Kuvendi votoi ministrat e rinj

parlamenti i mkMe shumicë dërmuese Kuvendi zgjodhi sot edhe dy ministrat e propozuar nga LSDM-së Oliver Spasovski për Punë të Brendshme dhe Frosina Remenski për punë dhe politikë sociale, si dhe Marta Arsovska Tomovska në krye të ministrisë për shoqëri informative dhe administratë publike. Përveç tyre betim solemn sot në Kuvend dhanë edhe zëvendës ministrat, tre nga radhët e LSDM-së që në bujqësi, shoqëri informatike dhe ministrinë e financave dhe dy zëvendës ministra nga radhët e VMRO-së të cilët po ashtu do të kenë të drejtë vetojë në vendimet e ministrave të LSDM-së në polici dhe punë sociale. Kryeministri Gruevski gjatë nominimit të kandidatëve i ftoi ata që interes shtetërore ti kenë mbi ato partiake.

“Pres që ministrat e rinj si edhe Zv. ministrat të jenë të fokusuar në procesin zgjedhor në pajtim me Marrëveshjen e Shkupit, Qershor-Korrik, pres që të mos i ndalojnë projektet e filluara nga Qeveria ,si dhe projektet nga programi i Qeverisë. Pres që të jenë të fokusuar në zgjedhjen e problemeve të qytetarëve të R. Maqedonisë. Pres angazhimin e tyre dhe punë dhe sjellje të përgjegjshme”, deklaroi Nikolla gruevski, kryeministër.

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev para Kuvendit deklaroi se ministrat e partisë së tij do të jenë kontrollues të punës së Qeverisë si dhe garanci për kthimin e lirisë në vend.

“Detyra e këtyre njerëzve është që të jenë kontrollues të gjithë procesit dhe t’ua garantojnë vullnetin tuaj të lirë, përcaktimin e shprehjes së lirë pas shumë viteve në Maqedoni. Në Maqedoni, patjetër, duhet dhe të do të ketë liri dhe demokraci. Pjesëmarrja e këtyre njerëzve në qeverinë kalimtare është kontroll absolut i rolit të tyre. Kontroll me qëllim kthimin e lirinë në vendin tonë. Ndërsa më 24 do t’i kthejmë vlerat Kushtetuese në Maqedoni dhe vlerat ekonomike për të cilat të gjithë angazhohemi”, u shpreh Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së.

Partitë shqiptare u përplasën kryesisht për kontributin në zgjidhjen e krizës si dhe për kompetencat e zëvendës ministrave shqiptarë në kabinetin e ri. Artan Grubi akuzoi Thaçin se nuk ka dhënë asnjë kontribut në Marrëveshjen e Përzhinos, ndërsa Imer Aliu tha se VMRO, LSDM dhe BDI edhe zyrtarisht pranuan fajin për krizën e krijuar në vend.

“Si thonë, ra ky mort e u pamë. Për BDI-në, fakti që ata sot legjitimojnë një diskriminim të skajshëm që po ndodh është katastrofle. Fakti që ata pranuan që zv ministrat e tyre të mos kenë të drejtë veto tregon realisht se në çfarë gjendje gjinden ata dhe me këtë për fat të keq në çfarë gjendje I kanë sjellë shqiptarët e Maqedonisë. Prej sot ju jeni ata kalorësit e epokalipsës, me fat”, u shpreh Imer Aliu, PDSH.
“Në këtë marrëveshje firmën e vetë e vendosi edhe zoti Menduh ThaçI, kryetarë i PDSH dhe përveçse asaj firme dhe atij mundu në ditën e nënshkrimit, asnjë kontribut të vetëm gjatë çdo dite të negociatës që nga 2 qershori, 15 korriku e gjer më sot nuk e ka dhënë për të mirën e shqiptarëve në grupet e punës dhe në negociatat e përditshme. Absolutisht e pavërtetë që e drejta e vetos i mohohet vetëm BDI, por përkundrazi nga 5 zv ministra që nuk do të kenë të drejtë të veto-s, 3 i takojnë VMRO-DPMNE-së”, theksoi Artan Grubi, BDI.

Deputetët e pavarur kanë kritikuar mënyrën e arritjes së marrëveshjes dhe përfshirjen ne bisedimet e grupeve punuese, si dhe u shprehën skeptik se Qeveria e re do të arrinte suksese.

Arben Zeqiri

Zaev: Pas 24 prillit unë do të jem Kryeministër, jo Kryetar Komune

zaevZgjedhja e ministrave dhe zëvendësministrave nga LSDM-ja është vetëm një hap drejt rrugës së pandalshme që do të sjellë ndryshime demokratike në Republikën e Maqedonisë, tha Zaev në një konferencë për shtyp para hyrjes kryesore të Kuvendit pasi u zgjodh Qeveria Teknike.

– Funksioni i këtyre njerëzve është për të vepruar si vëzhgues dhe të sigurojnë vullnetin e lirë të qytetarëve. Maqedonia duhet të ketë dhe do të duhet liria dhe demokracia, – tha lideri i LSDM-së.

Ai theksoi se tani pjesëmarrja e LSDM-së në qeveri ka një rol kontrollues, dhe se më 24 prill LSDM-ja do t’i kthejë vlerat kushtetuese dhe ekonomike për të gjithë qytetarët që kërkojnë dhe e meritojnë.

I pyetur nga gazetarët, a do ngel kryetar Komune pas zgjedhjeve të parakohshme të vitit të ardhshëm, ai tha se nuk do të jetë më Kryetare Komune, sepse do të ketë meritën dhe nderin për të udhëhequr qeverinë e re të Republikës së Maqedonisë.

– Kryeministri është ai që duhet të japë dorëheqjen 100 ditë para zgjedhjeve dhe duhet të formojnë një qeveri të re me një kryeministër të ri. Pas 24 prillit nuk do të jem Kryetar Komune, sepse unë do ta të marrë nderin për të udhëhequr qeverinë e re të Republikës së Maqedonisë – tha Zaev tha në një deklaratë të dhënë para Parlamenti, pas zgjedhjes së ministrave dhe zëvendësministrave nga LSDM-ja. (ina)

Kosovë-Shqipëri, Prishtina mbushet me flamuj kombëtarë

“Mirë se vini në Shqipëri”

prish-kuqDy ditë para ndeshjes miqësore Kosovë-Shqipëri, grupi i tifozëve nga Prishtina “Plisat” kanë nisur të vendosin rreth 5000 flamuj kombëtarë në rrugët e kryeqytetit kosovar.

Vendosja e flamujve kuq e zi po bëhet për të nderuar Kombëtaren shqiptare pas kualifikimit Europianin e Francës.

Ditë më parë, në rrjetin social Facebook, udhëheqësi i “Plisave”, Albert Kastrati ka shkruar se “Plisat” e konsiderojnë vetën pjesë të Kombëtares, po aq sa Kombëtarja është pjesë e Prishtinës.

“Festën tonë të madhe dhe rrugëtimin tonë të përbashkët drejt Francës, t’a bëjmë ashtu siç na ka hije, të gjithë shqiptarët të bashkuar”, ka shkruar Kastrati.

I pari i “Plisave” ka bërë thirrje që tribuna jugore e stadiumit të Prishtinës të jetë e gjitha kuq e zi. Kjo pasi ndeshja e së premtes është festë dhe për ta përshendetur Kombëtarën në rrugën e saj drejt Parisit.

Slogani me të cilin “Plisat” po presin Kombëtaren është “Mirë se vini në Shqipëri”, të cilin e ka shpërndarë në rrjetin social Facebook edhe kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana me mbishkrimin “S’ka nevojë për më shumë fjalë! Bravo Plisat”.

/ Top Channel

Pezullimi i përkohshëm i Asociacionit nuk e zhbllokon Kuvendin

parlamenti ks me lotsjellesVendimi i Gjykatës Kushtetuese për shqiptimin e masës së përkohshme me të cilën suspendohet zbatimi i parimeve të përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, nuk e ka bindur opozitën që t’i kthehet punës normale të Kuvendit.

Opozita rithekson mosbesimin e saj në Gjykatën Kushtetuese, kurse masën e përkohshme, përveç se e sheh si një procedurë të rregullt të punës, e sheh edhe si një lloj “blerje kohe” nga partitë në pushtet për miratimin e buxhetit të vitit 2016 dhe disa ligjeve të cilat nga Qeveria janë vlerësuar të një rëndësie të veçantë.

Nisur nga këto qëndrime jo-premtuese se do të normalizohet puna në Kuvendin e Kosovës, nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, e cila po qëndron në Prishtinë, ka deklaruar se bllokimi i punës së institucioneve është i papranueshëm.

Ajo i ka kritikuar veprimet e opozitës që përcillen me bllokimin fizik të punës së Kuvendit, qoftë përmes hedhjes së gazit lotsjellës apo përdorimit të gjësendeve tjera.

“Kuvendi është vendi ku duhet të ketë dialog. Ku fjalët dhe argumentet duhet të ballafaqohen dhe jo format tjera. Unë shpresoj që opozita do të kthehet, t’i diskutojë këto çështje dhe përfshihet në debat”, ka theksuar Lunachek. Marrë parasysh përplasjet që ka shkaktuar dialogu me Serbinë në raportet e brendshme politike në Kosovë, eurodeputetja kishte një mesazh edhe për qeverinë e Kosovës gjithashtu.

“Mendoj se do të ishte ide e mirë që qeveria, para se të shkojë në takimin e radhës me Beogradin dhe po ashtu edhe pas dialogut t’i drejtohet Kuvendit dhe të tregon se çfarë kërkon nga ky dialog dhe çfarë është vendosur aty”, ka thënë Lunachek.

Procedimi i lëndës për vlerësimin e parimeve të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese është bërë nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kërkesa ka të bëjë me shqyrtimin e parimeve të saj, përkatësisht të interpretohet nëse ajo është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të zgjasë deri në javën e dytë të janarit të vitit 2016. Deri atëherë, Asociacioni nuk do të mund të themelohet ngase është i pezulluar.

Sidoqoftë, pavarësisht kësaj mase, opozita mbetet në qëndrimet e vjetra, duke u zotuar se do ta pengoj punën normale të Kuvendit deri në anulimin e tërësishëm të kësaj marrëveshje dhe marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli ka thënë se nuk sheh ndonjë arsye që opozita të tërhiqet.

“Nuk ka asnjë kuptim që të vazhdojnë punimet e Kuvendit, për arsye se kryeministri Mustafa vazhdimisht potencon që nuk ka tërheqje nga marrëveshjet me Serbinë. Ne i kundërshtojmë këto marrëveshje, për arsye se e ndajnë Kosovën dhe e bëjnë atë jofunksionale. Pra, nuk ka kuptim që të diskutohet për disa çështje të cilat konsiderohen dhe deklarohen si të përfunduara”, ka thënë Topalli.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka kërkuar që palët t’i zbatojnë obligimet që kanë marrë me anët ë marrëveshjeve.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se përderisa çështja është në proceset gjyqësore, duhet shmangur komentet.

Por, ka nënvizuar ajo, Brukseli pret që marrëveshja e 25 gushtit për Asociacionin të zbatohet.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sipas BE-së ka si qëllim normalizimin e raporteve mes dyja vendeve.

Por, lobimi i fuqishëm i Serbisë kundër pranimit të Kosovës në UNESCO ka ndikuar tashmë, jo vetëm te partitë politike, por edhe një pjesë e shoqërisë civile që t’i kërkojnë qeverisë ta rishqyrtojë pozicionin e Kosovës në këtë dialog.

Ymeri: Të heqin dorë nga marrëveshjet me Serbinë ose kjo qeveri s’është më e jona

ymeriIntervistë e Visar Ymerit për “Java News”

Ekskluzive/ Kryetari i “Vetëvendosjes” në këtë intervistë për “JAVA”, menjëherë pas mospranimit në UNESCO shpjegon arsyet sepse dështoi Republika e Kosovës; pse nuk mund të bëhet më marrëveshje me Serbinë dhe ca më shumë akoma pse ky lidërship i Kosovës e ka të pamundur ta përfaqësoj vendin me kredencialet e veta…

Intervistoi Ben Andoni

Për kryetarin Visar Ymeri dhe të gjithë njerëzit e tjerë të Vetëvendosjes nuk ka asnjë mëdyshje. Qeveria e kryeministrit Isa Mustafa dhe Hashim Thaçit, si zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm nuk e përfaqëson më Kosovën.

Në një bilanc në retrospektivë që bën prej nga viti 2010, autoriteti ndërkombëtar i Kosovës është përkeqësuar ashpër. Dhe për publikun e “JAVA” ka ardhur një paralele me atë që ka ndodhur në Bosnjë me krijimin e administrimit serb në territor dhe që ka funksionuar për ta në kurriz të Bosnjës. E neve s’na falet sepse e kemi provuar në lëkurën tonë, këtë që kanë bërë serbët, thotë ai.

E nëse kryeministri nuk llogaritet, Thaçi është përgjegjësi kryesor për një shërbim diplomatik aspak në nivel të detyrës përkundrazi. Prej vitesh ne paralajmërojmë dhe dokumentojmë e argumentojmë se ndikimi i Rusisë dhe përdorimi i saj nga Serbia do ta bllokojë gjithnjë e më shumë aktivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe se rruga nuk është amnistimi i krimeve të Serbisë përmes negociatave me Kosovën por kushtëzimi i saj. Drejtuesit e politikës së Jashtme të Kosovës kanë ndjekur një rrugë pa krye që po e kryqëzon Kosovën. Taktizimi i Hashim Thaçi për të gjetur rrugë të shkurtra pra jo zhvillim e forcim i Kosovës por tryeza negociatash me Serbinë e kanë sjellë një ripozicionim të Serbisë në rajon. Kjo politikë e Thaçit po e normalizon hegjemoninë dhe fashizmin e shtetit serb edhe për të kaluarën edhe për tashmen”.  

Dhe, a ka ndonjë zgjidhje e gjithë kjo. Po, patjetër. “Ne do ta vazhdojmë protestën. Nuk heqim dorë. Do të bëjmë gjithçka që mundemi që Qeveria të heqë dorë nga marrëveshjet ose nga të qenit qeveri e Kosovës”, përfundon ai.

Duket se një nga kërkesat tuaja për të qenë diskret në marrëdhënie me Serbinë është vërtetuar, përkundrejt luftës së paepur të Serbisë për të penguar Kosovën në UNESCO. Duket se politika e jashtme e Kosovës është e dështuar në gjetjen e lobimit të duhur për anëtarësimin në UNESCO? A kishit ndonjë shpresë se Kosova do të votohej?

“Pavarësisht shpresave tona madje pavarësisht dhe rezultatit të mundshëm pozitiv për anëtarësim sulmi agresiv i Serbisë është vërtetimi, për fat të keq, i sërishëm i të gjithë kritikave tona për qëndrimet zyrtare të Qeverive të Kosovës veçanërisht ato pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me pavarësinë e Kosovës.

Pozicioni i Kosovës në raport me Serbinë sa i takon subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë prej vitit 2010 është përkeqësuar ndjeshëm. Në fund të vitit 2011 ekipi negociator i qeverisë së Kosovës ra dakord dhe e finalizoi në shkurt mbajtjen e footnotës për Kosovën me pretekstin se kjo do ta lejonte pjesëmarrjen e papenguar nga Serbia në forume rajonale e më gjerë. Footnota i mbeti Kosovës si një lloj i kontestimit ndërsa Serbia as ndërroi sjellje në pengimin apo protestën sa herë që Kosova që e ftuar në forume.

Në Marrëveshjen të ashtuquajtur për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi pika 14 e saj shkruan se janë pajtuar që asnjëra palë nuk do të bllokojë ose inkurajojë të tjerët të bllokojnë palën tjetër në rrugën përkatëse drejt BE-së. VETËVENDOSJE! pati protestuar e kërkuar me këmbëngulësi që as mos të miratohej në Kuvend kjo marrëveshje e as mos të pranohej si premisë negociimi. E konkretisht për këtë pikë ne patëm paralajmëruar se Serbia mund të angazhohet kundër anëtarësimit të Kosovës në çdo forum ndërkombëtar përveç në BE, ku edhe ashtu jemi tepër larg, e madje as Serbia s’na bën dot gjë edhe për shumë vite. Në fakt, kjo është më shumë që Kosova të mos e pengojë Serbinë. Por pushteti i Hashim Thaçit në atë kohë na pati nxjerrë zvarrë ne deputetët e VETËVENDOSJE!-s nga salla e Kuvendit të Kosovës duke lejuar të papenguar votimin për këtë marrëveshje që plot frute të hidhura i kanë dhënë brenda Kosovës siç është Lista serbe e Beogradit brenda institucioneve tona dhe frytin e parë të hidhur ndërkombëtarisht e dha të hënën më 9 nëntor ku Kosova u refuzua të jetë anëtare e UNESCO-s.

Sa i takon politikës së jashtme të Kosovës në përgjithësi ajo prej shpalljes së Pavarësisë me 2008 po drejtohet ekskluzivisht nga taktikat, metodat e njerëzit kryesisht të Hashim Thaçit aktualisht dhe Ministër i Punëve të Jashtme. Ai është përgjegjësi kryesor për një shërbim diplomatik aspak në nivel të detyrës përkundrazi. Prej vitesh ne paralajmërojmë dhe dokumentojmë e argumentojmë se ndikimi i Rusisë dhe përdorimi i saj nga Serbia do ta bllokojë gjithnjë e më shumë aktivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe se rruga nuk është amnistimi i krimeve të Serbisë përmes negociatave me Kosovën por kushtëzimi i saj. Drejtuesit e politikës së Jashtme të Kosovës kanë ndjekur një rrugë pa krye që po e kryqëzon Kosovën. Taktizimi i Hashim Thaçi për të gjetur rrugë të shkurtra pra jo zhvillim e forcim i Kosovës por tryeza negociatash me Serbinë e kanë sjellë një ripozicionim të Serbisë në rajon. Kjo politikë e Thaçit po e normalizon hegjemoninë dhe fashizmin e shtetit serb edhe për të kaluarën edhe për tashmen”.

Juve si formacion keni thënë se do të jeni sërish jo bashkëpunues në parlamentin e Kosovës. A mendoni se kjo është rruga e drejtë, në këtë kohë të vështirë? A mund t’i kursenit format e kësaj lloj proteste për të mos krijuar precedentë?

“Ne do të vijojmë protestën tonë në Kuvend e kudo. Ne e konsiderojmë të domosdoshme ndaljen e këtij revanshi të Serbisë ndaj Kosovës dhe në Kosovë. Nuk ka precedentë më të rrezikshëm se sa “Zajednica”.

Doja t’ia rikujtoja lexuesve tuaj një fakt shumë të rëndësishëm këtu në rajonin e Ballkanit.  Serbët në Bosnje Hercegovinë më 6 prill 1991 e shpallën  “Zajednicën e komunave të krahinës së Bosnjës”. Ajo  përbëhej nga 14 komuna me shumicë serbe në Bosnje Hercegovinë dhe drejtuar nga një këshill me përfaqësues nga secila komunë. Vetëm një vit më pas “Asambleja e Popullit Serb të Bosnje Hercegovinës” më 28 shkurt 1992 miratoi kushtetutën e Republikës Serbe të Bosnje Hercegovinës dhe me 14 dhjetor 1995 përmes Marrëveshjes në Dayton, “Republika Srpska” u njoh dhe ndërkombëtarisht. Ne e kemi dhe e njohim këtë eksperiencë e njohim po ashtu dhe Serbinë e kemi provuar në lëkurën tonë. Kështu që asgjë nuk janë mjetet tona të protestës nga ç’është rreziku i madh në të cilin e kanë futur Kosovën Isa Mustafa e Hashim Thaçi me marrëveshjet e fundit”.

 Ku janë pikat e përbashkëta të Pozitës me Opozitën në Kosovë, nga ku mund të fillojë dialogu, sipas VV?

“Për momentin nuk ka asnjë pikë të përbashkët. Ata refuzojnë të bëjnë hapa prapa karshi rrezikut të ndarjes së Kosovës. Edhe pas dështimit të djeshëm në UNESCO dhe fushatës së Serbisë kundër Kosovës Hashim Thaçi u deklarua se dialogu me Serbinë do të vijojë.

Në këto kushte protesta është mjeti i përshtatshëm i komunikimit më këtë lloj të qeveritarëve në Kosovë”.

A është opsioni i vetëm zgjedhjet e parakohshme me këtë situatë ku ndodhet Kosova?

“Kërkesa kryesore e opozitës së bashkuar është tërheqja e Kryeministrit Mustafa nga marrëveshjet me Serbinë dhe ajo për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Nuk heqim dorë nga kjo kërkesë sepse besojmë se është e drejta, e duhur dhe e mbështetur nga mbi 200 mijë qytetarë të Kosovës në Peticionin kundër marrëveshjeve. Në Kosovë edhe nga opozita e bashkuar edhe nga anëtarë të shoqërisë civile e studiues të së drejtës është përmendur mundësia e referendumit por Isa Mustafa është përgjigjur prerazi që nuk është për këtë opsion.

Ne do ta vazhdojmë protestën. Nuk heqim dorë. Do të bëjmë gjithçka që mundemi që Qeveria të heqë dorë nga marrëveshjet ose nga të qenit qeveri e Kosovës”.

Tuda: Gjendje e vështirë e mediave në Maqedoni

tudaMediat në Maqedoni po ndeshen më vështirësi dhe sfida të mëdha, thotë analisti Uran Tuda. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Tuda, i cili është pronar i stacionit televiziv TV Art Kanal, thekson se ligji i vitit 2013 për mediat në Maqedoni ka krijuar kushtet për monopol. Zoti Tuda gjithashtu thotë se autoritetet duhet të bëjnë më shumë për të zbardhur rrethanat e incidentit të dhunshëm të këtij viti në Kumanovë.

Në raportin e saj të fundit mbi lirinë e medias në botë, organizata Freedom House e klasifikon shtypin në Maqedoni si pjesërisht të lirë. Në raport thuhet se zbatimi i rregullave për mediat është i dobët dhe procesi i linçensimit është objekt i ndikimeve politike dhe ekonomike. Një nga arsyet e rënies së nivelit të lirisë së medias në Maqedoni janë edhe frikësimet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve. Maqedonia ka një numër të madh  gazetash dhe stacione televizive private por mediat pro-qeveritare, përfshrië televizionin shtetëror të Maqedonisë, vazhdojnë të kenë një rol dominues në treg.  Analisti dhe pronari i stacionit televiziv TV Art Kanal, Uran Tuda, thotë se mediat e vogla të pavarura ndeshen me vështirësi dhe sfida të shumta:

 

“Ka sfida të shumta, ne jemi një nga stacionet më të vjetra private në Maqedoni që nga viti 1993. Një ndër vështirësitë më të mëdha ishin ato të vitit 2013, kur ndodhi dixhitalizimi dhe u krijuan monopole në këtë fushë. Është vetëm një operator që transmeton dhe unë mendoj se ndodhi një degradim sa i përket aspektit të informimit publik. Kjo ka krijuar edhe vështirësi financare për mediat private”.

Zoti Tuda është dakord me vlerësimin e organizatës Freedom House se media në Maqedoni ka shënuar rënie në vitet e fundit. Ai thotë se ligji për median i miratuar nga parlamenti maqedonas në vitin 2013 ka vështirësuar funksionimin e organizatave më të vogla të medias:

“Mund të them se me këtë ligj nuk u bë ndonjë përparim i mediave por përkundrazi ndodhi një degradim. Mediat në Maqedoni po vendnumrojnë në krahasim me vendet në Ballkan që na rrethojnë. Tregu mediatik është ndarë, partitë në pushtet kanë krijuar disa mekanizma të kontrollit. Në rast se kjo nuk ndryshon, Maqedonia nuk ka të ardhme mediatike dhe një të ardhme më të ndritur për qytetarët e vet”.

Megjithëse kanë kaluar gjashtë muaj nga ngjarjet e dhunshme në Kumanovë ku u vranë 24 njerëz dhe u dogjën mbi 100 shtëpi, ende nuk janë zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit të armatosur atje. Për shumë analistë kjo mund të ketë qënë një ngjarje e organizuar nga qeveria për të tërhequr vëmendjen nga kriza politike në vend. Zoti Tuda thotë se mungesa e transparencës mbi këtë ngjarje dhe moszbardhja e plotë e rrethanave të incidentit të dhunshëm në Kumanovë, kanë patur një ndikim negativ. Ai thotë se vrasjet dhe shkatërrimi i pronës në Kumanovë kanë dëmtuar bashkëjetesën mes komuniteteve:

“Një ndër efektet negative mund të jetë largimi i bashkëjetesës. Ka një mungesë të transparencës mbi ngjarjet në Kumanove që pritet të zbardhen. Akoma ka një vakuum i cili duhet të zbardhet dhe ka të bëjë me shumë çështje të tjera në Maqedoni”.

Zoti Tuda thotë se duhet të ketë një transparencë më të madhe mbi proceset politike në Maqedoni për të krijuar kushtet për një të ardhme më të mirë për qytetarët e vendit. (voa)

Spanja dhe pavarësia e Katalonjës

Katalonja SpanjaQeveria spanjolle paraqiti sot një sfidë ligjore ndaj vendimit të ligjvënësve të Katalonjës për të kërkuar pavarësinë.

Parlamenti i këtij rajoni verilindor miratoi të hënën një plan për shkëputje. Mbështetësit e planit shpresojnë se ai do të çojë në pavarësinë e Katalonjës brenda 18 muajve.

Avokatët e qeverisë i kërkuan Gjykatës Kushtetuese ta pezullojë menjëherë rezolutën.

Kryeministri Mariano Rajoy tha se veprimi i qeverisë ka të bëjë me “mbrojtjen e një vendi të tërë.” Ai ka premtuar se do të përdorë të gjitha mjetet politike dhe ligjore për të mos e lejuar pavarësinë.

Katalonja është një rajon autonom me 7.5 milionë banorë që jep rreth 20 për qind të prodhimit ekonomik të Spanjës. (voa)

Raporti Progresit për Maqedoninë – korrupsioni dhe implikimet politike problemet kryesore

Hahn1Maqedonia e mori rekomandimin e shtatë radhazi nga Komisioni Evropian për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, me kusht zbatimin e plotë të marrëveshjes të korrikut/ qershorit dhe të fillohet me reformat sipas rekomandimeve të KE-së.

Këtë para pak çastesh para deputetëve në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET-grupi) në Bruksel e njoftoi eurokomisari për negociata për zgjerim Johanes Han.

Duke e paraqitur Strategjinë për zgjerim për vitin 2015, Hani për Maqedoninë konfirmoi se ka rekomandim të ri me me kushtin e pritur.

“Për avancimin e arritur deri tani, zbatimi i marrëveshjes të korrikut është i rëndësishëm dhe Komisioni Evropian propozon hapjen e negociatave me Maqedoninë nën kushtin që të zbatohet  marrëveshja e korrikut dhe urgjentisht të fillohet me masat e reformave të rekomanduara nga KE-ja. Më tej me këtë çështje do të merremi pas zgjedhjeve parlamentare  në pranverën e vitit që vjen”, njoftoi Han para eurodeputetëve.

Sipas eurokomisarit ka nivel të lartë të harmonizimit me legjislativën evropiane, por është dëshmuar se qëndrimi politik është i rrezikuar për shkak të implikimit politik dhe korrupsionit.

“Në korrik është arritur marrëveshje politike, ku kanë ndërmjetësuar eurodeputetët Ivo Vajgël dhe Eduard Kuak edhe atë në mënyrën më të mirë që të merret vendim i krizës politike. Liderët politikë në vend duhet të jenë koshientë, se cilat janë prioritetet për reforma urgjente. Nevojitet që të përfundojë edhe reforma e Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa masa shtesë për besim nevojiten mes bashkësive etnike”, shtoi Han.

Seanca para AFET e Europarlamentit zgjat akoma me pyetje dhe paraqitje të eurodeputetëve, ndërsa komisari Han në ora 12:30 në konferencë për shtyp në Komisionin Evropian gjithashtu publikisht do t’i prezantojë raportet e progresit në eurointegrimet e vendeve nga procesi i inkuadrimit. (INA)

Përplasja në Beograd kur rendita krimet më 1988

rexhep qosjaNë Ditarin e Akademikut Rexhep Qosja trajtohen ngjarje, çështje, personalitete, probleme, dukuri, procese shoqërore, politike, letrare, artistike, shkencore, filozofike, kulturore para së gjithash në Kosovë e në Shqipëri, por edhe në Jugosllavi e në botë.
Ditari i studiuesit Rexhep Qosja, me një pjesë të madhe të tij, është historia e ngjarjeve, veprimeve, politikave, sjelljeve e vetjeve për të cilat deri sot nuk është ditur apo shtrembëruar e vërteta: është historia e vërtetë e përpjekjeve shumëvjecare për ndryshimin e fatit të përparshëm historik të popullit shqiptar – për krijimin e shtetit të Kosovës, në të vërtetë për bashkimin kombëtar. Libri i botuar nga Toena, do të mund të gjendet në panair.
Nga prof. Rexhep Qosja*
26.4.1988
Mbas shkëmbimit të shkurtër të mendimeve pajtohemi që i pari të lexojë: kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve tanë, Ibrahimi. Në Shoqatën e Shkrimtarëve të Serbisë arrijmë rreth orës nëntë e dhjetë minuta. Kryetari, na thonë, është ende duke fjetur. Nuk kuptoj nëse e thanë me ironi a jo këtë që e thanë! Ky kryetar, megjithatë, vjen rreth orës dhjetë kur edhe ishte caktuar të fillojnë bisedat. Na thonë se bisedat do të mbahen në Shtëpinë e Rinisë, afër dhjetë minuta rrugë me vetura larg ndërtesës së Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë në rrugën Francuska 7. Kur arrijmë te Shtëpia e Rinisë shohim se salla ishte e zënë prej pionierëve për të cilët aty po shfaqej një program.
Mbrapakthim! Do të bisedojmë në Shoqatën e Shkrimtarëve të Serbisë.
Ibrahim Rugova
…Mbas kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë fjala iu dha kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës i përshëndet të pranishmit në këto biseda e, mandej, e lexon fjalën e tij. Fjala e tij është më e mirë se ç’ e kam pritur unë dhe se ç’e kanë pritur, besoj, edhe shkrimtarët tanë të tjerë, që po marrin pjesë në këto bisedime: vërejtjet e bëra prej kolegëve, pas leximit të fjalëve të njëri-tjetrit në Prishtinë, ai i paska marrë parasysh dhe e paska korrigjuar referatin. Kritiku letrar Ibrahim Rugova, i cili pas demonstratave të rinisë sonë studentore dhe shkollore në mars dhe në prill të vitit 1981, kishte marrë pjesë në atë mekanizmin inkuizicional të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, që u mor me diferencimin ideopolitik të krijuesve, të profesorëve, të arsimtarëve dhe të mësuesve në arsimin e Kosovës, tani në këto biseda me shkrimtarët serbë për temën Serbët dhe shqiptarët në Jugosllavi sot, paraqitet në një version sadokudo më të mirë. Kurdo t’u kthehen kopeve delet e humbura, barinjtë do të gëzohen shumë, do të thoshte Naim Frashëri. Por, mendoj, shpejt e shpejt: kjo dele e humbur tani e sa vjet, por e kthyer sot në kopenë e vet, a është dele që nuk do të tretet rishtazi në kopenë e Lidhjes së Komunistëve që e ka bërë kryetar të Shoqatës sonë të shkrimtarëve – mbetet të shihet.
- Neve në Prishtinë na është thënë se organizuesit e këtyre bisedave janë marrë vesh që referuesve t’u bëhet e mundshme të flasin a të lexojnë sa ta quajnë vetë të arsyeshme, them.
- Le të jetë pesëmbëdhjetë minuta, përgjigjet Aleksandar Petrov.
- Do t’i them këtu, para jush, të gjitha ato që kam menduar se është e nevojshme t’i them, kurse ju, besoj, nuk do të jeni pakureshtje që të më dëgjoni. Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë, Aleksandar Petrov, hesht, nuk e kundërshton përgjigjen time, kurse unë filloj të lexoj. Trysnia e tij e shprehur para se ta marr fjalën, më “detyron” t’i lë dy faqet e para e, mandej, edhe dy faqe të tjera, në të cilat flas për burokracinë politike kosovare, që m’u dukën në atë moment më pak ndikuese te dëgjuesit. Kur filloj ta lexoj pjesën e tekstit për Konferencën e Bujanit, dëgjuesit reagojnë:uuu! Kur e lexoj pjesën për ardhjen e popave pravosllavë në Pejë e dëgjoj reagimin e dytë të të pranishmëve: uuuuu! Kur e lexoj pjesën për migrimet e serbëve dhe të malazezve si pasojë e prapangeljes ekonomike të Kosovës e jo e ndonjë trysnie ndaj tyre dhe e mospajtimit me barazinë me shqiptarët e dëgjoj reagimin e tretë: uuuuuuu! që zgjat sa dy reagimet e para bashkërisht! Kur e lexoj pjesën për privilegjet e jashtëzakonshme që po u krijohen serbëve dhe malazezve në Kosovë dhe për padrejtësitë e mëdha që po u bëhen shqiptarëve reagimet uuuu! zgjasin dhe ngrihen jashtëzakonisht shumë!
Kryesuesi Aleksandar Petrov i qorton me zë të lartë reaguesit duke i rënë shishes së ujit të thartë me nuk e di çka i kishte qëlluar në dorë: mjaft! Mjaft! Heshtje! Heshtje! Dëgjuesit i pushojnë reagimet e zëshme! E vazhdoj fjalën duke pritur goditje në kokë me ndonjë gjë prej dëgjuesve të mllefosur. Arrij në fund të fjalës shëndosh e mirë! (Kur mbërrijmë në hotel, Bajram Krasniqi që në këto biseda ka ardhur i dërguar prej Institutit Albanologjik, më thotë se dëgjuesit (auditori)ishin shumë të elektrizuar derisa po lexoja, kurse disa prej tyre po i thoshin njëri-tjetrit: ai po flet për gazetarët e huaj!) Shkrimtari serb, që do të lexojë pas meje, do të lexojë shkurt, por do të shqiptojë fjalë jashtëzakonisht të vrazhda për gjendjen në Kosovë, kurse anëtari tjetër i Grupit tonë, që do të lexojë pas tij, Sabri Hamiti, do të lexojë disa fish më gjatë.
Duke dalë prej sallës, pas përfundimit të mbledhjes së kësaj paradite, një grua e moshuar ma ngjet për krahu, ma shkund dorën me një forcë që nuk pandehja se mund ta kishte aq e, mandej, më thotë:
- Më thuaj Qosja sa shqiptarë nga Jugosllavia kanë shkuar në Shqipëri?
- Kanë shkuar disa, kanë shkuar që të mos u bien në duar vrasësve të UDB-ës (të Sigurimit të Brendshëm Shtetëror), i them e vazhdoj. Të tjerët asnjë! Pse të shkojnë? Ata jetojnë në trojet e veta dhe nuk janë të gatshëm t’i lëshojnë pavarësisht çfarë zullumi po u bëhet atyre.
- Sigurisht! Pse të shkojnë te Enver Hoxha!
Teksa shkoqem prej duarve të plakës lapërdhare, ndiej se dikush tjetër ma ngjet për dore prapë! Shikoj: është një grua rreth tridhjetë-tridhjetë e pesë vjeçe, është bukur e gjatë, është syzezë e symadhe, është flokëzezë, Është e bukur.
- Të uroj për guximin, Qosja! thotë.
- Çfarë guximi është ai për të cilin po flisni! Për të thënë të vërtetat nuk duhet guxim, por ndërgjegje.
- Një orë fole për gjoja vuajtjet e shqiptarëve e asnjë fjalë nuk e the për krimet e tyre! Në mes të Beogradit i the të gjitha ato! Urime për guximin! Por, do të shohim më tutje! Reagimet e shkrimtarëve dhe të dëgjuesve të tjerë serbë ndaj fjalës sime nuk mbesin pa ndikim në humorin e disa kolegëve tanë nga Prishtina. Azem Shkreli dhe Agim Mala as shikim nuk më dhurojnë. Në fytyrat e tyre lexohet një si frikë e kushtëzuar pa dyshim prej mekanizmit politik partiak të cilit i janë vënë herët në shërbim!
Hasan Mekuli është i përmbajtur, nuk tregon asi shqetësimi, sado, siç do të shihet më vonë, e ndien fort. Kur më tregon se ka barkqitje kuptoj se sa i fortë ishte shqetësim i tij.
Frika e shokëve të mi, e Azem Shkrelit, e Agim Malës dhe e profesorit tim, Hasan Mekulit, besoj, do të kalojë në mbledhjen e pasdites kur do të marrin fjalën dy shkrimtarët serbë, të njohur si nacionalistë kundërshqiptarë, kundërkroatë dhe kundërmyslimanë, Millan Komneniqi dhe Zhivorad Stojkoviqi, të cilët, sigurt, do të thonë çka s’do të kenë qenë në gjendje as të ëndërrojnë e lëre më të dëgjojnë ndonjëherë.
28.5.1988
Agim Mala më tregon se ndërprerjen e vazhdimit të bisedave të shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë mbi Serbët dhe shqiptarët në Jugosllavi sot e kanë kërkuar, në të vërtetë e kanë vendosur zyrtarët më të lartë serbë në Beograd. Njëri prej udhëheqësve krahinor, emrin e të cilit nuk ma tha e as unë nuk ia kërkova, sepse mund ta supozoj cili është, i ka thënë Agimit se kryetari i Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, Sllobodan Millosheviqi, u ka telefonuar këtyre në Prishtinë, mbas bisedave të shkrimtarëve në Beograd, dhe u ka thënë:
- Dosta tih pluvotina!
E kjo shqip do të thotë:
- Mjaft aso pështyme! Ndoshta mund të përkthehet edhe kështu:
- Mjaft aso jargësh!
- Sinan Hasani, më tha më tej Agimi, disa herë ka kërkuar që shkrimtarët tanë të tjerë, që kanë marrë pjesë në bisedat me shkrimtarët serbë, në Beograd, të distancohen prej Rexhep Qosjes; dhe të distancohen prej meje për arsye se fjala ime ishte nacionaliste, prandaj politikisht e dëmshme! …
I them Agimit:
- Jam dënuar partiakisht që në vitin 1981, por tani kam dëshirë të më përjashtojnë prej Lidhjes së Komunistëve dhe të më përjashtojnë sa më parë, pavarësisht prej pasojave që mund të kem. Lidhja e Komunistëve objektivisht është parti rëndë e komprometuar. Kaherë është bërë e qartë se të jesh anëtar i saj do të thotë të kesh ndërgjegjen e ngarkuar, do të thotë të kesh edhe përgjegjësi për të gjitha ato të këqija, dhunë, padrejtësi, shtypje, ndjekje e përndjekje, shfrytëzime, që u bëhen masave në Jugosllavi. (“Gazeta Shqiptare”)

Tifozat Kuqezi bojkotojnë stadiumin e Prishtinës: Jo dy kombëtareve

tifozat kzTifozat Kuqezi nuk do të jenë në shkallët e stadiumit të Prishtinës në ndeshjen mes përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që luhet këtë të premte.

Ky vendim i grupimit më të madh të tifozëve të Kombëtares, i bërë publik përmes faqes së tyre në Facebook, kuqezi është marrë në vazhdën e qëndrimit të shprehur edhe më herët nga ky grupim për pasjen e vetëm një kombëtarje për shqiptarët.

“Këtë të premte, Kampionet tanë zhvillojnë ndeshjen e parë që pas kualifikimit historik në Kampionatin Europian ‘Francë 2016’, në shtëpinë e tyre të dytë autoktone, në Prishtinë. Ndeshja do të jetë e karakterit festiv, ndaj një grupimi tjetër të futbollistëve shqiptarë. Që nga themelimi, një ndër misionet bazë të Tifozave Kuqezi ka qenë që shqiptarët, edhe pse të ndarë në disa shtete, të kenë vetëm një Kombëtare dhe të përfaqësojnë vetëm një Flamur. Ne vazhdojmë të besojmë në kauzën tonë dhe për këtë arsye të premten nuk do të jemi prezent si grupim në Stadionin e Prishtinës”, thuhet në komunikatën e TKZ.

Megjithatë, grupimi bën thirrje që kjo ndeshje të shfrytëzohet për krijimin e një atmosfere festive në Prishtinë.

“Ne do të jemi prezent në Prishtinë për festën e madhe dhe u bëjmë thirrje te gjithë shqiptarëve në Kosovë, të shfrytëzojnë praninë e Kombëtares në Prishtinë dhe te festojnë në numër sa më të madh. Edhe ne si grupim, do të jemi të pranishëm në Prishtinë dhe do të festojmë gjithë së bashku ketë arritje historike të Kombëtares tonë”, thonë Tifozat Kuqezi.

TKZ mbyll deklaratën duke kërkuar me ngulm pasjen e vetëm një kombëtarje për shqiptarët.

“Sot më shumë se kurrë, janë krijuar kushte që të kemi vetëm një Kombëtare. Ne vazhdojmë të përkrahim ekipet shqiptare të të gjitha trevave që luajnë dhe do të luajnë në arenën ndërkombëtare dhe të mos mbesin të izoluar. Sidoqoftë, në përfaqësimin si Komb, duhet të jemi një dhe vetëm një. Kombëtarja që e kemi tani, është shembulli më i mirë i bashkimit, dhe suksesit”, thuhet në deklaratë.

/ Top Channel

Qendra Informative Shqiptare "Liria"