Pas gjashtë ditëve kërkime, gjendet trupi i 22 vjeçarit nga Kumanova

vardarGjashtë ditë pas aksidentit, ekipet e ndërhyrjes dhe vullnetarët lokalizuan trupin e viktimës brenda ujërave të lumit Vardar në kilometrin e tretë nga vendi i aksidentit, përkatësisht në afërsi të kazermës së Tetovës.

 

Trupi u identifikuar nga familjarët, ndërsa më pas iu dorëzua mjekësisë ligjore. Për momentin, nuk ka pista dyshimi mbi pasojat e aksidentit.

“Sot rreth orës 10:50 kanë gjetur trupin e pajetë në ujërat e lumit Vardar të 22 vjeçarit nga Kumanova i cili më datën 27 të muajit kaluar pas një aksidenti ka dalë nga rruga dhe me veturën e tij të markës “golf” me targa të Kumanovës ka përfunduar në ujërat e lumit Vardar. Pas identifikimit trupi i pajetë me urdhër të prokurorit kompetent është dorëzuar për autopsi dhe po punohet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit”, tha Fatmir Rexhepi, SPB Tetovë.

Pas autopsisë trupi do t’i dorëzohet familjes për procedurën mortore. Erdan Ramadani ishte student në Universitetin e Tetovës, kontaktin e fundit me familjen e kishte mëngjesin e 27 shtatorit. Ditën e kobshme, sipas familjarëve Erdani ndodhej në Tetovë për bërë pagesën e semestrit vijues. Veçmas autoriteteve, në aksionin e kërkimit të trupit të viktimës u përfshinë edhe qytetarë vullnetarë nga rrethina e Tetovës, Shkupit dhe Kumanovës.

Alsat

A mund të bëjë Irani kompromis për shaminë?

iranIrani ndodhet në kulmin e një revolte popullore, të shkaktuar nga vdekja e një vajze 22 vjeçe në paraburgimin policor në Teheran.

 

Mahsa Amini vdiq më 16 shtator, tri ditë pasi u arrestua nga policia e moralit për gjoja shkelje të rregullave të hixhabit, apo shamisë së kokës. Autoritetet thonë se Amini humbi jetën nga sulmi në zemër, por familja e saj dhe iranianë të tjerë besojnë se ajo vdiq si rezultat i rrahjes nga policia.

Protestuesit thonë se nëse nuk veprojnë tani, mund të bëhen viktima të të njëjtit fat. Dhjetëra njerëz kanë vdekur tashmë në përleshjet me policinë, ndërkohë që protestat janë shtrirë në çdo cep të Iranit.

Gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Golnaz Esfandiari, ka ndarë në Twitter një video, ku një protestuese duket duke prerë flokët, në shenjë mbështetjeje për Mahsa Aminin, derisa turma brohorit: “Vdekje diktatorit” – referencë kjo për udhëheqësin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. Skena të paprecedente në Iran, ka shkruar Esfandiari.

Këto nuk janë protestat e para masive në historinë e Republikës Islamike të Iranit. Më 2009 është protestuar për mashtrime në zgjedhje, më 2017 për keqmenaxhim ekonomik, më 2019 për rritjen e çmimit të karburanteve… Por, shumë vëzhgues besojnë se kësaj radhe është më ndryshe. Protestat, para së gjithash, bëhen nga gratë, por në to marrin pjesë edhe burra, të rinj, të moshuar, të klasave dhe grupeve të ndryshme etnike, që bashkërisht thërrasin sloganin: “Zhin, Zhiyan, Azadi”, apo “Grua, jetë, liri”.

Historiani iranian, Roham Alvandi, profesor në Shkollën Ekonomike në Londër, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se protestat – të papara në këtë shkallë dhe me këtë strukturë njerëzish – janë duke tundur themelet e Republikës Islamike.

“Kjo nuk është thjesht një lëvizje protestuese, që kërkon vota në zgjedhje ose drejtësi ekonomike. Ky është një refuzim i plotë i Republikës Islamike dhe thirrje për një shtet laik demokratik”, thotë Alvandi.

Ngjashëm shprehet për Exposenë edhe Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin për Lindjen e Mesme:

“Ju shihni gjenerata të ndryshme në rrugë. Ju shihni gjyshe dhe gjyshër 70 vjeç, 80 vjeç. Është një pasqyrim i vërtetë i zemërimit të shoqërisë iraniane me një regjim të shurdhër, që nuk dëshiron të dëgjojë se njerëzit janë lodhur… Çfarë kanë për të humbur këta njerëz? Nëse keqtrajtoheni nga e ashtuquajtura polici e moralit vetëm pse keni treguar pak flokët, çfarë shoqërie është ajo”?

Gratë në Iran kanë qenë humbëset më të mëdha të shoqërisë që pas Revolucionit Islamik të vitit 1979. Klerikët udhëheqës i kanë detyruar ato të veshin hixhab dhe rroba të gjera që ua fshehin figurat, ua kanë marrë të drejtën për të udhëtuar pa shoqërues meshkuj, për të vizituar vende argëtuese, si dhe për të bërë çdo lloj pune.

Policia e moralit, mes tjerash, ka për detyrë të mbikëqyrë sjelljen e grave. Dënimet për shkelje të rregullave përfshijnë: gjobë, burgosje dhe rrahje me kamxhik.

Annabelle Sreberny, nga Qendra për Studime Iraniane në Universitetin Soas të Londrës, thotë për Exposenë se çështja e hixhabit i ka ndezur protestat në Iran, por se janë edhe një varg çështjesh të tjera që i kanë nxjerrë qytetarët në rrugë.

“Regjimi ka lejuar që inflacioni të arrijë në 40 apo 50 për qind. Edhe produktet bazike, si buka dhe orizi, janë tepër të shtrenjta për iranianët e zakonshëm. Këto janë probleme ekonomike, por Irani ka edhe probleme të tmerrshme mjedisore, ka probleme me ujin, me thatësinë… Ajri i ndotur në Teheran dhe në qytete të tjera, për shkak të benzinës me plumb dhe përdorimit të tepërt të makinave, nënkupton që shkollat duhet të mbyllen shpesh dhe njerëzit me vështirësi në frymëmarrje të qëndrojnë brenda. Çfarë po bën regjimi?”, pyet Sreberny.

Regjimi është zotuar se do të ndërmarrë “masa të forta” kundër protestuesve.

“Qeveria duhet të reagojë me vendosmëri” kundër tyre, ka thënë presidenti iranian, Ebrahim Raisi.

Në rrugë janë vendosur forca të shtuara të sigurisë, përfshirë Gardën Kombëtare. Raportet flasin për dhjetëra njerëz të vrarë nga përleshjet – në mesin e tyre edhe protestues, edhe policë. Sipas organizatës për të drejtat e njeriut, Amnesty International, disa protestues janë qëlluar për vdekje me fishekë metalikë.

Historiani iranian, Roham Alvandi, thotë se protestat janë sfida më serioze për regjimin në disa vite. Megjithatë, ai nuk beson se establishmenti iranian do të heqë detyrimin për veshjen e shamisë – së paku jo tash për tash. “Nëse shamia bie, bie edhe Republika Islamike”, thotë Alvandi. Kjo, sipas tij, mund të ndodhë vetëm nëse presioni i protestave vazhdon për kohë më të gjatë.

“Ky është një aparat masiv shtetëror. Bëhet fjalë për qindra mijëra njerëz që udhëheqin këtë qeveri. Nuk mund të pajtohen të gjithë me atë që po ndodh. Jam i sigurt se protestat vrasin ndërgjegjen e shumë prej tyre. Dhe, sa më shumë që vazhdojnë ato, aq më shumë do të rriten gjasat që të dëgjojmë thirrje përbrenda regjimit për ndryshime thelbësore në Iran”, thotë Alvandi.

Alex Vatanka, nga Instituti i Lindjes së Mesme, thotë se regjimi iranian e ka përsosur “artin e represionit”. Sipas tij, udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, nuk e kupton fjalën kompromis.

“Ai është jashtëzakonisht kokëfortë. Ai vërtet nuk beson në kompromis. Ai mendon se kompromisi është fjalë e keqe, se është shenjë e dobësisë. Dhe, nëse tregoni dobësi, armiqtë do të kërkojnë më shumë prej jush. Kjo nuk është ajo që ai do. Si 83-vjeçar, ai nuk mendon se është koha për të treguar dobësi”, thotë Vatanka.

Vatanka shton se është vështirë të parashikohet fundi i këtij kapitulli që ka nisur. Për të kaluar në një shkallë tjetër, ai thotë se protestat duhet të kenë një udhëheqës të identifikueshëm, të cilin aktualisht nuk e kanë. Ai thotë se autoritetet edhe mund të kenë sukses në shtypjen e tyre, por se zemërimi do të mbetet.

“Një grua e pafajshme 22 vjeçe është vrarë pa ndonjë arsye të mirë. Një qytetare e një vendi që pretendon se ofron siguri, por shpeshherë është arsyeja kryesore përse qytetarët iranianë ndihen të pasigurt. Derisa Republika Islamike nuk i ndryshon politikat e saj, nuk i dëgjon njerëzit e saj dhe nuk e ndryshon qasjen si brenda, ashtu edhe jashtë, ky zemërim nuk do të zhduket. Regjimi mund t’i shtypë këto protesta që po shohim tani. Por, pas disa muajsh, pas disa vitesh, ato do të rikthehen”, thotë Vatanka.

Derisa regjimi iranian ka kufizuar edhe qasjen në internet, analistët thonë se është e rëndësishme të gjenden mënyra që protestat të mbeten edhe në fokusin ndërkombëtar, ndërsa presioni mbi regjimin të rritet. Alvandi kujton se protestat janë duke ndodhur në kohën kur Perëndimi dhe Irani po negociojnë për ringjalljen e një marrëveshjeje bërthamore.

“A është në rregull që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara t’i vazhdojnë negociatat me Iranin, ndërkohë që iranianët vriten në rrugët e qyteteve të Iranit? Unë nuk mendoj se është. Unë mendoj se negociatat, së paku, duhet të pezullohen”, thotë Alvandi.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione mbi policinë morale të Iranit, duke thënë se e konsiderojnë përgjegjëse për vdekjen e Mahsa Aminit në paraburgim.

Nga Zyra për të Drejta të Njeriut e Kombeve të Bashkuara e kanë dënuar dhunën, duke thënë se forcat iraniane të sigurisë kanë përdorur në disa raste municion të gjallë.

Në mediat sociale, emri i 22-vjeçares që vdiq në paraburgim, është bërë simbol. Në gjuhë dhe forma të ndryshme, hashtagu Mahsa Amini është përdorur mbi 100 milionë herë në Twitter. Njerëz të famshëm, aktorë, atletë, kanë dalë publikisht në mbështetje të protestuesve iranianë, duke kërkuar që shteti të tërhiqet dhe t’i dëgjojë ata.

Protestat solidarizuese janë shtrirë në vende të ndryshime të botës, nga Berlini i Gjermanisë deri në Santiago të Kilit.

“Regjimi iranian u tregon grave se çfarë duhet të veshin. Ne, thjesht, duam lirinë për të vendosur vetë, se çfarë duam të bëjmë dhe çfarë duam të veshim. Vetëm liri”, ka thënë për agjencinë Reuters një protestuese në Berlin.

Nuk ka asnjë garanci se gratë iraniane do ta rikthejnë këtë liri që kanë gëzuar para Revolucionit Islamik të vitit 1979. Por, një gjë është më e sigurt: publiku i gjerë, për kohë të gjatë, do ta mbajë mend emrin e Mahsa Aminit dhe fotografinë e saj në spital, të lidhur me tuba dhe me fasha, duke luftuar pa sukses për jetën e saj.

rel

Senatorja amerikane: Jam e shqetësuar për financimet ruse në Ballkan

senatorja amerikane Jeanne ShaheenSenatorja amerikane Jeanne Shaheen shprehet e shqetësuar për financimet ruse në Ballkan.

 

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë vizitës së saj në Tiranë, senatorja Shaheen vlerëson partneritetin me Shqipërinë dhe thotë se Shtetet e Bashkuara duhet ta ndihmojnë atë për të patur një strukturë të sigurtë kibernetike që të mos jetë më shënjestër e sumeve nga Irani apo ndonjë vend tjetër.

Zonja Shaheen, njohëse e Ballkanit perëndimor, shprehet se marrëveshja e fundit mes Beogradit e Moskës, shkon kundër interesave afatgjatë të vet popullit serb

 

Zëri i Amerikës: Senatore Shaheen, kjo është vizita juaj e dytë në Ballkan brenda gjashtë muajve. cili është qëllimi?

Senatorja Shaheen: Është vizita ime e parë në Shqipëri dhe do më duhet të vij përsëri për ta parë këtë vend kaq të bukur. Në fakt jam këtu për t’u siguruar që populli në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor të dinë që në Senatin e Shteteve të Bashkuara po i kushtojmë vëmendje asaj që ndodh këtu. Jemi mirënjohës për partneritetin e Shqipërisë dhe punën që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë bërë ndër vite. Ky është 100-vjetori i marrëdhënieve tona. Dhe ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e Shqipërisë në lidhje me luftën në Ukrainë. Dhe ndihmën që i ka dhënë Shteteve të Bashkuara për të rivendosur refugjatët afganë. Pra, vërtet jam këtu për të ndihmuar që t’i kujtoj cilitdo se sa i rëndësishëm është ky partneritet he për të parë se si mund të ndihmojmë nga Shtetet e Bashkuara.

 

Në muajin gusht, ju së bashku me senatorin republikan Roger Wicker, paraqitët një projektligj për promovimin e demokracisë në Ballkanin Perëndimor, për t’ju kundërvënë aktiviteteve destabilizuese të Rusisë në këtë rajon. Në një raport të fundit, komuniteti i intelligjencës amerikane, përmend disa parti politike në Ballkanin perëndimor, në Shqipëri, Bosnje dhe Mal të zi, se kanë marrë financime nga Rusia. A keni ju më shumë të dhëna, që do të mund t’i ndanit me ne, mbi financimet ruse, dhe sa shqetësuese mund të jetë situata?

Senatorja Shaheen: Nuk kam informacion specifik se sa para kanë marrë. Jam shumë e shqetësuar për të. Ndërsa shohim agresionin e paprovokuar të Putinit në Ukrainë, e dimë që një nga zonat ku ka ai ka pasur interes ka qenë Ballkani Perëndimor, fushatat e disinformimit; sapo pamë një raport se sa shumë para, siç thoni ju, janë shpenzuar në përpjekje për të destabilizuar zgjedhjet në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Po shohim përveç kësaj edhe se si njerëzve iu thuhen gënjeshtra, për atë që vërtet po ndodh dhe nëse njerëzit nuk kanë informacionin e saktë, nuk mund të bëjnë zgjedhje të mira. Prandaj, duam që të bëjmë gjithçka mundemi dhe synimi i atij ligji është që të përpiqemi dhe të promovojmë demokracinë në Ballkanin Perëndimor dhe të shohim se si mund të merremi me dizinformimin rus, të shohim se si mund të mbështesim përpjekjet për reforma që po bëhen këtu në Shqipëri dhe kudo në rajon.

 

Një nga synimet e projektligjit është lufta kundër korrupsionit, dhe ju keni propozuar kthimin në ligj, të dy urdhrave ekzekutivë të SHBA-së për sanksione kundër individëve që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin dhe janë të përfshirë në sjellje korruptive. Në Shqipëri, kemi rastin e ish kryeministrit Sali Berisha, i cili pas sanksioneve u bë dhe më aktiv në politikë dhe tashmë drejton forcën kryesore të opozitës. Nisur nga kjo, sa efektive janë këto sanksione?

Senatorja Shaheen: Sanksionet janë vetëm një nga mjetet që kemi në politikën e jashtme për t’u përpjekur të ndikojmë atë që ndodh dhe për t’u përpjekur për të çuar më tej, përparimin drejt demokracisë. Dhe duhet të shohim edhe mbështetjen ekonomike që mund të jepet. Duhet të shohim mjetet diplomatike që kemi. Kemi një ambasadore shumë aktive këtu dhe një ambasadë shumë të angazhuar me qeverinë shqiptare. Dhe duhet t’i ndihmojmë votuesit të kuptojnë se cilat janë zgjedhjet që mund të bëhen. E dini, në Shtetet e Bashkuara kemi pasur disa politikanë që janë dënuar për krime, që ishin zgjedhur nga njerëzit. Por zakonisht, votuesit e kuptojnë në zgjedhjet pasuese se një politikan është i korruptuar dhe se nuk vepron në interes të votuesve. Por nëse njerëzit nuk kanë informacionin, nëse nuk e dinë se cilat janë zgjedhjet që mund të bëhen dhe prandaj opozita është shumë e rëndësishme për të shpjeguar se cilat janë ato zgjedhje, në mënyrë që votuesit ta dinë kur të shkojnë për të votuar.

 

Cili është aktualisht statusi i projektligjit tuaj?

Senatorja Shaheen: Ai ka mbështetje dypartiake, kështu që jemi shumë optimistë. Presim një dëgjesë diku gjatë nëntorit pas zgjedhjeve të mesmandatit dhe shpresojmë që do të kalojë përpara fundit të vitit.

 

Serbia është i vetmi vend në Ballkan që nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë. Javën e kaluar, në New York, shefi i diplomacisë serbe nënshkroi një marrëveshje me homologun rus Lavrov, për politikën e jashtme. Në të kaluarën SHBA-të kanë thënë se Serbia duhet ta ndajë mendjen, pasi nuk mund të luajë me dy porta. Cili është mendimi juaj për sjelljen e Serbisë?

Senator Shaheen: Mendoj është diçka e pafat dhe mendoj se është kundër interesave afatgjata të popullit të Serbisë. Fakti është që aspiratat e popullit të Serbisë janë që të shohë nga perëndimi, drejt hyrjes në Europë. Ata kanë aplikuar për në BE dhe po punojnë drejt kësaj. Dhe duhet të ndihen shumë të shqetësuar në lidhje me aktet e Vladimir Putinit në Ukrainë. Është një luftë e paprovokuar agresioni. Çdo mbrëmje në lajmet në Shtetet e Bashkuara dhe kudo në botë, shohim pasojat e tmerrshme të asaj lufte ndaj popullit të Ukrainës, varret massive që janë zbuluar, dhomat e torturave. Shohim shkatërrimin e qyteteve në atë vend dhe përpjekjen për ta fshirë kulturën e Ukrainës. Tani, nëse Serbia nuk bën kujdes, mund ta kenë ata radhën. Ky është një nga shqetësimet në lidhje me synimet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. E dimë që Vladimir Putin nuk flet për të ndaluar nëse ia del në Ukrainë. Por flet për të rikrijuar Perandorinë Ruse. Që mund të ishte ajo që kishte qenë Perandoria Sovjetike. Ndaj, mendoj se është e rëndësishme për Serbinë, për të gjithë Europën, që të ndërmarrin çdo veprim që të vëmë në pah se Vladimir Putin është i veçuar, se nuk vepron në interes të rendit ndërkombëtar, dhe duhet të bëjmë çdo gjë që mundemi për ta ndaluar.

Zëri i Amerikës:Senatore, të flasim për vizitën tuaj në Tiranë. Cilat ishin mesazhet tuaja për politikanët shqiptarë?

Senatorja Shaheen: Siç e thashë, ishte për të vënë në dukje partneritetin dhe aleancat që Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë pasur në fushat ku punojmë së bashku; 100 vjetorin e marrëdhënieve tona; rëndësinë e faktit që Shqipëria u bashkua me ne në lidhje me luftën në Ukrainë për të mbështetur popullin ukrainas; rëndësinë që ka fakti që Shqipëria mori refugjatët afganë në një kohë kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën dhe po përpiqeshim të ndihmonim njerëzit që kishin nevojë dhe Shqipëria bëri përpara dhe tha do të bëjmë gjënë e duhur dhe do përpiqemi të ndihmojmë njerëzit që kanë nevojë. Kjo ka qenë shumë e rëndësishme. Dhe është e qartë që do të vazhdojmë të punojmë për çështjet ekonomike së bashku, fakti që Shqipëria sapo ka miratuar dy marrëveshje në përpjekje për të diversifikuar ekonominë e energjisë është shumë e rëndësishme – marrëveshjen hidro dhe gazin e lëngshëm me dy kompani amerikane. E vlerësojmë shumë këtë dhe me shpresë do të jetë e dobishme si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për Shqipërinë.

 

Shqipëria po strehon afër 2 ose 3 mijë anëtarë të opozitës iraniane, MEK, dhe ndoshta, kjo është arsyeja pse Irani u hakmor duke sulmuar infrastrukturën e saj të informacionit. Shqipëria u përgjigj duke ndërprerë lidhjet me Iranin, por, e vetme, Shqipëria nuk është në gjendje të përballojë sulme të ngjashme në të ardhmen, veçanërisht kur ke të bësh me një shtet si Irani. A jeni e shqetësuar për këtë dhe a po merr Shqipëria ndihmën e nevojshme nga SHBA?

Senatorja Shaheen: Jam e shqetësuar. Përsëris, mendoj se Shqipëria bëri përpara për të marrë iranianët e MEK në një kohë kur po vriteshin, kur ishin në Irak. Dhe Shqipëria tha ne do të ndihmojmë dhe ky është një model i rëndësishëm për t’ia treguar pjesës tjetër të botës. Dhe kur ata sulmohen si rezultat i kësaj, është me rëndësi që ne të veprojmë për t’i ndihmuar. Dhe sollëm ekipe, FBI dhe zyrtarë të tjerë për të ndihmuar për t’iu përgjigjur sulmit kibernetik. Por duhet të bëjmë më shumë. Duhet të ndihmojmë Shqipërinë për t’u siguruar që ka një strukturë të sigurt kibernetike për të ardhmen në mënyrë që të mos jetë shënjestër e sulmeve as nga Irani, as nga Rusia, as nga ndonjë vend tjetër.

 

Edhe një pyetje të fundit. Pas zhvillimeve të fundit, autoritetet shqiptare duket se nuk janë dakort që vendi i tyre të përdoret si një bazë ku anëtarët e MEK-ut, të zhvillojnë luftën e tyre opozitare. Kryeministri Edi Rama, është shprehur se kanë nisur komunikimet me ta “për të rivendosur shumë qartë kornizën në të cilën duhet të zhvillohet jeta e këtij grupi në një territor ku Shqipëria ka ofruar mbështetje për t’u siguruar jetën dhe shëndetin dhe jo lëvizjen e tyre politike”. Cili është vlerësimi juaj?

Senatorja Shaheen: Shqipëria do të duhet ta vendosë këtë vetë. Por, unë mendoj se është me rëndësi të vëmë në dukje që kur Shqipëria dëboi diplomatët iranianë, edhe Shtetet e Bashkuara vuri sanksione dhe ne kemi punuar për t’i trajtuar aktivitetet terroriste të Iranit kudo në Lindjen e Mesme dhe kudo në Europë. Dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

 

Senatore, shumë faleminderit për këtë intervistë.

Senatorja Shaheen: Faleminderit juve.

voa

Stoltenberg: Rusia do të përballet me pasoja të rënda nëse përdor armët bërthamore

NatoUkraina rimori të shtunën kontrollin e një qyteti kyç brenda territorit që presidenti rus e shpalli si të aneksuar nga Moska. Për sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, përparimi i forcave ukrainase tregon se ato janë në gjendje t’i zmbrapsin trupat ruse.

 

Ata janë në gjendje të zmbrapsin forcat ruse për shkak të guximit dhe aftësive të tyre, por sigurisht edhe për shkak të armëve të avancuara që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë po u japin”, tha zoti Stoltenberg në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan NBC.

I pyetur mbi aplikimin e Ukrainës për anëtarësim të përshpejtuar në aleancën perëndimore të mbrojtjes, zoti Stoltenberg tha se “çdo vendim për anëtarësim duhet të merret me konsensusin e të 30 vendeve anëtare”.

NATO po mbështet hetimin rreth dyshimeve për akte sabotazhi ndaj tubacioneve ruse Nord Stream që transportojnë gaz, nga Rusia në Evropë.

Çdo sulm i qëllimshëm ndaj infrastrukturës kritike të NATO-s do të përballet me një përgjigje të fortë dhe të bashkuar“, tha ai.

Shefi i NATO-s foli dhe mbi kërcënimin e Moskës për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore. Zoti Stoltenberg tha se Rusia do të përballej me pasoja të rënda nëse do t’i përdorte ato.

voa

Kërcënim nga Irani: Kemi dron që mund të godasë kampin e MEK!

irani kercenonRetorika kërcënuese e Iranit ndaj Shqipërisë, shpallur si një vend armik për regjimin e Teheranit, nuk ndalet.

 

Dronët e hekurt të Iranit mundet të godasin bazën e Muxhahedinëve të MEK në Shqipëri”! Ky është titulli portalit Iranian “Front Page” (Faqja e parë), ku citohet një shkrim i një gazete qeveritare iraniane.

Portali iranian shkuan se, sipas gazetës shtetërore të Teheranit, ky vend ka në dispozicion dronë të armatosur “UAV” të cilët nuk kapen nga radarët dhe me mundësi goditje të bazës së opozitës iraniane në Shqipëri.

 

“Dronët iranianë dhe sistemet e raketave nuk janë të limituara në aspektin gjeografik për sa i përket vendeve fqinje. Irani ka në dispozicion kapacitete,  posaçërisht dronë të cilët me lehtësi mund të sulmojnë bazën e MEK në Tiranë”. Irani ka dronë luftarak të cilët mund të udhëtojnë përtej distancës Iran-Shqipëri e shënjestruar objektivat e sulmit.

 

Gazeta qeveritare e Iranit duke cituar Ministrinë e Inteligjencës thotë se opozita MEK e strehuar në Shqipëri,  ka rrolin e saj në protestat masive të ditëve të fundit në disa qytete të  Iranit.

 

“Irani i jep të drejtën vetes që përballë veprimeve të MEK, të shënjestrojë bazën e tyre”.

 

Në artikull, edhe njëherë tjetër shfaqet retorika kërcënuese e Iranit ndaj vendit tonë, me të vetmin shkak, strehimin e rreth 3.000 anëtarëve të opozitës iraniane në vitin 2016.

Duke përdorur shantazhin politik për këtë veprim të qeverisë Rama, Irani prej 15 korrikut e në vazhdim, u përfshi në sulme të paprecedentë kibernetike ndaj sistemeve qeveritare shqiptare të shërbimeve on line.

Përballë një situate ekstreme nga këto sulme, qeveria shqiptare iu përgjigj me një masë po aq ekstreme, duke ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, fillim muajin shtator.

Top Channel

Pas një muaji grevë, sot në Kosovë filloi viti i ri shkollor

ShkollaPas një muaji grevë të mësimdhënësve kosovarë sot filloi viti i ri shkollor në të gjitha shkollat fillore e të mesme të vendit.

 

Greva kishte nisur nga 25 gushti kurse viti i ri shkollor do të duhej të niste me 1 shtator.

Kërkesat e mësimdhënësve ndër të tjera ishin që pagat e tyre të rriten edhe për 100 euro, deri në votimin  Ligjit të Pagave. Qeveria u ofroi 50 euro por kjo nuk u pranua nga Këshilli Grevist i BSPK-së.

Greva u ndërpre me kërkesë të Këshillit Grevist i cili paraprakisht ftoi mësimdhënësit që të votojnë nëse janë për vazhdim apo ndërprerje të grevës.

Nga ai votim rezultoi e mësimdhënësit janë për ndërprerje të grevës deri në janar.

Në rast të mosplotësimit të kërkesave, atëherë mbetet  hapur mundësia për vazhdim të grevës pas tre muajsh.

 

rtk

Nga data 1.10.2022, ora 00:01 çmime të reja të derivateve të naftës

karburantetKomisioni Rregullator i Energjetikës dhe i Shërbimeve të Ujit i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi vendim, me të cilin bëhet rritja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht 1,06% në raport me vendimin e datës 26.9.2022.
Çmimet referente të derivateve të naftës në tregun botëror. në krahasim me përllogaritjen e mëparshme shënojnë rritje mesatarisht te benzina për 2,137 %, te nafta ka ulje për 0,689%, te vaji ekstra i lehtë ulja është për 0,854% dhe te mazuti ulja është për 1,990%.
Kursi i denarit në raport me dollarin në periudhën e kaluar, sipas të cilit janë formuar çmimet në përllogaritjen e mëparshme, është më i lartë për 2,542%.
Çmimi i shitjes me pakicë i EUROSUPERIT BS-95 rritet për 2,00 den/litër, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë i ЕUROSUPERIT BS-98 rritet për 2,50 den/litër.
Çmimet e shitjes me pakicë të EURODIZELIT (D-E V), të VAJIT EKSTRA TË LEHTË PËR AMVISËRI (EL-1) dhe
të Mazutit М-1 SU nuk ndryshojnë.
Nga data 1.10.2022, ora 00:01 çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
Benzinë motori EUROSUPER BS – 95 86,00 (denarë/litër)
Benzinë motori EUROSUPER BS – 98 88,50 (denarë/litër)
Naftë motori EURODIZEL BS (D-E V) 91,00 (denarë/litër)
Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 87,50 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU 49,768 (denarë/kilogram)

Rusia bllokon me veto rezolutën e propozuar nga Shqipëria dhe SHBA-ja në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

KSRusia bllokoi me veto në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, rezolutën e propozuar nga Shqipëria dhe SHBA-ja, ku kërkohej dënimi i  referendumeve të paligjshme në Ukrainë.

 

Përmes rezolutës u bëhej thirrje të gjitha shteteve që të mos i njohin ndryshimet territoriale te bëra nga Kremlini dhe që Rusia të tërheqë trupat nga territoret ukrainase.

10 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, votuan pro, ndërsa Kina, Gaboni, India dhe Brazili abstenuan nga votimi.

Vota e Rusisë ishte e vetmja kundër rezolutës.

Albana Dautllari, zv. ambasadore në OKB e Shqipërisë dënoi qëndrimin e Rusisë duke thënë se Rusia edhe njëherë tjetër mori peng Këshillin e Sigurimit.

“Kjo është një tjetër ditë e zezë për Këshillin e Sigurimit, për Kombet e Bashkuara dhe për botën. Edhe një herë, Rusia shpërdoroi një privilegj unik që Karta e OKB-së, pikërisht ajo që Rusia me veprimet e saj po e copëton, ua ka dhënë anëtarëve të përhershëm për të ruajtur paqen dhe sigurinë dhe për të mbështetur ligjin ndërkombëtar dhe për të mos bllokuar Këshillin kur bota ka më shumë nevojë për të”, tha Dautllari.

Ndërsa përfaqësuesi i Rusisë, Vassily Nebenzia u justifikua duke thënë se  janë të detyruar të vendosin veton, megjithëse bota njëzëri po dënon presidentin Putin dhe Rusinë.

“Ju po na shtyni vetë që ta përdorim të drejtën e vetos. Ky është një provokim i ulët.   Referendumi në Ukrainë flet vetë, rezultatet  tregojnë dëshirën e qytetarëve për t’ju bashkuar Rusisë. Nuk ka kthim pas, pavarësisht rezolutës së sotme”, tha Nebenzia.

Mbroni sovranitetin, mbroni integritetin territorial, promovoni paqen dhe sigurinë. Kombet e Bashkuara u ndërtuan mbi një ide që kurrë më nuk do të lejohej që një vend të merrte me forcë territorin e një tjetri”, tha ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield.

Pas mbledhjes, në faqen zyrtare në Twitter të Misionit të Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara shkruhej se Këshilli i Sigurimit u zu sërish peng nga vetoja e Rusisë ndaj rezolutës së propozuar.

“Këshilli i Sigurimit u zu sërish peng nga vetoja e Rusisë ndaj rezolutës së propozuar nga  Shqipëria  dhe SHBA-ja që dënonte referendumet e paligjshme. Projekt-rezoluta do të dërgohet në Asamblenë e Përgjithshme, për të mbrojtur Kartën e OKB-së, ligjin ndërkombëtar, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, shkruhet në postim.

Top Channel

 

Aneksimet ruse, SHBA: Do ketë trazira në Ballkan, Serbia o këtej, o andej

Putin VucicPas aneksimit të katër rajoneve ukrainase nga Rusia, ekspertë amerikanë pohuan se përshkallëzimi i agresionit rus në Ukrainë pasqyron dështimin e presidentit Vladimir Putin por edhe strategjisë së tij që të frikësojë Kievin dhe perëndimin dhe t’i detyrojë të pranojnë kontrollin e tij mbi pjesë të territorit ukrainas.

 

Këshilltari i lartë në Këshillin e Atlantikut, Ian Brzezinski tha për VOA në programin në gjuhën serbe, se nga pikëpamja e tij Rusia mund të përpiqet të nxisë probleme në disa zona përreth saj ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që presidenti rus Vladimir Putin të përpiqet të nxisë trazira dhe kriza edhe në Ballkan.

Ka tensione në Ballkan midis grupeve të ndryshme etnike në vende të caktuara, vende të ndryshme kanë tensione me njëra-tjetrën dhe Kosova e Serbia janë një rast klasik. Pastaj ka një paqëndrueshmëri të mundshme ne Bosnjë përbrenda dhe rreth marrëdhënieve më Serbinë. Këto janë raste të dukshme ku ndërhyrja ruse mund të jetë interesante për Putinin si një mënyrë për të nxitur një lloj krize që do të shpërqendronte perëndimin”, Ian Brzezinski, Këshilli i Atlantikut.

Ambasadorja Jennifer Brush, e cila një kohë ka shërbyer në Ballkan, mendon se ndikimi më i madh i luftës në Ukrainë mund të shtrihet në Bosnje e Hercegovinë dhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Ato popullata serbe janë nxitur aktivisht nga rusët. Janë zonat e vetme ku mund të keni një poster të Putinit dhe ku Putini ka popullaritet, madje është ndoshta më popullor në Banja Llukë sesa në Moskë. Koncepti rus për botën ruse ka nxitur ringjalljen e idesë për botën serbe, por dështimi i dukshëm i Rusisë në Ukrainë do të dështojë edhe përpjekjet serbe për një botë të tillë”, u shpreh Jennifer Brush.

Të dy ekspertët e cilësuan të pavend nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Rusisë për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme.

Ata e cilësuan interesante të shohësh qeverinë serbe dhe zyrtarët e lartë serbë të jenë kritikë ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe ndaj referendumeve të Rusisë.

Por nga Serbia dërgohen sinjale të përziera, shprehen ata, duke theksuar se bashkëpunimi me Moskën nuk është në interesin e Beogradit, dhe ai tashmë duhet të pozicionohet qartë.

Top Channel

Sarrazin: Procesi i Berlinit nuk është kundër asnjë projekti

SarrazinI dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane në Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një intervistë me DW për sfidat e rajonit në rrugën drejt BE.

 

Deutsche Welle: Z. Sarrazin, ju morët pjesë në Tiranë në Forumin e Ndërlidhshmërisë. Sa e rëndësishme është të flasësh në këto kohë për ndërlidhshmërinë në Ballkanin Perëndimor?

Manuel Sarrazin: Unë jam nga Hamburgu, i cili është porti i tretë më i madh i Europës dhe çdokush në Hamburg i trembet faktit që rajoni juaj (Ballkani Perëndimor) mund të bëhet qendra e të gjitha linjave ndërkombëtare të transportit, sepse ju jeni në Mesdhe.  Itinerari është shumë i shkurtër. Mund t’ju them se rajoni ka një potencial shumë të madh ndërlidhshmërie, jo vetëm sa i përket transportit nga rajonet e tjera, por edhe për t’i sjellë produktet në tregun evropian Kjo është një nga temat kyçe të ndërlidhshmërisë në rajon.

 

Deutsche Welle: Gjatë vizitës suaj në Shqipëri u takuat me kryeministrin e vendit, ministren e Jashtme, aktorë të shoqërisë civile etj. Çfarë përshtypjesh krijuat nga këto takime?  

Manuel Sarrazin: Ju e dini se tashmë Shqipëria ka hyrë në rrugëtimin e negociatave me BE-në. Më në fund ia dolëm të hapim negociatat dhe së pari jemi të gëzuar e të lumtur, por tani sigurisht duam ta shohim Shqipërinë që të përparojë. Duam të hapim kapituj, të mbyllim kapituj, duam të jemi të qartë rreth standardeve. Prandaj duhet ndjekur rruga e reformave. Jemi me fat që qeveria do ta ndjekë këtë rrugë, por gjithashtu kemi filluar t’i shtyjmë përpara, t’i nxisim këto çështje.

 

Deutsche Welle: Pra, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera kanë një rrugë të vështirë përpara?

Manuel Sarrazin: Sigurisht, nuk është një rrugë e lehtë. Ju duhet të transformoni jo vetëm legjislacionin, por të gjithë vendin. Duhet të shtroni pyetjet: si do të zhvillohen procedurat, si do të bëhet transparenca, sa duhet të përfshihet shoqëria civile në këtë proces dhe çfarë cilësie do të ketë ky proces. Shqipëria është në fazat e para por fatmirësisht puna po nis dhe kjo është edhe përshtypja ime kryesore: duhet të jeni kritikë për detajet, sepse detajet kanë rëndësi. Më në fund po nisim negociatat e mirëfillta, pasi Shqipëria kishte ngelur në vendnumëro për një kohë të gjatë, për arsye për të ardhur keq.

 

Deutsche Welle: Kur flitet për Ballkanin Perëndimor është më e rëndësishme të flitet për Procesin e Berlinit apo për nismën tjetër të disa liderëve të rajonit, “Open Balkans”?  

Manuel Sarrazin: Në datën 3 nëntor do të mbahet samiti i Berlinit dhe këto javë unë po udhëtoj në Ballkan për të rritur pritshmëritë ndaj Procesit të Berlinit. Kemi besimin se do të ecim përpara përsa i përket Tregut të Përbashkët Rajonal, solidaritetit në energji dhe Agjendës së Gjelbër, si dhe bashkëpunimit mes të rinjve në rajon. Pra, duam të rrisim pritshmëritë e Procesit të Berlinit dhe kjo është diçka e mirë. Ky Proces synon të arrijë gjëra pozitive për qytetarët e këtij rajoni. Nuk është kundër këtij apo atij projekti. Procesi i Berlinit ka të bëjë me çuarjen përpara të gjërave dhe ne po përpiqemi të ndihmojmë në këtë zhvillim.

 

Deutsche Welle: Z. Sarrazin, përmendet rininë dhe rëndësinë e saj, e cila është dhe një ndër temat e Forumit të Ndërlidhshmërisë. Por në të njëjtën kohë, të rinjtë po ikin nga Shqipëria dhe nga vendet e tjera të rajonit…

Manuel Sarrazin: Ne duam t’i japim një këndvështrim europian kësaj çështjeje. Shumica e njerëzve nuk largohen për veten e tyre, por sepse duan t’u japin fëmijëve të tyre kushte më të mira jetese. Rruga drejt Europës është përgjigjja ndaj këtij fenomeni. Ne duam ta bëjmë rrugën europiane më të besueshme dhe më të qartë, në mënyrë që të rikthehet besimi. Dhe mund t’ua rikthejmë besimin këtyre njerëzve. Integrimi rajonal, Tregu i Përbashkët Rajonal është njëri nga hapat. Sigurisht, unë e kuptoj kur një individ vendos të kërkojë fatin e tij në një vend që mendon se është më i mirë. Por mendoj se nuk duhet të fajësojmë individët, por duhet të përmirësojmë kushtet që më shumë njerëz të mund të qëndrojnë në këto vende të mrekullueshme dhe ta kërkojnë fatin këtu. Ata s’duhet të largohen nga vendet e tyre.

 

Manuel Sarrazin, ka qenë dikur deputet i Bundestagut për të Gjelbrit, por në zgjedhjet e fundit të Bundestagut e humbi mandatin. Prej fillimvitit 2022 ai është i ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor. Gjatë këtyre javëve ai ndodhet në rajon për të përgatitur samitin e Procesit të Berlinit, që do të zhvillohet më 3 nëntor në Berlin. Në Tiranë ai mori pjesë në Forumin Rajonal të Ndërlidhshmërisë, një nga projektet e Procesit të Berlinit.

dw