazit.

bc/ nr (dpa, ard, bild, welt, rp)