Kategoritë: Ballkan

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq: Do të bëjmë gjithçka që Kosova të mos anëtarësohet në OKB

Ivica-DaçiqMinistri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se qeveria serbe do të bëjë gjithçka është e mundur që Kosova të mos bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.

“Aty na pret një luftë e fuqishme, pasi që Kosova do të dëshirojë të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare”, ka thënë Daçiq për televizionin serb “Pink”.

Sipas tij, Serbia nuk është e detyruar t’ia mundësojë Kosovës anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, mirëpo shanset që Kosova të anëtarësohet në ndonjë prej këtyre organizatave varen edhe nga vendimmarrja e organizatave të caktuara, transmeton Koha.net.

Daçiq ka thënë se Kosova nuk mund të bëhet anëtare e OSBE-së pasi aty vendimet merren me konsensus, ndërsa Serbia nuk dëshiron që Kosova të jetë anëtare e kësaj organizate.

Sipas fjalëve të tij, është krejt situatë tjetër kur kemi të bëjmë me Këshillin e Evropës dhe me organizata tjera ndërkombëtare ku vendimet merren me shumicë votash.

“Fatkeqësisht, ne jemi në situatën më të rëndë kur flitet për Kosovën në Evropë”, ka thënë Daçiq duke komentuar rrethanat e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. (r.m.)

Fëmija problematik – Ballkani

BallkaniProblemet masive e kanë kthyer Ballkanin sërish në qendër të politikës evropiane. “Fëmija problematik” ka nevojë për më shumë vëmendje, dhe kjo është dhe në interes të të gjithë Evropës.

Ta “ngrijmë” Ballkanin dhe të merremi me të kur të ketë kohë BE-ja – kështu mendohej deri jo shumë kohë më parë në Bruksel dhe në kryeqytetet e mëdha evropiane, beson politologu Ivan Krastev. Por gjërat u zhvilluan mjaft ndryshe vijnë. Kriza financiare greke, politika agresive e Rusisë, tensionet rreth furnizimeve energjetike ruse në Ballkan, vala e refugjatëve nga Lindja e Mesme nëpërmjet të ashtuquajturit “itinerarin ballkanik”, qindra e mijëra azilkërkues nga Ballkani Perëndimor dhe migrantët e varfërisë nga Bullgaria dhe Rumania – të gjithë këto e kanë kthyer rajonin sërish në qendër të politikës evropiane.

Një në dhjetë evropianë (në qoftë se nuk llogaritim Turqinë) jeton në Gadishullin Ballkanik. Rajoni është vërtetë heterogjen, por ka edhe shumë karakteristika të përbashkëta: varfëria, prapambetja ekonomike dhe sociale, mungesa e sundimit të ligjit, paqëndrueshmëria politike. Viti 2015 dhe kriza i ka theksuar edhe më tej këto probleme tashmë serioze. Prandaj, BE-ja ka nevojë urgjente për zgjidhje të reja, strategji të reja dhe instrumente për Ballkanin, thotë Johanna Deimel nga Shoqata e Evropës Juglindore, e cila e quan rajonin “një komponent thelbësor të Evropës”.

Njerëz të varfër nga Ballkani vijnë në Evropën Perëndimore

Vëzhguesit janë të një mendimi se “fëmija problematik, Ballkani” ka nevojë për më shumë vëmendje, dhe se kjo është dhe në interes të të gjithë Evropës. Në veçanti, flukset e migrimit nga rajoni, e bëjnë të domosdoshme një politikë të re. “Ne duhet të bisedojmë me këto vende. Jo vetëm të flasim për to, por me ato”, thotë Dushan Relijc nga fondacioni “Wissenschaft und Politik”. Gjermania është vendi i BE-së që pranon shumicën e të ashtuquajturve “emigrantë të varfërisë” nga Rumania dhe Bullgaria – mbi 200 mijë në dy vitet e fundit. Shumica e tyre janë romë, por edhe njerëz të varfër që ikin vetëm nga mungesa e perspektivave në vendet e tyre.

Problematike është gjendja sodomos për të rinjtë që nuk gjejnë punë. Protesta në Bosnjë në vitin 2014, në Maqedoni, në pranverë të vitit 2015 dhe aktualisht në Mal të Zi kërkojnë një kulturë të re politike, dhe perspektivë të re ekonomike, demokratike dhe kushtetuese”, thotë Johanna Deimel. Dhe për këtë perspektivë duhet të angazhohen si vendet e rajonit dhe BE-ja, sepse përndryshe presioni për migrim do të vazhdojë.

Ballkani: kufijtë dhe siguria

Migrimi masiv nga dhe nëpërmjet Ballkanit kanë vënë me forcë në fokus çështjen e kufijve të jashtëm të BE-së. “BE-ja përpiqet ta shmangë këtë temë që prej 10-15 vjetësh. Sot, kjo çështje duhet të zgjidhet në qoftë se BE-ja dëshiron ta vërë valën e refugjatëve nën kontroll.” BE-ja duhet të vendosë se cilat vende do të anëtarësohen, dhe se si duhet të mbrohen kufijtë e rinj të jashtëm?

Jo vetëm BE, edhe NATO duhet të mbrojë kufijtë e saj në Ballkan. Gjatë vitit 2015 anëtarët e NATO-s Rumania dhe Bullgaria kanë vënë vazhdimisht në dukje se konflikti në Ukrainë i kanë vënë ata në një situatë potencialisht shumë të rrezikshme. Të dy vendet mbështesin sanksionet kundër Rusisë, por Bukureshti dhe Moska, kanë dhe tensione për Republikën e Moldavisë. Pra si përpjekjet dhe ambiciet gjeopolitike edhe ato të politikës së energjisë të Kremlinit në rajon duhen marrë shumë seriozisht, mendon Johanna Deimel, e cila përmend edhe Malin e Zi që sapo mori ftesën për anëtarësim në NATO.

Pjesë e Evropës

Dikur i damkosur si “fuçi baruti e Evropës”, Ballkani mbetet edhe pas luftërave të përgjakshme në Jugosllavi në vitet 1990, fëmija problematik i Evropës. Këtë rol të pakëndshëm rajoni e ka luajtur edhe në vitin 2015 rajoni (dhe pse jo vetëm për faj të vet). Me sa duket vendet e Ballkanit edhe gjatë vitit 2016 do të kenë probleme. Prandaj sipas ekspertëve të Ballkanit Evropa duhet t’i japë fund politikës me gjysmë zemër. Ballkani bën pjesë organikisht në Evropë dhe e ardhmja e tij është vendimtare për të ardhmen e Evropës. Pra këto vende duhet të merren seriozisht me të gjitha problemet dhe prapambetjen e tyre dhe duhet të ndihmohen masivisht. (dw)

20 vjet pas Daytonit – paqe dhe stanjacion

Edhe 20 vjet pas marrëveshjes së Daytonit Bosnja është e përçarë thellë. Shteti shihet si i korruptuar, mosbesimi është i thellë. Një kryetar bashkie i një qyteti të vogël nuk pajtohet. Daniel Heinrich e ka vizituar atë.

DaytonNë fakt Obren Petrović duket si një protagonist i një filmi me mafia: këmishë ngjyrë violet, këpucë të zeza të shndritshme, flokë të lyera. Veshja e tij përkon me dekorin e kafenesë, ku takohemi. Jashtë para derës qëndron ulur truproja e tij.

Petroviç është që nga 2002 kryetar bashkie i Doboj, një qytet i vogël 160 kilometer në veri të kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevës. Ai është i krishterë serb dhe angazhon e përfshin në mënyrë aktive qytetarët muslimanë të qytetit, gjë që e arrin me sukses, sepse në pjesën tjetër të vendit diçka e tillë duket se është e pamundur.

Në një vend, i cili që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Daytonit 20 vjet më parë është i ndarë përgjatë vijave etnike dhe fetare, një gjë e tillë bën armiq: “Bashkëjetesa mes grupeve të ndryshme fetare është shumë e mirë në komunitetin tonë, por problemet na vijnë vazhdimisht nga jashtë”, thotë Petroviç. Politika ime, që të jemi mirë edhe me pjesën muslimane të popullsisë sonë, nuk është e mirëpritur. Sidomos SNSD, partia serbe dhe lideri i saj Milorad Dodik nuk e shohin me sy të mirë, që ne këtu bashkëpunojmë të gjithë. Prandaj ata përpiqen që të prishin ekuilibrin ndërmjet qytetarëve.”

Të ndarë dhe të marrë fund

Këto rezerva tregojnë në mënyrë simbolike situatën në të gjithë vendin. Doboj, me rreth 35.000 banorët e tij, ndodhet në pjesën e Bosnjë-Hercegovinës, e cila që nga Marrëveshja e Dejtonit e 14 dhjetorit 1995 quhet “Republika Srpska”. Kjo është pjesa e vendit me popullsi kryesisht të krishterë, me kryeqytetin Banja Luka. Pjesa tjetër me kryeqytet Sarajevën quhet “Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës”, me ndikim kryesisht musliman. Të dyja pjesët e vendit përbëjnë “Bosnjën dhe Hercegovinën”. Të dy pjesët e vendit të quajtura “entitete” kanë struktura paralele administrative, si policia, arsimi, apo shëndetësia. Fëmijët nga “Republika Srpska”, për shembull, nuk lejohen të shkojnë në shkolla të “Federatës Bosnja dhe Hercegovina” dhe anasjelltas.

Karsten Dümmel është drejtori i fondacionit Konrad-Adenauer në Sarajevë. Ai është një njeri i menduar, si aktivist i të drejtave të njeriut ai i ka bërë opozitë shtetit të padrejtë gjermanolindor të RDGj-së. Për situatën në Bosnjë-Hercegovinë ai thotë: “Marrëveshja e Daytonit e plotësoi qëllimin e saj njëmbëdhjetë muaj pas nënshkrimit të saj. Më së voni në muajin e dymbëdhjetë ajo është dashur të rinovohej.” Ngaqë kjo nuk ka ndodhur, thotë Dümmel: “këtu mungojnë vizionet, mungon shpresa, ka bllokada të vazhdueshme, çdo gjë zgjat shumë kohë.” Këtyre u shtohet edhe papunësia shumë e lartë.

Ekonomi e dobët dhe „pushtet qendror“ i dobët

Shifrat dëshmojnë se ai ka të drejtë. Vendi me gati katër milionë banorë është në prag të stanjacionit. Rritja mesatare ekonomike me dy përqind në vitet e fundit nuk duket keq në vështrim të parë. Por për shkak të problemeve strukturore ajo nuk ka thuajse fare ndikim në tregun e punës. Papunësia e të rinjve është mbi 70 përqind dhe koncernet ndërkombëtare si Daimler apo RWE vitet e fundit i kanë ndërprerë projektet e investimeve për shkak të korrupsionit.

Analiza e ekspertit peshon edhe më shumë, nëse merret parasysh roli i „pushtetit qendror“, që natyrisht ekziston edhe në Bosnjë-Hercegovinë – megjithë ndarjen strikte të dy entiteteve. Me përjashtim të politikës së jashtme dhe tregtisë së jashtme përfaqësuesit e tij nuk kanë asnjë ndikim. I vetmi organ me kompentenca të zgjeruara brenda vendit është Gjykata Kushtetuese. Dhe vendimet e saj, thotë Karsten Dümmel, injorohen në pjesën më të madhe nga autoritetet.

Realitet dëshpërues

Mosbesim i thellë, institucione shtetërore të dobësuara. Kjo ka ndikim edhe në psikikën e shoqërisë. Semsa Ahmetspahic kujdeset prej vitesh për refugjatët e traumatizuar të luftës. Edhe pse lufta ka përfunduar zyrtarisht me nënshkrimin e marrëveshjes së Dejtonit, psikologia vëren në të gjithë shoqërinë boshnjake ende dëmtime të thella.

“Si çdo vend që ka kaluar një luftë të tillë të tmerrshme, në pjesë të tëra të popullsisë vërehen trauma mëdha.”Ahmetspahic përjeton çdo ditë në klinikën e saj se si gjendja katastrofale ekonomike e përkeqëson më tej situatën”. Njerëzit janë të pasigurt. Ata thjesht nuk shohin dritë në fund të tunelit.”

Vetëm së bashku dalim nga kriza

Në një vend, ku strukturat shtetërore për shkak të nepotizmit dhe korrupsionit nuk funksionojnë më, duhet të vijnë të tjera. Organizata bamirësie si “Islamic Relief” (IR) përpiqen të mbushin boshllëqet. Për shembull, pas rreshjeve të dendura në pranverën e vitit 2014, kur përrenjtë dhe lumenjtë dolën nga shtrati, njerëzit e IR ishin të parët në vendin e ngjarjes, ndihmuan ku mundën në fatkeqësinë e përmbytjeve.

Erdin Kadunic është përgjegjës për Bosnjën në IR. Vendi i prindërve të tij ende merret shumë me vetveten, në vend që të shohë përpara, thotë Kadunic. Për të kryetari i bashkisë së Doboj, Obren Petroviç, është një përjashtim i mrekullueshëm dhe një shembull për të gjithë vendin: “Në një fare mënyrë ai i edukon njerëzit për të treguar: “Njerëz kështu bëhet dhe jo ndryshe. “Ne nuk mund të jetojmë në Bosnjë në botë të ndara, me një botë serbe, një botë boshnjake dhe një kroate”, thotë Kaduniç. “Ka vetëm një botë të Bosnjës. Dhe kjo përfshin të gjitha grupet etnike.”

Një synim fisnik. Dhe megjithatë se sa larg nga kjo është realiteti i jetës në Bosnjë edhe pas dy dekadash paqeje, e bën edhe një herë të qartë Obren Petrović në fund të takimit. “Gjatë përmbytjeve Banja Luka vendosi në Doboj një të ngarkuar të përgjithshëm për të drejtuar punët në Doboj. Gjëja e parë që bëri është prerja e ndihmave nga komunat myslimane fqinje.” (dw)

Pritja prej heroi për një të dënuar për krime lufte

gjenerali llazareviqPasi ka vuajtur dy të tretat e dënimit prej 14 vjetësh për krime lufte kundër shqiptarëve të Kosovës, i dënuari nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës, ish gjenerali Vlladimir Llazareviq, është pritur në qytetin e Nishit në Serbi, me ceremoni shtetërore.

Para të tubuarve ai ka thënë se ai është dënuar “pa asnjë provë materiale”.

“Jam dënuar vetëm se gjoja kam ndihmuar tre të dyshuarit tjerë nga lënda ime, në dëbimin e banorëve shqiptarë, me faktin se kam qenë komandant i korpusit të Prishtinës [në ish Armatën Jugosllave] dhe atë pa asnjë provë materiale, pa asnjë provë të dyshimit të bazuar”, ka thënë Llazareviq.

Në tetor të vitit 2003, Tribunali i Hagës për Krimet e Luftës në teritorin e ish- Jugosllavisë, kishte bërë publike një aktakuzë kundër eprorëve më të lartë serbë, për krimet e bëra kundër popullatës shqiptare në Kosovë në vitin 1999.

Në këtë aktakuzë ishin përfshirë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, komandanti i Korpusit të Prishtinës,Vlladimir Llazareviq, shefi i Policisë Serbe për Kosovën, Sreten Llukiq, dhe ndihmësi i ministrit të Brendshëm serb, Vllastimir Gjorgjeviq.

Rasti i tyre ka qenë i ndërlidhur me aktakuzën kundër ish presidentit të Serbisë, Millan Millutinoviq, ish shefit e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq, dhe nënkryetarin e qeverisë së dikurshme jugosllave, Nikolla Shahinoviq.

Millutinoviq është shpallur i i pafajshëm, Ojdaniq dhe Shahinoviq janë liruar pasi kanë vuajtur 2/3 e dënimit të shqiptuar.

Llazareviq është dënuar me 14 vjet burgim. Deri më tash ka vuajtur 10 vjet nga dënimi i shqiptuar dhe me vendim të Tribunalit, më 3 dhjetor 2015 kthehet në Serbi, për shkak të një sëmundjeje nga e cila vuan.

Në aeroportin e Nishit ai është pritur nga zyrtarë të lartë shtetërorë dhe ushtarakë të Serbisë dhe disa qindra qytetarë.

Shkrimtari Vladimir Arsenijeviq, i cili punon në vendosjen e urave të bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve në Kosovë dhe serbëve në Serbi në fushën e kulturës, kritikon ashpër pritjen prej heroi që i është bërë ish gjeneralit të dënuar serb…

“Mendoj se elita jonë e përgjithshme politike, anon në fakt drejt një lloji fashizmi mendjengushtë, të përzier me një militarizëm ekstrem, nga i cili thjesht nuk din, ose në fund të fundit, edhe nuk do të dalë nga ajo formë e të menduarit. Për fat të keq, Serbia në gjithë këtë nuk është rast i vetëm. Një situatë të ngjashme kemi parë të ketë ndodhur edhe në vendet tjera të rajonit, të cilat kanë pasur të dënuar në Hagë”, ka thënë Arsenijeviq.

Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakajtha për Radion Evropa e Lirë se lirimi nga burgu i ish- komandanti të Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës është fyerje ndaj viktimave, dhe shkelje e identitetit të tyre.

Zoti Blakaj thekson po ashtu se fyerjen e bën edhe më të rëndë fakti se Llazareviqin e kanë pritur edhe zyrtarë të lartë të shtetit serb.

“Llazareviqi u ka ofruar mbështetje, i ka motivuar oficeret e lartë për kryerjen e krimeve në Kosovë. Prandaj është dënuar vetëm për dy pikat e para të aktakuzës, respektivisht për dëbimin e popullatës civile dhe për veprimet e tjera çnjerëzore, duke përfshirë edhe zhvendosjen e dhunshme”, tha Blakaj.

Mbi 800, 000 shqiptarë nga Kosova vlerësohet të jenë dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre në kohën e fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Në mesin e tyre, ishte edhe Sylejman Hajdini, qytetar nga Prishtina, i cili në vitin 1999, bashkë me familjen e tij [pesë anëtarëshe], është dëbuar dhunshëm nga banesa e tij në lagjen Bregu i Diellit, me urdhër të policisë dhe ushtrisë serbe.

“Ne kemi qenë në bllokun e katërt, më 3 prill 1999 na kanë larguar. Kanë ardhur ushtria dhe policia bashkë, na kanë thënë për 15 minuta duhet të dilni nga banesa. Ne i kemi pyetur ku të shkojmë, ata kanë thënë shkoni ku të doni, por duhet të largoheni. Kemi dalë dhe na kanë drejtuar me përcjellje deri në stacion të trenit”.

“Nuk na kanë lejuar t’i marrim veturat, e as t’i mbyllim banesat, hapur i kemi lënë. Gjatë rrugës ai që nuk ka mundur të ecë nga lodhja, është rrahur. Ai që ka dalë nga rreshti dhe ka dashur të skajohet, po ashtu është rrahur dhe është maltretuar. Kolonë kemi qenë dhe jemi përcjellë nga policia dhe ushtria deri në stacionin e trenit. Aty kemi parë numër shumë të madh qytetarësh të dëbuar nga shtëpitë e tyre”, ka shpjeguar Hajdini për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, nga e gjithë lënda dhe gjashtë të dënuarit, në burg vazhdojnë të mbeten Pavkoviq, Llukiq dhe Gjorgjeviq. (rel)

UNESCO, Serbia e lumtur. Vuçiç: Nuk jemi përulur

Serbia është e lumtur për mos pranimin e Kosovës në UNESCO si një betejë e vështirë e fituar. Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se Serbia nuk është përulur dhe është e rëndësishme që nuk ka humbur.

Ai theksoi se megjithatë me Kosovën duhet vazhduar dialogu.

“Një thënie e vjetër thotë se ‘mendjemadhësia është armiku më i madh i fitores’. Por, dua të them që ne nuk duam të shesim mend dhe se nuk do gjuajmë me gur kur ata na gjuajnë. Ne duam dialog dhe paqe në rajon”, deklaroi kryeministri Vuçiç.

Shefi i diplomacisë serbe me batuatat e stripave të Alan Ford tha se ai që do të fitojë nuk duhet të humbë. Duke porositur Kosovën të mos ëndërrojë, Daçiç tha se ky ishte një test edhe për mundësinë e një ulëseje të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Dua të falendëroj ata që treguan se nuk janë tamam miqtë tanë. I uroj të gjithë që luftuan në luftën tonë pasi ajo ishte çdo ditë dhe natë”, tha ministri i Jashtëm i Serbisë, Daçiç.

Zyrtarët serbë thanë se është bërë një luftë e ashpër për ta pamundësuar anëtarësimin e Kosovës.

Presidenti Tomislav Nikoliç tha se është “një fitore në kushte të pamundura dhe falëndëroj qytetarët që besuan se do ta mbronim Kosovën”.

/ Top Channel

Varësia ushtarake e Serbisë nga Rusia

raketat serbiPërderisa Kroacia po merr armë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që Serbia po blen armë nga Rusia, mbetet pikëpyetje se a është ky sinjal që atmosfera e luftës së ftohtë është zhvendosur në Ballkan dhe se Serbia, e rrethuar me vende anëtare të NATO-s, po kthehet drejt aleancës ushtarake me Rusinë.

Ndonëse ende nuk dihen detajet e blerjes së armatimit rus nga Serbia, Marko Milosheviq nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, thotë se armatimi që po blihet, që nënkupton, sipas tij, pesë apo gjashtë armë artilerie, dy apo tre hedhës raketash, katër helikopterë dhe disa aeroplanë, janë shifra qesharake që nuk i çrregullojnë raportet në rajon.

Sipas tij, Serbia nuk po blenë armë vetëm nga Rusia.

“Po blihen dy helikopterë nga Rusia dhe dy nga Gjermania. Kjo vërteton neutralitetin ushtarak të Serbisë”, ka theksuar Milosheviq, duke shtuar se Serbia nuk po orientohet kah Rusia, përderisa vendet tjera në rajon janë orientuar kah Perëndimi.

“Këto janë banalitete të politikës ditore pa ndonjë vështrim më të thellë në realitetin. Pjesa më e madhe e vendeve përqark, Hungaria, Bullgaria, Rumania, Kroacia dhe Shqipëria, si anëtare të NATO-s, apo Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, si vende që mëtojnë të hyjnë në NATO, në inventarin e tyre, kryesisht kanë teknikë të lindjes”, tha Milosheviq.

Ditë më parë, ambasadori amerikan në Beograd, Majkl Kirbi, duke u përgjigjur në pyetjet e medieve lidhur me porosinë e Serbisë për armë në Rusi, ka deklaruar se nuk po ndodh asgjë e jashtëzakonshme dhe se Serbia ka të drejtë të blejë armë nga kushdo.

Jovan Teokareviq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, thotë se rajoni i Ballkanit është larg nga vendet e konfliktit, si Siria dhe Ukraina. Por, megjithatë, duhet përkujtuar, siç ka thënë ai, prognozën kohë më parë, të sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry.

“Më duket se po realizohet prognoza e para disa muajve, se Ballkani, e veçanërisht sikur Serbia, Bosnjë e Hercegovina apo Maqedonia, janë në vijën e zjarrit ndërmjet blloqeve kundërshtare, NATO-s dhe Rusisë”, theksoi Teokareviq.

Përkujtojmë se gjithë rrëfimin për raportin e forcave në rajon, e ka nisur kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Porositë për armatim në Rusi, ai i ka vendosur në kontekstin rajonal, duke ndërlidhur armatosjen e Kroacisë fqinje, e cila nga Amerika ka marrë dërgesa ushtarake pa pagesë.

“Është interesant që të gjithë flasin për Serbinë, ndërkaq heshtin thuajse nuk ka ndodhur asgjë në rrethinë. Pra, thuajse është normale që dikush të blejë topa të koracuar, është normale që të marrë dhe granata hedhëse dhe raketa balistike dhe ne duhet të themi: Po, mirë është, bëhuni sa më të fortë dhe ne dëshirojmë të jemi të dobët. Këtë lloj rrëfimi nuk do ta dëgjoni nga ne”, ka thënë Vuçiq.

Megjithatë, profesori Teokareviq vlerëson se polemika e hapur lidhur me blerjen e armatimit nga Kroacia dhe Serbia, është vetëm për konsum të brendshëm politik.

“Kjo shërben për nevojat e brendshme politike, për të fryrje të vazhdueshme të patriotizmit nga ana e qeverive të të dyja shteteve”, ka theksuar Teokareviq.

Njohësi i zhvillimeve gjeopolitike nga Mali i Zi, Blagoje Grahovac, gjeneral në pension, shpreh mendimin se vendimi i Serbisë për të blerë armë në Rusi është i gabuar.

“Serbia duhet të qëndrojë aty ku përket me civilizim dhe në mënyrë gjeografike dhe kjo nënkupton, në Evropë. Tentimi i tashëm apo më mirë të themi, akti politik, që të bëjë aranzhime ushtarake me Rusinë, është gabim strategjik. Është një formulë e vjetër që thotë se ‘shteti që mbrojtjen e vet e bazon në fuqinë e armëve, në esencë është shtet i pambrojtur”, tha Grahovac.

Ai ka shtuar se Serbia është çelësi për largimin e lojtarëve gjeopolitik nga Ballkani. Sipas tij nuk ka Evropë të qëndrueshme pa Ballkanin e qëndrueshëm dhe siç ka thënë Grahovac, Ballkani mund të bëhet i qëndrueshëm vetëm në rast se Serbia është e qëndrueshme dhe e integruar në Evropë.

Për një gjë të tillë, ka thënë ai, Serbia duhet të ketë politikë të re.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Rusia do të ndërtojë sistem të raketave pranë Preshevës

raketat ruse ne preshevePërfshirja e Rusisë në Ballkan përmes sistemit të raketave tronditi Perëndimin. Sipas marrëveshjes së arritur më 30 tetor në Moskë ndërmjet kryeministrit serb Vuçiç dhe atij rus, Medvedev, Beogradi ka lidhur një marrëveshje prej 2.5 miliardë dollarësh për të blerë armë ruse, të paspecifikuara nga qeveria serbe.

Por nga media ruse dhe serbe thuhet se, sisteme të fuqishme të raketave ruse, BUK dhe S-400 Triumf, priten të instalohen pranë Luginës së Preshevës, ndërkohë që jo shumë kilometra më larg, në rajonin e Ferizajt në Kosovë, ndodhet baza më e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ajo e “Bondstill”-it.

Marrëveshja që firmosi Vuçiç në Moskë është cilësuar si një politikë “e uljes në dy karrige”, pasi nga njëra anë ai betohet për marrëdhënie të mira me SHBA-të dhe bëhet gati të firmosë me BE-në, e nga ana tjetër sjell kërcënimin e armatimit rus në Ballkan, duke rritur tensionet në rajon.

raketat ruse ne presheve2Ministri i Brendshëm i Kroacisë, Ranko Ostojiç, deklaroi dy ditë më parë se, “ne e ndjejmë veten të sigurt, pasi jemi anëtarë të NATO-s dhe nuk i frikësohemi asnjë lloj sulmi”.

Ndërkaq, ekspertë të njohur në Serbi i kanë bërë thirrje Vuçiçit të heq dorë nga politika e dyfytyrësisë me Perëndimin, pasi kështu mund të tensionojë marrëdhëniet në rajon.

Profesori i Shkencave Politike, Ivo Viskoviç, ish-diplomat, e shikon marrëveshjen e fundit me Moskën si një “lojë me zjarrin”, që do të ndikojë në marrëdhëniet me fqinjët, e se ajo minon politikën e nisur për pajtimin mes fqinjëve ballkanikë. Kjo politikë e promovuar nga Vuçiç merr fund në momentin e instalimit të mbrojtjes së raketave ruse, që do të sjellë edhe ndërhyrjen e NATO-s.

Zyrtarët e Aleancës së Atlantikut të Veriut pritet që të reagojnë me sqarimin e situatës dhe nuk përjashtohet mundësia e instalimit të mbrojtjes  në vendet anëtare të NATO-s.

vucic putin(Shekulli)

 

Mbyllja e kufirit mund të tendosë gjendjen në Ballkan

Partia CSU ka kërkuar prej kancelares Angela Merkel të ndryshojë menjëherë politikën e saj ndaj refugjatëve. Kërkesa të tilla janë dëgjuar edhe prej të tjerëve, por Merkel refuzon mbylljen e kufijve.

MerkelKancelarja gjermane Angela Merkel paralajmëron se mbyllja e kufijve nga Gjermania apo Austria mund të çojë deri në konflikte ushtarake në Ballkan. “Mbyllja e kufijve do të shkaktonte kritika dhe grindje mes vendeve të ndryshme”, theksoi Merkel në një takim të partisë CDU, të mbajtur në Darmstadt. Si shembull të ngritjes së tendosjeve ajo përmendi murin e ngritur nga Hungaria në kufi me Serbinë, por edhe Kroacinë.

Mosmarrëveshje mes vendeve të Ballkanit

Në Ballkanin Perëndimor edhe tani ka tendosje serioze mes vendeve të atjeshme. Kjo është parë edhe gjatë konferencës së fundit me vendet përgjatë së cilave kalon rruga e refugjatëve nëpër Ballkan. Qëllimi i kësaj konference të mbajtur në Bruksel ishte ulja e tendosjeve dhe gjetja e zgjidhjeve më të mira. “Nuk dua që atje sërish të jenë të domosdoshme ndërhyrjet ushtarake”, theksoi Merkel në takimin me përfaqësuesit e partisë së saj CDU, në Darmstadt. Merkel tha se qëllimi i saj nuk është të përhapë pesimizëm. Por gjendja në Ballkan mund të përshkallëzojë më shpejt se sa që mendohet. Grindjet mund të shndërrohen në zhvillime, të cilat nuk i do askush.

Merkeli tha se muri hungarez ka pasur për pasojë ndryshimin e rrugëve të refugjatëve, të cilët tani kryesisht kalojnë nëpër Maqedoni, Serbi, Kroaci dhe Slloveni. Por kjo valë e refugjatëve ka tensionuar gjendjen në këto vendje dhe ka rezultuar madje me mosmarrëveshje serioze mes Serbisë dhe Hungarisë, Serbisë dhe Kroacisë, si dhe Kroacisë dhe Sllovenisë.

Muret tendosin gjendjen

Në takimin me përfaqësuesit e partisë së saj, kancelarja Merkel ka dëgjuar fjalë të shumta kritike për politikën e tanishme ndaj refugjatëve. Kursin e tanishëm e kanë mbështetur shumë pak folës, ndërsa të tjerët kërkojnë që kancelarja dhe qeveria gjermane të ndryshojnë masat sepse “kështu nuk shkon më”. Por Merkel tha se refugjatët do të kërkonin rrugë të tjera për të ardhur në Gjermani, nëse Gjermania apo Austria vendosë të ngre mure në kufi. Ndërkohë që kjo mund të shkaktojë tendosje serioze mes vendeve të Ballkanit. Gjermania si vend i madh e ka për obligim të gjejë një zgjidhje tjetër të mundshme për refugjatët që vijnë në Evropë. Merkeli u shpreh e sigurt se mund të gjendet zgjidhje e përbashkët, e bazuar mbi solidaritetin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. (dw)

Rusi-Serbi, finalizohet marrëveshja ushtarake

vuc-putKryeministri serb, Aleksander Vuçiç ndodhet në Moskë në kuadër të një vizite 3 ditore. Rritja e bashkëpunimit midis Kremlinit dhe Beogradit është edhe qëllimi i vizitës, çka u finalizua me marrëveshje ushtarake dypalëshe.

Në fokusin e mediave ndërkombëtare ështe blerja e armëve të serbëve nga Rusia, ku sipas kryeministrit Vuçiç arsyeja është thjesht mbrojtja e vendit. “Blerja e armëve mundëson vetëm mbrojtjen e territorit tonë”, tha Vuçiç duke shtuar se Serbia nuk e ka ngritur zërin kur të tjerë vende pajisen me artileri ushtarake.

Pas takimit me homologun rus Dimitri Medvedev, Vuçiç u prit nga shefi i Kremlinit, Vladimir Putin. Të dy liderët i kushtuan rëndësi bashkëpunimit ekonomik mes vendeve.

“Në fillim të bisedës unë do të doja të theksohet fakti se pavarësisht nga të gjitha vështirësive që ekonomia botërore po kalon, dhe për ne kjo nuk është e lehtë, tregtia me Serbinë papritur tregoi nivele të kënaqshme. Furnizimi i produkteve bujqësore të Serbisë në tregun rus është rritur me 40%. Ky është një tregues i mirë. Përveç kësaj, ne kemi shumë çështje të tjera me interes të ndërsjellë, siç thonë diplomatët. Ne jemi shumë të kënaqur qe ju pritem në Moskë”, u shpreh Putin.

E ndërsa Vuçiç, nuk kurseu falendërimet.

“Unë do të doja në emër të qeverisë së Republikës së Serbisë t’ju falënderoj për mbështetjen që ju na jepni në Kombet e Bashkuara, në UNESCO dhe në organizata  të tjera, ku Serbia është duke u përpjekur për të mbrojtur jo vetëm integritetin territorial, por edhe shpirtin liridashës dhe mënyrën e saj të jetesës”, deklaroi Vuçiç.

Ndërkohë që premisat për bashkëpunim dypalësh u rritën gjatë vizitës së Vuçiç në Moskë, ushtarët serbë janë duke u përgatitur për të marrë pjesë në një stërvitje ushtarake të udhëhequr nga SHBA-të në Gjermani së bashku me anëtarët e tjerë të NATO-s.

/ Top Channel

Shtet i vogël në lojën e madhe

Një vend tjetër evropian në rrugën para një prove të vështirë? Nëse Mali i Zi merr ofertën për të hyrë në NATO, mund të përsëriteshin shumë gjëra, që njohim nga Ukraina, mendon Dragoslav Dedoviç.

mali i zi policiaSerbët dhe malazezët nuk kanë dallime të mëdha historike, etnike dhe fetare. Ngjashëm si në rastin e Austrisë ndaj Gjermanisë, Mali i Zi nën drejtimin e Milo Gjukanoviçit i ka kërkuar kriteret e veçimit nga Serbia në historinë e shtetësisë së tij. Një farë ambivalence ka gjithmonë në krenarinë kombëtare të Malit të Zi, sepse shumë princa malazezë e përkufizonin veten si serbë të flaktë. Kjo kujtesë mbahet gjallë sidomos në veriun e varfër të vendit, ku shumica e njerëzve insistojnë ende në identitetin e tyre serb.

Ndarja paqësore e Beogradit dhe Podgoricës ndodhi në vitin 2006. Pikërisht kjo ndarje, kryeideologu i së cilës ishte Gjukanoviç, la pas një ndarje të thellë në Malin e Zi. Në qendër të vendit dhe në bregdetin e Adriatikut, Gjukanoviçi ka siguruar gjithnjë shumicën. Në veriun malor ai nuk ka patur kurrë mbështetje.

Qendrim i urdhëruar properëndimor

Në aparatin e tij të pushtetit Milo Gjukanoviç mbështetetej te nacionalizmi, që lidhej me shtetformimin e Malit të Zi. Nacionalizëm, klientelizëm dhe një qëndrim i caktuar properëndimor, herë pas here gazetarët maltrajtohen dhe vriten, besnikët e partisë me familjet e tyre kanë vende pune, të tjerët gati asgjë. Pasi një prokuror italian e ndërpreu në vitet nëntëdhjetë aktakuzën e përgatitur kundër Gjukanoviçit për kontrabandë cigaresh, “demokrati i përsosur” vazhdoi të udhëheqë vendin në drejtim të BE-së dhe NATO-s.

Për një kohë të gjatë u duk se po i dilte llogaria mirë. Por pastaj erdhi konfrontimi i ri ruso-perëndimor. Malazezi ra në hall për të vendosur. Në kryeqytetin Podgoricë ndodhet një monument i Pushkinit. Në bregdetin e Adriatikut shumë rusë të pasur kalonin kohën e lirë. Nën Milo Gjukanoviçin rusët e pasur blenë prona në Adriatik, disa stacione radiofonike futën emisione në gjuhën ruse.

Rusia prej kohësh

Kjo rusofili ka një histori të gjatë. Ky popull i vogël malor nuk u vendos kurrë plotësisht nën zgjedhën osmane. I gjithë vendi ishte “fshati i vogël gal” i Ballkanit, i mbështetur nga Rusia cariste. Dhe kështu malazezët kanë besuar tradicionalisht te Rusia. Ashtu si në pyetjen, nëse malazezët janë të lidhur ngushtë me serbët, edhe në raportin aktual me Rusinë në mbarë vendin ka një qendrim gati skizofren.

Politika reale e Gjukanoviçit përbën në një situatë të tillë një ndërprerje kulturore. Në dalIim nga Beogradi Podgorica mbështet së fundmi sanksionet perëndimore kundër Rusisë. Dhe NATO pritet t’i ofrojë në fund të vitit anëtarësinë. Një dhuratë me eksploziv, sepse shoqëria gjithsesi e ndarë fiton në këtë mënyrë një arsye shtesë, për të larë llogaritë e vjetra.

Mund të ndodhë, që miqtë rusë të nxisin këtu apo atje opozitën e përçarë dhe të dobët. Dëshmitë mungojnë deri tani. Prirja për dhunë në të dy anët, arroganca e pushtetit dhe korrupsioni i pushtetarëve, si dhe mungesa e tmerrshme e konceptit tek opozitarët, janë të gjitha prodhim i vendit. Kjo nuk të lë të parashikosh asgjë të mirë.

Klisheja për malazezët është një luftëtar super krenar me moral të dobët për punë. Natyrisht që me klishetë duhet pasur kujdes, por aktualisht do të ishte jorealiste të pritej më shumë gandizëm i shoqëruar me më shumë dëshirë për zgjidhjen e krizës malazeze. BE ka preokupimet e veta. Dhe malazezët nuk do të jenë në gjendje t’i mbyllin konfliktet e tyre pa dhunë. Për këtë mungojnë kushtet gjeopolitike, ekonomike dhe sociale, si dhe vullneti politik. (dw)