Kategoritë: Bota

Lajmet nga Bota

Konklava për zgjedhjen e Papës të ri fillon më 7 maj

KonklavaVatikani njoftoi se konklava për zgjedhjen e Papës të ri do të fillojë më 7 maj. Gjatë kësaj kohe kontakti me botën e jashtme është rreptësisht i ndaluar.

Pas vdekjes së Papa Françeskut, duhet të zgjidhet një

Papë i ri. E ashtuquajtura konklavë, nga radhët e së cilës zhvillohet zgjedhja, është planifikuar të fillojë më 7 maj. Sikurse njoftoi zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, koha deri atëherë do të përdoret intensivisht nga kardinalët në Romë.

Kardinalët e caktuan datën në një takim me dyer të mbyllura, që zhvilluan pas funeralit të Françeskut. Brenda pak më shumë se një jave, kardinalët me të drejtë vote nga e gjithë bota do të mblidhen në Kapelën Sistine, në konklavën që do të zgjedhë Papa i ri.

Në vitet 2005 dhe 2013, konklavat zgjatën nga dy ditë. Gjatë kësaj kohe kontakti me botën e jashtme është rreptësisht i ndaluar.

Rreth 135 kardinalë kanë të drejtë të votojnë

Të drejtë vote kanë të gjithë kardinalët që në ditën e vdekjes së Papa Françeskut nuk e kishin mbushur moshën 80 vjeç. Nga 252 kardinalët aktualë, këtë kriter e plotësojnë rreth 135 syresh. Se sa prej tyre do të marrin vërtet pjesë është ende e paqartë.

Me votat e tyre kardinalët vendosin jo vetëm për udhëheqësin e ri fetar të katolikëve, por edhe për kursin e Kishës. Shumë kardinalë kanë shprehur dëshirën që të vazhdojnë të ndjekin fokusin e Françeskut duke u angazhuar për njerëzit në skajet e shoqërisë dhe për drejtësi sociale. Por midis konservatorëve ka disa që duan që kisha të ndjekë sërish më qartë mësimet thelbësore të katolicizimit, që ishin në fokus edhe nën papët e mëparshëm Gjon Pali II dhe Benedikti XVI.

dw

Frontex heton akuzat kundër Greqisë

ai frontexPrej vitesh ka njoftime se rojat bregdetare greke i dëbojnë brutalisht emigrantët. Pas një incidenti në fillim të prillit Agjencia Kufitare e BE-së ka nisur hetimet ndaj Greqisë.

Në fillim të prillit u mbytën të paktën shtatë emigrantë, ndër ta dy fëmijë, për shkak se varka e tyre – sikurse dyshohet – u përplas nga një anije e rojes bregdetare greke. Agjencia Evropiane e Mbrojtjes Kufitare dhe Bregdetare (Frontex) e klasifikon këtë incident si tepër serioz. Aktualisht Frontex-i po kryen një numër hetimesh lidhur me shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut në kufirin grek.

Megjithatë shpesh nuk ka prova të qarta se forcat greke të sigurisë po i dëbojnë me forcë refugjatët që ata të rikthehen në Turqi ose në ujërat turke. Shpesh nuk është më e mundur të përcaktohet nëse një anije kishte arritur vërtetë të hynte në ujërat territoriale greke. Athina e mohon me forcë se ka dëbime sistematike dhe se refugjatët  deportohen përtej kufirit pa pasur mundësinë që kërkesa e tyre për azil dhe mbrojtje të gjykohet individualisht.

“Një shkelje e tillë e ligjeve evropiane sigurisht që do të kishte pasoja për punën tonë”, thotë Lars Gerdes, zëvendësdrejtor ekzekutiv i Agjencisë Kufitare të BE-së, Frontex. Ai nuk e përjashtom as mundësinë që Frontex-i qëllimisht mbyll sytë ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut. “I ngarkuari ynë për të drejtat e njeriut, i cili punon në mënyrë të pavarur nga agjencia, po heton aktualisht të dhënat për shkelje të mundshme”, tha Gerdes. “Shkeljet, sigurisht, mund të kenë pasoja, dhe kjo është arsyeja pse drejtori ynë ekzekutiv, Hans Leijtens, i shqyrton ato me kujdes dhe personalisht.”

Greqisë mund t’i ndërpriten ndihmat financiare

Si rezultat drejtori ekzekutiv i Agjencisë Kufitare të BE-së, Frontex, mund t’i kërkojë Komisionit të BE-së t’i ngrijë ndihmat financiare ose të fillojë kundër Greqisë procedurat për shkelje të rregulloreve. Vetë Frontex mund ta zvogëlojë mbështetjen e tij, për shembull, të tërheqë disa nga pajisjet.

Aktualisht agjencia kufitare e BE-së i ofron Greqisë burime të konsiderueshme. Siç shpjegon Zëvendësdrejtori Gerdes “Për shkak të ishujve të shumtë dhe kufijve të gjatë detarë, Greqia luan një rol të rëndësishëm në kontekstin e migrimit të paligjshëm në Evropë.” Prandaj Frontex-i aktualisht e mbështet Greqinë me pothuajse 700 kufitarë, automjete patrullimi, nëntë anije dhe një avion.

Sigurimi i kufijve të jashtëm të BE-së, dhe mbikëqyrja e njëkohëshme e respektimit të të drejtave të njeriut, është shpesh një akt balance për zyrtarët e Frontex-it, sidomos për faktin se komanda operative është deri tani gjithmonë përgjegjësi e shtetit anëtar  të BE-së që është përgjegjës për kufirin përkatës.

dw

Reagime për idenë e lëshimeve territoriale nga Ukraina

Zelenski PistoriusMinistri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, mendon se kërkesat e presidentit Trump për lëshime territoriale nga Ukraina shkojnë shumë larg.

 

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i konsideron propozimet e fundit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për lëshime të gjera territoriale nga ana e Ukrainës në favor të Rusisë si shumë largvajtëse.

“Ukraina mund ta kishte arritur vetë një gjë të tillë, si të thuash përmes një kapitullimi një vit më parë”, tha politikani i socialdemokrat në emisionin “Bericht aus Berlin”.

 

Ndihmat për Ukrainën do të vazhdojnë

Pistoriusi e siguroi Ukrainën për ndihma të mëtejshme ushtarake nga Gjermania – edhe në rast të ndërprerjes së mbështetjes amerikane.

Kjo është përcaktuar qartë edhe në marrëveshjen e koalicionit, theksoi ai. “Nëse Ukraina bie, nëse Putini e fiton këtë luftë, pra e pushton Ukrainën, qoftë edhe vetëm pjesë të mëdha të territorit të saj, atëherë ky do të jetë një kërcënim maksimal për territorin e NATO-s dhe, madje, edhe për vendet fqinje si Moldavia dhe Gjeorgjia”, tha Pistorius.

 

Siguria dhe paqja në Evropë

Të gjithë duhet ta kenë të qartë: “Kjo nuk ka të bëjë vetëm me solidaritetin me Ukrainën, por ka të bëjë me sigurinë dhe paqen tonë në Evropë.”

Ukraina e di, tha Pistorius, se një marrëveshje armëpushimi e qëndrueshme dhe e besueshme ose një zgjidhje paqeje “mund ose do të çojë gjithashtu në lëshime territoriale”.

Ai vetë nuk do t’i lidhte këto me kufijtë territorialë. Në fund të fundit ato duhet të jenë në përpjesëtim me garancitë e sigurisë për të ardhmen.

dw

Trumpi dyshon në dëshirën e Putinit për paqe

Trump ZelenskiPresidenti i SHBA-së, Trump, ka shprehur dyshime nëse udhëheqësi i Kremlinit, Putin, e ka vërtet seriozisht lidhur me përfundimin e luftës. Ndoshta duhen vendosur sanksione.

 

Pas një takimi me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski, Presidenti i SHBA-së Donald Trump nisi të përdorë papritmas një ton më të ashpër ndaj Presidentit rus Vladimir Putin. Në platformën e tij online Truth Social, Trumpi madje e kërcënoi Rusinë me sanksione.

Sulmet e fundit të raketave ruse mbi zonat civile në Ukrainë e bënë atë të besonte se shefi i Kremlinit nuk ishte i interesuar t’i jepte fund luftës. Trump shkroi se po vdesin shumë njerëz dhe “kjo më bën të mendoj se ndoshta ai nuk dëshiron fare ta përfundojë luftën, por thjesht dëshiron të më mbajë zvarrë mua. Po ashtu ndaj tij duhet vepruar ndryshe p.sh. në ‘sektorin bankar’ apo me ‘sanksione dytësore’?”

 

Zelenski: Takim simbolik

Trumpi dhe Zelenski u takuan në Romë gjatë ceremonive mortore për Papa Françeskun. Shtëpia e Bardhë e quajti takimin si “shumë produktiv”. Edhe Zelenski e quajti takimin simbolik dhe u shpreh pozitivisht pas tij.

“Ne patëm mundësi të diskutonim kokë më kokë. Shpresojmë për një rezultat nga gjërat që diskutuam.” Këto përfshinin mbrojtjen e jetës së popullsisë ukrainase, “një armëpushim të plotë dhe pa kushte” dhe “një paqe të besueshme dhe të qëndrueshme”.

Biseda thuhet se kishte zgjatur rreth 15 minuta. Presidenti ukrainas kishte njoftuar më parë në një videomesazh se do të zhvillonte në Romë edhe disa takime që kanë si synim të çojnë në armëpushim.

dw

Gjermani: Efekti Trump-Putin në politikën e re të jashtme

de trump putinFakti që CDU/CSU dhe SPD ranë dakord kaq shpejt për koalicionin lidhet edhe me zhvillimet gjeopolitike dhe sfidave akute në politikën e jashtme. Pothuajse të gjitha kanë të bëjnë me Donald Trump.

Situata e vështirë ndërkombëtare dhe politika e tarifave doganore e administratës amerikane të presidentit Donald Trump i vunë së fundmi negociatorët e partive gjermane që duan të krijojnë qeverinë nën presion shtesë për të arritur një marrëveshje. Është një “situatë e rritjes së tensioneve politike globale”, tha kancelari i ardhshëm i pritshëm Friedrich Merz i CDU  kur prezantoi marrëveshjen e koalicionit. Merz i vë kërcënimeve dhe pasigurive mesazhin e partnerëve të koalicionit: “Ne duam dhe do të ndihmojmë në formësimin e ndryshimeve në botë përGjermaninë”. Dhe kreu i SPD,  Lars Klingbeil konfirmoi: “Është një pikë kthese. Ne jetojmë në kohë vërtet historike.” Këtu është një pasqyrë e sfidave më të rëndësishme të politikës së jashtme:

Çfarë planifikon të bëjë qeveria e ardhshme federale për sa i përket politikës tregtare?

Tarifat e larta të importit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe kundërmasat e vendeve të prekura, shkaktuan javën që kaloi turbulenca tek tregjet aksioneve në mbarë botën dhe frikën e një lufte tregtare globale. Si një vend eksportues, Gjermania është e goditur veçanërisht rëndë nga tarifat, kjo edhe sepse ekonomia gjermane ka qenë në recesion për më shumë se dy vjet.

BE-ja është përgjegjëse për tregtinë transatlantike, Gjermania nuk mund të veprojë e vetme këtu. E vetëdijshme për cenueshmërinë e Gjermanisë, qeveria e ardhshme federale është e përkushtuar të mos lejojë përshkallëzim të mëtejshëm. Në marrëveshjen e koalicionit thuhet: “Në periudhën afatmesme synojmë një marrëveshje të tregtisë së lirë me SHBA-në,  në një afat të shkurtër duam të shmangim një konflikt tregtar dhe jemi të përkushtuar të ulim tarifat e importit në të dy anët e Atlantikut”. Duke pasur parasysh veprimet e fundit të Trump-it, kjo mund të shihet edhe si një qasje mjaft optimiste.

Gjermania dhe marrëdhënia transatlantike

Friedrich Merz është në të vërtetë një transatlantik i bindur. Për dhjetë vjet ai ishte kryetar i Urës së Atlantikut, një organizatë jopartiake e dedikuar për forcimin e marrëdhënieve amerikano-gjermane. Ndonëse nuk ka jetuar kurrë në SHBA, ai thotë se e njeh shumë mirë mënyrën e të menduarit amerikan falë viteve të punës për grupin amerikan të investimeve BlackRock. Por me fillimin e mandatit të dytë të Donald Trump në detyrë, besimi i Merz në një partneritet të ngushtë gjermano-amerikan është tronditur rëndë. “Jam i tronditur nga Donald Trump”, tha ai pasi Trump i dha pjesë të fajit për luftën edhe   Ukrainëa. Merz u shpreh i shokuar, kur Trump dhe zëvendëspresidenti J.D. Vance poshtëruan publikisht presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë.

Gjermania ka pasur një reputacion të keq te Trump që nga koha e kancelares së CDU, Angela Merkel, edhe për shkak të politikës së hapur të Merkelit për refugjatët, të cilën Presidenti amerikan e urrente. Edhe pse Merz vazhdimisht distancohet politikisht nga Merkel, një takim personal midis Merz dhe Trump nuk do të ishte i lehtë. Deri më tani, asnjë nuk është planifikuar.

Ukraina: A do të ofrojë Gjermania tani raketat Taurus?

Përpjekjet e Donald Trump për të sjellë paqen në Ukrainë i kanë kthyer evropianët thjesht në spektatorë. Ai po negocion drejtpërdrejt me presidentin rus Vladimir Putin. As presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjithashtu nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë në bisedimet. Nëse arrihet një marrëveshje paqeje që mund të rezultojë në një paqe të diktuar për Ukrainën, gjermanëve dhe evropianëve të tjerë të BE-së ndoshta do t’u lihej vetëm roli i sigurimit të paqes.

Koalicioni i ardhshëm do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën. “Ne qëndrojmë në krah të ukrainaseve dhe ukrainasve të guximshëm. Ata mund të mbështeten tek ne,” tha Lars Klingbeil i SPD. Për këtë partnerët e koalicionit nuk kanë vendosur ende. Megjithatë, mbetet e paqartë saktësisht se çfarë do të ndodhë me ndihmën ushtarake. Si lider i opozitës, Merz kishte mbrojtur dërgimin e raketave gjermane me rreze të gjatë Taurus në Ukrainë. Kancelari aktual i SPD-së, Olaf Scholz, gjithmonë e refuzoi këtë sepse kishte frikë se Gjermania do të tërhiqej në luftë me Rusinë.

Mbrojtja: Merz do pavarësim nga SHBA

Për shkak se Merz dyshon nëse SHBA do të respektojë klauzolën e mbrojtjes reciproke, ai tha në natën e zgjedhjeve se evropianët duhet “të arrijnë vërtet pavarësinë nga SHBA” sa më shpejt që të jetë e mundur. Ndërkohë, Merz jo vetëm që ka marrë nga Bundestagu Ok për “çfarëdo që të duhet” për përmirësimin e Bundeswehr-it. Ndërkohë ai synon bashkëpunim më të ngushtë mes evropianëve në politikën e mbrojtjes. Ai dëshiron të bisedojë me fuqitë bërthamore evropiane, Francën dhe Britaninë e Madhe, nëse dhe si mund të përfitojnë Gjermania dhe Evropa nga mbrojtja e tyre bërthamore. Kjo nuk do të jetë e lehtë. Të dy shtetet nuk kanë gjasa të jenë të gatshëm të ndajnë arsenalet e tyre bërthamore kaq thjesht.

Edhe brenda BE-së ka rezerva për më shumë bashkëpunim ushtarak. Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban mban kontakte të mira me Vladimir Putin dhe refuzon mbështetjen për Ukrainën.

Politika gjermane e BE-së: suksesi nuk është gjithmonë i sigurt

Merz kishte akuzuar qeverinë aktuale nën kancelarin e SPD, Olaf Scholz, se ka lënë të dobësohet bashkëpunimi evropian. Mbi të gjitha kanë pësuar marrëdhëniet me partnerët më të afërt Francën dhe Poloninë, sipas tij, dhe Merz dëshiron ta ndryshojë gjendjen. Por kaq e lehtë nuk do të jetë. Presidenti francez Emmanuel Macron është nën presion brenda vendit. Pas vitesh nën qeverinë nacionaliste të krahut të djathtë të PiS, Polonia ka edhe një herë një udhëheqje pro-evropiane nën ish-presidentin e Këshillit të BE-së, Donald Tusk, megjithatë, aktualisht nuk ka asnjë marrëdhënie të ngushtë as me Parisin dhe as me Varshavën. Momenti i mëparshëm entuziast brenda BE ka kaluar. Populistët e krahut të djathtë janë në rritje pothuajse kudo dhe integrimi evropian nuk është më aq i lehtë.

Reduktim i rreziqeve me Kinën

Si një rrugëdalje nga konflikti tregtar me Trump, disa politikanë në Berlin dhe Bruksel duan të përqendrohen më shumë në tregtinë me Kinën. Por gjërat nuk shkojnë më si më parë, kur eksportuesit gjermanë bënin biznese të shkëlqyera atje. Makinat gjermane, hitet e të eksporteve në Kinë për një kohë të gjatë, tani po mbesin në parkingje. BE-ja, nga ana e saj e mbyll tregun e saj kundër makinave elektrike kineze. Edhe këtu, Gjermania, si një vend i orientuar nga eksporti, duhet të përpiqet të sigurojë që kufizimet e tregut në tregtinë me Kinën të mos shkojnë shumë larg.

Nga ana tjetër, koalicioni i ardhshëm dëshiron të zvogëlojë rreziqet e sigurisë kur merret me fuqinë ekonomike të Kinës. Fjalia në marrëveshjen e koalicionit “Ne duam të parandalojmë në mënyrë efektive investimet e huaja që bien ndesh me interesat tona kombëtare, në infrastrukturën kritike dhe në zonat e rëndësishme strategjike” ndoshta i referohet kryesisht Kinës.

Konflikti në Lindjen e Mesme: Netanyahu i mirëpritur në Gjermani? 

Qeveria gjermane është në një pozitë veçanërisht të vështirë këtu: Si konsekuencë nga historia naziste me vrasjen e miliona hebrenjve, siguria e Izraelit është e një rëndësie të veçantë për çdo qeveri gjermane. Nga ana tjetër, politikanët gjermanë e kanë kritikuar vazhdimisht goditjen e ashpër të Izraelit në Rripin e Gazës si joproporcionale. Hamasi, një grup militant, islamik palestinez klasifikohet nga SHBa, BE, Gjermania dhe vende të tjera si organizatë terroriste.

Qeveria gjermane është gjithashtu në dilemë për shkak të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i dyshuar për krime lufte në Rripin e Gazës. Gjermania mbështet gjykatën penale dhe në fakt do të duhej të arrestonte Netanyahun nëse ai do të vizitonte Gjermaninë. Megjithatë, Friedrich Merz ka premtuar se kjo nuk do të ndodhë nën udhëheqjen e tij si kancelar.

Po i thotë Gjermania lamtumirë mbrojtjes së klimës?

Të Gjelbrit kanë siguruar që mbrojtja e klimës në Gjermani të marrë shumë më shumë fonde dhe që neutraliteti i klimës të përfshihet në kushtetutë deri në vitin 2045 – por globalisht situata është ndryshe: Donald Trump jo vetëm që e nxori SHBA nga të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e klimës menjëherë pas marrjes së detyrës, por edhe kompanitë e mëdha amerikane kanë ndjekur shembullin: gjigantët e investimeve si BlackRock dhe J.P. Morgan kanë braktisur projektet miqësore me klimën. Kjo do ta bëjë shumë më të vështirë për Gjermaninë të ecë përpara me mbrojtjen e klimës në nivel ndërkombëtar. Ndërkohë organizatat mjedisore besojnë se vetë qeveria e ardhshme nuk e ka më aq seriozisht këtë. Ata e shohin pasazhin në marrëveshjen e koalicionit, ku thuhet, se neutraliteti i klimës duhet të arrihet “me një qasje që bashkon mbrojtjen e klimës, konkurrencën ekonomike dhe ekuilibrin social” si një dobësim të qëllimeve klimatike.

dw

Përplasja për tarifat doganore me SHBA-në mund të kthehet së shpejti në një problem edhe për Xi-n.

USA KinaTarifat ndëshkuese të Trumpit janë bërë një temë shumë e debatuar. Situata me Kinën po tensionohet gjithnjë e më shumë. Nëse kjo prirje vazhdon, përplasja tregtare mund të kthehet në një rrezik real edhe për presidentin kinez, Xi Jinping.

Lufta tregtare mes SHBA-së dhe Kinës po del plotësisht jashtë kontrollit. Të dy liderët – presidenti amerikan Donald Trump dhe udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping – nuk po bëjnë asnjë përpjekje për t’u afruar me njëri-tjetrin. Tarifat ndëshkuese amerikane ndaj produkteve kineze të importuara kanë arritur tashmë në 145 për qind, ndërsa ato kineze ndaj mallrave amerikane janë në 125 për qind.

Asnjë ekspert nuk dyshon se kjo përshkallëzim do të ketë pasoja për dy ekonomitë më të mëdha në botë – dhe do të dëmtojë edhe pjesën tjetër të botës.

Trump duket se dëshiron të shkëpusë Kinën nga pjesa tjetër e botës

Në SHBA, planet e Trump-it po marrin formë të re çdo ditë. Vetëm pasi tregjet e aksioneve pësuan humbje drastike dhe tregjet financiare u lëkundën në buzë të kolapsit, ai vendosi të pezullojë për 90 ditë tarifat ndëshkuese që kishte vendosur pak më parë ndaj pothuajse të gjitha vendeve të botës (përjashtim, për shembull, ishte Rusia).

Vetëm Kina nuk u përjashtua nga këto masa. Përkundrazi: Pekini u godit me tarifa edhe më të larta. Qëllimi i Trump-it duket të jetë izolimi total i Kinës dhe shkëputja e saj nga ekonomia botërore.

Pas 90 ditësh, ai do t’u kërkojë europianëve, kanadezëve dhe aleatëve të Amerikës në Azi – veçanërisht Koresë së Jugut dhe Japonisë – të heqin dorë nga marrëdhëniet tregtare me Kinën ose të paktën t’i reduktojnë ndjeshëm. Në të kundërt, do të përballen me tarifat ndëshkuese të paralajmëruara.

Trump po ndjek me përpikëri skemën që përdorte në kohën kur ishte magnat i pasurive të paluajtshme. Ai krijon situata ku mund të ushtrojë presion maksimal mbi kundërshtarët, derisa ata të mos kenë më asnjë zgjidhje tjetër veçse të pranojnë ofertën e tij. Kjo qasje u pëlqen shumë prej mbështetësve të Trumpit në SHBA.

Në Kinë, zërat kundër Amerikës po bëhen gjithnjë e më të zëshëm

Fakti që gjatë këtij procesi po shkatërrohen aleanca të ndërtuara prej dekadash, duket se shqetëson pak vetë. Madje, në SHBA po rritet edhe një frymë anti-europiane, e nxitur nga vetë Trumpi, i cili gjatë njoftimit të tarifave ndëshkuese në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, i quajti aleatët e vjetër europianë “të mjerë”.

Megjithatë, gjithnjë e më shumë mbështetës të linjës MAGA po kuptojnë se situata e tyre personale nuk është përmirësuar – për disa madje është përkeqësuar – që kur Donald Trump ka hyrë në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë, edhe në Kinë zërat antiamerikanë po bëhen gjithnjë më të fortë. Për momentin, dominon një frymë luftarakë që mban të bashkuar radhët. Kjo përforcohet edhe nga fakti që udhëheqësi Xi Jinping prej vitesh ka paralajmëruar se vendi mund të përballet me kohë të vështira gjeopolitike.

Që prej ardhjes në pushtet në vitin 2013, ai ka folur për një Perëndim që është në rënie dhe një Kinë që po ngrihet. Megjithatë – dhe kjo është theksuar gjithnjë e më shumë sidomos pas pandemisë – Xi ka paralajmëruar se “fuqi të errëta” po punojnë në prapaskenë për të ndalur ngritjen e Kinës.

Asgjë nuk do të ishte më e keqe për Xi-n sesa një humbje e prestigjit në Shtëpinë e Bardhë

Pekini po komunikon në mënyrën e vet se, pavarësisht përshkallëzimit të tarifave ndëshkuese, është i gatshëm të flasë me Uashingtonin. Megjithatë, Partia Komuniste preferon takime në nivel pune, ku arrihet një marrëveshje në mënyrë të ftohtë, të thatë dhe me përpikëri teknike.

Ndërkohë, Donald Trump dhe administrata e tij duan që presidenti amerikan dhe Xi Jinping të ulen bashkë në një dhomë, për të arritur një marrëveshje në stilin e “imperialistëve”.

Jo vetëm që pas takimit të dështuar mes Trump-it dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, Pekini nuk ka besim tek këto takime spontane e të papërgatitura. Asgjë nuk do të ishte më e keqe për Xi-n sesa të humbte prestigjin në Shtëpinë e Bardhë nëse do të përçmohej nga Trump-i.

Gjendja ekonomike e popullit kinez është më e keqe se para pandemisë

Thuhet në internetin kinez se qeveria në Pekin i ka vendosur SHBA-së tarifa ndëshkuese prej 34 përqind – jo 33 ose 35 – për të përkujtuar 34 aktakuzat me të cilat përballet presidenti amerikan në gjykatë. Sa kohë do të jenë këto reagime simbolike të mjaftueshme për të kënaqur popullin kinez, mbetet për t’u parë.

Njerëzit në Kinë ekonomikisht janë më keq sesa përpara pandemisë

Tregu i pasurive të paluajtshme është kolapsuar dhe me të ka humbur kursimet e veta shtresa e mesme. Papunësia e të rinjve është në 20 përqind, kërkesa e brendshme është e paralizuar, njerëzit shikojnë me pasiguri drejt së ardhmes.

Meqenëse Xi e ka lidhur zotësinë e tij politike me vizionin e një Kine të begatë që dominon botën, ai nuk do të mund t’ia hedhë askujt tjetër në radhët e tij pasojat negative të luftës tregtare me SHBA-në.

Për Xi mund të bëhet ngushtë

Për momentin nuk duket sikur ditët e tij janë të numëruara. Por në vitin 2027, kur “zgjidhet” për një mandat të katërt, mund t’i mohohet besnikëria dhe ai, i stolisur me kurora dafine, të dërgohet në pension.

Nëse kinezët, të prekur rëndë nga pasojat e luftës tregtare me SHBA-në, dalin në rrugë për të protestuar në javët e ardhshme – ashtu siç bënë në nëntor 2022 kundër masave drakoniane anti-COVID të Pekinit – atëherë mund të bëhet vërtet ngushtë për Liderin Suprem të Kinës.

Atëherë e shpëtoi vetëm fakti që brenda natës mundi të shpallte përfundimin e të gjitha masave dhe të deklaronte se virusi ishte mposhtur. Por këtë herë, mundësitë e Xi-t janë të kufizuara nga ajo që vendoset në Uashington.

Huazuar nga fokus.de / Alexander Görlach

Alexander Görlach jep mësim mbi teorinë dhe praktikën e demokracisë në Universitetin e Nju Jorkut. Më parë ka mbajtur pozicione të ndryshme në Universitetin Harvard dhe në Këshillin Carnegie për Etikën në Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Pas një periudhe si profesor i ftuar në Tajvan dhe Hong Kong, ai është përqendruar në ngritjen e Kinës dhe në atë që kjo nënkupton për demokracitë në Azinë Lindore në veçanti. Nga viti 2009 deri në 2015, Alexander Görlach ishte botues dhe kryeredaktor i revistës së debatit The European, të cilën e themeloi vetë. Ai jeton në Nju Jork dhe Berlin.

Ndërkohë që Trump kërkon luftë ekonomike, Kina po e bën gjysmën e botës të varet prej saj.

Kina

Kina po e bën gjysmën e botës të varet prej saj.

Lufta ekonomike nacionaliste e presidentit amerikan Trump kundër Kinës po minon rendin e pasluftës të bazuar në multilateralizëm dhe bashkëpunim global. SHBA po tërhiqet nga institucionet ndërkombëtare dhe po mbështetet në proteksionizmin, i cili po lejon Kinën të fitojë ndikim.

Me kthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, rendi liberal i pasluftës ka përfunduar. Shtetet e Bashkuara dhe qytetarët e tyre kanë humbur besimin në institucionet shumëpalëshe si Kombet e Bashkuara, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Organizata Botërore e Tregtisë. Në të kaluarën, këto institucione synonin të siguronin paqen, të stabilizonin ekonominë dhe të luftonin varfërinë.

Ky idealizëm vazhdoi deri pas Luftës së Ftohtë, kur Presidenti i SHBA Bill Clinton besonte në përfitimet e globalizimit dhe shpresonte se vendet e tjera do të ndiqnin shembullin e SHBA-së. Por Uashingtoni shpejt e kuptoi se globalizimi po ndihmonte konkurrentët e tij: industri të tëra dhe vende pune u zhvendosën në Meksikë dhe Kinë.

Kriza financiare e 2007/2008 dobësoi besimin në sistemin amerikan; Bankat e mëdha u shpëtuan, ndërsa shumë njerëz humbën shtëpitë dhe vendet e tyre të punës.

Fundi i “Ëndrrës Amerikane”

Shumë amerikanë ndihen të lënë pas, veçanërisht në mesin e klasave të ulëta të mesme dhe punëtore, si dhe midis të rinjve. Për ta ëndrra amerikane është e paarritshme sepse sistemi ekonomik i disfavorizon.

Kriza financiare e 2007/2008 dhe pandemia e Corona kanë kthyer shumë në nivelin e tyre të jetesës. Pas pandemisë, inflacioni e bëri jetën të papërballueshme për shumë njerëz, përfshirë klasën e mesme. Gjithnjë e më shumë amerikanë e shohin veten si humbës.

Pavarësisht prejardhjes së tij të pasur, Donald Trump ishte në gjendje t’i afrohej të varfërve dhe të pakënaqurve përmes një gjuhe të drejtpërdrejtë dhe të thjeshtë. Në afat të shkurtër, kjo do t’i bëjë ata të ndihen mirë, me taksa më të ulëta dhe t’i japë fund fluksit të miliona të ashtuquajturve emigrantë të paligjshëm, shumë prej të cilëve kishin frikë se do të merrnin punën e tyre.

Trump është një pragmatist dhe nëse tarifat e tij (më tej) ulin tregjet, ai në vend të kësaj mund të përpiqet të joshë kompanitë e huaja në Amerikë për të përfituar nga taksat dhe kostot më të ulëta të energjisë. Kjo ka një shans më të mirë për të rritur prodhimin, por shumë nga këto punë të reja do të merren nga robotët.

Lufta ekonomike e Amerikës me Kinën

Lufta tregtare e Trump me Kinën do të vazhdojë të prishë zinxhirët globalë të furnizimit. Konkurrenca për epërsi teknologjike, veçanërisht në fushën e inteligjencës artificiale (AI), po intensifikohet. Trump po vazhdon luftën ekonomike të intensifikuar nga paraardhësi i tij Joe Biden me Aktin CHIPS.

Biden ka mbajtur një qëndrim edhe më të ashpër kundër Kinës sesa Trump në mandatin e tij të parë, jo vetëm duke ruajtur tarifat dhe duke ushtruar presion ndaj vendeve të tjera që të mos blejnë teknologjinë 5G të Huawei, por edhe duke ndaluar eksportin e çipave të nivelit të lartë dhe pajisjeve prodhuese.

SHBA siguron që qytetarët e saj nuk mund të ndihmojnë Kinën

Rregulloret bllokojnë qasjen kineze jo vetëm në kompanitë amerikane, por në të gjitha çipat dhe pajisjet e avancuara të prodhuara kudo duke përdorur teknologjinë amerikane. Ata gjithashtu pengojnë qytetarët amerikanë që të ndihmojnë kinezët. Trump padyshim do të vazhdojë, nëse nuk do t’i zgjerojë këto kufizime. Establishmenti i Uashingtonit tani i vjen keq që Kina u bashkua me Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) me mbështetjen e SHBA-së. Kina u rrit më shpejt se çdo fuqi tjetër e madhe në histori dhe, me 1.4 miliardë banorët e saj, arriti të bëhet ekonomia më e madhe në barazinë e fuqisë blerëse në vetëm katër dekada.

Ndikimi i saj ekonomik është rritur me shpejtësi si në përmasa ashtu edhe në shtrirje në mbarë botën. Para vitit 2000, Amerika dominonte tregtinë botërore, me mbi 80 për qind të vendeve që tregtonin më shumë me Amerikën sesa me Kinën. Deri në vitin 2018, kjo shifër kishte rënë ndjeshëm në vetëm 30 për qind, pasi Kina mori drejtimin në 128 nga 190 vende.

Kina rrit ndihmën në mbarë botën, SHBA tërhiqet

Kina tani është një partner më i madh tregtar për më shumë vende se çdo vend tjetër, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Për pjesën më të madhe të Amerikës Latine – oborri i shtëpisë së Amerikës – Kina është partneri më i rëndësishëm tregtar.

Kina ka rritur gjithashtu ndihmën e huaj, shpesh duke tejkaluar burimet perëndimore. Ndërsa Kina është angazhuar globalisht, SHBA është tërhequr. Që nga kriza financiare e viteve 2007/08, SHBA-të gradualisht i kanë mbyllur dyert për pjesën tjetër të botës.

“Chimerica” është kthyer në të kundërtën

Mbi të gjitha, SHBA-ja dëshiron të “shkëputë” ekonominë e saj nga Kina. Që nga aleanca e ngushtë midis dy superfuqive, e njohur si “Chimerica”, dy dekada më parë, ndjenja ka kaluar në ekstremin tjetër, duke shmangur çdo varësi nga vendet e tjera, veçanërisht nga Kina.

Pekini ka ndarë prej kohësh të njëjtat shqetësime dhe beson se Kina është edhe më e ndjeshme ndaj shkëputjes nga tregtia jetike, si ushqimi dhe energjia. Në një fjalim në nëntor 2018 dhe më vonë gjatë ceremonisë së mbylljes së Kongresit Kombëtar Popullor 2023, Xi Jinping përsëriti se tensionet me SHBA-në dhe të tjerët po e detyrojnë Kinën të “marrë rrugën e mbështetjes te vetja”.

Kina di si të përballet, edhe me vjedhjen e pronës intelektuale

Por edhe para ndërhyrjes së Xi, Pekini kishte shpallur programin e tij “Made in China 2025″ në 2013 për ta bërë Kinën të vetë-mjaftueshme në teknologji dhe për t’i mundësuar asaj të kapërcejë Perëndimin.

Programi përdor subvencionet e qeverisë, ndërmarrjet shtetërore, rritjen e kërkimit dhe zhvillimit, trajnimin e një grupi të madh shkencëtarësh dhe inxhinierësh dhe vjedhjen e pronës intelektuale për të kapur hapin.

Ndërsa tregtia me Perëndimin mbetet e rëndësishme, Kina i është drejtuar Jugut Global jo vetëm për tregti, por edhe për investime. Nën “Chimerica”, Kina vazhdoi të investonte shumë në obligacionet amerikane dhe aktivet në dollarë, por kjo ndryshoi pasi marrëdhëniet u përkeqësuan.

Kina i bën vendet në Jug Global të varura prej saj me investime në infrastrukturë

Iniciativa Brez dhe Rruga 2013 (BRI) ishte një përpjekje për të krijuar zinxhirë furnizimi në brendësi që janë më pak të prekshëm ndaj sulmeve të mundshme amerikane. Që nga viti 2014, anëtarët e BRI-së kanë marrë mbi 60 për qind të flukseve të investimeve, dhe që nga viti 2020, ata kanë marrë tre në çdo katër dollarë të investuar nga Kina.

Investimet në infrastrukturë janë gjithashtu të motivuara gjeopolitikisht, pasi ndihma ekonomike lidh shumë vende të Jugut Global së bashku me Kinën dhe i bën ato të varura nga Kina. Paratë sigurohen pa kushtet e zakonshme të kërkuara nga Banka Botërore apo institucione të tjera dhe shpërndahen më shpejt.

Kina shfrytëzon mendjengushtësinë strategjike të SHBA-së

Ndërsa SHBA kthehet nga brenda – një proces që tashmë ishte duke u zhvilluar para Trump – Kina tani ka mundësinë të mbushë një vakum dhe të punojë me të tjerët për të krijuar një botë shumëpolare.

Ndërkohë që SHBA-ja është “zhvendosur në Azi” – kryesisht ushtarakisht për të frenuar ngritjen e Kinës – Pekini po shfrytëzon mendjengushtësinë strategjike të Uashingtonit dhe po bën depërtime globale përmes tregtisë dhe investimeve bujare për të bërë gjithnjë e më shumë vende në pothuajse çdo rajon më të varura nga Kina sesa nga SHBA.

Politika e Trumpit “Amerika e Para” do të destabilizojë rendin ndërkombëtar dhe do të përshpejtojë ndryshimet e thella gjeopolitike. Bota po kalon nga një rend unipolar i dominuar nga SHBA në një strukturë shumëpolare me fuqi në zhvillim si Kina, Rusia dhe India. Politikat e Trump e përforcojnë këtë dinamikë dhe dobësojnë aleancat tradicionale si NATO.

Nën Trump, NATO dhe mbrojtja nga SHBA nuk janë më të dhëna

Për shkak se Kina është bërë një rival ekonomik dhe ushtarak i Shteteve të Bashkuara dhe Uashingtoni po kthehet gjithnjë e më shumë në Azi, Evropa duhet të përgatitet për një ekonomi botërore të de-globalizuar dhe të punojë për të qenë në gjendje të mbrohet.

Me kthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, evropianët do të duhet të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen kundër Rusisë revanshiste dhe për rindërtimin e Ukrainës. Nën komandantin e përgjithshëm Trump, NATO dhe premtimi i SHBA-së për mbrojtje ndaj Evropës nuk mund të merren më si të mirëqenë.

Huazuar nga fokus.de /dr. Josef Braml (eksperti amerikan)

(Dr. Josef Braml është një shkencëtar politik, ekspert i SHBA-së dhe Drejtor Evropian i Komisionit Trilateral – një platformë globale me ndikim për dialogun ndërmjet një rrethi ekskluziv të vendimmarrësve politikë dhe ekonomikë nga Amerika, Evropa dhe Azia. Kohët e fundit, libri i tij “The Dreamwalkers: Si Kina dhe SHBA po rrëshqasin në një luftë të re botërore”, bashkëautor me Mathew Burrows dhe bestselleri i tij ende aktual “Iluzioni Transatlantik: Rendi i Ri Botëror dhe si mund të ruajmë pozicionin tonë në të”, u botuan nga C.H.Beck. Në librin e tyre të ri “Bota që do të vijë – Kthimi i Trump dhe fundi i rendit të vjetër”, Braml dhe Burrows përshkruajnë rreziqet dhe mundësitë e rendit botëror në zhvillim.)

Trump-Musk, 10 ditët e krisjes së madhe! Tronditet aleanca mes presidentit amerikan dhe miliarderit të Tesla

trump muskMuaji i mjaltit mes Donald Trump dhe Elon Musk duket se ka marrë fund. Tarifat e reja të vendosura nga administrata amerikane jo vetëm që kanë ndezur një debat të ashpër mbi politikat tregtare, por edhe kanë zbuluar përçarje të thella mes presidentit amerikan dhe shefit të Teslas. Dyshja që dikur dukej e pathyeshme, sot ndodhet në një krizë të hapur.

Përkundër rolit të tij si një ndër mbështetësit më të zëshëm të politikave inovative dhe industriale të Trump, Elon Musk ka reaguar ashpër ndaj tarifave të vendosura ndaj Kinës – një partner thelbësor për kompanitë e tij. Musk, në përpjekje për të ndaluar këto masa, iu drejtua Trumpit me një apel personal, por përpjekja e tij hasi në vesh të shurdhër.

Edhe pas pezullimit 90-ditor të tarifave, marrëdhënia mes tyre nuk u përmirësua. Në vend të një zbutjeje të toneve, Musk u bë edhe më i drejtpërdrejtë në kritikat e tij. Gjatë një fjalimi të mbajtur në Kongresin e Ligës, ai shprehu hapur dëshirën për një zonë të tregtisë së lirë mes SHBA-së dhe Evropës, duke sugjeruar se tarifat nuk janë rruga drejt së ardhmes.

Duke mos u mjaftuar me kritika të përgjithshme, Musk identifikoi fajtorin kryesor sipas tij: Peter Navarro, këshilltari ekonomik i Trump-it dhe arkitekti i tarifave. Me gjuhën karakteristike të tij, Musk e quajti Navarron “më budalla se një thes me tulla” dhe i vuri nofkën sarkastike “Peter i vonuari”.

Ndërkohë, edhe vëllai i Musk-ut, Kimball, pjesë e bordit të Tesla-s, e quajti këtë politikë “një taksë të përhershme për konsumatorët amerikanë” dhe ndërhyrje të padrejtë në tregun e lirë.

Por ndoshta sinjali më i qartë i një ndarjeje të pashmangshme erdhi pas zgjedhjeve në Gjykatën e Lartë në Wiscons, ku kandidati republikan, i mbështetur nga Musk, humbi. Ky rezultat ndezi një stuhi kritikash në rrethin e Trump-it, që e pa mbështetjen e Musk-ut si më shumë pengesë sesa ndihmë.

Nga ana tjetër, Musk nuk po e fsheh më zhgënjimin e tij. Presidenti që dikur premtonte një epokë të re të artë, po perceptohet tani nga Musk si një lider që po e çon ekonominë drejt recesionit.

tch

Shqetësim në Greqi për blerjet e pronave nga turqit

greqia

I preferuar tek pushuesit dhe investitorët turq: Ishulli Leros në brigjet turke

Blerja e pasurive të paluajtshme nga turqit shihet në Greqi, veçanërisht në ishujt e Egjeut Lindor, si një investim i mirëpritur. Por ka edhe mjaft shqetësime nga qytetarët dhe politikanët konservatorë.

Marrëdhëniet e Greqisë me fqinjët e saj turq kanë qenë gjithmonë të vështira dhe ndonjëherë ambivalente. Turqia përgjithësisht shihet si një fqinj i paparashikueshëm dhe agresiv ndaj të cilit Greqia duhet të mbrohet. Kjo është arsyeja pse Athina shpenzon më shumë se tre për qind të prodhimit të saj të brendshëm bruto (PBB) për armatim.

 

Fluks turqish në Greqi

Në të njëjtën kohë turqit janë të mirëpritur si turistë dhe investitorë pothuajse kudo. Sidomos nëse i shpenzojnë paratë në ishujt e Egjeut Lindor, pra në ngushticën midis Greqisë dhe Turqisë, në ishujt e të ashtuquajturit Dodekanez. Aty zakonisht nuk vijnë shumë turistë.

Në vitin 2024, numri i pasagjerëve që mbërrinin me traget nga Turqia në Greqi u rrit ndjeshëm në një milion e gjysmë. Në vitin 2023, kishte vetëm pak më pak se 800.000.

Fluksi në ishullin e vogël Leros në brigjet turke duket thuajse si një pushtim turk. Deri 20 vjet më parë, ky ishull nuk kishte reputacion të mirë, shkak ishte vendndodhja e një prej spitaleve psikiatrike më të këqija në Evropë. Sot ishulli është kthyer një parajsë pushimi për vizitorët nga Turqia. Nga Turgutreis në Turqi, afër Bodrumit, është vetëm një orë me traget për në ishull. Nga Pireu duhen gati dhjetë orë. E kuptueshme, pse çdo ditë vere, qindra turq vijnë në Leros. Disa madje kanë blerë edhe shtëpi pushimi në ishull. Vendasit i presin me padurim vizitorët me kuleta të mbushura nga bregu i kundërt i Egjeut, të cilët dinë ta vlerësojnë ushqimin dhe pijet e mira greke.

E ngjashme është situata edhe në Lesbos, Kios dhe Samos. Që nga hyrja në fuqi e programit të thjeshtuar të vizave turistike për dhjetë ishuj, një ujdi kjo mes kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan në Athinë në fund të vitit 2023, turistët turq kanë vërshuar në ishuj. Dhe jo vetëm në verë. Mijëra njerëz zgjodhën Lesbosin në fund të marsit 2025 për të festuar Bajramin, festën që shënon fundin e Ramazanit.

 

Rritje e investimeve turke

Jo vetëm turizmi turk po lulëzon në Greqi, por edhe investimet turke. Me 548 milionë dollarë në vitin 2024, ato janë ende të kufizuara (krahasuar me investimet gjermane në Greqi psh. prej 6.8 miliardë euro), por tendenca është në rritje, ato janë dhjetëfishuar që nga viti 2022, sipas Bankës Qendrore Turke.

Turqit investojnë kryesisht në prona të paluajtshme, sepse kjo u jep atyre mundësinë për të marrë të ashtuquajturën “Viza e Artë”, e cila u jep të drejtën të qëndrojnë në Greqi për pesë vjet dhe të lëvizin lirshëm brenda zonës Shengen. Pas kinezëve, janë turqit ata që janë më të interesuarit për këtë program investimi. Në vitin 2024 janë regjistruar gjithsej 9289 aplikime për leje qëndrimi të programit “Viza e Artë”, nga të cilat 1356 janë nga shtetas turq.

 

Liri lëvizjeje për të pasurit

Nga njëra anë program ka ndihmuar shumë qytetarë të pasur jashtë BE-së të kenë akses në Greqi dhe në Bashkimin Evropian (BE). Por në të njëjtën kohë ka bërë që çmimet e pronave të rriten jashtëzakonisht, veçanërisht në Athinë dhe Selanik, duke e bërë të vështirë për grekët me rroga mesatare të gjejnë apartamente me çmime të përballueshme. Kjo ka ndodhur edhe në Spanjë, për këtë arsye qeveria e Madridit hoqi dorë pak ditë më parë nga programi “Viza e Artë”.

Qeveria në Athinë, nga ana e saj e vazhdon programin ekonomik, por po rrit gradualisht pragun minimal të investimit. Fillimisht, investitorët e huaj duhej të blinin një pronë me vlerë të paktën 250 mijë euro për të marrë një leje qëndrimi pesëvjeçare në Greqi. Që nga 1 shtatori 2024, pragu i ri minimal i investimit është 800,000 euro për të gjithë rajonin e Atikës, Selanikut, Mykonos, Santorinit dhe ishujt me më shumë se 3.100 banorë. Për pjesën tjetër të vendit, pragu u vendos në 400 mijë euro.

Pavarësisht kësaj kërkesa mbetet e lartë, nga kinezët, amerikanët, rusët, izraelitët dhe turqit. Ka ende mjaft qytetarë turq që mund të përballojnë blerjen e pronave në Greqi, gjë që së fundmi po e rrit shqetësimin e disa qytetarëve dhe politikanëve konservatorë. Kritika ka sidomos për pronat e blera nga turqit në Trakinë verilindore greke ose në ishujt e Egjeut Lindor, dy rajone në afërsi të Turqisë.

 

Shqetësimet në Greqi

Një temë që tani po shfrytëzohet edhe politikisht brenda partisë qeverisëse Nea Dimokratia (ND). Një numër deputetësh, kryesisht të së djathtës tradicionale, janë të pakënaqur me politikën e kryeministrit Mitsotakis ndaj Turqisë. Ata besojnë se kryeministri është shumë miqësor ndaj presidentit turk Erdogan dhe po përpiqen të nxisin veprime më të ashpra.

Përveç kësaj, deputetët konservatorë janë edhe nën presionin e partive ekstremiste të krahut të djathtë. Këta të fundit po fitojnë terren në sondazhe, prandaj politikanët konservatorë të “Nea Demokratia” po përpiqen të paraqiten si patriotë edhe më të zjarrtë. Për shembull, në fund të marsit 2025, njëmbëdhjetë deputetë të ND në parlament pyetën me shqetësim se çfarë po ndodhte me “blerjet agresive të pasurive të paluajtshme” nga njerëzit me origjinë turke. Ata u bënë thirrje të gjitha ministrive përkatëse të regjistrojnë të gjitha blerjet e pronave në Traki, Lesbos, Lemnos, Kios dhe Dodekanezë.

Ekziston gjithashtu një shqetësim i përhapur në pjesë të opinionit publik, se mund të ketë spiunë turq ose mafioz në mesin e blerësve. Ende nuk ka asnjë konfirmim për këtë. Megjithatë, sipas informacioneve nga burime qeveritare, disa blerje të pasurive të paluajtshme janë duke u verifikuar nga afër nga shërbimi inteligjent grek (EYP).

 

Turq laikë në kërkim të qetësisë

Në realitet, shqetësimet rreth “blerjeve agresive të pasurive të paluajtshme” duken të ekzagjeruara. Sipas vëzhguesve, shumë nga pronarët e rinj turq në ishujt në fjalë janë individë të pasur, me mendje laike, të cilët ose duhej të largoheshin nga Turqia, ose duan të shijojnë pushimet e tyre në një vend fqinj laik, politikisht më pak të nxehtë ose po investojnë qëllimisht në Greqinë e qëndrueshme dhe relativisht të lirë.

Shumë nga blerësit e pronave relativisht të lira në Traki, në rajonin kufitar me Turqinë, janë myslimanë me origjinë turke me nënshtetësi evropiane, të cilët kanë punuar për një kohë të gjatë në Gjermani, Belgjikë apo Evropën Veriore. Ata nuk duan të gëzojnë pensionin e tyre në Turqi ku po rritet presioni politik dhe fetar, por më tepër në BE dhe me afërsi të sigurtë me atdheun e tyre të mëparshëm.

dw

Gjermani: Marrëveshja e koalicionit për migracionin

KoalicioniMigracioni ishte tema dominuese në fushatën elektorale dhe për një kohë të gjatë temë debatesh ndërmjet kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve. Çfarë është planifikuar tani dhe cilat janë kufizimet ligjore?

Në ditën e parë si kancelar, kështu pati premtuar në fushatë elektorale kristiandemokrati (CDU) Friedrich Merz, do të zbatojë kompetencën politike duke udhëzuar Ministrinë e Brendshme që të kontrollojë vazhdimisht kufirin dhe të kthejë që në kufi azilërkuesit. Pas zgjedhjeve edhe Merz-it iu bë e qartë, se përpara ditës së tij të parë në post, do t’i duhej të negocionte për koalicionin qeverisës. Kështu gjatë bisedimeve për koalicionin me socialdemokratët (SPD) javët e kaluara është debatuar fort për këtë temë lidhur me formulimet dhe mundësitë ligjore. Në marrëveshjen e koalicionit janë vendosur tani formulime të rëndësishme të SPD-së: “E drejta bazë për azilin mbetet e pacënuar. Ne duam të mundësojmë integrimin”, shkruhet. Por edhe konservatorët kanë vendosur formulimet e tyre: “Ne do ta rregullojmë migracionin duke e drejtuar në mënyrë të tillë që të kufizojmë migracionin e paligjshëm.”

 

Kontrollet në kufij do të vazhdojnë

Konkretisht koalicioni i ardhshëm do të vazhdojë kontrollet në të gjithë kufijtë e Gjermanisë, derisa të ketë një mbrojtje funksionuese të kufijve të jashtëm të BE-së në nivelin e BE-së. Asgjë nuk ka të re këtu, por ligjërisht kjo është problematike. Sepse Gjermania përpara shumë vitesh ka nënshkruar Marrëveshjen e Shengenit për Kufijtë. Në bazë të këtij kodi nuk ka kontrolle të vazhdueshme dhe të pakufizuara në kohë ndërmjet shteteve të hapësirësh Shengen. Përjashtime kjo marrëveshjen parashikon vetëm në raste të situatave të rrezikshme. Edhe kjo për një periudhë të caktuar kohe. Pra kontrollet kufitare janë në kundërshtim me këtë marrëveshje. Kështu gjykoi më 17 mars 2025 Gjykata Administrative e Bavarisë lidhur me kontrollet kufitare. Për këtë proces u bë shkak padia e një shtetasi austriak, i cili konsideroi se është kontrolluar jashtë ligjit në vitin 2022. Vazhdimi i kontrolleve e vështirëson problemin.

Fjalia vendimtare në marrëveshjen e koalicionit është e diskutueshme: “Ne do të kthejmë azilkërkuesit në kufi në marrëveshje me fqinjët tanë europiane me të cilët kemi kufi të përbashkët.” Për këtë aspekt është debatuar fort derisa Ministria e Brendshme në Vjenë, njoftoi, se nuk do të pranojë personat e kthyer nga Gjermania në Austri. Por Merz i pyetur lidhur me këtë gjatë prezantimit të marrëveshjes së koalicionit, deklaroi, se: “Në marrëveshje do të thotë në marrëveshje me partnerët europianë. Ai shtoi: “Ne jemi në dialog intensiv dhe do ta zgjidhim bashkarisht këtë problem.”

 

Do të zgjerohet lista e vende të sigurta të origjinës

Një tjetër pikë në marrëveshjen e koalicionit është zgjerimi i listës së vende të sigurta të origjinës. Për njerëzit që vijnë nga vende të sigurta do të ketë një proces të shkurtuar për azilin. Në vendet e sigurta nuk ka rrezik për përndjekje pra nuk ka arsye për të aplikuar për azil. Azilkërkuesit që vijnë nga të tilla vende, duhet të vërtetojnë, se nuk është kështu. Kjo ua lehtëson punën autoriteteve për t’i shqyrtuar dhe refuzuar shpejt aplikimet për azil. Deri tani në listën e vendeve të sigurta përfshihen të gjitha vendet e BE-së si dhe dhjetë vende të tjera ndër to Gjeorgjia, Gana dhe Kosova. Koalicioni do tani të shtojë edhe vende të tjera në këtë listë. Fillimisht do të shtohen Algjeria, India, Maroku dhe Tunizia. Deri më sot për çdo ndryshim të ligjit me zgjerimin e listës së vendeve të sigurta duhej marrë vendimi nga Bundestagu. CDU/CSU dhe SPD tani duan ta realizojnë këtë përmes një dekreti ligjor. Në këtë mënyrë lista me vendet e sigurta të origjinës mund të zgjerohet nga qeveria pa qenë e nevojshme të kalojë si procedurë legjislative në parlament.

ard