Shqipëri, monitorimi me satelitë, firmoset kontrata me kompaninë amerikane

SatellogicNë Shqipëri, autoritetet nënshkruan sot një kontratë 3 vjeçare me vlerë 6 milionë dollarë, me kompaninë amerikane “Satellogic”, për shfrytëzimin me përparësi të dy satelitëve, me qëllim monitorimin e territorit të vendit. Kontrata për palën shqiptare u firmos nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, institucion në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

 

Kjo marrëveshje pritet t’i mundësojë Shqipërisë që, përmes imazheve satelitore me rezolucion të lartë, të ketë të dhëna në kohë reale, të cilat do ta ndihmonin atë për të mirëadministruar sektorë të ndryshëm të ekonomisë, që nga bujqësia deri te turizmi e mjedisi, si dhe të trajtojë problemet që lidhen me ndërtimet pa leje, kultivimin e bimëve narkotike, monitorimin e zjarreve dhe trafikut, apo dhe sigurinë kufitare.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dha një shpjegim të detajuar të disa prej shërbimeve që Shqipëria pret të përfitojë. “Së pari Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të marrë informacion mbi rrëshqitjet e tokës, lëvizjen e strukturave të rëndësisë së veçantë si: diga, ura, nivelin e ujit në liqene, basene, lumenj, numrin e godinave të shembura, sipërfaqen e zonave të përmbytura, sipërfaqen e zonave të djegura, densitetin e popullsisë, rrugët e bllokuara, sipërfaqet e mbuluara nga bora, trashësia e borës. Do të marrë informacion mbi peshkimin detar, kontrollin e ujërave ku në raste që konstatohen shkelje të kërkesave ligjore do të marrë masa administrative nga sektori i inspektimit dhe kontrolli i peshkimit. Do të monitorohet rrjeti i kanaleve ujitëse, kulluese, kanalet e ujërave specifikisht në situata me reshje intensive, në mënyrë që të analizohet sipërfaqja e prekur në tokat bujqësore apo në zonat e banuara”, bëri të ditur zoti Peleshi. Ai shpjegoi më tej se “në fushën e turizmit do të shërbejë edhe duke dhënë informacion për cilësinë e ujërave bregdetare me synim promovimin e zonës bregdetare, si dhe erozionin bregdetar në funksion të mbrojtjes së zonës bregdetare dhe inventarizimin e saj”.

Dy satelitët që do të shfrytëzohen nga pala shqiptare do të emërtohen “Albania-1″ dhe “Albania-2″, dhe pritet t’i bashkohen flotës së kompanisë Satellogic në lëshimin e saj të ardhshëm satelitor me SpaceX.

Kompania amerikane, siç shpjegoi Emiliano Kargieman, drejtuesi dhe bashkëthemeluesi i saj, “do të lehtësojë trajnimin e specialistëve shqiptarë në mënyrë që ata të ndihmojnë ministritë e ndryshme për analizën dhe shpërndarjen e të dhënave satelitore dhe për të ndërtuar kapacitetet e ekonomisë shqiptare të hapësirës”.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës, kryeministri Edi Rama vuri në dukje se “me lëshimin e këtyre satelitëve vendi hyn në një epokë tjetër në funksion të zbatimit të ligjit, të luftës kundër korrupsionit, të forcimit të shtetit dhe në funksion të barazisë përpara ligjit, por edhe në funksion të së drejtës së barabartë për të përfituar nga gjithë mbështetja shtetërore, për fermerët, për sipërmarrësit dhe kështu me radhe”.

Përveç shërbimeve nga satelitët, Shqipëria pritet të marrë së shpejti edhe 6 dronë “Bajraktar”, nga Turqia. Kryeministri Rama tha se ata do të jenë të pajisur dhe me armë. “Natyrisht dronët e armatosur janë për rast ekstrem kundër terrorizmit apo një armiku potencial, por dronët kanë një tërësi funksionesh në komplementaritet, në përputhje me satelitët, duke qenë në dinamikë të vazhdueshme dhe duke bërë rakordime apo thellime të të dhënave”, shpjegoi zoti Rama

 

voa

Kurti: Bashkimi Gjermanive ishte përfundim dhe fillim

AlbinKryeministri Albin Kurti, mori pjesë në shënimin e përvjetorit të bashkimit të dy Gjermanive, të organizuar nga ambasada e këtij shteti në Kosovë. Në fjalëne tij, kryeministri Kurti u shpreh se 3 tetor 1989, ishte një përfundim dhe një fillim.

 

“Ishte përfundimi i 45 vjetëve të ndarjes. Pra, këtë ditë e festojmë, jo vetëm se i bashkoi ato që duhej të ishin bashkë, por edhe se e shënoi përfundimin e rrezikut real për Evropën dhe paqen e saj”, tha Kurti.

“Nga ana tjetër, ishte një fillim, jo vetëm se dy Gjermanitë e bashkuara do të nisnin të ardhmen e tyre të përbashkët, por edhe se mundëm ta ndienim që perdja e hekurt po copëtohej, duke ia hapur rrugën lirisë dhe demokracisë”.

Në fjalën e tij, kryeministri deklaroi se çdokush që është marrë me historinë e atij ribashkimi, e di shumë mirë se ai veç i lehtë nuk ishte, se nuk ishte as i dëshiruar nga të gjithë akterët, lëre më i mbështetur në mënyrë aktive.

“Shumë politikanë gjermanë e konsideronin të pamundur, edhe pse nuk guxonin ta thoshin shprehimisht. Por, duke kujtuar fjalët e Ëilly Brandt: Historia nuk njeh fjalën e fundit”, tha ai.

Sipas kryeministrit, kjo ditë duhet të kujtohet dhe festohet me gëzim.

“Gjermania kaloi një kryengritje paqësore. Qytetarët e Republikës Demokratike Gjermane nuk do t’u frikësoheshin më të shtënave vdekjeprurëse te kufiri apo që po spiunoheshin nga shteti i vet”.

Ai më tej theksoi se kjo kryengritje paqësore ka ardhur jo vetëm se ishte vullnet i popullit, por edhe se NATO dhe komuniteti evropian qëndronin të vendosur, se udhëheqës të mençur dhe largpamës, nga Gorbachev te Reagan, nga Miterrand te Kohl, mundën të lexonin shenjat e kohës së vet.
“Nga këto përvoja, mësojmë dhe zhvillohemi.
Prandaj, Kosova dhe populli i vet janë të gëzuar që e njohin një Gjermani të bashkuar demokratike, me popullin e mirë dhe qeverinë e besuar në krah të vet. Kjo është arsyeja pse qytetarët e Kosovës, këtë ditë e festojnë me ju”.

“Të gjithë ne e dimë se miqësia jonë është e veçantë”.

Kurti tha se kjo miqësi, nuk është e bazuar vetëm në interesa strategjike, politike apo ekonomike por është shumë më shumë se kaq.

“Ne ndajmë konceptimin e njëjtë të të drejtave themelore të njeriut dhe të vlerave liberale dhe sociale.
Kemi këtë lidhje që është e fortë, këtë lidhje që, në masë të madhe, bartet nga mërgimtarët tanë që banojnë në Gjermani, të cilët janë po ashtu të angazhuar thellësisht në Kosovë, me zemrat dhe mendjet dhe kursimet e veta”.

“Nëse e kam zili Gjermaninë për diçka (përveç që na kanë sjellë dijetarët dhe kompozitorët më të famshëm), është se ajo është vendbanimi i gjithë këtyre njerëzve punëtorë. Na keni borxh të madh!”.
Kurti tha se Gjermania, megjithatë,  ka dhënë shumë për Kosovën në dekadat e fundit, për të cilat i është mirënjohës.

“Jemi mirënjohës që na mirëpritët dhe që iu dhatë strehë refugjatëve të Kosovës gjatë dekadës së fundit të shekullit 20, jemi mirënjohës që qëndruat të vendosur me NATO-n dhe me popullin tonë për të ndalur gjenocid, jemi mirënjohës për më shumë se 1 miliardë EUR në ndihmë zhvillimore, jemi mirënjohës për mbështetje të vazhdueshme politike në rrafshin ndërkombëtar”.

“Pikërisht ata që nuk dëshironin që të binte muri në Berlin, tashmë po bëjnë një luftë kriminale kundër Ukrainës. Ata humbën atëherë dhe, tri dekada më vonë, do të humbasin përsëri”.

rtk

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot duhet të vendos për shpalljen e gjendjes së krizës energjetike gjashtë mujore

kuvendi-mkKuvendi i Maqedonisë sot duhet të vendosë për shtyrjen e situatës së krizës në sektorin e energjisë edhe për gjashtë muaj, nga nesër deri në fund të prillit të vitit të ardhshëm, duke qenë se vlefshmëria e vendimit të qeverisë për këtë qëllim, i cili ka hyrë në fuqi në fillim të ky muaj skadon sot.

 

Pas një seance 5-ditore komisioni, në seancën plenare të sotme të 86-të duhet të diskutohen vendimet e propozuara për miratimin e zgjatjes së afatit për ekzistimin e gjendjes së krizës në të gjithë territorin e vendit, për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe gjendjes në tregjet e energjisë elektrike, si dhe për miratimin e zgjatjes së afatit për ekzistimin e gjendjes së krizës në zonën e Qytetit të Shkupit, për shkak të mungesës së energjisë termike, mundësisë së përdorimit të lëndëve djegëse alternative dhe gjendjen e tregut të energjisë termike.

Diskutimi komisioner për propozim-vendimet përfundoi pardje, i cili u karakterizua nga akuza të ndërsjella mes qeverisë dhe opozitës për situatën në sektorin e energjisë.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje përsëriti se sezoni i ngrohjes në Shkup do të fillojë më 15 tetor dhe se do të ketë ngrohje, si dhe se po vazhdojnë negociatat me Serbinë dhe Turqinë për furnizimin me energji elektrike.

Në seancën e pyetjeve parlamentare, Kovaçevski theksoi se Këshilli Ekonomik dhe Energjetik tashmë ka marrë vendime sipas të cilave të gjitha shkollat ​​në vend vendosen në tregun e rregulluar dhe spitalet do të marrin rrymë më të lirë përmes EVN-së.

Mali i Zi, arrestohen disa persona nën dyshimin se punonin për sigurimin rus

mali i ziDisa shtetas malazezë janë arrestuar të enjten në Podgoricë nën dyshimin se punonin për shërbimet inteligjente ruse, njoftojnë disa media malazeze.
Sipas informacioneve të tyre , “aksioni është udhëhequr nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ANB), nën juridiksionin e së cilës është kjo vepër penale, dhe është kryer me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit” .

Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, e mirëpriti veprimin e Prokurorisë Speciale të Shtetit, duke thënë se “bëhet fjalë për një aksion ndërkombëtar”.

Abazoviq tha se “ aksioni po realizohet me partnerët e Malit të Zi dhe ka qëllim ruajtjen e interesave kombëtare”.

Zëdhënësi i Prokurori Special, Vukash Radonjiq tha se me urdhër të Gjykatës së Lartë, policia ka kontrolluar banesat dhe lokalet e tjera të disa shtetasve, “për shkak të dyshimit se janë kryer vepra penale, krijimi i një organizatë kriminale dhe spiunazh”.

Sipas një burimi, një nga personat e arrestuar, sipas të dhënave të agjencisë, ka punuar për shërbimin rus për më shumë se një dekadë dhe është pjesë e një grupi më të gjerë, anëtarët e të cilit janë të njohur për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare.

Dyshohet se bëhet fjalë për një punonjës të administratës shtetërore.

Të njëjtat burime thonë se aksioni i sotëm është vetëm fillimi i aktiviteteve për zbulimin e bashkëpunëtorëve të shërbimeve të huaja inteligjente.

voa

DASH: Marrëveshja e Serbisë me Rusinë – e gabuar

DASHNjë zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se SHBA-ja beson që asnjë vend nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë ndërkohë që ajo vazhdon agresionin e saj në Ukrainë.

 

Të premten ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviç nënshkroi marrëveshjen për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme me ministrin e jashtëm rus Sergey Lavrov. Marrëveshja u nënshkrua në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.

“Lajmi për këtë marrëveshje të nënshkruar me Rusinë ishte befasues dhe në kundërshtim të plotë me takimet e tjera konstruktive në Nju Jork me zyrtarët serbë. Përafrimi i mëtejshëm me Rusinë është një hap në drejtimin e gabuar dhe në kundërshtim me aspiratat evropiane të deklaruara të Serbisë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Të hënën ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha se gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Shtetet e Bashkuara zhvilluan “bisedime të frytshme” me delegacionin e Serbisë për çështje globale por edhe çështje tjera dhe më pas morën vesh për marrëveshjen e cila nxiti reagime edhe të politikanëve të Bashkimit Evropian.

Serbia, një kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, varet nga Rusia për furnizimet e saj me gaz natyror dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Kremlini mbështet Beogradin në kundërshtimin e tij të vazhdueshëm ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës, që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqishëm synimin e Serbisë për anëtarësim në BE. Rusia qartazi nuk e mbështet anëtarësimin në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kërkon vetëm të mbjellë ndarje në rajon. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është plotësisht brenda BE-së dhe zgjerimi i saj promovon paqen, qëndrueshmërinë dhe përparimin afatgjatë në të gjithë rajonin. Serbia duhet të përshpejtojë hapat për të çuar përpara rrugën e saj evropiane, duke përfshirë diversifikimin e burimeve të energjisë për të zvogëluar varësinë e saj energjetike nga nga Rusia dhe përafrimin e politikave të saj të jashtme dhe të sigurisë me BE-në”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Serbia u përpoq të ulë rëndësinë e marrëveshjes me Rusinë dhe të mërkurën presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se “një dokument burokratik, pa asnjë rëndësi thelbësore…u përdor nga mediat për ta sulmuar Serbinë”.

Deputetë të Parlamentit Evropian thanë se “BE-ja nuk mund të vazhdojë negociatat e anëtarësimit të Serbisë nëse ajo nuk vihet në linjë me sanksionet e BE-së kundër Rusisë”, duke paralajmëruar se ky qëndrim do të jetë pjesë e raportit të radhës mbi zgjerimin e bllokut.

voa

BE, takim mbi aktet e sabotazhit ndaj gazjellësve Nord Stream

rrjedhje gaziUdhëheqësit e Bashkimi Evropian pritet të diskutojnë javën e ardhshme rreth asaj që blloku e ka denoncuar si një akt sabotazhi, duke iu referuar dëmtimit të tubacioneve nënujore të gazit Nord Stream. Lajmi u njoftua të enjten nga një zyrtar i BE-së, sipas të cilit incidentet kishte ndryshuar rrënjësisht natyrën e konfliktit në Ukrainë.

 

Gazi vazhdon të rrjedhë në Detin Baltik për të katërtën ditë që prej konstatimit për herë të parë të dëmtimeve. Ndërkohë vazhdon të mbetet e paqartë se kush qëndron pas këtyre akteve të qëllimshme në gazsjellës, për ndërtimin e të cilave, Rusia dhe vendet evropianë kanë shpenzuar miliarda dollarë.

Rusia tha se incidentet ngjanin me “një akt terrorist”. Po kështu Kremlini ka thënë se rrjedhjet në brigjet e Danimarkës dhe Suedisë kanë ndodhur në territorin që është “plotësisht nën kontrollin” e agjencive të amerikane të zbulimit.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe përplasja mes Moskës dhe Evropës mbi çështje të energjisë, pritet të dominojnë takimin e nivelit të lartë të BE-së që mbahet më 7 tetor në Pragë.

Bashkimi Evropian paralajmëroi të mërkurën për një “përgjigje të fuqishme dhe të bashkuar” në rast të sulmeve të reja dhe theksoi nevojën për të mbrojtur infrastrukturën e saj energjetike. Por zyrtarët evropianë e kanë shmangur komentet mbi autorët e mundshëm të atij që e kanë quajtur akt sabotazhi.

Ndërkohë NATO tha sot se do të kundërpërgjigjej ndaj çdo sulmi mbi infrastrukturën kritike të vendeve anëtare të saj, duke shtuar se dëmtimet e dy tubacioneve ishin një akt sabotazhi i qëllimshëm dhe i papërgjegjshëm. Po sot roja bregdetare suedeze konfirmoi një rrjedhje të katërt në tubacionet Nord Stream në jug të këtij vendi.

voa

Shën Petersburg, rritet mbështetja për lëvizjen ruse kundër luftës në Ukrainë

Shen PetersburgNdërsa sulmi rus ndaj Ukrainës ka ngecur përballë kundërofensivës ukrainase, tensionet janë rritur në të gjithë shoqërinë ruse. Pavarësisht nga shtypja e qeverisë, protestat dhe thirrjet kundër luftës po shtohen. Qyteti i Shën Petersburgut, një qendër e kundërshtimit të luftës, është sërish në krye të lëvizjes qytetare kundër zhvillimeve të fundit në vend.

 

Për disa vite, anëtarët e opozitës në asamblenë e qytetit të Shën Petersburgut janë mbledhur në këtë piceri sepse autoritetet nuk i lejojnë ata të hyjnë në sallën e bashkisë.

Javët e fundit, ky grup i vogël i anëtarëve të asamblesë së qytetit tronditi politikën ruse, duke paraqitur një peticion zyrtar për shkarkimin e presidentit rus Vladimir Putin.

“Vendosëm të përdorim një retorikë të re. Ne jemi deputetë liberalë dhe deri më tani jemi marrë më shumë me çështjet sociale. Në këtë peticion për largimin e Putinit, ne përqëndrohemi në faktin se ai i ka shkaktuar dëme thelbësore Federatës Ruse, jo një shteti tjetër, por qytetarëve të vendit tonë”, thotë Dimitri Paliuga, përfaqësues i Qarkut Smolny.

Kërkesa e tyre për të hequr presidentin rus nga pushteti bazohet në besimin e tyre se lufta në Ukrainë, që ai e quan një ‘operacion special ushtarak’, është një projekt personal i presidentit rus.

“Jam i bindur se nëse Vladimir Putini largohet nga posti i presidentit, ky ‘operacion special’ (në Ukrainë) nuk do të vazhdonte”, thotë zoti Paliuga.

Këta përfaqësues të opozitës tashmë janë gjobitur dhe ata e pranojnë se mund të përballen me akuza të mëtejshme penale.

“Shumë njerëz janë të shqetësuar për sigurinë tonë. Por dikush duhet të bëjë diçka”, thotë Dmitry Baltrukov, përfaqësues i Qarkut Smolny.

Peticioni ka nxitur gjithashtu shoqërinë civile të Shën Peterburgut të sfidojë në mënyrë të hapur qeverinë.

Në këtë lokal të vogël në Shën Petersburg, poetë të rinj mblidhen për të lexuar poezitë e tyre kritike për luftën e presidentit Putin në Ukrainë. Ata besojnë se ka ardhur koha të shprehin mendimet e tyre.

“Guximi i intelektualëve për të kundërshtuar luftën u jep njerëzve shpresë, u jep njerëzve motivim dhe forcë për të vazhduar përpjekjet kundër luftës pasi ata e kuptojnë se nuk janë të vetëm”, thotë Artur Yamaletdinov, poet dhe organizator i recitimit të poezive.

“Shumica e njerëzve edhe sot e kësaj dite qëndrojnë të heshtur. Por ndoshta kjo po ndryshon, sepse ne po shohim lajmet. Por do të duhet kohë”, thotë poeti Yury Zavorotniy.

Ekziston frika se këto veprime, sado të vogla qofshin, mund të çojnë në arrestime.

“Frika prek këdo, është një reagim normal. Vetëm idiotët dhe (udhëheqësi i opozitës ruse) Alexey Navalny nuk kanë frikë. Unë nuk jam Navalny dhe nuk jam idiot, kështu që po, kam frikë”, thotë poeti Dzhamil Nilov.

Sulmi i Putinit ndaj Ukrainës ka përmbysur sigurinë globale dhe ka zhytur Rusinë në paqëndrueshmëri politike dhe sociale. Është e vështirë të parashikohen pasojat afatgjata të luftës në Ukrainë.

Miliona të rinj rusë, një brez i tërë, përballen me një të ardhme shumë të pasigurt.

voa

Ushtria e Rusisë: Fuqia e mbivlerësuar

Rezervistet SevastopolKur nisi pushtimin e Ukrainës, Putini ndoshta besonte në një fitore të shpejtë. Por mobilizimi i fundit tregon se ky ishte një iluzion. Sa e fortë është vërtet ushtria ruse?

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Moska bëri gjithçka që mundi për të ruajtur statusin e saj si një superfuqi – duke përfshirë edhe statusin e saj si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Bashkimi Sovjetik nuk mund të konkurronte ekonomikisht me shumë vende perëndimore. Por Kremlini e ka justifikuar gjithmonë pretendimin e Moskës si një superfuqi në aspektin ushtarak. Rusia, është thënë me dekada, ka një nga ushtritë më të mëdha dhe më të fuqishme në botë – duke përfshirë edhe armët bërthamore. Presidenti Putin rregullisht i dërgonte botës imazhe të paradave ushtarake me një koreografi të përsosur në Moskë ose përmes manovrave nga forcat e tij të armatosura.

Por sa e fuqishme është vërtet një ushtri nuk demonstrohet me parada në Sheshin e Kuq, por në fushën e betejës? E në fushëbetejë rusët po përjetojnë humbje të mëdha nga një ushtri shumë më e vogël, si ajo e Ukrainës, një ushtri e cila deri para pak vitesh nuk ekzistonte fare. Si mund të ndodhë kjo?

Sa e madhe është ushtria e Putinit?

Sipas Margarete Klein nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë në Berlin, forcat e armatosura ruse në letër mund të jenë 1 milion, e në të ardhmen pretendojnë të jenë madje deri në 1,1 milion ushtarë. Por madhësia reale është më e vogël, shpjegon ajo për Deutsche Wellen. Një pjesë e madhe e njësive ruse që janë gati për veprim janë vendosur tashmë në Ukrainë. Ato kanë pësuar humbje të rënda, për shkak të vrasjeve dhe plagosjve të ushtarëve”, thotë ajo. Nuk ka shifra të sakta, por shërbimi sekret amerikan CIS beson se Rusia ka pasur deri tani dhjetra mijëra të vdekur dhe të plagosur.

Deri më tani kanë vuajtur më së shumti regjimentet e stacionuara në pjesën aziatike të Rusisë gjatë kohës së paqes, thotë George Barros i Institutit për Studime të Luftës në SHBA. Ideja se Rusia ka rezerva ushtarësh të gatshëm për veprim nuk ka të bëjë fare me realitetin, tha ai për DW. Sipas Barros, rrjedha e deritanishme e luftës tregon se bota e ka mbivlerësuar prej kohësh forcën e ushtrisë ruse.

Margarete Klein shpjegon se Rusia tani duhet të thërrasë rezervistët për të plotësuar boshllëqet që kanë lindur si rezultat i humbjeve. Në fund të fundit, sipas Barros, qëllimi i Putinit në thirrjen e rezervistëve është të mbajë vijën aktuale të frontit dhe jo të fitojë territore të tjera.

Rezervistë në BatayskUshtarët pa stërvitje dhe pajisje

Fuqia ushtarake e Rusisë shihet nga vet fakti se kush po mobilizohet aktualisht. “Ka burra që janë mbi moshën 50 vjeç dhe kanë probleme shëndetësore”, thotë eksperti. Shembuj të shumtë në rrjetet sociale i konfirmojnë këto pohime.

Rezervistët duhet të trajnohen dhe të pajisen para se të dërgohen në luftë, thotë Barros. Një pjesë prej tyre do të trajnohen vetëm një ose dy muaj, që nuk mjafton. Por shumë të tjerë dërgohen drejt në front pa asnjë trajnim dhe pa pajisje fare, thotë ai. Ai nuk e beson se me rezervistë të tillë mund të arrihen suksese ushtarake. Ka gjasa të rritet vetëm numri i të vdekurve dhe të plagosurve.

Eksperti rus i sigurisë Pavel Luzin është dakord me këto pohime. Aktualisht ai jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas mendimit të tij, Ukraina do të vazhdojë të luftojë, pavarësisht nga i ashtuquajturi referendum që vasalët e Putinit mbajtën në lindje të Ukrainës. Për më tepër, Luzin mendon se industria ruse e armatimeve nuk është në gjendje të sigurojë furnizime në afat të shkurtër – sigurisht jo për rezervistët e thirrur aktualisht. Ndërsa Margarete Klein mendon se ka ende armë dhe predha të vjetra nga epoka sovjetike që ruhen në Rusi.

Por edhe këtu nuk është e sigurt nëse një pjesë e madhe e këtyre armëve nuk janë rishitur për shkak të korrupsionit apo nëse këto materiale mund të përdoren në luftë. Sipas Klein, industrisë ruse i mungojnë çipat për armë me precizion të lartë dhe pjesë të tjera rezervë. Por Rusia ka avantazhin që ka më shumë njerëz në dispozicion dhe kështu mund të dërgojë gjithnjë e më shumë rezervistë në luftë në planin afatgjatë, thotë për DW, Ted Galen Carpenter nga Instituti CATO në Uashington.

Shumë komponentë nevojiten për të qenë të suksesshëm në luftë, thotë George Barros. Ushtarë, armë moderne, stërvitje e mirë, udhëheqje, motivim, logjistikë, janë vetëm disa prej tyre. Thjesht dërgimi i më shumë burrave në front nuk do ta zgjidhë problemin që kanë rusët. Forcat ukrainase do të vazhdojnë të përparojnë. “Ofensiva juaj nuk ka mbaruar”, thotë Barros.

Rusët, nga ana tjetër, aktualisht janë të lumtur nëse mund të mbajnë pozicionet e tanishme. Në të kaluarën, forcat ruse ishin qartësisht superiore ndaj atyre të Ukrainës, edhe për sa i përket cilësisë së armëve dhe numrit të ushtarëve. Por udhëheqja ushtarake e Moskës nuk ishte në gjendje ta përdorte këtë epërsi për të arritur qëllimet strategjike në luftë, analizon ai.

Përdorimi i armëve bërthamore ka për synim frikësimin e Perëndimit

Kjo nuk mund të arrihet madje as me mercenarë të stërvitur dhe të pajisur mirë, si grupi i ashtuquajtur Wagner. Numri i tyre para luftës ishte rreth 8000-9000 luftëtarë. Por ato nuk do të përdoren vetëm në Ukrainë, sipas Barros. Në Ukrainën lindore ata luftuan si ushtarë të thjeshtë këmbësorie. Barros nuk mendon se ato do të ndikojnë dukshëm në rrjedhën e luftës.

Ekspertët pajtohen se Rusia me kërcënimet për përdorimin e armëve bërthamore synon të frikësojë Perëndimin. “Ky kërcënim nuk është i ri”, thotë Margarete Klein nga Fondacioni për Shkencë dhe Politikë. Qëllimi është të minojë mbështetjen perëndimore për Ukrainën. Përdorimi i armëve bërthamore nuk ka asnjë efekt ushtarak. Misioni mund të ketë kuptim vetëm politikisht; për shembull kur regjimi në Moskë përballet me një disfatë ushtarake. Por Margarete Klein e konsideron përdorimin e armëve bërthamore si të pamundur. Kjo do të thoshte se Putini do të humbiste mbështetjen nga Kina apo India. Nga ana tjetër, Ted Galen Carpenter i CATO thotë: “Nëse Putini përballet me zgjedhjen midis përdorimit të armëve bërthamore ose duhet të përgjigjet për krimet e tij në një gjykatë ndërkombëtare, ai do të zgjedhë opsionin bërthamor”.

Barros dhe ekspertë të tjerë besojnë se pas referendumeve të rreme që po zhvillohen aktualisht, Putin do të aneksojë Ukrainën lindore dhe jugore. Pas kësaj ai mund të përdorte edhe rekrutët dhe trupat e Ministrisë së Brendshme në këto zona, gjë që aktualisht është e ndaluar për arsye ligjore. “Forcat ruse kanë nevojë për pushim, janë të rraskapitura”, thotë Barros. Ai pret sulme të mëtejshme nga pala ukrainase këtë dimër.

Fundi i shpejtë i luftës në horizont?

Ted Galen Carpenter i CATO-s thotë, se Rusia dëshiron një fund të shpejtë të luftës. Ukraina dhe Perëndimi duhet të tregohen të gatshëm për të negociuar. Margarete Klein dhe George Barros, të cilët nuk besojnë në një përfundim të shpejtë të luftës, i shohin gjërat shumë ndryshe. Putin shpreson se Perëndimi do të heqë dorë nga mbështetja e tij për Ukrainën. Sipas Klein, rezultati i luftës në fakt varet nga kjo mbështetje e vazhdueshme e Ukrainës. Kjo luftë mund të përfundojë realisht vetëm nëse Rusia pëson një disfatë totale, thotë eksperti rus i sigurisë Pavel Luzin.

dw/Miodrag Soric

Lufta në Ukrainë- Ushtria gjermane përgatitet për mbrojtjen e atdheut

Christine LambrechtPas sulmit të Rusisë kundër Ukrainës, Gjermania thotë se ka ardhur “momenti i kthesës” dhe është duke forcuar mbrojtjen e vendit. Luftë e Ftohtë me karakteristika të reja.

 

“Ne duhet të jemi të gatshëm që të mbrojmë vlerat tona, lirinë, sigurinë, demokracinë edhe me mjete ushtarake.” Kjo fjali është dëgjuar të thuhet shpesh kështu ose formuluar ngjashëm, që kur ka ndodhur sulmi i Rusisë kundër Ukrainës, më 24 shkurt 2022. Është dëgjuar të thuhet edhe nga goja e ministres gjermane të Mbrojtjes, Christine Lambrecht, kur foli më 26 shtator me ushtaret dhe ushtarët gjermanë në kazermën Julius Leber në Berlin.

Fjalimi i saj bëhet me rastin e një ceremonie ushtarake organizuar për krjimin e komandës drejtuese territoriale: një lloj parakalimi. Kjo njësi e re do të fillojë zyrtarisht punën më 1 tetor duke bërë bashkë në kryeqytetin gjerman forcat deri tani të organizuara në mënyrë të decentralizuar. Detyra më e rëndësishme është mbrojtja e atdheut.

Çfarë kihet parasysh me “moment kthese “?

“Në këtë mënyrë ne përmirësojmë mbrojtjen e vendit dhe të aleatëve,” thotë ministrja e Mbrojtjes në mungesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, të cilin e ka zënë Corona. Për të folur për ndryshimin e paradigmave në politikën e mbrojtjes dhe të sigurisë, kryeministri gjerman ka zgjedhur fjalën “moment kthese.”Këtë fjalor Christine Lambrecht e përdor herë pas here. Shokun e partisë, Olaf Scholzin, ajo e quan “Spiritus Rector i momentit të kthesës”, pra nismëtar të vlerësimeve të reja për ushtrinë gjermane, Bundeswehr. Financiarisht ndryshimi i kursit ushtarak kërkon 100 miliardë euro më shumë. Në këtë mënyrë ushtria duhet të pajiset më mirë në të gjitha nivelet, sidomos me armë moderne, të cilat janë edhe të gatshme për t‘u përdorur. Në këtë pikë ka ngecur puna prej shumë vitesh.

 

Ministrja gjermane premton “drejtim nga një dorë”

Krah pajisjeve teknike, ndryshimet në organizim duhet të rrisin fuqinë goditëse. Por: “ndryshimet duhet të mbërrijnë edhe tek strukturat e ushtrisë”, thotë Christine Lambrecht. “Drejtim nga një dorë e vetme”, thotë maksima. “Me rrugë të shkurtër drejt qeverisë federale”, thekson komandantja e shtabit të ushtrisë gjermane në kohë paqeje. Në rast lufte komanda i kalon kancelarit federal. Kështu thuhet në Kushtetutën gjermane.

Komanda e drejtimit territorial për brenda vendit, me qendër në Berlin është në varësi të komandës drejtuese të misioneve në Pocdam, e cila që nga viti 2001 ka kompetencat e misioneve të Bundeswehrit jashtë vendit. Njësia e sapokrijuar do të bëjë në të ardhmen koordinimin nga një pikë e vetme, të gjithë atyre detyrave që deri tani kanë qenë të shpërndara në gjithë Gjermaninë: mbrojtjen e atdheut, ndihmat në raste katastrofash gjatë përmbytjeve ose djegies së pyjeve, transportin e trupave dhe armëve për stërvitjet ushtarake me partnerët brenda Bashkimit Europpian (BE) ose me partnerët e Aleancës Veriatlantike (NATO).

 

Misione të ushtrisë brenda vendit për përmbytjet, refugjatët, Coronën

Christine Lambrecht vlerëson lart ndihmën e dhënë nga ushtria brenda vendit për çështje që lidhen me organizime të tjera. Ajo kujton misionin e ushtrisë gjatë përmbytjeve të Elbës në vitin 2013, ndihmën e dhënë për refugjatët që erdhën në Gjermani nga 2015 deri 2018, ose ndihmën për katastrofën e përmbytjes në zonën e Ahrtalit më 2021. “Më mbresëlënëse ka qenë sigurisht misioni i ushtrisë i nisur më 2020 dhe deri tani më i gjati, gjatë pandemisë së Coronës”, thekson ministrja e Mbrojtjes.

25 mijë gra dhe burra ndihmuan të pengonin përhapjen e virusit të rrezikshëm. “Ata bënë vaksina, ndoqën rrjedhën e kontakteve, morën prova për të kontrolluar infektimet.” Vetëm gjatë këtij misioni janë bërë 11 mijë kërkesa për të marrë ndihmë nga ushtria, thotë Christine Lambrecht. “Një ndihmë e madhe për të cilën ushtria mund të jetë krenare dhe për të cilën njerëzit në vendin tonë janë mirënjohës.”

 

Komanda e njeh mirë kryeministrinë  

Komandanti i parë i komandës territoriale të sapokrijuar është Carsten Breuer. Deri në maj të 2022 ai drejtonte shtabin e Coronës në kryeministri, shtab që është shpërbërë ndërkohë. Në funksionin e ri, 57 vjeçari Breuer, do të forcojë aftësinë rezistuese të Gjermanisë për të gjitha rastet e përfytyrueshme të krizave. Këtu futet edhe mbrojtja klasike e vendit.

“Pavarësisht nga planet që ka një kundërshtar potencial që ndodhet në territorin gjerman, ne duhet të jemi në gjendje të konfrontohemi me të,” tha Carsten Breuer që në korrik të 2022 për revistën “Der Spiegel”. Gjatë Luftës së Ftohtë kanë ekzistuar strukturat për këtë dhe bëhej edhe trajnimi. Pastaj, erdhi ribashkimi i Gjermanisë dhe njeriu kujtoi se ishte i rrethuar vetëm nga miq.

 

Aneksimi i Krimesë ndryshoi situatën

Të paktën që nga aneksimi i Krimesë ukrainase nga Rusia më 2014, “ne e dimë se ishte hap i gabuar”, kujton gjatë intervistës gjeneral lejtnanti për gabimet me pasoja të rënda të bëra në politikë. Sepse momenti i kthesës ushtarake, për të cilin flet Olaf Scholz, u shpall në Gjermani tetë vjetë më vonë, pas sulmit rus kundër të gjithë Ukrainës.

Sipas pikëpamjeve të Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, komanda territoriale e drejtimit luan një rol të rëndësishëm për këtë: “Ne forcojmë gatishmërinë për ndërhyrje të ushtrisë”, thotë Christine Lambrecht, duke përmbledhur me një fjali detyrat e njësisë së re.

dw

Rohde: Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira

ambasadori gjerman në Kosovë Jörn RohdeShembulli i pajtimit mes Gjermanisë dhe Francës pas Luftës së Dytë Botërore, duhet t’i shërbejë Kosovës dhe Serbisë. Kështu, thotë në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën ambasadori gjerman në Kosovë Jörn Rohde.

 

Ai theksoi se Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira politike, sepse nuk ka më kohë për shtyrjen e problemeve të pazgjidhura. Qeveria gjermane, thekson ambasadori Rohde, e ka vendosur në prioritet dialogun Kosovë – Serbi, ndërsa po punon që Kosovë marrë së shpejti liberalizimin e vizave.

Radio Kosova: Këto ditë Gjermania shënon Ditën e Bashkimit. Çfarë do të thotë kjo ngjarje për Gjermaninë, Evropën, Ballkanin?… Çfarë simbolike përçon Dita e Bashkimit të dy Gjermanisë?

Jörn Rohde: Po nisem nga ana personale. Për mua bashkimi gjerman, do të thoshte se unë kisha mundësi t’i takoja shumë më shpesh njerëzit e mi të afërm. Para bashkimit, vizitat ishin të lidhura me shumë procedura burokratike. Për më tepër, për të afërmit e mi, kjo datë ishte shumë e rëndësishme, sepse për ta kishte ardhur demokracia dhe liria. Pra, liria e udhëtimit ishte shumë e rëndësishme, sepse qytetarët e ish Republikës Demokratike të Gjermanisë (DDR) nuk mund të udhëtonin të lirë. Bashkimi është një ngjarje me fat në historinë e Gjermanisë, sepse ne ishim pjesë e strukturave evropiane. Kishim fqinj, që na mbështetën për këtë ditë. Gjermania kishe fqinj të rinj, që i kishte njëkohësisht edhe miq. Mendoj se rasti i Gjermanisë dhe miqësisë me fqinjët e saj, duhet të jetë një leksion i rëndësishëm edhe për vendet e Ballkanit, që fqinjët të bëhen miq, që të arrihet pajtimi, që të shikohet drejt së ardhmes, siç bën Gjermania me fqinjët e saj, Poloninë, Çekinë, siç bëri pas Luftës së Dytë Botërore me Francën. Mendoj së është shumë me rëndësi për Ballkanin perëndimor, që narrative e historisë që ka sjellë aq shumë vuajtje të mos riciklohet, por që rinia të shohë të ardhmen në Evropën e Bashkuar. Evropë nuk është e plotë për sa kohë që Ballkani perëndimor nuk bëhet pjesë e saj. Shpresojmë për këtë, dhe në këtë funksion është procesi i Berlinit, ku punohet që ju, pra Kosova dhe Ballkani perëndimor të bëhen pjesë e familjes evropiane.

Radio Kosova: Zoti Ambasador, Qeveria gjermane ka emëruar zotin Manuel Sarrazin të dërguar të posaçëm për Ballkanin, kurse këto ditë Kancelari i Gjermanisë, zoti Olaf Scholz, ka emëruar këshilltarin e tij për siguri, të Dërguar për dialogun Kosovë – Serbi. A do të thotë kjo se zgjidhje e problemit të Kosovës në raport me Serbinë është kthyer në prioritet të qeverisë gjermane?

Jörn Rohde: Së pari dua të theksoj se Qeveria gjermane ka vendosur dhe e ka cilësuar si prioritet përmirësimin e gjendjes dhe situatës në Ballkanin perëndimor si dhe dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Javën e kaluar, në Kosovës ishte përsëri i dërguari i posaçëm i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për Ballkanin perëndimor, zoti Manuel Sarrazin, ndërkaq, vizita e zotit Jens Plötner, këshilltarit për politikë të jashtme i Kancelarit gjerman bashkë me të dërguarin e Presidentit francez Makron dhe të dërguarin për dialog të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, vetëm sa e dëshmon këtë prioritet. Ju sigurisht e keni parë deklaratën tonë ku kemi theksuar se vizita e z Plötner dhe zotit Bonne, në shoqëri të zotit Lajçak ka pasur për qëllim që t’ua bëjë të qartë të gjitha palëve se duhet të merren vendime të vështira politike, sepse më nuk ka kohë për shtyrjen e problemeve të pazgjidhura. Jemi duke jetuar në një kohë të jashtëzakonshme, kur kemi një luftë që po zhvillohet në Evropë dhe pikërisht nga kjo arsye, tani duam që situatë të përmirësohet këtu dhe pikërisht kjo është arsyeja përse zoti Sarrazin ishte javën e kaluar këtu, pra për të shtyrë përpara këtë proces.

Radio Kosova: Mediet këto ditë raportuan se zoti Plötner dhe zoti Bonne, gjatë vizitës në Kosovë, kanë sjellë një plan për një kornizë të re të dialogut. Nga raportimi i medieve, thuhet se plani parashikon që Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, pa e njohur atë formalisht. Zoti ambasador, mund të na thoni ju diçka më shumë rreth një plani të tillë?

Jörn Rohde: Nuk mund të them asgjë më shumë nga ajo që është thënë në demantet e Qeverisë Federale, të cilat, besoj i keni lexuar, përfshirë dhe demantet që kanë ardhur nga Bashkimi Evropian, prandaj nuk kam se çfarë të shtoj asgjë më shumë.

Radio Kosova: Kryeministri Albin Kurti, thotë se në qendër të dialogut me Serbinë duhet të jetë njohja reciproke. Si e shihni ju zhvillimin e procesit të dialogut tutje dhe si e shini fundin e këtij dialogu?

Jörn Rohde: Shpresojmë se fundi i dialogut do të sjellë me vete edhe fundin e të gjitha problemeve ekzistuese aktuale. Gjatë vizitës së Kancelarit gjerman Scholz në Kosovë, ai theksoi ato që Qeveria gjermane i ka nënvizuar gjithnjë; se të dy vendet synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërsa është e paimagjinueshme që Bashkimi Evropian të pranojë dy vende që nuk e njohin njëri-tjetrin. Pra, është plotësisht e qartë se njohja reciproke, duhet të jetë rezultati përfundimtar i procesit të dialogut dhe kjo është e qartë për ne. Tani si do të vije deri te ky përfundim? Unë mund të them se ka shumë rrugë që na shpien në krye.

Radio Kosova: Nga një shtatori kemi një marrëveshje që ka filluar të zbatohet mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me dokumentet e udhëtimit. Zoti Ambasador, a pritni ju që deri më 1 nëntor, zoti Kurti dhe zoti Vuçiq të gjejnë zgjidhje edhe lidhur me targat e makinave?

Jörn Rohde: Shpresoj. Pres, është fjalë e gabuar! Shpresoj, që të dyja palët të përdorin të gjitha energjitë që kanë, për të zgjidhur problemet ekzistuese në interes të qytetarëve të të dyja vendeve. Të dy vendet janë pajtuar për mobilitetin e ndërsjellë. Në procesin e Berlinit, që Qeveria federale e ka përtërirë, njëri nga elementet kryesore të këtij procesi është lëvizja e lirë e qytetarëve dhe shpresoj që në këtë drejtim të bëhet përparim edhe më tej. Ne e kemi bërë të qartë se çështja e dokumenteve të udhëtimit dhe lëvizjes së lirë është në harmoni me marrëveshjen e arritur në Bruksel.

Radio Kosova: Pala serbe kërkon një Asociacion për komunat me  shumicë serbe me kompetenca ekzekutive. Sipas Qeverisë së Kosovës,  kjo do të ishte një lloj “republike serbe” në Kosovë. Këtë kryeministri Kurti e thekson, duke u thirrur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin?

Jörn Rohde: Besoj janë më shumë se dhjetë intervista ku unë kam folur për këtë temë, prandaj edhe këtu po them atë që shpesh e kam përsëritur. Pak më parë përmenda Marrëveshjen e Brukselit për njohjen e kartave të identitetit. Ne e kemi bërë të qartë se edhe njohja e targave të makinave, është në harmoni me marrëveshjet e arritura në Bruksel gjatë procesit të dialogut. Mirëpo, me marrëveshjen e Brukselit, Kosova ka marrë për obligim edhe themelimin e Asociacionit të komunave serbe, prandaj ne presim që edhe kjo marrëveshje të zbatohet në praktikë. Natyrisht, në harmoni me Kushtetutën kosovare dhe natyrisht që Asociacionit të mos fokusohet si një republikë serbe. Në Evropë ka shumë modele sipas të cilave mund të bësh zgjidhjen së problemeve të tilla dhe ne presim nga Qeveria kosovare që ti qaset zgjidhjes së këtij problemi, pra të themelojë Asociacionit, që është një obligim i ratifikuar edhe nga Parlamenti i Kosovës!

Radio Kosova: Siç e dimë Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e veriut kanë krijuar iniciativën “Ballkani i Hapur”, por Kosova refuzon të bëhet pjesë e kësaj iniciative. Ju si e shihni iniciativën “Ballkani i Hapur”?

Jörn Rohde: Përgjigjen në këtë pyetje e gjeni tek Procesi i Berlinit, i cili është themeluar në vitin 2014 dhe në mesin e pikave ka themelimin e një tregu të përbashkët rajonal,  mobilitetin, apo lëvizjen e lirë të njerëzve, të fuqisë punëtore dhe mallrave në rajon, njohjen reciproke të diplomave dhe profesioneve, me qëllim krijimin e lehtësive për këmbime tregtare, etj. Kancelari Scholz ka ftuar për fillimin e muajit nëntor takimin e ri të Procesit të Berlinit. Në vigjilje të samitit, do të ketë edhe një takim të ministrave të jashtëm. Vizita e zotit Sarrazin javën e kaluar ishte pikërisht në funksion të përgatitjes së këtij samiti, dhe nëse këto takime do të kenë sukses, atëherë nga pikëpamja ime, janë realizuar vetvetiu shumë nga propozimet që janë diskutuar në kuadër të iniciativës Ballkani i hapur.  Ballkani hapur deri më tani, sipas pikëpamjes sime, është pranuar vetëm nga tri shtete, ndërsa procesi i Berlinit përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor.

Radio Kosova: Siç e përmendet edhe ju, Kancelari gjerman Olaf Scholz e ka ringjallur Procesin e Berlinit. Tani, si mund ta ndihmojë Kosovën tutje Procesi i Berlinit dhe ta mbajë stabile paqen dhe sigurinë në rajon? Kryeministri Kurti kohëve të fundit ka folur për mundësinë e një lufte të re, që do të ishte diçka e pakuptimtë?

Jörn Rohde: Procesi i Berlinit ka për qëllim të sjellje përmirësime praktike për qytetarin. Prapa një tregu të përbashkët qëndron për mendimin tone, një ide politike, sepse kur funksionon një treg i përbashkët, atëherë kjo është një sinjal për Bashkimin Evropian, se fqinjët po kuptohen me njëri-tjetrin, pra është një shenjë e mirë për procesin e integrimit evropian. Prandaj, ne kemi investuar shumë kapital politik në këtë proces. Ministrja ime e Jashtme ishte këtu, Kancelari gjerman ishte këtu për vizitë. Kosovën po e viziton i ngarkuari për Ballkanin perëndimor. Këshilltarët për politikë të jashtme të Kancelarit gjerman dhe Presidentit francez ishin këtu. Të gjithë këta janë pjesë e vizitave të personaliteteve të larta politike, që shërbejnë për t’ua bërë të qartë të gjithë aktorëve, se rajonin e shohim si pjesë të Evropës. Por, në anën tjetër, vetë vendet e Ballkanit perëndimor duhet t’i kryejnë detyrat e shtëpisë dhe ne presim prej tyre, që të gjithë energjinë politike që kanë, ta orientojnë dhe ta përdorin për të arritur përparime, dhe këto përparime në radhë të parë, duhet t’u shërbejnë njerëzve këtu, pra duhet të bëhen për ta ashtu siç është udhëtimi i lirë dhe pa pengesa me dokumente personale. Këtu mund të flitet pastaj edhe për mesazhe të qarta drejtuar kryeministrave të vendeve gjegjëse, për të treguar një fleksibilitet maksimal në qëndrimet e tyre.

Radio Kosova: Një pyetje për bashkëpunimin mes Gjermanisë dhe Kosovës, me theks të veçantë në fushën e ekonomisë. Pyetja shtrohet: si duhet të veprojmë, apo të themi, t’i joshim, t’i tërheqim bizneset gjermane, që të vijën për të investuar në Kosovë?

Jörn Rohde: Ju thatë vetë se kemi marrëdhënie të veçanta. Diaspora më e madhe e Kosovës jeton në Gjermani. Kemi marrëdhënie shumë të ngushta. Kosova është në rrugë të mirë për tu kthyer në një model mjaft popullor. Aktualisht ka shumë sfida, siç është kriza energjetike. Këtu kemi një Odë Ekonomike Gjermano-Kosovare shumë aktive, që bën një punë shumë të mirë. Unë mendoj se investitorët vijnë nga disa arsye: Mund të vijnë sepse aktualisht në vendet tjera të botës ka probleme dhe kriza shumë të mëdha. Kosova, ndërkaq, ka monedhë zyrtare euron, që është lehtësi për pagesa në tregun evropian, ka ligje atraktive për investime, nivel atraktiv pagash për investitorët e huaj, por është detyrë e Qeverisë që të krijojë kornizë të kushteve për investime. P.sh., si duket mundësia e investimeve në fushën e energjisë? A janë investimet e siguruara? Si janë proceduara burokratike, a jepen shpejt lejet për punë dhe investime, dhe në këtë aspekt ka nganjëherë çalime. Të shprehem ashtu, burokracia duhet të punojë më shpejt dhe të jetë më efektive!

Radio Kosova: Kosova, ende mbetet vendi i vetëm në rajon, që nuk ka liberalizim vizash. Qeveria gjermane thotë se Gjermania mbështet heqjen e vizave. Cilat janë shanset që Kosova të marrë këtë vit liberalizmin e vizave?

Jörn Rohde: Dua të theksoj atë që tashmë e kam thënë edhe javën e kaluar, t’i referohen deklaratës se shefave të qeverisë së Trekëndëshit të Vajmarit:  Francës, Polonisë dhe Gjermanisë, ku konfirmohet qëllimi i liberalizimit së shpejti të vizave për Kosovën. Këtë vjeshtë do të mbahet një takim në Bruksel. Personalisht, dua të jem i përmbajtur, e kam thënë edhe nëpër intervista të shumta, që kam dhënë për televizione, por unë do të jem ambasadori i fundit gjerman në Kosovën me regjim vizash. Besoj se liberalizimi do të ndodh shpejt, por edhe nëse vendimi merret këtë vit, kërkohet pak kohë për të filluar zbatimi i vendimit, pra dy-tre muaj. Unë besoj se nëse gjithçka shkon ashtu siç duhet, në pranverën e vitit të ardhshëm nuk do të flasim më për këtë temë.