All posts by V.F.

“Jugohromi” nuk mbyllet, shtyhet për mbledhjen e ardhshme qeveritare

JugohromiQeveria e Maqedonisë ka përfunduar mbledhjen e sontme ku diskutohej për mbylljen e ndotësit më të madh në rajonin e rajonin e Pollogut, fabrikën e Jugohromit.

Agjencia e lajmeve INA mëson se pika e rendit për mbylljen e fabrikës famëkeqe “Jugohrom” është shtyrë për mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.

Nuk përjahstohet mundësia, që kjo të jetë një lojë ping-pongu ndërmjet të VMRO-BDI-së, vetëm sa të kalojë 25 dhjetori, respektivisht data kur skadon ultimatumi, i vendosur nga shoqata “Eko-Guerila”. (INA)

Opozita përkrah idenë e Jahjagës për demarkacionin

opozita ksIdeja e presidentes, Atifete Jahjaga, për themelimin e një komisioni me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, të cilët do ta shqyrtonin Marrëveshjen për Demarkacionin, mbështetet nga subjektet opozitare.

Megjithatë, ata thonë paraprakisht se Qeveria duhet të heqë dorë nga marrëveshja aktuale dhe ta shkarkojë Komisionin, që udhëhiqet nga Murat Meha.

Në anën tjetër, analistët politikë në vend thonë se pas vlerësimit pozitiv që ka dhënë Departamenti Amerikan i Shtetit për Marrëveshjen e 26 gushtit, çështja e demarkacionit duhet të konsiderohet e mbyllur nga ana e Kosovës.

Departamenti për Informim në Zyrën e Presidentes i pyetur nga “Zëri” ka pohuar se presidentja Jahjaga ka propozuar themelimin e një komisioni ad hoc me ekspertë të huaj, që do të bëjnë vlerësimin e këtij procesi.

Ndërsa, e para e vendit në fjalimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës ka thënë se mënyra e vetme institucionale dhe kredibile për t’i adresuar pasaktësitë eventuale në procesin e demarkacionit është formimi i një komisioni me ekspertë të huaj. /Zëri/

Hajdari: Reforma do ta pastrojë prokurorinë nga të paaftët dhe të korruptuarit

hajdari prokurorZëri i Amerikës: Zoti Hajdari! Ju prej disa vitesh drejtoni Shoqatën e prokurorëve të Shqipërisë dhe për mbi 20 vjet punoni si prokuror në drejtësinë shqiptare. Brenda pak kohësh ju u lëvizët dy herë nga detyra. Pse kanë ndodhur këto transferime për ju dhe kolegë të tjerë?

Shkëlqim Hajdari: Të gjitha transferimet e prokurorëve dy vitet e fundit, që janë bërë pa pëlqimin e tyre, në bazë të ligjit për organizimin e prokurorisë, janë në shkelje të ligjit. Ky ligj parashikon qartë që transferimi i një prokurori nga një rreth në një rreth tjetër ose nga një shkallë e prokurorisë në një shkallë tjetër më të ulët mund të bëhet vetëm në rastet e riorganizimeve të prokurorive. Prokuroria shqiptare nuk ka ndonjë riorganizim ndaj unë dhe kolegët e mi i kemi ankimuar tashmë dekretet e Presidentit të Republikës. Një pjesë e prokurorëve ka fituar; gjykatat administrative të shkallëve të para janë shprehur se këto lëvizje janë të pambështetura në ligj.

Zëri i Amerikës: A mendoni se ka arsye të tjera, përveç ligjit, që këto transferime u kryen përpara një reforme të thellë, që pritet në sistemin e drejtësisë?

Shkëlqim Hajdari: Për sa u takon transferimeve të mia, ato janë atipike, sepse unë kam marrë dy transferime në kuadër të riorganizimit brenda vitit; një herë jam shkarkuar në datën 8 tetor 2014 si drejtues i Prokurorisë së Apelit dhe së dyti, para pak ditësh brenda 24 orëve jam dekretuar nga Presidenti i Republikës për t’u transferuar në prokurorinë e Shkodrës si prokuror i thjeshtë. Unë preferoj t’i iki kësaj historie personale. Unë jam prokuror. Ashtu si kolegët e tjerë edhe unë do të ankimoj dekretin e transferimit të dytë në Shkodër. Edhe i pari është i paligjshëm, por e lashë mënjanë për të mos krijuar keqkuptime se po ankohesha për karrierë.

Unë e kam drejtuar Prokurorinë e Apelit përreth 7 vjet. Më 4 shtator 2008 kam gjetur një Prokurori Apeli me 3 zyra në cep të Prokurorisë së Përgjithshme dhe brenda pak muajve atëherë, në bashkëpunim me prokuroren e përgjithshme Ina Rama dhe me ministrin e drejtësisë Eduard Halimi, kemi siguruar mjedise të bollshme, kemi bërë një transformim rrënjësor të funksionimit të Prokurorisë së Apelit, më e madhja në Shqipëri, duke krijuar kushte pune për prokurorët, duke futur gjithë dosjet në sistem kompjuterik, duke i ndarë dosjet dhe duke punuar në grup, duke përfaqësuar me dinjitetçështjet në gjyq. Këto dalin në të gjitha analizat e bëra, ku ka qenë i pranishëm edhe Prokurori i Përgjithshëm. Rezultatet e punës së Prokurorisë së Apelit, rezultatet e gjithë grupit të punës aty, janë nga viti në vit në rritje, për të mos thënë që në vitin 2013 dhe 2014, ku ka qenë i pranishëm edhe Prokurori iPërgjithshëm, Prokuroria e Apelit për rezultatet e punës që ka arritur, është marrë shembull për gjithë zyrat e prokurorive të Republikës.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, Presidenti Nishani i ka dekretuar propozimet për transferime të ardhura nga kryeprokurori Llalla…

Shkëlqim Hajdari: Unë nuk bëj komente jashtë natyrës së punës time si prokuror. Di të them se, në këndvështrimin tim dhe të kolegëve të tjerë të transferuar në këtë lloj forme, këto janë të paligjshme, dhe arsyet pse transferimi im, për shembull, është bërë brenda 24 orësh mund t’i japë Presidenti i Republikës.

Zëri i Amerikës: Ndërkohë, si drejtues i Shoqatës së Prokurorëve ju keni bërë propozime dhe ndihmesë për reformën në sistemin e drejtësisë. A mund të shpjegoni detaje mbi ndryshimet që po mendohen në prokurori, që ju e njihni mirë?

Shkëlqim Hajdari: Reforma në drejtësi ka dy vjet që është nismuar. Shoqata e Prokurorëve, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata e Avokatëve, Noterët, trupa e pedagogëve, shoqëria civile janë testuar përmes një sondazhi nga një o.j.f. se ku mendonin këto grupe interesi që duhet ndërhyrë në reformën në drejtësi për të përmirësuar gjendjen aktuale. Shoqata e Prokurorëve organizoi testimin e prokurorëve, ku morën pjesë rreth 70 për qind e prokurorëve dhe mbi 90 për qind e tyre pyetjeve kryesore iu përgjigjën si më poshtë: 1. Prokurorët e Republikës së Shqipërisë deklaruan se mënyra e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm është politike dhe duhet të ndryshojë. 2. Prokurorët e Republikës së Shqipërisë në maxhorancë shprehën që këshilli i prokurorisë, në rolin e këshilluesit, duhet të ndryshojë; duhet që ai këshill të bëhet vendim-marrës. Dhe 3. prokurorët u shprehën se duhet të fuqizohet gjithë strukturat dhe të rritet pavarësia e prokurorëve, sidomos ato struktura të prokurorisë që hetojnë në fushën e korrupsionit, duke mbështetur gjithë sistemin e prokurorisë, dhe veçanërisht anti-korrupsion, me anën financiare, me mbrojtje fizike të familjes, të jetës së tyre dhe promovimin e karrierave të tyre.

Zëri i Amerikës: Këto pika propozuat ju në emër të kolegëve si pjesë e reformës në prokurori?

Shkëlqim Hajdari: Ne falenderojmë ekspertët e reformës, që kanë marrë parasysh propozimet e prokurorëve të Republikës së Shqipërisë. Kjo tregon se ekspertët kanë punuar me qetësi dhe durim për dy vjet. Këto tre ndryshime të rëndësishme, këto tre kolona që preken, do të ndryshojnë krejt historinë e mënyrës së funksionimit dhe centralizmit arkaik, mbi bazën e të cilit funksionon prokuroria. Ne biem dakord të tërë që me ndryshimet në draftin e reformës Prokurori i Përgjithshëm nuk do të zgjidhet nga politika. Do të jetë një prokuror që do të dalë nga propozimet e këshillit të prokurorisë midis disa kandidaturave me kritere të forta të karrierës, të ngritjes profesionale, të pastërtisë morale, do të kalojë nëpër filtrat e parlamentit e ndoshta deri te Presidenti i Republikës dhe kjo është jashtëzakonisht pozitive.

Së dyti, këshilli i prokurorisë bëhet vendim-marrës me pjesëmarrjen e prokurorëve, një përfaqësues nga shkolla e magjistraturës, një nga dhoma e avokatisë, dy nga trupa e pedagogëve të fakultetit të drejtësisë dhe një nga shoqëria civile. Kjo strukturë rrit transparencën dhe ul trafikun e influencave, sepse këta persona jashtë trupës së prokurorëve, nuk kanë interesa direkte për të promovuar njerëz për arsye të tjera. Kjo risi do ta bëjë këshillin e prokurorisë më transparent, më të përgjegjshëm dhe do ta ruajë nga konflikti i interesave, sepse aktualisht këshilli i prokurorisë është në konflikt interesi.

Zëri i Amerikës: Shqipëria është kritikuar shumë për një kulturë të mosndëshkimit të krimit dhe korrupsionit në administratë. Kjo histori nis nga gjykata dhe nga prokuroria. Si do ta largojë reforma pasivitetin dhe mosndëshkimin e korrupsionit në administratë dhe në radhët e vet drejtësisë?

Shkëlqim Hajdari: Reforma do të fuqizojë prokurorët dhe do t’i bëjë të përgjegjshëm; çdo prokuror që heton një çështje do të jetë ai vetë përgjegjës për dështimin apo suksesin e një dosjeje korrupsioni. Shumica e prokurorëve shqiptarë janë njerëz të ndershëm, që e duan profesionin, që sakrifikojnë, me paga as sa kolegët e rajonit të Ballkanit. Ky përforcim i tyre do t’i shtyjë ata të punojnë më shumë dhe do t’i bëjë ata më korrekt me detyrën. Së dyti, kjo do të përmirësojë sistemin e karrierës; nuk do të kemi më propozime klienteliste, as nepotike, me ndikime politike, për të mos thënë edhe me ndikime të grupeve kriminale në Prokurorinë e Republikës së Shqipërisë. Sepse këshilli i prokurorisë do të jetë një organ kolegjial, vendim-marrës, i mbrojtur nga konflikti i interesit. Sot 5 nga 6 antarë të këshillit të prokurorisë janë drejtues kryesorë të zyrave të prokurorisë, pra janë në konflikt të pastër interesi. Ndërsa me ndryshimet e pritshme këshilli i prokurorisë do të ketë antar vetëm një prokuror, i cili nuk do të ketë të drejtë të promovojë veten e tij.

Zëri i Amerikës: Jo më larg se të hënën, kryeprokurori Adriatik Llalla, deklaroi se institucioni ka fuqi vetë-rregulluese dhe është në gjendje të rregullojë problemet nga brenda. Si i komentoni këto deklarata?

Shkëlqim Hajdari: Unë jam dakord me këtë deklarim të zotit Llalla. Por prokuroria do të vetëpastrohet kur të bëjë këto ndryshime kushtetuese, që u përmendën; pra, duke zgjedhur kryeprokurorin nga radhët e prokurorëve me kritere shumë të forta, duke i zgjatur mandatin jo 5 por 9 vjet, duke e bërë këshillin e prokurorisë vendim-marrës, kolegjial dhe me njerëz nga bota akademike, duke fuqizuar prokurorinë e posaçme antikorrupson, duke përmirësuar kushtet e punës dhe mbështetjen financiare të gjithë prokurorëve dhe kryesisht të atyre, që merren me çështje të rënda. Nëse bëhen këto ndryshime, dhe unë jam shumë optimist që do të bëhen, ato do të sjellin vetëpastrimin e organit të prokurorisë nga të korruptuarit dhe nga të paaftët.

Zëri i Amerikës: Cili është vlerësimi mbi përpjekjet pro dhe kundër reformës në drejtësi?

Shkëlqim Hajdari: Unë jam profesionist, nuk jam politikan; ndryshimet kushtetuese dhe reforma në drejtësi votohet në parlament. Nuk e di kohën, por jam i bindur se kjo reformë do të bëhet dhe do të miratohet. Publiku dhe media shqiptare, ekspertët e huaj që janë pjesë e kësaj reforme dhe deklarimi i hapur i niveleve më të larta të Bashkimit Eiuropian përmes zonjës Vlahutin dhe të SHBA-ve, përmes ambasadorit Donald Lu e bëjnë këtë reformë shumë të suksesshme për t’u realizuar.

Ka edhe një arsye tjetër me rëndësi: këto dy shërbime diplomatike kanë në Shqipëri dy misione të specializuara në fushën e të drejtës: BE ka misionin Euralius dhe SHBA kanë zyrën OPDAT – pjesë e departamentit të drejtësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto kanë vite që punojnë në Shqipëri, sidomos zyra OPDAT është mbështetësi kryesor i zyrave të Task Forcës, pjesë e hetimit të të cilave ka qenë korrupsioni. Ata e dinë mirë se ku kaçaluar struktura dhe pse nuk ka patur efektivitetin e duhur goditja e korrupsionit të zyrtarëve të lartë në nivele ministrash, të atyre që ishin në pushtet ose të këtyre që janë sot në pushtet. Publiku shqiptar pret përditë që kjo reformë të bëhet. Unë jam shumë optimist që reforma do të bëhet, sepse më keq se në ç‘gjendje jemi për shkak të pandëshkueshmërisë nuk ka ku të shkojë më. Të gjithë faktorët do të gjejnë modulin, pasi ekspertët e nivelit të lartë, vendas dhe të huaj, mbështetja e hapur e SHBA-ve përmes ambasadës së tyre dhe zyrës OPDAT janë garanci të sigurta që reforma në Shqipëri do të bëhet në një kohë sa më të shpejtë.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, në mënyrë të heshtur, kjo reformë ka jo pak kundërshtarë, që po përpiqen që ajo të mos kryhet. Ç‘ mund të thoni për ta?

Shkëlqim Hajdari: Kundërshtarët e kësaj reforme mund të ndahen në dy kategori: njëra kategori ka mungesa të formimit profesional dhe nuk kuptojnë se ne po hyjmë në një etapë të re ndryshimit të modelit dhe ristrukturimit të drejtësisë në Shqipëri, ndryshimit të mënyrës së funksionimit të prokurorisë dhe gjykatave. Po shtohet transparenca, po nxitet karriera e prokurorëve që janë prokurorë dhe gjyqtarëve që janë gjyqtarë, pa u vënë epitete të tjera. Grupi i parë ka mangësi në formimin intelektual dhe profesional. Grupi i dytë është më i vogël dhe luan me mekanzima të tjerë; në të janë ata prokurorë, gjyqtarë dhe zyrtarë të lartë e të mesëm, të cilët kanë shkelur rëndë ligjin. Drejtësia vonon, por nuk harron. Këta janë pjesa penguese, por janë të identifikuar nga publiku shqiptar, nga prokurorët, nga misionet partnere, janë në minorancë për të bllokuar reformën dhe e kanë të pamundur për ta bëë këtë.

 

Po sot, një zyrtar nga prokuroria e përgjithshme pohoi për “Zërin e Amerikës” se komentet për “transferim te paligjshëm” të prokurorëve nëpër disa rrethe nuk qëndrojnë. Ai përsëriti shpjegimin e dhënë qysh ditën e parë se ato transferime janë kryer pas propozimeve për ndryshim strukturash të institucionit, për të cilat nuk nevojitet miratimi i prokurorëve.

Biblioteka Kombëtare, “shtëpia” e re e Mesharit të Gjon Buzukut

bujarnishaniPresidenti Bujar Nishani, gjatë vizitës në Bibliotekën Kombëtare në 95-vjetorin e themelimit të saj, i besoi kopjen e “Mesharit” të Gjon Buzukut këtij institucioni.

Pasi vlerësoi të gjithë punonjësit dhe menaxhuesit e bibliotekës, Nishani theksoi se “kopja e Mesharit, e sjellë si dhuratë për shqiptarët nga Papa Françesku, ka si vend më të përshtatshëm ruajtjeje pikërisht Bibliotekën Kombëtare.

“Ashtu si Meshari që i rezistoi shekujve, edhe besimi te përparimi i rezistoi kohërave në Shqipëri. Te ky Meshar gjejmë qetësinë shpirtërore dhe krenarinë kombëtare”, deklaroi Presidenti i Republikës.

Nishani shtoi se “teknologjia është sfidë e madhe ndaj librit, por përmes infrastrukturës ne duhet ta kthejmë vëmendjen e brezit të ri te libri”.

/ Top Channel

Viti i terrorit në Europë

Dhjetë vjet pas sulmeve të fundit të mëdha në Londër Europa përjeton në 2015 një vit të keq terrori. Qindra vetë vdesin: francezë, turq, rusë. “Lufta” kundër “Shtetit Islamik” është rrjedhoja.

parisViti 2015 filloi ashtu si përfundoi: me sulme terroriste në Paris. Në janar qenë në shënjestër revista satirike Charlie Hebdo dhe një supermarkt hebre. 17 vetë humbën jetën. Në nëntor terroristët islamikë vranë 130 vetë në zemër të Parisit dhe në Stade de France. Franca dhe e gjithë Europa reagon e shokuar. Në janar presidenti francez, Francois Holande, foli për një barbari monstruoze, tani në fund të vitit ai e sheh kombin në luftë kundër “Shtetit Islamik” në dukje gjithnjë e më i fuqishëm, që vepron në Siri, Irak dhe Afrikën e Veriut. “Ajo që ka ndodhur dje në Paris dhe në Stade de France, është një akt lufte”, tha Hollande më 14 nëntor. “Në luftë kombi tani duhet të marrë vendimet e duhura. Akti luftarak u krye nga një ushtri terroriste e islamistëve të ‘Daesh’, kundër Francës dhe kundër vlerave, që ne mbrojmë në të gjithë botën, kundër çdo vendi të lirë.”

Forcohen sulmet kundër “IS”

Politikanët evropianë dhe udhëheqësit e vendeve të G20, që u mblodhën në Turqi menjëherë pas sulmeve terroriste në Paris, premtuan solidaritet dhe ndihmë. Meqë si Turqia dhe Rusia ishin viktima të sulmeve shkatërruese të islamistëve, pas vitit të terrorit në fundin e tij u krijua një koalicion i vështirë të mendohej më parë, i cili do të veprojë bashkarisht kundër “Shtetit Islamik”. Megjithatë lufta në Siri vazhdon të shkretojë gjithçka përreth. Ka disa hapa fillestarë për të negociuar një zgjidhje politike, por megjithë luftën kundër ushtrisë terroriste të “Shtetit Islamik” Shtetet e Bashkuara, Rusia, Arabia Saudite, Irani, Franca dhe Turqia ndjekin në rajon synime krejtësisht të ndryshme.

Gjermania pjesëmarrëse në luftë

Rreziku u bë i dukshëm pas goditjes së avionit rus nga aviacioni turk. Raportet e Turqisë dhe Rusisë janë ngrirë, por përshkallëzimi i mëtejshëm u pengua. Për Gjermaninë dhe aleatët e tjerë evropianë si Britania e Madhe apo Danimarka kjo do të thotë solidaritetin ta kthejnë në vepra. Këto shtete vënë në dispozicion forcat ajrore për luftën kundër “IS”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel i premtoi Francës ndihmë të pakufizuar. “Ne do të bëjmë çdo gjë të mundshme për të ndihmuar në kërkimin e autorëve dhe që së bashku të udhëheqim luftën kundër terroristëve.” Ajo dërgoi menjëherë në Siri zbulues tornado, një anije të marinës dhe një avion për furnizimin me karburant. Edhe Gjermania është në shënjestër të terroristëve. Autoritetet e sigurisë e paralajmërojnë këtë prej kohësh. Në fund të vitit ndoshta më fort se kurrë. “Ne, miqtë gjermanë, ndjehemi aq pranë jush. Ne qajmë së bashku me ju”, tha Angela Merkel në nëntor duke iu drejtuar francezëve.

Numër i madh sulmesh në Europë

Përveç sulmeve në Paris në Francë kryhen edhe disa sulme të tjera të vogla. Në prill një grua vdes nga plumbat e një atentatori, i cili donte të sulmonte një kishë të krishterë. Në qershor një fabrikë gazi në Lion shpëton për pak nga një sulm. Në gusht një atentator islamist kapet nga pasagjerët në trenin e shpejtësisë së lartë Thalys, para se të sulmojë. Më 18 nëntor një hebre u sulmua në rrugë me thikë.

Në Danimarkë në shkurt vdesin dy persona nga sulme në një qendër kulturore dhe një sinagogë. Danezët i shpallin luftë terrorit. Pas atentatit rabini kryesor i Danimarkës është i befasuar. “Hebrejtë danezë ishin pjesë e shoqërisë, një pjesë një e qindta. Kjo është arsyeja pse e kemi ndjerë në mënyrë të veçantë. Tani në qoftë se dikush vendos një lule para portës, atëherë jo për të treguar solidaritet me çifutët, por për shkak se është vrarë një danez”, tha Jair Melchior për Deutsche Welle. Edhe në Berlin dhe Londër kryhen sulme me sfond terrorist. Sidomos Turqia dhe Rusia janë goditur rëndë. Në sulmet në Ankara dhe Suruc si dhe në rrëzimin e një avioni rus me pasagjerë mbi Sinai, vdesin qindra njerëz. Edhe ata viktima të islamistëve radikalë.

BE do të forcojë masat e sigurisë

Bashkimi Europian i premton Francës mbështetje ushtarake në bazë të nenit 42 të marrëveshjes së Lisbonës. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. Ministrat e Brendshëm premtuan bashkëpunim më të mirë mes policisë dhe shërbimeve sekrete. Pasojat janë kontrolli më i fortë i udhëtimeve dhe i transfertave të parave. Por mullijtë e burokratëve bluajnë ngadalë. Në fillim të vitit dëgjohen të njëjtat pohime dhe kërkesa si në fund të vitit. Për zbatimin në ligjin praktik mund të duhen muaj, ndonjëherë vite.

Kufijtë e hapur brenda Evropës bien dyfish nën presion. Së pari për shkak të refugjatëve, që hyjnë prej muajsh në mënyrë të pakontrolluar, dhe së dyti nga fakti që terroristët mund të udhëtojnë lirisht me pasaportat e tyre të BE-së ose të përzihen me refugjatët dhe të vijnë nga Siria në Francë pa u dalluar. Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere kërkon që kufijtë e jashtëm të BE-së të mbrohen më mirë. “Disa mijëra ‘luftëtarë të huaj’, janë në Siri dhe luftojnë për të ashtuquajturin “Shtet Islamik”. Që andej koordinohen sulmet terroriste në Evropë. Prandaj ne duhet të dimë se kush fluturon me avion në Evropë dhe kush kthehet përsëri në Europë, në mënyrë që të reagojmë”, tha de Maiziere pas njërës nga shumë seancat e posaçme për luftën kundër terrorizmit. BE-ja dëshiron që të ruajë dhe të seleksionojë të dhënat e pasagjerëve. Do të krijohet një kontroll i përbashkët kufitar, sepse vendet si Greqia, Bullgaria dhe Italia janë të mbingarkuara.

Belgjika – qendra e terroristëve

I mbingarkuar është edhe fqinji verior i Francës. Gati të gjitha gjurmët e atentatorëve të Parisit të çojnë në Belgjikë. Në lagjen e Brukselit Molenbeek, prej kohësh e njohur si qendër te islamistëve, janë përgatitur me sa duket atentatet. Policia belge arrin që në operacionet në janar në Verviers dhe në nëntor në Bruksel të kapë disa ndihmës dhe të zbulojë një depo armësh. Por i dyshuari kryesor ikën. Në Bruksel metrotë, dyqanet, shkollat dhe universitetet qëndrojnë të mbyllura për disa ditë për arsye sigurie. Por pastaj kthehet përsëri normaliteti. Partitë grinden se kush është fajtor për mungesën e integrimit të fëmijëve të emigrantëve muslimanë. Belgjika lufton kundër reputacionit të saj në sektorin e sigurisë si një “shtet i dështuar”, siç shkruan revista “Der Spiegel”. Në rrugë patrullon në fund të vitit 2015 ushtria. A do të mbrojë kjo nga xhihadistët? (dw)

Parashikimi i ekonomisë amerikane dhe asaj globale

Pas një viti ulje ngritjesh, duket sikur mëkëmbja e ekonomisë mund të jetë e qëndrueshme në Shtetet e Bashkuara. Ky është një vlerësim që konfirmohet nga vendimi i Bankës Qendrore për të rritur normat e interesit për herë të parë që nga kriza financiare. Por siç dëgjojmë në materialin në vazhdim, parashikimi i ekonomisë globale nuk është i qartë.

Lajmi më i rëndësishëm ndërsa 2015 mbyllet ishte vendimi i Bankës Qendrore për të rritur normat e huave me zero presje 25 për qind.

“Vendimi reflekton besimin e komisionit se ekonomia do të vazhdojë të forcohet”, thotë Janet Yellen.

Megjithë ulje ngritjet këtë vit – rritja amerikane duket të jetë stabilizuar dhe papunësia është në nivelin më të ulët në 7 vjet. Agjencia e vlerësimit “Standard and Poor” parashikon një rritje prej 2.7 për qind në 2016, shifër që Shtetet e Bashkuara nuk e kanë parë më në shumë se 7 vjet.

“Lajm i mirë është që po shohim përmirësim dhe presim të shohim që ekonomia të forcohet më tej. Presim që niveli i papunësisë të ulet më tej, gati 4,6 për qind deri në fund të vitit të ardhshëm”,  thotë Beth Ann Bovino me kompaninë S&P.

Por parashikimi për ekonominë globale duket më i zymtë sipas Shoqatës Kombëtare të Biznesit.

“Parashikimi për ekonominë botërore është më pak se rritja që kanë parë Shtetet e Bashkuara, të paktën në vendet e zhvilluara.”

Një raport i OKB-së mbi prespektivat e ekonomisë globale parashikon prirje të kundërta në botë veçanërisht në tregjet me rritje të shpejtë që dikur tërhiqnin investimet për shkak të normës së lartë të fitimit. Gus Faucher, është economist me kompaninë PNC Financial.

“Mendoj se do të jetë më e vështirë për tregjet në zhvillim. Ato ndikohen më shumë nga fluksi i kapitalit kështu që mund të ketë ndryshime ndërsa Banka Qendrore ameriakne fillon të rris interesat në Shtetet e Bashkuara.”

Në këtë fundviti vazhdojnë shqetësimet lidhur me ngadalësimin e rritjes ekonomike në Evropë dhe Kinë. Por megjithë pasiguritë,  shumë ekonomistë thonë se shqetësimet për mundësinë e një recesioni global janë të ekzagjeruara.

“Natyrisht gjërat mund të shkojnë keq. Shohim shqetësime për Eurozonën, ngadalësim në Kinë. Të gjitha këto sugjerojnë se do të jetë një rrugë të vështirë, por nuk do të thosha se këto sugjerojnë se recesioni është i pashmangshëm”, thotë Beth Ann Bovino.

Megjithë një përmirësim të parashikimit për Shtetet e Bashkuara – rritja e vlerës së dollarit ka të ngjarë të dëmtojë eksportuesit në vitin 2016 ndërsa ulja e çmimit të naftës pakëson investimet globale për energjinë. (voa)

Rritja e qelizave të trurit

Uni RajsTruri i njeriut është mekanizmi më kompleks i njohur në univers, por devijimet gjenetike, dëmtimet dhe sëmundjet mund të ndikojnë tek funksionet e tij. Hulumtimet e fundit kanë treguar se truri mund të gjenerojë qeliza të reja, të quajtura neurone. Aktivitetet normale të trurit rezultojnë nga lidhja e neuroneve së bashku në rrjete komplekse dhe, siç njofton nga Hjustoni korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus, studiuesit po përpiqen të kuptojnë më mirë se si ndodh kjo.

Duke përdorur mikroskopë dhe pajisje imazhi Amina Qutub mund të vëzhgojë qeliza të trurit në laborator dhe lidhjen mes tyre.

“Po shohim sesi qelizat që rigjenerojnë trurin formojnë rrjete aktive nervore.”

Qelizat e trurit lidhen me njëra tjetrën përmes sinjaleve kimike dhe elektrike dhe krijojnë një shumëllojshmëri proteinash që stimujojnë rritjen.

Ekipi i shkencëtares Qutub në Universitetin Rajs ndërthur fusha të tilla si biologjinë, inxhinierinë elektrike dhe nanoteknologjinë për të zbuluar misteret e funksionimit të trurit.

“Çdo qelizë këtu ndikohet nga të gjithë fqinjët e saj në mjedis. Pra, ne po testojmë se si një qelizë, kur bëhet një neuron elektrik aktiv, ndikohet nga qelizat përreth”. 

Në laborator ka një punim të artit abstrakt që është krijuar me imaxhet e rrjeteve të neuroneve duke treguar kompleksitetin e tyre të gjerë.

“Ato formojnë struktura shumë të bukura dhe komplekse. Struktura e rrjeteve të ndryshme diktohet nga funksioni që kryejnë. Po përpiqemi të kuptojmë si ndikojnë sinjalet kimike për krijimin e një strukture të caktuar dhe si kjo strukturë kimike gjeneron sinjalet elektrike që dalin nga neuronet aktive. ”

Studimi mbështetet pjesërisht nga Nisma Brain e presidentit Barack Obama prej 300 milionë dollarësh e cila është modeluar sipas Projektit Gjenomi Njerëzor.

“Kjo nismë mbështet në një farë mënyre studimin tonë. Është shkencë bazë, por hap një derë të madhe për të kuptuar më mirë trurin. ”

Si shumë njerëz në mbarë botën, Amina Qutub ka parë sesi një goditje në tru apo sëmundje si Alcajmeri mund të çrregullojnë funksionimin e trurit, prandaj ajo shpreson se ky studim do të çojë një ditë në trajtime më të mira.

“Ne po kuptojmë mekanizmin sesi këto qeliza mund të rriten përsëri dhe nga kjo mund të identifikojmë mjekime më të mira dhe të kemi objektiva më të qartë. ”

Tani për tani, ekipi është përqëndruar në ndërtimin e një modeli kompjuterik dinamik që mund t’i ndihmojë të analizojnë ndërlidhjen e mekanizmit më kompleks në botë. (voa)

Prova e suksesshme e SpaceX

SpaseXGjashtë muaj pasi një nga raketat e tij shpërtheu pak pas nisjes, programi SpaceX rifilloi dje operacionet me një lëshim dramatik të një rakete në mes të natës dhe uljen historike të një segmenti të saj.

Raketa Falcon u lëshua në ajër në Kepin Kanaveral të Stacionit të Forcës Ajrore në Florida, duke dërguar 11 satelitë të vegjël në orbitën pranë Tokës për firmën e komunikacioneve OrbComm.

Rreth dy minuta pasi nisi fluturimi, njëri segment i raketës u shkëput lehtësisht nga trupi i saj dhe filloi një ulje të kontrolluar në Tokë.

Ishte hera e parë që një raketë e lëshuar në orbitë, bënte një ulje të suksesshme të kontrolluar në Tokë.   (voa)

Ide për emrin e ri të Maqedonisë

shkupi

Siobhan O’Grady shkruan se pas më shumë se dy dekadash, Maqedonia po shkon drejt pranimit të idesë se emri i saj mund të ndryshojë. Kjo sipas O’Grady, vjen për shkak se kryeministri Gruevski nuk mund të vazhdojë më me politikën e tij nacionaliste pa kthim dhe sepse tashmë një pjesë e mirë e qëllimeve të tij është arritur. O’Grady bën edhe disa sugjerime se si mund të jetë emri i ri i Maqedonisë.

Prej 24 vitesh, thjesht ekzistenca e Republikës së Maqedonisë ka acaruar Greqinë, që pretendon se emri i fqinjës së saj ishte vjedhur nga provinca greke që kufizohet me Maqedoninë në jugun e saj. Dhe nuk është një sherr kalimtar: Grindja është pjesë e refuzimit të vazhdueshëm të Greqisë që nuk e lejon Maqedoninë të anëtarësohet në BE dhe NATO. Edhe OKB e përmend të këtë vend të vogël si Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Tani, pas gati një çerek shekulli grindjesh, kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski është i gatshëm të marrë në konsideratë ndryshimin e emrit. “Ne jemi gati të diskutojmë, të hapim bisedimet me ta, të gjejmë një zgjidhje”, i tha Gruevski gazetës Guardian. Maqedonia e zgjodhi emrin e saj pasi u shkëput nga ish-Jugosllavia më 1991.

Përveç emrit, Greqia ka shprehur shqetësimet e saj për prirjen e Maqedonisë në kopjimin e fqinjit jugor. Zyrtarët grekë pretendojnë që maqedonasit kanë vjedhur vazhdimisht një numër ikonash greke, përfshi përdorimin e simbolit të diellit në flamurin e tyre, dhe emërtimin e aeroportit të tyre kryesor me emrin e Aleksandërit të Madh. Megjithëse nuk është folur për ndryshimin e flamurit apo emrit të aeroportit, mundësia që Maqedonia mund të ndryshojë emrin e saj është arritje.

Të enjten, ministri i jashtëm i Maqedonisë Nikola Poposki do të vizitojë Athinën për një takim të rrallë me zyrtarët grekë. Përpara udhëtimit, ai i tha një gazete kryesore greke se “janë pjekur kushtet” për hapjen e bisedimeve për ndryshimin e emrit. Dhe Gruevski e bëri të qartë për Guardian se ai dëshiron të gjejë zgjidhje sa më shpejtë të jetë e mundur. “Nëse gjejmë një zgjidhje, ne duhet të organizojmë një referendum,” tha ai. Si do të jetë emri kjo mbetet e paqartë. Në një përpjekje për të lehtësuar procesin për Maqedoninë dhe Greqinë, Foreign Policy po jep disa sugjerime:

Toka e monumenteve gjigante të vjedhura

Greqia nuk është i vetmi vend ku Maqedonia kërkon frymëzim për simbolet e saj kulturore. Vërtet, mund të ketë një statujë gjigante të Aleksandrit të Madh në sheshin qendror, dhe aeroporti ashtu si shumë hotele mund të kenë emrin e tij. Por aty është një Hark Triumfi i vogël dhe një imitim i Portës së Brandenburg në qendër të qytetit.

Alexanderland

[Toka e Aleksandërit]

Ky është një emër vetëshpjegues, po jo shumë i rekomanduar. Tek e fundit, nëse Greqia është e zemëruar për aeroportin, si do të ndihej Athina nëse i gjithë vendi do të merrte emrin e tij?

Terezadonia

Nënë Tereza ka lindur në Shkup, madje në një rrugë afër qendrës së qytetit është një shënim, aty ku mendohet se ka qenë shtëpia e saj. Por ja problemi: ajo ishte me etni shqiptare, një identitet që maqedonasit nuk e vlerësojnë shpesh – edhe nëse personi në fjalë është në rrugën për shenjtërim. Plus, aeroporti kryesor i Shqipërisë mban emrin e Nënë Terezës. A mos është kjo kërkesë për një konflikt të ri?

Kalbovezogosllavia

Maqedonia është atdheu i një vullkani afër qytetit të Ohrit. Gjëja më e famshme e tij? I jep zonës përreth një kundërmim vezësh të kalbura.

E vështira

Një nga vallet më popullore të Maqedonisë, që tradicionalisht kërcehet nga burra, ajo quhet “teshkoto”. Në anglisht kjo përkthehet “e vështira”. Në Maqedoni, ajo simbolizon betejën që përjetojnë burrat kur largohen nga shtëpia për të fituar para.

Foreign Policy

“Reforma në drejtësi do të pastrojë sistemin nga ‘kanceri’ i korrupsionit”

donald-luAmbasadori amerikan në Tiranë e konsideron të domosdoshme reformën në drejtësi, si e vetmja mënyrë, e cila sipas tij do të bëjë të mundur pastrimin e sistemit nga ‘kanceri’ i korrupsionit.

Gjatë diskutimit në një tryezë që u mbajt sot mbi të drejtat e grave dhe reformën në drejtësi, ambasadori Donald Lu u shpreh se përmbushja e kësaj reforme do t’u rikthejë shqiptarëve besimin te drejtësia.

“Kjo reformë në drejtësi i jep Shqipërisë një mundësi, atë të pastrimit të drejtësisë nga kanceri i korrupsionit dhe për t’u rikthyer shqiptarëve besimin se ata mund të marrin drejtësi”, tha Lu.

Diplomati amerikan tha se drejtësia blihet si mall nga politikanët dhe të pasurit, ndërsa viktima bëhen të varfrit. Ai shtoi se shpesh viktima janë vetë gratë, të cilat nuk marrin drejtësinë e merituar, sepsa “gjyqtarit të korruptuar i duhet para për të financuar vilën”.

“Fakti pse më intereson kaq shumë reforma në drejtësi dhe sidomos për të drejtat e grave i referohet një rasti në Shqipëri. Bëhet fjalë për një grua të dhunuar nga burri, e cila pas vuajtjeve iu drejtua gjykatës për t’u larguar nga i shoqi e për të mbrojtur fëmijët. Por në gjykatë u përball me më shumë vuajtje. Gjykata vendosi që burrit, një kriminel që dhunonte gruan, t’i linte pasurinë dhe kujdestarinë e fëmijëve. Kjo ndodhi vetëm për shkak të korrupsionit. Në një sistem të korruptuar, viktimat janë gratë, politikanët dhe të pasurit që e blejnë drejtësinë. Dhe të varfrit janë viktima”, tha Lu gjat fjalës së tij në tryezën me temë “Reforma në drejtësi dhe të drejtat e grave”.

 / Shekulli Online /