SHBA dhe BE rikonfirmojnë interesimin për Ballkanin Perëndimor

Ballkans Leaders MeetingZëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka premtuar ndihmë dhe mbështetje të fuqishme për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, në rrugën e tyre drejt integrimeve euroatlantike.

Premtimet e tilla, Biden i ka dhënë gjatë samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili është mbajtur të mërkurën në kryeqytetin e Kroacisë, në Zagreb.

Biden ka theksuar interesin e ripërtërirë të Uashingtonit për këtë rajon të ndjeshëm.

Në samitin e të mërkurës janë përshëndetur hapat që kanë bërë Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut të Brukselit, i cili pritet të vazhdojë edhe më tej.

Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në sesionin plenar të samitit ka theksuar përkushtimin e vendit për procesin e dialogut dhe bashkëpunimin rajonal.

Gjithashtu, ajo ka theksuar se Kosova është faktor i rëndësishëm në sferën e sigurisë, e cila nuk ka mbetur imune ndaj kërcënimeve globale të grupit militant “Shteti Islamik”, por që Kosova ka mbetur e vendosur në trajtimin e kërcënimeve nga ana e atyre që kanë marrë pjesë në luftëra të huaja.

Por, si e shohin njohësit e zhvillimeve politike në rajon samitin e Zagrebit dhe efektet e mundshme të tij.

Analisti nga Prishtina, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se prezenca në samit e zëvendëspresidentit amerikan, Biden, është dëshmi jo vetëm e përkushtimit amerikan ndaj Ballkanit Perëndimor, por edhe tregues që raportet e keqësuara qoftë etnike qoftë ndërshtetërore, mund të menaxhohen vetëm pasi të sigurohet një prezencë e lartë amerikane ose evropiane.

Sipas tij, për Bashkimin Evropian, kufiri i parë është Ballkani Perëndimor.

Prandaj, siç thotë Korenica, ruajtja jo vetëm e stabilitetit, por edhe i kësaj zone si miqësore ndaj perëndimit dhe jomiqësore ndaj ndikimit rus dhe ndaj ndikimit të grupeve terroriste, është qëllimi i samitit të Zagrebit.

“Duhet ta kemi të qartë një fakt shumë të thjeshtë, se prezenca ruse ndaj politikës serbe, por eventualisht edhe ndaj vendeve tjera në Ballkanin perëndimor, do të ishte një kurdisje e një bombe shumë të madhe përballë interesit perëndimor, evropian dhe amerikan. E njëjta gjë mendoj se vlen edhe për sa i takon sulmeve, por edhe shtrirjes së grupeve terroriste në Ballkanin perëndimor”, tha Korenica.

Boshko Jakshiq, analist serb i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës asnjëherë nuk janë janë larguar nga rajoni, por sipas tij, tashmë mund të thuhet se e kanë konfirmuar interesin e fuqishëm për Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, kjo koincidon edhe me interesimin gjithnjë e më të madh të Rusisë për këtë rajon.

“Kjo është pasojë nga koha e ngjarjeve kur ka nisur kriza në Ukrainë dhe edhe perëndimi, por edhe lindja, po e intensifikojnë praninë e tyre dhe po tregojnë se dëshirojnë që sa më shumë të ndikojnë në shtetet e këtij rajoni. Jo vetëm ndaj vendeve që janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, por veçanërisht ndaj vendeve që nuk janë anëtare të këtyre organizatave”, theksoi Jakshiq.

Analisti Korenica vlerëson se ngjarjet e fundit në skenën ndërkombëtare, kanë kthyer një interesim të shtuar të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj rajonit.

“Ruajtja e një arkitekture të sigurisë, që menaxhohet dhe që i ndjek linjat e Bashkimit Evropian, të Evropës Perëndimore, mendoj që është një theks, të cilës SHBA dhe shtetet kryesore të BE-së, po i kthehen me shpejtësi, për ta vendosur si agjendë parësore” .

“Përndryshe, nëse një gjë e tillë nuk do të qëndrojë në agjendë parësore, natyrisht që konflikti, përkatësisht rreziqet, jo vetëm për stabilitetin e rajonit tonë, por për të gjithë Evropën, do të shtoheshin. Ato nuk do të mund të parandaloheshin nëse nuk menaxhohet parandalimi në mënyrë të suksesshme që tani”.

Në margjinat e samitit të Zagrebit, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar me zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, si dhe për përparimin e arritur në rrugën e integrimeve evropiane.

Presidenca e Kosovës ka deklaruar se Biden e ka konfirmuar mbështetjen e pakushtëzuar amerikane për përparimin e Kosovës. (rel)

Bushati: Shqipëria me qendër rajonale kundër ekstremizmit të dhunshëm

Shqipëria – partnere e Europës në luftën kundër terrorit, por edhe gati për të pritur valë refugjatësh në dimër, shprehet ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati pas konferencës rajonale në Berlin.

BushatiDeutsche Welle: Zoti Bushati ju morët pjesë në konferencën e ministrave të Jashtëm të Ballkanit në Institutin Aspen, me ftesë të ministrit të Jashtëm gjerman Steinmeier dhe atij italian, Gentiloni. Çfarë masash u diskutuan në lidhje me krizën e refugjatëve në Ballkan, kjo krizë ishte edhe në fokus të kësaj konference që zhvillohet një herë në vit?

Ditmir Bushati: Konferenca këtë vit u fokusua tek çështjet e sigurisë, zgjerimit të Bashkimit të Europian, natyrisht çështjet që kanë të bëjnë me krizën e refugjatëve, terrorizmin dhe cënueshmërinë le të themi të arkitekturës europiane, sidomos pas ngjarjeve të fundit në Paris. Ne këmbyem pikëpamje në lidhje me angazhimin e vendeve të Bashkimit Europian, Gjermanisë, Italisë, vendeve të rajonit tonë, të cilët janë prekur nga kriza e refugjatëve, po ashtu u këmbyen pikëpamje për opcionet e ndryshme që mund të përdoren për shkak të stinës së dimrit dhe rrugëve të ndryshme se si mund të përballohet kjo krizë. Në konferencë u theksua rëndësia e një përgjigjeje të përbashkët në nivel europian dhe e një bashkëveprimi e sinkronizimi sa më të mirë mes vendeve të BE-së dhe rajonit për të përballuar këtë krizë të paprecedentë, e cila nuk duket se do të përfundojë shpejt.

Përmendët se keni diskutuar opcione të ndryshme në konferencë, a është edhe Shqipëria një opcion, pra a preket Shqipëria nga vala e refugjatëve në periudhën e dimrit?

Të gjitha opcionet janë të hapura, duke përfshirë këtu edhe një prekje të mundshme të Shqipërisë, Italisë apo Malit të Zi, në qoftë se mund ta konsiderojmë kështu pjesën Adriatike të Ballkanit. Shqipëria ka marrë masat përkatëse në bashkëpunim me partnerët, në bashkëpunim me vendet anëtare të BE-së, po ashtu kemi përgatitur planin e kontigjenteve. Natyrisht ne jemi një vend me kapacitete të kufizuara, qoftë nga pikëpamja e burimeve njerëzore dhe infrastrukturës, e është kjo arsyeja që masat paraprake duam t’i marrim në kohë dhe në bashkëveprim me vende të tjera.

Po a keni të dhëna se Shqipëria mund të preket gjatë dimrit?

Për momentin nuk mund të flitet me garanci të plotë për një skenar që do të prekte drejtpërdrejt Shqipërinë, Italinë apo Malin e Zi, por me afrimin e dimrit , potencialisht kjo mund të kondicionojë akset kryesore, të cilët përdorin njerëzit që duan të shpëtojnë nga lufta.

Ju u shprehët pas konferencës se kriza e refugjatëve në Ballkan nuk duhet të prekë integrimin. Çfarë keni parasysh me këtë, a dyshoni se kjo krizë mund të prekë vërtet proceset e integrimit?

Nga ana e dy ministrave të Jashtëm, atij gjerman dhe italian ka një qartësi përsa i përket jo thjesht procesit të integrimit europian dhe avancimit të rajonit në hapësirën euroatlantike, por edhe për të eliminuar çdo lloj spekulimi apo tendence për të ngatërruar krizën e refugjatëve me procese, të cilat kanë nisur me kohë në rajonin tonë. Pata mundësi të ritheksoja faktin, se procesi i zgjerimit apo çdo lloj pakti mbi çështjet e sigurisë, që adreson jo thjesht çështjen e refugjatëve, por edhe çështjet që kanë të bëjnë me luftën kundër terrorizmit duhet të shkojë paralelisht, të ecë bashkërisht me procesin e zgjerimit, përkundrazi situata, të cilën po e përjeton sot për sot rajoni ynë dhe BE, mendoj se bëjnë thirrje për një veprim më të shpejtë strategjik ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Mendoni se e regjistruan dy ministrat e Jashtëm të BE-së këtë thirrje për veprim të shpejtë strategjik?

Ministri i Jashtëm gjerman dhe ai italian janë shumë të qartë dhe të kthjellët në këtë pikë, shpresoj që në muajt në vijim do të kemi mundësi të dëshmojmë një gjë të tillë.

Pas ngjarjeve në Paris, terrori i Shtetit Islamik është kthyer në një sfidë për Prëndimin, por edhe në rajon rreziku nuk është më i vogël. Çfarë u tha për këtë në Berlin?

Natyrisht u diskutuan programet, me të cilat vendet që janë pjesë e aleancës kundër të ashtuquajturit “Shtet Islamik” bashkëveprojnë me njëra-tjetrën, përpjekjet që bëhen për shkurajimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj, edhe përpjekjet që po bën Shqipëria posaçërisht në këtë drejtim edhe përmes krijimit të qendrës rajonale për përballimin e ekstremizmit të dhunshëm, si pjesë e strategjisë kombëtare kundër ekstremizmit të dhunshëm, të miratuar në Këshillin e Minstrave javën e kaluar. Kjo qendër rajonale që do të ngrihet vitin e ardhshëm në Shqipëri, me mbështetjen e partnerëve strategjikë do të fokusohet tek elementët edukativë, ata të bashkëjetesës fetare, pra për të punuar me komunitete të ndryshme, për të rrezatuar atë që është unike në Shqipëri apo hapësirën shqiptare për sa i përket bashkëjetesës më të mirë fetare. Ka disa forma si mund të luftohet ekstremizmi i dhunshëm, ndër to edhe programet edukative, kulturore, të cilat ne synojmë t’i kultivojmë sa më shumë që të bëhen shembull rrezatues edhe për vende të tjera.

Zoti Bushati të kalojmë në zhvillimet në Shqipëri – Shqipëria pret hapjen e negociatave me BE-në, por BE në progresraport e vuri gishtin tek plagët e vjetra në Shqipëri si reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, dekriminalizimi, vetëm pas këtyre reformave do të ketë negociata – një qëndrim i qartë i BE-së ky. E meritonte qeveria shqiptare hapjen e negociatave me BE-në, në një kohë kur ende disa detyra shtëpie nuk i ka bërë?

Më lejoni të theksoj se sipas raportit të Komisionit Europian, Shqipëria është i vetmi vend që ka njohur progres të qëndrueshëm në të gjitha fushat që janë objekt vlerësimi nga Komisioni Europian krahasuar me vendet e tjera, pjesë e dosjes së zgjerimit. Ky progres është i dukshëm sidomos në fushat që konsiderohen parësore, për sa i përket sundimit të së drejtës, e sundimit të së drejtës në ekonomi. Jo vetëm Komisioni Europian, por qeveria shqiptare, shumica parlamentare institucionet kryesore e aktorë të tjerë e kanë vënë gishtin tek një plagë do ta quaja e shoqërisë shqiptare, që është gjendja e mjerueshme e sistemit të drejtësisë. Ka një angazhim politik të fortë në këtë drejtim, po punohet me Komisionin e Venecias, është pozitive që të gjithë aktorët kryesorë politikë dhe parlamentarë kanë referuar opinionet e qëndrimet e tyre pranë Komisionit të Venecias. Opinioni dhe përfshirja e ekspertizës së këtij komisioni, që gëzon reputacion të lartë në Shqipëri, do t’i japë një legjitimitet më të madh të gjithë procesit të reformës në drejtësi.

Pas kompromisit me opozitën për çështjen e dekriminalizimit, a shpresoni që ky model bashkëpunimi me opozitën mund të funksionojë edhe për reformën në drejtësi, ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier ju inkurajoi për çuarjen përpara të reformës në drejtësi?

Besoj se çdo reformë që vjen si fryt i kompromisit, pa cënuar standartet më të larta demokratike, do të ishte jo vetëm e mirëpritur nga ne, por ne do punojmë për ta arritur një gjë të tillë. Ne po punojmë për këtë dhe ka një gatishmëri edhe nga ana e Komisionit Europian dhe vendeve anëtare për të na mbështetur në këtë proces, me qëllim që të krijohet terreni për rekomandimin për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Shumë punë është bërë, por ende shumë punë mbetet për t’u bërë në këtë drejtim. Kompromisi për ligjin për dekriminalizimin mendoj se mund të shërbejë si një ogur i mirë edhe për reforma të tjera që do të kërkonin një mirëkuptim të gjerë politik, pa cënuar standardet e kërkuara. (dw)

Dekriminalizimi, diskutime të gjata në parlament

Shumica dhe opozita kanë rënë dakort për një tekst konsensual. Miratimi në javët e ardhshme së bashku me ndryshimet kushtetuese. Deputeti Mark Frroku i cili ndodhet në arrest, heq dorë nga mandati

parlamenti shqiperiPasi javën e shkuar komisioni për dekriminalizimin arriti në një tekst konsensual, sot parlamenti ka nisur që prej paradites diskutimin e tij. Dhe ndonëse bëhet fjalë për një dokument për të cilin palët kanë rënë dakort, pak ose aspak është diskutuar për përmbajtjen e tij gjatë seancës së gjatë që përfundoi në mbrëmje. Thelbi i debateve ishte një përsëritje e akuzave që deputetët e të dy krahëve shkëmbejnë prej kohësh mes tyre, me opozitën e cila e bëri kauzë të vetën këtë cështje, e ndihmuar dhe nga zëri gjithnjë e më i fuqishëm i komunitetit ndërkombëtar që kërkonte më ngulm shkëputjen e lidhjeve të politikës me krimin.

Nga ata që bënë, edhe shpjegimin e ligjit, ishte deputeti demokrat Eduard Halimi, pjesë e komisionit të posacëm përlamentar:“Ky ligj sot ka 2 objektiva të qartë. E para, të prishë kontratën me krimin e bërë para zgjedhjeve, dhe të eleminojë cdo pasojë e ardhur nga ky shkak, pra dekriminalizmin, largimin e plotë, të menjëhershëm të gjithë atyre zyrtarëve me rekorde të tmershme kriminale, kudo që janë. E dyta, të garantojë që ky fenomen i tmerrshëm për vendin të mos përsëritet më, mos lejojë kryetarët e partive që të vendosin sërish në të ardhmen as në parlament dhe as në administratë publike, njerëz me rekorde të tmerrshme kriminale”.

Teksti i ligjit detajon të gjitha kategoritë që preken, që nga deputetët, ministrat apo përfaqësuesit e zgjedhur vendor deri të institucionet e tjera të shtetit, duke penalizuar jo vetëm ata që janë dënuar në Shqipëri por dhe ata që kanë marrë një dënim qoftë edhe jo të formës së prerë, në gjykatat e vendeve të Bashkimit europian, Shteteve të Bashkuara e Kanadasë. Ai parashikon një numër të madh veprash penale kryerja e së cilave bëhet shkas për të mos lejuar ushtrimin e funksioneve publike, si për gjatë gjithë jetës, ashtu dhe për afate të ndryshme kohore në varësi të veprës penale

“Projektligji parashikon në 76 raste, dispozita të kodit penal të cilat ndalojnë promovimin politik dhe administrative-ligjor të personave që implikohen në këto raste dhe që i kanë ato mbi supe si dhe në mënyrë kategorike të mos ushtrojnë funksione publike. Projektligji parashikon njëkohësisht jo vetëm periudhën e ndalimit të ushtrimit të këtyre funksioneve por dhe mekanizmat e monitorimit e të kontrollit, organet kompetente për verifikimin dhe zbatimin e ndalimeve si dhe kushtet e pezullimit e të ndalimit të ushtrimit të funksionit”, deklaroi deputeti i Lëvizjes socialiste Spartak Braho.

Deputeti socialist Ben Blushi e quajti një damkë për parlamentin përfshirjen në të, të elementëve me të shkuar kriminale, ndërsa shigjetoi haptazi kryetarin e partisë së tij: “Përgjegjësia sidoqoftë nuk është kolektive por është vetëm dhe vetëm personale. Eshtë e atyre që i sollën në parlament, që i zbukuruan, që i parfumosën, i korrektuan, i lyen me buzëkuq, i bënë make-up politik, për të na detyruar që ta pranojmë këtë shëmti si normë politike”.

Miratimi i ligjit pritet të bëhet në javët e ardhshme së bashku me ndryshimet e nevojshme në kushtetutë në mënyrë që ai të bëhet plotësisht efektiv.

E ndërsa parlamenti ishte përfshirë në akuza se cila nga palët ishte më shumë e lidhur me krimin, deputeti Mark Frroku, kryetar i partisë Kristian-demokrate, në aleancë me socialistët e zotit Rama, njoftoi se heqjen dorë nga mandati i deputetit.  Frroku ndodhet në arrest, pasi ai akuzohet nga autoritetet belge për një vrasje të ndodhur në 1999 në Bruksel. I vëllai i tij, Arben Frroku, i cili është i dyti në listë e që rrjedhimisht do duhej ta zëvëndësonte, është në arrati, ndërsa është dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata e Apelit për vrasjen e një komisari policie në Tiranë dy vjet më parë.

Gjatë paradites, seanca e sotme e parlamentit u parapri nga një protestë e një grupi ish të përndjekurish politikë sipas të cilëve në vend po mungon liria dhe demokracia e vërtetë. Policia ndërhyri me forcë për të ndalur njërin prej tyre i cili tentoi të futej në mjediset e jashtme të parlamentit. (voa)

Huamarrje e re prej 270 milion euro

euroQeveria e Maqedonisë mori borxh prej 270 milionë eurove për dhjetë vite, përmes Euro-obligacionit të ri që u miratua sot. Përfitimi nga euro-obligacionet do të jetë 5.125 për qind në nivel vjetor, që do të thotë se deri në vitin 2020 do të duhet të kthehen 340 milion euro. Edhe pse fillimisht ishte planifikuar që borxhi të jetë deri në gjysmë milion euro, Qeveria në moment të fundit vendosi të ndryshojë shifrën. Nga këto fonde, 20 milionë do të jenë në llogari të posaçme dhe do të destinohen për menaxhimin e krizës së refugjatëve, ndërsa 150 milionë do të jenë për kthimin e Euro-obligacionit të vjetër që u lëshua në vitin 2005. Pjesa e mbetur prej 100 milionëve do të përdoret për mbështetje buxhetore, përkatësisht me to pritet të sigurohet funksionimi pa pengesë i shtetit në gjysmën e parë të vitit 2016.

“LSDM-ja nuk do të lejojë që për shkak të shpenzimeve të tepruara të qeverisë, qytetarët të mbeten pa rroga, pensione, ndihmë sociale. Por, gjithashtu, LSDM-ja nuk do të lejojë që politikat e paarsyetuara dhe joekonomike të Gruevskit të jenë barra e gjeneratave të ardhshme. Prandaj u nënshkrova për huamarrje në vlerë prej 250 miliona euro, para të cilat janë të nevojshme për pagesën e rrogave, pensioneve, ndihmës sociale, subvencioneve të qytetarëve”, tha Kire Nuamov, zv/ministër i Financave.

“Ne nuk do të lejojmë të politizohet kjo çështje e cila nuk ka nevojë për politizim, duhet të qëndrojmë në sferën e profesionalizmit dhe qytetarëve t’u sigurojmë para të mjaftueshme për nevojat që duhet t’i siguroj buxheti. Qytetarët duhet të jenë të qetë derisa ne vendosim për politikën buxhetore dhe nevojat që duhet të financohen nga buxheti se do të ketë mjete të mjaftueshme për të gjitha projektet që janë paraparë me buxhetin e vitit 2016-të”, u shpreh Zoran Stavreski, ministër i financave. (alsat)

Opozita nis manifestimin e 28 nëntorit tri ditë më herët

per republikenManifestimit për 28 nëntor i paralajmëruar nga tri subjektet opozitare, i ka paraprirë sot një aksion i vogël i po këtyre subjekteve.

Të rinj nga Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë vendosur sot para objektit të Qeverisë së Kosovës shkronja të mëdha ku shkruan “Për Republikën”.

Bashkë me ta kishte dalë edhe deputetja e AAK’së Time Kadrijaj, dhe kryetari i Nismës për Prishtinë, Shyqeri Bytyqi.

Që të dy kanë ftuar edhe njëherë qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen manifestimit paqësor të 28 nëntorit duke thënë se ky manifestim do të jetë për ta mbrojtur Kosovën.

Shyqeri Bytyqi tha se ky 28 nëntor do të jetë në bashkim të qytetarëve dhe vënies së themeleve të shtetit tonë siç ndodhi para 100 vitesh.

Ndërsa Time Kadrijaj tha se motoja “Për Republikën” është një mesazh i mirë që me 38 nëntor do të ketë një manifestim shumë paqësor në përkrahje të Republikës së Kosovës dhe një Kundërshtim për marrëveshjet e dëmshme për Kosovën./KosovaPress/

‘Drejtuesit kokëtul të BDI-së na kthyen në kohën e Rankoviqit?!’

“Për ata që më pyesin si u bë që dikur e përkrahja BDI-në dhe drejtuesit e saj, e sot i kritikoj ata: e shkruara mbetet dhe, unë as mundem dhe as dua ta fshehë të vërtetën se kam investuar shumë në promovimin e drejtuesve të BDI-së! Madje disa libra të mi, ata i mbanin në zyrat e tyre, si të vetmin argument për veprimin e drejtë politik! Dhe e di se të gabosh në vlerësim dhe të ngresh mite të rrejshme, është mëkat, por mëkat edhe më i madh është të heshtësh kur e ke zbuluar se nuk ia ke dal me kohë ta njohësh ujkun e maskuar në qengj! Shkurt e shqip: edhe sikur të kthehej koha mbrapsht, do e bëja të njëjtën: do i përkrahja koncept e reja politike, duke besuar se njeriu duhet të jetë mbi mesataren injorant, që t’i përsërisë gabimet e pararendësve të vet! Nuk kam qen dhe kurrë nuk do jem paragjykues, andaj nga ta dija unë, për shembull, se drejtuesit e BDI-së, janë aq kokëtula sa do na kthenin në kohën e Rankoviqit dhe se ata nuk e kanë kuptuar as më elementaren: se pa pasur shtet, nuk mund të kesh pushtet! Ndoshta ka, por unë nuk jam nga ata, që qysh në vitin 2001, të kem mundur të besoj se drejtuesit e UÇK-së, të asaj UÇK-je që na e ktheu krenarinë e munguar, do guxojnë e do munden, që për pak pushtet dhe për disa përfitime personale, të shkelin mbi një vlerë me të cilët do duhej të mburreshin të gjithë gjeneratat tona të ardhme, ato gjenerata që kjo parti i dëboi nga vendlindja! Andaj ma gjeni një shqiptar, që e ka ditur qysh asokohe, se këta që në krye të BDI-së i solli emblema madhështore e UÇK-së, do na çojnë drejtë ‘Sopotit’, ‘Brodecit’, likuidimit të Harun Aliut me shokët, ‘Monstrës’ , deshqiptarizimit të Maqedonisë nëpërmjet projekteve si ‘Shkupi 2014’, vrasjeve nëpër degët partiake, drejtë Natës së Tradhtisë së Madhe në Kumanovë…. Dhe për ata që nuk e dinë: kthjellja ime ka filluar para dhjetë viteve, e jo sot, kur është e turpshme të mos jesh kthjellur dhe të mos e kesh kuptuar se, ata që dikur i pritëm si kalorës mbi kalë të bardhë, sot duhet t’i përcjellim ashtu siç u takon të pabesëve dhe heronjve gënjeshtarë – si heronj mbi gomar!”, shkruan Kim Mehmeti.

Kosovë, 18 vjet nga luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe policisë serbe

luftetaret e pare uck nentor 1997Sot, bëhen 18 vjet nga luftimet e para frontale ndërmjet UCK-së dhe Policisë serbe.

Më 25 nëntor 1997 forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari, sulmuan forcat e policisë serbe në Vojnik, të cilat u tërhoqën, duke lënë të plagosur.

Të nesërmen një ekspeditë ndëshkimore me 10 automobila e mjete të tjera të motorizuara u drejtuan për në Vojnik.

Adem Jashari me 10 luftëtarë i zuri pritë dhe, pas katër orë luftimesh të rrepta, forcat e policisë u tërhoqën të përgjakura. Në tërheqje e sipër, forcat serbe, të egërsuara nga goditjet që u kishte dhënë Adem Jashari, filluan të qëllojnë majtas e djathtas pa mëshirë kundër kujtdo që shihnin dhe në fshatin Llaushë ata vranë mësuesin Halit Geci në derë të shkollës, i cili u varros me një ceremoni të madhe të nesërmen më 28 nëntor 1997, transmeton KosovaPress.
Në këtë ceremoni, ku morën pjesë shumë njerëz, me urdhër të Adem Jasharit, dolën nà « tribunë për herë të parë përfaqësuesit e UÇK-së.

Serbia nuk mundi të hynte në Drenicë, deri më 22 janar 1998, ditë kur ia rrethojnë shtëpinë për të dytën herë dhe e goditën me artileri e armë të tjera. Ademi atë natë nuk ndodhej në shtëpi. Luftuan i ati, Shabani, me Hamzën, Besimin (djali i Hamzës), Kushtrimin (djali i Ademit) etj.

U plagosën Selvetja (vajza e Hamzës) dhe Iliriana (vajza e Rifatit). Me të zbardhur dita, e gjithë Drenica u mblodh te kulla e gjuajtur me topa e Adem Jasharit. /KosovaPress/

Lugina proteston për librin në gjuhen shqipe

protesta presheveProtestat për librin shqip në Luginën e Preshevës, të cilat filluar në Preshevë, do të vazhdojnë edhe në Bujanoc.
Ky është njoftimi që ka dhënë Këshilli studentor i Luginës së Preshevës.

Marshi paqësor i studentëve dhe nxënësve të Luginës së Preshevës në Bujanoc, do të mbahet sot me motot “Dua Abetaren time” dhe “Duam librin shqip”.

Marshi protestues do të niset nga Shkolla e mesme “Sezai Surroi” në orën 13:20. /KosovaPress/

Bllokimi i produkteve, Shqipëria ultimatum Maqedonisë

ahmetajTirana zyrtare i ka dërguar një “ultimatum” autoriteteve të Maqedonisë se, në rast se bllokimi i produkteve shqiptare vijon, atëherë nga sot do të nisë zbatimi i reciprocitetit.

Pas bllokimit për të dytën herë brenda një muaji të produkteve shqiptare nga pala maqedonase, ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj u shpreh se Shqipëria ka të drejtë të ndërmarrë akte reciprociteti ndaj veprimeve të tilla.

“Kam kërkuar sot nga ministri i Ekonomisë të Maqedonisë dhe nga ministri i Financave, që situata do të duhej të zgjidhej menjëherë dhe brenda ditës së sotme (djeshme). E nëse jo, neve automatikisht, edhe mbi bazën e të gjitha të drejtave që na jep marrëveshja e tregtisë së lirë CEFTA me të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, kemi të drejtë të ndërmarrim akte reciprociteti. Herën tjetër mund të ketë reciprocitet të drejtpërdrejtë, të paparalajmëruar”, theksoi ministri Ahmetaj.

Ministri u shpreh se ky bllokim vjen për shkak të keqpërdorimit të ligjit nga pala maqedonase. “Rregullorja në fjalë e Maqedonisë ka një afat kohor deri në 5 ditë për të kthyer përgjigje analizash, që shpesh herë edhe keqpërdoret nga institucione apo individë”, tha më tej ministri Arben Ahmetaj për “Top Channel”.

Koment: hipokrizi dhe dështim

Azilkërkuesit e dëshpëruar në kufirin greko-maqedonas dëshmojnë në mënyrë tragjike, se BE-ja nuk është në gjendje ta menaxhojë krizën e refugjatëve, që po ashpërsohet gjithnjë e më shumë, mendon Bernd Riegert.

refugjatetEshtë e kuptueshme që pas sulmeve të tmerrshme terroriste në Paris politika dhe mediet në Europë e kanë përqendruar vëmendjen tek gjetja e dorasve dhe lufta kundër të ashtuquajturit “Shteti Islamik”. Por kriza e refugjatëve në Europë po intensifikohet gjithnjë e më shumë nën hijen e terrorit. Ndaj saj nuk duhet qendruar indiferent. Problemet në kufijtë e Ballkanit po shtohen, në vend që të pakësohen. Përpjekja e deritanishme e çalë, për etablimin e një politike të përbashkët europiane për refugjatët, ka mbetur pa dhënë fryte. Qëllimi, për ta ngadalësuar migracioonin nga Turqia përmes Greqisë e Ballkanit deri në Gjermani, nuk është arritur. pavarësisht shumë samiteve të posaçme dhe takimeve për krizën.

Krerët e shteteve dhe qeverive pjesëmarrës në këto takime duhet ta kenë të qartë në marrjen e vendimeve, se recetat e tyre nuk do të kenë efekt. Nuk ka një kontroll efikas të kufijve të jashtëm të BE-së. Kapacitete funksionuese për pranimin e refugjatëve në Greqi nuk ka. Një mekanizëm funksionues për shpërndarjen e drejtë të tyre në BE nuk ka. Kush të mundet vendos gardhe duke shpresuar, se të gjithë do të vazhdojnë rrugën për në Gjermani. Refugjatët dhe migrantët edhe më tej do të detyrohen të vazhdojnë marshimin e tyre në të ftohtë e në shi përmes Europës.

Edhe për sa kohë do të funksionojë kjo kështu?

Pasi Suedia kapitualloi kundrejt dyndjes së refugjatëve, në thelb mbetet vetëm Gjermania si vendi që pranon ende. Çdo ditë vijnë deri në 6000 vetë në Gjermani. Kjo nuk mund të përballohet më gjatë. Landet po rebelojnë kundër federatës. Kancelarja ndodhet nën presion të jashtëzakonshëm. Deri për Krishtlindje numri i të porsaardhurve sivjet do të arrijë milionin. E vitin e ardhshëm kjo do të vazhdojë po kështu.

Disa vende tranziti tani kanë filluar të pengojnë kalimin në kufijtë e tyre të njerëzve nga Pakistani, Afganistani apo nga vendet afrikane. Mijëra syresh janë bllokuar në kufirin greko-maqedonas në kushte të këqia e aspak humane. Njerëzit janë kaq të dëshpëruar, sa ata kanë nisur të sakatojnë vetveten duke qepur buzët. Policia druan, se mund të ketë eksese dhune ndër grupet e refugjatëve. Por kjo është vetëm një simptomë e vetme e asaj se çfarë mund të ndodhë, nëse edhe Gjermania i vë në jetë deklarimet e saj dhe i refuzon njerëzit, që kanë shanse minimale për të fituar të drejtën e azilit.

Mijëra e dhjetra mijëra njerëz do të bllokoheshin në Austri, Slloveni, Kroaci, Serbi, Maqedoni apo Greqi. Ata do të bëheshin kësisoj viktimë e një politike deri më tani të dështuar europiane për refugjatët. Pretendimi i politikanëve, se gjendja mund të vihet nën kontroll përmes të ashtuquajturve hotspots, pra qendrave të regjistrimit dhe shpërndarjes me kontigjente, është thjeshtë hipokrizi. Ky sistem presupozon në fakt, që kufijtë e jashtëm të BE-së të mbyllen tërësisht. Një gjë e tillë në kufirin greko-turk nuk është e mundur të zbatohet as në aspketin logjistik dhe as në atë politik.

Turqia nuk mund ta përballojë

Që tani të gjitha shpresat të varen tek Turqia dhe të mendohet, se me para dhe fjalë të bukura Turqia mund të vihet në lëvizje, që t’i mbajë në vend të gjithë refugjatët e luftës nga Siria, kjo është thjeshtë marrëzi. Nga njëra anë Turqia nuk mund ta garantojë këtë. Sepse asaj do t’i duhej që të izolojë të gjitha brigjet e veta dhe brenda pak javësh të përmirësojë radikalisht kushtet e jetesës për refugjatët në Turqi. Nga ana tjetër përmes Turqisë nuk vijnë vetëm sirianë e irakianë. Gjithnjë e më shumë njerëz largohen përmes Turqisë edhe nga Afganistani, Pakistani, Irani dhe Erirtrea. A duhet të ndalohen të gjithë këta? Si? Kësaj i shtohet edhe fakti, se refugjatët ndërkohë nga Europa më shumë po marin sinjalin “largohuni tani, sa nuk janë mbyllur portat!”, gjë që e rrit numrin edhe më shumë e atyre që vazhdojnë të vijnë.

Burrat, gratë dhe fëmijët, që ndërkohë po rezistojnë në kufirin e Maqedonisë, as që duan t’ia dinë për lojërat politike brenda BE-së lidhur me çështjen e refugjatëve. Por ata vuajnë prej kësaj dhe nuk e dinë se përse. Ky është një turp për Europën. Ne nuk duhet të jemi indiferentë. (dw)

Qendra Informative Shqiptare "Liria"