Hovenier: Dialogu, strategjia më e mirë për Kosovën

HovenierAmbasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se duan të shohin Kosovën pjesë të familjes euroatlantike, por ka tërhequr vërejtjen ndaj qeverisë, duke thënë se duhet të tregojë përkushtim në dialog.

 

“Duam të shohim Kosovën e avancuar në trajektoren euro-atlantike. Ne, besojmë që e vetmja mënyrë është dialogu i lehtësuar nga BE. Më gjerësisht që jemi në një pikë kthese, kjo vendoset nga Qeveria e Kosovës. Strategjia më e mirë për Kosovën është të bëjë çdo gjë që mundet për të treguar vullnetin e vazhdueshëm të mirë, kreativitetin, energjinë e përkushtimin ndaj obligimeve që i ka marrë përsipër”, ka deklaruar ambasadori amerikan.

Ai ka reaguar ndaj ministres Gërvalla, ndaj deklaratës së saj, e cila ka kërkuar reagim të tanishëm si parandalim i luftës në të ardhmen. Hovenier ka përmendur investimet e SHBA-së në Kosovë si garancë për paqen.

“Gati nuk ka vend në botë që përfiton më shumë nga investimet e SHBA-së: 4 mijë trupa ushtarake të NATO-s sigurojnë stabilitetin në Kosovë. Ky është aspekti pengues i luftës në Kosovë. Nuk besoj që ka mungesë në këtë drejtim”, ka thënë ai.

 

Szunyog: Ndalja e dialogut është mbyllje e derës

(Plotësuar 16:49) Tomas Szunyog, ambasador i BE-së në Kosovë, ka theksuar njësoj si homologu amerikan Hovenier, se e vetmja rrugë drejt anëtarësimit në institucionet euro-atlantike është dialogu.

“Për mua e vetmja mënyrë për t’i arritur proceset e integrimit është dialogu. Ndalja e dialogut është mbyllje e derës”, ka thënë ai.

Tutje ai thënë se në qendër të interesit të Këshillit të Evropës po qëndron Evropa Lindore dhe aktualisht jo Ballkani Perëndimor. Sipas tij, BE ka pasur përpjekje të gjata në Ballkanin Perëndimor, por ka pasur çështje të pa kaluara nga shtetet. Ai ka përmendur edhe ndarjen buxhetore të bërë në shkurt, duke bërë krahasimin mes 50 miliardë euro për Ukrainën dhe 6 miliardëve të Ballkanit Perëndimor.

“Nëse shohim procesverbalin e samiteve të Këshillit Evropian, koha më e madhe po kalohet duke u marrë me Ukrainën, Moldavinë e Gjeorgjinë dhe jo me Ballkanin Perëndimor. Mesazhet politike për zgjerimin me gjasë mund të përcaktohen nga zhvillimet në Evropën Lindore”, ka thënë ai.

 

Rohde: Edhe Kosova i ka detyrat e shtëpisë që duhet t’i kryejë

(16:47) Ambasadori gjerman, Jorn Rohde gjithashtu ka bërë thirrje për përmbushje të kërkesave gjatë procesit të dialogut, duke e ndërlidhur atë me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Vendimi i duhur (duhet të jetë v.j.) në kohën e duhur. Anëtarësimi i Kosovës është afër portës. Edhe Kosova i ka detyrat e shtëpisë që duhet t’i kryejë, këtë e mendoj kur them vendimet e duhura”, ka thënë ai.

 

Gërvalla: Duhet gjuhë e qartë penguese ndaj sulmeve e kërcënimeve

(Plotësuar 16:33) Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se deri në vitin 2030, në aspektin diplomatik, gjuha kërcënuese duhet të ndëshkohet në mënyrë që në të ardhmen mos të ketë luftë.

“Shumë gjëra duhet të ndryshojnë deri në vitin 2030, për shembull duhet të ketë gjuhë të qartë të pengojmë sulmet apo veprimet ndaj atyre që kërcënojnë gjithë rajonin, jo vetëm vendin tonë, me luftë në të ardhmen. Për t’i parandaluar luftërat në të ardhmen, duhet të veprojmë në të tashmen, përndryshe do të jemi në pozicionin e njëjtë si në vitet e ‘90-ta”, ka thënë ajo.

Një deklaratë të tillë ministrja Gërvalla e bëri në sesionin “Përshkrimi i së ardhmes: Drejtimet e politikave dhe angazhimi diplomatik”, në kuadër të konferencës “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor”. Në panel po marrin pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier,  ambasadori gjerman, Jorn Rohde dhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

“Dialogu si i vetëm nuk mund të sjellë gjithmonë suksesin, në kohë lufte të kesh sukses në dialog të duhet pengimi, mbrojtja, diplomacia dhe vendimet. Tash në prill do të kemi diskutimin nëse Kosova do të ftohet të bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, pra të duhet dialogu, diplomacia me bisedime”, ka deklaruar ajo.

Gërvalla në pyetjen se kush janë tre personalitetet që e kanë frymëzuar në rrugëtimin e saj diplomatik, është përgjigjur me Skënderbeun, Nënë Terezën dhe Ibrahim Rugovën.

rtk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>