All posts by V.F.

Kina bën gati miliarda dollarë për Europën Lindore

Shefi i qeverisë kineze Li Keqiang do të zhvillojë një samit me 16 homologë nga Europa Lindore e Juglindore. Për shkak se ai sjell para për investime, shtetet rrinë në rradhë për projektin “Rruga e re e mëndafshit’.Në të ashtuquajturin Samiti 16+1 të shefit të qeverisë kineze Li Keqiang me 16 homologë të tij nga Europa Lindore dhe Juglindore të gjithë presin investime të mëdha nga Pekini. Para takimit të nivelit të lartë Serbia do të inaugurojë urën mbi Danub, ndërtimi i së cilës është financuar nga Kina.
Si pjesë e strategjisë së re të Kinës, për tu angazhuar më shumë jashtë vendit dhe për të hapur tregje të reja, udhëheqja në Pekin ka bërë gati një kredi prej 10 miliardë dollarësh për rajonin. Europa Lindore mund të përfitojë. Sepse qëllimi afatgjatë i Kinës është të vendosë lidhje tokësore dhe detare me Europën. Prandaj në qendër të interesave janë portet, rrugët, hekurudhat, telekomunikacioni dhe centralet e energjisë.
Investimet në Ballkan

Një nga pikat e rëndësishme për Kinën është Serbia, ku deri tani janë investuar më shumë se dy miliardë euro. Gjatë Samitit do të diskutohet për një projekt tjetër të madh: modernizimin e lidhjes hekurudhore mes Beogradit dhe Budapestit. Kostoja është 1,5 miliardë euro.
Parlamenti i Malit të Zi së fundmi i ka dhënë dritën jeshile ndërtimit të pjesës së parë të autostradës për në veri. Banka kineze Exim Bank ka gati një kredi rreth 690 milionë eurosh për këtë. Në Maqedoni firmat kineze janë duke ndërtuar që prej fillimit të vitit një autostradë mes Kërçovës dhe Ohrit, me një kosto prej 175 milionë euro. “Investimi më i madh në infrastrukturë në 50 vitet e fundit”, thotë shefi i qeverisë Nikola Gruevski.
Për të gjitha këto projekte përdoren para të marra me kredi në bankat kineze dhe punimet kryhen gjithashtu nga firma kineze. Kompanitë vendase mund të marrin një copëz të vogël vetëm si nënkontraktuese. Megjithatë paratë e ardhura nga Pekini janë të mirëpritura, sepse në pjesën më të madhe të këtyre vendeve ka vite që nuk investohet në infrastrukturë. Shumë shtete nuk janë të zhvilluar ekonomikisht dhe nuk mund t’i përballojnë me shpenzimet e tyre. Dhe paratë për shembull nga Banka Botërore, BE, apo SHBA, vijnë si me pikatore.

Diplomacia europiane e shqetësuar

Diplomatët europianë në Pekin e shohin me kritika këtë samit të Kinës. “Përçaj dhe sundo”, e përshkruan një diplomat i lartë planin e Kinës për të ndihmuar me kredi vendet e BE. Li Keqiang do të pritet në Beograd si “Perandori i Kinës”, thotë ai më tej. Dokumenti final i Samitit do të prezantohet nga Kina dhe pjesëmarrësit e tjerë nuk mund ta ndryshojnë. Në këtë mënyrë Pekini mund të largojë nga pozicionimi i tyre europian disa vende të vogla anëtare të BE dhe në këtë mënyrë BE të mund të ndahet, ankohet diplomati. (dw)

Lëvizja VETËVENDOSJE! në konferencën për shtyp mbajtur më 10 dhjetor 2014

Dje u votua Kabineti Qeveritar pa folur asnjëri prej ministrave, pa folur Isa Mustafa për asnjërin prej tyre, përveçse ua tha emrat, dhe pa folur deputetët se çfarë mendojnë për ta. Në fakt i vetmi ministër për të cilin Mustafa foli më gjatë se sa emri dhe mbiemri i tij, ishte Aleksandër Jabllanoviçi, për të cilin tha se më nuk është deputet në Kuvendin e Republikës së Serbisë.Në vazhdimin e djeshëm të seancës së nisur më 8 dhjetor, nuk na u dha fjala. Edhe pse dje ishim në rrethana tjera prej atyre të 8 dhjetorit. Ndërmjet ndërprerjes së seancës së të hënës dhe vazhdimit të saj të martën, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa i kishin pranuar kushtet e Beogradit dhe e kishin bekimin e qeverisë së Serbisë për ta krijuar qeverinë e tyre. Isa Mustafa asnjëherë nuk foli për kushtet e pranuara. Siç është raportuar ato janë:
1. Të formohet asociacioni i komunave me shumicë serbe prej 3 deri në 5 muaj nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje – Ky asociacion, është e tepërt mbase të thuhet, që do ta bosnjëzojë Kosovën, për shkak se territorialisht dhe institucionalisht do ta ndajë atë në vija etnike, ndërkohë që njëri prej ministrave, i cili është votuar dje të jetë zv kryeministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ka qenë njëkohësisht edhe personi kryesor që e ka shkruar statutin e këtij asociacioni dhe për të cilin ai ka deklaruar publikisht se është bazuar në vendet apo në rajonet që e kanë autonominë më të gjerë për sa i përket veprimeve të tyre në fushën ekonomike, politike, sociale etj.
2. Tretman të veçantë gjatë procesit të privatizimit në valët e ardhshme në komunat me shumicë serbe – Janë marrë vesh që komunat me shumicë serbe të kenë tretman të veçantë sa i përket procesit të privatizimit. Kjo pra po e dëshmon se çka ka me qenë asociacioni. Njëherë i është ndarë një buxhet i veçantë atij, ndërsa tash do të ketë edhe aplikim të ndryshëm të rregullave dhe ligjeve që aplikohen në tërë atë pjesë të Kosovës dhe në këtë veçanti të asociacionit, natyrisht që kontrollin kryesor do ta ketë pushteti ekzekutiv I këtij asociacioni, derisa institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të kenë kurrfarë pushteti.
3. Kthimin e të zhvendosurve serbë dhe jo shqiptarë me garancion të sigurisë nga ana e Qeverisë dhe e Kryeministrit – Dhe, kjo asnjëherë nuk është bërë publike se për çfarë kthimi po flasin. Pra, ku do të kthehen dhe sa serbë do të kthehen në Kosovë. Ju e dini që numri I serbëve, të cilin pretendon Serbia ta kenë lëshuar Kosovën menjëherë pas luftës së vitit 1999, është shumë më I madh se sa realisht numri I tyre. Në këtë mënyrë po I mundësohet Serbisë që ta ushtrojë edhe një proces të rikolonizimit ndaj Kosovës. Dhe, askund nuk përmendet kthimi I shqiptarëve në pronat e tyre në veri të cilët që prej vitit 1999, veçanërisht prej vitit 2000, asnjëherë nuk kanë mundur t’i shfrytëzojnë pronat e tyre.
4. Kthimi dhe mbrojtja e pronës së uzurpuar – Dhe këtu veçanërisht është vënë në spikamë prona e Kishës Ortodokse, e cila njëherë është uzurpuar si kishë nga Serbia, janë uzurpuar objektet e kultit ortodoks, dhe tash këtyre objekteve po synojnë t’ia kthejnë edhe pronën, duke e kthyer kështu Kosovën në një fazë të paramodernitetit.
5. Po ashtu, marrëveshja me serbët parasheh që Prishtina zyrtare menjëherë të nisë procedurat për krijimin e kushteve për zyrtarizimin e linjës direkte ajrore Prishtinë-Beograd, si dhe nisjen e një hekurudhe që lidh Kosovën me Serbinë – Kështu iu mundësohet avio-kompanive serbe që ta shfrytëzojnë aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, dhe këtë pa e sqaruar asnjëherë nëse ata do ta njohin këtë si aeroport ndërkombëtar të Prishtinës apo do ta njohin si një prej aeroporteve të Serbisë, siç është pretendimi i shtetit të Serbisë.
6. Serbët kishin kërkuar po ashtu që të futen në marrëveshje edhe çështja e emërimit të përfaqësuesit të Listës si nëndrejtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe një tjetri si zëvendëskomandant të FSK-së. Këto kushte Mustafa ka thënë se janë çështje që duhet të rregullohen së shpejti me ligj dhe ua ka premtuar kur të ndryshojnë ligjet përkatëse – Iu është premtuar që do të bëhen ndryshimet ligjore të cilat do ta mundësojnë që nëndrejtori i AKI-së të jetë përfaqësues i Listës Srpska dhe në anën tjetër edhe zëvendëskomandanti i FSK-së të jetë po ashtu nga Lista Srpska dhe kështu në dy institucionet më të rëndësishme në Kosovë Serbia do t’i fusë edhe personat e vetë, pra që të jenë në nivelin e lartë komandues

Në seancën e së hënës, në fjalimet tona, ne i kishim parashtruar një sërë pyetjesh për kryeministrin, atëbotë të nominuar. Asnjëherë nuk u përgjigj në këto pyetje. Unë i kam përzgjedhur t’i përsëris vetëm 5 prej tyre:

– Isa Mustafa asnjëherë nuk deklaroi nëse, për ta mbështetur financiarisht ekspozenë e tij superambicioze, do t’i fus duart edhe në Fondin e kursimeve pensionale?
– A do ta ndryshojë buxhetin tashmë të përpiluar nga Hashim Thaçi apo do ta përdorë të njëjtin, dhe si do të lidhet ky buxhet me premtimet e tij?
– A ka bërë përllogaritje se sa do të jetë kostoja buxhetore e shkurtimeve tatimore dhe cilat tatime saktësisht ka menduar t’i ulë, pse ka menduar t’i ulë ato dhe për sa përqind?
– A do t’i gllabërojnë si qeveri edhe pozitat në agjencitë e pavarura të themeluara nga Kuvendi siç e kanë thënë në pikën 8 të marrëveshjes PDK-LDK?
– A do të vazhdojë me kufizimin e lirisë së mendimit dhe të veprimit për deputetët e LDK-së, siç janë marrë vesh me PDK-në për t’ia nënshtruar deputetët plotësisht qeverisë?

Fjala e kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurtit, në konferencën për shtyp mbajtur më 10 dhjetor 2014

Qeverisë së formuar dje, pra me 9 dhjetor, i parapriu marrëveshja e krerëve të PDK-së e LDK-së me kreun e Listës serbe. Prandaj, kjo qeveri është qeveri e përbashkët e Prishtinës me Beogradin. Kushteve të VETËVENDOSJE!-s për të mirën e Kosovës dhe për një kurs të ri të shtetit Isa Mustafa, ju rezistoi plot tre muaj deri me datën 10 shtator 2014. Kushtet e Listës Serbe, përkatësisht të Beogradit, Mustafa e Thaçi i pranuan brenda natës.

Përmbajtja e marrëveshjes me Listën Serbe tregon qartë synimin për federalizimin e Kosovës, duke e ndarë sistemin e saj politik, duke krijuar paritet në çdo udhëheqje institucionale, dhe duke e formuar me shpejtësi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Bosnja dhe Hercegovina është një shtet që nuk është Republikë, por brenda e ka Republikën serbe që nuk është shtet. Republika e Kosovës po bëhet një jo-shtet i cili do ta ketë brenda shtetin e Serbisë ende të pa shpallur republikë. Gati shtatë vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës po kthehemi ne gjendjen që e parashihte formula e Serbisë për Kosovën, “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”.

Po ashtu, thanë që në koalicion u bënë bashkë dy parti të djathta në mënyrë krejt të natyrshme. Mirëpo të djathtit në Kosovë u bashkuan për t’iu nënshtruar të djathtëve shovinistë e anti-shqiptarë në Serbi. Të djathtit që thanë se u bashkuan natyrshëm, njësoj, pra natyrshëm, po ju nënshtrohen të djathtëve më të fuqishëm në Serbi, tamam sikurse në natyrë ku fuqia është ligji. Nga këta të djathtë që u bashkuan në Kosovë mund të presim vetëm ndarje të mëtutjeshme të Kosovës e varfërim të mëtutjeshëm të popullit të saj. Atyre qysh në fillim më shumë po ua sheh hairin Beogradi se sa Kosova.

Në ekspozeun e tij, Mustafa nuk e përmendi as premtimin e PDK-së për 200 000 vende të punës, e as për premtimin e LDK-së për 120 000 vende të punës. Kjo qeveri që rehaton militantët partiakë paraqet jo vetëm problem politik për Kosovën, por edhe problem socio-ekonomik për shoqërinë. Teksa premtimet e tyre për zhvillim ekonomik e vende pune janë fjalë pa realitet, nga realiteti kosovar po ikin mijëra të rinj, dhe pamjet e autobusëve që nisen drejt Serbisë për në Hungari, s’duan shumë fjalë.

Tash kur shënohet dita ndërkombëtare kundër korrupsionit, ne iu bëjmë thirrje politikanëve e diplomatëve ndërkombëtarë që të mos flasin më kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë përderisa mirëpresin këtë qeveri, përderisa mirëpresin këtë koalicion të korruptuarve në qeverisje si dhe instalimin e kreut të nëntokës në krye të Kuvendit.
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Shfarosni shqiptarët! Ja platformat e fqinjëve…

Sot jemi fqinjë dhe në marrëdhënie të mira bilaterale, madje në angazhime të përbashkëta në forume ndërkombëtare, por s’duhet të harrojmë kurrë se në 200-vitet e fundit, na kanë vrarë, prerë, varur, e përdhunuar sistematikisht. Këta janë serbët dhe grekët fqinjë, por edhe italianët e turqit. E megjithatë, shqiptarët kanë mbijetuar dhe ky është shërbimi më i madh që fati i ka bërë këtij kombi të vogël me destin heroik…Spastrimet dhe dëbimet e fqinjëve ballkanikë ndaj shqiptarëve datojnë prej 200-vitesh, por edhe më parë prej turqve dhe numërojnë si ideatorë të tyre deri mendimtarë me reputacion, shpesh politikanë, diplomatë, shkrimtarë, rëndom ushtarakë dhe të tjerë. Protagonistët më të mëdhenj të spastrimit ndaj shqiptarëve në 200-vitet e fundit janë serbët, malazezët dhe pa asnjë dyshim grekët. Sot, mund të jemi në marrëdhënie të mira dhe shpresojmë që këto të ruhen dhe në të ardhmen, por fëmijëve në shkolla, apo të rinjve të sotëm dhe shumë pseudove duhet t’ua kujtojmë historinë e dhimbshme. Kjo histori nuk bëhet, siç pretendohet sot në botën e globalizmit me fshirjen e teksteve në shkolla, por me shkrimin e sinqertë të gjërave që kanë ndodhur dhe që varen ende pezull sot mes nesh. Ndoshta kjo i bëri serbët, pak javë më parë, që të derdhin aq inat në stadium kundër një vendi që se kanë fare në kufi, apo që i bën grekët sot e kësaj dite të mos e njohin realitetin çam.
Janë një sërë platformash, idesh dhe memorandumesh, që kanë kryer ndër dekada funksionarë të lartë serbë, malazezë, grekë, përmes mbretërve të tyre, ushtarakëve, kryeministrave dhe ministrave, duke kërkuar që ta shfarosin krejt Shqipërinë. Të mendosh se në emrat e njohur janë deri në familjet e njohura dinastike ballkanike, por edhe shkrimtarë nobelistë, atëherë drithërohesh. Janë ideatorë të kombeve të tyre por duke menduar shfarosjen e kombi tonë që e quanin rëndom si të panevojshëm, apo që në një të ardhme mund të bënin deri ekspansion biologjik në gadishull, si referojnë rëndom për shqiptarët. Sot, historia është kthyer përmbys, por për fat në anën e mirë, pasi kosovarët populli më martir i Gadishullit, ka shtetin e vet dhe madje dhe një shtet amë në kufi, kurse grekët jo larg në kohë do të përballen realisht me problemin e Çamërisë. Kurse serbët janë rrudhur deri në absurd. E Drejta mund të vonojë por nuk mund të harrojë kurrë. Koha e provoi këtë dhe Shqipëria është jo vetëm faktor në Ballkan, por edhe një nga elementët më të rëndësishëm të qetësisë dhe ekzistencës së këtij gadishulli. Po shpalosim disa nga këto momente, kur shqiptarët janë parë si elementë të denjë për t’i përzënë nga shtëpitë e tyre, thjesht për interesat e pastra hegjemoniste greke, serbe, malazeze etj.

“Naçertanija” e Ilija Grashaninit,
ministër dhe ideolog
Propozimin për këtë platformë, Ilia Grashaninit ia sugjeroi pansllavisti çek Frantishek A. Zach (1807-1892), prej Moravisë, atëkohë pjesë e Perandorisë Austriake. Zach përfaqësonte organizatën e emigrantëve polakë, të themeluar prej princit Adam Czartorysky. Qëllimi është i qartë, Zahu që e njeh mirë Beogradin u sugjeron autoriteteve serbe të qëndrojnë larg ndikimit rus. Ilia Grashanini ishte funksionar i Strukturave të Brendshme të Serbisë. Personazh i shekullit të XIX (1812-1874), ai u bë figurë kryesore e regjimit konstitucional si edhe ideatori i ithtarëve të zgjerimit të shtetit të Serbisë. Ai mbahet si themeluesi i bazave të politikës serbo-madhe të bashkimit. Garashanini, platformën e tij të sintetizuar e paraqiti në dokumentin sekret të cilin e quajti “Naçertanie” (1844) që përkthehet Projekt, d.m.th. Plan. Në fakt, besohet se projekti themelor ishte kryekreje memorandumi i Zahut, që e mendonte Serbinë e re si vazhduese të perandorisë mesjetare të Stefan Dushanit (1308-1355). Nostalgji e perandorisë së dikurshme të Nemanjëve, që në shekujt e Mesjetës e shkatërruan Turqit. Garashanin ishte personi i duhur dhe ai menjëherë argumentoi pse duhet “ta përqafojnë të gjithë popujt serbë që e rrethojnë atë”. Sach mendonte se Serbët duhet të ishin ideatorët dhe udhëheqësit e një formacioni të Sllavëve të Jugut “ajo nuk kufizohet në kufijtë e saj të sotëm, por synon t’i përqafojë të gjithë popujt serbë që e rrethojnë”. Sipas “Naçertanies” së Garashaninit, pjesë e shtetit të madh serb do të ishte edhe Shqipëria Veriore. Për programin e tij, Garashanini parashikoi organizimin e një shërbimi sekret dhe një sistemi të zhvilluar propagandistik. Platforma e Naçertanies, me synimet e saj pushtuese në Ballkan, nënkuptonte edhe shtrirjen në territoret shqiptare. Që atëherë, populli serb, për sllavët, është popull hyjnor dhe popull historik.
Sipas tij:- boshnjakët janë serbë të fesë islame, d.m.th. serbë të myslimanizuar; gjuha që flasin ata është serbishtja;
- malazeztë janë serbë, si për nga gjuha, ashtu edhe për nga feja;
- Maqedonia është Serbi Jugore;
- kroatët ndërkaq, janë serbë të fesë katolike dhe gjuha që flasin ata është serbishtja.
Shqiptarët konsiderohen si mbetje turke në Ballkan.
Naçertania u realizua në një pjesë të konsiderueshme gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912) kur Serbia, në bazë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-13) aneksoi Kosovën dhe viset e tjera lindore të Shqipërisë me një politikë shkombëtarizuese.

Vaso Çubriloviç: “Dëbimi
i shqiptarëve” (1937)
Akademik serb
Ai që e vazhdoi politikën e “Naçertanies” ishte Vasa Çubriloviçi (1897-1990). Në memorandumin e tij “Iseljavanje Arnauta” (Dëbimi i shqiptarëve), që ai e hartoi për qeverinë e Stojadinoviçit (Milan Stojadinoviç (Çaçak, Serbi 1888 – Buenos Aires, 1961); jurist dhe ekonomist, kryeministër i Mbretërisë së Jugosllavisë në vitet 1935-1939), ai propozoi metodat, por edhe mënyrat e zgjidhjes së “problemit shqiptar”. Vaso ose Vasa ka qenë akademik në fushën e Historisë dhe në të ritë e veta ishte një nga organizatorët e atentatit në Sarajevë ndaj trashëgimtarit të fronit austro-hungarez Franc Ferdinandit. Memorandumi i vet flet në mënyrë të detajuar për serbizimin e Kosovës dhe flet pa mëshirë për qeverinë e vet, që s’mundi ta kolonizojë këtë hapësire pas Luftës së Parë Botërore. Memorandumi iu dorëzua më 7 mars 1937 qeverisë së Milan Stojadinoviçit dhe ka deri dëbim fizik të shqiptarëve prej Kosove për në Turqi dhe në Shqipëri. Është pastrimi i parë etnik i detajuar i serbëve. Për këtë citon, nacionalistin tjetër Jovan Cvijiç, që thoshte se: Shqiptarët janë raca më ekspansive në Ballkan, ish-rektorin e Universitetit të Beogradit dhe kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe të Shkencave.
Ja çfarë thuhet në memorandum në preambulën e vet: “Problemi i shqiptarëve në jetën tonë kombëtare dhe shtetërore nuk ka lindur dje. Ai ka luajtur një rol të madh në jetën tonë në periudhën e mesjetës, por një vend tejet të rëndësishëm ka zënë nga fundi të shekullit XVII, kur popullata serbe, prej trojeve që dikur kanë qenë vatra luftërash, shpërngulet drejt veriut dhe në vend të tyre vijnë malësorët shqiptarë. Dalëngadalë, prej kodrave të tyre ata vendosen në luginat pjellore të Metohisë dhe të Kosovës dhe duke depërtuar drejt veriut, shtrihen në drejtim të Moravës perëndimore dhe jugore; nëpër Malin Sharr bien në Pollog dhe që andej drejt Vardarit. Deri në shekullin XIX është krijuar në këtë mënyrë trekëndëshi shqiptar, pykë e cila, në saje të mbështetjes etnike të vijës Dobar-Rogoznë është ngulur thellë në trojet tona dhe ka arritur deri në Nish, duke i ndarë trojet tona të vjetra të Rashkës nga Maqedonia dhe nga lugina e Vardarit….Këtë pykë shqiptare, Serbia filloi ta krasitë që nga kryengritja e parë duke e dëbuar popullsinë shqiptare të viseve më veriore, që nga Jagodina”

Ivo Andriç: Spastrimi i shqiptarëve
Nobelisti i letërsisë dhe diplomati i njohur ka përgatitur një dokument që e botoi në Beograd,
më 30 janar 1939
Ndarja e Shqipërisë
Me rastin e vlerësimit të tërë kësaj çështjeje, duhet të kemi parasysh se në çdo mënyrë duhet të shikojmë që t’i shmangemi çdo konflikti qoftë të fshehtë qoftë të hapët me Italinë. Gjithashtu duhet ta evitojmë pushtimin e tërë Shqipërisë nga ana e Italisë se në këtë mënyrë do të na rrezikonte në vendet më të ndjeshme – në Bokë të Kotorrit dhe në Kosovë. Duke marrë parasysh të gjitha këto që thamë më sipër, ndarja e Shqipëisë do të mund të vinte në konsiderim për ne vetëm si një e keqe e domosdoshme dhe e paevitueshme, të cilës nuk do të mund t’i bënim ballë, dhe si një dëm i madh nga i cili duhet të nxjerrim aq dobi sa është e mundshme, do të thotë nga dy të këqija duhet ta zgjedhim atë që është më e vogël.
Kompensimet tona
Këto kompensime gjenden në materialin e përpunuar para 20 vjetësh, kur shtrohej çështja e ndarjes së Shqipërisë. Maksimumi që kemi kërkuar në atë kohë ishte kufiri që do të shtrihej buzë Matit e Drinit të Zi dhe që do të na jepte sigurinë strategjike të Malit të Zi dhe të Kosovës. Gjithashtu duhet t’i sigurojë luginat e liqenet të Ohrit dhe të Prespës, duke përfshirë Pogradecin dhe fshatrat sllave të Malit të Thatë, si dhe ato midis Prespës e Korçës. Marrja e Shkodrës, në këtë rast, do të kishte rëndësi të madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte zhvillimin e punimeve të mëdha hidroteknike dhe përfitimin e tokës pjellore për ushqimin e Malit të Zi. Shqipëria Veriore, në kuadrin e Jugosllavisë, do të mundësonte krijimin e lidhjeve të reja të komunikacionit të Serbisë Veriore e Jugore me Adriatikun.
Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për minoritetin shqiptar në Kosovë, i cili, në një situatë të re, do të asimilohej më lehtë. Ne, eventualisht, do të kishim edhe 200 000 deri 300 000 mijë shqiptarë më tepër, por këta janë, të shumtën, katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë nuk kanë qenë kurrë të mira. Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi gjithashtu do të bëhej në rrethana të reja, sepse nuk do të ekzistonte kurrfarë aksioni më i fortë për pengimin e saj. (Pjesa e marrë nga libri i Hivzi Sulejmanit)

Dobrica Çosiç: Shqiptarët, barrë për Ballkanin
Shkrimtar
Shkrimtari i njohur serb Dobrica Çosiç u nda vetëm pak kohë më parë nga jeta. Ai mbahet si babai i popullit serb dhe megjithëse ka qenë dhe disident ndaj Titos, kur ishte puna ndaj shqiptarëve, mbahet si një nga mbështetësit e politikës së Rankoviçit, ministrit të brendshëm famëkeq në kohën e Titos. Si akademik dhe shkrimtar ka qenë një nga njerëzit që ka hartuar shpesh ide kombëtare dhe ka pasur polemika me shumë njerëz. Çosiç i ka quajtur shqiptarët si barrë barbare e Ballkanit, ndërkaq thuhet se është pajtuar me idetë për Serbinë e madhe dhe ka folur se si pjesë të Kroacisë e Bosnjës duhet t’i kthehen Serbisë. Megjithatë, pak muaj më parë i konfesoi revistës “Nedeljnik”, në moshën 93 vjeçare, se Kosova humbi dhe apeloi te gjeneratat e reja të mos harxhojnë energji pasi këtë çështje e ka zgjidhur historia kundër ideve të tyre.

Sllobodan Millosheviçi: Spastrimi final
Politikan dhe President i Serbisë
Lëvizja për pavarësinë e Kosovës mori hov në mesin e viteve ’80, por Serbët ishin kundër autonomisë dhe më 1987 Sllobodan Milosheviç, që po ngjiste atëkohë hierarkinë pushtetare serbe u zgjodh udhëheqës i Partisë Komuniste Serbe me premtimin për rikthimin e sundimit Serb në Kosovë. Më 1989, Millosheviçi u bë Presidenti i Serbisë dhe menjëherë ndërhyri në Kosovë, duke e ulur fare autonominë më 1990, nëpërmjet dërgimit të trupave ushtarake që rrëzuan qeverinë kosovare. Por llogaritë ishin bërë gabim pasi kjo politikë e përcolli Federatën Jugosllave drejt shkatërrimit më 1991, dhe më 1992, kurse Kosova pak vite më parë do të shpallte shtetin e saj.. Epilogu ishte se Millosheviçi, që mendonte t’i jepte fund problemit shqiptar përfundoi në Gjykatën e Hagës dhe vdiq pa iu mbyllur procesi i krimeve ndaj njerëzimit, që i rëndonte mbi supe. Ai bëri një shpërngulje gati biblike të shqiptarëve në fund të viteve ’90 nga më famëkëqet e shekullit të shkuar.

Greqia
Nga viti 1913-1922, kohë në të cilën Shqipëria përjetoi shumë peripeci, Greqia vazhdoi të bënte sistematikisht pastrimin etnik të shqiptareve. Greqia përzuri nga trojet shqiptare mbi 80 mijë shqiptarë, ku një pjesë i dërgoi në Turqi, e të tjerët i shpërndau nëpër ishujt e vdekjes.

“Protokoll i Korfuzit”
Është një dokument që përcakton kufijtë e Vorio-Epirit, ku koncepti i Vorio-Epirit shtrihej deri në Durrës, pasi Epidamusi i lashtë ishte koloni greke! Të tjerët e çonin këtë kufi deri në Shkumbin. “Protokolli” përcaktonte si Vorio-Epir krahinat e Korçës, Gjirokastrës, Sarandës e Himarës.

Ligji i Luftës
Historia e Ligjit të Luftës fillon më 10 nëntor 1940 kur u shpall dekreti mbretëror grek-ligji 2636 mbi gjendjen e luftës së Greqisë me Italinë e Shqipërinë. Pas pushtimit nga Gjermania, qeveria kuislinge e Greqisë e kryeministrit Jorgos Xolagoklus e hoqi Ligjin e Luftës. Por pas përfundimit të luftës, qeveria e sapo formuar në vitin 1945 e rikthen atë duke i rishpallur luftë përsëri Shqipërisë me një dekret të ri me numër 13. Më 28 gusht 1987 Qeveria e Andreas Papandreu, i pranishëm dhe Karolos Papulias, heq Ligjin luftënxitëse mes Greqisë e Shqipërisë.

Masakra e Zervës, gjeneralit grek mbi çamët
Gjenerali kolaboracionist Napolan Zerva, në pragvdekjen e tij, tha: “Vdes i qetë se bëra atë që doja. Pas lashë rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadhë; ulurima fëmijësh, nuse dhe gra nudo, që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin më shqiptarë… burra të varur, shpuar me bajonetë, gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo me kënaq mua, ashtu siç kënaq tërë shpirtrat helene!”. Më 1944 Zerva dhe gjeneralët e tjerë kishin marrë urdhër që popullsia çame prej 30-35 mijë banorësh ta asgjësonin krejt. Paradoksi ishte se Aleatët mbyllën sytë, ose si shprehej koloneli Kris Voodhanse, shef i misionit ushtarak aleat, kur deklaronte: “Me inkurajimin e misionit ushtarak aleat, që unë drejtoja, Zerva i dëboi çamët nga shtëpitë e tyre!”. Genocidi nisi me 27 qershor l944. Ushtarët e Zervës rrënonin gjithçka që gjenin përpara dhe rrafshuan mbi 5800 shtëpi në 68 fshatra dhe qindra mijëra çamë u vranë dhe pronarët u bastisën krejtësisht…

Konferenca e Paqes (1946)
Në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946 Greqia kërkoi ndryshimin e kufirit me Shqipërinë duke kërkuar jugun shqiptar. Më 1949 ushtria e Greqisë afroi forcat e saja në kufi për të hyrë në Shqipëri. Më 1968 marrëdhëniet midis Tiranës dhe Athinës arritën deri në një luftë të hapur pas pretendimeve greke për aneksimin e jugut të Shqipërisë.

Agresioni grek i 2 gushtit 1949 në Jug
Më 2 gusht 1949, territori jugor shqiptar në juglindje me bazë rajonin e Korçës, por edhe deri në Konispol të Sarandës në Likojan, u bë objekt sulmi ushtarak prej Greqisë. Nuk ishte provokacion siç u cilësua nga shteti shqiptar në vitin 1949, por sulm ushtarak grek kundër vendit tonë. U shpërnguën me qindra familje shqiptare për t’i shpëtuar këtij agresioni të paprecedent. Greqia vërsuli drejt Shqipërisë mbi 70 mijë forca të armatosura, mbi 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 gjuajtës, kryesisht topa, shteti shqiptar mobilizoi dhe futi në luftën mbrojtëse 10 mijë ushtarë, ndërkohë që po mbante në gatishmëri edhe 30 mijë trupa të tjerë pranë zonës së sulmuar.

Italia – Aneksimi i Shqipërisë
Më 7 Prill 1939 Italia e pushtoi Shqipërinë,ndërsa vendi ra krejtësisht nën perandorinë italiane. Njeriu më i rëndëssihëm i vendit ishte Lejtnanti i Përgjithshëm i Madhërisë së Tij Mbretit Perandor në Shqipëri (Luogotenente Generale di S.M. il Re Imperatore in Albania) i atashuar qeverisë së Tiranës. Ky post iu dha ish të dërguarit Françesko Jakomoni i San Marinos, të cilit i raportonte një personel prej 120-140 vetësh. Autoriteteve shqiptare nuk u lejohej të shpallnin akte ligjore ose të merrnin vendime të rëndësishme pa aprovimin e tij. Shtypi shqiptar kontrollohej nga Piero Parini, i cili gëzonte një status të veçantë në strukturat e aparatit pushtues. Gjatë viteve 1940-1942 ato numëronin 100.000-150.000 vetë. Deri në nëntor 1949 ato ishin nën komandën e Kryekomandantit të Forcave të Armatosura në Shqipëri, gjeneralit Sebastiano Viskonti Praska. Aty u vendos përkohësisht edhe misioni ushtarak i gjeneralit Manlio Gabrieli. Më vonë në Shqipëri u vendos komanda e forcave që pushtuan Greqinë. Qeveria kolaboracioniste në Tiranë drejtohej nga Shefqet bej Vërlaci, feudalist dhe pronar i madh tokash i cili kishte qenë rival i Zogut për shumë vjet. (Ben Andoni)

Associated Press: Në Serbi po ringjallet Millosheviçi

Agjencia e lajmeve “Associated Press” shkruan se ka shqetësime se Serbia po i “kthehet sundimit të hekurt të nacionalizmit”. “Gjuha e urrejtjes është në rritje. Propaganda anti-perëndimore mbush valët ajrore. Gazetarët liberalë hiqen nga puna. Nacionalistët flasin për ripërcaktim kufijsh në Ballkan. Vrasjet në stilin e mafias, diçka me të cilën njihen vitet e pushtetit të Sllobodan Milosheviçit, po rikthehen. Derisa Rusia dhe Perëndimi përplasen për Ukrainën, Serbia po hyn vendosmërisht në kampin e mentorit të saj tradicional – Moskës, madje edhe në kohën kur po përpiqet të avancojë rastin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

AP vlerëson se Serbia, “stabiliteti i së cilës është jetësor për paqe në Ballkanin e brishtë, po vëlon qëkur tensionet etnike dhe sociale shpërthyen” pas ndeshjes në futboll ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të Futbollit më 2016. Loja u pezullua në minutat e fundit të pjesës së parë, për shkak të tensioneve në stadiumin e Beogradit.

“Retorika e zhurmshme dhe në rritje e nacionalistëve serbë, e toleruar, në mos e trimëruar nga qeveria, ka nxitur te shumëkush dyshimet për kthimin e politikave të njohura të Millosheviçit, me gjithë qëndrimin pro-BE të proklamuar nga qeveria aktuale e djathtë, e udhëhequr nga kryeministri Aleksandër Vuçiç

Rusia anulon projektin e gazsjellësit jugor

Presidenti rus Vladimir Putin tha se Moska do të anulojë ndërtimin e gazsjellësit duke fajësuar Bashkimin Evropian.Gazpromi rus anuloi projektin e ndërtimit të gazsjellësit jugor për furnizimin me gaz të Evropës jugore, një rrjedhojë e qartë e përplasjeve ndërmjet Moskës dhe perëndimit rreth zhvillimeve në Ukrainë.

“Projekti është mbyllur. Kaq”, u tha gazetarëve shefi ekzekutiv i Gazpromit Alexei Miller

Njoftimi pasoi deklaratën e presidentin rus Vladimir Putin,i cili tha të hënën se Moska do të heqë dorë nga ndërtimi i gazsjellësit nëse Bashkimi Evropian është kundër tij.

Presidenti rus duke folur në Ankara, pas takimit me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, tha se në vend të gazsjellësit “Rrjedha e jugut”, Rusia dhe Turqia mund të ndërtojnë një qendër të gazit për Evropën Jugore.

Gazsjellësi 40 miliardë dollarësh, është dashur të kalojë nëpër Detin e Zi në Bullgari dhe më tej në Greqi dhe Itali, ashtu si edhe në Serbi, Hungari dhe Austri. Por, Putin tha se ai nuk mund të ndërtohet për shkak të kundërshtimit të qeverisë bullgare.

Fuqitë perëndimore i vunë sanksione ekonomike Rusisë për shkak të konfliktit në Ukrainë dhe Evropa synon të zvogëlojë varësinë e saj nga gazi rus.

Presidenti rus tha se mos ndërtimi i gazsjellësit jugor është kundër interesave të Evropës, ndërsa nënvizoi që “nëse Bullgaria është e privuar nga e mundësia për të vepruar si shtet sovran, atëherë le të kërkojë kompensimin e humbjeve nga Komisoni Evropian”. Ai ju referua qëndrimeve të Bashkimit Evropian se gazsjellësi jugor, nuk është në përputhje me ligjet e BE-së për konkurrencë dhe energji.

Anulimi i projektit – shqetëson Serbinë

Ndonëse autoritetet serbe ende presin njoftime zyrtare për vendimin rus për ndërprerjen e ndërtimit të gazsjellësit jugor, ekspertët në Beograd thonë se ky vendim do të dëmtojë Serbinë.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandërr Vuçiç, e cilësoi lajm të keq për Serbinë, por sipas tij “qytetarët nuk duhet të brengosen për furnizimet me gaz”.

Ai u tha medieve serbe se “Serbia nuk i ka kontribuar assesi këtij vendimi. Shtatë vjet ka investuar në këtë projekt, por po paguan çmimin e konflikteve të mëdha”.

Ndërsa, ekspertë politik dhe ekonomik serbë thonë se ndërprerja e projektit do të ushtrojë ndikim në politikën serbe dhe se Serbia do të mbetet pa alternativë të furnizimit me gaz.

Serbia është vënë në mes të synimeve për integrimet në Bashkimin Evropian dhe lidhjeve emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore. (voa)

Serbia nën “akullin” politik

Në raportet mes Kroacisë dhe Serbisë janë shënuar disa mosmarrëveshje serioze. Shkaktari kryesor i përplasjeve të fundit është ultranacionalisti Vojisllav Sheshelj.Mes Serbisë dhe Kroacisë kanë shpërthyer sërish përplasje serioze. Kryeminsitri i Kroacisë Zoran Millanoviq ka vendosur të premten e kaluar që të anulllojë vizitën e tij në Beograd, e cila është dashur të realizohet në mes të dhjetorit. Ndërsa homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq tha se Serbia nuk do të lejojë që “dikush t’i jep leksione nga demokracia”. Me mllef të madh ai tha se “Serbia nuk është ndonjë thes për stërvitje boksi”, ku secili mund të qëllojë! Gazeta serbe “Danas” nënvizon se mes Serbisë dhe Kroaicsë ka nisur një kohë e re e “akullt”.
Shkaktari i “akullit”
Lideri ultranacionalist Vojisllav Sheshelj ia doli qëllimit: që sërish t’i përcaktojë rrjedhat politike në Serbi. Sheshel pas më shumë se 11 vitesh sa ka kaluar në burgun e Hagës, ku akuzohet për krime lufte, është kthyer në Serbi në nëntor – për shkak të sëmundjes nga kanceri. Ai është duke pritur vendimin e Gjykatës së Hagës, por ky vendim nuk pritet para mesit të vitit të ardhshëm. Por ai e ka shfrytëzuar rastin, që menjëherë të futet në rrjedhat politike. Me angazhimet e tij nacionaliste kundër vendeve të rajonit dhe krerëve të tanishëm serbë (Vuçiq dhe presidenti Tomisllav Nikoliq) të cilët i quan tradhëtarë, Sheshelj ka nxitur sërish elementet nacionalistë në Serbi.
Parlamenti Evropian e ka miratuar javën që shkoi një rezolutë kundër Serbisë, ku thuhet se “Beogradi nuk është distancuar sa duhet nga fjalori i Sheshelit i cili nxitë urrejtje”. Iniciativën për këtë rezolutë e ka dhënë Kroacia, që për Aleksandar Vuçiqin ishte një “poshtrim” i Serbisë.
Distancimi i Serbisë nga Sheshelji
Ne nuk kemi asgjë të përbashkët me Shesheljin, tha Vuçiq i cili gjatë viteve 90-të dhe deri në vitin 2008 ka qenë së bashku me Nikoliqin bashkëpunëtori kryesor i liderit të radikalëve Vojisllav Sheshelj. Vuçiq tha se vetë bashkësia ndërkombëtare e ka liruar Sheshelin nga burgu, e tani po e akuzon Serbinë për retorikë dhe veprime nacionaliste. Serbia mund të akuzohet ndoshta për shumë gjëra të tjera, por jo edhe për mbështetjen e idesë së Shesheljit për krijimin e Serbisë së madhe.
Autoritetet e Serbisë mendojnë se nuk janë duke u trajtuar si duhet nga vendet e rajonit. Në Kosovë dhe në disa rajone të tjera ka pasur së fundi shumë flamuj me hartën e Shqipërisë së madhe, që Beogradi e sheh si kërcënim. Mosmarrëveshje të reja ka dhe në linjën Serbi – Mali i Zi, pasi që kryeministri Millo Gjukanoviq e ka quajtur Gavrilo Principin, si “terrorist”. Gavrilo Princip e ka kryer para 100 vitesh atentatin ndaj princit austrohungarez Franz Ferdinand, që shkaktoi edhe fillimin e Luftës së Parë Botërore. Serbia ka pasur së fundi edhe përplasje shumë serioze me Shqipërinë, për shkak të incidenteve në ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe kërkimit të kryeministrit Edi Rama në Beograd që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Si pasojë e këtyre mosmarrëveshjeve dhe incidenteve Shqipëria ka vendosur që të ndalojë importin e medikamenteve nga Serbia.
Serbia është një vend që pretendon anëtarësimin në BE. Ndaj Brukseli do të ketë në të ardhmen edhe më shumë punë për zgjidhjen e problemeve në raportet mes Serbisë dhe vendeve të rajonit. (dw)

FMN: rritja në 2014 në 2 përqind

Shqipëri, në përfundim të bisedimeve me autoritetet, misioni I FMN-së u shpreh se mbështeste reformat dhe politikat e ndërmarra. Përfundon rishikimi i dytë e i tretë i marrëveshjes, pritet lëvrimi i 53 milion eurove të tjeraNë Shqipëri Fondi Monetar Ndërkombëtar rikonfirmoi parashikimet e tij se rritja ekonomike për vitin 2014 pritet të jetë rreth dy përqind. Kjo u deklarua nga drejtuesi i misionit të Fondit Monetar Nadeem Ilahi në përfundim të bisedimeve me autoritetet shqiptare përgjatë tetë ditëve. Zoti Ilahi njoftoi se programi ekonomik kishte ecur sipas planit dhe se misioni do t’I kërkojë bordit të Fondit Monetar miratimin e rishikimit të dytë dhe të tretë të marrëveshjes gjë e cila do të cojë në lëvrimin e 53 milion eurove të tjera, pjesë e huasë prej afër 330 million euro të parashikuar për një periudhë tre vjecare.

“Paketa e politikave ekonomike ka qenë në rrugën e duhur dhe Fondi Monetar sheh me optimizëm ecurinë e tyre edhe në të ardhmen” vlerësoi drejtuesi i misionit Nadeem Ilahi, i cili mbërriti në Tiranë javën e shkuar. Ai deklaroi mbrëmë, në përfundim të komsultimeve më autoritetet shqiptare, se i qëndronte të njejtave parashikime sipas të cilave “rritja ekonomike pritet të jetë rreth 2 përqind. Kjo rritje – shpjegoi ai – ka ardhur kryesisht nga rritja e eksporteve, prodhimit të naftës, dhe shlyerja e detyrimeve dhe nga një rimëkëmbje modeste e kërkesës së brendshme”.

Për të njejtën pritshmëri foli edhe ministri shqiptar i Financave Shkëlqim Cani, ndërkohë që ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj ishte pak më optimist dhe sipas tij do të ishte e mundur që rritja ekonomike të ishte në nivelet e 2.1 e 2.2 përqind. E vetmja që ju shmang një deklarimi më shifra të parashikimit për ecurinë e aktivitetit ekonomik ishte zëvendës guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Elizabeta GJoni e cila aktualisht është drejtuesja e këtij institucioni në mungesë të guvernatorit. Në fakt Banka është shprehur publikisht, në raportin e politikës monetare për tremujorin e tretë, se sipas të vlerësimeve të saj ” rritja ekonomike e këtij viti do të jetë lehtësisht mbi nivelin e regjistruar një vit më parë”, pra pak më shumë se 0.4 për qind. Në pjesën e parë të vitit ekonomia u rrit me afër 1 përqind, pas 1.7 përqind në tremujorin e parë dhe rritjes negative me -0.6 përqind në tremujorin e dytë. Në mënyrë që të arrihet objektivi prej 2 përqind duhet që në pjesën e dytë të vitit ekonomia shqiptare të rritet mesatarisht 3 përqind.

Ministri i Financave megjithatë u shpreh optimist ndërsa deklaroi se “ekonomia ka nisur të rimëkëmbet dhe se reformat janë në drejtimin e duhur, se është përmirësuar besimi i e konsumatorit dhe klima e biznesit”. Ministri Cani tha se pas vlerësimit të auditit ndërkombëar të procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, prej afër 260 milion dollarësh, deri në fund të viti do të shlyhet edhe shuma tjetër prej afër 90 milion dollarësh të tjerë sipas parashikimit.

Lidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm zoti Cani deklaroi se ai “është i rakorduar deri në detaje me misionin e FMN-së” dhe se “synon t’i japi një tjetër shtysë rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe punësimit në dy drejtime kryesore. Së pari, duke siguruar financim për investimet publike në një masë rreth 5.4% të PBB-së, nivel i përshtashëm ky për të mbështetur rritjen ekonomike. Së dyti, duke mbështetur konkretisht reformat e thella, që përballen me rreziqet që i kanosen ekonomisë”.

Drejtuesi i misionit të FMN-së u shpreh se “Misioni mbështet punën e autoriteteve për reformat strukturore dhe politikat dhe konsideron se kjo punë përbën bazën e besueshme për rimëkëmbjen e rritjes ekonomike dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar”. Ai shpjegoi se gjatë bisedimeve me autoritetet shqiptare një vend të rëndësishëm kishte zënë situata e sektorit energjitik. “Nevojiten urgjentisht reforma në sektorin e energjisë elektrike, për t’i dhënë fund barrës fiskale të këtij sektori. Autoritetet kanë filluar të bëjnë hapat e parë të rëndësishëm në zbatimin e planit të tyre për reformimin e sektorit të energjisë elektrike, i hartuar në konsultim me Bankën Botërore. Ky plan përfshin kufizim të vjedhjeve të energjisë elektrike, propozime për të ristrukturuar tarifat brenda fundit të vitit 2014 (që do të zbatohet në tremujorin e parë të vitit 2015) dhe një reformë institucionale të ndërmarrjeve shtetërore që ushtrojnë aktivitet në këtë sektor. Stafi i FMN-së e mirëpret planin për t’u dhënë kompensim shtresave të varfra përmes një kompensimi në të holla të përcaktuar mire”, deklaroi zoti Ilahi.

Ai vlerësoi pozitivisht angazhimin e qeverisë shqiptare për të nisur, nga viti i ardhshëm, përpjekjet për uljen e borxhit publik nga 70.09 përqind në 70.06 përqind të Prodhimit të brendshëm bruto. “Pavarësisht shpenzimeve të konsiderueshme të lidhura me sektorin e energjisë elektrike, buxheti i vitit 2015 pritet të arrijë një zvogëlim të borxhit publik i shprehur si përqindje e PBB-së, për herë të parë që prej vitit 2010″, u shpreh drejtuesi i misionit të FMN-së. (voa)

Shqipëri-Turqi, raporte më të ngushta

Kryetari i parlamentit turk Cemil Çiçek vizitë në Tiranë, “Forcimi i marrëdhënieve tona i shërben sigurisë së rajonit të Ballkanit”Në Shqipëri, kryetari i parlamentit shqiptar Ilir Meta dhe homologu i tij turk Cemil Çiçek, theksuan sot se forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve është në dobi të sigurisë të rajonit të Ballkanit

Këto komente të dy përfaqësuesit e lartë i bënë në përfundim të takimit mes tyre. Kryetari i parlamentit turk tha se “rajoni i Ballkanit është i brishtë për shkak të sigurisë dhe të qetësisë prandaj sa më të fuqishme që të jenë marrëdhëniet midis dy vendeve, aq më të fuqishme do të jenë siguria, paqja dhe qetësia në rajon”.

Në të njejtën linjë u shpreh edhe zoti Meta duke kujtuar se “Shqipëria dhe Turqia, si dy vendeve anëtare të NATO-s, kanë peshën dhe përgjegjësinë e tyre për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit”.

Zoti Çiçek vuri theksin te marrëdhëniet e vecanta që ekzistojnë mes dy vendeve të cilat sic nënvizoi ai “nuk janë marrëdhënie dosido, të rëndomta, por marrëdhënie të ngushta nga populli te populli dhe janë marrëdhënie të qëndrueshme”.

Nga ana e tij zoti Meta u shpreh se “të dy parlamentet do të duhet të intensifikojnë edhe më tej bashkëpunimin midis tyre në mbështetje të qeverive respektive dhe partneritetit strategjik mes dy vendeve”. (voa)

Arrestime për dhunën në stadiumin e Elbasanit

Drejtoria e Policisë së Elbasanit ka vijuar punën për identifikimin dhe ndalimin e personave që shkaktuan aktet e dhunës në stadiumin “Elbasan Arena” gjatë ndeshjes së Elbasanit me Tiranën. Nga shqyrtimi i pamjeve te kamerave te sigurise, pamje te transmetuara nje dite me pare edhe nga Top Channel, janë indentifikuar disa persona qe kane kryer akte vandalizimi duke shkaterruar deme te medha ne stadium.

Përveç te ndaluarve te henen ne mengjes, ne mbremje jane vene ne procedim penal edhe 5 persona te tjere, konkretisht Aldo Hyqmet Tana, Altin Hyqmet Samuri, Emigres Xhevair Sallaku, Spartak Ahmet Mazhi, si dhe Enid Merkur Cipi.

Tifozet e Tiranes dhe Elbasanit u konfliktuan mes tyre dhe vetem ndarja me rrjete teli e pjeseve te stadiumit dhe nderhyrja e policise ndaloi perplasjen fizike, por te dyja palet demtuan rende shkallaret ne stadium, si dhe rrjetin e reklamave.

Stadiumi ‘Elbasan Arena’ eshte rikonstruktuar vetem pak muaj me pare per te arritur standardet nderkombetare. Sipas drejtuesve te stadiumit duhet nje investim shtese per te riparuar demet e shkaktuara.
/ Top Channel

Raporti i KiE: Zbatimi i ligjit për Median, i ngadaltë

Është diskutuar paraditen e së enjtes në Tiranë raporti i Këshillit të Evropës për 35t audio-vizive, në të cilin theksi vihet tek rëndësia e lirisë së shprehjes. Duke hapur sesionin, kryetari i Parlamentit, Ilir Meta vlerësoi se tashmë e tutje do të jetë detyrë e Autoritetit të 35s Audiovizive që të mundësojë lirinë e 35s përmes ligjit të ri të miratuar në Parlament.

“Detyra e AMA-s është të ruajë vlerat demokratike të funksionimit të Medias. Me miratimin e ligjit të ri, qeveria i ka siguruar AMA-s një bazë efikase që siguron normalitet në vendimmarrje dhe funksionalitet. Është shumë e rëndësishme që AMA të qëndrojë larg politikës dhe ne nga ana jonë do t’i kushtojmë rëndësi pavarësisë së saj”, ka deklaruar Meta.

Kreu i parlamentit ka falenderuar edhe partnerët ndërkombëtarë për asistencën e ofruar prej tyre në këtë drejtim. Ndërkohë, përfaqësuesi i delegacionit evropian, duke prezantuar raportin ka deklaruar se zbatimi i ligjit për Median audio-vizive nuk ka arritur nivele të kënaqshme.

“Zbatimi i ligjit për Median audio-vizive ka qenë i ngadaltë. Botimi i këtij studimi ka ardhur në kohën e duhur sa i përket pavarësisë së institucioneve. Është e nevojshme që të forcohet autoriteti i Mediave pasi liria e shprehjes është baza kryesore mbi të cilën është ndërtuar BE dhe ajo është shumë e rëndësishme për integrimin”, ka deklaruar zyrtari evropian.

Ai është shprehur i vetëdijshëm për kohën e gjatë që kërkon arritja e standardeve në këtë fushë dhe në këtë drejtim ka garantuar vijimin e asistencës së Brukselit.

“Ka nevojë për një periudhë më të gjatë kohe për të arritur rezultate të rëndësishme dhe Komisioni do japë mbështetjen e tij. Do të ketë ndihmë financiare dhe teknike nëpërmjet instrumenteve të anëtarësimit”, ka shtuar diplomati.
/ Top Channel