Çfarë ka në mendje Putini? E vështirë përgjigja për analistët bërthamorë

PutinA do ta tërheqë këmbëzën Presidenti rus Vladimir Putin?

Nuk ka pikëpyetje më urgjente dhe më të vështirë për vëzhguesit e Kremlinit, që po përpiqen të kuptojnë nëse kërcënimet e udhëheqësit rus janë thjesht blof.

Për momentin, analistët sugjerojnë se rreziku që Presidenti Putin të vërë në përdorim arsenalin më të madh bërthamor të botës duket të jetë i ulët. CIA thotë se nuk ka vënë re shenja të një përgatitje për sulm të afërt bërthamor nga Rusia.

Megjithatë, zotimet e tij se do të përdorë “të gjitha mjetet në dispozicion” për të mbrojtur Rusinë, ndërkohë që po sulmon Ukrainën, po merren shumë seriozisht. Dhe pretendimi që ai bëri të premten se Shtetet e Bashkuara “vendosën precedentin” duke hedhur bombat bërthamore gjatë Luftës së Dytë Botërore, e rriti më shumë rrezikshmërinë bërthamore.

Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar për “pasoja katastrofike për Rusinë” nëse Presidenti Putin vendos të përdorë opsionin bërthamor.

Por, nuk dihet nëse kjo do ta ndalë Presidentin Putin. Vëzhguesit e nervozuar të Kremlinit pranojnë se nuk mund të kenë siguri se çfarë ka ai në mendje, apo edhe nëse është racional dhe i mirëinformuar.

Ish-agjenti i KGB-së ka demonstruar dëshirën për të ndërmarrë veprime dhe taktika të rrezikshme. Është e vështirë edhe për agjencitë perëndimore të zbulimit, megjithë satelitët që disponojnë, që të konkludojnë nëse Presidenti Putin po bën blof apo vërtet synon të thyejë tabunë bërthamore.

“Komuniteti amerikan i zbulimit nuk ka parë ndonjë hap praktik, se ai po i afrohet momentit të vënies në përdorim, apo se ekziston një rrezik i menjëhershëm, për përdorimin e armëve bërthamore”, tha drejtori i CIA-s William Burns, në një intervistë për kanalin CBS.

“Ajo që duhet të bëjmë është që ta marrim shumë seriozisht dhe të shohim për shenja të përgatitjeve reale”, tha zoti Burns.

Çfarë shkakton konfuzion për vëzhguesit e Kremlinit është se nuk është e qartë se si përdorimi i forcës bërthamore mund të ndihmojë për të rikuperuar humbjet ushtarake të Rusisë në Ukrainë.

Forcat ukrainase nuk po përdorin tanke të përqëndruara në formacione të mëdha për të rimarrë territor dhe luftimet zhvillohen ndonjëherë për territore të vogla, si p.sh. fshatra. Pra, çfarë objektivi mund të vendosnin në objektiv forcat bërthamore ruse për të patur një efekt fitimtar?

“Armët bërthamore nuk janë një shkop magjik”, thotë Andrey Baklitskiy, me Institutin e OKB-së për Studimet e Çarmatimit, që specializohet në rreziqet bërthamore. “Ato nuk janë diçka që thjesht e vë në përdorim për të zgjidhur të gjitha problemet që ke”.

Analistët shpresojnë që tabuja për përdorimin e armëve bërthamore do të shërbejë si një dekurajim. Përmasat e tmerrshme të vuajtjeve njerëzore në Hiroshima dhe Nagasaki, pasi Shtetet e Bashkuara i shkatërruan këto qytete me bomba bërthamore më 6 gusht dhe 9 gusht 1945, janë një argument i fuqishëm kundër përsëritjes së përdorimit të armëve të tilla. Nga ato sulme u vranë 210 mijë persona.

“Është ende tabu në Rusi kalimi i këtij pragu”, thotë Dara Massicot, studiuese e politikave në Korporatën Rand, gjithashtu ish-analiste e aftësive ushtarake të Rusisë, në Departamentin amerikan të Mbrojtjes.

“Është një ndër vendimet më të vështira në historinë e njerëzimit”, thotë zoti Baklitskiy.

Reagimi mund ta shndërrojë Presidentin Putin në person të braktisur në mbarë globin.

“Thyerja e tabusë bërthamore, do të vendoste minimalisht një izolim të plotë diplomatik dhe ekonomik ndaj Rusisë”, thotë Sidharth Kaushal, studiues në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër, që specializohet në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Armët bërthamore me rreze të gjatë, që Rusia do të përdorte në rast të një konflikti të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara, janë në gjendje të gatshme luftarake. Por nuk janë në gatishmëri rezervat e saj të mbushjeve bërthamore për rreze më të shkurtër, të ashtuquajturat armë taktike, që Presidenti Putin mund të përdorte në Ukrainë.

“Të gjitha mbushjet gjenden në magazina”, thotë Pavel Podvig, studiues që specializohet për armët bërthamore në një organizatë të OKB-së në Gjenevë.

“Ato duhen nxjerrë nga bunkerët, duhen ngarkuar në kamionë dhe pastaj duhen montuar nëpër raketa apo sistemet e tjera të lëshimi”, thotë ai.

Rusia nuk ka publikuar një inventar të plotë të armëve të saj bërthamore dhe kapaciteteve të tyre. Presidenti Putin mund të urdhërojë që një armë më e vogël të bëhet gati në mënyrë të fshehtë dhe të përgatitet për një përdorim të befasishëm.

Gjithashtu, nxjerrja e dukshme e armëve nga magazinat do të ishte një tjetër taktikë, që Presidenti Putin mund të përdorte për të shtuar presionin, pa i vënë këto armë në përdorim. Ai do të priste që satelitët amerikanë ta pikasnin aktivitetin dhe ndoshta do të shpresonte se duke treguar “dhëmbët bërthamorë” mund t’i trembte fuqitë perëndimore, që ta pakësojnë mbështetjen që i japin Ukrainës.

“Kjo është ajo çfarë do të prisnin rusët, se përshkallëzimi i ofron palës tjetër një kërcënim, por edhe një mundësi për të negociuar me Rusinë”, thotë zoti Kaushal.

Ai shton se: “Ekziston një lloj gjuhe në sinjalizimin bërthamor dhe të rrezikshmërisë, dhe një logjikë; pra është shumë më tepër se thjesht një i çmendur, që një ditë vendos të bëjë këtë, apo atë veprim”.

Analistët gjithashtu presin që të ketë fillimisht përshkallëzime të tjera, përfshirë rritje të sulmeve ruse në Ukrainë, pa përdorur armë bërthamore.

“Nuk mendoj se do të ketë një rrufe në qiell të hapur”, tha Nikolai Sokov, i cili mori pjesë në negociatat për kontrollin e armëve kur punonte për Ministrinë e Jashtme të Rusisë dhe që tashmë punon në Qendrën për Çarmatimin dhe Mospërhapjen në Vjenë.

Analistët gjithashtu kanë vështirësi në identifikimin e objektivave në fushëbetejë që do kishin vlerë të mjaftueshme për çmimin e lartë, që do të paguante Presidenti Putin. Nëse një goditje bërthamore nuk do të ndalte avancimin ukrainas, a do të godiste ai sërish?

Zoti Podvig thotë se në këtë luftë nuk ka përqëndrim të madh të forcave që mund të përbënin objektiv për një sulm bërthamor.

Sulmi bërthamor ndaj qyteteve, me shpresën se Ukraina do të tronditej mjaftueshëm, që të dorëzohej, do të ishte një alternativë e tmerrshme.

“Vendimi për të vrarë dhjetëra dhe qindra mijëra njerëz me gjakftohtësi, do të ishte një vendim i vështirë”, thotë ai. “Ashtu siç duhet të jetë”.

Presidenti Putin mund të jetë duke shpresuar se thjesht kërcënimet mund ngadalësojnë furnizimin me armë nga Perëndimi për Ukrainën, dhe do t’i jepnin më shumë kohë për të stërvitur 300 mijë forcat shtesë, që po mobilizon, duke shkaktuar protesta dhe një eksod të meshkujve të aftë për luftë.

Por, nëse Ukraina vazhdon të rimarrë territoret e pushtuara dhe Presidenti rus Putin konstaton se nuk mundet të mbahen më territoret e pushtuara, analistët i frikësohen rrezikut në rritje, se ai mund të vendosë se nuk ka më opsione jo-bërthamore.

“Putini po rrëzon vërtet shumë ura pas tij tashmë, me mobilizimin dhe me aneksimin e territoreve të reja”, thotë zonja Massicot.

“Kjo na sugjeron se ai është angazhuar për një fitore të plotë sipas kushteve të tij”, shton ajo. “Jam shumë e shqetësuar se ku do të na çojë kjo, përfshirë edhe tek një lloj vendimi bërthamor”.

voa

Tre shkencëtarë marrin çmimin Nobel në fizikë, për arritjet e tyre në teknologjinë kuantike

fizike nobelTre shkencëtarë fituan të martën çmimin Nobel të këtij viti në fizikë për punën e tyre në teknologjinë kuantike që ka përdorime të rëndësishme në disa fusha.
Francezi Alain Aspect, amerikani John F. Clauser dhe austriaku Anton Zeilinger u nderuan nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave për zbulimin e mënyrës se si grimcat e njohura si fotone mund të lidhen, ose ndërveprojnë me njëra-tjetrën edhe kur janë shumë larg njëra-tjetrës.

“Shkenca e informacionit kuantik është një fushë e gjallë dhe në zhvillim të shpejtë,” tha Eva Olsson, anëtare e komitetit të çmimit Nobel.

“Ajo përdoret gjerësisht edhe në fusha të tilla si transferimi i sigurt i informacionit, llogaritja kuantike dhe teknologjia e sensorëve.”

“Origjina e saj i ka rrënjët tek mekanika kuantike,” tha ajo. “Parashikimet e lidhura me të, i hapin dyert një bote të re dhe transformojnë vetë themelet e mënyrës se si interpretojmë matjet.”

Duke folur me telefon në një konferencë shtypi pas njoftimit, profesori i Universitetit të Vjenës, 77 vjeçari Zeilinger tha se ishte emocionuar kur mësoi se kishte marrë çmimin.

Tre fizikanët Clauser, Aspect dhe Zeilinger shpesh trajtojnë probleme që në pamje të parë duket të jenë shumë larg shqetësimeve të përditshme – grimcat e vogla dhe misteret e mëdha të hapësirës dhe kohës – por puna e tyre kërkimore hedh bazat për shumë përdorime praktike të shkencës.

Komiteti Nobel tha se 79 vjeçari Clauser zhvilloi teoritë kuantike të paraqitura për herë të parë në vitet 1960 në një eksperiment praktik. 75 vjeçari Aspect arriti të mbyllte një hendek në ato teori, ndërsa prof. Zeilinger demonstroi një dukuri të quajtur teleportim kuantik që lejon në mënyrë efektive transmetimin e informacionit në distanca të gjata.

“Përmes ndërthurjes, mund të zhvendosësh të gjithë informacionin që bartet nga një objekt në një vend tjetër ku objekti si të thuash, riformohet,” tha prof. Zeilinger. Ai shton se kjo funksionon vetëm për grimcat e vogla.

Ai tha se kur filloi kërkimet e tij, eksperimentet ishin “plotësisht filozofike pa ndonjë përdorim apo zbatim të mundshëm praktik.”

Që atëherë, puna e laureatëve është përdorur për të zhvilluar fushat e kompjuterëve kuantikë, rrjeteve kuantike dhe komunikimit të sigurt të koduar kuantik.

Java e shpalljes së çmimeve Nobel filloi të hënën kur shkencëtari suedez Svante Paabo u nderua me çmimin në fushën e mjekësisë për punën e tij në zbulimin e sekreteve të ADN-së së Neandertalit që sjell njohuri jetike për sistemin tonë imunitar.

Të mërkurën shpallet çmimi për kiminë dhe të enjten ai për letërsinë. Çmimi Nobel për Paqe 2022 shpallet të premten dhe çmimi në fushën e ekonomisë më 10 tetor.

voa

6 fakte që nuk i dinit më parë për xhamitë në Gjermani

Xhaminë e KölnitGjermania ka mijëra xhami, por shumica gjenden në oborret e pasme të ndërtesave ose në zona industriale. Numrin e saktë të tyre askush nuk e di.

 

Gjermania është mjaft e njohur për saktësinë dhe rregullin. Gjithçka dokumentohet dhe analizohet. Por se sa xhami ka në Gjermani, nuk e di askush saktë. Sipas llogaritjeve nga 2350 deri në 2750. Në vitin 2019 këto xhami u vizituan të paktën një herë në javë nga 24% e 5,5 milionë myslimanëve, që jetojnë në Gjermani, sipas studimit të Konferencës Gjermane të Islamit.

Në Ditën e Xhamisë së Hapur që zhvillohet nga Gjermani nga viti 1997 më 3 Tetor, rreth 1000 xhami hapin portat për t’u vizituar nga myslimanë e jomyslimanë. Motoja këtë vit ishte: Burime të pakta, përgjegjësi e madhe. “Efekti i krizës së klimës vërehet si tek ne ashtu edhe në shumë pjesë të botës, si së fundmi në katastrofën e madhe të përmbytjes në Pakistan”, thotë Aiman Mazyek, kreu i Këshillit Qendror të Myslimanëve në Gjermani, (ZMD). Ja disa fakte mbi xhamitë në Gjermani:

 

  1. Në xhaminë e parë në Gjermani u përgatitën xhihadistë

Xhamia Wünsdorfer në Brandenburg u ndërtua në vitin 1915 me dëshirën e myftiut të Stambollit dhe konsiderohet si ndërtesa më e vjetër islamike e Gjermanisë, madje e Europës Qendrore. Xhamia ishte në qendër të një kampi të burgosurish të luftës për myslimanë, Kampi i Gjysmëhënës. Këtu nuk bëheshin vetëm lutjet, por perandoria gjermane e përdorte xhaminë për të nxitur të burgosurit myslimanë kundër fuqive të tyre koloniale: Francës dhe Anglisë. “Strategjia e revolucionit” e quante këtë perandoria gjermane. Këtu betoheshin xhihadistë dhe dërgoheshin në “luftën e shenjtë”. Por të burgosurit përdoreshin edhe për qëllime studimore duke regjistruar gjuhën apo bërë matje antropologjike. Këto u përdorën më vonë në “studimet racore” të nacionalistëve. Më ndërtimin e xhamisë në Berlin-Wilmersdorf në vitin 1928, kjo xhami humbi rëndësinë dhe në vitin 1930 u prish.

 

  1. Xhamia më e vjetër gjermane i ngjason Taxh Mahal

Xhamia në Berlin Wimmersdorf është sot xhamia më e vjetër në Gjermani dhe të kujton një monument të njohur botëror nga India. Taxh Mahal. Dy minare më shumë se 30 metra të larta rrethojnë ndërtesën. Kjo xhami u konceptua nga arkitekti gjerman Karl August Herrmann për komunitetin islam të Ahmadia-Lahore nga Pakistani i sotëm, anëtarët e të cilit erdhën në vitin 1920 në Gjermani. Ata së bashkë me myslimanë gjermanë themeluan Shoqatën Gjermano-Myslimane dhe kjo xhami u bë epiqendër e jetës myslimane.

 

  1. Në një xhami në Berlin predikojnë edhe gra

Në xhaminë e hapur në Berlin në vitin 2017, xhamia Ibn-Rushd Goethe e një lloji të veçantë falen së bashku, burra dhe gra, njerëzit e komunitetit LGBTQ nuk janë të përjashtuar. Në faqen e internetit thuhet se “xhamia Ibn-Rushd Goethe përfaqëson një islam progresiv, të moderuar, që pajtohet me demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Ne jetojmë një islam, ku gratë dhe burrat janë të barabartë dhe njësoj të vlerësuar.” Kjo xhami thekson se i ka dyert e hapura për llojet e besimeve, sunitë, shiitë, sufi dhe alevitë. Iniciatore është aktivistja për të drejtat e njeriut dhe grave, avokatja dhe autorja, Seyran Ateş, e cila paguan një çmim të lartë për këtë. Ajo merr rregullisht kërcënime për jetën dhe ndodhet nën mbrojtje policore.

 

  1. Shoqatat e xhamive ndodhen në kritika

Xhamitë në Gjermani drejtohen nga shoqatat e xhamive. Shoqata më e njohur e xhamive është “Unioni Turko-Islamik për Institucionin e Fesë”, DITIB. Kjo shoqatë kritikohet, sepse është e vraur nga autoriteti turk i fesë, Diyanet, presidiumit shtetëror turk për çështje fetare. Imamët e saj shkollohen me shumicë në Turqi, paguhen nga shteti turk dhe predikojnë për disa vite në xhamitë gjermane. Kritikët paralajmërojnë nga rritja e influencës së shtetit turk tek besimtarët. Erdogan ka shumë përkrahës në Gjermani, kjo u duk në zgjedhjet presidenciale në vitin 2018, por edhe gjatë vizitave të tij, ku ai pritet me entuziazëm.

 

  1. Xhamitë në Gjermani shpesh të padukshme

Në një kohë që ndërtesat e krishtera përcaktojnë pamjen e qyteteve gjermane, xhamitë nuk bien në sy. Shumica e tyre nuk dallohen nga jashtë. Shpesh ka vetëm një tabelë në ndonjë hyrje, që të tregon se pas ndërtese apo në ndonjë zonë industriale ndodhet një xhami. Përjashtim bën Xhamia Qendrore DITIB në Köln e konceptuar nga arkitekti i njohur, Paul Böhm, e hapur në vitin 2017. Ndërtesa impozante islamike kryesisht me beton dhe xham me dy minare 55 metra të larta, ishte planifikuar të bëhej xhamia më e madhe e Gjermanisë, por pas kritikave planet u ndryshuan. Sot ajo ofron vend për 1200 besimtarë, aq sa xhamia tjetër e DITIB në Duisbrug Marxloh.

 

  1. Xhamitë si rregull heqin dorë nga thirrja e muezinit

Në vendet islamike tradicionalisht thërret muezini për faljen e së premtes. Kjo parimisht lejohet edhe në Gjermani, por praktikohet shumë rrallë, dhe është e vështirë, sepse shumica e xhamive nuk kanë minare. Kësaj i shtohet mospranueshmëria në shoqërinë gjermane. Kundërshtarë të thirrjes së muezinit i referohen shqetësimit të zhurmës dhe kritikojnë besimin fetar që shprehet në këtë formë, se ndryshe nga këmbana e kishës, thirrja e muezinit ka kuptim teologjik dhe nuk krahasohet me këmbanën. Vetëm nga 30 xhami në Gjermani dëgjohet rregullisht thirrja e muezinit.

dw

Përbërja e popullsisë në katër qytetet shqiptare, Shkup, Kumanovë, Tetovë dhe Gostivar, në vitin 1913

TË DHËNAT STATISTIKORE NGA VITI 1913TË DHËNAT STATISTIKORE NGA VITI 1913, SOT MUND TË SHËRBEJNË PËR KRAHASIM DHE REFLEKTIM

Kjo ka qenë afërsisht përbërja e popullsisë së qyteteve në Vilajetin e Kosovës të Perandorisë Osmane, para aneksimit të këtyre trojeve etnike shqiptare nga Serbia, në vitin 1913.

Gjendja e sotme është shumë ndryshe, jo vetëm nga politika antishqiptare e Serbisë së atëhershme, por edhe e ish-Mbretërisë së Jugosllavisë dhe ish-Republikës Socialiste të Maqedonisë nën ish-Federatën e Jugosllavisë, nga viti 1945 – 1991. Edhe gjatë tri dekadave të transformimit demokratik, 1991 – 2022, politika demografike në Maqedoninë Veriore nuk ka ndryshuar.

Me këtë rast, për reflektim në ditët e sotme, ju përkujtojmë se përbërja e popullsisë në katër qytetet në Maqedoninë Veriore të sotme, në vitin 1913 ka qenë:

SHKUPI: Shqiptarë – 105,205, Serbë -255, Bullgarë – 28,244, Turq – 5,363, Grekë -650, Çifutë (hebrenj) – 567, Boshnjakë – 1,400, Rumunë (vllahë) – 56. Gjithsej banorë: 141,742.

Shqiptarë afër 75%;

KUMANOVA: Shqiptarë – 23,712, Serbë – 2226, Bullgarë – 11,562, Turq -582. Gjithsej: 38, 082.

Shqiptarë mbi 62%;

TETOVA: Shqiptarë- 62,954, Serbë – 6,412, Bullgarë – 6,417. Gjithsej: 75,783 banorë.

Shqiptarë mbi 83%;

GOSTIVARI: Shqiptarë – 28,380, Serbë – 5,185, Bullgarë – 2635. Gjithsej: 36,200.

Shqiptarë mbi 78%.

Nga këto statistika të asaj kohe, asnjë banor në qytetin e Tetovës dhe të Gostivarit nuk është regjistruar me përkatësi turke, vllahe, boshnjake dhe rome.

Në këto të dhëna statistikore nuk bëjnë pjesë qytetet që atëkohë kanë qenë pjesë e Vilajetit të Manastirit.

Përkatësia etnike maqedonase, siç njihet sot, atëkohë ka qenë e panjohur.

A.M.

Alarmi i SHISH: Situatë shqetësuese/ Deputetët: Të dhënat u vodhën nga iranianët, rusët dhe serbët

Komisioni i siguriseNjë muaj pasi u zgjodh  zëvendës drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror, Oljan Kanushi, në mungesë të drejtorit Helidon Bendos, iu desh të përballej me pyetjet e deputetëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, për sulmet kibernetike të Iranit.

 

Seancës me dyer të mbyllura i parapriu një debat me deputetët e opozitës pasi kryetari komisionit Nasip Naco u kërkoi deputetëve të dorëzonin celularët.

Numri dy i inteligjencës shqiptare, bashkë dy drejtorët e dy departamenteve, Mimoza Xharo dhe Ergys Rexhepi, u rezervuan të  japin detaje nga ajo çfarë inteligjenca shqiptare disponon, përtej raporteve të Microsoft dhe FBI-së, tashmë të bëra publike.

Një burim në këtë komision, i tha gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se Oljan Kanushi ka deklaruar se për SHISH kjo është një situatë shqetësuese.

Por numri dy i inteligjencës shqiptare iu shmang avancimit së shpjeguari se ku konkretisht konsiston shqetësimi dhe nëse ky shqetësim, është afat shkurtër apo afat gjatë për Shqipërinë.

Zëvendës drejtori i SHISH, citohet tu ketë thënë deputetëve se ato informacione të mbledhura për sulmet kibernetike nga agjentët e SHISH, të filtruara në Departamentin e Analizës, i kanë kaluar prokurorisë, e cila ka tashmë një hetim aktiv.

Oljan Kanushi, po ashtu citohet të jetë shprehur se bashkë me partneret që po asistojnë në përballjen me këto sulme kibernetike, krahas Iranit po  analizohet edhe përfshirja e mundshme, e të tjera vendeve jo mike me Shqipërinë.

I pyetur për veprimtarinë aktuale të  Iranit në vendit tonë, Oljan Kanushi citohet të ketë deklaruar, se ishin informacionet e SHISH, dërguar SPAK ato të cilat vunë nën hetim si të dyshuar në shërbim të Iranit 11 persona të cilët u shkëputën nga gjiri opozitës MEK në Manzë.

Deputeti Flamur Noka e la në mes dëgjesën me zyrtarët e SHISH duke u larguar e bërë këtë koment.

“Nën drejtori SHISH ndër të tjera nuk tha asnjë gjë që është sekret i madh. Të gjitha gjërat u konfirmuan. Fakti që janë hakeruar prej 14 muajsh sistemet digjitale të Republikës së Shqipërisë. Hakerat jo vetëm të shtetit Islamik  të Iranit por edhe rus dhe serb të kontrollojnë, sulmojnë e të kenë nën kontroll të dhëna. Ka sisteme që janë fshirë. Pra gjithçka ka ndodhur. Siguria kombëtare në këtë vend është më e rrezikuar se kurrë”, tha Flamur Noka.

Kjo seancë me zyrtarët e SHISH e kërkuar nga 1/3 e anëtarëve të komisionit të sigurisë kombëtare, dy javë më parë, përkoi me publikimin të Hënën e 3 Tetorit, nga hakerat e Home Land Justice të një  liste  me 105 mijë emra personash të dyshuar nga policia për vepra të ndryshme penale.

Formati i publikimit të këtyre emrave nuk i përket asnjë sistemi në polici por të dhënat dyshohet se janë marrë nga sistemi MEMEX në Policinë e Shtetit pas sulmit kibernetik të 9 shtatorit.

Në listat e publikuara janë vetëm foto të personave me gjeneralitete të plota por jo arsyeja se përse ata cilësohen si të dyshuar nga ana e policisë.

Pak përpara se të hynte në seancë plenare në parlament, ministri punëve të brendshme Blendi Cuci, për këtë publikim të fundit të këtyre të dhënave tha:.

“Lista e publikuar sot nuk është e sistemit MEMEX që ka policia kriminale”, tha Bledi Çuçi. 

Top Channel

Marrëveshja Kosovë-Serbi ende nuk shihet të jetë afër

KS SRProcesi i dialogut Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka filluar të intensifikohet kohëve të fundit.

 

Megjithëkëtë, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe procesit të dialogut nuk besojnë se këtë vit, ose në pjesën e parë të 2023-ës do të ketë një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata thonë se kjo mund të ndodhë vitin tjetër dhe se në marrëveshjen finale mund të ndikojnë edhe zhvillimet e luftës Rusi-Ukrainë.

Dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbi duket se ka marrë një dinamikë të re, kohëve të fundit, sidomos pas përfshirjes direkte të Francës dhe Gjermanisë, të cilat kanë emëruar edhe emisarë të posaçëm për dialogun. Megjithëkëtë, njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të procesit të dialogut, nuk besojnë se këtë vit, ose në pjesën e parë të 2023-ës do të ketë një marrëveshje finale për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Një gjë të tillë e thotë edhe Valon Murtezaj, profesor i diplomacisë dhe negocimit ndërkombëtar në Universitetin e Parisit. Murtezaj, tutje thotë për Radio Kosovën se arritja e marrëveshjes finale nuk mund të jetë e afërt marrë parasysh destruktivitetin e Qeverisë së Serbisë.

“Shtytja që është duke i bërë procesit të dialogut, Franca dhe Gjermania, e në përgjithësi Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, është gjë e  mirë. Megjithatë, këtë vit ose në fillim të vitit të ardhshëm nuk mund të pritet ndonjë marrëveshje finale, sepse procesi është kompleks dhe këtu kemi të bëjmë me destruktivitetin e Qeverisë së Serbisë. Ky është problemi kryesor. Veç kësaj, tani të gjithë po e shohim që Serbia është afruar edhe më shumë me Rusinë, në kohën kur secili vend evropian ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, për shkak të agresionit ndaj Ukrainës”, thotë Murtezaj.

Përkundër zhvillimeve të kohëve të fundit, edhe profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, është skeptik për sa i përket rezultateve të shpejta drejt arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë.

“Nuk besoj se këtë vit mund të kemi një marrëveshje. Mund të përafrohemi, por këtë vit jo se jo! Ndërsa, vitin e ardhshëm do të varet gjithçka nga përfundim i luftës në Ukrainë. Sepse, besoj unë, situata do të varet edhe nga ajo se si do të pozicionohet Serbia, ngase Bashkimi Evropian në njëfarë mënyre qe 23 vite e ka privilegjuar Serbinë. Dhe, këto janë pasoja të politikës privilegjuese që BE-në e ka futur në defanzivë”, tha Arifi për Radio Kosovën.

Nga muaji gusht e deri në mesin e shtatorit, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, tri herë vizitoi Kosovën.

Në vizitën e fundit në Prishtinë, Lajçak po ashtu paralajmëroi takime të përmuajshme ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Të njëjtit, për herë të fundit u takuan në muajin gusht, në Bruksel.

rk

Rustemi: Rruga Strugë-Qafë Thanë do të jetë gati për 15 muaj

rrugaPremtim i ri për ndërtimin e rrugëve në mbarë vendin. Pas njoftimeve se autostrada Ohër- Kërçovë do të jetë gati deri në fund të vitit 2023, drejtori i ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore, Ejup Rustemi, dha afat edhe për pikën kufitare Strugë-Qafë Thanë, e cila thotë se do të jetë gati për 15 muaj.

 

Por, në vend të një rruge krejtësisht të re, do të rehabilitohet ajo ekzistuese ku do të shpenzohen 7,9 milionë euro.

“Mund të pohoj që këtë rrugë rajonale e presim dhe jam i bindur që do të rehabilitohet tërësisht për 15 muaj. Për momentin sipas projektit dhe afatit dhe sipas mbikëqyrjes së punimeve, jemi të bindur se për 15 muaj do të përfundojë ky projekt”, tha Ejup Rustemi- drejtor i NP për rrugë shtetërore.

Ishit të bindur se deri në fund të gushtit do të përfundonin punimet në korsinë nga Trebenishta në Ohër, por nga kjo nuk ka asgjë?

Po të shkojmë tani atje, do të shohim se po punohet në gjithë trasenë, tashmë i kemi zgjidhur problemet administrative që kishim dhe të hënën korsia nga Trebenishta deri në Ohër do të lëshohet në përdorim”, – Ejup Rustemi- drejtor i NP për rrugë shtetërore.

Rustemi thotë se shkak për vonesën e autostradës ka qenë moti, i cili nuk favorizoi punimet në terren, por vitet e kaluara ashtu si ndërtohej autostrada Ohër – Kërçovë, gjithmonë premtohej se me përmirësimin e motit, do të përshpejtohen aktivitetet ndërtimore, por rruga po ndërtohet tash tetë vjet.

“Pesë vite, kushtet atmosferike janë arsyeja për autostradën Ohër-Kërçovë? E kam fjalën për këtë periudhë, pasi jam drejtor i ndërmarrjes publike, që nga dhjetori i vitit 2020, kur në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve nuk kaluan 76 projekte infrastrukturore. Kemi arritur të kemi 66 projekte infrastrukturore të përfunduara. Kemi arritur prej atyre 66 projekteve 83% t’i shpronësojmë me çka e liruam të gjithë rrugën Kërçovë-Ohër. Do të insistojmë dhe po angazhohemi që ta përfundojë deri në vitin 2023”, Ejup Rustemi-Drejtor i Rrugëve Shtetërore.

Ohër – Kërçovë ka filluar të ndërtohet në vitin 2014. Fillimisht është dashur të jetë gati në vitin 2018, më pas afati është zhvendosur në qershor të vitit 2021 dhe tani në fund të vitit 2023. Është dashur të kushtojë 378 milionë euro, por shuma është bërë dy herë më e lartë.

Alsat

Pasojat e ekspozimit të tepërt të fëmijëve në telefona

telefonFëmijë që nuk ushqehen pa telefona para vetes, që nuk shtrihen për të fjetur pa luajtur edhe një herë lojën e preferuar në telefon?

 

Këto dhe raste të ngjashme mund t’i keni parë apo dëgjuar të paktën një herë në jetë.

Ndonëse edhe Arjeta Berisha ka hasur në diçka të tillë, prapëseprapë ajo është ndier e detyruar që t’i pajisë dy fëmijët e saj me nga një tablet, pasi, sipas saj, ata kanë qenë të paragjykuar nga moshatarët e tyre për mosposedim të ndonjë pajisjeje teknologjike.

Megjithatë, vajza e saj, Dia, tetë vjeçe, dhe djali, Roni, shtatë vjeç, e kanë kohën e caktuar kur mund t’i përdorin këto pajisje teknologjike: një orë e gjysmë, eventualisht dy, përgjatë fundjavës.

Ajo ka treguar për Radion Evropa e Lirë se bashkë me bashkëshortin e saj, Ardin, kanë qasje të plotë në pajisjet e fëmijëve të tyre.

“E kemi rregull në familje që sa janë në shkollë, fëmijëve nuk u lejohet të përdorin tabletin, përveç të shtunave, apo të dielave, nga një orë e gjysmë apo dy në ditë. Gjatë pushimeve verore e kemi zgjatur orarin e përdorimit të tyre. Ata nuk mund të instalojnë, apo të shohin diçka pa miratimin tonë”, ka thënë Arjeta, e cila ka një punë me orar të plotë në një kompani në Prishtinë.

E pyetur se si ia ka dalë që të krijojë një sistem të tillë – marrë parasysh argumentet e prindërve se jeta është shumë dinamike dhe me plot angazhime ditore – ajo e ka përmendur si çelës angazhimin e fëmijëve në sa më shumë aktivitete.

“Fati im është që ata janë në qëndrim ditor dhe aty nuk kanë qasje në teknologji. Kanë detyra, unë i marr në shtëpi në orën 17:30, kur e përfundoj orarin e punës. Zakonisht i angazhoj diçka që të më ndihmojnë rreth punëve të shtëpisë, derisa përgatis diçka, që të shtrojmë tavolinën dhe aty i kalojmë dy orë të mira. Dy orë tjera i pyes se çfarë kanë bërë gjatë ditës. Mirëpo nuk do të thotë që çdo ditë e kemi këtë orar”, duke përmendur edhe ecjet në natyrë, sidomos gjatë verës.

Mirëpo jo secili fëmijë i nënshtrohet një regjimi të tillë.

Ndonëse në Kosovë nuk ka statistika të sakta se sa gjatë qëndrojnë fëmijët para ekraneve, fëmijë me telefona dhe pajisje tjera teknologjike i rastisim nëpër familje, ambiente të jashtme dhe incizime tjera në platformat sociale.

Diçka që dihet është se mbi 90 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë qasje në internet në shtëpitë e tyre.

Kështu, Kosova është e para në rajon në këtë aspekt, por si duket edhe kjo gjë vjen me faturën e vet.

Sa të shpejtë e keni internetin?

Serbia është shteti me shpejtësinë më të madhe mesatare të internetit fiks në Ballkanin Perëndimor, ndërsa me internetin më të ngadaltë shtëpiak përballen qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Maqedonia e Veriut gëzon internetin më të shpejtë mobil, kurse në Kosovë interneti nëpër celularë është më i ngadalti në rajon.

interneti shpejtesia

Përdorimi i telefonave apo pajisjeve tjera të mençura nga fëmijët nuk është sfidë vetëm në Kosovë.

Sidomos pas pandemisë së koronavirusit, kur koha nëpër telefona është imponuar edhe më shumë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e rekomandon fare qasjen në pajisje teknologjike për fëmijët nën dy vjeç.

Për fëmijët e moshave 3-4 vjeç, ky institucion beson se një orë në ditë është e mjaftueshme.

Vështirësitë në përqendrim dhe komunikim

Psikologu, Dorjan Krasniqi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ekspozimi i tepërt para pajisjeve teknologjike mund t’i lë fëmijët me mungesa në zhvillim.

“Shumica e skemave kognitive, ose lidhjeve mes neuroneve, krijohen nga zero deri në dy vjet, dhe nëse këtë kohë fëmija e kalon duke mos u stimuluar nga rrethi i tij që të zhvillohet, mirëpo kohën e kalon në telefon apo në pajisje tjera, kjo tregon që rrezikshmëria është më e madhe, sepse fëmija zhvillon vetëm ato aftësi që i sheh përmes telefonit, e socializimi nuk vjen shumë nga telefoni. Nga këto pajisje e marrim vetëm komunikimin pranues dhe jo atë ekspresiv, prandaj nuk është se fëmijët nxjerrin tinguj apo nxjerrin fjalë duke biseduar me telefonin”.

Vështirësitë në përqendrim dhe ato në komunikim janë në mesin e rreziqeve kyçe që përmend Krasniqi.

“Mund të kenë vështirësi në formimin e saktë të fjalëve dhe fjalive. Ndoshta do të bëhen të rritur që fjalitë do t’i kenë të shkurta, ose komunikimin do ta kenë të mangët.

Ai u sugjeron prindërve që përveç kufizimit të qasjes në pajisje të mençura, të shmangin ekspozimin në këto pajisje në orët e natës, për të shmangur gjumin jo të qetë të fëmijëve të tyre.

“Mekanizmat mbrojtës të prindërve shpesh na thonë se është e vështirë që fëmijëve t’iu ndalohet telefoni. Unë sugjeroj që fëmijëve t’iu kushtohet vëmendje se çfarë ata po shohin dhe çfarë orari kanë”.

Edhe sociologu, Artan Krasniqi beson se kontrolli përmbajtjesor e tejkalon për nga rëndësia kontrollin mbi baza kohore.

“Në këtë aspekt jam shumë i shqetësuar, sepse edukimi medial, në përgjithësi në Kosovë, lë shumë për të dëshiruar, në mënyrë që prindërit të kenë mundësi që të kenë kontroll përmbajtjesor të produkteve mediale që fëmijët i ndjekin në telefonat e mençur”.

Përgjatë një bisede të zhvilluar me Radion Evropa e Lirë, ai ka përmendur edhe rëndësinë që prindërit të jenë shembuj për fëmijët e tyre.

“Kur fëmijët janë të angazhuar bashkë me prindërit në aktivitete të ndryshme, as prindërit e as fëmijët nuk do të kenë kohë për pajisje teknologjike. Fëmijët janë qeniet që më së lehti i kopjojnë sjelljet e idolave të tyre. Në këtë rast, idolat e parë të fëmijëve janë prindërit e tyre dhe ata kopjojnë maksimalisht sjelljet, veprimet, gjestet, po edhe rutinën, të cilën e shohin te prindërit brenda shtëpisë. Nëse i lëmë për kohë të gjatë para telefonave, ata do të kopjojnë sjelljet e idolave që krijojnë brenda teknologjive, e që shpesh kanë përmbajtje të dhunshme”.

Rregulli 20-20-20

Po çfarë u ndodh syve gjatë gjithë këtë procesi?

Oftalmologu, Afrim Shabani, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se mjekët janë të ndarë në dy qasje.

“Në grupin e parë thonë se ekrani nuk është se shkakton dëmtime të përhershme të syrit. Grupi tjetër thotë se emetimi i dritës nga ekrani, veçanërisht ‘spektri blu’ i dritës ndikon në disa dëmtime që ndonjëherë në mosha të shtyra mund të ndikojë në sëmundjen që njihet si degjenerim i makulës”.

Degjenerimi makular është gjendje mjekësore që mund të rezultojë me turbullim të shikimit apo përkeqësim gradual të shikimit.

I pyetur se cilit grup i takon ai, Shabani thotë se duhet bërë hulumtime të mëtejme për të parë si po ndikojnë pajisjet teknologjike në syrin e njeriut, mirëpo e pranon se mjekët e shohin që “ekspozimi i gjatë para ekranit shkakton te një numër i madh i njerëzve disa probleme, disa simptome që ne e dimë se po shkaktohen për shkak të qëndrimit të gjatë para ekranit, sidomos te fëmijët”.

Ai e konsideron të gabuar qasjen e disa prindërve që ua japin fëmijëve telefonin “që të ushqehen më mirë”.

“Përpara nuk kanë pasur telefona dhe fëmijët kanë ngrënë mirë. Prindërit e kanë gjetur një mënyrë shumë të gabuar për të mashtruar fëmijën që të marrë ushqimin përpara telefonit, sepse fëmija vetëm nis që të bëhet i varur nga telefoni. Këto pajisje të mençura krijojnë një sasi drite – spektrin blu – që është i dëmshëm për syrin”.

Shabani u sugjeron fëmijëve, por edhe të rriturve që të tentojnë të zbatojnë sa më shumë atë që njihet si rregulli 20 – 20 – 20.

“Kjo nënkupton që pas çdo 20 minutash, 20 sekonda na duhet të shohim më larg se 20 metra. Ky është pushim real për syrin”.

Oftalmologu Shabani i konsideron edhe shumë të rëndësishme kontrollet e rregullta të fëmijëve te mjeku i syve, apo kurdo që prindi vëren se fëmija mund të ketë ndonjë problem.

Përfitimet nga teknologjia?

Nëse në njërën anë ekzistojnë shqetësimet si: problemet e mundshme në nxënie, në shëndet të syve, mospërshtatjen në shoqëri dhe idetë e rreme që mund të krijojnë fëmijët për realitetin, duke u bazuar në lojërat virtuale, sociologu Krasniqi beson se fëmijët kanë edhe përfitime potenciale nga teknologjia.

“Te anët pozitive mund ta përmendim që fëmijët, megjithatë, duhet të përdorin pajisjet teknologjike, sepse kështu ata mbesin në hap me trendin, me kohën, me botën se çka ndodh. E ardhmja është teknologjia, këtë nuk e vëmë në diskutim. Po ashtu mund të përmendim edhe mësimin e gjuhëve të huaja, fëmijët sot shumë më herët flasin gjuhën angleze, apo ndonjë gjuhë tjetër, sepse e mësojnë atë përmes internetit. Ka linguistë që thonë se ata në këtë mënyrë e mësojnë gjuhën në mënyrë jo të duhur, por megjithatë, ajo mund të përmirësohet në të ardhmen. Janë edhe kontaktet kulturore, mësimi i gjërave të reja për botën. Jetojmë në periudhë të globalizimit, ku kontaktet janë shumë më të mundshme dhe më të shprehura”.

Cila është atëherë zgjidhja?

Për Arjetën, është disiplina.

E pyetur se si i bind fëmijët e saj për orarin e qasjes në tabletat e tyre, apo edhe përmbajtjen që mund ta kenë në këto pajisje, ajo ka përmendur bisedat e drejtpërdrejta me ta.

“Thjesht, ulem dhe ua sqaroj se një përmbajtje e caktuar është shumë e frikshme, që nuk është në rregull për zhvillimin e tyre, që nuk janë lojëra nga të cilat ata mund të mësojnë diçka, u them se më duken shumë të vegjël për to… e dinë që në momentin që u them jo, ajo është fjala e fundit. U ofroj sqarim, e kuptojnë dhe ndalen”.

rel

Shkencëtari Svante Paabo merr çmimin Nobel për Mjekësi

Svante PaaboShkencëtari suedez Svante Paabo u nderua me çmimin Nobel në Mjekësi këtë vit për zbërthimin e kodit gjenetik të Neandertalëve, specia më e afërt me njeriun modern.
Në një deklaratë të hënën, Organizata Nobel tha se shkencëtari Paabo po nderohet “për zbulimin e një qasjeje të re për të studiuar historinë tonë evolucionare.”

67-vjeçari suedez kapërceu sfida të skajshme teknike në trajtimin e kampionëve të brishtë dhe të lashtë të ADN-së për të siguruar me sukses sekuencën e gjenomit, tha organizata.

“Kjo u pasua nga zbulimi spektakolar nga ana e tij e një specieje tjetër të zhdukur, Denisova, realizuar tërësisht nga të dhënat e gjenomit të marra nga një ekzemplar i një kocke të gishtit të vogël”, thuhet në deklaratë.

Ky zbulim më pas arriti në përfundimin se Neandertalët dhe Denisovanët ishin grupe motra që u shkëputën nga njëri-tjetri rreth 600,000 vjet më parë.

Gjenet e Denisovanëve janë gjetur në deri në 6% të njerëzve modernë në Azi dhe Azinë Juglindore, gjë që tregon se ndërveprimi ka ndodhur edhe atje.
Puna e shkencëtarit Paabo vërtetoi se Homo Sapiensët, Neandertalët dhe Denisovanët kishin ndërvepruar “gjatë periudhave të bashkëjetesës”, gjë që rezultoi në përfshirjen e ADN-së arkaike tek njerëzit e sotëm.”

Megjithëse kockat e Neandertalit u zbuluan për herë të parë në mesin e shekullit të 19-të, vetëm duke zbërthyer ADN-në e tyre, shkencëtarët kanë qenë në gjendje të kuptojnë plotësisht lidhjet midis specieve.

Kjo përfshin kohën kur njerëzit modernë dhe Neandertalët u ndanë si specie, rreth 800,000 vjet më parë, tha Anna Wedell, kryetare e Komitetit të Çmimit Nobel.
“Paabo dhe ekipi i tij zbuluan gjithashtu se kishte patur kalim gjenesh nga Neandertalët te Homo Sapiensët, gjë që dëshmon se ata kishin pasur fëmijë së bashku gjatë periudhave të bashkëjetesës,” tha ajo.

Ky transferim i gjeneve midis specieve ndikon në mënyrën se si sistemi imunitar i njerëzve modern reagon ndaj infeksioneve, siç është koronavirusi. Njerëzit jashtë Afrikës kanë 1-2% të gjeneve të Neandertalit.

Prof. Paabo bashkëpunon me Institutin Max Planck për Antropologjinë Evolucionare, në Leipzig, Gjermani, dhe Institutin e Shkencës dhe Teknologjisë Okinawa, në Okinawa, Japoni.

Çmimi për Mjekësi është i pari nga pesë Nobelët që do të jepet këtë javë, duke përfshirë Çmimin Nobel për Paqen të premten. Çmimi i Ekonomisë shpallet më 10 tetor. Është i vetmi çmim që nuk është krijuar nga shpikësi suedez Alfred Nobel.
Ceremonia zyrtare e çmimit Nobel do të mbahet në dhjetor në Stokholm.

voa

Mobilizimi në Rusi: çfarë thonë rekrutët

Rezervistet SevastopolRaportimet për probleme gjatë të ashtuquajturit mobilizim të pjesshëm në Rusi janë në rritje. DW ka mbledhur dëshmi nga rusët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut për shkeljet me të cilat përballen njerëzit në fjalë.

 

Pensionistë, invalidë, njerëz pa përvojë lufte dhe burra që nuk kanë shërbyer ende në ushtri – thirrjet e rekrutimit aktualisht po dërgohen në Rusi edhe për anëtarët e këtyre grupeve. Këtë e konfirmojnë vëzhguesit me të cilët ka folur DW për punën e zyrave ruse të rekrutimit.

Një javë pas fjalimit të Presidentit Vladimir Putin, në të cilin ai urdhëroi të ashtuquajturin “mobilizim të pjesshëm”, mijëra meshkuj janë dërguar tashmë në ushtrinë ruse, e cila ka nisur që nga shkurti një luftë agresioni kundër Ukrainës. Sipas vëzhguesve, rekrutimi aktual, megjithatë, në shumë raste bie ndesh me direktivat e Ministrisë së Mbrojtjes.

 

Mosrespektimi i moshës

“Vendimi u mor të dielën në mesditë. Në orën 14:00, burri im duhej të paraqitej në zyrën e regjistrimit. Ai ishte regjistruar atje, duhej të dorëzonte dokumentet dhe në orën 17:30 u nis me autobus për stërvitje.” , thotë gruaja e Igorit, 39 vjeç (të gjithë emrat janë ndryshuar në tekst për arsye sigurie). Në bazë të moshës dhe gradës së tij si rreshter rezervë, Igori, i cili jeton në Moskë, as që duhej të ishte mobilizuar. Në të vërtetë, burrat e këtij grupi mbi 35 vjeç nuk preken nga ai që quhet “mobilizim i pjesshëm”. Ministria e Mbrojtjes kishte dhënë udhëzime për këtë menjëherë pas urdhrit të Putinit. Por Igorin e përfshinë, siç i tha gruas së tij, së bashku me rreth 120 persona të tjerë, mosha e të cilëve e kalon atë të lejuar.

Por kjo nuk është e vetmja shkelje me të cilën është përballur Igori. Bashkëshortja e tij raporton se në zyrën e rekrutimit nuk është kryer asnjë kontroll mjekësor, ndërsa ligji “Për Mobilizimin” e detyron të përcaktojë aftësinë për shërbimin ushtarak. Kësaj i shtohet edhe fakti se emërtimi i veprimtarisë së Igorit është ndryshuar. “Në kartën e tij ushtarake shkruhet kalorës i trupave kufitare. Tani Igori thotë se i është caktuar pozicioni i gjuajtësit në artileri”, shpjegon gruaja. Megjithatë, ajo thekson se burri i saj nuk do ta kundërshtojë përfshirjen e tij pavarësisht shkeljeve.

 

Kthim në vend pas ankesës

Megjithatë, ka edhe raste kur burrat e mobilizuar gabimisht janë dërguar në shtëpi. Kështu ndodhi, për shembull, me një ushtar rezervë pa përvojë lufte. Atë e thirrën kur kishte mbushur moshën 43 vjeç. “Kjo gjë ndodh sepse zyrat e regjistrimit krijojnë kaos në vend dhe dërgojnë njoftime arbitrare. Këtë ma kanë konfirmuar të gjitha linjat telefonike”, thotë e indinjuar bashkëshortja e tij Oksana për DW.

Gruaja nga Moska shkroi ankesa dhe më pas shkoi personalisht në zyrën e rekrutimit. Më pas burri i saj u lejua të kthehej në shtëpi. “Ai tani po kthehet nga qyteti i Serpukhovit,” thotë Oksana. Ajo nuk e di nëse kjo ishte e mundur për shkak të ankesave të saj “në çdo rast” apo nëse dikush në zyrë e vuri re gabimin e saj kur thirri burrin e saj.

 

Më shumë rekrutë se ç’duhej

Konstantini, një aktor nga Çeliabinski në Uralet juglindore, mendon gjithashtu se punonjësit e zyrës së rekrutimit mund t’i ndryshojnë vendimet e tyre. Ai është njoftuar jozyrtarisht me telefon nga kreu i administratës së fshatit ku është i regjistruar, por nuk banon, se do të merrte njoftimin për rekrutim. Sidoqoftë, Konstantini kishte shërbyer vetëm një vit në ushtri dhe nuk kishte përvojë luftarake. Megjithatë, një ditë pas thirrjes, Konstantini mori një mesazh lehtësues: në fakt atë nuk do ta mobilizonin. “Siç e kuptoj ata kanë mjaft njerëz. Jashtë zyrës së rekrutimit ishte një radhë e madhe. Shoku im kishte marrë një njoftim dhe ishte në radhë, por kur i erdhi radha, i thanë se nuk kishin nevojë për të”, thotë Konstantini.

Ai thekson se edhe po të mos i kishte rekrutuar zyra numrin e burrave që i duheshin, ai nuk do të kishte shkuar atje. “Po do ta dija saktësisht pse do të luftoja, ndoshta do të kisha shkuar atje dhe do ta kisha respektuar thirrjen e rekrutimit. Por atje nuk është si në Luftën e Madhe Patriotike. Në një situatë të tillë, gjithçka ishte e qartë. Situata sot është e çuditshme”, thotë aktori i ri.

 

Avokati: Mos ndiqni thirrjet

Aleksandër Belik, avokat i “Lëvizjes së kundërshtuesve të ndërgjegjes” ruse, thekson se ka paqartësi midis direktivave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe urdhrit të Putinit. “Asnjë ndryshim nuk është bërë në dekretin e presidentit rus, ai nuk parashikon një kufi moshe për mobilizim”, shpjegon Beliku.

Organizata e tij përballet kryesisht me dy shkelje të ligjit. “Ata kapin këdo që kapin dhe nuk bëjnë kontroll shëndetësor. Kjo do të thotë se bazohen vetëm në aftësitë që janë përcaktuar shumë vite më parë”, shpjegon avokati. Për ata që kërkojnë ndihmë, Beliku këshillon të mos respektojnë thirrjen dhe në vend të kësaj të pranojnë kërcënimin e një gjobe administrative prej 3000 rublasg (rreth 53 euro). Kurse për ata që tashmë janë duke kaluar nëpër trajnime dhe nuk duan të shkojnë në luftë, ai rekomandon të aplikojnë për shërbimin civil dhe të largohen sa më shpejt nga terreni i stërvitjes ushtarake. “Më pas, duhet të bëni ankesë ndaj zyrës së rekrutimit dhe komisionit përgjegjës për mobilizimin”, sqaron Beliku.

 

Pasojat e para në personel

Ditët e fundit, disa guvernatorë rusë kanë pranuar tashmë shkelje nga zyrat e rekrutimit gjatë “mobilizimit të pjesshëm”. Ata premtojnë se do të merren shpejt me çdo rast dhe do të dërgojnë në shtëpi ata që janë rekrutuar gabimisht.

Në rajonin Magadan, në Rusinë verilindore, komisioneri ushtarak Sergei Baranowski, për shembull, e humbi postin e tij “për shkak të gabimeve të bëra gjatë mobilizimit të pjesshëm”. Kjo është bërë e ditur nga guvernatori Sergei Nosov. Me kërkesën e tij, komanda e Qarkut Ushtarak Lindor dërgoi një komisioner të ri – “një oficer karriere që ka rivendosur rendin në punën e zyrës së rekrutimit”, thotë Nosovi.

Përshtatur nga rusishtja: Markian Ostaptschuk