VMRO-DPMNE kërkon llogaridhënie për letërnjoftimet e rrejshme nga MPB!

id maqedoniseVMRO-DPMNE kërkon llogari nga ministri i ri i brendshëm Oliver Spasosvki për skandalin e falsifikimit të 30 mijë letërnjoftimeve. Deputeti i VMRO-së Antonio Milloshoski kërkoi nga Spasovski që të mos fshihet por të dalë dhe të shpjegojë skandalin.

“VMRO kërkon nga ju si ministër teknik i punëve të brendshme, pas një jave, të mos fshiheni, të dilni dhe publikisht të tregoni se kush i falsifikoi 30.000 letërnjoftimet? A janë të falsifikuara? Si, dhe ku janë falsifikuar? Kush kujt i ka ndihmuar? Ku janë përdorur këto të ashtuquajturat letërnjoftime? Ku është pjesa tjetër e 29990 letërnjoftimeve të cilat javorja “Fokus” ende nuk ia ka dorëzuar MPB-së? Nuk ka më vend për vonesa dhe manovra politike, edhe pse ju jeni ende sekretar i përgjithshëm i LSDM-së nuk mund të silleni vetëm si një ushtar partiak i LSDM-së, ju duhet të tregoni kapacitet se dini ta drejtoni MPB-në,” u shpreh Antonio Milloshovski, Deputet i VMRO DPMNE-së.

Skandalin e falsifikimit të 30 mijë letërnjoftimeve e publikoi javorja “ Fokus” ndërsa Alsat M vizitoi disa shtëpi që numrat e amzës rezultonin në letërnjoftimet e falsifikuara por personat e njejte tash e sa vjet nuk jetojnë në Maqedoni.

Vjollca Aliti

Liderët e opozitës: Nesër gjithçka do të shkojë mirë

lideret opozitarKa përfunduar takimi i tre liderëve opozitarë që është mbajtur në selinë e Nismës në lagjen Pejton.

Kryetari i Nismës Fatmir Limaj tha se ky takim ka qenë në vazhdën e takimeve, dhe se në të është diskutuar për aktivitetet e opozitës në teren.

Limaj i ka bërë apel zyrtarëve të Qeverisë që të sillen si burrështetas.

Ndërsa kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri tha se nesër do të bashkohen për të kundërshtuar marrëveshjet dhe aspiratat e popullit dhe se Republika e Kosovës është e pacenueshme dhe se territori i Kosovës nuk falet.

Kurse lideri i AAK-së Ramush Haradinaj tha se pas ditës së nesërme do të stabilizohet Kosova.

Ai përsëriti se paralajmërimet për bomba në disa vende të Prishtinës gjatë ditës së sotme se janë “përralla të mbretërve”.

Tre liderët opozitarë deklaruan se manifestimi i nesërm do të shkojë mirë. (rtk)

Eksperti i EURALIUS: Gjyqtarët dhe prokurorët, me status të posaçëm

Në kuadër të procesit të reformës në drejtësi, këtë të premte u zhvillua në Gjirokastër tryeza rajonale për prezantimin dhe konsultimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese me gjyqtarë, prokurorë, avokatë e përfaqësues të shoqërisë civile.

Gjatë fjalës së tij në këtë takim, eksperti i misionit EURALIUS, Rainer Deville, duke iu referuar diskutimeve të fundit në media lidhur meshkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, u shpreh qartësisht mbi statusin e duhur dhe të merituar për këta funksionarë të shtetit.

Ai vuri në dukje se, “EURALIUS është një projekt tekniko-ligjor” dhe sa i takon sistemit për të vlerësuar gjyqtarët që janë në detyrë theksoi se, “ky proces është një prej sfidave më të vështira që ne kemi”.

“Gjyqtarët dhe prokurorët meritojnë një status të posaçëm, meritojnë një rrogë të përshtatshme, sigurime shoqërore dhe pensione. Kjo është ajo të cilën ne po diskutojmë, jo në kuadrin kushtetues, por në atë ligjzbatues”, tha Deville.

Ai u shpreh i vetëdijshëm se reforma në fjalë është komplekse për një mori arsyesh, përfshirë atë të pagave të funksionarëve dhe tarifave të gjyqësorit.

“Nëse ne diskutojmë për paga më të larta, kjo do të shkonte për t’u vendosur në faqen e parë të një gazete. Por ju e kuptoni se këto paga më të larta duhet të financohen, kërkojnë burime financiare. Na duhen ligje më të mira sa i takon tarifave gjyqësore dhe ndihmës juridike. Pra, çështja është shumë e komplikuar për t’u përmbledhur në një fjali”, vijoi Deville.

/ Top Channel

Opozita: Shfuqizim marrëveshjesh, zgjedhje ose referendum

opozitaPërfaqësues të partive politike opozitare në Kosovë, konsiderojnë se Qeveria e Kosovës, ka disa mundësi për të dalur nga kriza politike në të cilën ndodhet.

Ata thonë se janë tri alternativa për të dalur nga kjo situatë.

E para mundësi sipas tyre, është tërheqja e marrëveshjeve [ajo për Asociacionim e Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacioni me Malin e Zi], e dyta organizimi i një referendumi për këto çështje dhe e treta mbajtja e zgjedhjeve.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje,Glauk Konjufca, deri sa ka mbajtur një konferencë për media bashkë me zyrtarët e tjerë të partive opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, tha se më marrëveshjen për Asociacionin dhe Demarkacionin, Qeveria e Kosovës ka bërë cenim dhe shkelje të patolerueshme të shtetësisë së Republikës së Kosovës.

“Po e zvogëlojnë territorin e Kosovës dhe po copëtojnë brenda përmes “Zajednicës”, atëherë nevojitet një verifikim i këtyre njerëzve nga ana e popullit. Le të dalin edhe një herë në popull me parullën ne do ta formojmë “Zajednicën”, dhe le ta shohim se sa po i përkrahin qytetarët e Kosovës. Unë për vete nuk kam mendim që do ta merrnin votën e qytetarëve në këtë mënyrë. Pra, këta janë ata tre skenarët”, tha Konjufca.

Pa tërheqjen e marrëveshje, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë zotuar se nuk do të ndalen qoftë përmes bllokimit të institucioneve apo edhe protestave në rrugë.

Për këtë qëllim, këto tri subjekte kanë thirrur një manifestim anti-qeveritar më datën 28 nëntor, datë që shënon edhe Ditën e Flamurit të Shqipërisë, festë kjo që e feston edhe Kosova.

Pal Lekaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në selinë kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje aty ku u mbajt konferenca, tha se veprimet të cilat po ndërmerr opozita nuk janë edhe shumë populiste, por siç u shpreh ai, ‘janë në të mirën e vendit’.

“Është e domosdoshme dhe ne jemi të qëndrueshëm bashkë me qytetarët që nesër t’i tregojmë edhe qeverisë edhe faktorëve të tjerë relevant që kanë menduar ndryshe që për ketë vend vendosin qytetarët dhe jo individi apo një komision apo dikush tjetër, por për ketë tokë të vendosin qytetarët”, tha Lakaj.

Kurse, Bilall Sherifi, përfaqësues nga partia Nisma për Kosovën, theksoi se me anë të manifestimit të së shtunës, do të provohet të mbrohet Kosova nga marrëveshjet e dëmshme që Qeveria e Kosovës i ka bërë me Serbinë dhe Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

“Presioni i madh nga Qeveria se ju nuk guxoni të thërrisni qytetarët, se ju nuk keni mbështetjen e qytetarëve, se ju po manipuloni me qytetarët, na shtyri që edhe ketë mjet në fund ta konsiderojmë dhe ta thërrasim jo protestë klasike, jo para ndërtesës së Qeverisë, por e kemi quajtur manifestim”, tha Sherifi.

Përfaqësuesit e partive politike opozitare, kanë ftuar organet e rendit që të bashkëpunojnë me mbikqyrësit e protestës nga opozita, në mënyrë që manifestimi të zhvillohet i qetë dhe pa incidente.

Policia e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, në “pajtim me vlerësimet e realizuara ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për të garantuar rendin dhe sigurinë për të gjithë qytetarët, edhe për 28 nëntor”.

Që nga 25 gushti, kur në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Prishtina dhe Beogradi nënshkruan marrëveshje për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe më pas edhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin, opozita jo vetëm që ka bojkotuar, por edhe ka bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës.

Protesta ndaj këtyre marrëveshjeve kishte jo vetëm në rrugë, por edhe në Kuvend.

Për shkak të këtyre veprimeve dhe përfshirjes së deputetëve në aktivitete, që janë cilësuar të ndaluara, siç ishte përdorimi i gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit, aktualisht në paraburgim po mbahet deputetja e AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi, kurse policia mbetet në kërkim të tre deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli. (rel)

Turqi-Rusi, vazhdon lufta e fjalëve

erdoganLufta e fjalëve mes Rusisë dhe Turqisë për rrëzimin e një avioni luftarak rus vazhdoi edhe të premten. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e paralajmëroi Moskën për të mos “luajtur me zjarrin.”

Gjatë një fjalimi në qytetin verilindor turk Bileçik, zoti Erdogan akuzoi Rusinë se po “luan me zjarrin” duke sulmuar grupe që janë kundër presidentit sirian Bashar al-Asad “nën pretekstin” e luftës kundër Shtetit Islamik, dhe duke vënë në shënjestër në mënyrë “të papërgjegjshme” kamionë që veprojnë brenda Sirisë për “aktivitete biznesi ose ndihma humanitare.”

Agjencia shtetërore turke e lajmeve dhe një organizatë turke ndihmash njoftuan të mërkurën se avionë rusë sulmuan një karvan ndihmash turke brenda Sirisë pranë kufirit me Turqinë, duke vrarë shtatë persona dhe duke plagosur 10.

Rusia ka reaguar me zemërim pas rrëzimit nga avionët luftarakë turq të një avioni rus të martën. Ajo ka kërcënuar marrëdhëniet midis dy vendeve në anët e kundërta të luftën në Siri, duke shkaktuar shqetësim për një konflikt më të gjerë ndërkombëtar.

Në komentet e tij të premten, zoti Erdogan duket se i bëri në përgjigje të presidentit rus Vladimir Putin, i cili një ditë më parë tha se ata që kryejnë “biznes kriminale” me terroristët dhe i përdorin ata “për të arritur qëllimet e tyre politike” janë “duke luajtur me zjarrin.”

Zoti Erdogan akuzoi gjithashtu Rusinë se po e shfrytëzon rrëzimin e avionit si një justifikim për të ngritur “akuza të papranueshme” kundër Turqisë. Ai i quajti “shpifje”akuzat ruse se Turqia ble naftë nga grupi i Shtetit Islamik.

“Ju duhet ta dini se ne nuk jemi aq të pandershëm sa të blejmë naftë nga një organizatë terroriste,” tha presidenti turk. “Turqia ble naftë nga Rusia.”

Megjithatë, Zoti Erdogan tha se ai dëshironte të takohej me zotin Putin “ballë për ballë”, të hënën në periferitë e samitit për klimën në Paris.

Zoti Putin nuk është përgjigjur. Por këshilltari i politikës së jashtme të Kremlinit, Yury Ushakov përmendi të premten “mungesën e gatishmërisë nga ana turke për të ofruar një ndjesë elementare për incidentin me avionin.”

Po të premten, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov njoftoi anulimin e udhëtimeve pa viza ndërmjet dy vendeve, duke u shprehur se qeveria e Turqisë e kishte “kaluar cakun e asaj që është e pranueshme.” (voa)

Franca thyen tabunë – Edhe me Asadin në luftë kundër IS

Franca sinjalizon një kthesë radikale në politikën ndaj Sirisë. Gati për të duruar edhe Bashar al-Asadin në luftën kundër IS. Kthesa erdhi pas takimit të enjten të presidentit francez, Hollande me presidentin rus, Putin.

Holand PutinNga takimi mes presidentit francez Hollande dhe atij rus Vladimir Putin të enjten, (26.11) priteshin hapa përpara në luftën kundër IS. Atentatet e Parisit ndryshuan situatën në Francë. Rusia dhe Franca, të dyja të goditura nga IS, kanë interes të përbashkët. Rusia i zgjati dorën perëndimit dhe Francës për të bashkëpunuar. „Duhet të bashkëpunojmë me francezët dhe t’i shohim ata si partnerë“, tha Putini pas ngjarjeve në Paris. Të enjten presidenti francez, Francois Hollande vizitoi Moskën, ku përsëriti luftën kundër IS dhe terroristëve, qëllim ky edhe i Moskës: Pra shansi për një aleancë kundër të ashtuquajturit „Shtet Islamik“ është më se real. Ndërkohë Putini siguroi se në të ardhmen do të kihet kujdes të mos bombardohen objektiva të opozitës siriane. Franca dhe Rusia ranë në ujdi të shkëmbejnë më shumë të dhëna të shërbimeve sekrete për IS dhe grupet e tjera rebele.

Trupa tokësore me Asadin

Menjëherë të premten erdhi reagimi nga Franca. Mediat njoftuan se Franca nuk e përjashton më një pjesëmarrje të të forcave të armatosura të regjimit sirian në një aleancë kundër terroristëve të IS. Në luftë kundër IS kemi nevojë nga njëra anë për bombat, por nga ana tjetër edhe për trupat tokësore, tha ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius të premten në mëngjes për televizionin RTL. Trupat tokësore mund të jenë forcat e bashkuara të Ushtrisë së Lirë Siriane, forcat sunite dhe „pse jo edhe forca të regjimit“, përmendi Fabius pak para ceremonisë përkujtimore në nder të viktimave të sulmeve terroriste në Paris në katedralen e invalidëve të premten.

Reagimi i forcave opozitare kundër Asadit

Ministri i jashtëm francez bëri të qartë se nuk do të ketë trupa tokësore nga Franca. Me këtë deklaratë bëhet e qartë kthesa e fortë e Francës në politikën ndaj Asadit. Deri më tani Franca e kishte përjashtuar kategorikisht një bashkëpunim me qeverinë e Bashar al-Asadit. Tani që presidenti francez, Francois Hollande pas sulmeve në Paris me 130 viktima po përpiqet të krijojë një aleancë globale në luftën kundër terrorit, vjen edhe ndryshimi i qëndrimit të Parisit.

Në një reagim të parë të kundërshtarëve të regjimit të Asadit shprehet zemërimi për këtë kthesë në politikën franceze. Ahmed Ramadan, një nga drejtuesit e aleancës opozitare me qendër në Stamboll u shpreh se “Ky hap i vlen interesave të terroristit më të madh, Bashar Al-Asad. Ne e dimë se ka pasur gjithmonë një interes të përbashkët mes IS dhe regjimit të Asadit.”

Mediat europiane mbi takimin Hollande Putin

Vizita e presidentit francez, Hollande në Moskë ka qenë pjesë e komenteve të shtypit europian. „Le Monde“ shkruan se po krijohet një aleancë botërore kundër IS.“Çfarë ka arritur Hollande me këtë maratonë diplomatike? Së pari një bashkëpunim më të mirë të SHBA-së me trupat e Francës. Së dyti një ndihmë më konsekuente të Gjermanisë në Siri dhe në Mali. Së treti hyrjen e mundshme të Britanisë së Madhe në koalicionin perëndimor. Së katërti një koordinim me Moskën dhe premtimin se sulmet ajrore do t’i drejtohen vetëm IS. Por ne kemi kuptuar se bota ende nuk është gati për atë koalicion të madh, për të cilin bën fjalë Franca.“

Ndërsa gazeta konservatore çeke, „Lidove Noviny“ vëren se Hollande mund t’ia dalë edhe pa Merkelin në Moskë. „Hollande përfaqësoi në Moskë gati të gjithë Bashkimin Europian. Kanë kaluar kohët kur ai udhëtonte në Moskë si partner më i vogël i Angela Merkelit për të sqaruar se në BE ka dy lokomotiva. Tani kur vjen puna tek lufta kundër xhihadistëve, Hollande mund t’ia dalë edhe vetëm me Putinin, ku ndërkohë Merkeli kalon në pozicionin e partneres më të vogël. Hollande është politikani i parë europian që nuk trembet të përdorë fjalën luftë, dhe me këtë ai është në një linjë me Putinin. Se si duhet përfytyruar kjo luftë… më mirë të mos e bëjmë aspak këtë pyetje.“ (dw)

Kumbarët e terrorit: Arabia Saudite dhe Shteti Islamik

Ideologjia e organizatës terroriste „Shteti Islamik“ nuk ka lindur nga asgjëja. Ajo është e frymëzuar sidomos nga vahabizmi, feja zyrtare e Arabisë Saudite. Por ka edhe lidhje të tjera.

isisUrrejtje ndaj besimtarëve të feve të tjera. Një botëkuptim i çuditshëm, i cili sheh rreziqe nga më të ndryshmet për islamizmin. Mosbesim ndaj të gjithë atyre që nuk mendojnë dhe besojnë si vetja. Këto janë elementet thelbësore ideologjike të organizatës terroriste „Shteti Islamik“ (IS). Por këtë botëkuptim nuk e krijuan ata, të paktën jo krejt vetëm. Nëse IS-i ndjell urrejtje ndaj shiitëve, jezitëve, kristianëve dhe hebrenjve, atëherë ai ka paralele me botëkuptimin e vahabizmit, interpretimit radikal-konservativ të islamit sunit, i cili është feja zyrtare në Mbretërinë e Arabisë Saudite.

Paralelet mes IS-it dhe vahabizmit nuk mund të mos vihen re. Këtë e vërtetojnë qartë edhe librat nga të cilët nxënësit e mbretërisë saudite mësonin të paktën deri para pak vitesh botëkuptimin e fesë së tyre.

„Çdo fe tjetër përveç islamit është e gabuar“, lexonin ata në librin me njohuri të përgjithshme mbi fenë. Nxënësit duhej të zgjidhnin edhe detyra të vogla. Kështu për shembull ata duhej të përfundonin këtë fjali: „Kush vdes jashtë fesë islame, shkon …“. Përgjigjja e saktë sipas librit duhej të ishte „… në ferr“. Një detyrë tjetër: „Thuaj shembuj të feve të gabuara si judizmi, kristianizmi, paganizmi etj.“ „Besimi nuk është vetëm një fjalë“

Për nxënësit më të rritur, detyrat ishin më kërkuese: Atyre u mësoheshin detyrat e muslimanit sipas traditës së mbretërisë saudite. Në libër lexohej: „Besimi nuk është thjesht një fjalë që e thotë dikush. Besimi përbëhet nga gjuha, bindja dhe veprimi.“ Nxënësve u sqarohej edhe se çfarë do të thotë „besim i vërtetë“: „Që ti i urren politeistët dhe të pafetë, por nuk i trajton ata padrejtësisht.“ Libri shkollor nuk e sqaron pyetjen se çfarë do të thotë „padrejtësisht“. Në vend të kësaj ka udhëzime për mënyrën se si duhet të veprojë një musliman, nëse takon një jo musliman: „Një musliman e ka të ndaluar të jetë mik luajal i një njeriu i cili nuk beson në Zotin dhe Profetin e tij dhe i cili lufton fenë e islamit.“

Shembujt e përmendur janë marrë nga libra shkollorë sauditë të vitit 2005. Think tank-u “Center for Religious Freedom” (“Qendra për Lirinë Fetare”) i fondacionit amerikan “Freedom House” (“Shtëpia e Lirisë”) kishte shqyrtuar me dhjetra libra shkollorë sauditë. Në studimin e tij të publikuar në vitin 2006 ai arriti në një përfundim të qartë. Analizat e librave shkollorë sauditë kishin nxjerrë përfundimin se: Arabia Saudite “ndjell armiqësi ndaj Perëndimit si në mësimin e fesë në shkollat publike ashtu edhe në materialet e tjera edukative – si p.sh. përmbledhjet e fetvave, urdhëresave të krerëve të fesë”. Think tank-u me bindje iu drejtua Arabisë Saudite si përgjegjëse për këtë politikë. Sepse librat publikohen nga shteti, dhe imamët që i redaktojnë i përmbahen në përmbajtje udhëzimeve shtetërore.

Reforma të dyshimta

Sipas “Freedom House”, edhe një studim tjetër nga vetë Arabia Saudite ka arritur në të njëjtin përfundim. Ajo u prezantua në dhjetor të vitit 2003 dhe tregoi këto rezultate: Mësimi fetar në mbretërinë saudite “inkurajon dhunën ndaj të tjerëve dhe i nxit nxënësit të besojnë se për të mbrojtur fenë e vet, ata duhet t’i shtypin të tjerët me dhunë dhe madje edhe t’i asgjësojnë fizikisht.”

Arabia Saudite nuk ka reaguar asnjëherë zyrtarisht ndaj raportit të “Freedom House”. Megjithatë, Ministri i Jashtëm saudit, Saud al-Faisal, deklaroi në 2006 se sistemi edukativ i mbretërisë do të rishikohet thelbësisht. Se çfarë është bërë konkretisht, nuk është e qartë. Në vitet 2012/2013, Minstria e Jashtme amerikane i dha udhë një studimi të ri mbi librat shkollorë sauditë. Rezultatet e tij deri sot ende nuk janë bërë publike.

Para dhe besim

Arabia Saudite e eksporton interpretimin e saj të islamit sunit me vendosmëri të plotë. Në 25 vitet e fundit, sipas studimit të një ish-ambasadori amerikan, të publikuar në vitin 2007, mbretëria ka investuar për propagandën fetare në mbarë botën të paktën 87 miliardë dollarë amerikanë. Kjo shumë, sipas tij, duhet të jetë rritur ndërkohë edhe më shumë për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të naftës. Paraja hidhet në ndërtimin e xhamive, medreseve dhe institucioneve fetare; me to arsimohen imamë, financohen shtëpi botuese, shtypen libra vahabistë.

Një pjesë e madhe e këtyre parave shkon në shtetet islamike me ekonomi të dobët, por me popullsi të dendur në jug dhe në juglindje të Azisë: Pakistan, Indonezi, Filipine, Malajzi. Edhe në disa pjesë të Afrikës propagandohet vahabizmi. Për shumë nga njerëzit që jetojnë në këto pjesë të botës, këto institucione janë mundësia e tyre e vetme për t’u arsimuar. Por edhe në Perëndim ka institucione të financuara nga Arabia Saudite.

Financimi i terrorit

Afrimiteti ideologjik me “Shtetin Islamik” (IS) gjen shprehje konkrete edhe në ndihmën ekonomike. Se sa janë shumat e hedhura për IS-in, nuk është e lehtë të thuhet: Transaksionet kryhen përmes sistemit Hawala, një sistemi infomal, në të cilin paraja nuk transferohet përmes llogarive bankare zyrtare, por përmes personave të besueshëm. E paqartë mbetet gjithashtu, se deri në ç’masë e mbështet shteti saudit IS-in në mënyrë direkte apo indirekte.

Në vjeshtën e 2014-ës, Zëvendëspresidenti i SHBA, Joe Biden, doli në faqet e para të shtypit, kur ai i kritikoi vendimet e aleatëve amerikanë në luftën kundër IS-it – Biden përmendi Turqinë, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – për mbështetjen e tyre, qoftë edhe të pavetëdijshme, por të paktën të pavëmendshme ndaj IS-it: “Ata ishin të vendosur që ta rrëzonin Assad-in dhe të zhvillonin një luftë sunite-shiite – e çfarë bënë ata? Ata mbuluan këdo që donte të luftonte kundër Assad-it me qindra-miliona dollarë dhe mijëra tonë armë. Por kështu ata furnizuan edhe njerëzit e al-Nusra-së dhe al-Kaida-s dhe elementet ekstremiste të xhihadistëve nga të gjitha anët e botës.”

“Terroristët janë armiqtë më të mëdhenj të islamit”

Ndërkohë Arabia Saudite është distancuar nga terrori i IS-it. Në gusht të 2014-ës, Kryemyftiu i Mbretërisë deklaroi duke iu referuar direkt Al-Kaida-s dhe IS-it se idetë ekstremiste, radikale dhe terroriste nuk kanë të bëjnë fare me islamin. “Dhe autorët e tyre janë armiqtë më të mëdhenj të islamit.”

Arabia Saudite, shkruan në librin e tij “Le piège Daech” (“Gracka e IS-it) studiuesi francez i islamit, Pierre-Jean Luizard, cilëson sot si terroriste ato fenomene të cilat ajo para disa vitesh, por mbase edhe muajsh, i ka shikuar si shtyllat më te besueshme në rajon të vahabizmit. “Duket sikur regjimi saudit është shkëputur në mënyrë rekord nga lidhjet të cilat mundën ta legjitimonin këtë sistem politik – një sistem i cili, përmes eksportit të ideologjisë vahabiste nga njëra anë dhe nënshtrimit ndaj interesave amerikane nga ana tjetër, ka qenë, si pak regjime në botë, bartës i qëndrimeve politike paradoksalisht të kundërta. (dw)

 

Kamioni pa shofer në autostradat evropiane

kamioni pa shoferKamioni i parë i automatizuar filloi rrugëtimin e parë më 2 tetor në një autostradë evropiane.  Kamioni i  prodhuar nga Daimler, i quajtur “Actro” është i pari që mund të hidhet në prodhim në masë ku detyra e shoferit do të jetë vetëm monitorimi i situatës, i ngjashëm me kapitenin e aeroplanit kur avioni është në autopilot.

Kamioni prej 430 kuajsh fuqi dhe ngarkesë 40 tonësh, doli me ngadalë nga parkimi në Shtutgart. Shefi i kompanisë Daimler për sektorin e kamionëve, Wolfgang Bernhard, ishte në timon.  Në vend të parë ishte Winfred Kretschmann, kryeministër i Baden–Wuerttembergut, landi i parë gjerman që jep targat për kamionët pa shoferë.

Pasi doli në autostradë, shoferi e la kamionin të marrë drejtimin e timonit.

Kamioni mori drejtimin në autostradën A8 pranë Shtutgartit me shpejtësinë 80 kilometra në orë dhe i shoqëruar nga një makinë me kamera dhe një makinë policie.

Kjo nuk do të thotë se shoferi mund të merret me diçka tjetër, pasi ka rregulla të rrepta për drejtuesin e kamionit.

“Nuk më lejohet të kthej kokën pas dhe jam i detyruar të ndjek trafikun. Siç e shikoni mund të heq duart nga timoni, por drejtimi i automjetit nuk ndryshon dhe kamioni qëndron në korsinë e tij”   

Një radar, disa kamera dhe sensorë monitorojnë gjatë gjithë kohës kushtet e rrugës. Në një situatë kritike, kamioni i kërkon shoferit që të marrë drejtimin, në të kundërt ul shpejtësinë dhe ndalon.

Kompania Daimler thotë se këta kamionë do të ndihmojnë që shoferët të mos jenë gjithnjë në tension në udhëtimet monotone si dhe trafikun e rënduar. Kompania shpreson që ligje të nevojshme që lejojnë përdorimin e makinave të tilla edhe në vende të tjera mund të miratohen para vitit 2020 kur edhe pritet fillimi i prodhimit në masë. (voa)

Tensioni mes Ankarasë dhe Moskës

rezimi i avionit rusTensionet vazhdojnë të jenë të larta mes Ankarasë dhe Moskës pas rrëzimit të avionit luftarak rus pranë kufirit turko-sirian në fillim të javës.

Në një intervistë me rrjetin CNN, presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, tha se vendi i tij nuk do të kërkojë falje për rrëzimin e avionit.

Janë ata që shkelën hapësirën tonë ajrore që duhet të kërkojnë falje, tha ai.

Komentet e zotit Erdogan erdhën pas deklaratave të presidentit rus Vladimir Putin, i cili e quajti rrëzimin e avionit një “goditje krejtësisht të pashpjegueshme dhe thikë pas shpine, nga ata që siç u shpreh ai, besohet të jenë partnerët dhe aleatët tanë në luftën kundër terrorit.” Zoti Putin përsëri këmbënguli se avioni u rrëzua në hapësirën ajrore siriane.

Ndërkaq, Presidenti turk Edogan hodhi poshtë akuzat ruse se ka blerë naftë dhe gaz nga Shteti Islamik ndërsa Rusia bëri të ditur se do të shtojë kufizimet për mallrat ushqimore që importohen nga Turqia.

Duke folur me zyrtarët në Ankara, zoti Edogan tha se lufta e vendit të tij ndaj xhihadistëve islamikë është e padiskutueshme. Ai kërkoi prova lidhur me akuzat për tregti me militantët. Qendrimi i vendit tonë kundër ISIS-it, tha ai, ka qënë i qartë që nga fillimi. Ai tha se Turqia po merr masa për të ndalur trafikun ilegal të naftës në kufi, e cila ka qënë burim i rëndësishëm të ardhurash për grupin militant. (voa)

Hollande, thirrje Rusisë

Holland PutinPresidenti francez François Hollande i kërkoi Rusisë të bashkohet me fuqitë botërore në krijimin e një koalicion të madh për të mposhtur militantët e Shtetit Islamik të cilët jo vetëm që sulmuan Parisin dy javë më parë, por kontrollojnë zona të mëdha të Irakut dhe Sirisë.

Presidenti Hollande, i cili ka ndërmarrë një ofensivë diplomatike për të ndërtuar një forcë të madhe kundër grupit militant islamik, u takua të enjten me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar mbi një koordinim më të ngushtë në luftën kundër armikut të përbashkët dhe në kërkim të një zgjidhjeje politike në Siri.

Franca dhe Rusia janë përballur me sulme terroriste. Grupi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmet e 13 nëntorit në Paris, ku u vranë 130 vetë dhe u plagosën më shumë se 300 si dhe përgjegjësinë për rrëzimin më 31 tetor të një avioni rus mbi Gadishullin Sinai të Egjiptit, ku humbën jetën të 224 njerëzit në bord.

“Armiku ynë është Daesh, Shteti Islamik, ai ka territor, një ushtri dhe burime, prandaj ne duhet të krijojmë një koalicion të madh për të goditur këta terroristë”, tha zoti Hollande në fjalimin televiziv që mbajti në prag të bisedimeve dypalëshe në Kremlin. (voa)

Qendra Informative Shqiptare "Liria"