BE e zhgënjyer për aksionin në veri, kërkon koordinim

EUBashkimi Evropian konsideron se operacionet e të së premtes të Policisë së Kosovës ndaj zyrave të Serbisë në katër komunat në veri të vendit rrezikojnë situatën e brishtë të sigurisë në terren.

 

Në një reagim me shkrim BE tërheqë vërejtjen se mbyllja e institucioneve paralele të Serbisë në në komunat e  Mitrovicën e Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviq, nuk ishte e koordinuar me Brukselin as partnerët tjerë ndërkombëtarë.

“BE-ja është e zhgënjyer për mungesën e vazhdueshme të koordinimit me ofruesit e sigurisë së Kosovës dhe me partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në reagim.

Në këtë reagim thuhet gjithashtu se thirrjet e BE-së për hapat drejt de-përshkallëimit dhe shmangies nga çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e njerëzve në terren, janë shpërfillur nga qeveria e Kosovës.

“BE-ja dëshiron të përsërisë se operacioni aktual i policisë kundër zyrave të mbështetura nga Serbia mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të një situate tashmë të paqëndrueshme. Zyrat e mbështetura nga Serbia janë paraparë të adresohen dhe zgjidhen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, porositë BE.

rtk

O’ Brien: SHBA të shqetësuara nga veprimet “e pabashkërenduara dhe provokuese” të qeverisë së Kosovës

O BrienNdihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Jim O’Brien i quajti “të pakoordinuara dhe provokuese” veprimet e qeverisë së Kosovës, pas mbylljes së komunave paralele serbe në veri të vendit.

 

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga veprimet e vazhdueshme të pabashkërenduara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës”, shprehet zoti O’Brien në një postim në platformën X, duke i bërë jehonë një deklarate të mëparshme të Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Në postimin e tij, zoti O’Brien tha se Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje “Kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe të bashkërendohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pabashkërenduara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”.

“Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë EULEX-in dhe KFOR-in, që parandalojnë dhunën dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje të vazhdueshme nga të gjitha palët”, shprehet zoti O’Brien.

Më herët të premten ambasada amerikane në Prishtinë tha se operacioni i autoriteteve të Kosovës për mbylljen e komunave paralele serbe në veri të vendit, “nuk ishte i bashkërenduar” dhe vazhdimi i veprimeve të tilla paraqet “përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë”.

Autoritetet mbyllën të premten komunat paralele serbe në veri, në një veprim që ka të ngjarë të nxisë tensione të reja, me gjithë thirrjet e diplomacisë perëndimore për shmangien e “hapave të njëanshëm” në zonë.

Në një reagim të publikuar nga ambasada amerikane në Prishtinë, thuhet se “qeveria e Shteteve të Bashkuara përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pabashkërenduara të qeverisë së Kosovës që vazhdojnë të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”.

Policia e Kosovës, tha se operacioni në katër komunat në veri të vendit u zhvillua për të ndërprerë veprimtaritë në “pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se “janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Ministri Krasniqi tha se “komunat e mbyllura janë Qarku i Mitrovicës së Kosovë, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit”.

Më herët gjatë këtij viti, autoritetet mbyllën shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit.

Në reagimin e ambasadës amerikane thuhet mes tjerash se “çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky veprim nuk ishte i bashkërenduar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare”.

Në reagim theksohet se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga qeveria e Kosovës që ta ketë përparësi bashkërendimin dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet që përfshihen në agjendën e bisedimeve.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave, pasqyron një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pabashkërenduara të qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe dëmtojnë emrin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”.

Më tej në reagim thuhet se ndërsa “qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë, instrumentalizimi i vazhdueshëm i policisë së Kosovës nga qeveria për të kryer veprime të pabashkërenduara nuk është në përputhje me premtimin e Kosovës se do të “vazhdojë këshillimin dhe bashkërendimin me komunitetin ndërkombëtar. Veprimet e qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”.

Kosova i cilëson institucionet komunale të emëruara nga Beogradi të paligjshme.

Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.

Zyrtarët e Serbisë reaguan me zemërim ndaj operacionit të sotëm. Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se ky veprim “do të ketë pasoja afatgjata në procesin e normalizimit të marrëdhënieve” dhe sipas tij “ka për qëllim të nxisë konflikte në veri”.

Ai tha se me mbylljen e këtyre institucioneve (kryeministri Albin) Kurti “dëshiron të shuajë jetën e serbëve në veri të Kosovës dhe të realizojë spastrimin përfundimtar etnik”.

Në fillim të muajit gusht autoritetet mbyllën Postën e Serbisë në veri dhe shpalosën planet për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafikun e makinave.

Të enjten Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh i shqetësuar me ato që i quajti “veprime të njëanshme” të Kosovës, që sipas tij, nuk paraqesin shenja të mira drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Gjatë një vizite që e përmbylli të premten në Serbi, ai tha se Franca do të vëzhgojë “kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë”, duke nënvizuar se “në këtë aspekt, jemi veçanërisht të përkushtuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është pjesa më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten qeveria e tij është duke vendosur sundim të ligjit dhe rendit publik, si dhe duke siguruar paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.

“Në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë, edhe mbështetjen ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Francën, që e konsiderojmë vend mik, aleat dhe partner shumë të rëndësishëm edhe në Bashkimin Evropian, edhe në NATO”, tha kryeministri Kurti.

Perëndimi kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri të Kosovës të trajtohen në kuadër të dialogut në Bruksel.

 

voa

 

Reagime pas mbylljes së institucioneve paralele serbe

institucione paraleleSHBA reagoi pas operacionit të policisë, duke theksuar se veprimet e pakoordinuara venë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it si edhe përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale.

 

Qeveria e Kosovës e ndihmuar edhe nga policia mbylli të premten pasdite pesë institucione paralele në veri të Kosovës, të cilat sipas qeverisë, ishin struktura paralele që punonin nën direktivat e Serbisë. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pas operacionit të policisë, tha, se  “janë mbyllur institucionet paralele ilegale të Vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

“Komunat paralele, të cilat nuk do të operojnë më janë: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut, Komuna paralele e Leposaviqit. Këto 5 sot i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash”, shkroi ministri Krasniqi, duke u zotuar se institucionet e Kosovës do t’iu ofrojnë shërbime të gjithë qytetarëve pa dallime përfshirë edhe atyre të komunitetit serb.

Policia: Operacioni me synim mbylljen e veprimtarisë ilegale

Policia e Kosovës u shpreh pas operacionit, se ai u zhvillua në katër komunat në veri të vendit me synim ndërprerjen e veprimtaritë në “pesë objekte, të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”.

Ky veprim i autoriteteve të Kosovës në veri nxiti reagimin e SHBA. Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Jim O’Brien veprimet e qeverisë së Kosovës pas mbylljes së komunave paralele serbe në veri të vendit, i quajti “të pakoordinuara dhe provokuese”. “Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës. I bëj thirrje kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe të koordinohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”, shkroi në platformën X O’Brien.

SHBA “e vlerëson punën e atyre, përfshirë EULEX-in dhe KFOR-in, që parandalojnë dhunën dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje të vazhdueshme nga të gjitha palët”, theksoi O’Brien. Edhe ambasada e SHBA-së, në Prishtinë tha se “operacioni i autoriteteve të Kosovës për mbylljen e komunave paralele serbe në veri të vendit, nuk ishte i koordinuar dhe vazhdimi i veprimeve të tilla paraqet përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë”.

Petkoviç: Veprim me pasoja afatgjata në procesin e normalizimit

Serbia reagoi ashpër pas operacionit të policisë në veri të Kosovës. Drejtuesi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se “ky veprim do të ketë pasoja afatgjata në procesin e normalizimit të marrëdhënieve” dhe sipas tij “ka për qëllim të nxisë konflikte në veri”. Sipas Petkoviq, “me mbylljen e këtyre institucioneve, Kurti dëshiron të shuajë jetën e serbëve në veri të Kosovës dhe të realizojë spastrimin përfundimtar etnik”.

Në fillim të këtij muaji, autoritetet kosovare mbyllën edhe nëntë degë të Postës së Serbisë në veri dhe shpalosën një plan për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, që ndan qytetin në dy pjesë, atë veriore të banuar me shumicë serbe  dhe jugore me shumicë shqiptare. Gjatë një vizite ne Beograd të enjten,  Presidenti i Francës Emmanuel Macron, u shpreh i shqetësuar me ato që i quajti “veprime të njëanshme të Kosovës”, të cilat sipas tij, nuk paraqesin shenja të mira drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pyetur për deklaratën e Macron, tha se “qeveria e tij është duke vendosur sundim të ligjit dhe rendit publik, si dhe duke siguruar paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim”. “Në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë, edhe mbështetjen ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Francën, që e konsiderojmë vend mik, aleat dhe partner shumë të rëndësishëm edhe në Bashkimin Evropian, edhe në NATO”, tha kryeministri Kurti. Por autoritetet ndërkombëtare, disa herë e kanë theksuar se të gjitha çështjet që ndërlidhen me situatën në veri të Kosovës duhet të trajtohen në kuadër të dialogut në Bruksel të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

dw

Gjermani: Sërish gjashtë të plagosur nga një sulm me thikë

SiegenNjë javë pas sulmit në Solingen një grua sulmoi me thikë në një autobus në Siegen udhëtarët që po shkonin për të marrë pjesë në festën e qytetit.

 

Gjashtë vetë u plagosën gjatë një sulmi me thikë në një autobus në Siegen. Tre prej tyre janë në rrezik jete. Policia tha se autorja ishte një 32-vjeçare, e cila u arrestua. Sipas organeve të rendit “aktualisht nuk ka ndonjë rrezik të mëtejshëm” dhe nuk ka ndonjë dyshim që sulmi ka sfond terrorist.

Sipas policisë në autobus ndodheshin të paktën 40 pasagjerë, me tyre edhe fëmijë dhe të rinj, që po shkonin për të marrë pjesë në festimet për 800-vjetorin e themelimit të qytetit.

Jo hamendësime për sulm terrorist

Policia e qarkut Siegen-Wittgenstein u bëri thirrje qytetarëve që të mos hamendësojnë lidhur me sfondin këtij krimi, i cili ndodhi një javë pas sulmit me sfond terrorist të një siriani në Solingen. “Ju lutemi qytetarëve të mos përhapin në rrjetet sociale apo kanale të tjera lajme të rreme dhe sidomos të mos e lidhin sulmin me ndonjë sfond terrorist. Policia nuk ka informacione për këtë.” – thuhet në deklaratën e policisë.

32-vjeçarja ka dosje në polici dhe sipas informacioneve vuan nga një sëmundje mendore.

Festa do të vazhdojë

Kryetari i bashkisë së Siegenit, Steffen Mues, njoftoi përmes faqes së internetit të qytetit se pas rishikimit me kujdes të konceptit ekzistues të sigurisë vendosi që “festa e qytetit të mos anulohet, gjë që është gjithashtu një shenjë për demokraci dhe liri”.

Personat që duan të marrin pjesë në festimet dhe aktivitetet e ndryshme nuk lejohen të mbajnë thika me vete, thuhet në faqen e bashkisë. Nëse dikush ka thikë me vete, atij do t’i kërkohet menjëherë të largohet dhe do t’i ndalohet që të qëndrojë në vendin ku zhvillohet festa gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj.

dw

Nga Kosova kërkohet “gatishmëri për kompromis”

KurtiAdmirali i NATO-os, Thomas Goffus tha në Kosovë se veprimet e pakoordinuara në veri mund të rrisin rrezikun e dhunës. Edhe i dërguari i qeverisë gjermane, Manuel Sarrazin kërkoi në Prishtinë “gatishmëri për kompromis”.

 

Veprimet e njëanshme të qeverisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe dhe synimi i saj për hapjen e urës mbi lumin Ibër ka rritur frekuencën e vizitave të shumë diplomatëve perëndimorë dhe ushtarakë të NATO-s në Prishtinë. Të gjithë njëzëri i kërkojnë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti të shmangë veprimet e njëanshme që mund të nxisin tensione të reja. Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Admirali Thomas Goffus gjatë vizitës së tij të enjten i tërhoqi vërejtjen autoriteteve kosovare se “veprimet e pakoordinuara, posaçërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës, e cila cenon sigurinë e të gjithë njerëzve në vend dhe rrezikon trupat e KFOR-it”.

 

Goffus: Shtimi i trupave nuk është zgjidhja për paqen afatgjatë në Kosovë

“Gjatë vitit të kaluar ne kemi rritur numrin e trupave në Kosovë, në mënyrë që të adresojmë fatkeqësisht një ambient më sfidues të sigurisë dhe rishfaqjen e tensioneve. Kjo tregon edhe një herë përkushtimin e shpejtë të aleatëve të NATO-s dhe partnerëve që ta ruajnë sigurinë përgjatë Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi”, tha admirali Goffus, ai tërhoqi vëmendjen se “shtimi i trupave ushtarake, i domosdoshëm momentalisht, nuk është zgjidhje për një paqe afatgjate në Kosovë”. Zgjidhja është politike, theksoi Goffus. “Është esenciale që edhe Prishtina edhe Beogradi të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet e mbetura. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjitha palëve, të implemtentojnë marrëveshjet e arritura pa vonesë”, tha Goffus. Në bisedimet me autoritetet kosovare, Goffus theksoi, se “është e rëndësishme të ketë koordinim me NATO-n për një sërë çështjesh përfshirë urën e Ibrit”.

 

Sarrazin: Na duhet kompromis

Për zgjidhje politike dhe kompromise ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit foli në Prishtinë edhe i dërguari i qeverisë së Gjermanisë për Ballkanin, Manuel Sarrazin, i cili të njëjtën ditë me admiralin e NATO-os, takoi në Prishtinë, Presidenten e Kosovës Osmani dhe kryeministrin Kurti. Sarrazin, në një deklaratë për media shprehu shqetësimin e tij, siç tha “me mungesën e gatishmërisë për kompromise, që do të mundësonin arritjen e një kthese ambicioze për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit”. “Për këtë na duhet kompromis dhe nganjëherë edhe gatishmëri për lëshime mbi pajtimin rreth marrëveshjeve politike që nuk janë të lehta për Serbinë dhe as për Kosovën”, tha ai. Sarrazin në ditët në vijim do të vizitojë disa vende të Ballkanit.

Procesi i Berlinit është një nismë e hedhur që në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, me synim thellimin e koordinimit  ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo me qëllim mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

 

Shqetësim para samitit të Procesit të Berlinit në tetor

Sarrazin kujtoi fillesën e Procesit të Berlinit pesë vjet më parë, ku u hodh ideja për një treg të përbashkët rajonal dhe me planin e rritjes së Bashkimit Evropian. “Ideja është të mbledhim gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, me parimin e partnerëve të barabartë, së bashku drejt Bashkimit Evropian. Për këtë na duhet bashkëpunimi rajonal dhe na duhen rezultate konkrete për të gjithë qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rezultate që tregojnë se kufijtë po bëhen më pak të rëndësishëm dhe tregtia, përparimi ekonomik e bashkëpunimi janë të rëndësishme në këtë drejtim”, tha Manuel Sarrazin. Sipas tij, Procesi i Berlinit e ka pozicionuar Tregun e Përbashkët Rajonal në qendër të ecurisë së Zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Nëse nuk kemi rezultate më të mira para samitit më 14 tetor brengosem se nuk do ta arrijmë synimin tonë për të dhënë një shenjë të fortë se bashkëpunimi rajonal, tregu i përbashkët dhe Procesi i Berlinit është formati që në këtë rajon mund të sjellë rezultate konkrete për qytetarët në terren”, tha i dërguari i qeverisë gjermane.

Sa i përket situatës së sigurisë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në njoftim për medie e theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes institucioneve kosovare të sigurisë e mbrojtjes me KFOR-in e NATO-n dhe koordinimin e vazhdueshëm. Duke mbrojtur veprimet e qeverisë së tij në veri të Kosovës Kurti tha se “progresi socio-ekonomik e demokratik i vendit ecën krah për krah me sundimin e rendit dhe ligjit”. “Gjatë këtyre tri vjetëve nën kërcënimet më të mëdha të sigurisë nga Serbia, kemi arritur progresin më të madh në demokraci dhe ekonomi, ndërkohë që edhe kemi zmbrapsur kërcënimet e menaxhuar suksesshëm sfidimin e sigurisë dhe paqes në vendin tonë. Ne mbrojmë jo vetëm qytetarët e territorin, sovranitetin dhe demokracinë, pavarësinë dhe lirinë, por edhe progresin e prosperitetin tonë”, tha kryeministri Kurti.

 

Vizita e Macron në Beograd

Për veprimet e qeverisë së Kosovës në veri, foli gjatë vizitës së tij në Beograd edhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili tha se “lëvizjet e njëanshme” dhe “shqetësuese” të Kosovës nuk japin sinjal të mirë. Sipas tij, Franca është e përkushtuar që të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë, në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas presidentit francez, “kjo çështje nuk do të zgjidhet pa kompromis nga të dyja palët dhe, në përputhje me rrethanat, nëse nuk ka guxim politik për të arritur një zgjidhje”. Ai i bëri thirrje qeverisë së Kosovës “të mos bëjë ndonjë veprim tjetër të njëanshëm në veri”, duke theksuar se “Franca dëshiron që Kosova ta themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”. “Të jini të sigurt se Franca do të vazhdojë t’i ndjekë me vëmendje të veçantë kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë dhe, në këtë kontekst, jemi veçanërisht të përkushtuar për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, tha Macron.

Kosova dhe Serbia qysh në vitin 2013 dhe më pas në 2015, kanë arritur marrëveshje për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe,  janë hartuar propozime prej palëve të ndryshme, por Asociacioni nuk është themeluar asnjëherë. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje edhe për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit 2023, por zbatimi i saj ka ngecur.

dw

Osmani: Të zhdukurit me dhunë gjatë luftës, plaga më e thellë e Kosovës

te zdhukurit me dhunePresidentja e vendit, Vjosa Osmanio, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të zhdukurve me dhunë, tha se mbi 1600 të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumë prej tyre fëmijë, ende mbesin plaga më e thellë e Kosovës.

 

Presidentja në një postim në Facebook, tha se synim i regjimit gjenocidal të Serbisë ishte shfarosja dhe shkatërrimi i identitetit tonë, i të ardhmes sonë. Duke e mohuar të vërtetën, Serbia po e përsëritë vazhdimisht krimin

“Mbi 1600 të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumë prej tyre fëmijë, ende mbesin plaga më e thellë e Kosovës. Synim i regjimit gjenocidal të Serbisë ishte shfarosja dhe shkatërrimi i identitetit tonë, i të ardhmes sonë. Duke e mohuar të vërtetën, Serbia po e përsëritë vazhdimisht krimin. Duke mbajtur arkivat e mbyllura, pavarësisht dakordimit të Brukselit që e kërkon të kundërtën, Serbia po shkel edhe marrëveshjet e arritura”, tha ajo.

Osmani tha se e vërteta nuk mund të fshihet prapa propagandës se kinse Serbia qenka pro paqes dhe pro integrimit në BE.

“E vërteta është një dhe e vetme: në vitin 2024, Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm”, ka shkruar Osmani.

rtk

Serbia nënshkruan marrëveshje për blerjen e avionëve francezë Rafale

Macron VucicSerbia nënshkroi të enjten në mbrëmje me Francën marrëveshje për blerjen e avionëve ushtarakë francez Rafale, në nisje të vizitës dy ditëshe të Presidentit francez Emmanuel Macron në Beograd.

Marrëveshja me vlerë prej 2.7 miliardë eurosh, sipas zyrtarëve francez, është pjesë e strategjisë më të gjerë për ta afruar Serbinë me Bashkimin Evropian.

 

Presidenti Macron e quajti marrëveshjen “historike dhe të rëndësishme” dhe vlerësoi “guximin strategjik” të Serbisë. “Është një demonstrim i vërtetë i frymës evropiane”, tha ai, duke nënvizuar se Serbia është vend me rëndësi për sigurinë në Evropë.

Presidenti serb Vuçiç, tha se Serbia do të blejë 12 avionë Rafale, duke e cilësuar blerjen “një lajm të madh”. Por ai nuk tha se kur do të arrijnë avionët në Beograd.

Ai tha se kjo paraqet blerjen më të madhe të armatimeve nga Perëndimi.

Serbia kishte shqyrtuar blerjen e avionëve të rinj Rafale për më shumë se dy vjet, pasi rivalja e saj në Ballkan, Kroacia bleu 12 avionë luftarakë të përdorur të këtij lloji në vlerë prej rreth 1 miliard eurosh.

Blerja i lejon Serbisë të modernizojë forcën e saj ajrore, e cila përbëhet kryesisht nga avionë MiG-29 të prodhimit sovjetik dhe avionë të vjetër jugosllavë.

Rusia ka qenë një furnizues tradicional i Serbisë me avionë ushtarakë, helikopterë. Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

“E di që Emmanueli do të donte që ne t’i vendosim sanksione Rusisë, por nuk më vjen turp për vendimin tim”, tha presidenti serb.

Presidenti francez tha se Serbia si vend sovran ka të drejtë të vendos vet për marrëdhëniet me vendet e tjera, ndonëse në një shkrim autorial të publikuar në të përditshmen proqeveritare serbe Politika, ai shkroi se “me shpërthimin e luftës në kontinentin tonë, të nisur nga Rusia, … ideja se Serbia mund të kërkojë rrugën e saj në lojën e përjetshme të drejtpeshimit midis fuqive… është thjesht një iluzion”.

Shitja e avionëve Rafale Serbisë e cila herë pas here ka shprehur një qëndrim agresiv ndaj fqinjëve të saj ballkanikë, ka ngritur shqetësime, një prej të cilëve është se si Franca planifikon të parandalojë që teknologjia e sofistikuar e këtyre avionëve të mos ndahet me Rusinë.

Por zyrtarët francezë thanë se “në çdo kontratë përcaktohet një kuadër për përdorimin” e mjeteve që shiten.

Serbia kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por nën sundimin gjithnjë e më autokratik të Presidentit Vuçiç, ajo ka bërë pak përparim në fushën e sundimit të ligjit dhe reformave demokratike, të cilat janë parakushte për anëtarësimin në bllokun 27-vendesh.

Presidenti francez tha se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është pjesë e procesit integrues dhe kjo çështje nuk mund të zgjidhet pa kompromise nga të dyja palët. Ai u shpreh i shqetësuar me ato që i quajti “veprime të njëanshme” të Kosovës, që sipas tij, nuk paraqesin shenja të mira drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Ai tha se Franca do të vëzhgojë “kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë”, duke nënvizuar se “në këtë aspekt, jemi veçanërisht të përkushtuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është pjesa më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Në shkrimin e tij autorial në prag të vizitës në Beograd, Presidenti Macron ritheksoi përkushtimin ndaj marrëveshjes së arritur ndërmjet palëve në shkurt dhe mars të vitit 2023 në Bruksel dhe në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve, në bazë të një plani të hartuar nga Franca dhe Gjermania.

*Pjesë të këtij materiali u morën nga agjencitë e lajmeve Reuters dhe Associated Press

SEVASTI QIRIAZI-DAKO arsimtarja dhe atdhetarja e njohur nga Manastiri

SevastiSEVASTI QIRIAZI-DAKO, arsimtarja dhe atdhetarja e njohur shqiptare, lindi më 24 shkurt të vitit 1871 në Manastir dhe vdiq më 30 gusht të vitit 1949.

 

Ishte njëra prej femrave atdhetare shqiptare dhe nismëtare e organizimit të arsimit kombëtar për femra. Gjatë qëndrimit në Stamboll, ishte Naim Frashëri ai që i dha mundësi Sevasti Qiriazi-Dakos të studionte në Robert College në Kostandinopojë e të luante një rol aktiv për arsimimin e grave. Shkollën e lartë e kreu në Stamboll, ndërsa pas kthimit në atdhe nisi të punonte për shkollën shqipe të vashave. Ajo qe e para grua shqiptare që studioi në këtë institucion amerikan, të cilin e kreu në qershor të vitit 1891. Me t’u kthyer në Shqipëri, mori pjesë për ngritjen e Shkollës së Vashave në Korçë, më 1891. Kjo shkollë hodhi dhe themelet e shkollave mbi baza laike. Pas Luftës së Parë Botërore kjo shkollë njihej ende me emrin e familjes Qiriazi.

Sevastia mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit, ku u mor kryesisht me përgatitjen e teksteve shkollore. Është thënë ndërkaq se ajo ka botuar një gramatikë për shkollat fillore (Manastir 1912) dhe ka redaktuar një radhë tekstesh historie. Me të shoqin, gazetarin dhe shkrimtarin Kristo Anastas Dako (1878-1941) e me të motrën, Parashqevi Qiriazin, ajo vajti në Rumani e prej andej emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku bashkëpunoi me të përdyjavshmen “Yll’ i mëngjesit”. Motrat Qiriazi ishin mësueset dhe edukatoret e para të Shkollës së Vashave, që u hap më 1891 në Korçë. Nga kjo shkollë dolën shumë emra të njohur të femrave që dhanë ndihmesë jo vetëm në fushën e arsimit, por u bënë edhe veprimtare të njohura të çështjes kombëtare.

Gjithashtu, Sevasti Qiriazi mori pjesë në Kongresin e Elbasanit, si dhe punoi në komisionin për shqyrtimin e teksteve shkollore, që ishte ngritur nga shoqëria “Përparimi”. Shkroi “Gramatika elementare për shkollat fillore”. Për çështjen kombëtare bashkëpunoi me atdhetarë të ndryshëm, si dhe me Ismail Qemalin. Kur ishte kryetare e Partisë Kombëtare Shqiptare në ShBA, mbrojti të drejtat e shqiptarëve në shumë forume ndërkombëtare. Gjatë gjithë jetës së saj, Sevasti Qiriazi iu përkushtuar përparimit kombëtar dhe dha ndihmesë të madhe në fushën e arsimit dhe emancipimit shoqëror të femrës shqiptare.

MHK

Pas Solingenit: Ndalim thikash dhe dëbime më të shpejta

Ministri i Drejtësisë Marco Buschmann dhe ministrja e Brendshme, Nancy Faeser duke prezantuar paketën e re të sigurisë pas sulmit me thikë në SolingenSi reagim ndaj vrasjeve me thikë në Solingen qeveria gjermane do të rrisë presionin ndaj azilkërkuesve të refuzuar dhe refugjatëve që kanë kryer vepra penale.

 

Pas sulmit vdekjeprurës me thikë të islamistit të dyshuar, Isa al H., në Solingen, prej të cilit më 23 gusht gjetën vdekjen tre vetë, qeveria gjermane ra dakord për ashpërsimin e ligjeve dhe për një paketë sigurie e cila përbëhet nga disa shtresa. Paketa përfshin ligje më të rrepta për armët, reduktimin e ndihmave sociale për refugjatët që u refuzohet kërkesa për azil, dëbim më të shpejtë të azilkërkuesve të refuzuar dhe atyre që kanë kryer vepra penale. Po ashtu do të zgjerohen kompetencat hetimore për autoritetet e sigurisë dhe do të ketë më shumë projekte parandaluese kundër islamizmit.

 

Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, tha se do të ndalohen thikat në festivale, aktivitete sporte apo ngjarje të ngjashme publike. Në të ardhmen policia do të ketë gjithashtu të drejtë të ndalojë mbajtjen e thikave në stacionet e trenave, të cilat shpesh janë pika të nxehta veprash kriminale. Po ashtu parashikohet edhe një ndalim i përgjithshëm i thikave në trenat e distancave të gjata. Gjithashtu do të ashpërsohet dhënia e licencave për armë zjarri.

 

Dëbim edhe për rinjtë

Ministri i Drejtësisë Marco Buschmann tha se “kushdo që sulmon ose kërcënon me thikë njerëzit në Gjermani do të dëbohet shpejt nga vendi.” Ashpërsimi i masave të dëbimit do të vlejë edhe për të rinjtë. Edhe refugjatët që shkojnë për vizitë më vendet e tyre të origjinës do të dëbohen, se sipas ministrit Buschmann: “ai që shkon për pushime në vendlindje, ku pretendon se nuk mund te jetojë në siguri, vepron në mënyrë kontradiktore dhe do ta humbasë statusin e strehimit”.

Po ashtu edhe personat që kanë bërë kërkesë për azil në një vend tjetër të BE-së do të përjashtohen nga ndihmat sociale në Gjermani.

 

A do të ketë bëbime edhe në Siri dhe Afganistan

Buschmann dhe Faeser konfirmuan gjithashtu qëllimin e tyre për të dëbuar persona që kanë kryer krime të rënda dhe terroristë të dyshuar edhe në Siri dhe Afganistan, megjithëse Gjermania nuk ka marrëdhënie diplomatike me këto vende dhe megjithëse një dëbim i tillë sipas organizatave për të drejtat e njeirut mund të jetë antikushtetues.

 

Zgjerim i kompetencave hetimore

Qeveria parashikon që të lejojë përdorimin e programeve për njohjen e fytyrave nga autoritetet e sigurisë për të kërkuar dhe identifikuar sa më të shpejtë në internet dhe rrjetet sociale persona të dyshuar apo të shpallur në kërkim.

Po ashtu do të krijohet një grup pune për të parandaluar islamizmin, sidomos radikalizimin e individëve përmes internetit.

dw

Shqiptarët e dikurshëm.

e_durhamKur shoh fanatizmin e sotëm, çuditem me arsyetimin e atyre burrave para njëqind e më vjetësh, me kthjelltësinë e tyre.

 

Ja se ç’thotë EDITH DURHAM për malësoret gjatë udhëtimeve të saj:

“Nja pesëdhjetë vjet më parë ose diçka më shumë, jezuitët e Shkodrës porositen disa piktura te shëmtuara e te tmerrshme të një piktor grek, për të treguar mundimet që heqin të dënuarit në ferr.

I dërguan këto piktura në malësitë.

Një nga krerët më tha mendimin e popullit :

“Ne jemi njerëz të varfër, nuk dijmë shkrim e këndim, por ne kurrë nuk do tu bënim gjëra kaq të tmerrshme armiqve tanë, dhe as besojmë se Zoti bën gjëra të tilla.”

Pas kësaj pikturat u hoqën dhe nuk u duken më në malësi.

Një burrë tepër i zhdërvjellët e kundërshtoi priftin, që e kishte kërcënuar se pas vdekjes do të ndëshkohet:

– E ç’rëndësi ka, se çdo të ndodhë pas vdekjes!

– Po shpirti yt, – i tha prifti, – nuk do të vdesë. Nuk shqetësohesh për shpirtin tënd ?

– Shpirti im, – u përgjigj malësori, – kur unë te vdes le te fluturojë ku t’i pëlqejë.

Dhe nisi të kërcejë me krahët hapur, duke imituar fluturimin e shpirtit.

– E dini historinë e atij burrit që po vdiste, – pyeti ai. – I tha Zojës së Bekueme : – E di qe kam qene tepër i keq për te shkuar ne parajse, por a nuk do te me çoni atje mua, vetëm sa për ti prishur qejfin djallit.?

Një burrë ne Nikaj-Mertur, i tha priftit se e mohonte çdo detyrim për të shpëtuar shpirtin e vet e thoshte:

– Shpirtin ma ka dhënë Zoti, kështu, është punë e Zotit që të kujdeset për të. Përse do ta ndëshkojë Zoti shpirtin për mëkatet e trupit tim. Shpirti nuk ka bërë ndonjë të keqe.

 

Mis Edith Durham