A do të arrestohet Dodiku pas shout të fundit?

DodikPas festimit të Ditës së RS-së, Prokuroria e Bosnje-Hercegovinës po monitoron tani të gjitha ngjarjet që mund të kenë elemente të veprës penale. A do të arrestohet Dodiku?

 

Paralajmërimet e bashkësisë ndërkombëtare në Bosnjë-Hercegovinë, qoftë nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë apo ambasadorë individualë nga anëtarët e Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC), nuk e penguan festimin e Ditës së Republikës Serpska (RS) në Banja Luka. Për të shtatën herë që nga vendimi i parë i Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës (B-H), e cila e shpalli 9 janarin antikushtetues për festimin e Ditës së RS-së, deri më tani është mbajtur parada më e madhe e pjesëtarëve të policisë dhe sektorit civil, me mbi tre mijë pjesëmarrës.

Analizat po vazhdojnë

“Tani duhet të largohemi nga 9 janari 2023 dhe të shikojmë nga e ardhmja. Duhet thënë se 9 janari 2024 nuk do të ndodhë më në korniza të tilla. Festat e shtetit dhe të entitetit mund të festohen, por mund të bëhet në një mënyrë tjetër”, tha një vit më parë Përfaqësuesi i Lartë Christian Schmidt. Që atëherë, ai i ka bërë thirrje gjyqësorit në B-H në disa raste që të reagojë brenda juridiksionit të tij, duke konsideruar se shënimi institucional i Ditës së RS “shkel vendimet e Gjykatës Kushtetuese të B-H”.

Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës njoftoi më 9 janar se, së bashku me agjencitë partnere të zbatimit të ligjit, “po monitorojnë të gjitha ngjarjet që mund të kenë elementë të veprave penale nën juridiksionin tonë”.

Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës do të mund të vendosë për aktivitete të mëtejshme në periudhën e ardhshme pas analizimit të aplikacioneve të dorëzuara dhe konsultimeve me institucionet partnere”, tha ky institucion gjyqësor.

Nuk ka pasur ende asnjë reagim nga OHR. Më parë ata u kanë bërë thirrje autoriteteve të entitetit që të mos festojnë Ditën e RS në datën e kontestuar nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës. Por festimi i tanishëm ishte më i madhi se kurrë më parë, me mbi tre mijë pjesëmarrës. Së bashku me efektet e dritave nga dronët, ishte edhe festa më e shtrenjtë deri më tani, për të cilën janë ndarë një milion e gjysmë marka konvertibile.

“Ne nuk kemi nevojë për kolonizatorë apo tutorë. Ky popull nuk ka jetuar kurrë i robëruar. Prandaj kjo nuk duhet të ndalohet, nëse është e ndaluar do të thotë se kemi rënë”, tha presidenti i RS-së Milorad Dodik në ceremoninë solemne për shënimin e Ditës së Republikës Serpska.

“Ne po shikojmë Serbinë, Rusinë dhe popullin tonë. Ne nuk duam asnjë konflikt dhe nuk do t’i udhëheqim ato. Ne duam që policët tanë të mbrojnë shtëpitë tona që ekzistojnë në këto zona”, tha Dodik, pranë të cilit në ceremoni qëndronte ambasadori rus në Bosnjë-Hercegovinë, Igor Kalabuhov.

Paralajmërimet e SHBA dhe BE

Nga ana tjetër, SHBA pretn që institucionet e B-H të kryejnë hetime për çdo rast të shkeljes së ligjit, që ka të bëjë me festimin e Ditës së RS më 9 janar.

“Problemi nuk qëndron tek kremtimi i festës, por tek vendimi për ta festuar atë më 9 janar. Lidhja e kësaj feste me një festë fetare ortodokse është në kundërshtim me disa dispozita të Kushtetutës së Bosnjë-Hercegovinës, të cilat ndalojnë diskriminimin. Kjo është çështje e ligjit, jo e mendimit të dikujt”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Bosnjë-Hercegovinë.

Nga Brukseli thonë se festimi i ditës së RS më 9 janar është i paligjshëm për Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, kujton se Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës në dy raste ka vendosur se përkujtimi i 9 janarit nuk është në përputhje me Kushtetutën.

“Mund të përsëris vetëm se Bashkimi Evropian thekson nevojën që të gjithë aktorët në B-H të respektojnë sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues, përfshirë edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Dhe siç thamë, çdo veprim që është kundër këtyre parimeve do të çojë në pasoja të rënda”, tha Stano, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në vend që të përmbahen nga retorika apo veprimet provokuese, “veçanërisht ata në RS që vënë në pikëpyetje sovranitetin, integritetin territorial. dhe unitetin e vendit”.

Pa antagonizma

Profesori i së drejtës kushtetuese Kasim Tërnka thotë se ligji është shkelur për shtatë vite, por se nuk ka sanksione. “Lëvizja e parë duhet të jetë nga zoti (Kryeprokurori i Prokurorisë së Bosnjë-Hercegovinës Milenko) Kajganiq dhe ekipi i tij, por fatkeqësisht nuk kanë treguar se mund të përballojnë këtë lloj situate deri më tani. “Me naivitet mund të thuhet se nuk ia dalin, ose ndoshta bëhet fjalë për një lloj qëndrimi politik që në situata të tilla nuk duhet bërë një lëvizje e rrezikshme”, mendon Trnka.

Kërkesa në Prokurorinë e Bosnjë-Hercegovinës është bërë e ditur për momentin nga deputeti i pavarur i Asamblesë Kombëtare të RS-së, Ramiz Salkiq, duke deklaruar se Prokuroria “nuk ka guximin apo pëlqimin” për të nisur procedurën kundër Milorad Dodik.

“Prokuroria është përgjegjëse për atë që po bën Dodik sepse nuk sanksionon ata që punojnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi. Atyre u kërkohet të ndërmarrin hapa pa i raportuar askush. Këto ishin të detyrueshme edhe në vitet e kaluara”, thotë Salkiq.

Më 9 janar u vendosën lule në Memorialin në Potoçar, nga Nënat e Srebrenicës dhe Denis Beqiroviq, anëtar boshnjak i Presidencës së B-H. Duke komentuar iniciativën e nënave për shpalljen e 9 janarit si ditë zie, Beqiroviq tha se ai erdhi për të dërguar një mesazh se ata “do të ecin lirshëm dhe me dinjitet në çdo pëllëmbë të Bosnjë-Hercegovinës”.

Reagime ka pasur edhe në rrugë. Më shumë se një duzinë automjetesh parakaluan nëpër Zenicë, si përgjigje ndaj përkujtimit të 9 janarit në Banja Luka. Në automjete u shfaqën flamuj me zambakë, ndërsa videot në rrjetet sociale tregojnë djegien e flamurit trengjyrësh me emblemën e RS.

Dekorimet e Orbanit dhe Putinit

Në festimin e Ditës së RS vitin e kaluar, Urdhëri i Gjerdanit iu dha presidentit rus Vladimir Putin për “qëndrimin patriotik dhe dashurinë për RS”. Çmimin më të lartë këtë vit e ka marrë kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. “Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, ka pranuar të marrë çmimin më të lartë të RS. Është krenaria e Republikës që mund t’i japë mirënjohje për njeriun që është gati të na respektojë si një fakt real politik”, tha Dodik, duke shpjeguar se urdhrin do t’ia dorëzojë Orbanit muajin e ardhshëm. Ardhja e kryeministrit hungarez ishte paralajmëruar më herët, por ai nuk erdhi. Në Banja Luka ishte vetëm një delegacion serb i kryesuar nga kryetari i Kuvendit të Serbisë, Vladimir Orliq.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka dërguar një letër me urime, por as këtë vit nuk mori pjesë në këtë festë. Që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të B-H në vitin 2015, Vuçiq udhëhoqi delegacionin serb në festë vetëm në vitin 2016 si kryeministër.

dw

Dritë jeshile për fabrikën e baterive në Schleswig-Holstein

Margrethe Vestager Komisionerja e BEAnkthi mori fund. Komisioni Evropian ka miratuar subvencionet e larta të federatës dhe të landit. Kompania suedeze Northvolt do të ndërtojë bateri për automobilët elektrikë në Schleswig-Holstein.

 

Kompania suedeze Northvolt ka tani lejen të ndërtojë një fabrikë të madhe të baterive të automjeteve elektrike pranë Heides në Schleswig-Holstein, siç ishte planifikuar. Komisioni Evropian e miratoi financimin e planifikuar të qeverisë federale dhe të landit gjerman për këtë projekt prej miliarda eurosh në landin më verior të Gjermanisë. “Kjo masë, në një shumë totale prej 902 milionë eurosh, është ndihma e parë e veçuar që është miratuar për të parandaluar zhvendosjen e një investimi në një vend jashtë Europës”, tha Margrethe Vestager, Komisionerja e BE përgjegjëse për Konkurrencën.

Sipas Komisionit Evropian, bëhet fjalë për subvencione prej gjithsej 902 milionë eurosh. Prej tyre 700 milionë euro janë subvencione dhe 202 milionë garanci. Vestager tha se subvencionet ishin të nevojshme, të përshtatshme dhe gjithashtu të kufizuara. Përndryshe, Northvolt do ta kishte ndërtuar fabrikën në SHBA, ku gjithashtu do të kishte subvencione. Të 27 shtetet e BE përfitojnë nga investimi.

Habecku shprehet i lehtësuar

Ministri Federal i Ekonomisë, Robert Habeck (të Gjelbrit) theksoi: “Jam shumë, shumë i kënaqur për këtë që ndodh sot.” Northvolt planifikon të prodhojë bateri për automjete elektrike në një fabrikë në qarkun Dithmarschen nga viti 2026. Prodhimi është planifikuar të arrijë kapacitetin e plotë në vitin 2029. Sipas Komisionit Evropian, fabrika e Heides do të jetë në gjendje të prodhojë bateri për nga 800.000 deri në një milion automjete elektrike në vit. Investimi prej 4.5 miliardë eurosh pritet të krijojë 3000 vende pune. Kompania ka investuar tashmë rreth 100 milionë euro nga fondet e veta në projektin e ndërtimit në Heide, sipas burimeve pranë projektit.

Qeveria federale dhe landi e subvencionojnë projektin me rreth 700 milionë euro. Përveç kësaj, ka garanci edhe për 202 milionë euro të tjera. Nga financimi, rreth 564 milionë euro vijnë nga qeveria federale dhe deri në 137 milionë euro nga landi. Financimi shpërndahet në disa këste vjetore. Në dhjetor, qeveria federale nxorri një vendim financimi. Ky vendim u desh të miratohej nga Komisioni i BE, sipas legjislacionit për ndihmën shtetërore.

Megaprojekt për landin Schleswig-Holstein

Projekti do të jetë projekti më i madh industrial në Schleswig-Holstein në dekada. Northvolt ka theksuar gjithmonë avantazhet e vendndodhjes në brigjet perëndimore amerikane. Aty prodhohet shumë energji ere në tokë dhe në det, për të cilën fabrika ka nevojë në sasi të mëdha.

Edhe Northvolt u shpreh i kënaqur: “Vendimi pozitiv i Komisionit Evropian për ndihmën shtetërore nuk është vetëm udhërrëfyes për projektin e fabrikës Northvolt në Heide, por për të gjithë industrinë evropiane të baterive në tërësi,” tha një zëdhënës i kompanisë. “Tani jemi në pritje të vendimeve komunale në kuadër të procesit aktual të planifikimit të territorit”.

Peter Carlsson, Drejtori Ekzekutiv i Northvolt-it, kishte sinjalizuar ndërkohë se ndërtimi i fabrikës në Heide mund të vonohej. Ai përmendi si arsye çmimet relativisht të larta të energjisë elektrike në Gjermani dhe subvencionet më të larta në Shtetet e Bashkuara të Amerilës. Ai kishte paralajmëruar se për këtë shkak, kompania mund të zgjidhte fillimisht ta ngrinte atje fabrikën.

aud (dpa, rtr, afp)

 

Fushata në Maqedoninë e Veriut: Kush është më i korruptuar e kush më patriot

Njohësit e çështjeve politike thonë se fushata për zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjen e presidentit në Maqedoninë e Veriut, tashmë ka filluar dhe ajo në masë të madhe po zhvillohet për t’i nxitur kundërshtarët politikë në mungesë të ofertave për zgjidhjen e problemeve konkrete, me të cilat përballet vendi.
Njohësi i çështjeve politike, Petar Arsovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këto zgjedhje shumë më pak pritet të flitet për mungesën e rezultateve në realizimin e reformave dhe luftën kundër korrupsionit. Fokusi, thekson ai, duket se mbetet tek ajo se kush është i zhytur në korrupsion dhe kush është më patriot.

“Sa i përket pjesës kur do të fillojë edhe zyrtarisht fushata zgjedhore, pres që ajo të jetë edhe më negative, duke qenë se jemi një shoqëri thellësisht e ndarë dhe kemi qëndrime diametralisht të kundërta se si duhet të lëvizë shteti”, thotë Arsovski.

Nga ana tjetër, Sefer Selimi nga organizata Democracy Lab, konsideron se në këto zgjedhje kartë e rëndësishme mbetet çështja e kryeministrit shqiptar.

“Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim [BDI], do të përpiqet sa më shumë që është e mundur që ta kapitalizojë votën përmes realizimit të premtimit për kryeministrin e parë shqiptar, edhe pse zgjedhja e tij në këtë rast është më shumë simbolike sesa përmbajtjesore. Ndërkohë, partitë e tjera shqiptare, që do të jenë si front kundër BDI-së do të përpiqen ta ulin vlerën e zgjedhjes së kryeministrit shqiptar si arritje për shqiptarët dhe politikën në Maqedoninë e Veriut, duke u munduar të heqin relevancën në bazë të kompetencave të kufizuara që ka kryeministri në Qeverinë teknike”, thotë Selimi për REL-in.

Në bazë të ujdisë që arritën liderët e partive politike parlamentare, rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa më 8 maj do të ketë zgjedhje të dyfishta – mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjet parlamentare.

Fushata zgjedhore zyrtarisht duhet të nisë 20 ditë para zgjedhjeve.

Ndërkaq, deri në fund të këtij muaji pritet të zgjidhjet Qeveria teknike që do të jetë përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve presidenciale dhe atyre parlamentare.

BDI-ja ka thënë se do të nominojë për kryeministër të Qeverisë teknike, Talat Xhaferi, kryetarin aktual të Kuvendit maqedonas

rel.

Kurti: Serbia paraqet rrezik për stabilitetin në rajon

Albin KurtiKryeministri Albin Kurti ka mbledhur ministrat për të shqyrtuar disa propozim-vendime e kërkesa për ndarje buxhetore.

 

Në fjalën hyrëse i pari i ekzekutivit përmendi arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga ana e shtetit serb. Me këtë rast, kryeministri Kurti, ka thënë se Serbia po paraqet rrezik për qytetarët e vendit e po ashtu stabilitetin në rajon.

“Javën e kaluar dy qytetarë u ndaluan në kufi me Serbinë. Kjo nuk është hera e parë. Kjo është një sjellje e qëllimshme, dashakeqe e Serbisë që bie në kundërshtim me Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Po ashtu Serbia po vazhdon të mbajë në paraburgim Petrit Dulaj dhe Nezir Mehaj. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar ekstradimin e Petrit Dulaj dhe Nezir Mehmetaj. Përgjigje nuk kemi pranuar kurrë. Serbia nuk është rrezik vetëm për qytetarët tanë estabilitetin në Ballkan, ajo së fundmi ka dëshmuar se paraqet rrezik edhe për qytetarët e saj”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti foli edhe për liberalizimin e vizave, raporton RTK.

“Në këtë fillimvit i erdhi fund masës më të padrejtë që BE kishte, regjimin e vizave. Kemi qenë shteti i fundit në Ballkan që nuk kemi lëvizur lirshëm për shkak të regjimit të vizave. Fitoret, sukseset dhe arritjet e këtij muaji janë të shtetit të Kosovës nga të cilat përfitojnë qytetarët tanë. Andaj le të ecim para me vendosshemërinë e tri viteve të qeverisjes tonë dhe këtë le ta bëjmë drejt rezultateve të reja dhe arritjeve të radhës”, ka deklaruar Kurti.

rtk

Një nga akset me trafik më të rënduar, eksperti rrugor: Kujdes, është rruga më e rrezikshme me shtresa akulli

Fatmir HashoEksperti rrugor Fatmir Hasho ka treguar në “Wake Up” se cili është aksi rrugor më i rrezikshëm në Shqipëri, ku drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë shumë kujdes.

 

Ai shprehet se aksi rrugor Pishkash-Prrenjas është tepër i rrezikshëm, pasi gjatë dimrit uji që rrjedh ngrin, duke bërë që makinat të rrëshqasin dhe të humbin kontrollin. Mbi të gjitha është një rrugë që ndodhin shumë shpesh aksidente.

 

“Është një fshat, ka qenë minierë e famshme, Pishkash. Aty në atë vend, tamam ku është tabela e Pishkashit derisa të dalës për të shkuar në Prrenjas, është një rrugë për të shkuar jo më shumë se 2-3 km e cila në kohën e dimrit, nga ora 6 e mëngjesit deri në orën 10 të mëngjesit, duhet një kujdes, pavarësisht se ka tabela, por njerëzit janë të pavëmendshëm. Nuk e kap dielli dhe ato ujërat që dalin, krijojnë një shtresë, kur ti mund të jesh i pavëmendshëm, makina del nga rruga. Kishim një rast aksidenti para një jave, nuk arrij ta konceptoj, drejtues mjetesh dalin në korsi tjetër pa asnjë lloj motivi. Kemi fenomene atmosferike, shi, akull, ngrica, vëmendja duhet të jetë maksimale në drejtimin e mjetit”, u shpreh eksperti rrugor Hasho.

Top Channel

Sekretari i jashtëm britanik, “Durimi ynë duhet të ketë kufi” në raport me Serbinë

David CameronBritish Foreign Secretary David Cameron visits Kosovo

 

Sekretari i jashtëm britanik David Cameron deklaroi të martën se qeveria britanike është e pakënaqur me qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës.

 

Në një raportim para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme të parlamentit britanik, zoti Cameron, i cili vizitoi Kosovën javën e kaluar, tha se qeveria e tij është e përkushtuar që Serbisë t’i mundësohet integrimi evropian, por shtoi se sulmi i grupit të armatosur serb në pjesën veriore të Kosovës në muajin shtator, një ndër incidentet më të rënda në Kosovë, “paraqiti një rrezik të madh” për sigurinë e rajonit.

“Nuk e kemi ndryshuar qëndrimin që t’i japim Serbisë mundësinë të ketë të ardhme euroatlantike. Nuk e kemi ndryshuar qëndrimin se nëse Serbia e do këtë rrugë, asaj do t’i ofrohet kjo e ardhme,” deklaroi zoti Cameron. “Por ndjej një pakënaqësi në rritje për mënyrën si po sillet (Serbia), që po bën këto gjëra dhe duhet të jemi të qartë për këtë.”

Ai deklaroi se nuk mund të thotë nëse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë të njejtin mendim, por theksoi se në bazë të bisedave që ka patur “kam përshtypjen se ekziston pakënaqësi, pasi e kuptojnë se Banjska ishte një rrezik i madh.”

Sekretari Cameron, vendi i të cilit ka 600 forca paqeruajtëse në Kosovë, i bëri këto deklarata në përgjigje të pyetjeve të deputetes britanike Alicia Kearns, e cila kërkoi të dinte qëndrimin e Britanisë së Madhe për sulmin në Banjskë.

“Mendoj se është e rëndësishme për Britaninë e Madhe të shpjegojë se çfarë ka ndodhur atë ditë, pasi Vuçiçi mohon atë që ka ndodhur atë ditë. NATO-ja i shpërfilli shqetësimet e mia kur theksova vitin e kaluar se armët po futeshin ilegalisht në Kosovë dhe po fshiheshin në kisha,” tha gjatë debatit deputetja Kearns, duke e pyetur zotin Cameron nëse ishte e mundur që “Bashkimi Evropian dhe SHBA të ndryshonin qëndrim për të patur një pozicion më të drejt ndaj Kosovës.”

Zoti Cameron tha se mendon se “qëndrimi i Perëndimit, sa i përket Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, është hartuar para agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe duhet të mendojmë shumë se çfarë ka ndryshuar.”

“Rusia dëshiron ta destablizojë Ballkanin, dëshiron ta bëjë këtë përmes aleatëve të saj, përfshirë Serbinë dhe dëshiron t’i bëjë këto shtete, përfshirë Moldavinë, më pak të sigurta. Ne duhet të jemi të gatshëm që ta luftojmë një përpjekje të tillë, deklaroi ai.

Ai shtoi se politika e Britanisë së Madhe në rajon duhet të vazhdojë “të jetë e fortë dhe realiste.”

“Durimi ynë duhet të ketë një kufi,” deklaroi zoti Cameron.

Pas sulmit në Banjskë më 24 shtator diplomatët perëndimorë u vunë në përpjekje të reja për të përshpejtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon.

Nga Qeveria e Kosovës kërkohet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Qeverisë së Serbisë të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës.

Beogradi ka theksuar se nuk do të zbatojë asgjë që çon në njohjen e Kosovës.

Ndërkohë dyja palët kanë lejuar lëvizjen e lirë të makinave, pas muajsh përplasjesh që çuan në thellimin e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

Me 25 dhjetor Beogradi vendosi të lejojë lëvizjen e makinave me targa të Kosovës duke vendosur afishe në vendkalimet kufitare në të cilat thuhet se mundësimi i kalimit të kufirit me targa RKS bëhet “për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së “Kosovës”.

Qeveria e Kosovës po ashtu më 4 janar miratoi vendimin për largimin e regjimit të letër ngjitëseve për makinat me targa të Serbisë.

voa

Anija e parë amerikane e hapësirës në 50 vjet niset drejt Hënës, por has në sfida

Anija HeneRaketa e re “Vulcan” niset drejt hapësirës nga Florida, më 8 janar, 2024. Ajo po bart anijen e hapësirës “Peregrine” të kompanisë private amerikane “Astrobotics” drejt Hënës, duke nisur kështu garën mes kompanive private amerikane për të dërguar objekte në Hënë/AFP

 

Anija amerikane e hapësirës “Peregrine” u nis drejt hapësirës të hënën, për herë të parë 50 vjet pas uljes së njeriut në Hënë, duke nisur kështu një garë mes kompanive private për të dërguar objekte në Hënë.

Por rreth shtatë orë pas ngritjes, kompania “Astrobotics” njoftoi se paneli diellor i anijes nuk po pozicionohej si duhet për të përdorur energjinë diellore. Zyrtarët e kompanisë thanë se janë duke hetuar problemin.

Anija hapësinore e kompanisë nga Pitsburgu u nis për në Hënë përmes raketës së re “Vulcan”. Raketa u lëshua nga Florida para agimit, ndërkohë që anija, ishte planifikuar të ulej në Hënë më 23 shkurt, përmes një trajektoreje të tërthortë.

Kompania “Astrobotics” synon të bëhet biznesi i parë privat që ulet me sukses në Hënën, një arritje që deri tani është realizuar vetëm nga katër shtete.

Një kompani tjetër nga Hjustoni, ndërkohë ka përgatitur për fluturim një anije tjetër hapësinore dhe mund të ulet në Hënë përpara anijes “Peregrine”, duke përshkruar një trajektore më të drejtpërdrejtë.

Administrata Kombëtare Amerikane e Aeronautikës dhe Hapësirës, NASA, u ka dhënë këtyre dy kompanive miliona dollarë për të ndërtuar anijet e tyre hapësinore dhe për t’i dërguar në Hënë. Agjencia e hapësirës dëshiron që anijet kozmike të kompanive private të hulumtojnë paraprakisht vendin e uljes në Hënë, para dërgimit në të të astronautëve dhe që të realizojnë eksperimente teknologjike dhe shkencore për NASA-n, shtete tjera dhe universitete, si dhe duke u angazhuar me porosi të ndryshme për klientë të tjerë. Kontrata e kompanisë “Astrobotics” për anijen kozmike “Peregrine” ishte 108 milionë dollarë.

Hera e fundit kur Shtetet e Bashkuara nisën një mision në Hënë ishte në dhjetor të vitit 1972. Astronautët Gene Cernan dhe Harrison Schmitt me misionin “Apollo 17” u bënë personat e 11 dhe 12 që ecën në Hënë, duke përmbyllur një epokë që vazhdon të shihet si maja e arritjeve të NASA-s.

Programi i ri i agjencisë së hapësirës, i quajtur “Artemis”, sipas motrës binjake të Apollos në mitologjinë greke – planifikon të kthejë në sipërfaqen e Hënës astronautët gjatë disa viteve të ardhshme. Fillimisht është planifikuar një fluturim përreth Hënës me katër astronautë që mund të ndodhë para përfundimit të vitit.

Shtetet e Bashkuara janë deri më tani, vendi i vetëm që kanë dërguar njerëz në Hënë, vendet e tjera kanë ulur mjete në Hënë por pa ekuipazh.

Në vitet 1960 dhe 1970 Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara realizuan një mori uljesh të suksesshme në Hënë, para se ta ndërprisnin programin. Kina iu bashkua këtij grupi elitar në vitin 2013 dhe India në vitin 2023. Por vitin e kaluar, anije kozmike nga Rusia dhe nga një kompani private japoneze u përplasën në Hënë. Një anije kozmike e një organizate jofitimprurëse izraelite u përplas në Hënë më 2019.

Muajin e ardhshëm, SpaceX do të nisë anijen e saj nga “Intuitive Machines.” Edhe Nova-C ka gjasa të mbërrijë në Hënë në të njëjtën kohë përmes një rruge më të drejtpërdrejtë një javore. Këto dy anije kozmike mund të ulen në Hënë me një diferencë prej disa ditësh, ose brenda pak orësh nga njëri tjetri.

Përpos që do të bartë eksperimentet e NASA-s, kompania “Astrobotics” ka reklamuar edhe biznesin e saj të dërgesave, duke ngarkuar në anijen saj kozmike “Peregrine”, që ka një gjatësi prej 1.9 metrash, me sende të tjera, si një copëz guri nga Maja e Everestit, makina, me madhësinë e makinave të lodrave, që do të lëshohen në sipërfaqen e Hënës dhe do të lëvizin në të, e deri te hiri dhe ADN-ja e entuziastëve të hapësirës që kanë vdekur, përfshirë krijuesin e serialit “Star Trek” Gene Roddenebrry dhe shkrimtarin e zhanrit fantastiko-shkencor Arthur C. Clarke.

Fisi autokton i indianëve të Navajos ka kërkuar së fundmi që të shtyhet nisja e anijes kozmike për shkak të (hirit) mbetjeve njerëzore, duke thënë se një gjest i tillë do të ishte një “përdhosje e thellë” e universit, që konsiderohet i shenjtë për indianët autoktonë. Zyrtarët e udhëtimit në hapësirë thanë në dhjetor se kundërshtitë ndaj këtij procesi ishin bërë shumë vonë, por premtuan se do të provojnë të gjejnë “një zgjidhje të përshtatshme në të ardhmen” me këtë fis në misionet e tyre të radhës.

Kompania “Celestis”, njëra nga kompanitë që bleu hapësirë në anijen kozmike për të dërguar hirin, tha përmes një deklarate se asnjë kulturë apo fe e vetme nuk e ka pronë Hënën dhe nuk mund t’i lejohet e drejta e vetos për të ndaluar misione të tilla. Një pjesë e mbetjeve mortore gjenden po ashtu në kokën e raketës, e cila do të hidhet në orbitën e pafundme përreth diellit dhe mund t’i afrohet Marsit.

Çmimet e dërgesave në anijen kozmike “Peregrine” kapin shifrat prej disa qindra dollarëve deri në 1.2 milionë për kilogramë, që as për së afërmi nuk i afrohen kompensimit të shpenzimeve të kompanisë “Astrobotics”. Por, sipas zyrtarëve të kompanisë, në këtë fluturim të parë ky as nuk ishte qëllimi.

“Ëndërrat e shpresat e shumë njerëzve po varen nga ky mision,” deklaroi drejtori ekzekutiv i kompanisë “Astrobotics”, John Thornton.

voa

Teknologjia më e fundit në panairin për konsumatorët e elektronikës në Las Vegas

teknologjia las VegasPanairi për Konsumatorët e Elektronikës rikthehet në Las Vegas gjatë datave 9 – 12 janar. Rreth 3500 kompani nga mbarë globi pritet të demonstrojnë aty arritjet më të fundit në inteligjencën artificiale, kujdesin shëndetësor, transportin dhe fusha të tjera.

 

Mijëra vizitorë pritet të shikojnë, të dëgjojnë dhe të përjetojnë risitë më të fundit të teknologjisë në panairin më të fundit për konsumatorët e elektronikës, CES 2024, në Las Vegas.

Ky është aktiviteti më i madh i këtillë në botë dhe këtë vit pritet të zgjerohet edhe më tej, me 10% më shumë hapësira dhe me mbi 3500 kompani pjesëmarrëse.

“Përfaqësojmë vërtet të gjithë ekosistemin e teknologjisë. Pra mund të jenë kompanitë e kujdesit shëndetësor, të transportit, të dronëve, printerave tre dimensionalë, të teknologjisë së stilit të jetesës dhe të paisjeve shtëpiake inteligjente”, thotë John Kelley, drejtues i panairit CES.

Vetëm në kategorinë e transportit janë rreth 300 kompani prodhimi.

“Kjo përfshin kompani si BMW, Mercedes-Benz, Hyundai dhe Kia”, thotë zoti Kelley. Mbi 1 mijë prej tyre do të jenë kompani të reja.

“Shikoj sipërmarrës që janë shumë të apasionuar pas produktit të tyre; dhe nuk është thjesht një produkt për të nxjerrë fitim, por më shumë për të zgjidhur një problem”, thotë zoti Kelley.

Kjo përputhet edhe me tematikën e këtij panairi: “Teknologji për të Mirën”.

“Për mua kjo është më frymëzuesja, t’i shoh këto kompani që prodhojnë këto produkte me synimin e mirë për ta ndryshuar botën dhe për ta bërë atë një vend më të mirë”, thotë zoti Kelley.

Në ekspozitë pritet të dominojë inteligjenca artificiale, në veçanti në fusha jetike ku ka patur një rritje të madhe…

“Do të shihni se si inteligjenca artificiale drejton automobilët”, thotë zoti Kelley.

Inteligjenca artificiale është gjithnjë e më e pranishme edhe në sektorin e shëndetësisë.

“Është një fushë me rritje shumë të madhe. Shikojmë lloje të reja zgjidhjesh për të ndihmuar pacientët, për t’i lidhur ata me doktorët, me kompanitë e kujdesit shëndetësor, për t’u ofruar zgjidhje për përmirësimin e shëndetit të tyre”, thotë zoti Kelley.

Vizitorët do të arrijnë të shohin edhe mallra dhe shërbime nga kompani miqësore me mjedisin.

“Kompani që përdorin energjinë e pastër apo që demonstrojnë teknologji që ruan energjinë… E shohim këtë edhe kategorinë e bujqësisë dhe teknologjisë së ushqimit, ku kompanitë po demonstrojnë se si prodhojnë në një mënyrë më efikase, për të zgjidhur problemin e mungesës së ushqimit”, thotë zoti Kelley.

Organizatorët e panairit presin që të vijnë 130 mijë vizitorë nga 150 vende, me një prani të madhe nga Azia.

“Kina do të ketë një prani të lartë. Koreja do të ketë një prani të madhe. Azia është një treg kaq i rëndësishëm për ekosistemin e teknologjisë sa që nuk do të kishte panair pa një prani të fortë aziatike”, thotë zoti Kelley.

Duke sjellë teknologjinë më të mirë globale, gati një e treta e kompanive në panairin CES 2024 do të jenë nga vende të tjera.

voa

Ekspertët: Disa minuta ushtrime fizike në ditë mund të përmirësojnë shëndetin e zemrës

ushtrimeHulumtuesit thonë se një aktivitet i moderuar fizik, vetëm për disa minuta në ditë, mund të sjellë përfitime tek zemra e personave që nuk merren me ushtrime fizike. Studimet tregojnë se një ecje prej rreth 20 minutash në ditë, e ndjekur nga disa ushtrime në shtëpi për shtendosjen e muskujve dhe trupit, mund të ndihmojë në ruajtjen e zemrës dhe shëndetit në përgjithësi.

Pas qëndrimin ulur për një kohë të gjatë edhe ushqimeve të shumta gjatë sezonit të festave, Viti i Ri ofron një shans për të bërë ushtrime fizike shumë të nevojshme për trupin.

Një vrapim i shkurtër në park padyshim që do të sillte disa përfitime. Hulumtuesit thonë se vazhdimi i ushtrimeve fizike të moderuara është i mirë për shëndetin në përgjithësi.

“Ke më shumë përfitime nëse zëvendëson dhjetë minuta ulur me dhjetë minuta qëndrim në këmbë. Të gjitha hulumtimet tregojnë se sa i dëmshëm është qëndrimi ulur ose shtrirë. Pra, që nga shikimi i televizionit, udhëtimet, shtrirja në divan apo përqendrimi në telefon”, thotë Dr. Jo Blodgett.

Shkencëtarët në Institutin e Sportit, Fizkulturës dhe Shëndetit pranë Kolegjit Universitar të Londrës zhvilluan hulumtime se si lëvizshmëria dhe modelet e ndryshme të ushtrimeve gjatë 24 orëve janë të lidhura me shëndetin e zemrës.

Ata përpunuan të dhëna nga 15,000 individë nga vende të ndryshme të botës, përfshirë Britaninë e Madhe Australinë, Finlandën, Danimarkën dhe Holandën.

Ata hulumtuan se sa kohë shpenzonin ulur, në këmbë, në gjumë dhe duke bërë ushtrime fizike të kalibrit të lartë.

Në bazë të hulumtimeve ata renditën aktivitetet e ndryshme, duke filluar nga ushtrimet që rritën rrahjet e zemrës dhe ushtrimet e lehta fizike. Më pas u përqendruan tek energjia e harxhuar nga qëndrimi në këmbë, duke fjetur apo qëndruar ulur.

Studimi i publikuar në Gazetën Evropiane të Zemrës gjeti se pesë minuta ushtrime fizike të moderuara që nuk kalonin cakun e fizkulturës së vrullshme kishin një efekt pozitiv në shëndetin e zemrës në krahasim me qëndrimin ulur.

Hulumtimi u financua nga Fondacioni Britanik i Zemrës.

Autorja kryesore e hulumtimeve Jo Blodgett thotë se studimi tregon se lëvizja është gjithmonë e rëndësishme.

“Zëvendësimi i pesë minutave qëndrimi ulur me vrap ose çiklizëm u shoqërua me përfitime për shëndetin e zemrës. Por për të patur të njëjtin përfitim me qëndrimin në këmbë, do t’ju duhet të zëvendësoni disa orë në ditë me qëndrimin ulur”.

Ajo thotë se shkencëtarët krahasuan sa kohë do t’ju duhet të qëndroni në këmbë për të patur të njëjtat përfitime nga një vrapim ose nga ecja në park. Për shembull, qëndrimi në këmbë përpara kompjuterit gjatë punës ka përfitime, tregon studimi.

Sezoni dimëror është një mundësi ideale për të bërë ecje në park, thotë Dr. Snehal Pinto Preiera. Ajo thotë se një ecje prej 20 minutash në ditë është e këshillueshme nga shumica e organizatave të shëndetit publik.

“Nuk është e nevojshme të jetë një ushtrim fizik i vështirë. Mbështetja në murë dhe shtytja. Pra ushtrime të lehta fizike, madje mbajtja e çantave me ushqime kur bën pazarin”, thotë Dr. Snehal Pinto Pereira.

Një mënyrë e shëndetshme për të nisur Vitin e Ri.

voa

SHBA, Gjykata e Lartë kërkon kujdes në përdorimin e Inteligjencës Artificiale

gjykata e larteKryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts kërkoi vetpërmbajtje nga strukturat e zbatimit të ligjit në përdorimin e Inteligjencës Artificiale përmes raportit të fundvitit prej 13 faqesh.

 

Raporti po vlerësohet nga mediat amerikane si me qëndrime të dyfishta pasi zoti Roberts nuk u shpreh në tërësi as pro e as kundër përdorimit të Inteligjencës Artificiale. Ai tha se kjo teknologji ka potencialin për shembull të ndihmojë gjykatat në zgjidhjen e rasteve më shpejt dhe me më pak kosto. Por, zoti Roberts vuri në dukje gjithashtu shqetësimet rreth privatësisë dhe faktin që kjo teknologji e re ende nuk e ka nivel e gjykimit njerëzor.

Ai parashikon që gjyqtarët njerëzorë nuk do të zëvendësohen së shpejti nga teknologjia, por, shton se, “me të njëjtin besim parashikoj se puna, veçanërisht kur bëhet fjalë për proceset gjyqësore, do të ndikohen ndjeshëm nga Inteligjenca Artificiale. Për këtë ai thekson se “çdo përdorim kërkon kujdes dhe vetëpërmbajtje”.

Komenti i Kryetarit të Gjykatës së Lartë vlerësohet si diskutimi më domethënës deri më sot për ndikimin e Inteligjencës Artificiale në ligj dhe përkon me një numër gjykatash më të ulëta që po bëjnë përpjekje për të gjetur mënyrën më të mirë për t’u përshtatur me një teknologji të re të me aftësi të jashtëzakonshme, por që gjithashtu ka treguar prirje për të gjeneruar përmbajtje fiktive që këtu quhen “halucinacione”.

Zoti Roberts përmendi një rast ku të ashtuquajturat halucinacionet e Inteligjencës Artificiale kishin nxitur avokatët të citonin raste që nuk kanë ndodhur asnjëherë në dokumentet e gjykatës.

Ai nuk e përmendi se për cilin rast bëhet fjalë, por mediat me shpejtësi kujtuan rastin e javës së kaluar kur Michael Cohen, ish avokati i Donald Trumpit, ish presidentit të Shteteve të Bashkuara, e kishte pranuar se ai gabimisht iu kishte dhënë avokatëve citate false që kishin arritur të bëhen pjesë e dokumentacionit që ishte pranuar nga Gjykata.

Një rregull i ri i propozuar nga një gjykatë federale në Nju Orlins do t’u kërkonte avokatëve të vërtetojnë se ata nuk janë mbështetur tek programet e inteligjencës artificiale, si ChatGPT apo OpenAI, për të hartuar përmbledhjet apo se njerëzit kanë rishikuar saktësinë e një teksti të krijuar nga kjo teknologji në dosjet e tyre gjyqësore.

voa