Kasami: Kemi biseduar me Taravarin që të jetë kandidat për president

KasamiKryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, në ‘RTK Prime’ ka ka deklaruar se është biseduar që kryetari i Aaleancës Shqiptare të jetë kandidati për president në këto zgjedhje.

 

“Po është biseduar që Taravari të jetë kandidat për president dhe shihet si kandidat i përshtatshëm për të qenë edhe kandidat shqiptar në këto zgjedhje”, ka deklaruar Kasami.

Sipas tij, BDI-ja nga frika i është kthyer retorikës nacionaliste.

“BDI-ja po i kthehet retorikës së luftës, retorikës kombëtarë. Kjo retorikë nuk ishte fushatën e kaluar kur BDI kishte një komoditet, merrej me fushata të gjelbërta, tash që e ka kapur paniku i është kthyer retorikës së luftës. Besoj se çështjet e nacionalizmit do kthehen fuqishëm vetëm në një qeverisje VMRO-BDI”, theksoi Kasami.

 

Kasami: Xhaferi shembulli më i keq i një kryetari të Kuvendit të Maqedonisë

Kreu Lëvizjes Besa Bilall Kasami në “RTK Prime” të RTK-së ka folur  për zhvillimet politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Duke e komentuar mos votimin e Talat Xhaferit për kryeministër të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kasami ka thënë se për këto 20 vite në pushtet BDI-ja ka treguar një gatishmëri të lartë për të djegur momentumet dhe situatat e favorshme për shqiptarët të cilat u krijuan pas luftës së 2001.

“Duke u nisur pas përfundimit të luftës komunikatat e UÇK-së ishin për ndarje të territorit apo për një pavarësi të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, nga ai momentum kemi degjeneruar në luftë për pushtet dhe betejë për të mbijetuar në pushtet”, ka deklaruar Kasami në RTK ‘Prime’.

Edhe pse simbolik, sipas Kasamit, një kryeministër teknik më keq se me Talat Xhaferin nuk mund ta digjte BDI-ja pozitën e parë për një kryeministër shqiptar.

Sipas tij, Talat Xhaferi është shembulli më i keq i një kryetari të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

“Më keq se me Talat Xhaferin nuk mund ta digjte BDI-ja pozitën e parë, siç po e proklamojnë që po e merr një shqiptar në krye të qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Talat Xhaferi është figurë e përveçshme, i cili duhet të organizoj zgjedhje e radhës të cilat janë shumë të rëndësishme për faktorin shqiptar, por edhe për rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut. Pra një eksponent i cili është shembulli më i keq i një kryetari të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Kasami.

 

Kasami: Vetëvendosje pjesë e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut

Kasami ka thënë se Albin Kurti nuk është hera e parë që përkrah faktorin politik shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, është në vazhdën e atij kontributi si kryetar i Vetëvendosjes dhe tash si kryeministër i Kosovës.

Kreu i Besës ka thënë se Kurti së bashku me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në disa cikle zgjedhore kanë qenë edhe pjesë e kampanjave zgjedhore.

“Tash do të kemi një risi, ku përfaqësues apo eksponent të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë, por edhe që janë qytetarë të Maqedonisë së Veriut, do të jenë pjese ë listave zgjedhore për deputet në listat e opozitës së Bashkuar”, ka thënë Kasami.

Ndërsa vetëm 2 ditë më parë, Këshilltari i kryeministrit, Bekim Qoku, e krahasoi me të drejtë  vlerën e kryeministrin Talat Xhaferi me presidentin Sinan Hasani në ish-RSF të Jugosllavisë  – huazuar nga faqja publike ne Facebook të Bekim Qokut me date 29.01.2024 :

Pse krahasohet kryeministri teknik i BDI-së me Sinan Hasanin?

… “(Sinan) Hasani ishte fasada në Jugosllavi që mbulonte torturat, diskriminimin, pabarazinë reale që i ndodhte një populli të tërë.

Kështu është shumë më kollaj të thuhet: “po ju ç’doni më, e keni presidentin Hasani (kryeministrin teknik), mbylleni gojën. Spitalet, shkollat, gjuha shqipe, teatrot s’ kanë ç’u duhen, gjithë këto do i gjeni në Gjermani”.”

“Çfarë pritet të ndodhë në historinë e re të Shqipërisë?”, Ngjela: Beogradi, Athina e Moska të trembur, po krijojnë tension në Ballkan

NgjelaNa duhet të theksojmë se Shqipëria etnike sot është një domosdoshmëri historike, sepse kjo krijon një risi zhvillimi në Gadishullin Ilirik dhe bëhet një interes i madh për politikën aktuale perëndimore…

 

Cila është vija e vërtetë e historisë së shqiptarëve dhe ajo e Shqipërisë.

Le të bëjmë ca pyetje:

Pse Rusia ka një inat patologjik për krijimin e shtetit të dytë shqiptar në Gadishullin Ilirik?

Pse Greqia nuk e pranon krimet që ajo ka bërë kundër çamëve?

Pse Serbia nuk e pranon që Kosova është shqiptare dhe nuk ka fare lidhje historike me të?

 

I.

Gjithmonë ne shqiptarët duhet të kujtohemi se bashkmi real i botës shqiptare në Gadishullin Ilitik, shpërbën tre shtetet sllave në këtë Gadishull: Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë.

Këtu po luan gjithçka; dhe e dini pse?

Por, për përgjigjen e kësaj pyetjeje ne gjithashtu duhet të kujtohemi se të tre këta shtete sllave janë krijuar nga tokat shqiptare, sepse agresioni sllav kundër shqiptarëve ka vijuar në mbi 200 vjet.

E gjithë Evropa e ka ditur këtë, por ka heshtur, ndërsa shqiptarët janë mbrojtur vetë. Heroizmi shqiptar pikërisht në këtë periudhe ka arritur kulmin.

Gjergj Fishta e shkroi kryeveprën e tij Lahuta e Malcisë pikërisht për këtë kohë heroike.

Dhe vitet ecën, dhe Shqipëria më në fund mezi mori 28 000 Km2 për të formuar shtetin e vet në vitin 1912.

Por, Çamëria dhe Kosova mbetën jashtë territorit të Shqipërisë.

 

Il.

Çfarë pritet të ndodhë në historinë e re të Shqipërisë?

Është pikërisht kjo që ka trembur edhe Beogradin, edhe Athinën, por edhe Moskën. Dhe është pikërisht kjo frikë trefishe që po krijon tensionin aktual të sllavëve me kërcënime, por është një përpjekje kërcënuese e kotë.

Askush nuk e përfill.

Rusia është në krizë në luftën e saj kundër Ukrainës.

Serbia është në krizë, në vakumin që i ka krijuar pavarësia e Kosovës.

Maqedonia ndihet e trembur, dhe pranoi që të drejtohet nga një kryeministër shqiptar.

Mali i Zi po tregohet asnjanës dhe po duket sikur po i lë udhë të lirë historisë proshqiptare që është në lëvizjen e saj të krijimit të Shqipërisë etnike; dhe pranoi të drejtohej nga një kryeministër shqiptar i quajtur Dritan Abazi. Një herë për një herë, mbiemri i kryeministrit të Malit të Zi është Abazoviç, por shpejt duhet të kthehet në rrënjën shqiptare Abazi pa prapashtesën “viç”; sepse kjo prapashtesë nuk është e mbiemrave me rrënjë shqiptare.

 

III.

Duhet ta theksojmë se historia progresive e një populli të shtypur, të plaçkitur, të shpërngulur me dhunë nga trojet e veta etnike, kur ky popull fillon rimarrjen e historisë së grabitur dhe historisë si pushtim territorial, kjo rimarrje vjen dhe bëhet një domosdoshmëri historike.

Ja, kjo është domosdoshmëria historike e rimarrjes së historisë së grabitur me dhunë të Shqipërisë, dhe kjo kohë është edhe rimarrja e territoreve të pushtuara, gjithë po në funksion të bashkimit shqiptar brenda territorit të gjerë të shqiptarisë, e cila në historinë që po vjen do të quhet – Shqipëria Etnike.

E pra, na duhet të theksojmë se Shqipëria etnike sot është një domosdoshmëri historike, sepse kjo krijon një risi zhvillimi në Gadishullin Ilirik dhe bëhet një interes i madh për politikën aktuale perëndimore dhe vetë politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në konfliktin e saj me Rusinë.

Ja pra, kjo situatë politike do t’i hapë rrugë krijimit të Shqipërisë etnike në Gadishullin Ilirik, sepse tani është e qartë për këdo që, me krijimin e shtetit të dytë shqiptar – Kosovën, historia e Shqipërisë ka hyrë në rrugën e bashkimit etnik. Çdo proces i këtij lloji në histori, ka filluar me çlirimin e territorit më të madh të pushtuar. A nuk ishte Kosova një territor shqiptar i tillë?

Po Çamëria?

E pra…

Prisni, dhe ndihmoni në këtë proces i cili ne shqiptarëve po na risjell në kohën tonë historinë e humbur padrejtësisht nga pushtimi i gjatë greko – sllav i Çamërisë dhe Kosovës.

Por, Kosova erdhi… dhe ky është një fillim i ri historik…

Top Channel

Putini vizitë në Turqi më 12 shkurt

Erdogan PutinPresidenti rus Vladimir Putin do të vizitojë Turqinë më 12 shkurt për t’u takuar me homologun e tij Recep Tayyip Erdogan i tha një zyrtar turk agjencisë së lajmeve ‘Reuters’ të mërkurën. Nëse ndodh, ky do të jetë udhëtimi i parë i udhëheqësit rus në një vend aleat të NATO-s, që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

 

Mundësitë e zotit Putin për të udhëtuar jashtë vendit ka qenë të kufizuara që nga marsi i vitit të kaluar, kur Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshoi një urdhër-arresti për krime lufte kundër tij, nën dyshimet për rrëmbimin dhe dërgimin me forcë të fëmijëve ukrainas në Rusi. Moska e ka hedhur poshtë akuzën si një veprim skandaloz e duke e cilësuar atë ligjërisht të pavlefshme, nisur nga fakti që Rusia nuk është anëtare e gjykatës.

Turqia gjithashtu nuk është anëtare e atij që njihet si Statuti i Romës mbi bazën e cilit funksion kjo gjykatë, ndaj dhe zoti Putin mund të udhëtojë në Turqi pa frikën se mund të arrestohet.

Turqia, e cila ndan një kufi detar me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi, është përpjekur të mbajë lidhje të mira me të dyja vendet që nga sulmi në shkallë të gjerë i Moskës. Ajo ka ofruar mbështetje ushtarake për Kievin si dhe ka shprehur mbështetje për integritetin e saj territorial, por gjithashtu kundërshton sanksionet ndaj Rusisë.

Ankaraja ka kërkuar të bindë Rusinë që t’i kthehet marrëveshjes së eksportit të drithërave përmes Detit të Zi, një pakt i ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia, që garantonte siguri për eksportet ukrainase. Moska u tërhoq nga marrëveshja korrikun e kaluar, pas një viti zbatimi të saj.

Zoti Erdogan ka thënë se zgjidhjet alternative nuk ofrojnë një zgjidhje të qëndrueshme për situatën. Kievi ka bërë të ditur se po zhvillohen bisedime për një ringjallje të mundshme të marrëveshjes, por Moska thotë se nuk është e interesuar të bëhet pjesë e saj.

Më herët të mërkurën, Turqia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje për të lejuar firmat turke të ndërtimit të marrin pjesë në rindërtimin e infrastrukturës ukrainase të dëmtuar nga lufta me Rusinë.

Turqia, një vend anëtar i NATO-s, ka lidhje të ngushta ekonomike me Rusinë, veçanërisht në turizëm, furnizimin me gaz, drithëra dhe produkte të tjera bujqësore, gjë që e ka vënë në një situatë të vështirë Perëndimin. Megjithatë, të dy vendet (Rusia dhe Turqia) kanë mosmarrëveshje lidhur me konfliktet në Siri dhe Libi, duke mbështetur palë kundërshtare, si dhe mbi tensionet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, në Kaukazin e Jugut.

Ndërkohë më 14 shkurt, Presidenti Erdogan do të udhëtojë për në Egjipt bëri të ditur i njëjti zyrtar turk, ndërsa të dy vendet kanë përmirësuar marrëdhëniet diplomatike duke emëruar vitin e kaluar ambasadorë, pas një dekade tensionesh.

voa

 

Anëtarët e Kongresit: SHBA duhet të mbështesë Ballkanin Perëndimor, përballë ndikimit të Rusisë, Kinës

kongresi amerikanAnëtarë të Kongresit dhe zyrtarë të lartë amerikanë, si edhe anëtarë parlamentesh të vendeve evropiane dhe Ballkanit Perëndimor, shprehën të mërkurën shqetësimin për ndikimin keqdashës të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor. Ata folën për këtë temë në një forum në Kongresin amerikan.

 

 

Pjesëmarrësit thanë se Rusia dhe Kina po përpiqen të rrisin ndikimin e tyre përmes ndërhyrjeve politike dhe dezinformimit në rastin e Moskës, si edhe kryesisht përmes investimeve ekonomike dhe infrastrukturore në rastin e Pekinit.

Ata theksuan nevojën e forcimit të koordinimit mes SHBA-së dhe aleatëve të tyre me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ata gjithashtu folën për nevojën e integrimit të rajonit.

Anëtari republikan i Kongresit, Pete Sessions një nga bashkëdrejtuesit dhe organizatorët e diskutimit i tha Zërit të Amerikës se Rusia ka vite që përpiqet për destabilizimin e Ballkanit, dhe se është e qartë se ajo përdor dezinformatat dhe forcë kur do që të realizojë synimet e saj.

“Destabilizimi i Ballkanit (nga Moska) është diçka që secili prej vendeve atje e sheh dhe ata e shohin që jo vetëm po ndodh, por se ka përpjekje e qëllimshme për të minuar këto vende”, tha ai.

Zoti Sessions thotë se Shtetet e Bashkuara dhe organizma perëndimore duhet t’i mbështesin stabilitetin e rajonit.

“BE-ja, NATO dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të bashkuara dhe të thonë me forcë se ‘ne i mbështesim këto vende dhe do të qëndrojmë së bashku me to’. Kjo është ajo që u duhet këtyre vendeve: Që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të qëndrojnë me forcë në krah të tyre”, tha ai.

Kolegu i tij, anëtari republikan i Kongresit Robert B. Aderholt shprehu shqetësimin se fushata e Rusisë dhe Kinës për ndikim po rritet dhe për këtë arsye…

“… vendet e Ballkanit sot më shumë se kurrë janë jetike për partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe duhet të ketë një qëndrim të unifikuar kundër ndikimeve negative”, tha ai.

Ish-Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu i cili organizoi takimin së bashku me anëtarët e Kongresit Sessions dhe Aderholt, tha se është e dukshme që siguria është çështja kryesore në botë sot.

“Duket qartësisht se ka një lëvizje të Rusisë por edhe të Kinës, ndoshta dhe Iranit për të krijuar probleme në rajonin e Ballkanit, për të pasur një pikë tjetër konflikti dhe për të zhvendosur vëmendjen nga Ukraina”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Zoti Mediu shton se vetë vendet e Ballkanit që janë pjesëtare të NATO-s, duhet të ndërmarrin masa për të krijuar mekanizma parandaluese politike dhe ushtarake në rajonin e Ballkanit.

“… Duhet të diskutojmë së bashku se cilat janë këto shqetësime dhe cilat janë zgjidhjet për Ballkanin Perëndimor. Po ta shikojmë se si veprojnë këto forca siç janë Rusia dhe Kina, e para është se ata përpiqen që të ndezin konflikte të reja, e dyta krijojnë një lloj status-quoje përsa i takon situatës, problemeve të pazgjidhura, të pengojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe të zgjerojnë influencën e tyre gjeoekonomike dhe gjeopolitike”.

Naz Durakoglu, ndihmës Sekretare e Shtetit për çështjet legjislative theksoi se Shtetet e Bashkuara janë tepër të shqetësuara për ndikimin e Kinës dhe Rusisë në rajon, e para përmes infrastrukturës dhe e dyta përmes gazit dhe dezinformimit, dhe fokusi i tyre është kundër NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara.

“Ne përdorim ndihmën e huaj për të ndihmuar në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe me njëri-tjetrin”, tha ajo.

Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e reformave, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të demokracisë.

Analisti i çështjeve të Ballkanit Edward Joseph, tha për Zërin e Amerikës se u kujtoi anëtarëve të Kongresit dhe zyrtarëve amerikanë se sa i rëndësishëm është Ballkani…

“Ky rajon është është pjesë e strategjisë së Putinit. Ai dëshiron të ndajë Evropën nga Shtetet e Bashkuara dhe dëshiron të ndajë Evropën brenda vetes dhe Ballkani është një rrugë kryesore për ta bërë një gjë të tillë”, tha ai.

Zoti Joseph theksoi se për Moskën, ndikimi në rajonin e Ballkanit bëhet me një kosto të ulët por pasoja të mëdha dhe tha se Rusia ka ndihmën e Serbisë në përpjekjet e saj. Por ai tha se kartat janë në duart e Perëndimit për drejtimin e rajonit.

“Ne i mbajmë kartat, Perëndimi, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, këto të NATO-s. Është ndryshe nga Ukraina. Rusia është shumë larg për të sjellë forca tokësore. Anëtarët e NATO-s rrethojnë Ballkanin. Të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë, duan t’i bashkohen NATO-s”, tha ai.

Në një kujtesë për situatën gjeopolitike ku është bota sot dhe të sfidave me të cilat përballet, përfaqësuesi i Ukrainës në këtë forum, deputeti Alex Goncharenko bëri thirrje për vazhdimin e ndihmës ndaj vendit të tij, në një kohë debatesh në Kapitol, ku procesi për miratimin e ndihmës së mëtejshme për luftën kundër Rusisë, ka ngecur.

voa

ICG: Nevojat e komunitetit serb në Kosovë të përmbushen përmes Asociacionit ose të kërkohen rrugë alternative

ICGGrupi Ndërkombëtar i Krizave i bëri thirrje Bashkimit Evropian të hedh disa hapa për të lehtësuar një bashkëpunim më të mirë ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe popullsisë së saj serbe dhe të kërkojë alternativa nëse nevojat e këtij komuniteti nuk përmbushen nëpërmjet Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

 

Në një raport të publikuar të martën, grupi identifikon dhjetë vende ose rajone të rrezikuara nga konfliktet vdekjeprurëse ose përshkallëzimet e tij në vitin 2024, në të cilin përfshinë edhe marrëdhëniet Kosovë – Serbi krahas luftës së Rusisë në Ukrainë, konfliktit të Izraelit në Gazë si dhe situatës në Afganistan. Në këto vende, thuhet në raport, veprimet e hershme, të drejtuara ose të mbështetura nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të tij, mund të rrisin mundësitë për paqe dhe qëndrueshmëri, thuhet në publikim.

Në pjesën e raportit me titull “Drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, grupi tha se që nga marrja e detyrës në vitin 2021, qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka ndezur tensionet në katër komunat veriore ku serbët etnikë janë shumicë.

“Refuzimi i Kosovës për t’i dhënë autonomi më të madhe popullatës së saj etnike serbe…dhe refuzimi i Serbisë për të njohur statusin e Kosovës si shtet i pavarur, që është thelbësore për zhbllokimin e anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare”, janë çështjet që e mbajnë Kosovën në situatë konflikti me Serbinë”, thuhet në raport.

Grupi thekson se kryeministri Kurti e ka humbur durimin me atë që është parë si një sovranitet i dyfishtë në veri ku Serbia kujdesej për arsimin dhe shëndetësinë për komunitetin serb, ndërsa Kosova për zbatimin e ligjit dhe gjykatat. Zoti Kurti, thuhet më tej, ka vendosur policinë e armatosur rëndë në rajon, ka vendosur një embargo ndaj mallrave serbe që u duhen banorëve, ka dëbuar institucionet serbe dhe ka ndaluar përdorimin e monedhës serbe. Qeveria e tij i ka justifikuar këto hapa pjesërisht duke përmendur kërcënimet e sigurisë, më së fundi në formën e paraushtarakëve serbë të cilët zbuloi se sillnin armatim të nivelit ushtarak nga Serbia në shtator të vitit 2023, thuhet në raport duke iu referuar sulmit të 24 shtatorit kur një grup serbësh të armatosur vrau një pjesëtar të policisë së Kosovës.

Grupi pohon se 10 për qind e serbëve të Kosovës kanë emigruar gjatë vitit të kaluar, duke e cilësuar shqetësuese këtë çështje “qoftë për shkak se kjo flet për shkallën e zhgënjimit të tyre, qoftë për shkak se dëmton rrugën më të besueshme drejt normalizimit, në të cilën Kosova do t’u jepte serbëve një vetëqeverisje thelbësore në këmbim të njohjes de facto nëse jo de jure nga Serbia”.

Grupi i bën thirrje Bashkimit Evropian të inkurajojë Prishtinën që të ripërqendrojë punën e policisë në komunat veriore në përmbushjen e nevojave të komunitetit. Policia e posaçme nuk duhet të përdoret për punë të përditshme të policisë dhe në vend të kësaj duhet të përqendrohet në sigurinë kufitare dhe kërkimin e depove të armëve. Prishtina duhet të dërgojë më shumë oficerë serbishtfolës në rajon dhe të angazhohet për të përmirësuar marrëdhëniet me banorët.

BE-ja sipas grupit, duhet të inkurajojë Prishtinën që të zbusë masat e saj të ashpra të sigurisë në veri, duke përfshirë tërheqjen e njësive të posaçme të policisë duke premtuar lehtësimin e masave kufizuese.

Në raport thuhet se blloku evropian duhet të punojë për t’u siguruar që të plotësohen nevojat e pakicës serbe në veri të Kosovës, veçanërisht në punësim, kujdes shëndetësor dhe shkollim.

“Nëse kjo nuk mund të bëhet brenda kuadrit për autonomi të pjesshme…nëpërmjet Asociacionit të komunave me shumicë serbe, atëherë BE-ja dhe shtetet anëtare duhet t’u bëjnë trysni palëve që të gjejnë mënyra alternative për të përmbushur këtë qëllim”, thuhet në raport.

Grupi i bën thirrje BE-së që t’i bëjë trysni Serbisë për të bashkëpunuar me forcat e KFOR-it, “për të mbyllur kufirin për kontrabandën e armëve dhe për të gjetur armët e rënda me të cilat i ka furnizuar paraushtarakët serbë të Kosovës”.

voa

Ahmeti: Na duhet pajtimi Kosovë-Serbi për një Ballkan të qetë e në paqe

AliKryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti ka thënë se pa pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë Ballkan të qetë e në paqe.

 

“Që Ballkani të jetë i qetë e në paqe të qëndrueshme janë të interesuar të gjithë partnerët tanë strategjikë, të cilët edhe na kanë ndihmuar që Ballkani të hyjë në rrjedhja të përhershme dhe historike për të instaluar paqe e ardhmëri. Që të mos kemi një Ballkan të qetë, por të trazuar e në flakë është vetëm Kremlini”, ka theksuar Ahmeti në “RTK Prime”.

Ai ka thënë se Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s dëshiron të bëhet pjesë e BE-së dhe dëshiron të ketë një Ballkan të pastër. “E për të ardhur deri te Ballkani i pastër na duhet pajtimi. A e dini se si ka filluar procesi i pajtimit ndërmjet Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Iniciativa u mor nga korporatat e qymyrgurit dhe  çelikut, këtu filloi por në substancë nuk ishin që të bashkoheshin korporatat, por në substancë ishte pajtimi. Pa pajtim,  çdo marrëveshje tjetër që do të bëhet është jo e qëndrueshme, e destinuar për dështim. Shqiptarët dhe serbët duhet të pajtohen, ose të vendosin a do të luftojnë”, ka shtuar Ahmeti.

Ai ka thënë se shqiptarët duhet të jenë të zgjuar në këtë periudhë dhe t’i besojnë faktorit ndërkombëtar. “Ne duhet të jemi aq të zgjuar që t’i japim hapësirë pleqnarit në rastin tonë pleqnarët janë Uashingtoni, Brukseli dhe NATO, sepse SHBA  dhe NATO pa vendim të Këshillit të Sigurimit janë rreshtuar në anën tonë dhe e kanë bombarduar Serbinë. Unë asnjëherë nuk jam zhgënjyer për 23 vjet nga fjala e dhënë e Uashingtonit, Brukselit dhe NATO-s dhe ju besoj. A ka dallim nuancash besimi ndërmjet Brukselit dhe Uashingtonit?  Sigurisht që ka sepse në Bruksel vendosin 27 vende, e në Uashington vendos Uashingtoni”, ka theksuar Ahmeti.

 

Ahmeti: Nëse Vetëvendosje përfshihet në zgjedhje le ta thotë hapur

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në “RTK Prime” ka komentuar edhe takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me krerët e partive shqiptare opozitare në Maqedoninë e Veriut, si dhe përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e ardhshme parlamentare atje më 8 maj.

“Nuk ka asgjë të keqe nga takimet. Edhe unë kam qenë me Kurtin me bashkëpunëtorët e mi. Secili udhëheqës cakton ca objektiva për veprim, por kjo çka tha Mexhiti nuk përkon me deklaratën e Kurtit që bëri në Shkup, e që tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pjesë në këto zgjedhje. Nëse ka strategji të kamuflohen gjërat nuk është mirë, le të thuhen gjërat hapur dhe nuk na pengon asgjë”, ka theksuar Ahmeti.

Megjithatë, Ahmeti ka thënë se ai asnjëherë nuk është involvuar në zgjedhjet e Kosovës, ndonëse ka miq e bashkëluftëtarë si në LVV, si në PDK apo në AAK, teksa është shprehur i bindur për fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Kurti në Shkup tha se nuk marrim pjesë dhe nuk jemi të regjistruar si parti politike. Nëse vendos për t’u përfshirë le të vendos, merr pjesë në zgjedhje, kutitë e votimit janë të vendosura dhe në mbrëmje shpalosen rezultatet. Aktualisht nëse thirremi në studime e analiza, BDI është fitues i këtyre zgjedhjeve akoma pa u mbajtur ato dhe këtë e dinë edhe partitë politike maqedonase edhe ato shqiptare, edhe opozita maqedonase edhe ajo shqiptare. Unë asnjëherë nuk jam zhgënjyer nga parashikimet dhe nga studimet me ekspertë e me ekspertizë të mirëfilltë. Por koha do ta vërtetojë”, ka shtuar Ahmeti.

I pyetur nëse përfshirja de fakto e Vetëvendosjes në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut do të ndikojë në rezultatet zgjedhore, kreu i BDI-së ka thënë se ”nuk mendoj se mund të ndikoj në rezultat sepse elektorati shqiptar është mjaft i përcaktuar në Maqedoni”.

Tutje Ahmeti ka theksuar se nuk është në armiqësi me asnjë parti politike as në Kosovë, as në Shqipëri e as në Maqedoninë e Veriut, derisa ka këmbëngulur se shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk u duhen shumë parti. “Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk u duhen 3, 4, 5, 6 apo 7 parti sepse aq më shumë parti të jenë, atëherë shqiptarët do të jenë më të parëndësishëm”, ka nënvizuar Ahmeti.

 

Ahmeti: Talat Xhaferi është kryeministër i shtetit, shtesa teknik për zbutje të opinionit maqedonas

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti e ka vlerësuar moment të rëndësishëm dhe historik për shqiptarët zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Ndonëse Xhaferi po njihet si kryeministër teknik, Ahmeti ka thënë se në dokumentet zyrtare nuk ka kryeministër teknik dhe kjo nuk e zvogëlon aspak rëndësinë që ka ky moment për shqiptarët.

“Unë kam votuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për kryeministër të Maqedonisë së Veriut. Në dokumentet zyrtare nuk ka kryeministër teknik, por ka kryeministër të shtetit me kabinet qeveritar, me emërime, me platformë. Por për çështje të politikave ditore për ta zbutur pak opinionin maqedonas po bëhet edhe kjo shtesa teknik”, ka thënë Ahmeti në intervistë me gazetarin Bashkim Vishaj në “RTK Prime”.

Ai e ka vlerësuar “të gabuar” dhe ka “shprehur keqardhje” për mospjesëmarrjen e partive opozitare shqiptare në këtë akt të cilin e ka quajtur historik.

“Ky vërtet është moment i rëndësishëm dhe historik, jo vetëm për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, edhe për qytetarët maqedonas, por edhe për shqiptarët në tërësi, sepse ne jemi prodhues të stabilitetit e të paqes. Jemi thellësisht të angazhuar që jo vetëm Maqedonia e Kosova me vendet fqinje të jetojmë në fqinjësi të mirë me njëri-tjetrin,  por edhe më gjerë Ballkani Perëndimor sepse e kaluara e Ballkanit është tepër e hidhur”, ka shtuar Ahmeti.

Ai ka thënë se prapashtesa teknik për kryeministrin Talat Xhaferi i ka rënë në sy edhe atij, por ka këmbëngulur se kjo ka ardhur për ta zbutur opinionin maqedonas, duke pasur parasysh se edhe në të kaluarën ka pasur shumë reagime ndaj avancimit të shqiptarëve.

“Fatkeqësisht në Maqedoni me shumë vështirësi është pranuar avancimi i shqiptarëve, duke filluar nga viti 2002 me marrëveshjen paqësore të Ohrit. Për  çdo hap që bëhej përpara kishte reagime të mëdha nga komuniteti maqedonas, sepse ishte i edukuar e i mësuar që ekskluziviteti është vetëm i komunitetit maqedonas, e ne të tjerët ishim qiraxhinj në shtëpinë tonë. Por, nga 2002-ta ndryshoi historia, Maqedonia e Veriut më nuk ishte në pronësi të njëanshme, por pronar e zot shtëpie u bën edhe shqiptarët me gjuhën, flamurin kombëtar, me universitete me administratë, me polici e me ushtri. Por, për ta zbutur opinionin e vet thonë se ky është kryeministër por është kryeministër teknik”, ka nënvizuar Ahmeti.

Ai ka thënë se kur Talat Xhaferi ishte zgjedhur ministër i mbrojtjes ka pasur reagime të shumta të maqedonasve. Njëjtë ka ndodhur edhe kur ai ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku ishte derdhur edhe gjak, por ka thënë se kur u votua në mandatin e dytë thuajse nuk u mor fare vesh që u zgjodh Xhaferi.

Lidhur me deklaratën e kryetarit të Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti dhënë për RTK-në se Talat Xhaferi nuk është kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, pasi në vitin 2001 kryeministër teknik ka qenë edhe Qemajl Musliu, kreu i BDI-së ka thënë se këto janë deklarata për fushatë elektorale. “…sepse nuk e vërteton asnjë dokumentacion që ka pasur kryeministër shqiptar në vitin 2001. Është fushatë për 8 maj”, ka thënë Ahmeti.

rtk

 

Mexhiti: Vetëvendosje pjesë e Lidhjes Evropiane për ndryshim

LENVA

Në foto nuk janë ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Kosovë, por Partitë Politike Shqiptare nën Maqedoni, të formuara për misione të caktuara nga punëdhënësit e tyre. Fatkeqësish, këta (përveç Kurtit), politikën e kuptojnë si një zanat mjaft të leverdishëm, që nuk do shumë përgatitje, mjafton të jesh mashtrues, stërshitës, tregtar!

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot krerët politikë shqiptarë të opozitës nga Maqedonia e Veriut.

 

Në takim ishin Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh) dhe i Komunës së Gostivarit, si dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa i Komunës së Tetovës, Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe deputet, dhe Afrim Gashi, kryetar i Alternativës, po ashtu deputet.

Izet Mexhiti kryetar i Lëvizjes Demokratike në një intervistë për lajmet qendrore të RTK-së ka folur rreth këtij takimi, derisa ka konfirmuar pjesëmarrjen e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare më 8 maj, përmes përfshirjes në listën opozitare Lidhja Evropiane.

“Sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje ajo nuk është e regjistruar si subjekt në Maqedoninë e Veriut dhe de jure nuk funksionon, por ne do të kemi listë të përbashkët të deputetëve në kuadër të Lidhjes Evropiane”, ka theksuar Mexhiti.

Sipas tij, pjesa dërrmuese e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë të pakënaqur nga qeverisja e subjektit që është mbi 20 vjet në qeveri, por se tani ka një zë unifikues të opozitës shqiptare.

“Ka munguar konsolidimi dhe unifikimi i opozitës. Tanimë ka një opozitë që përbëhet nga këto katër subjekte politike. Jemi në takime intensive, sot ishte me ne edhe Arben Taravari, kryetar i Aleancës për Shqiptarët, që edhe ky subjekt t’i bashkohet listës për ta sjellë ndryshimin e shumëpritur për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Vetëvendosja është pjesë e Lidhjes Evropiane për ndryshim. Ne po punojmë në platformën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku marrin pjesë edhe ekspertë nga Vetëvendosja, si Arbër Zajmi, Elvis Hoxha e Bekim Qoku. Tashmë jemi të sinkronizuar për ndërtimin e platformës, për ndërtimin e listave dhe fushatën e përbashkët”, ka shtuar Mexhiti.

Sa i përket mungesës së opozitës në seancën ku u votua si kryeministër Talat Xhaferi, ai theksoi se ata janë duke e bojkotuar parlamentin që një muaj pasi kryeparlamentari i deritashëm, Talat Xhaferi e pamundësoi përfshirjen e opozitës shqiptare në Komisionin Zgjedhor. Ai ka thënë se kryeministri teknik nuk ka rol në vendimmarrje politike.

“Bëhet fjalë për kryeministër teknik. E kryeministër teknik shqiptar ka pasur edhe në vitin 2001 – Qemajl Musliu. Por, tash në mënyrë pompoze po duan ta shesin se është hera e parë që zgjidhet një shqiptar. Edhe unë kam qenë pjesë e BDI-së dhe elektoratit i kemi premtuar kryeministër politik dhe atë me emër e mbiemër, Naser Zyberi dhe tash bëhet Talat Xhaferi dhe atë kryeministër teknik. Kryeministri teknik nuk ka kompetenca as për vendime politike as për procese politike. I vetmi funksion i kësaj qeverie është organizimi i zgjedhjeve fer dhe demokratike”, ka nënvizuar Mexhiti.

Ndërkaq, në njoftimin e Kryeministrisë për këtë takim thuhet se aty  diskutuan për situatën në rajonin e Ballkanit, për fqinjësinë e mirë dhe perspektivën e partneritetit të rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, teksa i pranishëm ishte edhe këshilltari i kryeministrit, Bekim Qoku.

“Kryeministri Kurti i njoftoi kryetarët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut për takimet e bisedat që ka pasur me krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe ata e njoftuan për zhvillimet politike atje. Temë e diskutimit ishte edhe situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoni, nevoja për demokraci e stabilitet si dhe përmirësim e mbarëvajtje të raporteve mes komuniteteve etnike në atë vend, gjë të për të cilën Kosova vetë është shembull, por edhe e promovon dhe e mbështet”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se katër udhëheqësit e opozitës shqiptare në Maqedoninë e Veriut shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut, i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president i cili sipas tyre kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve.

rtk

SHBA, përgatitje për “veprime të shumëfishta” kundër grupeve që mbështeten nga Irani

BidenNdërsa Shtetet e Bashkuara po përgatiten për “veprime të shumëfishta” në përgjigje të një sulmi me dron nga militantët e mbështetur nga Irani, që shkaktoi vrasjen e tre ushtarëve amerikanë, “Kataib Hezbollah”, një nga grupet më të fuqishme në Irak, që mbështetet nga Irani, njoftoi se po pezullonte të gjitha operacionet e tij ushtarake kundër forcave amerikane në rajon.

 

Presidenti amerikan Joe Biden tha të martën se ai ka vendosur se si do t’i kundërpërgjigjet administrata e tij sulmit me dron nga militantët e mbështetur nga Irani në një bazë amerikane në Jordani, në të cilin u vranë tre ushtarë amerikanë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë të dielën.

“Po”, tha Presidenti Biden para gazetarëve ndërsa po largohej nga Shtëpia e Bardhë të martën për një udhëtim drejt Floridës për mbledhje fondesh në Florida. Sulmi i së dielës ishte i pari që shkaktoi viktima në mesin e ushtarëve amerikan në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në Rripin e Gazës më 7 tetor.

Grupi Rezistenca Islamike në Irak, që mbështetet nga Teherani, ka marrë përgjegjësinë për sulmin në bazën pranë kufirit të Jordanisë me Irakun dhe Sirinë. Pentagoni tha se sulmi ka “gjurmët” e militantëve irakianë të grupit “Kataib Hezbollah”, mbështetur nga Irani.

Grupi “Kataib Hezbollah” të martën njoftoi pezullimin e operacioneve ushtarake kundër trupave amerikane në rajon.

I pyetur nëse ky reagim i ardhshëm amerikan me të vërtetë do ta frenonte Iranin, zoti Biden tha: “Do të shohim”. Grupet e mbështetura nga Irani kanë kryer më shumë se 160 sulme ndaj objekteve ushtarake amerikane në rajon, pavarësisht sulmeve hakmarrëse nga Uashingtoni. Rebelët e grupit Houthi, një tjetër organizatë e mbështetur nga Teherani, kanë vazhduar gjithashtu sulmet e tyre me raketa dhe dronë kundër anijeve tregtare në Detin e Kuq, pavarësisht nga sulmet e shumta ajrore të Shteteve të Bashkuara ndaj sistemeve të tyre të lëshimit të raketave në Jemen.

Presidenti Biden nënvizoi atë që ai dhe zyrtarët e tij kanë thënë vazhdimisht, se Uashingtoni nuk dëshiron një zgjerim të konfliktit.

“Unë nuk mendoj se ne kemi nevojë për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme. Kjo nuk është ajo që unë po kërkoj”, tha ai.

Është e vështirë të gjendet një reagim ushtarak, që do të frenonte sulmet e mëtejshme të grupeve të mbështetura nga Irani dhe njëkohësisht do të shmangte mundësinë e përhapjes së luftës në rajonin e Lindjes së Mesme. Duke folur me gazetarët në bordin e avionit presidencial “Air Force One”, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se parimi udhëzues është degradimi i aftësive të grupeve për të sulmuar trupat dhe objektet amerikane dhe dërgimi një “sinjali të fortë për mbështetësit e tyre” në Gardën Revolucionare Islamike të Iranit.

“Presidenti do të bëjë atë që është e nevojshme për të mbrojtur trupat tona, objektet tona dhe sigurinë tonë kombëtare … interesat tona në rajon”, tha ai, duke shtuar se urdhri i Presidentit Biden do të jetë një “qasje me nivele të ndryshme” që mund të përfshijë “veprime të shumta”.

voa

 

SHBA godet platformat kibernetike të Shtetit Islamik

shbaShtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprime për të ndërprerë përpjekjet e grupit terrorist Shteti Islamik për të zgjeruar kalifatin e tyre virtual, të vetëshpallur.
Uashingtoni njoftoi të martën sanksione kundër dy shtetasve egjiptianë, të cilët akuzohen se kanë ofruar trajnime për udhëheqësit e Shtetit Islamik mbi sigurinë kibernetike, në mënyrë që ata të mund të lëviznin fondet përmes kriptomonedhave dhe të zgjeronin përpjekjet e rekrutimit.

Al-Mawji Mahmud Salim dhe partnerja e tij e biznesit, Sarah Jamal Muhammad Al-Sayyid, akuzohen për krijimin e një platforme në internet të lidhur me Shtetin e Islamik, të quajtur “Electronic Horizons Foundation” (EHF).

Përmes një deklarate, Departamenti i Thesarit tha se Al-Mawji “ka ofruar mbështetje teknike në aplikacionet kompjuterike” për udhëheqësit e Shtetit Islamik, ndërsa përdorte gjithashtu platformën për të ndihmuar mbështetësit e grupit terrorist të shmangnin kontrollet e forcave të zbatimit të ligjit dhe të mbledhin para.

Në deklaratë, Jamal akuzohet se i ndihmonte partnerët e saj duke rekrutuar anëtarë të Shtetit Islamik për t’u bashkuar me platformën “EHF” dhe duke blerë pajisje të nevojshme për ta mbajtur platformën në internet.

“Veprimet e sotme shkatërrojnë aftësinë e ISIS-it për të transferuar fonde, duke përfshirë përdorimin e kriptomonedhave, dhe për të shfrytëzuar praninë e tij në internet për të rekrutuar dhe përhapur ideologjinë e tij terroriste”, tha nënsekretari i Departamentit të Thesarit, Brian Nelson, duke përdorur një akronim tjetër për grupin terrorist.

Departamenti i Thesarit vendosi gjithashtu sanksione kundër Faruk Guzel-it, një lehtësues financiar me bazë në Turqi, i cili ndihmoi në transferimin e parave për operativët e Shtetit Islamik në Siri.

Në një deklaratë tjetër, të lëshuar po të martën, Departamenti i Shtetit tha se përcaktimet e reja dhe sanksionet ndaj këtyre individëve përforcojnë angazhimin e Uashingtonit për të punuar me më shumë se 80 vende që janë pjesë e Grupit Financiar kundër Shtetit Islamik, i cili synon të shkatërrojë rrjetet globale financiare të kësaj organizate terroriste.

Në fillim të këtij muaji, Shteti Islamik nisi një fushatë të re dhune të quajtur “Vritini kudo që t’i gjeni”, e cila përkoi me një sulm të dyfishtë vetëvrasës, që shkaktoi vrasjen e gati 90 njerëzve pranë varrit të një komandanti të vrarë të Gardës Revolucionare Islamike në Kerman të Iranit.

Sipas vlerësimieve më të fundit të agjencive amerikane të zbulimit, udhëheqja e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri ka qasje në rreth 25 milionë dollarë, nga rreth 300 milionë dollarë që kishte pas rënies së kalifatit territorial në 2019.

Një raport i veçantë nga inspektori i përgjithshëm i Pentagonit nëntorin e kaluar tha se udhëheqja e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri “nuk është në gjendje të përmbushë detyrimet e tij financiare, veçanërisht pagesat për anëtarët e familjeve të personelit të vdekur dhe të burgosur të ISIS-it”.

“ISIS paguante gjithashtu udhëheqësit e tij në mënyrë sporadike, ndoshta disa qindra dollarë në muaj, ndërkohë që nuk shpërndante pagesat për luftëtarët, me gjasë për të kursyer fondet e kufizuara”, thuhet në raport.

voa

Drejtori i CIA-s: Braktisja e Ukrainës nga SHBA do të ishte një gabim i “përmasave historike”

CIADuke marrë parasysh bllokimin në Kongres të propozimit për dërgimin e më shumë ndihmave ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën, shefi i CIA-s, William Burns tha se Shtetet e Bashkuara do të bënin një gabim të “përmasave historike” nëse heqin dorën nga mbështetja për Kievin në luftën gati dy vjeçare ndaj Rusisë.
Votimi në Kongres i propozimin për një ndihmë të re prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën është i ndërlidhur me projekt ligjin për forcimin e kontrolleve të imigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë. Por detajet e ligjit të ri të imigracionit nuk janë zgjidhur ende dhe legjislacioni i përgjithshëm është bërë tashmë pjesë e fushatës presidenciale, duke rritur më tej dyshimet mbi miratimin e ndihmës së re për Ukrainën.

Por zoti Burns, në një ese të botuar të martën në revistën “Foreign Affairs”, tha: “Vazhdimi i furnizimit me armë do të vendoste Ukrainën në një pozitë më të fortë nëse shfaqet një mundësi për negociata serioze” për t’i dhënë fund luftës.

“Ndihma ofron një shans për të siguruar një fitore afatgjatë për Ukrainën dhe një humbje strategjike për Rusinë”, tha drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës.

“Mbështetja me një nivel që kap vlerën e më pak se 5% të buxhetit të mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara, është një investim relativisht modest me përfitime të konsiderueshme gjeopolitike”, tha ai.

Ai tha se vendimi i Rusisë dhe Presidentit të saj Vladimir Putin për të sulmuar Ukrainën në shkurt të vitit 2022 ishte një “marrëzi e Putinit”.

“Të paktën 315000 ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur, dy të tretat e të gjitha tankeve që kishte Rusia para luftës janë shkatërruar dhe programi i Putinit për modernizimin ushtarak prej dekadash ka pësuar një goditje”, tha zoti Burns.

Megjithatë, zoti Burns tha se Presidenti Putin nuk ka gjasa të tërhiqet nga sulmi ndaj Ukrainës fqinje.

“Është gjithmonë gabim të nënvlerësohet fiksimi i tij për të kontrolluar Ukrainën”, tha zoti Burns. “Pa këtë kontroll, ai beson se është e pamundur që Rusia të jetë një fuqi e madhe ose që ai të jetë një udhëheqës i madh rus.”

Burns tha se lufta “po dëmton në heshtje fuqinë e tij në vend”, por tha se “ai vazhdon të besojë se koha është në anën e tij, se ai mund të shkatërrojë Ukrainën dhe të rraskapit përkrahësit e saj perëndimorë”.

Ai i bëri thirrje Ukrainës që të godasë më thellë territorin e kontrolluar nga Rusia.

“Sfida e Ukrainës është të godasë arrogancën e Putinit dhe të demonstrojë koston e lartë për Rusinë… jo vetëm duke bërë përparim në vijat e frontit, por edhe duke nisur sulme më në thellësi të territorit të tyre (rusëve)”, tha zoti Burns.

 

Vala e fundit e sulmeve ruse në Ukrainë

Ndërkohë, Ukraina tha të martën se gjatë natës ushtria ruse kreu sulme me 35 dronë dhe dy raketa në rajone të shumta të vendit.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se mbrojtja ajrore shkatërroi 15 dronë në Mykolaiv, Sumy, Cherkasy, Dnipropetrovsk, Kharkiv, Kherson dhe Kiev.

Forcat ajrore të Ukrainës thanë se një pjesë e sulmit të Rusisë kishte në shënjestër infrastrukturën e sektorit të karburantit dhe energjisë.

Rusia tha të hënën se mbrojtja e saj ajrore shkatërroi 21 dronë ukrainas që kishin në shënjestër objektiva ruse.

Agjencitë ruse të lajmeve raportuan se ushtria kishte shkatërruar dronët ukrainas mbi Gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia, si dhe në rajonet ruse të Belgorodit, Bryanskut, Kalugas dhe Tulas.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi të hënën se lufta mbrojtëse e Ukrainës kundër Rusisë do të ishte në rrezik pa një raund të ri ndihmash, të miratuara nga Kongresi.

“Pa një raund të ri ndihmash, gjithçka që ukrainasit kanë arritur dhe që ne i kemi ndihmuar ata të arrijnë do të jetë në rrezik”, tha Sekretari Blinken në një konferencë të përbashkët shtypi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Uashington.

Shefi i NATO-s shprehu besimin se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën, duke thënë se është në interesin e Uashingtonit të sigurohet që Rusia të mos fitojë në Ukrainë.

Zoti Stoltenberg tha gjithashtu se ndihma për Ukrainën është një përpjekje e përbashkët me aleatët e NATO-s dhe se nuk shihet si vepër bamirësie, por si “një investim në sigurinë tonë”.

Aleanca Rusi-Bjellorusi

Presidenti rus Putin u takua të hënën me homologun e tij bjellorus, Alexander Lukashenko, për të diskutuar zgjerimin e aleancës së tyre, e cila tashmë i ka dhënë mundësinë Rusisë të dislokojë disa armë të saj bërthamore në Bjellorusinë fqinje.

Presidenti Putin theksoi “partneritetin strategjik” të dy vendeve si pjesë e marrëveshjes së tyre 25-vjeçare të unitetit që përfshin thellimin e lidhjeve politike, ekonomike dhe ushtarake midis dy vendeve.

“Është e rëndësishme që në mes të një trysnie të jashtme të pashembullt, Rusia dhe Bjellorusia të kenë bashkëpunim të ngushtë në arenën ndërkombëtare dhe t’i ofrojnë mbështetje të pandërprerë njëra-tjetrës si aleatë të vërtetë”, tha zoti Putin në fillim të bisedimeve në Shën Petersburg, ku morën pjesë zyrtarë të lartë nga të dyja vendet.

Presidenti bjellorus Lukashenko është mbështetur në subvencionet ruse dhe mbështetjen politike të Moskës për të sunduar vendin ish sovjetik me dorë të hekurt për gati tre dekada. Mbështetja e Moskës e ndihmoi zotin Lukashenko t’i mbijetonte protestave të mëdha disa mujore pas zgjedhjeve të vititi 2020, që opozita dhe Perëndimi thonë se ishin të manipuluara.

Zoti Lukashenko lejoi Rusinë të përdorte territorin bjellorus për të dërguar trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

Bisedimet Hungari-Ukrainë

Hungaria njoftoi të hënën se është gati për një kompromis që do t’i hapte rrugën miratimit nga Bashkimi Evropian të një ndihme prej 54 miliardë dollarësh për Ukrainën përpara një samiti urgjent të enjten.

Kryeministri Viktor Orban ka qenë një kritik i zëshëm i mbështetjes financiare dhe ushtarake të BE-së për Kievin dhe ka mbajtur lidhje të ngushta me Kremlinin që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë.

Nëse Hungaria nuk bie dakord për ndihmën evropiane, udhëheqësit e BE-së kanë propozuar një plan tjetër që përfshin një marrëveshje midis 26 vendeve anëtare dhe Ukrainës, e cila gjithashtu do t’i mohonte Budapestit qasjen në fondet e BE-së.

Ministri hungarez i Punëve të Jashtme Peter Szijjarto u takua me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba, në Kiev për të diskutuar ndihmën dhe të drejtat e komunitetit hungarez në rajonin perëndimor ukrainas të Zakarpattias. Budapesti thotë se pakica hungareze në këtë rajon duhet të ketë të drejtë të arsimohet në gjuhën e tyre amtare.

Hungaria ka një “pritshmëri që anëtarët e komunitetit kombëtar hungarez do të rifitojnë të drejtat që ata i kishin në 2015″, tha zyrtari hungarez, duke shtuar, “Ne kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë, por pala hungareze është gati ta përfundojë këtë punë.”

Ministri i jashtëm ukrainas Kuleba tha se ai e konsideronte çështjen e pakicës hungareze “të zgjidhur thelbësisht”, por se do të krijohet një komitet i përbashkët për të shqyrtuar se si Kievi mund të trajtojë kërkesat e mëtejshme të Budapestit në lidhje me komunitetin hungarez të Ukrainës dhe t’i paraqesë ato gjetje tek qeveritë përkatëse në 10 ditë.

Kjo ishte vizita e parë e ministrit të jashtëm hungarez Szijjarto në Ukrainë që nga fillimi i sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe i vetmi takim zyrtar dypalësh midis dy zyrtarëve në dy vitet e fundit.

Një pjesë e të dhënave për këtë shkrim u morën nga Associated Press, Agence France-Press dhe Reuters.

voa