Escobar: Detajet e planit franko-gjerman pritet të bëhen publike shpejt

EscobarKosova dhe Serbia ndodhen në një fazë të re dialogu, ndërsa trysnia ndërkombëtare është shtuar ndaj të dy vendeve për të shmangur tensionet mes tyre. Në qendër të vëmendjes është një plan i propozuar nga Franca dhe Gjermania, që gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, por për të cilin dihen pak hollësi. Në një intervistë me Shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se pas diskutimeve intensive me të dy qeveritë, ai ka besim se do të fillojë angazhimi me publikun për të kuptuar thelbin e propozimit. Zyrtari i lartë amerikan i bën sërisht thirrje autoriteteve në Prishtinë, të pranojnë kërkesën për të shtyrë me 10 muaj zbatimin e urdhërit për targat e makinave të banorëve serbë në veri të Kosovës.

 

Zëri i Amerikës: Gjatë vizitës së fundit në Prishtinë, ju kërkuat nga autoritetet që të shtyjnë për 10 muaj vendimin për vendosjen e targave të Kosovës për banorët serbë në veri. Keni marrë ndonjë përgjigje të kënaqshme nga autoritetet?

Gabriel Escobar: Jo, ende jo.

 

Zëri i Amerikës: A prisni të merrni përgjigje?

Gabriel Escobar: Do të shpresoja që ata të reagonin pozitivisht ndaj kërkesës jo vetëm të Shteteve të Bashkuara, por edhe të pjesës tjetër të Quint-it, të Bashkimit Evropian dhe të përfaqësuesit special, Miroslav Lajçak.

 

Zëri i Amerikës: Nisma Franko-Gjermane këto ditë duket të jetë propozimi kryesor për marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe siç e theksuat edhe ju gjatë vizitës në Prishtinë, të dyja palët duhet ta marrin atë seriozisht atë. Si mundet që një propozim kaq i rëndësishëm të mbahet kaq sekret. Si mund të bindet publiku, kur ai nuk ka asnjë informacion për atë që është duke u diskutuar? A mund të ndani me ne pikat kryesore të kësaj nisme?

Gabriel Escobar: Kjo është një nismë e Bashkimit Evropian. Ne e mbështesim atë. Ne mbështesim çdo lëvizje në dialogun e lehtësuar nga BE-ja pasi është e rëndësishme për stabilitetin rajonal. Është e rëndësishme për stabilitetin e evropianëve në një kohë kur po përballemi me kriza si ajo në Ukrainë dhe pjesë të tjera të Evropës. Sa i përket detajeve, dua të them se ato po diskutohen brenda kontekstit të dialogut të BE-së, të cilin ndonëse e mbështesim, ne nuk jemi palë në të. Unë besoj që shumë shpejt pasi të kenë pasur diskutime intensive me të dy qeveritë, ne do të fillojmë të angazhojmë publikun për të kuptuar thelbin e propozimit.

 

Zëri i Amerikës: Ju keni thënë se kjo që po propozohet tani nuk është zgjidhje përfundimtare, që do të thotë se nuk do të merret me njohjen e Kosovës nga Serbia. Por po kaq e rëndësishme për Kosovën, është edhe njohja nga 5 vendet e Bashkimit Evropian. A është i lidhur propozimi aktual me njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së?

Gabriel Escobar: Absolutisht, qëndrimi ynë është se Kosova duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe duhet të integrohet në strukturat euroatlantike. Që të ndodhë kjo, ne presim që pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohiur, ta njohin pavarësinë e Kosovës. Evropa ka përcaktuar rrugën drejt njohjes. Ata kanë përcaktuar rrugën e integrimit evropian dhe kjo rrugë është dialogu i lehtësuar nga BE-ja. Prandaj, vazhdimisht e inkurajoj qeverinë e Kosovës që ta marrë seriozisht dialogun, të angazhohet me ndershmëri dhe të mendojë për zgjidhje që mund të përfshijnë edhe kompromis, por në fund të fundit njohja e pavarësisë dhe integrimi janë çelësi.

 

Zëri i Amerikës: Çfarë roli pritet të luajë qeveria amerikane? A presim një rol më të madh?

Gabriel Escobar: Unë do të thoja që ne jemi duke luajtur një rol më të madh. Unë kam partneritet të plotë me homologun tim të BE-së. Ne jemi plotësisht të angazhuar përmes Kuintit, besojmë se meqënëse kjo është një çështja evropiane dhe aspiratat e të dyja vendeve janë integrimi në Evropë, procesi duhet të drejtohet nga BE-ja. Por, ne po e mbështesim atë plotësisht, nga ana politike, financiare, përmes ndërtimit të kapaciteteve dhe nëpërmjet çdo mekanizmi tjetër që kemi, në mënyrë që rezultati përfundimtar, edhe nëse ka një rezultat të ndërmjetëm përkohësisht, pra që rezultati përfundimtar, të krijojë stabilitet afatgjatë për rajonin.

Indeksi i Sundimit të Ligjit 2022/ Shqipëria bën hapa pas, rrëshqet drejt autokracisë

indeksi sundimi i ligjitSipas organizatës ndërkombëtare të shoqërisë civile “World Justice Projetc”, Shqipëria ka rënë me tre vende në Indeksin e Sundimit të Ligjit për vitin 2022.

 

‘World Justice project’, e cila merr në analizë ecurinë në 140 vende të botës të disa prej aspekteve të rëndësishme të funskionimit të shtetit, në indeksin e publikuar e rendit Shqipërinë në vendin e 87, tre vende më poshtë se vitin e shkuar.

Renditja përcaktohet nga faktorë të rëndësishëm, të lidhura ngushtë me ligjin dhe të drejtën. Faktor i rëndësishëm “Mungesa e kompetencave të qeverisë”,ku përfshihet edhe liria e shtypit, vendi ynë renditet e 105 mes 140 vendeve.

Sa i përket mungesës së korrupsionit, Shqipëria renditet në vendin e 107, ndërkohë që një vit më parë renditej e 105-ta.

Në transparencën e qeverisë, Shqipëria ka bërë “2 “hapa” para, duke u renditur e 84 ndërkohë që një vit më parë ishte vendin e 82.

Treguesi tjetër, sesa i respekton shteti të drejtat sipas ligjeve kombëtare dhe konventave ndërkombëtare të njerëzve të tij, vendi ynë renditet 63 nga 62 në 2021.

Sa i përket faktorit tjetër të rëndësishëm, rendi dhe siguria, Shqipëria renditet në vendin e 50 nga i 47 që ishte një vit më parë.

Zbatimi i rregulloreve, Shqipëria zë vendin e 112 ndërkohë që në vitin 2021 ishte në vendin e 107.

Për drejtësinë civile, Shqipëria rendit në vendin e 98  teksa një vit më parë në vendin e 92, ndërsa për drejtësinë penale renditemi në vendin e 81, nga 82 që ishte në 2021.

tch

Bosnjë: Dodik nxjerr në rrugë dhjetëramijëra përkrahës të tij

dodikNë Banja Luka dhjetëramijëra përkrahës të udhëheqësit të serbëve të Bosnjës Milorad Dodik demonstruan kundër një rinumërimi të votave për zgjedhjen e presidentit në këtë republikë përbërëse të Bosnjë-Hercegovinës.

 

„Unë jam këtu, për t`ju thënë, se Milorad Dodik nuk shkon askund. Milorad Dodik do të jetë shumë shpejt në pallatin presidencial”, tha Dodik në Banja Luka, kryeqytetin de-facto të Republikës Srpska. Opozita akuzon këtë përfaqësues të linjës së fortë nacionaliste serbe dhe të besuar të Putinit për manipulim të zgjedhjeve.

Në Bosnjë në fillim të tetorit u zhvilluan zgjedhjet e organeve drejtuese në rang federal si dhe në të dy pjesët e vendit, në Federatën Boshnjako-Kroate (FBiH) dhe në Republikën Srpska (RS). Shumë i diskutueshëm ishte posti i presidentit të RS. Nacionalisti Milorad Dodik, i cili është prej kohësh në pushtet, fitoi me një avantazh shumë të vogël ndaj politikanes opozitare të PDP, Jelena Triviç. Sipas rezultatit parapak Dodik arriti të merrte 48 përqind të votave, Trivic 43 përqind.

“Qindra parregullsi”

Pak pas zgjedhjeve presidenciale të 2 tetorit partitë opozitare paraqitën pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (CIK) në Sarajevë kërkesën për rinumërimin e votave. “Ne kemi konstatuar qindra parregullsi”, deklaroi kryetari i partisë konservatore PDP, Branislav Borenoviç.

Sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor Dodik kishte fituar 29 000 vota më shumë se Triviç. Gjithsej në votimet në RS morën pjesë 617 000 qytetarë. Sipas Borenovic 65 000 vota mund të jenë prekur nga mashtrimi dhe manipulimi. Kështu në shumë lokale zgjedhore përfaqësuesit e opozitës janë dëbuar nga huliganë para përfundimit të numërimit. Në shumë lokale zgjedhore në listat përfundimtare rezultonte se kandidatë të panjohur kishin marrë shumë vota, ndërsa Triviç asnjë. Dodik i ka kundërshtuar kërkesat për numërim të ri të votave duke e quajtur fitoren e tij „të rregullt”.

Votat rinumërohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve urdhëroi më 10 tetor rinumërimin e votimit. Kryetari i Komisionit Suad Arnautoviç tha, se ka patur “një numër të madh shkeljesh të ligjit zgjedhor”. Ai foli për dëshmi në video dhe dokumente të cilat dëshmojnë qartë se procesi nuk ka qenë i pastër dhe se rezultatet nuk mund të konfirmohen.” Përveç kësaj Komisioni Zgjedhor ka qenë nën një presion të paparë ndonjëherë”, tha ai. Rezultatet e numërimit të ri priten në fund të javës.

Dodik synon mandatin e tretë si president i Republikës serbe të Bosnjë-Hercegovinës. 63 vjeçari është prej më shumë se 15 vjetësh udhëheqësi i serbëve të Bosnjës. Ai synon ndarjen e RS nga Bosnja dhe rrezikon kështu paqen dhe stabilitetin e këtij vendi ballkanik, i cili nga viti 1992 deri 1995 ishte fushëbetejë e një lufte të përgjakshme me rreth 100 000 të vdekur. Dodik gëzon mbështetjen e Serbisë, të vendit anëtar të BE-së Hungarisë dhe të Rusisë.

dw

Von der Leyen në Shkup: BE është me ju, do të keni mbështetje të plotë

Von der LeyenGjatë vizitës tri ditore në Ballkanin Perendimor Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, qendroi të mërkurën në mbrëmje në Maqedoninë e Veriut.

 

Në takimet e veçuara me kryeministrin Kovaçevski dhe Presidentin Pendarovski, von der Leyen ka dhënë mbështetje Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit në BE dhe tejkalimin e krizës së energjisë, si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë. Maqedonia e Veriut po bën përpjekje të forta për të

përmbushur kushtet e BE-së, procesi i skriningut ka filluar dhe ne ju premtuam ka thënë on der Leyen se do ta nënshkruajmë marrëveshjen me Frontex në gjuhën maqedonase dhe këtë e bëmë pa asnjë fusnotë.

“Kjo marrëveshje tregon se nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është e juaja dhe se ne e respektojmë atë. Maqedonia e Veriut po ecën rrugën drejt BE-së. Është shumë mirë të shihet se keni arritur reforma rrugës drejt BE-së”, ka deklaruar von der Leyen.

 

Marrëveshja Frontex ka të bëjë me mbrojtjen e kufijve nga migrimi i paligjshëm, për integrimin evropian dhe përballjen me krizën energjetike. Për kryeministrin e RMV Dimitar Kovaçevski ky është dokumenti i parë i nënshkruar midis Brukselit dhe Shkupit në gjuhën maqedonase.

“Nënshkrimi i marrëveshjes për Frontex, që është marrëveshja e parë e nënshkruar pas fillimit të bisedimit, është nënshkruar në gjuhën maqedonase, pa asnjë fusnotë. Aty qëndron gjuha maqedonase e pastër së bashku me gjuhët tjera”, ka thënë Kovaçevski. Sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, kjo gjë tregon se gjuha maqedonase është e mbrojtur dhe nuk është cënuar nga marrëveshjen me Bullgarinë.

Von der Leyen: Bashkohuni për ndryshimet kushtetuese

Presidentja e Komisionit të BE von der Leyen përcolli edhe mesazhet politike të Brukselit për mënjanimin e pengesave në hapjen e kapitujve me BE-në.

Ajo ftoi partitë politike të mbajnë përgjegjësi për të ardhmen evropiane të vendit dhe të miratojnë ndryshimet kushtetuese. “U bëj thirrje të gjithë politikanëve që të realizojnë ëndrën e të rinjve për integrim në BE. RMV tani ecën rrugës së integrimit europian. Këtë e dëshmoi edhe raporti i progresit . Është kënaqësi që ecni përpara, keni përforcuar demokracinë, sistemin e së drejtës, reforma dhe jam e sigurt se jeni të vendosur ta mbani këtë ritëm që të arrini në BE”, u shpreh von der Leyen.

Duke folur për krizën energjetike, von der Leyen tha,  se beson që kriza do të kapërcehet dhe se vendet e rajonit do të kenë mbështetjen e BE-së. “Së bashku do ta kapërcejmë këtë krizë. Ne do ta kapërcejmë krizën energjetike me grante prej 80 milionë eurosh për Maqedoninë e Veriut dhe sigurisht do të vazhdojmë me grantet. Kjo mbështetje do të vazhdojë përmes një plani investimi me turbina eolike dhe lidhjes me gaz me

Serbinë dhe Kosovën”, ka deklaruar von der Layen.

Krizën energjetike po e ndjen edhe BE. Por të jeni të sigurt, tha ajo, se nuk do të dorëzohemi asnjë milimetër. Në këtë jemi bashkë, siç jemi bashkë në Evropë, dhe kjo donë të thotë se këtë krizë do ta zgjidhim dhe tejkalojmë së bashku.

Pas qëndrimit në Shkup, Presidentja e KE-së Ursula von der Leyen do të qëndrojë (27.10) në Prishtinë dhe Tiranë e më pas në Podgoricë, Sarajevë dhe Beograd.

dw

Qeveria e Kosovës miraton marrëveshjen e bashkëfinancimit për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë

Rruga-Prizren-TetoveQeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur këtë të mërkurë, miratoi nismën për negocim të Marrëveshjes me Republikën e Maqedonisë së Veriut për bashkëpunim në hartimin e Planit të detajuar për ndërtimin e rrugës Prizren – Tetovë.

 

Zëvendësministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha, teksa propozoi miratimin e kësaj nisme tha se ndërtimi i kësaj rruge që është marrëveshje mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, do të ndikojë në zhvillimin e qëndrueshëm të të dyja vendeve.

“Me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të marrëdhënieve miqësore me Republikën e Maqedoninë, ministria propozon miratimin e nismës për lidhjen e marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e projektit detal për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë”.

“Ndërtimi i kësaj rruge është një proces që ndikon në zhvillimin e qëndrueshëm të të dyja vendeve”, ka thënë zëvendësministrja Çavdarbasha.

Rruga Prizren-Tetovë, ndonëse është premtuar nga shumë qeveri në Kosovë se do të ndërtohet, punimet në realizimin e këtij projekti ende nuk kanë filluar.

Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë mbajtur mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.

Kryeministrat dhe ministrat dikasterial patën nënshkruar Memorandumet për Mirëkuptim mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për përcaktimin e fushëveprimit të përgjithshëm të bashkëpunimit lidhur me studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren – Tetovë.

(Telegrafi)

SHBA-ja synon që vendimi për targat të zbatohet në mënyrë paqësore

shbaShtetet e Bashkuara synojnë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës – të zbatohet në mënyrë paqësore, dhe të mos kontribuojë në rritje të tensioneve.

 

Kështu ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Mes tjerash, Ambasada ka thënë se SHBA-ja, bashkë me partnerët evropianë, besojnë se vendimi i Qeverisë së Kosovës është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, dhe në se në parim, nuk kanë mospajtime për të.

“Megjithatë, ne kemi kërkuar, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, një shtyrje dhjetëmujore për zbatim të vendimit”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës.

Afati për riregjistrim të makinave në RKS ka nisur më 1 shtator dhe përfundon më 31 tetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 25 tetor se Kosova merr seriozisht sugjerimet e aleatëve ndërkombëtarë lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat.

“Përveç se duam të respektohet rendi dhe ligji, gjithashtu jemi të kujdesshëm që të mos rrezikohet paqja dhe siguria. Andaj edhe kur partnerët, aleatët, miqtë tanë ndërkombëtar na japin sugjerime, ne ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, ka deklaruar Kurti.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati tashmë është shtyrë një herë, dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.

Këto targa konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.

Vuçiq takohet të enjten me Listën Serbe dhe mbledh Këshillin e Sigurisë

Lidhur me targat, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka caktuar për 27 tetor takim me përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë.

Siç ka njoftuar kabineti i Vuçiqit, takimi do të mbahet në orën 09:00.

Pas takimit me serbët e Kosovës, në ora 10:00 pritet të mbahet edhe një takim i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, organ që mbledh përfaqësues të sektorit ushtarak dhe të sigurisë.

Ky takim është thirrur pasi Lista Serbe ka kërkuar të takohet me Vuçiqin për shkak të çështjes së riregjistrimit të targave në Kosovë.

Sipas kësaj partie, më 1 nëntor Kosova po planifikon “të konfiskojë pronat e qytetarëve tanë dhe makinat me targa serbe”.

Tensionet rreth targave

Targat serbe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.

Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.

Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

rel

 

Stoltengerg e quan të rrezikshme retorikën bërthamore të Rusisë

StoltengergAkuzat e Rusisë se Ukraina po përgatitet të përdorë një “bombë me element radioaktivë” janë “tërësisht të rreme”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Sekretari Stoltenberg foli të martën, gjatë një vizite në aeroplanmbajtësen U.S.S. George H.W. Bush e cila po merr pjesë në një stërvitje të NATO-s në Detin Adriatik.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se retorika bërthamore e presidentit rus Vladimir Putin është “e rrezikshme, e pamatur dhe e papërgjegjshme”.

“Përdorim i armës bërthamore në Ukrainë do të ndryshojë rrënjësisht natyrën e konfliktit. Presidenti Putin, Rusia, e di se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë. Dhe ata gjithashtu e dinë, se do të kishte pasoja të rënda”, tha zoti Stoltenberg.

Ai shtoi se aleatët e NATO-s e hedhin poshtë pretendimin e rremë të Rusisë, një vend që shpesh akuzon të tjerët për atë që synon të bëjë vetë.

“Ne e kemi parë këtë të ndodhë më parë, që nga Siria në Ukrainë. Rusia nuk duhet të përdorë pretekste të rreme për përshkallëzim të mëtejshëm. Bota po e ndjek situatën nga afër”, tha zoti Stoltenberg.

Shefi i NATO-s përshëndeti sanksionet ndërkombëtare kundër Iranit, duke thënë se ai po ndihmon ushtarakisht Rusinë.

“Në ditët e fundit kemi parë gjithashtu Iranin të mbështesë përpjekjet ruse në luftë. Kjo është e papranueshme. Asnjë vend nuk duhet të ndihmojë një agresor në një luftë të paligjshme. Përshëndes faktin që aleatët dhe Bashkimi Evropian po zbatojnë sanksione të forta ndaj Teheranit”.

Komentet e tij erdhën në të njëjtën ditë kur operatori i energjisë bërthamore i Ukrainës tha se forcat ruse kanë kryer punë sekrete në termocentralin më të madh bërthamor në Evropë.

Kompania “Energoatom”, e cila operon katër termocentralet bërthamore të Ukrainës, tha se forcat ruse kanë kryer punë sekrete gjatë javës së fundit në termocentralin bërthamor të pushtuar të Zaporizhias.

Energoatomi tha të martën se “dyshon” se rusët po përgatisin “një akt terrorist, duke përdorur materiale bërthamore dhe mbetje radioaktive” të depozituara në central.

Ai shtoi se shkatërrimi i depozitave të karburantit bërthamor të konsumuar, do të çonte në një aksident rrezatimi dhe ndotje radioaktive në një sipërfaqe prej disa qindra kilometrash katrorë.

voa

Ukraina: Rusët operacione sekrete brenda centralit bërthamor

Sergei ShoiguOperatori i energjisë bërthamore të Ukrainës tha të martën se forcat ruse po kryenin punë sekrete në centralin më të madh bërthamor në Evropë, aktivitet që mund të hedhë dritë mbi pretendimet e Rusisë se ushtria ukrainase po përgatit një “provokim” që përfshin një pajisje radioaktive.

 

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu bëri një pretendim të pabazuar në fakte se Ukraina po përgatitej të lëshonte një të ashtuquajtur bombë me elementë radioaktivë. Zoti Shoigu e bëri akuzën gjatë fundjavës në telefonatat me homologët e tij britanikë, francezë, turq dhe amerikanë. Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara e hodhën poshtë këtë pretendim duke e quajtur si “tërësisht të rreme”.

Ukraina i cilësoi pohimet e Moskës si një përpjekje për të shkëputur vëmendjen nga planet e supozuara të Kremlinit për të hedhur një bombë, e cila përdor eksplozivë për të shpërndarë mbetje radioaktive në një përpjekje për të mbjellë terror.

Energoatom, ndërmarrja shtetërore ukrainase që operon katër centralet bërthamore të vendit, tha se forcat ruse kanë kryer punë sekrete gjatë javës së fundit në centralin bërthamor të Zaporizhias në Ukrainë.

Oficerët rusë që kontrollojnë zonën nuk kanë pranuar t’i japin qasje personelit ukrainas që drejton uzinën ose monitoruesve nga mbikëqyrësi i energjisë atomike të OKB-së që të shohin se çfarë po ndodh aty, tha kompania Energoatom në një deklaratë të lëshuar të martën.

Energoatom tha se “dyshonte” se rusët “po përgatisin një akt terrorist duke përdorur materiale bërthamore dhe mbetje radioaktive të depozituara” në uzinë. Ai tha se në 174 kontenierë kishte lëndë radiaktive.

“Shkatërrimi i këtyre kontejnerëve si rezultat i një shpërthimi do të çojë në një aksident e ndotje radioaktive që mund të shtrihet në disa qindra kilometrave katrorë” tha kompania.

Ajo i bëri thirrje Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të vlerësojë se çfarë po ndodh në central.

Kremlini ka këmbëngulur se paralajmërimi i tij për një plan të ukrainas për të përdorur një bombë me element bërthamorë duhet të merret seriozisht dhe kritikoi vendet perëndimore për mos marrjen parasysh të këtij shqetësim.

Hedhja poshtë e paralajmërimit të Moskës është “e papranueshme për shkak të seriozitetit të rrezikut për të cilin kemi folur”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Duke folur gjatë një konference me gazetarët, zoti Peskov shtoi: “Ne përsëri theksojmë rrezikun e madh që paraqesin planet e hartuara nga ukrainasit”.

Të hënën Shtëpia e Bardhë theksoi sërish se pretendimet ruse ishin të rreme.

“Thjesht nuk është e vërtetë. Ne e dimë se nuk është e vërtetë”, tha John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. “Në të kaluarën, në disa raste, rusët kanë fajësuar të tjerët për gjërat që ata po planifikonin t’i bënin”.

Bombat me elementë bërthamorë nuk kanë aftësitë shkatërruese të një bombe bërthamore, por mund të ekspozojnë një pjesë të gjerë territori ndaj ndotjes radioaktive.

Dialogu ShBA – Shqipëri, intervistë me Zv/Ndihmës Sekretarin Gabriel Escobar

EscobarNë Departamentin e Shtetit është duke u zhvilluar në këto momente dialogu strategjik midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë Shqiptare. Në takimin mes dy qeverive marrin pjesë përfaqësues nga një sërë institucionesh qeveritare. Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, që mbulon politikën amerikane për Ballkanin Perëndimor, bisedoi pak para fillimit të takimit me Shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës Arben Xhixho, mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe gjendjen e demokracisë në Shqipëri.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Escobar, cilat janë çështjet kryesore që do të diskutohen në dialogun e sotëm strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Do të thoja gjithshka që ka të bëjë me marrëdhëniet dypalëshe. Ky është takimi më i rëndësishëm mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesve të Shqipërisë në historinë moderne. Ne do të kemi përfaqësues nga Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtes, ai i Tregëtisë, Korporata Financiare për Zhvillimin Ndërkombëtar, si dhe agjenci të tjera qeveritare për të gjetur rrugë për të thelluar bashkëpunimin strategjik. Në vitet e fundit Shqipëria është bërë një partner shumë i besueshëm për Shtetet e Bashkuara. Shqipëria luan një rol të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe atë në Evropë. Tani që Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vendi është bërë një faktor stabiliteti global. Pra është e rëndësishme që të vazhdojmë të bashkërendojmë qëndrimet tona.

 

Zëri i Amerikës: Një nga sektorët në të cilët Shtetet e Bashkuara kanë qënë shumë të angazhuara në Shqipëri, është ai i energjitikës. Cilat janë pritshmëritë për këtë sektor?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Shqipëria po kthehet në një qëndër të rëndësishme energjitike. Tani që Evropa po ndeshet me sfida në sektorin energjitik, ne duam të gjejmë rrugë bashkëpunimi me Shqipërinë për të ndihmuar në zbutjen e këtyre problemeve. Kemi bindjen se mund të gjejmë forma dhe rrugë ku Amerika mund të ndihmojë për të investuar në infrastrukturën energjitike në Shqipëri për të realizuar këtë synim.

 

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara e mbështetën Shqipërinë pas sulmeve kibernetike të Iranit ndaj infrastrukturës së saj dhe ofruan ta ndihmojë atë. Për çfarë ndihme konkrete bëhet fjalë?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Kjo do të jetë pjesë e diskutimeve të sotme dhe shpresoj, që deri në fund të ditës, të kemi një marrëveshje për llojin e ndihmës që do japim; unë pres që ndihma të jetë si teknike edhe financiare, për të mbështetur sektorin e sigurisë kibernetike në Shqipëri.

 

Zëri i Amerikës: Ju thatë që takimi i sotëm do të përfshijë një gamë të gjerë çështjesh. Siç e dimë Shqipëria është një vend i pllakosur nga korrupsioni dhe kohët e fundit qeveria ka bërë të ditur një nismë për një amnisti të gjerë fiskale, deri në 2 milionë dollarë. Ka patur shqetësime nga FMN-ja, Banka Botërore, apo Bashkimi Evropian, se kjo mund të përdoret për pastrim parash. A ndajnë edhe Shtetet e Bashkuara të njejtat shqetësime?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Po edhe ne kemi disa shqetësime. I kemi diskutuar ato me qeverinë e Shqipërisë. Do t’i bëja thirrje qeverisë së Shqipërisë t’i dëgjojë këto zëra dhe ta përshtasë qasjen ndaj amnistisë fiskale që të jetë në përputhje me standartet globale dhe me kërkesat e BE-së.

 

Zëri i Amerikës: A keni ndonjë qëndrim më të qartë, nëse kjo nismë duhet zbatuar, apo braktisur?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Nuk dua të hyj në thelbin e diskutimeve që do të kemi me zyrtarët shqiptarë sot, por do të kemi një dialog të hapur se cilat do të ishin pasojat.

 

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri ka patur kundërshtime dhe kritika ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, si arkitektë të reformës në drejtësi, veçanërisht nga opozita, duke i kritikuar Shtetet e Bashkuara për ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Por kohët e fundit kemi parë edhe një element të ri, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një fjalim të ditëve të fundit tha, ndonëse nuk e përmendi me emër, por kuptohej, që e kishte fjalën për ambasadoren amerikane, ku u shpreh se “disa ambasadorë të huaj ndihen në gjykatat tona si në shtëpitë e tyre dhe kanë luksin të ndajnë publikisht pëlqimin, ose mospëlqimin e tyre me vendimet e gjykatave”. Cili është reagimi juaj?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Ajo që bën ambasadorja jonë atje është shumë përfituese për Shqipërinë. Ajo është personi kryesor për marrëdhëniet dypalëshe. Gjithshka që ajo bën, është në bashkëpunim shumë të ngushtë me Departamentin e Shtetit. Këto nuk janë qëndrime individuale, janë qëndrime institucionale. Dhe duhet të theksoj se çështjet e korrupsionit, çështjet e krimit të organizuar, kanë prekur gjithë rajonin, jo vetëm Shqiërinë, pra është e rëndësishme që të bashkëpunojmë për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve.

 

Zëri i Amerikës: Dua t’ju pyes edhe për statusin e demokracisë në Shqipëri. Opozita, është në një gjendje të çorganizuar që pas shpalljes non-grata të ish Presidentit Sali Berisha. Vendimi e rigjallëroi atë, ai drejton sot partinë, ose të paktën shumicën e partisë. Mund të argumentohet se vendimi ndaj tij, në një farë mënyre pati efektin e kundërt, veçanërisht po të kihet parasysh se nuk u shoqërua me ngritje akuzash nga organet e drejtësisë. Si e ndihmojnë vendime të tilla betejën kundër korrupsionit në Shqipëri?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Vendimi për ta përcaktuar atë ishte një vendim institucional. Nuk ishte një vendim individual dhe nuk ishte një vendim politik. Ishte një vendim që ne e morrëm për shkak të korrupsionit që gjetëm. Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë. Por dua të them, se ne ende kemi partnerë të mirë në Partinë Demokratike, ne duam që Partia Demokratike të jetë një kontribues i fortë dhe i rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri. Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion.

 

Zëri i Amerikës: Dëshironi të shtoni diçka tjetër për Shqipërinë.

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Doja të falenderoja qeverinë e Shqipërisë për partneritetin dhe popullin e Shqipërisë për miqësinë e tyre. Takimi i sotëm një ditor është një simbol jo vetëm i bashkëpunimit mes qeverive, por edhe i miqësisë së thellë mes popullit amerikan dhe popullit shqiptar.

Presidentja e KE-së në Shkup, kriza energjetike dhe FRONTEKS në fokus të bisedimeve

frontexMbështetja për integrimin evropian, marrëveshja FRONTEKS dhe përballja me krizën energjetike janë në fokus të vizitës në vend të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Pas një vonese katërvjeçare, Shkupi dhe Brukseli sot nënshkruajnë marrëveshjen FRONTEKS, e cila ka të bëjë me mbrojtjen e kufijve.

 

Dispozitat e marrëveshjes tashmë janë duke u zbatuar në kufirin e Maqedonisë së Veriut, por nënshkrimi zyrtar ende nuk ka ndodhur për shkak të vetos bullgare. Pasi Maqedonia dhe Bullgaria dhanë deklarata të njëanshme në Konferencën Ndërqeveritare në korrik me kuptimin e gjuhës maqedonase, tani Sofja po jep dritën jeshile. Ky është dokumenti i parë që shteti e nënshkruan me Bashkimin Evropian në gjuhën maqedonase.

“Nënshkrimi i marrëveshjes për statusin e FRONTEX paraqet një hap tjetër në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut. Do të sjellë përfitime praktike duke përmirësuar sigurinë kufitare të vendit. Marrëveshja është në gjuhën maqedonase, si dhe në të 24 gjuhët e BE-së dhe të gjitha versionet gjuhësore janë njëlloj të vlefshme”, njoftojnë nga Misioni i BE-së në Shkup.

Siç thuhet në njoftimin e delegacionit të BE-së në Shkup, von der Leyen do të theksojë rëndësinë që Bashkimi i jep rajonit, si dhe përkushtimin për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, tema qendrore do të jetë energjetika.

“Von der Leyen do të paraqesë mbështetjen shtesë që BE do t’i japë Maqedonisë së Veriut dhe rajonit për të ndihmuar në zbutjen e ndikimeve të krizës aktuale energjetike. Duke punuar së bashku, BE-ja dhe Maqedonia e Veriut do të përpiqen të trajtojnë sfidat aktuale në sektorin e energjisë dhe të zvogëlojnë ndikimin e tyre ndaj vendit dhe qytetarëve të tij”, thonë nga Misioni i BE-së në Shkup.

Shkupi është ndalesa e parë e turneut ballkanik të Von der Leyen. Ajo nesër do të udhëtojë për në Prishtinë dhe Tiranë, ndërsa të shtunën do ta vizitojë edhe Sarajevën, Beogradin dhe Podgoricën.

alsat