Ukrainë: Dëme të rënda pas zjarrit në urën e Krimesë

Ura krimeNjë zjarr i fuqishëm që shpërtheu në urën mes Krimesë dhe territorit shtetëror rus ndërkohë është shuar, por ka pasur dëme të rënda. Njoftohen shpërthime edhe në Karkiv.

 

Pas një shëprthimi u shkaktua një zjarr i fuqishëm në urën, e cila që nga viti 2018 ndërlidh territorin shtetëror rus me gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Moska përkundër së drejtës ndërkombëtare. Zjarri, sipas të dhënave të Ministrisë ruse për Mbrojtjen Civile, ndërkohë është shuar. Dëmet e shkaktuara në kompleksin e shinave dhe në korsitë e automjeteve përgjatë urës janë masive. Mediet e afërta me Kremlinin publikuan video, në të cilat shihen pjesë nga korsitë e rëna në ujë. Në segmentin hekurudhor shihen disa vagonë të djegur të një treni mallrash, që transportonte naftë.

Komiteti rus i anti-terrorit deklaroi, se sipas të dhënave paraprake në një kamion që ndodhej mbi urë ka shpërthyer një bombë. Nga shpërthimi ka rënë zjarr në vagonët e trenit të mbushur me karburant. Automjeti, sipas këtyre të dhënave, vinte nga territori rus dhe udhëtonte në drejtim të zonës bregdetare Kerç të Krimesë.

Harku i urës, që lidh ngushticën detare të Kerçit, nuk është dëmtuar, bëhet e ditur më tej. Ura e ndërtuar me shina dhe korsi, me udhëzimin e kreut të shtetit Vladimir Putin, shërben ndërkohë kryesisht për transportin e mjeteve ushtarake për forcat ruse në Ukrainë.

 

Këshilltari i presidentit ukrainas bën fjalë për një “fillim”

Këshilltari i presidentit ukrainas, Myhajlo Podoljak, përmes twitterit deklaroi duke përdorur shprehjen, ky është “fillimi”. Ai nuk vendos në një kontekst zjarrin në urën e Krimese, por shkruan më tej: “Gjithçka ilegale duhet të shkatërrohet, gjithçka e vjedhur duhet t’i kthehet Ukrainës, gjithçka pushtuese nga Rusia, duhet dëbuar.”

Gazeta ukrainase në internet Ukrajinska Pravda duke iu referuar qarqeve të sigurisë në Kiev raporton, se Shërbimi Sekret SBU qendron pas “operacionit special”. SBU nuk e konfirmoi këtë, por publikoi si edhe shumë faqe të tjera zyrtare në Ukrainë në rrjetet sociale regjistrime nga ura duke u djegur duke postuar edhe një vjershë.

Putini udhëzoi hetim zyrtar të rastit. Kremlini në Moskë më parë herë pas here ka paralajmëruar me theks të veçantë nëse ndërmerret ndonjë sulm ndaj urës 19 km e gjatë duke kërcënuar, që në një rast të tillë do të shënjestrohet qendra e komandës në Kiev.

Shpërthime në Karkiv

Një seri shpërthimesh kanë tronditur të shtunën (08.10) në mëngjes në qytetin lindor të Ukrainës Karkiv. Sikurse njofton agjencia e lajmeve AP, shtëllunga gjigante tymi u ngjitën në qiell. E sipas këtyre informacioneve ka pasuar një seri shpërthimesh.

Sipas të dhënave të kryebashkiakut të Karkivit, Ihor Terehov, janë hedhur raketa në qendër të qytetit. Shpërthimet kanë shkaktuar zjarre në një institucion mjekësor të qytetit dhe në një godinë jo banimi. Nuk është bërë e ditur deri tani nëse ka të plagosur.

se/AR/cw (ap, dpa, rtr, afp)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>