All posts by V.F.

Shpërthimi në Zubin Potok, Begaj telefonatë me Osmanin: Cenim i sigurisë kombëtare të Kosovës

Begaj OsmaniPresidenti i Republikës së Shqipërisë zhvilloi një bisedë telefonike me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ku dënoi ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër-Lepenic që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës e cenon sigurinë kombëtare të Kosovës.

Presidenti mbështet fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist.

tch

Shpërthimi në Zubin Potok, Këshilli i Sigurisë me masa shtesë për sigurinë

prishtineNën udhëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas shpërthimit të mbrëmshëm në Zubin Potok, në orët e para të mëngjesit të sotëm, u mbajt një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës.

 

Zyra për komunikim e Kryeministrit njofton se kjo mbledhje u thirr pas sulmit të tretë në 72 orët e fundit, që këtë herë ka shënjestruar infrastrukturën kritike të vendit – sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike.

“Indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiq nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste. U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit”, thuhet në këtë njoftim.

Bëhet e ditur se gjatë mbledhjes, anëtarët e Këshillit diskutuan masat emergjente që janë marrë dhe po ndërmerren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.

“Janë ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer situatën në normalitet duke siguruar qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të rregullohet sa më shpejt. Për më tepër, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen.

Kryeministri Kurti u shpreh: “Shteti ynë është i vendosur dhe i përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike. Ne nuk do të tolerojmë akte të tilla që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe kërcënojnë paqen dhe funksionimin demokratik. Situata po vihet nën kontroll drejt rikthimit në normalitet. Kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë sulm që na shkaktoi dëmtime të mëdha.”

Institucionet e Kosovës, deklarohen se mbeten të angazhuara maksimalisht për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve dhe për të siguruar që autorët e këtyre veprimeve të paligjshme të përballen me drejtësinë.

“Gjithashtu u bëjmë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dezinformatave dhe keqinterpretimeve të luftës hibride kundër shtetit dhe popullit tonë”, thuhet në këtë njoftim.

 

Aksion i policisë në rajonin e Zubin Potokut, pas shpërthimi në Ibër-Lepenc

 

Policisë së Kosovës njofton se është duke u zhvilluar një aksion në disa shtëpi të fshatit Varage të Zubin Potokut, ku mbrëmë ka ndodhur një shpërthim në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

 

Lajmin për RTK e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.

“Po, është duke u zhvilluar aktivitet i bastisjes nga ana e policisë dhe tani për tani nuk mund të them asgjë më shumë”, ka thënë shkurt Elshani.

Aksioni i sotëm po zhvillohet pas shpërthimit të mbrëmshëm në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut dhe ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.

rtk

Kosova me masa shtesë sigurie pas shpërthimit që dëmtoi kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit

kanali i demtuarKëshilli i Sigurisë së Kosovës miratoi gjatë natës masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve thelbësore, pas shpërthimit të së premtes që dëmtoi një kanal që furnizon me ujë disa qytete dhe termocentralet e vendit nga liqeni i Ujmanit në veri.

 

Në një komunikatë pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit thuhet se “indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiq nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste”.

Në njoftim thuhet se gjatë mbledhjes u vu në pah “ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit”.

Gjatë mbledhjes, anëtarët e Këshillit “diskutuan masat emergjente që janë marrë dhe po ndërmerren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend. Janë ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer situatën në normalitet duke siguruar qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të rregullohet sa më shpejt”.

Për më tepër, “Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Shpërthimi i së premtes që kaloi pa dëme në njerëz, u krye në në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, një komunë e banuar me shumicë serbe në veri.

Nëpërmjet kanalit të dëmtuar furnizohen me ujë disa qytete si dhe Korporata Energjetike e Kosovës, që është prodhuesi kryesor i energjisë elektrike në vend.

Mëngjesin e së shtunës autoritetet thanë se kanë kryer një “rregullim të përkohshëm në kanalin e dëmtuar” dhe shpresojnë që furnizimi me energji elektrike të vazhdojë “i pa cenuar”.

Shpërthimi u dënua në shkallë të gjerë nga institucionet e partitë politike si dhe diplomatët perëndimorë në Kosovë.

Sulmi i së premtes në mbrëmje ishte i treti në një periudhë 72 orëshe në veriun Kosovës. Granata dore u hodhën më parë në një stacion policie dhe në ndërtesën e komunës në Zveçan.

voa

Situatë e nderë në veri të Kosovës

kanali i demtuar Iber LepencTensionet e ditëve të fundit në veri të Kosovës janë ashpërsuar me shpërthimin në Zubin Potok. Aty u dëmtua kanali i Ibër-Lepencit një aset kritik i Kosovës.

 

Një shpërthim i fuqishëm ndodhi në mbrëmjen e 29 nëntorit në fshatin Varagë të Zubin Potokut, komunë kjo në veri të Kosovës, duke dëmtuar kështu kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Nga shpërthimi nuk ka pasur viktima në njerëz. Ky kanal uji që rrjedh nga liqeni i Ujmanit, cilësohet aset kritik për Kosovën. Nga ky kanal uji varet shumë operimi i termocentraleve elektroenergjtike të Kosovës, furnizimi me ujë të pijshëm i një pjese të madhe të Kosovës, përfshirë edhe një pjesë të kryeqytetit Prishtinë.

 

Sulmi ndaj kanalit Ibër Lepenc – akt “terrorist”

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveҫla, shpërthimin e cilësoi sulm ‘terrorist’ dhe sipas tij, një pjesë e kanalit të Ibër Lepencit që është dëmtuar konsiderohet si “infrastrukturë kritike”. “Është detyrë e domosdoshme e institucioneve të sigurisë që të hetohen terroristët që kanë kryer këtë akt terrorist dhe të sillen para drejtësisë”, tha Sveҫla.

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani fajësoi “bandat kriminale serbe” për sulmin ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës, duke siguruar qytetarët, se  “bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës”. “Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pa kompromis ndaj këtyre elementeve kriminalë janë jetike”, tha Osmani, duke u bërë thirrje qytetarëve të vazhdojnë të tregojnë qetësi dhe maturi derisa institucionet të hetojnë rastin dhe të sanojnë dëmet.

 

Kurti fajëson bandat e dirigjuara nga Serbia

Shpërthimet e ditëve të fundit në komunat në veri të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka quajtur akte ‘terroriste’ nga Serbia. Ai tha se “sulmi është kryer nga profesionistë me qëllimin për ta dëmtuar infrastrukturën kritike të Kosovës”. “Ky është sulm kriminal dhe terrorist, i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike. Sulmi është kryer nga profesionistë. Ne besojmë që vjen nga bandat e dirigjuara nga Serbia. Nëse dëmi nuk riparohet, atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetet pa energji elektrike që në mëngjes”, tha Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

 

Sipas kryeministrit të Kosovës “s’ka adresë tjetër për sulme të tilla pos Beogradit zyrtar dhe strukturat kriminale, në krye me Milan Radoiçiqin”. “Ky është sulmi, pra shpërthimi i tretë në ditët e fundit që ka pasur për cak institucionet tona. Dhe është synuar që të nxitet frika. Përpjekjet e tilla do të ngelen të dështuara për shkak se kushtetutshmëria në vendin tonë sundimi i  ligjit rendi dhe Republika jonë nuk do të mund të mposhten nga askush”, tha Kurti. Kryeministri tha se menjëherë do ta takojë komandantin e KFOR-it dhe njëkohësisht ka ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë kombëtare.

 

Hovenier: Ofrojmë mbështetjen tonë

Pas sulmeve të fundit ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffry Hovenier, i cili dënoi ashpër sulmin ndaj “infrastrukturës kritike” të Kosovës. “Ne po monitorojmë nga afër situatën, do të mbështesim një hetim gjithpërfshirës dhe kemi ofruar mbështetjen e plotë për Qeverinë e Kosovës për t’u siguruar që përgjegjësit e këtij akti kriminal të identifikohen dhe mbahen përgjegjës”, tha Hovenier.

 

Lista Serbe e dënoi sulmin

Shpërthimin në kanalin Ibër Lepenc e dënoi edhe Lista Serbe,  partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit. “Dëshirojmë të bëjmë të qartë se ky akt është absolutisht kundër interesave të popullit serb dhe kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-i hetim urgjent në lidhje me këtë rast. Dëmtimi i kanalit të ujit, përveç se ka rrezikuar furnizimin me ujë të qytetarëve, po ashtu ka shkaktuar shqetësim tek serbët në veri të Kosovës”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

 

Tensione të rritura dy ditët e fundit

Para shpërthimit në kanalin Ibër Lepenc, ka pasur sulme me granata dore në veri të Kosovës edhe dy ditë më parë. Një granatë u hodh në objektin komunal të Komunës së Zveҫanit dhe njëra në një stacion policie, ka njoftuar policia e Kosovës. Pasoja në njerëz nuk ka pasur pos dëmeve materiale në objektin e komunës dhe disa automjeteve të parkuara aty pranë. Autorët akoma nuk dihen. Autoritetet më të larta të Kosovës i dënuan edhe sulmet me granata dore duke i cilësuar akte kriminale dhe terroriste.

 

Sulmi në objektin komunal në Zveҫan brenda të cilit kishte edhe pjesëtarë të policisë, ndodhi vetëm disa orë pasi asambleistët në Kuvendin Komunal në Zveҫan shënuan me një seancë solemne përvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, për herë të parë në këtë zonë të banuar me shumicë serbe. Festa e pavarësisë së Shqipërisë nuk është festë zyrtare në Republikën e Kosovës, por shënohen aktivitete të shumta gjithandej vendit për nder të saj.

 

Rritje e masave të sigurisë në të gjithë Kosovën

Pas sulmeve të ditëve të fundit në veri, policia e Kosovës ngriti shkallën e sigurisë në nivel vendi, përfshirë edhe veriun e Kosovës. Sipas njoftimit të policisë rritja e sigurisë po bëhet për të parandaluar incidentet e natyrave të ndryshme. “Me planifikimet e parapara do të ketë shtim të aktiviteteve policore për të ofruar më shumë siguri në tërë vendin, për të gjithë qytetarët pa dallim. Planifikimet operative policore, do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në terren, duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”, thuhet në njoftimin e policisë.

 

Në fillim të kësaj jave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se në fshatin Izvor të komunës së Zveçanit po ndërtohet një nënstacion i ri policor. Kjo nxiti kundërshtimin e përfaqësuesve të komunitetit serb. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ndërtimin e stacioneve të reja policore në veri e sheh si një mjet shtesë për siҫ thotë, “shtypjen dhe dëbimin e popullatës serbe”.

Komuna e Zveçanit dhe tri komunat e tjera në veri,  ajo e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, që nga prilli i vitit 2023  udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi serbët bojkotuan në shkallë të gjerë pjesëmarrjen në zgjedhje lokale. Kryetarët shqiptarë nuk pranohen nga shumica e qytetarëve që janë të përkatësisë etnike serbe.

dw

Prej fetvasë e deri te prohibicioni: Shqiptarizmi fitoi!

1912 shqiptare robe nga osmanlijteLufta për shqiptarizmin politik, që ngadhënjeu më 28 nëntor 1912, nuk është e gjitha një rrëfim triumfalist ku të mirët dalin të fituar përballë të ligjve. Ç’është e vërteta, historia e atyre viteve të paharruara është e palavdishme në disa rrafshe. Krahu shqiptarist ishte pakicë dhe të shumtën e herave i skajuar në margjina përjashtimi e subjekt linçimi, kurse një pjesë e madhe, madje frikshëm e madhe, dukej tepër dashamire ndaj Devlet-i Osmaniye, aq sa nuk arrinte as të përfytyronte një ekzistencë ndaras prej tij. Kështu, “historia X” ka për protagonistë deputetë proosmanë, imamë e hoxhallarë që u ngritën kundër shkronjave latine për shqipen. Kështu, shqipja u vu përballë një prohibicioni të disafishtë, ndaj të cilës u lëshua edhe fetva. “Arnavutluk ne demek?” (Çfarë nga qenka kjo Shqipëri), pyeste me përçmim e maraz poeti turk, Mehmet Akif Ersoy, kurse një tjetër i shpallte të gjithë shqiptarët “hıyanet” (tradhtarë)

Ka një dromcë tejet të pavlerësuar te dokumenti themeltar përmjet të cilit Shqipëria u vendos të “bâhet në vehte e lirë e mosvarme”. Në të vërtetë, kjo deklaratë është e dyzuar jo vetëm tekstualisht, me përkthim në turqishten osmane, por edhe me sistemin kalendarik të viteve sipas hixhrit. Aty shkruan viti 1328 i hixhrit!

Narracioni i derimësotshëm mbi ngjarjet që paraprinë dhe pasuan Aktin e Pavarësisë në Vlorë nuk i ka përkapur dilemat, trilemat e kuadrilemat e kohës. Historishkrimi shqiptar prej viteve ‘20 i është mbajtur një rrëfimi triumfalist të etosit shqiptarist përballë prirjeve të tjera refraktore që nuk shkëputeshin dot as nga Devlet-i Osmaniye e as nga bashkaria islamike (ummah).

Në mikrokozmosin e asohershëm social në katër vilajetet e Arnavutlukut, jo pak herë nxorën krye klerikë e fanatikë fetarë myslimanë që purtekeshin midis osmanizmës dhe islamizmës. Ndonëqë Kongresi i Manastirit (nëntor 1908) retrospektivisht fitoi epërsi morale, një numër i madh deputetësh proosmanë e islamistë patën themeluar më 4 mars 1910 të kështuquajturën “İttihâd-i Osmânî Arnavud Maârif Mahfili”.

 

Si kundërvënie e sertë ndaj përcaktimit për t’u përdorur alfabeti latin për shtypshkrimin e shqipes, kjo shoqëri në krye me deputetin nga Peja, Mahmut Bedri Beu, avokoi afshërisht për harfe arabe për shqipen. Stanca e tij mori shprehje më së miri tek artikulli që e botoi më 11 janar 1910 në faqet e gazetës “Tanin”. Sipas deputetit pejan, e gjitha bota myslimane me arabë, persë, hindusë myslimanë, afganë e indonezianë e përdornin alfabetin arab, kurse vetëm shqiptarët donin të ndaheshin. Grishja e Mahmud Bedriut ishte që shqiptarët t’i çonin fëmijët në shkollat turke e ta mësonin turqishten si gjuhë zyrtare, me anë të së cilës do të qëndronin të lidhur me Perandorinë, dhe me gjithë botën islame.
Katër ditë më vonë, aktivisti kombëtarist Gani Frashëri mori guximin t’i përgjigjej dhëmbë-për-dhëmbë Mahmud Bedriut. “Bedri efendiu na përmend se me alfabetin arab shkruhet në Afganistan, Sumatra etj. Mirëpo, a e di Bedri efendiu se në çfarë shkalle kulturore ndodhet popullsia e këtyre vendeve? A do që edhe neve të na shohë në këtë shkallë?”, shkroi aktivisti bektashian. Sipas Frashërit, alfabeti arab ishte përjashtuar si opsion për shkak se ishte mangut nga zanorët dhe i vështirë për t’u mësuar. Në anën tjetër, sipas tij, alfabeti latin ishte i lehtë “saqë çobani për një muaj mëson të lexojë gazeta”.

 

Fanatikët japin besën kundër “shkronjave latine”

Por, furia proosmane nuk qe vetëm në kufizat e shtypit, porse që prej një viti po rropatej gjallërisht edhe në terren mes shqiptarësh. Në javën e fundit të korrikut 1909, agjentët shqiptarë të “İttihad ve Terakki Cemiyeti” organizuan Kongresin e Dibrës ku morën pjesë edhe përfaqësues klubesh sllave e vllehe nga Maqedonia. Oficerët xhonturq me ndihmën e klerit mysliman që hakërrehej kundër alfabetit latin ia dolën të organizonin mitingje mijëravetëshe në Manastir, Shkup, Prilep, Ohër, Elbasan e Korçë. Siç përcillnin gazetat osmane “Tasviroi Efkar” dhe “Tanin” nga mitingu i mbajtur më 8 shkurt 1910 në Manastir, mijëra vetë u besatuan që të mos pranonin për asnjë çmim “harfet latine”.

 

 

Në mes tyre ishte edhe njëfarë Rashid Aga, i cili tha se nëse është nevoja e ruajtjes së bashkimit fetar, shqiptarët qenë në gjendje ta braktisnin edhe vetë gjuhën e tyre. Sipas studiuesit gjerman Peter Bartl, imamët nga Prishtina e Dibra lëshuan qarkore drejtuar klerikëve fetarë ku iu sugjerohej organizimi i mbledhjeve publike në të mirë të alfabetit arab. 280 vetë nga ulemaja, parësia dhe kryepleqtë e Prishtinës kishin vënë nënshkrimin te një peticion dërguar në Kryeministrinë dhe Parlamentin osman.

“Kurrë nuk do të jetë i mundur të mësuarit e gjuhës shqipe me alfabet latin. Në këto vende të mësuarit e shqipes ka filluar me shkronja arabe dhe mund të konstatohet një sukses i plotë. Popullsia e vilajeteve të Kosovës, Janinës, Manastirit dhe Shkodrës është 90 për qind myslimane, e ajo është e lidhur me qeverinë konstitucionale dhe me hilafetin e shenjtë, ajo nuk do t’i braktisë germat arabe që të marrë germa të huaja, të cilat i copëtojnë këto lidhje të shenjta. Duke e larguar këtë peticion, ne ju njoftojmë se përsëri kemi lidhur besën se kurrë nuk do ta pranojmë alfabetin latin dhe se kurrë nuk do të ndahemi nga qeveria legale dhe konstitucionale”, thuhej në tekstin e këtij peticioni që e botoi më 8 shkurt 1910 gazeta osmane “Tasvir-i Efkar”.

 

Nga fetvaja deri te ideja për zhdukjen e shqipes

Kjo “luftë shkronjash” do të prekte zenithin kur rropatjeve të hoxhallarëve lokalë iu bashkua edhe autoriteti më i lartë fetar në Stamboll, Sheh-ul-Islami. Me fetvanë e lëshuar më 5 prill 1910, ai ftonte që “të mos lejohej përdorimi i alfabetit latin në shkollat shqiptare”. Munxa e tij nuk qe kufizuar vetëm me mobilizim të suprastrukturës religjioze, por edhe duke trokitur për ndihmë në dyert e Ministrisë së Arsimit në Stamboll.

Është me interes të vihet në pah se kundërvënia ndaj shqipes së lëvruar nuk nisi ab nihilo tekqë ajo ishte e mirërrënjosur edhe ndër qarqet disidente që i kundërviheshin despotizmit monarkik. Në këto hulli ishte edhe një nga intelektualët më të mëdhenj turko-osmanë, Namik Kemali.

Qysh një brez më herët patën filluar rragatjet kundër ideve që po pëshpëritsheshin gjithnjë e më shpesh: zëvendësimi i shkronjave arabe me alfabet latin.

Në një letër që mban datën 30 gusht 1878 drejtuar oficerit Menemenli Rifat, shkrimtari 38-vjeçar turk shkruante: “Ne nuk mund të universalizojmë gjuhën tonë mes bullgarëve dhe grekëve, por është goxha e mundur ta bëjmë këtë mes myslimanëve si shqiptarët dhe llazët. Kjo mund të jetësohet vetëm përmes zbatimit të strategjive të përshtatshme; është e mundur me hapjen e shkollave”, shkruante Kemali gjatë kohës sa ishte syrgjyn në Lezbos.

Sipas studiuesit Kamal Soleimani, një pjesë e intelektualëve osmanë të kohës, përfshirë edhe Namik Kemalin, avokonin me zell për një ringjallje të identitetit islamik të Perandorisë Osmane, por edhe mbronin shkatërrimin (imha) e identiteteve jo-turke.

“Përpjekja dhe shpresa e intelektualëve myslimanë osmanë për eliminimin e gjuhëve joturke përbënte prapavijën sociopolitike dhe kulturore të ligjërimit islamik hamidist dhe unitetit islamik. Ndikimi i osmanëve të rinj në Abdyl Hamidin është i mirënjohur”, shkruan studiuesi Soleimani në librin e tij “Islam and Competing Nationalisms in the Middle East”.

 

“Komb turk pa nacionalitete joturke”

Ajo çka filloi si një lëvizje sharmante të rinjsh me ideale liberale përfundoi brenda tridhjetë vjetësh në një projekt që i përgjigjej tamam shkombëtarizimit dhe shkrirjes në turqizëm. Për faktin se Perandorisë Osmane po i hiqeshin llokma të tëra territoresh, mantra e saj ligjërimore pësoi një zhvendosje nga ideja e një “mileti” shumëkombësh për t’i bërë vend asaj të “kavimit” turk.

Dy nga themeluesit e lëvizjes xhonturke, Bahaeddin Şakir dhe Mehmed Nâzım qysh në vitin 1906 i nxorën zbuluar shestimet e tyre për të ndjekur një agjendë nacionaliste turke. Sipas tyre, komiteti ishte lëvizje e paqtë turke (halis bir Türk cemiyeti).

Dy vjet më vonë, doktor Nâzımi e thoshte troç se politika e Komitetit ishte centralizimi dhe monopoli turk i pushtetit. Siç zbulon një letër e tij, të cilën e citon studiuesi turk Ugur Üngör, plani xhonturk ishte ai i një Turqie pa nacionalitete, meqë nuk donte të shndërrohej në një Austro-Hungari të re.
Sipas Nâzımit, plani i tyre ishte për një “einen einheilichen türkischen Nationalstaat” (një komb-shtet unitar turk) me shkolla turke, administratë turke, si dhe një sistem ligjor turk.

Idili i aktivistëve nacionalistë përfundoi brofshëm, pasi hilja xhonturke u kuptua ngado. I tillë pati qenë edhe nacionalisti arab nga Siria, al-Zahrawi, i cili, megjithëse me vonesë, tundi kambanat e alarmit se politikat turqizuese do t’i vinin gozhdën e fundit çdo lloj vëllazërie brenda Perandorisë. Në një editorial të botuar në numrin 55 të gazetës arabe “al-Hadara” (Qytetërimi), më 27 prill 1911, ai shkroi se bashkimi i njëmendët do të ishte ai në të cilin arabët mbesin arabë, grekët grekë e shqiptarët shqiptarë ashtu siç janë.

 

 

Me panislamizëm kundër shqiptarizmit

Prej kohësh është kapilarizuar ideja e përciptë sikur periudha hamidiste (1876-1909) ishte një stad i tillë ku nacionalizmi turk nuk pati farë shfaqje, ose së paku jo në nivelet e epërme perandorake.

Megjithëse ekzigjencat perandorake e kërkonin një politikë që panislamizmin e shihte si llaç të fortë lidhës mes popujsh të së njëjtës fe, turqizma fitoi epërsi pikërisht në kohën e sundimit të vetë Abdül Hamidit. Këtë ai e pati filluar me praktikën e të ashtuquajturës “huzur dersleri” (mësime në audienca ‘rojale), në të cilën dijetarët e rinj sfidonin ulemanë konvencionale, me adresime në turqisht e jo në arabisht.

Vetë historiani turk Mehmet Fuat Köprülü pati sjellë në vëmendje një letër që sulltani në fjalë ia kishte nisur më 1884 një mësuesi në Manastir, ku i rekomandohej që gjuha e mësimit të turqizohej duke hequr fjalët arabe e perse. Mes studiuesish turq shpesh përmendet si shembull rasti i një oficeri shqiptar i cili ia këputi një fyerje plot bërtimë kopsharit “More turk i ndyrë!”, pasi ky i fundit pa dashje ia kishte lagur uniformën. Sipas kësaj historize, Abdül Hamidi e paskësh dëgjuar këtë incident dhe e kishte qortuar oficerin shqiptar me këto fjalë: “Mos harro që këta turq të përvutë e kanë krijuar këtë shtet dhe janë mbajtësit kryesorë të tij. Unë jam turk!”

Përshquesja kryesore e politikës së sulltan Abdül Hamidit u bë panislamizmi, madje si një mënyrë me anë të së cilës ai e kërcënonte edhe Perëndimin me fuqinë e xhihadit. Me këtë tejqyrë duhet lexuar edhe ky deklarim i tij: “Marrëdhëniet tona me vendet e banuara me myslimanë duhen zgjeruar dhe duhet të përpiqemi për bashkim. Sa kohë që vazhdon uniteti me Islamin, Anglia, Franca, Rusia dhe Holanda janë në duart e mia, për shkak se me një fjalë Kalifi mund ta shkrehë xhihadin mes shtetasve të tyre myslimanë dhe kjo do të ishte tragjedi për të krishterët….” (Laurent Murawiec, The Mind of Jihad, 2008, fq. 175).

Por, “panislamizmi” hamidist kurrënjëherë nuk e mbërriti këtë nivel, përderisa, siç saktëson studiuesi Kemal Karpat, qëllimi i kësaj politike ishte t’i frenonte shqiptarët myslimanë, kurdët e arabët që po shfaqnin prirje separatiste. Qysh më 1892, ky sulltan na themeloi të ashtuquajturën “Aşiret Mektebi” (Shkolla perandorake për fiset). Në këto shkolla, siç shpjegon osmanologu Selçuk Akşin Somel, ndiqej modeli i krijimit të lidhjeve me shoqëri tribale, zakonisht ato arabe, ku bijve të prijësve të shquar iu mundësohej shkollimi në Stamboll për t’i përthithur vlerat dhe besnikërinë ndaj osmanizmes.

Sipas studiuesit tjetër turk, M. Şükrü Hanioğlu, veprime të tilla, përfshirë edhe angazhimin e arabëve, shqiptarëve e kurdëve në shërbimin e tij personal si dhe dhënien e privilegjeve për prijës të caktuar, synonin krijimin e një vëllazërie polietnike. Rrjedhimthi, lëvizja nacionaliste shqiptare pësoi më së keqi nga këto makinacione. Sa kohë Perandoria përballej me kriza, karta kryesore e saj ishte aktivizmi i fesë. Kësodore, Devish Pasha, në kohën kur e shtypi me gjak Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, përpiqej të apelonte ndër shqiptarët myslimanë për besnikëri ndaj Sulltanit-Kalif, në emër të Sheriatit dhe interesave islamike. Kjo politikë aktive krijoi pasues të shumtë pasi në tetor të 1911-s në Shqipëri “pati demonstrime mbështetje për Sulltanin-Kalif, duke shprehur gatishmëri për t’iu bashkuar luftës kundër të pafeve që kishin pushtuar Libinë” (Jacob M. Landau, Pan-Islam: History and Politics, 2015, fq. 49).

 

 

Përparimi i kombit shqiptar, kufër?

Megjithëse gjatë gjithë kohës pati kryengritje lokale ku plot vise shqiptare përfunduan si “no-go zones” për autoritetet osmane, shqetësimi kryesor i Portës së Lartë mbeti nacionalizmi shqiptar. Osmanisti gjerman, Johann Strauss vë re me të drejtë se vilajeti i Kosovës shkallëshkallshëm po bëhej më i shqueshëm për nga ndikimi shqiptar. Kjo situatë, sipas tij, ishte mjaft e singjashme me Austro-Hungarinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë ku plot qytete në trevat me popullata të përziera e humbën karakterin e tyre gjerman.

Kjo shembullzohej më së miri me rastin e Shkupit të cilin poeti Yahya Kemal, i lindur në këtë qytet, e përshkroi me këto fjalë: “Ashtu sikurse njerëzit në Stamboll gjakonin për mënyrën e jetës allafranga, edhe populli i Shkupit nisi të gjakonte për stilin shqiptar të jetës. Përpos namit politik që e gëzonin këta njerëz prej maleve, edhe petkat, armët e gjuha e tyre ishin tërheqëse”.

Megjithatë, elita e re shqiptariste nuk po rrinte e gjitha pasive. Panislamizmi e turqizmi po e krijonin një sens të ri identiteti te një numër intelektualësh të rinj. Njëri prej tyre shkroi: “Kur zonjusha Turqi të jetë dëbuar e shporrur prej këtyre vendeve [Ballkanit], siç është dëbuar edhe prej vendeve të tjera, atëherë edhe shqiptarët do të tërhiqen drejt Anadollit nga një zinxhir i cili e ka marrë emrin e Islamit prej të pasurit frikë nga Zoti dhe pa frikë para profetit pejgamber, ata edhe do ta ndryshojnë emrin nga ‘shqiptarë’ në ‘muhaxhirë’”.

Nga pena e të njëjtit kuptohej rreziku që vinte nga religjioni i instrumentalizuar nga Sulltani: “Për ata që nuk duan të lexojnë e shkruajnë shqip dhe që e duan gjuhën e halldupit, ata më mirë të nxitojnë në Sivas e Ankara e të blejnë tokë, se më vonë do të jetë më e shtrenjtë”.

Edhe kur islamizmi sulltanist mori përmasa thuajse masive, kjo nuk ndihmoi aspak që të fashitej animoziteti mes shqiptarëve dhe osmanëve tani të morfizuar në turq. Kështu, njëri nga nacionalistët turq Hüseyin Kazım Kadri më 1914 botoi kundër qeverisë së Vlorës një pamflet të quajtur “Arnavutlar ne Yaptilar” (Çfarë duan shqiptarët). Duke shfryrë gjithë marazin për perandorinë që po vdirrej nga dita në ditë, ai i quante shqiptarët “tradhtarë të fesë e vatanit” (Arnavutlar da bu dine, bu vatana hiyanet ettiler), madje të tillë që e kanë hak mallkimin e popullit (Hak ve halkin lanetine müstahak oldular). Nacionalisti turk vazhdonte me patetizma se zemra e lënduar turke iu thotë shqiptarëve “Mallkuar qofshit” (sirada kalbi yarali bir Türk diyor ki: Lanet Sizlere).

Kështu, mosbesues, tallës e cinik u shfaq edhe vetë Mehmet Akif Ersoy, i cili me një poezi të tij të shkruar më 1913 shfryu kundër Shqipërisë si shtet: “Çka na qenka kjo Shqipëri? A ka vend për të në sheriat? Të përparosh një popull tjetër është kufër! (Arnavutluk ne demek? Var mı şerîatte yeri? Küfr olur, başka değil, kavmini sürmek ileri!).

Por, ky “kufër”, shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, qëlloi të ishte realitet kohëgjatë dhe i pandryshuar gjer më sot. Procesi i nisur më 1912 u përvijua edhe me shtetin e dytë shqiptar në Ballkan, Kosovën, si dhe me hisen shtetformuese në Maqedoni. Kjo ishte historia e panjohur, iks historia, që vjen nga një dromcë e dokumentit themeltar të nënshkruar sot e 112 vjet më parë në Vlorë.

koha

Arrestime dhe reagime pas një incidenti me flamurin maqedonas ndërsa opozita shqiptare reagon për flamurin kombëtar shqiptarë.

flamurjt

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ka arrestuar tetë persona lidhur me djegien e flamurit shtetëror, që nxiti reagime në shkallë të gjerë.
Incidenti ndodhi në lagjen Bit Pazar të komunës së Çairit në Shkup, gjatë kremtimeve me rastin e 112 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, që shqiptarët e kremtojnë edhe si festën e Flamurit Kombëtar.

Ministria e Brendshme tha se në mesin e të arrestuarve është një i mitur ndërsa të tjerët janë nga 18 deri 21 vjeç. Katër prej tyre dyshohen për veprën “nxitje e urrejtjes ndëretnike, racore dhe fetare, dhe grindje e mosdurim”, e dënueshme deri në një vit heqje lirie.

Pamjet e transmetuara në rrjetet sociale të incidentit nxitën reagime të ashpra të partive politike në vend.

VMRO-DPMNE në pushtet bëri thirrje për vënien e autorëve para drejtësisë, ndërsa vlerësoi se, siç thuhet, ngjarja ka prapavijë politikë dhe kishte për qëllim nxitjen e ndarjeve dhe tensioneve etnike.

Lidhja Social Demokrate në opozitë, akuzoi pushtetin dhe Ministrin e Rendit, Pançe Toshkovski për “mungesën e veprimeve për parandalim, kontroll dhe të ndërhyrjes së shpejtë për pengimin e incidenteve”, ndërsa kërkon dorëheqjen e ministrit. Edhe koalicioni VLEN i partive shqiptare, që është pjesë e qeverisë, e dënon incidentin ndërsa akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim se në këtë mënyrë po përpiqet “ta destabilizojë vendin”.

Ndërkohë partitë shqiptare të opozitës, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët, duke e dënuar incidentin, njoftuan për një incident të djegies së flamuri shqiptar dhe shprehën shqetësim për, siç thanë, “qasjen selektive dhe të njëanshme të policisë”, e cila ka marrë masa vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë të përfshirë në incidente.

BDI thotë se ishte policia ajo që nxiti incidentin duke bllokuar rrugët dhe ndaluar pjesëmarrjen e shqiptarëve në festën e mbrëmshme në sheshin Skënderbe të Shkupit.

voa

Ndërsa Aleanca për Shqiptarët, krahu i Ziadin Selës ka dënuar djegien e flamurit të Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht ka kërkuar që të vihen para drejtësisë edhe autorët e djegies së flamurit kombëtar shqiptarë.

“I bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të veprojë me urgjencë dhe ashtu siç veproi me zbulimin e autorëve të flamurit shtetëror, me të njëjtën urgjencë të veprojë edhe ndaj atyre që dogjën flamurin shqiptar.

Nëse ky veprim do të mungojë atëherë do të sillet edhe një herë në pah se ligji dhe organet ligjzbatuese janë selektive në këtë shtet dhe se ato veprojnë vetëm kur duhet të ndëshkohen shqiptarët.

 

Ju bëjmë thirrje edhe humbësve në Qeveri, koalicionit vlen, që të angazhohen një herë të vetme në favor të shqiptarëve, në mbrojtje të flamurit kombëtar dhe në sjelljen e drejtësisë dhe barazisë së qytetarëve në vend. Është skandaloz reagimi i tyre ku nga fillimi deri në fund nuk nuk guxojnë as të përmendin djegien e flamurit kombëtar shqiptar. A thua vallë reagimet ua shkruan dikush tjetër dhe ata vetëm i përkthejnë!?

Sjellja e këtillë selektive e institucioneve vetëm ndaj një bashkësie etnike, duke toleruar e priviligjuar një bashkësi tjetër i shërben vetëm thellimit të hendekut ndëretnik, rritjes së mosbesimit të qytetarëve ndaj shtetit dhe diskriminimit institucional”, thuhet në reagimin e ASH-së

Si funksionon lufta hibride e Rusisë?

Sulme KibernetikeQë nga pushtimi rus i Ukrainës, shërbimet sekrete perëndimore e kanë akuzuar gjithnjë e më shumë Moskën për luftë hibride. Fenomeni nuk është i ri, metodat po bëhen më të sofistikuara.

 

Një aeroplan posteqë  i përket koncernit gjerman të paketave postare, DHL rrëzohet në Lituani, dy kabllo komunikimi u dëmtuan në Detin Baltik. Në Rumani,  një ekstremist pro-rus i krahut të djathtë arrin çuditërisht deri në balotazhin e zgjedhjeve për presidencën. Të treja njoftimet janë të kësaj jave, gjë që të bën të mendohesh.

Edhe pse asgjë nuk është vërtetuar ende, disa politikanë perëndimorë dhe shërbime sekrete dyshojnë se pas të gjitha këtyre ngjarjeve fshihet e njëjta forcë shtytëse: Rusia.  Rreziqet që vijnë nga e ashtuquajtura “luftë hibride” me origjinë tek Kremlini nuk janë të reja; Por ekspertët paralajmërojnë se ato janë rritur në mënyrë kërcënuese që kur Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022.

“Lufta hibride” është zgjerimi i operacionit të pastër luftarak me mjete të shtuara të spiunazhit, sabotimit, sulmeve kibernetike, ndërhyrjeve në zgjedhje, propagandës ose fushatave dezinformuese me qëllim dobësimin dhe destabilizimin e armikut nga brenda. Rusia, paralajmërojnë ekspertët, ka zgjeruar vazhdimisht arsenalin e saj të aftësive të luftës hibride në vitet e fundit. Një përmbledhje:

 

Spiunazhi

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës,  shtetet evropiane kanë dëbuar rreth 500 diplomatë rusë. Shërbimi sekret britanik MI5 klasifikon të paktën 400 prej tyre si spiunë. Në shumë ambasada dhe konsullata të përgjithshme ruse thuhet se është instaluar teknologji moderne e komunikimit dhe spiunazhit. Kjo nuk mund të vërtetohet plotësisht, ndërtesat e ambasadave konsiderohen si territor sovran rus dhe gëzojnë statusin e mbrojtjes diplomatike. Shërbimi sekret holandez paralajmëroi gjithashtu se Rusia po u siguronte spiunëve dokumente false dhe po i kontrabandonte në institucionet perëndimore të maskuar si biznesmenë.

Rregullisht ka njoftime, ku Rusia akuzohet për spiunazh. Qofshin këto bisedimet e përgjuara bisedat e Bundeswehr-it për sistemin e mbrojtjes raketore Taurus, dronët e dyshuar rusë mbi bazat ajrore evropiane dhe zonat industriale apo anijet e supozuara kërkimore që lundrojnë në detet e Evropës Veriore dhe dyshohet se kanë lokalizuar aty infrastrukturën kritike në shtratin e detit për akte të mundshme sabotimi.

 

Sabotazhi

Javët e kaluara, thuhet se një anije mallrash kineze e drejtuar nga një kapiten rus me gjasë ka dëmtuar dy kabllo nën det me një spirancë të zvarritur përgjatë shtratit të detit. Ky rast i kësaj jave të kujton një incident të ngjashëm në tetor 2023. Muajin e kaluar pati një sulm me zjarr në një magazinë në Londër që ruante ndihma për Ukrainën. Në korrik, një paketë që supozohej të dërgohej me avion shpërtheu në flakë në qendrën logjistike të DHL në Leipzig.

Në këto dhe shumë raste të tjera dyshohet për sabotim rus. Megjithatë, asgjë nuk është vërtetuar ende. Por shërbimet evropiane të inteligjencës paralajmërojnë se numri i akteve të sabotimit dhe zjarrvënieve në BE dhe Britaninë e Madhe është rritur në mënyrë dramatike gjatë vitit të kaluar.

 

Sulme kibernetike

Zyra Federale për Sigurinë e Informacionit paralajmëron se situata kërcënuese në hapësirën kibernetike është “më e lartë se kurrë”. Spiunazhi dhe sabotazhi lulëzojnë në internet. “Para sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, grupet sulmuese të lidhura me Rusinë ishin veçanërisht aktive në Gjermani me spiunazh kibernetik dhe sulme të motivuara financiarisht me ransomware. Që nga lufta e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, spektri i kërcënimeve është zgjeruar”, thotë BSI.

Për shembull, “numri i sulmeve DDoS nga haktivistët pro-rusë” është rritur ndjeshëm: faqet e internetit ose serverët institucionalë goditen me viruse të dëmshme deri sa arrijnë në atë pikë sa nuk mund të veprohet më për shkak të mbingarkesës. Edhe sulmet e hakerëve që synojnë të depërtojnë në rrjetet e mbrojtura të kompanive apo institucioneve janë gjithashtu në rritje.

 

Disinformim dhe propagandë

Një fushë tjetër kryesore e veprimtarisë së luftës hibride është përpjekja për të ndikuar në opinionin publik në vendin e vënë në shënjestër. Për këtë qëllim, shpërndahen informacione të rreme dhe narrativa pro-ruse apo anti-ukrainase, qoftë nëpërmjet të ashtuquajturave fabrika trollësh në mediat sociale apo përmes mediave të huaja ruse.

Në fillim të vitit 2024, Ministria e Jashtme zbuloi 50,000 llogari të rreme të përdoruesve që përhapnin raportime të rreme dhe opinione pro-ruse në rrjetet sociale dhe më pas të lidhnin me faqe interneti të rreme, disa prej të cilave ishin shumë të ngjashme me ato të mediave të njohura të lajmeve – veç që edhe aty përhapeshin lajme të rreme.

 

Ndërhyrja në zgjedhje dhe procese politike

Një qëllim kryesor i këtyre fushatave dezinformuese është të ulin mbështetjen popullore për Ukrainën. Një tjetër është të minojë stabilitetin politik në vendin e synuar (demokratik) duke forcuar partitë ekstreme dhe kandidatët e tyre. Kjo ndodh, për shembull, përmes mbështetjes financiare.

Në prill, inteligjenca çeke zbuloi një faqe interneti propagandistike të quajtur “Zëri i Evropës” që dyshohet se financohej nga Moska dhe që përdorej për t’u paguar ryshfet deputetëve të ndryshëm evropianë. Ndër të tjera, eurodeputeti i AfD-së, Petr Bystron, dyshohet se ka pranuar pagesa të tilla. Ai vetë i mohon akuzat.

Në duzina zgjedhjesh në Evropë dhe Amerikën Veriore dhe Jugore, shërbimet sekrete perëndimore akuzojnë Rusinë për ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në zgjedhje. Transmetuesi i huaj rus RT thuhet se ka prodhuar video gjatë fushatës zgjedhore presidenciale në SHBA mbi tema të diskutueshme në opinion si ndihma për Ukrainën, migracioni apo ekonomia, të cilat nga ana e tyre u shpërndanë nëpërmjet blogerëve të krahut të djathtë amerikan.

Të ashtuquajturat sulme hack-and-leak janë gjithashtu pjesë e repertorit të luftës hibride: politikanët apo partitë hakohen posaçërisht dhe dokumentet konfidenciale, ndonjëherë edhe të përziera me dokumente të tjera të falsifikuara, publikohen pak para zgjedhjeve. Kjo ndodhi, për shembull, në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 ose në fushatën e zgjedhjeve presidenciale franceze të vitit 2017.

 

Vrasje të qëllimshme

Vrasjet me qëllim të liderëve nga opozita, janë po ashtu pjesë e luftës hibride. Fakti që presidenti rus Putin nuk i shmanget as sulmeve jashtë vendit, e tregoi edhe vrasja në kopshtin zoologjik në Berlin e një ish-komandanti çeçen, i cili thuhet se ka luftuar kundër Moskës në luftën e dytë çeçene – ose sulmet e kryera në Britaninë e Madhe kundër kritikut të Kremlinit, Alexander Litvinenko në vitin 2006 ose agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia në vitin 2018.

Deri më tani, ishin qytetarët rusë kryesisht viktima të sulmeve të tilla. Megjithatë, në korrik 2024 u bë e ditur se pas një atentati të planifikuar kundër Armin Papperger, drejtorit ekzekutiv të kompanisë gjermane të armëve Rheinmetall, fshihej Rusia. Kremlini i mohoi të gjitha akuzat. Rheinmetall furnizon Ukrainën ndër të tjera me tanke Leopard II.

 

Çfarë mund të bëhet?

Rusia aktualisht po godet në forma të ndryshme në Evropë, thekson Sönke Marahrens, oficer i Bundeswehr-it dhe ekspert për sigurinë hibride, në një intervistë për tagesschau.de. “Operatorët rusë po provojnë gjëra shumë të ndryshme në shumë vende evropiane që madje bëhen të përshtatura individualisht për secilin vend: masat hibride që funksionojnë në Poloni nuk funksionojnë në Gjermani; ajo që funksionon në Gjermani nuk do të funksiononte në Finlandë.” Prandaj, duhet “pritur një spektër shumë i gjerë sulmesh edhe në të ardhmen”, është i bindur Marahrens. Por edhe fleksibiliteti me të cilin duhet të reagohet ndaj sulmeve të tilla duhet të jetë përkatësisht i lartë.

dw

Atlasi i qelizave të trupit të njeriut

qelizatShkencëtarët kanë krijuar një atlas që përshkruan disa nga 37.2 trilionë qelizat e trupit të njeriut. Studiuesit përdorën teknika të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, për t’iu afruar objektivit për të krijuar një atlas gjithëpërfshirës me të gjitha llojet e qelizave njerëzore, që do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë se nga çfarë përbëhet trupi ynë.

 

Imazhet janë aq të mahnitshme, saqë mund të ngatërrohen me vepra arti.

Por, këto janë qeliza njerëzore – të regjistruara si pjesë e një projekti ambicioz për të hartuar një atlas të të gjitha llojeve të qelizave njerëzore.

Puna kërkimore në kuadrin e iniciativës Atlasi i Qelizave Njerëzore, e publikuar nga revista Nature, përdori të dhëna të avancuara dhe mjete analitike, përfshirë inteligjencën artificiale, për të krijuar një hartë të hershme të detajuar të disa prej 37.2 trilionë qelizave të trupit të njeriut.

“Atlasi i qelizave njerëzore është një hartë e qelizave të indeve dhe organeve tona, dhe teknologjitë kryesore janë gjenomika me një qelizë të vetme dhe gjenomika hapësinore, që janë të integruara në një hartë të vetme, duke përdorur të dhënat shkencore dhe metodat e inteligjencës artificiale. Atlasi është në thelb një hartë me rezolucion të lartë e shtrirjes së plotë molekulare të çdo qelize. Dhe janë këto teknologji që na mundësojnë ta arrijmë këtë rezolucion të lartë”, shpjegon Sarah Teichmann, bashkëthemeluese dhe bashkëdrejtuese e e iniciativës Atlasi i Qelizave Njerëzore.

Zonja Teichmann dhe bashkëpunëtorët e saj u përqendruan në organe të caktuara – tek qelizat në gojë, stomak dhe zorrë, si dhe qelizat që përcaktojnë zhvillimin e kockave.

Studiuesit kanë prodhuar gjithashtu një atlas organoid të trurit që zbulon aspekte të zhvillimit të trurit.

“Ka disa pamje të bukura, përfshirë një që më pëlqen e placentës. Ka gjithashtu për zhvillimin e skeletit dhe të gjymtyrëve. Përparimet e tjera të mëdha janë në studimet integrale të sistemeve, si p.sh. sistemi gastrointestinal. Pra, ku ne integrojmë studime të shumta dhe më pas përparojmë drejt një grupi të dhënash më gjithëpërfshirëse”, thotë zonja Teichmann.

Shkencëtarët shpresojnë që atlasi me rezolucion të lartë dhe i disponueshëm për të gjithë – i konsideruar si një variant fillestar – do t’i ndihmojë studiuesit të luftojnë sëmundjet që dëmtojnë qelizat njerëzore.

“Ka rëndësi për sa i përket përfitimit të një botëkuptimi gjithëpërfshirës themelor shkencor, të mënyrës se si funksionojnë trupat tanë. Ka edhe aplikime të gjera biomjekësore, për sa i përket zbulimit të treguesve biologjikë, zbulimit të objektivit të ilaçeve, kategorizimit të pacientëve etj.”, thotë zonja Teichmann.

E themeluar në vitin 2016, Iniciativa “Atlasi i Qelizave Njerëzore”, ka tashmë mbi 3600 anëtarë nga 102 vende.

Shkencëtarët e kësaj iniciative po krijojnë gjithashtu atlase të tjera, që mund t’i ndihmojnë të mësojnë më shumë rreth shkaqeve themelore të sëmundjeve dhe shëndetit në pjesë të veçanta të trupit.

voa

28 Nëntori – dita e Flamurit, festë kombëtare, ditë e bashkimit për të gjithë shqiptarët.

flamuriMe 28 Nëntor 1443, Skënderbeu në Kështjellën e Krujës e ngriti Flamurin Kombëtar.

Me 28 Nëntor 1912, Ismail Qemaili në Vlorë e ngriti Flamurin kombëtar dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë.

 

Himni i Flamurit

Rreth flamurit të përbashkuar,
Me një dëshirë me një qëllim,
Të gjithë Atij duke u betuar,
Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një Dëshmor.

Në dorë armët do ti mbajmë,
Të mbrojmë Atdheun në çdo vend,
Të drejtat tona ne s’i ndajmë,
Këtu armiqtë s’kanë vend.

Se Zoti vet e tha me gojë,
Që kombe shuhen përmbi dhè,
Po Shqipëria do të rrojë,
Për të, për të luftojmë ne.

 

Asdreni

Britania: Rusia mund të kryejë sulme kibernetike me IA

AIQeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka paralajmëruar për rrezikun e sulmeve kibernetike me ndihmën e Inteligjencës Artificiale. Gjatë një konference të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, Britania njoftoi se po krijon një laborator të ri për t’iu kundërvënë sulmeve të tilla nga vende armiqësore, përfshirë Rusinë.

Megjithatë, disa ekspertë nuk pajtohen me këtë duke thënë se ekzistojnë shumë boshllëqe që hakerët mund t’i shfrytëzojnë nëpërmjet metodave tanimë të provuara. Ata thonë se paralajmërimet për sulme me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, mund të jetë të ekzagjeruara.

Bota mund të ndeshet me sulme më të rënda kibernetike përmes Inteligjencës Artificiale.

Ky paralajmërim u bë nga ministri britanik Pat McFadden, gjatë një fjalimi në Konferencën e Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, në Londër.

Qeveria britanike veçoi Rusinë si një burim të mundshëm të këtyre sulmeve. Londra po krijon një laborator për t’u përballur me, siç e quajti ministri McFadden, këtë “garë të re armatimi me ndihmën e Inteligjencës Artificiale”.

Faqet e internetit të qeverisë ukrainase, në vitin 2022, u përballen me sulme kibernetike për të cilat shërbimet e sigurisë fajësuan Rusinë.

Megjithatë, disa ekspertë nuk janë të bindur se Britania e Madhe do të përballet së shpejti me një valë sulmesh kibernetike të fuqizuara nga Inteligjenca Artificiale.

“Ne duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim për Inteligjencën Artificiale sikur të ishte një ndryshim i madh në natyrën themelore të operacioneve kibernetike. Përkundrazi, mendoj se ne ende po përballemi me të njëjtat probleme që i kishim dhjetë vjet më parë. Ne ende po luftojmë për t’u marrë me probleme të njëjta”, thotë James Sullivan nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara.

Qeveria britanike thotë se Inteligjenca Artificiale mund të “përforcojë kërcënimet ekzistuese kibernetike”, por gjithashtu thotë se paraqet mundësi për t’u mbrojtur kundër tyre.

Eksperti James Sullivan pajtohet.

“Inteligjenca Artificiale mund të analizojë sjelljen e përdoruesit dhe madje edhe reagimin ndaj incidentit. Unë mendoj se kjo është e rëndësishme. Mund të automatizojë proceset e reagimit ndaj incidentit, sepse ne kurrë nuk do të mund të mbrohemi nga këto incidente gjatë gjithë kohës”, thotë ai.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po i kërkon NATO-s që t’i përshtatet këtij kërcënimi të ri, siç ka bërë gjatë historisë së saj prej shtatë dekadash.

Por, disa ekspertë thonë se kërcënimi i sulmeve kibernetike që nuk shfrytëzojnë Inteligjencën Artificiale është ende “shumë i madh”.

“Unë dëgjoj gjatë gjithë kohës për mashtrime që kryhen duke shfrytëzuar Inteligjencën Artificiale. Më pas e kuptojmë se mashtrimet nuk kryhen fare ashtu. Miliarda dollarë përfitohen në mënyrë të jashtligjshme pa shfrytëzuar fare Inteligjencën Artificiale”, thotë Rob Pritchard, ekspert i sigurisë kibernetike.

Eksperti Pritchard shton se Inteligjenca Artificiale mund të zëvendësojë vetëm atë që arrin të bëjë njeriu dhe për këtë arsye, nuk e ka ndryshuar ende situatën rreth sigurisë kibernetike.

“Nuk shoh ndonjë gjë veçanërisht të rëndësishme. Momentalisht nuk egziston mundësia që të japësh urdhër dhe Inteligjenca Artificiale të kryejë sulme kibernetike”, thotë ai, duke shtuar se Britania momentalisht po has në vështirësi të përballet me sulmet kibernetike që kryhen pa ndihmën e Inteligjencës Artificiale.

 

voa