Islami nuk ndalon shkollimin e vajzave, pse talibanët s’e lejojnë?

islamiShkollimi i vajzave dhe grave pranohet botërisht nga më shumë se 200 shtete dhe territore, përfshirë edhe nga pothuajse 50 shtete me shumicë myslimane.

 

Por, talibanët, sundimtarët e linjës së ashpër të Afganistanit, kanë ndaluar adoleshentet afgane që të ndjekin mësimin pas klasës së gjashtë. Ndalesa është bërë pasi islamistët u kthyen në pushtet dy vjet më parë. Kjo ndalesë u zgjerua në dhjetorin e vitit të kaluar, duke përfshirë edhe gratë që ndiqnin studimet në universitete.

Protesta të shumta të mbajtura nga afganët brenda shtetit, presioni ndërkombëtar dhe lobimi i studiuesve myslimanë dhe klerikëve kanë dështuar që të bindin liderët fundamentalistë talibanë që të rihapin shkollat.

Ekspertët janë të ndarë nëse ndalesa është e rrënjosur në mënyrën se si interpretimi i islamit nga talibanët është formësuar nga zakonet dhe praktikat kulturore të fisit konservator pashtun, apo nëse nxitet nga mënyra se si ideologët e lartë talibanë interpretojnë mësimet islame.

Shumica e liderëve talibanë janë pashtunë etnikë, klerikë myslimanë sunitë. Shumica prej tyre janë shkolluar në medresetë Deobandi në Pakistanin fqinj. Deobandizmi u shfaq si një lëvizje rilindëse islamike puritane në Indinë koloniale britanike në shekullin e 19-të. Bazuar në shkollën sunite të drejtësisë, Hanefi, kjo lëvizje krijon tensionet kryesore mes islamistëve në Afganistan dhe Pakistan.

 

Ndikimet fisnore

Sami Yousafzai, një gazetar afgan dhe komentator, argumentoi se kufizimet e talibanëve ndaj grave janë të lidhura me zakonet shoqërore dhe praktikat kulturore në veri dhe lindje të Afganistanit.

Shumica e liderëve talibanë vijnë nga komunitete të ndryshme rurale pashtune në rajonet që janë në kufi me Pakistanin.

“Ata besojnë se vendi i gruas është ose brenda shtëpisë ose në varr”, tha Yousafzai, për besimin themelor taliban të ndikuar nga statusi i grave në familjet e klerikëve dhe udhëheqësve fetarë në këto rajone pashtune.

“Gratë që jetojnë në shtëpitë e politikbërësve aktualë talibanë nuk janë shkolluar kurrë dhe nuk kanë dalë kurrë nga shtëpia”, tha Yousafzai, i cili ka raportuar për grupin islamik që kur u shfaq si milici në provincën jugore afgane të Kandaharit në fund të vitit 1994. “Këto gra kurrë nuk kanë pasur pozita në Qeveri dhe nuk kanë punuar në ndonjë organizatë joqeveritare”.

Yousafzai tha se talibanët mbështesin politika të formësuara nga ky botëkuptim që anon kah mësimet islamike që mbështesin këto ide. Ai tha se liderët talibanë mbështeten nga thëniet që i atribuohen profetit Muhamed që dekurajojnë gratë që të dalin nga shtëpitë.

“Besimi i tyre themelor është se vajzat në pubertet nuk duhet të dalin nga shtëpia në asnjë rrethanë”, tha ai. “Prandaj kjo është arsyeja pse ata i shohin gratë që dalin nga shtëpia për t’u shkolluar ose për të punuar si persona që përfshihen në korrupsion moral”.

Në Afganistan, shtet mysliman me afër 40 milionë banorë, aktivistët dhe avokuesit e të drejtave të njeriut kanë akuzuar talibanët se zbatojnë “aparteid gjinor” duke mohuar gratë që të shkollohen, të punojnë, të kenë liri të lëvizjes dhe të vendosin se si të duan të duken në publik.

Shumica e myslimanëve pajtohen se islami lejon gratë që të shkollohen. Megjithatë, talibanët publikisht thonë se do t’iu lejojnë vajzave qasje në arsim vetëm pasi të sigurohet një ndarje e plotë gjinore dhe kushte të tjera të paspecifikuara.

Pothuajse të gjitha shkollat e mesme në Afganistan janë të ndara në baza gjinore dhe universitetet vendosën ndarje strikte mes grave dhe burrave pasi talibanët morën pushtetin.

Yousafzai tha se në shoqëritë konservatore dhe tradicionale myslimane në mbarë botën, disa klerikë po ashtu janë në favor të kufizimeve në shkollimin e grave, në punësim dhe në rolin e tyre në jetën publike. Por, qeveritë në këto shtete zakonisht kundërshtojnë ose kufizojnë ide të tilla.

Në vitet e fundit, Arabia Saudite – një prej shtete sunite myslimane më konservatore – ka lejuar gratë që të ngasin makina dhe u ka dhënë lirinë e lëvizjes pa përcjelljen e një shoqëruesi. Këto hapa janë pjesë e një reforme dhe modernizimi të nxitur nga Princi i Kurorës, Muhammad bin Salman.

Ndalesa e shkollimit nga talibanët ka kërkuar dënim universal nga myslimanët në mbarë botën.

“Ndalesa e talibanëve për shkollimin e grave nuk i ka rrënjët te ligji [islamik] i Sheriatit, por pasqyron paragjykimet kulturore që bien ndesh me mësimet e islamit”, tha Salam al-Marayati, president i Këshillit për Çështje Publike Myslimane në Shtetet e Bashkuara.

Luftëtarë talibanë të armatosur qëndrojnë pranë një imami gjatë Lutjeve të së Premtes në xhaminë Abdul Rahman në Kabul më 20 gusht 2021.

Ai tha se për dallim nga praktikat e talibanëve, “islami thekson rëndësinë e kërkimit të dijes dhe inkurajon të gjithë individët, pavarësisht nga gjinia, që të shkollohen”.

Konflikti historik
Por, dijetarët islamikë dhe ata që kanë tentuar të bindin talibanët për rihapjen e shkollave për vajzat japin një shpjegim tjetër.

John Mohammad Butt, një studiues islamik dhe ish-gazetar në BBC i cili është personi i vetëm nga Perëndimi që ka përfunduar studimet në Darul Uloom Deoband të Indisë, argumentoi se politika e talibanëve ndaj shkollimit të vajzave nuk është çështje fisnore, por është e formësuar nga konflikti shekullor mbi shkollimin modern.

“Problemi është se shkollimi i vajzave në Afganistan – vërtetë arsimim bashkëkohor në përgjithësi – në këtë shtet përgjithësisht është futur si pjesë e një agjende laike”, tha ai.

Mahtaba, 8-vjeçare, në një klasë në shkollën Abdul Rahim Shaheed në Kabul më 23 prill. Pasi talibanët morën pushtetin në gusht të vitit 2021, ata ndaluan shkollimin e mesëm për vajzat.

Në vitet 1920 një koalicion i klerikë konservatorë, i fiseve dhe liderët e komuniteteve rrëzuan Mbretin Amanullah Khan. Ai dëshironte të modernizonte Afganistanin në linjë me politikën laike të liderit turk, Kemal Ataturk, që avancoi arsimimin modern dhe të drejtat e grave.

Ky kundërshtim i modernitetit dhe sekularitetit vazhdoi dhe klerikët konservatorë kundërshtuan shkollimin e grave dhe të drejtën e tyre që të punonin. Ky kundërshtim u bë pjesë kyçe e opozitës islamiste ndaj qeverive pro-sovjetike afgane pasi puçi ushtarak i prillit të vitit 1978 i dha fund monarkisë afgane. Muxhahedinët akuzuan komunistët se po përhapnin imoralitet duke promovuar shkollimin e grave dhe fuqizimin e tyre.

“Kjo ka çuar në një kujdes të posaçëm nga qarqet konservatore në Afganistan sa i përket shkollimit të vajzave”, tha Butt.

“Bindje e thellë ideologjike”

Obaidullah Baheer, profesor i shkencave politike në Universitetin Amerikan të Afganistanit u bë pjesë e përpjekjeve për të shfuqizuar vendimin për ndalimin e shkollimit që talibanët morën vitin e kaluar.

Por, ai tha se përpjekjet dështuan sepse “ndalesa është çështje e një bindjeje të thellë ideologjike” për liderin aktual suprem të talibanëve, Mullah Haibatullah Akhundzada.

Baheer tha se shumica e liderëve kryesorë talibanë kanë studiuar në medresetë pakistaneze dhe kështu që janë shkëputur nga jeta e fshatit dhe e fiseve.

“Ata janë të indoktrinuar nga shkolla e mendimit Doebandi dhe ata tani zbatojnë ndaj popullit afgan versionin më strikt të islamit”, tha ai.

Ai argumentoi se ndalimi i shkollimit të vajzave është një politikë e qëllimshme që përkrahet nga Akhundzada, i cili, siç tha ai, ka miratuar librin në gjuhën arabe, Emirati Islamik dhe Sistemi i tij. Ky libër është shkruar nga shefi afgan i Drejtësisë, Abdul Hakim Haqqani. Në këtë libër, Haqqani mbështet mendimin ekstrem islamik duke zgjedhur si të preferuarën njërën prej grave të profetit MUhamed, Sawdah Bint Zam’ah, e cila zgjodhi të qëndronte në shtëpi derisa vdiq.

Baheer tha se Haqqani ka injoruar faktin se gratë dhe shoqërueset e tjera të profetit kanë luajtur rol aktiv në shumë sektorë të shoqërisë dhe se ato ishin studente, por edhe mësuese për burrat.

“Ky mendim nuk përkrahet nga të gjithë liderët talibanë, por është njëri që ka sovranitetin absolut, emiri taliban, e i cili duket se e përkrah plotësisht”, tha ai.

Butt tha se edhe Haqqani e ka pranuar parimin se nëse diçka ka që gratë duhet të veprojnë, atëherë gjithashtu ka diçka tjetër që gratë duhet të mësojnë.

“Shpresoj që autoritetet talibane ta kuptojnë se në një të ardhme jo aq të largët shkollimi i vajzave do t’i bëjë gratë afgane myslimane më të mira”, tha ai. “Do t’iu mundësojë atyre që të japin kontribut më të fuqishëm për mirëqenien e shtetit të tyre”.

Dy vjet të përballur me këtë çështje, diplomatët perëndimorë duket se kanë inkurajuar afganët konservatorë dhe qarqet e klerikëve që të gjejnë mënyra për t’i dhënë fund ndalesës.

Tom West, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin, së fundi ka shkruar në X se gratë afgane duhet të shkollohen dhe të kontribuojnë në ekonomi, në mënyrë që shteti i tyre të mund të ngrihet në këmbë.

“Nëse bëhen ndryshime në politike, do të jetë sepse afganët kanë kërkuar që këto ndryshime të bëhen e jo si pasojë e kërkesave të të huajve”, shkroi ai.

rel

BE-së nuk i mjaftojnë masat e marra nga Kosova

AlbinBE reagon duke i cilësuar hapat e marra nga qeveria për veriun e Kosovës si zhvillim në drejtimin e duhur, por sipas saj, duhen hapa shtesë. Ndërkohë kryeministri Kurti kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës.

 

Bashkimi Evropian kërkon nga qeveria e Kosovës veprime shtesë në drejtim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës. Por BE është e gatshme të vendosë masa ndëshkuese edhe ndaj Serbisë, nëse ajo nuk ndërmerr veprime të kërkuara nga unioni. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha të enjten në Bruksel, se masat ndëshkuese të vëna ndaj Kosovës janë masa të kthyeshme dhe kjo varet nga mënyra se si Prishtina por edhe Beogradi i qasen shtensionimit të situatës dhe kthimit në proces normal të dialogut.

“Ajo që kemi bërë më së fundi në dritën e tensioneve që ndodhën në veri, është vendosja e disa masave kundër qeverisë së Kosovës për shkak të paaftësisë për të vepruar në një mënyrë evropiane drejt shtensionimit dhe marrjes së hapave të rëndësishëm në këtë drejtim. Nëse vendet anëtare të Bashkimit Evropian kërkojnë diçka të tillë ne do të vendosim masat e nevojshme edhe kundër Serbisë, gjithnjë, nëse vendet anëtare të bllokut vlerësojnë se në kushtet dhe kontekstin aktual të krizës së fundit, Serbia nuk po bën asgjë për të ulur tensionet”, tha zëdhënësi Stano.

 

Reagimi i kryeministrit Kurti

Më 10 korrik pas një dakordimi që u arrit në Bratislavë ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, policia e Kosovës uli me 50% praninë e saj në objektet e komunave në veri të Kosovës. Prandaj kryeministri Albin Kurti, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i heqë masat, siç i quajti ai, “të padrejta ndëshkuese ndaj Kosovës”, ndërsa, përsëriti se “qeveria është e hapur për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të vendit”.”Ne po bëjmë krejt çfarë mundemi dhe dimë, por do të duhej që edhe partnerët dhe aleatët tanë evropianë sa më parë ta përmirësojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës, pasi një Republikë demokratike dhe progresiste siç është Kosova meriton të ndihmohet me krejt çka munden ata dhe jo të ketë masa ndëshkuese ndaj saj”, deklaroi kryeministri Kurti.

 

Kërkohet diplomaci parandaluese

Pesë ditë më parë ndërkaq, diplomatë evropianë dhe amerikanë, përkatësisht dhjetë kryetarë të komisioneve për marrëdhënie me jashtë dhe 56 deputetë, në një letër derguar shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrel dhe Sekretarit amrikan të shtetit Antony Blinken, kërkuan diplomaci parandaluese, baraspeshë dhe mospërsëritje të gabimeve të së kaluarës. Ata në letër theksuan mungesën e presionit ndaj Serbisë, pas tensioneve në veri të Kosovës.

Lidhur me letrën e kaq shumë politikanëve u shpreh edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se “politikën e jashtme të Bashkimit Evropian e përcaktojnë vendet anëtare të tij”. “Sa i takon kësaj çështje të ngritur nga 56 nënshkrues, parlamentarë nga disa vende anëtare dhe disa vende të treta, është se politikat e Bashkimit Evropian vendosen njëzëri nga 27 vendet anëtare, siç është e përcaktuar dhe siç kërkohet nga vet qeveritë e tyre. Pra, kemi mijëra e mijëra parlamentarë në Bashkimin Evropian, kështu që pozicioni dhe veprimet e Bashkimit Evropian rreth politikës së jashtme përcaktohen unanimisht nga vendimet e 27 qeverive të bllokut”, tha zëdhënësi Stano.

Qeveria e Kosovës ka nisur punën për hartimin e një udhëzimi administrativ që do të mundësonte përmes një peticioni, shkarkimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat veriore të banuara me shumicë serbe, Leposaviҫ, Zubin Potok, Zveҫan dhe Mitrovicë e Veriut. Kryeministri Albin Kurti, thotë se mënyra më e mirë për thirrje për zgjedhje të reja në veri është përmes ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili u mundëson qytetarëve të komunave përkatëse t’i shkarkojnë kryetarët e tyre përmes peticionit. “Jemi të hapur për zgjedhje të reja përmes nenit 72 të ligjit për vëtëqeverisje lokale. Është krijuar edhe një grup punues që do të bëjë rregullimin e çështjeve teknike administrative të dispozitave të këtij neni dhe këtij ligji dhe tash e presim punën e tyre”, thotë kryeministri Kurti.

Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, janë kërkuar vazhdimisht nga komuniteti ndërkombëtar si një nga kushtet kryesore për shtensionim të situatës në veri. Sa kohë ato nuk zhvillohen Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë masat ndëshkuese ndaj Kosovës që përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.

dw

4000 hapa në ditë për një jetë më të gjatë

Shetitja është gjysma e shëndetit!Ai që bën 10,000 hapa në ditë do të qëndrojë i shëndetshëm. Një meta-analizë tregon se shëtitjet edhe më të shkurtra janë të mjaftueshme. Po sa duhet të shëtisim në ditë?

 

Lëvizja është e shëndetshme – kjo dihet dhe theksohet gjithmonë. Edhe një shëtitje e thjeshtë kontribuon shumë në qarkullimin më të mirë të gjakut, përmirëson metabolizmin, forcon sistemin imunitar dhe parandalon sëmundjet kronike.

Ndërsa dikur numëroheshin kaloritë, sot numërohen hapat, më saktë: 10.000 hapa në ditë. Deri më tani, besohej se kushdo që ecën kaq shumë hapa në ditë – në varësi të gjatësisë së hapave, rreth gjashtë deri në tetë kilometra – mbetet në formë të mirë dhe është në gjendje më të mirë shëndetësore.

Meta-analiza hedh poshtë teorinë e 10.000 hapave

Për një kohë të gjatë, shkencëtarët kanë dyshuar në këtë vlerë të supozuar magjike prej 10.000 hapash. Një meta-analizë e re e publikuar në Gazetën Evropiane të Kardiologjisë Parandaluese tani tregon madje se të mjaftueshme për të reduktuar rrezikun e vdekjes së hershme janë edhe më pak se 4000 hapa në ditë. Sipas kësaj analize, mjaftojnë madje edhe 2.300 hapa në ditë për të ulur rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare.

Studiuesit analizuan gjithsej 17 studime të ndryshme dhe kanë pasur akses në të dhënat e mbi 227.000 njerëzve nga pjesë të ndryshme të botës. Ata zbuluan se ecja e përditshme është e lidhur ngushtë me shanset më të mira për të jetuar më gjatë dhe më shëndetshëm – pavarësisht nga mosha, gjinia apo vendbanimi.

Në thelb, sa më shumë të ecni, aq më mirë. Vetëm 1000 hapa në ditë reduktojnë rrezikun e vdekjes së parakohshme me 15 për qind, tregon kjo analizë. Ndërsa me 500 hapa, rreziku i sëmundjeve fatale të zemrës ulet me shtatë për qind. Prej 4000 e më shumë konsiderohet pra si një gjatësi ideale në ditë për të eliminuar në masë më të madhe rreziqet sëmundjet kardiovaskulare.

Rregulli i 10.000 hapave vjen nga marketingu

Këto janë pra të dhënat e fundit nga meta-analizat për lëvizjen dhe gjendjen shëndetësore. Ndërsa rregulli i 10.000 hapave në ditë nuk është vërtetuar kurrë shkencërisht. Shkencëtarët mendojnë se kjo me siguri buron nga strategjia e marketingut të një kompanie japoneze, e bërë për qëllimet e veta.

Në vitin 1964, në kohën e Lojërave Olimpike në Tokio, kompania Yamasa prezantoi instrumentin e parë për matjen e hapave, të quajtur “Manpo-kei” – që do të thotë “numërues i 10.000 hapave”. Ky numër hapash i mban njerëzit në formë dhe është shprehje e një stili jetese të shëndetshëm, shpjegoi prodhuesi në atë kohë. Kjo tezë u shndërrua shumë shpejt në një rekomandim të përgjithshëm – por më së voni ajo tani është hedhur poshtë. Sipas analizave të fundit, mjaftojnë edhe shumë më pak hapa në ditë, por me rëndësi është lëvizja e përditshme.

bc (ard)

FMN në krah të Kosovës: BE të heqë masat, pengojnë zhvillimin!

FMNFMN paralajmëron se nëse masat e BE-së do të mbeten gjatë në fuqi, ato do të jenë pengesë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

 

Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i drejtuar nga Gabriel Di Bella ndaloi në Prishtinë këto ditë për të diskutuar lidhur mbi klimën makroekonomike dhe zhvillime të tjera, përfshirë progresin në zbatimin e Marrëveshjes parandaluese Stand-By (SBA) dhe Instrumentit të Reziliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF).

Në mbyllje të vizitës, Di Bella u shpreh se në kontekstin sfidues global, kushtet makroekonomike në Kosovë për vitin 2023 deri më tani kanë mbetur të favorshme, duke shtuar se inflacioni vazhdon të shënojë rënie. Por ai nënvizon se paqëndrueshmëria e ngritur në nivel global dhe tensionet në Kosovën veriore mbeten rreziqe të cilat, nëse materializohen, mund të rëndojnë sfidat e politikave. Duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek masat e BE-së ndaj Kosovës, ai u shpreh se ato mund të bëhen pengesë për investimet e huaja direkte dhe zhvillimin ekonomik.

“Zhvillimet e kohëve të fundit në katër komunat veriore çuan në masa të përkohshme dhe të kthyeshme nga disa donatorë dhe partnerë tradicionalë që kufizojnë bashkëpunimin e ri ekonomik dhe financiar. Nëse hiqen në periudhën afatshkurtër, nuk pritet që këto masa të kenë ndikim në perspektivën ekonomike, por ato mund të bëhen pengesë për investimet e huaja direkte dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi nëse vazhdojnë të qëndrojnë për një kohë më të gjatë.”

Ekipi vlerësoi ndërkohë progresin e shënuar në përmbushjen e angazhimeve kryesore në kuadër të programeve të mbështetura nga FMN.

Top Channel

Turizmi, Rama për La Stampa: Kemi barazuar Greqinë dhe po kalojmë Italinë, turizmi me kosto të ulët nuk do të zgjasë

RamaKryeministri Edi Rama feston vitin me shifra rekord të turizmit në Shqipëri – kështu nis shkrimin gazeta italiane La Stampa e cila ka intervistuar kreun e qeverisë.

 

Ndërsa kryeministri Rama po pushon vetëm për pak ditë në shtëpinë e tij të pushimit në Dhërmi, aeroporti i kryeqytetit shqiptar nuk fle kurrë, shkruan La Stampa.  200 fluturime zbarkohen brenda ditës, pa llogaritur transportin tokësor apo detar.

Të gjithë janë të çmendur për bregdetin më të udhëtuar të verës 2023, vijon gazeta. Nga Shkodra, në Adriatik, në Sarandë dhe ishujt e Ksamilit në Jon, çmimet e ulëta të shtëpive përqafojnë resortet dhe makinat e shtrenjta që drejtohen nga shqiptarë shumë të rinj që banojnë në jashtë vendit.

La Stampa-s i ka bërë përshtypje postimi i Ramës dje me mbishkrimin “Prisni, s’keni parë gjë akoma”, me një meme vetëpërçmuese thotë gazeta. Vlora e 1991 plot njerëz të dëshpëruar drejt Italisë dhe një fotomontazh me të njëjtat skena, por këtë herë ata që largohen nga anija janë pushuesit italianë.

Po, ne jemi pak si Italia e viteve 1950. Pas tridhjetë vjetësh, ne kemi hequr stigmën e emigrantit dhe kaq. Por Shqipëria po përpiqet të mësojë nga gabimet tuaja”, u shpreh Rama.

 

Intervista e plotë:

Ju quajnë Maldivet e Mesdheut, flasim për “Alb-mania”. Cilat janë shifrat e këtij “bumi”?

“Kjo kjo verë ka qenë përtej pritshmërive. Kemi pasur një +35% turistësh, shifrat e italianëve janë mbresëlënëse dhe janë afër gjysmë milioni. Kur fillova (2013, ed), aeroporti i Tiranës trajtonte maksimumi 350,000 kalime në vit. Tani mbi 6.5 milionë”.

Jeni të përgatitur për këtë “boom” turizmi?

“Për tre apo katër vitet e fundit më në fund e ka ndryshuar imazhin. Deri pak vite më parë, ne vuanim nga paragjykimi i krijuar në vitet 1990, të të qenit kriminelë, mafioz, emigrantë të varfër që ëndërrojnë “Amerikën”, siç thoshte Gianni Amelio. Sot vijnë turistët dhe përzihen me dëshirë me njerëzit tanë, gjithccka ka ndryshuar. Duhet të kompensojmë kohën e humbur. Por kujdes: nuk duam të bëjmë gabimet e mëdha të Italisë apo vendeve të tjera, të brigjeve apo të qyteteve të pushtuara. Vetëm kostoja e ulët mund të shkatërrojë të ardhmen dhe të lërë pas eko-përbindësha dhe katastrofa mjedisore”.

Kushton më pak se Italia, Greqia dhe Kroacia. Natyrë e mrekullueshme, e lehtë për t’u arritur. Si planifikoni të ndryshoni trendin?

“Ne kemi barazuar Greqinë dhe sapo kemi kaluar Italinë për numrin e turistëve për frymë. E pabesueshme, por ne kemi punuar shumë për të në këto vite të Rilindjes Shqiptare. Duke parë përpara, ne duam turizëm të balancuar dhe gjithnjë e më të nivelit të lartë. Duhen tre apo katër vjet për të qenë gati për të parakaluar me të mëdhenjtë”.

Duke mbajtur frerët e entuziazmit, Rama tha se Shqipëria nuk do të bjerë “në grackën e mjaltit”, pasi shifrat e sotshme mund të mashtrojnë brezat e ardhshëm.

“Unë them se jemi një tokë e pasur nga pikëpamja natyraliste, nga deti në mal. Ne kemi vende nën mbrojtjen e UNESCO-s. Vizioni i Shqipërisë 2030 ka si objektiv kyç turizmin, por ne nuk duam të biem në grackën e mjaltit: numrat e sotëm mund të mashtrojnë brezat e ardhshëm. Turizmi masiv nuk është i qëndrueshëm për mjedisin. Duhet ekuilibër për të mbrojtur natyrën. Por kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Po vrapon kundër erës”.

Sa i përket marrëdhënieve dhe afrimitetin e dëshmuar me homologen italiane Giorgia Meloni, kryeministri shqiptar u shpreh se ajo “është një surprizë e madhe për klubin euroatlantik”.

“Giorgia jo për mua, por për klubin euroatlantik është një surprizë e madhe. Në të gjitha rrethanat ndërkombëtare ajo shihet me respekt të prekshëm, ka karizëm dhe thotë të gjitha gjërat e duhura. Jam 198 cm i gjatë, por kur flet duket më e gjatë se unë”.

Për situatën në Ukrainë dhe implikimet e saj në anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Rama shpreson se ajo do të përshpejtojë integrimin e plotë të vendeve evropiane në BE.

“Nuk është më vetëm çështje financiare, por mbi të gjitha gjeopolitike. Do të ishte largpamëse që Ballkani Perëndimor të hynte pa u zvarritur, për të mos lënë vrima të zeza dhe hapësirë ​​për palët e treta që tashmë kanë krijuar probleme për rajonin”.

Pyetjes për “gabimet” e Albin Kurtit, Rama tha:

“E respektoj, por do të bëja zgjedhje krejtësisht të ndryshme. Ai është kokëfortë dhe maksimalist. Ka një mundësi fantastike, planin e paqes franko-gjerman. Marrëveshjet nuk qëndrojnë përgjithmonë në tavolina. Atëherë, historia të bën të presësh”, tha Rama.

Në përmbyllje, si “mik i Erdogan-it”, Rama përgjigjet se presidenti turk nuk e ka çelësin magjik për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

“Ai  ka një rol shumë të rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë e Evropës dhe është një bashkëbisedues i aftë midis Ukrainës dhe Rusisë.Por nuk mendoj se ka çelësin magjik për të ndryshuar një vizion imperialist, antidemokratik dhe shovinist si ai i Putin-it.Të gjitha luftërat përfundojnë në tryezën politike, por fatkeqësisht do të duhet ende shumë kohë”.

Top Channel

 

Shtetet e Ballkanit “duhet të marrin vendime të vështira shpejt”

Deputeti i Parlamentit Evropian, Thijs ReutenDeputeti holandez i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, beson se diplomacia parandaluese garanton stabilitet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ofron mundësi për reagim ndaj secilës krizë eventuale.

 

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Reuten – i cili është edhe anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian – e ka komentuar thirrjen e dhjetëra deputetëve amerikanë, britanikë dhe atyre të bllokut evropian që Perëndimi të ketë qasje të re ndaj Kosovës dhe Serbisë, pasi, sipas tyre, politikat aktuale nuk po funksionojnë.

Ai beson se punë më e madhe duhet të bëhet në qasjen ndaj Serbisë.

Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni thirrjen e fundit të deputetëve amerikanë dhe evropianë ndaj kryediplomatëve të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian për ta ndryshuar qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë? Ju jeni njëri prej nënshkruesve të dokumentit.

Thijs Reuten: Jam jashtëzakonisht i kënaqur për këtë iniciativë, sepse jo vetëm që është thirrje përreth Atlantikut – nga deputetë prej 13 vendeve të ndryshme me nismë të Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Gjermanisë – por është edhe thirrje e thënë thjeshtë dhe qartë. Gjithçka që jemi duke kërkuar është një qasje më e balancuar dhe më proporcionale. Po kërkojmë dy gjëra: rikthim të negociatave për normalizim, dhe ta stabilizojmë rajonin përmes një qasjeje të qartë e të koordinuar dhe jo ashtu siç e kemi parë në muajt e fundit.

Radio Evropa e Lirë: Po e përmendni një qasje të re. Si do të mund të dukej ajo?

Thijs Reuten: Fillimisht duhet dhënë fund qasjes aktuale dhe kjo ka të bëjë kryesisht me qasjen me të butë ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas mendimit tim, është duke ndikuar jo vetëm në punët e Bosnjë e Hercegovinës, duke e mbështetur presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, por është edhe pengesë për përparim në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila është shumë e nevojshme.

Tjetra, duhet të jemi shumë të qartë nga ajo që kërkojmë nga partnerët në gjithë rajonin. Bashkimi Evropian duhet ta kuptojë që stabiliteti i këtij rajoni është kyç për stabilitetin e gjithë kontinentit. Ne nuk mund t’i tolerojmë vetes më shumë gabime dhe një gjë që e propozojmë si deputetë është diplomacia parandaluese.

Radio Evropa e Lirë. Të flasim më shumë për këtë lloj të diplomacisë.

Thijs Reuten: Kjo nënkupton se neve na duhet një plan B, natyrisht, jo për të luftuar, por për t’i bërë të qarta prioritetet tona. Kjo nënkupton përforcimin e EUFOR-it në Bosnjë e Hercegovinë, përforcimin e KFOR-it në Kosovë, nëse është e nevojshme, sidomos në rastet siç kanë ndodhur sulmet ndaj tyre, të ketë përgjigje pa dilema dhe të qartë nga ana e komunitetit ndërkombëtar.

“Shumë incidente i kemi lënë të kalojnë”

Radio Evropa e Lirë: Në të kaluarën nuk është përmendur shpesh diplomacia parandaluese. A do të jetë ajo rrugë përpara?

Thijs Reuten: Është diplomaci në kuadër të një qasjeje më të gjerë, që nuk garanton vetëm stabilitet përmes prezencës ndërkombëtare në rajon, por do të thotë edhe përgjigje ndaj krizave secilën herë që shfaqen ato. Secilën herë që dikush në rajon e minon stabilitetin dhe rrugën drejt integrimeve, duhet të reagohet. Por, kjo nuk ka ndodhur në muajt dhe vjetët e fundit, sepse i kemi lënë të kalojnë shumë incidente.

Radio Evropa e Lirë: Deputetja Alicia Kearns ka thënë se është e rrallë që aq shumë deputetë jeni mbledhur për të shprehur shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Serbi. Çfarë do të thotë kjo?

Thijs Reuten: Kjo tregon se shumë deputetë jemi të vetëdijshëm se jemi në moment kyç dhe nuk mund ta lëmë këtë çështje për trajtim as pas pushimeve të verës. Gjërat janë duke ndodhur tani dhe kjo tregon se ne duam që kryediplomatët të veprojnë dhe të ketë koordinim ndërmjet tyre.

 

Tre hapat e parë

Radio Evropa e Lirë: Cilët janë tre hapat e parë që duhet ndërmarrë?

Thijs Reuten: Duhet lënë anash vetëkënaqësinë dhe qasjen e butë, dhe mendësinë e të mospërgjigjurit qartazi ndaj marrëveshjeve të kaluara. E dyta, duhet të ketë koordinim për dallim prej muajve të fundit që kemi parë tone dhe qëndrime të ndryshme sa i përket situatës mes Kosovës dhe Serbisë dhe ngjarjeve në Bosnjë e Hercegovinë. Së treti, duhet të jemi më të vendosur në atë se cila është rruga përpara. Kjo do të thotë se shtetet duhet të marrin vendime të vështira. Serbia duhet të marrë vendim të qartë për Evropën, në vend të miqësisë së ngrohtë me Rusinë e [presidentit rus, Vladimir] Putinit, por kjo nënkupton që edhe politikanët në Bosnjë e Hercegovinë duhet t’i caktojnë prioritetet që janë të domosdoshme për integrim në familjet evropiane.

Kam qenë shumë kritik ndaj Komisionarit për Fqinjësi të Mirë, ai është nga Hungaria, [Oliver] Varhelyi, por edhe e gjithë BE-ja duhet të dalë me plan më ambicioz për përfshirje të rajonit. Nuk do të ndodhë përgjatë natës, as për një vit, por duhet pasur synim të qartë për të ardhmen. Gjërat duhet të ndodhin këtë dekadë dhe duhet të ndodhin shpejt.

Radio Evropa e Lirë: Kur përmendni tone të ndryshme, kujt po i referoheni?

Thijs Reuten: Po u referohem përfaqësuesve të ndryshëm, ambasadorëve të ndryshëm në shtetet respektive, që me raste kanë mbështetur qëndrime të ndryshme dhe me raste kanë krijuar konfuzion. Për të dhënë një shembull, për mua ka qenë shumë e çuditshme, ndonëse i kam parasysh tensionet, që Shtetet e Bashkuara i kanë pezulluar stërvitjet ushtarake me Kosovën, mirëpo një javë më vonë i kanë zhvilluar stërvitjet me ushtrinë serbe.

Edhe deklarimet e mëtejme që nuk kanë qenë gjithmonë në një linjë, kur ka qenë fjala për kidnapimin e tre policëve të Kosovës në territorin e Serbisë. Mendoj që Shtetet e Bashkuara kanë reaguar më me vendosmëri sesa BE-ja. Diçka e tillë krijon konfuzion, andaj është e rëndësishme që të ketë koordinim.

 

“Nuk u jemi drejtuar aksidentalisht tri palëve”

Radio Evropa e Lirë: Në letër përmenden mësimet nga e kaluara dhe që të mos krijohet një politikë për Ballkanin që e ka në qendër Beogradin. Si e komentoni këtë pjesë?

Thijs Reuten: Është referencë për vitet ‘90 të shekullit të kaluar kur kemi menduar që me qasje të butë ndaj Beogradit, apo duke ndërmjetësuar marrëveshje, do ta gjejmë zgjidhjen. Ajo që do të duhej të mësonim sa i përket Evropës Juglindore është se ky lloj ledhatimi nuk funksionon kurrë. Duhet të jemi të qartë se çfarë kërkojmë nga të dyja shtetet.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë prisni nga zyrtarët të cilëve ua keni nisur letrën?

Thijs Reuten: Pres përgjigje të thuktë dhe të koordinuar, sepse kjo është goxha iniciativë unike. Nuk u jemi drejtuar të tria palëve aksidentalisht dhe presim politikë të re për rajonin.

“Grupi nënshkrues nuk është armik i Serbisë”

Radio Evropa e Lirë: Kosova ka marrë hapa drejt shtensionimit të situatës në veri. Siç është përmendur edhe në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe BE-së në Bratisllavë, Policia e Kosovës e ka zvogëluar prezencën në veri dhe zyrtarët e Kosovës kanë thënë se janë të përkushtuar për organizim të zgjedhjeve të reja. Pse nuk po i heq BE-ja sanksionet ndaj Kosovës?

Thijs Reuten: Kam qenë shumë kritik për këtë gjë në disa takime në Parlamentin Evropian. Sipas mendimit tim, bazuar në kërkesat e BE-së, të datës 3 qershor, Kosova ka treguar gatishmëri për t’i zbatuar të gjitha pikat. Problemi tani është që e kemi një situatë në favor të presidentit Vuçiq, sepse ai tani mund të bëjë hapa mbrapa dhe ta vazhdojë lojën e tij, që nuk e ka në fokus përparimin por mbajtjen e situatës jostabile.

Dy gjëra duhet të ndodhin: fillimisht rikthimi i dialogut, dhe më pas që të dyja vendet duhet të fokusohen në zgjedhjet e tyre për t’iu afruar integrimeve.

Po dëgjoj shumë kritika se grupi nënshkrues është armik i Serbisë. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Nuk ka asgjë më të mirë për rajonin sesa që Serbia të zgjedhë të ardhmen evropiane.

Kjo është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë BE-së dhe rajonit. Ne nuk jemi armiq, por duam ndryshim të qartë të politikës, e cila duhet të jetë e balancuar dhe proporcionale.

rel

BE “shton pretendimet” ndaj Kosovës: ‘Ok’ largimi i policisë, por presim hapa të tjerë!

BEBashkimi Europian e përshëndeti reduktimin e pranisë policore nga objektet në veri si një hap të duhur përpara, por sipas Brukselit nevojiten edhe hapa të tjerë në kuadrin e përpjekjeve për shtensiomin e situatës në veri të Kosovës.

 

“BE-ja e mirëpret njoftimin e fundit nga Qeveria e Kosovës për një reduktim të mëtejshëm prej 25% të pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Vendimi është marrë pas takimit të nivelit teknik në mes të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, me qëllim përcaktimin e parametrave të përbashkët për vlerësimin e situatës së sigurisë në komunat veriore. Këto janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm”, thuhet në përgjigjen e BE-së për mediat vendase. Qeveria e Kosovës ka filluar iniciativën ligjore për largimin e kryetarëve të komunave veriore, që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të parakohshme. Largimi i kryetarëve pritet te realizohet përmes peticioneve. Tensionet u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë, pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët, që kërkojnë zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për më shumë vetëqeverisje. Diplomacia perëndimore që atë kohë është vënë në përpjekje për uljen e tensioneve ndërsa ka ndëshkuar Kosovën për mungesë bashkërendimi.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Rrahman Paçarizi, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se mungesa e bashkërendimit me aleatët perëndimorë ka bërë që Kosova të identifikohet si palë destruktive.

“Ne mund të mos e kishim pasur fare një situatë të tillë sikur kryeministri i Kosovës të ishte bashkërenduar me aleatët ndërkombëtarë ashtu që kryetarët të mos dërgoheshin fare në ndërtesa nga të cilat tash duhet të largohen, që njësitë e posaçme të policisë të mos kishte nevojë të dërgohej fare, dhe tash në vend të asaj ne duhet ta kthejmë situatën në pikën zero, në pikën nga e cila kemi mundur të mos lëvizim fare pa i dëmtuar marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe nëpërmjet bashkërendimit të gjendeshin zgjidhje të tjera të cilat tash ne po i kërkojmë dëshpërueshëm”, tha ai.

Top Channel

Kurti: Qeveria e Kosovës e përkushtuar për shtensionimin e situatës në veri

AlbinKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e vlerësoi letrën që dhjetëra ligjvënës euro-perëndimorë u dërguan zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për ndryshimin e qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti nënvizoi faktin se në letër kërkohet një qasje më e rreptë ndaj Serbisë.

 

“Ky lloj i mbështetjes na e forcon përkushtimin tonë për de-eskalim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Kosovës, angazhimin për demokraci, dhe bindjen për ligjshmëri e kushtetutshmëri”, tha kryeministri Kurti.

Letra e nënshkruar nga dhjetë kryetarë të komisioneve për marrëdhënie me jashtë dhe 56 deputetë kërkon diplomaci parandaluese, baraspeshë dhe mospërsëritje të gabimeve të së kaluarës, ndërsa thekson mungesën e trysnisë ndaj Serbisë pas tensioneve në veri të Kosovës.

Tensionet u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë, pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët, që kërkojnë zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për më shumë vetëqeverisje.

Diplomacia perëndimore që atë kohë është vënë në përpjekje për uljen e tensioneve ndërsa ka ndëshkuar Kosovën për mungesë bashkërendimi.

Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Rrahman Paçarizi, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se mungesa e bashkërendimit me aleatët perëndimorë ka bërë që Kosova të identifikohet si palë destruktive.

“Ne mund të mos e kishim pasur fare një situatë të tillë sikur kryeministri i Kosovës të ishte bashkërenduar me aleatët ndërkombëtarë ashtu që kryetarët të mos dërgoheshin fare në ndërtesa nga të cilat tash duhet të largohen, që njësitë e posaçme të policisë të mos kishte nevojë të dërgohej fare, dhe tash në vend të asaj ne duhet ta kthejmë situatën në pikën zero, në pikën nga e cila kemi mundur të mos lëvizim fare pa i dëmtuar marrëdhëniet me ndërkombëtarët dhe nëpërmjet bashkërendimit të gjendeshin zgjidhje të tjera të cilat tash ne po i kërkojmë dëshpërueshëm”, tha ai.

Zoti Paçarizi tha se Kosova tash ka nisur një lloj bashkërendimi me bashkësinë ndërkombëtare por duhet ta thellojë atë edhe më shumë.

“Sepse çështja është tash kështu, ne po i gëzohemi letrës së disa euro deputetëve, ndërkohë që qeveria e Kosovës do të duhej të kishte vendosur kontakte tashmë me të gjitha qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian, me qeverinë amerikane dhe bashkë me ta t’i bashkërendojë të gjithë hapat. Pra ne kemi ardhur në situatën ku duhet t’u gëzohemi letrave apo nismave të pjesshme të Parlamentit Evropian, të senatit amerikan apo kongresit, do të thotë jemi kthyer diku në vitet ‘90”, tha ai.

Sipas pajtimit që u arrit me 10 korrik në Bratislavë në një takim ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, policia e Kosovës tashmë ka përgjysmuar praninë e saj në dhe rreth ndërtesave të komunave në veri.

Qeveria e Kosovës është vënë në përpjekje për të siguruar bazën ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve, duke hartuar një dokument që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes një peticioni.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të martën në mbrëmje në një intervistë në Beograd se letra e ligjvënësve evropianë dhe amerikanë nuk është e drejtuar kundër tij por kundër Serbisë.

voa

Kanceri: Pabarazia sociale shton rrezikun e kancerit

Kanceri një prej sëmundjeve më të rëndaKanceri mund të prekë këdo – por njerëzit me prejardhje të varfër dhe të paarsimuar kanë një rrezik më të lartë të kancerit, sipas një ekipi shkencor gjerman,

 

Në Gjermani, rreziku nga paraqitja e kancerit po zvogëlohet. Ky është një lajm i mirë. Por një zhvillim tjetër e bën shumë të qartë një mospërputhje të rëndësishme, sepse ulja e rasteve të kancerit është më më e theksuar në rajone më gjendje më të mira sociale sesa në vende të tjera, shkruan ekipi i udhëhequr nga Lina Jansen nga Qendra Gjermane e Kërkimeve të Kancerit (DKFZ) në “International Journal of Cancer”.

Në studimin e tyre, shkencëtarët ekzaminuan të dhënat nga 48 milionë banorë në tetë lande të Gjermanisë dhe krahasuan diagnozat e kancerit midis vitit 2007 dhe 2018. Rezultati: pabarazia sociale po ndikon gjithnjë e më shumë në shkallën e rasteve të reja me kancer në Gjermani.

Kanceri dhe pabarazia sociale: trend i qartë

Studiuesit së pari klasifikuan të gjitha rajonet e përfshira në studim në pesë grupe të ndryshme duke përdorur një indeks socio-ekonomik, i cili përfshinte ndër tjerash, të ardhurat, shkallën e punësimit dhe arsimin.

Studiuesit zbuluan se më pak njerëz janë sëmurë nga kanceri në këtë periudhë – në të gjitha pesë grupet e studiara. Por kjo rënie në shkallën e sëmundjeve është shumë më e vogël në rajonet me gjendje më të vështirë sociale, sesa tek ato më të pasura. Shkencëtarët kanë studiuar si sëmundjet nga kanceri në përgjithësi, ashtu edhe kancerin e zorrës së trashë dhe mushkërive – në veçanti tek meshkujt.

Studiuesit zbuluan se pabarazia sociale është rritur gjatë periudhës së vëzhgimit. Ndërsa në vitin 2007 burrat në rajonet më të pafavorizuara socio-ekonomikisht kishin një normë shtatë përqind më të lartë të rrezikut nga kanceri sesa burrat në rajonet më të pasura, kjo shifër u rrit në 23 për qind në vitin 2018. Ndërsa tek gratë diferenca është rritur nga shtatë për qind në vitin 2007, në 20 për qind në vitin 2018. Që do të thotë se është rritur dukshëm dallimi i të sëmurëve me kancer tek popullata më e varfër – si tek burrat ashtu edhe tek femrat.

Cilët faktorë shkaktojnë pabarazi sociale?

Për të luftuar këtë pabarazi, së pari është e rëndësishme të dihet se çfarë i karakterizon rajonet më të dobëta socio-ekonomikisht. Kujdesi mjekësor dhe infrastruktura mjekësore kanë mbetur relativisht të njëjta. Por faktorët individualë si papunësia, përqindja e njerëzve me mirëqenie apo me probleme sociale, si dhe shkalla e braktisjes së shkollës janë rritur dukshëm, varësisht nga rajoni dhe gjendja sociale e vendeve të studiuara. “Faktorët socialë duket se luajnë një rol shumë më të madh në këto të dhëna sesa infrastruktura e përgjithshme”, thekson Lina Jansen nga Regjistri Epidemiologjik i Kancerit i DKFZ në Baden-Württemberg.

Sipas studiuesve, në shtimin e numrit të personave të sëmurë nga kanceri ndikon edhe stili i jetesës. Ndër të tjera ndikojnë edhe gjendja socio-ekonomike, përdorimi i duhanit, mungesa e stërvitjeve dhe praktimit të sportit, mbipesha dhe disa faktorë të tjerë.

Kanceri shpesh i parandalueshëm

“Ndërmjet 30 dhe 50 për qind e kancereve mund të shmangen përmes një stili jetese të shëndetshëm, siç është moskonsumimi i duhanit dhe masat për ruajtjen e shëndetit publik, si për shembull vaksinimi kundër infeksioneve që shkaktojnë kancer”, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Parandalimi është strategjia afatgjatë me kostot më ulëta për të luftuar kancerin.

Përveç duhanit, OBSH rendit ndër rreziqet më të mëdha për paraqitjen e konacerit edhe konsumin e alkoolit, ushqimin jo të shëndetshëm, mungesën e stërvitjes dhe sportit, si dhe ndotjen e ajrit.

Lina Jansen nga DKFZ thekson rëndësinë dhe mundësitë e parandalimit të kancerit: “Rezultatet tona tregojnë se në të ardhmen duhet të bëjmë përpjekje të veçanta në mënyrë që të gjithë njerëzit të përfitojnë njësoj nga rekomandimet për mënyrën më të shëndetshme të jetesës si dhe për ekzaminimet dhe zbulimin e hershëm të kancerit – pavarësisht gjendjes së tyre sociale apo ekonomike”.

dw

Nuk i ngjan njeriut, kafka 300 mijë vjeçare e gjetur në Kinë mund të rishkruajë historinë e evolucionit tonë

KafkaNjë kafkë e lashtë po i befason shkencëtarët që e studiuan, sepse duket ndryshe nga çdo paraardhës i njohur i njeriut.

 

Kafka misterioze 300,000-vjeçare e një fëmije rreth 12 ose 13 vjeç u zbulua për herë të parë në Hualongdong në Kinën Lindore në vitin 2019, së bashku me një kockë këmbe.

Studiuesit mendojnë se individi, i njohur vetëm si ‘HDL 6’, është një përzierje midis njerëzve modernë dhe një hominine të panjohur që ekzistonte në Kinë në atë kohë, raportoi Science Alert të hënën.

Kafka ka tipare të fytyrës që janë të ngjashme me njerëzit e hershëm modernë, të cilat shkencëtarët mendojnë se filluan të degëzohen nga një paraardhës tjetër i njeriut i njohur si Homo Erectus diku midis 550,000 dhe 750,000 vjet më parë .

Por gjymtyrët e saj, kapaku i kafkës dhe mjekra e prerë “duket se pasqyrojnë tipare më primitive”, shkroi Xiujie Wu, një paleontolog nga Akademia Kineze e Shkencave në një analizë të eshtrave të botuar më 31 korrik.

Këto tipare janë më afër strukturës së fytyrës së një ‘Denisovan’ , një degë tashmë e zhdukur e homininëve të Azisë Lindore që u nda nga Neandertalët rreth 400,000 vjet më parë.

Kjo formë e çuditshme e kafkës “nuk është regjistruar kurrë në grumbullimet fosile të homininëve të Pleistocenit të Mesëm në Azinë Lindore”, thanë shkencëtarët në një analizë të fundit.

Nëse është një paraardhës i pazbuluar i njeriut, kjo gjetje mund të rishkruajë historinë e evolucionit njerëzor.

Historia njerëzore është më e komplikuar nga sa mendonim

Kjo nuk është hera e parë që mbetjet njerëzore kanë tronditur rrugën e pastër evolucionare që mendohet deri te njerëzit.

Shumë prej nesh dimë se Homo sapiens doli nga Homo Erectus në Afrikën Sub-Sahariane rreth 200,000 vjet më parë.

Por realiteti duket se është shumë më i çrregullt. Fosilet arkaike të Homo sapienit shpesh mbartin një përzierje të strukturave të vjetra të fytyrës dhe tipareve moderne, kështu që afati kohor është pak më i komplikuar nga sa e kanë librat shkollorë.

Pëe shembull, për mbetjet e gjetura në Marok në vitin 2017 nga rreth 300,000 vjet më parë me tipare të ngjashme me Homo sapien, sugjeronin se njerëzit mund të ishin shfaqur shumë më herët sesa mendohej më parë.

Gjetjet e fundit të mbetjeve njerëzore arkaike në Izrael dhe Greqi, që datojnë rreth 200,000 vjet më parë, sugjeruan gjithashtu se paraardhësit njerëzorë mund të ishin larguar nga Afrika shumë më herët sesa mendohej më parë.

Ekzistojnë gjithashtu prova paleontologjike dhe gjenetike që sugjerojnë se njerëzit e lashtë janë ndërthurur me Neandertalët dhe Denisovanët, kushërinjtë e tyre, duke i komplikuar më tej linjat e gjakut.

Nëse vërtetohet se janë të sakta, gjetjet e Azisë Lindore mund të shtojnë një degë tjetër të “shembullit pre sapiens”, duke sjellë më shumë njohuri për pemën njerëzore të jetës.

 

Top Channel