Mbi 75 mijë ushtarë rusë “të vrarë apo të plagosur në luftë”

ukrainaMë shumë se 75.000 ushtarë rusë që luftonin në Ukrainë, besohet se janë vrarë apo plagosur, ka thënë ligjvënësja amerikane, Elissa Slotkin.

 

Kjo shifër përbën gati gjysmën e numrit të trupave që Moska i ka dërguar në Ukrainë, prej nisjes së pushtimit të këtij shteti më 24 shkurt.

Duke folur për transmetuesin amerikan, CNN, Stolkin ka thënë se shifra e viktimave është “shumë e madhe”.

Ajo i ka bërë këto deklarata pas pjesëmarrjes në një takim me zyrtarë për inteligjencë të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden.

“Ne jemi njoftuar se mbi 75.000 rusë, ose janë vrarë, ose janë plagosur, e që është shifër e madhe. Shuma të mëdha janë investuar në forcat e tyre tokësore, mbi 80 për qind e këtyre forcave janë të bllokuara ose të lodhura”, ka thënë ajo.

 

Viktimat ushtarake konsiderohen sekrete shtetërore në Rusi – edhe në kohë të paqes – prandaj Moska nuk i përditëson të dhënat e saj.

Sipas vlerësimeve të fundit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), rreth 15.000 ushtarë rusë janë vrarë në luftime.

Slotkin, e cila ka vizituar së fundi Ukrainën, ka thënë se periudha e ardhshme – tri deri në gjashtë javë – do të jetë shumë e rëndësishme për drejtimin që do të marrë lufta.

“Mendoj se e kemi dëgjuar presidentin (ukrainas, Volodymyr) Zelensky se ukrainasit duan të godasin fort Rusinë para stinës së dimrit”, ka thënë ajo.

 

Nëse konfirmohen, këto shifra do të përbënin humbje të mëdha për Rusinë, teksa Ukraina çon përpara kundërofensivën në pjesët jugore të pushtuara nga Rusia, me qëllim të marrjes së kontrollit të qytetit Herson.

Ky qytet, i cili ka pasur popullsi prej 290.000 banorësh para luftës, aktualisht është nën një administratë të emëruar nga Moska.

Hersoni ka qenë një prej qyteteve të para që ka rënë në duart e forcave ruse, pas nisjes së luftës.

 

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë në përditësimin e saj të fundit se kundërofensiva ukrainase në Herson po fiton momentumin.

Rikthimi i kontrollit të qytetit do t’iu krijonte ukrainasve një terren për të marrë edhe disa pjesë tjera në brigjet e Detit të Zi.

Inteligjenca britanike ka konfirmuar se ura Antonivskiy afër Hersonit, e cila është dëmtuar javën e kaluar, është goditur sërish më 27 korrik, “dhe tani mund të mos jetë stabile për kalim”.

Antonivskiy është një prej tri urave rreth Lumit Dniepër që është dëmtuar nga forcat ukrainase, me ndihmën e artilerisë me rreze të gjatë.

Rusia varet nga këto ura për të furnizuar zonat që ka nën kontroll.

Inteligjenca britanike ka thënë se Hersoni, qendra më e rëndësishme politike që është pushtuar nga Rusia tani është “shkëputur” nga territoret tjera që janë pushtuar nga rusët.

 

Humbja e Hersonit do të dëmtonte përpjekjet e Rusisë për të shpërfaqur pushtimin si sukses, ka thënë inteligjenca britanike.

Një zyrtar ukrainas i mbrojtjes ka thënë se trupat ruse janë duke u rishpërndarë në jug të shtetit, përfshirë zonën e kundërofensivës ukrainase.

Sekretari i Këshillit ukrainas të Sigurisë, Oleksiy Danilov, i ka bërë këto komente në televizionin ukrainas më 27 korrik, duke thënë se ripozicionimi është duke u bërë në drejtim të Hersonit, Melitopolit dhe Zaporizhjas.

Danilov ka thënë se Ukraina është duke pranuar shumë armë nga partnerët ndërkombëtarë.

“Tani jemi duke pranuar sasi të madhe të ndihmës”, ka shtuar ai.

 

Në mesin e armëve që kanë pranuar ukrainasit janë edhe sistemet raketore HIMARS të Shteteve të Bashkuara.

HIMARS kanë rreze të gjatë veprimi dhe janë më precize sesa artileria e periudhës sovjetike që Ukraina e ka pasur në arsenalin e saj.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

rel

Maqedonia e Veriut përgatitet për dimrin më të vështirë, të gjitha kapacitetet energjetike do të vendosen në funksion

largpercuesitMaqedonia e Veriut i bënë të gjitha përgatitjet për dimrin e ardhshëm në fushën e energjetikës, thonë organet kompetente, të cilat nuk fshehin se do të jetë ndër dimrat më të vështirë në vitet e fundit.

 

Në funksion do të vendosen të gjitha kapacitetet vendore për prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa në fund është blerja e sasive të nevojshme të mazutit dhe qymyrit. Autoritetet në vend ju bëjnë thirrje qytetarëve të kursejnë energji elektrike, përcjell Telegrafi Maqedoni.

EMV siguron se do t’i plotësojnë plotësisht nevojat e EVN Home, Elektrodistribuimit dhe MEPSO. Drejtori i EMV-së Vasko Kovaçevski thotë se të gjitha blerjet e nevojshme janë bërë në kohë dhe me çmime të volitshme. Për blerjen e mazutit të dorëzuar deri më tani janë shpenzuar rreth 25 milionë euro dhe për thëngjill rreth 30 milionë euro. Nëse ka mungesë të energjisë gjatë dimrit, siç tha dje Kovaçevski, do të importohet, por sipas tij, do të ishte sasi shumë e vogël.

Tani po vijnë sasi të thëngjillit nga blerjet e bëra në mars, prill dhe maj për të cilat janë lidhur kontrata dhe sipas drejtorit të EMV sasi të reja do të prokurohen shtesë dhe do të dorëzohen nga nëntori deri në prill. Çmimi mesatar për thëngjillin e blerë, siç tha ai, është nga 55 deri në 62 euro për ton, ndërsa në bursë kushton nga 90 deri në 120 euro për ton.

Të gjitha objektet vendase që prodhojnë energji elektrike do të vihen në punë. Përveç dy blloqeve të TEC Manastirit, pritet të vihet në funksion edhe blloku i tretë, për të cilin është lidhur kontrata për blerjen e transformatorit të ri dhe i vjetri është duke u riparuar. Siç tha Kovaçevski, pritet që ai të vihet në funksion në tetor.

Me shpalljen e gjendjes së krizës në gusht, pritet që kërkesat e sektorit të biznesit të fillojnë të zbatohen – gjatë dimrit të mos mbyllen kufijtë për importin e energjisë elektrike dhe këtë Qeveria duhet ta komunikojë me Serbinë dhe Bullgarinë.

Telegraf

Autoriteti i Dosjeve: Meta lidhje me ish Sigurimin. Ish presidenti e mohon kategorikisht

Ilir MentaNë Shqipëri, një shkresë që Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit, i ka dërguar parlamentit, bën të ditur se emri i ish presidentit Ilir Meta figuron në dokumentat e krijuara nga strukturat e ish Sigurimit të Shtetit. Zoti Meta ka marrë më herët çertifikatën e pastërtisë nga dy Komisionet e mëparshme të ngritura në vitet ’90, por dhe nga vetë Autoriteti i Dosjeve, në prill të vitit 2017.

 

Por sipas një njoftimit të këtij institucioni, anëtarët e tij janë ndeshur me informacione dhe të dhëna mbi një personazh me profil të lartë politik. Institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e ish presidentit, në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit, gjë që ka sjellë në zbulimin e emrit të zotit Meta në këto dosje.

Mbi rastin nuk jepen detaje të shkallës së implikimit dhe angazhimit të mundshëm të ish kreut të shtetit në strukturat famëkeqe të ish sigurimit. Vetë zoti Meta sot hodhi poshtë në mënyrë kategorike që kjo të ishte e vërtetë.

“Siguroj të gjithë qytetarët që Ilir Meta është këtu pas 30 vitesh angazhimi politik, sepse ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë i pastër në ndërgjegjen e tij dhe në të vërtetat e tij e do vijojë dhe 30-40 vite të tjera”, deklaroi ai duke lënë të kuptohet se ishte në dijeni të rastit. “Ata e dinë më mirë se kushdo se çfarë ka, çfarë s’ka dhe sa e manipuluar është ajo dosje që thonë ata. Me një email anonim elektronik, dhe jam i sigurt që kur të bëhet publik, do të gajaseni të gjithë, na qenka zbuluar se qenka një I.M.”.

Ish presidenti akuzoi në mënyrë të drejtëpërdrejtë Autoritetin e Dosjeve se është përdorur për qëllime politike. “Autoriteti i manipulimit dhe falsifikimit të të vërtetave që përdoret si instrument propagandistik”, u shpreh ai.

Autoriteti i Dosjeve reagoi ndaj akuzave duke deklaruar se “nuk ndikohet në ushtrimin e veprimtarisë së tij për informim dhe vijon punën, bazuar në ligjshmëri, transparencë, mbrojtje të së drejtës për jetë private dhe të dhënave personale, mbrojtje të të dhënave që përbëjnë informacion të klasifikuar dhe bashkëpunim mes institucioneve shtetërore”.

Autoritetit shpjegoi në deklaratën e tij se “të drejtën e informimit për dosje të ish-Sigurimit të Shtetit mund t’a ushtrojë çdo palë e prekur apo e përmendur” dhe se “autoriteti verifikon me përgjegjësi profesionale çdo pretendim mbi materiale të referuara apo të kërkuara”.

Në shkresën dërguar parlamentit, Autoriteti shpjegon se rasti i fundit i zotit Meta, por dhe të tjera të ngjashme, për figura po ashtu të rëndësishme, e shtynë atë, që për të disatën herë, t’i kërkojë ligjvënësve disa ndryshime ligjore, për të hequr pengesën që kush ka çertifikatë pastërtie nga komisionet e mëparshme, të mund të verifikohet sërish, si dhe përfshirjen e parashikimit ligjor që për të zgjedhurit të bëhet i detyrueshëm verifikimi për lidhjet me ish Sigurimin që në momentin që ata kandidojnë, dhe atyre t’u ndalohet pjesmarrja në garë nëse rezultojnë të kenë bashkëpunuar me strukturat e diktaturës.

Kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla organizoi sot takime me krerët e grupeve parlamentare dhe drejtuesit e Komisionit të Ligjeve dhe Sigurisë ku i njohu me shkresën e Autoritetit të Dosjeve.

“Rasti është tronditës dhe parlamenti duhet të reagojë patjetër. Rasti ngre pyetje të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe për forcat politike”, u shpreh zonja Nikolla ndërsa tha se ka shprehur “gatishmërinë time për ta mbledhur Kuvendin në çdo kohë që forcat politike do të kenë nevojë”, për të realizuar ndryshimet ligjore të propozuara nga Autoriteti. Ndryshime të cilat do të kërkonin një shumicë të cilësuar prej të paktën 84 votash.

Por për zotin Meta, edhe lëvizja e kryetares së parlamentit, është e nxitur nga kryeministri Edi Rama “për nevojat e tij personale për të shmangur vëmendjen nga çështje më urgjente, siç është ajo e inceneratorëve, dhe nga të gjitha aferat e tjera të zeza”.

Zoti Meta, menjëherë sa përfundoi mandatin e tij si president, rimorri drejtimin e Lëvizjes socialiste për Integrim, pasi asaj iu ndryshua më parë emri, në Partia e Lirisë, duke shkrirë dhe strukturat e saj drejtuese.

Në krah të zotit Meta doli sot ish kryeministri Sali Berisha, i rikthyer në drejtimin e Partisë Demokratike. Duke folur për një “akt të turpshëm dhe amoral” edhe ai akuzoi kreun e qeverisë Rama që “urdhëron fallsifikimin dhe manipulimin e dosjeve dhe sulmoi në një akt hakmarrjeje të verbër, nëpërmjet veglave të tij, ish – Presidentin e Republikës Ilir Meta, duke aluduar se ai paska qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit”.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, i thirrur në takim nga kryetarja e parlamentit Nikolla, shkroi në një postim të gjatë në Facebook se “refuzova të njihesha me detajet e dosjes sekrete të politikanit me inicialet I.M.! Për mua si politikan dhe për PD-në si parti e themeluar mbi parimet e transparencës, standardet dhe jo emrat e përveçëm, janë të rëndësishme për funksionimin normal të demokracisë. I bëra me dije Kryetares së Kuvendit se qëndrimi i PD-së për çështjen e dosjeve ka qenë koherent dhe vijon të mbetet i pandryshuar. Shoqëria dhe shteti shqiptar ka nevojë uluritëse të dekomunistizohet”. Ai shton më tej se “çdo iniciativë për hapjen e dosjeve, lustracionin apo dekomunistizimin, siç ne kemi kërkuar sistematikisht, do të ketë mbështetjen e plotë tonën. Por këto iniciativa duhet të bëhen të plota, të sinqerta dhe ezauruese, dhe jo gjysmake në funksion të lojrave të vogla politike”.

 

DAP Maqedoni: Deri në fund të javës pritet të përfundojë përditësimi i aplikacionit “TVSH-ja Ime”

skanim-tvshDeri në fund të javës pritet të përfundojë përditësimi i aplikacionit “TVSH-jaIme”, pas së cilës nga Drejtoria për të Ardhura Publike thonë se do të informojnë qytetarët se kur mund të përdorin sërish metodën e avancuar të skanimit.

 

“Ekipi i DAP-it është plotësisht i angazhuar, për të përfunduar sa më shpejt këtë proces të përshtatjes së aplikimit. Dje dhe sot janë bërë rregullime shtesë, presim që procesi të përfundojë deri në fund të javës, pas së cilës do t’i informojmë përdoruesit se kur do të mund të përdorin përsëri metodën e avancuar të skanimit. Faleminderit për mirëkuptimin për procesin e rregullimit dhe ndërkohë që përdoret përkohësisht kjo metodë bazë e skanimit, e cila bazohet në aftësitë e telefonit dhe nuk është i mjaftueshëm për të gjithë qytetarët të mund të skanojnë shpejt dhe me efikasitet barkodet nga llogaritë fiskale”, thonë nga DAP.

Ndaj, shton DAP, po bëhet një përmirësim shtesë i softuerit për të mundësuar një mënyrë të avancuar skanimi, e cila do të barazojë mundësitë e të gjithë qytetarëve, pavarësisht se çfarë telefoni posedojnë.

“Për shkak të përshtatjes së aplikacionit me zhvillimin e ri teknologjik, me mënyrën më të avancuar të skanimit, aktualisht është e mundur të përdoret vetëm lexuesi i barkodit i aktivizuar nga telefoni”, sqaron DAP.

Prej atje bëjnë me dije se në muajin gusht do të paguhen mjete për qytetarët nga TVSH-jaIme.

telegrafi

Nënshkruhet Marrëveshja mes Kosovës dhe MCC, vlera 236.7 milionë dollarë

Nënshkruhet Marrëveshja mes Kosovës dhe MCCKa përfunduar ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, ndërmjet Kosovës dhe MCC-së në Uashington.

 

Nënshkrimi është bërë në një ceremoni të organizuar në Kongresin amerikan, nga Alice P. Albright, shefe ekzekutive e MCC-së dhe Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, teksa të pranishëm kanë qenë edhe presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Përmes kësaj marrëveshje Kosova përfiton dy projekte, që njëherësh konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje MCC mëton ta ulë varfërinë në Kosovës përmes rritjes ekonomike dhe furnizimin e qëndrueshëm energjetik.

Marrëveshja e nënshkruar në Uashington do të duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave.

Para ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, Alice Albright, kryeshefe e MCC-së e ka falënderuar ekipin për të cilin ka thënë se e ka bërë një punë të mrekullueshme.

Albright tutje ka thënë se marrëveshjet e MCC-së sjellin dobi për miliona njerëz, derisa ka thënë se qytetarët e Kosovës po përballen me probleme me energjinë.

“Këto investime pritet që të sjellin dobi, për miliona njerëz. Sot Kosova dhe MCC nënshkruajnë kompaktin prej 263 milionë dollarësh. 4 nga 10 shtëpi në Kosovë, aktualisht janë duke u përballur me një formë të problemeve me energjinë”, tha ajo.

“Është shumë bukur që jemi mbledhur këtu në këtë moment të rëndësishëm për të dy vendet. Mirëpresim presidenten Osmani, kryeministrin Kurti, ambasadorin Dugolli. Ekipi im ka bërë shumë punë për të mbërritur në këtë moment të rëndesishëm. Në 49 vende që nga viti 2004 SHBA ka investuar miliona. Sot Kosova dhe MCC nënshkruajnë marrëveshjen në vlerë 202 milionë dollarë për mbështetje të energjisë. Energjia është kruciale për zhvillim. Investimet do të jenë në energji, si krijimin e baterive akumuluese energjetike. Fshirja e barrierave për gratë që të jenë më të përfshira në biznes. Edhe Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 35 milionë dollarë. SHBA është shumë krenare për partneritetin me Kosovën në këto marrëveshje”, ka theksuar Albright.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para të pranishmëve ka deklaruar se Kosova është krenare që e ka SHBA-në pranë saj.

Faleminderit për mikpritjen në këtë ndërtesë të mrekullueshme që bart kaq shumë histori. Ndërtesë kjo, e cila është sinonim i shpresës, punës së palodhur dhe ambicies.

Jam vërtet e kënaqur që jam këtu me ju në Kongresin e SHBA-ve, në të njëjtin institucion që pati rol kryesor dhe i cili dha kontribut thelbësor për lirinë e pavarësinë tonë dhe i cili vazhdon të na mbështesë sot e kësaj dite.
Republika e Kosovës, një shtet sovran, një demokraci e zhvilliar  dhe një ekonomi në rritje, është krenare dhe e nderuar që i ka në krah Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Do të na dëgjoni teksa përsërisim vazhdimisht se SHBA-të janë aleati ynë më i fortë dhe se dy vendet dhe popujt tanë gëzojnë një lidhje unike, si dhe një partneritet që vërtetë që i ka rezistuar kohës.

Kjo ceremoni konfirmon edhe një herë se çfarë ngërthen në vete kjo marrëdhënie: ngërthen në vete qëndrimin pranë  njëri-tjetrin dhe të qenit aty për njëri-tjetrin në kohë të mira dhe në kohë të vështira.

Sot, SHBA-të, nëpërmjet MCC-së, e rikonfirmuan mbështetjen e tyre të palëkundur për Republikën tonë të re dhe gatishmërinë e tyre për të na ndihmuar të avancojmë më tej ekonomikisht dhe të zhvillohemi në mënyrë të qëndrueshme. Të qëndrosh pranë nesh sot dhe të na mbështesësh në përpjekjet tona për të përqafuar një tranzicion të suksesshëm, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të energjisë, do të thotë që të vazhdosh të punosh në mënyrë strategjike e të ndërtosh mbi ato që tashmë i kemi arritur bashkërisht përgjatë viteve.

Përballja me sfidat e tranzicionit energjetik, hartimin e politikave të duhura, përgatitja e fuqisë punëtore për nevojat e së ardhmes, por më e rëndësishmja, ruajtja dhe garantimi i sigurisë energjetike, mbeten disa nga sfidat që po na shqetësojnë kaq shumë.

Në kontekstin e zhvillimeve të sigurisë në Evropë dhe rrjedhimisht në mbarë botën, ndërhyrjet e zgjuara dhe me kohë në sektorin e energjisë në këtë periudhë mund të kthehen në trashëgiminë më të rëndësishme të brezit tonë.

Tash është koha që t`i bëjmë gjërat më mirë, të miratojmë politika të mençura dhe t`i adresojmë situatat sfiduese, duke i shndërruar ato në mundësi,  të cilat e ndryshojnë kahun e veprimit drejt një të ardhme të gjelbër, të sigurt dhe më e pastër.

Kosova është e gatshme ta përqafoj këtë të ardhme dhe nga zemra ju falënderoj që jeni pjesë e këtij rrugëtimi jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Sot jemi dëshmitarë se çfarë mund të arrihet me angazhim, qëndrueshmëri dhe përkushtim.

Institucionet tona bashkërisht me ekipin e MCC-së e kanë hartuar Programin Kompakt, i cili do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve urgjente në sektorin e energjisë.

Marrëveshja prej 236.7 milionë dollarësh, që është investimi më i madh energjetik i bërë në vendin tonë prej dekadash tashmë, do të ndihmojë në krijimin e fleksibilitetit dhe stabilitetit në rrjetin elektrik, duke mundësuar integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme, si dhe zhvillimin e aftësive që do të kontribuojnë në rritjen e pjesëmarrjes dhe angazhimin e grave tona në sektorin e energjisë dhe në tregun e punës.

Praktikisht, kjo Marrëveshje do të na sjellë më pranë ndërtimit të sistemit energjetik që plotëson nevojat e së ardhmes: ajo ngërthen inovacionin, garanton përballueshmëri dhe promovon gjithëpërfshirje.

Jam e lumtur të shoh se gratë janë vënë në qendër të veprimit, duke përcjellë mesazhin thelbësor për rolin e tyre jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimin e suksesshëm, jo vetëm të sektorit të energjisë.

Për të gjitha këto dhe për gjithçka që pason në ditët dhe vitet në vijim, dua të falënderoj çdo person në të dy ekipet tona që ka qenë pjesë e takimeve, shkëmbimeve dhe negociatave dhe që ka dhënë kontribut të drejtpërdrejtë për ta bërë këtë bashkëpunim rrëfim të suksesshëm.

Faleminderit, kongresmenit Keating dhe të tjerëve për mikpritjen si dhe për mesazhin e qartë se ky program është i rëndësishëm për Kongresin e SHBA-ve po aq sa edhe për institucionet e Kosovës.

Dua ta falënderoj, gjithashtu kongresmenët Meeks dhe McCaul, për gjithë kontributin e tyre që kjo të bëhet realitet.

Një falënderim i madh për shefen ekzekutive të MCC-së, znj.Albright dhe gjithë ekipin e MCC-së, të gjithë në D.C dhe të gjithë në Kosovë, për mbështetjen dhe përkrahjen e kësaj marrëveshjeje, e cila përveç adresimit të disa prej sfidave urgjente me të cilat përballemi, është po ashtu vazhdimësi e punës së shumë personaliteteve të shquara dhe disa prej miqve më të dashur të Kosovës.

Një ndër to që e vlerësojmë lart është pikërisht nëna juaj e shtrenjtë, e dashur Alice, ish-sekretarja e ndjerë e Shtetit, Madeleine Albright. Jam thellësisht e bindur se ajo do të ishte shumë krenare për këtë arritje të përbashkët sot!

Dua gjithashtu ta falënderoj thellësisht Presidentin Biden, Sekretarin Blinken dhe shumë zyrtarë nga Qeveria e SHBA-ve, për mbështetjen e këtij projekti dhe si të tillë, për ndihmën e ofruar Kosovës për ta përshpejtuar rrugën e saj të tranzicionit energjetik drejt një të ardhmeje të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe të përballueshme. Puna e deritashme ka qenë e jashtëzakonshme, ndaj ne  presim dhe kemi entuziazëm të madh për punën e mëtutjeshme”, ka theksuar Osmani.

Kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar këtë ditë si historike për Kosovën dhe SHBA-në. ”Është ditë e madhe që Kosova të krijojë mundësi për prodhim energjie të pastër. Ky bashkëpunim i ngushtë e bën Kosovën të jetë një vend që ecë drejt prodhimit të energjisë së pastër. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje vjen në moment të rëndësishëm për Kosovën. Në fund të këtij viti do të fillojmë me promovimin e energjisë solare. Jemi këtu në këtë ceremoni speciale duke falënderuar lidershipin e znj Albrghiht dhe minstres Rizvanolli. Kjo marrëveshje do t’i prezantohet edhe Kuvendit për ratifikim. Fatkeqësisht nuk do të jemi prezent kur edhe opozita do ta mbështesë këtë marrëveshje. Nuk jemi të bashkuar vetëm në interes por edhe në vlera e kjo e bën lidhjen tonë edhe më të fortë“, ka theksuar Kurti.

rtk

Kosovë: Osmani dhe Kurti në SHBA

Vjosa Albin AntonyPresidentja e Kosovës Osmani dhe kryeministri Kurti po qendrojnë në SHBA, ku marrin pjesë edhe në nënshkrimin e marrëveshjes për Programin MCC, një projekt ky nga i cili Kosova përfiton 236.7 milionë dollarë.

 

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u tha presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, se “Shtetet e Bashkuara e mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës, si dhe dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja”. Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, së bashku po qendrojnë për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku takuan Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

“Jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje që janë të rëndësishme për SHBA-në dhe shtetin tuaj”, shkroi Blinken në Twitter pas takimit, duke shtuar se me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin, Albin Kurti, “kanë diskutuar edhe për çështjet kritike të sigurisë rajonale”, por nuk dha më shumë detaje.

Zëdhënësi Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha se gjatë takimit kryediplomati i SHBA-së, Blinken theksoi partneritetin e qendrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe se falënderoi dy udhëheqësit për mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe pritjen e afganëve që u larguan nga vendi i tyre pas ardhjes në pushtet të Talebanëve në Afganistan.

“Ata diskutuan për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim njohjen reciproke, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike”, tha zëdhënësi Price.

Presidentja Vjosa Osmani nga ana e saj, tha se takimi me Blinken “ishte i shkëlqyeshëm”, dhe edhe një herë u konfirmua që “Kosova nuk ka mik më të madh e më të mirë sesa SHBA-në”.

“Biseduam për fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, nevojën e Kosovës që të jetë anëtare e NATO-s, si dhe për rolin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë”, tha Osmani. Sa i përket dialogut me Serbinë, presidentja Osmani tha se në takim me Blinken, “kanë biseduar në detaje për disa nga marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi, siç është ajo e energjisë”, dhe shtoi se “administrata e SHBA-së ka qenë e qartë që procesi i dialogut të përqendrohet në njohje reciproke, gjë që është konfirmuar edhe sot gjatë këtij takimi”. Një çështje tjetër, sipas Osmanit, e ngritur në takim me Antony Blinken, “ishte edhe roli që ka Rusia në destabilizimin Ballkanit Perëndimor”.

“Sekretari Blinken, njësoj sikurse presidenti Biden, e njohin shumë mirë këtë histori të intencave ruse në rajonin tonë dhe në asnjë moment nuk e largojnë vëmendjen e tyre, gjë që na konfirmuan edhe sot, në mënyrë që bashkërisht të punojmë që t’i ndalim këto tendenca për destabilizim në rajonin tonë”, tha Osmani.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se e “shfrytëzoi takimin me ministrin e Jashtëm Blinken për të kërkuar më shumë investime amerikane në Kosovë dhe rritje të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve”.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në SHBA do të marrin pjesë edhe në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për Programin Kompakt me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit, një projekt ky që kap vlerën e 236.7 milionë dollarëve. Kjo ndihmë e SHBA-së ka për qëllim “forcimin e sektorit të energjisë në Kosovë dhe fuqizimin e përfshirjes së grave në këtë fushë”.

dw

Tërheqja e Rusisë nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës

Stacioni hapsinorRusia do të tërhiqet nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës pas vitit 2024 dhe do të përqëndrohet në ndërtimin e stacionit së saj orbitale.

 

Njoftimi vjen mes tensioneve në rritje midis Rusisë dhe Perëndimit lidhur me operacionin ushtarak të Kremlinit në Ukrainë.

Megjithë përçarjen, agjencia amerikane NASA dhe ajo ruse Roscosmos bënë një marrëveshje në fillim të këtij muaji që astronautët të vazhdojnë të përdorin anijet ruse dhe që kozmonautët rusë të arrijnë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor me anijen SpaceX duke filluar nga kjo vjeshtë.

Bashkëpunimi amerikano-rus në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës do të përfundojë pas vitit 2024.

Rusia do të tërhiqet nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor pas vitit 2024 dhe do të përqendrohet në ndërtimin e stacionit së saj orbitale, tha të martën (26 korrik) shefi i sapoemëruar i hapësirës ruse.

Yuri Borisov, i cili u emërua në fillim të këtij muaji për të udhëhequr korporatën hapësinore Roscosmos të kontrolluar nga shteti, tha gjatë një takimi me presidentin Vladimir Putin se Rusia do të përmbushë detyrimet e saj ndaj partnerëve të tjerë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës përpara se të largohet nga projekti.

Deklarata e zotit Borisov rikonfirmoi deklaratat e mëparshme të zyrtarëve rusë të hapësirës për synimin e Moskës për të hequr dorë nga stacioni hapësinor pas vitit 2024.

Njoftimi vjen mes tensioneve në rritje midis Rusisë dhe Perëndimit lidhur me veprimet ushtarake të Kremlinit në Ukrainë.

NASA dhe Roscosmos ranë dakord në fillim të këtij muaji që astronautët amerikanë të vazhdojnë të udhëtojnë me raketa ruse dhe që kozmonautët rusë të përdorin anijet SpaceX për në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës duke filluar nga kjo vjeshtë.

Sipas NASA-s dhe zyrtarëve rusë, marrëveshja siguron që stacioni hapësinor të ketë gjithmonë të paktën një amerikan dhe një rus në bord për të siguruar funksionimin pa probleme të dy sektorëve të stacionit hapësinor.

Marrëveshja kishte kohë që negociohej dhe u finalizua pavarësisht fërkimeve mbi Ukrainën si shenjë e vazhdimit të bashkëpunimit amerikano-rus në hapësirë.

Pas rivalitetit intensiv gjatë ditëve të para të eksplorimit të hapësirës në vitet 1950 dhe 60, marrëdhënia midis Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së u përmirësua ngadalë duke çuar në misionin e parë të përbashkët në vitin 1975.

Të nisur në dy fluturime të veçanta – me anijen Apollo dhe Soyuz – astronauti Tom Stafford dhe kozmonauti Alexei Leonov ankoruan anijet e tyre kozmike së bashku dhe shtrënguan duart.

Një gjest simbolik që shënoi përfundimin e mirë të garës hapësinore dhe fillimin e një periudhe bashkëpunimi.

Dhe një nga pikat e para në rendin e ditës ishte krijimi i Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS).

Stacioni hapësinor, një partneritet ndërkombëtar i pesë agjencive hapësinore nga 15 vende, duke përfshirë Kanadanë, disa vende në Evropë, Japoni, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, u nis në vitin 1998 dhe u shndërrua në një kompleks që është pothuajse i gjatë sa një fushë futbolli, me 13 kilometra instalime elektrike, një hektar panele diellore dhe tre laboratorë të teknologjisë së lartë.

Më 20 nëntor të vitit 1998, një raketë përforcuese ruse Proton çoi në orbitë pjesën e parë të stacionit ndërkombëtar, duke paralajmëruar fillimin e një epoke të re në kolonizimin ndërkombëtar të hapësirës.

Ky projekt çoi në një epokë të re bashkëpunimi midis ish-rivalëve të garës hapësinore.

Deri në vitin 2008, ishin duke u vendosur komponentët përfundimtarë, që përfshinë një laborator gjigant japonez miliarda dollarësh.

Astronautët, duke punuar nga brenda, përdorën krahun robotik të stacionit për të tërhequr laboratorin nga anija dhe për ta ankoruar atë në stacion.

Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës ishte shtëpi dhe vendi i punës për kozmonautin Mikhail Kornienko dy herë në dekadën e fundit, fillimisht në vitin 2010 dhe më pas një periudhë prej 340 ditësh së bashku me astronautin amerikan Scott Kelly.

Në kohën kur kapsula me Kelly-n dhe Korinenkon u ul në Kazakistan, çifti kishte udhëtuar 144 milionë milje nëpër hapësirë, kishte rrotulluar botën 5,440 herë dhe kishte përjetuar 10,880 lindje dhe perëndim të diellit në hapësirë.

Agjencia Evropiane e Hapësirës ka konfirmuar se është duke pezulluar pafundësisht misionin e saj rover ExoMars me Roscosmos për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Më 18 mars, tre kozmonautë rusë mbërritën në stacion të veshur me kostume fluturimi me ngjyrë të verdha dhe blu, ngjyrat e flamurit ukrainas.

Kozmonauti Oleg Artemyev tha se çdo ekuipazh zgjedh ngjyrën e kostumeve të fluturimit rreth gjashtë muaj përpara nisjes, sepse ato duhet të qepen individualisht.

Dhe duke qenë se të tre ishin të diplomuar në Universitetin Teknik Shtetëror Bauman të Moskës, ata zgjodhën ngjyrat e universitetit të tyre prestigjioz.

NASA dëshiron të mbajë stacionin hapësinor në funksionim deri në vitin 2030, ashtu si edhe agjencitë hapësinore evropiane, japoneze dhe kanadeze.

SHBA dhe Rusia kanë qënë operatorët kryesorë të stacionit orbital për 21 vjet.

Derisa anijet e kompanisë SpaceX filluan të transportonin astronautët në vitin 2020, amerikanët rregullisht bënin udhëtime me kapsulat ruse Soyuz duke paguar dhjetëra miliona dollarë për çdo vend.

voa

SHBA zgjeron përpjekjet kundër lisë së majmunit

Dr. Ashish JhaPresidenti Biden po vazhdon të përmirësohet pas infektimit me COVID-19 ndërsa Shtetet e Bashkuara përballen me një kërcënim të ri shëndetësor. Ditë më parë, shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë e shpalli linë e majmunit emergjencë të shëndetit publik të përmasave ndërkombëtare. Por a janë SHBA-të të përgatitura për t’u përballur me një shpërthim të ri infeksionesh?

 

Të shtunën, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë e shpalli virusin, që është tipik për vendet e Afrikës qendrore dhe që ka infektuar më shumë se 16,000 njerëz në 75 shtete, një emergjencë të shëndetit publik të përmasave botërore. Lija e majmunit u zbulua në Shtetet e Bashkuara në muajin maj dhe deri tani janë raportuar 3,000 raste.

Emergjencat e deklaruara më parë nga OBSH-ja janë pandemia e koronavirusit, shpërthimi i Ebolës në vitin 2014 në Afrikën Perëndimore dhe virusi Zika që goditi Amerikën Latine në vitin 2016.

Koordinatori kryesor i Shtëpisë së Bardhë për pandemitë, Dr. Ashish Jha, thotë se vendi është i përgatitur

“Do të vazhdojmë të punojmë për shtimin e testeve, vaksinave dhe trajtimit dhe të sigurohemi që amerikanët i kuptojnë rreziqet dhe sfidat që sjell ky virus dhe se çfarë po bën administrata për t’u përballur me situatën”.

Simptomat i ngjajnë gripit, me skuqje të lëkurës që duken si puçrra ose flluska. Mjekët thonë se kjo nuk është një pandemi në zhvillim e sipër. Ndryshe nga COVID-19, lija e majmunit përhapet vetëm përmes kontaktit të ngushtë dhe ekziston një vaksinë kundër virusit.

Administrata e Presidentit Biden thotë se shpreson të sigurojë më shumë se 6.9 milionë doza vaksine deri nga mesi i vitit 2023. Organet e shëndetësisë po ofrojnë falas më shumë se 1.7 milionë kura për trajtimin e sëmundjes.

Koordinatori Ashish Jha tha se administrata po kërkon gjithashtu të përshpejtojë një reagim global, megjithëse ai nuk dha detaje kur u pyet nga Zëri i Amerikës.

“Vazhdojmë të kemi partneritete të ngushta me shumë vende për ndërtimin e kapaciteteve laboratorike, njëlloj sikur testimet në Shtetet e Bashkuara. Është e rëndësishme që edhe vendet e tjera të kenë këto aftësi. Lija e majmunit është përhapur në shumë shtete. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me kolegët tanë evropianë dhe vende të tjera të botës. Mendoj se shpallja e emergjencës së shëndetit publik do të nxisë edhe më tej reagimin global”.

Mjekët thonë se nuk ka rëndësi se si quhet ky shpërthim, por është e domosdoshme që sistemet shëndetësore ta ndalojnë këtë sëmundje, e cila në fakt e ka origjinën nga brejtësit dhe jo nga majmunët.

Specialistët kanë këshilluar fushata botërore vaksinimi. Deri tani, rastet më të shumta në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë kanë qënë mes meshkujve që kanë patur marrëdhënie intime me meshkuj.

Dr. Amesh Adalja është studiues në Qendrën Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore.

“Nëse qeveria amerikane dëshiron të jetë serioze lidhur me kontrollin e lisë së majmunit, ata duhet të gjejnë një mënyrë për të kontrolluar origjinën e virusit. Kjo do të kërkojë vaksinim më të gjërë në vendet ku virusi është tipik. Ky është një veprim legjitim që duhet ndërmarrë në këtë pikë”.

Të enjten e kaluar Presidenti Biden njoftoi se ishte infektuar me COVID-19. Një ditë më parë presidenti tha se po përmirësohej dhe se vazhdonte punën i izoluar nga të tjerët.

“Çdo ditë ndihem më mirë. Kam pak dhimbje fyti dhe kollë, por po përmirësohem. Kam pak bezdisje të fytit por në fakt më shumë në hundë se kudo tjetër. Mendoj se jam drejt shërimit të plotë, me dëshirën e Zotit”.

Presidenti tha se shpreson që deri nga fundi i javës t’i kthehet plotësisht punës në Zyrën Ovale.

voa

Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti takohen me Sekretarin Blinken

Osmani Kurti BlinkenPresidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti u takuan të martën në Uashington me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

 

Pas takimit, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price tha se gjatë takimit Sekretari Blinken theksoi partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe se falënderoi dy udhëheqësit për mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe pritjen e afganëve që u larguan nga vendi i tyre pas ardhjes në pushtet të Talebanëve.

“Ata diskutuan për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim njohjen reciproke, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike”, shkruan zëdhënësi Price.

Në hapje të takimit me zonjën Osmani dhe zotin Kurti, Sekretari Blinken foli për partneritetin e fortë SHBA-Kosovë dhe rëndësinë e kësaj miqësie.

“Kosova është një partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara dhe mendoj se, siç e dini të gjithë, mes nesh ka një histori të gjatë dhe të fortë, veçanërisht me Presidentin Biden, i cili ju dërgon përshëndetjet e tij të ngrohta”, tha zoti Blinken.

Pas takimit, në një prononcim për Zërin e Amerikës, Presidentja Vjosa Osmani tha se e informoi Sekretarin Blinken rreth reformave të ndërmarra në Kosovë dhe sfidat me të cilat ballafaqohet vendi, për të cilat siç u shpreh ajo “duhet përkrahja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Edhe një herë u konfirmua se Republika e Kosovës nuk ka mik më të madh, më të fuqishëm dhe më të afërt sesa SHBA-të”, tha zonja Osmani.

Nga ana e tij, Kryeministri Albin Kurti tha se shprehu mirënjohjen e tij për ndërhyrjen e NATO-s për të ndalur mizoritë serbe në Kosovë, vendi që siç u shpreh ai “është një rrëfim suksesi i një demokracie cilësore që ecën së bashku me zhvillimin ekonomik”.

“Në kontrast me disa fuqi të tjera nëpër botë, të cilat dëshirojnë të tregojnë që për zhvillim ekonomik demokracia nuk është e nevojshme, shteti jo i madh i Kosovës është një shembull i madh se zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore shkojnë së bashku”, tha zoti Kurti për Zërin e Amerikës.

Kryeministri Kurti tha se e shfrytëzoi takimin me Sekretarin Blinken për të kërkuar më shumë investime amerikane në Kosovë dhe rritje të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve.

Presidentja Osmani shtoi se takimi i sotëm ishte garanci e angazhimit amerikan në rajon në një periudhë kur agresioni rus në Ukrainë, siç tha ajo “ka dëshmuar se cilat janë demokracitë e vërteta” . Zonja Osmani shtoi se bashkëpunimi më i afërt Kosovë-SHBA është i domosdoshëm duke i ditur prirjet për ndikimin në Ballkan të Rusisë, përmes siç u shpreh ajo, satelitit të Putinit, Serbisë.

“Kemi diskutuar më në detaje në mënyrë që të jemi më vigjilent tash e tutje, shumë më të koordinuar me SHBA-të dhe aleatët tanë të tjerë në NATO në mënyrë që t’i parandalojmë këto plane destabilizuese që i ka Putini me satelitët e vet”, tha zonja Osmani në një pyetje të Zërit të Amerikës.

Presidentja dhe Kryeministri i Kosovës nesër do të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për Programin Kompakt me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit, një projekt në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, që ka për qëllim forcimin e sektorit të energjisë në Kosovë dhe fuqizimin e përfshirjes së grave në këtë fushë.

voa

Gjermania kërkon forca pune

kerkoj punetorMungesa e punëtorëve në Gjermani është në rritje si në industri, ashtu edhe në zejtari ose në kujdesin shëndetësor. Marrja e forcave të specializuara nga jashtë nuk po funksionon. Pritet reforimi ligji të migracionit

 

Kjo darkë mund të kishte qenë një darkë e bukur. “Unë kisha rezervuar një tavolinë për të,” thotë në telefon pronari i restorantit, “por për fat të keq nuk kisha askënd që të gatuante”. Kjo histori tingëllon si shaka, por është në fakt serioze. Në Gjermani mungojnë kuzhinjerët, ndihmësit në kuzhinë dhe forcat e shërbimit. Dhe nga mungesa e fuqisë punëtore nuk vuan vetëm gastronomia.

Trenat nuk nisen më sepse nuk ka trenista. Në aeroporte valixhet mblidhen sipër njëra tjetrës, sepse nuk ka dikë që të merret me shkarkimin. Në pikat e kontrollit të sigurisë udhëtarët shfryjnë nervat e ngritura kur humbasin fluturimin për shkak të rradhëve të gjata të pritjes, kopshtet e fëmijëve refuzojnë pranimin e fëmijëve, sepse mungojnë edukatorët.

 

Mungesa në 148 profesione

Në një sondazh të bërë nga Dhoma gjermane e Industrisë dhe Tregtisë, e cila përfaqëson interesat e miliona ndërmarrjeve nga industria, tregtia dhe shërbimet, 56 përqind e ndërmarrjeve ankohen për mungesën e puntorëve dhe e quajnë këtë mungesë si një nga rreziqet më të mëdha për biznesin.

Agjencia Federale e Punës ka rradhitur aktualisht mungesë fuqie punëtore në 148 profesione. 122 profesione të tjera ndodhen nën vëzhgim. Tetë muaj zgjat mesatarisht deri sa një strehimore të moshuarish të gjejë një punonjës kujdestar për shëndetin. Firmat e ndërtimit duhet të llogarisin pritje gjashtë mujore deri sa të gjejnë një punëtor ndërtimi. Në të gjithë Gjermaninë janë shpallur vakant 1.7 milionë vende pune.

 

Nuk mungojnë vetëm forcat e specializuara

“Për të shitur shërbimet tona ne kemi shpërndarë njoftime pesë deri dhjetë vjet me radhë. Sot ne bëjmë reklama në të gjitha llojet e mediave për të fituar punonjës të rinj”, thotë Markus Winter, drejtor i ndërmarrjes së shërbimeve, IDS, në Baden-Vyrtemberg. Firma ka 750 punonjës dhe kërkon personel në më shumë se 20 profesione duke filluar nga teknikë bravash, tek bojaxhinjtë, punonjësit e ngarkim shkarkimit, punonjësit e montimit dhe shoferët për furnizimin e pijeve.

“Ne nuk kemi më një problem me forcat e specializuara, por një problem të përgjithshëm me fuqinë punëtore”, thotë Winter. Edhe vendet e punës për punonjësit pa eskperiencë pune, nuk zihen. “Këto janë sektorë që janë vërtet relevant për industrinë, pa to nuk funksionon.”

Së shpejti dalin në pension njerëzit e lindur në kohën e lindjeve të shumta

Kjo mungesë nuk është e papritur. “Ne ndodhemi tani në një situatë relativisht dramatike, për të cilën kemi bërë faktikisht parashikime prej kohësh,” thotë Herbert Brücker, profesor në Institutin për Studimin e Tregut të punës dhe profesioneve në Nyrnberg. Ndryshimet demografike kanë filluar të ndihen. Gjermania humbet çdo vit rreth 350 mijë vetë që janë në moshë pune. Ndërkohë që njerëzit e lindur në vitet me nivel të lartë lindjesh, fillojnë të dalin në pension. Ekspertët si puna e Brücker-it, llogarisin që deri në vitin 2035, tregu i punës të ketë në dispozicion rreth shtatë milionë vetë më pak.

Ky nuk është një mangësi e vogël, por është një mungesë e madhe. Para së gjithash, sepse nuk mund të plotësohet as nga fuqia punëtore e punës që ndodhet në vend dhe as nga ardhjet e punëtorëve nga Bashkimi Europian.

Sipas studiuesit të tregut të punës, Brücker, numri i migrantëve nga vendet e BE-së është vazhdimisht në rënie. “Të ardhurat janë duke u rritur edhe në vendet e tjera të BE-së, të cilat po ashtu janë prekur nga ndryshimet demografike.” Potenciali i njerëzve të rinj, të gatshëm për të migruar është vazhdimisht në rënie në BE. “Në parim festa ka mbaruar, ta them kështu troç.”

Zhgënjyes ligji për migrimin e forcave të specializuara

Për të zgjidhur çështjen e mungesës aktuale në tregun e punës, duhet që çdo vit në Gjermani të vijnë 400 mijë migrantë, që edhe të qëndrojnë. Ata duhet të jenë njerëz nga të ashtuquajturat vende të treta jashtë Bashkimit Europian. Që prej vitit 2012 forcat akademike kanë pasur mundësi të vijnë në Gjermani nëpërmjet Kartës Blu të BE-së. Përveç kësaj në vitin 2020 hyri në fuqi ligji për migrimin e forcave të specializuara (FEG), që kishte të bënte me profesionet jo-akademike. Por ai nuk pati efektin e shpresuar, dhe kjo jo vetëm sepse ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Gjermani shpesh e kanë të vështirë të marrin forca të huaja të specializuara. Në vitin 2020 në Gjermani erdhën nga vendet e tjera 30 mijë forca të specializuara, ndërkohë që nga Gjermania u larguan 20 mijë vetë. Studiuesi i tregut të punës, Brücker, flet për “zhgënjim”.

Qeveria gjermane kërkon të reformojë ligjin dhe të prezantojë në muajin shtator pikat e para të ndryshimeve. Këtu bëjnë pjesë hapja e tregut të punës edhe për forcat e specializuara që kanë një kontratë pune, por nuk kanë diplomë shkolle profesionale në Gjermani. Këtë e bëri të ditur para pak kohe ministrja e Brendshme, Nancy Faeser dhe ministri i Punës, Hubertus Heil. Diploma profesionale mund të merret më vonë edhe me ndihmën e punëdhënësit gjerman.

Specializim në vendin e punës

Me një propozim të tillë ministrave u hapen dyert e ekonomisë. Ligji kërkon ende ekuivalencën me kualifikimet gjermane. “Shteti kontrollon sot nëse dikush është i përshtatshëm për ne si ndërmarrje,” thotë Winter duke treguar ku qëndron problemi. “Ai nuk është në gjendje ta bëjë këtë”.

Winter vëren që tani tek klientët nga industria, se i zenë vendet e punës edhe me fuqi të pakualifikuar punëtore. “Unë vlerësoj se gati 20 përqind nuk janë fuqi e specializuar, por janë punëtorë që mësojnë profesionin.” Madje edhe në ndërtimin e makinerive është e mundur, që të specializosh fuqinë punëtore “me kualifikim të lartë dhe shumë specifik” për vende të caktuara pune nëpërmjet kurseve dhe krijimit të karrierës brenda për brenda ndërmarrjes.

“Pothuajse të gjitha vendet e botës kanë sistem të ndryshëm shkollimi profesional nga ai i Gjermanisë,” thuhet edhe në Dhomën gjermane të Industrisë dhe Tregtisë. Kjo organizatë shpreson që reforma e ligjit të migracionit të lehtësojë edhe zbatimin e ligjit. “Kjo fillon me procesin e dhënies së vizave, gjatë të cilit dokumentat dërgohen nga njëri cep i botës në tjetrin, dhe mbaron me punonjësit e autoriteteve që nuk i zbatojnë në mënyrë unike dhe transparente rregullat komplekse.”

Dyshime për punëdhënësit

Çfarë do të thotë kjo gjë në praktikë, e di mirë avokatja Bettina Offer, e cila këshillon ndërmarrjet që duan të marrin forca të huaja punëtore. Edhe me kontratë pune në xhep është e vështirë të marrësh në ambasadën gjermane një takim për të aplikuar për marrjen e vizës dhe procesi i aplikimit mund të kërkojë muaj të tërë. “Unë has herë pas here zyrtarë që në vend që ta kuptojnë se punëdhënësi im është në kërkim të krahut të punës kanë në përgjithësi dyshime se ai kërkon të fusë të huajt kontrabandë në Gjermani.”

Offer flet për një “qëndrim mbrojtës që i ka rrënjët e thella” të autoriteteve gjermane në zyrën e të huajve. “Unë kam gjithnjë problemin se më duhet të luftoj këtë lloj qëndrimi, që nuk e ka origjinën vetëm tek qëndrimi mbrojtës ndaj azilantëve, ku zyrtarët thonë se “i huaj i mirë është ai i huaj që nuk qëndron në Gjermani”, dhe kjo gjë nuk është aspak e vërtetë. Neve duhet të ndryshojmë mënyrën e të menduarit. Çdo punëtor që vjen tek ne është përfitim për vendin.”

Më shumë mundësi pune për azilantët

Sipërmarrësi Markus Winter shpreson po ashtu që të bëhen ndryshime edhe të ligjit të migracionit. Pengesat për azilkërkuesit që kërkojnë të punojnë janë shumë të mëdha. Winter ka marrë që nga vitin 2016 gati 300 azilantë në punë dhe bën mbikqyrjen e tyre. “Nga përvoja ime mund të them se nuk është e thjeshtë dhe dy të tretat e njerëzve nuk erdhën tek ne që me përpjekjen e parë.”

Por megjithë problemet e gjuhës dhe integrimit të punonjësve të rinj, mes azilkërkuesve ekziston potencial i madh. “Unë mund ta kuptoj politikisht që me ligjin e azilit nuk mund të bëhet politikë e fshehtë migracioni. Por edhe këtu duhen bërë ndryshime.”

dw