James O’Brien: Serbia e di mirë se përdorimi i forcës ndaj Kosovës është i papranueshëm

James OBrienNdihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha të premten se Serbia e ka të qartë se çdo përdorim i forcës ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe do të rrezikonte trupat e NATO-s që ndodhen në terren, për të mbrojtur të gjithë qytetarët e saj.

 

Ai i bëri këto komente në një bashkëbisedim me gazetarë i pyetur rreth një postimi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se njësi të posaçme të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën. Kryeministri Kurti tha se “jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën”.

Autoritetet serbe u thanë medieve në Beograd se lëvizjet e trupave janë pjesë e stërvitjeve të zakonshme në zonën tokësore të sigurisë përgjatë kufirit me Kosovën.

“Në Serbi, presidenti Vuçiç e di mirë se çfarëdo përdorimi i forcës ndaj Kosovës do të ishte i papranueshëm dhe do të shihej si rrezikim i trupave të NATO-s që janë atje për të mbrojtur popullatën serbe dhe shqiptare. Ai ka thënë se nuk do të ketë përdorim force. Stërvitjet jemi duke i ndjekur, por çështja thelbësore është që palët duhet t’i ulin tensionet, përfshirë edhe ato që ndërlidhen me stërvitjet e ushtrisë përreth kufirit”, tha zoti O’Brien.

Ai tha po ashtu se Serbisë i është bërë e qartë se personat e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar ndaj policisë së Kosovës në veri, duhet të mbahen përgjegjës.

 

KFOR: Situata në Kosovë e qetë por e brishtë

Forcat paqeruajtëse të NATO-s thanë të premten se situata në Kosovë është e qetë por mbetet e brishtë, ndërsa u bëri thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet nxitëse dhe retorika përçarëse, dhe të angazhohen në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Në një përgjigje me shkrim dërguar Zërit të Amerikës, pas shqetësimeve të ngritura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, rreth stërvitjeve ushtarake serbe afër kufirit me Kosovën, KFOR-i theksoi se pas tensioneve të fundit, në terren janë vendosur rreth një mijë trupa shtesë dhe është trefishuar numri i patrullimeve, përfshirë edhe vijën kufitare.

“Prandaj, KFOR-i ka një prani fleksibile dhe të dukshme në mbarë Kosovën, gjë që i mundëson mbikëqyrjen nga afër të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe t’u përgjigjet të gjitha situatave që mund të kenë ndikim në një mjedis të sigurt”, thuhet në deklaratë në të cilën theksohet se “qëllimi ynë është të parandalojmë përshkallëzimin dhe jemi të gatshëm dhe të pajisur për të marrë të gjitha masat e nevojshme që të përmbushim mandatin tonë për të ofruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë”.

KFOR-i tha se përmbushja e këtij synimi përfshin ndër të tjera patrullimet, angazhimet me popullatën vendase dhe komunikimin e rregullt me një gamë të gjerë bashkëpunëtorësh, siç janë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë në Kosovë, shefin e Forcave të Armatosura të Serbisë, misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit, misionin e OKB-së, atë të OSBE-së dhe diplomatët.

“Për më tepër, KFOR-i vepron në bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, të cilët janë reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë. Duke vepruar kësisoj, KFOR-i do të vazhdojë të krijojë kuadrin e nevojshëm të sigurisë në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, në mënyrë që çështjet e pazgjidhura të zgjidhen, në të mirë të të gjitha komuniteteve”, thuhet në deklaratë.

 

Zoti O’Brien tha ndërkaq se Shtetet e Bashkuara janë mbështetës i fuqishëm i synimeve të Kosovës për t’u bërë pjesë e komunitetit ndërkombëtar dhe shpresojnë që qeveria e Kosovës do të marrë veprime në ditët në vijim që janë në përputhje me kërkesat e këtij komuniteti, përfshirë rregulloren e Bankës Qendrore për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa të gatshme në Kosovë.

“Për mua çështje thelbësore është se asnjë qeveri nuk duhet të marrë vendime për varfërimin e qytetarëve të saj dhe ne po shohim në veri të Kosovës se është bërë e vështirë për shumë individë të blejnë gjerat e nevojshme për jetën e përditshme”, tha zoti O’Brien.

Ai tha se i dërguari amerikan Gabriel Escobar u kthye nga vizita në rajon me ndjenjën se rregullorja e Bankës Qendrore është zbatuar asisoj që e bën të vështirë jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës dhe kjo nuk flet për qeveri kompetente apo efektive. Zoti O’Brien tha se miqtë e Kosovës duan që kjo rregullore të rishqyrtohet. Javën që vjen Kosova dhe Serbia pritet të vazhdojnë diskutimet rreth kësaj çështjeje në Bruksel.

Zoti O’Brien tha se Kosova ndodhet para disa hapave të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, duke mirëpritur vendimin e qeverisë për zbatimin e një vendimi mbi pronat e manastirit mesjetar të Deçanit, që ishte një kusht për përparimin e saj drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ai theksoi se Kosova duhet të hedhë hapa drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, para se Këshilli i Ministrave në Këshillin e Evropës të votojë.

“Ne e mbështesim Kosovën në rrugën e saj përpara. Është arritur pajtimi për të ecur përpara me Asociacionin. Ky është element thelbësor për të arritur atë që ajo synon – anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare”, tha zoti O’Brien.

Ai u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbushin zotimet e dala nga marrëveshja e vitit të kaluar që u arrit në Bruksel dhe në Ohër, e cila kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese dhe të përmbushin të gjitha marrëveshjet e mëparshme, por nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës e cila u shpall në vitin 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe.

voa

Ndryshon për herë të parë vlerësimi për ekonominë shqiptare, “Standard&Poor’s” e kalon në “BB-”

TRNë raportin më të fundit të publikuar më 22 Mars 2024, agjencia e vlerësimit të kreditit “Standard & Poors” ka përmirësuar vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në ‘BB-‘ nga ‘B+’, duke theksuar përmirësimin e pozicionit fiskal dhe pozicionit të jashtëm të vendit. Ky përmirësim i vlerësimit vjen si një njohje e qëndrueshmërisë ekonomike të Shqipërisë dhe menaxhimit të matur të financave publike në përballje me një sërë sfidash të njëpasnjëshme.

 

Agjencia vlerëson se Shqipëria ka treguar në vijimësi aftësinë e saj për të përballuar goditjet, përfshirë tërmetin e vitit 2019, pandeminë e COVID-19 dhe efektet e tërthorta makroekonomike të luftës Rusi-Ukrainë. Pavarësisht këtyre pengesave, agjencia vlerëson se ekonomia e Shqipërisë është rritur me një mesatare mbresëlënëse prej 5.8% në vit gjatë tre viteve të fundit, duke përmirësuar njëkohësisht parametrat e financave publike.

Agjencia ia atribuon këtë qëndrueshmëri ekonomike, pjesërisht, një rritjeje të konsiderueshme të turizmit. Ky bum në sektorin e turizmit ndihmoi Shqipërinë të rrisë eksportet e shërbimeve me afro 15% të PBB-së midis viteve 2019 dhe 2023, duke forcuar ndjeshëm pozicionin e saj të jashtëm, vlerëson S&P.

 

Për më tepër, agjencia evidenton se autoritetet shqiptare kanë shfaqur angazhimin e tyre për konsolidimin fiskal. Të kombinuara me rritjen e fortë ekonomike, këto përpjekje kanë çuar në një reduktim të konsiderueshëm të borxhit publik, nga një pik prej 74.5% të PBB-së në vitin 2020 në një vlerësim prej 58% në vitin 2023. Agjencia parashikon se autoritetet do synojnë të ruajnë këtë qasje të matur ndaj financave publike, në përputhje me Ligjin Organik të Buxhetit, duke siguruar që borxhi publik i Shqipërisë të mbetet i qëndrueshëm në një mesatare prej rreth 55% të PBB-së gjatë viteve 2024–2027.

Përveç pozitës së përmirësuar fiskale, Standard&Poor’s vlerëson se Shqipëria ka forcuar gjithashtu bilancin e saj të jashtëm. Kjo i atribuohet akumulimit të aseteve publike, kryesisht rezervave valutore dhe të ardhurave në rritje të shërbimeve nga sektori në zhvillim i turizmit.Agjencia parashikon se perspektivat e rritjes së moderuar të Shqipërisë dhe rezervat relativisht të larta ofrojnë një mbrojtje ndaj goditjeve të mundshme të jashtme.

S&P gjithashtu pret që autoritetet të mbeten të matura nga ana fiskale, duke mbajtur borxhin publik në një trajektore të qëndrueshme dhe gradualisht rënëse.

Agjencia vlerëson se Shqipëria do të ndërmarrë hapa institucionalë në mbështetje të ofertës së saj për anëtarësim në BE deri në vitin 2030. Vendi ka zbatuar një sërë reformash për të kapërcyer pengesat në infrastrukturë, duke përafruar më tej kuadrin ligjor, i shtyrë nga ambicia e tij për t’u bashkuar me BE-në. Megjithatë, sfidat e brendshme kërkojnë reforma të vazhdueshme strukturore për t’u harmonizuar me acquis të BE-së.

Top Channel

Rusia tha se ka arrestuar të dyshuarit për sulmin e së premtes që la pas vetes të paktën 115 të vrarë

Crocus City Hall 2Autoritetet ruse thanë se njëmbëdhjetë persona janë arrestuar në lidhje me sulmin e armatosur të së premtes në një sallë koncertesh në Moskë. Katër prej tyre janë të përfshirë drejtpërdrejt në sulm, i tha të shtunën presidentit Vladimir Putin, shefi i Shërbimit Federal të Sigurisë, shkroi agjencia shtetërore ruse e lajmeve, Tass.

 

Zyrtarët rusë thanë se ata u kapën në rajonin Bryansk në Rusinë perëndimore, “jo larg kufirit me Ukrainën”.

Të paktën 115 veta u vranë në sulmin e së premtes, në mesin e të cilëve tre fëmijë, thanë autoritetet ruse.

Sulmi ndodhi vetëm disa ditë pasi presidenti Vladimir Putin çimentoi kontrollin e tij mbi pushtetin në një fitore të thellë në zgjedhjet presidenciale ruse, që nga perëndimi u cilësuan si jo të lira.

Sulmi ishte më vdekjeprurësi në Rusi ndër vite dhe ndodhi në një periudhë kur lufta e këtij në Ukrainë tashmë ka hyrë në vitin e tretë.

Videot e postuara në internet shfaqën persona të armatosur në vendin e ngjarjes duke qëlluar civilët nga afërsia. Çatia e teatrit, ku turma ishte mbledhur të premten për një shfaqje të grupit rok rus Picnic, u shemb në orët e para të mëngjesit të së shtunës, ndërsa zjarrfikësit kaluan orë të tëra duke luftuar me zjarrin që shpërtheu gjatë sulmit.

Grupi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin në një deklaratë të postuar në platformat e rrjeteve sociale të lidhura me të, megjithëse as Kremlini dhe as shërbimet ruse të sigurisë, nuk e kanë fajësuar zyrtarisht askënd për sulmin.

Në një deklaratë të postuar nga agjencia e tij e lajmeve Aamaq, dega e Shtetit Islamik në Afganistan tha se kishte sulmuar një tubim të madh të “të krishterëve” në Krasnogorsk. Nuk ishte e mundur të vërtetohej saksia e pretendimit.

Megjithatë, një zyrtar amerikan tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se shërbimet amerikane të zbulimit kanë konfirmuar se IS-i është përgjegjës për sulmin.

Zyrtari, i cili foli me kusht që të mos identifikohej, tha se agjencitë amerikane të zbulimit kishin mbledhur informacion në javët e fundit se dega e IS-it po planifikonte një sulm në Moskë, dhe se zyrtarët amerikanë kishin ndarë privatisht informacionin e inteligjencës në fillim të këtij muaji me zyrtarët rusë.

Pas sulmit, disa ligjvënës rusë nxituan të akuzonin Ukrainën. Mykhailo Podolyak, një këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, mohoi çdo përfshirje.

“Ukraina kurrë nuk ka përdorur metoda terroriste”, shkroi ai në rrjetin X. “Gjithçka në këtë luftë do të vendoset vetëm në fushën e betejës”.

Mesazhe zemërimi, tronditjeje dhe mbështetjeje për të prekurit janë dërguar nga e gjithë bota.

Të premten, Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënoi “sulmin e tmerrshëm dhe frikacak terrorist” dhe nënvizoi se autorët duhet të mbahen përgjegjës. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, gjithashtu dënoi sulmin terrorist “me fjalët më të forta të mundshme”, tha zëdhënësi i tij.

Presidenti rus Putin, i cili zgjati kontrollin e tij mbi Rusinë edhe për gjashtë vjet të tjera në zgjedhjet presidenciale pas shtypjes gjithëpërfshirëse të opozitës, kishte denoncoi publikisht paralajmërimet perëndimore për një sulm të mundshëm terrorist, si një përpjekje për të frikësuar rusët. “E gjithë kjo i ngjan shantazhit të hapur dhe një përpjekjeje për të frikësuar dhe destabilizuar shoqërinë tonë”, tha ai në fillim të kësaj jave.

Në tetor të vitit 2015, një bombë e vendosur nga Shteti Islamik rrëzoi një avion udhëtarësh mbi Sinai, duke vrarë të gjithë 224 personat në bord, shumica prej të cilëve turistë rusë që ktheheshin nga Egjipti. Grupi, i cili vepron kryesisht në Siri dhe Irak, por edhe në Afganistan dhe Afrikë, gjithashtu ka marrë përsipër disa sulme në rajonin e Kaukazit në Rusi dhe rajone të tjera në vitet e fundit. Grupi rekruton luftëtarë nga Rusia dhe pjesë të tjera të ish Bashkimit Sovjetik.

voa

“Shteti Islamik” merr përgjegjësinë për sulmin pranë Moskës

Crocus City HallI ashtuquajturi “Shteti Islamik” pranoi në një letër të publikuar në Telegram sulmin në sallën e koncerteve në Moskë, me shumë viktima. Këshilli i Sigurimit i OKB-së e dënoi sulmin terrorist “të neveritshëm e frikacak”.

 

Pas sulmit të përgjakshëm me shumë viktima në një sallë pranë Moskës, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka dënuar sulmin terrorist “si të neveritshëm dhe frikacak”. Edhe Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe India kanë shprehur solidaritetin e tyre me popullin rus pas sulmit. Presidenti kinez, Xi Jinping shprehu ngushëllimet dhe siguroi presidentin rus për mbështetjen e Kinës. Ky është sulmi më i rëndë në Rusi që pas sulmit në shkollën Breslan në vitin 2004 ku humbën jetën 300 vetë.

Ndërkohë milicët xhihadistë të të ashtuquajturit “Shteti Islamik” kanë pranuar në shërbimin Telegram sulmin ndaj sallës së koncerteve në Moskë. Nuk ka një konfirmim zyrtar të autoriteteve ruse për këtë pretendim. Eksperti për terrorin, Peter Neumann nga King’s College në Londër e quan autentike letrën ku merret përgjegjësia nga milicët terroristë. Neumann shkroi në X, ish-twitter, se “lajmi për pranimin e sulmit u transmentua në të gjitha kanalet zyrtare të “Shtetit Islamik”. Unë dhe kolegët e mi mund ta konfirmojmë këtë njëqind për qind.”

Studiuesi Neumann paralajmëroi nga lajme të gabuara që qarkullojnë në kanalet ruse të Telegram, ku pretendohet, se letra e “Shtetit  Islamik” është e manipuluar. “Ndërkohë ka masivisht fake-news -me gjasë- për të tjerrur narrativin, se Ukraina është përgjegjëse për sulmin”, shkroi Neumann. Në republikat e Kaukazit verior me popullsi kryesisht myslimane, milicët ilegalë luftojnë rregullisht kundër pushtetit rus. Mijëra meshkuj luftuan për “Shtetin Islamik” në Siri dhe Irak.

 

Shumë të vdekur në sallën e koncerteve

Në sulmin ndaj Sallës së Koncerteve pranë Moskës, të paktën tre persona me veshje të maskuara hapën zjarr me armë automatike, thuhet. Reporterët bënë fjalë për një sallë të ndezur në flakë, edhe autoritetet ruse konfirmuan, se rreth 13.000 metra katrorë u përfshinë nga flakët.. Sipas autoriteteve ruse është hapur hetimi për “akt terrorist. Presidenti rus, Vladimir Putin ka uruar shërim të shpejtë të viktimave.

Sipas njoftimeve më shumë se 60 vetë janë ndërruar jetë, mes tyre tre fëmijë. Ministria e Shëndetësisë në Moskë bëri fjalë natën e së shtunës, se në spitalet e Moskës janë 150 të plagosur. 60 në gjendje kritike për jetën. Numri i viktimave pritet të rritet. Mes të plagosurve janë edhe tetë fëmijë.

Sulmi i përgjakshëm u krye në mbrëmjen e së premtes në Crocus City Hall gjatë një koncerti të grupit muzikor rus, “Piknik” nga Shën Peterburgu. Kjo sallë ofron vend për 1000 spektatorë. Të shtunën në Moskë janë pezulluar të gjitha koncertet dhe aktivitetet publike.

la/afp,dpa

 

Pse gjithnjë e më shumë jomyslimanë festojnë Ramazanin

ramazanPjesëmarrja në festimet e Ramazanit për jomyslimanët në Lindjen e Mesme është e zakonshme. Në vende me shumicë popullsie të krishterë ky fenomen nuk ka qenë i zakonshëm, por kjo ka filluar të ndryshojë.

 

Mund të duket e çuditshme për një besimtare myslimane që të flasë kështu, por Kholoud Khardoum e thotë qartë. “Jo çdo gjë gjatë Ramazanit ka të bëjë me fenë,” thotë shkrimtarja 53-vjeçare që jeton në Bagdad. “Ajo ka të bëjë edhe me atmosferën dhe traditën e të mbledhurit të njerëzve të gjithë bashkë.”

Iraku është një vend me shumicë popullsie myslimane, por në në zonat ku bashkëjetojnë komunitete me besime të ndryshme, shpesh shihet që jomyslimanët marrin pjesë në festimet e festës myslimane të Ramazanit, i tha ajo Deutsche Welles.

Sidomos “iftari”, darka që shtrohet me perëndimin e diellit ku familja dhe miqtë bëhen bashkë për të prishur agjërimin e ditës, kthehet në mundësi për t’u mbledhur.

“Ngjanjëherë të krishterët gatuajnë ëmbëlsira që ua dhurojnë fqinjëve myslimanë,” thotë Khardoum. “Nganjëherë janë myslimanët që dhurojnë ushqime. Ose të dyja. Është vërtet gjë e mirë të shpërndash gjëra të tilla,” thotë ajo.

Histori të ngjashme ka edhe në vende të tjera të Lindjes së Mesme. “Një nga shoqet e mia më të ngushta dhe më të vjetra është myslimane, kështu që ne këmbejmë disa nga zakonet tona,” thotë egjiptiania Um Amir, 50 vjeç, që jeton në Assiut, një qytet në jug të Kairos. “Për shembull gjatë Ramazanit unë agjëroj gjatë ditës dhe e prish agjërimin duke ngrënë me familjen e saj.”

“Unë jam e krishterë, por që kur kam qenë e re kam pasur shumë shoqe myslimane dhe nuk i kam kushtuar rëndësi të madhe feve të ndryshme,” thotë libanezja 34-vjeçare, Rita, e cila është duke agjëruar në Bejrut.

 

Më shumë festim i Ramazanit në Perëndim?

Duke pasur parasysh se të treja këto gra jetojnë në një vend me shumicë popullsie myslimane, përvojat e tyre nuk i çudisin banorët që jetojnë atje. Sepse është e vështirë për një jomysliman të injorojë festimet e Ramazanit, siç është e vështirë për myslimanët t’u shmangen Krishtlindjeve kur janë në Evropë ose në Amerikën Veriore.

Sidoqoftë Ramazani është duke u kthyer gradualisht në festë me popullaritet më të madh në vendet me shumicë të krishterë.

Vitin e kaluar, Londra u kthye në qytetin e parë të madh evropian që të zbukuroi rrugët me dritat e Ramazanit. Shembullin e Londrës e ndoqi këtë vit Frankfurti në Main, i cili u kthye në qytetin e parë të madh gjerman që ndez dritat e Ramazanit.

Në Austri këtë javë më shumë se 1 mijë vetë u bënë bashkë për një “iftar të përbashkët” në landin e Kaerntenit, ku të gjithë anëtarët e komunitetit u ftuan të prishin agjërimin e Ramazanit duke ngrënë së bashku, edhe pa qenë myslimanë dhe pa agjëruar. Organizatorët thanë se ky aktivitet është duke tërhequr çdo vit gjithnjë e më shumë njerëz. Një pjesëmarrës në aktivitet i tha gazetës rajonale “Kleine Zeitung” se „nuk e prisja të shihja atje kaq shumë jomyslimanë.”

“Sigurisht që është rritur numri i iftareve që organizohen nga institucionet shtetërore, bamirëse dhe nga kishat që festojnë diversitetin,” konfirmon Esther-Miriam Wagner, drejtore e Institutit Woolf në Universitetin e Cambridge-t, e cila studion marrëdhëniet midis hebrejve, të krishterëve dhe myslimanëve.

Rritja e popullaritetit të Ramazanit “ka të bëjë shumë me njohjen më të madhe dhe rritjen e barazisë së myslimanëve në ambientet publike,” thotë Farid Hafez, një bashkëpunëtor shkencor në Nismën Bridge, një projekt që merret me analizimin e islamofonisë në Universitetin Georgtown në Uashington.

Si shembull Hafez kujton se në vitet 1990-të, ish-ministrja e Jashtme amerikane, Madeline Albright filloi të mbante “iftare” në sektorin e diplomacisë. “Ambasadat amerikane filluan të ftonin myslimanë për të zhvilluar një dialog strukturor (gjatë aktivitetit), shpjegon ai. “Pastaj ambasadat amerikane e sollën këtë përvojë në vendet europiane. Dhe kjo bëri që shtetet europiane të fillonin të organizonin nisma të ngjashme. Ku u përfshinë të gjithë kancelarë, kryeministra, ministra integrimi.”

Ndikimi ekonomik i Ramazanit ka bërë që të rritet popullariteti i muajit të shenjtë të myslimanëve. Myslimanët shpenzojnë shumë gjatë Ramazanit duke filluar që me dhuratata dhe veshjet deri tek ushqimet e madje automobilët. Në vitin 2023, vetëm në Lindjen e Afërme u shpenzuan mbi 60 billionë dollarë (55 bilionë euro). Reklamat për Ramazanin kanë ndryshuar dhe janë shtuar dhe me siguri që dërgojnë mesazhe edhe përtej komunitetit të synuar.

 

Akuza për mungesë respekti për kulturat e tjera

Një teori tjetër e drejtoreshës së Institutit Woolf, Wagner, për rritjen e popullaritetit të Ramazanit ka të bëjë me gjuhën dhe ndryshimin e brezave. “Sapo njerëzit fillojnë të flasin gjuhën pa akcent, fillon ndryshimi dhe ata fillojnë të shihen si pjesë e shoqërisë ku bëjnë pjesë,” thotë Wagner, e cila është specializuar në sociolinguistikë. “Dhe në Britaninë e Madhe ne jemi duke parë se popullsia myslimane që e ka anglishten gjuhë amtare, tani në moshën 40- dhe 50-vjeçare, është duke zënë poste drejtuese dhe me ndikim.”

Ngjashëm dhe në Francë. Studiuesit e atjeshëm kanë vënë re se brezi i ardhshëm i francezëve myslimanë ndiejnë se mund ta praktikojnë fenë e tyre më hapur. “Nëpërmjet praktikave më të dukshme (fetare), individë të rinj francezë shijojnë statusin e tyre si anëtarë me të drejta të plota të shoqërisë,” i tha javën e kaluar gazetës Le Mond, Jamel El Hamri, studiues në Institutin kërkimor-shkencor të Botës Arabe dhe Myslimane në Francë. “Ata ndihen të dyja, edhe francezë edhe myslimanë.”

Sigurisht, jo të gjithë janë të kënaqur. Disa myslimanë janë të zemëruar me komercializimin e Ramazanit. Klerikë konservatorë thonë se jomyslimanët nuk duhet të marrin pjesë fare në Ramazan, ndërkohë që europianët e të djathtës ekstreme besojnë se këto praktika do të çojnë në shkatërrimin e civilizimit, si të tillë. Dhe disa personalitete të mediave sociale që kanë agjëruar gjatë Ramazanit duke e trajtuar atë si një lloj garë online shëndeti, janë kritikuar për mungesë respekti për kulturat e tjera.

Por as Hafez, as Wagner nuk mendojnë se pikëpamje të tilla zvogëlojnë përfitimet që kanë njerëzit duke u ndier më mirë me sistemin e besimit të të tjerëve.

Për myslimanët që janë rritur në kulturë me shumicë të krishterë, çështja është e të qënit pjesë e shoqërisë. “Përfshirja e festivaleve në hapësirën publike është në një fare mënyre pranimi se Ramazani është pjesë përbërëse e shoqërisë,” thotë Hafez.

Dhe për jomyslimanët çështja është e festimit dhe administrimit të diversitetit, shton Wagner. “Sepse kur kemi shoqëri diverse, ne shohim se diversiteti aktualisht bën që shoqëria të lulëzojë dhe gjallërojë më shumë se zakonisht,” përfundon ajo.

dw

Disinformacion kundër demokracisë

FakteRusia po përdor propagandën. Për Gjermaninë dhe Evropën është gjithnjë e më e vështirë t’u rezistojnë manipulimit dhe lajmeve të rreme.

 

Si mund ta mbrojmë demokracinë? Kjo pyetje po shqetëson shumë vetë në mbarë botën, ku shoqëritë e lira janë nën presion në rritje. Një tregues se sa i fortë është ky presion edhe nëGjermani mund të jetë numri i daljes në publik të presidentit të shërbimeve sekrete. Thomas Haldenwang drejton Zyrën Federale për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues (BfV) dhe që nga marrja e detyrës në vitin 2018 ai ka marrë pjesë në shumë konferenca shtypi apo tryeza të rrumbullakëta.

Dy vjet pas fillimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, Haldenwang është ndër ata që janë më të zëshmit në paralajmërimin kundër disinformimit, lajmeve të rreme dhe spiunazhit. Duke folur në një konferencë të liberalëve gjermanë në Bundestag, ai theksoi se i konsideron veçanërisht të mëdha rreziqet e vitit 2024.

 

Më shumë disinformacion në vitin zgjedhor 2024?

Haldenwang paralajmëroi për zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian, zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe zgjedhjet në tri lande të Gjermanisë. Është e pamohueshme që ky është një “super vit zgjedhor” dhe për këtë arsye duhet të jemi edhe më të përgatitur për luftimin e disinformmit. Ai përhapet  “për të diskredituar kundërshtarët politikë, për të ngatërruar votuesit dhe për të minuar demokracinë dhe institucionet e saj”, tha kryetari i BfV-a.

Fakti që Gjermania është një nga objektivat më të preferuara të propagandës dhe spiunazhit rus u dëshmua përmes të ashtuquajturës. Demi-Leaks. Bisedat digjitale të zyrtarëve të lartë ushtarakë gjermanë u hakeruan. Është një incident që shqetësoi veçanërisht ekspertin e sigurisë të FDP-së, Konstantin Kuhle. Si anëtar i Komisionit Parlamentar të Kontrollit (PKGr) për shërbimet e inteligjencës gjermane, ai është një nga ata që e di shumë mirë se sa të rrezikshme janë kërcënime të tilla hibride.

 

Sa fshehtësi mund të përballojë një shoqëri e hapur?

Ajo që Kuhle mëson nga Haldenwang pas dyerve të mbyllura mbetet mes tyre, në mënyrë që armiqtë e demokracisë të mos marrin vesh se çfarë dinë agjencitë gjermane të sigurisë për ta. Megjithatë, kjo formë e fshehtësisë mund të jetë problematike për një shoqëri të hapur dhe të lirë, veçanërisht pasi Zyra Federale për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues ka përdorur herë pas here metoda të dyshimta.

Në konferencën në Bundestag, Kuhle iu referua konfliktit midis fshehtësisë së nevojshme dhe transparencës së dëshirueshme dhe bëri thirrje për besim në punën e Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës: “Ka një vijë të hollë midis mbrojtjes së lirisë së shprehjes nga njëra anë dhe mbrojtja ndaj disinformatave nga ana tjetër, me të cilat përballen çdo ditë agjencitë tona”, tha politikani i FDP.

 

Deutsche Welle: Mbrojtëse e Demokracisë

Mediat brenda dhe jashtë vendit, natyrisht janë të kujdesshme ndaj agjencive të inteligjencës, si dhe ndaj sigurisë së tyre. Edhe në vendet demokratike ata duhet të jenë të vetëdijshëm se fuqitë e huaja mund t’i sulmojnë në çdo moment. Kjo është veçanërisht e vërtetë për një media ndërkombëtare si Deutsche Welle (DW). E financuar nga paratë publike, por e pavarur nga shteti, kjo shtëpi mediatike e sheh veten si një mbrojtëse e demokracisë, e ngjashme me Zyrën Federale për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues.

Drejtori Peter Limbourg përshkroi rolin e DW, e cila transmeton programe në 32 gjuhë, në konferencën e FDP mbi rreziqet e disinformimit. Është e rëndësishme të jesh aty për njerëzit që besojnë në demokraci: “Në Rusi, Kinë, Bjellorusi, Venezuelë, kudo.” Megjithatë, autoritetet në vendet pa liri mediatike përpiqen gjithmonë të kufizojnë ose ndalojnë plotësisht mundësinë e monitorimit të programeve të DW.

 

Një detyrë e lehtë për diktatorët dhe autokratët?

Aktualisht Deutsche Welle transmeton programet e saj çdo javë për rreth 320 milionë njerëz në mbarë botën. Por Limbourg ka frikë se programet mund të bëhen të vështira për t’u aksesuar ose plotësisht të paarritshëm për shkak të masave kufizuese në disa vende. Kjo do të kishte pasoja të rënda: “Nëse nuk jemi në dispozicion, do të jetë më e lehtë për diktatorët dhe autokratët”, theksoi Intendanti i DW.

Ambasadorja e Estonisë në Berlin, Marika Linntam, foli në konferencë për “luftën në hije” kundër demokracisë: “Ajo nuk bëhet në fushëbetejë, por në kokat dhe zemrat e njerëzve”, tha Linntam. Qëllimi i Rusisë është destabilizimi, manipulimi dhe krijimi i pasigurisë. Për të mbrojtur veten sa më mirë, Estonia investon shumë në forcimin e arsimimit mediatik të qytetarëve të saj.

Ambasadori raportoi për partneritetet ndërmjet qeverisë, medias, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare. Vëmendje e veçantë i kushtohet të rinjve: që nga viti 2010 në Estoni ka një kurs të detyrueshëm “Media dhe Manipulimi” në shkollat ​​e ciklit të lartë.

dw

“Vogue Italia”: Tirana, zbuloni qytetin e ri, të gjallë dhe autentik

tiranaNjë udhëkryq historish, interesash dhe stimujsh, Tirana është destinacioni i ri që pret të zbulohet, shkruan Paolo Armelli në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “Vogue Italia”.

 

Nuk është një kryeqytet i zakonshëm, madhështor evropian. Tirana është një qytet me një të kaluar komplekse dhe një të tashme të gjallë, dhe me një bukuri misterioze dhe prekëse.

Udhëtarët e apasionuar për të pazakonshmen mund të vlerësojnë të gjitha nuancat dhe kontrastet më të dukshme.

Një udhëkryq popullsie dhe interesash tregtare deri në epokën e hekurit, Shqipëria u bë e rëndësishme që nga shekulli i XVII, e përshkuar gjithmonë nga synime dhe interesa konfliktuale, mbi të gjitha e ndarë midis Evropës Qendrore dhe Perandorisë Osmane, për të kaluar më pas nga dominimi i Italisë fashiste në izolacionizmin e imponuar nga një regjim veçanërisht i ashpër komunist.

 

 

Më pas erdhën vitet ’90, me imazhet e zbarkimeve përtej Adriatikut, të ngulitura ende në kujtimet e shumë italianëve.

Por ndërkohë, Shqipëria dhe vetë Tirana kanë ecur përpara duke kapërcyer pengesat, kufizimet dhe korrupsionin, por edhe duke u mbështetur në energjitë më të forta.

Tani kryeqyteti, i rrethuar nga mali i Dajit, ndër më të lartët në Ballkan, mbetet një kondensim shpirtërash të ndryshëm dhe kontradiktore, nisur nga arkitektura e tij në të cilën ka një sërë vilash të stilit italian të viteve 1920 dhe kalldrëme te stilit osmanrrokaqiejt madhështore futuriste dhe ndërtesa të rëndesës së mbetur brutaliste, tregje tradicionale dhe butikë ultramoderne, dhe projekte ndërkombëtare.

Në dekadën e fundit, një projekt specifik qeveritar ka pikturuar fjalë për fjalë monumente dhe ndërtesa të epokës komuniste me ngjyra të ndezura, një metaforë e madhe për një realitet urban që është i mbushur me një jetë të re.

Pas tërmetit shkatërrues të 2019, i cili rrezikoi të ndërpresë këtë vrull, Tirana është rikuperuar sërish, duke u nisur nga burimet e saj më energjike.

Është në fakt një qytet i mbushur me të rinj, të cilët janë kthyer nga jashtë ose janë rritur këtu, dhe pas disa vitesh mbylljeje ata u hapen me botën, rizbuluan traditat dhe i përmirësuan ato nga një këndvështrim global.

Nuk është rastësi që vitin e kaluar Tirana u shpall ‘Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022’. Edhe sot ai është një katalizator i paprecedentë dhe ende në progres stimujsh, ngjarjesh dhe tendencash.

Pikërisht për këtë arsye është qyteti i parë që pret, duke nisur nga data 8 maj, “Panorama e Modës – Vala e Re Italiane”, projekti i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar i kuruar nga “Vogue Italia” që sjell një brez të ri stilistësh italianë në një ekspozitë udhëtuese, e organizuar nga COD (Qendra për Hapje dhe Dialog).

Për të zbuluar një qytet që duket se fsheh sekretet e tij me një mister të paqartë, por që po vlon nga dëshira për të ardhmen, kërkuam për vendet themelore të një Tiranë të pazakontë dhe vazhdimisht në zhvillim.

Ku të qëndroni

“Për të qëndruar në një vend emocionues dhe për të shijuar kuzhinën e rafinuar mesdhetare, “Padam Boutique Hotel & Restaurant” është vendi im i preferuar”, tha një gazetare dhe aktiviste shqiptare që jeton prej 25 vitesh në Bergamo, por vazhdon të kthehet në vendi e saj.

Kuzhinieri Fundim Gjepali, i zgjedhur në listën e 10 shefave të huaj më të mirë në Itali, i cili punon edhe në restorantin “Antico Arco” në Romë, ka zgjedhur me mjeshtëri një menu për të kënaqur të gjitha shijet.

Për ata që kërkojnë eksperienca alternative, megjithatë, pranë tregut të madh të Pazarit të Ri, “Hostel Milingona” është një vend vërtet ikonik dhe piktoresk.

Duke shkuar më tej nëpër kryeqytet, drejt zonës së verërave rreth Durrësit dhe gjysmë ore nga aeroporti i Tiranës, është e këndshme të hasësh “Agroturizëm Gjepali“.

Shefi Fundim Gjepali ka rifituar fermën familjare të konfiskuar në të kaluarën nga regjimi dhe ka krijuar një vend të zhytur në natyrën më autentike, ku mund të qëndroni gjatë natës, por edhe të shijoni produktet tipike dhe natyrale, të rritura në vend.

Ku të hani

Si mund të mos e filloni ditën tjetër veçse me një mëngjes të shijshëm me ëmbëlsira të shkëlqyera franceze? Vendi i duhur është “Patisserie Française“, një vend që tashmë mban erën e Parisit nga emri i tij, e themeluar nga Madame Marie-Thérèse Marchal, një zonjë franceze kurioze që ra në dashuri me Tiranën në fillim të viteve ’90 dhe hapi fillimisht një furrë buke franceze dhe më pas pastiçerinë e shijshme të sotme.

Ndër vendet e tjera është restoranti “Gzona“, pranë Kalasë së Tiranës.

Jemi në një fshat të bukur të inauguruar në vitin 2018, ku restorantet, galeritë dhe dyqanet që shesin produkte tipike gastronomike dhe zanate lokale janë grupuar së bashku.

Të ulesh rreth një tavoline dhe të ndash ushqimin është një nga karakteristikat më tradicionale të kulturës shqiptare: nuk është rastësi që gzona në dialektin geg të Shqipërisë së Veriut do të thotë “gëzohemi së bashku”.

Në këtë restorant në fakt shërbehen gatime tipike të recetave më të vjetra kombëtare, me produkte vendase por të ripunuara me teknika novatore, një urë lidhëse mes së shkuarës dhe së ardhmes që lejon mbajtjen gjallë të traditave.

Pak minuta nga sheshi Skënderbej, qendra e vërtetë e qytetit me shtatin e tij kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, i cili në shekullin e XV kishte zmbrapsur pushtimin e turqve osmanë, ndodhet “Bati”, një restorant peshku i vogël por tërheqes.

Për të ngrënë në lagjen e gjallë të Bllokut, sugjerohet padyshim “Kripë dhe Piper”, ku mund të provoni ushqimet nga rizoto italiane në sushi.

Në këtë restorant, menuja është e larmishme, ambienti eklektik dhe i rafinuar, por edhe shërbimi i vëmendshëm kujton rininë e shfrenuar vendase.

Atyre që u mungon vërtet Italia mund të drejtohen te “Artigiano”, një vilë e bukur me kopsht.

Aty pranë ndodhet Piramida, një strukturë piktoreske piramidale që ishte mauzoleumi i Enver Hoxhës, liderit autoritar që udhëhoqi Shqipërinë nga viti 1941 deri në vdekjen e tij në 1985.

Dy nga vendet më të vizituara në Tiranë kanë pamje nga sheshi Skënderbej, dikur i rrethuar nga makinat dhe tani zemra e gjallë e qytetit.

Në njërën anë ndodhet Muzeu Historik Kombëtar me fasadën e tij madhështore dhe mozaikun shumëngjyrësh që përfaqëson fitoret e popullit shqiptar, brenda të cilit mund të rikthehen mijëvjeçarët që variojnë nga paleoliti në periudhën komuniste.

Nga ana tjetër është Xhamia Et’Hem Beut, simbol i shumëllojshmërisë fetare të vendit dhe mahnitëse për dekorimet e mrekullueshme me lule brenda.

Por destinacionet më të veçanta në qytet janë ato më pak tërheqëse, në të vërtetë praktikisht nëntokë.

Bunk’Art 1 dhe Bunk’Art 2, janë bunkerë të mbajtur sekret për një kohë të gjatë në qendër të qytetit, të përdorur në të kaluarën nga policia sekrete shtetërore.

Sot ata ofrojnë një ekspozitë historike që përfshin imazhe, aksesorë dhe objekte nga periudha komuniste dhe shtypja e saj, duke zbuluar sekretet e policisë politike.

Ata u krijuan përkatësisht në vitin 2014 dhe 2017, me iniciativën e gazetarit italian Carlo Bollino, ish-drejtor i “Gazzetta del Mezzogiorno”.

Nga e kaluara më e errët në të ardhmen më të ndritshme me “Reja”, një nga monumentet e reja të qytetit, skena e selfie-ve më të domosdoshme.

Instalacioni, i vendosur në kopshtin e Galerisë Kombëtare të Arteve, është projektuar nga arkitekti japonez, Sou Fujimoto përbëhet nga një strukturë kubash prej çeliku të bardhë, të ajrosur dhe të lehtë, të cilat krijojnë një hapësirë ​​të brendshme të gjallëruar, shfaqje filmash dhe evente të tjera, për t’u shijuar veçanërisht në verë.

Teatri Metropol” është një teatër avangard, me referenca pothuajse shekspiriane.

Për të gjithë vizitorët që duan një eksperiencë të pastër blerjeje të stilin Tiranas, një udhëtim në Pazarin e Ri, i konsideruar nga shumë njerëz si zemra e vetë qytetit, është i domosdoshëm.

Krijimi i tij daton në vitet 1930 nën drejtimin e mbretit Zog, i cili e bëri atë pazarin e parë.

Pazari u riorganizua me kalimin e viteve për t’u bërë një treg i rregullt dhe i sigurt që është sot, plot me bare, bistro, restorante dhe bujtina të modës.

Këtu ka më shumë se 150 tregtarë me tezgat e tyre: shitet gjithçka, si mish, peshk, perime, mjalt, djath, erëza, vaj, duhan dhe suvenire.

Këshillohet të blini çaj mali, i cili sipas shqiptarëve shëron të gjitha sëmundjet dhe gjithashtu njihet për virtytet e tij anti-inflamatore, antibakteriale dhe antioksidante.

Ku të argëtoheni

Për të përjetuar plotësisht jetën e gjallë të natës në Tiranë, ka vetëm një fjalë kyçe: Blloku.

Kjo është lagja më e re dhe më e gjallë, ish- zona ekskluzive e drejtuesve të Partisë së Punës, e ndaluar për njerëzit e thjeshtë.

E projektuar si një “lagje kopshti” nga Gherardo Bosio, një arkitekt italian që udhëhoqi rinovimin e ndërtesave shqiptare në epokën fashiste, sot është qendra e vrullshme e të rinjve, të cilët e përjetojnë atë në të gjitha kontrastet e saj.

Në bllok gjenden baret më magjepsëse të koktejve, baret më klasike, klubet ekskluzive ku mund të dëgjoni muzikë live.

Ka një prezencë të fortë restorantesh italiane, të hapura nga ata që, pasi kanë jetuar për dekada jashtë vendit, janë kthyer në vendlindje.

Vendi që nuk duhet të humbisni është “Radio Bar Tirana“. Me dizajnin e rinovuar nga periudha komuniste, mobilje ekscentrike, postera dhe foto vintage në mure, ofrohet një atmosferë miqësore në çdo kuptim dhe mbi të gjitha kokteje të shkëlqyera.

Në zonë ndodhet edhe Charl’s Bistro, një bar lounge i specializuar në muzikën e viteve 1960-1970, ku organizohen rregullisht shfaqje muzikore live (në 2009, Ian Paice, bateristi legjendar i Deep Purple, luajti gjithashtu atje).

Duke u rikthyer drejt sheshit Skënderbej, megjithatë, “Hemingway Bar” nuk duhet humbur.

Këtu organizohen ngjarje të ndryshme kulturore, koncerte xhaz dhe mbrëmjeve të verës projektohen filma art-house në muret e godinës përballë.

Pranë stadiumit “Dinamo” ndodhen disa dyqane verërash. Përtej shumë lokaleve dhe klubeve të natës, një tjetër argëtim shumë i dashur nga shqiptarët është kafeja: si në versionin italian, ashtu edhe në atë turk, këtu përjetohet si një ritual relaksi. /atsh

Rregullorja e BQK-së për dinarin, sot është afati i fundit për propozime

lajcakTë premten, më 22 mars, është afati i fundit kur Kosova dhe Serbia duhet t’i dërgojnë propozimet e tyre rreth një zgjidhjeje sa i përket përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

 

Diskutimet për dinarin serb që u bënë të martën e 19 marsit në Bruksel, nuk përfunduan me ndonjë zgjidhje. Por, Kosova dhe Serbia u pajtuan që deri të premten t’i dërgojnë propozimet e tyre në adresë të Bashkimit Evropian.

Ndryshe, në Bruksel, më 19 mars u mbajt takimi i përbashkët ndërmjet emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kryenegociatorit të Kosovës në dialog, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit serb, Petar Petkovq, raporton RTKlive.

Temë e diskutimi në këtë takim ishte Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me dinarin serb.

Bisedimet mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë përfunduan me zotimet e palëve që, deri më 22 mars, t`i dorëzojnë propozimet e tyre për zgjidhjen e çështjes së përdorimit të dinarit serb në Kosovë.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit tha se janë dakorduar që deri të premten (22 mars v.j.) secila pale të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. “Javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë hapësirë që këto dy propozime të bëhen një propozim”, ka thënë Bislimi.

Emisari special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, pas përfundimit të takimit në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë Petar Petkoviq,  ka njoftuar se takimi do të vazhdojë të hënën, duke theskuar se marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët.

Lajçakak përmendi marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe çështjen e rregullores së BQK-së për para të gatshme.

rtk

Sot Sulltan Nevruzi! Si ka lindur kjo festë dhe çfarë kuptimi ka

Sulltan Nevruzi21 marsi shënon fillimin e pranverës, po për shumë njerëz në botë është gjithashtu nisja e Sulltan Nevruzit, ose siç njihet ndryshe, Viti i Ri Persian.

 

Ndonëse shumica e vendeve në botë e festojnë më 21 mars, në Shqipëri kjo festë festohet më 22.

Po çfarë është Sulltan Nevruzi?

Novruz në gjuhën perse do të thotë ‘ditë e re’ dhe është festuar për më shumë se 3000 vite. Tradicionalisht ajo nis sapo ndodh ekuinoksi pranveror. Kjo festë shënon gjithashtu ditën e parë në kalendarin Iranian.

Novruzi festohet në Lindjen e Mesme, Azinë Qëndrore, Indi, Gjeorgji dhe Shqipëri.

Zakonisht, kjo festë zgjat tre ditë. Besimtarët bektashinj shkëmbejnë vizita tek njëri-tjetri dhe më pas kryejnë ritet fetare. Ndihmojnë njerëzit në nevojë dhe sipas traditës besimtarët shpërndajnë qumësht dhe sherbet, që simbolizojnë pastrimin e trupit dhe shpirtit.

Në ditët e festës bektashinjtë mbjellin lule në shtëpitë e tyre ose vendosin në hyrje të portave degë ulliri.

Ushqimet tradicionale të Nevruzit janë byreku me monedhën brenda, që sipas traditës kush e gjen nga pjesëtarët e familjes e pret një vit i mbarë. Në tryezë nuk duhet të mungojë mishi i pjekur dhe sigurisht ëmbëlsira tradicionale që është sultjashi.

Kjo ëmbëlsirë e cila në bazë të saj ka qumështin që simbolizon qumështin e nënës, orizin që simbolizon bollëkun dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe.

Top Channel

Udhëheqësit evropianë pajtohen për hapjen e negociatave me Bosnjën për anëtarësimin e saj në BE

BE BosnjeUdhëheqësit e Bashkimit Evropian u pajtuan të enjten për të hapur negociatat e anëtarësimit të Bosnjës e Hercegovinës në bllok, ndonëse vendi i Ballkanit Perëndimor duhet të bëjë ende shumë punë përpara se të fillojnë bisedimet.

 

Të 27 udhëheqësit dhanë dritën jeshile politike në një takim në Bruksel, pasi Komisioni Evropian javën e kaluar u pajtua për hapjen e negociatave, pavarësisht ndarjeve të thella etnike në vendin me 3.2 milionë banorë.

“Këshilli Evropian sapo vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnjën dhe Hercegovinën. Urime!”, tha presidenti i Këshillit, Charles Michel.

“Vendi juaj është në familjen tonë evropiane”, shkroi ai në platformën X duke nënvizuar ndërkaq se “tani duhet të vazhdojë punë e vështirë në mënyrë që Bosnja dhe Hercegovina të përparojë në mënyrë të qëndrueshme”.

Në projekt deklaratën e përfundimeve të takimit të Këshillit Evropian, i cili i vazhdon punimet edhe të premten, udhëheqësit e BE-së theksojnë nevojën që Bosnja të vazhdojë të ndërmarrë “të gjithë hapat përkatës të përcaktuar” nga Komisioni, që përfshijnë reforma ekonomike, gjyqësore dhe politike si dhe përpjekje më të mira për të trajtuar korrupsionin dhe pastrimin e parave.

Bosnja është e përçarë nga ndarjet etnike, edhe gati tri dekada pas luftës së viteve 1992-95 që copëtoi vendin, duke lënë më shumë se 100,000 njerëz të vrarë dhe miliona të zhvendosur.

Në vitin 2022, Bosnjës iu dha statusi i kandidatit. Për t’u anëtarësuar në BE, vendet kandidate duhet të kalojnë një proces të gjatë për të përafruar ligjet dhe standardet e tyre me ato të bllokut dhe për të dëshmuar se institucionet dhe ekonomitë e tyre përmbushin normat demokratike.

Bosnja është në mesin e gjashtë vendeve të rajonit, krahas Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, që ndodhen në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në BE, pas një periudhe luftërash dhe krizash në vitet 1990.

Procesi i zgjerimit të BE-së me këto vende është bllokuar prej vitesh. Por pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, zyrtarët e bllokut janë më të prirë të përpiqen t’i joshin ata përballë ndikimit të Kremlinit.

Përveç reformave të brendshme jo të plota që dëmtojnë përpjekjet e saj, Bosnja është ende e ndarë etnikisht e politikisht dhe është ndoshta më e brishta nga vendet e Ballkanit.

Në dhjetor, presidenti i Republikës Serbe Milorad Dodik, një politikan prorus i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se synon të vazhdojë të dobësojë vendin deri në pikën e shpërbërjes.

Me vendimin e sotëm të udhëheqësve të BE-së për hapjen e negociatave me Bosnjën, Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka statusin e vendit kandidat, ndonëse ka shtruar kërkesën për një gjë të tillë.

Pesë vende anëtare të bllokut, Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe shumicës së vendeve të bllokut.

Pavarësia e Kosovës kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

voa