Kurti thotë se Kosova mishëron vlerat e njëjta me Këshillin e Evropës

qeveria KurtiKryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kanë marrë pjesë në takimin e parë të Grupit Koordinues për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kryeministri, Albin Kurti, ka thënë se shteti ynë mishëron vlerat e njëjta me Këshillin e Evropës.

“Natyrshëm e kemi vendin në këtë organizatë. Kjo forcon edhe më shumë mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve tanë, pa dallim. Kosova ka plotësuar kërkesat ligjore dhe standardet demokratike për pranim në KE”, tha kryeministri Kurti.

Ndërsa, ministrja Donika Gërvalla, tha se tash që procesi ka kaluar te asambleja e Këshillit të Evropës, fillon një etapë e rëndësishme e vlerësimit dhe hapave konkret në këtë proces.

“Qeveria e Kosovës do të bashkëpunoj ngushtë në procesin e vlerësimit të grupit punues të Këshillit të Evropës, në çdo etapë. Kur ka kaluar faza e parë gjithçka do të varët nga koordinimi i këtij grupi, nga bashkërendimi juaj varët edhe anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha ministrja Gërvalla.

Në prill, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, kishte marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës. Ky Komitetit përfaqëson 46 shtetet anëtare të KE-së, ndërsa në një mbledhje të jashtëzakonshme kishte marrë vendimin për Kosovën me më shumë se 2/3 e votave.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, që po ashtu u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin. Republika e Kosovës ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

rtk

Universiteti i Bernës konfirmon zyrtarisht: Lini në Pogradec, vendbanimi më i vjetër në Europë

bazilika-linRezultatet e gërmimeve mbi 4-vjeçare të arkeologëve shqiptarë dhe atyre nga Universiteti i Bernës kanë konfirmuar se vendbanimi palafit i Linit në Pogradec është më i vjetri në Europë, mbi 8500-vjeçarë.

 

Albert Hafner, arkeolog nga Zvicra, thotë se kemi të bëjmë me një vendbanim që zhvillonte bujqësinë 8 deri në 9 mijë vjet më parë, që më pas është përhapur në Itali dhe në të gjithë Europën. Ai thotë se ky vendbanim është rreth 2 mijë vjet më i vjetër se ato të gjetura në Zvicër.

“Njohuritë që kemi fituar në Zvicër do t’i zhvendosim këtu për të vijuar më tej me gërmime që të kemi më shumë të reja mbi vendbanimin më të vjetër në Europë. Ne duam të dimë datat e sakta të këtij vendbanimi. Këtu është zhvilluar bujqësia, që më pas është zhvendosur në Itali dhe në të gjithë Europën”, shprehet arkeologu zviceran.

Për arkeologun shqiptar Adrian Anastasi, ky është jo vetëm një zbulim i madh, pasi edhe rezultatet e kanë konfirmuar. Ai shkon më tej kur thotë se të gjitha gjetjet mund të vendosen në Pogradec, apo edhe në forma digjitale në funksion të turizmit arkeologjik.

“Ky vendbanim rezulton të jetë më i vjetri në Europë. Kjo është e lidhur edhe me ngritjen e disa pyetjeve për të ardhmen. Pse këta njerëz vendosën të kalonin në vendbanime në breg të liqenit? Këto janë pjesë të studimit. Ne, nga viti në vit, gjithmonë kemi rezultate, të cilat janë befasuese edhe për ne, siç është edhe rasti i këtij viti”, tha arkeologu shqiptar.

E pranishme në prezantimin e rezultateve, ambasadorja zvicerane në vendin tonë u shpreh e lumtur që Zvicra është pjesë e kërkimeve, ndërsa shtoi se këto gjetje mund të jenë një formë shumë e mirë për të thithur edhe më shumë turistë zviceranë.

Gërmimet në vendbanimin palafit të Linit tashmë po zhvillohen në ujë, pasi ai ka qenë i ndërtuar mbi drurë në tokë dhe liqen. Ndërkohë, ka të dhëna se një vendbanim i tillë është edhe pranë kufirit aktual me Maqedoninë e Veriut.

Pa lejen e KFOR-it dronët Bayraktar nuk lejohet të përdoren

drone AlbinKosova ka blerë dronë ushtarakë Bayraktar TB-2 nga Turqia, por për përdorimin e tyre nevojitet leja e forcave paqeruajtëse të NATO-s, të cilat veprojnë në Kosovë nën mandatin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.

 

Vetëm një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur plot krenari se Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, deklaroi se për përdorimin e tyre duhet marrë leja nga komandanti i KFOR-it, sepse hapësira ajrore e  Kosovës është nën autoritetin e plotë të misionit paqeruajtës të NATO-s që nga viti 1999.

Kurti: Kosova më e sigurt dhe gjithnjë krenare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në facebook: “Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar me mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare!”.

Ai shpërndau edhe fotografi së bashku me Komandantin e FSK-së gjenerallejtnant, Bashkim Jasharin, ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe oficerë që kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve.

KFOR-i ka autoritetin kryesor mbi hapësirën ajrore të Kosovës

Përmes një deklarate KFOR-i rikujtoi menjëherë qeverinë e Kosovës se “Lidhur me përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve dhe kufizimet përkatëse, duke përfshirë Bayraktar TB-2, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, Komandanti i Forcave të Kosovës (KFOR) ka autoritetin kryesor për hapësirën ajrore mbi Kosovë. Hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovë nga një vend në tjetrin përmes fluturimeve komerciale.”

Pa lejen e KFOR-it dronët nuk lejohet të përdoren

Më tej në deklaratë thuhet se “mbështesim FSK-në për operacionet e mbrojtjes civile siç janë shuarja e zjarreve, asgjësimi i mjeteve shpërthyese, kërkimi dhe shpëtimi dhe reagimi ndaj derdhjeve të materialeve të rrezikshme”, por se për përdorimin e dronëve KFOR-i pret që institucionet në Kosovë të koordinohen dhe të respektojnë procedurat ekzistuese me KFOR-in.

Dronët Bayraktar TB-2 mund të fluturojnë kryesisht në lartësi deri në 5.000 metra. Ata mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë. Dronët Bayraktar konsiderohen si armë mjaft e rëndësishme në konflikte, përfshirë edhe luftën në Ukrainë. Dronët Bayraktar TB-2 aktualisht përdoren nga së paku 11 ushtri të botës. Tani për tani nuk ka informacione se sa dronë Bayraktar TB-2 ka blerë Kosova.

dw

Përfunduan pa sukses bisedimet në Bruksel

LajcakPala kosovare mendon që plani i BE-së për uljen e tensioneve në veri është selektiv dhe u kushton më shumë vëmendje kërkesave të Serbisë. Pala serbe mendon ndryshe.

 

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, zhvilluan takime të ndara  në Bruksel me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Qëllimi i takimit që zgjati deri në orët e vona të së mërkurës, ishte diskutimi i shumë çështjeve për uljen e tensioneve në veri të Kosovës si dhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve, por përparim nuk kishte.

“Diskutuam një listë të gjatë të çështjeve të dialogut duke filluar me zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe shtensionimin në veri. Diskutimet do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme” shkroi  Lajçak në twitter. Ai nuk tregoi se pse nuk ndodhi takimi tre palësh, por, sipas kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi,  ishte qëndrim i zotit Lajçak që të mos ketë takim trepalësh.

 

“Një takim i tillë, jo domosdo do të kontribuonte në finalizimin e dokumenteve, sepse Lajçak mendon që ka ende nevojë për koordinim shtesë para se kjo të ndodhë. Madje ka ide që plani i sekuencimit, apo zbatimit të marrëveshjes kërkon takim të nivelit të lartë”, tha Bislimi, duke u pajtuar që niveli i kryenegociatorëve nuk mund ta përfundojnë këtë proces në mënyrë të suksesshme. Kryenegociatori kosovar shfaqi brengën se drafti që Lajçak u ka dërguar palëve në këtë rast Kosovës dhe Serbisë, për shtensionim e gjendjes në veri, është selektiv.

Plani selektiv

“Ne mendojmë që ai plan është selektiv, u kushton më shumë vëmendje kërkesave të Serbisë dhe nuk garanton zbatim të plotë të marrëveshjes. Ne kemi tentuar që në një takim trilateral me palën serbe të vendosim të gjitha obligimet që palët marrin nga marrëveshja bazike në një plan të detajuar të sekuencimit. Nuk kemi arritur ta përfundojmë këtë mision, por kemi përmirësim apo ecje tutje”, tha Bislimi. Kryenegociatori kosovar shfaqi habinë se pse Bashkimi Evropian nuk po heq masat kundër Kosovës, meqë kjo e fundit tashmë ka bërë hapat e parë.

“Për ne është habi që edhe tetë ditë pas dakordimit në Bratisllavë, ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e zotit Borrell që kërkon heqjen e masave nga ana e Komisionit Evropian. Nuk mund të themi që kemi zbatuar të gjitha masat për arsye se një prej masave është mbajtja e zgjedhjeve, por ne kemi treguar rrugën që çon në normalizimin e situatës e mungesa e kësaj rruge ka qenë preteksti i BE-së për vendosjen e masave ndëshkuese”, tha zoti Bislimi.

Drafti kërkon uljen e tensioneve

Drafti i Bashkimit Evropian që ndërmjetësi Lajçak u ka dhënë palëve, kërkon që për uljen e tensioneve në veri, duhet pezulluar operacionet policore, të bëhet zhvendosja e kryetarëve shqiptar të komunave në zyra alternative dhe të shpallen zgjedhjet e parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës tashmë ka njoftuar se ka zvogëluar me 25% praninë policore në ndërtesat e kuvendeve komunale, duke u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Kryenegociatori i Serbisë Petar Petkoviq nuk foli pas takimit në Bruksel. Por të njëjtën ditë, i dërguari i BE-së Mirosllav Lajçak, takoi presidentin e Serbisë,  Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit vazhdon të ngulë këmbë siç thotë, “në hapat konkretë që synojnë mbrojtjen e jetës së serbëve në Kosovë, si dhe në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani”.

“Kam folur me Mirosllav Lajçakun për raundin e fundit të bisedimeve teknike midis Beogradit dhe Prishtinës dhe mënyrat për t’i ulur tensionet në terren. Serbia vazhdon të insistojë në hapa konkretë për të mbrojtur jetët e serbëve në Kosovë dhe Metohi, si dhe për zbatimin nga marrëveshjet e arritura deri më tani”, shkroi Vuçiq në Instagram.

Presidenti serb tha se situata në veri të Kosovës po bëhet gjithnjë e më shumë çështje e sigurisë sesa çështje politike. Këtë e tha edhe gjatë një takimi që zhvilloi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stolteberg. Ky i fundit ju bëri thirrje palëve të përmbahen nga veprimet e dhunshme.

“Është më rëndësi që tensionet janë ulur dhe u bëjmë thirrje palëve  të përmbahen nga veprimet dhe retorika nxitëse. Rruga e vetme është dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha Jens Stoltenberg.

dw

Shkup: Zgjerohet “lista e zezë” nga SHBA-ja

mk USADepartamenti i Thesarit të SHBA-së fut në “listën e zezë” bisnesmenin nga Maqedonia e Veriut, Orce Kamçev.

 

Sipas Departamentit të Thesarit të SHBA-së, që bën kontrollin e pasurive të huaja, Orce Kamçev, është person që kërcënon stabilitetin e Ballkanit Perëndimor përmes korrupsionit dhe sjelljeve të tjera destabilizuese.

“Kamçev abuzoi me pozitën e tij, duke u angazhuar në aktivitete korruptive dhe duke zbatuar agjendën e tij në kurriz të institucioneve demokratike dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, tha Brian Nelson, zëvendësministër i Thesarit.

Në njoftimin zyrtar theksohet se Kamçev është i përfshirë në procesin gjyqësor të njohur si “Parcelat në Vodno” dhe “Perandoria”, duke saktësuar që aktivitetet e tij kanë filluar nga viti 2000. Ai në këtë periudhë ai kishte tentuar që të manipulontë përmes korrupsionit edhe sistemin juridik.

Në shumë raste Kamçevi e ka përdorur ndikimin e tij dhe pasurinë për ta manipuluar sistemin e drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, në të mirë të tij. Kamçevi është drejtor i kompanisë “Orka Holding”, e themeluar në vitin 1990 nga babai i tij. Ai është bashkëpronar i spitalit privat “Sistina” në Shkup, por edhe i shumë bizneseve tjera. Sanksionet përfshijnë bllokimin e të gjitha pronave të tij në tokën amerikane si dhe ndalimin e Kamçevit që të bëjë biznes me subjekte amerikane.

Ageler: Zero tolerancë për korrupsionin

Që Maqedonia e Veriut t’i tejkalojë sfidat të cilat ka para saj, korrupsioni nuk guxon të anashkalohet, përgjegjësit patjetër duhet të japin përgjegjësi, tha ambasadorja e SHBA-së në RMV, Angela Ageler. Ajo theksoi se hapa të tillë nuk janë personale ose të motivuara politikisht.

“Nuk mund të them se cili do të jetë personi i ardhshëm që mund përfshihet në listë, sepse ka edhe persona dhe organizata tjera, të cilat për momentin po shqyrtohen” – tha Ageler.

Për ndikimin që ka “lista e zezë” amerikane ambasadorja Ageler tha se SHBA nuk do të vijë që të arrestojë ndonjë person ose do të ndërmarrë masa të caktuara për ndonjë personalitet. Ajo shtoi se është interesante që të shihen hapat e ardhshme, duke aluduar për institucionet gjyqsore të vendit.

“Departamenti i Thesarit pati mundësi të gjejë prova dhe që i ka mbledhur, informacionet janë të qasëshme. Por masat e ardhshme varen nga organet përgjegjëse të RMV-së”, tha Ageler. Ajo bëri edhe një herë thirrje se korrupsioni, në çfarëdo forme, nuk duhet të tolerohet.

Lloga: Sistemi gjyqsor vendor duhet të jetë më syhapur

Ministrit të Drejtësisë i RMV-së, Krenar Lloga, duke komentuar përfshrjen e bisnismenit maqedonas Kamçev në listën e zezë të SHBA-së tha se një gjë e tillë ishte e pritshme.

“Kamçevi është njëri prej sponsorëve kryesorë për shkatërrimin e Prokurorisë Speciale. Emri i tij lidhet me shumë probleme në shtet. Më vjen mirë që është përfshirë në “listën e zezë” të SHBA-së, por më vjen shumë keq që sistemi gjyqësor në Maqedoni nuk e ka parë dhe vazhdon të mos e shohin në mënyrën që e pret qytetari i thjeshtë”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.

Kamçevi është personi i dytë i cili përfshihet në listën e zezë amerikane për më pak se një muaj. Më parë Departamenti i Thesarit futi në listën e zezë Ramiz Merkon, kryetar aktual i Komunës së Strugës. Në njoftimin e Departamentit Amerikan thuhet se kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut. Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-së janë edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.

Në vitin 2022 për shkelje ligjore dhe prishje të demokracisë në institucione publike, shoqëruar me korrupsion, Departamenti Amerikan shpalli non grata edhe ish- kryeministrin e RMV-së, Nikolla Gruevskin, dhe ish-drejtorin e Sigurimit, Sasho Mijallkovin. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish-ministri i Punëve të Brendëshme, Lube Boshkoski dhe ish-deputeti Xhevat Ademi.

dw

Shkup, ambasadorja amerikane: Lista e zezë mund të zgjerohet

USA Angela AggelerAmbasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler paralajmëroi se Uashingtoni mund të përcaktojë të tjerë persona dhe organizata për korrupsion, por pa dhënë më shumë detaje.

 

Komentet e saj pasuan përcaktimin të mërkurën për korrupsion nga Departamenti amerikan i Thesarit të biznesmenit maqedonas Jordan (Orce) Kamçev.

Biznesmeni Kamçev ka qenë themelues i një spitali të njohur në Shkup (Sistina), të cilin prej pak vitesh nuk e menaxhon më sikurse edhe një sërë kompanish të ngritura nga ai vetë. Megjithatë, ai zotëron aksione në të paktën një bankë në Shkup dhe ka ndikim në shumë biznese të tjera. Jordan (Orce) Kamçev doli nga burgu para disa muajsh ndërsa akuzohej nga Prokuroria e Posaçme për pastrim parash dhe për aktivitete biznesi “off shore”.

“Zoti Kamcev abuzoi me pozitën e tij, duke u angazhuar në aktivitete korruptive dhe duke ndjekur një agjendë egoiste në kurriz të institucioneve demokratike dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, thuhej në njoftimin e departamentit amerikan të Thesarit. “Departamenti mbetet i përkushtuar për të vendosur para përgjegjësisë ata që kryejnë akte korruptive”, thuhej më tej.

Departamenti i Thesarit njoftoi gjithashtu se kishte bllokuar të gjitha pronat e biznesmenit që ndodhen në Shtetet e Bashkuara ose në zotërim apo nën kontrollin e shtetasve amerikanë, të lidhur me të.

Ambasadorja amerikane në Shkup tha se pret me interes të shohë nëse institucionet maqedonase do të ndërmarrin hapat e duhura sa i takon luftës kundër korrupsionit. Sipas saj personat përgjegjës duhet të japin llogari para drejtësisë duke shtuar se provat lidhur me veprimtarinë e personave të përcaktuar, janë mbledhur në Maqedoninë e Veriut.

“Qytetarët meritojnë institucione të cilave mund t’u besohet”, tha zonja Aggeler, duke bërë thirrje për transparencë e luftë pa kompromis në mbështetje të vlerave demokratike.

Departament amerikan i Shtetit shpalli pak kohë më parë ‘non grata’ Ramiz Merkon, kryetar i Komunës së Strugës në Maqedoninë e Veriut.

Një vendim i tillë nënkupton se Ramiz Merkos dhe familjes së tij, nuk do t’i lejohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

voa

 

Kuvendi miratoi me 69 vota ligjin për kultivimin e kontrolluar të cannabis-it

votimi canabisKuvendi i Shqipërisë shqyrtoi për tre orë pas mesnate të premten dhe miratoi projektligjin “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të tij për qëllime mjekësore dhe industriale”.

 

Ligji mori 69 vota pro, 23 kundër, 3 abstenime. Tre votat abstenuese u përkisnin deputetëve socialistë Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko dhe Erjon Braçe.

Qeveria deklaroi se me këtë projektligj synon rregullimin dhe mbikëqyrjen e kultivimit, përpunimit, qarkullimit, si dhe eksportimin e bimës së cannabis-it, të nënprodukteve të tij dhe produkteve përfundimtare për qëllime mjekësore dhe industriale.

Autoritetet besojnë se përmes një procesi të licensuar do të rritet ekonomia e vendit, si dhe kontrolli i subjekteve, që do të merren me kultivimin dhe përpunimin e bimës së cannabis-it, duke krijuar një institucion të veçantë.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, theksoi se projektligji parashikon krijimin e një agjencie për kontrollin, regjistrimin e prodhimit, dhënien e licensave për eksportin përmes një komisioni të posaçëm, si dhe mbikëqyrjen nga një njësi e specializuar.

“Regjistri kombëtar i subjekteve të licensuara do të regullojë prodhimin e kontrolluar të cannabis-it për qëllime mjekësore. Licensa mjekësore parashikon transportin e farërave, bimëve dhe deri te produktet dhe nënproduktet”, tha zonja Manastirliu.

Projektligji parashikon se licensë mund të kërkojë çdo person juridik, që ka përvojë 3-vjeçare në prodhim, kultivim dhe qarkullim të bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore.

Autoritetet pohojnë se subjekti duhet të jetë ushtrues për të paktën 5 vite i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së cannabis-it në një nga vendet e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Sipas projektligjit, licenca mund të jepet për një periudhë 15-vjeçare, me të drejtë rinovimi, ndërsa zbatimi i kushteve të licensës verifikohet çdo 3 vjet.

Relatori i projektligjit, deputeti opozitar Tritan Shehu, tha se projektligji bie ndesh me Kodin Penal dhe synon përdorimin e drogave për trafiqe, ndërsa strukturat e sigurisë nuk kanë kapacitete për të kontrolluar territorin.

“Me këtë projektligj synohet të licensohen grupet kriminale. Ky ligj do ta bëjë Shqipërinë një republikë cannabis-i, ndërkohë është e prekur nga narkotikët në të gjitha shtresat e shoqërisë, sidomos të rinjtë. Prodhimi vazhdon në të zezë dhe tani presin vetëm licensat”, tha zoti Shehu.

Kundër këtij projektligji u shpreh gjatë fjalimit të tij edhe deputeti socialist Fatmir Xhafaj.

Ai kujtoi se kur ishte ministër i Punëve të Brendshme policia e ka luftuar fuqishëm kultivimin e narkotikëve dhe ai vet ishte luftuar nga shumë anë pikërisht për goditjen e kësaj dukurie.

“Gjatë atyre dy viteve Shqipëria ka regjistruar dy vitet me statistikat më minimale në kultivimin dhe trafikimin, e konfirmuar nga Guardia di Finanzia italiane”, tha zoti Xhafaj.

Ai tha se cannabis-i është i pranishëm midis shqiptarëve edhe pse është i paligjshëm, duke nisur nga përdorimi politik, që bëhej në Lazarat, e deri tek përdorimet financiare.

“A është gati shoqëria shqiptare për këtë projektligj me rreziqe të mëdha sociale? Mendoj se kjo është qasje e gabuar. Ky është një biznes që vret. Po ashtu vret besimin e njerëzve tek puna. Mendoj se është një hap i parakohshëm për Shqipërinë”, tha zoti Xhafa.

Opozita shprehu dyshime pse projektligji u miratua me shpejtësi në komisionet parlamentare nga socialistët, dhe nga ana tjetër nuk ka ndonjë studim mbi përfitimet që ka ekonomia e Shqipërisë në raport me rreziqet dhe pasojat sociale, shëndetësore dhe kriminale që sjell përdorimi i marihuanës.

Deputetët opozitarë shprehën skepticizëm se ministria e Shëndetësisë, që është ngarkuar me zbatimin e këtij projektligji nuk i ka kapacitetet e duhura, ndërkohë që as policia nuk ka arritur ende rezultate të mjaftueshme në luftën ndaj grupeve kriminale, që kultivojnë bimë narkotike në shumë zona të Shqipërisë.

Megjithatë shumica socialiste e miratoi projektligjin me votat e saj, për të ligjëruar kultivimin dhe përpunimin e cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale, duke përsëritur se kontrollet do të jenë të rrepta dhe mundësitë e fitimeve financiare dhe punësimi janë të mëdha.

voa

Tkurret shumica parlamentare në Maqedoninë e Veriut

Parlamenti mkShumica parlamentare në Maqedoninë e Veriut i ka humbur edhe tre deputetë, duke e rrezikuar kështu jo vetëm miratimin e ndryshimeve kushtetuese, por rrezikon që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

 

Tani numri i deputetëve të pozitës në Kuvend ka rënë nga 64 në 61, që do të thotë se mjafton largimi vetëm edhe i një deputeti që opozita ta ngrejë mocionin e votëbesimit ndaj Qeverisë së kryeministrit Dimitar Kovaçevski.

Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Izet Mexheti, të hënën njoftoi për largimin nga BDI-ja dhe formimin e një lëvizjeje të re politike. Atij iu bashkua edhe një deputet tjetër i BDI-së, si dhe një deputet i pavarur, i cili më parë i mbështeste politikat e BDI-së.

“Ne deklarojmë se janë shterur të gjitha mundësitë për të funksionuar brenda BDI-së, prandaj japim dorëheqje nga të gjitha funksionet në BDI. Nuk jemi më anëtarë të BDI-së dhe që tani hapim një faqe të re, një fillim të ri”, deklaroi Mexhiti. Ai e arsyetoi largimin me pakënaqësinë me punën e Qeverisë, si dhe siç u shpreh ai, me kapjen e partisë nga disa persona, mungesën e mendimit ndryshme dhe çështje të tjera.

Largimi i tre deputetëve u bë në kohën kur shumica parlamentare po bënte gjithçka për ta siguruar mbështetjen prej dy të tretave në Kuvend për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Këto ndryshime, që kërkohen me ngulm nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), janë vendimtare për procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE.

Ndryshimet kanë të bëjnë me përmbushjen e një marrëveshjeje me Bullgarinë, e cila si shtet anëtar i BE-së, ka kërcënuar me përdorimin e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, nëse nuk zgjidhen çështjet bilaterale për gjuhën dhe identitetin maqedonas, e në veçanti për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën maqedonase si popull shtetformues.

Ndryshimet duhet të miratohet deri në nëntor kur edhe përfundon procesi i skriningut, në mënyrë që t’i hapet rruga fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Nëse kjo nuk ndodh, Maqedonia e Veriut rrezikon të “izolohet”, siç kanë deklaruar ministrat e jashtëm të Austrisë, Gjermanisë, Francës, Sllovakisë, Çekisë dhe Polonisë, gjatë vizitave të fundit në Shkup.

Tkurrjen e shumicës parlamentare e mirëpriti opozita maqedonase që drejtohet nga VMRO DPMNE-ja, e cila tash e një kohë të gjatë kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi ajo është e bindur se ndryshimet kushtetuese nuk do të miratohen.

VMRO DPMNE-ja është kundër ndryshimit të Kushtetutës, me arsyetimin se me përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, nuk do të marrë fund, sipas saj, “diktati bullgar” ndaj popullit maqedonas.

“Me ndërrimin e kësaj qeverie do të vijnë njerëz që do të dinë ta nxjerrin vendin nga kjo gjendje, në të cilën ndodhet. Brenda disa muajve do të kemi një qeveri të re që do të drejtohet nga VMRO DPMNE-ja”, tha kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski.

Ai tha se asnjë deputet i partisë së tij nuk do ta mbështesë ndryshimin e Kushtetutës ndërsa këtë, sipas tij, nuk do ta bëjnë as deputetët e partive tjera, prandaj edhe pret zgjedhje të parakohshme.

Shumicës parlamentare disa muaj më parë iu larguan edhe disa parti të vogla maqedonase që kishin nga një deputet dhe partia shqiptare Alternativa me tre deputetë. Por, shumica vendosi që ta marrë në qeveri partinë Aleanca për Shqiptarët, e cila ka tetë deputetë.

Por, as ky veprim nuk e rriti numrin e deputetëve të pozitës në 64, e cila ka ngelur me 61 deputetë pas përçarjeve brenda BDI-së.

Pavarësisht kësaj, kryeministri Kovaçevski deklaroi se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë.

“Nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Për momentin kemi Qeveri, e cila kujdeset për interesat kombëtare dhe dinjitetin e qytetarëve, pa i ndarë ata në baza etnike ose fetare. Kujdesemi pa dallime për të gjithë. Kështu që vitin e ardhshëm fillimisht do të kemi zgjedhje presidenciale dhe në gjysmën e dytë të muajit korrik zgjedhje parlamentare”, tha Kovaçevski.

Qeveria nuk është e interesuar për ndryshimet kushtetuese pasi tashmë është e vetëdijshme se ato vështirë se do të miratohen andaj tani është e fokusuar në përfundimin e mandatit, pra të mos ketë zgjedhje, tha deputeti Fadil Zendeli nga lëvizja opozitare, Besa.

“Qeveria është duke blerë kohë që sa më shumë ta shtyjë procesin që të mos ketë zgjedhje të parakohshme dhe ta shtyjë mandatin qeverisës deri në fund. Kjo është kryesore brenda e saj e jo se si t’i miratojë ndryshimet kushtetuese apo si të punojë në të mirë të qytetarëve të vendit”, u shpreh Zendeli.

Qeveria që drejtohet nga kryetari i Lidhjes Social Demokrate, Dimitar Kovaçevski u votua më 16 janar 2022 me 62 vota të deputetëve.

Ai në këtë post zëvendësoi ish-kryeministrin Zoran Zaev, i cili dha dorëheqje për shkak të humbjes së thellë të LSDM-së në zgjedhjet lokale.

rel

Çfarë dinë autoritetet maqedonase për kompaninë “Cytrox”, e sanksionuar nga SHBA-ja?

CytroxInstitucionet për zbulim dhe kundërzbulim, si dhe sektori për luftimin e kriminalitetit në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut nuk kanë dhënë asnjë informacion pas publikimit të Departamentit amerikan Tregtisë se kompania maqedonase “Cytrox” është pjesë e listës së zezë amerikane.

 

“Cytrox” është kompani vëzhgimi me bazë në Hungari.

Nga Agjencia për Zbulim e Maqedonisë së Veriut për Radion Evropa e Lirë thonë se “Cytrox” si kompani është e njohur për ta, porse nuk mund të japin më shumë të dhëna pasi bëhet fjalë për informacione të klasifikuara.

Nga Kuvendi bëjnë të ditur se në këtë institucion Shërbimet e Sigurisë dhe Inteligjencës gjatë javës së ardhshme pritet të referojnë rreth aktiviteteve të kompanisë maqedonase “Cytrox“ AD – Shkup, e cila është e vendosur në listën e zezë amerikane.

“Kjo çështje do të diskutohet në Komisionin për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencive të inteligjencës”, ka theksuar shkurt për Radion Evropa e Lirë, kryetari i
Komisionit për Mbikëqyrjen e Punës së Agjencive të Inteligjencës, Lubço Prexhov.

Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, kompania maqedonase “Cytrox” me dy kompanitë e tjera, “Intellexa S.A” në Greqi, “Intellexa Limited” në Irlandë dhe “Cytrox Holdings Crt” në Hungari, trajtohen si rrezik sigurie për Shtetet e Bashkuara, për shkak të keqpërdorimit të softuerit spiunues.

Nga Prokuroria Publike e Maqedonisë, thonë për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë kompetenca për të vepruar për veprat penale që janë jashtë territorit të Maqedonisë së Veriut.

“Deri në këto moment nuk ka indicie se me këtë softuer është kryer vepër penale që parashihet të sanksionohen në përputhje me Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Radion Evropa e Lirë.

Kompanitë, të cilat janë në listën e zezë amerikane, së fundmi u identifikuan si pjesë e të njëjtit grup që zhvilloi dhe shiste softuerin “Predator”, i cili infekton dhe gjurmon pajisjet telefonike në mbarë botën.

Në dhjetor të vitit 2021, Meta bëri të ditur se kompania “Cytrox” është futur në listën e zezë të kësaj kompanie për shkak të keqpërdorimit, përkatësisht për spiunim të shfrytëzuesve të kësaj platforme.

“Cytrox” është njëra nga 7 kompanitë që kanë shfrytëzuar platformën e Facebook-ut për të shpinuar 50 mijë persona në 100 vende të botës.

Në dhjetor të vitit 2021 Meta, e cila përveç Facebook-ut zotëron edhe rrjetet sociale Instagram dhe WhatsApp, ua ka ndaluar qasjen në platformën e saj shtatë kompanive, të cilat Meta i identifikoi në raportin e saj janë “Cobwebs Technologies”, “Cognyte”, “Black Cube”, “Bluehawk CI”, “BellTroX” dhe kompaninë maqedonase “Cytrox”.

Me këtë rast u hoqën rreth 1.500 profile, të cilat u përdorën nga 7 kompanitë për të mbledhur informacione rreth përdoruesve në më shumë se 100 vende.

Në raportin e Meta-s theksohet se kompania “Cytrox” e themeluar në Maqedoninë e Veriut përdori një dobësi të panjohur deri më tani në softuerin Apple Inc. për ta hakuar atë, duke zhvilluar malware që vepron në sistemet operative Android dhe IOS.

Letërnjoftimi i “Cytrox”-it në bazë të të dhënave të Regjistrit Qendror

Kompania maqedonase “Cytrox”, është themeluar në Shkup në vitin 2017. Në bazë të të dhënave nga Regjistri Qendror, themelues i kësaj kompanie për zhvillimin e softuerëve është një kompani hungareze me bazë në Budapest, “Sytrosk Holdings Limited Joint Stock Company” me një kapital fillestar prej 25 mijë eurosh, themeloi “Cytrox AD” Shkup.

Që të dy këto kompani “Sytrosk Holdings Limited Joint Stock Company” me seli në Budapest dhe “Cytrox” në Shkup ndodhen tani në listën e zezë amerikane.

Aktiviteti kryesor i kompanisë “Cytrox” në Shkupi sipas të dhënave të Regjistrit Qendror theksohet se është programimi kompjuterik. Që nga themelimi, kompaninë e ka drejtuar Ivo Malinkovski, i cili më vonë është tërhequr nga ky post.

Disa muaj pas themelimit të kompanisë “Cytrox” në Maqedoninë e Veriut, asaj iu bashkuan pesë shtetas izraelitë përmes blerjes së aksioneve për një euro.

Avraham Rubinstein, i cili zotëron gjysmën e aksioneve, vjen nga firma izraelite “Inpedio”. Kjo firmë, sipas portofolit të tyre, është themeluar nga një ekip veteranësh të sigurisë kibernetike, dhe ka shumë vite përvojë në metodat e sigurisë celulare dhe sulmeve kibernetike.

Rubinstein u largua nga “Cytrox” në qershor të vitit 2020 së bashku me aksionarët të tjerë izraelitë.

Në prill të vitit 2021, Meir Shamir, 72 vjeç, shtetas izraelit u regjistrua si pronar i kompanisë “Cytrox”. Bëhet fjalë për drejtorin ekzekutiv dhe aksionarin kryesor në kompaninë “Mivtach Shamir Holdings Lt”.

Meir Shamir është një ish-veteran i Forcave Ajrore izraelite dhe, sipas raportimeve të mediave izraelite, mban epitetin e një biznesmeni kontrovers.

Kompania “Cytrox” në bazë të të dhënave të llogarisë përfundimtare të dorëzuara në Regjistrin Qendror, gjatë dy viteve të fundit ka shënuar zero profit.

Në vitin 2021, kjo kompani ka shënuar humbje mbi 165 mijë euro, ndërsa vitin e kaluar më 2022, rreth 90 mijë euro.

Sipas të dhënave të publikuara nga disa media në vitin 2020, kompania ka raportuar të ardhura prej 1.5 milion eurosh.

rel

Maqedoni, pritet nisja e punimeve për Korridorin 8

korridori-8Nisja e punimeve në ndërtimin e korridorit tetë po pret përfundimin e elaborateve për tjetërsimin e tokës ndërtimore, dhe përfundimin e matjeve gjeomekanike që po kryhen në akset rrugore Tetovë – Gostivar dhe Gostivar – Kërçovë dhe Prilep – Manastir.

 

Me fjalë tjera, pritet që analizat profesionale të tregojnë sa është trualli i parashikuar për ndërtimin e autostradave i volitshëm për ndërtim, sa janë kushtet e ndërtimit të lehta apo të rënda. Përkatësisht, pas përgatitjeve paraprake, mobilizimit të burimeve njerëzore dhe makinerive, pritet që së shpejti të fillojnë edhe punët konkrete në ndërtimin e këtij korridori, pas përfundimit të të gjitha procedurave të nevojshme.

Drejtori i Ndërmarrjes Shtetërore të Rrugëve, Ejup Rustemi thotë se për projektimin e traseve do të angazhohen të gjitha kapacitetet në vend, ku këto ditë do të miratohen edhe të gjitha aktivitetet projektuese për projektimin e traseve dhe korridoreve rrugore. Njëherësh deri tani kompanisë “Bechtel dhe Enka”, i janë transferuar 167 milionë euro për mobilizim e ndërmarrjeve që do të përfshihen në ndërtimin e këtyre autostradave, si dhe avansin për korridorin 8 dhe korridorin 10d.

“Do të vazhdojmë sipas të gjithë gjasave gjatë javës së ardhshme të paraqesim kërkesë tek Ministria e Transportit për korridoret rrugore. Pas marrjes së lejes do të fillojmë me shpronësimin dhe pas me punët e ndërtimit, “, thekson Rustemi. Sipas tij, tani po garantohet ndërtimi i 110 kilometrave të paralajmëruara autostradë në korridoret 8 dhe 10 për katër vite e shtatë muaj, me konceptin e ri dhe për projektim dhe ndërtim të paraparë në Marrëveshjen me konsorciumin “Bechtel dhe Enka”.

Modeli është ndryshuar, për shkak të kohëzgjatjes shumëvjeçare të ndërtimit të projekteve kyçe infrastrukturore. Me marrëveshjen e nënshkruar parashikohet koncept i ri për ndërtim të rrugëve ku në mënyrë paralele do të realizohen disa aktivitete si analizat gjeomekanike, përgatitja e elaborateve për eksproprijim, projektimi, andaj edhe pritet të ketë realizim më të shpejtë të punëve ndërtimore.

Nga Ministria e Transportit, thonë se një projekt i tillë madhor “nuk fillon me ekskavator dhe lopatë në rrugë”, por se projekti fillon me analiza në terren, prova dhe projektim, me shpronësim toke, me projekte urbanistike, projekte bazë. E gjithë kjo është thelbësore që kur të hyjë mekanizimi, të ketë hapësirë ​​të papenguar për të punuar, që të mos ketë ndalesa siç ishte rasti me autostradën Kërçovë-Ohër.

Për herë të parë në vend po ndërtohet në këtë mënyrë i ashtuquajturi “fidig system” sipas të cilit kompanisë i besohet të menaxhojë të gjithë procesin si në pjesën e projektimit ashtu edhe në atë të performancës (ndërtimit ), i cili shmang përplasjen e kompanive projektuese dhe kompanisë kontraktuese.

Për dallim prej autostradë së re, punimet në autostradën Kërçovë – Ohër janë vonuar edhe si rrjedhojë e më shumë gabimeve në projektim. Bile deri në muajin qershor janë zgjidhur mbi 3500 lëndë pronësore dhe juridike midis shtetit dhe qytetarëve në tërë trasenë e ndërtimit të autostradës Kërçovë – Ohër, dhe janë realizuar 72 riprojektime, dhe projektime të nyjeve rrugore të cilat nuk ishin të parashikuara së bashku me riprojektimin e një pjesë më të madhe të shpateve.

Ndryshe, në fillim të kë tij muaji i janë paguar kompanisë “Bechtel dhe Enka” 53 milionë euro për ndërtimin e autostradave, ndërsa më parë i janë ndarë 117 milionë euro. Për sivjet pritet të ndahen 243 milionë euro për realizimin e infrastrukturës rrugore në korridoret 8 dhe 10d. Mjetet ndahen për mobilizimin, prokurimin e pajisjeve, bazave dhe materialeve për kontraktuesin dhe për të mbështetur aksesin në fonde, për prova gjeomekanike, ekipim me staf me mekanizim, ngritjen e kampeve, laboratorit dhe punëve tjera nga kontraktuesi, thonë nga Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore.

Punimet do të realizohen në akset rrugore Tetovë – Gostivar, Gostivar – Bukojçan, Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë dhe Prilep – Manastir. Fillimisht janë llogaritur se 1.3 miliard euro do të kushtojnë rrugët e reja moderne që do t’i ndërtojë kompania “Bechtel dhe Enka”. Kësaj shume duhet t’i shtohen edhe harxhimet e tjera për blerjen e tokës private për ndërtim prej 300 milionë euro si dhe kostot e projektimit. Përllogaritjet janë bërë nga ekspertët e Fakultetit të Ndërtimtarisë në Shkup dhe janë reviduar nga shtëpia konsulente prestigjioze “Grant Tornton”.

Matematikat e tyre fillestare tregojnë se aksi rrugor prej 17 km Tetovë -Gostivar apo autostrada tërësisht e re në këtë drejtim do të kushtojë 125 milionë euro, Gostivar-Bukojçan deri afër Kërçovës prej 30 km me një terren të vështirë me ura dhe tunele do të kushtojë 560 milionë euro, Trebenishtë -Strugë deri në Qafë të Thanës do të kushtojë 360 milionë euro për afër 22 km dhe autostrada Prilep -Manastir që i takon korridorit 10, prej afër 40 km do të kushtojë 260 milionë euro. Autostradat do të jenë me nga tre korsi me një kosto mesatare prej 12 milionë euro për një kilometër.

koha