Intervista që Ramiz Alia la amanet t’i botohej pas vdekjes

Këtë intervistë me ish-presidentin e Shqipërisë z.Ramiz Alia e kam bërë kohë më parë. Shumë prej pyetjeve të bëra nuk u është përgjigjur. Megjithatë i jam mirënjohës që në një moshë të thyer e mori mundimin t’u përgjigjej disa prej tyre.E vërteta është se e kam pas urryer me të gjithë pasionin e shpirtit sistemin e tij komunist. Per rrjedhim edhe atë që doli në krye të atij sistemi pasi vdiq Enver Hoxha. Të gjitha hallet e jetës më dukej se i kishin rrënjët në grushtet e shtrënguaraforttësistemit të tij. Sot, njëzet vjet më vonë, edukimi shkollor më ka ndihmuar të shikoj përtej vuajtjeve të mia personale, përtej këndvështrimit të ngushë të gjykimit të çështjeve të mëdha.
Ramiz Alia e ka jetuar jetën demokratike të këtyre dy dekadave të fundit krejtësisht i lirë, midis bashkëqytetarëve të tij, në Tiranë. Pa truproje personale, pa mbrojtjen e gardës ushtarake apo policore të shtetit, pa frikën e dikurshme ndaj popullit, të cilën e pranon vetë në këtë interviste. Kjo do të thotë se populli ka ditur ti dalloje drejt kontrastet dhe dritehijet e figures së tij.
Nderkaq, kjo nuk do të thotë se populli i ka harruar fajet e Ramiz Alisë, por do të thotë se njerezit ia kanë falë ato, ia kanë falë të gjitha fajet, tamam siç ia kam falë edhe unë. Ndaj përfitoj nga rasti që nëpërmes gazetës “Shekulli” t’i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjes, miqve dhe dashamirësve të z. Ramiz Alia. Pushoftë në paqe Shpirti i tij!
Gjekë Marinaj*
Dallas,USA

I nderuar z. Gjekë Marinaj,
Mora pyetjet tuaja për intervistën. Bashkëngjitur po ju dërgoj përgjigjet e
mija, të cilat besoj se do t’i botoni pas vdekjes time pa qenë nevoja për ndonjë ndryshim.
Ju falemnderit për pyetjet e sinqerta. Ju uroj shëndet e suksese si juve, ashtu
edhe gruas suaj, Dusita.

Ju përshëndes miqësisht,
Ramiz Alia

INTERVISTE
Dhënë z.Gjekë Marinaj

Marinaj: Sikur të ngjallej vetëm për një orë Enver Hoxha dhe të kërkonte ta kalonte atë i vetëm me ju, ç’mendoni se do ju pyeste e si do i përgjigjeshe?

Alia: Thënë ndryshe, ju kërkoni të dini mendimin tim për atë periudhë historike që lidhet me tranzicionin nga sistemi socialist në atë kapitalist. Përmbysja që ndodhi nuk ishte një fenomen i izoluar që preku vetëm Shqipërinë. Ai e përfshiu vendin tonë pasi ra Muri i Berlinit dhe socializmi u përmbys në të gjithë Lindjen evropiane, duke përfshirë edhe
Bashkimin Sovjetik. Ai kryesisht u nxit dhe u inkurajua nga jashtë, nga Perëndimi.
Padyshim për brezin tonë, që gjithë jetën ia kushtuam ndërtimit të Shqipërisë së re dhe krijimit të një shoqërie ku të sundonin barazia e drejtësia shoqërore, përmbysja që ndodhi shënon një humbje të dhimbshme. Në këtë rezultat, përveç faktorit të jashtëm, kanë ndikuar edhe dobësitë e kufizimet e vetë sistemit që ekzistonte, si dhe gabimet që janë bërë, të cilat krijuan edhe atë terren që favorizoi diversionin nga jashtë.

Marinaj: Në prag të 90-ës, ju propozuat idenë e një pluralizmi të mendimit. Në mos e keni shtrydhur brenda vetes këtë ide që para plenumit IV? Ishte një ide e lindur nga frika e ndonjë kryengritjeje popullore apo vërtet donit pluralizëm?

Alia: Jo, nuk është e saktë. Ideja e pluralizmit të mendimit lindi në fund të viteve 80-të. Atëherë vendi kalonte disa vështirësi, sidomos në fushën ekonomike. Kapërcimi i tyre kërkonte edhe një mendim të ri ekonomik të përparuar, duke hequr dorë nga disa receta të mëparshme.
Që të bëhej kjo gjë ishte e domosdoshme që njerëzit të shfaqnin mendimet e tyre pa pasur frikë se mund të akuzoheshin si shkelës të vijës së përcaktuar më parë apo të unitetit të partisë. Nga pluralizmi i mendimit do të kalohej më lehtë edhe në pluralizmin politik. Kishim frikë nga populli më pyet… Do të gënjeja sikur ta mohoja këtë fakt.

Marinaj: Dita e 2 korrikut të vitit 1990 qe bërë e njohur në historinë e re të Shqipërisë për dy arsye: njëra ishte hapja e ambasadave në Tiranë, kurse arsyeja tjetër ishte që po atë ditë serbët shpërndanë parlamentin e qeverisë shqiptare në Kosovë. Ishte kjo një rastësi apo një plan i dikujt?

Alia: E kam thënë edhe herë të tjera se ngjarja e ambasadave është nxitur nga të huajt. Për të krijuar probleme në Shqipëri ishin të interesuar perëndimorët të cilët prisnin që edhe Shqipëria të ndiqte shëmbullin e vendeve të tjera të Evropës Lindore, pra të largohej nga pozitat e socializmit. Por për destabilizimin e saj ishin të interesuar së tepërmi edhe serbët, që në ato kohë gjendeshin në vështirësi të mëdha në Kosovë. Në historinë e Shqipërisë ka pasur mjaft “koincidenca” të tilla. Në fakt sa herë që në Kosovë kishte lëvizje të shqiptarëve dhe sa herë serbët janë gjendur përpara problemesh serioze atje, aq herë janë bërë presione të ndryshme ndaj Shqipërisë. Qëllimi i këtyre presioneve ka qenë, nga njëra anë, të neutralizohej Shqipëria, pra që ajo, e zënë me “telashet” e veta, të mos e mbështeste luftën e vëllezërve kosovarë dhe, nga ana tjetër, kosovarët të shkurajoheshin në përpjekjet për të drejtat kombëtare e qytetare.
Mund të thuhet se edhe qëndrimet e Fuqive të Mëdha ndaj Shqipërisë, kurdoherë, janë kushtëzuar nga problemi i Kosovës. Shtetet Perëndimore kanë pasur interesa të mëdha në Jugosllavi. Sidomos pas shkëputjes së saj nga Bashkimi Sovjetik, në vitin 1948, Fuqitë e Mëdha ishin të interesuara që Jugosllavia të ishte një vend i stabilizuar nga çdo pikëpamje. Çdo lëvizje që destabilizonte Federatën Jugosllave nuk përkrahej nga askush në Perëndim. Pikërisht për këtë arsye të gjithë ishin kundër zgjidhjes së problemit të Kosovës, ashtu siç vepronin aktivisht që Shqipëria të vihej në situata që të mos mund të ndihmonte me të gjithë mundësitë e veta çështjen kosovare.
Tani jetojmë në një kohë tjetër. Përmbysja e socializmit në Evropën Lindore dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe e Jugosllavisë kanë sjellë ndryshime edhe në strategjinë politike të Fuqive të Mëdha. Tani problemi i Kosovës dhe i Shqipërisë shihen me një sy tjetër. Ato nuk trajtohen më nga këndvështrimi i sigurimit të Federatës së dikurshme Jugosllave, por trajtohen si faktor i rëndësishëm për stabilitetin, për sigurimin e paqes e të zhvillimit demokratik të të gjithë rajonit ballkanik. Nga disa prej Fuqive të Mëdha, në radhë të parë nga SHBA, ka një mirëkuptim për problemin e Kosovës, për zgjidhjen e drejtë të tij, pa përjashtuar edhe realizimin e pavarësisë së saj.

Marinaj: Ju e kthyet Ramiz Alinë në një urë të maskuar; këmbët zhytur thellë në mes të komunizmit dhe kokën e mbështetur në cepin fillestar të demokracisë. E gjithë Shqipëria e përdori atë “urë”. Por kur kaluan në anën e dëshiruar, ata më të fuqishmit, të flakën në burg. Pra në ato burgje ku ju dhe qeveria juaj patët dënuar një pjesë të madhe të popullit shqiptar. Nuk ju pushkatuan, ndonëse qeveria që drejtonit ju kishe vrarë me mijëra njerëz të pafajshëm. Çfarë shënimesh ka mbajtur shpirti juaj që nga ato ditë burgimi…?

Alia: Është e njohur që veprimtaria ime politike lidhet me socializmin. Kemi dënuar ata që me të drejte a pa të drejtë i quanim armiq te pushtetit dhe popullit. Ky nuk ka qenë mëkati ynë më i madh. Tufëzat, po! Tufëzat varfëruan fshatin dhe qytetin. Ky ka qenë mëkati ynë më i madh!
Por kur në fund të viteve ’80 të ndodhën ndryshimet e mëdha në Evropën Lindore dhe erërat e forta të këtyre ndryshimeve po frynin edhe në Shqipëri, përpara çdo politikani problemi shtrohej: Të qëndronte fort me fanatizëm për të ruajtur “me çdo kusht” rendin socialist, apo të përpiqej që kalimi nga njëri sistem në tjetrin të kalonte sa më butë? Shkurt të viheshin në krye bindjet ideologjike, apo interesat kombëtare. Rruga e parë do të sillte vëllavrasje e përçarje të pandreqshme. Ndërkohë edhe kalimi spontan, i lënë në duart e “rrugës”, që kërkonte të përmbysej çdo gjë në emër të një antikomunizmi primitiv përbënte një rrezik shumë të madh.
Duke qenë në të njejtën kohë Udhëheqës i PPSH dhe Kryetar i Shtetit unë mora përgjegjësinë që të mënjanoja përfundimisht rrugën e vëllavrasjes dhe të përpiqesha të evitoja kalimin e egër nga sistemi monist në atë pluralist. Arrita të mënjanoj gjakderdhjen dhe të drejtoj periudhën e parë të tranzicionit relativisht normalisht. Forcat që erdhën në pushtet pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992, me në krye Partinë Demokratike të Berishës, ndoqën rrugën e zbatimit të “terapisë shock”që i solli dëme të mëdha vendit, si dhe një politikë agresive përçarëse dhe hakmarrëse. Edhe burgosjen time dhe të udhëheqësve të tjerë të PPSH e kërkuan dhe e realizuan të nisur nga këto ndjenja të hakmarrjes mesjetare. Nuk do të ndalem më gjatë në këtë kapitull të jetës sime.

Marinaj: Pozitë ! Opozitë! Tani për shqiptarët në demokraci këto dy fjalë janë në ekuilibër me “seriozitetin” politik. Janë lojë fjalësh, fjalë lufte apo lojë lufte në fjalë?

Alia: Demokracia nuk është vetëm pluripartitizmi. Fatkeqësisht sot në Shqipëri ka mendime tepër sempliste si për demokracimë, ashtu edhe për pozitën apo opozitën. Më duket se klasës së sotme politike shqiptare, qoftë në pozitë apo në opozitë, i mungon morali në kuptimin politik, siç i mungon ndjenja e përgjegjësisë përpara vendit, përpara popullit. Më shumë kanë marrë përparësi interesat e ngushta personale, përpjekjet për të vënë sa më parë e sa më shumë pasuri për vete, duke e konsideruar pushtetin si një “lopë që milet”. Pikërisht se nisen nga këto koncepte të huaja për interesat e popullit, partitë politike e shohin njëra tjetrën jo si kundërshtare, por si armiq. Ato janë vendosur si në llogore lufte, gjë që ndikon në tensionimin e situatës në vend.
Në qoftëse partia në pozitë, sidoqoftë, mban një përgjegjësi përpara opinionit të brendshëm e të jashtëm për atë që ndodh në vend, opozita e quan veten fare të lirë nga çdo përgjegjësi. Ajo mohon çdo gjë, kritikon çdo gjë, lufton pozitën me mjete të lejuara e të ndaluara. Të njëjtën gjë, por duke fshehur dorën, bën edhe pozita kundër opozitës. Mendimi im është se tek ky kuptim i mbrapshtë i demokracisë dhe i rolit të pozitës e të
opozitës në një shoqëri demokratike duhet parë gjendja që mbretëron në vend, mungesa e sigurisë dhe nxitja e frymës së urrejtjes për njëri tjetrin e kështu me radhë.

Ç’duhet bërë?
Unë besoj se në Shqipëri do të dalin forca dhe personalitete politike që do të dinë të vënë rregull dhe ligje të tilla sjelljeje që t’i hapin rrugë zhvillimit të suksesshëm të vendit. Padyshim është e domosdoshme që të spastrohet arena e politikës nga ata lloj politikanësh që nuk kanë as dijet e kulturën, as ndjenjën e përgjegjësisë dhe moralin e nevojshëm që kërkohet nga ata që duan t’i shërbejnë vendit të tyre, përparimit të gjithanshëm të tij.

Marinaj: Pse më kërkuat që kjo intervistë të botohet pas vdekjes tuaj? Ju mund të jetoni shumë gjatë dhe intervista mund ta humbë freskinë, interesin?

Alia: Sepse e di se do e mbani amanetin. Dhe përfitoj nga rasti që të përshëndes lexuesit e gazetës ku do të botohet kjo intervistë dhe t’ju uroj atyre gjithë të mirat.

Ramiz Alia
Ish-President i Republikës së Shqipërisë

Intervistoi Gjekë MARINAJ
*Gjekë Marinaj është poet dhe përkthyes, aktualisht profesor në Universitetin e Dallasit, ish-i arratisur politik gjatë diktaturës

*******
As njëra as tjetra, atëherë çfarë ndodhi?

Ndryshimi i sistemit: Ramiz Alia pohon se nuk zgjodhi as “gjakderdhjen” as “antikomunizmin primitiv”. Atëherë si u ‘kalua stafeta’ te Sali Berisha?

Kjo intervistë, e cila shoqërohet me amanetin shumë kurioz (botimi pas vdekjes) që Alia i ka lënë autorit Marinaj, mund të shihet nga kënde të ndryshme. Por ka një pjesë që bën shumë përshtypje, e cila lë goxha vend për interpretim.
Alia thotë se kur “erërat e forta të ndryshimeve po frynin edhe në Shqipëri, problemi shtrohej: Të qëndronte fort me fanatizëm për të ruajtur “me çdo kusht” rendin socialist, apo të përpiqej që kalimi nga njëri sistem në tjetrin të kalonte sa më butë? Shkurt të viheshin në krye bindjet ideologjike, apo interesat kombëtare…”.
Dhe si veproi Ramiz Alia? Cilën rrugë zgjodhi? Më tej në këtë intervistë ai thotë: “..Rruga e parë do të sillte vëllavrasje e përçarje të pandreqshme. Ndërkohë edhe kalimi spontan, i lënë në duart e “rrugës”, që kërkonte të përmbysej çdo gjë në emër të një antikomunizmi primitiv përbënte një rrezik shumë të madh…”
Pra as e përballoi me forcë dhe viktima ndryshimin, ama as e la çdo gjë në duart e “antikomunizmit primitive” sic e quan.. Atëherë çfarë ka ndodhur?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>