Vdes në moshën 82 vjeçare legjenda braziliane e futbollit Pele

PelePele, ylli brazilian i futbollit, fitues i tre Kupave të Botës dhe një nga figurat më të njohura të sportit gjatë shekullit të kaluar, vdiq të enjten në moshën 82 vjeçare.

 

Ai që njihet si arkitekt i “lojës së bukur” të futbollit, po trajtohej për kancer që nga viti 2021. Muajin e fundit ai u shtrua në spital për shkak të një morie problemesh shëndetësore.

Agjenti i Pelesë, Joe Fraga konfirmoi lajmin për vdekjen e tij.

I njohur gjerësisht si një nga lojtarët më të mëdhenj në botë të futbollit, për dy dekada Pele magjepsi tifozët. Ai ishte golashënuesi më i suksesshëm me klubin brazilian Santos dhe ekipin kombëtar të Brazilit.

Pele shquhej për lojën e shpejtë të tij duke sjellë revolucion në këtë sport.

Ai e çoi Brazilin në majat e suksesit dhe u bë një ambasador botëror i futbollit, duke e nisur punën nga rrugët e San Paulos, ku në mungesë të një topi të vërtetë, luante me topa lecke.

Në lojtarëve më të mëdhenj të historisë së futbollit, së bashku me Pelenë radhitet futbollisti i ndjerë Diego Maradona, ylli argjentinas Lionel Messi dhe ai portugez Cristiano Ronaldo.

 

NJË HISTORIK I SHKURTËR I YLLIT BRAZILIAN

Edson Arantes do Nascimento, të cilin më vonë bota do ta njihte me emrin Pele, lindi në qytetin e vogël të Tres Coracoes më 23 tetor 1940.

Ai tërhoqi vëmendjen me talentin e tij që kur ishte 11 vjeç. Një lojtar profesionist vendas e prezantoi atë me skuadrën e të rinjve të klubit Santos. Nuk u desh shumë kohë që ai të bëhej pjesë e ekipit profesionist.

Pele veshi për herë të parë fanelën e klubit brazilian në vitin 1956.

Angazhimi i tij me klubin Santos zgjati mbi tre dekada, para se ai të dilte në pension për herë të parë në vitin 1972.

Gjatë shkëlqimit të tij, klubet e pasura evropiane u përpoqën ta blinin lojtarin, por qeveria braziliane ndërhyri për ta penguar shitjen e tij, duke e shpallur atë një thesar kombëtar.

Lojtari që cilësohej si “mbret” i futbollit u njoh nga bota në moshën 17 vjeçare në Kupën e Botës në vitin 1958 të mbajtur në Suedi, lojtari më i ri ndonjëherë në këtë turne. Ai u largua nga fusha mbi supet e bashkëlojtarëve të tij pasi shëndoi dy gola në fitoren 5-2 të Brazilit në finale kundër vendit që e organizoi kampionatin.

Në total, Pele luajti 114 ndeshje me Brazilin, duke shënuar një rekord prej 95 golash, përfshirë 77 në ndeshje zyrtare.

Me Brazilin ai fitoi Kupën e Botës edhe më 1962 dhe më 1970.

 

NDIKIMI QË PELE KISHTE NË BOTË

Ndikimi i Peles ishte aq i madh saqë në vitin 1967 fraksionet e një lufte civile në Nigeri u pajtuan për një armëpushim të shkurtër në mënyrë që ai të mund të luante një ndeshje përgatitore atje.

Më 1997 ai mori titullin e kalorësit nga Mretëresha Elizabeta II e Britanisë.

Në vizitën e tij në Uashington, në kuadër të përpjekjeve të tij për ta popullarizuar futbollin edhe në Amerikën e Veriut, Pele u prit nga presidenti amerikan Ronald Reagan.

“Emri im është Ronald Reagan, jam president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, i tha presidenti zotit Pele, “por ju nuk keni nevojë të prezantoheshin sepse të gjithë e dinë se cili jeni”, shtoi ai.

Pele i dha fund karrierës së tij më 1 tetor të vitit 1977.

Pas futbollit jeta e Peles mori drejtime të ndryshme. Ai shërbeu si ministër sporti në Brazil dhe ishte një biznesmen i pasur dhe ambasador i UNESCO-s dhe Kombeve të Bashkuara.

Atij iu dhanë role në filma, telenovela dhe madje Pele kompozoi e regjistroi këngë të muzikës popullore braziliane.

Protestë para ambasadës serbe Shkup

protesta“KOPJA E SHËMTUAR E PUTINIT PO PËRDOR METODAT E NJËJTA NË MITROVICË”
Dolën për të protestuar kundër barrikadave dhe veprimeve të serbeve në veri të motivuara nga Vuçiçi, e u ndeshën me të njëjtën dukuri.

Barrikada në dy anët e rrugës, të cilat krijojnë tamponë zonë në 50 metra prej ambasadës serbe. E në vend se të protestojnë para ambasadës, protestuan në afërsi të rezidencës së ambasadores amerikane, mirëpo mesazhet ishin të drejtuara për Vuçiqin.

”Diktatorët janë në gjendje të nisin edhe lufta vetëm për të qëndruar në pushtet dhe për të mos u dënuar. Janë mijëra shembuj të tillë që i njeh historia. A nuk jemi dëshmitarë të një lufte neo-kolonialiste në Ukrainë, ku Rusia dëshiron ta grabis atdheun e ukrainasve. A nuk i përdori vallë mentori i Vuçiqit, Putin, klerin që e bekon çdo mjet ushtarak që niset në luftë bashkë me rusët ukrainas, si mish për top në luftën që është duke u zhvilluar atje. Edhe kjo kopja e shëmtuar ballkanike e Putinit është duke shkuar hapave të tij. Edhe ky, serbet e Kosovës i përdor si vegël për të qëndruar në pushtet në një kohë kur opozita serbe është më e zëshme dhe më e fortë nga dita në ditë” – deklaroi Shpëtim Pollozhani, shoqata e të burgosurve politik.

Këtë protestë e përkrahën edhe disa parti politike, e ishte prezent edhe një deputet. Protesta u mbyll pa incidente.

 

klan

“Pakoja e madhe”, 71 mijë persona me aftësi të kufizuar do të përfitojnë nga 8 mijë lekë

pako71 mijë persona me aftësi të kufizuar do të përfitojë 8000 lekë të reja, si pjesë e “pakos së madhe” të qeverisë për përballimin e krizës nga inflacioni.

Lajmin e ka bërë me dije kryeministri Rama i cili shkruan se ndihma do të lehtësojnë maksimalisht impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë të kësaj shtrese në muajt e mbetur të dimrit.

“8000Lekë (të reja) për çdo person me aftësi të kufizuar, do të lehtësojnë maksimalisht impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë të kësaj shtrese në muajt e mbetur të dimrit, ku falë edhe subvencionimit masiv të çmimit të energjisë që do të vazhdojë përgjatë vitit 2023, mburoja financiare e qeverisë për familjet shqiptare e bën shumë më të përballueshëm këtë dimër të vështirë ekonomik për mbarë Europën”- shkruan Rama.

Po ashtu, pensionistët do të marrin nga 8.000 lekë, pagat në shtet nën 60 mijë lekë do të marrin 20.000 lekë dhe pagat mbi 60 mijë lekë marrin 10.000 lekë.

Top Channel

Largohet barrikada e fundit në fshatin Zupç të Zubin Potokut

barikada rtkSot është larguar barrikada e fundit në fshatin Zupc të Zubin Potokut që lidhë pikë kalimin kufitar në Bërnjak.

 

Për largimin e barrikadave dje ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “Barrikadat po hiqen, të dielën e thamë që është çështje ditësh është kur do të largohen, edhe më mirë që kjo do të bëhet pa ndërhyrjen e Policisë sonë. Vet i vunë barrikadat, vet i hoqën ato, me fjalë të tjera janë lodhur ata të cilët e bllokuan veten”, tha ai.

rtk

Gërvalla: Serbia shkakton konflikte artificiale,s`ka forcë që na shantazhon

GervallaZv.kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz e ftuar në emisionin ”Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, duke komentuar tensionet e krijuara në veri, deklaroi se Serbia nuk e ka dëshirën e mirë për t’i zgjidhur çështjet me dialog.

 

Sipas zv.kryeministres Gërvalla, Serbia shkakton konflikte artificiale, sikurse ishte çështja e targave, dhe i çon më pas në konflikte reale, ashtu sikurse ndodhi me barrikadat në veri të Kosovës.

Gërvalla theksoi se nuk ka forcë që e shantazhin Kosovën, ndërsa shprehu bindjen se beteja e ardhshme do ketë si rezultat përmirësimin e marrëdhënieve mes vendeve të rajonit. Për Gërvallën, dialogu Kosovë-Serbi nuk ecën përpara pa njohjen reciproke.

“Raportet me Serbinë t’i ndërtojmë mbi baza parimore. Serbia nuk ka konsensus t’i zgjidhë me dialog, përveç njohjes së ndërsjelltë që do i hapte rrugë rajonit për një bashkëpunim më të thellë mes shteteve tona. Serbia shkakton konflikte artificiale, siç ishte konflikti rreth targave, dhe i çon në konflikte reale, sikurse janë barrikadat. Nuk ka forcë që e shantazhon Kosovën. E dimë që s’është e lehtë, por është betejë që do të ketë si rezultat që marrëdhëniet mes rajonit të jenë më të mira se në 2021″, ka theksuar Gërvalla.

Ajo tutje ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, duke thënë se një asociacion i tillë ka vdekur.

“Ka pasur një marrëveshje në 2013 që u korrigjua në 2015. Asociacioni ka vdekur kur Gjykata Kushtetuese ka thënë se bie ndesh me 23 nene. Nuk është legjitime për qeverinë tonë që të ofrojnë koncepte që bien ndesh me Kushtetutën e vendit. Kryeministri Kurti ka paraqitur në Bruksel një plan me 6 pika, një prej të cilave ka të bëjë me pakicat kombëtare. Do donim që në të gjithë vendete rajonit tu siguronin qytetarëve të pakicave sikurse ua mundësojmë ne në Kosovë. Asociacioni nuk mund të ndodhë në Kosovë por do ulemi të bisedojmë për zgjidhje për pakicat e komunitetit”, ka shtuar Gërvalla.

Pranimi i Kosovës si aktor i barabartë në skenën ndërkombëtare, është një prej sfidave të reja. Gërvalla theksoi se, një prej fokuseve kryesore është njohja e Kosovës nga shtetet që nuk e njohin.

“2022 shënon kthesë në politikën e jashtme dhe të brendshme. Zgjedhjet e 2021, ku doli një strukturë politike e qëndrueshme, me vullnet, ndërsa 2022 shënon kthesën për të dalë nga status quo-ja, Kosova të pranojë që s’është aktor i barabartë në skenën ndërkombëtare, këtë duam ta ndryshojmë. Mos aftësia e Serbisë për të mos pranuar realitetet në Ballkan. Do vazhdojmë punën me intensitet për anëtarësimin në organizata të reja ndërkombëtare, njohja nga shtete që s’e ka njohur Kosovën. Hapa që kërkojnë përkushtim, guxim dhe koordinim me aktorët ndërkombëtarë”, ka nënvizuar Gërvalla.

rtk

Bühler: Perëndimi e ka toleruar tepër gjatë retorikën luftarake serbe, por edhe qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes

ish komandanti i KFOR Erhard BühlerTepër gjatë është toleruar retorika luftarake nga Beogradi, por edhe qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes me çështje si targat. Kërkohet pajtimi mes popujve, thotë ish-komandanti i KFOR-it, Erhard Bühler.

 

Deutsche Welle: Zoti gjeneral Bühler, si e shihni situatën e fundit në veri të Kosovës? Sa e rrezikshme është kjo gjendje?

Erhard Bühler: Besoj se masat që ka shpallur tani Serbia, gatishmëria për largimin e barrikadave, janë masat e duhura. Besoj se situata ka qenë e rrezikshme deri më tani, sepse gjithmonë ekziston rreziku që në një situatë të tillë të ketë përshkallëzime. Më duket e padurueshme që në Evropën e sotme udhëheqja serbe të ketë urdhëruar ushtrinë të shkojë në kufi, ku është krijuar një kërcënim potencial. Është e padurueshme që udhëheqja e Beogradit të shprehet me këtë retorikë luftarake, jo vetëm sot, por edhe muajt e kaluar. Në anën tjetër, nuk mendoj se është e mençur as që qeveria e Kosovës të insistojë në këto detaje, si targat. Ju e dini se si është pritur kjo në Evropë. Kjo është një pikë kaq e parëndësishme, kur dihet se vëmendja e Evropës aktualisht është e përqendruar në Ballkanin Perëndimor. Ka shumë simpati për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Evropë, hapat e parë janë aty, më në fund po vjen edhe liberalizimi i vizave për Kosovën, kështu është thënë të paktën, ndërsa tani grindemi rreth targave. Zoti im, çfarë është kjo? Kjo është e pamundur.

 

DW: Tensionet e fundit në thelb kanë treguar se sa e brishtë është situata në veri të vendit. Ju vetë keni qenë për një kohë të gjatë në Ballkan, keni qenë edhe komandant i trupave të KFOR-it. A është KFOR-i në gjendje t’u përgjigjet të gjitha këtyre sfidave? 

Bühler: Besoj se po, mund t’u përgjigjet. Kosova është në fakt në një pozitë të mirë, sepse atje ka të stacionuara trupat e NATO-s. Mendoj se nuk ka nevojë të shqetësohemi, se ky konflikt me të vërtetë do të përshkallëzojë. KFOR-i është në gjendje t’i kryejë detyrat e veta dhe do t’i kryejë detyrat e tij, edhe pse sot është me numër më të vogël sesa në kohën time kur isha komandant. Megjithatë, ekzistojnë planet e nevojshme për t’i mundësuar KFOR-it të kryejë detyrat e tij në çdo kohë. Nuk duhet të shqetësohemi për këtë. Këtu bëhet fjalë më shumë për imazhin e Ballkanit Perëndimor. Më shqetëson më shumë pyetja: A ia  vlen të zbatohet shteti ligjor kur bëhet fjalë për targat, nëse rrezikohet përshkallëzimi i situatës? Kjo më shqetëson.

 

DW: Po si duhet të kuptohet pra deklarata e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili thotë se serbët në Kosovë do të mbrohen edhe me masa ushtarake dhe policore, nëse rrezikohen. Edhe ju e keni parë se presidenti Vuçiq ka urdhëruar ngritjen e gjendjes luftarake dhe ka dërguar trupat afër kufirit me Kosovën?

Bühler: Po, e kam parë dhe sapo e thash, se e dënoj faktin që në Kosovë po merren masa që synojnë patjetër vendosjen e shtetit të së drejtës, kur në anën tjetër kemi kërcënime ushtarake. Kjo nuk është një Evropë siç e imagjinoj unë. Kështu nuk sillet një qeveri që synon t’i përkasë Europës. Por në anën tjetër, sundimi i ligjit nuk duhet të zbatohet me të gjitha mjetet, kur bëhet fjalë për targat. Duhet të merret parasysh fakti se një situatë si kjo mund të përshkallëzojë pa dashje në çdo kohë.

 

DW: Çfarë duhet të bëjë bashkësia ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes, sepse as kështu nuk mund të vazhdohet përgjithmonë? Serbët e Kosovës kanë paralajmëruar se do t’i bllokojnë rrugët përgjithmonë në veri për institucionet e Kosovës, nëse nuk plotësohen kushtet e tyre? 

Bühler: Po, mendoj se bashkësia ndërkombëtare e ka duruar tepër gjatë retorikën luftarake nga Serbia. Por këto situata po i shkakton edhe papajtueshmëria  e Prishtinës. Shumë më shumë duhet të fokusohemi tek pajtimi mes popujve. Mendoj se këtë e presin njerëzit. Kështu i kuptoj unë qytetarët në Kosovë, por edhe ata në Serbi. Të dy qeveritë janë pjesërisht fajtorë për këtë përshkallëzim, i cili, për fat të keq, është përkrahur edhe nga disa shtete mbështetëse të Kosovës. Unë edhe më parë e kam thënë se shteti ligjor nuk mund të zbatohet pavarësisht çmimit që duhet paguar. Gjithmonë duhet parë se cili është çmimi i një çështje, e duhet të shikohen edhe zhvillimet e përgjithshme në Evropë. Kosova është në pozitë të mirë. Kosova është e pavarur. Pothuajse askush nuk e vë në dyshim këtë, të paktën jo nga qeveritë përgjegjëse, as nga shtetet e mëdha mbështetëse. Kosova ka një fuqi mbrojtëse të stacionuar atje, ka KFOR-in. Ekzistojnë edhe planet përkatëse për mbrojtje në sirtar. Kështu që askush nuk duhet të shqetësohet për këtë. Por duhet të shqetësohemi nëse dikush do t’i zbatojë ca gjëra shumë shpejt, ndonëse ato kaherë janë dakorduar. Problemi i targave nuk është një problem i kahershëm, por kjo nuk është një çështje që duhet të luajë një rol dominues në situatën e përgjithshme në të cilën ndodhet sot Ballkani Perëndimor.

 

DW: Zoti Bühler, kohët e fundit janë dëgjuar kërcënime të drejtpërdrejta nga pala serbe, por edhe qeveria e Kosovës ka paralajmëruar KFOR-in, që nëse ata nuk i heqin barrikadat, do t’i heqin institucionet e Kosovës. Si i shihni ju këto kërcënime nga njëra anë me mobilizimin e trupave, e nga ana tjetër me heqjen e dhunshme të barrikadave?

Bühler: Të dyja palët duhet të çarmatosen verbalisht, sepse kërcënimet e të dy palëve janë të gabuara. Unë do të mbështetesha në forcën mbrojtëse të KFOR-it atje. KFOR-i i ka mjetet e duhura. Por sigurisht që edhe palët duhet të jenë aq të zgjuara sa situata të mos përshkallëzojë pa nevojë, dhe të ketë ndonjë përdorim të padëshiruar të armëve. Të dyja palët duhet të jenë të përgjegjshme. Ne kemi lejuar tepër gjatë retorikën luftarake të qeverisë serbe. Por në anën tjetër disa shtete perëndimore kanë mbështetur edhe çështjet si ajo e targave, pavarësisht çmimit dhe efekteve anësore të mundshme. Qeveritë duhet të fokusohen tek problemet madhore dhe jo tek këto probleme relativisht të vogla. Të dyja qeverisë, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, kanë sfida të tjera më të mëdha brenda vendit. Nëse e shikojmë gjendjen në Kosovë, ajo duhet të merret shumë më shumë me çështjet si arsimi, shëndetësia etjerë. Këtu duhet të të jetë fokusi i angazhimit.

 

DW: Po zoti gjeneral, por pa gjidhjen definitive të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ketë as paqë të qëndrueshme. Çfarë do të rekomandonit ju, si mund të arrihet zgjidhja përfundimtare? Po pyes, sepse edhe bashkësia ndërkombëtare ka qenë shpesh e paqartë, sa i përket kërkesave dhe vizionit për zgjidhjen përfundimtare.

Bühler: Këtë çështjen e dytë nuk dua ta gjykoj fare. Sa i përket pjesës së parë, mendoj se ne jemi marrë tepër gjatë me detaje anësore, me detajet teknike të bashkëpunimit. Ato me siguri që janë të rëndësishme, por edhe më i rëndësishëm është pajtimi mes Serbisë dhe Kosovës. E për këtë pajtim gjithmonë ka dy palë. Në veçanti përgjegjësia e madhe është në anën e palës serbe, ku në pushtet janë politikanë të cilët kanë pasur përgjegjësi në kohën e Millosheviqit. Por edhe politikanët në Kosovë duhet të punojnë drejt qetësimit të siutatës dhe pajtimit mes popujve. E këtë synim duhe ta kenë edhe politikanët evropianë. Kur të kuptohet kjo, atëherë është më lehtë të arrihen edhe detajet teknike. Pra ne kemi nevojë për pajtim mes popujve në Ballkanin Perëndimor. E pastaj sigurisht që duhet të arrihen dhe zbatohen edhe marrëveshjet për detajet teknike, pa dyshim.

 

DW: Megjithatë, pajtimi dhe detajet teknike nuk mund të arrihen pa një zgjidhje të përbashkët për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Bühler: Ashtu është, sigurisht. Por marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të trajtohen edhe në frymën e planit të përgatitur nga Franca dhe Gjermania, që ka për bazë gjendjen në Gjermani në vitet 1970 dhe 1980. Kjo është rruga e duhur. Kjo është në të vërtetë pjesë e kontekstit të përgjithshëm të krijuar së fundi, ku Ballkani Perëndimor po merr shumë më tepër vëmendje sesa dikur. Por nuk duhet të teprohet tani me çështje relativisht të vogla, se çfarë targash do të ketë një makinë, e që shkakton pastaj një problem të madh, siç është vendosja e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit, e më pas edhe pala kosovare kërcënon se do të zbatojë gjërat me dhunë. Për këto gjëra nuk ka mirëkuptim askush në Evropë. Ndaj mendoj se gjithmonë duhet të kihet parasysh se cilat mund të jenë pasojat e veprimeve në nivelin lokal në ate global në Evropë, sepse vareni nga mbështetja e saj.

dw

Kosovë: Shtyhet përshkallëzimi, por çfarë do të ndodhë në vitin 2023?

Barrikadë në MitrovicëBarrikadat do të hiqen, por tensioni dhe mosbesimi mes palëve mbeten. Kështu mbyllet ky vit në Kosovë. DW pyeti analistë në Prishtinë dhe Beograd nëse mund të ketë ndonjë përparim në dialog në vitin 2023.

 

Drejtori i Qendrës së Beogradit për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri (Fondi ISAC), Igor Novakoviq, nuk është optimist sikurse  është ndërmjetësuesi evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, se një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës mund të arrihet vitin e ardhshëm. “Ata kanë bërë një propozim franko-gjerman që u mor nga Bashkimi Evropian, por për të arritur diçka kërkohet një angazhim shumë më i madh i BE-së në terren. Për vite me radhë ata nuk e shihnin veten si një aktor kyç gjeopolitik, por një aktor që duhet të angazhohej”, thotë ai.

E re, sipas Novakoviqit, është deklarata e të dërguarit të posaçëm amerikan për dialog, Gabriel Escobar, i cili njoftoi se SHBA-ja do të marrë përsipër formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe se, me ose pa qeverinë e Kosovës, do të bëjë një propozim se si duhet të duket ajo. “Escobar tha se ata planifikojnë të fillojnë bisedimet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në prill dhe kjo tregon se afatet janë shumë fleksibël,” thotë Novakoviq.

Në të njëjtën kohë, ai rikujton se marrëveshja e vitit 2013 është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës: “Ratifikimi do të thotë se këto dispozita janë bërë pjesë e sistemit juridik të Kosovës dhe se kanë fuqi më të fortë se ligjet vendore”. Me fjalë të tjera, ekzistojnë të gjitha parakushtet, pavarësisht nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të caktuara. Problemi këtu, megjithatë, është se elita politike në Prishtinë e ka demonizuar këtë bashkësi aq shumë sa që ata thjesht nuk mund të tërhiqen. Ajo që kam frikë është se procesi amerikan rreth Asociacionit nuk do të zbatohet në terren”, thotë Novakoviq.

 

“Merre ose lëre”

Visar Ymeri, drejtor i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, ka mendim pak më ndryshe. Ai e sheh krizën aktuale, e cila është në prag të konfliktit, si një hyrje në vendimin për formimin e Asociacionit: “Unë mendoj se kjo situatë në veri është e dobishme për të dy liderët për t’ia afruar idenë e kompromisit popujve të tyre”. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tashmë ka filluar të flasë për “dy rrugë – ose luftë ose dialog”. Diçka e ngjashme dëgjohet në Prishtinë – Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe ose luftë”, thotë Ymeri.

Mesazhin e Escobarit, Ymeri e sheh kështu: Kurti “ose do të fillojë të formojë bashkësinë e komunave me shumicë serbe brenda një periudhe të caktuar, ose do të detyrohet të mendojë se si të largohet nga pushteti”. Ekziston edhe një mundësi e tretë – të marrësh një dokument, siç është rasti me planin franko-gjerman, i cili do të jetë korniza se si do të duket dhe duhet të funksionojë bashkësia. Ky dokument do të vijë sërish nga një vend ndërkombëtar dhe do të na paraqitet si një dokument ‘merre ose lëre’. “Nëse fillon ky proces, formimi i bashkësisë nuk do të duhet domosdoshmërisht të përfundojë, por do të mjaftojë që të hapet dera për të folur për pjesën e dytë të planit të BE-së, për të cilën Vuçiq heziton shumë ta negociojë”, tha Ymeri për DW.

Mirëpo, Novakoviq e sheh vijën e kuqe të Beogradit pikërisht në një skenar të tillë: “Ajo ku unë mendoj se Beogradi nuk do të dorëzohet është çështja e formimit të Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”. Nuk do të flitet për negociata të reja derisa nuk përmbushet ajo që tashmë është rënë dakord”.

Ymeri e sheh shkakun e krizës së fundit dhe barrikadave në veri në konfliktin mes këtyre dy koncepteve të ndryshme: Fillimisht themelimi i Asociacionit e pastaj negociatat, ose arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse që nënkupton edhe themelimin e Asociacionit.

 

Deri tani kemi “luajtur shah”

Formimi i Asociacionit është një prej kushteve të serbëve që të kthehen në institucionet e Kosovës, ndërsa kushti për heqjen e barrikadave ishte tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu dhe lirimi i tre serbëve të arrestuar. Të mërkurën u lirua në arrest shtëpie njëri nga të arrestuarit, ish-polici Dejan Pantiq. Lirimi i tij, së bashku me garancitë e Kosovës që i janë dhënë BE-së dhe SHBA-së, se nuk do të ketë arrestime për shkak të pjesëmarrjes në bllokadën e rrugëve dhe në protesta, kanë mjaftuar që pala serbe të pranojë heqjen e barrikadave në ditët në vijim.

Dy ish-policë të Kosovës u akuzuan për cenim të rendit kushtetues, tentativë për vrasje, terrorizëm dhe krime lufte. Besueshmëria e këtyre akuzave vihet në pikëpyetje nga serbët e Kosovës, sikur edhe listat e personave të cilët dyshohen për krime lufte, ose për krim të organizuar, ku përfshihen disa qindra serbë. Serbët janë të frustruar edhe me praninë disamujore të forcave speciale shqiptare të armatosura rëndë në zonat me shumicë serbe, si dhe me pesë bazat policore të ndërtuara në Leposaviq dhe Zubin Potok.

Tërheqja e këtyre forcave duket se nuk është diskutuar në negociatat e javëve të fundit. Por në një takim me serbët e Kosovës në Rashkë të mërkurën (28.12), Vuçiq ka premtuar se do të angazhohet që situata me policinë speciale të kthehet në periudhën e shkurtit të vitit 2022, kur u intensifikua prania e tyre.

Megjithatë, kalimi prej muajsh nga një krizë në tjetrën në veri të Kosovës çon në përfundimin se përshkallëzimi i plotë i gjendjes vetëm është shtyrë, por nuk është shmangur në tërësi. “Nëse vazhdojnë persekutimet e Kurtit, do të ngrihen barrikada të reja dhe do të mbyllim përgjithmonë veriun për institucionet e Prishtinës”, thonë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Ndërsa Visar Ymeri tha për DW se nuk e përjashton vullnetin politik të banorëve në veri, por ai megjithatë beson se “tensionimi në veri ishte i orkestruar dhe i kontrolluar”. “Mund të mos jetë rezultat i ndonjë marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës, por secila palë i ka kontrbuar kësaj gjendje. Kjo nuk garanton që situata nuk do të përshkallëzojë prapë, por deri tani kjo duket si një lojë shahu. Të dyja palët ripozicionohen përpara se të vazhdojnë dialogun. Kurti u përpoq të tregojë se mund të arrijë sovranitetin dhe të vendosë sundimin e ligjit duke përdorur forcat policore të Kosovës, ndërsa Vuçiq thotë se në të vërtetë është ai që kontrollon veriun”.

 

A do të jetë dhe viti 2023 “vit stanjacioni”?

Dinamika e re e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u kushtëzua nga pushtimi rus në Ukrainë, thekson Ymeri. Marrëveshja e parë për normalizim u quajt kështu, sepse dihej se do të kishte edhe një marrëveshje të dytë, shpjegon ai. Megjithatë, Ymeri mendon se lufta në Ukrainë ka ndikuar që fuqitë perëndimore, veçanërisht BE-ja, por deri diku edhe SHBA-ja, të humbasin vullnetin për të pritur që palët të arrijnë një marrëveshje vetë. Në vend të kësaj, beson ai, ata do të propozojnë marrëveshje që mund të pranohen nga të dyja palët: “Kështu bisedimet u quajtën dialog, sepse pritej që palët të arrinin një marrëveshje mes vete.

Deri tani marrëveshjet kanë pasur këtë natyrë, edhe pse janë arritur me ndërmjetësim. Por tani që po ndryshon gjendja, parimi do të jetë – ky është një dokument, të dyja palët pajtohen, kjo është ajo që ju kërkuat. Po kalojmë nga dialogu në stilin e negociatave ku marrim dokumente të gatshme dhe na kërkohet që t’i pranojmë, me mundësinë që të ketë disa kundërshtime të vogla”, thotë Ymeri për DW.

 

Novakoviq pret që Serbia t’i përgjigjet pozitivisht një ftese për bisedime: “Vuçiq dhe Daçiq thanë se sigurisht që nuk e duan Kosovën në OKB dhe se çështje të tjera mund të negociohen”. Ajo që unë sigurisht pres është që Serbia të mos refuzojë ftesën për bisedime. Ata nuk do ta refuzojnë ftesën dhe do të jenë të gatshëm për një lloj kompromisi”.

Ajo që Novakoviq nuk pret është realizimi i kërkesave të disa partive opozitare në Serbi për kalimin e dialogut nga BE në OKB. “Dialogu nuk do të kthehet në Kombet e Bashkuara. Bashkimi Evropian, pra Brukseli, do të mbetet vendi ku do të takohen të dyja palët”, thotë ai.

E megjithatë, Novakoviq nuk parashikon ndonjë sukses të madh, për shkak të rezistencës ndaj formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. “Më duket se 2023 do të jetë përsëri një vit stanjacioni”, mendon ai. Novakoviq nuk e përjashton as mundësinë e një lloj konflikti të kufizuar, i cili është shumë i mundshëm, sepse vetë liderët nga të dyja palët sigurisht që nuk mund ta kontrollojnë situatën në çdo kuptim dhe në çdo vend. “Ky është një skenar i mundshëm. Ndërsa BE, pa një ofertë më të fortë, më konkrete për të dyja palët, dhe pa investime në resurse dhe njerëz, nuk mund të presë ndonjë sukses më të madh”, pohon Novakoviq.

 

Milica Andriç Rakiç/dw

Shtypi: “Bilanci i krizës së inskenuar Serbi-Kosovë është fatal”

shtypi gjermanMedia gjermanishtfolëse vazhdon të fokusohet tek zhvillimet në Kosovë megjithë heqjen e barrikadave: Hapa të parë drejt uljes së tensioneve, por skepticizmi mbetet dhe konflikti nuk zgjidhet.

 

Gazeta “Neue Zürcher Zeitung” nën titullin “Në grindjen për barrikadat raundi i parë shkon për Beogradin, por Serbia nuk duhet të gëzohet shpejt”, shkruan se perëndimi e detyroi Kosovën t’i përgjigjet pakicës serbe. Por aq më shumë rritet presioni ndaj Beogradit të njohë Kosovën. “Heqja e barrikadave shenjon një ditë të mirë për popullin serb, sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Pala kundërshtare u detyrua të pranojë kërkesat. Por ky është një lexim dritëshkurtër, nëse e shikon konfliktin me pak distancë.

Vërtet që ndërmjetësuesit perëndimorë e vendosën nën presion të madh palën kosovare. Këtë e tregon edhe një deklaratë e përbashkët e SHBA dhe BE që përmban pika të tilla:

-Prishtina garanton që nuk do të ketë lista sekrete të arrestimeve për serbët e Kosovës.[…]

-Misioni i BE, Eulex kujdeset që ndjekja penale e pakicave (lexo-e serbëve) të jetë korrekte dhe e drejtë.

-BE dhe SHBA këmbëngulin që detyrimet e palëve nga ujdi të mëparshme të zbatohen pa vonesë. Me këtë nënkuptohet Asociacioni i Komunave Serbe, pjesërisht autonom, që Prishtina e refuzon.

[…]

Shumë vëzhgues e kritikojnë politikën e perëndimit kundrejt Serbisë si zbutëse. Dhe në të vërtetë, mundet, ashtu si bën Vuçiqi, që përfundimin e raundit të parë të krizës së fundit ta shohësh si sukses të Beogradit. Por së shpejti fillojnë negociatat serioze, ku bëhet fjalë për marrëdhënien afatgjatë mes Beogradit dhe Prishtinës. Dhe këtu serbët nuk i kanë kartat e mira në dorë krahasuar me kosovarët. Në tryezë qëndron një propozim, që nga Serbia të paktën kërkon njohjen faktike të shtetësisë së Kosovës.”

Ndërsa gazeta austriake “Der Standard” shkruan nën titullin “Konflikti mes Kosovës dhe Serbisë. Keq për për shtetin ligjor”, se përmes mënyrës se si u zgjidh konflikti nga BE, e mira më e rëndësishme e demokracive perëndimore, shteti ligjor u bë i negociueshëm. “Është veçanërisht irrituese, që BE dhe NATO i pranuan kushtet e aktivistëve militantë, që janë nën kontrollin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe nuk kanë mandat. […]Bilanci i krizës së inskenuar Serbi-Kosovë është fatal: Kosova nuk mund të kujdeset që të gjithë pronarët e automjeteve të përdorin targat e parapara, dhe nuk mund të mbajë në kohën e duhur zgjedhje. Njerëz, që ilegalisht, bllokojnë trafikun nuk mund të nxirren para përgjegjësisë, dhe policia e vendit nuk mund të zbatojë monopolin e pushtetit.”

Kurse gazeta gjermane “Ludwigsburger Kreiszeitung” shkruan se heqja e barrikadave nuk e zgjidh konfliktin. “Kosova mbetet një fuçi baruti, fitili i së cilës shkurtohet gjithnjë e më shumë. Aktualisht është influenca e Rusisë një problem. Asgjë nuk e gëzon më shumë presidentin rus, Vladimir Putin më shumë se të destabilizojë BE. E me krahun e zgjatur të Moskës në Beograd nuk ka për të pasur një zgjidhje në plan afatshkurtër të çështjes së Kosovës.

Kurse “tagesschau” në analizën e saj me titull “Barrikadat hiqen, skepticizmi mbetet” shkruan për hapa të parë në drejtim të uljes së tensioneve, dhe se pika më e rëndësishme kufitare është hapur, por greva e policëve serbë vazhdon. Presidenti serb kur dha lajmin e heqjes së barrikadave, nuk e bëri këtë pa dramatizimin e tij karakteristik, shkruan “tagesschau”. “Jam prej më shumë se 10 vjetësh në qeveri. Kam pasur shumë momente të vështira, ku mund të shkruaja libra”,…”po këtu kisha negociata të vështira. […]”Përfaqësues të serbëve të Kosovës hoqën barrikadat, por ata tregohen edhe më tej skeptikë. Aleksandar Filipovic, një nga policët serbë në grevë dhe ish-kreu i policisë operative në veri tha se “nëse i heqim barrikadat, ata do të ndjekin si lepuj”, shkruan “tagesschau”.

la/ag

Serbët hoqën barrikadat në veri të Kosovës

barikadaHeqja e barrikadave nga veriu i Kosovës u përshëndet nga kreu i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. “Diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës”, tha Borrell.

 

Janë larguar barrikadat në  veriun e Kosovës të vendosura nga serbët lokalë, që për 19 ditë mbajtën të mbyllura rrugët kryesore të kësaj pjesë të banuar me shumicë serbe. Barrikadat u larguan nga vet serbët lokal gjatë pasdites dhe natës të së enjtes, ashtu siç paralajmëroi Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, i cili tha se ka marrë garanci nga SHBA-ja dhe BE-ja që askush nga barrikaduesit nuk do të ndiqet penalisht. Njerëz me maska u panë gjatë tërheqjes së mjeteve të rënda që bllokonin rrugët e veriut, ndërsa, tërheqja e barrikadave  monitorohej nga pjesëtarë të forcave paqeruajtëse dhe të misionit EULEX. Gjatë natës, disa kamionë, me të cilët ishte bllokuar rruga kryesore në Mitrovicë të Veriut, u dogjën dhe sipas policisë përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar.

 

Rihapet pika kufitare Merdare

Policia e Kosovës njoftoi se është rihapur vendkalimi kufitar me Serbinë në Merdare, dy ditë pas bllokimit të tij nga një grup serbësh në territorin e Serbisë, si shenjë “mbështetjeje për serbët në veriun e Kosovës”. Dy pikat e tjera kufitare me Serbinë Jarinje dhe Bërnjak, akoma mbesin të mbyllura ndonëse rrugët tashmë janë liruar nga Barrikadat.

Autoritetet e Prishtinës për vendosjen e barrikadave fajësuan “bandat kriminale” që kanë mbështetjen e Serbisë. “Barrikadat po hiqen. Të dielën e thamë që është çështje ditësh kur do të largohen ato. Edhe më mirë që kjo të bëhet pa ndërhyrjen e policisë sonë. Vetë i vunë barrikadat, vetë i hoqën ato. Me fjalë të tjera, krejt kot janë lodhur ata të cilët e bllokuan veten”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

 

BE vlerëson diplomacinë dhe pret zgjidhje për dialogun në vitin 2023

Heqjen e barrikadave e përshëndeti edhe kreu i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili tha se “diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës”. “Dhuna nuk mund të jetë kurrë një zgjidhje”, shkroi Borrell në Twitter duke shtuar se “tani kemi nevojë për përparim urgjent në dialog”. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dy ditë më parë thanë se “janë duke punuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike që të ulen tensionet në veri të Kosovës”.

I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ndërkaq, tha se “mosbesimi në mes të Kosovës dhe Serbisë ka mbërritur nivelin më të lartë ndonjëherë, pas tensioneve të fundit në veri të Kosovës”. Sipas tij po qe se dialogu nuk përmbyllet në vitin 2023, “atëherë, duhet nisur gjithçka nga e para”. “Ajo që ka rëndësi shumë të madhe tani është të mos lejojmë që situata të kthehet në ndonjë krizë tjetër dhe është e rëndësishme që liderët e Kosovës dhe Serbisë të nisin të krijojnë atmosferë të favorshme për diskutime produktive për normalizim raportesh”, tha Lajçak për gazetën Politico. Sipas tij, aktualisht është koha ideale për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi dhe nëse humb ky rast, mosmarrëveshja mund të zgjasë me dekada. “Tani për tani, kemi strukturë shumë të favorshme: Kemi vëmendjen e top-lidershipit në SHBA dhe BE, dhe kemi bashkëpunim të shkëlqyer BE-SHBA, prandaj kjo është dritare e vërtetë e mundësisë, diku deri në dhjetor 2023 ose fillim 2024”, ka thënë Lajçak, transmeton Politico. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga ana e tij tha se “ka vetëm një zgjidhje paqësore dhe demokratike për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e kjo është njohja e ndërsjellë”.

dw

Çmimi i rrymës, ulje te blloktarifa 1 dhe 2

largpercuesitNga 1 janari energjia elektrike do të faturohen pak më e lirë për amvisëritë dhe kompanitë e vogla. Për familjet që kursejnë, çmimi i rrymës për bllokun I ulet me 4,11% dhe për bllokun II me 2,95%.

 

Rritje çmimesh do të ketë për bllokun e III-të me 0,85% dhe për bllokun e IV për 7,65% të konsumatorëve. Kështu vendosi sot Komisioni Rregullator për Energjetikë. Nga atje thonë se këto ndryshime të çmimeve synojnë që të mos ndjehen efektet e rritjes së TVSH-së për rrymën nga 5 në 10%, masë e cila u zbatua e ulur gjatë krizës energjetike në vend. Kreu i KRRE-së Bislimovski tha se inkurajojnë familjet kursimtare.

“99,2% të amvisërive ose rreth 600 mijë familje hynë në tri blloqet e para tarifore, prej të cilave 55-60% janë plotësisht në bllokun e parë, 21-22% janë në bllokun e dytë dhe e mbetura është në bllokun e tretë. Flasim për të gjitha këto amvisëri, të cilat do të kenë ulje të shpenzimeve për energjinë elektrike pa TVSH dhe për këto blloqe, rritja e tatimit mbi vlerën e shtuar e kompensojmë”, tha Marko Bislimovski, Kryetar i Komisionit Rregullator të Energjetikës.

Pra, nëse çmimi i përgjithshëm i paguar nga konsumatorët në bllokun e parë ishte 7,72 denarë për KW/h, tani do të jetë 7,41 denarë. Nëse çmimi i paguar në bllokun e dytë ishte 8,05 denarë për KW/h, tani do të jetë 7,84 denarë. Nëse çmimi i paguar në bllokun e tretë ishte 8,66 denarë për KW/h, tani do të jetë 8,74 denarë. Dhe nëse çmimi në bllokun katër ishte 17,48 denarë për KW/h, tani do të jetë 18,81 denarë. Kësaj tabele të çmimeve do të ulet kostoja e shpërndarjes së rrymës nga 3,3 denarë sa ishte në 2,68 denarë, por të njëjtës do ti shtohet tatimi mbi vlerën e shtuar nga 5% sa ishte tani do të jetë 10%.

Çmimi i rrymës sipas bllok tarifave në amvisëri VITI 2022 VITI 2023
Blloku 1 (0-210 KW/h) 7,72 denarë 7,41 denarë
Blloku 2 (210-630 KW/h) 8,05 denarë 7,84 denarë
Blloku 3 (630-1,050 KW/h) 8,66 denarë 8,74 denarë
Blloku 4 (1,050 KW/h – >) 17,48 denarë 18,81 denarë

 

Rritje të lehtë ka edhe çmimi për tarifën e lirë. Nëse një kilovat i përdorur për rrymë të lirë dikur kushtonte 3.99 tani do të kushtojë 4.00

“Ndryshimet e çmimeve në bllok-tarifat e energjisë elektrike tregojnë se është bërë ulja e shpërndarjes të rrymës, por është kthyer tatimi nga 5 në 10% për të njëjtën. Që nënkupton se, në Bllokun e parë nëse një familje ka paguar faturën prej 2,000 denarësh, tani do ketë një zbritje simbolike prej 50 denarë në muaj, apo thënë ndryshe kursejnë sa për të blerë një bukë më shum.”

Komisioni Rregullator për Energjikë ka ulur çmimin për kompanitë e vogla që janë në tregun e rregulluar për 20.15%. Ky çmim do të zbatohet për 70 mijë kompani në vend që po përballeshin me rritje të kostos së energjisë elektrike. Këto janë si për shembull dyqane të vogla, parukeri, berberë, kafene të vogla dhe kompani të ngjashme që kanë nevojë për këtë ndihmë. KRRE, ka pranuar pjesërisht kërkesat e kompanive energjetike. AD MEPSO kërkoi rritje të çmimit të transmisionit për 29,75 për qind, “EVN Shpërndarje” kërkoi ulje të shërbimit të shpërndarjes së energjisë elektrike për 2,8 për qind, ndërsa furnizuesi universal “EVN Home” kërkoi rritje të çmimit për 5% për furnizimin me energji elektrike.

alsat