Hapet baza e Nato-s në Kuçovë, ulen dy avionët e parë

Eurofighter KucoveNë Shqipëri, sot u inaugurua baza ajrore e Nato-s në Kuçovë, një investim prej mbi 50 milionë eurosh i Aleancës. Gjatë një ceremonie ku morën pjesë autoritetet më të larta të vendit si dhe përfaqësuesë të Nato-s dhe vendeve anëtare, u vu në dukje rëndësia e saj strategjike, edhe për rajonin e Ballkanit. Baza, do të shërbejë dhe si qendra kryesore për forcat ajrore shqiptare.

 

Dy avionë ushtarakë italianë “Eurofighter”, të nisur nga baza e Aviano-s në Itali, ishin të parët që u ulën në pistën e bazës së re taktike dhe operacionale të Nato-s, në Kuçovë, e cila në kohën e komunizmit kishte strehuar dhjetra avionë të prodhimit rus e më pas kinez, për t’iu kundërvënë perëndimit. Nga sot, kjo bazë pas dy vite punimesh, është në dispozicion të Aleancës.

Ajo do të shërbejë “për t’iu përgjigjur kërcënimeve që vijnë nga kufiri lindor dhe jugor i Aleancës, njëkohësisht edhe rritjes së aftësive tona të mbrojtjes kolektive, duke promovuar ndërveprimin midis forcave aleate dhe duke mundësuar një përgjigje të shpejtë dhe efektive ndaj çdo sfide që mund të lindë. Gjithashtu baza ajrore Kuçovë, e vetmja e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, do të kontribuojë në mundësimin e planit rajonal jugor-lindor në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të Aleancës, patrullimin e hapësirës ajrore, mbështetjen logjistike si kapacitet i vendit pritës apo edhe për qëllime e situata të tjera”, tha gjatë fjalës së tij Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare Gjeneralmajor Arben Kingji.

Pork jo bazë nuk do të shërbejë vetëm për qëllime ushtarake, pasi siç deklaroi dhe ministri shqiptar i Mbrojtjes Niko Peleshi “ka kapacitetin e nevojshëm për të mbështetur përpjekjet tona të përbashkëta në përballje me fatkeqësitë natyrore. Pozicioni gjeografik i favorshëm mund ta kthejë këtë vend në një nyjë lidhëse të vlefshme për të gjitha vendet e rajonit tonë”.

Përfaqësuesë të Nato-s dhe vendeve anëtare vlerësuan rolin e Shqipërisë në gjirin e Aleancës, ndërsa theksuan rëndësinë e kësaj organizate, veçanërisht në kontekstin e konflikteve aktuale që kërcënojnë dhe vetë Europën

Dhe për presidentin Bajram Begaj, “Nato, nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për aleancën. Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës. Ky investim merr një rëndësi të veçantë sidomos më kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar”.

Kryeministri Rama po ashtu vuri në duke se baza e Kuçovës ka një rëndësi “që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Një bazë e cila është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor i cili e dimë mirë se është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse”.

Baza e Kuçovës do jetë dhe qendra kryesore për forcat ajrore shqiptare, flota e së cilës pritet të pasurohet, me dronë të tjerë “Bajraktar” të blerë nga Turqia, apo dhe me helikopterë të tjerë amerikanë Black Hawk, të cilët u ngritën sot për herë të parë nga kjo bazë.

voa

Shtuni: Kosova dhe Bosnja, të cenueshme nga radikalizimi

radikalizmiNë dritën e konfliktit në Gazë, Adrian Shtuni, ekspert i sigurisë, paralajmëron për ndikimin e tij në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.

 

Ai thotë se polarizimi social dhe politik që ekziston në këto dy vende, mund të çojë në radikalizëm dhe dhunë politike.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërshtetërore kudo në Ballkan, e veçanërisht ndërmjet Kosovës e Serbisë, është shumë i rëndësishëm”, thotë Shtuni, studiues i radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Ai shton se Kosova “ka mësuar shumë nga përvoja me luftëtarët e huaj që shkuan në Siri e Irak”, por thekson se rreziku për rekrutime të reja në Lindjen e Mesme vazhdon ende.

Shtuni, javë më parë, publikoi edhe një analizë të veten për konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – dhe implikimet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

 

Radio Evropa e Lirë: Çfarë ju shtyu të analizoni se si sulmet terroriste të 7 tetorit kundër Izraelit dhe konflikti pasues në Gazë mund të ndikojnë në Evropë, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, në aspektin e sigurisë?

ShtuniAdrian Shtuni: Konflikti Izrael – Hamas [grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera] tashmë ka pasur ndikim të shumëfishtë në aspektin humanitar dhe të sigurisë, si në Lindjen e Mesme, ashtu edhe në Evropë.

Për arsyen se Ballkani Perëndimor është urë gjeografike midis Lindjes së Mesme dhe Evropës dhe rajoni me popullsinë më të madhe myslimane vendase të kontinentit, ky konflikt rezonon në mënyrë të veçantë në rajon. Kjo reflektohet edhe në solidaritetin tradicional me popullin palestinez. Pra, ka më shumë vëmendje, interes, ndjeshmëri nga publiku ndaj këtij konflikti dhe, padyshim, edhe ndikime që duhen analizuar dhe kuptuar qartë dhe objektivisht.

Ndër tendencat që kam vënë re për sa i përket sigurisë, mund të rendit si kryesorin shqetësimin nga ana e vendeve të Bashkimit Evropian për një valë të re refugjatësh dhe emigrantësh të parregullt nga Lindja e Mesme, që mund të kalojnë transit nëpër Ballkanin Perëndimor, drejt vendeve të BE-së. Pak a shumë si gjatë krizës në Siri dhe Irak.

Shqetësimi është se militantë terroristë mund të depërtojnë në valën e refugjatëve dhe emigrantëve, që sa më e madhe të jetë, aq më e vështirë bëhet për t’u kontrolluar.

Trende të tjera problematike janë rritja e gjuhës së urrejtjes, e vërejtur si gjatë protestave pro-palestineze, ashtu edhe në postimet në rrjetet sociale, si dhe rritja e konsiderueshme e keqinformimit dhe dezinformimit online mbi konfliktin në Gazë.

Të gjitha këto përbëjnë shqetësim për përshkallëzim të polarizimit shoqëror dhe radikalizim të shtuar, që mund të pasohet nga aktivitete që cenojnë sigurinë në rajon.

 

Radio Evropa e Lirë: A ka ndonjë vend të caktuar në Ballkanin Perëndimor që është më i rrezikuar dhe pse?

Adrian Shtuni: Fatkeqësisht, si në Kosovë, ashtu edhe në Bosnje, situata politike dhe sociale është mjaft e polarizuar. Gjuha e përbuzjes dhe urrejtjes ndëretnike është në rritje, titujt bombastikë që paralajmërojnë luftë mes Kosovës dhe Serbisë apo shpërbërjen e dhunshme të Bosnjës janë të kudondodhura. Eskalimi i tensioneve është kthyer në normalitet.

Edhe në aspektin e radikalizimit dhe militantizmit fetar që ka dalë në plan të parë gjatë kohës së konfliktit në Siri dhe Irak, këto dy vende kanë pasur numrin më të madh të qytetarëve që kanë udhëtuar në vatrat e luftës në Lindjen e Mesme dhe u janë bashkuar organizatave terroriste atje. Ky problem mund të jetë fashitur disi viteve të fundit, por, gjithsesi, vazhdon të përbëjë një rrezik të rëndësishëm sigurie.

Elementet e mësipërme tregojnë se këto dy vende janë më të cenueshme nga radikalizimi dhe dhuna politike apo ideologjike.

Edhe Maqedonia e Veriut shfaq probleme të ngjashme me dy vendet e tjera në rajon, por relativisht më pak shqetësuese.

Gjithsesi, dihet se polarizimi social dhe politik, veçanërisht në vendet me tensione ndëretnike me sfond fetar, kur përzihet me gjuhën e urrejtjes, çon në radikalizëm dhe dhunë politike.

 

Radio Evropa e Lirë: Sa shqetësuese është mundësia e terroristëve që përdorin rrugën e Ballkanit Perëndimor për të hyrë në Bashkimin Evropian, veçanërisht kur kihet parasysh rritja e fundit e kalimeve të parregullta kufitare?

Adrian Shtuni: Ky vlerësohet si një kërcënim i vazhdueshëm nga EUROPOL-i [agjencia evropiane e policisë], po të gjykojmë nga raportet që publikohen çdo vit. Sipas Frontex-it [agjencisë evropiane kufitare], viti 2023 pati një rritje rekorde të hyrjeve të parregullta të migrantëve në BE, pra një vëllim që s’ishte parë që prej vitit 2016. Nëse konflikti Izrael-Hamas përhapet më gjerësisht në rajon, probabiliteti që ky fluks të rritet, do të ishte i lartë.

Në një rast të tillë, ekziston shqetësimi se vala e refugjatëve dhe migrantëve të parregullt që do të kalonte përmes rrugës ballkanike, mund të depërtohej edhe nga militantët terroristë. Një gjë e tillë u përjetua në vitet 2015-16, gjatë luftës në Siri dhe Irak, ku qindra mijëra njerëz, shpesh pa asnjë dokument identifikimi ose me dokumente të falsifikuara, kaluan përmes Ballkanit Perëndimor për në vendet e BE-së.

Fatkeqësisht, kjo valë njerëzish, jo rrallë, është përdorur nga terroristë të maskuar si refugjatë, që më pas kanë kryer sulme terroriste në Evropë.

Si përgjigje ndaj këtij rreziku, në fund të vitit të kaluar, njëmbëdhjetë vende të zonës Schengen kanë rivendosur kontrollet kufitare, pesë prej të cilave përmendin rrezikun e depërtimit të terroristëve në BE nëpërmjet Ballkanit.

Fakti që agjencitë e specializuara të sigurisë në pesë vende të BE-së vlerësojnë se ky është një rrezik aktiv, është domethënës – gjë që shton shqetësimet lidhur me situatën e sigurisë në rajon.

 

Radio Evropa e Lirë: Cili mendoni se duhet të jetë fokusi kryesor i autoriteteve rajonale dhe partnerëve ndërkombëtarë sa u përket hapave që duhet t’i ndërmarrin për të forcuar sigurinë kufitare?

Adrian Shtuni: Padyshim se siguria e kufijve bëhet më së shumti e cenueshme në kohëra krizash të lëvizjeve migratore të parregullta, që përkojnë me shtimin e aktiviteteve kriminale në zonat ndërkufitare.

Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare duhet t’i trajtojnë këto sfida në tërësi dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Prandaj, prioritet duhet të jenë: rritja dhe fuqizimi i kapaciteteve që garantojnë sigurinë e kufijve, ngritja e cilësisë së bashkëpunimit ndërkufitar në nivel rajonal dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke zbatuar zotimet e marra gjatë procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

 

Radio Evropa e Lirë: Në artikullin tuaj përmendni shqetësimet për mundësinë e një vale të re luftëtarësh të huaj nga Ballkani Perëndimor që t’iu bashkohen konflikteve në Lindjen e Mesme. Cilët janë faktorët kryesorë që kontribuojnë në këtë?

Adrian Shtuni: Gjatë viteve 2012-2016, rreth 1.100 qytetarë të Ballkanit Perëndimor udhëtuan drejt vatrave të luftës në Siri dhe Irak dhe iu bashkuan organizatave terroriste që vepronin atje. I gjithë fenomeni i luftëtarëve të huaj nga Ballkani nuk ishte diçka e rastësishme, nuk ndodhi brenda natës, nuk ishte punë amatorësh apo njerëzve të papunë e të pashkolluar. Kjo duhet të kuptohet qartë, pasi fenomeni i radikalizimit dhe luftëtarëve të huaj nuk i përket së shkuarës.

Ende qindra qytetarë të vendeve të Ballkanit Perëndimor gjenden në Siri dhe dhjetëra vazhdojnë të luftojnë në veriperëndim të vendit. Vetëm pak javë më parë, një djalë shqiptar 26-vjeçar nga Maqedonia e Veriut u vra në afërsi të Idlibit [në Siri].

Faktikisht, fenomeni i luftëtarëve të huaj është pasojë e një pune graduale të rrjeteve transnacionale të mirorganizuara dhe të mirëfinancuara nga jashtë, që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë baza të qarta ideologjike, me synim përhapjen e rrymave ultrakonservatore fetare me agjenda politike në rajon.

Padyshim, vendet që kanë pasur nivelet më shqetësuese të radikalizimit, rekrutimit dhe mobilizimit të luftëtarëve të huaj, janë vendet që kanë përjetuar luftëra ndëretnike me sfond fetar në vitet ’90, gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Shkatërrimi, traumat dhe tensionet e vazhdueshme shoqërore e politike të pasluftës në rajon janë ndër faktorët që janë shfrytëzuar nga rrjetet radikalizuese.

Fatkeqësisht, nuk mund të thuhet se rajoni ka bërë shumë progres në lidhje me normalizimin e situatës. Siç e përmenda më lart, polarizimi social dhe politik është i lartë dhe diskursi publik është i mbingarkuar me retorikë nacionaliste.

Akoma më shqetësuese është se tensionet ndëretnike janë instrumentalizuar politikisht dhe kanë përfunduar në përplasje të armatosur në Banjskë [në veri të Kosovës].

Parë në kontekstin e luftës në Gazë, mund të them se në këtë moment në Ballkanin Perëndimor ka një gërshetim faktorësh radikalizues, si të brendshëm, ashtu edhe të jashtëm. Prandaj, nuk duhet menduar se ajo që u përjetua pak kohë më parë me valën e luftëtarëve të huaj që shkuan në Siri dhe Irak i përket së shkuarës, pasi faktorët dhe infrastruktura radikalizuese janë ende të pranishme.

 

Radio Evropa e Lirë: Nga cilat vende ka më shumë gjasa që të ndodhë kjo?

Adrian Shtuni: Nuk mendoj se ishte rastësi që shumica dërrmuese e luftëtarëve të huaj nga Ballkani Perëndimor që iu bashkuan organizatave terroriste në Siri dhe Irak, vinin nga vende që përjetuan luftëra të përgjakshme ndëretnike me sfond fetar. Sa më i lartë të jetë polarizimi, tensionet dhe paqëndrueshmëria e shoqërisë, aq më e lartë është mundësia e radikalizimit dhe dhunës politike.

Thjesht, nëse gjykojmë nga e kaluara, vendet me paqëndrueshmërinë më të lartë janë më të cenueshmet ndaj radikalizimit. Pra, po flas për Bosnjën, Kosovën dhe deri diku edhe për Maqedoninë e Veriut. Kjo është një nga arsyet pse ka rëndësi kritike të punohet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

 

Radio Evropa e Lirë: Kosova ishte ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, nga ku njerëzit, në shkallë të gjerë, shkuan për të luftuar në Lindjen e Mesme. Por, Kosova reagoi duke miratuar ligje që i sanksionojnë këto veprime…

Adrian Shtuni: Kosova ka reaguar shpejt dhe mendoj se ka mësuar shumë nga përvoja me luftëtarët e huaj që shkuan në Siri e Irak. Po ashtu, ka qenë një nga vendet e para që riatdhesoi qytetarët e saj. Ky ishte një hap shumë i rëndësishëm, por një hap në një rrugë të gjatë.

A ka më rrezik? Sigurisht, po. Nuk ka vende që mund të konsiderohen imune ndaj radikalizimit të dhunshëm ose rekrutimit për aktivitete terroriste, prandaj duhet ndërgjegjësim, njohje me themel e shkaqeve që çojnë në radikalizëm, dhe vigjilencë e punë e vazhdueshme për të parandaluar përhapjen e ideologjive që nxisin padurimin dhe urrejtjen etnike apo fetare.

 

Radio Evropa e Lirë: Çfarë masash konkrete mund të zbatohen për të parandaluar radikalizimin dhe rekrutimin e individëve nga rajoni nga grupet ekstremiste?

Adrian Shtuni: Shpesh mendohet se masat represive me forca të rendit janë çelësi për zgjidhjen e këtij problemi, por në fakt parandalimi proaktiv i radikalizimit është investimi më efektiv.

Para së gjithash, kjo nënkupton adresimin e faktorëve të brendshëm socialë dhe politikë, që e bëjnë një shoqëri më të paqëndrueshme e të cenueshme nga radikalizimi. Këtu përfshihet polarizimi politik dhe shoqëror, tensionet ndëretnike dhe fetare, ultranacionalizmi, gjuha e urrejtjes etj.

Prandaj, theksoj se normalizimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërshtetërore kudo në Ballkan, e veçanërisht ndërmjet Kosovës e Serbisë, është shumë i rëndësishëm.

Është gjithashtu e nevojshme të punohet në mënyrë sistematike për t’iu kundërvënë keqinformimit dhe dezinformimit, që shpesh përshpejtojnë polarizimin social, radikalizimin dhe dhunën politike. Për këtë duhet punuar shumë në fushën e edukimit mediatik, që publiku i cili konsumon informacione dhe lajme nga mediat sociale, të mos bjerë pre e lajmeve të rreme dhe të deformuara qëllimisht nga ata që kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe përhapin ideologji që nxisin urrejtje dhe dhunë.

Sigurisht se për të gjitha këto duhet të ketë një koordinim rajonal nga struktura të veçanta dhe të kontrollohet sistematikisht puna e organizatave dhe fondacioneve me bazë fetare dhe ideologjike, të financuara nga jashtë, në mënyrë që aktivitetet e tyre të mos bien ndesh me ligjet e vendeve të rajonit apo me normat demokratike.

 

Radio Evropa e Lirë: E përmendni dezinformimin dhe keqinformimin si problem edhe në analizën tuaj. Çfarë masash konkrete sugjeroni për luftimin e kësaj dukurie?

Adrian Shtuni: Autoritetet shtetërore përgjegjëse për mbikëqyrjen e mediave tradicionale duhet të rrisin monitorimin e përmbajtjeve dhe programeve mediatike dhe të krijojnë mekanizma llogaridhënieje për ata që shkelin standardet dhe rregullat.

Gjithashtu, duhet të ketë bashkëpunim me kompanitë kryesore të mediave sociale ndërkombëtare, për të kërkuar rritjen e kapacitetit për moderimin e përmbajtjeve që keqinformojnë apo dezinformojnë qëllimisht në gjuhët kryesore të Ballkanit Perëndimor.

Fatkeqësisht, këto kompani, aktualisht, pothuajse nuk u kushtojnë aspak vëmendje përmbajtjeve të postuara në platformat e tyre në gjuhët ballkanike.

Gjithsesi, në planin afatmesëm dhe afatgjatë, prioritet duhet t’i jepet krijimit të kapaciteteve të nevojshme për edukimin mediatik, veçanërisht për të rinjtë që konsumojnë më së shumti informacione nga mediat sociale.

 

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund ta ketë ndikuar këshillimin kundër udhëtimeve, të lëshuar nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, në vendet specifike në Evropë, të tilla si Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina?

Adrian Shtuni: Të gjitha vendet kanë sisteme të veçanta për vlerësimin e nivelit të kërcënimeve të sigurisë, të bazuar në kritere specifike që zakonisht nuk bëhen publike. Megjithatë, duket se Shqipëria ka kaluar ndërkohë nga niveli i rrezikshmërisë 3 në nivelin 1, pra vlerësohet se nuk ka asnjë kërcënim për udhëtim nga ana e qytetarëve të Izraelit.

Ndërkohë, sipas vlerësimit të përditësuar nga Izraeli, Bosnja vazhdon të ketë një kërcënim të nivelit 3, pra të moderuar.

rel

Hovenier: Dialogu, strategjia më e mirë për Kosovën

HovenierAmbasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se duan të shohin Kosovën pjesë të familjes euroatlantike, por ka tërhequr vërejtjen ndaj qeverisë, duke thënë se duhet të tregojë përkushtim në dialog.

 

“Duam të shohim Kosovën e avancuar në trajektoren euro-atlantike. Ne, besojmë që e vetmja mënyrë është dialogu i lehtësuar nga BE. Më gjerësisht që jemi në një pikë kthese, kjo vendoset nga Qeveria e Kosovës. Strategjia më e mirë për Kosovën është të bëjë çdo gjë që mundet për të treguar vullnetin e vazhdueshëm të mirë, kreativitetin, energjinë e përkushtimin ndaj obligimeve që i ka marrë përsipër”, ka deklaruar ambasadori amerikan.

Ai ka reaguar ndaj ministres Gërvalla, ndaj deklaratës së saj, e cila ka kërkuar reagim të tanishëm si parandalim i luftës në të ardhmen. Hovenier ka përmendur investimet e SHBA-së në Kosovë si garancë për paqen.

“Gati nuk ka vend në botë që përfiton më shumë nga investimet e SHBA-së: 4 mijë trupa ushtarake të NATO-s sigurojnë stabilitetin në Kosovë. Ky është aspekti pengues i luftës në Kosovë. Nuk besoj që ka mungesë në këtë drejtim”, ka thënë ai.

 

Szunyog: Ndalja e dialogut është mbyllje e derës

(Plotësuar 16:49) Tomas Szunyog, ambasador i BE-së në Kosovë, ka theksuar njësoj si homologu amerikan Hovenier, se e vetmja rrugë drejt anëtarësimit në institucionet euro-atlantike është dialogu.

“Për mua e vetmja mënyrë për t’i arritur proceset e integrimit është dialogu. Ndalja e dialogut është mbyllje e derës”, ka thënë ai.

Tutje ai thënë se në qendër të interesit të Këshillit të Evropës po qëndron Evropa Lindore dhe aktualisht jo Ballkani Perëndimor. Sipas tij, BE ka pasur përpjekje të gjata në Ballkanin Perëndimor, por ka pasur çështje të pa kaluara nga shtetet. Ai ka përmendur edhe ndarjen buxhetore të bërë në shkurt, duke bërë krahasimin mes 50 miliardë euro për Ukrainën dhe 6 miliardëve të Ballkanit Perëndimor.

“Nëse shohim procesverbalin e samiteve të Këshillit Evropian, koha më e madhe po kalohet duke u marrë me Ukrainën, Moldavinë e Gjeorgjinë dhe jo me Ballkanin Perëndimor. Mesazhet politike për zgjerimin me gjasë mund të përcaktohen nga zhvillimet në Evropën Lindore”, ka thënë ai.

 

Rohde: Edhe Kosova i ka detyrat e shtëpisë që duhet t’i kryejë

(16:47) Ambasadori gjerman, Jorn Rohde gjithashtu ka bërë thirrje për përmbushje të kërkesave gjatë procesit të dialogut, duke e ndërlidhur atë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Vendimi i duhur (duhet të jetë v.j.) në kohën e duhur. Anëtarësimi i Kosovës është afër portës. Edhe Kosova i ka detyrat e shtëpisë që duhet t’i kryejë, këtë e mendoj kur them vendimet e duhura”, ka thënë ai.

 

Gërvalla: Duhet gjuhë e qartë penguese ndaj sulmeve e kërcënimeve

(Plotësuar 16:33) Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se deri në vitin 2030, në aspektin diplomatik, gjuha kërcënuese duhet të ndëshkohet në mënyrë që në të ardhmen mos të ketë luftë.

“Shumë gjëra duhet të ndryshojnë deri në vitin 2030, për shembull duhet të ketë gjuhë të qartë të pengojmë sulmet apo veprimet ndaj atyre që kërcënojnë gjithë rajonin, jo vetëm vendin tonë, me luftë në të ardhmen. Për t’i parandaluar luftërat në të ardhmen, duhet të veprojmë në të tashmen, përndryshe do të jemi në pozicionin e njëjtë si në vitet e ‘90-ta”, ka thënë ajo.

Një deklaratë të tillë ministrja Gërvalla e bëri në sesionin “Përshkrimi i së ardhmes: Drejtimet e politikave dhe angazhimi diplomatik”, në kuadër të konferencës “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor”. Në panel po marrin pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier,  ambasadori gjerman, Jorn Rohde dhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

“Dialogu si i vetëm nuk mund të sjellë gjithmonë suksesin, në kohë lufte të kesh sukses në dialog të duhet pengimi, mbrojtja, diplomacia dhe vendimet. Tash në prill do të kemi diskutimin nëse Kosova do të ftohet të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, pra të duhet dialogu, diplomacia me bisedime”, ka deklaruar ajo.

Gërvalla në pyetjen se kush janë tre personalitetet që e kanë frymëzuar në rrugëtimin e saj diplomatik, është përgjigjur me Skënderbeun, Nënë Terezën dhe Ibrahim Rugovën.

rtk

Gjykata e Lartë vendos në favor të ish Presidentit Trump për kandidimin në zgjedhjet paraprake

Gjykata e larte usaGjykata e Lartë të hënën riktheu emrin e ish Presidentit Donald Trump në fletëvotimet e zgjedhjeve paraprake në garën presidenciale të këtij viti, duke hedhur poshtë përpjekjet e disa shteteve për ta mbajtur përgjegjës zotin Trump për trazirat në Kapitol.

 

Një ditë para zgjedhjeve paraprake të Super të Martës, gjykatësit vendosën se shtetet nuk mund të fusin në përdorim nenet e Kushtetutës të shkruara pas Luftës Civile amerikane, për të hequr nga fletëvotimi kandidatët presidencialë. Sipas Gjykatës së Lartë, kjo e drejtë i takon Kongresit.

“Fitore e madhe për Amerikën!!!” shkruajti zoti Trump në platformën e tij sociale menjëherë pas shpalljes së vendimit.

Ky vendim u jep fund përpjekjeve në shtetet si Kolorado, Illinoi dhe Mein për ta hequr emrin e zotit Trump nga fletëvotimi, ndërsa ai është kandidati kryesor republikan për të fituar emërimin e kësaj partie, për shkak të përpjekjeve të tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 kundër kandidatit demokrat Joe Biden, përpjekje që kulmuan me sulmin e 6 janarit 2021 në Kapitol.

Çështja e zotit Trump përbën herën e parë që Gjykata e Lartë shqyrton një nen të Amendamentit të 14-të, të miratuar pas Luftës Civile, që synonte t’ua ndalonte ish zyrtarëve që kishin poste publike dhe që “morën pjesë në kryengritje”, rikthimin në poste të tilla.

Gjykata e Lartë e Kolorados, në një vendim historik, kishte vendosur se ky nen mund të zbatohej në rastin e zotit Trump, i cili sipas kësaj gjykate, nxiti sulmin në Kapitol. Asnjë gjykatë në të kaluarën nuk e ka zbatuar këtë nen ndaj një kandidati për president.

Disa vëzhgues të proceseve zgjedhore kanë paralajmëruar se një vendim që lë hapur mundësinë e veprimit të Dhomës së Përfaqësuesve për të zbatuar këtë nen, ka gjasa të mundësojë një mosmarrëveshje të re rreth përdorimit të tij për të skualifikuar zotin Trump në rast se ai i fiton zgjedhjet. Sipas një skenari të mundshëm, një Dhomë e Përfaqësuesve me shumicë demokrate mund të mos certifikojë zgjedhjen e zotit Trump më 6 janar të vitit 2025, bazuar tek ky nen.

Kjo çështje pastaj do t’i rikthehej Gjykatës së Lartë, ndoshta mes një krize të thellë kushtetuese.

Palët kishin kërkuar që gjykata të vepronte me shpejtësi. Gjykata dëgjoi argumentet e palëve më 8 shkurt, para më pak se një muaji. Që atëherë gjykatësit dukeshin të prirur për të marrë një vendim në favor të zotit Trump.

Emrit i zoti Trump ishte hequr nga fletëvotimet në Kolorado, Mein dhe Illinoi, por këto vendime ishin pezulluar në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë.

Kjo çështje përbën angazhimin më të drejtpërdrejtë të gjykatës në zgjedhjet presidenciale që nga çështja mes kandidatëve për president Bush dhe Gore, për të cilën u mor një vendim para 25 viteve, duke i dhënë fitoren e zgjedhjeve të vitit 2000 kandidatit republikan George W. Bush.

Dhe kjo është vetëm njëra nga çështjet ndaj zotit Trump, apo që mund të ndikojë në gjasat që ai të bëhet sërish president. Në fund të prillit, palët do të paraqesin argumentet në një çështje tjetër që do të shqyrtojë nëse zoti Trump duhet të ndiqet penalisht nën akuzat se ka ndërhyrë në zgjedhje, përfshirë për rolin e tij në sulmin e 6 janarit në Kapitol.

Kuadri kohor i vendimit të Gjykatës së Lartë ka ngritur dilema nëse zoti Trump do të gjykohet para zgjedhjeve të nëntorit.

Seanca për dëgjimin e argumentave të palëve në muajin shkurt ishte hera e parë që Gjykata e Lartë pranoi të shqyrtojë një çështje të bazuar tek pika 3 e amendamentit të 14-të të Kushtetutës amerikane. Ky nen i përbërë nga vetëm dy fjali, synonte përjashtimin nga funksionet publike të disa anëtarëve të Konfederatës. Aty thuhet se personave që shkelin betimin për të mbështetur Kushtetutën u ndalohen pozicione të ndryshme, përfshirë në legjislativ, apo si elektorë për zgjedhjen e presidentit. Por, aty nuk përmendet konkretisht vetë posti i presidentit.

Anëtarët konservatorë dhe liberalë të Gjykatës së Lartë shtruan pyetjet e tyre për çështjen kundër zotit Trump. Shqetësimi i tyre kryesor kishte të bënte me pikëpyetjen nëse do të duhej të vepronte fillimisht Kongresi përpara se vihet në përdorim amendamenti i 14-të. Pati gjithashtu pikëpyetje nëse kjo dispozitë vlente për postin e presidentit.

Përfaqësuesit e votuesve që kishin ngritur padinë për të përjashtuar zotin Trump nga kandidimi në Kolorado, patën argumentuar se ekzistonin prova të mjaftueshme se ngjarjet e 6 janarit ishin një rebelim dhe se ato u nxitën nga zoti Trump, i cili i pati bërë thirrje një turme mbështetësish të tij të mbledhur përpara Shtëpisë së Bardhë “të luftonin me të gjitha forcat”. Ata thanë se do të ishte absurde që pika 3 të aplikohej për çdo post tjetër përveç presidencës, apo se zoti Trump mund të ishte i përjashtuar nga ky nen. Ata gjithashtu argumentuan se për zbatimin e këtij neni nuk kishte nevojë për ndonjë legjislacion mbështetës.

Avokatët e zotit Trump paraqitën disa argumenta se përse ky amendament nuk mund të përdorej për ta hequr emrin e zotit Trump nga fletëvotimet. Ata thanë se 6 janari nuk ishte një rebelim dhe se edhe nëse ishte, zoti Trump nuk shkoi në Kapitol dhe as nuk iu bashkua pjesëmarrësve në trazira. Ata thanë gjithashtu se frazologjia e përdorur në amendament përjashton presidencën dhe kandidatët për president. Ata thanë se edhe nëse nuk do të qëndronte ndonjë prej këtyre argumentave, Kongresit i duhet sidoqoftë të miratojë legjislacion të ri për të riaktivizuar seksionin 3 të amendamentit të 14-të të Kushtetutës.

Ndër anëtarët e Gjykatës së Lartë janë tre gjykatës që janë emëruar nga vetë zoti Trump gjatë kohës që ishte president. Ata kanë marrë në shqyrtim ndër vite disa çështje të lidhura me zotin Trump, duke refuzuar të mbështesin pretendimet e tij të pavërtetuara për manipulim në zgjedhjet e vitit 2020, apo duke refuzuar kërkesën e tij që të dhënat e tij të taksave mos t’u jepeshin Kongresit dhe prokurorëve në Nju Jork.

Hera e fundit që Gjykata e Lartë pati një rol kaq konkret në politikë për zgjedhjen e presidentit ishte para 23 vitesh, kur u mor vendimi 5 me 4 për çështjen Bush kundër Gore. Nga anëtarët e tanishëm të gjykatës, vetëm gjykatësi Clarence Thomas ishte në atë kohë në detyrë. Ai ka refuzuar thirrjet nga disa ligjvënës demokratë për t’u tërhequr nga çështja e zotit Trump, për shkak se bashkëshortja e tij, Ginni, mbështeti përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe mori pjesë në tubimin që i parapriu sulmit ndaj Kapitolit.

 

voa

Baerbock: Siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, jetike për BE-në

BaerbockShtetet e Ballkanit Perëndimor meritojnë mbështetje të fortë në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, tha kryediplomatja gjermane më 4 mars, duke vënë në pah rrezikun që paraqet Moska për stabilitetin e rajonit.

 

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se BE-ja nuk mund të përballojë ato që ajo i cilësoi si “zona gri” të sigurisë.

“Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes që të ketë kudo në Evropë zona gri dhe duhet të bëjmë gjithçka që mundemi së bashku për të mbyllur krahët që Rusia mund të përdor në politikën e saj të destabilizimit, dezinformimit dhe ndërhyrjes”, tha ajo para se të nisej për një vizitë në Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë.

“Kjo përfshin mbështetjen për shtetet e Ballkanit Perëndimor në forcimin e institucioneve të tyre demokratike, në përmirësimin e qëndrueshmërisë së tyre dhe në ofrimin e mundësive ekonomike për njerëzit”, shtoi kryediplomatja gjermane.

Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, së bashku me Kosovën, Shqipërisë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut bëjnë pjesë në Ballkanin Perëndimor.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje këtyre shteteve që të kryejnë reformat e nevojshme për integrimin në bllokun evropian.

Brukseli ka thënë se Mali i Zi deri më tani ka shënuar më së shumti përparim në procesin e anëtarësimit, por ritmi është i ngadalshëm.

Podgorica ka nisur negociatat e anëtarësimit më 2012. Por, edhe në skenarin më ambicioz, BE-ja nuk pritet që të pranojë anëtarë të rinj deri në fundin e dekadës.

Në dhjetor të vitit 2022, Bosnje e Hercegovina mori statusin e vendit kandidat për BE, por negociatat për anëtarësim ende nuk kanë nisur. Nga shtetet e rajonit, Kosova mbetet e fundit në integrimin evropian, pasi është e vetmja që ende nuk ka statusin e vendit kandidat.

“Është bërë nevojë gjeopolitike, posaçërisht në dritë të imperializmit brutal të Rusisë, që ne të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbështetur gjashtë vendet e rajonit në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE”, tha Baerbock.

Gjatë qëndrimit në Podgoricë, Baerbock do të takohet me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, ministrin e Jashtëm, Fillip Ivanoviq, dhe presidentin Jakov Millatoviq.

Më vonë gjatë së hënës, në Sarajevë Baerbock do të takohet me anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, por edhe me përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili mbikëqyr paqen në këtë shtet.

rel

Inaugurohet sot baza ajrore e NATO-s në Kuçovë

kucovaBaza ajrore e NATO-s në Kuçovë hapet sot e cila do të jetë në funksion të misioneve të Aleancës.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga montimi i 3 dronëve luftarakë “Bajraktar” që do të përdoren nga Forcat e Armatosura për misione ushtarake, por do të kenë mundësi të përfshihen dhe në operacione policore dhe civile.

Rama shprehët se dronët “Bajraktar” do të bëjnë fluturimin e parë në ceremoninë e çeljes së bazës së re ajrore të NATO-s sot në Kuçovë.

droneMe këtë rast do të mbahet një ceremoni e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes ku janë të ftuar dhe do marrin fjalën 2 përfaqësues të lartë të Aleancës, Stacy Cummings Menaxherja e Përgjithshme e Agjencisë për Mbështetjen dhe Prokurimin dhe gjeneral lejtnant Pablo Sánchez de Lara që është komandanti i Qendrës së Kombinuar të Operacionit Ajror të NATO-s në Bazën Ajrore të Spanjës.

Në këtë ceremoni do të marrin pjesë edhe Presidenti Bajram Bega, Kryeministrit Edi Rama si dhe ministrat e Mbrojtjes së Italisë e Turqisë.

Pas fjalimeve, është parashikuar dhe një spektakël ajror ku do të fluturojnë dy F35, dy F16 dhe 2 Eurofighter për të demonstruar kapacitetet taktike dhe teknike të këtyre avionëve ushtarakë.

atsh

Beogradi sërish në zgjedhje

BeogradZgjedhjet për pushtetin në kryeqytetin e Serbisë, do të rimbahen më vonë gjatë këtij viti, thanë të dielën autoritetet serbe. Njoftimi pasoi disa muaj tensionesh politike në rritje rreth pretendimeve se partia në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiç, mashtroi në zgjedhjet për kuvendin e qytetit të Beogradit.

 

Partia Përparimtare Serbe e krahut të djathtë u shpall fituese e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit. Por aleanca kryesore opozitare, Serbia Kundër Dhunës, këmbënguli se asaj iu vodh fitorja në Beograd dhe votimet për parlamentin e vendit u dëmtuan gjithashtu nga parregullsi të përhapura. Mosmarrëveshjet çuan në protesta të mëdha në rrugë.

Nuk është e qartë se kur do të mbahen zgjedhjet e reja në Beograd, e diela ishte afati i fundit që duhej të ishte mbledhur kuvendi komunal.

“Konstatoj se aktualisht nuk ka kuorum për mbajtjen e seancës dhe ju njoftoj se nuk janë plotësuar kushtet e parapara me ligjin për vetëqeverisjen lokale për konstituimin e Kuvendit të qytetit të Beogradit. Kjo do të thotë zgjedhje të reja”, tha Toma Fila, kryetar i Kuvendit të Beogradit.

Presidenti Vuçiç dhe partia e tij i kanë hedhur poshtë pretendimet për manipulime, duke i cilësuar ato të sjuara që synojnë destabilizimin e Serbisë.

Vëzhguesit ndërkombëtarë, thanë në fillim të kësaj jave se votimet e dhjetorit u mbajtën në “kushte të padrejta”, pjesërisht për shkak të përfshirjes së presidentit dhe avantazheve që i krijon sistemi partisë në pushtet.

Raporti i OSBE/ODIHR-it në Evropë tha gjithashtu se zgjedhjet ishin “dëmtuar nga retorika e ashpër, animet në media, trysnia ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”.

Ai renditi një sërë rekomandimesh që Serbia duhet të përmbushë përpara zgjedhjeve të ardhshme.

Politikanët e opozitës thanë se zhvillimet në Beograd dëshmuan se presidenti Vuçiç humbi pushtetin prej një dekade në kryeqytetin serb.

“Sot ata pranuan se i humbën zgjedhjet pavarësisht vjedhjeve të përmasave të mëdha. Qytetarët e Beogradit kanë treguar se nuk i duan ata”, tha Vladimir Obradoviç, kandidat i opozitës për postin e kryetarit të Beogradit.

Opozita dhe disa vëzhgues lokalë të zgjedhjeve thanë se votues nga jashtë janë përfshirë në listat e votuesve në Beograd dhe janë dërguar me autobusë në ditën e zgjedhjeve për të votuar për partinë në pushtet.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por presidenti Vuçi është përballur me akuza për kufizimin e lirive demokratike që kur mori kontrollin mbi pushtetin mbi një dekadë më parë.

voa

Si e kapi Rusia bisedën sekrete të ushtrisë gjermane?

PistoriusMinistri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius paralajmëron nga përçarjet pas publikimit të një bisede të përgjuar të Bundeswehrit. Politikanë të Unionit CDU/CSU kërkojnë të merren masa.

 

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius ka bërë thirrje për unitet pas publikimit nga Rusia të një bisede të oficerëve të lartë të aviacionit luftarak gjerman. “Bëhet fjalë për një sulm hibrid të disinformimit, bëhet fjalë për përçarje, dhe minim të unitetit tonë”, tha politikani socialdemokrat. “Ne nuk duhet të biem në grackën e Putinit.”

Prandaj duhet të reagojmë me mençuri, “po jo me më pak vendosmëri”. Pistorius ka refuzuar marrjen e masave për personelin ushtarak në këtë moment. Ky do të ishte ekzagjerim, por duhet të sqarohet, nëse në këtë bisedë janë diskutuar përmbajtje sekrete dhe nëse për këtë bisedë shërbimi i konferencave, Webex ka qenë formati i duhur për të komunikuar.

 

Kiesewetter: Rusia ka pasur me gjasë të dhënat e regjistrimit

Televizioni rus kishte publikuar të premten në internet një regjistrim të një konference me telefon të oficerëve të lartë të ushtrisë gjermane, bisedë përgatitore para informimit të ministrit të Mbrojtjes. Aty dëgjohet, si kreu i aviacionit luftarak gjerman, Ingo Gerhartz me tre oficerë bisedon për një mision të mundshëm të raketave “Taurus” në Ukrainë kundër sulmuesve rusë.

Informacionet janë pjesërisht me vlerë të madhe ushtarake. Një nga inspektorët e ushtrisë gjermane, thotë se ai e përfytyron se si fillim mund të jepen 50 pastaj edhe 50 raketa të tipit “Taurus”, nëse kancelari e ndryshon qëndrimin, përveç kësaj flitet se edhe britanikët në lidhje me raketat që i kanë ofruar Ukrainës “kanë disa njerëz në terren”. Një çështje tjetër për të cilën u bisedua  teorikisht, ishin edhe raketat Taurus dhe nëse ato teknikisht do ishin në gjendje të shkatërronin urën e ngritur nga Rusia pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë. Apo nëse Ukraina mund të bënte dot goditjen si psh programimin, pa ndihmën e Bundeswehrit. Publikimi i kësaj bisede tregon problemet e sigurisë brenda ushtrisë gjermane.

Nuk dihet saktësisht si Rusia e ka siguruar bisedën. Por politikani i CDU-së për Mbrojtjen, Roderich Kiesewetter është i mendimit, se Moska ka pasur të dhëna për t’u regjistruar në platformë. “Për fat të keq shtohen të dhënat, se me gjasë një pjesëmarrës rus është regjistruar në Webex dhe nuk ka rënë në sy, që aty ka pasur një numër tjetër telefoni që ka qasje”, tha politikani i CDU-së për ARD. Kieswetter i referohet burimeve profesionale, pa përmendur origjinën e informacionit.

Koha e publikimit të bisedës është zgjedhur me qëllim, thotë si politikani i CDU, Kiesewetter ashtu edhe ministri i Mbrojtjes, Pistorius. “Askush nuk beson seriozisht, se kjo ishte rastësi”, tha Pistorius duke iu referuar publikimit pak pas vdekjes së kritikut të Kremlinit, Aleksej Navalny dhe publikimit të investigimeve për Wirecard dhe Jan Marsalek. “Në fund ka rëndësi që të ne të qëndrojmë të bashkuar”, tha Pistorius.

 

la/ag

Gjermani: Numri i mjekëve të huaj më i madh se kurrë më parë

mjeketMungesa e mjekëve në Gjermani mbetet e lartë. Një zgjidhje mund të jenë mjekët nga jashtë. Numri i tyre tashmë është dyfishuar në krahasim me vitin 2013, por përfaqësuesit e mjekëve paralajmërojnë për probleme.

 

Numri i mjekëve pa pasaportë gjermane ka arritur nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në Gjermani. Në fund të vitit të kaluar kishte 63.763 mjekë, sipas gazetës Funke Mediengruppe, që citon statistikat e Shoqatës Gjermane të Mjekësisë.

Sipas statistikave, numri është dyfishuar në krahasim me vitin 2013, kur ishte rreth 30 mijë. Në vitin 1993, në Gjermani kishte vetëm rreth 10.000 mjekë të huaj.

 

Siria dhe Rumania vendet më të zakonshme të origjinës

Sipas shifrave, shumica e mjekëve pa pasaportë gjermane vijnë nga vendet e BE apo shtete të tjera evropiane, si dhe nga vendet e Lindjes së Mesme.

Vendet më të zakonshme të origjinës janë Siria (6.120), Rumania (4.668), Austria (2.993), Greqia (2.943), Rusia (2.941) dhe Turqia (2.628). Numri i përgjithshëm i mjekëve në Gjermani ishte 557.528 në fund të vitit 2022.

 

Përfaqësuesi i mjekëve paralajmëron për pengesa gjuhësore

Presidenti i Shoqatës së Mjekëve të Landit Rajnland-Pfalc, Jürgen Hoffart, paralajmëroi për problemet në rritje të shkaktuar nga njohurita e dobta të gjermanishtes te kolegët e huaj. Herë pas here ndodhin keqkuptime që rrezikojnë jetën e njerëzve. Për shembull, termat “dhimbje gjoksi” dhe “dhimbje barku” ngatërrohen, duke bërë që mjeku të fokusohet tek barku dhe të anashkalojë infarktin.

Problemi mund të përkeqësohet edhe më shumë në vitet në vijim, “sepse do të kemi gjithnjë e më shumë mjekë të huaj”. Një arsye është mungesa e mjekëve, thotë Hoffart. Studentët gjermanë nuk do të arrijnë të plotësojnë kërkesën për personel mjekësor në të ardhmen. Nga rreth 11.000 të diplomuar çdo vit në Gjermani, një pjesë e konsiderueshme nuk vazhdojnë të ushtrojnë këtë profesion.

 

Ekuivalenca e trajnimit të mjekëve jashtë BE

Sipas sindikatës së mjekëve Marburger Bund, i ashtuquajturi Ligji i Njohjes i vitit 2012 u ofron edhe mjekëve të trajnuar në një vend jashtë BE mundësinë për të përcaktuar ekuivalencën e trajnimit të tyre (testi i ekuivalencës apo konvertimit). Në rastet kur nuk ka ekuivalencë, atyre u jepet mundësia të bëjnë një provim gjuhe dhe një provim tjetër njohurish në Gjermani brenda dy viteve. Vetëm atëherë ata mund të aplikojnë për leje për të praktikuar. Testi përbëhet nga një provim gojor dhe praktik, në të cilin vizitohen pacientë. Testi është i fokusuar në mjekësinë e brendshme dhe kirurgji. Veç kësaj kontrollohen njohuritë edhe për specialitete të tjera mjekësore.

Megjithatë, kohëzgjatja e procedurave të njohjes duhet të shkurtohet ndjeshëm. Përveç kësaj, oferta e kurseve të specializuara të gjuhës duhet të përmirësohet.

Mjekët gjermanë theksojnë se pothuajse të gjithë mjekët emigrantë vijnë në kontakt për herë të parë me sistemin shëndetësor gjerman, nëpërmjet spitaleve. Klinikat duhet të plotësojnë kërkesat e nevojshme për kualifikim dhe integrim.

 

 

aud (ag/btg)

Barcelonë, panairi i teknologjisë me risitë më të reja

teknologjia BarceloneNë Barcelonë të Spanjës u zhvillua panairi më i madh i teknologjisë ku morën pjesë kompani nga e gjithë bota. Por këtë vit vend kryesor zuri inteligjenca artificiale dhe kombinimi i saj në shumë aplikacione që përdoren në telefona apo në kompjutera. Ndër pajisjet e prezantuara është edhe një laptop me ekran transparent që kombinon inteligjencën artificiale dhe realitetin virtual. Kompjuteri nuk do të dal në treg së shpejti, por firma Lenovo që e prodhon atë, thotë se pajisja tregon aftësitë e përdorimit të teknologjisë.

 

Ky është një laptop i së ardhmes i prodhuar nga kompania Lenovo. Modeli “ThinkBook” ka një ekran transparent pa kornizë që shfrytëzon teknologjinë Micro-LED.

“Ekrani ushqehet me pamje nga një kamera që filmon imazhet ose objektet prapa kompjuterit. Inteligjenca artificiale e identifikon objektin ku është e fokusuar kamera dhe mund të ofrojë të dhëna rreth tij”, thotë Ag Zheng me firmën Lenovo.

Kompjuteri i të ardhmes është ende në fazën e konceptit dhe ende nuk është gati për prodhim masiv. Megjithatë, firma Lenovo thotë se kjo është teknologjia që do të përdorin në të ardhmen kompjuterat portativë.

“Kjo është prova e një koncepti për ekran transparent që e lejon përdoruesin të ndërveprojë me botën reale. Ekrani transparent e lehtëson ndërthurjen e inteligjencës artificiale me realitetin e shtuar të botës reale”, thotë Tom Butler me degën komerciale të firmës Lenovo.

Pajisja përdor teknologji që integron botën virtuale me atë reale. Duke përdorur përmbajtje të ‘prodhuara’ nga inteligjenca artificiale, në ekran mund të mbivendosen të dhëna dixhitale përkarshi objekteve fizike që filmon kamera. Lenovo thotë se kompjuteri në fjalë mund të përdoret kudo.

“Paneli që ndriçon ekranin të jep mundësinë e përdorimit të kompjuterit portativ kudo në natyrë. Mund të punoj jashtë në natyrë dhe madje të përdor edhe lapsin dixhital”, thotë zoti Butler.

Kompjuteri futurist me ekran transparent nuk do të dalë në treg së shpejti ndërsa firma Lenovo thotë se kjo është teknologjia e së ardhmes.

voa