Kurti, Rama dhe zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut

Kurti RamaPartitë politike shqiptare mund të faktorizojnë votën e elektoratit shqiptar vetëm nëse arrijnë të grupohen duke garuar si dy blloqe, theksojnë njohësit e çështjeve politike.

 

Këtyre komenteve u kanë paraprirë takimet e intensifikuara ndërmjet drejtuesve të partive shqiptare në opozitë, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike, e cila së fundmi është shkëputur nga Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet, e cila aktualisht në Parlament është e përfaqësuar me tre deputetë.

 

Njohësit e çështjeve politike thonë se bashkimi i partive shqiptare në një kauzë mund të arrihet përmes një figure të fuqishme rajonale në mesin e shqiptarëve.
Nga ky prizëm e shohin dhe vizitën e paralajmëruar joformale të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, më 11 gusht.

Nga kabineti i kryeministrit të Kosovës për Radion Evropa e Lirë kanë theksuar se Kurti është i ftuar i kryetarit të Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiu, për të promovuar një rrugë me emrin e ri, atë të Adem Demaçit, dhe në Tetovë me ftesë të kryetarit të kësaj komune, Bilall Kasami, për të diskutuar për aksin rrugor Tetovë – Prizren.

“Vizita e kryeministrit Kurti në Maqedoni të Veriut do të realizohet me ftesë të kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, dhe të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, me rastin e riemërtimit të një rruge në Shkup me emrin e veprimtarit Adem Demaçi dhe inaugurimit të një segmenti të rëndësishëm rrugor të lidhjes Prizren-Tetovë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Përparim Kryeziu, pa u përgjigjur konkretisht se pse kësaj radhe nuk takohet edhe me liderin e BDI-së që është pjesë e pushtetit.

“Në kuadër të Forumit të Prespës, në Strugë, kryeministri Kurti kishte zhvilluar takime me zyrtarë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Ndërkohë, komunikimi ndërmjet kabineteve qeveritare është i rregullt”, ka thënë Kryeziu.

*Video nga arkivi e takimit të Kurtit me Ahmetin në Ohër

 

Komuna e Çairit dhe Tetova drejtohen nga opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Visar Ganiu tashmë është rreshtuar në fraksionin e dalë nga BDI-ja, Lëvizja Demokratike – parti kjo e re e cila është duke u formuar – kurse Tetova udhëhiqet nga Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Ballkani i Hapur afron opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut me kryeministrin Kurti

Izet Mexhiti, i cili ka iniciuar formimin e partisë së re, Lëvizja Demokratike, thotë për Radion Evropa e Lirë se në funksion të thellimit të bashkëpunimit të opozitës shqiptare me Lëvizjen Vendvendosje, është dhe vizita e paraljmëruar joformale e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të premten (më 11 gusht).

 

Mexhiti thekson se me kryeministrin Kurti do të diskutohen edhe tema politike si Procesi i Berlinit.

“Do të bisedohet edhe për tema politike, ku do të ketë një ndarje mes atyre që janë me Ballkanin e Hapur dhe atyre, përkatësisht neve, si edhe Kurtin që jemi për Procesin e Berlinit. Normalisht se do të bisedojmë dhe për tema që thellojnë bashkëpunimin ndërmjet frontit opozitar shqiptar në Maqedoni (të Veriut) me Lëvizjen Vetëvendosje në Kosovë”, shton Mexhiti.

Nisma Ballkani i Hapur është kritikuar disa herë edhe nga Bilall Kasami.

Rivaliteti Rama-Kurti demonstrohet edhe në Maqedoninë e Veriut

Për njohësit e zhvillimeve politike, ardhja e Kurtit në Shkup shihet si shtytje për pozitën shqiptare nga ana e kryeministrit Kurti për të bashkëvepruar si një front i përbashkët, por njëkohësisht edhe demonstrim i rivalitetit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili ishte një nga promotorët e nismës Ballkani i Hapur.

 

“Zoti Rama dhe zoti Kurti, rivalitetin e tyre për ndikim apo dominim politik në hapësirën gjuhësore shqiptare e shtrijnë edhe në Maqedoninë e Veriut, thotë Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike, duke rikujtuar se ishte Rama që ftoi në takim liderët e partive kryesore shqiptare në Maqedoninë e Veriut, para se Aleanca për Shqiptarët të bindej të merrte pjesë në qeveri”.

“Ndërkohë e dimë se nga viti 2015 e këndej kemi një bashkëpunim shumë të ngjeshur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lëvizjes Besa. Ky rivalitet (mes Ramës dhe Kurtit) është fakt se është i dukshëm edhe në Maqedoninë e Veriut.
Por, pozitive në tërë këtë rivalitet është se, mbase, më në fund në zgjedhjet e ardhshme do të kemi një garë mes dy blloqeve ose koalicioneve të partive politike shqiptare – njëri në pushtet dhe tjetri në opozitë – dhe me siguri se do të kemi dhe oferta më përmbajtjesore”, vlerëson Neziri për Radion Evropa e Lirë.

Maqedonia e Veriut ndodhet para një procesi të rëndësishëm që ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës, përkatësisht përfshirjen e bullgarëve në preambulë. Në të kundërtën rrezikon që të bllokohet procesi i integrimit të vendit.

Opozita maqedonase thotë se mungesa e votave për të çuar para ndryshimet kushtetuese tregon se pushteti nuk ka legjitimet.

Edhe opozita shqiptare gjithashtu kërkon zgjedhje të parakohshme, pasi siç thekson, Maqedonia e Veriut dhe ardhmja evropiane mbeten ‘peng i strukturave të caktuara të pushtetit që janë të kapura nga korrupsioni’.

rel

Kërkohet ndryshim i qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë

Tensione në veri të KosovësPolitikanë evropianë e amerikanë kërkojnë ndryshim qasjeje ndaj Kosovës e Serbisë dhe jo anime ndaj një pale. Të punohet për një diplomaci parandaluese që shmang përshkallëzimin kërkon deputetja britanike, Alicia Kearns.

 

Deputetja e parlamentit britanik, Alicia Kearns, publikoi një letër në të cilët theksohet, se dhjetëra politikanë nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i janë drejtuar zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe Uashingtonit dhe kërkojnë që të ndryshohet qasja e tyre në raport me Kosovën dhe Serbinë. Në një postim në Twitter, (07.08) Alicia Kearns, shkroi se i është dërguar letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, dhe sekretarit të Jashtëm britanik, James Cleverly, letër kjo që është nënshkruar nga dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë. Aty adresohen tensionet e muajve të fundit në veriun e Kosovës e banuar me shumicë serbe dhe përmes saj nga Bashkimi Evropian dhe Uashingtoni, kërkohet “balancë dhe proporcionalitet në bashkëveprimin me Kosovën dhe Serbinë”.

“Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës. Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimet. Por, mungesa e presionit ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve të Kosovës dhe dështimi për t’i mbajtur përgjegjës ata që kryen sulme ndaj KFOR-it vënë në pah mungesën e barazisë në adresimin e tensioneve”, thuhet në letër.

Masat ndaj Kosovës

Kosova u ndëshkua me një sërë masash nga  Bashkimi Evropian pasi iu kërkua tërheqja e kryetarëve shqiptarë nga komunat me shumicë serbe, tërheqja e njësive speciale nga godinat e kuvendeve komunale dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Veri i Mitrovicës. Qeveria e Kosovës u akuzua nga komuniteti ndërkombëtar për moskoordinim për veprimet e saj në veri. Serbët lokalë organizuan protesta, të cilat kulmuan me përleshje dhe lëndime të dhjetëra protestuesve dhe ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Në letrën që e publikoi deputetja britanike, Alicia Kearns, thuhet se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të anojë nga Beogradi, por, duhet të punojë në një diplomaci parandaluese për të shmangur përshkallëzimin. “Qasja aktuale nuk po funksionon. Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtar që të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurohemi që ne nuk do të miratojmë politika për Ballkanin që anojnë nga Beogradi. Ne po ashtu u kërkojmë që të shqyrtoni mundësinë e miratimit të një politike të diplomacisë parandaluese për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës së sigurisë dhe asaj politike në veri të Kosovës, me balancë dhe proporcionalitet në çdo deklaratë dhe çdo ndëshkim apo sanksion që ndërmerret, dhe që ata të cilët respektojnë sundimin e ligjit dhe demokracinë të mos ndëshkohen”, thuhet në letër.

Kosova nuk do të ndërmarrë veprime që shkallëzojnë situatën

Pas masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri, qeveria e Kosovës është pajtuar me planin e BE-së për shtensionimin e situatës në veri, që ndër më kryesoret parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në atë pjesë. Qeveria e Kosovës ka deklaruar  publikisht “gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës”. Po ashtu kjo përfshin edhe një zvogëlim të menjëhershëm me 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. “Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat veriore, pas verës” dhe se “Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve në veri”. E pikërisht për zgjedhjet në veri të cilat u bojkotuan masivisht nga serbët lokal, në letrën e politikanëve evropian dhe amerikanë, thuhet se “Kosova është shtet i pavarur dhe përpjekjet për të penguar zgjedhjet demokratike në Kosovë nga Serbia, duhet të kritikohen publikisht si ndërhyrje nga jashtë”.

Ndërkohë qeveria e Kosovës ka nisur punën për sigurimin e bazës ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, Zveҫan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Veri të Mitrovicës. Në këtë mënyrë sipas ministrit të pushtetit lokal, Elbert Krasniqi, grupi punues ka një muaj kohë për të hartuar një dokument që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave në veri  shkarkimin e kryetarëve aktualë përmes një peticioni të qytetarëve të regjistruar me të drejtë vote në komunat përkatëse.

dw

Senatori Jack Reed vizitë në rajonin e Ballkanit, takime me autoritetet e Kosovës

Senatori Jack ReedKryetari i Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, Jack Reed, po qëndron në Kosovë në kuadër të një vizite në rajonin e Ballkanit, mes tensioneve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit lidhur me situatën në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

 

Senatori Reed, i cili u takua të martën pasdite me Presidenten e Kosovës, Vjosa Omsani, do të diskutojë edhe me përfaqësues ndërkombëtarë mbi marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës si dhe situatën e sigurisë në rajon.

Ai do të takohet edhe me ushtarët nga Rhode Island, pjesë e disa qindra trupave amerikane që shërbejnë në kuadër të forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë. Mbi 90 ushtarë të NATO-s pësuan plagë në fund të muajit maj gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në veri të Kosovës, të cilët kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve shqiptarë të komunave që dolën nga zgjedhjet e bojkotuara nga partitë serbe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë vënë në përpjekje për të ulur tensionet, ndërsa kanë zbatuar masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të situatës në veri.

Opozita në Kosovë e kritikon qeverinë për dëmtim të marrëdhënieve me aleatët posaçërisht me Shtetet e Bashkuara, roli i të cilave vlerësohet i pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, që vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi me mbështetjen e Rusisë.

voa

Deputeti ukrainas Merezhko për VOA: Rusia do ta përdorë përshkallëzimin në Ballkan për të hequr vëmendjen nga agresioni në Ukrainë

MerezhkoShefi i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Ukrainës Oleksandr Merezhko, një nga nënshkruesit e letrës ku shprehet shqetësimi me politikat aktuale perëndimore ndaj marrëdhënieve Kosovë-Serbi, thotë se kërcënimi nga përshkallëzimi në Ballkan, ka rëndësi edhe për Ukrainën.

 

“Pasi Rusia me siguri do ta përdorë këtë përshkallëzim për interesat e saj, duke përfshirë edhe përpjekjet për të ndezur mbase konfliktin dhe për të larguar vëmendjen nga agresioni rus kundër Ukrainës”, tha ai për Zërin e Amerikës, në përgjigje të një kërkese për koment nga shërbimi shqip.

Ligjvënës e politikanë nga vende të ndryshme euro-perëndimore, përfshirë dhjetë kryetarë komisionesh për marrëdhënie me jashtë dhe 56 deputetë në një letër dërguar sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe sekretarit të Jashtëm britanik, James Cleverly, kërkojnë një diplomaci parandaluese, të baraspeshuar dhe mospërsëritje të gabimeve të së kaluarës.

“Qasja aktuale nuk funksionon. Ne kërkojmë që komuniteti ndërkombëtar të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurohet që të mos miratojmë një politikë ku Beogradi është qendër për Ballkanin”, thuhet në letër, në të cilën nënvizohet se Kosova është përballur me pasoja pas përpjekjeve të kryetarëve të komunave për të hyrë në zyrat e tyre në veri të Kosovës.

Alicia Kearns, një nga hartueset kryesore të letrës, e cila është deputete konservatore britanike dhe Kryetare e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë e falenderoi zotin Merezhko për nënshkrimin e letrës, duke e quajtur këtë gjest “unik”.

Kievi nuk e njeh pavarësinë e Kosovë dhe zoti Merezhko tha për Zërin e Amerikës se çështja e njohjes është punë e presidentit, i cili sipas kushtetutës është përgjegjës për politikën e Jashtme. Por ai thotë se si deputet ai shpreh qëndrimin e tij për këtë çështje dhe se e vlerëson faktin që Kosova mbështet Ukrainën dhe ka zbatuar sanksione kundër Rusisë.

“Fatkeqësisht, Serbia nuk e bëri. E konsideroj të papranueshme që ekstremistët në Kosovë të shkruajnë shkronjën Z në makinat e forcave paqeruajtëse dhe të sulmojnë përfaqësuesit e KFOR-it”, tha zoti Merezhko duke iu referuar incidenteve të dhunshme të 29 majit të këtij viti në veriun e Kosovës kur protestuesit serbë u përleshën me trupat e drejtuara nga NATO-ja, duke plagosur 93 prej tyre dhe shkruan në makinat e KFOR-it shkronjën Z, një simbol i përdorur nga trupat ruse gjatë agresionit të Moskës në Ukrainë.

Tensionet u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë, pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët, që kërkojnë zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për më shumë vetëqeverisje.

Diplomacia perëndimore që atëherë ka kërkuar uljen e tensioneve përmes pezullimit të operacioneve policore në veri, zhvendosjes së kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.

“Kosova duhet të bashkërendohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimin. Por mungesa e trysnisë ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve të Kosovës dhe dështimi për të mbajtur përgjegjësi për sulmet ndaj KFOR-it, nxjerr në pah mungesën aktuale të paanshmërisë në trajtimin e tensioneve”, thuhet në letër.

Në letër thuhet se përqendrimi i diplomacisë perëndimore duhet të mbetet në normalizimin e marrëdhënieve dhe rrugën e vazhdueshme euro-atlantike si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën dhe se trazirat e fundit kërkojnë që të gjitha palët të ripërqendrohen në shtensionim dhe parandalim.

“Zbulimet e fundit të depove të armëve në veri të Kosovës dhe raportet për kontrabandën e vazhdueshme të armëve përtej kufirit Serbi-Kosovë nxjerrin në pah rreziqet e përshkallëzimeve të mëtejshme”, theksohet në letër në të cilën theksohet se Kosova është shtet sovran dhe demokraci funksionale dhe ky fakt duhet të jetë baza e politikës euro-atlantike ndaj krizës aktuale.

“Përpjekjet për të prishur zgjedhjet demokratike në Kosovë nga Serbia duhet të kritikohen publikisht si ndërhyrje e huaj me masa të prekshme për ta mbajtur përgjegjëse nëse vazhdon të dëmtojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo do të ndihmojë në lehtësimin e zgjedhjeve të ardhshme me pjesëmarrje të plotë nga të gjitha komunitetet e pranishme në komunat veriore”, thuhet në letër.

Janë dy rrugë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve të reja; përmes dorëheqjeve të kryetarëve aktualë dhe peticionit që sipas autoriteteve në Kosovë do të ishte mënyrë më demokratike dhe do të siguronte pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.

Qeveria e Kosovës është vënë në përpjekje për të siguruar bazën ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve, duke hartuar një dokument që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes një peticioni.

Policia e Kosovës tashmë ka përgjysmuar forcat në veri pasi qeveria e Kosovës tha më 11 korrik se është pajtuar për një gjë të tillë dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe, si pjesë e veprimeve për të ulur tensionet.

Pajtimi u arrit me 10 korrik në Bratislavë në një takim ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Autoritetet në Kosovë i kanë kërkuar faktorit ndërkombëtarë që të parandalojnë ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbahen në veri të Kosovës, ndërhyrje këto që sipas tyre, shpeshherë kanë përfunduar me dhunë e frikësim të qyetarëve të asaj pjese.

Ligjvënësit dhe politikanët euro-perëndimorë thonë se duhet të ushtrohet diplomaci parandaluese, ndërsa dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian duhet të japë rezultate pozitive dhe zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit duhet të respektohet.

voa

Fordi elektrik ul çmimin, thellon betejën me Teslën

TeslaFirma Ford ka thelluar luftën e çmimeve në tregun e makinave elektrike, ndërsa uli çmimin e makinës së tipit F-150 Lightning. Gjigandi amerikan po synon të shtojë praninë në tregun e makinave elektrike të dominuar prej vitesh nga firma Tesla.

 

Kompania Ford ka ulur çmimin e makinës së saj elektrike të modelit F-150 Lightning me rreth 17%, duke thelluar luftën e çmimeve me firmën Tesla. Kompania me qendër në Detroit shpreson të rrisë praninë në tregun e makinave elektrike të dominuar nga Tesla gjatë dekadës së fundit.

Vendimi vjen pak ditë pasi firma Tesla njoftoi se kishte prodhuar në fabrikën e saj në Austin makinën e parë për linjën e prodhimit të modelit Cybertruk, për të cilën ka vite që flitet.

Muaj më parë, Tesla filloi uljen e çmimeve të disa modeleve, duke çuar në rënien e shitjeve të makinave elektrike të kompanive të tjera. Tre muajt e fundit shitjet e makinave elektrike të Fordit ranë 2.8%. Tesla njoftoi rritjen e shitjeve në tremujorin e dytë.

Në fillim të vitit Fordi rriti çmimin e modelit elektrik F-150. Aktualisht firma Ford thotë se ulja e çmimit vjen si rezultat i përmirësimeve në fushën e prodhimit dhe rënies së kostos së lëndës së parë për prodhimin e baterive.

Fordi planifikon të trefishojë prodhimin e modelit Lightning në 150,000 automjete në vit. Çmimi i modelit bazë do të bjerë në rreth 50 mijë dollarë, ndërsa modeli më i plotë do të kushtojë rreth 92 mijë dollarë.

voa

Inteligjenca Artificiale ekspozon nevojën e balancës mes inovacionit dhe rreziqeve

AIShtatë kompanitë më të mëdha të teknologjisë së fundmi ranë dakord të përmbushin një sërë masash kontrolli jodetyruese të propozuara nga Presidenti Joe Biden për të zhvilluar teknologjitë e tyre të inteligjencës artificiale në një mënyrë të sigurt dhe transparente. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh i hedh një vështirim parimeve me të cilat këto kompani kanë rënë dakord. Por sa realiste janë zotimet e tyre?

 

“Kompanitë e kanë për detyrë të sigurohen që teknologjia e tyre të jetë e sigurt, përpara se t’ia vënë në dispozicion publikut”.

Kjo ishte një nga kërkesat kryesore të presidentit amerikan, Joe Biden për kompanitë që po zhvillojnë projekte me Inteligjencë Artificiale.

Gjigantët e teknologjisë Amazon, Google, Meta dhe Microsoft janë pjesë e një grupi prej shtatë kompanish që premtuan të zbatojnë masat mbrojtëse të Inteligjencës Artificiale të paraqitura nga Shtëpia e Bardhë.

“Ky angazhim, të cilin kompanitë do ta zbatojnë menjëherë, kanë si bazë parimet themelore: siguri dhe besim”, thotë presidenti Biden.

Disa nga parimet që kompanitë janë zotuar t’i zbatojnë janë mjaft praktike, thotë David Broniatowski profesor në Fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin ‘George Washington’.

“Për shembull, zbatimi i vendosjes së shenjave identifikuese në projektet e mëdha si ChatGPT është lehtësisht i realizueshëm. Këto shenja ndër të tjera do të ndihmonin njerëzit që të kuptonin nëse lajmet që shohin në internet janë prej një burimi të saktë apo prej një burimi pak të besueshëm”, thotë profesor David Broniatowski nga Universiteti ‘George Washington’.

Katër gjigantët e teknologjisë, së bashku me krijuesin e projekteve të Inteligjencës Artificiale ‘ChatGPT’, ‘OpenAI’ dhe kompanitë e reja si ‘Anthropic’ dhe ‘Inflection’, janë zotuar se do të pranojnë që verifikimi i sigurisë së projekteve të tyre të kryhet pjesërisht nga ekspertë të pavarur. Kjo do bëhet me qëllim për t’u mbrojtur nga rreziqet kryesore, përfshirë biosigurinë dhe sigurinë kibernetike, tha Shtëpia e Bardhë.

Kompanitë e mëdha dhe ato më të vogla të teknologjisë do të duhet të gjejnë balancën mes rrezikut dhe inovacionit në lidhje me Inteligjencën Artificiale.

“Ne nuk mund ta lëmë zhvillimin e inteligjencës artificiale të kontrollohet vetëm nga sektori privat”, thotë bashkëthemeluesi i kompanisë së re teknologjike ‘Anthropic’, Jack Clark.

Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Qeveritë e botës duhet të bashkohen, të zhvillojnë kapacitetet shtetërore dhe ta bëjnë zhvillimin e sistemeve të fuqishme të Inteligjencës Artificiale një përpjekje të përbashkët në të gjitha pjesët e shoqërisë, në vend që të diktohet vetëm nga një numër i vogël firmash që konkurrojnë me njëra-tjetrën në treg”, tha më tej zoti Clark.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë angazhohet për avancimin e teknologjisë së përgjegjshme të Inteligjencës Artificiale në SHBA, administrata e presidentit Biden thotë se do të bashkëpunojë gjithashtu me partnerët e saj ndërkombëtarë për një kornizë të përbashkët për të zbatuar rregulla për zhvillimin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale.

voa

Kirurgjia kozmetike dhe regulloret e paqarta të administrimit

KirurgjiaStudiuesit që kanë vëzhguar industrinë britanike të kozmetikës thonë se një në tre praktikues që injektojnë klientët me “fillers” dhe “botox” nuk janë mjekë të kualifikuar. Nuk ka asnjë kërkesë ligjore që ata që administrojnë injeksionet të jenë mjekë të kualifikuar, por studiuesit paralajmërojnë se ky sektor i biznesit të bukurisë është “pa rregullore të përcaktuar qartë”.

 

Në klinikën e Vincent Wong-ut në Londër ka pasur një rritje prej 50% të kërkesave për injeksione të tilla si “fillers” dhe “botox”.

Ndryshe nga shumica e praktikuesve në këtë industri, zoti Wong është një mjek i kualifikuar, si dhe është specialist në kirurgjinë kozmetike.

Sipas një raporti të ri nga studiuesit në Kolegjin e Londrës, pak më shumë se një e treta, 32% e atyre që kryejnë injeksione janë mjekë, 13% janë infermierë, 24% dentistë dhe 8% infermierë dentarë.

Autorët e studimit thonë se sektori “është pa rregullore të qarta”.

Zoti Wong thotë se ai ka vënë re një rritje të interesit për injeksione që nga pandemia kur të gjithë po përdornin video konferenca për të qëndruar në kontakt, krahas rritjes së faqeve të mediave sociale.

“Më shumë njerëz po shfaqen në ekran, ata po shohin se si duken pa grim”, thotë mjeku Wong.

Zoti Wong thotë se një mjek mund të zgjidhë problemet e mundshme.

Ai thotë se ndërsa të tjerët mund të kenë njëfarë trajnimi mjekësor, ata mund të mos i njohin të gjitha rreziqet.

“Përzgjedhja e gabuar e produktit, ose injektimi i shtresës së gabuar të fytyrës përbëjnë rrezik. Mendoj se gjëja kryesore për të shkuar tek një person i kualifikuar dhe kompetent është se ata do të jenë në gjendje të njohin komplikimin dhe gjithashtu të menaxhojnë situatat,” thotë zoti Wong.

Kirurgu David Zargaran thotë se një sfidë kryesore me të cilën përballen rregullatorët është të sigurohen që njerëzit që kanë licencë për të kryer këto procedura, janë të aftë dhe nuk përbëjnë rrezik për pacientët.

“Nuk ka asnjë legjislacion specifik se kush mund të administrojë në të vërtetë injeksionet dermo mbushëse. Çështja themelore në lojë është kompetenca”.

Sipas një raporti, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po përgatitet të përditësojë politikën e saj dhe rekomandimet në Aktin Mjekësor në vitin 2024.

voa

Fentanyli, shkaktari i shumicës së vdekjeve nga opioidet

opioidetZyrtarët meksikanë u takuan më 25 korrik me zyrtarët amerikanë dhe kanadezë në Meksikë, për të diskutuar rreth përpjekjeve për të luftuar trafikimin e opioidit sintentik, fentanylit. Për të kuptuar këtë problem, Zëri i Amerikës bisedoi me disa ish-përdorues të fentanylit në një qendër rehabilitimi në Uashington.

 

 

“Fillimisht, për shume vite, mjeku më kishte dhënë recetë për opioide. Më pas, pasi humba sigurimin dhe me ligjet e rrepta për kontrollin e tyre, forma më e lehtë ishte që t’i blija ato nga dikush në rrugë”, thotë Megan DeFranco, një ish përdoruese e Fentanylit.

Ajo është në mesin e 75 për qind i të varurve nga opioidet, të cilët, Institutiti Kombëtar i Shëndetësisë, thotë se e nisën përdorimin e tyre me recetë nga mjekut.

“Njerëzit nuk zgjedhin ta përdorin atë. Unë mendoja se po përdorja diçka që ishte me recetë”, thotë zonja DeFranco.

Ilaçi “OxyContin” dikur dominonte tregun e ligjshëm dhe të paligjshëm të opioideve.

Por tani, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, fentanyli, që kryesisht prodhohet në formë të paligjshme, është shkaktari i shumicës së vdekjeve nga opioideve.

Johnny Bailey është me qendrën rehabilieuse “HIPS” në Uashington.

“Fentanyli është pothuajse shkaktari i të çdo vdekjeje. Mbi 90 për qind e mbidozave fatale, janë si pasojë e fentanylit”, thotë zoti Bailey.

Sipas Qendrave amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, më shumë se 150 njerëz vdesin çdo ditë, si pasojë e mbidozave që lidhen me opioidet sintetike si fentanyli.

“Është shumë dëshpëruese, sepse jemi zhytur në vdekje, varfëri dhe probleme tjera”, thotë zoti Bailey.

Vdekja e një të afërmi të zonjës DeFranco, bëri që ajo të ndalonte përdorimin e drogës. Ajo nisi rehabilitimin në grupin “HIPS”.

“Rehabilitimi nuk ishte i lehtë, sepse keni shumë mendime në kokë… Por, ia dola. U deshën disa përpjekje. Është si një epidemi”, thotë ish-përdoruesja.

Instituti Kombëtar për Abuzimin e Drogave thotë se 40 deri në 60 për qind e njerëzve që mundohen të heqin dorë nga drogat hasin në vështirësi.

Johhny Bailey është një nga të rehabilituarit.

“Po mbush 10 vite. Pasi e mblodha veten, u ktheva në shkollë për të marrë diplomën për punë sociale, sepse misioni im ishte t’u ofroja njerëzve gjërat që unë do të doja t’i kisha. Dikur isha i papunë, një i gjunjëzuar, që ka lënë shkollën dhe i divorcuar. Tani jam i martuar. Është fantastike”, thotë ai.

Opioidet janë një problem global, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara.

Sipas Qendrave kombëtare të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, opioidet janë shkaktarët kryesorë të vdejeve si pasojë e mbidozës.

voa

Menaxhimi i simptomave të hershme të demencës

demencaDisa qendra të kujdesit për personat me probleme shëndetësore në Australi po forcojnë kujdesin e specializuar për personat që vuajnë nga demencia. Kjo pason një raport të qeverisë, i cili thotë se sëmundja mendore është tani më e përhapur se ato të zemrës në Australi. Sipas statistikave të fundit, rastet e sëmundjes së demencës u rritën me 61 për qind në 11 vjet në grupmoshat më të lartë në vend.

 

Njëmbëdhjetë vjet më parë, Shirlene Colbert filloi të përballej me ndryshime shqetësuese të personalitetit të bashkëshortit të saj, Stephen.

Mjeku i familjes në fillim tha se kjo ishte pasojë e stresit të shkaktuar nga puna, por në fakt Stephen po përballej me simptomat e para të demencës, e cila ndërlikohet nga agresioni fizik dhe sjellje të tjera shqetësuese. Sipas mjekëve, këto ndryshime janë pasojë e simptomave psikologjike të demencës.

“Kur Stephen ishte rreth 54 vjeç ne lëvizëm nga shtëpia për të bërë një rinovim. Kur u rikthyem në shtëpi, Stephen ishte vërtet i hutuar dhe nuk dinte ku t’i vendoste gjërat. Për mua kjo ishte një shenjë se diçka nuk ishte në rregull”, thotë zonja Colbert.

Gjendja e zotit Colbert u përkeqësua, ai filloi të bëhej më agresivë dhe nuk mund të kujdesej për veten e tij.

Bashkëshortja e tij pas një periudhe të shkurtër nuk mund të kujdesej e vetme për të.

Për njerëz si Stephen Colbert, qeveria australiane ka hapur Programin e Kujdesit për rastet e rënda të Demencës. Falë këtij programi ai u pranua në qendrën “Uniting Eabrai”, një nga dy shtëpitë e specializuara, të financuara nga qeveria australiane.

Në shkurt, Instituti Australian i Shëndetit dhe Mirëqenies publikoi një raport që konfirmonte se demencia ishte shkaktari kryesor i vdekjeve në vend.

Raporti vlerësoi se në vitin 2022 më shumë se 400 mijë qytetarë kishin demencia dhe kjo shifër do të dyfishohej deri në vitin 2058.

Profesorja e Universitetit të Sidneit, Yun-Hee Jeon, shpjegon se demencia është një gjendje neurodegjenerative kronike. Ajo thotë se ka 150 lloje të demencës, por forma më e zakonshme e saj është alcajmeri.

“Sëmundja e alcajmerit është deri tani më e zakonshme. Rreth 60 për qind të rasteve të demencës janë në të vërtetë sëmundje të alcajmerit”, thotë profesorja Jeon.

Shumë njerëz mendojnë se alcajmeri dhe format e tjera të demencës kanë të bëjnë vetëm me humbjen e kujtesës.

“Kujtesa është vetëm një pjesë e sëmundjes. Ka një sërë dëmtimesh të trurit, që përfshijnë vendimmarrjen, procesin e të menduarit si dhe aftësitë komunikuese të individëve. Kjo ndikon në aktivitetet e jetës së përditshme. Përkeqësimi i sëmundjes e vështirëson më tej aftësinë e personave të prekur për të menaxhuar punët e tyre të përditshme”, thotë profesorja Jeon.

Sipas shifrave zyrtare të Institutit Australian të Shëndetit dhe Mirëqenies, dy në tre persona me demencë ende jetojnë në komunitet pranë familjeve, miqve dhe fqinjëve të tyre.

Specialisti klinik i demencës në qendrën “Uniting Eabrai”, Greg Buckley thotë se sjellja e pacientëve mund të jetë shumë sfiduese.

“Ata godasin, kafshojnë, shkelmojnë, gërvishtin, godasin me shuplakë, thyejnë krahët, këmbët. Thyejnë xhamat, thyejnë karriget”, thotë ai.

Personeli i qendrës “Uniting Eabrai” është i trajnuar për t’u pëballur me këto sjellje dhe për të ndihmuar në stabilizimin e gjendjes së pacientëve. Kjo qendër përpiqet të kuptojë më mirë historinë e pacientëve dhe angazhon anëtarët e familjeve të tyre në stabilizimin e gjendjes së tyre. Shirlene Colbert thotë se qendra “Uniting Eabrai” është një vend i mirë për bashkëshortin e saj, ndonëse ai ka nevojë për një përmirësim më të madh.

Nëntë qendra të ngjashme pritet të hapen në Australi brenda këtij viti.

voa