Sulme gjithandej Ukrainës

UkrainaShpërthimet tronditën shumë qytete anembanë Ukrainës të hënën, përfshirë sulme me raketa në Kiev për herë të parë pas disa muajsh, disa orë pasi presidenti rus Vladimir Putin e quajti një “akt terrorist” të organizuar nga shërbimet e posaçme të Ukrainës shpërthimin e së shtunës në urën që lidh Rusinë me territorin e aneksuar të Krimesë.

Rostyslav Smirnov, një këshilltar i ministrisë së Brendshme të Ukrainës tha se sipas informacioneve paraprake, të paktën tetë persona u vranë dhe 24 u plagosën në vetëm një nga sulmet në Kiev.

 

Kryebashkiaku Vitali Klitschko tha se shpërthime u raportuan në lagjen Shevchenko të qytetit, një zonë e madhe në qendër të Kievit që përfshin qytetin e vjetër historik si dhe disa zyra qeveritare.

Lesia Vasylenko, një deputete e parlamentit të Ukrainës, postoi një fotografi duke treguar se të paktën një shpërthim ndodhi pranë ndërtesës kryesore të Universitetit Kombëtar të Kievit në qendër të qytetit.

 

Gjetiu Rusia shënjestëroi zonat civile dhe infrastrukturën energjetike ndërsa sirenat e alarmit për sulme ajrore u dëgjuan gjithandej Ukrainës, përveç Krimesë së aneksuar nga Rusia, për katër orë rresht.

Gazetarët e agjencisë së lajmeve Associated Press në qytetin Dnipro, panë trupa të shumë njerëzve të vrarë në një zonë industriale në periferi të qytetit.

Mediat ukrainase raportuan gjithashtu për shpërthime në një numër zonash tjera përfshirë qytetin perëndimor të Lvivit që është një strehë për shumë njerëz që ikin nga luftimet në lindje, si dhe në Kharkiv, Ternopil, Khmelnytskyi, Zhytomyr dhe Kropyvnytskyi.

Sulmet e shumëfishta ndodhën disa orë përpara se presidenti rus Vladimir Putin të zhvillojë një takim me këshillin e tij të sigurisë, teksa lufta e Moskës në Ukrainë po i afrohet momentit historik tetëmuajsh dhe forcat ruse përjetuan tërheqje poshtëruese nga fushëbetejat në zonat që po përpiqet t’i aneksojë nga një kundërsulm ukrainas javët e fundit.

Një ditë më parë, Vladimir Putini e cilësoi sulmin në urën e Kerçit në Krime një akt terrorist të kryer nga shërbimet e posaçme ukrainase. Në një takim të dielën me kryetarin e Komitetit Hetues të Rusisë, ai tha se “nuk ka dyshim se ishte një akt terrorist më synim shkatërrimin e infrastrukturës civile jashtëzakonisht të rëndësishme”.

Në mes të sulmeve, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha në llogarinë e tij në rrejtin Telegram se Rusia “po përpiqet të na shkatërrojë dhe të na zhdukë nga faqja e dheut”.

Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba shkroi se “taktika e vetme e Putinit është terrori mbi qytetet paqësore të Ukrainës, por ai nuk do ta shkatërrojë Ukrainën. Kjo është gjithashtu përgjigja e tij ndaj të gjithë atyre që duan të flasin me të për paqen: Putin është një terrorist që flet me raketa”, shkroi ai.

voa

Biden-Scholz, dënojnë sërish përpjekjet e Moskës për aneksimin e territorit të Ukrainës

Biden ScholzShtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Joe Biden zhvilloi të dielën një bisedë telefonike me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

 

Në njoftim thuhet se dy udhëheqësit dënuan sërish përpjekjet për aneksimin e territorit të Ukrainës nga Rusia, si dhe shprehën përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për ta mbajtur Moskën përgjegjëse, për ato që i quajtën veprime brutale të saj. Po kështu Biden-Scholz shprehën angazhimin e vendeve të tyre për t’i ofruar siguri e ndihmë ekonomike Ukrainës.

Udhëheqësit diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet e fundit në tregjet globale të energjisë dhe rëndësinë e sigurimit të furnizimeve me energji të qëndrueshme e me çmim të përballueshëm.

Temë e diskutimit mes presidentit Biden dhe kancelarit gjerman Scholz ishte dhe Ballkani Perndimor. Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se udhëheqësit e dy vendeve folën mbi përpjekjet për të mbështetur stabilitetin dhe mirëqënien në Ballkanin Perëndimor.

voa

Kovaçevski: 42 mijë qytetarë në katër muajt e ardhshëm do të marrin 3 mijë denarë ndihmë nga Qeveria

Kovacevski350 milion euro për masat e krizës energjetike dhe ekonomike

 

42 mijë qytetarë në katër muajt e ardhshëm do të marrin 3 mijë denarë ndihmë nga Qeveria, kështu deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski gjatë prezentimit të masave anti-krizë. Ai tha se janë ndarë 350 milion euro për masat e krizës energjitike dhe ekonomike.

 

“Për 42 mijë qytetarë do të sigurojmë ndihmë prej 3 mijë denarëve në katër muajt e ardhsëm këtu hyjnë personat të cilat marrin ndihmë sociale, prindërit e vetëm, personat të cilat janë me nevoja të veçanta, persona te pa punësuar. Për këtë masë janë ndarë 8 milion euro.  Një kategori e pensionistëve do të marrin nga 1500 denarë ndërsa të tjetër 3 mijë denarë”,deklaroi Kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Ndihmë do të kenë qytetarët dhe kompanitë për t’i mbuluar shpenzimet e energjisë elektrike.

“Do të kemi mjaftë ushqim dhe ngrohje këtë ua sigurojmë qytetarëve. Nuk do ta harrojmë asnjërin nuk do ta lëmë vetëm në këtë krizë ekonomike. 4 mijë qytetarë do të ndihmohen për energji elektrike, 200 euro për qytetarët për çdo muaj, kompanitë lirohen nga TVSH-ja për import për gaz, për bujqit ndamë për 52 milion euro”, ,deklaroi Kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Në mesin e masave anti krizë janë edhe kompanitë e mesme dhe të vogla, ndërsa nuk do të përfshihen bankat, kazinot.

Gjermania, thirrje BE-së për sanksione ndaj Iranit

IranMinistria e Jashtme e Gjermanisë i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të marrë vendim për t’u ndaluar hyrjen në vendet e bllokut, si dhe ngrirje të pronave, atyre që janë përgjegjës për shtypjen brutale të protestave antiqeveritarë në Iran.

 

Protestat më të qëndrueshme ndër vite kundër teokracisë së Iranit kanë hyrë tashmë në javën e katërt të tyre. Ato shpërthyen më 17 shtator, pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, një vajze kurde, e cila vdiq në paraburgim. Mahsa Amini u arrestua nga e ashtuquajtura policia e moralit, nën dyshimet se kishte shkelur kodet e rrepta islame për veshjen e grave e vajzave.

Protestat janë përhapur tashmë në të gjithë vendin dhe po përballën me një goditje të ashpër, që sipas vlerësimeve ka shkaktuar dhjetëra të vrarë e qindra të arrestuar.

Ata që rrahin gratë dhe vajzat në rrugë, e ndalojnë në mënyrë arbritrare ata që veçse kërkojnë të jetojnë të lirë duke i dënuar me vdekje, qëndrojnë në anën e gabuar të historisë“, citohet të ketë thënë ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock për gazetën ‘Bild am Sonntag’.

Ne do të bëjmë të mundur që BE-ja t’u ndalojë hyrjen atyre që janë përgjegjës për këtë shtypje brutale e të ngrijë pronat e tyre në BE”, shtoi ajo. “U themi njerëzve në Iran: Ne qëndrojmë dhe mbetemi pranë jush“.

Por zonja Baerbock nuk përmendi ndonjë individ apo organizatë specifike që Gjermania kërkon të ndëshkohet përmes sanksionesh.

Të enjten, ligjvënësit e BE-së miratuan një rezolutë ku kërkohej vendosja e sanksioneve kundër përgjegjësve për vdekjen e Mahsa Aminit dhe për shtypjen e dhunshme të protestave.

voa

Çmimi i energjisë dhe tregu i makinave elektrike

makina elektrikeKriza globale energjetike e shkaktuar nga sulmi rus ndaj Ukrainës po ndikon edhe tregun e makinave elektrike. Për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, kostoja e funksionimit të makinave elektrike po u afrohet atyre që operojnë me karburant. Sipas ekspertëve, kjo mund të vonojë tranzicionin nga makinat me karburant tek ato elektrike.

 

Një nga argumentet më të forta në favor të makinave elektrike ka qenë kostoja e ulët e operimit të tyre krahasuar me ato që funksionojnë me karburant. Deri më tani, mendohej se kostoja e karikimit të makinave elektrike ishte shumë më e ulët se mbushja e atyre që operojnë me benzinë ose naftë.

Për shkak të krizës globale të energjisë, kostoja e energjisë elektrike në Britani është tetëfishuar që nga shkurti, thotë Zyra e Tregut të Karburantit dhe Energjisë Elektrike (Ofgem).

Si në pikat publike të karikimit në rrugë, autostrada dhe qendra tregtare, ashtu edhe në shtëpi, karikimi e një makineje elektrike ka qenë gjithnjë e më i shtrenjtë këtë vit.

Sipas kompanisë “RAC”, kostoja e karikimit të makinave elektrike u rrit me 42 për qind që nga maji në Britani.

“Në disa nga pikat më të sofistikuara, karikimi me energji elektrike mund të kushtojë më shumë sesa mbushja e një makine me naftë ose benzinë. Një nga arsyet e rritjes eksponenciale të shitjeve të makinave elektrike ka qenë kostoja më e ulët e operimit të tyre”, thotë Jim Holder nga kompania Haymarket Automotive.

Ai thekson se karikimi i një makine elektrike në shtëpi do të vazhdojë të jetë më i lirë se mbushja me benzinë ose naftë, pavarësisht rritjes së kostos së energjisë.

“Çmimi i makinave elektrike është i lartë, por ju mund përfitoni nga masa të ndryshme stimuluese, si lehtësimet tatimore dhe kostoja me e ulët e funksionimit të tyre. Nëse e karikoni makinën elektrike në shtëpi, tani është pothuajse e sigurt që do të paguani më pak sesa për mbushjen e një makine që funksionon me benzinë ose naftë. Por sigurisht, nëse përdorni pikat publike të karikimit me shpejtësi të lartë, atëherë kostoja do të jetë shumë më e lartë”, thotë ai.

Problemet nuk ndalojnë këtu.

Për shkak se kriza e energjisë mund t’i shkurajojë njerëzit të blejnë makina elektrike, kjo mund të ngadalësojë edhe tranzicionin e tregut drejt makinave elektrike.

“Mendoj se vështirësia reale është se kompanitë e prodhimit të makinave duhet të vazhdojnë të shesin makina elektrike në shifra shumë të larta për të qenë në gjendje të krijojnë tregun e makinave të përdorura, që më pas do t’u krijonte mundësitë për blerje të këtyre llojeve të makinave edhe familjeve me të ardhura më të ulëta. Ky është rreziku real. Çdo pauzë tani nuk po vonon vetëm tranzicionin në një afat të shkurtër, por edhe krijimin e një inventari të makinave elektrike me çmime më të përballueshme”, thotë zoti Holder.

Sipas një sondazhi të organizatës “AA”, 63 për qind e 12,500 shoferëve të pyetur thanë se rritja e çmimeve të energjisë do t’i pengonte ata nga blerja e një makine elektrike.

voa

 

Moti në Maqedoni, me diell dhe temperatura deri në 26 gradë celsius

moti-Moti sot në Maqedoni do të mbaj me diell me vranësira të ulëta deri në mesatare.

 

Paradite diku nëpër lugina do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës së mëngjesit.

Do të fryjë erë e dobët deri në mesatare veriore e cila do të forcohet për një kohë të shkurtër përgjatë rajonit të Vardarit e më gjerë.

Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 1 deri në 9 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 21 deri në 26 gradë.

Në Shkup do të mbaj mot me diell me vranësira të vogla deri në mesatare dhe me erë të dobët deri në mesatare veriore.

Temperatura minimale do të zbresë deri në 6 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 24 gradë.

Kurti: Jam optimist për dialogun në Bruksel sepse kemi qasje të re

AlbinKryeministri Albin Kurti në Seminarin e 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-së në Prishtinë, ka thënë se tani është më optimist sa i përket dialogut për marrëveshje me Serbinë, pasi është një qasje e re në agjendën e Brukselit.

 

“Jam optimist sa i përket dialogut në Bruksel sepse atje kemi krijuar qasjen e duhur dhe të drejtë dhe kjo është kroniza e përgjithshme e marrëveshjes. Dialogu nuk duhet të shërbejë vetëm për menaxhim krizash dhe të bëhet dialog për dialog, por dialog për marrëveshje. Tani jemi futur në një fazë të re qënga 18 gushti i këtij viti, sepse tema e parë në zyren e z. Borell ishte korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pra dialogim për marrëveshje dhe do të diskutojmë për këtë marrëveshje”, ka theksuar Kurti.

Kryeministri tutje ka thënë se e ka këtë optimizëm duke pasur parasysh faktin se për dallim nga e kaluara kur njohja e pavarësisë ishte në fund të procesit dhe po e shndërronte këtë qasje në motivim të Serbisë për zvarritje të procesit tani njohja e ndërsjellë është në qendër të marrëveshjes.

“Sepse nëse i thoni Serbisë se pavarësia do të vjen në fund ju e inkurajoni Serbinë për ta shtyrë fundin, por tani njohja e ndërsjellë nuk është në fund të procesit por është në qendër të marrëveshjes. Nuk po them se nuk do të ketë edhe pika tjera në marrëveshje por pjesa qendrore ka të bëjë me njohjen e ndërsjellë. Kjo qasje e re, pra me agjendën e re në Bruksel, ku synon të kemi një kornizë të përgjithshme për marrëveshje si tema numër një e bisedimeve më bën optimist  për muajt që kemi përpara dhe për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme”, ka nënvizuar Kurti.

Ai gjatë ekspozesë në këtë seminar ka thënë se synimi i Kosovës është të forcohet e të bëhet anëtare e NATO-s dhe në këtë mënyrëë të kontribuojë në promovimin e vlerave demokratike e të paqes nëpër botë.

Kurti ka thënë se këtë vit është rritur buxheti për mbrojtje në 102 milionë euro, teksa sipas tij synimi është që buxheti për mbrojtje së shpejti të arrihet në 2 për qind të bruto produktit vendor.

Ai ka folur edhe për lidhjen e ngushtë të Serbisë me Rusinë, si dhe bazat ushtarake që Serbia i ka në kufi me Kosovën.

Duke folur për liberalizimin e vizave, Kurti ka thënë se kjo është një çështje e vonuar  për shkak të hezitimit të disa shteteve anëtare, edhe pse Kosova i ka plotësuar 95 kritere, teksa është shprehur optimist për një vendim pozitiv në të ardhmen e afërt.

 

Lidhjet e Beogradit me Kremlinin, Kurti: Serbia preferon territorin e të tjerëve, pa të tjerët në të

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë pjesëmarrjes së tij në Seminarin e 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-së, ka folur për raportet Kosovë-Serbi.

I pyetur nëse Serbia po synon ta imponojë mënyrën e vetë të jetesës, Kurti ka thënë se mendon se është e kundërta.

“Nuk jam i sigurt që Serbia synon të imponoj mënyrën e vet të jetesës tek të tjerët, në të vërtetë Serbia preferon territorin e të tjerëve. Nuk kemi të bëjmë me mënyrën e jetesës, me çështje kulturore ose fetare, kemi të bëjmë me ide ekspansioniste të dominimit të këtij rajoni të Evropës dhe duke llogaritur në ndihmën nga federata ruse”, ka thënë Kurti, shkruan Telegrafi.

Kryeministri ka shtuar se lidhjet Serbi-Rusi janë shumë të ngushta.

“Duhet të jemi vigjilent sepse lidhjet mes Beogradit dhe Kremlinit janë të shumëfishta, janë historikisht të thella dhe nga aspekti ekonomik dhe ushtarak të gjera. Serbia nuk na njeh dhe nuk i pranojnë krimet e kryera nga Millosheviqi, kemi të bëjmë me një autokraci. I kanë 48 baza të avancuara ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, 28 janë ushtarake 20 janë të xhandarmërisë serbe. Kjo shkakton shqetësim për ne, ndonëse ne nuk jemi pjesë e NATO-s, NATO është në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit ndërhyrja e NATO-së në Kosovë është një storie suksesi.

“Kosova është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë së NATO-s. Nuk është vetëm NATO që e mbron Kosovën por edhe Kosova NATO-në sepse jemi storie e suksesit për ndërhyrjen e NATO-së në Kosovë. Jemi storie suksesi e dyfishtë jo vetëm për ndërhyrjen nga NATO por edhe në ndërtimin e demokracisë dhe ekonomisë së vendit”, theksoi ai.

Një testi i ri gjaku zbulon mbi 50 lloje kanceri

analiza e gjakutNjë testi i ri gjaku zbulon mbi 50 lloje kanceri dhe vendin e origjinës së tyre në trup. Megjithatë testi ende nuk mund të zëvendësojë kontrollet e zakonshme, pasi teknologjia ka akoma nevojë për t’u përmirësuar.

 

Testi i ri i gjakut që u prezantua në një kongres të Shoqatës Evropiane të Onkologjisë, njeh ADN-në tumorale dhe vendin se ku gjenden ato në trup. Testi tregon pra jo vetëm nëse pacienti ka kancer, por edhe llojin e tij.

Studiuesit testuan për kancer rreth 6.000 vetë mbi moshën 50 vjeç. Rreth një për qind e testeve të gjakut ishin pozitive.

Testet e mëvonshme konfirmuan se një e treta e atyre që rezultuan pozitivë kishin vërtet kancer. Në subjektet e testimit u gjetën tumore në gjithsej 15 organe dhe inde të tjera të trupit.

Megjithatë testi ende nuk mund të zëvendësojë kontrollet e zakonshme të kancerit, pasi teknologjia ka akoma nevojë për t’u përmirësuar.

dw

Ukrainë: Dëme të rënda pas zjarrit në urën e Krimesë

Ura krimeNjë zjarr i fuqishëm që shpërtheu në urën mes Krimesë dhe territorit shtetëror rus ndërkohë është shuar, por ka pasur dëme të rënda. Njoftohen shpërthime edhe në Karkiv.

 

Pas një shëprthimi u shkaktua një zjarr i fuqishëm në urën, e cila që nga viti 2018 ndërlidh territorin shtetëror rus me gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Moska përkundër së drejtës ndërkombëtare. Zjarri, sipas të dhënave të Ministrisë ruse për Mbrojtjen Civile, ndërkohë është shuar. Dëmet e shkaktuara në kompleksin e shinave dhe në korsitë e automjeteve përgjatë urës janë masive. Mediet e afërta me Kremlinin publikuan video, në të cilat shihen pjesë nga korsitë e rëna në ujë. Në segmentin hekurudhor shihen disa vagonë të djegur të një treni mallrash, që transportonte naftë.

Komiteti rus i anti-terrorit deklaroi, se sipas të dhënave paraprake në një kamion që ndodhej mbi urë ka shpërthyer një bombë. Nga shpërthimi ka rënë zjarr në vagonët e trenit të mbushur me karburant. Automjeti, sipas këtyre të dhënave, vinte nga territori rus dhe udhëtonte në drejtim të zonës bregdetare Kerç të Krimesë.

Harku i urës, që lidh ngushticën detare të Kerçit, nuk është dëmtuar, bëhet e ditur më tej. Ura e ndërtuar me shina dhe korsi, me udhëzimin e kreut të shtetit Vladimir Putin, shërben ndërkohë kryesisht për transportin e mjeteve ushtarake për forcat ruse në Ukrainë.

 

Këshilltari i presidentit ukrainas bën fjalë për një “fillim”

Këshilltari i presidentit ukrainas, Myhajlo Podoljak, përmes twitterit deklaroi duke përdorur shprehjen, ky është “fillimi”. Ai nuk vendos në një kontekst zjarrin në urën e Krimese, por shkruan më tej: “Gjithçka ilegale duhet të shkatërrohet, gjithçka e vjedhur duhet t’i kthehet Ukrainës, gjithçka pushtuese nga Rusia, duhet dëbuar.”

Gazeta ukrainase në internet Ukrajinska Pravda duke iu referuar qarqeve të sigurisë në Kiev raporton, se Shërbimi Sekret SBU qendron pas “operacionit special”. SBU nuk e konfirmoi këtë, por publikoi si edhe shumë faqe të tjera zyrtare në Ukrainë në rrjetet sociale regjistrime nga ura duke u djegur duke postuar edhe një vjershë.

Putini udhëzoi hetim zyrtar të rastit. Kremlini në Moskë më parë herë pas here ka paralajmëruar me theks të veçantë nëse ndërmerret ndonjë sulm ndaj urës 19 km e gjatë duke kërcënuar, që në një rast të tillë do të shënjestrohet qendra e komandës në Kiev.

Shpërthime në Karkiv

Një seri shpërthimesh kanë tronditur të shtunën (08.10) në mëngjes në qytetin lindor të Ukrainës Karkiv. Sikurse njofton agjencia e lajmeve AP, shtëllunga gjigante tymi u ngjitën në qiell. E sipas këtyre informacioneve ka pasuar një seri shpërthimesh.

Sipas të dhënave të kryebashkiakut të Karkivit, Ihor Terehov, janë hedhur raketa në qendër të qytetit. Shpërthimet kanë shkaktuar zjarre në një institucion mjekësor të qytetit dhe në një godinë jo banimi. Nuk është bërë e ditur deri tani nëse ka të plagosur.

se/AR/cw (ap, dpa, rtr, afp)

Shpërthim në urën që lidh Krimenë me Rusinë

Ura e KrimeseNjë zjarr gjigant i shkaktuar nga një makinë bombë ka shpërthyer në një urë kyçe që lidh Krimenë me Rusinë, një territor që Moska e aneksoi në vitin 2014. Lajmi u njoftua të shtunën nga autoritetet ruse, por ata nuk fajësuan menjëherë Ukrainën lidhur me ngjarjen.

 

Ura, e cila shërben për transport rrugor dhe hekurudhor, është ndërtuar me urdhër të Presidentit rus Vladimir Putin dhe u inaugur në vitin 2018. Ajo shërbente si një pikë kyçe për transportin e pajisjeve ushtarake dhe trupave ruse që luftonin në Ukrainë.

Ura është vendkalimi i vetëm mes territorit të okupuar të Krimesë dhe Rusisë.

Agjencitë ruse të lajmeve duke iu referuar Komitetit kundër Terrorizmit thanë se makina-bombë shkaktoi gjithashtu shpërthimin e shtatë cisternave me naftë që po transportoheshin për në Krime.

Zëdhënësi i Kremlinit tha se presidenti Putin kishte urdhëruar krijimin e një komisioni për të hetuar ngjarjen.

Kreu i parlamentit rajonal të instaluar nga Rusia në Krime, Vladimir Konstantinov, fajësoi ata që i quajti “vandalët ukrainas”.

Rusia kishte pretenduar më parë se ura ishte e sigurt, pavarësisht luftimeve në Ukrainë, dhe nga ana tjetër kishte kërcënuar Kievin, me hakmarrje nëse ajo sulmohej.

Nëse vërtetohet se pas shpërthimit qëndron Ukraina, kjo do të përbënte një shqetësim serioz për Moskën pasi ura ndodhet larg vijës së frontit të luftës.

Në gadishullin e Krimesë ka pasur disa shpërthime në objektet ushtarake ruse.

Përparimet e fundit të rrufeshme territoriale të Ukrainës në lindje dhe jug të vendit kanë hedhur dyshime mbi pretendimin e Kremlinit për aneksim të Donetskut Luhanskut dhe rajoneve jugore të Zaporizhias dhe Khersonit.

Të katër territoret krijojnë një korridor të rëndësishëm tokësor mes Rusisë dhe gadishullit të Krimesë, dhe së bashku përbëjnë rreth 20% të territorit të Ukrainës.

voa