Metaverse, e ardhmja në një univers virtual

metaverseMetaverse mendohet se do të jetë zhvendosja e madhe dixhitale e së ardhmes – një hapësirë tredimensionale ku njerëzit do të bëjnë pazar, do të luajnë dhe do të shkojnë në koncerte. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Michelle Quinn, i hedh një vështrim kësaj të ardhmeje të mundshme dhe formës që ajo mund të marrë.

“Është një mënyrë për t’u përfshirë në një botë të krijuar virtualisht që për momentin ofron pak gjëra, por mund të ofrojë shumë më tepër në të ardhmen”, jep përkufizimin e tij piloti Derrick Stamos, i cili është regjistruar në Metaverse.

Kompanitë e teknologjisë, punonjësit e marketingut dhe fantazistët po e përdorin termin “Metaverse” për të përshkruar një zhvendosje të madhe dixhitale të së ardhmes, një vend ku bota reale dhe bota dixhitale do të ndërthuren shumë më tepër se tani. Mos ndoshta do të jetë diçka më shumë se kaq?

“Tani po dëgjojmë vetëm të pëshpëritet për një Metaverse dhe ka shumë pak material për të thënë se kjo do të jetë e ardhmja. Mendoj se jemi në fazën e rrahjes së mendimeve, se si duhet të shëmbëllejë”, thotë Sayon Deb, nga Shoqata e Konsumatorëve të Teknologjisë.

Metaverse, një term fantastiko-shkencor, nënkupton se njerëzit do të ndërveprojnë në një botë gjithëpërfshirëse tre-dimensionale dhe jo më në një botë ekranesh si ajo që përjetojmë sot.

“Nuk është thjesht që do të shohim video apo një realitet virtual në ekrane, por do të jetë një mbulesë e vërtetë dixhitale mbi të gjithë botën tonë”, thotë zoti Deb.

“Është fantastike që Metaverse përçon mesazhin se gjithçka është e ndërlidhur. Është një lloj interneti në të cilin futesh më këmbë”, thotë Catherine Allen, nga kompania “Limina Immersive”.

Ndër kompanitë që kanë investuar shumë në Metaverse është kompania Facebook. Madje, Mark Zuckerberg ia ndryshoi emrin kompanisë vitin e kaluar në Meta. Rishtazi, ai inauguroi edhe një dyqan të quajtur Meta, në jug të San Françiskos.

Vizitorët provojnë aty paisjet për realitetin virtual, luajnë dhe marrin një shije fillestare se si mund të jetë Metaverse.

“Ndoshta doni të shkoni në Hënë? E vështirë që ta bëjnë njerëzit këtë. Por në Metaverse, për pak sekonda je në Hënë”, thotë Jun Lee, që vizitoi dyqanin “Meta”.

“Nuk mendoj të kem parë akoma diçka që të të ndryshojë jetën apo realitetin. Nuk e di se çfarë forme do të merrte diçka e tillë, por jam vërtet i interesuar se çfarë do të jetë”, thotë vizitori Mark Kwan.

Seth Nuzum imagjinon se mund t’i japë ndjesinë se do të jetë së bashku me shokët, në internet.

“Do të doja të isha në një mjedis të përbashkët duke biseduar me shokët për mbi katër orë. Nëse do më jepet ky lloj niveli përfshirjeje të menjëhershme, si p.sh. nga dhoma ime ose kudo tjetër, kjo do të ishte një gjëja më tërheqëse për mua”, thotë ai.

Ndërsa Metaverse po shoqërohet me ekzaltim, por edhe skepticizëm dhe pikëpyetje, njerëzit po analizojnë se çfarë forme do të marrë jeta e tyre dixhitale në të ardhmen.

voa

Magjia e kapjes dixhitale të lëvizjeve

dixhitalTeknologjia e regjistrimit të lëvizjeve e ka përfshirë të gjithë Hollivudin. Producentët kanë tashmë mundësinë ta bëjnë botën fantastiko-shkencore të duket si realitet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Genia Dulot, na sjell prapaskenat në Los Anxhelos të realizimit të momenteve të tilla. 

“Kostumi i regjistrimit të lëvizjeve, si pjesët që ka veshur Robin tani, shërben si baza mbi të cilën unë do të vendos këto shenja të mbuluara me bojë, e cila reflekton. Kamerat tona do të dërgojnë rreze infra drejt tyre dhe kur drita të kthehet pas, kamerat do të regjistrojnë pozicionin e shenjave”, shpjegon Pasha Sol, artist teknik për regjistrimin e lëvizjeve.

“Siç e shikoni, ka 69 kamera që shikojnë drejt Matthew-t tani. Në monitor unë mund të shoh se 68 kamera po i kapin shenjat, të cilat kanë marrë ngjyrë të ndezur”, thotë zoti Sol.

“Regjistrimi i lëvizjeve erdhi në fushën e argëtimit nga fusha e mjekësisë. Përdorej në terapitë fizike dhe nga trajnerët e sportit për njerëzit që donin të përmirësoheshin, apo të kuroheshin nga traumat”, thotë zoti Sol.

“Unë mundem ta gjurmoj lëvizjen, ta analizoj dhe të zbuloj se si mund t’i realizoni gjërat më mirë, apo se në çfarë faze gjendet terapia. Nëse keni për shembull një lëndim në gju, nuk do të ecni në mënyrë simetrike. Dhe unë mundem ta ndaloj këtë duke përdorur teknologjinë e regjistrimit të lëvizjeve me shumë preçizion”, thotë zoti Sol.

“U shndërrua në një revolucion për shkak të industrisë së argëtimit. Ka ekzistuar prej kohësh, por vetëm rishtazi industria e argëtimit filloi ta përdorë kaq shumë”, thotë ai.

“Këtu në kompaninë Rouge, kemi krijuar skena për filmat Black Panther, Spiderman, Guardians of the Galaxy, etj. Pra filma të tillë, si dhe kemi punuar me disa video lojëra”, thotë Vince Argentine, drejtues i kompanisë “Rouge MoCap”.

“Në filma kemi përdorur shumë ato që i quajmë dublantë dixhitalë. Pra, bëjmë skanim tredimensional të aktorëve realë dhe ndërtojmë një lloj kukulle 3D. Pastaj i veshim, siç veprohet me një marionetë. Dhe regjistrimi i lëvizjeve udhëzon marionetën”, thotë ai.

“Për shembull, mund të marr një aktor si Tom Cruise dhe një aktor dublant, dhe mundem të krijoj një version të tij real fotografik, ndërkohë që lëvizjet i bën një tjetër aktor”, thotë zoti Argentine.

“E bëjmë këtë shpesh edhe me regjistrimin e lëvizjeve të fytyrës, nëpërmjet kamerave. Pra regjistrojmë shprehitë, lëvizjet e trupit dhe të gishtërinjve. Të gjitha këto pastaj vendosen së bashku në një mishërim personi dixhital (avatar)”, thotë ai.

voa

Kryeministri slloven paralajmëron: Moska do të zhvillojë luftë informative në Ballkan

putinKryeministri slloven, Robert Golob paralajmëroi për ndikimin rus në Ballkan dhe se vendet e rajonit duhet të “hartojnë plane” për të kundërshtuar ndikimin e dukshëm në publikun vendas dhe “luftën e informacionit” që vjen nga Moska.

Në një intervistë për BBC-në britanike, në margjinat e samitit të djeshëm të NATO-s në Madrid, Golob tha se “një pjesë e popullsisë vendase janë në favor të qëndrimeve të Moskës dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të punojmë me qeveritë në Ballkan se si të afrohen me pozicionin evropian. Por ne duhet të llogarisim dashurinë e popullatës për Rusinë, të mos e injorojmë atë, madje të gjejmë një ekuilibër të brishtë”.

Sipas mediave sllovene, ai paralajmëroi edhe për gabimet e së kaluarës në marrëdhëniet e Perëndimit me Rusinë, nga të cilat, shtoi ai, duhet nxjerrë mësime.

“Ngjarjet në Ukrainë mund të kishin zhvilluar ndryshe nëse NATO do ta kishte trajtuar atë ashtu siç e trajtoi Kinën. Ky është një mësim nga i cili duhet të mësojmë”, tha kryeministri slloven.

Në bisedimet me mediat sllovene gjatë samitit, Golob njoftoi përshpejtimin e përpjekjeve që Sllovenia të arrijë objektivin për të rritur financimin e ushtrisë së saj në 2 për qind të GJDP-së sa më shpejt të jetë e mundur, sipas marrëveshjeve në aleancën e NATO-s dhe deklaroi se qeveria e tij do të ndryshonte planin e mëparshëm për ta arritur këtë vetëm deri në vitin 2030.

“Unë besoj se një ushtar slloven në Ballkanin Perëndimor mund të kontribuojë dukshëm më shumë se në një fushë tjetër për të cilën di më pak”, tha Golob në lidhje me planin e veprimit të mbrojtjes të Aleancës Perëndimore për të forcuar krahun e saj lindor drejt Rusisë.

Ai plan, sipas tij, do të përmbajë edhe një vlerësim se cili anëtar mund të japë një kontribut relativisht më të madh se të tjerët në një fushë të caktuar.

Ai shtoi se brenda pak muajsh qeveria e tij do të miratojë një plan për rritjen e burimeve buxhetore për ushtrinë për t’iu përshtatur situatës së re dhe ndryshimit të doktrinës së mbrojtjes dhe frenimit të aleancës së NATO-s. 

Telegrafi

Pendarovski për propozimin francez: As triumf historik, as dështim

StevoPresidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka deklaruar të dielën se propozimi i ri francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë është i pranueshëm pasi sipas tij, bëhet fjalë për një “kompromis kalimtar”, për të nisur bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

 

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në të cilin marrin pjesë institucionet kryesore të shtetit, presidenti Pendarovski tha sa qeveria duhet të të miratojë edhe një konkluzion apo aneks në propozimin e modifikuar se do të refuzojë bisedimet në rast se gjatë këtij procesi pala bullgare insiston që të negociohet edhe për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

“Ne nuk duhet të presim që dikush të na bllokojë, por ne duhet menjëherë të tërhiqemi nga bisedimet. Këtë e them sepse e dimë se me kë kemi punë”, ka deklaruar presidenti Pendarovski.

Kreu i shtetit tha se beson se me propozimin e modifikuar francez nuk rrezikohen çështjet që kanë të bëjnë me identitetin maqedonas dhe se nuk mund të bëhet fjalë për bullgarizimin e maqedonasve, siç pretendojnë opozita dhe personalitete tjera politike dhe akademike në Maqedoninë e Veriut.

“Frika te një pjesë e maqedonasve se në BE do të hyjmë vetëm si bullgarë, nuk qëndron. Si mundet që një maqedonas të bëhet bullgar?… Në historinë e diplomacisë botërore nuk ekziston diçka e tillë, se me marrëveshje dypalëshe apo shumëpalëshe dikush brenda natës ju ndërron identitetin”, ka deklaruar Pendarovski.

Ai shtoi se vendimi për të pranuar propozimin e modifikuar francez, “nuk është as triumf historik apo dështim dhe mossukses”.

“Konsideroj se bëhet fjalë për një kompromis kalimtar për njërën nga fazat e integrimit evropian, që ka tri elemente të rëndësishme dhe për mua në këtë fazë është i pranueshëm”, tha Pendarovski.

Ndërkohë lidhur me propozimin francez, kryeministri Dimitar Kovaçevski të dielën ka takuar edhe liderin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, në kuadër të konsultimeve me partitë politike dhe faktorët e tjerë në vend.

Kryeministri Kovaçevski ka vlerësuar se propozimi i modifikuar francez “nuk rrezikon as gjuhën e as identitetin maqedonas dhe është mundësia e vetme për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian” , ndërkohë që kryetari i VMRO DPMNE-së, mbetet në qëndrimin se “propozimi i ri nuk dallon nga i pari në përmbajtje, e cila është e dëmshme për interesat kombëtare dhe shtetërore maqedonase”.

rel

Mickoski: Nuk na duhet Evropa nëse asimilohemi

MickoLideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, më 2 korrik hodhi poshtë propozimin e ri të Francës për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, që i hap rrugën nisjes së negociatave për integrim në Bashkimin Evropian.

 

Në tubimin e partisë së tij, VMRO-DPMNE para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Mickoski tha se “populli po zgjohet dhe të gjithë ata që duan t’i japin fund Maqedonisë [së Veriut] duke nënshkruar brenda një apo dy ditëve, populli maqedonas dhe qytetarët maqedonas nuk do ta harrojnë këtë. Nuk na duhet Evropa nëse duhet të asimilohemi”, theksoi kreu i VMRO-së Mickoski gjatë protestës me moton “Ultimatum – Jo faleminderit”.

“Nuk dua të jem në Evropë sepse kam të drejtë të jem maqedonas, që flet gjuhën maqedonase dhe që lufton për Maqedoninë e tij, për identitetin e tij, për kulturën e tij, për historinë e tij dhe për trashëgiminë e tij”, deklaroi Mickoski.

Ai shtoi se identiteti maqedonas është mbi të gjitha duke vlerësuar si “të dëmshëm” propozimin e ri francez pasi sipas tij, “nuk dallon nga propozimi i parë”.

Por, paraprakisht, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani deklaroi se propozimi i modifikuar francez për zgjidhjen e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes, e mbyll çështjet e identitetit dhe gjuhës maqedonase, të cilat, sipas tij pranohen si të tilla nga Bashkimi Evropian.

“Bullgaria mund të mbajë qëndrimin e saj për gjuhën maqedonase, por kjo nuk do të jetë e pranueshme për BE-në në kuadër të negociatave. Propagandistët thonë se kjo është një qorrsokak, ne do të ‘bullgarizohemi’, por ne jemi këtu për të çmontuar narrativë të tillë. Kam dëgjuar variante që ka pasur fusnota, kualifikime. Nëntëdhjetë për qind të kohës e shpenzuam për të mbyllur çështjen për gjuhën”, tha Osmani duke sqaruar propozimin francez për të cilin në Maqedoninë e Veriut po zhvillohen konsultimet me të gjithë faktorët në vend.

Sipas kryediplomatit Osmani, propozimi mund të kalojë vetëm me vendim të Qeverisë pa pasur nevojë për vendi nga Parlamenti, siç kishte deklaruar më parë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Për kreun e diplomacisë maqedonase, Bujar Osmani, “dallimi më i madh” ndërmjet propozimit të ri dhe atij të vjetër francez është se “gjuha maqedonase mbetet e mbrojtur në BE dhe propozimet e deritanishme si “gjuha e Maqedonisë së Veriut”, “gjuha sipas Kushtetutës” dhe fusnota me një yll se “gjuha maqedonase për Bullgarinë është e papranueshme, janë refuzuar”.

Ai tha se maqedonishtja njihet nga BE-ja dhe me procesin e anëtarësimit, do të bëhet një nga gjuhët zyrtare të BE-së”.

Bullgaria në vazhdimësi ka insistuar se gjuha maqedonase është një dialekt i gjuhës bullgare, sikur edhe identiteti i saj, që sipas Sofjes ka “rrënjë bullgare”.

Kjo ka bërë që Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 të përdorte veton për bllokimin e nisjes së bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE.

Bullgaria me propozimin e parë të Francës ka insistuar edhe në përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut para se të nisin bisedimeve e anëtarësimit, por me modifikimin e propozimit, sipas kryediplomatit Osmani, kjo do të ndodhë para hapjes së kapitullit të parë të bisedimeve.

“Propozimi që ishte më herët parashikonte që fillimisht të miratohen ndryshime kushtetuese, pastaj të fillonin negociatat. Tani ka fillim të negociatave, konferencë të parë ndërqeveritare, hapja e negociatave, proces i plotë i verifikimit dhe para hapjes së kapitullit të parë, duhet ne të bëjmë ndryshime kushtetuese”, theksoi Osmani.

Drejtuesit e institucioneve maqedonase ka thënë se propozimi i ri nuk përshin çështjen historike që janë gjithashtu një kontest i hapur mes Shkupit dhe Sofjes.

 

rel

Turhan Pasha në Konferencën e Paqes në Paris: Kërkojmë kthimin e territoreve shqiptare dhënë Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë pas vendimit të Kongresit të Berlinit dhe Konferencës së Londrës

Shqipëria dhe kërkesat e saj“L’Express de Mulhouse” ka botuar, të hënën e 10 marsit 1919, në ballinë, kërkesën e Turhan Pashës në Konferencën e Paqes në Paris në lidhje me kthimin e territoreve shqiptare dhënë Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë pas vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe Konferencës së Londrës, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

Shqipëria dhe kërkesat e saj:

 

Shqipëria, gjatë shekujve, ka qenë gjithmonë pre e fqinjëve të saj, më të fuqishëm se ajo, të cilët e lakmuan atë për shkak të vendndodhjes së saj gjeografike shumë tërheqëse. Dikush do të mendonte se diplomatët modernë, duke kuptuar domosdoshmërinë e vendosjes së rendit në Gadishullin Ballkanik, do t’i kishin kthyer Shqipërisë atë që i takon dhe do ta kishin mbrojtur nga orekset e popujve të tjerë.

Kongresi i Berlinit i vitit 1878, i quajtur “varrimi i Shqipërisë”, ishte i pari që shpërfilli të drejtat e kombit shqiptar, pasi i privoi këtij vendi territoret e Tivarit, Hotit, Grudës, Triepshit (Trieshit), Kuçit, Podgoricës, Plavës dhe Gucisë në dobi të Malit të Zi, dhe një pjesë të Shqipërisë së Jugut, midis Gjirit të Prevezës dhe lumit Kalamas (Kalamait) në dobi të Greqisë. Shqiptarët, natyrisht u revoltuan nga ideja e copëtimit të atdheut të tyre dhe formuan Lidhjen e Prizrenit, e cila bëri një rezistencë energjike ndaj pretendimeve sllave dhe greke.

Në vend që të korrigjonte këto padrejtësi, Konferenca e Londrës e vitit 1913 i përkeqësoi ato. Nuk u mjaftua të vendoste si kufi vijën e Kalamas-it (Kalamait), të refuzuar nga shqiptarët, por i dha Greqisë të gjithë rajonin nga Arta deri në Kepin Satos; ky vend quhet Çamëri; në veri i dha Malit të Zi dhe Serbisë territoret e Krajës, Anës së Malit, fiset e Hotit dhe Grudës, rrethet e Plavës dhe Gucisë, Pejën, pjesën lindore të rrethit të Mitrovicës, rrethet e Prishtinës, Gjilanit, Ferizajt, Kaçanikut, një pjesë të rrethit të Shkupit, rrethet e Prizrenit, Kalkandelenit (Tetovës), Gostivarit, Kurçovës, Dibrës, Strugës dhe Ohrit. 

Shqipëria dhe kërkesat e saj2Sot, delegacioni shqiptar ka dalë para Konferencës së Dhjetëve për të zhvilluar kërkesa të bazuara vetëm mbi barazinë, pasi ato konsistojnë në kthimin e territoreve në mëmëdhe, të cilat vitet e fundit i janë shkëputur padrejtësisht.

Kërkesat e tij përfshijnë kthimin e territoreve shqiptare të përfshira në Mal të Zi, Serbi dhe Greqi pas vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe Konferencës së Londrës. — Kundërshtim ndaj pretendimeve të reja sllave dhe greke.

Të gjitha arsyet historike, gjuhësore dhe etnike militojnë në favor të Shqipërisë. Larg nga dëshira për t’u zgjeruar në kurriz të të tjerëve, Shqipëria kërkon vetëm të riintegrohet në kufijtë e saj të vërtetë, për të parë t’i kthehen grupimet (territoret) që i janë shkëputur nga dhuna në të kaluarën.

Më në fund Shqipëria, e rraskapitur nga grabitjet e njëpasnjëshme të të cilave ka qenë viktimë, shpreson të marrë dëmshpërblime ekonomike nga Konferenca e Paqes për shkatërrimet e bëra si nga grekët në Epirin e Veriut, ashtu edhe nga ushtritë e Perandorive qendrore në të gjithë vendin.

Turhan Pasha

Delegat i parë i Shqipërisë

gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 3 Korrik 2022

 

Por kush ishte Turhan Pashë Përmeti:

Turhan pashë Përmeti

Turhan Pashë PërmetiTurhan pashë Përmeti (Tërhallë1846 – NeuillyFrancë9 shkurt 1927) ka qenë nëpunës e diplomat shqiptar i Perandorisë Osmane dhe më pas tri herë kryeministër i Shqipërisë së pavarur.

Turhan Jusni beu leu në Tërhallë, i biri i Jahja beut, nga familjet e mëdha të qytezës së Përmetit në vilajetin e Janinës. Në medresetë e Janinës nxuri arabisht dhe persisht, kurse te “Zosimea” është diplomuar duke marrë njohuritë themelore të shkencave.

Më pas ka vazhduar Fakultetin e Drejtësisë në Athinë. Nga disa pedagogë privatë ka marrë njohuri mbi të drejtën ndërkombëtaretë drejtën romake, mbi historinë e hartimit dhe të nënshkrimit të të gjitha marrëveshjeve duke filluar nga Paqja e Vestfalisë (1648) e deri në vitin 1815 Kongresi i Vjenës dhe njohuri mbi ekonominë ndërkombëtare.

U bë funksionar i lartë i Ministrisë së Punëve të jashtme të Perandorisë Osmane. Shërbeu si ambasador në Madrid, vali në Gjirit (vilajeti i Kretës) në vitet 1895 dhe 1896, ministër i Punëve të Jashtme, ministër i Vakëfeve. Dërgohej nga Stambolli pothuajse në të gjitha misionet në Europë.

Më 1908-1912 shërbeu si ambasador i Perandorisë Osmane në kryeqytetin e Perandorisë Ruse, Shën Petërsburg.

Turhan Pashë Përmeti ishte kryeministër i Shqipërisë në vitin 1914 nga data 15 mars deri më 3 shtator, si dhe nga 1918 deri në vitin 1920. Më 1919 kryesoi delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes. Pas largimit nga posti i kryeministrit u largua në Romë.

Më 1925 qeveria e Ahmet Zogut i kishte lidhur një pension të mirë.

Turhan Pasha vdiq në NeuillyFrancë më 9 shkurt 1927. Njoftimi për vdekjen e tij u bë nga legata shqiptare e Parisit. Huazuar nga Wikipedia

ndërsa Panorama ka botuar:

Turhan Pashë Përmeti, kryeministri më me ndikim në botë se Ismail Qemali

Tri herë kryetar qeverie i Shqipërisë, deri në vitin 1920 

Dokumenti i arkivave që tregon për lidhjet e fuqishme prej diplomati nga Atlantiku, në Rusi e deri në Orient 

Në vitin 1914, në historinë e Shqipërisë së re shfaqet një personalitet i rëndësishëm politik, Turhan Pashë Përmeti, kryeministri i dytë i shtetit shqiptar dhe i pari i njohur ndërkombëtarisht si i tillë. Deri në vitin 1920, ai ka qenë tri herë kryeministër i shtetit shqiptar. Turhan pasha kohësisht i përket gjeneratës së Ismail Qemalit, gjeneratë shqiptarësh që bënë karrierë të spikatur në burokracinë e lartë osmane. Por, ndryshe nga Ismail Qemali, të cilit zyrtarët më të lartë osmanë i nënvizonin kapacitetin e lartë prej politikani, Turhan Pashës i nënvizonin kapacitetin prej diplomati, dhe më shumë akoma aftësinë e tij menaxheriale për zgjidhjen e situatave të vështira. Duke i shërbyer diplomacisë së Perandorisë Osmane, ku tokat shqiptare de jure bënë pjesë deri në nëntor 1912, Turhan Pasha arriti në pozitën e një personaliteti të njohur nga brigjet e Atlantikut e deri në Rusi, nga Deti i Veriut dhe deri në thellësi të Orientit Islam, në Jemen e Iran. Karriera e tij e gjatë në diplomacinë osmane e bën Turhan Pashë Përmetin të ketë një jetëshkrim profesional mjaft të gjatë (BOA: DH, SAID. regjistri 47/165; regjistri 80/137). Ismail Qemali në Kujtimet e tij shprehet qartë se ishte kjo njohje ndërkombëtare që ai gëzonte dhe, siç e dëshmon edhe ky dokument, personaliteti i tij i fuqishëm si menaxhues situatash të vështira cilësitë e spikatura, që e vendosën Turhan Pashën në qendër të zgjedhjes së tij si kryeministër të një shteti në ri, por problematik që po lindte në zemër të Europës. Si nëpunës i perandorisë ishte i pranuar për Stambollin, i cili ende kishte shumë ndikim në tokat shqiptare; po ashtu, falë shërbimit diplomatik në San Petërsburg kishte njohje personale me carin e Rusisë, madje kishte fituar edhe miqësinë e tij. Si koleg i ministrit të Jashtëm austro-hungarez, Berthold, kur të dy ishin diplomatë të lartë në San Petërsburg, ishte ky i fundit që e rekomandoi pranë  Fuqive të Mëdha që të ishte kryeministër i Principatës Shqiptare të Princ Vidit. Ndërsa Vidi ishte fryt i kompromisit të sallave të konferencave, Turhan Pasha ishte produkt i njohjeve të tij me krerët më të fuqishëm botërorë, veçse jo brenda sallave të diplomacive. Vidi ishte princi i kompromisit të zhurmshëm, kurse Turhan Pasha njeriu i kompromisit të heshtur. Të dy krijonin balancën e duhur mes Lindjes dhe Perëndimit. Ndërsa Vidi ishte me plot kuptimin e fjalës fasada europiane e Shqipërisë së re postosmane, ashtu siç e kërkonin Fuqitë e Mëdha, Turhan Pasha, ndonëse i kaluar në moshë, ishte caktuar që me përvojën e tij të gjatë të ndihmonte sadopak menaxhimin e situatës së vështirë në Shqipëri.

JETËSHKRIMI
Turhan Hysni bej, i biri i Jahja beut, nga familjet e mëdha të qytezës së Përmetit, në vilajetin e Janinës. Ka lindur në qytetin e Tërhallës (sot në Greqi) në vitin 1262 të kalendarit Hixhri [apo] në vitin 1262 sipas kalendarit financiar/ 31.12.1845-19.12.1846. Në medresetë e Janinës mësoi arabisht dhe persisht, kurse në shkollën greke me emrin Zosimea që gjendet në këtë qytet, është diplomuar duke marrë njohuritë themelore të shkencave. Më pas, ka vazhduar Fakultetin e Drejtësisë në Athinë. Nga disa pedagogë privatë ka marrë njohuri mbi të drejtën ndërkombëtare, mbi të Drejtën Romake, mbi historinë e hartimit dhe të nënshkrimit të të gjitha marrëveshjeve duke filluar nga Paqja e Vestfalisë (1648) e deri në vitin 1815 [Kongresi i Vjenës] dhe njohuri mbi ekonominë ndërkombëtare. Shkruan turqisht dhe frëngjisht; di shqip, greqisht, italisht dhe pak spanjisht… Me një pagë prej 2000 groshësh, emërohet sekretar i dytë në Ambasadën Perandorake [Osmane] në San Petërsburg. Më 15.08.1871, me një pagë prej 3300 groshësh, u emërua kryesekretar në ambasadën e lartpërmendur. Nga 22.03.1873 deri më 20.05.1873, me një pagë prej 10.000 groshësh, duke u gjendur në detyrën e të ngarkuarit me punë pranë kësaj ambasade, deri më 25.02.1873, kreu edhe detyrën e sekretarit. Më 23.03.1874, me një pagë prej 3130 groshësh, kaloi si kryesekretar në Ambasadën Perandorake në Berlin. Më 27.12.1876, me një pagë prej 12.000 groshësh, iu shtua edhe detyra e të ngarkuarit me punë pranë kësaj ambasade. Në datën 22.06.1877 iu ndërpre paga e të ngarkuarit me punë [pranë kësaj ambasade]; më 30.08.1877, me një pagë prej 5625 groshësh, u emërua në detyrën e të ngarkuarit me punë në Ambasadën Perandorake në Vjenë. Këtë detyrë e kreu deri në 22.10.1877. Më 8.12.1877, me një pagë prej 20.000 groshësh, kaloi si nëpunës pranë Ambasadës Perandorake në Romë dhe në 9.12.1877 u largua nga kjo detyrë. Më 2.04.1881, me një pagë prej 5.000 groshësh, iu dha posti i guvernatorit të sanxhakut të Tekes [Anadolli Jugor]; më 1.04.1886, me të njëjtën pagë, iu dha posti i guvernatorit të sanxhakut të Urfës [Anadolli Juglindor].
TITUJT
Për merita në detyrat e lartpërmendura, më 11.11.1868 iu akordua grada e tretë [diplomatike]; më 23.08.1871, iu dha grada e dytë, klasi i dytë; më 8.03.1874, grada e dytë, klasi i parë; më 2.05.1877, grada e parë, klasi i dytë; në 11.09.1877, grada e parë, klasi i parë; më 16.09.1893, iu dha grada e lartë [diplomatike]. Më 10.06.1870 iu akordua grada e pestë e Medaljes së Lartë Mexhidije; më 24.08.1871, e katërta; më 6.01.1875, e treta; më 26.11.1877, e dyta; më 1.12.1879, iu akordua grada e parë e kësaj medaljeje të lartë. Sipas kalendarit Gregorian, më 30 prill 1871 shteti rus i dha medaljen Shën Ana, klasi i tretë; Më 1 mars 1874 shteti i lartpërmendur i dha medaljen Shën Stanislas, klasi i dytë. Më 19 nëntor 1877 shteti prusian i dha medaljen Pena e Kuqe, klasi i dytë. Më 6 prill 1881 shteti italian i dha medaljen Morris de Lazar, klasi i parë. Më 7 nëntor 1888, qeveria e Portugalisë i dha medaljen Villa Viskoza, klasi i parë… Me ardhjen në Stamboll me leje, personalitetit të lartpërmendur, ashtu siç ishte praktika, iu dha dieta/shpenzime udhëtimi prej 200 florinjsh osmanë në 3.10.1893, dhe iu akordua urdhri sulltanor për mirënjohje [në shërbim të sulltanit]. Personalitetit të lartpërmendur më 23.12.1893 iu akordua Medalja e Lartë Osmane, klasi i parë.
AMBASADOR NË PARIS
Personaliteti i lartpërmendur, më 10.04.1894, u emërua ambasador me përfaqësim në Paris, ambasadë e cila qysh prej shumë kohësh ishte në varësi të ambasadës perandorake në Madrid. Për shkak të shpenzimeve në rritje gjatë kohës që qëndronte në Paris, paga e personalitetit të lartpërmendur në cilësinë e ambasadorit të perandorisë në Madrid rezultoi e pamjaftueshme; në datë 12.04.1894, u urdhërua që ai të marrë një rrogë përfaqësimi [si ambasador përfaqësues në Paris] prej 15.000 groshësh shtesë mbi pagën që merr në cilësinë e ambasadorit [osman] në Madrid. Kështu, pagës reale të ambasadorit të perandorisë në Madrid iu bë një rritje prej 15.000 groshësh; ndërkohë, ambasadori i lartpërmendur e ka pagën ekskluzivisht prej 10.000 groshësh; kurse, fondi prej 5.000 groshësh nga fondi special prej 10.000 groshësh, si rregull, do t’i jepet personit që do të ushtrojë detyrën e të ngarkuarit me punë pranë kësaj ambasade; pjesa e mbetur prej 15.000 groshësh që iu shtua 15.000 groshëve, iu dhanë vetë ambasadorit [Turhan Pashës] për shpenzime udhëtimesh. Të gjitha këto veprime u kryen me urdhrin perandorak të datës 9. 05.1894, i cili i referohet dokumentit përkatës lëshuar nga Ministria e Jashtme.
VEZIRI I SULLTANIT
Personaliteti i lartpërmendur, ende pa shkuar në Paris për të përmbushur detyrën e ambasadorit përfaqësues në ambasadën perandorake, më 29.07.1894, me një rrogë prej 30.000 groshësh, u emërua në postin e guvernatorit të komanduar të vilajetit të Kretës. Për të shkuar atje iu dhanë si shpenzime udhëtimi posaçërisht 400 florinj osmanë. Për shkak të aftësive dhe të kapacitetit [intelektual] në çështjet administrative dhe politike, personalitetit të lartpërmendur, krahas njoftimit të lartë për emërimin e tij në postin e guvernatorit të komanduar të vilajetit të Kretës, iu dha edhe grada e lartë e vezirit… Shkëlqesisë së tij, personalitetit të lartpërmendur, shteti i Spanjës i ka akorduar medaljen Izabela Katolike, klasi i parë; me pranimin nga ana e tij [Turhan Pashës], siç e kërkon procedura [burokratike osmane], me lejen perandorake lëshuar prej vetë sulltanit, më 17.10.1894, u pa e përshtatshme që ai ta marrë këtë medalje. Shkëlqesia e tij, personaliteti i lartpërmendur, më 3.03.1895, u largua nga kjo detyrë, pasi në postin e guvernatorit të komanduar të Kretës u emërua shkëlqesia e tij, Aleksandër Pasha, ish-guvernatori i ishullit Samos. Shkëlqesia e tij, personaliteti i lartpërmendur, më 11.04.1895 u caktua kryetar i komisionit të nivelit të lartë që u krijua pranë Sarajit Perandorak për të inspektuar dhe verifikuar të ardhurat nga territoret osmane.
Shkëlqesisë së tij, personalitetit të lartpërmendur, më 9.06.1895, me një rrogë prej 30.000 groshësh, iu akordua posti i inistrit të Punëve të Jashtme, por njëkohësisht duke qëndruar në krye të komisionit të lartpërmendur….
Më 10.09.1895, Ministria e Financave i ka lidhur një pagë pritjeje prej 20.000 groshësh personalitetit të lartpërmendur, çka tregohet në një dokument-përgjigje të kësaj Ministrie të datës 1.02.1899. Për kapacitetin dhe fuqinë menaxhuese që e karakterizon, personaliteti i lartpërmendur u emërua guvernator i vilajetit të Kretës, me një pagë prej 30.000 groshësh, me vendim të marrë në një mbledhje të posaçme të Këshillit të Ministrave dhe në përputhje me vullnetin e sulltanit, në cilësinë e kreut të Kalifatit Islam, përmes dokumentit përkatës, lëshuar më 4.03.1896. Pagesa e shpenzimeve të udhëtimit prej 500 lirash për personalitetin e lartpërmendur u urdhërua të kryhej me vullnetin e sulltanit, më 5.03.1896. Për shkak se është bërë domosdoshmëri që posti i guvernatorit dhe i komandantit ushtarak të vilajetit të Kretës të ishte në të njëjtën dorë, personaliteti i lartpërmendur u largua nga detyra [e guvernatorit të Kretës] me vendim të marrë në një mbledhje të posaçme të Këshillit të Ministrave dhe në përputhje me urdhrin e sulltanit, të datës 18.05.1896. Më 25.06.1896, personalitetit të lartpërmendur iu caktua një pagë pritjeje prej 20.000 groshësh. Më 19.01.1897, personaliteti i lartpërmendur u emërua anëtar i Zyrës Administrative, pranë Këshillit të Shtetit. Paga e personalitetit të lartpërmendur, më 13.03.1897, zyrtarisht ra në 18.000 groshë. Për shkak të shërbimeve me kompetencë tepër lart, personalitetit të lartpërmendur më 12.11.1898 iu akordua Medalja e Lavdishme e Krenarisë.

MEDALJET MË TË LARTA
• Personaliteti i lartpërmendur e pranoi medaljen e Luanit dhe Diellit, të akorduar nga shkëlqesia e tij, Shahu i Iranit, dhe siç e kërkon procedura [burokratike osmane], me lejen perandorake lëshuar prej vetë sulltanit më 2.10.1900 u pa e përshtatshme që ai ta marrë këtë medalje.
• Personaliteti i lartpërmendur e pranoi medaljen Daniel Doromani, klasi i parë, të akorduar nga shteti i Rumanisë, dhe siç e kërkon procedura [burokratike], me lejen perandorake lëshuar prej vetë sulltanit më 3.10.1900 u pa e përshtatshme që ai ta marrë këtë medalje.
• Personaliteti i lartpërmendur e pranoi medaljen Aleksandër Fovovski, të akorduar nga shkëlqesia e tij, perandori i madhërishëm i Rusisë, dhe siç e kërkon procedura [burokratike], me lejen perandorake lëshuar prej vetë sulltanit më 13.11.1900, u pa e përshtatshme që ai ta marrë këtë medalje.
• Për shkak se shërbimet perandorake i ka kryer me një klas tepër të lartë, më 14.02.1901, iu akordua Medalja e Lartë Mexhidije.
• Personaliteti i lartpërmendur e pranoi Medaljen e Penës, të akorduar nga shkëlqesia e tij, i madhërishmi perandori i Gjermanisë, dhe siç e kërkon procedura [burokratike], me lejen perandorake lëshuar prej vetë sulltanit më 27.03.1901 u pa e përshtatshme që ai ta marrë këtë medalje.
• Personaliteti i lartpërmendur e pranoi Medaljen e Meritës, klasi i parë, të akorduar nga shkëlqesia e tij, i madhërishmi Duka i Madh i Oldenburgut, Frederik August, dhe siç e kërkon procedura [burokratike], më 6.04.1902, u pa e përshtatshme që ai ta marrë këtë medalje.

DRITAN EGRO

Në situatën e luftës gjermanët dhe amerikanët afrohen më shumë

Scholz BidenInvazioni rus në Ukrainë ka forcuar aleancën perëndimore, para së gjithash marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Berlinit. Vizioni i tyre i përbashkët gjeopolitik mbështetet në një angazhim të fortë nga të dyja palët.

 

Marrëdhënia gjermano-amerikane po përjeton një rilindje. Kjo nuk është gjë e vogël pas dy dekadash të vështira me mosmarrëveshje për luftën në Irak, akuzat gjermane për spiunazh dhe tallje të vazhdueshme nga ish-presidenti amerikan Donald Trump.

Invazioni rus në Ukrainë i ka dhënë një shtysë të re marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Berlinit. Vëzhguesit politikë thonë megjithatë, se përmirësimet kishin filluar më parë. Lufta në Ukrainë “ringjalli të gjithë aleancën transatlantike dhe Gjermania nuk bën përjashtim”, thotë për DW, Daniel Benjamin, ish-zyrtar i Ministrisë së Jashtme të SHBA-së dhe tani president i Akademisë Amerikane në Berlin. “Që nga marrja e detyrës, administrata e re e SHBA-së është fokusuar veçanërisht te Gjermania, me dëshirën për të riparuar dëmet në raportet e ndërsjella”.

 

Lufta e Ukrainës si një katalizator

Qendrimet e përbashkëta në rezistencën kundër Rusisë e kanë përshpejtuar riparimin. Qeveria amerikane u gëzua, kur kancelari Olaf Scholz varrosi faktikisht tubacionin e gazit natyror Nord Stream 2 nga Rusia drejt Gjermanisë, të cilin presidenti Joseph Biden e ka quajtur “një marrëveshje e keqe për Evropën”. Në vend të kësaj Gjermania dëshiron të ndërtojë me ritëm të shpejtë terminalet e gazit të lëngshëm, me të cilët Gjermania do të importojë më lehtë gaz nga Shtetet e Bashkuara.

Si në terma absolutë ashtu edhe në raport me fuqinë ekonomike, SHBA-ja ka kontribuar më shumë se Gjermania në luftën e Ukrainës kundër Rusisë. Gjermania vazhdon të ketë në NATO një reputacion, se ka kontribuar më pak se sa do t`i takonte peshës së saj politike. Sipas Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore deri më 7 qershor Gjermania i kishte dorëzuar Ukrainës 35 për qind të ndihmës ushtarake, që kishte premtuar, Shtetet e Bashkuara kishin dorëzuar gati 50 për qind, ndërsa vende si Polonia dhe shtetet baltike ishin te pragu 100% apo pranë tij.

Gjatë mandatit të Donald Trump këto shifra të dobëta gjermane shkaktuan qortinim publik nga Uashingtoni. Qeveria Biden ndjek një rrugë tjetër. “Ne mirëpresim kontributin e Gjermanisë dhe i bëjmë thirrje Gjermanisë dhe vendeve të tjera që t’i ofrojnë Ukrainës pajisje ushtarake, në mënyrë që ajo të mbrohet kundër Rusisë”, tha në një deklaratë për DW Joe Giordono-Scholz, zëdhënës i ambasadës së SHBA-së në Berlin.

 

Bëhet fjalë për më shumë se për Ukrainën

Një element i rëndësishëm është premtimi i Scholz-it për të armatosur Bundeswehr-in me 100 miliardë euro. Edhe pse ky injeksion financiar është pasojë e drejtpërdrejtë e luftës, ai nuk mund të ndikojë në rrjedhën e saj. Ekspertët gjermanë të sigurisë e shohin atë më shumë si një lloj kompensimi për neglizhencën prej vitesh. Tanket gjermane nuk do të shfaqen domosdoshmërisht në fushat e betejës në Ukrainë. Por fondet shtesë për Bundeswehr-in mund të bënin që Gjermania të bindë aleatët e saj – dhe kundërshtarët e saj – se Scholz e ka seriozisht me deklaratën e tij, se do të “mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”.

Edhe nëse koalicioni qeveritar i udhëhequr nga Scholz, i përbërë nga socialdemokratët, të gjelbërit dhe FDP liberale, pati miratimin e opozitës CDU/CSU për përmirësimin e armatimit të Bundeswehr-it, mbetet e paqartë se për çfarë do t`i shpenzojë 100 miliardë dollarët Ministria e Mbrojtjes, e cila prej kohësh ka probleme me furnizimet. Të paktën një pjesë e shumës do të shkojë për kompanitë amerikane të armëve, të cilat mund të furnizojnë me shumë sisteme armësh, për të cilat Gjermania është e interesuar.

 

Pjesëmarrje në çështjen nukleare

Fare lart në listën e blerjeve qëndron avioni luftarak F-35, edhe pse Ministria Amerikane e Mbrojtjes nuk ka miratuar ende prodhimin në shkallë të plotë të modelit për Forcën e tij Ajrore.

Por porosia nga Gjermania tregon se vendi është ende i interesuar për pjesëmarrjen në përbërjen nukleare të NATO-s. Pasi avionët e vjetër luftarakë Tornado të hiqen nga përdorimi, NATO do të vazhdojë me anë të F-35 të mbajë armë bërthamore amerikane. Kjo është një nga pritshmëritë më të rëndësishme të amerikanëve ndaj aleatëve të tyre evropianë. Megjithatë çështja është e ndërlikuar në Gjermani. Sepse si SPD e Scholz-it ashtu edhe të Gjelbrit e shohin veten si parti të çarmatimit.

Të Gjelbrit deri më tani kanë qenë veçanërisht kritikë ndaj pjesëmarrjes nukleare. Por “pika e kthesës” e shpallur nga kancelari gjerman pas fillimit të luftës do të thotë edhe se disa pozicione politike, që dikur ishin të shenjta, tani vlerësohen ndryshe.

 

Azia apo Europa?

Nëse fondit special prej 100 miliardësh për Bundeswehr-in i shtohen shpenzimet e rregullta gjermane të mbrojtjes, atëherë Gjermania – në terma absolutë – do të ketë buxhetin më të madh të mbrojtjes në Evropë. Vëzhguesit politikë i shohin shpenzimet speciale të financuara nga borxhi si simbol të besueshmërisë gjermane me pasoja potencialisht të rëndësishme strategjike për Shtetet e Bashkuara: Ndryshe nga aleatët evropianë, Shtetet e Bashkuara e shohin veten si fuqi dominuese – në konkurrencë të drejtpërdrejtë me një Kinë gjithnjë e më të fuqishme. në rajonin e Paqësorit.

Prej vitesh politika e jashtme amerikane tenton që në një akt të vështirë balancues të fokusohet më shumë në Azinë Lindore, pa lënë pas dore angazhimin e saj të sigurisë transatlantike. “SHBA-ja nuk mund të drejtohet më shumë nga Azia – pa rreziqe të mëdha për Evropën – pa një ‘pikë kthese’ të suksesshme. (SHBA) mund ta lërë (Europën), por Europa atëherë do të rrezikohej shumë,” thotë Michal Baranowski nga Fondi Gjerman Marshall për DW. “Skenari i tij horror” do të ishte që Rusia të mos “thyhej” në luftën në Ukrainë, SHBA të largohen nga Evropa dhe Gjermania të mos e mbushte boshllëkun. “Atëherë Rusia do të kishte përsëri shansin për të rindërtuar pushtetin e saj dhe forcat e saj të armatosura, por këtë herë për të shkuar përtej Ukrainës”, thotë Baranovsky.

 

Besimi në partneritetin gjermano-amerikan

Në anën amerikane rreziku për marrëdhëniet e ndërsjella vjen nga ana e  politikës së brendshme. Biden sot, disa muaj para zgjedhjeve të Kongresit në nëntor duket i dobët. Normalisht, në të ashtuquajturat  “mid-term elections” partia, që ka presidentin, humbet vende në Kongres.

Është e paqartë nëse pasardhësi apo pasardhësja e Bidenit, qoftë pas një apo dy mandatesh, do të vazhdojë partneritetet afatgjata të Bidenit, si për shembull me Gjermaninë. Sipas një sondazhi nga Shoqata Atlantic Bridge, e cila punon për të promovuar marrëdhëniet e ndërsjella, rreth 60 për qind e amerikanëve dhe gjermanëve pajtohen se qeveritë Biden dhe Scholz i kanë forcuar lidhjet. Edhe më shumë, 71 përqind e amerikanëve të anketuar dhe 81 përqind e gjermanëve, thonë se marrëdhëniet duhet të jenë të ngushta, pavarësisht nga qeveria që drejton.

Sipas sondazhit lufta në Ukrainë ka forcuar besimin reciprok. Megjithatë të dyja palët mbeten skeptike, nëse tjetra “bën atë që është e drejtë”.

Në maj Kongresi amerikan miratoi paketën e ndihmës prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën. Siguria në Evropë ka të ngjarë të jetë një nga çështjet e pakta, që nuk preken nga lufta e ashpër për pushtet mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit. “Optimisti tek unë thotë se kjo është një prirje e qendrueshme, që shkon përtej administratës së Bidenit,” thotë Daniel Benjamin i Akademisë Amerikane, “kur të dyja palët kanë parasysh situatën globale”.

dw/Christoph Hasselbach

Autoritetet gjermane i bëjnë thirrje popullatës të përgatitet për sasi të pamjaftueshme të gazit

gaziNisur nga droja se Rusia mund të ndërpresë tërësisht furnizimin me gaz natyror, kreu i Agjencisë Rregullatore gjermane për Energjinë Klaus Mueller, i bëri thirrje popullatës të shtunën të kursejë energjinë, e të përgatiten për dimrin, periudhë gjatë së cilës përdorimi i gazit rritet.

Zoti Mueller u bëri thirrje konsumatorëve familjarë të kontrollojnë dhe rregullojnë kaldajat si dhe radiatorët e gazit për të maksimizuar efikasitetin e tyre.

Mirëmbajtja, mund ta ulë konsumin e gazit me 10% deri në 15%“, tha ai për gazetën gjermane “Funke Mediengruppe”.

Apeli vjen ndërsa në fillim të këtij muaji Rusia reduktoi sasinë e gazit që eksporton drejt Gjermanisë, Italisë, Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë dhe në një kohë kur vendet e Bashkimit Evropian po hasin në vështirësi për të siguruar sasi rezervë karburanti.

Kompania shtetërore ruse Gazprom bëri të ditur se shkaku i reduktimit të sasisë së gazit natyror ishte një problem teknik me tubacionin Nord Stream 1, një gazsjellës që kalon nën Detin Baltik, e transporton gaz nga Rusia në Gjermani.

Kompania tha se pajisjet që po riparohen në Kanada kishin ngecur atje për shkak të sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë lidhur me luftën e saj në Ukrainë.

Udhëheqësit gjermanë e kanë hedhur poshtë këtë pretendim dhe e kanë quajtur uljen e sasisë së gazit, një veprim politik, si reagim ndaj sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Moskës.

Zëvendëskancelari gjerman Robert Habeck, i cili është gjithashtu ministër i Ekonomisë dhe Klimës, si dhe përgjegjës për çështje të energjisë, ka paralajmëruar se një “bllokim” i tubacionit është i mundur duke filluar nga 11 korriku, kur dhe do të nisë procesi normal i mirëmbajtjes së tij. Në sezonet e mëparshme verore, ky proces ka çuar në mbylljen e Nord Stream 1 për rreth 10 ditë, tha ai.

Pyetja që ngrihet është nëse ai që duhet të jetë një proces mirëmbajtjeje i rregullt i gazsjellësit Nord Stream 1, do të shndërrohej në një “mirëmbajtje politike” më afatgjatë“, tha zoti Mueller.

Nëse sasia e gazit që vjen nga Rusia “do të ulej për një periudhë më të gjatë kohore, do të na duhet të mendojmë më seriozisht për kursime”, tha ai.

Sipas zotit Mueller, në rast të ndërprerjes së furnizimit me gaz, do të mbroheshin fillimisht konsumatorët familjarë sikurse spitalet apo shtëpitë e pleqve.

Ai tha se agjencia e tij nuk sheh ndonjë skenar sipas të cilit sasia e gazit që vjen në Gjermani do të ndërpritej tërësisht.

voa

Parashikimi i motit, temperatura deri 40 gradë C

moti-Vendi ynë mbetet nën dominimin e temperaturave të larta edhe këtë të diel.

Sipas MeteoAlb, kjo situatë meteorologjike do të vijojë deri në orët e vona të pasdites kur pritet kalim i vranësirave në zonat malore por nuk priten reshje.

Përqindja e lartë e lagështirës në ajër do të bëjë që i nxehti të ndjehet edhe më shumë.

Temperaturat e ajrit do të mbeten të larta si në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 17°C deri në 40°C.

Top Channel