SHBA e shqetësuar nga forcimi i lidhjeve mes Kinës dhe Rusisë

Kina RusiaShtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga përafrimi më i madh mes Kinës dhe Rusisë, tha të mërkurën Departamenti i Shtetit pasi presidenti rus Vladimir Putin përshëndeti forcimin e lidhjeve me Pekinin dhe sinjalizoi se homologu i tij kinez, Xi Jinping do të vizitojë Rusinë.

 

Fjala për vizitën e zotit Xi vijnë pasi Uashingtoni tha se Kina po shqyrton mundësinë e dërgimit të armëve për luftën e Rusisë në Ukrainë, një lëvizje që do të kërcënonte të përshkallëzonte konfliktin në një konfrontim midis Rusisë dhe Kinës nga njëra anë dhe Ukrainës dhe aleancës ushtarake të NATO-s të udhequr nga SHBA, nga ana tjetër.

Zoti Putin priti kryediplomatin kinez, Wang Yi, në Kremlin të mërkurën, dhe i tha atij se tregtia dypalëshe mes Pekinit dhe Moskës ka tejkaluar pritshmëritë dhe se së shpejti mund të arrijë në vlerën e 200 miliardë dollarëve në vit, nga 185 miliardë dollarë që ishte më 2022.

“Presim një vizitë të Presidentit të Republikës Popullore të Kinës në Rusi. Kemi rënë dakord për këtë. Gjithçka po përparon, gjithçka po shkon drejt zhvillimit. Ne po arrijmë kufij të rinj”, tha zoti Putin.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Ned Price tha se vizita e zotit Wang në Rusi në prag të përvjetorit të parë të luftës ishte një dëshmi e mëtejshme e radhitjes së Pekinit nga ana e Moskës.

“Ne jemi të shqetësuar sepse këto dy vende ndajnë një vizion,” tha zoti Price në një konferencë shtypi. “Është një vizion i një epoke në të cilën vendet e mëdha mund të kërcënojnë vendet e vogla, kufijtë mund të ndryshohen me forcë, një epokë në të cilën fuqia vendos,” tha ai.

“Nuk kemi parë deri tani që Kina t’i japë Rusisë ndihmë vdekjeprurëse, por as nuk besojmë se e kanë eliminuar si opsion”, shtoi zoti Price.

Agjencia ruse e lajmeve Tass citoi zotin Wang – i cili mbajti një takim të veçantë me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov – të ketë thënë se Kina “do t’i përmbahet në mënyrë të vendosur një pozicioni objektiv dhe të paanshëm dhe do të luajë një rol konstruktiv në zgjidhjen politike të krizës” në Ukrainë .

Ministria e jashtme ruse tha se mirëpret një rol më aktiv të Kinës në zgjidhjen e konfliktit dhe se vlerëson “qasjen e balancuar” të Kinës. Por në një deklaratë të veçantë, ministria tha se zoti Lavrov dhe zoti Wang nuk kishin diskutuar për një plan të supozuar kinez paqeje.

Mbështetja e fuqisë së madhe të Kinës në mes të konfrontimit më të madh me Perëndimin që nga kulmi i Luftës së Ftohtë, mund t’i jape mundësi presidentit rus që ta paraqesë izolimin e Rusisë në Perëndim si një anim të Moskës drejt Azisë.

Zoti Wang i tha Presidentit Putinit se marrëdhëniet midis dy vendeve i kishin rezistuar një situate të paqëndrueshme ndërkombëtare.

Marrëdhënia midis Kinës dhe Rusisë, tha zoti Wang përmes një përkthyesi, nuk ishte e drejtuar kundër asnjë pale të tretë, por po ashtu “nuk do t’i nënshtrohej presionit të palëve të treta” – një referencë e qartë ndaj Shteteve të Bashkuara.

“Së bashku ne mbështesim multipolaritetin dhe demokratizimin në marrëdhëniet ndërkombëtare,” i tha zoti Wang Presidentit rus.

Kur Presidentit Xi dhe Putin u takiuan pak para se Rusia të dërgonte trupa në Ukrainë në shkurt 2022, ata nënshkruan një partneritet “pa kufij” që shkaktoi ankth në Perëndim.

XI DHE PUTIN

Rusia tani është më e varur nga Pekini se kurrë dhe është një partner i vogël i Kinës së rigjallëruar e cila tashmë kryeson në shumë teknologji të shekullit të 21-të.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken të shtunën e paralajmëroi zotin Wang për pasojat nëse Kina ofron mbështetje me armë për agresionin e Rusisë, diçka që Pekini ka mohuar se po e bën.

Pas paralajmërimeve të zotit Blinken, Kina tha se Shtetet e Bashkuara nuk ishin në kushtet të bënin kërkesa.

Zoti Xi ka qëndruar pranë zotit Putin gjatë konfliktit në Ukrainë, duke i rezistuar presionit perëndimor për të izoluar Moskën. Tregtia kinezo-ruse është rritur që nga fillimi i agresionit dhe Kina është blerësi më i madh i naftës në Rusi, një nga burimet kryesore të të ardhurave për arkën e shtetit të Moskës.

voa

Çështja CEZ-DIA, Meta tre orë në Prokurorinë e Posaçme

MetaNë Shqipëri, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u thirr sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për të dhënë shpjegime lidhur me çështjen e vjetër të marrëveshjes mes kompanisë çeke CEZ e cila bleu në vitin 2009 kompaninë shqiptare të shpërndarjes së energjisë, dhe shoqërisë DIA, për mbledhjen e borxheve. Zoti Meta është gjendur shpesh në të kaluarën, nën akuza publike për lidhjet e tij me administratorin e DIA-s, Kastriot Ismailaj, i cili u dënua me burg në vitin 2017. Ashtu si dhe më parë, edhe sot ai hodhi poshtë çdo pretendim për implikimin e tij në këtë çështje, duke folur për veprime me sfond politik nga ana e Prokurorisë së Posaçme. 

Prokuroria e Posaçme rihapi në vitin 2019, çështjen CEZ-DIA, pas një denoncimi të juristit të Operatorit të Shpërndarjes Romeo Kara, si dhe pas disa shkrimeve mediatike. Ish presidenti Meta, u thirr sot pikërisht rreth kësaj çështjeje. Emri i tij është lakuar shpesh në të kaluarën për lidhjet e tij me administratorin e DIA-s, veçanërisht në vitin 2015, kur ky rast u bë pjesë e debatit publik dhe politik.

Ish ministri i Ekonomisë, i ndjeri Dritan Prifti e akuzoi atëherë zotin Meta se kishte ndikuar drejtprëdrejtë që Ismailaj të përfitonte kontratën për mbledhjen e borxheve të CEZ-it. Një përgjim i Prokurorisë, e cila po hetonte Ismailajn që në vitin 2008, zbulonte një komunikim telefonik përmes sms-ve, që sipas dokumentit të publikuar nga gazetari Artan Hoxha, ngrinte dyshime për marrëdhënie parash mes zoti Meta dhe Ismailajt.

Një shkrim i botuar po në atë kohë nga BIRN, citonte dokumentat e studios ligjore që mbronte interest e shtetit shqiptar në arbitrazhin me DIA-n, sipas të cilave “një pjesë e parave që kishin qarkulluar mes CEZ-it dhe DIA-s, kishin shkuar për të paguar politikanë shqiptarë, përfshirë dhe një ish kryeministër të akuzuar më parë për korrupsion dhe një ish zyrtar të ERE-s”. Shkrimi identifikonte zotin Meta si politikanin e përshkruar në dokumenta. Por më pas vetë studio ligjore saktësoi se emri i zotit Meta nuk ishte përmendur në asnjë rast.

Në tetor të vitit 2015, ndërsa Partia Demokratike kërkonte me këmbëngulje dorëheqjen e tij si kryetar i parlamentit, zoti Meta mohoi publikisht të kishte kërkuar favore nga Ismailaj. “Kastriot Ismailaj nuk më ka kërkuar asnjë favor dhe nuk I kam bërë asnjë favor. Kjo duhet të jetë shumë e qartë për ju dhe për këdo tjetër”, deklaroi zoti Meta në 1 tetor të vitit 2015, duke iu drejtuar opozitës.

Edhe sot, në dalje pas 3 orësh qëndrim në Prokurorinë e Posaçme zoti Meta tha se ai nuk kishte asnjë lidhje si me çështjen e CEZ-it si me marrëveshjen e kompanisë çeke me DIA-n: “Ilir Meta nuk ka asnjë lidhje me procesin e privatizimit të CEZ-it, sepse ka qenë në opozitë në atë kohë. Ilir Meta, nuk ka asnjë lidhje me marrëveshjen CEZ-DIA, sepse kjo ishte një çështje, jo vetëm e CEZ-it, por kjo marrëveshje është bërë në kohën që Ilir Meta nuk ishte ministër i Ekonomisë dhe nuk kishte asnjë lloj raporti as me CEZ-in dhe askënd tjetër”.

Nuk dihet çfarë elementësh të rinj ka prokuroria e Posaçme lidhur me këtë çështje tashmë të gjykuar, e për të cilën në vitin 2017 Ismailaj u dënua me 11 vite burgim. Por sipas zoti Meta, ajo ka një sfond të qartë politik dhe shtysë nga qeveria. “Ju e dini kush i ka dhënë udhëzimet që të thirret Ilir Meta te SPAK-u. Janë dhënë nga kongresi I partisë, por nuk pengoj askënd të marrë udhëzime nga partia. Por unë jam ai që e kanë njohur dhe e njohin gjithnjë qytetarët shqiptarë, i hapur e transparent. Mezi presim që për ato firmat fët e fët, që vazhdojnë dhe tani të vidhen miliona euro te inceneratori, te Landfilli i Sharrës, të ketë akte e veprime konkrete”, u shpreh ai.

Zoti Meta deklaroi se po harxhohet kohë me një cështje të mbyllur, ndërkohë që sipas tij, dosjet me denoncimet për korrupsion të qeveritarëve atualë janë bërë mal në Prokurorinë e Posaçme.

voa

Një emër tjetër për Asociacionin?

AlbinKushti i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos jetë njëetnik dhe ta ndryshojë emrin, në mënyrë që të merret në konsideratë formimi eventual i tij, paraqet ide për ndryshimin e Marrëveshjes së Brukselit, vlerësojnë njohësit e proceseve politike, Agon Maliqi dhe Miodrag Milliqeviq.

 

Me këtë marrëveshje – që Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve – është paraparë edhe formimi i Asociacionit, por nuk është zbatuar kurrë.

Kosova refuzon ta themelojë atë, duke thënë se “asociacioni njëetnik” është në kundërshtim me Kushtetutën e saj dhe mund të çojë në ndarjen e vendit.

Me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, Kurti, në fillim të shkurtit, ka dalë me gjashtë kushte për formimin e Asociacionit – mes tjerash: të mos jetë njëetnik, ta ndryshojë emrin dhe të mos ketë pushtet ekzekutiv.

 

Analistët nuk e përjashtojnë mundësinë që kërkesa e Kurtit për ndryshimin e emrit të shtrohet në tavolinën e bisedimeve në Bruksel, më 27 shkurt, për kur edhe është planifikuar një takim i Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurti, megjithatë, ka thënë se diskutimet atë ditë pritet të bëhen rreth propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

 

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Zyrës së Kurtit për më shumë sqarime rreth kërkesës për ndryshimin e emrit të Asociacionit, por nuk mori përgjigje.

Përfaqësuesit e partive politike opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, thonë se nuk kanë marrë asnjë sqarim nga Kurti për këtë ide.

 

“Ide joprecize”

Njohësi i proceseve politike në Kosovë, Agon Maliqi, thotë se partnerët ndërkombëtarë, në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kanë ofruar Kosovës mundësi që t’i japë formë Asociacionit ashtu siç dëshiron, në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Megjithatë, thotë ai, mbetet të shihet nëse kushtet e Kurtit do të shndërrohen në dokument konkret në bisedimet në Bruksel, apo do të mbeten në formën e “parimeve abstrakte”.

“Kryeministri Kurti akoma është në nivelin e parimeve, ndërkohë që ndërmjetësuesit [ndërkombëtarë] presin dokument që është në formën e statutit [për Asociacionin], ku gjithsesi mund të përfshihen edhe kushtet që i ka parashtruar. Thjesht, kërkohet të shihet një lloj gatishmërie nga Kosova, që të paktën ta fillojë procesin e diskutimit për statutin. Unë nuk mendoj që do të mirëpritet diskutimi thjesht në nivel parimor… Mendoj se pritet një dokument konkret. Në këtë kuptim, mendoj se, ndoshta, nuk do të ketë shumë mirëkuptim për kërkesën [e Kurtit për emrin], sepse nuk është precize dhe nuk është konkrete… në kuptimin që nuk zbret nga parimet në një dokument konkret”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

 

Milliqeviq: Asociacioni njëetnik, i pamundur

Miodrag Milliqeviq, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare, Aktiv, nga Mitrovica e Veriut, thotë se Kurti po përpiqet që përmes idesë së tij për emrin, ta bindë opinionin se nuk do të lejojë një asociacion njëetnik.

“Por, në fakt, diçka e tillë në Kosovë nuk është e mundshme, për shkak se pjesa më e madhe e komunave që do të duhej ta përbënin Asociacionin e komunave me shumicë serbe në të ardhmen, janë shumetnike. Në këtë pikë, përveç çështjes së komunitetit serb, është e hapur edhe çështja e funksionimit të komunitetit shqiptar përbrenda atyre komunave, gjegjësisht e funksionimit të komuniteteve tjera pakicë apo joshumicë në ato komuna”, thotë Milliqeviq.

 

“Lojë fjalësh” dhe “ngatërrim hapash”

Përfaqësues të partive opozitare në Kosovë thonë se nuk kanë marrë ndonjë sqarim lidhur me idenë e kryeministrit Kurti për ndryshimin e emrit të Asociacionit.

“Nuk ka nevojë të bëjë lojë fjalësh”, thotë Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Asociacioni dhe kompetencat e Asociacionit nuk definohen nga emri që bart, por nga fuqia që do ta ketë. Në këtë pikë, PDK-ja është konsistente. Asociacioni duhet të bëhet vetëm mbi bazën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese [të Kosovës]”, thotë Çitaku për Radion Evropa e Lirë.

Në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se marrëveshja për parimet e Asociacionit, e arritur po atë vit, nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës, por ka shtuar se të 23 pikat, që janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, mund të harmonizohen.

 

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se Kurti nuk e ka sqaruar idenë e tij për ndërrimin e emrit të Asociacionit, por shton se vetë ideja nënkupton rihapjen e negociatave për një marrëveshje tashmë të arritur dhe të ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Haziri thotë se ideja e Kurtit vjen pasi ai e ka pranuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo, sipas tij, paraqet ngatërrim hapash.

“Një hap përpara është bërë në kohën kur ai e ka pranuar dokumentin bazë për një marrëveshje eventuale me Serbinë. Ndërsa, qëndrimi i tij që në marrëveshjen specifike të vendosen gjashtë kushte për të rihapur eventualisht negociatat [për formimin e Asociacionit], është një hap prapa, sepse kushtëzimi i negociatave është i papranueshëm për ndërmjetësin ndërkombëtar”, thotë Haziri.

 

“Deriçka” e hapur për Kurtin

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i kanë kërkuar disa herë Kosovës që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në një shkrim në fund të janarit, të shpërndarë nga disa media në Kosovë, ata kanë thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ishte njëetnik. “Ato do të ishin komuna me shumicë serbe ku jetojnë jo vetëm serbët etnikë, por edhe grupet tjera – shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë – të drejtat e të cilëve gjithashtu duhet të sigurohen dhe mbrohen”, kanë thënë dy diplomatët.

Maliqi vlerëson se, bazuar në këtë letër, kryeministrit Kurti i është hapur dera dhe mundësia për të formuar një asociacion që do të ishte i pranueshëm për Kosovën.

“Kryeministri [Kurti] e ka kthyer më shumë këtë çështje në një debat semantik të emrit dhe përdorimit të fjalës ‘serb’ aty. Nuk e di se si do të zgjidhet kjo pjesë. Por, që është hapur një deriçkë, unë mendoj se kjo është shumë e vërtetë dhe është bërë shumë e qartë nga letra e botuar [e Cholletit dhe Escobarit], ku, faktikisht, kërkohet nga Kosova që të krijojë diçka që është krejtësisht në përputhje me Kushtetutën”, thotë Maliqi.

 

Milliqeviq pajtohet se kushtet e Kurtit për Asociacionin mund të jenë frymëzuar nga letra e Cholletit dhe Ecobarit dhe shton se ai, tashmë, po e shfrytëzon këtë si hapësirë manovruese, për t’u arsyetuar para opinionit të brendshëm.

“Gjithashtu, është fakt që do të përpiqet që me fjalë të zgjedhura, thjesht, t’ia komunikojë opinionit të Kosovës se principi i tillë është i pranueshëm dhe se ai do të harmonizohet me ligjet në fuqi dhe me Kushtetutën e Kosovës. Kjo është ajo që unë pres se do të ndodhë në Bruksel”, thotë Milliqeviq.

Takimi i Kurtit dhe Vuçiqit, më 27 shkurt në Bruksel, do të jetë i pari këtë vit.

Nga Bashkimi Evropian kanë thënë se temë e diskutimit do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Kurti dhe Vuçiq e kanë pranuar në parim këtë propozim.

Përmbajtja e tij nuk është bërë publike, por nga një version që ka parë REL-i, del se ai nuk parasheh njohjen reciproke mes dy vendeve, por zotimin e të dyja palëve se nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese. Propozimi, po ashtu, kërkon që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet që kanë arritur deri më tash në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. SHBA-ja e ka mbështetur këtë dokument.

rel

Biden në Poloni: Kievi qëndron i fortë, NATO më e bashkuar se kurrë

BidenPresidenti Joe Biden tha në një fjalim në Poloni se një vit pasi Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës, Kievi qëndron i fortë dhe NATO-ja është më e bashkuar se kurrë.

 

“Një vit më parë, bota ishte e shqetësuar për rënien e mundshme të Kievit. Unë mund të deklaroj: Kievi qëndron i fortë, Kievi qëndron krenar, qëndron i papërkulur dhe më e rëndësishmja, qëndron i lirë”, tha presidenti Biden në fjalimin që mbajti para Kështjellës Mbretërore të Varshavës.

Në fjalimin që mbajti një ditë pas një vizite dramatike në Kiev, presidenti Joe Biden siguroi Ukrainën dhe aleatët e NATO-s për mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara.

“Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Rusinë”, tha ai.

Presidenti Biden tha se “mbështetja për Ukrainën nuk do të ndalet, NATO-ja nuk do të përçahet dhe ne nuk do të lodhemi,” tha ai.

“Nuk duhet të ketë asnjë dyshim, se angazhimi i Shteteve të Bashkuara ndaj aleancës sonë të NATO-s dhe nenit 5 është i fortë”, tha zoti Biden duke iu referuar parimit të NATO-s se një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithëve.

“Çdo anëtar i NATO-s e di këtë. Edhe Rusia e di: një sulm kundër njërit është një sulm kundër të gjithëve.”

Presidenti amerikan tha se presidenti rus, Vladimir Putin po përballet sot me demokraci më të forta.

“Kur Presidenti Putin urdhëroi tanket e tij të hynin në Ukrainë, ai mendoi se ne nuk do të bënim asgjë. Ai ishte i gabuar”, tha zoti Biden.

Ai tha se Rusia po kryen mizori ndaj Ukrainës, duke i quajtur veprimet e Moskës “krime kundër njerëzimit”.

Presidenti rus Putin ka bërë shpesh fajtor perëndimin për luftën në Ukrainë. Ai bëri të njëjtën gjë të martën në fjalimin për gjendjen e vendit.

Presidenti Biden reagoi kundër këtyre akuzave duke thënë se “perëndimi nuk po bën komplot për të sulmuar Rusinë”, por po mbron demokracitë.

Zoti Biden deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre do të shpallin më shumë sanksione kundër Rusisë këtë javë lidhur me agresionin ndaj që filloi gati një vit më parë.

Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të organizojnë një takim të nivelit të lartë të NATO-s vitin e ardhshëm, në 75 vjetorin e aleancës.

 

Simbolizmi i vizitës së Presidentit Biden

Një ditë pas një vizite të paparalajmëruar në Ukrainë, prania e zotit Biden në Varshavë përforcon mesazhin e përkushtimit amerikan ndaj krahut lindor të aleancës që ndodhet më pranë konfliktit dhe i dërgon një mesazh Moskës për unitetin perëndimor.

Pas pritjes në Pallatin Presidencial të Varshavës, Presidenti Biden dhe ai i Polonisë Andrzej Duda, mbajtën bisedime ku ritheksuan mbështetjen për Ukrainën dhe nevojën e ruajtjes së sigurisë në Evropë, në kushtet e agresionit rus.

“Siç i thashë presidentit Zelenskiy kur folëm dje në Kiev, mund të them me krenari se mbështetja jonë për Ukrainën mbetet e palëkundur”, tha zoti Biden.

Presidenti Biden e cilësoi marrëdhënien me Poloninë, kritike për Shtetet e Bashkuara dhe shprehu vlerësimin për bashkëpunimin dhe ndihmën e saj.

“Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Poloninë dhe NATO-n ashtu siç NATO-ja ka nevojë për Shtetet e Bashkuara. Sepse me gjithë aftësinë tonë për të vepruar kudo tjetër në botë – dhe përgjegjësia jonë shtrihet përtej Evropës – nuk ka diskutim që ne duhet të kemi siguri në Evropë. Është aleanca e vetme më e rëndësishme, dhe do të thoja ndoshta aleanca më e rëndësishme në histori, jo vetëm në historinë moderne, por në histori”, tha Presidenti Biden.

Presidenti Duda tha se vizita në Ukrainë e Presidentit Biden ishte “një shenjë e rëndësishme që bota e lirë nuk harron”, duke e quajtur atë një gjest “të guximshëm”.

“Ne (Polonia) po përpiqemi të jemi jo vetëm një vend siguria e të cilit garantohet nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO, por edhe një vend që u sjell siguri të tjerëve”, tha zoti Duda.

Polonia ka kufirin më të gjatë të NATO-s me Ukrainën dhe ka qenë rruga kryesore për furnizimin me armë dhe daljen e refugjatëve.

Të mërkurën, Presidenti Biden do të konsultohet me zotin Duda dhe udhëheqës të tjerë të grupit të Bukureshtit, që përbëhet nga nëntë aleatët e krahut më lindor të NATO-s.

“Për të gjithë ne kjo është një vizitë simbolike jashtëzakonisht e rëndësishme këtu në rajon. Ne si polakë nuk e perceptojmë si një vizitë tek ne. Kjo është një vizitë në rajonin tonë. E kombinuar me vizitën në Kiev, është një sinjal shumë i fortë i përgjegjësisë që Shtetet e Bashkuara marrin vazhdimisht për sigurinë e Evropës dhe botës”, tha zoti Duda.

 

Një fazë e re, e ndërlikuar e luftës

Vizita e Presidentit Biden vjen ndërsa agresioni rus i Ukrainës po shkon drejt një faze edhe më të ndërlikuar, ndërsa si Ukraina edhe Rusia bëhen gati për ofensiva të reja në pranverë.

Lufta më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – ka shkaktuar deri tani vdekjen e mijëra personave, ka shkatërruar sistemin e infrastrukturës së Ukrainës dhe ka dëmtuar ekonominë globale.

Shtëpia e Bardhë ka theksuar se nuk duket të ketë një përfundim të qartë të luftës në të ardhmen e afërt dhe se situata në terren po bëhet gjithnjë e më komplekse.

Analistët paralajmërojnë se ka një rrugë të gjatë përpara.

“Luftimet janë ende të ndezura dhe si Ukraina ashtu edhe Rusia mendojnë se mund të triumfojnë ushtarakisht. Pra padyshim jemi larg fundit dhe situata në terren e tregon këtë”, thotë për Zërin e Amerikës, studiuesi Mathieu Droin i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Udhëtimi i Presidentit Biden përkoi me fjalimin e Presidentit Putin përpara përvjetorit të pushtimit dhe me sa duket synonte ta linte atë në hije. Vizita e tij në Ukrainë thotë eksperti Droin, e nxjerr udhëheqësin rus në dritë të keqe.

“Natyrisht për Vladimir Putinin, të kesh presidentin e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë vetëm disa ditë para përvjetorit (të luftës) është një sinjal shumë, shumë i keq”, thotë ai.

Vizita e Presidentit Biden u mirëprit nga polakët e zakonshëm dhe nga 2.5 milionë ukrainas, kryesisht gra dhe fëmijë refugjatë nga konflikti, që tani jetojnë në Poloni. Shumë kërkojnë mbështetje më të guximshme perëndimore për Kievin, përfshirë furnizimin me avionë luftarakë, gjë që deri tani Shtetet e Bashkuara nuk e kanë premtuar.

voa

Kreu i grupit mercenar rus akuzon udhëheqësit e lartë të ushtrisë për tradhti

wagnerShefi i grupit mercenar rus‘Wagner’, Yevgeny Prigozhin, akuzoi të martën udhëheqësit e lartë ushtarak, se qëllimsht nuk po furnizojnë luftëtarët e tij me municione, duke e quajtur këtë një përpjekje pandershme, për të shkatërruar kompaninë e tij private ushtarake.

 

Ministria ruse e Mbrojtjes i hodhi poshtë pretendimet. Në një deklaratë të gjatë të saj thuhej se ankesat për mungesë municionesh ishin “absolutisht të pavërteta” dhe se do të ndihmonin armikun. Në deklaratë nuk përmendej me emër grupi ‘Wagner’.

Zoti Prigozhin ka marrë një rol më publik që nga fillimi i luftës. Grupi i tij ‘Wagner’ udhëhoqi betejën për qytetin e Bakhmutit në rajonin e Donetskut në Ukrainë.

Por këtë vit, atij iu hoq e drejta për të rekrutuar të burgosur dhe ka pasur disa shenja të një lëvizjeje të Kremlinit për të frenuar ndikimin e tij.

Të martën ai duket se e humbi durimin duke postuar një mesazh zanor në kanalin e tij në Telegram.

Thjesht bëhet fjalë për një kundërshtim të drejtpërdrejtë për të pajisur luftëtarët e Wagner-it. Kjo është baraz me një tradhti të lartë”, shprehej ai.

Shefi i shtabit të përgjithshëm dhe ministri i Mbrojtjes po japin urdhra majtas e djathtas, jo vetëm të mos i japin ‘Wagner-it’ municione, por të mos e ndihmojnë atë me transportin ajror”, pretendoi zoti Prigozhin.

Ministria ruse e Mbrojtjes, duke komentuar ato që i quajti “deklarata të mbingarkuara”, tha se zyrtarët ushtarakë po bënin gjithçka që mundeshin për të furnizuar luftëtarët.

Ndaj të gjitha deklaratat që supozohet se janë bërë në emër të njësive sulmuese, për mungesë municionesh, janë krejtësisht të pavërteta”, thuhej në deklaratë.

Përpjekjet për të krijuar një ndarje brenda mekanizmit të ngushtë të ndërveprimit dhe mbështetjes mes njësive të grupeve ruse që luftojnë janë kundërproduktive dhe funksionojnë vetëm në dobi të armikut“.

Zoti Prigozhin tha gjithashtu se zyrtarët e lartë ushtarakë kishin refuzuar kërkesat për lopata speciale për të hapur llogore.

Ai akuzoi drejtuesit e lartë se merrnin vendim që “njerëzit të vdisnin kur është e përshtatshme për ta”, duke shtuar tha se luftëtarët e grupit ‘Wagner’ po vdisnin në një numër të madh” për shkak të mungesës së furnizimeve të nevojshme.

Ky ishte mesazhi i dytë i publikuar nga zoti Prigozhin në dy ditë. Në një mesazh të hënën, ai u ankua se zyrtarë të paidentifikuar po i bllokonin furnizimet me armë ‘Wagner-it’, për shkak të armiqësisë personale me të dhe se atij vetë, i ishte thenë të “kërkonte falje e të bindej” për të ndrequr situatën.

Ministria e Mbrojtjes ka thënë më parë se ‘Wagner’ nuk është nën kontrollin e saj edhe pse milicia varet nga shteti për një pjesë të armëve e logjistikës.

Tatiana Stanovaya, e organizatës R.Politik (Politika Ruse), tha se shpërthimi i zotit Prigozhin të hënën dukej si “një akt dëshpërimi” me synimin “që ta dëgjojë Putini”.

Nuk ishte e qartë nëse presidenti rus kishte në mendje zotin Prigozhin, kur gjatë një fjalimi të martën kërkoi t’i jepeshin fund grindjeve.

Duhet të heqim qafe çdo kontradiktë mes departamenteve, të shmandim mëritë, keqkuptimet e marrëzi të tjera, gjë që dua ta theksoj”, i tha ai udhëheqësve politike dhe ushtarake.

Në një postim të veçantë, zoti Prigozhin tha se kishte qenë shumë i zënë për të parë fjalimin dhe se për këtë arsye nuk mund të komentonte deklaratat e presidentit.

voa

Substancat halucinogjene: Së shpejti një biznes miliarda dollarësh për trajtimin e depresionit

A vendor bags psilocybin mushrooms at a pop-up cannabis market in Los Angeles on May 24, 2019Ekspertët parashikojnë që substancat psikodelike, apo substancat që shkaktojnë halucinacione, mund të shndërrohen në një industri miliarda dollarëshe për trajtimin e depresionit dhe traumës, pasi provat fillestare klinike që janë kryer në Shtetet e Bashkuara kanë ofruar rezultate premtuese.

 

E ardhmja e psikodelikëve në psikiatri apo substancave që shkaktojnë halucinacion, mund të shihet në zemër të Manhatanit, në qendrën e mirëqenies ‘Nushama’. Këtu, nën drejtimin e një mjeku, ketamina, një psikodelik i ligjshëm, u jepet pacientëve me doza të larta, për afërsisht 60 minuta. Cassandra, 40 vjeç, thotë se përfitimet që ka patur nga ky trajtim, janë më të mëdha sesa nga terapitë tradicionale.

“Do të thoja se është shumë më efektive. Duke pasur parasysh që unë kam qenë në terapi për të paktën 20 vite rresht. Kam 13 muaj në Nushama dhe në këta 13 muaj, kam bërë më shumë përparim sesa në 20 vjet”, thotë ajo.

Në ‘Nushama’ përpara trajtimit me ketaminë kryhet një vizitë mjekësore, por disa ekspertë mendojnë se në qendra të tilla, nuk ka mbikëqyrje të mjaftueshme psikiatrike.

“Ekzsiston mundësia e rrezikut prej tyre. Ka qendra që nuk ofrojnë mbikqyrjen psikiatrike të nevojshme. Shumë trajtime kryhen nga anestezistë dhe specialistë të tjerë që nuk janë psikiatër”, thotë doktor David Hellerstein, Profesor i Psikiatrisë, në universitetin e Kolumbias.

Zoti Hellerstein ka qenë pjesë e një studimi klinik të miratuar së fundmi nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, i cili përfshiu 34 pacientë që vuanin nga depresioni. Ata u trajtuan me ‘psilokibin psikodelike’ një substancë që rrjedh nga kërpudhat halucinogjene.

“Dha rezultate për një numër të konsiderueshëm njerëzish, por jo për shumicën e tyre. Rreth 30 ose 40% u bënë më mirë dhe kryesisht vazhduan kështu”, thotë doktor Hellerstein.

Por ai mendon se ka shumë arsye për suksesin e këtyre provave.

“Duket sikur ka një efekt, pavarësisht nëse është një efekt psikologjik, si nxitja e një përvoje shpirtërore apo mistike. Hipoteza tjetër është se funksionon në riorganizimin e rrjeteve të trurit dhe në fakt ristrukturimin e trurit dhe inkurajimin e asaj që quhet neurogjenezë, që nënkupton prodhimin e qelizave të reja të trurit”, thotë doktor Hellerstein.

Por a mund të ketë kjo një ndikim në të ardhmen e psikiatrisë?

“Unë nuk e shoh këtë si fundin e psikiatrisë, unë e shoh këtë si një lloj substance, që do t’i shtohet paketës sonë të mjeteve që na ndihmojnë në këtë drejtim. Por mendoj gjithashtu se ka rreziqe që duhet realisht të studiohen, për t’u siguruar që ka njerëz nuk do të lëndoheshin apo do të vritesh duke marrë këto lloj barnash”, thotë doktor Hellerstein.

Tregu i substanca halucinogjene ka marrë shumë vëmendje.

“Ajo që shohim është se gjatë tre viteve të fundit janë investuar mbi një miliardë dollarë në kompani që merren me këto substanca”, thotë Elemer Piros, ekspert i Bioteknologjisë.

Zoti Piros beson se ky është vetëm fillimi i një industrie të re farmaceutike.

“Shitjet për barnat e miratuara mund të arrijnë mbi një miliard dollarë, të cilat mund të rriten gjatë pesë viteve të ardhshme ose në fillim të viteve 2030, në 10 miliardë dollarë”.

Dhe këto substanca duket se mund të ndihmojnë me miliona vetë në kushtet kur sipas Universitetit Johns Hopkins afërsisht 10% e amerikanëve në moshë të rritur, 18 vjeç e lart, vuajnë nga një formë e depresionit.

voa

Rëndësia dhe pasojat e ligjit që rregullon internetin

Gjykata e Lartë e Shteteve të BashkuaraNjëzet e gjashtë fjalë të përfshira në një ligj të vitit 1996 për ligjin e telekomunikacionit, i kanë lejuar kompanitë si Facebook, Twitter dhe Google të kthehen në gjigantët që janë sot.

 

Një çështje që do të shqyrtohet nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara këtë javë, ‘rasti Gonzalez kundër Google’, e sfidon këtë ligj, kryesisht pjesën që u jep imunitet kompanive të teknologjisë, duke mos i mbajtur përgjegjëse për materialet e postuara në platformat e tyre.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë do të vendosin nëse familja e një studenti amerikan, të vrarë në një sulm terrorist në Paris, mund të padisë kompaninë Google, e cila është pronare e platformës YouTube, mbi pretendimet se algoritmet e saj, ndihmuan ekstremistët të përhapnin mesazhin e tyre.

appNjë rast tjetër, ‘Twitter kundër Taamneh,’ gjithashtu përqëndrohet në përgjegjësitë e kompanive të teknologjisë mbi postimet në platformat e tyre, ndonëse kjo çështje bazohet në argumente të ndryshme.

Rezultatet e këtyre rasteve mund të ndryshojnë mënyrën se si funksionon interneti sot. Neni 230 nuk do të mund të rrëzohet me lehtësi. Por nëse kjo ndodh, e drejta e fjalës në internet mund të transformohet në mënyrë drastike.

 

ÇFARË ËSHTË NENI 230?

Nëse një gazetë për shembull, e quan dikë pa të drejtë, mashtrues, personi në në fjalë, mund të padisë botuesin për shpifje. Por nëse dikush e poston atë në Facebook, nuk mund ta padisësh kompaninë Facebook, por vetëm personin që e ka postuar shkrimin.

Kjo bazohet në nenin 230 të Ligjit për Komunikimin të vitit 1996, i cili thotë se “asnjë ofrues, ose përdorues, i një shërbimi kompjuterik ndërveprues, nuk mund të konsiderohet si botuesi, ose autori i informacionit të dalë nga një ofrues tjetër informacioni”.

Kjo frazë ligjore mbron kompanitë që ofrojnë platformat ku janë botuar triliona mesazhe, nga paditë për gjërat që dikush tjetër i ka postuar, pavarësisht nëse ankesat e tyre janë legjitime apo jo.

Politikanët e të dyja partive kanë argumentuar, për arsye të ndryshme, se Twitter, Facebook dhe platforma të tjera të mediave sociale, kanë abuzuar me këtë mbrojtje dhe duhet të humbasin imunitetin e tyre, ose të paktën duhet ta fitojnë atë duke respektuar rregullat e vendosura nga qeveria.

Neni 230 gjithashtu lejon platformat sociale të monitorojnë shërbimet e tyre, duke hequr postimet që, për shembull, janë të papërshtatshme, ose shkelin standardet e vetë platformave të tyre, për sa kohë që ato veprojnë me “mirëbesim”.

 

SI LINDI NENI 230?

Historia e tij daton në vitet 1950, kur pronarët e librarive mbaheshin përgjegjës për shitjen e librave me përmbajtje të “papërshtatshme”, e cila nuk mbrohet nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës Amerikane. Çështja përfundoi në Gjykatën e Lartë, e cila u shpreh se ligji krijonte një “efekt të rëndë negativ”, duke mbajtur dikë përgjegjës për përmbajtjen e dikujt tjetër.

Kjo do të thoshte se paditësit duhej të dëshmonin se pronarët e librarive e dinin se po shisnin libra të papërshtathëm, thotë Jeff Kosseff, autor i librit “Njëzet e gjashtë fjalët që krijuan internetin” mbi nenin 230 të ligjit për komunikimet.

Disa dekada më vonë filloi të ngrihej interneti komercial me shërbimet si “CompuServe” dhe “Prodigy”. Ato ofruan platforma në internet, por “CompuServe” vendosi të mos i monitoronte ato, ndërsa “Prodigy”, në përpjekje për të krijuar një imazh miqësor për familjet, e bëri këtë.

Ndaj kompanisë “CompuServe” u ngrit një padi, e cila u rrëzua. Megjithatë, “Prodigy” filloi të ndeshej me probleme. Gjykatësi në rastin e tyre vendosi se “ata ushtronin kontroll editorial, kështu që i konsideroi më shumë si një gazetë, sesa një stendë gazetash”, thotë zoti Kosseff.

Kjo nuk u pëlqeu shumë politikanëve, të cilët shqetësoheshin se rezultati do të dekurajonte kompanitë e sapoformuara të internetit nga monitorimi i platformave të tyre. Dhe kështu lindi neni 230 i ligjit për komunikimet.

“Sot ai i mbron platformat në internet nga përgjegjësia për postimet e përdoruesve të tyre dhe nga çdo pretendim për monitorimin e përmbajtjes”, thotë zoti Kosseff.

 

ÇFARË MUND TË NDODHË NËSE NENI 230 RRËZOHET?

“Gjëja kryesore që bëjmë në internet është komunikimi me njëri-tjetrin. Përmes emailit, mediave sociale dhe platformave të tjera ne flasim me njëri-tjetrin. Dhe shumë nga këto biseda mundësohen nga Neni 230, i cili thotë se kushdo që na lejon të flasim me njëri-tjetrin nuk është përgjegjës për bisedat tona”, thotë Eric Goldman, professor i ligjeve për internetin në Universitetin Santa Clara. “Gjykata e Lartë mund ta ndryshojë, ose eliminojë lehtësisht atë dhe të thotë se njerëzit që na lejojnë të flasim me njëri-tjetrin janë përgjegjës për këto biseda. Përmes një vendimi të tillë ata (anëtarët e Gjykatës së Lartë) nuk do të na lejojnë të flasim më me njëri-tjetrin.”

Kemi të bëjmë me dy rezultate të mundshme. Platformat mund të bëhen më të kujdesshme, siç bëri “Craigslist”, pas miratimit në vitin 2018 të një ligji kundër trafikimit seksual, i cili krijoi një përjashtim nga Neni 230 për materialet që “nxisin, ose lehtësojnë prostitucionin”. Platforma “Craigslist” hoqi shpejt seksionin “personale”, i cili nuk kishte për qëllim të lehtësonte prostitucionin. Por kompania nuk donte të rrezikonte.

“Nëse platformat nuk do të kishin imunitet të bazuar në ligj, atëherë ato nuk do të rrezikonin përgjegjësinë ligjore që mund të vinte me lejimin në platformat e tyre të gënjeshtrave, shpifjeve dhe kërcënimeve të (ish-presidentit) Donald Trump”, thotë Kate Ruane, këshilltare legjislative e Unionit Amerikan të Lirive Civile.

Një mundësi tjetër është që Facebook, Twitter, YouTube dhe platforma të tjera, të heqin dorë tërësisht nga kontrollimi i përmbajtes në platformat të tyre.

Shërbime të tilla të pamonitoruara në fund mund të dominohen me lehtësi nga platforma të papërgjegjshme si “8chan”, një faqe famëkeqe për përmbajtjet grafike dhe ekstremiste.

Çdo ndryshim i Nenit 230 ka të ngjarë të ketë efekte domino mbi të drejtën e fjalës në internet anembanë globit.

“Pjesa tjetër e botës po godet internetin me një ritëm më të shpejt se Shtetet e Bashkuara”, thotë profesor Goldman. “Pra, ne jemi një hap prapa pjesës tjetër të botës për sa i përket censurimit të internetit. Dhe pyetja është, nëse ne mund t’i rezistojmë të vetëm trysnisë për këto ndryshime.”

voa

Presidenti Biden siguron aleatët për mbështetjen, ndërsa lufta hyn në një fazë komplekse

Biden mbeshtetjePresidenti Joe Biden po konsultohet të martën në Poloni me aleatët e krahut lindor të NATO-s, ndërsa agresioni rus i Ukrainës po shkon drejt një faze edhe më të ndërlikuar.

 

Pasi bëri një vizitë të paparalajmëruar në Kiev, zoti Biden shkoi në Varshavë të hënën me synimin për të forcuar unitetin perëndimor ndërsa si Ukraina edhe Rusia bëhen gati për ofensiva të reja në pranverë. Lufta më e madhe rnë Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – ka shkaktuar deri tani vdekjen e mijëra personave, ka shkatërruar sistemin e infrastrukturës së Ukrainës dhe ka dëmtuar ekonominë globale.

“Mendova se ishte kritike që të mos kishte asnjë dyshim, asnjë lloj dyshimi, për mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën në luftë,” tha zoti Biden në krah të presidentit ukrainas Volodomyr Zelenskyy në Kiev përpara se të nisej për në Poloni.

Presidenti Biden u prit të martën nga presidenti polak Andrzej Duda në Pallatin Presidencial dhe do të mbajë një fjalim para Kështjellës Mbretërore të Varshavës, ku pritet ta vërë theksin tek angazhimi i vendit të Evropës Qendrore dhe aleatëve të tjerë ndaj Ukrainës gjatë vitit të kaluar. Të mërkurën, ai do të konsultohet me zotin Duda dhe udhëheqës të tjerë të grupit të Bukureshtit, që përbëhet nga nëntë aleatët e krahut më lindor të NATO-s.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha se në fjalimin në Kështjellën Mbretërore, presidenti demokrat do të theksojë se hapat që do të ndërmarrin vendet demokratike në vitet e ardhshme do të kenë ndikim për një kohë të gjatë.

Ndërsa presidenti Biden po e përdor udhëtimin e tij në Evropë si një moment konfirmimi mbështetjeje për Ukrainën dhe aleatët, Shtëpia e Bardhë ka theksuar se nuk duket të ketë një përfundim të qartë të luftës në të ardhmen e afërt dhe se situata në terren po bëhet gjithnjë e më komplekse.

voa

Putin fajëson perëndimin për luftën në Ukrainë

Putin fajeson perendiminPresidenti rus mbajti një fjalim me akuzat e njohura kundër perëndimit, por me një gjuhë shumë më të ashpër. Putin bëri plotësisht përgjegjës perëndimin për shkallëzimin e luftës në Ukrainë.

 

Tradicionalisht kreu i Kremlinit mban një fjalim para deputetëve për gjendjen e kombit, ku bën një bilanc të vitit dhe paraqet objektivat e rinj strategjikë. Fjalimi i këtij viti para Asamblesë Federale u mbajt në të njëjtën ditë me fjalimin që presidenti amerikan, Joe Biden mban para pallatit presidencial në Varshavë.

Pak para 1 vjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë, presidenti rus mbajti një fjalim, me interpretimet e tij për luftën në Ukrainë dhe akuza ndaj perëndimit.Ishte perëndimi ai që e filloi luftën tha Putin, duke pretenduar, se Rusia përpiqet vetëm t’u japë fund luftimeve. “Ata e filluan luftën. Ne bëmë të pamundurën për të ndalur atë.” Sipas Putinit, perëndimi kishte filluar para luftës negociata me Kievin për furnizime me armë. Presidenti rus theksoi, se pas kurrizit të Rusisë u përgatit një skenar tjetër. “Përgjegjësia për nxitjen e konfliktit të Ukrainës, për shkallëzimin e tij, për viktimat e shumta (…) ndodhet “e gjitha” tek elitat perëndimore. Sipas Putinit është në pyetje ekzistenca e Rusisë, pasi perëndimi do ta “heqë qafe një herë e mirë” Rusinë. Rusia ka nevojë për partneritete të ndershme, u shpreh Putin. Perëndimi do të kthejë një konflikt lokal në një konflikt global tha ai para parlamentit, por “është e pamundur të mundësh vendin tonë në sheshin e betejës”.

 

Putini nuk heq dorë nga “operacioni special ushtarak”

Fjalimi i Putinit u karakterizua nga një gjuhë e ashpër kundër perëndimit.Perëndimi “pështyn mbi botën” tha ai dhe qëllimi i tij është pushtet pa kufi. Ai përsëriti akuzën e njohur, se në Kiev ndodhet një “regjim neonazist” dhe vazhdoi ta quajë luftën që nisi Rusia “operacion special ushtarak”. Për presidentin rus, populli ukrainas është marrë peng dhe Rusia është çlirimtare. Sipas Putinit, Rusia do të vazhdojë ofensivën në Ukrainë “sistematikisht” dhe do të ndjekë objektivat e saj në mënyrë sistematike dhe “hap pas hapi” derisa të arrijë qëllimet. Ai u tregua i bindur, se shumica e popullsisë ruse e mbështet mënyrën e veprimit të qeverisë në Donbas dhe theksoi, se “tradhtarët” do të nxirren para drejtësisë. Në fjalimin e tij kreu i Kremlinit falënderoi familjet e ushtarëve të vrarë dhe veteranët e luftës dhe deklaroi krijimin e një fondi të posaçëm për për mbështetjen e tyre financiare. Kurse në zonat e reja do të ketë më shumë programe sociale, tha Putin duke iu referuar me këtë katër rajoneve të aneksuara ruse.

 

Putini bën të ditur modernizimin e ushtrisë ruse

Në fjalimin e tij presidenti Putin iu kushtua edhe ekonomisë së vendit dhe u krenua se ekonomia ruse doli shumë më e fortë se sa e priste perëndimi. “Perëndimi na lufton në frontin ekonomik”, tha Putin, por nuk do të ketë sukses. Sipas Putini, perëndimi ka provokuar rritje çmimesh dhe humbjen e vendeve të punës për të bërë që populli rus të vuajë. “Perëndimi ka vjedhur arin dhe rezervat tona të devizave”, tha Putin duke iu referuar sanksioneve të perëndimit. “Por llogaria e tyre nuk doli. Ekonomia ruse dhe menaxhimi i saj kanë dalë më të forta, se mendonin ata.”

 

 

Presidenti rus shpalli edhe modernizimin e ushtrisë ruse. “Grada e pajisjes të forcave kërcënuese të Rusisë me sisteme të reja përbën 91,3%”, tha Putin. Tanimë duke parasysh edhe përvojat tona të mbledhura, duhet të arrijmë një cilësi të tillë kaq të lartë në të gjitha aspektet e forcave të armatosura”, theksoi Putin duke shtuar, se Rusia i ka të gjitha burimet e duhura financiare, megjithë sanksionet e perëndimit për të garantuar sigurinë dhe zhvillimin e saj.

Gjatë fjalimit të drejtpërdrejtë të presidentit rus nuk funksionuan faqet ruse të internetit. Gazetarë të Reuters nuk mund të klikonin faqen e internetit të Shoqërisë Shtetërore të Audio dhe Televizionit, (VGTRK) dhe platformën live Smotrim. Fjalimi i Putinit ishte fjalimi i 18-të drejtuar kombit. Vitin e kaluar ky fjalim nuk u mbajt, dhe Putini e justifikoi atë me “dinamikën e ngjarjeve”. Falimi i fundit u mbajt në prill 2021.

la/rtr/dpa,afp

Zhvillimet në Ukrainë, rreziku më i madh për sundimin e Putinit

PutinVladimir Putin thotë se ai mësoi nga zënkat kur ishte fëmijë në qytetin e lindjes, Shën Petersburg se “nëse dëshiron të fitosh një luftë, duhet ta çosh deri në fund, sikur të ishte beteja më vendimtare e jetës tënde”. Ky mësim, i cituar në biografinë më të fundit të presidentit rus, duket se po e udhëheq atë ndërsa agresioni në Ukrainë përballet me pengesa dhe ngërç. I forti i Kremlinit, i cili filloi luftën më 24 shkurt 2022 dhe mund ta ndërpriste atë për një minutë po të donte, duket se është i vendosur të triumfojë, pa mëshirë dhe me çdo kusht.

 

Ndërsa iu drejtohej bashkatdhetarëve të tij këtë muaj në 80-vjetorin e Betejës së Stalingradit që ndryshoi fatin e Moskës në Luftën e Dytë Botërore, ai tha: “Gatishmëria për të ecur para për hir të Atdheut dhe të vërtetës, për të bërë të pamundurën, ka qenë dhe gjithmonë do mbetet në gjak, në karakterin e popullit tonë multietnik”.

Por deri më tani, rreziku që mori në sy presidenti Putin për të pushtuar fqinjin më të vogël dhe më të dobët të Rusisë, duket se ka dështuar në mënyrë spektakolare dhe ka krijuar kërcënimin më të madh për sundimin e tij prej më shumë se dy dekadash.

 

HISTORIA DHE PENGESAT MODERNE

Ai e filloi “operacionin e posaçëm ushtarak” në emër të çmilitarizimit dhe “denazifikimit” të Ukrainës, duke kërkuar të mbrojë rusët etnikë, të parandalojë anëtarësimin e Kievit në NATO dhe ta mbajë atë në “sferën e ndikimit” të Rusisë. Ndërsa ai pretendon se Ukraina dhe Perëndimi provokuan agresionin rus, ata thonë pikërisht të kundërtën. Ukrainasit thonë se ishte një akt i paligjshëm dhe i pacipë agresioni kundër një vendi me një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe një president hebre, të afërmit e të cilit u vranë në Holokaust.

Zoti Putin hodhi themelet për agresionin me një ese prej 5000 fjalësh të publikuar më 2021, në të cilën ai vuri në dyshim legjitimitetin e Ukrainës si komb. Ky ishte vetëm kapitulli i fundit në një obsesion të gjatë me Ukrainën dhe një vendosmëri për të korrigjuar atë që ai beson se ishte një gabim historik për ta lënë atë të rrëshqiste nga orbita e Moskës. Ai u kthye pas tre shekuj në histori, duke iu referuar Pjetrit të Madh, në përpjekje për të gjetur argumente në mbështetje të agresionit për të ripushtuar territorin që sipas tij i takon Rusisë.

Por korrigjimi i historisë së shpejti u përball me pengesa moderne.

“Gjithçka që ai donte të arrinte ka shkuar në mënyrë katastrofike”, tha gazetari britanik Philip Short, i cili vitin e kaluar botoi librin biografik mbi presidentin rus të titulluar, “Putin”.

Pavarësisht ndërhyrjeve të armatosura në Çeçeni, Siri dhe Gjeorgji, presidenti Putin mbivlerësoi ushtrinë e tij dhe nënvlerësoi rezistencën e Ukrainës dhe mbështetjen perëndimore. Mediat ruse përpiqen të forcojnë autoritetin e tij me imazhet e një Putini kraharor të zhveshur duke hipur në kalë, duke qëlluar në një poligon ushtarak, por lufta ka nxjerrë në pah mangësitë e tij dhe dobësinë e ushtrisë ruse, shërbimeve të inteligjencës dhe disa sektorë ekonomikë.

Forcat ukrainase kanë çliruar më shumë se gjysmën e territorit të pushtuar nga Rusia. Lufta ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra vetëve nga të dyja palët, ka shkaktuar shkatërrim të gjerë dhe ka shtyrë jo vetëm Ukrainën, por Suedinë dhe Finlandën të kërkojnë anëtarësim në NATO. Ajo ka rritur kërcënimin e sigurisë për Rusinë dhe ka kthyer pas dekada të integrimit të Rusisë me Perëndimin, duke sjellë izolim ndërkombëtar.

Gjithnjë e më shumë, presidenti Putin duket se po improvizon në konfliktin shumë më të gjatë dhe më të vështirë sesa ai priste. Për shembull, ai ka kërcënuar se do të përdorë armë bërthamore, më pas është tërhequr. Kjo strategji vjen nga pasioni i tij i përjetshëm, xhudoja:

“Duhet të jesh i zhdërvjellët. Ndonjëherë mund t’u hapësh rrugë të tjerëve, nëse kjo është mënyra që të çon drejt fitores”, tregonte zoti Putin në intervistat me regjisorin amerikan Oliver Stone gjatë viteve 2015-2017, ku ai paraqitej nën një dritë pozitive.

Sipas mendimit të presidentit Putin, Perëndimi agresiv dëshiron të shtypë Rusinë. Deklarimet e tij, së bashku me masat gjithnjë e më represive për të shtypur mospajtimin e brendshëm, kanë rritur mbështetjen patriotike mes shumë prej bashkatdhetarëve të tij. Por kjo mbështetje përballet me një strukturë pushteti joefikase, nga lart-poshtë, të trashëguar nga Bashkimi Sovjetik dhe sakrificave që rusët po vuajnë personalisht.

 

NJË UDHËHEQËS I ÇORIENTUAR, POR I VENDOSUR

Në intervistat me Associated Press, biografi i presidentit rus, Short, analistë të tjerë dhe një ish-zyrtar i Kremlinit e përshkruajnë 70-vjeçarin Putin si një udhëheqës të çorientuar, të dobësuar, të ngurtë dhe me një mentalitet të vjetëruar dhe që nuk e pranon se po has vështirësi.

Ata thonë se ai duket se është i shqetësuar për përkrahjen që po zbehet, megjithëse ende të fortë, të opinionit publik vendas, megjithëse të dhënat janë nga hulumtime jo të besueshme. Kryesisht i izoluar për shkak të shqetësimeve të COVID-19 dhe sigurisë së tij personale, presidenti Putin flet me një grup të vogël këshilltarësh, por ata duket se ngurrojnë t’i japin vlerësime të sinqerta.

Vëzhguesit shohin një luftë të gjatë dhe të ashpër që ai është i vendosur ta fitojë, me rrugëdalje që është e vështirë për t’u parashikuar.

Nuk është zoti Putin ai që sundon Rusinë. Janë rrethanat që sundojnë Putinin”, tha Tatiana Stanovaya, anëtare e lartë e organizatës jo qeveritare amerikane, “Carnegie Endowment for International Peace”.

Zoti Short beson se udhëheqësi i Kremlinit “e ka vendosur veten në një pozicion nga ku e ka të vështirë të lëvizë … Ai do të kërkojë mënyra për të ecur para, por nuk mendoj se i ka gjetur ato”. Nuk ka gjasa të dorëzohet, tha zoti Short, duke kujtuar se “karakteri i tij ishte gjithmonë të forconte përpjekjet dhe të luftonte edhe më fort”.

Fiona Hill, e cila ka shërbyer në tre administratat e kaluara të Shteteve të Bashkuara dhe është studiuese në Institutin Brookings, beson se zoti Putin donte fitore të shpejtë në Ukrainë, të caktonte një president të ri në Kiev dhe ta detyronte atë t’i bashkohej Bjellorusisë, në një bashkim sllav me Rusinë. Rusinë do ta drejtonte një pasardhës tjetër, tha ajo, ndërsa zoti Putin do të forconte rolin e tij duke marrë udhëheqjen e një aleancë më të madhe.

Por tani, sipas zonjës Stanovaya, “Ndihet se nuk ka asnjë shpresë se konflikti mund të zgjidhet në ndonjë mënyrë tjetër përveçse ushtarake. Dhe kjo është e frikshme.”

 

SKENARËT E MUNDSHËM PËR PRESIDENTIN PUTIN

Analistët parashikojnë disa skenarë për zotin Putin, në varësi të zhvillimeve në fushën e betejës. Skenarët, që nuk përjashtojnë njëri-tjetrin, variojnë nga ajo që mund të ishte makthi i tij më i madh – një grusht shteti apo kryengritje si ato që ai pa si agjent i KGB-së në Gjermaninë Lindore në 1989, në Bashkimin Sovjetik në 1991 ose në Ukrainë në 2004 dhe 2014 – deri tek një rizgjedhje e tij këtë vit. Kjo do të zgjaste edhe më tej sundimin më të gjatë të Kremlinit nga një udhëheqës, Kremlinit, që nga koha e Josif Stalinit.

Dmitry Oreshkin, analist politik dhe profesor në Universitetin e Lirë në Riga, Letoni, tha se zoti Putin mund të rishikojë objektivat e tij në Ukrainë, duke deklaruar se i arriti ato duke krijuar një korridor tokësor nga Rusia në Krime dhe duke vënë nën kontroll rajonet Donetsk dhe Luhansk, në lindje. Pastaj ai mund të deklarojë se: “Ne i ndëshkuam. Ne u treguam atyre se kush janë të zotët e shtëpisë. Ne kemi mundur të gjitha vendet e NATO-s,” shtoi Oreshkin.

Por Kievi nuk ka pranuar të lëshojë territore, dhe që Presidenti Putin ta shesë këtë si një fitore, zoti Orsehkin beson se “ai duhet të bindë veten se e mundi Ukrainën. Dhe ai e kupton më mirë se kushdo që, në fakt, ai humbi.”

Ndërsa shtohen pengesat ushtarake, rusët po bien moralisht dhe psikologjikisht dhe mendojnë: “Po, po shohim se diçka nuk shkon në luftë, por nuk duam ta dimë se çfarë”, thotë zoti Oreshkin.

Sipas tij, ky pranim, së bashku me vështirësitë ekonomike, mund të shtojë kritikat ndaj Presidentit Putin, ndoshta gjatë verës, në një kohë që rusët pyesin “na premtoi fitore, ku është fitorja”?

Abbas Gallyamov, që më parë ka shkruar fjalimet e zotit Putin tha se presidenti rus nuk i pranon gabimet apo humbjet dhe “i duhet dëshpërimisht fitorja vetëm për të vërtetuar se ai është një njeri i fortë”.

Madje edhe një pjesë e ushtrisë po bëhet kritike, tha ai.

“Kur ai të urrehet nga më shumë se gjysma e ushtrisë – dhe ne po shkojmë në këtë drejtim – mundësitë për një grusht shteti, për një puç nga elita ushtarake do të rriten,” tha Gallyamov, duke përcaktuar si afat vitin 2024 ose disa vjet më shumë.

Por zonja Stanovaya dhe zoti Short nuk presin të ndodhë ndonjë kryengritje e afërt, e çdo forme.

“Edhe nëse njerëzit vuajnë, të jenë të pakënaqur dhe të zemëruar, nuk do e kthejnë në çështje politike” tha Stanovaya.

Zoti Gallyamov sheh një rrugëdalje për Presidentin Putin, nëse ai mund të sigurojë njohjen e “territoreve të reja, plus një deklaratë të NATO-s që ndalon zgjerimin, për shembull, ose futjen në kushtetutën e Ukrainës të statusit neutral … ose një deklaratë të tyre se rusishtja do të jenë gjuha e dytë zyrtare”.

 

VDEKJA DHE PASARDHËSI

Një tjetër mundësi është që zoti Putin të vdesë në detyrë, por drejtori i CIA-s, William Burns është skeptik.

“Ka shumë thashetheme për shëndetin e Presidentit Putin dhe me sa mund të themi, ai është plotësisht shumë i shëndetshëm,” tha zoti Burns, ish-ambasador i SHBA në Moskë, në Forumin e Sigurisë Aspen në Kolorado në korrik.

Zoti Short tha se Presidenti Putin ka krijuar kontrolle të forta sigurie dhe më të mëdha janë gjasat që ai të ketë një atak zemre se sa ta rrëzojnë nga pushteti njerëzit pranë tij.

Ai dhe zonja Hill besojnë se Presidenti Putin me shumë mundësi po kërkon një pasardhës. Zoti Gallyamov rendit si pasardhës të mundshëm “teknokratë” si kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin dhe kryeministri Mikhail Mishustin.

Zonja Hill tha se Dmitry Medvedev, të cilin zoti Putin e zgjodhi si president nga viti 2008 deri në 2012, “duket se është në provë për të rimarrë të njëjtin rol”.

Për momentin, zoti Putin mbetet në krye të detyrës. Në biografinë e tij të autorizuar të vitit 2000, ai vuri në dukje: “Gjithmonë bëhen shumë gabime në luftë. … Duhet të mbani një qëndrim pragmatik. Dhe duhet të vazhdoni të mendoni për fitoren.”

Kur një gazetar e pyeti në dhjetor nëse “operacioni i tij special ushtarak” në Ukrainë ka marrë shumë kohë, zoti Putini u përgjigj me një shprehje ruse se qëllimet e mëdha arrihen gradualisht: “Pula i çukit kokrrat e grurit një e nga një”.

voa