Skandali me agjencinë palestineze më i madh se mendohej

NdihmatPërmasat e lidhjeve të punonjësve të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për ndihmën e refugjatëve palestinezë me terroristët në Rripin e Gazës është më i madh se mendohej.

 

Sipas informacioneve të gazetës “Wall Street Journal”, përmasat e lidhjeve të punonjësve të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për ndihmën e refugjatëve palestinezë me terroristët në Rripin e Gazës janë më të mëdha se mendohej. Jo vetëm 12 persona, siç u bë e ditur më parë, kanë bashkëpunuar për sulmin terrorist të Hamasit më 7 tetor kundër Izraelit. Rreth 10% e afër 12.000 punonjësve të organizatës në Rripin e Gazës duket se kanë pasur lidhje me organizatën terroriste të Hamasit apo atë të Xhihadit Islamik, raporton media amerikane duke iu referuar të dhënave të shërbimeve sekrete.

Akuzat kundër punonjësve të saj për pjesëmarrje në të dyshuar në masakrën e Hamasit më 7 tetor kanë shkaktuar reagime të zemëruara në botë. Mjaft shtete kanë ndalur pagesat për këtë organizatë. “Problemi i i UNRWA-s nuk është se janë ‘disa mollë të prishura’ që morën pjesë në masakrën e 7 tetorit”, është cituar një zyrtar i lartë izraelit. “Institucioni si i tillë është një vatër e ideologjisë radikale të Hamasit.”

 

“Pjesëmarrje aktive” e punonjësve të agjencisë?

Qeveria e Izraelit i dha së fundmi agjencisë së OKB-së një informacion se 12 punonjës të saj dyshohet të jenë përfshirë në sulmin e organizatës terroriste islamike Hamas më 7 tetor 2023. Rreth 1.140 njerëz u vranë dhe 250 të tjerë u morën peng në Rripin e Gazës.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres njoftoi se nëntë nga dymbëdhjetë zyrtarët e akuzuar të Agjencisë ishin liruar menjëherë. Ai bëri të ditur se të dyshuarit do të mbajnë përgjegjësi, përfshirë edhe ndjekjen penale.

Një zyrtar i lartë izraelit, i cituar nga portali i lajmeve Axios, pohoi se inteligjenca tregon për “përfshirjen aktive” të zyrtarëve të Agjencisë.

 

Kush është UNRWA?

Agjencia u themelua në vitin 1949 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Qëllimi i saj është të kujdeset për nevojat e palestinezëve të regjistruar si refugjatë dhe pasardhësve të tyre të zhvendosur ose për ata që ikën nga koha e krijimit të shtetit të Izraelit në 1948, si dhe nga Lufta e Parë Arabo-Izraelite që pasoi. Nga rreth 750.000 në vitin 1948, numri i tyre është rritur ndërkohë në 5.9 milionë sot.

Organizata operon në territoret palestineze, Liban, Jordani dhe Siri. Shërbimet e saj përfshijnë arsimin, shëndetin dhe shërbimet sociale për infrastrukturën, mikrofinancën dhe ndihmën emergjente në konfliktet e armatosura.

Mbi 540.000 fëmijë palestinezë ndjekin shkollat ​​që ajo administron. Ajo menaxhon rreth 60 të ashtuquajtura kampe të refugjatëve, duke përfshirë 19 në Bregun Perëndimor, të cilat drejtohen nga autoritetet palestineze.

Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 1.7 milionë nga 2.4 milionë banorët e Rripit të Gazës janë të regjistruar si refugjatë, informon ARD.

 

Çfarë kontributesh paguajnë vende të ndryshme?

Në vitin 2022, ndihma e SHBA për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Mesme është 344 milionë dollarë. Vendi i dytë më i madh donator është Gjermania me një kontribut prej 202 milionë dollarësh. Pasojnë BE-ja, Suedia, Norvegjia, Japonia dhe Franca.

Izraeli i ka kritikuar prej kohësh këto pagesa si financim të mundshëm të tërthortë të organizatës Hamas, të cilën SHBA, BE dhe disa vende e konsiderojnë si organizatë terroriste.

 

Reagimet pas akuzave

Në përgjigje të pretendimeve për përfshirje të mundshme të zyrtarëve të Agjencisë në sulmin terrorist, vende të ndryshme, duke përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Australinë, Britaninë, Francën, Finlandën dhe Italinë thanë se do të pezullojnë pagesat e ndihmave. Ngrirjes së transfertave iu bashkua edhe Gjermania. Norvegjia dhe Irlanda kanë thënë se do të vazhdojnë të mbështesin organizatën pavarësisht akuzave.

Presidenti i autoriteteve palestineze Mahmoud Abbas akuzoi Izraelin për një fushatë shpifjeje kundër Agjencisë. Organizata terroriste Hamas foli gjithashtu për një fushatë shpifëse.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterres u bëri thirrje vendeve që kanë pezulluar kontributet që të rishqyrtojnë vendimin e tyre. Financimi aktual nuk është i mjaftueshëm për të siguruar ushqimin e 2 milionë civilëve në Rripin e Gazës në shkurt, njoftoi ai gjithashtu, cituar nga ARD.

dw

Shqipëri: Të thithësh vdekjen! Ekonomi ndërtuar mbi ndotjen

NdertimetBoom-i i madh i ndërtimeve në Shqipëri shton pjesëzat ose grimcat e ngurta që qëndrojnë pezull në ajër

Tirana dhe Elbasani kryesojnë listën e qyteteve më të ndotur të Shqipërisë. Burimi kryesor i ndotjes së ajrit janë sektori i ndërtimit, automjetet e vjetëruara dhe industria e rëndë.

 

Vullnetarë të projektit “Mushkëri të Gjelbra për qytetet tona” në Shqipëri janë që prej vitit 2017 në terren për të monitoruar cilësinë e ajrit në Tiranë, ku është edhe përqëndrimi më i madh i banorëve, i ndërtesave dhe i automjeteve. Tri vitet e fundit ata kanë monitoruar në mënyrë të pandërprerë cilësinë e ajrit në Tiranë, duke u shtrirë më pas edhe në qytetet e Elbasanit, Durrësit, dhe Shkodrës nëpërmjet 1.200 pikave të ndryshme monitorimi.

Rodion Gjoka, ekspert mjedisi dhe pjesëtar i projektit të financuar nga BE që në zanafillën e tij, thotë se tashmë e gjithë Tirana është e ndotur. “Çdo kryqëzim i madh brenda dy apo tre unazave kryesore të Tiranës është një ‘hotspot’ për sa i takon gjenerimit të ndotjes që vjen nga automjetet. Zona më pak të ndotura në qytet janë zonat ku kanë zgjedhur të jetojnë pushtetarët, pra ‘Rolling Hill’s dhe fshatrat që ndodhen në periferi të Tiranës. Gjithë pjesa tjetër që jeton në Tiranë, dhe nga vetë fakti i karakteristikave topografike që ka Tirana, e cila ndodhet në një fushë grope, bën që ndotja të akumulohet dhe të qëndrojë për një periudhë të zgjatur”.

Ndjeshëm mbi normat e lejuara të BE-së dhe OBSH-së

Në gjetjet e bëra këto vite në Tiranë, Rodioni dhe ekipi i tij listojnë si problematike dioksidin e azotit (NO2) që emetohet nga djegia e karburanteve dhe PM2.5, grimcë e ngurtë me diametër 2.5 mikronë që gjenerohet kryesisht nga sektori i ndërtimit dhe djegia e karburantit, që janë ndjeshëm mbi normat e lejuara të BE-së dhe OBSH-së.

“Burimi kryesor i ndotjes së ajrit janë burimet difuze që përgjithësisht vijnë nga marmitat e makinave që lëvizin nëpër Tiranë. Në Tiranë lëvizin mbi 200.000 makina në ditë, pjesa më e madhe e të cilave, dhe pse ky raport ka ndryshuar vitet e fundit, janë motorë të cilët janë të vjetëruar, pra janë Euro3, Euro4, ka dhe Euro 5, Euro6 por shumica janë motorë të vjetëruar të cilët nuk bëjnë djegien deri në fund të karburanteve. Pastaj është edhe cilësia e karburanteve. Pavarësisht sa i mirë mund të jetë motori, nëse cilësia e karburantit është e keqe, patjetër që shumë nga radikalet apo nga pjesëzat parciale të molekulës së karburantit do të çlirohen si ndotës në gaz, dhe këtu janë të gjithë dioksidet e azotit, të squfurit, plumbi dhe të gjithë metalet e tjera të rënda të cilat qëndrojnë pezull në ajër. Kjo është një anë, dhe ana tjetër që në një mënyrë apo në një tjetër është difuze është edhe ky boom-i i madh i ndërtimeve në Tiranë, i cili ndikon tek pjesëzat ose grimcat e ngurta që qëndrojnë pezull në ajër, që janë PM2.5 dhe PM10.

Këto janë përgjithësisht materiale inerte, pluhurat, rërërat, çdo gjë që ka të bëjë me sektorin e ndërtimit i cili tashmë është difuz për fat të keq sepse nuk kemi një zonë të caktuar ku ndërtohet në Tiranë por ndërtohet gjithandej” – thotë Olsi Nika, ekspert mjedisi nga shoqata Eco Albania.

PM2.5, grimca që të gjithë e shmangin

Elementët ndotës që maten nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit janë PM2.5, PM10, grimca me diametër 10 mikronë që shkaktohet nga industria e ndërtimit, depot e plehërave, djegia e mbeturinave, dioksidi i squfurit, (SO2), i cili emetohet nga djegia e karburanteve fosile dhe shkrirja e mineraleve, dioksidi i azotit, monoksidi i karbonit (C0) që emetohet nga djegia jo e plotë e karburanteve dhe benzeni, që emetohet nga djegia e qymyrit dhe naftës si dhe motorët e vjetëruar të makinave.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit, institucioni kryesor për monitorimin e mjedisit dhe të cilësisë së ajrit, i pranon vlerat e larta të ndotjes në Tiranë, por e shmang përmendjen e grimcës PM2.5, më të rrezikshmes që gjendet në ajër, sipas ekspertëve. Udhëzimet e OBSH-së thonë se përqendrimet mesatare vjetore të PM2.5 nuk duhet të kalojnë 5 mikrogramë për metër kub (µg/m 3), por që në realitetin e Tiranës, shpeshherë kalojnë edhe 10-fishin e normës së lejuar.

“Rezulton që në Tiranë jemi mbi normat e Bashkimit Europian për PM10 dhe për NO2, që është dioksidi i azotit. Janë të dy parametra që si burim kryesor të ndotjes kanë ndërtimet edhe trafikun rrugor, ndërsa në Elbasan kemi vetëm tejkalim të PM10. PM10 është diku në vlerën 10% mbi normën e Bashkimit Europian. Përsa i përket dioksidit të azotit është në vlera të larta por është brenda normës së lejuar. E shohim që kemi prani të NO2 në matjet tona por është brenda normës së lejuar”, thotë Vanela Gjeci, Shefe sektori në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.

Elbasan: Problematik niveli i plumbit dhe i metaleve të tjerë të rëndë

Nikolla Civici ka drejtuar për shumë vite Insitutin e Fizikës Bërthamore të Zbatuar në Universitetin e Tiranës. Në periudhën 2014-2018, ky institucion ka monitoruar rregullisht cilësinë e ajrit në të gjithë Shqipërinë. “Parametrat që ne analizonim ishin PM10, PM2.5, niveli i plumbit dhe metaleve të tjerë të rëndë. Përgjithësisht situata gjatë këtyre viteve ka qenë problematike me plumbin në Elbasan. Kryesisht ishin emetimet e Uzinës Metalurgjike atje, që kur frynin erërat në një drejtim të caktuar, e çonin gjithë tymin në qytetin e Elbasanit. Ndërsa për Tiranën, problematik ka qenë PM2.5. PM2.5 pothuajse gjithmonë, në pjesën më të madhe të ditëve të vitit, ka qenë mbi nivelet e lejuara.

Grimcat e PM10-ës kryesisht janë grimca të mëdha të cilat frenohen në pjesën e sipërme të frymëmarrjes dhe nuk kanë ndonjë rrezikshmëri aq të lartë saç janë grimcat me dimension 2.5 sepse ato depërtojnë në mushkëri kështu që janë të më të rrezikshmet. Zakonisht për këto vendosen limite të rrepta të cilat ekzistojnë edhe në legjislacionin tonë. Ulja e tyre është shumë e vështirë qoftë nga emetuesit, qoftë nga burime të tjera nga të cilat ato vijnë” – thotë Prof.Dr. Civici.

Sistem ekonomik i ndërtuar mbi ndotjen

Për Ervin Gocin, pedagog dhe një ndër zërat më të fortë të shoqërisë civile, sidomos kundër betonizimit të Tiranës, autoriteteve nuk u leverdis të pranojnë shifrat përtej çdo norme. “Po të pranosh realitetin do t’u thuash njerëzve: Ju kërcënoheni nga vdekja. Dhe kjo është jo vetëm një përgjegjësi e institucioneve që me plot gojën e quaj kriminale, sepse të luash me shëndetin e qytetarëve është kriminale dhe jam 1000% i sigurt se ata e dinë këtë gjë. Problemi më i madh nuk është se Tirana është e ndotur tani. Problemi më i madh për mua është që këtu është vendosur një sistem ekonomik i cili është i ndërtuar mbi ndotjen. Ne po e paguajmë me mushkëritë tona. Pse? Sepse që në momentin që ti thua që unë 60% të taksave të qytetit do t’i nxjerr nga ndërtimi u thua qytetarëve që “përgatituni, bëhuni gati ,sepse këtu do të derdhen mijëra kub beton”. Dhe mijëra kub beton ne e dimë shumë që është ndotje”.

Në Zvicër, Kompania IQAir, një ndër më seriozet në botë për matjen e cilësisë së ajrit, monitoron situatën në mbi 140 shtete të botës. Drejtuesi i saj, Frank Hammes, thotë se nga gjashtë ndotësit kryesorë që masin qeveritë, PM2.5 është ai më i rrezikshmi, i cili gjendet dhe në Ballkan. “Të dhënat që kemi nga Shqipëria për momentin janë të dhëna satelitore dhe këto të dhëna nuk janë të besueshme përsa i përket kohës dhe saktësisë, krahasuar me të dhënat që merren nga stacionet. Në mënyrë që ne të kuptojmë se çfarë po ndodh na nevojiten të dhëna nga stacionet, por fatkeqësisht për momentin nuk i kemi në këto qytete, Tiranë dhe Elbasan. Ne nuk i përfshijmë të dhënat satelitore. I japim në kohë reale si të dhëna por nuk i përfshijmë në raportin vjetor për cilësinë e ajrit, sepse nuk janë të besueshme.”

Institucionet e bëjnë veshin shurdh

Ne iu drejtuam për intervistë zyrës së shtypit në Bashkinë Tiranë, në lidhje me këtë temë. Nuk morëm asnjëherë përgjigje. Refuzim morëm edhe nga Instituti i Shëndetit Publik. Ky institucion, që ka përgjegjësinë e monitorimit të shëndetit të popullatës, pranoi zyrtarisht se “gjatë kësaj periudhe nuk janë zhvilluar studime të detajuara”, pa përcaktuar kohëzgjatjen e periudhës.

Një tjetër problematikë e krijuar me matjen e cilësisë së ajrit në Shqipëri, gjatë viteve të fundit ka qenë edhe mangësia në monitorim dhe informacion. Agjencia Europiane e Mjedisit, agjenci e Bashkimit Europian që ofron informacion të pavarur mbi mjedisin, thotë se: “Fatkeqësisht Shqipëria nuk ka raportuar të dhëna mbi cilësinë e ajrit që nga viti 2019, kur na janë raportuar matje vetëm nga një stacion monitorimi i PM2.5. Për ndotësit e tjerë të ajrit ne nuk disponojmë të dhëna, të paktën që nga viti 2017”. Agjencia Kombëtare e Mjedisit pranon që matjet kanë qenë të pjesshme, por vetëm për vitet 2019-2022.

Viktimat e ajrit të ndotur

Sipas Agjencisë Europiane të Mjedisit, “Shqipëria ka shkallën më të lartë të vdekjeve në rajon, për 100 mijë banorë, si pasojë e ekspozimit ndaj ozonit”, që krijohet nga kombinimi i gazrave të dëmshëm që emetojnë automjetet nga mosdjegia e plotë e karburantit apo cilësia e dobët e tij, në ditët me temperatura shumë të larta. Sipas të dhënave të të njëjtit institucion, në periudhën 2017-2021 në Shqipëri kanë humbur jetën 5.410 vetë, si pasojë e ekspozimit afatgjatë ndaj PM2.5 e dioksidit të azotit dhe ekspozimit afatshkurtër ndaj ozonit.

Mjeku pneumolog Ardian Jorgji, thekson se ajri, toka dhe uji i ndotur shkaktojnë shumë çrregullime, duke nisur nga sëmundjet e lëkurës, çrregullimet nervore, sëmundjet e aparatit respirator që nga fenomenet alergjike, astma, bronkitet, sëmundjet kronike të mushkërisë, deri dhe kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet hepatike, ato renale, diabetike, endokrinologjike dhe të rrugëve urinare.

Kur bën krahasimin e rasteve ndër vite, mjeku Jorgji vëren shtim të tyre në punën e tij të përditshme. “Tendenca është në rritje. Jo vetëm numri, por po shikoj gjithnjë e më tepër mosha të reja të ndikuara nga këto ndryshime. Po jap një faktor të thjeshtë. Të tërë jemi dëshmitarë, të paktën vizualë, të shtimit të sasisë së polenit në qytet. Nga ana shkencore, është provuar që ka një paralelizëm për sa i përket shtimit të dioksidit të karbonit dhe shtimit të polenit në ajër. Fenomenet alergjike janë shtuara në masë. Fëmijët me probleme që në moshën fëminore mund të justifikohen deri diku nga ana shkencore nëpërmjet trashëgimisë por nuk mjafton. Është përpara nesh fakti që ndotja jo vetëm është e pranishme por edhe e shtuar ndër vite”.

Ndotje e shtuar ndër vite

Fatkeqësisht larminë e sëmundjeve, 68-vjeçarja Bedrie Gërduqi, banore pranë ish-Uzinës së Metalurgjikut në Elbasan, e gjen tek vetja. “Gjithë alergji janë fëmijët dhe ne. Gjithë teshtima, na kapin gripërat shumë shpesh. Moshën e vjetër po e prek çdo sëmundje në kockë, në zemër, në mushkëri.

Nuk mbushen njerëzit dot me frymë. Janë bllokuar. Edhe unë sëmurë jam. Me mushkëri, me diabet, me tension, me zemër, me të gjitha. Nuk ka njeri të saktë këtu, në këtë lagjje që jetojmë ne. Mirë ne, po fëmijët… Sa lind fëmija bllokohet, do ta çosh një herë në dy javë në spital” – shprehet ajo e shqetësuar.

Zgjidhje apo rrugë pa kthim?

“Duhet parë për zgjidhje. Një nga zgjidhjet është reduktimi i përdorimit të makinave. Por në gjykimin tim nuk besoj se zgjidhja nuk është ajo që propagandohet, pra që të përdorim më shumë biçikleta. Patjetër që është mirë për mjedisin dhe për këdo por biçikleta nuk duhet të jetë një përdorim alternativ i përdorimit të makinës. Duhet të jetë një mjet alternativ i përdorimit të transportit publik, pra duhet gjetur zgjidhja tek transporti publik i cili duhet të jetë efektiv, efiçent dhe sa më pak ndotës se dhe ata janë ndotës të mëdhenj. Kur flasim për makina apo motorë të vjetëruar, ata janë të parët që duhen parë” – thotë Olsi Nika nga “Eco Albania”.

Drejtuesi i IQAir, Hammes, e sheh pikën e kthesës për përmirësimin e situatës, tek qeveritë. “Zakonisht mesazhi ynë për qeveritë është: Ndotja e ajrit është një përpjekje e përbashkët dhe pakësimi i ndotjes së ajrit dhe të pasurit e një ajri më të pastër është vërtet një nevojë e shëndetit publik. Shpeshherë qeveritë mendojnë se identifikimi i ndotjes së ajrit mund të jetë një problem. Por mendoj se është më mirë të identifikojmë dhe punojmë së bashku me këdo që ta zgjidhim situatën”.

Për fizikantin Civici, bashkëpunimi mes institucioneve dhe investimet janë çelësi për përmirësimin e situatës. “E para, duhet një bashkëpunim më i mirë mes institucioneve, sepse Agjencia e Mjedisit nuk është në gjendje që të mbulojë të gjithë problematikën e ndotjes së ajrit, qoftë në Tiranë por qoftë dhe në të gjithë Shqipërinë. Dhe nga ana tjetër duhet një financim serioz në mënyrë që të gjitha ato stacione që do të ngrihen, dhe ato stacione që janë dhe ndoshta nuk punojnë tani, të vihen në punë dhe të kryejnë detyrën për të cilën janë blerë, pra të masin parametrat e ndotjes dhe në të njëjtën kohë të detyrojnë vendimmarrësit që të kërkojnë zbatimin e limiteve që kanë vendosur vetë”.

Ky hulumtim u realizua nga gazetaret Elona Elezi dhe Esmeralda Cenollari -Topi, me mbështetjen e Journalismfund Europe.

dw

Veliaj pret kryebashkiakun e Stambollit: Vizioni ynë, të marrim shembull nga njëri-tjetri dhe të ruajmë fqinjësinë e mirë

Erion EkremNë ditën kur Tirana mori zyrtarisht Presidencën e Rrjetit më të madh të qyteteve të Ballkanit, B-40, kryebashkiaku Erion Veliaj priti në takim homologun e tij të Stambollit, Ekrem İmamoğlu, të cilit i dhuroi “Çelësin e Tiranës”.

Veliaj tha se Tirana duhet të marrë shembull nga Stambolli sa i takon turizmit.

“Stambolli është qyteti më i madh, pas Tiranës, me 1 milionë shqiptarë. Ne frymëzohemi nga Stambolli, që është bërë sot edhe një shembull i bashkëjetesës. Ne jemi vërtet të lumtur që jeni këtu sot, ju falenderojmë shumë për vizionin për të krijuar një rrjet qytetesh. Ne do të bëjmë maksimumin që kjo Presidencë, ashtu si edhe ju e parashikuat, të jetë një vit me shumë aktivitete, më shumë fuqizim dhe më shumë bashkëpunim”, u shpreh Veliaj.

Mandej, kryebashkiaku tha se fqinjësia e mirë ka shumë rëndësi dhe se si President i ri i B-40, do të bëjë maksimumin që të ruajë këtë vizion. “Ka shumë rëndësi kush janë fqinjët: Për ne është shumë e rëndësishme që Turqia është një fqinj i mirë, që Greqia, Italia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, pra krejt rajoni, po shkon drejt një fqinjësie të mirë, duke lënë pas kujtimet e së vjetrës dhe të përçarjes. Si President i ri i B40-ës do të bëj maksimumin që vizioni që themeluam në Stamboll, të vazhdojë në Ballkan. Unë besoj se diplomacia e qyteteve është po aq e rëndësishme sa ajo mes shteteve. Dua t’ju falenderoj për mikpritjen e shqiptarëve në Stamboll dhe faktin se jeni një shtëpi e madhe për ata që kanë krijuar familje aty”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu tha: “Jam shumë i lumtur. Ne jemi fqinj në Stamboll me shumë shqiptarë, ata janë vëllezërit e mi. Kam të njëjtën ndjesi edhe tani që ndodhem këtu.”

Për një vit, Tirana do të ketë dhe drejtimin e Presidencës së Rrjetit më të madh të qyteteve ballkanike, B-40.

Top Channel

Lajçak: Në pamje më të gjerë, procesi i dialogut Kosovë–Serbi ka shënuar përparim të paktë

LajcakI dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha të martën se me gjithë fillimin e zbatimit të marrëveshjeve për energjinë dhe targat e makinave, procesi i dialogut në pamje të gjerë ka shënuar përparim të paktë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

 

Ai i bëri këto komente në Prishtinë pas takimeve me udhëheqësit e Kosovës dhe me udhëheqësit e Serbisë një ditë më parë në Beograd, në kuadër të përpjekjeve për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë –Serbi.

“Duke ju falënderuar dialogut ne kemi arritur rezultate në fund të vitit të kaluar. Marrëveshja për energjinë dhe njohja e targave të makinave janë prova konkrete por ka pasur pak përparim në pamjen e gjerë të normalizimit të marrëdhënieve. Ne kemi marrëveshjen e shkurtit dhe marsit të vitit të kaluar që do të thotë se nuk ka më nevojë të shtrohet pyetja se çfarë duhet bërë, madje ne nuk kemi nevojë të pyesim vetën se si ta bëjmë por pyetja është se kur të zbatohet dhe nëse pyetem unë, do të thosha sa më shpejt që është e mundur”, tha ai.

Zoti Lajçak tha se në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara gjatë këtij viti vëmendja do të jetë e përqendruar në proceset zgjedhore, “prandaj unë udhëtova dje në Beograd dhe sot në Prishtinë për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të kuptuar ku jemi në këtë proces dhe për të diskutuar sa përparim do të mund të arrijmë para zgjedhjeve”, tha zoti Lajçak.

Ai tha se në takim me kryeministrin Kurti është diskutuar për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin serb. Ai tha se do t’i njoftojë vendet anëtare dhe udhëheqësit evropianë dhe do të përgatitë hapat e ardhshëm në procesin e dialogut.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha nëpërmjet një komunikate pas takimit me zotin Lajçak se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut dhe se marrëveshjet e arritura një vit më parë duhet të zbatohen në tërësi.

Presidentja Osmani, thuhet në njoftim ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të projekt statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilat sipas saj mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë. Ajo ka përsëritur qëndrimin se institucioni i vetëm që mund ta interpretojë përfundimisht përputhshmërinë e projekt statutit me Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Qeveria e Kosovës përmes një komunikate tha se në takimin e kryeministrit Albin Kurti me të dërguari evropianë për bisedime Miroslav Lajçak është diskutuar “për aspektet e ndërlidhura me zbatimin e plotë të Marrëveshjes bazike të brukselit dhe aneksit zbatues të Ohrit, siguria ligjore përmes nënshkrimit të tyre, por edhe për tema e çështje tjera si psh. respektimi i procedurave ligjore drejt zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të vendit”.

Vizita e zotit Lajçak në Prishtinë pasoi atë në Beograd, ku presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se i ka kërkuar ndërmjetësuesit mbështetjen e Bashkimit Evropian për të ndalur sic tha “provokimet e mëtejshme nga Prishtina”. Presidenti serb tha se ka nënvizuar nevojën e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe mbajtjes së zgjedhjeve në veri sa më parë që të jetë e mundur.

Muajin e ardhshëm mbushet një vit që kur Kosova dhe Serbia u pajtuan për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve por zbatimi i saj ende nuk ka filluar.

Në tetorin e vitit të kaluar zyrtarët më të lartë evropianë i kërkuan Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë përmbushjen e pjesëve të marrëveshjes që çon në njohjen ‘de facto’ të Kosovës.

Në dhjetor Serbia, përmes një dokumenti tha se nuk do të zbatojë asgjë që çon një njohjen e Kosovës. Bashkimi Evropian tha se marrëveshja e arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe 18 mars në Ohër, është ligjërisht e detyrueshme për palët.

Marrëveshja nuk arriti të ulë tensionet që kulmuan me 24 shtator të vitit të kaluar kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës bë fshatin Banjskë në veri të vendit duke vrarë një oficer dhe plagosur dy të tjerë.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, u bëri thirrje mbrëmë Kosovës dhe Serbisë të zbatojnë marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre si dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve për sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës.

Zoti O’Brien i cili i shprehu mbështetje të dërguarit evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak në përpjekjet për ripërtëritjen e procesit të bisedimeve ndërmjet palëve, theksoi se zgjedhjet e reja të veri duhet të mbahen dhe duhet bashkërendim për zbatimin e rregullores së re mbi monedhën, duke iu referuar debateve që ka nxitur një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

voa

Vuçiç: Pa ushtri të fortë nuk ka shtet

VucicSerbia po shqyrton rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, tha presidenti i saj të martën, duke përmendur tensionet në Ballkan dhe gjetkë në Evropë.

 

Presidenti Aleksandar Vuçiç tha se komandantët e lartë të ushtrisë i dhanë atij “argumente të forta” në favor të rivendosjes së shërbimit të detyrueshëm, i cili u pezullua në vitin 2011 në një përpjekje për profesionalizimin e forcave të armatosura.

Presidenti populist serb nuk saktësoi se kur mund të ndodhë kjo, por theksoi se parlamenti i cili dominohet nga aleatët e tij, do të votojë mbi propozimin, i cili pason një fushate të gjatë nga nacionalistët në favor të tij.

“Ne nuk po e kërcënojmë askënd”, tha presidenti Vuçiç teksa inspektoi një ekspozitë të pajisjeve ushtarake pas takimit me komandantët e ushtrisë. “Sot, nëse nuk keni një ushtri të fortë, nuk keni një shtet”, tha ai.

“Do të shohim nëse shërbimi ushtarak do të zgjasë 90 apo 100 ditë, apo ndoshta 110 ditë”, u tha presidenti Vuçiçq gazetarëve.

Politikanët e opozitës dhe kritikët e tjerë të shërbimit ushtarak kanë vënë në pikëpyetje logjikën e një veprimi të tillë kur Serbia është pothuajse tërësisht e rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s të cilat kanë fuqi superiore në rast konflikti. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se qeveria mund të përballet me vështirësi për të paguar faturën për një ushtri më të madhe.

 

 

Tensionet kanë qenë të larta në rajonin e Ballkanit, i cili përjetoi shpërbërjen e përgjakshme të ish-Jugosllavisë në vitet 1990. Edhe pse zyrtarisht neutrale, ushtria serbe ka mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë, nga e cila blen shumicën e armëve të saj, duke përfshirë avionë luftarakë dhe tanke.

Presidenti serb tha të martën se Beogradi do ta prezantojë muajin e ardhshëm një sistem rus të mbrojtjes nga dronët të quajtur Repellent, të cilin e ka blerë kohë më parë nga Rusia.

Edhe pse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Serbia ka refuzuar të vendosë sanksione kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Tensionet janë të lartë me Kosovën e cila e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia dhe aleatët e saj Rusia dhe Kina nuk e kanë njohur. Serbia ka ngritur disa herë gatishmërinë luftarake të forcave të saj në kufirin me Kosovën gjatë disa muajve të fundit.

Serbia ka mbajtur gjithashtu marrëdhënie të përzemërta me NATO-n, trupat paqeruajtëse të së cilës janë vendosur në Kosovë që nga viti 1999, kur aleanca ushtarake perëndimore ndërhyri për t’i dhënë fund shtypjes së përgjakshme të shqiptarëve nga forcat serbe.

Një rajon tjetër i paqëndrueshëm është Bosnja, ku udhëheqësi i Repubikës Serbe Milorad Dodik është kërcënuar se do të shpallë pavarësinë e entitetit të tij dhe ta bashkojë atë me Serbinë fqinje. Milorad Dodik e shoqëroi presidentin Vuçiç në takimin me komandantët e ushtrisë të martën.

voa

 

 

Shtëpia e Bardhë zotohet se do t’i kundërpërgjigjet sulmit për të cilin fajëson Iranin

BidenShtëpia e Bardhë thotë se nuk kërkon luftë me Iranin, ndërsa Presidenti Joe Biden u zotua për një kundërpërgjigje ndaj sulmit me dron që vrau tre ushtarakë amerikanë në Jordani, sulm për të cilin Uashingtoni fajëson grupimet paraushtarake të mbështetura nga Irani. Kongresi po ushtron trysni ndaj Shtëpisë së Bardhë që të kundërpërgjigjet. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, kjo mund të përshkallëzonte dhe zgjeronte konfliktin e shkaktuar nga sulmi i Hamasit ndaj qytetarëve izraelitë më 7 tetor.

 

Shtëpia e Bardhë gjendet nën trysni për t’u kundërpërgjigjur pasi një sulm me dron vrau tre ushtarakë amerikanë në Jordani, veprim për të cilin Uashingtoni fajëson milicitë e mbështetura nga Irani në Siri dhe Irak.

Zyrtarët amerikanë u shprehën se pas sulmit qëndron Irani, por nuk dhanë detaje për hapat që do të ndërmerren.

“Nuk do të ndërmarr sulme këtu nga podiumi dhe as nuk do t’i paraprij vendimmarrjes së presidentit. Siç e thashë dje, ne do të kundërpërgjigjemi. Do ta bëjmë në kohën e duhur dhe në mënyrën që do të zgjedhë presidenti, si komandant i përgjithshëm. Dhe do ta bëjmë këtë plotësisht të ndërgjegjshëm për faktin se këto grupe, të mbështetura nga Teherani, kanë marrë jetët e ushtarakëve amerikanë”, tha John Kirby, i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Por zoti Kirby saktësoi se një gjë është e qartë.

“Nuk kërkojmë luftë me Iranin. Nuk kërkojmë konflikt ushtarak me regjimin”, tha ai.

Të hënën, zyrtarët iranianë mohuan përgjegjësinë.

“Nuk kërkojmë tensione as me Amerikën, brenda apo jashtë rajonit. Republika Islamike e Iranit beson seriozisht tek zgjidhjet politike për mosmarrëveshjet ndërkombëtare apo rajonale”, tha Nasser Kanaani, zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Iranit.

Kreu i NATO-s shprehu ngushëllimet të hënën në Uashington dhe akuzoi Iranin.

“Shohim se Irani vazhdon të destabilizojë rajonin. Irani ka gjithashtu përgjegjësinë për mbështetjen e terroristëve që sulmojnë anijet në Detin e Kuq. Sjellja e Teheranit na kujton se si do të ishte një botë pa rregulla: e paparashikueshme dhe e rrezikshme, një botë ku siguria jonë bëhet më e kushtueshme”, tha Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Është gjithashtu e qartë se sulmi erdhi si pasojë e operacionit të Izraelit në Gazë, pasi grupi militant Hamas bëri një sulm tronditës ndaj civilëve më 7 tetor. Analistët thonë se tashmë është bërë e qartë që strategjia amerikane nuk ka patur sukses.

“Është e qartë se strategjia amerikane e tre muajve të fundit, për të mos lejuar përshkallëzimin e tensioneve rajonale, ka dështuar”, thotë Bernard Hudson, ish punonjës i CIA-s.

Dhe në kryeqytetin e Jordanisë, larg bazës ku u bë sulmi me dron, banorët dhe analistët thonë se e ndjejnë që kjo përfaqëson një fazë të re të konfliktit.

“Ky sulm përfaqëson një dimension të ri të konfliktit. Sulmi ndaj forcave amerikane brenda Jordanisë, apo në kufirin jordanez, do të thotë se sulmet po shtrihen nga Siria dhe Iraku, tashmë në Jordani”, thotë analisti politik, Amer Sabaileh.

Cilat do të jenë hapat në vazhdim? Vendimi është tashmë në dorën e presidentit Biden.

“Humbëm tre njerëz kurajozë në sulmin ndaj bazës sonë. Kërkoj një moment heshtjeje për tre ushtarët tanë të rënë… Dhe ne do të përgjigjemi. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”, tha presidenti Biden.

voa

Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut, i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president, i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve.

LENVAShumica e qytetarëve pyesin: Pse Kryeministri Kurti mbështet pa asnjë kriter “opozitën” në Maqedoni?

Kryeministri Kurti priti në takim krerë politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut

Sot në zyrën e tij, bashkë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Kryeministri i Repulikës së Kosovës, Albin Kurti, priti krerë politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut: Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh) dhe i Komunës së Gostivarit, si dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes BESA e i Komunës së Tetovës, Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe deputet, dhe Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës, po ashtu deputet.

Në takim mori pjesë edhe këshilltari i kryeministrit, Bekim Qoku. Së bashku diskutuan për situatën në rajonin e Ballkanit, për fqinjësinë e mirë dhe perspektivën e partneritetit të rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Kurti i njoftoi kryetarët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut për takimet e bisedat që ka pasur me krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe ata e njoftuan për zhvillimet politike atje.

Temë e diskutimit ishte edhe situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoni, nevoja për demokraci e stabilitet, si dhe përmirësim e mbarëvajtje të raporteve mes komuniteteve etnike në atë vend, gjë të për të cilën Kosova vetë është shembull, por edhe e promovon dhe e mbështet.

Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut, i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president, i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve.

Ndërsa një ditë më parë këshilltari i kryeministrit, Bekim Qoku e krahasoi me të drejtë  vlerën e kryeministrin teknik me presidentin Sinan Hasani në ish-RSF të Jugosllavisë , ndërsa tani vetë propozojnë president shqiptarë???

Huazuar nga faqja publike ne Facebook të Bekim Qokut me date 29.01.2024 :

Pse krahasohet kryeministri teknik i BDI-së me Sinan Hasanin?

… “(Sinan) Hasani ishte fasada në Jugosllavi që mbulonte torturat, diskriminimin, pabarazinë reale që i ndodhte një populli të tërë.

Kështu është shumë më kollaj të thuhet: “po ju ç’doni më, e keni presidentin Hasani (kryeministrin teknik), mbylleni gojën. Spitalet, shkollat, gjuha shqipe, teatrot s’ kanë ç’u duhen, gjithë këto do i gjeni në Gjermani”.”

Sa më shumë që ndjek zhvillimet dhe deklaratat për/nga partitë politike shqiptare nën Maqedoni, aq më shumë gjen përdorim thënia e Ricky Gervais!

Rickz Gervais

 

Sa kanë shpenzuar komunat në udhëtime dhe shpenzime ditore gjatë vitit 2022?

idea harxhimetP.S. shpenzimet e paraqitura në grafikon paraqesin shpenzimet totale vjetore për kategorinë “Udhëtime dhe shpenzime ditore”.

 

Sa kanë shpenzuar komunat në udhëtime dhe shpenzime ditore gjatë vitit 2022?

Nga hulumtimi i fundit i institutit për Demokraci dhe Analiza Ekonomike (IDEA) mësojmë se në mesin e të gjitha komunave që janë hulumtuar, Komuna e Tetovës është komuna që ka shpenzuar më së shumti para të qytetarëve për udhëtime dhe shpenzime ditore!

shpenzime 2016-2022Nga ana tjeter, të punësuarit e Komuna e Tetovës ende nuk kanë pranuar rrogat për muajin dhjetor 2023.

 

 

“kemi ministra zëvendësministra, por shtet nuk kemi!”

tallja“E si të jemi ne këtu”, u përgjigj gjithë mllef në bisedë e sipër byrekxhiu ku zakonisht blej byrekun kur jam në Tetovë… “kemi ministra zëvendësministra, por shtet nuk kemi!”

Ishte përshkrimi më i saktë politik që kisha dëgjuar për gjendjen e shqiptarëve në ish IRJM, krahasuar me shumë, politikanë, gazetarë, opinionistë e intelektualë.

Madje tani, përveç ministrave, zëvendësministrave, zëvendëskryeministrave, shqiptarët në ish IRJM kanë edhe një “kryeministër” për një përdorim… por vazhdojnë të mos kenë shtet!

IluzioniSepse as koalicioni i pashpallur i BDI-ASH-PDSH me LSDM e as ai i Izet Mexhitit-LB-Alternativa-LVV me VMRO, nuk u ofrojnë shqiptarëve në ish IRJM shtet dhe pushtet në një njësi të tyre shtetërore, për të gëzuar të drejtat e tyre kolektive, por vetëm “vende pune” në qeveritë e LSDM ose VMRO.

Dhe kur dëgjon këtë tallje me shqiptarët e ish IRJM, për “momentin historik”, “kryeministrin e parë shqiptar”… të bëhet e qartë se si janë lënë në mëshirën e fatit shqiptarët në Mal të Zi, Sanxhak, Luginën e Preshevës…

Afrim Fanda

Talat Xhaferi zgjidhet kryeministër i Qeverisë Teknike! Çka fitojnë shqiptarët?

talatDeputetët e Parlamentit të Maqedonisë së Veriut me 65 vota “pro” dhe tre “kundër” votuan Qeverinë teknike të kryesuar nga Talat Xhaferi. Deputetët e VMRO-DPMNE-së abstenuan në votimin për qeverinë teknike.

 

Talat Xhaferi është zgjedhur kryeministër i Qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që do të mbajë këtë post në këtë shtet. Xhaferi prezantoi programin e punës së Qeverisë, e cila do të ketë mandat prej 100 ditësh, për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.

“Prioritet i parë do të jetë organizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në mënyrë të rregullt dhe demokratike. Unë këtë detyrë dhe besimin e dhënë do ta kryej me përgjegjësi, ashtu siç kam vepruar edhe me sfidat tjera që ishin para meje. Për asnjë moment nuk do të lëshoj pe nga ajo që nënkupton Qeveri efikase, funksionale dhe përgjegjëse”, ka deklaruar Xhaferi. Sipas tij Qeveria teknike do të mbetet e fokusuar në agjendën evropiane dhe zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe uljen e inflacionit.

“Qeveria do të mbetet e përkushtuar në planin për rritje ekonomike që është pjesë e planit për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Lufta kundër ekonomisë joformale nuk do të ndalet. Do të jemi transparent në punën tonë dhe me financat publike”, është shprehur Xhaferi.

 

VMRO-DPMNE: Vendi po udhëhiqet nga dezertorët

Partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE i cilësoi si “dezertorë” Xhaferin dhe ish-kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Deputeti i VMRO-së Antonio Milloshoski ka thënë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut “nuk duhet të kenë asnjë pritje nga Talat Xhaferi, ashtu siç nuk patën as nga Dimitar Kovaçevski”.

“Një dezertor iku, një tjetër dezertor po vjen. As ai që u ngrit nga kolltuku dhe as ky që do të ulet në të nuk kanë ndjenja të sinqerta ndaj Maqedonisë, prandaj si edhe Kovaçevski që ishte kryeministri më i keq deri tani, mos prisni që Talat XHaferi të jetë më i mirë dhe të punojë për shtet të suksesshëm dhe të përparuar”, ka deklaruar Milloshoski.

 

Ahmeti: Mos kini frikë nga barazia e popujve

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka thënë se maqedonasit nuk duhet të kenë frikë nga “barazia e popujve” që garantohet me Marrëveshjen e Ohrit. Maqedonia e Veriut  tani është shtëpi e përbashkët e të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në të.

“Varet nga të gjithë ne nëse këtë shtet do ta çojmë përpara apo do ta kthejmë pas. Unë punoj për interesat e këtij shteti”, ka thënë Ahmeti.

 

Opozita kundër Xhaferrit për kryeministër

Kundër zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryeministër është shprehur edhe opozita shqiptare e bashkuar në Lidhjen Evropiane për Ndryshim.

“Talat Xhaferi është zgjedhja më e keqe që ka mundur të ofrojë BDI-ja. Pas 20 vjetësh në Qeveri, BDI-së në pozita të larta i kanë mbetur njerëzit më të korruptuar dhe njerëzit që më së shumti i kanë bërë dëm çështjes shqiptare”, ka deklaruar Bilall Kasami, përfaqësues i Lidhjes Evropiane për Ndryshim.

Për deputetin  e Lëvizjes “Populli”, Skënder Rexhepi nuk ka qenë e lehtë të thyhet tabuja etnike në vend.

“Ky nuk është një sukses i veçantë i një partie politike, por është i gjithë deputetëve shqiptarë në Maqedoni”, tha Rexhepi.

Deputeti i Social Demokratëve, Darko Kaevski ka thënë se partia e tij duke e vendosur interesin e shtetit në rradhë të parë, e mbështet qeverinë teknike.

“Nuk do të lejojmë VMRO-DPMNE të hedhi njollë mbi procesin zgjedhor dhe fitoren e dyfishtë të frontit proevropian në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare”, është shpreh Kaevski.

Deputeti i Lidhjes Demokratike Pavle Trajanov, ka akuzuar partinë shqiptare BDI për nacionalizëm me zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër të vendit.

“Qeveria teknike nuk do të ketë mbështetjen time, pasi një qeveri e tillë nuk është e rëndësishme më për vendin. BDI-së dua t’i them se triumfalizmi për zgjedhjen Xhaferit kryeministër është nacionalizëm klasik”, vlerësoi Trajanov shkuan dw.