Escobar: Aktualisht kemi problem komunikimi me kryeministrin Kurti

EscobarI dërguari i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të martën se “partneriteti ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është në mes të popullit amerikan dhe popullit të Kosovës dhe nuk varet nga një njeri apo një parti”, duke i bërë jehonë një qëndrimi të përsëritur ditëve të fundit nga zyrtarë amerikanë që bëjnë dallimin ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve të Kosovës.

 

Ai i bëri këto komente në një bashkëbisedim me gazetarë nga Brukseli prej nga filloi një vizitë në Evropë, gjatë së cilës pritet të qëndrojë në Prishtinë, për të diskutuar rreth procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe çështjen e përdorimit të dinarit në zonat e banuara me shumicë serbe.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kosova të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërsa kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.

“Më duhet të them se aktualisht kemi problem komunikimi me kryeministrin (Albin Kurti) dhe ky nuk është problem vetëm i Shteteve të Bashkuara. Mendoj se është problem në komunikim që Kosova ka me Bashkimin Evropian, me NATO-n, me Britaninë e Madhe, me Shtetet e Bashkuara dhe shumë partnerë të tjerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha zoti Escobar, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara kanë pasur “një partneritet shumë, shumë të afërt me Kosovën në të kaluarën; do të na pëlqente shumë që ta kthejmë atë lloj marrëdhënie sërish siç ishte dikur.”

Zoti Escobar i bëri thirrje qeverisë së Kosovës t’i marrë parasysh shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar lidhur me trajtimin e pakicave, ndërsa numëroi disa arsye shqetësuese lidhur me zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e dinarit.

“E para është shpejtësia e zbatimit. Nuk e diskutojmë legjitimitetin e vendimit por zbatimin e tij. U desh pothuajse një vit për të zbatuar vendimin për përdorimin e euros, ndërsa në veri të Kosovës duan ta zbatojnë për më pak se tri javë. E dyta, qeveria nuk afroi alternativë që njerëzit të marrin pagesat që u takojnë. Dy javë para shpalljes së vendimit Kosova u pajtua bashkë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor për një mekanizëm pagesash që do të hyjë në fuqi deri në fund të vitit. E pesta, ne po përpiqemi të bindim Kosovën të lejojë komunitetin ndërkombëtarë që të ofrojë ndihmë teknike për të zgjidhur këtë çështje. Kosova duhet të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje për këtë vendim që ishte katastrofik dhe jokompetent”, tha zoti Escobar.

Ai i bëri thirrje Kosovës të përmbushë detyrimin ligjor për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili sipas tij do të ndihmonte zgjidhjen e çështjes së dinarit, ndërsa e siguroi Kosovën se Asociacioni nuk do të jetë një Republikë Serbe dhe as shtet brenda shtetit.

Diplomatët amerikanë kanë paralajmëruar Prishtinën se mungesa e bashkërendimit pengon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike. Zoti Escobar tha se rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s kalon nëpër pesë vendet që nuk e njohin pavarësinë e saj dhe të gjitha ato duan të shohin përparim në çështjet që janë në pajtim me dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Duke e injoruar dialogun, Kosova po i injoron partnerët evropianë. Është e pamundur për ne që t’i bindim ata të ecin përpara drejt integrimit të mëtejmë të Kosovës. Jam shumë i shqetësuar që Kosova nuk po dëgjon ofertën amerikane për partneritet në çuarjen më tej dhe më shpejt integrimin e Kosovës”, tha zoti Escobar.

Ai u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër dhe të shmangin çdo provokim që mund të dëmtojë marrëveshjet dhe të krijojë më shumë tensione ndërmjet dy vendeve.

Vëzhgues të pavarur kanë theksuar shpesh se qasja amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor ka ndryshuar pas agresionit rus në Ukrainë. Por zoti Escobar tha se ka ndryshuar urgjenca për trajtimin e sfidave ndaj qëndrueshmërisë evropiane. Në këtë kuadër tha ai, është shumë më urgjente të zgjidhen disa nga sfidat në Ballkanin Perëndimor dhe kjo përfshinë hapjen e rrugës që Serbia të jetë më e integruar në strukturat euro-atlantike.

“Duke e bërë këtë, duam të sigurohemi se nuk i sakrifikojmë aleancat dhe partneritetet tona të tjera në rajon. Kosova është një nga to. Kosova është partner shumë i rëndësishëm”, tha ai.

Zoti Escobar i cili do të qëndrojë edhe në Mal të Zi, tha se zgjidhja e sfidave në Ballkan do të mbyllte mundësitë për Rusinë që të shfrytëzojë çfarëdo paqëndrueshmërie në rajon, për të dobësuar sigurinë transatlantike.

voa

Kurti: Serbia dhe Rusia janë burim i kërcënimeve për sigurinë në rajon

KurtiKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se rreziqet për sigurinë në Kosovë nuk vijnë nga dallimet ndër etnike përbrenda, por nga, siç tha, shtetet jodemokratike si Serbia e Rusia.

 

Ai i bëri këto komente një ditë pasi agjencitë amerikane të zbulimit publikuan vlerësimin e përvitshëm të kërcënimeve të sigurisë, në të cilin thuhet se Ballkani Perëndimor mund të përballet me një rrezik në rritje të dhunës ndëretnike gjatë vitit 2024.

“Konfliktet nuk janë ndëretnike, nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikt, por është autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotizmin në Moskë. Ne kemi paralajmëruar kaherë që shtetet jodemokratike edhe në rajonin tone, jo vetëm në lindje të Evropës, janë në rrezik për sigurinë dhe paqen por natyrisht që këtë gjë hollësisht dhe thellësisht sikurse Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund ta dijë askush”, tha kryeministri Kurti.

Ai i bëri këto komente pas përurimit të Qendrës Shtetërore për Siguri Kibernetike në Kosovë, e cila sipas tij, hyn në kuadër të përgatitjeve për ruajtjen e tërësisë tokësore, sovranitetit dhe sigurisë së qytetarëve. “Ne e kemi të qartë që fqinji jonë verior është agresiv dhe nevrik, mirëpo kjo na bënë të kujdesshëm e assesi të frikësuar”, tha ai.

Në raportin e agjencive amerikane të zbulimit thuhet se “udhëheqësit nacionalistë ka të ngjarë të përshkallëzojnë tensionet për përfitimin e tyre politik ndërsa aktorët e jashtëm do të shfrytëzojnë dallimet ndëretnike për të rritur ose ruajtur ndikimin e tyre rajonal ose për të penguar integrimin më të madh të Ballkanit në Bashkimin Evropian dhe institucionet euroatlantike”.

Aty përmenden përleshjet mes “nacionalistëve serbë dhe autoriteteve të Kosovës” të vitit të kaluar, të cilat “çuan në vdekje dhe plagosje, duke përfshirë lëndimet e paqeruajtësve të NATO-s”.

Ndonëse 2023-ta shënoi arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, viti u përshkua me tensione të njëpasnjëshme posaçërisht në veri të Kosovës, të cilat kulmuan me sulmin ndaj policisë së Kosovës me 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Sulmi ndaj policisë së Kosovës ka shtuar shqetësimet se Rusia mund të përpiqet të destabilizojë Ballkanin Perëndimor për të hequr vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë. Nën trysninë e zhvillimeve në terren, diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të përshpejtuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke i kërkuar Prishtinës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ndërsa Beogradit njohjen de fakto të Kosovës.

voa

Zbulimi amerikan: SHBA përballë një “rendi botëror gjithnjë e më të brishtë”

zbulimi amerikanAgjencitë amerikane të zbulimit thanë të hënën se SHBA përballet me një “rend botëror gjithnjë e më të brishtë”, të tensionuar nga konkurrenca e fuqive të mëdha, sfidat ndërkombëtare dhe konfliktet rajonale.

 

Këto përfundime janë pjesë e një raporti të përvitshëm nga drejtuesit e këtyre agjencive, që u paraqitën në një seancë të Senatit amerikan.

“Një Kinë ambicioze por e trazuar, një Rusi konfrontuese, disa fuqi rajonale, si Irani, dhe aktorë joshtetërorë po sfidojnë rregullat e vjetra të sistemit ndërkombëtar, si dhe epërsinë e Shteteve të Bashkuara brenda tij,” thuhet në raportin vjetor të agjencisë për kërcënimet botërore që mbulon zhvillimet e vitit 2023.

“Sulmi i HAMAS-it kundër Izraelit në tetor 2023 dhe fushata ushtarake e Izraelit si kundërpërgjigje në Gazë ka rritur tensionet në të gjithë rajonin, ndërsa faktorët që veprojnë në emër të Iranit dhe partnerët e tij veprojnë kundër SHBA-së dhe Izraelit, si në mbështetje të HAMAS-it ashtu edhe për të bërë presion ndaj Shteteve të Bashkuara”, thuhet në raport.

Drejtorja e Zbulimit Kombëtar amerikan, Avril Haines tha para Senatit se është “vështirë të imagjinohet se si mund ta mbajë Ukraina territorin e rifituar, pa ndihmë të mëtejshme nga Shtetet e Bashkuara”.

Ajo tha gjithashtu se ka pasur një rrije masive të sulmeve kibernetike në vitin 2023, 74 për qind më shumë se në vitin 2022.

“Gjatë dekadës së fundit, një gërryrje e demokracisë në mbarë botën, sfidat në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me aleatët dhe sfidat ndaj normave ndërkombëtare e kanë bërë më të vështirë për SHBA-në dhe aleatët e saj të trajtojë çështjet globale, duke krijuar më shumë mundësi për qeveritë dhe grupet e papërgjegjshme që të veprojnë me pandëshkueshmëri”, thuhet në raport.

Raporti detajon kërcënimet në pjesë të ndryshme të botës.

 

Ballkani Perëndimor

Lidhur me Ballkanin Perëndimor, në raport thuhet se ky rajon “ndoshta do të përballet me një rrezik në rritje të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024”.

“Udhëheqësit nacionalistë ka të ngjarë të acarojnë tensionet për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të nxisin dhe shfrytëzojë dallimet etnike. për të zgjeruar ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal, ose për të penguar integrimin e mëtejshëm të Ballkanit në BE ose në institucionet euroatlantike”, thuhet në raport.

Aty përmenden si shembuj ngjarjet në Banjskë në shtator, ku “përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare shkaktuan vdekje dhe plagosje, përfshirë lëndimet e paqeruajtësve të NATO-s, në vitin 2023”, si edhe veprimet provokuese të udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.

voa

Zbulimi amerikan: Ballkani Perëndimor

zbulimi amerikan

Ballkani Perëndimor

Lidhur me Ballkanin Perëndimor, në raport thuhet se ky rajon “ndoshta do të përballet me një rrezik në rritje të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024”.

“Udhëheqësit nacionalistë ka të ngjarë të acarojnë tensionet për avantazhin e tyre politik dhe aktorët e jashtëm do të nxisin dhe shfrytëzojë dallimet etnike. për të zgjeruar ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal, ose për të penguar integrimin e mëtejshëm të Ballkanit në BE ose në institucionet euroatlantike”, thuhet në raport.

Aty përmenden si shembuj ngjarjet në Banjskë në shtator, ku “përleshjet mes nacionalistëve serbë dhe autoriteteve kosovare shkaktuan vdekje dhe plagosje, përfshirë lëndimet e paqeruajtësve të NATO-s, në vitin 2023”, si edhe veprimet provokuese të udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.

voa

Besa Sharrah, shqiptaro-amerikania që kandidon për në Senatin e Ohajos

BesaNë zgjedhjet për Senatin në Shtetin e Ohajos që do të mbahen më 5 nëntor, për herë të parë do të kandidojë edhe një shqiptaro-amerikane. Besa Sharrah, e cila garon në emër të Partisë Republikane, po bën fushatë për të qenë anëtare e organit ligjvënës në shtetin ku mbërriti si emigrante, në vitin 2005.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ajo thotë se familja e saj, e persekutuar nga komunizmi, nxiti tek ajo ambicien për të luftuar për mbrojtjen e demokracisë, prandaj u aktivizua politikisht shumë e re, ndërsa prej 11 vjetësh është angazhuar në strukturat republikane, derisa mori mbështetjen e partisë, për të garuar për në Senat.

Në bisedën me gazetaren Klementina Cenkollari, ajo tregon synimet e saj në këtë fushatë, por edhe arsyet që e kanë shtyrë për t’u përfshirë në lëvizje që lidhen me diasporën shqiptare, si lëvizja për të siguruar të drejtën e votes për emigrantët.

Besa Sharrah e nisi rrugëtimin e saj në Shtetet e Bashkuara, rreth 20 vjet më parë.

“Unë erdha këtu për të studiuar, kur isha 17 vjeç. Erdha për të studiuar në ‘Wright State’, në Ohajo, për inxhinieri mekanike. Aty u diplomova dhe u bëra inxhiniere, fillova dhe karrierën time dhe fillova dhe praktikova për 7 vjet, derisa mora pozicion lidershipi ku drejtova skuadra inxhinierësh. Kam patur karrierë dhe në pjesën e IT për bankat, kam punuar me dy kompani, JP Morgan dhe Nationwide Insurance”, tregon ajo.

Dëshira për t’u përfshirë në politikë thotë ajo, nuk është aspak rastësi, pasi është rritur me shtysën për të vepruar në mbrojtje të demokracisë. Rrënjët për këtë janë tek vuajtjet e familjes para vendosjes së rendit demokratik në Shqipëri.

“Unë vij nga një familje shumë e persekutuar në Shqipëri. Vij nga familja Sharrah. Ne ishim një familje që mbështesnim demokracinë në çdo kusht. Mbështesnim të drejtat individuale dhe kjo ishte diçka që ishte në kundërshtim me sistemin diktatorial dhe për këtë ata ekzekutuan 7 persona të familjes sime, të gjithë të shkolluar jashtë, me një vizion demokratik për vendin, për të sjellë perspektivën perëndimore gjithashtu në Shqipëri”, shprehet ajo.

Ajo tregon se fillimisht, u bë pjesë e aktiviteteve politike në nivel lokal, në qytetin Kolombos, ku jetonte, por se vazhdimisht synonte të ishte pjesë fushatave të ndryshme që ndodhnin më gjerë, në gjithë shtetin e Ohajos. Prej 11 vjetësh, ajo ka qenë pjesë e stukturave të Partisë Republikane, në emër të së cilës do të garojë për në Senatin e Ohajos.

“Unë jam shqiptarja e parë këtu në Ohajo, që do të bëhet, me shpresën tek Zoti, pjesë e legjislaturës së Ohajos, këtu në Amerikë. Presidenti i Senatit të Ohajos ndjeu se unë do të isha një kandidate shumë e mirë për këtë pjesë të elektoratit, edhe për faktin që jam emigrante, jam ajo që ne e quajmë amerikane e re.

E pyetur nëse është më e lehtë, apo më e vështirë, të bësh fushatë si emigrante, ajo thotë se “jemi në një moment shumë unik. Po të më pyesje për shembull edhe 10 vjet para, të ishe pjesë e Partisë Republikane si një emigrante, nuk ishte diçka që ishte normale. Madje, të thonin, po ti çfarë pune ke atje sepse këta nuk i duan emigrantët, e të tjerë e të tjerë. Dhe në fakt unë ndjeja një të vërtetë komplet ndryshe. Ajo dëshira e republikanëve, sidomos për të pasur emigrantë në rangjet e tyre, të cilët janë, jo vetëm me shkollë, por edhe kanë background-in që ne kemi e sistemeve të tjera unike, siç ishte sistemi shqiptar, që ishte një diktaturë”.

Sipas saj, kjo ka shërbyer si një mënyrë shumë e mirë për personat që janë në pozitë të kuptojnë që duhen kandidatë që rikujtojnë se përse Amerika është vendi i ëndrrave, pse Amerika është toka e premtuar për shumë emigrantë.

“Kjo ka reflektuar tek unë si një kandidate që vjen nga një vend I diktaturës dhe nga një familje shumë e persekutuar nga diktatura. Unë kam një perspektivë ndryshe për t’i thënë njerëzve që diktatura dhe demokracia nuk janë aq larg njëra tjetrës ndaj duhet të ruajmë të drejtat tona me çfarë mundësisht kemi dhe të qëndrojmë vigjilentë mbi demokracinë tonë”, thekson ajo.

Zonja Sharrah beson se vendimi i partisë për ta kandiduar lidhet edhe me karrierën e saj në fushën e sektorit privat. Ajo thotë se elektorati në distriktin 16 në shtetin e Ohajos, ku ajo synon të sigurojë votat, përballet me të njëjtat sfida që përballen shumë amerikanë në rang kombëtar ditët e sotme, si inflacioni i lartë apo edukimi.

“Ne kemi një inflacion të paprecedentë, të paktën për sa kohë unë kam jetuar këtu. Kemi parë edhe një rritje të çmimeve të shtëpive që e ka bërë edhe më të vështirë për qytetarin të ketë një ekonomi të qartë dhe të qetë për mënyrën se si do të jetojë. Gjithashtu, edukimi dhe shkollat vazhdojnë të jenë një pjesë e madhe e advokimit tim.

Ndërsa vazhdon veprimtarinë e saj politike në Shtetet e Bashkuara, zonja Sharrah ka qene aktive edhe për çështje prekin diasporën shqiptare, siç është e drejta e emigrantëve për të votuar.

“Kushtetuta e një vendi duhet implementuar në gjithësinë e saj. E drejta e votës për diasporën është e drejtë që garantohet në Kushtetutë. Dhe në këtë moment ne nuk e kemi këtë të drejtë. Unë jam një shqiptaro-amerikane dhe dëshira ime është që këto lidhje të vazhdojnë me Shqipërinë, sidomos në këto momente kaq delikate për demokracinë shqiptare. Për sa kohë vota e diasporës nuk implementohet, mendoj që shteti shqiptar është në kundërshti të plotë me Kushtetutën shqiptare dhe për këtë arsye unë e mbështes votën e diasporës, thekson ajo”.

E pyetur se çfarë do të thoshte për fitorja në këto zgjedhje, ajo thotë se do të ishte një endërr e realizuar.

“Do të ishte kurorëzim i një ëndrre shumë, shumë të gjatë. Kjo është një ëndërr, është një ëndërr që unë e ndjej dhe ditë për ditë mendohem për këtë pjesë.

E para dhe më e rëndësishmja do të ishte fakti që më në fund një qytetare e ardhur nga një vend tjetër, e ardhur këtu, jo e lindur këtu, do të ketë mundësinë jo vetëm të vëzhgojë nga anët hartimin e ligjeve në shtetin e saj, por tani të jetë pjesë e ligjeve duke sjellë perspektivë ndryshe, duke sjellë një narrative ndryshe. Kjo është e lidhur edhe me faktin që jemi në një moment shume unik në shtetin amerikan. Shteti amerikan është një shtet emigrantësh. Unë mendoj se është mëse e drejtë, të kemi njerëz, që si unë e duan këtë vend, duan ta shikojnë të vazhdojë në rrugën e duhur dhe të ruajmë atë ëndrrën amerikane për të cilën ne erdhëm të gjithë këtu”.

voa

Porto Romano bazë detare e NATO-s? Begaj: Pritet miratimi politik

Bajram BegajPresidenti Bajram Begaj bëri me dije në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH se baza detare e Porto Romanos tashmë është në axhendën e NATO-s.

 

Pas takimit me komandantin e NATO-s, gjeneralin Christopher Cavoli, Begaj tha se është në planet e NATO-s që baza detare e Porto Romanos të përcaktohet si bazë mbështetëse për Aleancën dhe se tashmë pritet të marrë miratimin politik.

Edhe kjo temë pati vendin e saj në diskutimin tonë dhe u vlerësua shumë ceremonia hapëse e bazës ajrore taktike të Kuçovës që për ne është një investim strategjik ndërsa për NATO-n është forcim i kapaciteteve në atë rajon he patjetër që NATO është një organizatorë politko-ushtarke që forcën nuk e ka vetëm te ushtria, por edhe politike. Duke qenë në atë rajon NATO dha mesazhin e plotë që është organizatë mbrojtëse dhe nëpërmjet mbrojtjes ajo mbron vlerat demokratike të asaj që ajo përfaqëson.

U diskutua edhe për objektivin tjetër madhor që ka Shqipëria për dhënien në dispozicion të Aleancës edhe të një baze detare dhe Portio Romano është vlerësuar nga Komanda Operacionale e Napolit dhe patjetër që është në planet e NATO-s për t’u përcaktuar si një bazë suportive. Nuk është më një dëshirë e jona por është futur në planet konceptuale të NATO-s për të marrë miratimin politik të saj sepse kuptohet që vlerësohet nga pikëpamja e strategjisë ushtarake dhe më pas merret vendimi politik”, deklaroi Presidenti.

rtsh

Karamuço: Çështja e armatimeve u zbulua kur u arrestuan 3 rusët në Gramsh

KaramucoPër ekspertin e Kriminalistikës, Ervin Karamuço,  opinioni e ka marr vesh në mënyrë indirekte për sa i përket çështjeve të municioneve që mund të nxiten disa linja të prodhimit të tyre në Shqipëri, në momentin kur janë kapur tre shtetas rus në Gramsh.

 

Në emisionin “3D nga Alban Dudushi”, Karamuço tha se “ të tre rusët e kapur në Shqipëri, njëri ishte ekspert kimik, një tjetër ishte IT dhe tjetra ishte blogere, që bënte dhe mbulimin e veprimtarisë në teren.

Kur u kap kimisti, ai menjëherë u zbërthye nga autoritete dhe deklaroi se ne jemi të ngarkuar nga një person i cili i përket GRU-së, departament që bënë të mundur analizimin e gjithë fizibilitetin në teren të gjithë vendeve të NATO-s.

Në këtë deklarim, tha Karamuço , “është thënë dhe fakti që ata kishin vizituar dhe qendrat e vjetra të prodhimit ushtarak duke u kamufluar si bloger. Në fakt ata kanë pasur një informacion që do të rifillonte linjat e prodhimit të municionit 5.56 mm të municioneve në standard NATO.

Në atë kohë tha ai, na u duk e çuditshme sepse atje ka vetëm disa rrënoja , askush nuk e besoj se kjo do të ishte e vërtetë por mesa duket ata janë shumë më përpara në analizën që bëjnë dhe në informacionet që kanë.

“pra ata kishin ardhur për këtë qëllim dhe jo për relika ushtarake. Ndërkohë ata në materialet e tyre filmime kishin regjistruar gjithçka dhe strukturat tona kritike.  Filmime dhe fotografime të digave tona.

rtsh

“Prioritet, prodhimi i municioneve në ritmin që kërkon lufta në Ukrainë”, NATO: Bazë në Porto Romano? Presim ofertat e aleatëve

NatoAleanca e Atlantikut të Veriut, NATO e ka vendosur ndër prioritetet e veta kryesore rritjen e prodhimit të armëve, nisur nga konflikti në Ukrainë.

 

Në një reagim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, zyra e NATO-s në Bruksel u shpreh në lidhje me idenë e rivitalizimit të industrisë së armëve në Shqipëri se diskutimet mes aleatëve vazhdojnë për “rritje të prodhimit të municioneve”.

“Rritja e prodhimit të armëve është një nga prioritetet kryesore të NATO-s. Siç tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në konferencën e tij për shtyp pas Takimit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në shkurt, diskutimet mes aleatëve vazhdojnë për “rritje të prodhimit të municioneve. Në mënyrë që të rimbushim rezervat tona dhe të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, ne duhet të kalojmë nga ritmi i ngadaltë i kohës së paqes, në prodhimin me ritëm të lartë të kërkuar nga konflikti. Për ta bërë këtë, prodhuesit kanë nevojë për kontrata të nënshkruara dhe vetëm në muajt e fundit, NATO ka rënë dakord për kontrata me vlerë dhjetë miliardë dollarë. Kjo ndihmon Ukrainën, e bën NATO-n më të fortë dhe ofron më shumë vende pune me aftësi të larta në Evropë dhe Amerikën e Veriut”, është qëndrimi i NATO-s.

Po ashtu, në prononcimin për ATSH, zyra e NATO-s në Bruksel thekson gjithashtu se ekspertët e saj janë duke vlerësuar mundësinë për të investuar në bazën detare të Durrësit, Porto Romano.

“Në lidhje me Porto Romanon, ne mirëpresim ofertat e aleatëve për të pritur objektet e NATO-s. Ekspertët tanë shikojnë të gjitha ofertat e tilla dhe më pas japin këshilla bazuar në kërkesat ushtarake të Aleancës”, vijon reagimi i NATO-s për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Pyetur për hapjen së fundmi të bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, zyra e NATO-s në Bruksel u shpreh se do i shërbejë vendit.

“Baza ajrore e Kuçovës do t’i shërbejë Shqipërisë dhe do të mbështesë logjistikën, operacionet ajrore, stërvitjen dhe stërvitjet e Aleancës së NATO-s”, bëri të ditur NATO për ATSH.

 

rtsh

DASH për REL-in: Radoiçiqi është kriminel që duhet të mbahet përgjegjës

Radojcic GjuricDepartamenti Amerikan i Shtetit tha se është në dijeni të raportimeve të mediave për takimin mes Marko Gjuriq, ambasadorit serb në Shtetet e Bashkuara dhe Milan Radoiçiq, i cili është në listën e zezë të SHBA-së për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar.

 

“Ne kemi një qëndrim të qartë për zotin Radoiçiq. Ai ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, përmes avokatëve të tij. Ai është një kriminel që duhet të mbahet përgjegjës”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, për Radion Evropa e Lirë.

Shtohet se Serbia duhet të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin “e kryer nga strukturat paraushtarake në Banjskë të Kosovës, që rezultoi me vdekjen tragjike të një rreshteri të Policisë së Kosovës”.

Në rrjetin social X është publikuar më 9 mars një fotografi ku shihet Marko Gjuriq, ambasadori aktual i Serbisë në Uashington dhe Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, i cili është në listën e sanksioneve amerikane.

Në foto Gjuriq dhe Radoiçiq shfaqen së bashku në një restorant. Nuk dihet se kur dhe ku është bërë fotografia, si dhe kush është autori.

Gjithashtu nuk dihet nëse fotografia është bërë në kohën kur Gjuriq ishte ambasador i Serbisë në SHBA.

Radio Evropa e Lirë nuk arriti të përcaktonte vërtetësinë e fotografisë.

Marko Gjuriq, i cili pas publikimit të fotografisë tha se nuk duhet të turpërohet për kontaktet e tij, nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë për detajet e takimit me Radoiçiqin dhe se kur është bërë fotografia.

Ish-drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverisë së Serbisë, është emëruar ambasador në Uashington në tetor të vitit 2020.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq iu referua shkurtimisht fotografisë së Gjuriqit dhe Radoiçiqit në një konferencë për shtyp më 10 mars.

“Unë nuk e pyeta atë [Marko Gjuriqin] kur, ku, apo pse. Madje nuk e pyeta nëse u ngrit nga tavolina e tij për të parë Milan Radoiçiqin, për t’u ulur për një ose dy minuta, apo nëse ai erdhi me të”, tha Vuçiq.

Bashkimi Evropian tha më herët më 11 mars se nuk u takon atyre të komentojnë për çdo takim të zyrtarëve serbë, por se “me kë takoheni flet për ju”.

“Sidomos nëse bëhet fjalë për të dyshuar për vepra kriminale,” tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano më 11 mars në përgjigje të pyetjes së një gazetari gjatë një konferencë për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.

Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur i serbëve vrau policin kosovar Afrim Bunjaku në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës.

Në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë.

Kosova akuzon Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar e kundërshton atë.

Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për sulmin, kaloi një ditë në paraburgim dhe më pas u lirua për t’u mbrojtur me kusht që të mos largohej nga Serbia dhe të mos shkonte në Kosovë.

Lidhur me rrjedhën e procedurës kundër tij në Serbi, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë më 8 shkurt se dëshmia e të dyshuarit Radojiçiq është duke u kontrolluar.

rel

Lista e VLEN/ Zënka mes liderëve, Kasami mund të ngelet me 1 deputet?

VLENLista e partive politike gjithnjë ka qenë cak i përleshjeve verbale mes anëtarëve, simpatizeusve dhe liderëve. Sa më afër afrohet data për të dorëzuar listat e partive politike në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, aq më e ndezur bëhet situata në çdo parti.

 

 

Gara më e vështirë paraqitet në koalicionin VLEN ku në këtë koalicion marrin pjesë pesë parti politike. Siç mëson portali TS, një situatë e tensionuar paraqitet në zonën 6 të VLEN ku shumë emra të njohur që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në partinë BESA do të ngelen jashtë listës për tju ofruar në listë që të jenë kandidat të Alternativës që nuk ka shumë vota, LD-së së Izet Mexhitit, ASH-së së Taravarit që në Tetovë në zgjedhjet e fundit mori 770 vota dhe VV-së së Albin Kurtit.

Pse Lëvizja BESA dhe Bilall Kasami do të ngelet në këto zgjedhje me 1 deputet?

Lideri i BESËS, Bilall Kasami do të garojë si bartës liste në zonën 6 dhe më pas do të jep dorëheqje për të vazhduar më pas si kryetar komune.

Siç mëson ekskluzivisht TS, pas Kasamit do të jetë Halil Snopçe deputeti aktual i ASH-së së Arben Taravarit, më pas në radhë vjen nga LD-ja e Izet Mexhitit që do të jetë femër, pas saj radhitet Alterantiva ose Bekim Qoku i VV-së dhe në numër 6 duhet të jetë sërish kandidatja e Bilall Kasamit që duhet të jetë femër.

Nëse kjo do të ishte radhitja e listës, Kasami do të ngelet me një deputete femër, pasi Bekim Qoku nuk del në zonën 5, sepse atje e ka humbjen e sigurtë sipas anketave dhe këtu po përballet me një presion të paparë nga Fatmir Limani i cili e ka siguruar numrin 5 në zonën 6 dhe nuk dëshiron që Bekim Qoku tia zë vendin e tij.

Në zonën 5 sipas anketave VLEN nuk do të merr asnjë deputet.

Në zonën 2, si bartës liste do të jetë Afrim Gashi më pas LD-ja, ASH-ja dhe në fund BESA pasi Lëvizja BESA në zonën 2 është më pak aktive dhe ka më pak vota. Sipas anketave të fundit VLEN mund të fitojë 1 maksimum 2 deputet në zonën 2.

Në zonën 1 si bartës liste do të jetë Izet Mexhiti më pas Alternativa, Lëvizja BESA dhe në fund ASH-ja e Taravarit. Sipas anketave të fundit gjasat minimale i ka që VLEN të fitoj më shumë se 2 deputet në zonën 1.

Nëse VLEN do të vulos këto kombinime të deputetëve dhe sipas anketave të fundit atëherë i bie:
– Bilall Kasami – 1 deputete femër
– Izet Mexhiti – 3 deputet
– Afrim Gashi – 2 deputet
– Arben Taravari – 2 deputet
– Albin Kurti – 1 deputet

Total 9 Deputet

Ende nuk dihet se si do të jetë lista përfundimtare, por gjasat reale janë që kjo të jetë një nga kombinimet që VLEN të fitojë më shumë deputet. /TS/