Zbatimi për pronat e Manastirit të Deçanit në këmbim të anëtarësimit në KiE

KEMuaji prill pritet të jetë vendimtar për sa i përket fatit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kur nis sesioni pranveror i Asamblesë Parlamentare.

 

Kosova do të shkojë atje me synimin për të marrë sinjalin për të ecur pastaj në fazën tjetër, e cila ka karakter politik e që është seanca ministrore. Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë të lartë qeveritarë.

Në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ish-kryediplomatja greke, Dora Bakoyanis, do të paraqesë raportin gjithpërfshirës. Nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës është mësuar se kritika që do të paraqitet karshi autoriteteve të Kosovës do të jenë vlerësimet e ekzekutivit për vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë kontekst, në fokus është mos-zbatimi i vendimit të Kushtetueses sa i përket pronave të Manastirit të Deçanit.

Nga Qeveria e Kosovës mësohet se për këtë temë, e cila në aspektin zbatues i bie barrë autoriteteve komunale të Deçanit, pritet të ketë thirrje inkurajuese për zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Kjo përkundër qëndrimit të mëparshëm të kësaj qeverie karshi këtij vendimi. Megjithatë nga zyrtarët e lartë qeveritarë ky po shihet si “kompromis” për të marrë mbështetje në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Pjesa tjetër e raportit, sipas autoriteteve qeveritare, konfirmon progresin e Kosovës andaj edhe përbën bazë për të shpresuar në sinjale pozitive.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse në Këshillin Ministror të Këshillit të Evropës që mbahet në maj të këtij viti, a do t’i parashtrohen Kosovës kushte specifike, ndikuar nga rrethanat politike siç janë: dialogu, asociacioni e çështja e dinarit.

rtk

Blerja e votave, Beleri dënohet me 2 vjet burg. Reagon Greqia

BeleriNë Shqipëri Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi sot të dënojë me dy vjet burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, i akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Zoti Beleri, i cili gjatë gjithë kohës ka folur për një burgosje politike të tij, përsëriti të njejtin qëndrim dhe në Gjykatë, ndërsa ka akuzuar Prokurorinë se ka sajuar faktet dhe provat kundër tij. Gjykata gjeti fajtor dhe Pandeli Kokaveshin, bashkëpunëtorin e zotit Beleri. Dënimi i tij me 1 vit e 6 muaj burg u konvertua me 3 vite shërbim prove, për shkak të gjendjes shëndetësore. 

Zoti Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar, pasi më herët një banor i Himarës, Arsen Rama i ishte ofruar Policisë të rregjistronte bisedat dhe veprimet me të, për blerje të votave në favor të tij. Sipas Prokurorisë, Ramës i janë dhënë shuma monetare prej 5 mijë lekësh për 8 persona, emrat e të cilëve ishin në një listë që ai ia kishte dorëzuar Belerit. Vetë Rama do të përfitonte një shpërblim prej 300 eurosh. Paratë për personat që do duhej të votonin në emër të zotit Beleri janë dhënë nga bashkëpunëtori i këtij të fundit, Pandeli Kokaveshi.

Me këto argumenta, Prokuroria kërkoi dënimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, me 2 vjet e gjashtë muaj burgim, ndërkohë që ai vetë foli sot në seancë për një proces me sfond politik, që sipas tij synon t’i japë mundësi kyeministrit Edi Rama që të organizojë zgjedhje të reja në Bashkinë e Himarës. “Vendimi për dënimin tim është marrë në drejtorinë e policisë, ku është bërë plan për arrestimin tim, por plani u prish nga votuesit e Himarës. Vendimi politik, ishte moslejimi im për të votuar. Kërkesa e SPAK për dënimin tim me 2 vjet e 6 muaj burg është diskriminuese. Të tjerë kryetarë bashkishë të gjykuar për të njëjtën akuzë janë në shërbim prove, ose ende në detyrë. Unë nuk e gjej veten fajtor për asnjë akuzë dhe e vërteta do të dalë herët a vonë”, deklaroi zoti Beleri përpara se trupi gjykues të tërhiqej për vendim

Gjykata vendosi ta dënojë më 2 vjet burgim zotin Beleri. Avokati i tij, deklaroi menjëherë më pas se do të bëhej ankim, duke përsëritur dhe ai, se bëhej fjalë për “një vendim dhe dënim politik siç e ka porositur kryeministri Rama. Provat i sjell Prokuroria dhe siç u pa nuk solli asnjë provë. Madje ne, me tabulatetet e telefonit provuam se dhe aktet e tjera proceduriale janë të falsifikuara. Katër ditë është ndjekur nga policia, pa vendim të prokurorisë. Kjo është provuar nga tabulatet e telefonit dhe ky është skandali më i madh. Por prokuroria ra nën presionin e policisë”, tha avokat Edmond Dëma.

Rasti i zotit Beleri, kandidat i opozitës në zgjedhjet vendore, e përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila mbron interesat e minoritetit grek, ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Fillimisht Athina kërkoi lirimin e tij, duke pretenduar shkelje të të drejtave të minoritetit. Më pas foli për shkelje të të drejtave politike, duke këmbëngulur që zotit Beleri duhej t’i jepej e drejta për të bërë betimin. Kërkesat e kryebashkiakut të zgjedhur, për t’i mundësuar atij këtë gjë, janë hedhur poshtë nga gjykatat shqiptare, ndërkohë që autoritetet e vendit i janë përmbajtur qëndrimit se çështja i përket drejtësisë, dhe ata nuk mund të ndërhyjnë.

Greqia që në fillim e kushtëzoi rastin Beleri me përparimin e vendit në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin europian dhe në fund të vitit ajo u bë pengesë për vendimin për nisjen e bisedimeve konkrete për grupkapitujt e parë mes Shqipërisë dhe Komisionit europian. Një pozicion të cilin javën e shkuar e kritikoi dhe Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, kur deklaroi në Tiranë se “në Bruksel të gjitha janë dakortësuar me faktin se Shqipëria është gati për të hapur negociatat për grup-kapitullin e parë. Unë nuk e kuptoj dot se pse nuk e marrim dot ne këtë vendim, edhe pse e kuptoj tërësisht rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, por nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të tilla dhe të mira me fqinjët në rast se ti e bllokon tjetrin për të ecur përpara”.

Greqia reagon për dënimin e Fredi Belerit

Ministria e Jashtme greke reagoi përmes një deklarate për dënimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.

Ministria e Jashtme greke thotë se “dënimi i sotëm nga një gjykatë shqiptare ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarrës Fredi Beleri shton shqetësimet e ngritura për objektivitetin e procesit.”

“Dhe kjo, vijon deklarata e Ministrisë së jashtme greke, për shkak të lëkundjes së prezumimit të pafajësisë për shkak të deklaratave dhe veprimeve të jashtme që mbronin dënimin ndërsa dënimi përfundimtar është dukshëm joproporcional në raport me masën e veprës së pretenduar”.

Ministria e Jashmte greke thotë se “ masa e dënimit, që të mos dalë nga burgu, e pengon kryebashkiakun e zgjedhur që edhe sot të marrë detyrën dhe e mban kandidatin e mundur në krye të bashkisë, pavarësisht vendimit të shprehur të gjykatës muaj më parë që vendosi shkarkimin e tij të menjëhershëm.”

“Zbatimi selektiv i vendimeve gjyqësore nuk është në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës” , thotë Ministria e Jashtme greke.

“Qeveria greke do të monitorojë nga afër çështjen dhe do të presë një gjykim të drejtë dhe objektiv në shkallën e dytë të juridiksionit”, përfundon deklarata e Ministrisë së jashtme greke.

voa

BE: Industria e armatimit të bëhet më efikase dhe e pavarur

Konferencë shtypi për strategjinë evropiane të armatimitKomisioni i BE-së ka synime ambicioze për industrinë evropiane të armatimit. Po sa realiste janë ato?

 

Zgjerimi masiv i prodhimit evropian të armëve dhe më shumë pavarësi nga SHBA: ky është qëllimi i një strategjie të shumëpritur për mbrojtjen që Komisioni i BE-së prezantoi në Bruksel. “Ne duhet të marrim më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë”, tha zëvendëspresidentja e Komisionit Margrethe Vestager – pavarësisht nëse Donald Trump do të bëhet sërish President i SHBA. Trumpi ka kërcënuar se nuk do t’i mbrojë më evropianët nëse fiton zgjedhjet në nëntor.

Më shumë armë “Made in Europe” dhe pavarësi më të madhe nga prodhuesit ndërkombëtarë të armëve si SHBA dhe Koreja e Jugut janë thelbi i strategjisë së re, të cilën Vestager e prezantoi së bashku me Komisionerin për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton dhe Përfaqësuesin e Punëve të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Që prej fillimit të luftës së agresionit të Rusisë në Ukrainë dy vjet më parë, vendet e BE-së i kanë blerë në SHBA 70 për qind të armëve që kanë dërguar në Ukrainë, u tha në Bruksel. “Aftësia e përmirësuar për të vepruar do të na bëjë një aleat më të fortë të NATO-s”, tha Margrethe Vestager duke theksuar se evropianët do të vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë NATO-s.

 

Më shumë buxhet për mbrojtjen 

Projektligji për një Program Evropian të Industrisë së Mbrojtjes (European Defense Industry Programme, EDIP) kërkon që shtet anëtare të planifikojnë shumë më tepër para për armatimin dhe mbrojtjen krahasuar me më parë: deri në vitin 2030 ato duhet të shpenzojnë “të paktën 50 për qind të buxhetit të tyre të prokurimeve për mbrojtjen brenda BE-së. Deri në vitin 2035 kjo shumë duhet të jetë madje 60 për qind.

Përveç kësaj deri në vitin 2030 shtetet e BE-së duhet të blejnë së bashku të paktën 40 për qind të pajisjeve të tyre për mbrojtjen. Në vitin 2007 BE-ja kishte vendosur për këtë një objektiv vullnetar prej 35 përqind, por  aktualisht 27 vendet anëtare janë shumë larg kësaj, pavarësisht nga lufta e agresore e Rusisë në Ukrainë.

Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen shtoi në shërbimin online X “shtetet anëtare të BE-së nuk duhet të shpenzojnë domosdoshmërisht më shumë, por duhet të koordinohen “më mirë në nivel evropian” lidhur me shpenzimet e mbrojtjes.

 

Rezerva nga vendet anëtare

Sipas përfytyrimeve të BE-së i nevojshëm është krijimi i një fondi evropian për mbrojtjen me vlerë 100 miliardë euro. Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner e ka refuzuar vazhdimisht një instrument të tillë të financuar nga borxhet e BE-së. Kurse presidenti francez, Emmanuel Macron dhe vende si Belgjika apo Estonia e mbështesin atë.

Financimi i programit të propozuar tani për industrinë e mbrojtjes do të jetë shumë më modest, edhe për shkak të rezervave nga pala gjermane. Komisioni i BE-së propozon fillimisht që nga buxheti i BE-së të bëhen deri në vitin 2027 subvencione deri në 1.5 miliardë euro, si dhe të hiqet TVSH-ja për prokurimin e përbashkët të armëve. Kjo nuk është e mjaftueshme, tha Vestager, megjithatë, paratë mund të shërbejnë si nxitje për investime nga shtetet anëtare.

 

Ukraina me status “sikur të ishte shtet anëtar”

Ukraina duhet të përfshihet në planet e armatimit “sikur të ishte shtet anëtar”, tha një zyrtar i BE-së. Si model për këtë do të shërbejë bashkëpunimi për municionet e artilerisë, për të cilat ka prej gati një viti një nismë të përbashkët prokurimi.

Megjithatë planet për municionin dështuan. BE mund të dërgojë në Ukrainë vetëm rreth një të tretën e një milion plumbave të premtuar deri në fund të marsit, siç konfirmoi shefi i politikës së jashtme të BE-së, Borrell. “Ne kishim shpresuar për një pjesëmarrje më të madhe nga vendet anëtare”, tha spanjolli Borrell.

dw

Shqipëria u përgjigjet kritikave të UNESCO-s për Gjirokastrën dhe Beratin

ButrintiOrganizata Botërore e Monumenteve, UNESCO u kërkoi një vit më parë autoriteteve shqiptare të finalizonin me urgjencë Planin e Menaxhimit të Integruar për Gjirokastrën dhe Beratin.

Shqipëria thotë në raportin e dorëzuar në UNESCO se kjo nuk është bërë ende dhe i arsyeton vonesat me largimin nga Instituti i Trashëgimisë të gjithë ekipit që punonte për Planin e Menaxhimit.

Ndërsa raporti i Shqipërisë për gjendjen e konservimit të Beratit dhe Gjirokastrës u publikua në faqen e Qendrës së Trashëgimisë Botërore, kjo ende nuk ka ndodhur për Butrintin, për të cilin raporti duhej të dorëzohej nga pala shqiptare më 1 shkurt.

Qendra e Trashëgimisë Botërore të UNESCOS publikoi në faqen e saj raportin e Shqipërisë për gjendjen e konservimit të “Qendrave Historike të Beratit dhe Gjirokastrës” që listohen si site në seri në pasuritë botërore.

Raporti është përgatitur nga ministria shqiptare e Kulturës dhe Ekonomisë në përgjigje të vendimit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore që u mbajt në shtator të vitit të shkuar në Arabinë Saudite.

Sipas raportit ende Berati dhe Gjirokastra nuk kanë të finalizuar një Plan të Menaxhimit të Integruar, megjithëse proçesi me mbështetjen ndërkombëtare ka nisur që në vitin 2019 dhe është kërkuar të përfundojë me urgjencë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore.

Vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore ne sesionin e 45 te UNESCO-s që u mbajt vitin e shkuar në Arabinë Saudite, nuk ishte bërë i njohur më parë për opinionin shqiptar, por paragrafe të tij zbulohen nga raporti i dorëzuar këto ditë nga Shqipëria.

Në paragrafin 2,3 vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore shprehej “se vërente me keqardhje dështimin e Shtetit Palë (Shqipërisë ) për të zbatuar plotësisht asistencën ndërkombëtare të dhënë për zhvillimin e Planit të Menaxhimit të Integruar për Beratin dhe Gjirokastrën në bashkëpunim me sektorët qeveritarë dhe qytetarët”.

“Vendimet e mëparshme të Komitetit, thuhej më tej nga UNESCO, i kërkojnë Shtetit Palë që të finalizojë Planin e Menaxhimit si çështje urgjent, duke marrë parasysh komentet dhe rekomandimet e bëra tashmë nga Organet Këshillimore”.

Ndërsa UNESCO ka kërkuar me urgjencë përfundimin e Planit të Menaxhimit autoritetet shqiptare janë përgjigjur se ky proces nuk ka përfunduar edhe tani pasi i gjithë ekipi i punës së Institutit të Trashëgimisë Kombëtare që ishte i angazhuar drejtpërdrejt në hartimin e draftit të parë të Planit të Menaxhimit të Integruar është larguar nga ky institucion.

“Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka dorëzuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore një draft të Planit të menaxhimit më 16 shkurt të vitit 2023 ndërsa komentet i janë dërguar Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore më 16 mars të vitti 2023” thuhet në raportin e Shqipërisë.

Raporti vijon më tej se “rishikimi i draftit të Planit të Menaxhimit pas komenteve të ekspertëve të ICOMOS dhe ICCROM nuk ka përfunduar plotësisht brenda afateve kohore të përcaktuara në kontratë, për shkak të disa vështirësive”.

Sipas raportit “Instituti i Trashëgimisë gjatë periudhës së zbatimit të kontratës ka pasur disa ndryshime në nivelet e menaxhimit dhe nivelet e stafit teknik, dhe i gjithë ekipi i punës që ishte e angazhuar drejtpërdrejt në hartimin e draftit të parë të Planit të Menaxhimit të Integruar është larguar nga institucioni ”.

Raporti thotë se se “ aktualisht stafi i Institutit Trashëgimisë Kombëtare është i reduktuar dhe pa përvojën e nevojshme në përgatitjen e një plani të integruar të menaxhimit për të dyja qendrat historike”

Plani i Menaxhimit është një instrument detyrues i UNESCOS për sitet e trashëgimisë botërore që duhet të rregullojë menaxhimin dhe mbrojtjen strategjike afatgjate të pasurive kulturore.

Vendimet e Komitetit të Trashëgimisë Botërore vitin e shkuar prekin edhe problemin e Bypass-it të Gjirokastrës ku UNESCO thotë se “ vëren me keqardhje rifillimin e ndërtimit të bypass-it të Gjirokastrës përpara se konkluzionet të ishin në dispozicion dhe mund të merreshin parasysh”, ndërsa autoritetet shqiptare janë përgjigjur në raport se i kanë adresuar problematikat e projekteve ndërtimore si tek bashkitë edhe tek organet e tjera egzekutive dhe vendim-marrëse.

Vendimi i Komitetit të Trashëgimisë Botërore ka vlerësuar ndërkohë punën e autoriteteve shqiptare për sa i përket “bonuseve të rijetëzimit”, për restaurimin e monumenteve si dhe përmirësimin e Rregulloreve të Qendrave Historike në Berat dhe Gjirokastër.

Raporti i Shqipërisë për Beratin dhe Gjirokastrën pritet të shqyrtohet në sesionin e ri të Komitetit të UNESCOS që mbahet në Indi në korrik të këtij viti.

Gjirokastra u përfshi në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në 15 korrik 2005 ndërsa më 8 korrik të vitit 2008 u regjistrua edhe Berati.

Raporti i Butrintit ende i papublikuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore

Ministria e Kulturës dhe Ekonomisë ka autorizuar publikimin e raportit për Gjirokastrën dhe Beratin por ende në faqen e Qendrës së Trashëgimisë Botërore nuk është publikuar raporti i Shqipërisë për Butrintin.

Sipas një letre që Qendra e Trashëgimisë Botërore i dërgoi Ambasadores së Shqipërisë në UNESCO raporti nga pala shqiptare duhej të dorëzohej më 1 shkurt të këtij viti.

“Në funksion të informacionit të marrë nga palët e treta, me prova mbështetëse vizuale, si dhe gjetjet e Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s/misionit të përbashkët këshillues të lCOMOS në pronën e Trashëgimisë Botërore “’Butrint”, nga 26 deri më 28 tetor 2022, mbi cënueshmërinë e vlerave universal të pronës dhe konfirmimin e heqjes së 600 ha nga Parku Kombëtar, i cili nuk është njoftuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore dhe që përfaqëson një ndryshim në regjimin e mbrojtjes së një pjese të ndjeshme të zonës tampon të pronës, do të doja të ftoja autoritetet tuaja kompetente të paraqesin një raport mbi gjendjen e ruajtjes së pronës së Trashëgimisë Botërore “Butrint” deri më 1 shkurt 2024, për shqyrtim nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 46-të””, thuhet në letrën që Drejtori i Qendrës së Trashëgimisë Botërore Lazare Eloundou Assomo, i drejton ambasadores shqiptare në UNESCO Besiana Kadare.

Problematikat e Butrintit mbeten të ndjeshme në opinionin shqiptar jo vetëm për ndryshimin e kufijve të Parkut Kombëtar por edhe modelin e ri të menaxhimit.

Qeveria shqiptare vendosi që menaxhimi i një pjese të Butrintit që njihet si zona “A-3” dhe që përfshin qytetin antik të bëhet nga një Fondacion i ri ku përfshihet ministria shqiptare e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje.

Ligji u miratua nga Kuvendi në maj të vitit 2022 dhe shkaktoi protesta dhe debate të ndezura nga shoqëria civile dhe nga deputetët opozitarë, që dyshojnë për shfrytëzim të paligjshëm dhe antikushtetues të një pasurie të madhe të vendit, e cila mund të dëmtohet nga menaxhimi përmes kësaj forme.

Një grup prej 36 deputetësh opozitarë i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që ta shfuqizojë si antikushtetues ligjin mbi administrimin e Parku Kombëtar të Butrintit.

Edhe misioni i UNESCOS ka drejtuar kritika të forta ndaj modelit të menaxhimit vetëm të një pjesë të parkut, zonës A -3 që përfshihet në marrëveshje e cila është 614,3 hektarë nga rreth 9424 hektarë që është sipërfaqja tërësore e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Misioni i fundit i UNESCO-s shprehet se menaxhimi vetëm i kësaj pjese nuk përmbush menaxhimin e integruar të arkeologjisë, monumenteve dhe pjesës natyrore të Butrintit, kërkuar edhe nga misionet e mëparshme të UNESCO-s.

Misioni shprehet se, Ministria e Kulturës duhet të ruajë autoritetin në gjithë territorin e Parkut Kombëtar.

Prej tetorit të vitit të shkuar kur raporti i misionit iu dorëzua Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore ai nuk u publikua nga UNESCO pasi pala shqiptare nuk dha pëlqimin.

Gjykata Kushtetuese, në një gjest të pazakontë, në janar të këtij viti, bëri një ndryshim të procedurave të saj, duke i kërkuar qeverisë raportin e UNESCO-s dhe rihapjen e seances plenare për Butrintin.

Ministri i ri i Kulturës dhe Ekonomisë Blendi Gonxhe nuk ka firmosur kalimin e Parkut në administrimin e Fondacionit të ri që sipas ligjit të miratuar në Parlament duhet të bëhej më 14 shkurt të këtij viti.

Zoti Gonxhe tha përmes një statusi në rrjetet sociale se “në cilësinë e Ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe njëkohësisht si Kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit donte të siguronte opinionin publik për angazhimin dhe vëmendjen maksimale për mirëadministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të pasurisë kulturore universale të Parkut Kombëtar të Butrintit, në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe të kuadrit ligjor shqiptar në fuqi”.

“Kryefjala do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja” , u shpreh Ministri i i ri i Kulturës dhe Ekonomisë.

voa

Biseda e përgjuar: Si Rusia po përçan përkrahësit e Ukrainës

pergjimiBiseda e oficerëve gjermanë e përgjuar nga Moska ka një qëllim dhe atë Putini e arriti: të përçajë mbështetësit e Ukrainës. Londra ka reaguar ashpër ndaj Gjermanisë, pas publikimit të bisedës nga Moska.

 

Sidomos në Britaninë e Madhe është shumë e ashpër kritika ndaj Gjermanisë pas bërjes publike bisedës së përgjuar mes oficerëve të lartë të Bundeswehrit për përdorimin e mundshëm të raketave Taurus në Ukrainë. “Ne e dimë, se Gjermania është shumë e infiltruar nga shërbimet sekrete ruse, qjë që tregon se ajo as nuk është e sigurtë dhe as e besueshme”, tha ish-ministri i britanik Mbrojtjes, Ben Wallace sipas Londoner Times. Konservatori Wallace organizoi deri në gusht 2023 ndihmat e armëve për Ukrainën.

Të premten e kaluar u publikua në kanalet ruse të propagandës një bisedë 38 minutëshe e ushtrisë gjermane nën drejtimin e inspektorit të aviacionit luftarak gjerman, Ingo Gerhartz. Oficerët kanë përdorur për konferencën shërbimin WebEx. Një pjesëmarrës është regjistruar madje që nga Singapori. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius e konfirmoi zbulimin e bisedës të dielën pasdite. “Sidoqoftë kjo do të thotë, që ne duhet të përgatitemi për çdo lloj lufte, edhe atë hibride, të informacionit, një luftë të disinformimit, sepse për këtë ky rast është një shembull i qartë.”

Nuk ka dyshim që Rusia bën një luftë hibride, dy vite pas fillimit të invazionit rus në Ukrainë, thotë Nico Lange, ekspert gjerman i sigurisë që punon edhe për Konferencën e Sigurisë në Mynih. Lange thotë se tek një luftë e tillë bën pjesë edhe “ndezja apo forcimi i konflikteve politike”. Ushtarakët gjermanë duhet të dëgjojnë pyetjen e pakëndshme, nëse ata kanë vepruar me shumë mendjelehtësi. A e ka të vështirë ushtria gjermane të përgatitet për luftën hibride të Moskës?

 

Kritika e ashpër nga Dhoma e Ulët britanike

Nga Dhoma e Ulët britanike vijnë kritika. Tobias Ellwood, ish-kryetar i komisionit të mbrojtjes duke iu referuar gjermanëve, pyet se “pse nuk u resektuan protokollet bazë konceptuale”? “Para intensitetit, me të cilin Rusia spiunon Gjermaninë dhe vende të tjera” është shprehur Ellwood për BBC, Moska nuk do të mësonte më shumë për Taurus, “sa di ndërkohë”. Konservatori kërkon “biseda serioze, se pse ka ndodhur një gjë e tillë”-

 

Sulm hibrid disinforimimi

Eskperti i sigurisë, James Davis nga Universiteti St. Gallen në Zvicër, nuk është i habitur. “Dyshoj se shumë nga aleatët janë të habitur, që Rusia spiunon biseda të ushtarakëve gjermanë.” Ai thekson se “ata ndoshta nuk janë as të habitur, që gjermanët janë të habitur, që thotë shumë për pozicionin e Gjermanisë brenda aleatëve.” Ky rast konfirmon mendimin që ekziston, se “Berlini i ka injoruar aftësitë ushtarake gjermane dhe se është naiv i pashpresë, kur bëhet fjalë për aftësitë dhe qëllimet e Moskës”, sipas Davis. Ky përgjim ka dëmtuar aleatët.

“Bëhet fjalë për një sulm hibrid të disinformimit, bëhet fjalë për përçarje, dhe minim të unitetit tonë”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Pistorius dhe na duhet të reagojmë me mençuri por jo me më pak vendosmëri. Tek WebEx ka forma të certifikimit dhe për shembull në varësi të përmbajtjes WebEx mund të përdoret deri në shkallë të caktuar të sekretit, tha Pistorius që për momentin i ka përjashtuar pasojat për personelin ushtarak.

Shërbimi Informativ Ushtarak gjerman, MAD po heton, nëse janë injoruar standardet e sigurisë, sidomos në lidhje me platformën e zgjedhur të një ofruesi komercial të konferencave me video.

dw

Lajçak paralajmëron takime të reja Kosovë-Serbi për dinarin dhe normalizimin e marrëdhënieve

LajcakI dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, paralajmëroi të martën një takim ndërmjet kryenegociatorëve të të dyja palëve, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve por edhe të përdorimit të dinarit serb, që çoi në mospajtime të thella ndërmjet autoriteteve në Prishtinë dhe diplomatëve perëndimorë.

Zoti Lajçak i cili bisedoi për më shumë se dy orë me kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi, tha se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel në të cilin u diskutua çështja e dinarit gjetur përgjigje në disa çështje, por…

“Janë disa pikëpyetje që shkojnë përtej mandatit të këtyre ekspertëve dhe i kemi diskutuar këto çështje me zotin Bislimi. Komunikimi ynë do të vazhdojë dhe planifikoj organizimin e një takimi të ri në ditët në vijim në nivel të kryenegociatorëve”, tha zoti Lajçak.

Në takimin e 27 shkurtit në të cilin Serbia përfaqësohej nga kryenegociatori i saj Petar Petkoviç, nga Kosova mori pjesë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili. Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi refuzoi të marrë pjesë në takim pasi sipas tij “çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”.

Një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës, të cilët vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Serbia.

Diplomatët perëndimorë i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar Kosovën dhe kanë paralajmëruar se partneriteti ndërmjet dy qeverive, është dëmtuar me qasjen e saj ndaj çështjes së dinarit.

Mospajtimet rreth kësaj çështjeje përkojnë me një vjetorin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila ende nuk ka filluar të zbatohet.

Marrëveshja e mbështetur nga perëndimi u kërkon palëve të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës si dhe zbatimin të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë.

Zoti Lajcka ritheksoi sot se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët.

“Kjo marrëveshje është më e mira që mund të kishin Kosova dhe Serbia. Jam shumë i sigurt për këtë. Nëse do të kishte marrëveshje më të mirë, ajo do të ishte propozuar. Prandaj, është në interesin e të gjithëve që të nisin zbatimin e saj. Me këtë marrëveshje ne kemi përgjigje në pyetjet se si, çfarë të bëjmë dhe kur ta bëjmë?. E vetmja cështje që mbetet e hapur është se kur dhe unë pyes: Pse të presim? Kjo marrëveshje është e mirë dhe duhet të fillojë të zbatohet”, tha zoti Lajçak.

Në tetor të vitit të kaluar diplomatët perëndimorë paraqitën një projekt statut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duke i bërë thirrje qeverisë së Kosovës për fillimin e punës për zbatimin e tij dhe ndërsa Beogradit të përmbushë detyrimet që çojnë drejt njohjes de fakto të Kosovës. Ata i paralajmëruan të dyja palët se zbatimi i marrëveshjes është në thelb të rrugëtimit të tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Çfarë përmban propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi 

Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Palët kontraktuese;

Të përkushtuara për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale dhe për të kapërcyer trashëgimin e së kaluarës;

Të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes;

Të përkushtuara të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin e frytshëm rajonal në Evropë;

Të vetëdijshme se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi e tërësisë tokësore dhe sovranitetit, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, janë kushtet themelore për paqen;

Duke vepruar nga fakti historik dhe pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit;

Me dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunim midis palëve për të mirën e qytetarëve, janë pajtuar që:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën, mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja palët do t’i njohin dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe tërësisë tokësore të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët nisen nga supozimi se asnjëra nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në rrafshin ndërkombëtar apo të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, ose të inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palës tjetër në rrugët e tyre perspektive drejt BE-së bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët duhet të respektojnë vlerat e përmendura në nenin 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa marrëveshja aktuale paraqet një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Palët pajtohen të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhjeve, marrëdhënieve në drejtësi dhe të zbatim të ligjit, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fushave tjera të ngjashme nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.

Hollësitë do të jenë pjesë e marrëveshjeve shtesë në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja.

Neni 7

Të dyja palët janë të përkushtuara për arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selitë përkatëse të qeverive.

Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët vënë në dukje angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për ta krijuar një paketë të veçantë ndihme financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, lidhjeve, tranzicionin e gjelbër dhe në fusha të tjera thelbësore.

Neni 10

Palët do ta krijojnë komisionin e përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara të arritura në bisedime, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Neni 11

Palët angazhohen të respektojnë udhërrëfyesin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

voa

Çka e bashkon politikën neootomane me politikën sllave!?

Iran Russia TurkeyNacionalizmi i “vogël”, sekular i ”Turqve të rinj”, me anë të “revolucionit kombëtar” në rrënojat e Perandorisë Otomane krijuan Turqinë moderne, një “fuqi regjionale”, që nuk kishte asgjë të përbashkët me gjeopolitikën dhe nacionalizmin religjioz të Perandorisë Otomane, faktikisht Turqia (e kohës së Ataturkut) ishte spiritualisht, etnikisht e kulturalisht, një realitet krejt i ndryshëm nga perandoria turke e fillimit të shekullit. (pjesë e tekstit të Dugin, Alexandr  “Foundations of Geopolitics”, Moscow, Arktogeia, 2000 huazuar nga V.K.).

Nacionalizmin religjioz i Perandorisë Otomane

Me ardhjen e bashkëmendimtarëve të Erdoganit në skenën politike të Turqisë, me moton avash-avash (Step by Step), u kthyen në gjeopolitikën dhe nacionalizmin religjioz të Perandorisë Otomane, me këtë gjeopolitikë Turqia zgjeroi interesin dhe rolin e saj në rajon dhe më gjerë, por nacionalizmi kombëtar shqiptar, i cili nuk ka asgjë të përbashkët me nacionalizmin religjioz të Perandorisë Otomane,  paraqet pengesë për interesat afatgjata të neotomanëve, pikërisht këtu edhe përputhen interesat e tyre me interesat e politikës sllave, sepse të dyja, janë kundërshtarë të forcimit të nacionalizmit shqiptar dhe sigurisht që këtë pengesë, ata e luftojnë në mënyra të ndryshme, nuk janë të rastësishme financimet (larja) e parave, krijimi i qendrave / sekteve, “objekte fetare”, “OJQ-ve”, “Organizatave Humanitare”, Televizioneve, Gazetave, Partive Politike, të gjitha me qëllim propagande dhe indoktrinimi (https://lajmet.com/nga_kendi_im/u-formua-bordit-keshilledhenes-te-fondacionit-qendra-e-civilizimit-islam-focic/ ), nuk janë të rastësishme, as individuale, sulmet kohë pas kohe, të “misionarëve” të tyre, ndaj elementeve nacionale shqiptare, si psh. flamurit kombëtar shqiptar, figurave nacionale shqiptare, Skënderbeut, Nënë Terezës, Ismail Kadaresë …,  sepse i shohin si pengesë për bashkimin e myslimanëve shqiptarë me nacionalizmin religjioz të Perandorisë Otomane.

Por në fillim, për të përfituar masën e gjërë, ata luajnë rolin e mbështetësve të patriotizmit shqiptar, pastaj avash-avash duke e kthyer në mbështetje religjioze, këtë e konfirmon edhe UDB në vitin 2016: “Për shkak të frikës se mos pranohen nga elektorati shqiptar të cilit i drejtohen, zyrtarisht formohen si parti e bazuar në nacionalizmin shqiptar….” ( https://lajmet.com/maqedonia/ja-cka-deklaroi-dbk-udba-e-maqedonise-nepermjet-presidentit-te-shtetit-ne-vitin-2016/ ).

Por kush i mbron interesat nacionale të shqiptarëve nga ky rrezik?

Shumica e Intelektualëve shqiptarë mbajnë “balancë” për interesat e tyre të ngushta dhe nuk kanë guximin minimal intelektual, për ti denoncuar, ndërsa politikanët shqiptar, për të përfituar financa dhe vota, i përshtaten nivelit të popullatës dhe bëjnë politikë me popullatën…

Si duket për momentin na mbron vetëm interesi i BE dhe SHBA në rajon dhe “Zoti” – të cilin neootomanët mundohen ta përvetësojnë dhe të na ofrojnë si “Zoti” neootoman.

Lajçak sërish në Prishtinë – A do ketë zhvillime të reja?

Lajcak KurtiKëmbëngulja e komunitetit ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe vazhdon. Por qeveria e Kosovës druhet, se një asociacion njëetnik mund të dëmtojë funksionalitetin e shtetit.

 

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, qëndron të martën në Prishtinë në përpjekje për të ecur përpara në procesin e dialogut të “ngecur”, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Lajçak në Prishtinë takon kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi, i cili herën e fundit refuzoi të shkojë në Bruksel për ta diskutuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që e ndalon dinarin serb, rregullore kjo që ngriti shqetësime edhe ndërkombëtare. Qeveria njofton që në takimin e së martës me Lajçak do të diskutohet “për ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike”.

Marrëveshja bazike për normalizimin e marrëdhënieve e arritur më 27 shkurt të vitit 2023, ka 11 nene e cila ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Po ashtu parasheh dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Lajçak viziton Prishtinën vetëm një ditë pasi Bashkimi Evropian dhe SHBA-të i bënë thirrje Kosovës që t’i përmbushë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, nëse dëshiron të anëtarësohet në BE dhe në NATO.

 

Hovenier: Ecja përpara në rrugën evropiane vetëm përmes dialogut

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeffry Hovonier, duke folur në një konferencë me temën “Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euroatlantik”, tha se Kosova mund ecë përpara në rrugën evropiane vetëm përmes dialogut. “Bashkësia ndërkombëtare do që Kosova të përparojë në rrugën evropiane, kemi krijuar kushtet për ta arritur këtë, dhe mënyra e vetme është përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Shpresojmë të shohim përpjekje për të ecur para”, tha Hovenier, duke i rikujtuar Kosovës obligimet e saja.

“Komuniteti ndërkombëtar dhe partnerët do ta trajtonin Kosovën më ndryshe se tani, nëse ata do të ishin duke e zbatuar këto obligime, nëse do të ishin duke e miratuar draft-statutin për Asociacionin që nuk është në kundërshtim me kushtetutën dhe nëse do të ishin duke ecur drejt vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit”, theksoi Hovenier.

 

Asociaconi mund të dëmtojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës

Bashkësia ndërkombëtare i kërkon Kosovës të themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por Qeveria e Kosovës shpreh drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të dëmtojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla fajëson palën serbe për ngecjen e dialogut dhe sipas saj, është “e pamundur të mbash bisedime me një shtet që përgatitet për luftë”. “Kur ke një palë që është kundër dialogut dhe tregon me veprime konkrete si ngjarja e 24 shtatorit kur kishim akt sulmi kundër Republikës së Kosovës dhe ne pretendojmë se kemi dialog në Bruksel, atëherë çdo nxënës do ta kuptojë se kjo nuk është ajo që mësohet në shkollë për këtë proces”, tha Gërvalla duke ju përgjigjur kritikave të vendeve të Quint-tit.

dw

Transnistria dhe Moldavia: Lufta tjetër e Rusisë?

Transnistri TiraspolSeparatistët në rajonin e Transnistrisë në Moldavi kërkojnë ndihmë nga Moska. Por në fjalimin e tij drejtuar kombit Vladimir Putin nuk e përmendi atë. A do të hapë megjithatë Rusia një front të ri lufte?

 

Që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik në dhjetor 1991 Rusia zhvillon thuajse pa ndërprerje luftëra kundër fqinjëve të saj, ose të paktën i provokon ata. Luftën e parë Moska e nisi rreth dy muaj pas rënies së Perandorisë Sovjetike: në fillim të marsit 1992 në Republikën e vogël të Moldavisë, e cila shtrihet midis Ukrainës dhe verilindjes së Rumanisë. Shumica e banorëve janë moldavë, që flasin rumanisht: Pjesa më e madhe e vendit bënte pjesë në Principatën Rumune të Moldavisë deri në aneksimin e saj në kohën e carëve dhe sërish më vonë nën Stalinin.

Në një pjesë të Moldavisë, të quajtur Transnistria, një rrip toke në bregun e majtë të lumit Dniestër, separatistët besnikë të Moskës me pretekstin e mbrojtjes së rusëve dhe gjuhës ruse shpallën që në 1990 një republikë e cila nuk njihet. Luftimet shumë të përgjakshme të pranverës së vitit 1992 përfunduan pas disa muajve, megjithatë që atëherë trupat ruse gjenden në Transnistria – edhe pse Kremlini ishte zotuar t’i tërheqë ato në një marrëveshje çerek shekulli më parë.

Nga jashtë Transnistria i ngjan një parku muzeal gjigant sovjetik – me monumente të Leninit, flamuj të kuq dhe simbole drapër e çekan. Por në të vërtetë ky brez toke është një terren gjigand për firma dhe depo armatimi të një grupi të vogël ish oficerësh të KGB-së, të cilët aktualisht punojnë edhe për shërbimin e inteligjencës ushtarake ruse GRU. Me konglomeratin e firmave Sheriff ata drejtojnë operacione pastrimi parash dhe kontrabande dhe kontrollojnë pothuajse të gjithë aktivitetet ekonomike në zonë.

 

“Presidenti” i Transnistrisë flet për “gjenocid”

Sa herë që kërcënohen bizneset, Parlamenti i papushtet, Sovjeti Suprem i Transnistrisë apo forume të tjera mblidhen dhe i kërkojnë Moskës ndihmë, mbrojtje ose pranim në Federatën Ruse. Kështu rreziku i një lufte të nxehtë shfaqet vazhdimisht në konfliktin përndryshe të ngrirë.

Kështu është edhe kësaj radhe: më 28 shkurt 2024 nga Tiraspoli, kryeqyteti rajonal i Transnistrias, një “kongres i deputetëve në të gjitha nivelet” i kërkoi Rusisë në një rezolutë mbrojtjen nga “presioni gjithnjë e më i madh” dhe “lufta ekonomike e Moldavisë”. “Presidenti” i Transnistrisë, Vadim Krasnoselski, ish punonjës i sigurisë në Sherif, fajësoi autoritetet në Kishinau për kryerjen e një “gjenocidi” ndaj banorëve të Transnistrisë.

 

Më shumë kontroll mbi Transnistrinë

Apeli për mbrojtje drejtuar Rusisë dhe mbledhja në Tiraspol ndodhi një ditë para fjalimit të presidentit rus Vladimir Putin para kombit. Pati shumë spekulime, nëse Putini do ta përdorte apelin si pretekst për të shpallur ndonjë formë të ndërhyrjes ushtarake në Moldavi apo aneksimin e republikës. Por Putin nuk e përmendi aspak Republikën e Moldavisë në fjalimin e tij të 29 shkurtit 2024.

Politikanët dhe mediat moldave folën për një “truk” dhe një “bllof propagandistik” nga Transnistria, i cili nuk duhej marrë seriozisht. Arsyeja: kompanitë nga Transnistria duhet të paguajnë që nga 1 janari 2024 taksa dhe tarifa doganore, kur importojnë mallra në territorin e rregullt shtetëror të republikës. Kjo është pjesë e një katalogu masash, me të cilat udhëheqja e vendit në Kishinau po përpiqet të rimarrë më shumë kontroll mbi Transnistrinë.

 

Kufiri i Ukrainës me Transnistrinë është mbyllur

Në tri dekadat e fundit Transnistria, një zonë midis Ukrainës dhe territorit të rregullt shtetëror moldav në bregun e djathtë të lumit Dniestër, ka qenë një qendër e pakontrolluar e trafikut të paligjshëm, kontrabandës dhe pastrimit të parave. Presidentja pro perëndimore Maia Sandu, që më parë kishte bërë emër si aktiviste për të drejtat civile dhe luftën kundër korrupsionit, përpiqet t’i japë fund praktikave të paligjshme ekonomike me Transnistrinë, që kur ka marrë detyrën në fund të vitit 2020.

Paradoksalisht lufta ruse kundër Ukrainës i ka ndihmuar asaj në këtë përpjekje, meqë autoritetet ukrainase mbyllën kufirin me Transnistrinë që në fillim të luftës për të parandaluar aktet e sabotimit apo sulmet e ushtarëve rusë në qytetin port të Odesës, vetëm 70 kilometra larg dhe në rajonin përreth. Si rrjedhojë Transnistria e ka humbur rolin e saj si një qendër e kontrabandës dhe e pastrimit të parave.

 

“Shenjat e kolapsit”

Oleg Serebrian, zëvendëskryeministër i Moldavisë dhe ministër për Riintegrimin e Transnistrisë, tha pas fjalimit të Putinit me optimizëm, se Rusia e kontrollon gjithnjë e më pak rajonin separatist dhe se në Tiraspol ka “shumë qendra pushteti dhe si rrjedhojë edhe shenja dobësie dhe kolapsi”. Apelin drejtuar Rusisë për të mbrojtur Transnistrinë ai e cilësoi si një “operacion për të mbuluar problemet e regjimit separatist”.

“Ekonomikisht dhe nga ana sociale gjërat shkojnë keq në Transnistria”, thotë Serebrian, “dhe njerëzit atje kanë nevojë për një shpjegim. Shpjegimi është se nëna e gjithë të keqijave është Kisinau dhe tarifat e reja doganore dhe kjo është arsyeja pse gjërat në rajon nuk shkojnë mirë. Por në realitet gjërat shkojnë keq prej kohësh në Transnistria”.

 

Propagandë dhe dezinformim

Në fakt për shkak të mungesës së një lidhjeje direkte me Moldavinë Rusia nuk ka aktualisht mundësi ta sulmojë. Megjithatë Moska ka aty rreth 1.500 deri në 2.000 ushtarë. Këtyre i shtohen edhe forcat e armatosura të Transnistrias. Marrë së bashku ata kanë epërsi ndaj ushtrisë së vogël dhe shumë të dobët moldave me vetëm rreth 5000 ushtarë. Përveç kësaj në veri të Transnistrias pranë fshatit Cobasna ndodhet një nga depot më të mëdha të armëve në Evropë me mbi 20.000 tonë armë dhe municione nga rezervat e vjetra sovjetike. Nëse Rusia arrin të depërtojë në rajonin e Odesës, ky mund të ishte fillimi i një pushtimi të Moldavisë.

E parë politikisht Moldavia është po aq e humbur për Rusinë sa edhe Ukraina. Në dhjetor BE vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Republikën e Moldavisë. Shumica e njerëzve në vend janë pro-evropianë, shumë kanë shtetësinë e vendit fqinj Rumanisë dhe rrjedhimisht pasaporta të BE, qindra mijëra moldavë punojnë në vendet.

Që Rusia nuk heq dorë nga pretendimi i saj ndaj Republikës së Moldavisë dhe ndoshta do ta sulmonte atë në rrethana të favorshme, e tregon lufta hibride e Moskës kundër saj: Partitë pro ruse, të financuara ndër të tjera nga oligarku prorus i larguar në Izrael, Ilan Sor, zhvillojnë fushata të tërbuara kundër presidentes Maia Sandu dhe qeverisë properëndimore të kryeministrit Dorin Recean. Edhe në mediat sociale propaganda dhe dezinformatat pro ruse janë masivisht të pranishme. Për vjeshtën e vitit 2024 janë planifikuar zgjedhjet presidenciale dhe një referendum për anëtarësimin në BE. “Në prag të këtyre zgjedhjeve ne shohim që tani përpjekje për të destabilizuar situatën në vendin tonë”, paralajmëroi së fundmi ministri i Jashtëm moldav Mihai Popsoi.

dw

Hapet baza ajrore e NATO-s në Kuçovë

Kucove NatoShqipëria merr më shumë përgjegjësi për paqen dhe sigurinë në rajon. Në Kuçovë rihapet baza ajrore, e cila do të vihet në funksion të misioneve taktike të NATO-s.

 

Pas 19 viteve mungesë avionët luftarakë fluturuan sërish mbi qiellin e Kuçovës, duke shënuar zyrtarisht rihapjen e bazës ushtarake në këtë qytet. “Një pikë strategjike në mbrojtje të paqes dhe të operacioneve të NATO-s” – e cilësoi atë ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi në çelje të ceremonisë së inagurimit. Peleshi tha se kjo bazë është një prej investimeve më madhore të NATO-s në Shqipëri dhe do të shërbejë si “një aset për rajonin”.

 

Rama: Element sigurie për Ballkanin Perëndimor

Edhe për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, baza ajrore e Kuçovës është një “element sigurie për rajonin e Ballkanit Perëndimor” që sipas tij rrezikohet nga kërcënimi rus. Sipas tij kjo do të ndikojë edhe në përmirësimin e flotës ajrore të Shqipërisë.

“Riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është njëkohësisht edhe pjesë e ripërtëritjes dhe rritjes së mëtejshme cilësore të flotës sonë ajrore. Dy helikopterët e rinj BlackHawk si dhe dronët Bayraktar janë pjesë e një rritjeje që do të vazhdojë” – tha Rama.

Rama njoftoi se me finalizimin e bazës së re taktike ajrore të NATO-s, në planet e aleancës euroatlantike është edhe ndërtimi i një baze detare në Porto Romano, në Durrës.

 

Bashkëpunim, solidaritet, bashkërendim

Për presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, rijetësimi i bazës ajrore të Kuçovës tregon se Shqipëria ka një rol strategjik për të forcuar aleancën e Nato-s. “Kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes” – u shpreh kreu i shtetit shqiptar.

Në ceremoninë e hapjes mori pjesë si përfaqësues i Nato-s edhe gjenerali Juan Pablo Sanchez De Lara, i cili deklaroi se Shqipëria është e gatshme të marrë më shumë përgjegjësi për të mbrojtur sigurinë dhe paqen.

Pas fjalëve përshëndetëse, në qiell fluturuan dy helikopterët “Black Hawk”, dronët “Bayraktar” dhe gjashtë avionët “Eurofighter F – 2000”.

 

Metamorfoza e bazës ushtarake të Kuçovës

Ish-baza ajrore e epokës komuniste u ndërtua me punë vullnetare në vitet 1950 dhe konsiderohej si një vend strategjik i parandorisë sovjetike përballë botës perëndimore.

Vetë Kuçova njihej deri në vitet 90 si “Qyteti Stalin”. Aty ishin vendosur një numër jo i vogël avionësh bombardues, deri sa baza u mbyll dhe flota e MiG-ve u tërhoq në vitin 2005.

Shqipëria u bë anëtare e NATO-s në vitin 2009. Punimet për Bazën e Kuçovës filluan rreth dy vjet më parë, ndërsa hapja e saj u njoftua nga sekretari i Shtetit amerikan, Antony Blinken, gjatë vizitës së tij në Tiranë më 15 shkurt. “Gjatë 15 viteve të saj në NATO Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancën tonë. Muajin e ardhshëm do të përurohet baza ajrore të NATO-s në Kuçovë” – qe shprehur Blinken. Për këtë bazë NATO-ja ka investuar rreth 50 milionë euro, ndërsa qeveria shqiptare ka dhënë mbi 5 milionë euro.

dw