Incidente në veri të Kosovës, por pa pasoja në njerëz

Policia e ksIncidentet në veri të Kosovës, ndodhën ndërsa në Prishtinë Mirosllav Lajҫak, i dorëzoi kryeministrit Kurti, tekstin e përditësuar të të ashtuquajturit “plan franko-gjerman”, për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

 

Disa incidente, shpërthime me shok bomba dhe shkrepje armësh, ndodhën pasditën e së martës në dy komuna në veri të Kosovës në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut. Këto incidente, pa pasoja në njerëz, ndodhën ndërsa zyrtarët e policisë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në këto dy komuna, në përgatitjet e tyre për zgjedhjet e parakohshme të 18 dhjetorit. Policia tha, se persona të panjohur të maskuar, demoluan edhe zyrat e komisioneve komunale në veri të Kosovës. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se “grupe të organizuara me disa individë të maskuar kanë sulmuar zyrtarët zgjedhorë dhe policët me shok bomba dhe të shtëna në ajër, me qëllim që të parandalojnë ata të kryejnë detyrat e tyre zyrtare”.

“Sulme të tilla si ky me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme. Organizimi i zgjedhjeve është detyrim kushtetues ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cënohet nga askush”, shkroi në facebook ministri Sveçla. Sipas policisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kërkuar ndihmë asaj rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, pas dorëheqjes masive muajin e shkuar të të gjithë përfaqësuesve politik serb të veriut të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se situata në veri të Kosovës përshkallëzohet, sepse sipas saj, “bandat kriminale që financohen dhe përkrahen politikisht nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë për qëllim që ta destabilizojnë tërë Kosovën”.

“Rrjedhimisht, kanë për qëllim të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe të realizojnë kështu agjendat ruso-serbe. Ne duhet të bëjmë çmos që nëpërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës, të vendosim rend dhe ligj në çdo cep të vendit tonë, por edhe të mbrojmë jetën e secilit qytetar tonin pavarësisht etnisë”, tha Presidentja Osmani gjatë një konference për media në Tiranë, pas samitit të Bashkimit Evropian dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Incidentet në veri të Kosovës, ndodhën pikërish në kohën kur në Prishtinë qëndronte i ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajҫak. Ky i fundit pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti,  tha se “zyrtarët në Bruksel janë duke punuar që takimi i radhës mes kryeministrit Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, të mbahet brenda javësh.

“Mund të kthehem sërish së shpejti për t’u siguruar që takimi Kurti-Vuçiq do të jetë i përgatitur mirë. Besojmë se nuk ka më kohë për të humbur”, tha Lajҫak. I ngarkuari i BE-së për dialogun një ditë më parë ishte edhe në Beograd ku takoi Presidentin e Serbisë Alaksandar Vuҫiq. Në dy kryeqendrat në Beograd dhe Prishtinë, Lajҫak u dorëzoi Kurtit dhe Vuҫiqit tashmë tekstin e përditësuar të të ashtuquajturit “plan franko-gjerman”, që parashikon disa hapa për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këtë e konfirmoi shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, nga Tirana gjatë Samitit të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perendimor.

“Versioni i fundit i tekstit është dërguar dje në Beograd dhe sot në Kosovë. Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen tani në një diskutim serioz, sepse, ky është një moment, ku ka një mundësi të madhe”, tha Josep Borrell. Shefi i politikës së jashtme nuk dha detaje rreth propozimit, i cili nga ajo çfarë është thënë deri tash në medie, nuk parashikon njohjen e ndërsjelltë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por marrëveshja siguron përparimin e të dyja vendeve drejt proceseve integruese. Ky plan i Bashkimit Evropian, mbështetet nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani,  tha nga Tirana se “Kosova si vendi më proevropian do të paraqesi kërkesën për anëtarësim në BE deri në fund të vitit, ndërsa nënvizoi se blloku duhet të lëvizë nga fjalët në vepra, posaçërisht kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave”, duke shfaqur shpresën se Këshilli Evropian do të votojë në favor të tij me 15 dhjetor.

dw

Reuters: Në më pak se një vit, normalizim i plotë marrëdhëniesh Kosovë-Serbi

VjosaBashkimi Evropian ka hartuar një propozim të ri për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me një afat kohor të qartë të veprimeve.

 

Kështu ka thënë të martën një diplomat i lartë i BE-së, duke folur në margjinat e samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Projektpropozimi iu dërgua të dy palëve të hënën, tha diplomati, duke folur në kushte anonimiteti. Presin që dy palët të arrijnë  një marrëveshje përfundimtare në më pak se një vit.

“Ka shumë gjëra që e bëjnë atë një hap të madh përpara në lidhje me situatën aktuale… Nuk është njohje e plotë…por është një normalizim i plotë i marrëdhënieve,” tha diplomati.

Beogradi dhe Prishtina u angazhuan në vitin 2013 për një dialog të sponsorizuar nga BE për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura, por pak përparim është bërë që nga ajo kohë. Marrëveshja me Kosovën mbetet një nga parakushtet kryesore për anëtarësimin e Serbisë në BE.

“Pasi dëgjuam të dyja palët, ne riformuluam propozimin”, tha diplomati. Propozimi përmban një aneks “me një kalendar të qartë veprimesh – kur dhe si duhet të ndodhin gjërat,” thanë ata.

 

Diplomati inkurajon Prishtinën dhe Beogradin “të vazhdojnë angazhimin e tyre konstruktiv dhe të përqëndrohen në arritjen e përparimit të pakthyeshëm në normalizim”.

Të martën në Tiranë, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq thanë se mbeten të përkushtuar ndaj një dialogu të sponsorizuar nga BE.

“Ne besojmë se dialogu që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet plotësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e vetmja rrugë përpara drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare që ka në qendër njohjen reciproke”, tha Osmani-Sadriu.

Ajo tha gjithashtu se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE deri në fund të vitit.

Serbia humbi kontrollin mbi Kosovën në vitin 1999 pas 11 javësh sulmesh ajrore të NATO-s për të ndalur vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve etnikë në një kundër-kryengritje ndaj Serbisë.

Kohët e fundit, tensionet midis Serbisë dhe Kosovës u ndezën kur autoritetet në Kosovë u zhvendosën për të zbatuar një vendim për të zëvendësuar targat e makinave të lëshuara nga Serbia në rajonet ku serbët etnikë përbëjnë shumicën, me atë të lëshuar nga autoritetet e Kosovës.

“Ne e kemi inkurajuar gjithmonë dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili duhet të zhvillohet në mirëbesim për të dyja palët,” tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

“Përderisa kjo çështje nuk zgjidhet – dhe që të zgjidhet të dyja palët duhet të bëjnë një hap prapa – do të jetë e vështirë të bëhet përparimi i nevojshëm në lidhje me përfundimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane,” tha ai.

Pesë shtete të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – janë në faza të ndryshme të procesit të hyrjes në BE.

 

(Titulli i vendosur nga RTKlive. Ai në origjinal është: BE-ja harton propozimin e ri për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, – deklaron një diplomat i lartë i BE-së)

BE-Ballkan, nga Takimi i Tiranës thirrje për përshpejtimin e procesit të integrimit

samiti tiraneUdhëheqësit Bashkimit Evropian, u mblodhën sot në Tiranë së bashku me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në një takim që u mbajt për herë të parë në një vend jo anëtar, duke dëshmuar mbështetjen e fort ndaj perspektivës evropiane të rajonit. Madje në deklaratën në fund të takimit u bë thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. Nënshkrimi i marrëveshjes për reduktimin progresiv të tarifave roaming, ishte vetëm një hap konkret, ndërsa gjatë takimit të sotëm u ritheksua mbështetja e fortë financiare për përballimin e krizës energjitike në rajon, si dhe u diskutua mbi projekte konkrete që do të ofrojnë më shumë mundësi për të rinjtë e Ballkanit për të studiuar në universitetet evropiane

 

Asnjëherë më parë udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian nuk ishin mbledhur jashtë kufijve të Unionit, siç ndodhi në takimin e sotëm në Tiranë, ku atyre ju bashkuan dhe udhëheqësit e vendeve të Ballkanit perëndimor.

Kryeministri Edi Rama përsëriti se e sheh këtë takim si “një moment historik dhe shenjë të jashtëzakonshme të një vetëdijesimi të faktit që Bashkimi Evropian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, po aq sa ky rajon ka për BE-në”.

Por nëse fjalët e tij mund të tingëllonin subjektive, për faktin se Shqipëria ishte mikpritëse e takimit, me të njëjtat terma u shpreh dhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, sipas të cilit “e ardhmja e fëmijëve tanë është me e sigurt dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor në BE”.

Agresioni rus në Ukrainë duke se ka qenë një nxitës i rëndësishëm në një qasje shumë më dinamike të Brukselit ndaj rajonit të Ballkanit. Dhe vetë pika e parë e deklaratës së takimit të sotëm nënvizon se “përshkallëzimi i luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës po vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane dhe globale dhe nënvizon rëndësinë e partneritetit strategjik midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor”. Ndërsa mbajtja e takimit në Tiranë, duket një lëvizje e qartë e BE për të dëshmuar se ky rajon i përket Unionit.

Në këtë këndvështrim deklarata vë në dukje se BE-ja i nxit partnerët e Ballkanit Perëndimor “të bëjnë progres të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përafrimit të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (PPJS) dhe të veprojnë në përputhje me të, duke përfshirë edhe me masat kufizuese të BE-së. Ne përgëzojmë ata Partnerë të Ballkanit Perëndimor që po e tregojnë tashmë angazhimin e tyre strategjik në këtë aspekt duke u përafruar plotësisht me PPJS-në e BE-së dhe inkurajojmë ata që nuk e kanë bërë ende të ndjekin shembullin e tyre”, vihet në dukje me një referencë të qartë kryesisht ndaj Serbisë e cila nuk i ka përkrahur sanksionet ndaj Rusisë.

Edhe vetë qasja deri diku e ndrojtur e Brukselit ndaj procesit të zgjerimit, me zvarritje të shumta, mund të marrë një kthesë tjetër, për sa kohë, në deklaratën përfundimtare bëhet thirrje për përshpejtim të tij, pa lënë megjithatë pas dore, plotësimin e kushteve të nevojshme. Dhe në fakt Bashkimi Evropian nënvizon nevojën për “përpjekje të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për rritjen e mbështetjes për qeverisjen e mirë, për të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe për të drejtat e personave që u përkasin pakicave”.

Por që procesi të ecë përpara, vendet e rajonit do të duhet të zgjidhin më parë mosmarrëveshjet e ndryshme mes tyre, ku çështje kyçe është normalizimi I marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. “Kjo është kritike për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar se Palët munden të vazhdojnë rrugëtimet evropiane përkatëse. Ne përsëritim pritmërinë tonë të fortë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme të respektohen plotësisht dhe të zbatohen pa vonesë. Ne i nxitim të dy Palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet dypalëshe dhe mos marrin veprime të njëanshme dhe/ose provokuese që mund të shkaktojnë tensione dhe dhunë dhe retorikë që nuk shpie drejt Dialogut. Ne u kujtojmë të dy Palëve përgjegjësinë e tyre të përbashkët për të siguruar paqen dhe stabilitetin”, thekson deklarata e Takimit të Tiranës.

Ndjeshëm, krahasuar me të kaluarën jo të largët, BE-ja po angazhohet dhe me ndihmë dhe aksione konkrete ndaj vendeve të rajonit. Sot në Tiranë u nënshkrua marrëveshja që mundëson fillimin e reduktimit gradual, deri në shuarjen e plotë të tarifave roaming, brenda vitit 2027. Ndërkohë që u ripohua mbështetja për energjinë, nga njëra anë me një paketë 500 milionë eurosh si ndihmë buxhetore për qeveritë e rajonit, dhe një tjetër paketë 500 milionë euro të tjera, për financimin e projekteve konkrete. Ndërkohë që përmes Planit ekonomik të investimeve, po vijohet me financimin e projekteve të tjera zhvillimore. “Sapo është miratuar një paketë e re me 400 milionë euro në grante nga BE-ja me vlerë investimi prej 1.2 miliardë euro, për të financuar 12 projekte investimesh, ndërkohë që projektet e miratuara po hyjnë në fazën e zbatimit”, bëhet e ditur në tekstin e Deklaratës.

 

Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, njoftuan se universitetet e rajonit do të përfshihen ne Aleancën e arsimit të lartë në Evropë, që do t’u mundësojë të rinjve të studiojnë dhe në universitetet evropiane. Zoti Rama bëri po ashtu të ditur se “diskutuam dhe morëm mbështetjen në parim, për të patur në Tiranë kampusin e Kolegjit të Europës”, i cili ka qendrën në Bryzh të Belgjikës dhe një tjetër kampus në Varshavë të Polonisë.

Gjatë takimit janë diskutuar dhe sfidat e përbashkëta, si ajo e migracionit, ku shifrat përmes së ashtuquajturës rruga e Ballkanit kanë ardhur në rritje.

“Menaxhimi i migracionit mbetet sfidë dhe përgjegjësi e përbashkët, të cilën BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do ta trajtojnë së bashku, në partneritet të ngushtë. Në dritën e trysninë së shtuar migratore në rajon, mbështetja e fortë financiare e BE-së përmes programeve të posaçme do t’u mundësojë partnerëve të forcojnë sistemet e azilit dhe të pritjes, të rritin mbrojtjen e kufirit, të luftojnë rrjetet e kontrabandës dhe grupet e krimit të organizuar dhe të shtojnë kthimet nga Ballkani Perëndimor drejt vendeve të origjinës. Në këtë perspektivë, BE-ja ka miratuar një program të ri për forcimin e menaxhimit të kufirit me vlerë 40 milionë euro dhe po përgatit një program të dytë për rritjen e kapaciteteve për luftën kundër kontrabandimit të migrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore, duke i dhënë vëmendje hetimeve dhe përndjekjes penale, me vlerë 30 milionë euro”, shpjegohet në Deklaratën e Takimit të Tiranës.

voa

BE dhe BP inkurajojnë bashkëpunimin prej luftës në Ukrainë

tirana samitiPërballë agresionit rus në Ukrainë, kërcënues i paqes dhe sigurisë botërore, BE inkurajoi bashkëpunimin gjeo-strategjik me Ballkanin Perëndimor (BP) në samitin BE-BP që u zhvillua të martën, (06.12) në Tiranë.

 

Në deklaratën e përbashkët për shtyp, në përfundim të punimeve të këtij samiti, u vlerësua qëndrimi i BP në  linjë me atë të BE,” si një tregues i fortë i qendrimit gjeopolitik të partnerëve, veçanërisht kur Rusia vazhdon konfliktin dhe agresionin e saj në Ukrainë. BE-ja mirëpret vendosmërinë e vendeve partnere në BP për të mbështetur idealet dhe parimet europiane në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.”

“Ndërsa zgjerojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ne i nxisim ata të bëjnë përparim të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt harmonizimit të plotë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE” theksohet në deklaratë. Kancelari gjerman Scholz tha në konferencën e tij për shtyp, se “të gjitha shtetet e BP duhet të mbështesin politikën e jashtme të BE.”

Bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes ishte një tjetër fokus i samitit. “BE dhe BP janë të vendosura të forcojnë më tej bashkëpunimin në çështje thelbësore të sigurisë dhe mbrojtjes edhe në nivel operacional. BE do të vazhdojë të punojë së bashku me rajonin për të zhvilluar më tej aftësitë dhe kapacitetet e tij mbrojtëse edhe nëpërmjet Instrumentit Europian të Paqes. BE do të rrisë më tej angazhimin edhe në fusha të tilla si hapësira dhe lëvizshmëria ushtarake”, theksohet në deklaratë.

 

BE rikonfirmon angazhim të palëkundër ndaj perspektivës europiane të BP

Treguesit konkretë të këtij angazhimi u bënë të njohura nga Presidentit i Këshillit Europian Charles Michel, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp, në përfunfdim të samitit. “Jam i bindur në mënyrë absolute që e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e sigurtë dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor në BE, ”, tha Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel në konferencën e përbashkët për shtyp. Ai bëri të njohur “një paketë financiare për të ndihmuar BP në përballimin e pasojave të rënda lidhur me pasojat e luftës në Ukrainë në furnizmin me energji dhe sigurinë ushqimore”.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha në konferencën e përbashkët për shtyp, se ” BE do ta mbështesë BP me një paketë prej 1 miliardë eurosh. 500 milionë euro do të jenë për të mbështetur bizneset dhe familjet në nevojë, kurse 500 milionët e tjerë për investime në energjinë e rinovueshme për të pasur pavarësi nga Rusia”.

 

“BP po trajtohet për herë të parë në këtë samit si një rajon gjeo-strategjik në sajë të luftës brutale të Rusisë në Ukrainë. Ka një lëvizje përpara të përbashkët nga BE dhe BP për të përballuar së bashku sfidat”, tha presidentja e Komisionit Eropian, Ursula von der Leyen.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e vlerësoi samitin ”me përmasa historike, pasi BE del për herë të parë jashtë kufijve të tij gjë që është një tregues i jashtëzakonshëm i vetëdijes se BE ka nevojë për BP dhe BP për BE.” Kryeministri Rama vlerësoi si një “lajm të shkëlqyer për rininë” ngritjen në Tiranë të kampusit të kolegjit të Europës në Brugge, Belgjikë. “Universitetet e BP do të bëhen pjesë e universiteteve në BE. Studentët nga vendet e BP do të mund të ndjekin studimet edhe duke qëndruar në vendin e tyre”, bëri me dije kryeministri Rama.

Si tregues i forcimit të bashkëpunimit mes BE dhe BP në samitin e Tiranës u nënshkrua edhe marrëveshja e bashkëpunimit për tarifat roaming mes operatorëve të telekomit të BE dhe BP. Ursula von der Leyen tha  lidhur me këtë marrëveshje, se operatorët e BE dhe BP “do të nisin të ulin tarifat e roaming duke filluar nga viti i ardhshëm, gjë që do të ketë ndikime pozitive për biznesin, turizmin dhe afrimin e njerëzve.

 

Sfida e emigrimit masiv nga BP

Shifrat në rritje të numri të emigrantëve që hyjnë në vendet e BE përmes rrugës së BP, mbetet një shqetësim i madh për BE, i shprehur edhe në samitin e Tiranës. Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, e cilësoi fluksin në rritje të emigrimit nga rajoni një “çështje sfiduese që duhet përballuar së bashku.” Ai foli për „bashkëpumim konkret operativ mes BE dhe BP, hamonizim të politikave të vizave dhe vendime shtesë.”

Nevojën e ndryshimit në politikën e vizave të BE theksoi edhe kancelari gjerman Scholz në konferencën e tij për mediat. FRONTEX, agjencia kufitare e BE, ka publikuar në tetor të këtij viti shifrën prej 22.300 tentativash hyrjeje të parregullta në BE, shifër që është tri herë me e lartë sesa një vit më parë.

Mbetet pa datë hyrja në BE e vendeve të BP

Samiti BE-BP dha disa tregues konkretë dhe të qartë të vullnetit për të përforcuar bashkëpunimin gjeo-strategjik mes tyre. Por nuk dha asnjë datë se kur rajoni do të mund të anëtarësohet në BE. Liderët e BE nuk qartësuan, nëse do të zbatojnë rekomandimin e fundit të Parlamentit Europian që ‘negociatat e anëtarësimit të vendeve kandidate në BP duhet të përfundojnë deri në vitin 2030”.

Kancelari gjerman Scholz tha në konferencën e tij për mediat pas përfundimit të samitit, se „Franca dhe Holanda kanë ndryshuar qëndrimin e tyre skeptik ndaj  zgjerimit të BE drejt BP, krahasuar me një vit më parë.”

Anëtarësimi i plotë në i BP në BE, me sa duket, mbetet një perspektivë e largët, pa datë edhe pse BE i dha rajonit në samitin e Tiranës  tregues konkretë që vendet e tij kanë në të ardhmen në BE. Një  premtim  në rrethana të reja kur lufta e Rusisë në Ukrainë kërcënon të riformojë ekuilibrat gjeo-strategjikë në Europën Jug-Lindore.

 

Sulm fizik ndaj ish-kryeministrit Berisha në protestën antiqeveritare e opozitës

Një protestë antiqeveritare e paralajmëruar e opozitës u zhvillua në Tiranë kur samiti filloi punimet e tij. Ish-kryeministri Sali Berisha, që kishte thirrur këtë protestë u sulmua dhe u godit me grusht në fytyrë nga një kalimtar kur ishte në krye të protestuesve drejt godinës së kryeministrisë. Sipas njoftimit të policisë 31 vjecari Gert Shehu, që sulmoi Berishën, rezulton të jetë i sëmurë mendor me diagnozë “çrregullim psikotik të papërcaktuar”, vërtetimi mjekësor i cili u publikua nga mediat lokale rezulton të jetë marrë në tetor të këtij viti.

dw

Borrell: Kosovës dhe Serbisë u kemi dorëzuar versionin e fundit të propozimit për marrëveshje

BorellShefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të martën në Tiranë se ka një moment të rëndësishëm në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, meqë të dyja palëve u është dorëzuar versioni i fundit i propozimit për një marrëveshje, duke ju referuar propozimit që u bë i njohur si nisma franko-gjermane e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

 

Zoti Borrell, i cili po merr pjesë në takimin e lartë të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor në Tiranë, nuk dha ndonjë hollësi rreth propozimit, i cili nga ajo çfarë është thënë deri tani, nuk parasheh njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë por një marrëveshje që siguron përparimin e të dyja vendeve drejt proceseve integruese.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç thanë sot në Tiranë se mbeten të përkushtuar në orientimin drejt bllokut, por dallimet janë shumë të thella ndërmjet palëve.

Presidentja Osmani tha se Kosova si vendi më proevropian do të paraqes kërkesën për anëtarësim në BE deri në fund të vitit, ndërsa nënvizoi se blloku duhet të lëvizë nga fjalët në vepra, posaçërisht kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave, duke shfaqur shpresën se Këshilli Evropian do të votojë në favor të tij me 15 dhjetor.

“Ky do të ishte një hap i madh papara për t’i dhënë një sinjal të qartë Ballkanit Perëndimor se ka rëndësi nëse u përmbaheni vlerave evropian apo jo, sepse nganjëherë, më duhet të pranojë se ka mesazhe të paqarta sepse në njërën anë keni vende që janë tërësisht në harmoni me BE-në dhe në anën tjetër keni vende që janë të harmonizuar me (Vladimir) Putinin. Nuk duhet trajtim i njëjtë sepse nëse sot jeni me Ukrainën ose me Rusinë duhet të ketë rëndësi”, tha presidentja Osmani, duke ju referuar refuzimit të deritashëm të Serbisë për t’iu bashkuara sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Presidenti serb tha se Serbia i di detyrimet e saj në rrugën evropiane dhe për harmonizimin me vendimet evropiane. Por, tha ai, “kemi situatë të ndryshme sa i përket tërësisë tokësore të Serbisë që është shkelur në mënyre të tmerrshme në vitin 1999 dhe në vitin 2008 dhe do të diskutojmë për këtë me udhëheqësit evropiane sot”.

Ai tha se gjatë nëntë muajve të fundit është thënë se “Serbia me udhëzimet e Federatës Ruse do të sulmojë të tjerët në Ballkan, të nxisë pasiguri e joqëndrueshmëri dhe ne e kemi përgënjeshtruar këtë jo me deklaratat tona por me vepra. Është lehte të bësh pretendime e falsifikime ndaj vendit tonë por në fund del e vërteta dhe njerëzit e shohin atë. Serbia është vend i pavarur dhe jemi në rrugën tonë evropiane dhe kështu do të mbetet”.

Javën e kaluar presidenti serb tha fillimisht se nuk do të marrë pjesë në takimin e Tiranës, duke reaguar me zemërim ndaj emërimit të ministrit të ri për komunitete në qeverinë e Kosovës Nenad Rashiç, një politikan i moderuar në vend të ish ministrit Goran Rakiç nga radhët e Listës Serbe. Ai përdori gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe ministrit Rashiç, por edhe ndaj, siç tha, reagimit të butë të Bashkimit Evropian.

Të martën ai tha se ndryshoi qëndrim ndaj pjesëmarrjes në takimin e Tiranës sepse “më mirë është të jesh në tryezë, sepse kur nuk jeni aty atëherë jeni në meny dhe disa mezi presin”.

“Për fat të keq Vuçiçi është vazhdimësi e mentalitetit që ekzistonte ne Serbi në vitet e 90-ta dhe është pikërisht ky mentalitet që çoi në luftëra e shkatërrime dhe vrasjen e 150 mijë civilëve”, tha të hënën presidentja Osmani.

voa

Sulme me dronë ndaj vendndodhjeve strategjike në Rusi

aeroport në rajonin jugor rus të KurskutPresidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy vizitoi të martën një qytet në lindje të vendit, pranë vijës së frontit, në një shfaqje të dukshme force të Kievit. Ky zhvillim vjen ndërsa Moska njoftoi se për të dytën ditë me radhë ishin goditur me dronë pika strategjike brenda territorit rus.

 

Një zjarr shpërtheu në një aeroport në rajonin jugor rus të Kurskut, në kufi me Ukrainën, pasi një dron goditi objektin. Lajmi u bë i ditur të martën nga guvernatori i rajonit. Po kështu u godit me dron dhe një fabrikë industriale, 80 kilometra nga kufiri me Ukrainën. Lajmi u njoftua nga media e pavarur ruse. Autoritetet federale nuk fajësuan menjëherë Kievin mbi incidentet.

Por sulmet e së martës vijnë vetëm një ditë pasi Moska fajësoi Kievin për sulme të pashembullta, të ngjashme, në dy baza ajrore në thellësi të territorit rus.

Sulmet ndaj bazës Engels në rajonin e Saratovit dhe bazës Dyagilevo në rajonin Ryazan në pjesën perëndimore të vendit, ishin disa nga më të fortat që kanë goditur territorit rus që nga fillimi i luftës. Si përgjigje, trupat ruse kryen një valë tjetër sulmesh me raketa në territorin ukrainas, duke goditur shtëpi e vrarë civilë.

Gjatë vizitës së tij të martën në rajonin lindor të Donetskut zoti Zelenskyy tha se vend i tij do t’ia dalë të largojë forcat ruse nga i gjithë territori i Ukrainës.

Të gjithë e shohin forcën dhe aftësinë tuaj. U jam mirënjohës prindërve tuaj. Ata kanë rritur heronj të vërtetë”, tha Zelenskyy në një fjalim me video drejtuar forcave ukrainase nga qyteti Sloviansk, një qytet kyç në lindje të vendit.

Zyrtarët ukrainas nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht se pas sulmeve me dronë qëndron Kievit, duke iu përmbajtur një politike të tyre të njohur gjatë luftës, të përhapjes qëllimisht të paqartësive kur bëhet fjalë për sulme ndaj objektivave të rëndësishme ruse.

Në Twitter këshilltari i presidentit ukrainas, Mikhail Podolyak postoi një koment ironik ndaj Moskës.

Nëse diçka lëshohet në hapësirën ajrore të vendeve të tjera, herët a vonë objekte fluturuese të panjohura, do t’i drejtohen pikës nga ndodhi lëshimi“, shkruante zoti Podolyak. “Toka është e rrumbullakët”, vazhdonte ai më tej.

Sulmet ndaj bazave ruse që ndodhen më shumë se 500 kilometra larg kufirit me Ukrainën, krijuan një moment të vështirë për Moskën duke ekspozuar dobësinë e disa prej pikave më strategjike ushtarake të Rusisë, e duke ngritur pikëpyetje në lidhje me efektivitetin e mbrojtjes së tyre ajrore. Sulmet mun d të çojnë gjithashtu në një përshkallëzim të madh të luftës që ndodhet në muajin e nëntë të saj. Në një nga bazat ushtarake ndodhen bombardues me kapacitete bërthamore.

Blogerë ushtarakë rusë shfaqën sërish zemërimin e tyre në internet, duke kritikuar mungesën e mbrojtjes së duhur, që mundësuan sipas tyre sulme të tilla.

Të hënën në një postim në kanalin Telegram “Milinfolive” një bloger rus pro-luftës sulmonte udhëheqësit ushtarakë rusë, duke pretenduar se paaftësia e tyre dhe mungesa e mbrojtjes së duhur ajrore bënë të mundur sulmet me drone, pas të cilave dyshohet se qëndrojnë forcat ukrainase. Një tjetër bloger nënvizoi dëmtimin që i është bërë reputacionit të Rusisë nga këto sulme.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se tre ushtarakë rusë ishin vrarë, katër të tjerë u plagosën dhe se dy avionë ishin dëmtuar lehtë.

Në bazën Engels ndodhen bombardues strategjikë me aftësi bërthamore Tu-95 dhe Tu-160, të cilët janë përfshirë në sulmet në Ukrainë. Në bazën Dyagilevo ka avionë cisternë që përdoren për mbushjen me karburant në ajër të avionëve.

Në një përditësim mbi zhvillimet në Ukrainë, Ministria britanike e Mbrojtjes bëri të ditur se Rusia ka të ngjarë t’i konsiderojë sulmet ndaj bazave të saj ushtarake si “disa prej dështimeve më të mëdha strategjike në aspektin e mbrotjes, që nga fillimi i sulmit të saj në Ukrainë”.

Sipas burimeve britanike të zbulimit bombarduesit ka të ngjarë të dërgohen në baza të tjera ajrore.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se autoritetet ruse do të “marrin masat e nevojshme” për të forcuar mbrojtjen e objekteve kryesore. Duke folur në një telekonferencë me gazetarët të martën, zoti Peskov tha se “kursi i regjimit ukrainas për vazhdimin e sulmeve të tilla terroriste përbën një kërcënim”.

Zoti Peskov tha se Rusia tashmë nuk sheh asnjë të ardhme për bisedime paqeje, duke shtuar se “Federata Ruse duhet të arrijë qëllimet e saj të deklaruara”.

Moska ndërkohë, ka vazhduar me sulmet intensive në territorin ukrainas, duke bombarduar gjatë natës qytete pranë centralit bërthamor të Zaporizhias, sulme që lanë më shumë se 9,000 shtëpi pa ujë. Rusia dhe Ukraina kanë akuzuar prej muajsh njëra-tjetrën për bombardime në afërsi të impiantit bërthamor.

Guvernatori i rajonit Sumy në veri të Ukrainës, Dmytro Zhyvytsky, tha se Moska kreu mbi 80 sulme me raketa dhe artileri të rëndë ndaj këtij territori në kufi me Rusinë. Ai shtoi se si pasojë e sulmeve ishte dëmtuar një manastir pranë qytetit kufitar Shalyhyne.

Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës Yurii Ihnat tha se aftësia e vendit për të rrëzuar raketa ruse po përmirësohet. Ai vuri gjithashtu në dukje faktin se së fundmi nuk kishte njoftime për përdorimin e dronëve të prodhuar nga Irani në territorin ukrainas.

Zoti Ihnat nuk pranoi të bëjë komente mbi dëmet e shkaktuara në dy bazat ajrore ruse, por shtoi se për këtë do të priten informacione nga fotografitë satelitore apo burime të tjera.

voa

Samiti BE-Ballkani Perëndimor/ Nënshkruhet marrëveshja Roaming

roamingMarrëveshja e parë që është nënshkruar në samitin e Be-Ballkani Perëndimor sot në Tiranë është marrëveshja Roaming, që synon uljen e tarifave.

Marrëveshja Roaming i hap rrugë nisjes së procesit për heqjen e tarifës roaming mes vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Pas negociatash të gjata Komisioni Europian dhe RCC drejtuar nga Sekretarja e Përgjithshme, Majlinda Bregu kanë arritur marrëveshjen me operatorët e telefonisë celulare në Europë e Ballkan për uljen e tarifave roaming.

Nënshkrimi i Deklaratës së Roaming-ut, do të garantojë ulje të ndjeshme të tarifave roaming  që nga 1 tetori 2023. Tarifat afër niveleve të çmimeve kombëtare synohen të arrihen deri në vitin 2027.

Top Channel

Tiranë: Çfarë do të diskutohet në samitin BE-Ballkani Perëndimor?

tiranaNë Tiranë sot, (06.12) zhvillon punimet samiti BE-Ballkan Perëndimor,(BP) i pari që zhvillohet në një vend jo anëtar të BE dhe në rajonin e Ballkanit.

 

Burime zyrtare nga Këshilli Europian (KE) bëjnë me dije që ky samit është “pjesë e zbatimit të axhendës strategjike 2019-2024 të këtij Këshilli”. “Samiti është një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë e madhe të partneritetit strategjik mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor (BP), këtij rajoni me një perspektivë të qartë europiane”, thekson zyra e shtypit e KE.

 

Çëshjet kryesore të aktualitetit – në tryezën e bisedimeve

Diapazoni i çështjeve që do të diskutohen nga liderët e BE dhe ata të BP përmbledh probleme të mprehta të aktualitetit. Sipas zyrës së shtypit të KE-së samiti do të ndalet “në trajtimin së bashku të pasojave të agresionit rus kundër Rusisë, intensifikimin e angazhimit politik, dhe në politikë, riforcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë kundër ndërhyrjeve të huaja si edhe adresimit të sfidave që paraqet migracioni, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” . Liderët e BE dhe të BP pritet të bëjnë një deklaratë në përfundim të samitit.

 

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës

Liderët e BE dhe të BP do të diskutojnë bashkëpunimin për të përballuar sfida të përbashkëta që burojnë nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës. „Ata do të ndalen më konkretisht në trajtimin e pasojave negative në energjinë dhe sigurinë ushqimore në Ballkanin Perëndimor,” thekson zyra e shtypit e KE.

 

Angazhimi politik dhe në politikë

Liderët e BE dhe të BP do të diskutojnë rrugët për thellimin e angazhimit politik dhe në politikë me një fokus të veçantë tek rinia. Ata do të vlerësojnë gjithashtu “progresin e arritur në procesin e integrimit europian të BP në tregun e brendshëm të BE, në modernizimin e sistemit të pagesave në përputhje me standardet e BE në fushën e dixhitalizimit dhe në zbatimin e korsive të gjelbra BE-BP një nismë kjo për të lehtësuar logjistikën ndërkufitare dhe rrjedhën e vazhdueshme të mallrave”, thekson zyra e shtypit të KE.

 

Siguria dhe qendrueshmëria kundër ndërhyrjeve të huaja

Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprime të koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës. Kjo përfshin luftimin e manipulimit të informacionit të huaj dhe përmirësimin e sigurisë kolektive kibernetike.

 

Menaxhimi i migracionit

Sipas zyrës së shtypit të KE liderët e BE dhe të BP do të shkëmbejnë pikëpamje lidhur me trajtimin e përbashkët dhe menaxhimin e migracionit, pasi shifrat në rrugën migratore të Ballkanit Perëndimor janë rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Kjo përfshin harmonizimin e politikës së vizave të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit. Ata do të diskutojnë gjithashtu se si të forcohet bashkëpunimi për të luftuar terrorizmin dhe parandaluar radikalizimin.

 

Tirana në masa të rrepta sigurie

Ardhja në Tiranë e 27 kryetarëve të shteteve, anëtare të BE, dhe atyre të BP ka vendosur kryeqytetin në masa të rrepta sigurie. Policia rrugore ka përcaktuar perimetrin e sigurisë së lartë. Për mbarëvajtjen e samitit ajo ka publikuar hartën e rrugëve, në të cilat nuk lejohet kalimi dhe parkimi i automjeteve, Që në orën 06:00 të mëngjesit policia ka mbyllur hyrjet në Tiranë nga Durrësi, Elbasani dhe qytetet në veri të vendit. Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të jetë i bllokuar.

Në njoftimin e Policisë rrugore bëhet me dije që ”për mbarëvajtjen e samitit do të ketë bllokime të disa akseve rrugore urbane dhe interurbane të Tiranës”.

dw

BE-Ballkani Perëndimor, sot takimi i nivelit të nivelit të lartë në Tiranë

Samiti trUdhëheqësit e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe ata të 6 vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, pritet të ulen sot së bashku në Tiranë, në takimin e dytë sipas këtij formati, por të parin që zhvillohet në një vend jo anëtar. Takimi i nivelit të lartë, shihet si një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Në një postim në Twitter, pasditen e djeshme, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel i mëshoi pikërisht këtij aspekti, ndërsa shkruante se takimi “është shumë simbolik sepse do të zhvillohet në Tiranë, në zemër të rajonit. Dëshmon një evolucion të fortë për sa i përket angazhimit”.

Për kryeministrin shqiptar Edi Rama mbajtja e takimit në kryeqytetin shqiptar, në një nga vendet e rajonit “është një kthesë strategjike në historinë e BE-së të shumë viteve të fundit, një kthesë drejt një qasjeje tërësisht të re ndaj Ballkanit Perëndimor. Është një kthesë strategjike patjetër e nxitur nga pandemia si fillim, pastaj edhe nga agresioni rus në Ukrainë në vijim, por është edhe një vlerësim strategjik për Shqipërinë”, është shprehur zoti Rama duke e konsideruar po ashtu dhe “një ngjarje të jashtëzakonshme, një ngjarje historike, më të rëndësishmen në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë”.

Pasojat e agresionit rus në Ukrainë do të jenë një nga temat qendrore të diskutimeve. “Udhëheqësit do të diskutojnë bashkëpunimin përballë sfidave të përbashkëta që rrjedhin nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës. Ata do të shikojnë më konkretisht se si të trajtohen efektet negative në sektorët e energjisë dhe sigurisë ushqimore në Ballkanin Perëndimor”, shpjegon një njoftim i Këshillit Evropian.

Në këtë kontekst pritet të diskutohet dhe mbi çështjet e sigurisë dhe përgjigjes ndaj ndërhyrjeve të huaja. “Takimi do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës. Kjo përfshin luftën ndaj informacioneve të huaja të manipuluara dhe përmirësimin e sigurisë kibernetike kolektive”, bën të ditur Këshilli Evropian.

Migracioni, një tjetër problem me të cilin BE-ja vijon të përballet, do të jetë po ashtu pjesë e diskutimeve edhe për shkak të asaj që njihet si “rruga e Ballkanit”. “Udhëheqësit do të shkëmbejnë pikëpamjet për trajtimin e përbashkët të menaxhimit të migracionit pasi shifrat në rrugën migratore të Ballkanit Perëndimor janë rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Kjo përfshin harmonizimin e politikës së vizave të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit”.

Udhëheqësit evropianë dhe ata të Ballkanit Perëndimor, pritet të shqyrtojnë dhe mënyrat e thellimit të angazhimit politik, me një fokus të veçantë te të rinjtë, ndërsa do të vlerësojnë përparimet e bëra në disa fusha, duke nisur nga integrimi i Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm të BE-së, te modernizimi i sistemeve të pagesave në përputhje me standartet e Unionit, digjitalizimi apo vënia në jetë e korridoreve të gjelbra BE-Ballkani Perëndimor, një nismë që synon të lehtësojë logjistikën ndërkufitare dhe lëvizjen e vazhdueshme të mallrave.

Gjatë takimit pritet të nënshkruhet dhe një marrëveshje e cila synon reduktimin progresiv të tarifave të roamingut për telefoninë celulare mes vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit perëndimor, duke nisur që nga viti 2023.

Në Tiranë, që mbrëmë ka nisur bllokimi rrugëve rreth e qark zonës ku do të zhvillohet takimi, në atë që është përcaktuar si perimetër sigurie, ndërsa forca të shumta policie shihen në të gjitha akset kryesore, dhe ato ku pritet të kalojnë delegacionet pjesëmarrëse në takim. Gjatë ditës pritet dhe organizimi i një proteste nga ana e opozitës. Drejtuesit e saj, ish kryeministri Sali Berisha i cili ka rimarrë kontrollin e Partisë Demokratike, dhe ish presidenti Ilir Meta, në krye të Partisë së Lirisë, do të manifestojnë kundër cenimit të vlerave europiane dhe të demokracisë, nga ana e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij. Ata kanë këmbëngulur për zhvillimin e protestës përpara godinës së kryeministrisë. Por policia ka bërë të qartë se protesta mund të zhvillohet në çdo mjedis tjetër që nuk është brenda perimetrit të sigurisë së takimit të nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor.

voa

Bekteshi: Pas 1 janarit rryma do të shtrenjtohet për ata që harxhojnë më tepër

BekteshiMinistri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi në konferencën e sotme për shtyp tha se me shumë gjasa pas 1 janarit çmimi i energjisë elektrike nuk do të ndryshojë për bllokun 1 dhe 2 të tarifave.

Bekteshi tha se çmimi i energjisë elektrike pritet të rritet vetëm për ata që harxhojnë më tepër energji elektrike, respektivisht për blloqet tjera tarifore.

“Nuk është në rregull që në kohë krize disa amvisëri të caktuara të cilat kanë të ardhura më të larta, të cilët mund të paguajnë faturat e energjisë elektrike të kenë çmim të njëjte me ata qytetarë të cilët kanë të ardhura mesatare. Amvisëri të caktuara në vendin tonë kanë harxhuar më shumë se disa kompani edhe atë kompani të mëdha në vendin tonë. Po flasim për mbi 30- 40 megavat në muaj, që do të thotë se këto amvisëri do të paguajnë në përputhje me kushtet e tregut në çmimin e energjisë elektrike dhe pse jo edhe me marzhë shtesë nga EVN- Home dhe EMV”