All posts by V.F.

Moti i keq, situata e përgjithshme në vend

bora ne shqiperiNë disa rajone të vendit ka pasur reshje dëbore, të cilat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve në rrugë. Probleme të tilla janë shfaqur në qarqet e Korçës, Kukësit dhe Shkodrës, kryesisht në akset Korçë-Dardhë, Bilisht-Kapshticë, Krumë-Qafë Prush (Kosovë), Kukës-Shishtavec si dhe Qafë Thore-Theth, në Shkodër.

Strukturat e Policisë së Shtetit, të Emergjencave Civile bashkë me ato të pushtetit lokal, po punojnë për lehtësimin e gjendjes, duke angazhuar forca dhe mjete për pastrimin e rrugëve, por edhe duke paralajmëruar automjetet për vendosjen e zinxhirëve.

MPB, nëpërmjet Emergjencave Civile ka shpërndarë mjetet e saj borëpastruese dhe fadroma në disa rrethe si Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Kukës dhe Dibër.

Të gjitha zonat në vështirësi po inspektohen nga strukturat e Emergjencave Civile dhe nga Policia e Shtetit.

Në gatishmëri janë dhe forcat zjarrfikëse, të cilat janë aktivizuar për zgjidhjen e situatave.

Policia po monitoron gjendjen dhe këshillon qytetarët të kenë kujdes në raste situatash emergjente për shkak të motit.

Në bazë të të dhënave dhe informacioneve të grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim-Komandimit të Emergjencave Civile, në vijim ju paraqesim një përmbledhje të problematikave në zonat e prekura, sipas qarqeve:

Qarku Kukës

Në të gjithë qarkun ka pasur reshje bore, e cila ka arritur deri në 10 cm në qytetin e Kukësit dhe 15 cm në qytetin e Bajram Currit. Dëbora e rënë ka shkaktuar bllokimin e aksit rrugor Krumë-Qafë Prush që të nxjerr në Kosovë. Prefekti i Qarkut Kukës ka komunikuar me një firmë kontraktore për të bërë të mundur zhbllokimin e këtij aksi rrugor, duke futur në punë 2 borëpastruese. Edhe aksi rrugor Kukës-Shishtavec ka bllokime në pjesë të caktuara si rezultat i reshjeve të dëborës. Ndërkaq, furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm ka qenë pa probleme.

Qarku Shkodër

Në Malësi të Madhe ka pasur reshje dëbore në zonën e Vermoshit dhe zonën e Thethit. Aksi rrugor Qafë Thore – Theth është i bllokuar. Nga ana tjetër vijon puna për të mbajtur të hapura të gjitha akset rrugore nacionale, të cilat janë rënduar si rezultat i rënies së borës.

Qarku Korçë

Ditën e sotme ka pasur reshje bore në fshatrat Dardhë e Kapshticë. Në doganën e Kapshticës ka pasur një bllokim të aksit rrugor Bilisht – Dogana Kapshticë, por janë marrë masat menjëherë me 2 borëpastruese për pastrimin e këtij aksi rrugor.
Disa probleme në qarkullim janë shfaqur edhe në aksin rrugor Korçë- Dardhë, ku në pjesë të caktuara ka pasur bllokime.
Policia e Shtetit u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë në këto akse të përdorin zinxhirët në automjetet e tyre.

Në qarqet e tjera të vendit ka pasur reshje shiu me densitet të ulët dhe nuk ka pasur problematika për shkak të kushteve të motit.

Pritet të ketë një rritje të nivelit të ujërave në lumenjtë: Shkumbin, Ishëm, Erzen, Mat, Drin dhe Bunë.

MPB ka njoftuar të gjitha prefekturat ku pritet të ketë probleme të shkaktuara nga kushtet të motit, që të marrin të gjitha masat për përballimin e situatave të mundshme që mund të krijohen.

/ Top Channel

Qarkullimi zhvillohet pa ndalesa dhe ngecje

boraQarkullimi në të gjitha rrugët shtetërore po zhvillohet pa ndalesa dhe ngecje, nëpër rrugë kryesisht të thata përveç në viset malore, njofton Lidhja auto-moto e Maqedonisë.
Reshje të dobëta të borës ka në Kriva Pallankë, Stracin, Kumanovë, Kodra e Diellit, Gostivar, Strazhë, Mavrovë, Kërçovë, Krushevë, Gjavatoë, Pavleshenc, Koçanë, Dellçevë dhe në Strumicë e Smojmirovë.

LAMM rekomandon kujdes në drejtimin e automjetit, shpejtësi të adaptuar gjatë qarkullimit dhe respektim të sinjalizimit të vendosur rrugor. Kujdes të veçantë duhet pasur në akset të cilat kalojnë përmes grykave malore, veçanërisht në akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Gostivar – Mavrovë, Demir Kapi – Udovë, Koçan – Dellçevë, Vinicë – Berovë, ku mund të paraqiten shembje të vogla të dheut.

Nga LAMM përkujtojnë se nga 15 nëntori hyri në fuqi obligimi ligjor për posedim të obligueshëm të pajisjes dimërore në automjet, pa marrë parasysh gjendjen momentale të motit. Ky obligim do të zgjasë deri më 15 mars të këtij viti. /MIA/

‘Asociacioni në pajtim me Kushtetutën, Zgjedhje në 2018′

Greg DelawieAsociacioni i Komunave me shumicë serbe është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Kështu e ka kuptuar interpretimin ligjor të Gjykatës për Asociacionin i pari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.

Ambasadori Delawie sqaron se Gjykata i ka dhënë Qeverisë udhëzime specifike se si mund të hartohet statuti i Asociacionit, në mënyrë që i njëjti të jetë në përputhje me Kushtetutën.

“Po dëgjoj se njerëzit po thonë që Gjykata ka thënë se kjo ide nuk është në përputhje me Kushtetutën. Por mendoj se nëse e lexoni me vëmendje e shihni se Gjykata thotë se: (a) një organ i tillë mund të krijohet, dhe (b) kjo është mënyra se si e krijoni në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Këto komente ambasadori amerikan i ka bërë gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri”, e cila do të botohet në dy vazhdime, ku mes tjerash ka folur edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme në vend, të cilat, sipas tij, janë të parapara për vitin 2018.

Gjatë kësaj interviste ai ka folur edhe për arrestimin e deputetëve të opozitës dhe këmbëngul se çdo zyrtar shtetëror, që ka aktakuzë për korrupsion, duhet të largohet nga pozita, të paktën derisa të përfundojë procesi gjyqësor. Në vazhdimin e dytë të intervistës, e cila do të botohet pas numrit festiv të Vitit të Ri, ambasadori amerikan flet edhe për Gjykatën Speciale dhe kush mund të jenë të arrestuarit nga kjo e fundit, për dialogun me Serbinë dhe për numrin e madh të kosovarëve që i janë bashkangjitur ISIS-it.

Fillojmë me bllokadën politike. Në një anë e kemi opozitën që thotë se nuk do ta pranojnë këtë marrëveshje, kurse në anën tjetër e kemi Qeverinë. Cila mund të jetë zgjidhja?

Delawie: Mendoj se duhet t’ia fillojmë duke thënë se Kuvendi i tashëm është rezultat i zgjedhjeve të vitit 2014, të cilat gjerësisht janë vlerësuar si të lira dhe të drejta nga OSBE-ja, nga Qeveria amerikane dhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Për mua kjo do të thotë që Kuvendi ka legjitimitet demokratik.

Kur ishte këtu para 3-4 javëve sekretari Kerry e bëri shumë të qartë pikëpamjen tonë se kuvendet duhet të jenë vende të dialogut, vende të debatit, vende të mospajtimeve, por jo vende të dhunës. Prandaj, mendoj se është shumë me rëndësi që ata që e pengojnë rolin e Kuvendit, duke përdorur dhunën, duhet ta rimendojnë qëndrimin e tyre dhe të mendojnë se cili është interesi i Kosovës në afat të gjatë. Sipas mendimit tim, është me rëndësi që Kosova të ketë Kuvend funksional, i cili mund të përkujdeset për disa prej problemeve me të cilat përballet Kosova sot dhe ma merr mendja se të gjithë e pranojmë këtë.

Shumë prej tyre mund të zgjidhen ose të paktën të përmirësohen duke vënë në jetë ligjet, të cilat mund t’i miratojë Kuvendi. E di se presidentja është përpjekur të ndërmjetësojë një diskutim ndërmjet Qeverisë dhe opozitës. E di se koalicioni qeveritar ka bërë oferta për diskutim me opozitën dhe deri tash këto oferta janë refuzuar, që është për të ardhur keq. Mendoj se problemet e njëmendta të Kosovës mund të zgjidhen me debat e dialog në Kuvend.

Opozita këto ditë po kërkon zgjedhje sepse nuk duan as të dëgjojnë për dialog, nuk duan të ulen me partitë në koalicion dhe të diskutojnë. Në këtë çast e kemi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sipas të cilit Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk është plotësisht në përputhje me Kushtetutën?

Delawie: E di se këtë e ka thënë opozita. Po ashtu e di se në një demokraci parlamentare, partitë që i kanë numrat në kuvend, ato që e kanë shumicën kanë të drejtë të vendosin rreth politikave qeveritare. Pra, Qeveria e përfaqësuar nga shumica në Kuvend ka vendosur të hyjë në këtë marrëveshje me Serbinë rreth Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe kjo është e drejtë e tyre. Ato e kanë shumicën në Kuvend dhe ato kanë të drejtë të vendosin rreth politikave të vendit. Nëse njerëzit nuk janë të kënaqur me politikat e Qeverisë, ata janë të lirë të bëjnë fushatë kundër tyre gjatë zgjedhjeve. Sa kam njohuri unë, zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, me orar, janë të parapara në vitin 2018, pra ka mjaft kohë për përgatitje.

Sa i përket vendimit të Gjykatës, e kemi lexuar aktgjykimin me shumë vëmendje. Ishte i gjatë dhe ligjor dhe çka e kam kuptuar nga vendimi i saj është se të kesh Asociacion të Komunave me shumicë serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Gjykata i ka dhënë Qeverisë udhëzime specifike se si mund të hartohet statuti për këtë Asociacion në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe aty, po ashtu, thuhet se duan ta shohin statutin kur të hartohet. Pra, po dëgjoj se njerëzit po thonë që Gjykata ka thënë se kjo ide nuk është në përputhje me Kushtetutën, por mendoj se nëse e lexoni me vëmendje e shihni se Gjykata thotë se: (a) një organ i tillë mund të krijohet, dhe (b) kjo është mënyra se si e krijoni në mënyrë që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Ka thirrje për protestë të madhe më, 9 janar 2016. Çka pritni? Opozita qartazi është e palëkundur në kërkesat e tyre dhe e shohim se as nuk duan ta pranojnë këtë marrëveshje. Pra, a është zgjidhje arrestimi i deputetëve të opozitës, duke pasur parasysh se janë të gatshëm t’i thërrasin njerëzit për të dalë në rrugë?

Delawie: Në çdo vend demokratik protestat janë pjesë e rëndësishme e dialogut politik. Natyrisht që ka protesta edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në vendet e tjera evropiane. Mendoj se e rëndësishme rreth protestave është që të jenë të qeta. Shenja thirrjeje, pankarta e gjërat e tilla janë në rregull, por është më se e sigurt që do t’i shkuraroja protestuesit nga përdorimi i koktejeve të molotovit ose mënyrave të tjera të dhunës, që janë negative për demokracinë e Kosovës. Sa i përket arrestimit të njerëzve të opozitës, të jem i sinqertë ajo që më shqetëson është kur njerëzit mendojnë se meqenëse janë deputetë ata janë mbi ligjin dhe që nuk duhet t’u përmbahen rregullave të njëjta si çdo qytetar tjetër i Kosovës. Nëse e shkel ligjin, pa marrë parasysh kush je, atëherë duhet t’i nënshtrohesh të njëjtit sundim të ligjit, të të njëjtës drejtësi si çdo person tjetër.

Opozitarët po i përmendin shumë të korruptuar të tjerë në Kuvend, që nuk janë arrestuar. Çdo ditë raportohen skandale në medie. Ne personalisht i kemi raportuar disa dhe ata ende janë në politikë. Ju e keni përmendur korrupsionin, z. Tom Yazdgerdi, si dhe sekretari Kerry e kanë thënë që duhet ta luftojmë korrupsionin. Jam në gazetari prej vitit 2001 dhe kam shkruar mijëra artikuj me fakte e argumente dhe ende i kemi këta njerëz në politikë. Nuk po flas vetëm për Qeverinë, por edhe nga partitë opozitare. Si do ta luftojmë korrupsionin kur kemi ndikim politik në sistemin e drejtësisë? Kemi njerëz që janë milionerë, kurse zyrtarisht e kanë vetëm një pagë mujore prej të themi 1000€. Kush duhet ta luftojë dhe si mund ta luftojmë korrupsionin kur në pozitat kryesore i kemi të korruptuarit?

Delawie: Natyrisht që korrupsioni është problem. Qysh se kam ardhur këtu, para katër muajve e ca, e kam thënë se prioriteti numër një ndër tri prioritetet e mia kryesore është ta ndihmojmë Kosovën për përmirësimin e sundimit të ligjit. Pra, kësaj po i qasemi në disa mënyra dhe do të përpiqem të përgjigjem ndaj të gjitha pikave që i përmendët ju. Përballja me korrupsionin duhet të bëhet në nivel institucional. Pra, po punojmë me Policinë, me prokurorët, me gjykatësit dhe kemi hartuar programe gjatë viteve të fundit për të punuar me të gjithë ata. Në vitin 2015 i kemi shpenzuar rreth 15 milionë dollarë, më së shumti përmes USAID-it, në programet për të ndihmuar në përmirësimin e sektorit të sundimit të ligjit në Kosovë. Janë disa mënyra se si e bëjmë këtë.

Njëra prej tyre ka të bëjë me parandalimin e korrupsionit, kurse mënyra tjetër ka të bëjë me atë se si të trajtohen njerëzit, të cilët përpiqen të kryejnë krim të korrupsionit. Për t’u marrë me të parën, kemi njërin ndër projektet më të mëdha, i cili mëton t’u ndihmojë komunave për zbatimin e mënyrës elektronike të prokurimit. Kjo do të thotë se nëse komuna duhet të blejë ndonjë shërbim apo mall, atëherë tenderi do të postohej në rrjet.

Thënë shkurt, kërkesa për mallra apo shërbime do të postohej online dhe do të kishte transparencë se cilat ndërmarrje kanë konkurruar në atë tender, çmimi që ato ofrojnë dhe gjërat e ngjashme. Pra, do ta bënte më të dukshme nëse diçka ka shkuar keq gjatë prokurimit. Pra, po punojmë në këtë me komunat dhe po punojmë ngushtë me Bankën Botërore, e cila po e zbaton të njëjtin projekt në nivel kombëtar, me qeverinë qendrore. Pra, prokurimi elektronik e bën shumë më të vështirë që zyrtarët ta marrin ajkën nga prokurimi sepse mundëson transparencë, të gjithë e dinë çka po ndodh, të gjithë e shohin se kush sa ka ofruar dhe kush e ka fituar kontratën në fund. Po ashtu, po punojmë edhe në disa gjëra tjera në këtë fushë, si p.sh. po japim kontributin tonë duke ndihmuar në mënyra të ndryshme për zvogëlimin e lëndëve të mbetura në gjykata. Pastaj, e kemi edhe çështjen se çka të bëhet me zyrtarët e korruptuar kur ndaj tyre është ngritur aktakuzë.

Po përpiqemi të ndihmojmë në forcimin e aftësimit të prokurorëve për të punuar në këto raste për të mbledhur dëshmi që mund të përdoren në gjykatë, si dhe kemi seminare dhe projekte edukative për gjyqtarët dhe gjyqësorin. Ne mendojmë se çdo zyrtar publik, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për korrupsion, duhet që të largohet nga ajo zyrë, të paktën përkohësisht derisa procesi gjyqësor të përfundojë.

Dhe këtë e kemi bërë të qartë. Nuk ka mënyrë të lehtë për t’u marrë me këtë çështje dhe nëse e kemi cakun që ta kemi një shoqëri të pastër nga korrupsioni, atëherë kjo do të ishte e mrekullueshme, por kjo nuk do të ndodhë shpejt. As SHBA-ja nuk është shoqëri e tillë, p.sh. në njërin nga shtetet më të mëdha federale të SHBA-së, katër nga shtatë guvernatorët e fundit janë burgosur për shkelje të ndërlidhura me korrupsion. Por, më e rëndësishmja për një shoqëri është se çka bën për parandalimin e korrupsionit, çka bën për t’u marrë me korrupsionin kur ndodh sepse e di se do të ketë raste të korrupsionit.

Kosovarët nuk e kanë të lehtë ta pranojnë suksesin e para pak ditëve të Vuçiqit në Serbi me arrestimin e 79 vetave për korrupsion. Pra, njerëzit po pyesin: A ka ndodhur diçka e ngjashme këtu në Kosovë që prej pasluftës?

Delawie: Unë kam ardhur këtu para katër muajve dhe është shumë herët për mua që t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Natyrisht SHBA-ja e ka mbështetur Kosovën qe një kohë të gjatë dhe kjo është njëra ndër çështjet tona madhore, por unë vetëm po e ritheksoj këtë çështje gjatë mandatit tim këtu. Mund t’ju them se gjatë këtyre muajve prejse kam ardhur, ne i kemi ridrejtuar disa prej programeve nga fushat e tjera ashtu që të mundë të përqendrohemi më shumë në përpjekjet kundër korrupsionit sepse korrupsioni pengon demokracinë, pengon ekonominë… Nëse i shqyrtoni anketat e opinionit publik (e me siguri i dini më mirë se unë për shkak të profesionit tuaj), atëherë e shihni se korrupsioni është ndër tri shqetësimet kryesore për kosovarët. Në vendin e parë dhe të dytë janë papunësia dhe ekonomia.

Pra, si arrihet përparim në zvogëlimin e papunësisë? Duhet të krijoni vende pune. Si i krijoni vendet e punës? Duhet të tërhiqni investime. Si i tërhiqni investimet? Dy nga pengesat kryesore për investimet janë: numri i lëndëve në gjykata dhe ne po përpiqemi të ndihmojmë rreth kësaj, si dhe korrupsioni. E ardhmja e Kosovës në një masë të madhe varet nga mënyra se si merreni me këtë çështje. Dhe më besoni, po ta kisha një shkop magjik, do ta përdorja menjëherë për ta zgjidhur këtë problem, por nuk kam. Çka ne mund të bëjmë si shtet mik i Kosovës, shpresoj si miku më i mirë i Kosovës, është ta ndihmojmë atë që të vërë në jetë masa institucionale me të cilat mund të arrihet përparim dhe të arrihen rezultate në terren. Masat institucionale, prokurimi elektronik dhe gjërat e tilla janë natyrisht të mira, por nëse dëshironi ta ndryshoni kulturën, atëherë me siguri është me rëndësi që disa njerëz të arrestohen.

Kam biseduar me z. Tom Yazdgerdi lidhur me gjeneratën e re në politikë. Ende i kemi të njëjtit udhëheqës politikë që po votohen qysh prej përfundimit të luftës. Kemi shumë të rinj e të reja që kthehen pas shkollimit jashtë, por nuk ka vend për ta në asnjërën parti politike. Pra, ka të bëjë edhe me ndryshimin e mentalitetit dhe të njerëzve brenda politikës. A mendoni se është koha që gjeneratës së re t’i jepet hapësira në politikë?

Delawie: Nuk mendoj se është aq shumë me rëndësi se çka mendoj unë, por çka mendojnë votuesit kosovarë. Është diçka tjetër për të thënë në mënyrë hipotetike se më shumë të rinj duhet të hyjnë në Qeveri, por u takon votuesve që ta bëjnë këtë. Nuk mendoj se kam diçka tjetër për të thënë për këtë. /Zëri/

Reshje bore dhe në juglindje, probleme në aksin Korçë-Kapshticë

bore korcaJuglindja e vendit i është rikthyer të ftohtit dhe temperaturave të ulëta. Mëngjesin e së dielës reshje të dendura bore janë regjistruar në zonat malore duke kaluar trashësinë deri në 20 cm në zonat më të larta, ndërsa rrethi i Devollit ka qenë gjatë gjithë ditës nën reshje intensive bore.

Sipas të dhënave në gjithë Qarkun e Korçës bora është regjistruar vetëm në zonën e Devollit dhe në fshatin turistik të Dardhës, duke u shoqëruar edhe me disa probleme në akset rrugore, ndërsa  temperaturat kanë rënë ndjeshëm.

Trashësia maksimale e borës ka arritur në pikën turistike të Dardhës, ku janë regjistruar 20 cm borë ndërsa më pak reshje ka pasur në Devoll, ku trashësia ka arritur 10 cm.

Pavarësisht fenomenit të zakonshëm për stinën, situata në aksin Korçë-Kapshticë ka qenë e rënduar dhe në disa zona ishte e pamundur qarkullimi i automjeteve të papajisura me zinxhirë.

Masa janë marrë edhe nga njësia e qarkullimit rrugor, e cila ka ngritur postblloqe në disa prej pikave më problematike për të shmangur bllokimin e aksit dhe aksidentet. Sipas të dhënave situata në akset dhe rrugët e tjera të qarkut raportohet normale.

/ Top Channel

VV: Më 9 janar nisim protestat; Ymeri: Largojmë me çdo mjet qeverinë

Visar Ymeri VVViti 2016 nis me protesta nga ana e opozitës në Kosovë, kësaj here edhe me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa, si dhe zëvendësit të tij Hashim Thaçi.

Në një intervistë për Top Channel, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka arsyetuar veprimet e opozitës brenda Kuvendit të Kosovës, të cilat – siç thotë, – janë në mbrojtje të Republikës nga dy marrëveshje të dëmshme për vendin.

Ymeri bëri të ditur se, për sa kohë që qeveritarët qëndrojnë në pozicionet e tyre, këto dy marrëveshje do të kundërshtohen edhe me metoda të tjera, përveç atyre që janë parë deri më tani, duke nisur me protestën e paralajmëruar të 9 janarit.

“Do të ketë protestë me metoda, që i kemi parë deri më tani, por edhe me metoda të tjera, të cilat nuk i kemi përdorur. Protesta e 9 janarit është jashtzakonisht e rëndësishme, sepse do të duhej të ishte goditja përfundimtare ndaj këtyre marrëveshjeve dhe, në anën tjetër, do të niste një proces të ri të të protestuarit kundër kësaj qeverie, të përbërë nga shkelës të Kushtetutës. Këta e kanë mundësinë e dorëheqjes nga pozicionet e tyre, kanë arsye të bollshme për të dhënë dorëheqje, veçanërisht për shkak të këtyre shkeljeve ndaj Kushtetutës, mirëpo nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, atëherë natyrisht që qytetarët e Republikës do t’i detyrojnë këta të largohen nga pushteti”, tha Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ymeri tha se, Kosova është kthyer në një mjedis antidemokratik, ku nuk janë marrë parasysh debatet e shumta dhe, si pasojë, protesta mbetet metoda e vetme e kundërshtimit.

Kreu i Vetëvendosjes deklaroi gjithashtu se, Kosova nuk do të lejojë që të qeveriset nga njerëz të cilët shpërfillin Kushtetutën, pasi kjo do të çonte në “bosnjëzimin” e vendit, ndaj – sipas tij, – duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Ai u shpreh i bindur se, nuk do të lejohet themelimi i Asociacionit të Komuave me shumicë serbe, veçanërisht tani që ekziston një situatë tjetër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Tashmë, pas aktgjykimit, natyrisht që kemi edhe një përmasë të re të kësaj situate. Është vlerësuar që kryeministri dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, me veprimet dhe nënshkrimet e tyre kanë shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për hir të demokracisë dhe sovranitetit në Kosovë, nuk duhet të lejojmë që ata, të cilët janë konstatuar si shkelës të Kushtetutës, të vazhdojnë të mbesin në pozicionet e njëjta. Pra, largimi i kësaj qeverie nga pushteti është kusht i domosdoshëm për t’i hapur rrugë një procesi demokratik, që do të duhej të ndodhte në Kosovë”, tha më tej Visar Ymeri.

Alternativa – sipas Ymerit, – është e qartë: Kosova të ndërtohet si shtet i pavarur dhe sovran. Ai shtoi se, institucionet qendrore të Kosovës duhet të nisin një proces dialogu të hapur, demokratik, me të gjithë qytetarët, përfshirë minoritetet, e veçanërisht me serbët, të cilët refuzojnë të integrohen në shoqëri dhe jetën politike në Kosovë.

Ndërsa lidhur me arrestimin e deputetëve dhe aktivistëve opozitarë, Ymeri i cilësoi ato si përpjekje të pushtetit për të frikësuar qytetarët, por që – sipas tij, – kjo pati efekt të kundërt, duke irrituar edhe më shumë qytetarët.

/ Top Channel

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq: Do të bëjmë gjithçka që Kosova të mos anëtarësohet në OKB

Ivica-DaçiqMinistri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se qeveria serbe do të bëjë gjithçka është e mundur që Kosova të mos bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.

“Aty na pret një luftë e fuqishme, pasi që Kosova do të dëshirojë të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare”, ka thënë Daçiq për televizionin serb “Pink”.

Sipas tij, Serbia nuk është e detyruar t’ia mundësojë Kosovës anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, mirëpo shanset që Kosova të anëtarësohet në ndonjë prej këtyre organizatave varen edhe nga vendimmarrja e organizatave të caktuara, transmeton Koha.net.

Daçiq ka thënë se Kosova nuk mund të bëhet anëtare e OSBE-së pasi aty vendimet merren me konsensus, ndërsa Serbia nuk dëshiron që Kosova të jetë anëtare e kësaj organizate.

Sipas fjalëve të tij, është krejt situatë tjetër kur kemi të bëjmë me Këshillin e Evropës dhe me organizata tjera ndërkombëtare ku vendimet merren me shumicë votash.

“Fatkeqësisht, ne jemi në situatën më të rëndë kur flitet për Kosovën në Evropë”, ka thënë Daçiq duke komentuar rrethanat e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. (r.m.)

Marrëveshjet, Kosova ende larg integrimit; Serbia vjel përfitimet e BE-së

Vucic mustafaSa më shumë bëhen deklarata për afrimin e Kosovës me Bashkimin Europian dhe vlerat e shoqërisë europiane, aq më e largët duket kjo në këndvështrimin e ekspertëve, kur vlerësohet angazhimi i autoriteteve kosovare në këtë drejtim, por edhe konsiderata e BE-së për Kosovën.

Viti 2015 nuk i takon vetëm pamjeve me gaz lotsjellës dhe konfrontimeve në politikën e brendshme të Kosovës.

Politika e jashtme, veçanërisht ecuria e Kosovës drejt BE-së përmes zgjidhjes së ngërçit me Serbinë, mbetet një fushë tjetër, në të cilën qeveria e Kosovës ka ngecur. Kjo, pavarësisht kompromiseve të mëdha, duke nisur nga ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës për krijimin e Gjykatës Speciale, që do të gjykojë krimet e supozuara të UÇK-së, dhe marrëveshjeve politike me Serbinë.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Kosovë, si organizatë e shoqërisë civile ka bërë jo pak hulumtime për politiken e jashtme të Kosovës dhe raportin e saj me ndërkombëtarët, por në vitin 2015, bilanci – sipas Fisnik Korenicës, – është krejtësisht negativ.

“Kosova bëri një luftë të jashtëzakonshme, edhe të brendshme politike, për t’i kaluar amendamentet kushtetuese për Gjykatën Speciale dhe në fund të fundit, deri më sot, Kosova nuk ka marrë asgjë praktike nga Bashkimi Europian, që do të garantonte jo vetëm rrugën europiane për Kosovën, por që do të hiqte edhe izolimin aktual ndaj qytetarëve të Kosovës, si të vetmit në Ballkanin Perëndimor që nuk lëvizin dot pa viza”, tha Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike.

Janë të paktën tri momente, në të cilat Bashkimi Europian – sipas Korenicës, – e ka anashkaluar Kosovën. Nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ndonëse vlerësohet si arritja kryesore nga qeveria, nuk garanton rrugë të qartë europiane, sidomos kur bëhet fjalë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Liberalizimi i vizave është një tjetër çështje, për të cilën Komisioni Europian është treguar shumë rigoroz me Kosovën dhe, e treta, por jo më pak e rëndësishme, është kushtëzimi që BE-ja do të duhej t’ia bënte Serbisë përmes “kapitullit 35”.

“Kapitulli i 35-të nuk është asgjë më shumë sesa një kërkesë për t’i zbatuar marrëveshjet në Bruksel. Në asnjë moment nuk vendos premisa për t’i kërkuar Serbisë, që të vendosë juridikisht me Kosovën edhe përmes heqjes dorë prej shtetësisë sonë, por gjithashtu ‘35’-shi i Serbisë garanton ecurinë shumë të shpejtë të saj në fazat e anëtarësimit. Kur ajo të bëhet anëtare e BE-së do të ketë ‘veto’ për ta bllokuar Kosovën. As heqja dorë nga vetoja për Kosovën nuk është kushtëzuar në ‘kapitullin 35’”, tha Fisnik Korenica.

Përmbajtja e “kapitulli të 35-të”, në raport me shtetet që aspirojnë anëtarësimin, flet për çështje jo edhe aq shumë të rëndësishme, por për Serbinë dhe Kosovën në këtë rast është jetike. Për qeverinë e Kosovës ishte edhe shpresa e madhe për ndërrim faqeje në raport me BE-në, pa u kushtëzuar nga Serbia.

“Ne presim që në kapitullin e 5-të, Serbia të kushtëzohet”, tha Isa Mustafa më 16 tetor 2015.

Jo e tëra ndërlidhet me qasjen e BE-së ndaj Kosovës. Qeveria po kështu ka qenë pasive në punën e saj për ta kushtëzuar rrugën e Serbisë drejt BE-së, përmes kapitullit të 35-të.

“Deri më sot, qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar dhe nuk ka bërë kërkesë, që në raport me kapitullin e 35-të të përcaktojë parimet, që duhet të jenë në atë kapitull, për shkak të këtij pasiviteti ka dështuar qeveria t’i imponojë”, tha Fisnik Korenica.

Anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare dhe procesi i njohjes së pavarësisë janë dy çështje të tjera, në të cilat Kosova ka bërë hapa simbolikë. Vetëm tri shtete e kanë pranuar Kosovën në vitin 2015. Po për pak vota, mes tyre edhe tri abstenime nga shtete që e kanë njohur Kosovën, ekzekutivi kosovar – përkatësisht Ministria e Jashtme, si prijëse e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, – dështoi ta fitojë betejën përballë Serbisë.

Anëtarësimi në UNESCO është vetëm njëra nga betejat e rëndësishme, që Kosova ka para vetes në vitet që vijnë, në luftën e saj diplomatike me Serbinë, një shtet fqinj ky i shndërruar tashmë në pengesë kryesore, për çdo nismë që ndërmerr Kosova drejt forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

/ Top Channel

Luftë verbale mes Iranit dhe Arabisë Saudite

Mbretëria e Arabisë Saudite “do të paguajë një çmim të lartë” paralajmëron Teherani duke nxitur luftën verbale me Arabinë Saudite pas ekzekutimit të klerikut shiit Nimr el-Nimr Baker.

protesta teheranPas ekzekutimit të klerikut shiit Nimr el-Nimr Baker në Arabinë Saudite lideri shpirtëror i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, e paralajmëroi Arabinë Saudite nga “hakmarrja e Allahut”. “Gjaku i derdhur pa justifikim i këtij martiri do të ketë pasoja të shpejta dhe dora e Zotit do të marrë hak mbi udhëheqjen saudite,” tha Khamenei para klerikëve në Teheran. “Ky dijetar nuk i ka inkurajuar njerëzit as për veprime të armatosura, as ka bërë plane të fshehta, e vetmja gjë që ai bëri ishte që shprehu publikisht kritika.”

Në të njëjtën kohë, Khamenei kritikoi qeveritë perëndimore dhe i akuzoi ato për mosveprimin në këtë rast. “Mbrojtësit e supozuar të lirisë, të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut” heshtën këtë herë, tha Khamenei. “Pse e mbështetur ata që mbështesin lirinë dhe demokracinë, këtë qeveri,” pyeti ai.

Protesta në Iran, Irak dhe Bahrain

Para deklaratës së Khameneit një turmë kishte sulmuar ambasadën e Arabisë Saudite në Teheran duke hedhur dhe lëndë djegëse drejt ndërtesës. Prokurori Abas Jafari Dolatabadi tha, sipas agjencisë së lajmeve ISNA se janë arrestuar 40 vetë që ishin futur në përfaqësinë diplomatike. Krahu studentot i milicisë paraushtarake Basixh bëri thirrje për një protestë përpara ambasadës për të dielën pasdite. Po ashtu njoftohet se u sulmua dhe konsullata Arabisë Saudite në qytetin e Mashhadit.

Ministria e Jashtme iraniane e akuzoi të shtunën Arabia Saudite për mbështetjen e “e lëvizjeve terroriste dhe ekstremiste” dhe për ekzekutimin në të njëjtën kohë të kundërshtarëve të brendshëm. Mbretëria e Arabisë Saudite “do të paguajë një çmim të lartë për këtë” paralajmëroi Teherani. Pas kësaj Riadi e akuzoi rivalin e tij rajonal, për ton “agresive” dhe thirri për bisedime ambasadorin iranian. Përveç Iranit, protesta kundër ekzekutimit të al-Nimrsit pati edhe në qytetin shiit të pelegrinazhit Qerbela në Irak dhe në Bahrain, me shumicë popullsie shiite.

Kleriku shiit ishte kundërshtar i vendosur i familjes mbretërore ultra-konservatore sunite në Riad. 56-vjeçari kishte mbështetur gjatë protestave në prag të Pranverës Arabe në vitin 2011 ndarjen e rajoneve lindore Katif dhe Al-Ihsaa, ku jeton shumica prej afërsisht dy milionë shiitë të Arabisë Saudite. Ai u dënua në tetor 2014 me vdekje dhe u ekzekutua të shtunën, së bashku me 46 persona të tjerë. (dw)

Makinat që ecin vetë

makina ecen vetBota ndodhet në agimin e epokës së makinave robotike. Ato pritet të duken së shpejti në autostrada; prodhuesit janë vënë në garë se kush do të jetë i pari; ndërsa disa kompani taksish kanë planifikuar përmirësimin e shërbimeve me këto lloj makinash.
Në garën e parë të makinave robotike në botë, në vitin 2004, asnjë prej automjeteve nuk arriti vijën e finishit, pavarësisht nga numri i ndjesorëve, radarëve, dhe kamerave në bord.

Një vit më vonë, më 2005, pesë makina arritën në fund të korsisë, dhe në vitin 2007, gjashtë makina përfunduan një provë më të vështirë – ngarje nëpër rrugët me trafik duke respektuar shenjat e qarkullimit.
Sot, shumë prodhues të makinave dhe kamionëve po kryejnë prova me automjete inteligjente, për ngarje në autostradë.

Google ka disa vite që po provon makina të tilla.

Një kamion ‘inteligjent’, ndërtuar nga Daimler-Benz, u provua kohët e fundit në një autostradë gjermane, duke kaluar lirshëm dhe në mënyrë të sigurtë mes një trafiku të ngjeshur.

Firma japoneze Toyota thotë se deri në fund të këtij viti do të fillojë shitjen e tri modeleve luksoze Lexus me teknologji robotike.

Motitaka Yoshida, i kompanisë Toyota thotë:

“Pothuajse çdo gjë që një shofer bën në autostradë, do të automatizohet.”

Duke përdorur sensorë të ndryshëm, GPS, dhe Wi-Fi makina do të komunikojnë me makina të tjera ‘inteligjente’ dhe me infrastruktura të qarkullimit, për të ndjekur trafikun dhe paralajmëruar shoferin për rreziqet e mundshme.

“Ne duam të pakësojmë numrin e aksidenteve rrugore, vdekjet dhe lëndimet e shkaktuara nga aksidentet, dhe bllokimet e trafikut në autostrada. Gjithashtu, duam të sigurojmë një transport më të lirëshëm për të gjithë njerëzit, përfshi të moshuarit dhe ata me aftësi të kufizuar. ”

Ndërkohë, disa kompani taksish janë duke planifikuar përmirësimin e makinave të tyre.

Firma japoneze Robot Taxi thotë se në fillim të vitit të ardhshëm, do të fillojë provat me furgona robotikë në zonat me pak trafik.

Ndërsa ligjet aktuale në Japoni nuk lejojnë makinat pa shoferë në rrugët publike, taksitë robotike do të kenë shoferë për të marrë përsipër drejtimin në situata emergjente. (voa)

Përparimet teknologjike në 2015

Novacionet teknologjike gjatë vitit 2015 përfshijnë avancimet robotike, automatizimet, rritjen e përdorimit të pajisjeve elektronike portative dhe përdorimin më të gjerë të burimeve të qëndrueshme të energjisë.

Përparimet këtë vit në programet kompjuterike, pajisjet mekanike, sensorët dhe inteligjencën artificiale e sollën botën një hap më pranë të ardhmes robotike.

Makinat elektrike ishin mjaft popullore. Kompanitë më të mëdha reklamuan modele të reja ndërsa të tjera shkuan drejt makinave me hidrogjen.

“Ne duam të krijojmë një shoqëri që prodhon, përdor dhe lidhet me energjinë e hidrogjenit”, thotë Tahakiro Hachigo, drejtor ekzekutiv i kompanisë Honda.

Makinat pa shofer gjithashtu ishin më pranë përdorimit të përditshëm. Edhe një kamion pa shofer i prodhuar nga Mercedesi, demonstroi aftësitë e tij për të naviguar me siguri në autostrada.

“Mund t’i heq duart nga timoni dhe siç mund ta shihni makina ecën në vijë të drejtë”, thotë Wolfgang Bernhard me kompaninë Daimler.

Teknologjia e shtypjes 3D është bërë një mënyrë më e lirë prodhimi për pothuajse çdo gjë – që nga brumi e deri tek makinat.

“Shasitë e prodhuara me printerat 3D janë vetëm 46 kilogramë dhe kanë të njëjtën forcë dhe siguri si ato të prodhuara me çelik”, thotë Brad Balzer, shef i kompanisë Microfactories.

Studiues të tjerë thonë se shtëpitë e printuara me 3D mund të fillojnë së shpejti të zgjidhin mungesat globale të strehimit.

“Ne përdorim mbetjet e ndërtimeve, minierave dhe mbetjet urbane si lëndë të parë. Ne i ndajmë ato në kategori dhe i transformojmë në një ngjyrë të veçantë printimi”, thotë Ma Yihe, me kompaninë Winsun.

Robotët ishin më pranë nesh gjithashtu, që nga recepsionistët e deri tek eksoskeletët që ndihmojnë njerëzit e paralizuar të ecin përsëri.

“Kemi mësuar nga procesi ynë kërkimor se pacientët që kanë dëmtime nën kraharor mund të përdorin robotin për të qëndruar në këmbë, ecur dhe për t’u ulur”, thotë Wu Cheng-Hua, shpikës.

Proteza që kontrollohen nga truri vazhdojnë të premtojnë ndihmë të madhe për të gjymtuarit.

“Vendosim sensorë në muskuj dhe muskujt marrin sinjalet të cilat përçohen tek protezat dhe më pas reagojnë siç kërkohet nga truri”, thotë Thorvaldur Ingvarsson.

2015 ishte gjithashtu viti i dronëve. Ata kanë filluar të eksplorojnë në hidrologjinë detare dhe biologji, duke luftuar kontrabandistët në Afrikë, duke ndihmuar fermerët dhe duke analizuar drithërat dhe inspektuar për dëmtime të mundshme.

Ndërkohë, zhvilluesit e programeve kompjuterike po përdorin gjithnjë e më shumë në praktikë telefonat inteligjentë.

“Në vend që të marrësh gjak dhe ta çosh në laborator, mund ta gjesh rezultatin brenda 15 minutave përmes pajisje e cila merrë një sasi shumë më të vogël gjaku me një pickim dhe e analizon atë me një saktësi të ngjashme me atë të laboratorit” thotë Sam Sia me universitetin Kolumbia.

Realiteti virtual përparoi gjithashtu në industrinë e lojrave më shumë nga kufjet e sofistikuara që të transportojnë në botë të ndryshme.

“Realiteti virtual është padyshim teknologjia më emocionuese në industri tani për tani dhe padyshim do të jetë fokusi në të ardhmen”, thotë Jon Hicks, ekspert i lojrave elektronike.

Gjithashtu në 2015 Mikrosofti paraqiti versionin më të ri të sistemit operativ, Windows 10, duke e ofruar për herë të parë falas. (voa)