I konfiskohet pasaporta kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko

MerkoKryetarit të Komunës së Strugës, në Maqedoninë e Veriut i është konfiskuar pasaporta. Kërkesa për këtë masë ndaj zotit Ramiz Merko u bë nga Prokuroria Themelore e Strugës dhe më pas u miratua nga gjykata.

 

Po ashtu zoti Merko është i detyruar të paraqitet një herë në javë në Gjykatë. Pokuroria tha se kërkoi këtë masë për shkak të rrezikut të arratisjes.

Ai akuzohet për vendosjen në muajin mars të këtij viti të një pllake përkujtimore në hyrje të godinës së komunës, që sipas organit të akuzës ka nxitur urrjetje dhe përçarje ndëretnike mes banorëve të Strugës.

Prokuroria e Strugës në një afat të shkurtër kohor ka ngritur edhe tetë padi ndaj zotit Merko, që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës.

Ramiz Merko është përfaqësues i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe për një kohë të gjatë është në krye të komunës së Strugës.

Departamenti Amerikan i Shtetit e përcaktoi atë në qershor të vitit të kaluar si të përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm dhe e shpalli person të padëshirueshëm.

Departamenti i Shtetit theksonte se kryetari i komunës së Strugës ka përvetësuar fonde në mënyrë të paligjshme dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Njoftimin për masat kundër zotit Merko e kanë përshëndetur partitë shqiptare të koaicionit “Vlen”, që akuzojnë BDI-në për përfshirje në skandale korrupsioni. Vetë zoti Merko dhe BDI-ja nuk kanë reaguar ende.

voa

Hetimet e SPAK-ut, Rama: I qetë e i vendosur, që të vijojë beteja ndaj pandëshkueshmërisë

RamaNë Shqipëri, pavarësisht se hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë përfshirë zyrtarë të niveleve të larta dhe përfaqësuesë po ashtu të lartë të Partisë Socialiste në pushtet, kryeministri Edi Rama thotë se është i qetë e i vendosur që beteja ndaj pandëshueshmërisë të vijojë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri bën një bilanc të zhvillimeve kryesore të vendit, që nga përparimi në integrimin europian, te ekonomia, debati për opinionin e Komisionit të Venecias për rastin e mandatit të ish ministres Olta Xhaçka e pritshmëritë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare

 

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, së pari, faleminderit për këtë intervistë në fund të vitit me Zërin e Amerikës. Do të doja ta nisja me një ngjarje të rëndësishme për Shqipërinë gjatë këtij viti, përparimin e saj në integrimin drejt Bashkimit Europian. Brenda dy muajsh, Shqipëria arriti të hapë dy grupe kapitujsh. Megjithatë ambicia juaj është që bisedimet të mbyllen brenda vitit 2027. Sa realiste është kjo, duke patur parasysh që fqinjët tanë kanë kaluar vite të tëra e ende janë larg?

Kryeministri Rama: Kjo nuk është ambicia ime tanimë, por është plani i përbashkët strategjik i shkruar dhe i dakordësuar së bashku me Komisionin Europian. Është një plan konkret, me hapa konkrete, me data konkrete dhe është shumë ambicioz, por ne jemi të angazhuar që ta realizojmë pikë për pikë dhe që, përsa na takon, detyrat për mbylljen e negociatave t’i kemi kryer brenda vitit, që kemi përcaktuar.

 

Zëri i Amerikës: A është e përgatitur administrata shqiptare për ta përballuar këtë proces? Sepse po i referohem këtu raportit të fundit të Komisionit Europian, dhe më lejoni të citoj, ku thuhet se qeveria, për shembull, “vazhdoi të miratonte politikat dhe ligjet, duke ngritur shqetësime në lidhje me respektimin e standardeve të BE-së”, apo se “një pjesë e mirë e rekomandimeve të Komisionit Europian ose ishin zbatuar pjesërisht, ose nuk ishin zbatuar fare”.

Kryeministri Rama: Këto nuk kanë asnjë lidhje me pyetjen apo me përmbajtjen e pyetjes për administratën, sepse sa e përgatitur është administrata jonë kjo natyrisht nuk duket, nëse ndjek lumenjtë e lajmeve, ku gjysmë të vërtetat që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, po edhe gënjeshtrat safi janë material sundues. Por kjo duket nga faktet dhe fakti më kuptimplotë për përgatitjen e administratës sonë është fakti që administrata jonë përballoi jo vetëm me sukses, por edhe nën sytë e befasuar të Komisionit Europian të gjithë procesin e përgatitjes së negociatave, që është një proces jashtëzakonisht i vështirë.

Nga ana tjetër, administratën tonë e gjykojnë institucione prestigjioze, të cilat funksionojnë si institucione të Bashkimit Europian, ku kam parasysh në këtë rast SIGMA-n, që e cilëson administratën tonë, në mos gabohem, në 4 nga 5 fusha të hulumtimit të kapaciteteve të administratës, si më të mirën në rajon.

 

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, korrupsioni mbetet një temë gjerësisht e debatuar edhe ndër vite. Ju shpesh keni deklaruar një seri masash, ndërhyrjesh, reformash që janë marrë, megjithatë në vlerësimet ndërkombëtare, edhe në raportin e fundit të Komisionit Europian vazhdon të konsiderohet si një shqetësim serioz, madje thuhet edhe se “përpjekjet parandaluese kanë patur një ndikim të kufizuar”.

Kryeministri Rama: Korrupsioni ishte një temë shumë e debatuar për gati dy vjet në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk ishte një temë e debatuar me një kahje, por ishte një temë e debatuar me të dyja kahjet, që do të thotë se në këtë debat për korrupsionin ka shumë; ka natyrisht të vërteta, që në rastin e Shqipërisë ne nuk mund t’i mohojmë, ka shumë të pavërteta që janë atraktive në arenën politike dhe mediatike, ka shumë analiza, që mbështeten mbi shumë spekulime, por, për t’u kthyer dhe për të mbyllur përgjigjen: korrupsioni në Shqipëri është një problem, asnjëherë aq i madh sa të meritojë tamtamet e përnatshme në të gjitha llojet e frëngjive dhe në të gjitha llojet e platformave, por një problem, që pikërisht pse është real, jemi duke e përballur qoftë me reforma, qoftë me modernizimin e shërbimeve dhe me modernizimin e proceseve brenda administratës, duke shfrytëzuar teknologjinë, qoftë nëpërmjet institucioneve të reja të drejtësisë dhe patjetër, qoftë falë mbështetjes publike, që në këtë luftë kundër kësaj të keqeje është një mbështetje e gjerë.

 

Zëri i Amerikës: A ju ka shqetësuar një numër jo i vogël ish-zyrtarësh, zyrtarësh të lartë, përfaqësuesish tuaj, kyetarë e ish kryetarë bashkish e së fundmi edhe deputetë, të cilët janë nën hetim nga SPAK-u, të paktën për shpërdorim detyre apo korrupsion?

Kryeministri Rama: Kjo pyetje më bëhet qëkur SPAK-u ka filluar të veprojë dhe gjithmonë më shkakton habi, sepse mund të më bëhej në mënyrë këmbëngulëse, nëse unë do të isha një person i gjendur gafil përballë produkteve ose rezultateve të një reforme të bërë nga të tjerë. Po unë nuk jam një person i gjendur gafil dhe reformën në drejtësi e kam bërë unë në krye dhe Partia Socialiste e gjitha në mbështetje të kësaj reforme. Kështu që, natyrisht që mua nuk më vjen mirë në aspektin njerëzor dhe personal për njerëz të cilët i njoh, me të cilët kam punuar, me të cilët kam bashkëpunuar nga më larg ose nga më afër, por kur bëhet fjalë për detyrën që kam, kur bëhet fjalë për misionin që udhëheq, kur bëhet fjalë për faktin se ky është një proces i dhimbshëm, përmes së cilit Shqipëria do të bëhet më në fund shteti, që nuk u bë kurrë dhe, falë të cilit në Shqipëri pandëshkueshmëria tanimë nuk është një mit, por është një monument i rrëzuar, dhe për herë të parë në historinë e Shqipërisë, qysh nga shpallja shtet më 1912-n, ka individë të lidhur me pushtetin politik, qofshin në radhët e shumicës që qeveris apo në radhët e shumicës që ka qeverisur, atëherë këtu është për t’u habitur me habinë e kujtdo qoftë, por unë personalisht ndjehem absolutisht i qetë, i qartë dhe i vendosur, akoma më i vendosur, që kjo betejë të vazhdojë dhe të mos ketë asnjë kompromis.

 

Zëri i Amerikës: Pyetja për shqetësimin, lidhet pikërisht me këtë, jo me faktin që ju habiteni nga kjo gjë, por a mund t’ju pyes për rastin e zotit Veliaj i përfshirë së fundmi në hetime? A e cënon kjo imazhin e Partisë suaj?

Kryeministri Rama: Unë nuk komentoj raste individuale, nuk e kam bërë asnjëherë, përveçse kur ka pasur një vendim përfundimtar gjykate, sic ka qenë rasti i një shpifësi recidiv. Por mund të them vetëm që, fakti se cilido është i hetueshëm, nuk e bën cilindo të fajshëm, dhe nga ana tjetër, gjyqet nuk bëhen në media, por gjyqet bëhen në proceset ligjore dhe kushtetuese.

 

Zëri i Amerikës: Bëhet fjalë për emra të rëndësishëm të politikës dhe jetës publike. Kështu që, detyrimi është për të marrë një opinion nga ju.

Kryeministri Rama: Opinioni im dihet. Është i njohur botërisht. Përballë drejtësisë dhe përballë ligjit dhe përballë të drejtës së institucioneve të drejtësisë për të bërë punën e tyre, nuk janë emrat që caktojnë se për kë e bëjnë apo për kë s’e bëjnë punën, por janë faktet dhe janë liritë dhe të drejtat e të gjithëve, që duhen ushtruar dhe duhen vënë në zbatim, duke filluar nga liria dhe e drejta e drejtësisë, që të bëjë detyrën e vet.

 

Zëri i Amerikës: Edhe një pyetje e fundit lidhur me këtë kapitull. A përbën një fakt të rëndë që ish deputeti juaj Ergys Çyrbja, sipas hetimeve deri tani, rezulton të jetë katapultuar në pjesën e sipërme të listave për deputetë me mbështetjen e krimit të organizuar?

Kryeministri Rama: Së pari, përsëri më bëni një pyetje që përgjigjen e ka marrë, e mori dhe këtu dhe është e kotë që të kërkoni një përgjigje tjetër. Kështu që, këto janë tërësisht pa lidhje me detyrat e mia dhe me funksionet e mia. Unë thjesht përgjigjem për punën time, për detyrën time. Detyra ime nuk është, që të bëj punët e një pushteti tjetër të pavarur.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, duke u ndalur tek ekonomia; edhe të dhënat e tremujorit të tretë të këtij viti treguan një rritje të qëndrueshme në nivele të konsiderueshme të ekonomisë. Por ajo që bie në sy është se kjo rritje po mbështetet kryesisht tek ndërtimi dhe tek turizmi. A është ky modeli ekonomik që Shqipëria do të vazhdojë të ndjekë se, sido që të jetë, bëhet fjalë për dy sektorë që janë të cenueshëm?

Kryeministri Rama: Së pari, burimet e rritjes ekonomike të Shqipërisë janë shumë më tepër sesa kaq. Së dyti, kjo është një fazë e zhvillimit, kur ndërtimi ka një peshë të rëndësishme. Dhe së treti, unë nuk mendoj se, meqë ndërtimi ka një peshë të rëndësishme, ne duhet ta konsiderojmë këtë një fatkeqësi. Unë mendoj që kjo është një e mirë e madhe në këtë fazë të zhvillimit.

Unë nuk mendoj se ne duhet të vajtojmë faktin, që kemi aeroportin me rritjen më të lartë në Europë, e konfirmuar nga institucionet ndërkombëtare. Një rritje shumë më e lartë sesa rritja e vendit të dytë. Aeroporti i Tiranës sot është me numër pasagjerësh, jo me rritje relative, më i madh sesa Aeroporti i Beogradit, që ka qenë historikisht kryeqendra e rajonit, ndërkohë që Rinasi ynë ishte një kotec, ku pasagjerët numëroheshin si pulat në mëngjes, kur dilnin nga koteci, dhe në darkë, kur hynin në kotec.

 

Zëri i Amerikës: Tek ekonomia, një e dhënë tjetër, që u shfaq në rezultatet e tremujorit të tretë, është sektori i bujqësisë në rënie për tre tremujorë radhazi. Një sektor, që ka një peshë të rëndësishme në Prodhimin e Brendshëm Bruto, diku tek 18%, në mos gaboj, që ofron punësim ose vetëpunësim për një numër mjaft të lartë shqiptarësh. Si e shpjegoni këtë?

Kryeministri Rama: Nuk është një rënie pa kthim. Është një moment i përkohshëm, i parashikuar prej nesh dhe si rezultat i bllokimit të një sërë investimesh nga ana e programit të BE-së. Por, ndërkohë ne kemi marrë masa dhe do të shikoni që, vitin e ardhshëm dhe vitet në vijim, për shkak të këtyre masave dhe për shkak të disa financimeve alternative, ne do të kemi një rritje, që do të jetë më e madhe sesa koha e rritjes më të madhe së këtyre viteve në bujqësi.

 

Zëri i Amerikës: Në aktin e fundit normativ ju keni parashikuar diku tek 14 milionë euro. Mendoni se janë të mjaftueshme?

Kryeministri Rama: Ajo nuk ka lidhje, ajo është thjesht pagesa e detyrimeve të marra përsipër ndaj fermerëve dhe nuk është tek masat sistemike, që unë fola dhe që ne tanimë i kemi mirëmenduar dhe do fillojmë t’i zbatojmë, duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm.

 

Zëri i Amerikës: Duke mbetur tek të dhënat e buxhetit. Hyjmë në gjysmën e dytë të muajit dhjetor me një sufiçit mjaft të lartë, diku tek një miliardë euro. Si shpjegohet që institucionet e ekzekutivit, agjencitë shtetërore nuk arrijnë dot t’i shpenzojnë dot paratë që janë në dispozicion?

Kryeministri Rama: Ne, faktikisht, nuk do të mbetemi praktikisht me asnjë fond të pashpenzuar në mbyllje të vitit, ndërkohë që ka shumë arsye, që nuk është vendi për t’i diskutuar, pse zbatimi i projekteve ka një ecuri relativisht më të ulët sesa ç’do të ishte e dëshirueshmja. Kjo lidhet edhe me faktin që proceset e prokurimeve kërkojnë kohën e tyre, proceset ankimore kanë kohën e tyre, e kështu me radhë. Por edhe për këtë besoj që kemi të qarta masat e duhura për të korrektuar mënyrën e përdorimit të fondeve dhe për të shtrirë në kohë pastaj akordimin e tyre, pavarësisht nga procedurat e zgjatura, që nuk janë në dorën tonë, se thashë ka shumë ankime, për shembull, ose prapakthime të procedurave, gjë që flet për një forcim të konsiderueshëm të administratës në aspektin e sundimit të ligjit, gjë që e konfirmon edhe Komisioni Europian nëpërmjet SIGMA-s, që rendit Shqipërinë të parën dhe me diferencë nga vendi i dytë përsa i përket prokurimeve publike: dhe të gjitha këto janë, si të thuash, tensione të brendshme të një organizmi, që rritet dhe që zhvillohet.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, përpara se të kaloj te disa pyetje lidhur me zgjedhjet e ardhshme, do të doja të ndalesha pak te një zhvillim i parlamentit. Ka patur një debat, që ka zgjatur për më shumë se dy vjet, për çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Shumica juaj mbështeti dhe argumentoi idenë se deputetët nuk mund të detyrohen të votojnë në një mënyrë të caktuar, duke refuzuar kështu vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë Komisioni i Venecias në Opinionin e tij, ndonëse e njeh këtë të drejtë të deputetëve, që ata mund të mos detyrohen për mënyrën si duhet të votojnë, saktëson se “Gjykata kishte dhënë dy vendime – dhe këtu po citoj Opinionin – dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk mund të kushtëzohet nga votimi ose shumica parlamentare”. Pse përfaqësuesit e shumicës tuaj, zoti Rama, vijojnë të mbrojnë tezën se Komisioni i Venecias ju dha të drejtë juve?

Kryeministri Rama: Sepse përfaqësuesit e shumicës tonë parlamentare lexojnë shumë mirë shqip. Vendimi i Komisionit është më shqip nuk mund të ketë. Tani, nëse pastaj do të hyjmë në lodra të natyrës juridike, atëherë e dimë shumë mirë që dy juristë të ndryshëm, për shkak të pozicionit të ndryshëm, mund të bëjnë dy interpretime të ndryshme. Por vendimi i Komisionit të Venecias është i qartë: nuk do të duhej fare të lindte nevoja, sepse nuk ekziston, është jashtë logjikës më elementare të funksionimit të një shteti demokratik, ku të treja pushtetet janë të pavarura nga njëra-tjetra, legjislativi, gjyqësori dhe ekzekutivi, që një gjykatë, qoftë edhe ajo Kushtetuese, t’u imponojë deputetëve se si duhet të ngrenë dorën. Kjo nuk ndodh.

 

Zëri i Amerikës: Po ajo që lihet të kuptohet nga Opinioni, është që nuk duhet të votohet fare. Duhet t’i kalojë direkt Gjykatës.

Kryeministri Rama: Ky është një interpretim tjetër i tepërt, sepse Opinioni i Komisionit të Venecias është i qartë si drita e diellit: Parlamenti nuk imponohet, e nëse diçka do të kalojë në parlament, aty do të vendosë parlamenti, ndaj nuk vendos askush tjetër.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Rama, zgjedhjet e ardhshme janë në prag. Cila do të jetë oferta e Partisë Socialiste, e cila kërkon tashmë një mandat të katërt, sepse ju nuk mateni me të tjerët, po duhet të mateni me vetveten?

Kryeministri Rama: Besoj që nëse ka një ofertë, që ka nevojë për shumë pak shpjegime ndërkohë që mbështetet nga shumë fakte, është oferta e Partisë Socialiste. Për këtë arsye, Partia Socialiste do të fitojë në maj të vitit të ardhshëm dhe do të ketë fitoren më të thellë të të gjithë këtyre garave që i kemi fituar njërën pas tjetrës, pas tjetrës, pas tjetrës, pas tjetrës, pas tjetrës, sepse jemi një forcë politike, që është e pakonkurrueshme në çdo aspekt, e nuk mundemi dot.

 

Zëri i Amerikës: Atëherë, Zoti Rama, cila është arsyeja që ju praktikisht keni paralajmëruar, se në pjesën e sigurt të listave do të vijnë emra kryesisht të rinj, pra jo ata që kanë më shumë se një mandat, pra që më shumë se gjysma e deputetëve tuaj të jenë emra të rinj, jo përbërja aktuale e deputetëve?

Kryeministri Rama: Kjo është një çështje që do ta shikojmë me kujdes rrugës. Ajo që dua ta ritheksoj është që arsyeja pse ne nuk mundemi dot është arsyeja, sepse ne zgjohemi të parët dhe flemë të fundit, dhe unë zgjohem i pari nga të parët, dhe fle i fundit nga të fundit, kështu që deri kur dikush tjetër, disa të tjerë, do të zgjohen më herët dhe do të flenë më vonë dhe në ditën e tyre të punës do të bëjnë punë dhe jo llafe, Partia Socialiste do të bëjë atë që thotë dhe do të thotë atë që bën, dhe shqiptarët do ta mbështesin për atë që bën dhe për atë që thotë. Dhe përsa i përket skuadrës, kjo na jep mundësinë që të kemi një skuadër të re akoma më të mirë se kjo që kemi sot, sepse në ndërkohë, siç e thatë edhe ju, ne matemi me vetveten, nuk matemi me kundërshtarët, sepse për t’u matur me kundërshtarët, duhet të ndalojmë, duhet të kthejmë kokën mbrapa, duhet të vëmë dorën mbi sy, duhet t’i shohim ku janë, edhe pastaj të fillojmë të matemi, gjë që s’kemi pse e bëjmë. Por nga ana tjetër, ne kemi shumë gjëra për të përmirësuar dhe e kam thënë me kohë që, opozitën e vetvetes dimë ta bëjmë shumë më mirë sesa ata që na bëjnë opozitën nga jashtë vetes. Kjo duket si retorikë, po nuk është retorikë. Ne bëjmë shumë analiza, ne bëjmë shumë diskutime të brendshme, ne bëjmë shumë anketime të opinionit, ne dëgjojmë shumë njerëz në të gjitha rrugët dhe jemi shumë të vetëdijshëm që s’jemi më të mirët, nuk jemi aq të mirë sa unë do të doja të ishim, po më të mirë se ne…

Hasani: Tirana synon të hapë në vitin 2025 gjithë grup-kapitujt e negociatave me BE-në

Igli Hasani, ministër i Shqipërisë për Europën dhe Punët e JashtmeNë Tiranë, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha se Shqipëria ka bërë këtë vit hapa të rëndësishëm drejt integrimit europian, dhe synon të hapë vitin e ardhshëm të gjithë grup-kapitujt në negociatat për anëtarësim. Shqipëria synon që deri në vitin 2027 të mbyllë gjithë negociatat dhe të jetë gati për anëtarësim në BE deri në vitin 2030. Drejtuesi i diplomacisë shqiptare deklaroi se gjatë këtij viti u rritën angazhimet e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare dhe nismat rajonale, si dhe janë mbrojtur më mirë interesat e shqiptarëve kudo në botë.

 

Për diplomacinë dhe administratën publike të Shqipërisë viti i ardhshëm pritet të jetë një periudhë e ngjeshur pune sa i takon procesit të inegrimit të Bashkimin Europian.

Brenda dy muajve të fundit në tetor dhe dhjetor, SHqipëria dhe BE-ja mbajtën konferencën e dytë dhe të tretë ndërqeveritare, ku u hapën grup-kapitulli i parë i negociatave, të njohura si “Themeloret”, dhe grup-kapitulli i gjashtë mbi “Marrëdhëniet me jashtë”.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha sot se këto hapa shënuan një impuls të ri, një fazë të re dhe të rëndësishme në procesin e anëtarësimit.

“Objektivi ynë është i qartë: në vitin 2025 synojmë të hapim të gjithë grup-kapitujt dhe të mbyllim grup-kapitullin e gjashtë, ndërsa deri në fund të vitit 2027, planifikojmë të mbyllim të gjitha negociatat dhe të jemi gati për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Ky është një qëllim ambicioz, dhe diplomacia do të luajë një rol kyç në realizimin e tij, me komunikim dhe bashkëpunim të ngushtë me shtetet anëtare të BE-së”, tha zoti Hasani.

Për të arritur këtë objektiv të integrimit Shqipëria po punon sa në aspektin teknik aq edhe në atë politik për të plotësuar një nga një kriteret dhe për të shmangur pengesat e procesit.

I pyetur për ndikimin që mund të sjellë Presidenti i zgjedhur Donald Trump në politikat amerikane mbi Ballkanin, ministri Hasani tha se marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA-të janë shumë të rëndësishme.

“Për ne gjithashtu marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë shumë të rëndësishme. Ne vazhdojmë dhe do të vazhdojmë të kemi angazhimin që kemi patur, shkëmbimin e ideve dhe mendimeve me kolegët në Uashington pa dallime për sa i përket angazhimit të tyre të brendshëm politik”, tha zoti Hasani.

Nga ana tjetër, ministri i jashtëm tha se ndërkohë Shqipëria ka forcuar pozitën e saj si faktor qëndrueshmërie në rajon, ka forcuar marrëdhëniet me fqinjët edhe për sa u takon infrastrukturës, sigurisë dhe të drejtave të njeriut, ndërsa Kosova mbetet një përparësi kombëtare.

Ai theksoi se Shqipëria është e angazhuar për mbështetjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke mbështetur fuqishëm Ukrainën dhe sovranitetin e saj, duke dënuar agresionin rus, ndërsa nga ana tjetër ka mbajtur një qëndrim të qartë pro Izraelit, ka dënuar sulmet terroriste të Hamasit, duke theksuar nevojën për një zgjidhje paqësore dhe humanitare për Gaza, si dhe mbetet e angazhuar në kuadër të NATO-s, si anëtare e kësaj aleance.

“Ky vit ka shënuar 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Shqipëria mbetet e angazhuar në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe ka mirëpritur angazhimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Hapja e bazës ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë është një shembull i investimeve të Aleancës në Shqipëri, duke siguruar stabilitet për rajonin”, tha ministri Hasani.

Shqipëria po i kushton më shumë rëndësi tani mbështetjes së diasporës, të drejtave dhe shërbimeve për të, me besimin se ajo po merr përherë e më shumë një rol me rëndësi në zhvillimin ekonomik të vendit, krahas diplomacisë ekonomike, që zhvillon vet trupa diplomatike e saj.

Figura të njohura nga diaspora mendohet që, pas disa ndryshimeve në ligjin për shërbimin diplomatik, të përfshihen për të dhënë ndihmesë të drejtpërdrejtë në diplomacinë shqiptare, veçanërisht ata që kanë punuar dhe kanë përvojë nga puna në organizmat ndërkombëtare.

voa

SPAK: Rasti Veliaj, të dhëna për “korrupsion aktiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurish”

SpakNë Tiranë SPAK-u bëri të ditur të premten se në lidhje me hetimet që kanë përfshirë kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj dhe familjarë të tij, ka të dhëna konkrete jo vetëm për “korrupsion pasiv”, por edhe me vepra të tjera penale si “korrupsion aktiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurish”.

 

SPAK ia atribuon këto gjetje hetimeve paraprake dhe provave të mbledhura deri në këtë fazë, lidhur me procedimin penal të regjistruar në muajin shkurt.

Nga hetimet e deritanishme, sipas prokurorisë, “konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete që anëtarë të ngushtë të familjes si dhe familjarë të tjerë të afërt me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kanë interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë”.

Gjatë hetimeve, po sipas prokurorisë, “janë evidentuar veprime konkrete të cilat përfshijnë transaksione financiare, kontrata të dyshimta dhe fatura të dyshuara fiktive të realizuara përmes disa shoqërive, të cilat janë në pronësi të regjistruar ose që kontrollohen faktikisht nga familjarët e ngushtë dhe familjarë të tjerë të Kryetarit të Bashkisë”.

Prokuroria e Posaçme shtoi se ky procedim u bazua në informacionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila verifikoi të dhënat dhe administroi provat dokumentare, pas kallëzimit të një shtetasi (i vetidentifikuar si N.A).

Në kuadër të këtij procedimi, kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj ishte të enjten për më shumë se pesë orë në SPAK. Ai nuk komentoi për gazetarët pasi doli nga Prkuroria e Posaçme.

Zoti Veliaj tha para Këshillit Bashkiak se në SPAK ai ishte denoncuar nga një qytetar i quajtur Nesti Angoni, i cili siç u shpreh ai, “nuk ekziston”, megjithatë shtoi se ka qenë bashkëpunues me drejtësinë, ndërsa e cilësoi denoncimin si një kurth të sajuar anonim, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Disa ditë më parë në SPAK ishte për afro tre orë edhe bashkëshortja e zotit Veliaj, Ajola Xoxa, në zyrat e kompanive të së cilës u bënë kontrolle nga agjentët e BKH-së, me vendim të Gjykatës së Posaçme, në fillim të dhjetorit dhe iu sekuestrua telefoni celular. Kontrolle u kryen edhe në banesat e vëllait të zotit Veliaj, të cilit iu sekuestrua telefoni celular. Gjykata e Apellit rrëzoi ankimimin e tyre kundër këtyre kontrolleve.

Ndërkaq në mediat vendase u shpërnda një qëndrim nga mbrojtja juridike e zotit Veliaj me komente, ku e cilësohet hetimi i SPAK-ut si dashakeq, të qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin.

Nisja e procesit hetimor u bë, sipas këtij qëndrimi, pa dyshim të arsyeshëm ligjor, pa u paraqitur prova ose indicie të mjaftueshme, por vetëm mbi bazën e një kallëzimi anonim dhe të dhënave të supozuara, fiktive. Në të thuhet se nuk kuptohet qartë vepra penale, për të cilën është kallëzuar ose dyshohet Erion Veliaj, ndërsa theksohet që nëse kallëzimi është bërë konkretisht në emër të Erion Veliajt, prokurori duhej ta regjistronte emrin e tij në regjistrin e veprave penale dhe nga ai çast fillonte llogaritja e afatit gjashtëmujor të hetimit, por duke mos e bërë këtë, janë shkelur afatet hetimore.

Në këto komente thuhet se Erion Veliaj dhe familja e tij janë vënë në hetim faktik qysh nga muaji mars, por kjo është mbajtur e fshehtë nga prokuroria, me pretendimin se hetimi po bëhej “për veprën penale” dhe jo “kundër personit”, ndërsa hetimet u përqendruan te persona konkretë, ndaj Erion Veliaj dhe familjarëve të tij, pa ua njoftuar atyre zyrtarisht këtë status. Prokuroria, sipas këtij qëndrimi, ka kërkuar kontrolle dhe ka kryer sekuestrimin e telefonave pa një urdhër të posaçëm gjyqësor, pa vendim gjykate dhe pa pëlqimin e përdoruesit, ndërsa celularët u sekuestruan në kërkim të veprës, jo të provës për një vepër penale të përcaktuar.

Në reagim thuhet se “personat në dijeni”, Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa, por nën hetim de facto, janë ndeshur me frikësim, dhunë, presione e kërcënime për t’i detyruar që të dëshmojnë kundër vetes, dhe duke u mohuar të drejtën për mbrojtje me avokat. Edhe dalja në media e informacioneve mbi hetimin vlerësohet se krijoi hapësirë për interpretime keqdashëse dhe denigruese si dhe një perceptim të fajësisë ndaj kryetarit të bashkisë përkundër prezumimit të pafajësisë, ndërsa hetimi cilësohet si i qëllimtë ndaj një individi, jo për një vepër penale të caktuar, por për zotin Veliaj, me synimin për ta kapur patjetër në një shkelje penale apo administrative.

Ndaj zotit Veliaj nuk ka një akuzë, ndërsa vijojnë hetimet paraprake mbi procedimin penal, të nisur në shkurt për “korrupsion pasiv”, të cilit u janë shtuar tashmë edhe dyshimet e provat për korrupsion aktiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

voa

“Shkodra Elektronike” me Ramën: Në Fest 63 që të na njihnin më shumë, e papritur fitorja

shkodra elektronikBeatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, fituesit e edicionit të 63 të Festivalit të Këngës,  ishin të ftuarit e kryeministrit Edi Rama në podcastin “Flasim”. Ata rrëfyen emocionet pas triumfit të “Shkodrës Elektronike”, duke mos e fshehur habinë që “Zjerm” u pëlqye kaq shumë nga publiku.

 

Nuk e prisnim këtë sukses. Ne vendosëm të shkruanim këngën apostafat për Festivalin. Beatriçja e shkroi, ma nisi mua idenë e parë, punuam dhe e paraqitëm. Ne morëm pjesë në Festival që njerëzit të na njohin pak më shumë dhe që kur të publikonim albumin, të kishim më shumë fansa, kjo ishte ideja jonë. Kur u publikuan këngët, kënga jonë ishte e dyta më e dëgjuar, pas këngës së Elvanës. U habitëm aty. Nuk e prisnim që të kishim kaq shumë shikime. Ishte shumë surprizë, komplet e papritur fitorja”, u shpreh Kola.

Unë kam parë reagime nga të gjithë. Ne e kemi bërë këngën tonë, por nuk kam menduar që do ishim kaq të pëlqyer”, tha Beatriçe.

Të dy me banim të Itali, ku secili kishte krijuar jetën vet artistike, Kola dhe Beatriçe treguan se “Shkodra Elektronike” u krijua në vitin 2019. Ajo që i bashkoi, ishte kënga shkodrane.

Unë kam shkuar 20 vjeç në Itali. Ne fillimisht kemi filluar me këngë të Shkodrës. Unë në fillim këndoja këngë Shkodrane më një italiane, dhe aty më dëgjoi Beatriçja. Kënga e Festivalit nuk është e para që kemi bërë bashkë, kemi që në 2019 që bashkëpunojmë”, tregoi Kola.

Unë kam shkuar 6 vjeçe në Itali, aty kam bërë dhe shkollën. Unë flas vetëm në shkodrançe, e kam shumë të vështirë të  flas gjuhën letrare. Kolën e kam zbuluar në Youtube. Pastaj unë i çova në mesazh në Facebook dhe u bëmë shokë në Facebook. Unë nxirrja videot e mia duke kënduar me grupe italiane, Kola ka parë disa gjëra që i kanë pëlqyer dhe më propozoi një projekt të përbashkët, ‘Shkodrën Elektronike’”, rrëfeu Betariçe.

Pjesëmarrës për herë të parë në Festivalin e Këngës, “Shkodra Elektronike” triumfoi me këngën “Zjerm”, duke marrë në total 143 pikë. “Zjerm” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Basel të Zvicrës.

rtsh

 

 

Hovenier: Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit me Kosovën

HovenierAmbasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha të premten se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit me Kosovën dhe rrugës së saj drejt përparimit.

 

Ai i bëri këto komente në takimin e tij të fundit zyrtar si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë. Së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, vendosi kurora lulesh pranë shtatores së presidentit të parë të vendit Ibrahim Rugova, në qendër të Prishtinës.

Ambasadori Hovenier tha se përmbyllja e misionit te shtatorja e ish presidentit Rugova është shprehje e nderimit për atë që ai përfaqësoi.

“Këmbënguljen e tij për të drejtat dhe mbrojtjen e të gjithë popullit të Kosovës, këmbënguljen e tij për një shtet sovran demokratik, shumetnik e të bëgatë, këmbënguljen e tij për t’i arritur ato qëllime në mënyrë proporcionale me vlerat më të larta të bashkësisë ndërkombëtare”, tha ambasadori Hovenier.

Ai tha se përgjatë shërbimit të tij trevjeçar si ambasador ka bërë përpjekje që të ndihmojë përparimin e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë. Ne duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për herë të parë në fund të viteve nëntëdhjetë, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka dyshim për përparimin dhe për kapacitetin dhe qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës për të parë realizimin e vizionit të tij për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumë etnik, të begatë dhe të suksesshëm”, tha ai.

“E falënderoj ambasadorin Hovenier për kontributin e tij në mbrojtjen e këtyre vlerave, për zërin e tij të fuqishëm në mbrojtjen e shtetit të pavarur, sovran, multietnik dhe në kufijtë aktual të Republikës së Kosovës”, tha presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Ajo ritheksoi siç tha rëndësinë e ruajtjes së bashkëpunimit me aleatët e vendit, e që sipas saj ishte vlerë e ish presidentit Ibrahim Rugova

“Mbrojtja e sovranitetit dhe aleancave shkojnë bashkë dhe janë të ndërlidhura shumë ngushtë me njëra tjetrës. Kur ke miq të fuqishëm pranë, kur ke miqësi që janë të bazuara në vlera atëherë edhe populli i Kosovës edhe shteti i Kosovës, shteti sovran në mbrojtje të plotë të integriteti territorial, ecën përpara”, tha ajo.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha muajin e kaluar se aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme se cilido politikan apo një palë zgjedhjesh dhe se rrezikimi dhe cenimi i tyre, cenon vet Kosovën, në një referencë të qartë të mospajtimeve të qeverisë së Kosovës me aleatët rreth zhvillimeve në veri, që nxitën përplasje edhe brenda vet institucioneve.

voa

 

Provokuesi largohet: Bilanc i presidencës hungareze të BE

OrbanHungaria mbajti Presidencën e Këshillit të BE-së për gjashtë muaj, periudhë që ndezi mjaft debate për shkak të “misionit të paqes” të Viktor Orban në Rusi.

 

Presidenca hungareze e BE merr fund këto ditë. Si rregull një shtet anëtar i Bashkimit Evropian merr presidencën gjashtëmujore të Këshillit të BE-së. Por në rastin e Hungarisë, mund të flitet me siguri për një person të presidencës – sepse në politikën e qeverisë hungareze, Viktor Orban është i vetmi që ka rëndësi. Ai vendos politikat, përcakton zgjedhjen e retorikës dhe merr vendime, ndonjëherë deri në proceset më të vogla administrative.

 

Kështu ndodhi edhe gjatë Presidencës Hungareze të Këshillit të BE këtë vit, e cila filloi më 1 korrik 2024. Në këtë moment, kishte njëfarë lodhjeje diplomatike me Orbanin në Evropë prej disa kohësh. Kryeministri i Hungarisë u anashkalua për iniciativa dhe marrëveshje të rëndësishme, veçanërisht ato që synonin mbështetjen e Ukrainës, për shkak të politikës së tij të vazhdueshme të vetos – ku ai shfaqej shpesh si ngatërrestar në margjinat diplomatike dhe niveli i përgjithshëm i indinjatës kishte rënë.

Gjashtë muaj më vonë, mund të thuhet se Orban e shfrytëzoi maksimalisht presidencën e tij në Këshillin e BE-së me deklarata, dalje publike dhe iniciativa të diskutueshme për ta rritur sërish valën e indinjatës. Agjitacioni i tij kundër “burokratëve të Brukselit” arriti nivele të reja. Kulmi u arrit disa ditë para përfundimit të Presidencës së Këshillit në një deklaratë të rëndë: “Brukseli dëshiron ta kthejë Hungarinë në Magdeburg”, tha Orban më 21 dhjetor 2024 gjatë konferencës së tij tradicionale ndërkombëtare për shtyp të fundvitit në BE, (referimi ishte për sulmin me automjet në Magdeburg, të kryer nga një mjek arab, shën red.).

“Misioni i paqes” i Orbanit

Vendi që mban Presidencën e Këshillit të BE-së duhet, të paktën në letër, të promovojë bashkëpunim të mirë dhe harmonik ndërmjet shteteve anëtare të BE-së dhe institucioneve të BE-së. Ai duhet të sigurojë vazhdimësinë e agjendës së BE-së dhe të avancojë legjislacionin evropian. Presidenca mund të vendosë prioritete, por nuk duhet të ndjekë interesat e veta, por të veprojë në interes të komunitetit të shteteve të BE-së.

Hungaria kishte formuluar prioritetet për Presidencën e saj të Këshillit, duke përfshirë forcimin e konkurrencës së BE-së, një politikë më të mirë zgjerimi për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe frenimin e migracionit të paligjshëm. Por Viktor Orban e përdori Presidencën e Këshillit të BE-së kryesisht për politikën e tij.

Që në fillim të saj, për shembull, me iniciativën e pakoordinuar diplomatike për t’i dhënë fund “luftës vëllavrasëse sllave”, siç e quan ai luftën e Rusisë kundër Ukrainës.  Katër ditë pas fillimit të Presidencës së BE, ai udhëtoi për në Moskë dhe vizitoi Presidentin rus Vladimir Putin pa koordinim me BE-në dhe NATO-n. Orban foli për një “mision paqeje”. Tre ditë më parë ai kishte qenë në Kiev për vizitën e tij të parë dypalëshe. Me sa duket atje nuk dinin asgjë për vizitën e planifikuar të Orbanit në Rusi.

Perëndimi si një “nxitës lufte”

“Misioni i paqes” shkaktoi reagime të forta dhe mosmiratim, pasi Hungaria praktikisht nuk ka asnjë ndikim diplomatik ndërkombëtarisht dhe nuk është një ndërmjetës i pranueshëm, të paktën për Ukrainën, për shkak të qëndrimit të saj kokëfortë të gjatë anti-ukrainas dhe pro-rus. Edhe brenda NATO-s, Hungaria nuk konsiderohet më një partner i besueshëm për shkak të qëndrimit të saj pro-rus. Sidoqoftë, Orban deri më tani ka vazhduar pa hequr dorë “misionin e tij të paqes” . Vetëm pak ditë më parë, pas një telefonate me Putinin, ai sugjeroi një “armëpushim për Krishtlindje” dhe një shkëmbim të madh të të burgosurve.

“Misioni” u shoqërua vazhdimisht me akuza kundër Perëndimit “nxitës lufte”, sipas Orbanit, fajtorit të vërtetë në luftën e Rusisë. Në të njëjtën kohë, kryeministri i Hungarisë vlerësoi vazhdimisht ish-presidentin dhe atë të ardhshëm të SHBA-së, Donald Trump, si një “njeri i paqes” dhe “i vetmi në planet” i aftë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

MEGA: – “Make Europe Great Again”

Kryeministri hungarez filloi gjithashtu projektin e tij të dytë të rëndësishëm që në fillim të Presidencës së Këshillit të BE-së. Në frymën e Donald Trump,  ai quhet “Make Europe Great Again”, shkurt MEGA, dhe konsiston në themelimin e grupit të djathtë nacionalist-populist “Patriots for Europe” në Parlamentin Evropian. Grupi i tretë parlamentar më i fortë atje që nga korriku 2024 ka si anëtarë populistët më të rëndësishëm evropianë të krahut të djathtë, duke përfshirë Fidesz të Orban, Rassemblement National Francez, Partinë Holandeze të Lirisë dhe FPÖ austriake.

Kjo internacionale e nacionalistëve mbështetet nga qëndrime anti-migrante dhe sovraniste. Vetë Orban flet se duhet të “pushtojë Brukselin” në mënyrë që të shpëtojë Evropën nga kalbja dhe rrënimi. Në realitet, Orban duket gjithnjë e më pak i interesuar për çdo lloj Europe të përbashkët. Në muajt e fundit ai ka propaganduar vazhdimisht konceptin e “politikës së neutralitetit ekonomik” për Hungarinë.

Kritika ndaj “formimit të blloqeve ekonomike”

Kjo është më shumë se një vazhdimësi e “hapjes drejt Lindjes”, siç quhej politika ekonomike hungareze disa vite më parë. Orban kritikon BE-në për “formimin e saj të bllokut ekonomik” dhe është i bindur se Evropa në formën e saj aktuale nuk mund të mbijetojë në konkurrencën globale. Ai i sheh Azinë dhe vendet e BRICS si qendra të ardhshme gjeopolitike dhe beson se ato, si ato ekonomikisht më të forta, do të vendosin rregullat.

Orban vazhdimisht fyen Perëndimin mbi baza morale dhe ideologjike, dhe do që Hungaria, si një vend i vogël, të mbajë marrëdhënie të mira dhe pa ideologji me fuqinë dhe qendrat ekonomike botërore, veçanërisht Kinën dhe Rusinë. Ai gjithashtu dëshiron marrëdhënie të mira me Turqinë, Bjellorusinë, Izraelin, Serbinë, Maqedoninë, Shqipërinë dhe disa vende në Lindjen e Mesme – të gjitha vende që udhëhiqen nga liderë të ngjashëm me të tijin.

Në fund të vitit 2024, Hungaria do t’i dorëzojë Polonisë Presidencën e Këshillit të BE-së. Vendi ishte një aleat i ngushtë politik derisa votuesit i rrëzuan pushtetarët populistë të krahut të djathtë nacionalist në vjeshtën e vitit 2023. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë aktualisht në nivelin më të ulët historik.

Që mes Hungarisë dhe Polonisë aktualisht ndodhet hendek i madh u bë e qartë dukshëm gjatë Krishtlindjeve. Orban e përshkroi presidentin rus Vladimir Putin si “partnerin tonë korrekt” në një intervistë për Krishtlindje me gazetën pro-qeveritare “Magyar Nemzet”. Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk u shtang – dhe në një postim në X kujtoi krimet e fundit ruse të luftës dhe bombardimet e ditëve të fundit. Në prag të Krishtlindjeve dhe ditën e Krishtlindjeve, Rusia bombardoi shtëpitë në Kryvyi Rih, vendlindja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, dhe objektet energjetike në të gjithë Ukrainën me dhjetëra raketa dhe dronë.

dw

 

S’ka dënim për policin maqedonas që e hodhi flamurin shqiptar

flamuriMinistri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pance Toshkovsi, ka deklaruar se polici i cili ka hedhur nga shtiza flamurin kombëtar shqiptar në Kumanovë më 28 nëntor, nuk ka bërë shkelje, sipas hetimeve.

Një hetim është hapur nga Departamenti i Kontrollit të Brendshëm. Në kuadër të veprimeve hetuese – nuk është konstatuar se ka bërë shkelje të një procedure në MPB. Me këtë mbyllet procedura për zyrtarin policor”, ka deklaruar ai, raporton “Zhurnal.mk”.

Pas deklaratës, ka reaguar opozita shqiptare në Maqedoni. Bashkimi Demokratik për Integrim ka thënë se ky është vendim skandaloz.

 

polici

Polici qe hoqi flamurin

Vendimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme për të mbyllur rastin e policit që poshtëroi Flamurin Kombëtar Shqiptar pa asnjë përgjegjësi apo masë ndëshkuese është një akt i turpshëm dhe një shenjë e qartë e legalizimit të diskriminimit ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ky veprim tregon dështimin total të institucioneve për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve dhe për të garantuar respektimin e të drejtave themelore. Përgjegjësia për këtë situatë nuk mbetet vetëm tek hakmarrja etnike apo tek ministri Pançe Toçkovski, por edhe tek përfaqësuesit shqiptarë brenda qeverisë, të cilët me manipulimet e tyre të vazhdueshme dhe premtimet e rreme kanë tradhtuar interesat e shqiptarëve. Zëvendësministri dhe përfaqësuesit shqiptarë të zgjedhur nga VMRO-DPMNE , që sot janë pjesë e kësaj qeverie kanë treguar paaftësi totale për të përfaqësuar dhe mbrojtur komunitetin e tyre, duke u bërë garantues të padrejtësisë dhe diskriminimit”, thuhet në reagimin e kësaj partie.

Sipas BDI-së, heshtja ndaj këtij veprimi është “tradhti ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve”.

Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti nga partitë shqiptare në koalicionin qeverisës pati thënë javë më parë se do të kërkojnë masa disiplinore e “s’do të ketë kompromis, për këdo që shkel ligjin” edhe zv. ministri i MPB-së, Astrit Iseni paralajmëroi se polici do të dënohet me masa diciplinore.

Më 28 nëntor ishte incizuar një polic duke larguar flamurin kombëtar nga një shtyllë në një rrugë në Kumanovë. Ai qëndronte mbi kombibusin zyrtar të Policisë teksa e largonte flamurin kombëtar shqiptar.

IKSHPK konfirmon rastin e parë me linë e majmunëve në Kosovë

IKSHPInstituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike të Kosovës njofton se më 26 dhjetor, Laboratori i Mikrobiologjisë ka konfirmuar një rast të importuar të Mpox, i njohur më parë si lia e majmunëve.

 

“Rasti i gjinisë mashkullore (30 vjeç), shtetas i Republikës së Kosovës, është spitalizuar në Klinikën Infektive/QKUK me datë 24.12.2024, pas kthimit nga një shtet i Afrikës Perëndimore, me simptoma si temperaturë, ethe, ndryshimet në lëkurë, në fytyrë, në duar dhe kruarje”, njofton IKSHPK.

Bëhet e ditur se pacienti është në gjendje stabile shëndetësore.

“IKSHPK i ka gjurmuar të gjitha kontaktet e deklaruara të personit të infektuar dhe të familjarëve të tij, të cilëve u janë dhënë rekomandimet për masat e parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit”, thuhet në njoftim.

IKSHPK tërheq vëmendjen për kujdes të qytetarëve, sepse personat që preken nga Mpox zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare që zgjasin dy deri në katër javë, dhe shërohen plotësisht. Edhepse duhet vigjilencë, nuk ka vend për panik.

Kryebashkiaku Veliaj, mbi 5 orë në Prokurorinë e Posaçme

ErionNë Shqipëri, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte sot në Prokurorinë e Posaçme, e cila ka rregjistruar një procedim penal për Korrupsion pasiv të të zgjedhurve vendor. Zoti Veliaj shmangu deklaratat në përfundim të marrjes së tij në pyetje. Pak ditë më parë në Prokurori kishte qenë dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, në zyrat e së cilës u zhvilluan kontrolle në fillim të këtij muaji ndërsa iu sekuestrua edhe celulari.

 

Zoti Veliaj u paraqit në dyert e Prokurorisë së Posaçme pak para orës 09.00, i shoqëruar nga drejtori juridik i Bashkisë së Tiranës. Ai doli prej andej pas pak më shumë se 5 orësh.

Në ndryshim nga pranvera, kur ai qëndroi më shumë se 7 orë, për rastin e inceneratorit të Tiranës, dhe doli i buzëqeshur, duke u ndalur për një deklaratë të shkurtër, sot, ai evitoi të ndalonte për gazetarët, duke njoftuar se do të fliste në mbledhjen e Këshillit bashkiak pasdite.

Pak orë më pas, zoti Veliaj tha se në Prokurorinë e Posaçme, ai ishte denoncuar nga një qytetar i quajtur Nesti Angoni, i cili siç u shpreh ai, “nuk ekziston. Të gjithë e dimë kë përfaqëson ky emër, çfarë mentaliteti përfaqëson dhe çfarë kulture linçuese përfaqëson ky stil. Kryetari i bashkisë ka në zotërim të gjithë regjistrin civil dhe mund të verifikojë qartazi, që është një kurth i sajuar. Kam qenë bashkëpunues. Do të ishte shqetësuese, nëse kryetari i bashkisë edhe për kurthe anonime nuk paraqitet. E di gjithë Tirana ku jetoj unë. E di gjithë Tirana ku banoj unë, ku isha përpara zgjedhjeve, ku vazhdoj pas zgjedhjeve dhe ku do të jem deri në fund të kësaj detyre. Unë hyj tek ajo racë politikanësh, që SPAK-ut nuk i thotë S’KAP kur s’i intereson dhe i thotë SPAK kur i intereson për kundërshtarët e vet”, tha zoti Veliaj.

Në deklaratën e tij të shkurtër para Këshillit bashkiak, zoti Veliaj megjithatë, nuk dha ndonjë detaj mbi çështjen, për të cilën ai qëndroi disa orë në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa në fund të shpjegimit të tij, u largua nga salla mes protestës së këshilltarëve opozitarë dhe duartrokitjeve të atyre socialistë.

Mësohet se marrja në pyetje e ish kryebashkiakut, është bërë në kuadër të një procedimi penal të rregjistruar këtë vit, për “Korrupsion pasiv të të zgjedhurve vendorë”. Ndaj zotit Veliaj nuk ka një akuzë. Tre ditë më parë, në Prokurori kishte qëndruar për afro 3 orë dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa.

Sipas Prokurorisë, nga hetimet e deritanishme “konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete që anëtarë të ngushtë të familjes si dhe familjarë të tjerë të afërt me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kanë interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë”.

Po ashtu, nga aktet gjyqësore, është mësuar se sipas Prokurorisë, “janë evidentuar veprime konkrete të cilat përfshijnë transaksione financiare, kontrata të dyshimta dhe fatura të dyshuara fiktive të realizuara përmes disa shoqërive, të cilat janë në pronësi të regjistruar ose që kontrollohen faktikisht nga familjarët e ngushtë dhe familjarë të tjerë të Kryetarit të Bashkisë”.

Pikërisht në vijim të këtyre hetimeve, në fillim të këtij muaji, me vendim të Gjykatës së Posaçme, agjentët e BKH-së ushtruan kontrolle në zyrat e disa kompanive të bashkëshortes së kryebashkiakut. Zonjës Xoxa, iu sekuestrua dhe celulari. Kontrolle pati dhe në banesat e vëllait të zotit Veliaj, të cilit po ashtu iu sekuestrua telefoni. Dy ditë më parë, Gjykata e Apellit rrëzoi ankimimin e zonjë Xoxa dhe të vëllait të kryebashkiakut, kundër kontrolleve të ushtruara.

Ndërsa Prokuroria ka hetuar rreth rolit të tij në çështjen e inceneratorit të Tiranës, zoti Veliaj mori një goditje në pranverë kur dy ish drejtorë të bashkisë u arrestuan, nën dyshimet se ishin pronarët faktik të kompanisë së ndërtimit “5D”, përmes së cilës kishin përfituar dhe nga fondet publike të Bashkisë. Ndaj disa drejtuesve të tjerë po ashtu, prokuroria zbatoi masa më të lehta sigurie. Në atë kohë, zoti Veliaj deklaroi se me ta nuk e lidhte asnjë përfitim i paligjshëm personal.

Po sot, prokuroria e Posaçme njoftoi mbylljen e hetimeve për rastin e kompanisë “5D”, e cila sipas saj rezulton të ketë përfituar të paktën 12 gara publike, nga të cilat 7 në ndërmarrjen e Ujësjellësit ku dy të arrestuarit Redi Molla dhe Maringlen Qato, kishin funksione drejtuese. Ndërsa 5 tendera të tjerë janë fituar nga gara të shpallura nga Bashkia dhe agjenci të lidhura me të. Prokuroria ka ngritur akuzë për 7 persona, mes të cilëve Qato e Molla akuzohen për “Korrupsion”, “Mosdeklarim të pasurisë” dhe “Pastrim parash”.

Prokuroria bëri po ashtu të ditur se do të vijojë hetimet për disa episode të tjera, lidhur me 11 procedura të tjera prokurorimi si dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë.

voa