Kategoritë: Ballkan

“Vështirë për Serbinë” – shkaku edhe i Kosovës, edhe i Srebrenicës

VucicDo të jetë vështirë, më së vështiri deri më tani – kështu tha së voni presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, teksa paralajmëroi “ditë të vështira” për Serbinë.

 

Më pas, ai identifikoi si sfida vendimmarrjen në Këshillin e Evropës për pranimin e Kosovës dhe një propozim-rezolutë në Kombet e Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë.

Në një seancë të jashtëzakonshme të Qeverisë së Serbisë, më 4 prill, ai kërkoi formimin e ekipeve për “bashkëpunim të të gjitha forcave”, në të cilat duhet të bëjnë pjesë Qeveria, Parlamenti dhe Presidenti i Shtetit.

Vuçiq ishte i vetmi që foli në seancë, duke i paraqitur Qeverisë serbe një sërë kërkesash dhe sugjerimesh.

 

Kosova dhe Këshilli i Evropës

Të bëhen të gjitha përpjekjet që Kosova të mos anëtarësohet në Këshillin e Evropës, kërkoi Vuçiq në mbledhjen e Qeverisë së Serbisë.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të votojë për pranimin e Kosovës më 16 prill, ndërsa vendimi përfundimtar pritet në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 16 maj.

 

Përveç formimit të një ekipi që do të merret me këtë çështje, Vuçiq kërkoi nga Qeveria që të gjithëve t’u dërgojë një të ashtuquajtur non-paper.

Në këtë dokument diplomatik jozyrtar duhet të shprehet qëndrimi i Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, që është organizata kryesore në kontinent në fushën e të drejtave të njeriut.

Në vend që të këmbëngulë se “Kosova nuk është shtet”, Vuçiq sugjeroi ndryshimin e qasjes, duke theksuar se Kosova nuk e ka formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia u pajtuan me një marrëveshje në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por Kosova nuk e formoi atë.

 

Në Këshillin e Evropës janë 46 vende, përfshirë 27 anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit.

Shumica e shteteve anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet.

Në dy raste, Serbia votoi kundër kërkesës së Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës, të cilën Prishtina e dorëzoi qysh në maj të vitit 2022.

Por, me Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit u obligua që të mos e pengojë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Këtë marrëveshje, dy vendet e arritën në shkurt të vitit 2023, ndërsa për aneksin e zbatimit të saj u pajtuan në mars të atij viti.

Megjithatë, zyrtarët në Beograd thonë vazhdimisht se nuk do t’i zbatojnë të gjitha dispozitat e marrëveshjes.

Kosova, po ashtu, nuk i zbatoi disa obligime të veta, përfshirë ato që kanë të bëjnë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

 

Gjenocidi në Srebrenicë dhe rezoluta e OKB-së

Parandalimi i miratimit të rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është detyra e dytë që Vuçiq ia ka vënë Qeverisë dhe vetes.

“Të përpiqemi të luftojmë sa më shumë, duke treguar gjithmonë respekt për viktimat që kanë pësuar”, tha ai.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e shpalli gjenocid krimin e kryer në Serbrenicë nga forcat serbe, në korrik të vitit 1999. Atëkohë, ato vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë brenda pak ditësh.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë miratoi, gjithashtu, disa vendime që konfirmonin gjenocidin në Srebrenicë.

 

Vuçiq paralajmëroi mundësinë që më 21 prill të shkojë në Nju Jork për të biseduar me sa më shumë përfaqësues të shteteve anëtare të OKB-së.

Ai tha se do që të bisedojë personalisht me presidentët e vendeve mike afrikane, si Egjipti, Algjeria, Kongoja, Namibia dhe Uganda.

Ai shtoi se nuk ka asnjë akt në OKB që thotë se Gjermania ka kryer gjenocid në Luftën e Dytë Botërore.

Përveç pretendimeve të Vuçiqit, tash për tash nuk ka asnjë informacion zyrtar për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, të cilën do ta nxirrte OKB-ja.

 

Duke folur për publikun më 29 mars, Vuçiq tha se Serbia ka marrë informacione nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së se një rezolutë e tillë do të jetë në rend dite më 27 prill, si propozim i Gjermanisë dhe Ruandës.

Ai vlerësoi se me miratimin e asaj rezolute, do të dilte edhe iniciativa për shfuqizimin e Republikës Sërpska, e më pas edhe kërkesa për dëmshpërblime të luftës nga Serbia.

Millorad Dodik, udhëheqës i Republikës Sërpska – entitet serb në Bosnje e Hercegovinë – tha më 2 prill se kundërshton propozim-rezolutën për gjenocidin.

“Ata përpiqen me këmbëngulje që të nxjerrin keq vetëm Republikën Sërpska dhe një komb”, tha Dodik.

Beogradi zyrtar, prej vitesh, kundërshton miratimin e rezolutave apo deklaratave që krimin në Srebrenicë e cilësojnë si gjenocid.

Zyrtarët serbë thonë se në Srebrenicë ka ndodhur një krim i tmerrshëm, por nuk pranojnë se ishte gjenocid.

Nëntë vjet më parë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusia bllokoi miratimin e një rezolute që dënonte gjenocidin në Srebrenicë, e cila u propozua nga Britania e Madhe dhe u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Edhe atëherë Serbia loboi kundër miratimit të rezolutës.

Në mars të vitit 2010, në kohën e Qeverisë së atëhershme, Parlamenti i Serbisë miratoi Deklaratën për Dënimin e Krimeve në Srebrenicë.

Ai dokument e dënon krimin e kryer në mënyrën që ka përcaktuar vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por termi gjenocid nuk përmendet në deklaratë.

rel

Lajçaku njoftohet me sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës

Shaip Kamberi Nevzad Lutfiu Miroslav LajçakDeputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu sot në Bruksel takuan emisarin e BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështje tjera në Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, të cilin e kanë njoftuar me sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës.

 

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, ka shkruar në ‘Facebook”, se e kanë njoftuar Lajçakun për hezitimin dhe mosgatishmërinë e shtetit për të integruar shqiptarët nëpër institucione shtetërore e për gatishmërinë që sistemi shtetëror e ka treguar për pasivizimin e shqiptarëve.

“Mosintegrimi  i shqiptarëve në institucione i bënë institucionet jokredibile e diskriminuese, ndërsa aplikimi  i pasivizimit tendencioz në vendet ku jetojnë shqiptarët mundëson ndryshimin e strukturës etnike në ato vendbanime. Medvegja është shembulli më i mirë. Njoftuam z. Lajçak për rëndësinë dhe impaktin që për të diplomuarit nga Lugina do të kishte njohja e diplomave të Kosovës dhe se njohja e tyre do të nënkuptonte mundësi për një perspektivë të re për Luginën”, tha ai.

Sipas tij, mungesa e vullnetit politik për ta zhvilluar Luginën e Preshevës ekonomikisht, pasqyrohet më së miri me bojkotin total të shtetit në sjelljen e investitorëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

“Prandaj edhe komunat e banuara me shqiptarë janë ndër komunat më të pazhvilluara në vend. Infrastruktura e shkatërruar shkollore në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, përskaj moslejimit të teksteve shkollore dhe mungesës së tyre në gjuhën shqipe, vështirëson edhe më shumë procesin edukativo – arsimor tek nxënësit shqiptarë. E ardhmja evropiane duhet të jetë e vetmja rrugë për Ballkanin Perëndimor ndërsa të drejtat e njeriut dhe pakicave duhet të jenë parakusht esencial i vazhdimit të rrugës së mëtejme drejtë Bashkimit evropian”, tha ai.

Kurti: Krimet e Serbisë nuk mund të mbulohen nga dheu i varrezave masive

E vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë nuk mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive. Kështu ka theksuar kryeministri Albin Kurti, teksa ka kujtuar masakrën në Rrezallë të Skenderajt, ku 98 burra dhe djem u pushkatuan nga forcat e armatosura të Serbisë vetëm për shkak se ishin shqiptarë.

“Nuk mund të lejojmë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë. Duke nderuar të kaluarën, me drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë. Për Kosovën e pavarur, ku brezat e rinj rriten të lirë e të sigurt. Duke mësuar nga e kaluara, ecim përpara me shpresë dhe vendosmëri”, ka shkruar kryeministri Kurti në Facebook.

Ai duke kujtuar masakrën e Rrezallës ka thënë se pas ekzekutimit mizor e barbarë më 5 prill 1999 të 98 burrave e djemve, forcat e  armatosura të Serbisë ua kishin rrëmbyer kufomat.

“29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nga Kizhevaku i Serbisë, më 30 shtator 2021, na u kthyen në Kosovë eshtrat e shtatë prej të vrarëve në këtë masakër. Mes tyre ishin edhe dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Serbisë. Andaj, sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e të dashurve tonë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për viktimat dhe familjet”, ka nënvizuar Kurti.

Tutje shefi i Qeverisë ka thënë se “drejtësia vendore duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojë, që përgjegjësit, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen”.

“Përkujtimi ynë është dëshmi e përkushtimit për të mos harruar sakrificat për të shtrenjtën e shenjtën liri. I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve të kombit nga Rezalla!”, ka përfunduar Kurti.

rtk

Vuçiç paralajmëron luftë kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

VucicPresidenti serb Aleksandar Vuçiç, i kërkoi të enjten qeverisë së tij të themelojë një grup punues që do të bëjë gjithë çfarë është e mundur për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe të angazhohet për të penguar miratimin e një rezolute në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë.

 

Ai tha se do të diskutojë me udhëheqës botëror për këto çështje përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, më të cilin pritet të takohet të hënën, për të biseduar mes tjerash forcimin e bashkëpunimit në fushën e industrisë së mbrojtjes.

Presidenti Vuçiç, thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë serbe për të diskutuar siç tha, “sfidat e rënda” që ndodhen para Serbisë, ndërsa Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës me 16 prill, dhe më pas çështja kalon në Këshillin e Ministrave të këtij mekanizmi.

Javën e kaluar, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i dha dritën jeshile kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Serbia votoi kundër, ndonëse në marrëveshjen e arritur një vit më parë në Bruksel dhe në Ohër, të dyja palët janë zotuar se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Ndonëse theksoi se “shanset e Serbisë” janë të pakta, ai kërkoi që të luftohet për të pamundësuar anëtarësimin e Kosovës dhe që argumenti kryesor të jetë “mosthemelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Presidenti serb tha se do të shkojë në Nju Jork, ku me 22 prill mbahet mbledhja e radhës e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën dhe për të vazhduar me përpjekjet për të siguruar mbështetje kundër miratimit të një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë.

Mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, nga forcat serbe.

Presidenti serb tha se pret të zhvillojë takime me udhëheqës të rëndësishëm botëror përfshirë një takim me presidentin francez të hënën në Paris.

Ai tha se nga tema do të jetë industria e mbrojtjes.

Serbia, një kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian që ka një nga ushtritë më të mëdha në Ballkan, ende mbështetet në avionët sovjetik si avionët MiG-29 dhe helikopterët MI-35, së bashku me raketat dhe tanket ruse. Ajo ka blerë gjithashtu raketa kineze kundërajrore dhe dronë ushtarak.

Vendi ballkanik pa dalje në det, mbetet ushtarakisht neutral, por ai iu bashkua programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s, i përshtatur për vendet që nuk aspirojnë të anëtarësohen në këtë aleancë.

Në janar, presidenti Vuçiq tha se Serbia do të shpenzojë rreth 740 milionë euro për pajisje të reja ushtarake në vitin 2024. Beogradi po zhvillon bisedime për blerjen e 12 avionëve luftarakë Rafale nga Franca, tha ai.

Beogradi kufizoi bashkëpunimin ushtarak me Moskën pasi Rusia filloi agresionin e saj në Ukrainë dhe e ka dënuar agresionin. Por, ndryshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera perëndimore, ajo nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, në radhë të parë për shkak të mbështetjes së Kremlinit ndaj pretendimeve serbe mbi Kosovën, e cila shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore.

voa

“Do goditet rrjeti elektrik dhe do ketë sulm kibernetik”, ish-admirali i NATO-s: Putin ka shënjestruar Ballkanin, Aleanca të bëhet gati për destabilizim në rajon

ushtariJames Stavridis, një admiral në pension i marinës amerikane dhe ish-ushtarak i lartë i NATO-s, ka dhënë alarmin për rrezikun që i kanoset Ballkanit nga Rusia.

 

Analiza e plotë:

Nëpërmjet një analize të publikuar për “Bloomberg”, Stavridis thotë se presidenti rus Vladimir Putin ka në plan destabilizimin e disa vendeve në Ballkan në mënyrë që të hiqet vëmendja nga Ukraina.

Gjatë gjithë historisë së Rusisë, carët kërkuan mënyra për të dominuar atë që ata e quanin “jashtë vendit të afërt” të perandorisë së tyre të përhapur. Në botën e sotme, pushtimi i paligjshëm i Presidentit Vladimir Putin në Ukrainën fqinje ndjek atë hark strategjik. Nëse ai fiton, është logjike që ai do ta kthejë vëmendjen te Moldavia, ndalesa e radhës në rrugën drejt Evropës Lindore – dhe ku një enklavë separatiste ruse, Transnistria, tashmë është e pushtuar nga Rusia.

Por ka një objektiv tjetër shumë tërheqës aty pranë: Ballkani Perëndimor. Shtrirja e trazuar e territorit në juglindje të Evropës përfshin katër anëtarë të qëndrueshëm të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut: Kroacinë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Por Kremlini i ka sytë te çmimet e tjera: Serbia, Kosova dhe kombi etnikisht i ndarë i Bosnjë-Hercegovinës. Si mund të kërkojë Putini të zgjerojë ndikimin rus dhe të minojë angazhimin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe Bashkimit Evropian në këtë cep të rëndësishëm të Evropës?

Unë e njoh mirë këtë terren që nga ditët e mia në NATO dhe si komandant i përgjithshëm ushtarak amerikan në Evropë. Para kësaj, kam shërbyer në luftërat ballkanike të viteve 1990 si kapiten i një destrojeri në brigjet e ish-Jugosllavisë, duke zbatuar një bllokadë armësh kundër regjimit të saj agresiv. Gjatë viteve, kam takuar shumicën e liderëve të lartë në rajon, duke përfshirë presidentin serb Aleksandar Vuçiç, ish-presidenten kroate Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe Milorad Dodik, udhëheqësin aktual të Republika Srpska (pjesa etnike serbe e Bosnjës).

Në vazhdën e shpërbërjes së Jugosllavisë, luftërat tepër të përgjakshme ballkanike midis 1991 dhe 2001 vranë deri në 105,000, shumë prej tyre civilë (8,000 burra dhe djem myslimanë, për shembull, u masakruan në Srebrenicë në korrik 1995). Tensionet mbeten midis katolikëve romakë në Kroaci, të krishterëve ortodoksë kryesisht në Serbi dhe myslimanëve në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnjë.

Putini po kërkon të përfitojë nga kjo histori e papërfunduar. Ai e di se nëse vendet anëtare të NATO-s tërhiqen përsëri në policimin e një Ballkani të trazuar, ata do të shpërqendrohen nga fokusi i tyre në mbështetjen e Ukrainës.

Ka ende disa mijëra paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, një ish-rajon i Serbisë që as serbët dhe as rusët nuk e njohin si një komb të pavarur. Vitin e kaluar, ushtria serbe hyri në gatishmëri të lartë pas trazirave të protestuesve etnikë serbë brenda Kosovës, duke plagosur rreth 100 ushtarë të NATO-s; kjo e detyroi aleancën të dërgonte disa qindra paqeruajtës shtesë. Putin po e inkurajon qartë Serbinë që të bëjë presion mbi qeverinë e Kosovës të mbështetur nga NATO.

Ai po punon gjithashtu për të destabilizuar qeverinë e lëkundur të Bosnje-Hercegovinës, e cila është e ndarë në një presidencë trepalëshe të çuditshme me një përfaqësues të secilës prej tre zonave kryesore etno-fetare. Aktori politik më me përvojë është Dodik, i cili është i lidhur ngushtë me Moskën. Edhe një dekadë më parë, ai më thoshte për nevojën e shkëputjes së Republika Srpska, e cila do të shkatërronte në mënyrë efektive vendin. Pjesa e tij e pasme do të përputhej me vetë Serbinë, duke krijuar një shtet më të madh serb, të cilin Putini do ta miratonte me kënaqësi.

Siç ka thënë kundëradmirali në pension Mark Montgomery, i cili ishte oficeri i planeve të mia në Komandën Evropiane të SHBA-së: “Kjo është e njëjta lloj sfide me të cilën u përballëm një dekadë më parë – Putin përfiton nga nxitja e tenxheres diku tjetër në Evropë, duke u përpjekur të dobësojë besueshmërinë e NATO-s. dhe na largojnë nga mbështetja e Ukrainës.”

Për fat të mirë, Perëndimi ka opsione. Për momentin, ideja e vendosjes së batalioneve të NATO-s në Ukrainë nuk ka gjasa. Kështu rritja e nivelit të trupave të dislokuara në Kosovë tani, dhe marrja përpara trazirave që Putin po përpiqet të nxisë, është e mundur dhe ka kuptim strategjik.

Të bësh këtë do të ishte një shembull i një ndarjeje efektive rajonale të përpjekjeve brenda aleancës: vendet e NATO-s në Ballkan dhe aty pranë (p.sh. Greqia dhe Italia) mund të fokusohen në atë rajon. Anëtarët e Evropës Lindore dhe Nordike mund të udhëheqin në përpjekjen e Ukrainës. Vendet e mëdha në perëndim – Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe SHBA – kanë burime të mjaftueshme për t’u përfshirë në të dyja.

Krahas forcave të stabilizimit, NATO duhet të jetë e ndërgjegjshme për përdorimin e Rusisë të të ashtuquajturës luftë hibride. Putini është i mirë në përdorimin e mediave sociale, fushatave të dezinformimit dhe propagandës pro-ruse për të krijuar tensione jashtë kufijve të tij. NATO duhet të përdorë rrjetet e veta të informacionit për të ekspozuar dhe kundërshtuar këto narrativa të rreme. Nëse rusët vendosin të ngrisin para, ata mund të përdorin sulme kibernetike kundër rrjeteve të energjisë dhe objektivave të tjera jetike në Kosovë dhe pjesët joserbe të Bosnjës. Kjo do të krijonte konfuzion dhe do të rriste pakënaqësinë sociale. NATO mund të sigurojë sisteme më të mira të mbrojtjes kibernetike për aleatët dhe miqtë e Ballkanit.

Së fundi, ka stimuj ekonomikë që mund të kundërshtojnë angazhimin rus. Serbia dëshiron dëshpërimisht anëtarësimin në BE, ashtu si Bosnje-Hercegovina. Udhëheqësit e tyre duan të jenë në gjendje të angazhohen me Perëndimin dhe të shmangin sanksionet. Ambasadori serb në SHBA ka shkruar së fundmi një letër duke pretenduar se Serbia dëshiron vetëm paqe.
Serbët mund të tregojnë se janë të sinqertë duke hedhur poshtë manipulimet e Putinit dhe duke lejuar Perëndimin të qëndrojë i fokusuar në sfidën e tij më të madhe: luftën imorale të Rusisë në Ukrainë.

tch

Ambasada amerikane në Sarajevë: Veprimet e Dodikut – sulm ndaj strukturës shtetërore të Bosnjës

Michael Murphy, ambasadori amerikan në SarajevëAmbasada amerikane në Sarajevë akuzoi të premten presidentin e Republikës Serbe, Milorad Dodik për “sulm të drejtpërdrejtë ndaj strukturës shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe marrëveshjes së Paqes së Dejtonit”, që i dha fund luftës në vitin 1995.

 

Natën ndërmjet së enjtes dhe të premtes, Asambleja e Republikës Serbe miratoi projektligjin zgjedhor të këtij entiteti, teksti i të cilit parashikon përvetësimin e kompetencave të Bosnjës e Hercegovinës për zhvillimin e zgjedhjeve në vend.

Ky qëndrim i entitetit serb pasoi njoftimin e Përfaqësuesit të Lartë për Bosnjën Christian Shmidt, për ndryshime në procesin zgjedhor në Bosnje dhe Hercegovinë. Njoftimi që u mbështet nga Shtetet e Bashkuara, u kundërshtua nga Milorad Dodik, i cili kërkoi të enjten që brenda 7 ditësh të anulohen vendimet e zotit Shmidt, “në të kundërtën përfaqësuesit e Republikës Serbe do të braktisin institucionet vendimmarrëse të Bosnjës e Hercegovinës” dhe nuk do të kthehen më.

Në një komunikatë të ambasadës amerikane në Sarajevë thuhet se përfundimet dhe legjislacioni që Milorad Dodiku dhe partnerët e tij në koalicionin qeverisës në Republikën Serbe nxorën dje, “përfaqësojnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj strukturës shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Siç bëjnë shpesh, z. Dodik dhe sejmenët e tij, demonstruan përbuzjen e tyre për demokracinë dhe pluralizmin politik me gjuhën e neveritshme që u drejtuan anëtarëve të asamblesë që kundërshtuan këto masa”.

Ambasada thekson se nuk është befasi që z. Dodik dhe simpatizantët e tij sulmuan veprimin e fundit të Përfaqësuesit të Lartë për të forcuar integritetin e procesit zgjedhor, “duke qenë se zgjedhjet e lira dhe të ndershme paraqesin një kërcënim ekzistencial për partitë që mbështeten në mashtrime për të ruajtur kontrollin e tyre në pushtet”.

Ambasada tërheq vërejtjen se projektligji zgjedhor i Republikës Serbe “do të uzurponte kompetencat e nivelit shtetëror dhe do të krijonte një sistem zgjedhor paralel”. Kjo, thuhet në komunikatë, është një shembull tjetër i politikave destruktive, anti Dayton të zotit Dodik, të cilat kanë penguar rrugëtimin e Bosnjës drejt integrimit euroatlantik.

Milorad Dodiku tha të enjten se ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Gjermanisë, si dhe përfaqësuesi Schmidt, duhet të shpallen armiq të Bosnjës dhe të dëbohen nga vendi.

Ambasada amerikane nuk i komentoi këto kërkesa, por tha se nëse z. Dodik donte të lehtësonte mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, dhe të avanconte me shpejtësi integrimin e Bosnjës në institucionet evropiane, ai mund ta bënte këtë duke u angazhuar në negociata të mirëbesimit që synojnë të krijojnë konsensus dhe kompromis, si dhe duke përqafuar reforma në përputhje me standardet evropiane në vend që t’u rezistojë atyre, përmes politikës së bllokadës e shantazhit.

Mbledhja e Asamblesë së Republikës Serbe, thuhet në komunikatë, është dëshmi se zoti Dodik nuk kujdeset për njerëzit e këtij vendi, përfshirë banorët e Republikës Serbe dhe është i përgatitur të sakrifikojë përparimin e zgjedhësve të tij për interesat e tij të ngushta politike dhe financiare.

Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht tërësinë tokësore, sovranitetin dhe karakterin shumetnik të Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe ne do të vazhdojmë të përdorim mjetet që kemi në dispozicion për të trajtuar veprimet kundër marrëveshjes së Dejtonit”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane në Sarajevë.

Një politikan pro rus, Milorad Dodiku, i cili më parë ka bërë thirrje për shkëputjen e entitetit të tij dhe bashkimin me Serbinë, është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Pas luftës së viteve të 90-ta, që la pas vetes mbi 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republikën Serbe dhe Federatën e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri e dobët qendrore në Sarajevë.

voa

Armë për Ukrainën: A mund të ndihmojë Ballkani Perëndimor?

Selensky RamaNë muajin shkurt presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi Ballkanit Perëndimor të prodhojnë bashkërisht armatime. A mund të ndihmojë rajoni dhe a janë në gjendje këto vende që të përmbushin nevojat e Ukrainës?

 

Që nga pushtimi rus i Ukrainës rreth dy vite më parë, presidenti ukrainas Zelenskyy ka ripërsëritur në vijimësi thirrjen e tij për ndihmë ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e Bashkimit Europian. Në Samitin Ukrainë-Europa Jug-Lindore mbajtur në Tiranë në ditët e fundit të muajit shkurt, ai shkoi një hap më tej dhe sugjeroi bashkëprodhim armatimi me shtetet e Ballkanit Perëndimor. “Propozoj një forum të përbashkët në industrinë e mbrojtjes mes Ukrainës, Ballkanit dhe partnerëve tanë” – tha ai.

Kjo kërkesë shtron pyetjen, nëse rajoni është teknikisht në gjendje që të përmbushë dëshirën e Zelenskyt. Dhe nëse është, a do të bashkëpunojë Serbia, vend i njohur për lidhjet e saj të ngushta politike me Rusinë?

 

Pse Zelensky përzgjodhi Ballkanin Perëndimor?

“Edhe pse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë një prodhim domethënës të armatimit të rëndë luftarak, ato kanë një sërë fabrikash për prodhimin e municioneve, dhe municionet janë ato që i interesojnë Ukrainës” – thotë hulumtuesja serbe Katarina Djokic, nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm, SIPRI. Në një analizë për Deutsche Welle, Djokic thotë se pjesa më e madhe e prodhimit të armatimit në rajon është i përqëndruar në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi, me disa kompani që prodhojnë municione në një gamë të gjerë kalibrash dhe lloje të ndryshme armësh, përfshirë sisteme të artilerisë dhe mortaja.

“Kemi pak të dhëna të besueshme se sa këto kompani janë në gjendje të prodhojnë gjatë vitit dhe sigurisht ky prodhim është shumë larg nevojave të Ukrainës, por Ukraina kërkon municione aq sa të mundet, prandaj dhe interesi i saj për prodhimin e Ballkanit Perëndimor nuk është surprizë” – thotë Djokic.

 

Cilat shtete të Ballkanit Perëndimor prodhojnë armatime?

Raporti më i fundit nga SEESAC, Zyra për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta në Europën Jug – Lindore dhe Lindore, tregon se gjatë vitit 2021, Serbia kryesoi listën e vendeve të rajonit si eksportuesi më i madh i armëve dhe municioneve, duke përbërë rreth 65.79% të eksporteve totale të Ballkanit Perëndimor, me një fitim në vlerën 1.3 miliardë euro. Vendin e dytë e mban Bosnje-Hercegovina, me 31.75% të eksporteve totale të rajonit.

Sipas të dhënave të vëna në dispozicion nga vetë këto shtete, rezulton se Shqipëria eksporton kryesisht municione, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi eksportojnë mitralozë të kalibrit 12.7 mm dhe automatikë, bomba dhe raketa, Maqedonia e Veriut eksporton municione dhe bomba, ndërsa Serbia një gamë më të gjerë armësh dhe municionesh, duke përfshirë bomba, granata, silurë dhe raketa.

 

Çfarë pozicioni mban Serbia?

Edhe pse presidenti serb Aleksandër Vuçiç e përshëndeti me përzemërsi presidentin ukrainas Zelenskyy në samitin e Tiranës, ai nuk bëri deklaratë zyrtare pas kërkesës së Zelenskyyt për prodhimin e përbashkët të armatimeve.

E vetmja deklaratë ndaj kësaj kërkese u bë nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili gjatë samitit u tha gazetarëve se “presidenti Zelensky na foli rreth një mundësie bashkëpunimi, çka nënkupton investim, prodhim dhe bashkëpunim, dhe sigurisht që secili prej nesh tha ‘Po’, jo vetëm Shqipëria”.

Serbia e ka dënuar luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, por ajo nuk i ka vënë kurrë sanksione shtetit rus. Katarina Djokic, thotë se pozicioni i politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë “mund të përshkruhet më mirë si oportuniste sesa e orientuar drejt Rusisë”. Ajo thekson se kjo reflektohet edhe në eksportet serbe të armëve. “Nuk diskutohet nëse Serbia do të pranojë të dërgojë armatim në Ukrainë, sepse sipas burimeve publike të inteligjencës, Serbia po e bën aktualisht këtë, edhe pse përmes vendeve të treta”. “Në mediat sociale kanë qarkulluar disa fotografi që tregojnë trupat e ushtrisë ukrainase duke përdorur armatim të prodhuar në Serbi. Gjithsesi qeveria vendase e konsideron këtë si një çështje delikate për politikën e brendshme dhe nuk ka të ngjarë që t’i pranojë publikisht këto eksporte” – sqaron Djokic për DW.

Sipas saj, kur gjatë vitit të kaluar rrodhën dokumente amerikane që tregonin se Serbia ishte e gatshme të eksportonte armë në Ukrainë, ose kishte nisur ta bënte, presidenti serb udhëroi një pezullim të përkohshëm të të gjithë eksporteve të armëve, zyrtarisht me argumentin se u duhej dhënë përparësi Forcave të Armatosura Serbe, por me shumë gjasa ky ishte një veprim për të menaxhuar pasojat e dëmit të shkaktuar.

“Deklaratat e tij të fundit, që ‘ne nuk mund të eksportojmë armatim sepse na nevojitet për vete’, nuk do të thonë se armatimet e prodhuara në Serbi nuk do ta gjejnë rrugën për në Ukrainë”.

 

Çfarë mund të bëjë Shqipëria?

Ermal Jauri, nga “George C. Marshall Albania Alumni Association”, thotë se modernizimi i kohëve të fundit i ish-bazës ajrore të Kuçovës me fondet e NATO-s është shembulli i përkryer i asaj çka mund të arrihet. Ai thotë se fabrikat e dikurshme të prodhimit të municioneve dhe bazat e vjetra ushtarake janë pjesërisht funksionale nga ana teknike dhe janë të certifikuara me sistemin e cilësisë së ndërmarrjes GOST.

“Me investimin e duhur, këto qendra rivitalizohen dhe kthehen në funksionalitet të plotë në një kohë të shkurtër” – i tha Jauri DW. Para viteve ’90, këto qendra prodhonin municione për mortaja, “Kallashnikov”, pistoleta “Makarov” dhe “Parabellum”, pushkë të tipit “Simonov”, granata dore ofensive dhe difensive si dhe mina kundër personel.

“Nëse Shqipëria përfshihet në një nismë të tillë, do të ishte një hap madhor drejt përmirësimit të sigurisë së vendit dhe të gjithë rajonit” – analizon Jauri.

 

Me apo pa mbështetjen e Bashkimit Europian?

Në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, pak kohë më parë, presidenti Zelensky u kërkoi partnerëve të BE-së që të dërgonin me urgjencë më shumë armatim dhe municione në Ukrainë. Kërkesa e tij erdhi pak javë pasi Unioni pranoi publikisht se ishte shumë pranë arritjes së objektivit që i kish vënë vetes për të dërguar miliona predha artilerie në Ukrainë deri në fund të marsit.

Josep Borrell, diplomati më i lartë i BE-së, më herët gjatë këtij viti u pati bërë thirrje vendeve anëtare që të ndalonin t

Josep Borrell, diplomati më i lartë i BE-së, më herët gjatë këtij viti u pati bërë thirrje vendeve anëtare që të ndalonin transportin e armëve drejt shteteve të tjera, përveç Ukrainës. “Të mos bërit asgjë nuk është alternativë” – tha ai, duke theksuar se “shtetet anëtare të BE-së duhet të gjejnë mënyra për të rritur mbështetjen ndaj Ukrainës, veçanërisht për dërgesat e municioneve aq shumë të nevojshme”.

Pra, cilat vende europiane janë në kushtet për të ndihmuar Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor që të prodhojnë armatim së bashku?

“Qeveria gjermane ka shfaqur interes për financimin e armatimeve për Ukrainën, nga vendet jo-anëtare të BE-së. Franca gjithashtu ka treguar se do të ishte e hapur të blinte municione për Ukrainën, të prodhuara në vendet jo-BE” – thotë Djokic. “Me Berlinin dhe Parisin në ekip, do të ishte më tepër i mundshëm edhe përdorimi i fondeve të Bashkimit Europian”.

Sipas Jaurit, një nismë e tillë nuk mund të realizohet pa mbështetjen e aleatëve të Ballkanit Perëndimor, si NATO dhe BE. “Kjo, jo sepse aleatët nuk janë në gjendje të prodhojnë municion dhe pajisje luftarake në vendet e tyre, por mbështetja e tyre për krijimin e një industrie të tillë në Ballkanin Perëndimor, do të ulte ndjeshëm dhe kostot e tyre në prodhimin e tyre.”

dw

Udhëheqësit evropianë pajtohen për hapjen e negociatave me Bosnjën për anëtarësimin e saj në BE

BE BosnjeUdhëheqësit e Bashkimit Evropian u pajtuan të enjten për të hapur negociatat e anëtarësimit të Bosnjës e Hercegovinës në bllok, ndonëse vendi i Ballkanit Perëndimor duhet të bëjë ende shumë punë përpara se të fillojnë bisedimet.

 

Të 27 udhëheqësit dhanë dritën jeshile politike në një takim në Bruksel, pasi Komisioni Evropian javën e kaluar u pajtua për hapjen e negociatave, pavarësisht ndarjeve të thella etnike në vendin me 3.2 milionë banorë.

“Këshilli Evropian sapo vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnjën dhe Hercegovinën. Urime!”, tha presidenti i Këshillit, Charles Michel.

“Vendi juaj është në familjen tonë evropiane”, shkroi ai në platformën X duke nënvizuar ndërkaq se “tani duhet të vazhdojë punë e vështirë në mënyrë që Bosnja dhe Hercegovina të përparojë në mënyrë të qëndrueshme”.

Në projekt deklaratën e përfundimeve të takimit të Këshillit Evropian, i cili i vazhdon punimet edhe të premten, udhëheqësit e BE-së theksojnë nevojën që Bosnja të vazhdojë të ndërmarrë “të gjithë hapat përkatës të përcaktuar” nga Komisioni, që përfshijnë reforma ekonomike, gjyqësore dhe politike si dhe përpjekje më të mira për të trajtuar korrupsionin dhe pastrimin e parave.

Bosnja është e përçarë nga ndarjet etnike, edhe gati tri dekada pas luftës së viteve 1992-95 që copëtoi vendin, duke lënë më shumë se 100,000 njerëz të vrarë dhe miliona të zhvendosur.

Në vitin 2022, Bosnjës iu dha statusi i kandidatit. Për t’u anëtarësuar në BE, vendet kandidate duhet të kalojnë një proces të gjatë për të përafruar ligjet dhe standardet e tyre me ato të bllokut dhe për të dëshmuar se institucionet dhe ekonomitë e tyre përmbushin normat demokratike.

Bosnja është në mesin e gjashtë vendeve të rajonit, krahas Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, që ndodhen në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në BE, pas një periudhe luftërash dhe krizash në vitet 1990.

Procesi i zgjerimit të BE-së me këto vende është bllokuar prej vitesh. Por pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, zyrtarët e bllokut janë më të prirë të përpiqen t’i joshin ata përballë ndikimit të Kremlinit.

Përveç reformave të brendshme jo të plota që dëmtojnë përpjekjet e saj, Bosnja është ende e ndarë etnikisht e politikisht dhe është ndoshta më e brishta nga vendet e Ballkanit.

Në dhjetor, presidenti i Republikës Serbe Milorad Dodik, një politikan prorus i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se synon të vazhdojë të dobësojë vendin deri në pikën e shpërbërjes.

Me vendimin e sotëm të udhëheqësve të BE-së për hapjen e negociatave me Bosnjën, Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka statusin e vendit kandidat, ndonëse ka shtruar kërkesën për një gjë të tillë.

Pesë vende anëtare të bllokut, Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe shumicës së vendeve të bllokut.

Pavarësia e Kosovës kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.

voa

DASH për takimin Daçiq-Lavrov: Të mos i ofrohet Putinit platformë për të nxitur agresion

DASHDepartamenti amerikan i Shtetit (DASH) ka thënë të enjten për Radion Evropa e Lirë (REL) se është i vetëdijshëm për një takim mes ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, me homologun e vet rus, Sergei Lavrov, më herët gjatë ditës në Moskë.

 

“Ne nuk besojmë se një vend duhet t’i ofrojë [presidentit rus Vladimir] Putin një platformë për ta promovuar, ose arsyetuar luftën e tij të vazhdueshme agresore kundër Ukrainës,” tha DASH për Radion Evropa e Lirë.

Daçiqi udhëtoi drejt kryeqytetit rus me ftesë të Lavrovit për ta shikuar një ndeshje miqësore në futboll mes ekipeve kombëtare të Serbisë dhe Rusisë të enjten pasdite.

Serbia u bë kombëtarja e parë evropiane që luan ndeshje futbolli në Rusi prej se Moska e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022.

Beogradi zyrtar nuk ka pranuar të bëhet pjesë e sanksioneve të Bashkimit Evropian – megjithëse synon të anëtarësohet në të – prej kur blloku filloi ta sanksionojë Rusinë dy vjet më parë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Pas takimit me Lavrovin, Daçiq tha se ruajtja e marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën është “interes jetik shtetëror” për Serbinë.

Daçiq, shefi aktual i diplomacisë në Serbi, e mbron publikisht qëndrimin se Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë, megjithëse i kërkohet nga Bashkimi Evropian.

Beogradi zyrtar llogarit në mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare për mosnjohjen e Kosovës si shtet të pavarur.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – e shpallur nga Prishtina zyrtare më 2008 – por nga viti 2011 zhvillon dialog me të, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.

Në Moskë, Daçiqi e falënderoi Rusinë për qëndrimin dhe mbështetjen e vendosur për Serbisë në lidhje me integritetin territorial dhe sovranitetin e saj, si dhe për çështjen e Kosovës.

Ministri i Jashtëm rus Lavrov tha para takimit se Rusia është e interesuar të “parandalojë krizat e reja” në Ballkan, sipas agjencisë së lajmeve, Beta.

Lavrovi thuhet t’i ketë thënë Daçiqit se dëshiron të dëgjojë prej tij një vlerësim për situatën në Ballkan, të cilën e ka vlerësuar si “serioze”.

rel

Ministri i jashtëm serb Daçiç: Marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, jetike për Serbinë

Lavrov DacicMinistri i Jashtëm serb Ivica Daçiç, tha të enjten në Moskë se ruajtja e marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën është “interes jetik” për Serbinë.

 

Ai i bëri këto komente pas takimit me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, i cili vlerësoi marrëdhëniet midis Federatës Ruse dhe Serbisë. “Toni i këtyre marrëdhënieve vendoset rregullisht nga kontaktet e presidentëve (Vladimir) Putin dhe (Aleksandar) Vuçiç”.

Shefi i diplomacisë ruse shprehu interesim për të dëgjuar vlerësimin e Serbisë për situatën “serioze” në Ballkan “dhe jemi të gjithë të interesuar për parandalimin e krizave të reja”.

Ministri serb tha se marrëdhëniet dypalëshe janë në një nivel shumë të lartë, “përkundër të gjitha pengesave që po përjetojmë”.

Pas takimit ai tha se falënderoi Rusinë për qëndrimin dhe mbështetjen e vendosur të Serbisë dhe tërësisë tokësore dhe sovranitetin e saj.

“Për ne është me rëndësi jetike ta dimë se kemi një zë të sigurt në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, u tha ministri Daçiç mediave serbe.

Kjo është vizita e parë e ministrit të Jashtëm serb në Moskë, që kur Rusia nisi agresionin e saj në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

Serbia një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë, e cila mbështet pretendimet e Beogradit ndaj Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 me mbështetjen perëndimore.

Të martën presidenti serb Aleksandar Vuçiç, përgëzoi udhëheqësin rus Vladimir Putin për fitoren në zgjedhjet presidenciale në Rusi, për të cilat perëndimi tha se nuk ishin as të drejta e as demokratike.

Ministrat Lavrov dhe Daçiç u takuan para një ndeshjeje miqësore futbolli midis Rusisë dhe Serbisë, e para ndeshje e ekipit kombëtar rus me një ekip evropian që nga agresioni në Ukrainë.

voa

Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë: Shtetet e Bashkuara duhet të mbesin të angazhuara në Ballkanin Perëndimor

Philip HughesKëshilli i Ambasadorëve Amerikan ka botuar këto ditë një raport pas vizitës fakt-mbledhëse në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadori Philip Hughes, përfaqësuesi i këtij grupi që mbledh rreth vetes ambasadorë jo të karrierës, thotë se këto tre shtete të Ballkanit kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, por ato vazhdojnë të përballen me sfida nga ndërhyrjet politike të fqinjëve të tyre apo në rastin e Shqipërisë nga kriminaliteti dhe korrupsioni dhe mungesa e një demokracie të mirëfilltë. Zoti Hughes po ashtu foli për vendimin e Shteteve të Bashkuara për ta shpallur person non-grata ish Presidentin e Shqipërisë, Sali Berisha.

Zëri i Amerikës: Këshilli i Ambasadorëve amerikanë, ishte për një vizitë fakt-mbledhëse në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut. Cilat janë gjetjet tuaja?

Philip Hughes: Na ka bërë përshtypje të thellë përparimi që Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë bërë që nga shpallja e pavarësisë së tyre dhe përparimin që ka bërë Shqipëria, që nga përmbysja e regjimit brutal të Enver Hoxhës dhe rilindja si shtet demokratik. Njëkohësisht, na bëri përshtypje ndikimi i madh i fqinjëve në politikat e këtyre tre shteteve – rolin e madh që Serbia luan në skenën politike të Kosovës, rolin e madh që Bullgaria luan në skenën politike të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipëria e cila, siç e kuptuam, ka detyrim kushtetues të përkujdeset për mirëqenien e shqiptarëve jashtë kufijve të saj. U befasuam me aspiratën e këtyre shteteve për t’u bërë pjesëmarrës të plotë të komunitetit Euro-Atlantik dhe përparimit që kanë bërë për të realizuar këto qëllime. Njëkohësisht, në secilin rast, ato kanë pengesa për integrim në BE dhe në rastin e Kosovës edhe në NATO. Në rastin e Shqipërisë, çështjet e korrupsionit dhe kriminalitetit në njërën anë dhe problemet me një qeverisje të mirëfilltë demokratike nga anën tjetër, janë pengesa të shkaktuara nga vetë klasa politike e , Shqipërisë, që ky vend duhet t’i tejkalojë.

Zëri i Amerikës: Duke patur parasysh këto sfida, si duhet të angazhohen hartuesit e politikave amerikane me rajonin?

Philip Hughes: Duhet të provojmë të vazhdojmë dialogun e ngushtë me të gjitha palët në rajon dhe natyrisht ta vazhdojmë praninë e forcave amerikane atje. Ne vizituam Kampin Bondsteel dhe jemi thellësisht të impresionuar me profesionalizmin e ushtrisë tonë dhe kontributin që ajo jep në rajon… Nxisim qeverinë e Shqipërisë që të vazhdojë përpjekjet për të tejkaluar dy sfidat që i përmenda. Është vështirë për një qeveri që ka avantazhet siç i ka qeveria e Kryeministrit Rama, avantazhet e krijuara për shkak të bojkotimit të zgjedhjeve të mëparshme nga Partia Demokratike, që ka një pozitë të tillë komanduese në aspektin elektoral, të nxisë garë të vërtetë demokratike dhe t’i japë hapësirë palës tjetër. Mungesa e garës së vërtetë demokratike do të shndërrohet në pengesë për Shqipërinë nga ata që hezitojnë ta pranojnë vendin në Bashkimin Evropian për arsye të ndryshme dhe nuk u duhen dhënë arsye të tjera.

Zëri i Amerikës: Një nga çështjet kundërthënëse të viteve të fundit është vendimi i qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të shpallur ish Presidentin e Shqipërisë Sali Berisha, persona non-grata. Në raport e konsideroni këtë vendim të padrejtë. A mund të na shpjegoni përse?

Philip Hughes: Kjo që thoni është paksa një lexim i gabuar i asaj që ne po përpiqemi të themi në raport. Është vështirë të gjykojmë rastin e Sali Berishës, sepse nuk kemi qasje tek faktet. Nuk e dimë se çfarë dëshmish i janë paraqitur Departamentit të Shtetit, apo çfarë provash kishte Sekretari Blinken kur bëri përcaktimin. Ajo që po përpiqemi të themi në raportin tonë, ajo që po përpiqemi të nënvizojmë, është se ky mund të jetë një rast, ku një nga ligjet tona po praktikohet në mënyrë shumë të përgjithshme, pa vëmendjen e duhur të Kongresit, duke sjellë pasoja të padëshiruara. Kjo është situatë në kundërshtim me traditat tona ligjore në Shtete të Bashkuara, ku njerëzit duhet të kenë qasje ndaj dëshmisë kundër tyre, në mënyrë që të kenë mundësinë për të kundërshtuar provat dhe të argumentojnë për të mbrojtur veten. Dhe kjo nuk është e mundur me mënyrën se si këto rregullore për shpalljen (non-grata) janë hartuar. Ajo që u përpoqëm të theksojmë është se kemi të bëjmë me diçka që bie ndesh me traditat ligjore amerikane dhe ndoshta duhet shqyrtuar. Ndoshta ka qenë e padrejtë, nuk e di, sepse nuk i kam faktet për rastin e Sali Berishës. Por është e sigurt se ai nuk ka qasje ndaj fakteve dhe nuk ka patur mundësinë që të mbrohet nga shpallja e vendimit apo të argumentojë në mbrojtje të vetes. Kjo nuk është mënyra se si ne i bëjmë gjërat në aspektin ligjor, në përgjithësi në SHBA, ndonëse ai natyrisht është shtetas i huaj.

Zëri i Amerikës: Shpallja, megjithatë, është mbështetur në një ligj të Kongresit, si një mjet politik për të luftuar korrupsionin dhe përcaktimet publike kanë filluar në vitin 2018 me prokurorin Adriatik Llalla. Dua t’iu pyes për kornizën kohore të këtij vendimi, sepse ju thoni se është vendim i administratës së Presidentit Biden, i Sekretarit Blinken. A mund të ketë filluar procedura nga administrata e mëparshme?

Philip Hughes: Qeveria amerikane, para zgjedhjes së Presidentit Biden më 2020, mund të ketë patur prova apo të dhëna nga Shqipëria, nuk e di. Ambasada u tregua e gatshme të na takonte por nuk na dhanë asnjë informacion, nuk hynë në asnjë nga faktet e rëndësishme që çuan te vendimi. Prandaj nuk e di se kur qeveria amerikane mund t’i ketë siguruar fillimisht të dhënat që mund të kenë çuar në vendimin e Sekretarit Blinken. Të gjitha diskutimet u përqëndruan në vendimet e marra gjatë administratës së Presidentit Biden.

Zëri i Amerikës: Dhe së fundmi, sa i rëndësishëm mbetet rajoni i Ballkanit?

Philip Hughes: Mendoj se mbetet shumë i rëndësishëm, sepse është një rajon që po bën përparim demokratik dhe ekonomik. Shpresoj që edhe Kosova një ditë të kalojë pragun dhe të anëtarësohet jo vetëm në BE, por në NATO për ta plotësuar praninë e aleancës në këtë pjesë të botës. Por nga përvoja ime, Shteteve të Bashkuara shpesh u duhet të përballen me çështje urgjente, dhe kjo shkakton vonesa në trajtimin e çështjeve të tjera të rëndësishme. Gjatë viteve ’90, konfliktet në Ballkan ishin kriza të menjëhershme. Tani ato nuk janë të tilla, por mund të bëhen sërish pjesë e një krize të menjëhershme, nëse konflikti në Ukrainë ka një përfundim të keq për ukrainasit, ose nëse Rusia vazhdon agresionin, apo në rastin ekstrem, synon të vërë në provë Nenin 5 të traktatit të NATO-s, në përpjekje për të thyer aleancën. Prandaj ky rajon duhet të ketë vëmendje politike të vazhdueshme dhe përparësi nga Shtetet e Bashkuara.

voa