Navalny u varros në varrezat e Moskës pas vdekjes në burg

NavalnyTurma brohoriste “Navalny, Navalny!” ndërsa arkivoli i tij u çua në kishë për funeralin. Ngjarjet u zhvilluan mes masave të rrepta të sigurisë dhe paralajmërimeve se protestat nuk do të lejoheshin.

 

Dy javë pas vdekjes në burg, kritiku i Kremlinit Aleksek Navalny u varros në Moskë, në varrezat Borisovskoye, në juglindje të kryeqytetit rus, në prani të disa të afërmve të tij. Arkivoli u ul në tokë nën muzikën e filmit “Terminator”, shkroi Ivan Zhdanov, një mbështetës i Navalny-t në shërbimin online Telegram, pasi të afërmit dhe mbështetësit i dhanë lamtumirën të ndjerit pranë arkivolit të hapur. Pamje të drejtpërdrejta u shfaqën në një transmetim në YouTube. Trupi shihej i mbuluar me lule në arkivol, i rrethuar nga njerëz të shumtë. Nëna e Navalnyt, e cila mbante një qiri, dhe babai i tij rrinin ulur pranë arkivolit gjatë ceremonisë dhe, sipas agjencisë së lajmeve AFP, një turmë pranë varrezave thirri “Jo luftës!”.

 

Thirrje kundër Putinit

Pavarësisht nga kontigjenti i madh i policisë dhe i forcave të sigurisë, shumë njerëz ishin mbledhur që disa orë përpara funeralit. Shumë mbanin lule në duar. Sipas ekipit të Navalnyt, radha e njerëzve që prisnin ishte disa kilometra e gjatë. Përpara varrezave, u dëgjuan parulla kundër Presidentit Putin dhe luftës në Ukrainë. Në transmetimin e drejtpërdrejtë që mbështetësit e të ndjerit transmetuan në YouTube, dëgjoheshin njerëzit duke brohoritur “Navalny” dhe “Nuk do të harrojmë”, si dhe “Nuk kishit frikë dhe ne nuk kemi frikë”.

 

Ambasadorët perëndimorë në funeral

Pas një ceremonie në kishë, arkivoli me trupin e kritikut u transferua në varrezat e Borissovskoye, rreth gjysmë ore larg në këmbë.

Diplomatë perëndimorë, midis tyre ambasadori i Gjermanisë Alexander Graf Lambsdorff, ambasadorja e SHBA Lynn Tracy dhe ambasadori francez Pierre Levy, morën pjesë gjithashtu në funeral.

E veja e Navalnyt, Julia Navalnaya, vajza e saj Darya dhe djali i saj Zakhar nuk morën pjesë në funeral, sepse janë jashtë vendit për sigurinë e tyre. Gruaja e Navalnyt e kishte akuzuar presidentin rus Vladimir Putin për vrasjen e burrit të saj. Me këtë veprim ajo do të rrezikonte arrestimin në Rusi. Ekipi i Navalnyt gjithashtu nuk është në Rusi, sepse kolegët e tij, të konsideruar ekstremistë, gjithashtu do të arrestoheshin menjëherë. Edhe SHBA dhe BE, ndër të tjera, fajësojnë presidentin Putin për vdekjen e Navalnyt.

Navalnaya publikoi një videoklip si një mesazh dashurie me skena nga jeta e tyre së bashku, për t’i dhënë lamtumirën bashkëshortit të saj. “Ljosha, faleminderit për 26 vite lumturi absolute”, shkroi 47-vjeçarja në Instagram. “Po, edhe për tre vitet e fundit të lumturisë. Për dashurinë, që më ke mbështetur gjithmonë, që më ke bërë të qesh edhe në burg, që ke menduar gjithmonë për mua.” Ljosha është forma përkëdhelëse e emrit Aleksej.

 

Atmosferë kërcënuese para funeralit të Navalnyt

Aparati rus i pushtetit kishte krijuar një sfond kërcënues para kishës dhe varrezave: gardhe metalike u ngritën në një zonë të gjerë, dhjetëra automjete emergjente me personel të uniformuar zunë pozicione herët në mëngjes. Persona me uniformë kontrollonin dokumentet dhe sendet personale të kalimtarëve, njoftuan mediat ruse. Qasja në internet përmes celularit ishte gjithashtu e kufizuar. Oficerë të shumtë policie u vendosën në varrezat Borissovskoye dhe Kremlini paralajmëroi kundër pjesëmarrjes në manifestime “të paautorizuara” përpara fillimit të shërbesës përkujtimore. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha për agjencinë e lajmeve Tass se kushdo që merr pjesë në një tubim të tillë do të “mbahet përgjegjës në përputhje me ligjin”.

Navalny vdiq në mes të shkurtit në moshën 47-vjeçare në një burg në Siberi, për arsye që janë ende të paqarta.

dw, dlf, tagesschau

BDI: Komuna e Tetovës shpërblen me tenderë milionëshe kompanitë e familjes Bajrami, të afërt me Lëvizjen Besa

tender 1Komuna e Tetovës shpërblen me tenderë milionëshe kompanitë e familjes Bajrami që janë të afër me udhëheqësinë komunale dhe Lëvizjen Besa. Kështu kanë reaguar sot nga Bashkimi Demokratik për Integrim, në lidhje me rastin për tenderët milionësh të Komunës së Tetovës ndaj tre kompanive: Eko-Peu, Ereu-Trans dhe Mujo Bajrami, për të cilat Portalb.mk raportoi para dy ditëve.

Nga BDI theksojnë se miliona euro nga buxheti i Komunës së Tetovës janë derdhur në llogaritë e tre firmave Eko-Peu, Ereu-Trans dhe Mujo-Bau që janë në pronësi familjes Bajrami.

tender 2“Këto firma kanë marrë tenderë ekskluzivisht nga Komuna e Tetovës dhe nga asnjë institucion tjetër. Ende më interesant është fakti që dy nga këto firma kanë vetëm nga një të punësuar, ndërsa kanë marrë miliona euro tenderë. Dyshimi rritet ende më shumë kur kuptohet se këto firma kanë veprimtari komplet të ndryshme nga punët të cilët obligohet t’i kryejnë sipas marrëveshjes së nënshkruar mes tyre dhe Komunës së Tetovës”, thonë nga BDI.

Ata theksojnë se pronarët dhe familjarët e afërt të këtyre kompanive nuk e fshehin lidhjen që kanë me udhëheqësinë e Komunës së Tetovës dhe Lëvizjen Besa duke publikuar fotografi nga mbledhje të ndryshme partiake.

“Intensiteti shkon edhe më larg kur shtojmë që shefi aktual i urbanizmit në Komunën e Tetovës është familjar dhe mik i pronarëve të kompanive të lartcekura dhe ish i punësuar në të njëjtën kompani që tani po marrin tenderë milionësh nga Komuna e Tetovës”, thanë nga BDI.

Ata akuzuan komunën për keqpërdorime dhe se shpërblen militantët partiakë, ndërsa apeluan te Prokuroria dhe Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit që të hetojë këto raste.

Nga viti 2021 e deri më sot, tenderë me shuma milionëshe nga Komuna e Tetovës kanë përfunduar në tre kompanitë tetovare në rrjetin e familjes Bajrami. Bëhet fjalë për dy kompanitë e themeluara pak para zgjedhjeve lokale të vitit 2021 dhe që figurojnë me nga një të punësuar: Shoqëria për turizëm, hotelieri dhe shërbime “Eco-Peu”, Shoqëria për ndërtim, transport, tregti dhe shërbime “Ereu-Trans”, si dhe Shoqëria për ndërtim, transport, tregti dhe shërbime “Mujo-Bajrami” të themeluar në vitin 2011. Këto kompani sipas Sistemit Elektronik për Prokurime Publike janë përftuese tenderësh ekskluzivisht vetëm nga Komuna e Tetovës. Në total, vlera e kontratave të Komunës së Tetovës me këto tre kompani është mbi 182 milionë denarë apo afër tre milionë euro. Në infografiqet më poshtë janë të gjitha tenderët në detaje.

 

“Përzgjedhja është bërë në bazë të kritereve të cilat janë konform Ligjit për ndërtim dhe kritereve të ligjit për marrjen e Licencës për realizues ndërtimi që min. nevojiten 2 inxhinierë me autorizim B dhe minimum 5 të punësuar dhe pas e-Aukcionit të realizuar është përzgjedhur oferta më e volitshme në bazë të çmimit më të lirë ku në secilën procedurë Prokurimi ka më së paku 5 ofertues”, theksuan nga Komuna e Tetovës.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami për Portalb.mk mohoi të ketë keqpërdorime në këto tenderë.

“Janë të gjithë tenderë në bazë zë procedurave të përcaktuara me ligj dhe të përcjella nga Byroja për Furnizime Publike, po të kishte diçka të dyshimtë edhe Prokuroria edhe Revizioni Shtetëror do ishin në dyert e Komunës së Tetovës, ashtu si janë çdo ditë për procedura tjera. Unë ja e shfrytëzoj rastin edhe Revizionit edhe Prokurorisë edhe çdokush që mund të ketë dyshime për keqpërdorime, Komuna e Tetovës është e hapur për bashkëpunim”, deklaroi Kasami.

Merkos i ngritet aktakuzë – Llogaria bankare e komunës e bllokuar, kryetari bleu veturë 67 mijë euro

ramiz-merkoKryetari i Strugës Ramiz Merko ka përfunduar me aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Shkak është bërë blerja e makinave, përfshirë edhe veturën luksoze Audi, në periudhën kur komuna e Strugës kishte llogari të bllokuara bankare, shkruan Alsat.

 

Që në vitin 2020 Komisioni kundër korrupsionit ka dorëzuar nismë për ndjekje penale të Merkos për blerjen e automjetit me vlerë 67 mijë euro. Kështu ka bërë të ditur në brifing me gazetarët, kreu i Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazi së bashku me prokurorë të tjerë.

Lidhur me blerjen e qendrës tregtare “Soravia” nga nipi i Ali Ahmetit, Drin Ahmeti, prokurorët thanë se njësitet e MPB-së punojnë në mënyrë aktive për mbledhjen e dokumentacionit. Mirëpo, ata nuk janë përgjigjur nëse ka dëshmuar edhe Drin Ahmeti.

Prokuroria bën me dije se hetimi paraprak përfshin kundërzbulimin financiar dhe Drejtorinë e të Ardhurave Publike si dhe konstatohet lidhja e personave në këtë rast me institucionet shtetërore. Të dhëna kërkohen edhe nga Fondi i Inovacionit, Ministria e Brendshme, si dhe të dhëna nga vendet e treta pa specifikuar se cilat.

Prokurorët ndanë edhe informacione për rastin “Bektel & Enka”. Ata shqyrtojnë prokurimin publik për përzgjedhjen e kompanisë që duhet të mbikëqyrë ndërtimin si dhe aktet ligjore. Ata thonë se janë duke bashkëpunuar me Entin e Revizionit dhe është mbledhur dokumentacion i gjerë.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar njoftoi se së shpejti do të merret vendim për ndërtimin e spitaleve modulare, për të cilat janë mbledhur të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë, ajo e Transportit dhe Lidhjeve, si dhe Banka Botërore.

Në rastin e ndërtimit pranë Holiday Inn, prokurorët nuk konstatuan dëme në buxhet. Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, nuk do të ndiqet penalisht për rastin me stacionin e kontrollit teknik Via Komerc, për të cilin Spasovski nuk e ka nënshkruar vendimin për mbylljen e tij, edhe pse në të janë konstatuar parregullsi.

Abazi, i pyetur për kritikat e Komisionit kundër korrupsionit që shumë gjetje nuk janë shndërruar në aktakuza, ka thënë se shumica e tyre janë bosh dhe nuk ka bazë për të vepruar sipas tyre.

alsat

Shqipëria pranon dronët Bayraktar, dërgohen në bazën e NATO-s në Kuçovë

Dronët Bayraktar, të blerë prej Shqipërisë nga Turqia, të vendosur në bazën ajrore në Kuçovë.Dronët Bayraktar, të blerë prej Shqipërisë nga Turqia, të vendosur në bazën ajrore në Kuçovë.

 

Ushtria e Shqipërisë i ka pranuar tre dronë të prodhimit turk Bayraktar.

Marrëveshje për blerjen e një flote me dronë të tillë është nënshkruar në dhjetor të vitit 2022.

Ende nuk dihet se sa ka kushtuar blerja e njërit prej tyre.

“Dronët Bayraktar, të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, tashmë janë në Shqipëri! Prej dy ditësh, ka filluar montimi dhe paralelisht po kryhet instalimi i infrastrukturës mbështetëse për operimin dhe kontrollin e tyre”, ka shkruar ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në Facebook.

Ai ka thënë se zotërimi i këtyre dronëve rrit aftësinë e mbrojtjes së Shqipërisë dhe është dëshmi e angazhimit për të garantuar sigurinë kombëtare.

Dronët Bayraktar janë vendosur në bazën e NATO-s në Kuçovë, e cila do të përurohet më 4 mars.

Dronët Bayraktar janë aeroplanë ushtarakë pa pilotë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pati thënë se marrëveshja për dronët është arritur falë partneritetit strategjik me Turqinë.

Rama e ka bërë të qartë se dronët do të përdoren edhe për misione ushtarake, por edhe policore dhe civile.

“Tre dronët që do të vijnë të parët do të jenë plotësisht të armatosur dhe të gatshëm për çdo rast dhe shpresoj që të mos ndodhë kurrë, por nuk jetojmë në kohë të sigurta. Kur siguria jonë kombëtare të jetë në kërcënim, do të jemi gati për luftë”, ka thënë Rama.

Marrëveshja përfshin, gjithashtu, trajnimin e më shumë se 30 personave, që do përzgjidhen me ndihmën e kompanisë “Bayraktar” për t’u përgatitur për të marrë funksionin e qendrës së kontrollit, që do jetë objekt i teknologjisë më të lartë në bazën ajrore të Kuçovës.

Droni TB2 është zhvilluar në Turqi nga Selcuk Bayrakar, i diplomuar në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit.

Droni Bayraktar mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij.

Dronët TB2 janë përdorur nga Turqia në ato që ajo i quan operacione “kundër terrorizmit” kundër militantëve kurdë, por edhe në luftën civile që ende po vazhdon në Libi.

rel

Çfarë pinin ilirët? Birrë, verë dhe ujëmjaltë.

iliretPërveç ujit dhe qumështit, ilirët e lashtë konsumonin edhe disa nga pijet më të vjetra të njerëzimit.

Sipas dëshmive të historianëve, ilirët konsumonin në sasi të mëdha verën, madje e kanë njohur këtë pije shumë kohë përpara kolonizimit të Adriatikut nga fiset greke.

 

Sipas Strabonit, ilirët e Panonisë njoheshin për kultivimin e hardhive dhe prodhimin e verës me cilësi të lartë. Ndërsa Taulantët kanë qenë të njohur për një pije të veçantë me bazë mjaltin që ndoshta ishte përzihej me verën. Të shumtë janë historianët që tregojnë se ilirët kanë konsumuar në masë birrën.

“Ilirët hanë dhe pijnë duke ndenjur; nga ana tjetër, nëpër gosti marrin edhe gratë me vete, për të cilat është një gjë e mirë që të pijnë për shëndetin e cilitdo nga të pranishmit… Kur pijnë, (ilirët) i mbështjellin barqet e tyre me breza të gjerë; dhe këtë gjë në fillim e bëjnë me masë, por sa më tepër që pijnë, aq më tepër e shtrëngojnë brezin”. – Theopompi.

Nuk dihet me saktësi se kur u zbulua birra. Sot, provat më të lashta për ekzistencën e birrës mendohet të jenë rreth më se 6,000 vjet dhe përshkruhen nga qytetërimi i lashtë i sumerëve.

Birra besohet se u shpërnda në Evropë nga gjermanët dhe keltët, duke mbetur pija e preferuar e evropianëve. Birrat e para kishin në përbërjen e tyre: fruta, mjaltë, bimë të ndryshme, erëza, por edhe substanca që tashmë njihen si substanca narkotike. Galët e vjetër e kanë quajtur bukë të lëngët për çka ka shumë arsye.

Popullata e lashtë ilire, përveç kultivimit dhe përpunimit të rrushit, njëkohësisht prodhoi edhe birrën vendase me bazë elbin, të cilën kryesisht e përdornin aristokracia ilire. Kontinuiteti i prodhimit të birrës është ndërprerë me depërtimin dhe pushtimin e Perandorisë Osmane në Ballkan.

historiashqiptare

Kryediplomatët e shtatë vendeve të BE-së letër krerëve të Unionit: Koha për përparim në procesin e zgjerimit, urgjent caktimi i një afati për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor

letraNë të njëjtën ditë kur në Tiranë mbahej Samiti BE- Ballkani Perëndimor për Planin e Rritjes Ekonomike, figura të rëndësishme politike të vendeve kryesore të BE-së i kanë dërguar një letër krerëve të Unionit ku kërkojnë përshpejtim të procesit të Zgjerimit.

 

Zv.kryeministri italian, Antonio Tajani dhe ministrat e Jashtëm të Greqisë, Çekisë, Kroacisë dhe Austrisë i kanë dërguar një letër Charls Michel, Presidenti i Këshillit Europian, Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian dhe Roberta Metsola Presidente e Parliamentit Europian, që të angazhohen personalisht “për të finalizuar me prioritetin më të lartë negociatat ndërinstitucionale për ‘Lehtësimin e Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor’ përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian”.

 

LETRA

 

Të nderuar Presidentë/Të nderuar kolegë,

 

Në konkluzionet e tij të 14-15 dhjetorit 2023, Këshilli Evropian ripohoi angazhimin e tij të plotë dhe të qartë për perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe bëri thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të tyre, duke përfshirë avancimin e integrimit gradual midis Bashkimit Evropian dhe Rajonit.

Kanë kaluar më shumë se dy dekada që kur Këshilli miratoi Deklaratën e Selanikut. Ka ardhur koha për përparim vendimtar në procesin e zgjerimit të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Një kohë e qartë dhe e arsyeshme për pranimin e tyre është më urgjente se kurrë.

Në këtë kontekst, ne mirëpresim dhe mbështesim Planin e ri të Rritjes të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor. Ky plan ofron një mundësi konkrete për ta afruar rajonin me tregun e vetëm të BE-së, për të thelluar integrimin ekonomik rajonal dhe për të përshpejtuar reformat themelore. Nëse zbatohet me sukses, ai do të kontribuojë në nxitjen e konvergjencës socio-ekonomike, duke trajtuar ikjen e trurit nga rajoni, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij dhe duke mbështetur rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE.

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, siç nënvizohet në deklaratën e tyre të përbashkët të datës 22 janar 2024, kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë për objektivat e Planit të Rritjes dhe gatishmërinë e tyre për ta zbatuar atë. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Ky ishte edhe përfundimi i përbashkët i takimit të Ministrave të Jashtëm të “Miqve të Ballkanit Perëndimor” me partnerët e Ballkanit Perëndimor në Romë më 5 shkurt 2024.

Prandaj, ne bëjmë thirrje për angazhimin tuaj personal për të finalizuar me prioritetin më të lartë negociatat ndërinstitucionale për “Lehtësimin e Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor” përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.

Koha është thelbësore. Çdo vonesë do të dëmtojë besueshmërinë e BE-së dhe do të ketë një ndikim negativ në procesin e integrimit evropian të rajonit.

 

Sinqerisht,
Antonio Tajani, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Italiane

Jan Lipavský, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke

Alexander Schallenberg Ministër Federal për Evropën dhe Çështjet ndërkombëtare të Republikës së Austrisë

Gordan Grliq Radman, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë

Juraj Blanar, Ministër i Çështjeve me Jashtë dhe Evropiane i Republikës së Sllovakisë.

George Gerapetritis, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Greke

Tanja Fajon, Ministër i Çështjeve me Jashtë dhe Evropiane të Republikës së Sllovenisë

Top Channel

Kërcënimet e presidentit Putin nuk duhet të mbivlerësohen

PutinEkspertë gjermanë të politikës së jashtme kërkuan që të mos frikësohemi nga kërcënimet e presidentit rus Vladimir Putin për një përshkallëzim bërthamor të luftës në Ukrainë.

 

Kryetari i Komisionit parlamentar të Punëve të Jashtme dhe deputeti social-demokrat, Michael Roth, u shpreh kundër mbivlerësimit të fjalimit të Presidentit rus Vladimir Putin për gjendjen e kombit. “Ai përsërit akuzat dhe kërcënimet e tij të njohura ndaj Perëndimit”, tha kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Bundestag, Michael Roth, për Rrjetin redaksional të Gjermanisë (RND). “Ne nuk duhet t’i lejojmë vetes të na impresionojë kjo” – tha Roth.

Roth e quajti fjalimin e Putinit si një përpjekje për të motivuar popullin rus për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen pas dy javësh, në të cilat Putini do të kandidojë përsëri.

 

Përpjekje për të motivuar popullin rus

Putinit i duhet të bënte të njohura dhurata të gjithëllojshme zgjedhore, “sepse mungesa e alternativave nuk është ndonjë arsye e mirë për të marrë pjesë në zgjedhje”, tha Roth. Prandaj Putini premtoi se së shpejti do të ketë më shumë para për pensionistët, punonjësit e shtetit dhe veteranët.

“Regjimi i Putinit dëshiron absolutisht të shmangë që rezultatet e falsifikuara të zgjedhjeve të duken si shumë joreale,” tha politikani i SPD-së. Zgjedhjet në Rusi do të jenë “po aq të lira dhe demokratike sa edhe zgjedhjet në Bashkimin Sovjetik ose në ish-RDGJ”.

Deklarata të ngjashme bënë edhe politikanë të tjerë ekspertë të politikës së jashtme, nga CDU/CSU, të Gjelbrit dhe nga FDP.

Anton Hofreiter nga të Gjelbrit, tha se qëllimi i Putinit me kërcënimet e tij është të bëjë që shtetet perëndimore të ndalin mbështetjen për Ukrainën.

Kurse Marcus Faber nga FDP kërkoi më shumë municione për Ukrainën. Ai tha se beson se Rusia tashmë është ushtarakisht “me shpatulla pas murit ” dhe se “popullsia civile ruse i sheh gjithashtu arkivolet që po kthehen në Rusi dhe në fakt nuk e di pse u sulmua shteti fqinj i Ukrainës”.

 

Aludime dhe kërcënime

Gjatë fjalimit të tij Presidentit rus Vladimir Putin premtoi fonde për të ringjallur ekonominë dhe përshkroi planet për rigjallërimin e infrastrukturës së vendit gjatë gjashtë viteve të ardhshme. Putini e filloi fjalimin e tij me një sërë referencash për pushtimin rus të Ukrainës, ose “operacionin special ushtarak”, siç e quan ai.

Ai gjithashtu aludoi për aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, duke vënë në dukje se ishte përvjetori i asaj që ai e quajti “Pranvera ruse”. Sipas Putinit, shumica e popullsisë ruse e mbështet aksionin ushtarak në Ukrainë.

Duke përmendur anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO në kuadër të luftës në Ukrainë Putini dhe tha se Distrikti Ushtarak Perëndimor i Rusisë duhet të forcohet. Finlanda ka një kufi të gjatë tokësor me Rusinë.

Presidenti rus tha më tej në fjalën e tij se shtetet e NATO-s rrezikojnë një luftë bërthamore, nëse dërgojnë trupa në Ukrainë. Këtë deklaratë ai e bëri disa ditë pasi Presidenti francez Emmanuel Macron e la të kuptohet këtë mundësi, duke nxitur disa liderë të tjerë perëndimorë të flasin kundër kësaj ideje.

dw

PE-ja përmes rezolutës paralajmëron Kosovën e Serbinë

PEPE përmes një rezolute i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë, që me mirëbesim dhe frymë kompromisi t’i qasen vazhdimit të dialogut. BE-së po ashtu i bëhet thirrje që të ketë një qasje të re në rolin e ndërmjetësuesit.

 

Parlamenti Evropian përmes një rezolute paralajmëroi Kosovën e Serbinë për pasoja, nëse mungon zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Besueshmëria e Bashkimit Evropian dëmtohet nga mungesa e suksesit në dialogun Kosovë-Serbi, theksohet në rezolutë, duke i bërë thirrje BE-së, që ta ndryshojë qasjen në dialog në mënyrë që të ketë përparim.

“Ftojmë Bashkimin Evropian,  që të miratojë një qasje të re në ndërmjetësimin mes palëve në mënyrë që të tejkalohet ngecja aktuale. Rikujtojmë se dështimi i këtij dialogu po ashtu do të reflektojë në rolin e BE-së si një faktor i besueshëm në politikën e jashtme”, thuhet në rezolutën e miratuar të enjten në mbrëmje për rezultatet e politikës së jashtme dhe të sigurisë BE-së ku kërkohet rritje e  ndikimit të BE-së në botë dhe për një qasje më të vendosur edhe ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.

 

BE: Të punohet për uljen e tensioneve

Në këtë rezolutë që përfshinë edhe një raport, përmendet edhe bashkëpunimi BE-SHBA, bashkëpunimi me NATO-n, forcimi i kapaciteteve evropiane të mbrojtjes, situata në rajonin e Ballkanit,  dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për zhvillimet e muajve të fundit në Kosovë, “dënohet sulmi terrorist ndaj zyrtarëve policorë me 24 shtator në Banjskë të Republikës së Kosovës, si dhe provokimet e tjera”. “Të gjithë ata që kanë përgjegjësi për sulmet terroriste në veri të Kosovës duhet të sjellën përpara drejtësisë”, thuhet në rezolutë dhe nëse dëshmohet se Serbia kishte gisht në to, të ndërmerren masa kundër Qeverisë së Serbisë. Të dyja vendeve u kërkohet që të punojnë për t’i ulur tensionet dhe për të shmangur retorikën apo veprimet të cilat mund të krijojnë tensione të reja.

“Ftojmë Kosovën dhe Serbinë që t’i përkushtohen dialogut me besim të mirë dhe frymë të kompromisit në mënyrë që pa vonesa, të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, bazuar në njohjen e ndërsjellë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në rezolutë. Po ashtu përmes rezolutës paralajmërohen Kosova dhe  Serbia se “dështimi për të shënuar përparim në normalizimin e marrëdhënieve do të ketë ndikim negativ në integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian”.

dw

SHBA heton rreziqet nga makinat inteligjente të lidhura në rrjetet kibernetike

Makina intelegjenteShtetet e Bashkuara njoftuan të enjten se po fillojnë një hetim për rreziqet e mundshme të sigurisë nga automjetet inteligjente që përdorin teknologji nga vende si Kina.

 

Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi se ka udhëzuar Departamentin e Tregtisë të fillojë hetimin për të përcaktuar se çfarë masash duhen marrë për t’u siguruar që makinat që qarkullojnë në rrugët e Shteteve të Bashkuara nuk do të dëmtojnë sigurinë kombëtare të vendit.

“Shumica e makinave sot janë të lidhura me rrjetin – janë si celularë inteligjentë me rrota”, thuhet në deklaratën e presidentit Biden. “Këto makina janë të lidhura me telefonat tanë, sistemet e navigimit, me infrastrukturën jetike dhe me kompanitë që i kanë prodhuar. Makinat inteligjente të ardhura nga Kina mund të mbledhin të dhëna të rëndësishme për qytetarët tanë dhe infrastrukturën tonë dhe mund t’ia dërgojnë këto të dhëna Republikës Popullore të Kinës”.

Zyrtarë të lartë amerikanë u thanë gazetarëve gjatë një lidhjeje telefonike se nuk kanë një numër të saktë të automjeteve të lidhura me vendet që përbëjnë shqetësim për Shtetet e Bashkuara, por thanë se ky numër është shumë i vogël.

“Ka të bëjë shpesh me makinat që prodhohen në Kinë, nga kompanitë kineze. Janë shumë pak makina të tilla sot në rrugët e Shteteve të Bashkuara”, tha një zyrtar.

Në këtë pikë nuk do të vendosen masa ndalimi apo tarifa, por puna do të përqendrohet më tepër tek mbledhja e informacionit për të parë se për cilat aspekte mund të vendosen rregulla të reja, thanë zyrtarët amerikanë.

“Theksojmë se është e rëndësishme të merren masa përpara se të bëhet një numër i madh makinash të tilla në rrugët amerikane”, tha një zyrtar. “Me rritjen e shpejtë të tregut të eksportit të makinave kineze dhe vendosjen e pranisë në vende të tjera, përfshirë në vende të Evropës, është e rëndësishme të vlerësojmë tani rrezikun për sigurinë kombëtare”.

Teknologjive të cilave do t’u kushtohet më shumë vëmendje janë pajisjet dhe programet në automjetet që mund të mbledhin dhe të transmetojnë të dhëna që mund të përdoren për qëllime keqdashëse.

Një zyrtar tha se shqetësimet e mundshme variojnë që nga çështjet e privatësisë, si përmbajtja e mesazheve SMS apo të postës elektronike, që lidhen me sistemin e makinës nëpërmjet telefonit të shoferit dhe deri tek një skenar i mundshëm kur një entitet në Pekin mund të çaktivizojë qindra mijëra makina inteligjente kineze në rrugët e Shteteve të Bashkuara.

voa

BE: 6 miliardë euro për integrimin e Ballkanit Perëndimor

samiti tiraneVendet e Ballkanit Perëndimor duhet të japin prova se mund të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në mënyrë që të vjelin fondin prej gjashtë miliardë eurosh, të vendosur në dispoziocion nga BE-ja për periudhën 2024-2027.

 

Qëllimi i kësaj ndihme në bllok është përshpejtimi i integrimit europian në këtë rajon. Nga samiti ‘Bashkimi Europian– Ballkani Perëndimor” që u mbajt në Tiranë, Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, kërkoi nga gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor që të prodhojnë rezultate në katër fusha të ndryshme.

 

Treg i përbashkët rajonal për Ballkanin Perëndimor

“Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor” synon krijimin e një tregu të përbashkët rajonal mes Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë, i cili do të integrohet gradualisht me atë të BE-së. Sipas komisionerit Varhelyi plani është tejet ‘’ambicioz”, pasi krijon shanse për dyfishim të gjashtë ekonomive ballkanike në dhjetë vitet e ardhshme. Por që plani të jetë funksional, para vendeve të Ballkanit Perëndimor parashtrohet detyra për të aplikuar reformat dhe kriteret e kërkuara.

‘’Kemi gjysmën e kohës për ta vënë në zbatim, kemi besim të plotë se do të mund t’i merrni përfitimet që sjell ky plan” – tha Varhely. ‘’ Ju mund të bëheni pjesë e tregut (të BE -së), edhe para se të bëheni shtete anëtare” – shtoi komisioneri.

E vetmja pengesë për zbatimin e këtij plani sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, është “mendësia” e shteteve të rajonit. ‘’Integrimi evropian shkon përmes integrimit rajonal. Plani i ri e vulos këtë. Të gjitha gjepurat që kemi dëgjuar për Ballkanin e Hapur janë tashmë qartësisht të ekspozuara si gjepura”, tha kryeministri Rama. Ky i fundit kërkoi nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që të angazhohen pa asnjë rezervë.

‘’Ose e bëjmë së bashku, ose dështojmë së bashku, pasi ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen e lirë të njëra-tjetrës” – shtoi Rama.

 

Investime dhe reforma në katër fusha

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon përshpejtimin e reformave dhe kryerjen e investimeve, që të gjashta vendet të avancojnë me procesin e zgjerimit drejt Bashkimit Evropian. Gjatë konferencës për media të mbajtur pas samitit, komisioneri Varhelyi tha se fusha e parë ku priten të ndërmerren reforma është ajo e sistemit të pagesave në zonën euro – SEPA. Sipas tij kjo nuk duhet të jetë e vështirë pasi bankat europiane operojnë në të gjithë rajonin.

Nëse kjo do të arrihet, tha kryeministri shqiptar, ulen me 6 herë tarifat e qytetarëve shqiptarë që ndodhen jashtë për të dërguar pagesa në Shqipëri. ‘’Vetëm duke bërë këtë, mund të kursejmë afro gjysmë bilioni euro në xhepat e njerëzve në të gjithë Ballkanin Perëndimor” – u shpreh Rama.

 

Procedurat doganore

Fusha e dytë ka të bëjë me korsitë e gjelbra që lidhet me uljen e pritjes në pikat kufitare. ‘’Do të rregullohen procedurat doganore në mënyrë që të përshpejtohen kalimet në kufi në të gjithë rajonin” – sqaroi komisioneri Varhelyi, që do të sjellë sipas tij edhe uljen e kostove për bizneset.

Komisioneri shtoi se fusha e tretë ka të bëjë me punën kërkimore shkencore, për të sjellë një brez tjetër të industrive të ndryshme në rajon. Ndërsa fusha e katërt lidhet me ndërtimin e rrjetit falas të internetit në hapësirat publike në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Plani i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor u miratua nga Komisioni Evropian më 8 nëntor të vitit 2023. Ai bazohet ne katër shtylla kryesore që përfshijnë forcimin e integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së, forcimin e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal, përshpejtimin e reformave thelbësore, si dhe rritjen e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

 

Marrëveshje për Kolegjin e Europës

Në kuadër të Samitit Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës, u nënshkrua edhe marrëveshja për hapjen e Kolegjit të Europës në Tiranë. Kjo marrëveshje u firmos nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Rektorja e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini dhe Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha.

Rektorja e Kolegjit të Evropës tha se në këtë kolegj do të ketë 31 studentë, të zgjedhur nga 241 aplikantë nga 41 kombësi të ndryshme. Viti akademik do të nisë në shtator me një program të nivelit master për transformimin dhe integrimin evropian me fokus të veçantë në Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor.

dw