AI për gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri e Kosovë

Amnesty International në raportin vjetor përshkruan në hollësi zhvillimet që lidhen me të drejtat e njeriut edhe në Shqipëri e në KosovëOrganizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International, thekson në raportin vjetor se dhuna familjare në Shqipëri mbetet e përhapur dhe të mbijetuarit e saj rrallë përfitojnë nga drejtësia. Atje vazhdon mosndëshkimi në rastet e torturës dhe keqtrajtimit. Qasja në strehim të përshtatshëm për njerëzit që jetojnë në varfëri, përfshirë romët, mbetet shumë e kufizuar përkundër zotimeve të qeverisë. Ish kazermat e parapara për t’u shndërruar në strehim të përkohshëm për të dëbuarit, nuk i përmbushin standardet ndërkombëtare.

Në qershor, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, i miratoi Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke e kushtëzuar atë me reformat e mëtejshme në drejtësi, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e romëve, politikat kundër diskriminimit dhe zbatimin e të drejtave në pronë. Parakalimi i parë i krenarisë në Shqipëri ndodhi në muajin mars.

Amnesty vëren se vendndodhja e trupit të Remzi Hoxhës, një shqiptar etnik nga Maqedonia i cili u zhduk me forcë në vitin 1995 nga agjentët e sigurimit shtetëror, nuk iu tregua të birit, pavarësisht nga deklaratat e kryeministrit në vitin 2013 se vendndodhja e varrit të tij do të identifikohet.

Prokurorët shqyrtuan rastin e Aleks Nikës, një demonstrues i cili vdiq pasi u qëllua gjatë demonstratave kundër qeverisë në janar të vitit 2011 në Tiranë. Në muajin maj, oficerët e policisë të cilët dyshoheshin për keqtrajtimin e disa demonstruesve gjatë dhe pas protestave, u morën në pyetje. Në korrik, prokurori shtetëror ngriti akuza kundër ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së dhe zëvendësit të tij për dështimin e arrestimit të gjashtë oficerëve të Gardës së Republikës të dyshuar së kanë shtënë kundër demonstruesve.

Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe Autoriteti Kombëtar i Strehimit, propozuan shtimin e numrit të banesave sociale dhe qasjes për ata me strehim të papërshtatshëm. Në muajin shkurt, ministria paraqiti një strategji të re të strehimit për të përfshirë romët dhe egjiptasit, për të nxitur legalizimin e strehimeve joformale dhe për të përmirësuar qasjen në ujë të pijshëm dhe kanalizime. Megjithatë, një përparim i paktë është shënuar. Në muajin mars të vitit 2014, ish kazermat në Shishtufinë afër Tiranës, formalisht u parapanë si Qendër kalimtare për viktimat e dëbimeve. Mbi 50 familje Rome, të dëbuara nga Rruga e Kavajës në Tiranë, u vendosën në Shishtufinë në tetor të vitit 2013. Kushtet në qendër, që ndodhet larg burimeve të punësimit dhe shërbimeve elementare, ishin të papërshtatshme dhe nuk ishin në pajtim me standardet ndërkombëtare të strehimit. Në ditën ndërkombëtare të Romëve në muajin prill, rreth 100 familje Rome të rrezikuara për t’u dëbuar nga Selita në Tiranë, protestuan duke kërkuar strehim alternative.

Qeveria hodhi poshtë një amendament të propozuar në ligjin për legalizimin e ndërtimeve të paligjshme në muajin maj, e kërkuar në një peticion të nënshkruar nga 6 mijë romë dhe egjiptas, që bënte thirrje për mbrojtje procedurale kundër dëbimit të detyruar dhe strehim të përshtatshëm alternativ. Në korrik, Komiteti i OKB-së për të drejtat e njeriut lëshoi një masë të përkohshme të mbrojtjes për pezullimin e prishjes së shtëpive të shtatë familjeve rome në Elbasan, në pritje të dëgjimit të ankesave dhe kërkesës për kompensim.

Qeveria dështoi të garantojë të drejtën ligjore të jetimëve të pastrehë për përparësi në strehimin social. Në muajin maj në ditën kombëtare të jetimëve, ata protestuan duke kërkuar qasje në arsim dhe strehim dhe duke e cilësuar tallëse mbështetjen sociale të siguruar nga shteti.

Mosndëshkimi përgjithësisht ka përshkuar edhe akuzat për keqtrajtime nga ana e oficerëve përgjegjës për zbatimin e ligjit. Në maj, parlamenti prezantoi një shërbim të ri për çështjet e brendshme dhe ankesa për të luftuar korrupsionin në radhët e policisë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut. Në gusht, shefi i sektorit të Rendit Publik e Policisë së Shtetit në Kukës, u akuzua për shpërdorim të detyrës, privim të paligjshëm nga liria dhe për keqtrajtimin e një të burgosuri.

Ish të burgosurit politik organizuan një grevë urie për shkak të dështimit të qeverisë për kompensimin e drejtë për burgosjen e tyre nga qeveria komuniste ndërmjet viteve 1944 – 1991, kur mijëra veta ishin burgosur apo dërguar në kampe të punës ku u ishin nënshtruar torturave dhe keqtrajtimeve.

Në qershor Këshilli i Lartë i Drejtësisë publikoi një përmbledhje të rasteve të dhunës në familje nga 38 gjykata dhe ndryshimet e rekomanduara në ligjin dhe praktikën gjyqësore. Ai gjeti se procedurat penale ishin të ngadalshme dhe gjykatat shkelnin afatet procedurale shqyrtimin e urdhrave të mbrojtjes dhe dhënien e vendimeve. Deri në fund të muajit shtator, 3 mijë e 94 incidente të dhunës familjare janë raportuar në polici, ku gratë ishin viktima në shumicën dërmuese. Vetëm një e treta e rasteve (rreth 1 mije e 200) iu nënshtruan procedurave penale.

Deri në fund të shtatorit, një mijë e 882 gra kishin kërkuar masa mbrojtëse në procedura civile, por në Gjykatën e Qarkut në Tiranë, për shembull, më shumë e dy të tretat e kërkesave janë tërhequr apo ndërprerë. Ndërsa në rastet kur janë lëshuar urdhrat e mbrojtjes, shpesh nuk janë zbatuar.

Nën trysninë e Bashkimit Evropian, Shqipëria zhvilloi një strategji të re të menaxhimit të kufirit. Mbi 500 migrues të paligjshëm dhe refugjatë, përfshirë sirianët, janë arrestuar në periudhën ndërmjet janarit dhe qershorit. Të tjerë janë kthyer në Greqi pa qasje në procesin e strehimit. Deri në fund të muajit shtator, mbi 12 mijë shqiptarë kanë paraqitur kërkesa për strehim në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, duke paraqitur si shkak dhunën familjare dhe diskriminimin ndaj komunitetit LGBT dhe romëve, thuhet në pjesën për Shqipërinë në raportin e Amnesty International.

Gjendja në Kosovë

Amnesty International shkruan se pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në qershor, Partia Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga Hashim Thaçi, nuk arriti të fitojë një shumicë mbi një koalicion të partive të opozitës, duke çuar kësisoj në një bllokadë politike. Në dhjetor, u formua një qeveri koalicioni me Isa Mustafën e Lidhjes Demokratike të Kosovës si kryeministër. Atifete Jahjaga, vazhdoi punën si presidente. Nga qershori, bisedimet me Serbinë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, vazhduan vetëm në nivel teknik. Mandati I EULEX-it ua vazhdua deri në qershor të vitit 2016. Sipas marrëveshjes së re, gjykatësit ndërkombëtarë nuk paraqesin shumicën e trupave gjyqësore në rastet e krimeve të rënda. Përfaqësuesja e lartë e BE-së në nëntor njoftoi hapjen e një hetimi të pavarur për akuzat për korrupsion kundër një gjyqtari të EULEX-it.

Në raport thuhet se tensionet ndëretnike kanë vazhduar, posaçërisht në veriun e banuar me shumicë serbe. Disa politikanë serbë nuk janë lejuar të hyjnë në Kosovë, ndërsa serbët e Kosovës, përfshirë edhe të kthyerit në komunën e Klinës, ishin cak i sulmeve, përfshirë zjarrvëniet në pronat e tyre, sulmet në varreza dhe objekte fetare, që u shtuan pas ndeshjes së futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë në tetor. Në qershor, pas përleshjeve ndërmjet policisë së Kosovës dhe shqiptarëve që demonstronin kundër mbylljes së urës mbi lumen Ibër, që shënon vijën ndarëse ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Mitrovicë, policët e EULEX-it përdorën plumba gome. Përdorimi i tyre ishte ndaluar nga Misioni i OKB-së në Kosovë, pasi që dy veta kishin vdekur nga pasojat e tyre në Prishtinë në vitin 2007.

Në korrik, grupi i posaçëm hetues i ngritur nga EULEX-i për të hetuar dyshimet ndaj ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bëri të ditur se individë do të akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasjet e paligjshme, rrëmbimet, burgosjet e paligjshme, krime të dhunës seksuale kundër civilëve serbë e shqiptarë të transferuar me forcë në Shqipëri në vitin 1999. Të dyshuarit do të akuzohen dhe gjykohen nga një gjykatë e posaçme që duhet të ngrihet jashtë Kosovës në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e dëshmitarëve. Në muajin tetor, dy dëshmitarë të mbrojtur, ndryshuan dëshmitë e tyre origjinale gjatë rigjykimit të shtatë anëtarëve të ish-UÇK-së, të njohur si grupi i Drenicës, të akuzuar për krime lufte kundër shqiptarëve në burgun e Likocit në vitin 1998.

Në shtator u hap rigjykimi ndaj Fatmir Limajt dhe nëntë të akuzuarve të tjerë për torturimin dhe keqtrajtimin e civilëve shqiptarë në burgun e Kleçkës në vitin 1999. Ata ishin liruar në shtator të vitit 2013, pas vetëvrasjes së një dëshmitari të mbrojtur në të cilën prokuroria kishte mbështetur rastin.

Politikani lokal serb Oliver Ivanoviç, i arrestuar në janar, u akuzua në muajin gusht për krime të luftës në vitin 1999 dhe nxitje për vrasje të rëndë në muajin shkurt të vitit 2000.

Në muajin mars, presidentja Atifete Jahjaga, themeloi Këshillin Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, për të trimëruar viktimat që të kërkojnë dëmshpërblim, çështje që u bë pjesë e një ligji të miratuar nga parlamenti më vonë gjatë muajit mars. Në qershor, Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin për lirimin e dy serbëve të Kosovës të dënuar për krime të luftës përkatësisht për përdhunimin e një vajze 16 vjeçare në prill të vitit 1999. Ata u dënuan me 12 dhe 10 vjet heqje lirie.

Deri në muajin nëntor, një mijë e 655 njerëz ende llogariteshin të zhdukur gjatë luftës. Trupat e 53 shqiptarëve të Kosovës të zhvarrosura në Rashkë të Serbisë u kthyen në Kosovë dhe iu dorëzuan familjeve. UNMIK-u dështoi t’u ofrojë dëmshpërblim të afërmve të serbëve të zhdukur, siç rekomandohet nga Paneli Këshillues për të Drejtat e Njeriut.

Qeveria dhe agjencitë shtetërore kanë ndikuar padrejtësisht mbi mediet përmes reklamave si burime për të ardhurat e tyre. Sulmet mbi gazetarët hulumtues kanë vazhduar. Visar Duriqi, gazetar i të përditshmes Express, ka marrë kërcënime serioze me vdekje pas raportimeve mbi grupet ekstreme islame. Asociacioni I gazetarëve të Kosovës, shfaqi shqetësimin se EULEX-i ka ushtruar trysni ndaj gazetarit të Kohës Ditore, Vehbi Kajtazi, që kishte raportuar mbi dyshimet për korrupsion në radhët e EULEX-it. Në muajin maj, kaloi pa incidente parakalimi i parë në Ditën ndërkombëtare kundër homofobisë.

Në mars, tre veta u dënuan me kusht për “shkelje të statusit të barabartë të banorëve të Kosovës” në lidhje me përfshirjen e tyre në një sulm në vitin 2012, ndaj revistës Kosovo 2.0 e cila publikoi shkrime mbi orientimin seksual. Askush nuk u vu para drejtësisë për një sulm ndaj një qendre LGBT një ditë më pas apo për kërcënimet e bëra në vitin 2013 kundër veprimtareve për te drejtat e njeriut për shkak të mbështetjes së ligjit për dëmshpërblimin e të mbijetuarave të përdhunimeve.

Romët, ashkalitë dhe egjiptasit, vazhdojnë të përballen me diskriminim sistematik në shkallë të gjerë, ndonëse janë marrë pak masa për integrimin e tyre. Rreth 360 familje (me rreth një mijë e 700 anëtarë) raportohet se kanë migruar nga Kosova deri në nëntor duke kërkuar strehim në Hungari. Planet për të ndërtuar shtëpi për romët ne fshatin Hereq të komunës së Gjakovës janë kundërshtuar nga banorët lokal.

Sipas Komisariatit të lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjat, 17 mijë e 227 veta, shumica serbë të Kosovës, vazhdojnë të mbeten të zhvendosur që nga përfundimi i konfliktit të armatosur. Deri më 30 nëntor, vetëm 404 pjesëtarë të komuniteteve pakicë janë kthyer vullnetarisht në Kosovë, ku kushtet për ri integrimin e tyre mbeten shumë të papërshtatshme.

Deri në tetor, 11 mijë qytetarë të Kosovës kanë kërkuar strehim në Bashkimin Evropian, thuhet në raportin e Amnesty International. (voa)

Vendet e SEECP-it deklaratë kundër terrorizmit

Takimi i Tiranës, 13 vende të Europës juglindore angazhohen të bashkëpunojnë me njera tjetrën për t’ju kundërvënë me çdo mjet veprimtarisë së të ashtuquajturit Shtet islamik i Irakut dhe Sirisë dhe fenomenit të luftëtarëve të huaj.Trembëdhjetë vende të Europës juglindore dolën sot me një deklaratë të përbashkët kundër terrorizmit duke u angazhuar të bashkëpunojnë me njera tjetrën për t’ju kundërvënë me cdo mjet veprimtarisë së të ashtuquajturit Shtet islamik i Irakut dhe Sirisë dhe fenomenit të luftëtarëve të huaj. Deklarata u nënshkrua në kuadër të mbledhjes së ministrave të jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Europës juglindore, e cila u zhvillua në Tiranë. Gjatë takimit u diskutua dhe për projektet e përbashkëta që vendet e Ballkanit perëndimor synojnë t’I paraqesin Bashkimit europian për të marrë mbështetje financiare prej tij.

Në Procesin e bashkëpunimit të Europës Juglindore, marrin pjesë vende të cilat janë anëare të Bashkimit europian dhe ato që janë në procesin e integrimit europian. Përfaqësuesit e të 13 shteteve anëtare, ranë sot dakort të bashkojnë zërin dhe forcat kundër terrorizmit duke u angazhuar që të përdorin të gjitha mundësitë për t’iu përgjigjur kërcënimeve që vijnë nga Isis. Në deklaratën e përbashkët të nënshkruar sot gjatë ministerialit të Tiranës theksohet se kërcënimet dhe sfidat e përbashkëta kërkojnë përgjigje dhe veprime të përbashkëta.

“Kemi jetësuar vullnetin tonë politik dhe solidaritetin për të bashkëpunuar me njërit-tjetrin dhe për të vënë të gjitha burimet tona njerëzore dhe financiare në dispozicion të kësaj kauze, që në fakt nuk është një kauzë thjesht e jona”, deklaroi ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati.

Nga ana e tij shefi i diplomacisë bullgare, Daniel Mitov, vendi i të cilit do të marrë pas Shqipërisë presidencën e radhës së SEECP-it, e vlerësoi deklaratën e përbashkët si një dokument shumë të rëndësishëm: “Nëse duam që të jemi një rajon tërësisht I integruar, të jemi të përgjegjshëm, nëse duam të tregojmë se në mund të punojmë së bashku për t’I bërë ballë sifidave që kemi përpara, vecanërisht ato të sigurisë dhe gjeopolitike, ne duhet të përqëndrohemi në këtë cështje jashtëzakonisht shqetësuese sic është lufta kundër luftëtarëve të huaj, lufta kundër përhapjes së terrorizimit. Ka shumë gjëra që mund të bëhen për të deligjitimuar ideologjinë e ISIS-it. Ne mund të punojmë së bashku duke shkëmbyer informacione lidhur me luftëtarët e huaj, duke ndërprerë burimet financiare të ISIS-it dhe duke mbështetur së bashku koalicionin global kundër ISIS-it”.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i takimit të sotëm ishte dhe përpjekja e vendeve të Ballkanit perëndimor për të punuar se bashku për hartimin e projekteve rajonale që të mund të mbështeten financiarisht nga Bashkimi europian. Për këtë cështje para mbledhjes së sotme pati dhe një takim mes përfaqësuesit të Komisionit europian dhe vendeve pjesmarrëves të konferencës së Berlinit. MInistri i jashtëm shqiptar Bushati tha se synimi është që takimi i ardhshëm në Austri të mos jetë thjesht një takim i suksesshëm “por për t’ju qasur Vjenës me qëndrime e më projekte të përbashkëta rajonale, që do të siguronin, në radhë të parë, gradualitetin e transformimit të Ballkanit Perëndimor në një rajon, dhe së dyti, që do të përcaktojë një afatizim të transformimit të Ballkanit Perëndimor në një rajon përmes implementimit të projekteve në fushën e infrastrukturës dhe gjithë dimensionet që ajo ka, sidomos për sa i përket çështjeve të infrastrukturës energjetike”.

Shqipëria po këmbëngul fort që rajoni i Ballkanit të ketë dhe mbështetjen e duhur ekonomike nga Brukseli, e kësaj cështje i mëshoi në fjalën e tij në hapje të takimit edhe kryeministri Edi Rama (voa)

Lista Serbe para vendimit për (mos) kthim

Përfaqësuesit e bashkësisë serbe në institucionet e Kosovës, nga Lista Serbe, të cilët kanë pezulluar pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës, të të gjitha niveleve, do të vendosin për rikthimin ose jo në këto institucione, vetëm pas konsultimeve me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq.Këtë e ka bërë të ditur përfaqësuesi i Listës Serbe, Branimir Stojanoviq, aktualisht zëvendës-kryeministër në Qeverinë e Kosovës.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thekson se takimi me kryeministrin serb Vuçiq, do të zhvillohet gjatë kësaj jave, por sipas tij, lidhur me kthimin në institucione nuk ka ende asgjë të sigurt edhe pse ka argumente për dhe kundër këtij kthimi..

“Është koha që t’i paraqesim të gjithë ato argumente dhe më pas të vijmë deri te një vendim i përbashkët. Se a do të ketë kushte, për këtë do të bisedojmë me partnerët tanë, pasi që të marrim vendim, lidhur me pjesëmarrjen e mundshme të mëtutjeshme, si dhe në çfarë mënyre kjo mund të ndodhë ose të mos ndodhë”, ka theksuar zëvendës-kryeministri Stojanoviq.

Në anën tjetër, zyrtarët e pushtetit lokal në Mitrovicën e veriut, vlerësojnë se pezullimi i pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Listës Serbe në institucionet e Kosovës, e ka rënduar situatën dhe vet funksionimin e punës në nivelin komunal.

Ksenija Bozhoviq, kryetare e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së veriut, nga Iniciativa Qytetare Serbe, e cila në zgjedhjet e përgjithshme ka hyrë në kuadër të Listës Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë se problemet tashmë janë grumbulluar edhe më shumë.

“Unë mund të them se për neve në komunë, e cila ka funksionuar që nga fillimi në kushte shumë të vështira, kjo tash e ka vështirësuar edhe më shumë punën në komunë dhe vetëm sa po na grumbullohen problemet”, tha Bozhoviq.

Por, cili në fakt është disponimi në taborin e Listës Serbe që përfaqësuesit e saj të kthehen në institucionet e Kosovës?

Duke i’u referuar shkarkimit të ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, zëvendës-kryeministri Stojanoviq thotë se ende ka mbetur shija e hidhur e vendimit që është sjellë pa konsultime me Listën Serbe dhe pa pajtimin e saj.

Ai thekson se më lehtë do të ishte të sillej një vendim i cili do të bazohej në qëndrimet personale. Por, ai ka thënë se Lista Serbe nuk do ta braktisë përgjegjësinë e saj para proceseve.

Sipas tij, duke pasur parasysh përgjegjësinë ndaj njerëzve dhe ndaj vendimeve që duhet të merren, sikurse janë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe për Gjykatën speciale për krime lufte, atëherë duhet menduar mirë.

“Për shkak të përgjegjësisë ndaj këtyre proceseve, ne duhet të mendojmë mirë dhe më pas të marrim vendimin, i cili do të jetë në dobi të gjithë atyre që jetojnë këtu dhe jo vetëm serbëve. Ne nuk e kemi ndërmend të bëjmë diçka që do të jetë në dobi vetëm të njërës palë, pavarësisht se disa këtu na shikojnë si palë që krijon probleme”, tha zëvendës-kryeministri Stojanoviq.

Ndryshe, Bozhoviq, ka shprehur mendimin se përfaqësuesit e Listës Serbe, në momentin që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe kanë pranuar postet në institucione, me këtë kanë pranuar edhe përgjegjësitë ndaj tyre dhe ndaj votuesve të tyre. Ajo thotë se duhet vazhduar tutje dhe jo të stagnojnë.

“Më mirë është që të ulen në tavolinë dhe t’i sqarojnë rrethanat që kanë sjellë deri këtu dhe më pas të vazhdojnë me punën e mëtutjeshme”, tha Bozhoviq.

Përfaqësuesit e Listës Serbe patën pezulluar punën e tyre në institucionet e Kosovës, si shenjë e mospajtimit të tyre me vendimin e kryeministrit Mustafa për shkarkimin e ministrit Jabllanoviq.

Shkarkimi kishte ndodhur për shkak se ky i fundit, me 6 janar, i kishte quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. (rel)

Kthehet një grup i migruesve nga Kosova

Autoritetet në Prishtinë thonë se migruesit e paligjshëm do të kthehen, ndërsa e quajnë të papranueshëm faktin që Kosova është jashtë procesit të liberalizimit të vizaveDhjetëra qytetarë të Kosovës që kishin migruar drejt vendeve të Bashkimit Evropian, u kthyen të martën në Kosovë. Kthimi i tyre është pjesë e operacioneve të paralajmëruara nga vendet e ndryshme evropiane se nuk do të pranojnë kërkesat e qytetarëve të Kosovës për strehim dhe se të gjithë do të kthehen.

Të kthyerit e sotëm janë nga Hungaria, Gjermania, Suedia, Finlanda e Austria. Në mesin e tyre kishte edhe të tillë që kanë migruar vite më parë. Të kthyer pa dëshirë, ata nuk janë të gatshëm të flasin shumë për rrugëtimin e tyre.

Me mijëra persona e kanë lëshuar Kosovën gjatë muajve të fundit dhe lëvizjet e tilla për shumëkënd janë shenjë e pakënaqësive në rritje me udhëheqjen politike të shtetit më të ri e më të varfër të Evropës. Migruesit nga Kosova po shfrytëzojnë territorin e Serbisë dhe lëvizjen e lirë për të kaluar në Hungari dhe prej andej në vendet tjera të Bashkimit Evropian. Rrugëtimi i tyre nëpër rrugë të paligjshme përshkruhet i vështirë dhe me rreziqe.

Ambasada e Kosovës në Budapest bëri të ditur se është informuar nga autoritet hungareze se më 22 shkurt, ka vdekur një fëmijë dy vjeçar nga komuna e Vitisë, në një qendër strehimi në Hungari, ku bashkë me pesë anëtarët tjerë të familjes ishte vendosur tash e disa javë.

Në një njoftim të ambasadës thuhet se sipas informacioneve zyrtare të autoriteteve hungareze, fëmija ditëve të fundit ka marr trajtim mjekësor në qendrën e strehim kërkuesve.

Në Kosovë autoritetet kanë bërë thirrje për të shmangur migrimin e paligjshëm, sepse siç tha sot ministri i brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, përpjekja për të migruar në rrugë të tillë është ecje në rrugë pa krye.

“Por, e them me keqardhje dhe me dhimbje të madhe që secili prej tyre do të kthehet me i varfër sesa ka shkuar. Unë kam zhvilluar takime me ministrat e brendshëm të një numri vendesh të zonës Shëngen dhe pa përjashtim, secili nga ata e thekson bindshëm se asnjë kërkesë për strehim e bërë nga migruesit e paligjshëm nga Kosova, nuk do të pranohet”, tha ministri Hyseni.

Ditët e fundit kanë shënuar një rënie të ikjeve pas masave që kanë marrë edhe vendet e Bashkimit Evropian për të penguar largimet. Gjermania ka dërguar njëzet oficerë policie në kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë, për të ndihmuar në kontrollin e kufirit që shfrytëzohet nga migruesit nga Kosova. Hungaria paralajmëroi ndërkaq se do të miratojë ligje që mundësojnë kthimin e menjëhershëm të atyre që kërkojnë strehim.

Ministri i brendshëm tha se gjatë ditëve të vazhdim do të diskutojë me kolegët e tij evropian mundësinë për të siguruar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ai tha se është e padrejtë që Kosova të vazhdojë të mbahet e izoluar më tej. Ai tha qytetarët e Kosovës, të cilët ai i quajti si popullin me pro evropian, mund të lëvizin lirshëm vetëm është drejt lindjes…

“Ne nuk na vjen mirë, që i vetmi korridor në të cilin qytetarët e Kosovës mund të qarkullojnë lirshëm është drejt lindjes përgjithësisht. Kështu që ne do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë që na takon ne të përmbushim kriteret për liberalizim, por në të njëjtën kohë duhet të jemi insistues dhe kërkues që Bashkimi Evropian përfundimisht ta shoh këtë çështje jo vetëm si çështje thjeshtë ligjore, legaliste, por të marr një qëndrim që është pak më kompleks dhe involvon edhe një dimension dhe një aspekt shumë politik dhe shumë human”, tha ministri Hyseni.

Ai tha se liberalizimi i vizave do të mundësonte vënien nën kontroll migrimin e paligjshëm.

Kosova është vendi i vetëm në Evropën Juglindore, qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Ajo mori udhërrëfyesin për këtë çështje në qershor të vitit 2012, por ende askush nuk e di edhe sa kohë duhet pritur për këtë proces. (voa)

Grekët kapërcejnë pengesën e parafundit

Planet e reformave greke janë gati, programi i ndihmës i BE-së pritet të zgjerohet deri në qershor. Por tani duhet të zbatohen reformat e vështira. Qeveria greke parashikon reforma drastike dhe gjithëpërfshirëse.Për qeverinë e re greke rruga drejtë zgjatjes së programit aktual të ndihmës, të padëshiruar fillimisht, është një vrapim i vërtetë me pengesa. Pas marrëveshjes bazë me donatorët në Eurogrup të premten e kaluar, këtë të martë përfaqësues të Trojkës dhe ministrat e Financave të Eurogrupit miratuan planin e reformës të dorëzuar në afat. Pengesat ardhshme janë miratimi i vazhdimit të programit të ndihmës deri në fundjavë në parlamentet e disa vendeve të Eurozonës. Bundestagu gjerman do të vendosë të premten. Në qoftë se kalohen edhe pengesat e fundit, atëherë programi i dytë i ndihmës për Greqinë do të zgjatet përsëri për katër muaj të tjerë deri në fund të qershorit.
Programin e reformës, që koalicioni radikal i së majtës dhe i së djathtës greke paraqiti në Bruksel, kreu i Eurogrupit, ministri holandez i financave Jeroen Dijsselbloem e quajti vetëm një hap të parë. “Duhet bërë edhe shumë më tepër”, tha Dijsselbloem. Greqia duhet ta vendosë ekonominë e saj përsëri në rrugën e duhur dhe të rifitojë besimin.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Valdis Dombrovskis, që është përgjegjës për euron, e quajti listën vetëm një plotësim të programit ekzistues të shpëtimit, por jo plan të ri të përfunduar. “Kjo tani na jep hapësirë për negociata deri në prill”, tha Dobrovskis për Deutsche Wellen.
Bileta për asgjëkund?
Qeveria greke pak para përfundimit të afatit në mesnatë dorëzoi një plan gjashtë faqesh, i cili ishte miratuar më parë nga Komisioni i BE në Bruksel në formë letërkëmbimi dhe e-mailesh. Në të qeveria pranon reforma drastike dhe gjithëpërfshirëse, vlerësoi shefi i Eurogrupit Dijsselbloem. Të ardhurat do të ngrihen përmes luftimit të evazionit fiskal, kontrabandës dhe korrupsionit. Nga grekët e pasur do të kërkohet të paguajnë më shumë taksa se më parë. Këto masa sipas vlerësimit të ministrit të Financave të Greqisë, Yanis Varoufakis, do të sjellin pesë miliardë euro. Megjithatë do të zgjasë disa muaj në qoftë se jo vite, derisa këto të ardhura të mund të gjenerohen me të vërtetë, kritikoi eurodeputeti Markus Ferber në DW: “Këto janë rezervime biletash për asgjëkund, sepse dhe qeveritë e mëparshme në Greqi nuk ia kanë dalë të vënë kontrolle mbi tatimin e vlerës së shtuar, kontrabandën e cigareve, kontrabandën e karburantit. Përkundrazi qeveria e re i ka ndërprerë proceset e brendshme kundër zyrtarëve të korruptuar.” Deputeti konservator Ferber thotë se konsideron propozimet si neglizhencë të madhe.

Qeveria greke do që të përmirësojë situatën e njerëzve në nevojë dhe të zbatojë të paktën një pjesë të premtimeve elektorale. Ministri grek i Financave Varoufakis propozon, që të jepet ushqim falas dhe të ulen faturat e energjisë. Deputeti i gjelbër i Parlamentit Evropian Sven Giegold e mirëpret faktin që qeveria greke do të ndryshojë programin e deritanishëm të reformave. “Të bësh sikur programi duhet të mbetet ashtu siç është, është gabim. Sepse programi nuk ka funksionuar deri tani. Mua më duket e äuditshme, që ai gati shenjtërohet nga disa kolegë të CDU/CSU”, tha Giegold për DW. Në listën e miratuar tani bëhet fjalë për herë të parë për synime. Deri në fund të prillit Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, institucionet, të quajtur më parë Troika, duhet të kontrollojnë zbatimin e reformave. Edhe eurodeputeti i gjelbër Sven Giegold paralajmëron grekët: “Ndryshimi i programit është i drejtë, por premtimet e reja për reforma duhet të zbatohen. Për këtë grekët kanë kohë deri në fund të prillit, deri sa të vijnë paratë.”

Që tani preokupime të reja financiare për Greqinë

Vetëm pas një raporti pozitiv përfundimtar të institucioneve (Trojkës), mund të paguhen këstet e fundit të kredisë së programit të ndihmës pas një miratimi të mëtejshëm nga Eurogrupi në maj dhe qershor. Gjithsej janë në dispozicion akoma 7,2 miliardë euro nga burime të ndryshme. Shefi i Eurogrupit, Jeroen Dijisselbloem, shprehu gatishmërinë për një lloj fleksibiliteti në rast të kryerjes së reformave në Greqi. “Ne mund të ndryshojmë të gjitha masat, në qoftë se në fund arrihen të njëjtat rezultate fiskale”, tha Dijsselbloem në Parlamentin Evropian. Deputeti Sven Giegold e përshëndet synimin e qeverisë së re në Athinë për të vepruar kundër evazionit fiskal. “Për mua është e rëndësishme, që më në fund të ndodhë diäka në fushën e mbledhjes së taksave. Eshtë e papranueshme që në njërën anë nevojiten para nga jashtë vendit dhe nga ana tjetër nuk tatohen të pasurit brenda vendit. Këtë askush nuk e kupton.” Eurodeputeti konservator Markus Ferber nga ana tjetër kritikon koalicionin SYRIZA- Anel, se nuk është i gatshëm të reduktojë edhe shpenzimet e shtetit. “Por që mos të duash të bësh asgjë në lidhje me shpenzimet dhe dhe të shtosh programet e shpenzimeve, kjo të äon në mënyrë të pashmangshme në falimentimin e shtetit dhe rrezikun për këtë nuk duhet ta mbajnë evropianët.” Kreu i Eurogrupit Djisselbloem theksoi përsëri se dalja e Greqisë nga bashkësia monetare Euro nuk shtrohet si opcion. “Kjo nuk është në rendin e ditës. Ne do të qëndrojnë së bashku.”

Meqë para fundit të prillit nuk do të jepen para nga programi i zgjatur i ndihmës, mbi ministrin e financave të Greqisë rëndojnë që tani halle financiare. Në fund të marsit është afati për të paguar një këst të kredisë së FMN-së. Të ardhurat nga tatimet kanë rënë me 20 për qind që nga fillimi i viti. Grekët tërheqin paratë e tyre nga bankat. Kjo është arsyeja, pse Greqia ka përsëri nevojë për kredi emergjente (ELA) nga Banka Qendrore Evropiane për bankat greke.

“Ndërhyrje skandaloze”

Përpara se programi i zgjatur i dytë i ndihmës për Greqinë të skadojë më 30 qershor, Greqia dhe donatorët ndërkombëtarë duhet të negociojnë për vazhdimin. Kthimi i Greqisë në tregjet financiare private, siä ishte menduar fillimisht, duket i pamundur nga këndvështrimi i sotëm. Interesi do të jetë shumë i lartë. Këtë e pranoi indirekt edhe Jeroen Dijsselbloem. Qeveria greke në këto negociata me siguri që do të rishtrojë temën e ristrukturimit të borxhit, apo të një konference për borxhin, që vendet e eurozonës deri tani e kanë refuzuar. Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans, i sheh me rezerva bisedimet e ardhshme me Greqinë. “Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Kemi parë javët e fundit, sa e vështirë ka qenë për të negociuar me grekët”, tha Timmermans në televizionin gjerman ARD. “Problemet vërtet të vështira do të vijnë në verë”, thonë diplomatët e BE pas kapërcimit të “pengesave” të para nga grekët në Bruksel.
Eurodeputetët konservatore akuzojnë Komisionin e BE-së, se mban shumë anën e qeverisë greke. “Unë jam i tmerruar nga roli i Komisionit. Si është e mundur, që një institucion, i cili duhet të kontrollojë, nëse programi është në përputhje me rregullat, ua shkruan si të thuash programin grekëve”, kritikoi Markus Ferber nga CSU-ja bavareze. Komisioneri i BE Pierre Moskovici që javën e kaluar është përzier në favor të grekëve. Kjo është skandaloze, thotë Ferber për DW. Deputeti Sven Giegold nga ana tjetër tha se Komisioni Evropian bën pikërisht atë, që ka për detyrë: bashkërendohet me Greqinë, jep mbështetje dhe mundëson kompromise. (dw)

Ukraina para humnerës ekonomike

Për të shmangur falimentimin shtetëror dhe për të marrë kredi të huaja, Ukraina po rrit çmimet e energjisë për familjet dhe po shkurton përfitimet sociale. Një pjesë e madhe e popullsisë kërcënohet nga varfëria.A mos të ha më vallë? Pensionisti nga Kievi Valeri mundohet të buzëqeshë, por në zë i ndjehet hidhërimi. Pensioni i tij është rreth 30 euro. Por për shkak të inflacionit ai është në gjendje të blejë gjithnjë e më pak nga këto para. Deri tani qeveria në Kiev parashikonte një nivel inflacioni prej rreth 13 përqind. Tani ajo e ka rishikuar prognozën në ngjitje dhe pret një inflacion dyfish më të lartë. “Buxheti aktual, që u miratua në dhjetor të vitit të kaluar, bazohej në të ardhura të caktuara, që konstatohen të kapërcyera”, thotë Robert Kirchner i grupit këshillues gjerman pranë qeverisë ukrainave në bisedë me DW. Krahas inflacionit në rritje në Kiev është shtuar pesimizmi edhe në lidhje me rrudhjen e prodhimit të brendshëm bruto. Prandaj parlamenti ukrainas do ta ndryshojë buxhetin me 3 mars.

Pjesën më të madhe të pensionit të tij, gjithsesi modest, Valeri e jep për të paguar energjinë elektrike, ujin dhe ngrohjen. Për shpenzime të tjera nuk mbeten më para. “Nuk e di se çfarë do të bëj pas rritjes së çmimeve”, thotë ai.
Rritje e çmimit të gazit 280 për qind
Ashtu si miliona ukrainas të tjerë Valeri ndjek me shqetësim lajmin e rritjes së afërt të çmimeve për konsumatorin privat. Energjia elektrike do të shtrenjtohet me 40 për qind nga 1 marsi. Shpenzimet për ngrohje së shpejti do të rriten me 60 për qind. Rritje të madhe do të ketë çmimi i gazit. Kryetarja e Bankës Kombëtare të Ukrainës, Valeria Hontareva, njoftoi se gazi do të shtrenjtohet me 280 për qind.
Arsyeja janë bisedimet për kreditë e reja me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Eshtë fjala për rreth 17,5 miliardë dollarë amerikanë. Ukraina dëshiron të zgjerojë kreditë tashmë të dakorduara dhe të zgjasë afatin prej dy në katër vjet. Një pjesë e madhe e parave këtij vendi evropianolindor i nevojitet për të shlyer kreditë e mëparshme.

Vetëm Rusia do që deri në fund të vitit t’i kthehen tre miliardë dollarë amerikanë. FMN tregohet e gatshme për t’i ardhur në ndihmë Kievit. Por si parakusht Ukraina duhet të kryejë ndër të tjera rritjet e çmimeve për konsumatorin privat. Vendimi i FMN-së pritet në fillim të marsit.
Valuta shtetërore hryvnia në rënie rekord
Që nga fundi i vitit 2013, Ukraina ndodhet gati në prag të bankrotit shtetëror. Atëherë qeveria e presidentit prorus Viktor Janukoviç pranoi se thesari i shtetit ishte bosh. Pas ndryshimit të pushtetit në Kiev dhe shpërthimit të konfliktit të armatosur në Ukrainën lindore, situata u përkeqësua në mënyrë dramatike. “Për shkak të luftës në Ukrainë nuk vijnë investorë”, pohon ekonomisti Kirchner. Edhe valuta shtetërore hryvnia është në rënie rekord.
Në fund të dhjetorit qeveria në Kiev planifikoi në mesataren vjetore një kurs të dollarit amerikan me 17 hryvnia. Dy muaj më vonë ky parashikim duhet rishikuar në ngjitje, në 21 hryvnia. Por edhe kjo tashmë është tejkaluar. Një dollar amerikan kushton në zyrat e këmbimit në Kiev tashmë më shumë se 30 hryvnia.
Të gjitha shtresat e popullsisë kursejnë
Ndërsa nga njëra anë çmimet rriten, qeveria do që të shkurtojë në anën tjetër shpenzimet sociale. Pensioni minimal për shembull nuk do të ngrihet para dhjetorit 2015. “Pas votimit të parlamentit për buxhetin e ri ukrainasve do t’u duhet të shtrëngojnë edhe më shumë rripin”, thotë ekonomisti nga Kievi Andrij Novak në bisedë me DW. “Një pjesë e madhe e popullsisë do të jetojë përtej kufirit të varfërisë.”
Prandaj jo vetëm pensionistët dhe njerëzit me të ardhura të ulëta janë të shqetësuar. Edhe ata që fitojnë më mirë, janë të shqetësuar, si familja Savçuk. Çifti Ihor dhe Maria, të dy nga fundi i të tridhjetave, jetojnë me të tre fëmijët e tyre në një shtëpi pranë kryeqytetit Kiev. Ihor ka një biznes të vogël, gruaja e tij rri në shtëpi me fëmijët. Edhe ata mendojnë të kursejnë. “Ne jemi duke menduar që të instalojnë një kazan për ngrohje me biomasë, por ai është shumë i shtrenjtë”, thotë Ihor. “Ose duhet të reduktojmë në minimun konsumin e gazit.”
Lufta si rrezik i pakalkulueshëm
Vëzhguesit në Kiev pyesin veten, se si mund të ndikojë në frymën në vend gjendja gjithnjë e më e keqe ekonomike. Një e treta e popullsisë është e gatshme të rezistojë edhe një vit – duke supozuar se do të ketë reforma. Në këtë përfundim arriti Qendra Razumkov, një instituti studimor në Kiev, me një sondazh të tijin. Por gati po kaq shumë ukrainas, 29 përqind, nuk duan të durojnë rënie të mëtejshme. Ata mendojnë se situata e tyre është tashmë gjithsesi e padurueshme.
Këtu ekonomistët paralajmërojnë nga lufta si një rrezik i pallogaritshëm. “Nëse konflikti zgjat, qeveria do të duhet që të rillogarisë sërishhpenzimet e saj ushtarake dhe pagesat për kreditorët e huaj”, thotë Andrij Novak. Edhe Robert Kirchner ka mendim të ngjashëm: “Nëse lufta përfundon, paratë do të mjaftojnë.” Se kur do të ndodhë kjo, nuk mund të parashikohet. Deri tani një paqe e qëndrueshme në Ukrainën lindore duket e pamundur. Shumë vëzhgues mendojnë se në pranverë do të ketë luftime të reja ndërmjet separatistëve prorusë dhe ushtrisë ukrainase. (dw)

Fuqia e Gjermanisë – arsye për gjermanishten

Anglishtja po pushton botën. “Përse të mësosh sot akoma gjermanisht?” pyet linguisti nga Essen, Ulrich Ammon, dhe prezanton një libër të trashë, plot përgjigje. “Se përfitojnë si nxënësit e gjuhës, ashtu edhe gjermanët!”Gjermanishtja ishte dikur gjuha botërore për kokat më të shquara të ekonomisë, shkencës dhe politikës. Sot kësaj epokë 250 vjeçare po i afrohet fundi, siç konstaton Ammon: “Sidomos nga dy luftërat botërore gjermanishtja e ka humbur shumë rëndësinë e saj”. Ammon është germanist dhe linguist me sens për historinë dhe sociologjinë. Ai jep mësim në Universitetin Duisburg-Essen. Libri i tij i fundit, i botuar nga shtëpia botuese shkencore De Gruyter në Berlin, përshkruan përhapjen dhe rëndësinë e gjuhës gjermane. Ajo shqyrton arsyet, diskuton për perspektivat dhe nxjerr konkluzione. Konkluzioni paraprak i Ammon-it: Nuk ka arsye për ta fshehur kokën si struci. “Gjermanishtja e ka marrë përsëri disi veten kohët e fundit.
Anglishtja po pushton botën. “Përse të mësosh akoma sot gjermanisht?” pyet linguisti nga Essen, Ulrich Ammon, dhe prezanton një libër shumë të trashë, plot përgjigje. Më e rëndësishmja: “Sepse përfitojnë si nxënësit e gjuhës ashtu edhe gjermanët!”

Ku qendron me të vërtetë gjermanishtja në krahasimin ndërkombëtar? Momentalisht, përllogarit Ammon, në botë ka rreth 104 milionë njerëz, që e kanë gjermanishten gjuhë amtare. Gjermanishtja renditet në vendin e dhjetë. Në raport me performancën ekonomike të komunitetit gjermanofolës, ku bën pjesë edhe Austria dhe Zvicra, gjermanishtja arrin vendin e katërt pas gjuhës angleze, kineze dhe spanjolle. Gjermanishtja eshtë e preferuar edhe ndër ata, që mësojnë gjuhë të huaja, vetëm anglishtja, kinezçja dhe frëngjishtja zgjidhen më shpesh për t’u mësuar si gjuhë e huaj. Gjermanishtja si gjuhë e huaj mësohet kryesisht në Evropën Lindore, por edhe në Indi dhe në Kinë. Vetëm anglishtja, frengjishtja dhe kinezçja zgjidhen më shpesh si gjuhë të huaja.
Fuqia ekonomia motivon për të mësuar gjermanisht
Përse mësojnë të huajt gjermanisht? Çfarë presin ata prej saj? Jo e re, por tani e konstatuar shkencërisht është kjo hipotezë e Ammon-it: “Ka një ndërlidhje të ngushtë mes fuqisë ekonomike të folësve të një gjuhe dhe interesit të të tjerëve për ta mësuar atë.” Kjo do të thotë se meqë Gjermania është e pasur dhe ekonomikisht e fortë, më shumë të huaj mësojnë gjermanisht . “Kush di gjermanisht”, thotë studjuesi i gjuhës, “gjen të hapur rrugën për në vendet, në lulëzim – me shanse të mira profesionale, ekonomike dhe arsimore.” Këto shanse mund të përdoren si për qëndrime të përkohshme, ashtu edhe për emigracion. “E gjithë kjo”, thotë Ammon, “është motiv për të mësuar gjermanisht”.
Gjermania ka vetëm përfitim prej kësaj, mendon germanisti nga Essen. “Eshtë një avantazh, kur gjuha amtare është shumë e përhapur”, thekson ai. “Njerëzit, që e kanë mësuar gjermanishten si gjuhë të huaj, do të përpiqen të bëjnë diçka me njohuritë e gjermanishtes. Ata vijnë më shpesh në Gjermani, ruajnë kontaktet, apo shpenzojnë para si turistë.” # Kështu Gjermania i ka të gjitha arsyet për të bërë më shumë për përhapjen e gjuhës gjermane në botë. Në OKB dhe Komisionin Evropian për fat të keq është lënë pas dore kjo mundësi kjo mundësi”, thotë ai. “Politikanët” sugjeron Ammon, “duhet të reflektojnë lidhur me librin tim, dhe të shohin se çfarë përfitimesh mund të nxjerrin prej tij.”
Në librin e tij prej 1300 faqesh gjuhëtari jep një vështrim ambicioz, të gjerë dhe të mirëdokumentuar të shpërndarjes dhe rangut të gjermanishtes në botë. Ai fokusohet te raporti i gjuhëve me njëra-tjetrën, si dhe te konkurrenca në mes të gjuhëve ndërkombëtare me gjuhën botërore, anglisht. Si funksionojnë gjuhët në biznes, shkencë, diplomaci, turizëm, 35 dhe arsim? Edhe për këtë jep përgjigje Ammon. (dw)

Sfidat e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit

Takimi i Tiranës i vendeve të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore pati në fokus agjendën e kooperimit rajonal, por dhe reagimin e përbashkët për valën terroriste të IS.Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikën e jashtme dhe sigurinë, Federica Mogherini, e anulloi në momentet e fundit udhëtimin për në Tiranë, si pjesëmarrëse në takimin informal të ministrave dhe zyrtarëve të ministrive të jashtme të 13 vendeve, që janë pjesë e procesit të bashkëpunimit të Europës Juglindore, SEECP. Por organizatorët u përpoqën të ruanin vëmendjen maksimale të 35s së pranishme. Situata në rajon, dhe niveli i kooperimit mes vendeve, ne projekte dy a shumëpalëshe, hapat për integrimin e vendeve aspirante në BE etj., nuk ishin të vetmet pjesë të agjendës kryesore. Pasi ra në sy dhe hapësira që i ishte lënë në deklaratën finale luftës kundër terrorizmit, marrëveshja për reagime të përbashkëta në parandalimin dhe frenimin e aksionit të shtetit islamik, IS. U nënvizua fakti se terrorizmi nuk ka “asnjë lloj justifikimi dhe s’duhet t’i përcaktohet asnjë nacionaliteti besimi fetar apo grupi etnik”. Gjithashtu delegacionet pjesmarrëse shprehën shqetësim të madh për rritjen e aktivitetit dhe kërcënimit terrorist, veçanërisht në zona të Europës Jugore, që kërkon angazhim për veprime politike e gjetjen e rrugëve për ta luftuar në front të gjerë atë.
Produkti dhe bilanci i bashkëpunimit është modest
Eksperti i shkencave politike, prof. asc. Afrim Krasniqi e shikon bashkëpunimin rajonal në dy nivele, në atë politik, ku shkëmbimet janë pozitive, bilanci është pozitiv dhe secili vend përpiqet të japë kontributin e vet, duke tentuar edhe rolin e lidershipit në këtë proces. Ai i përshkruan nisma të tilla, siç është procesi i bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore, SEECP-i, më shumë politike, sesa praktike. Në nivelin konkret, produkti dhe bilanci i bashkëpunimit është modest, thotë prof. asc. Afrim Krasniqi për DW.

“Mungojnë projektet rajonale, mungojnë ofertat konkrete ndërshtetërore dhe mungojnë vullnetet politike për t’i shndërruar rezolutat dhe angazhimet politike në rezultate praktike për shtetet, shoqëritë dhe qytetarët e tyre. Për shembull, shkëmbimet tregtare ose projektet në mes më shumë se dy shteteve janë në kuota minimale në EJL, nëse i krahasojmë ato me modele pozitive si vendet baltike apo vendet e Evropës Qendrore. Gjithsesi, takimi i fillimit të kësaj jave i SEECP-it dhe rezoluta kundër terrorizmit janë pozitive, por njëherësh, është një temë që nuk ka opozitë në EJL, pra është pikë ku çdo vend ka interes strategjik individual, rajonal dhe më tej. Gjithsesi do të ishte pozitive nëse secili vend inicion më shumë takime formale dhe informale midis fqinjëve rajonalë, në mënyrë që fusha e bashkëpunimit të jetë më e gjerë dhe pritshmëria të tejkalojë pritjet dhe aktet protokollare”.
Ish-ministri i Integrimit, Marko Bello mendon se takimi në kuadër të procesit të bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore, SEECP, kryesimin e radhës së të cilës e ka Shqipëria, është tregues se shtetet e rajonit kanë lënë pas të kaluarën e hidhur. Ato janë fokusuar tek dialogu, bashkëpunimi, hapja e tregjeve, lëvizja e lirë e mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitaleve. Gati gjysma e shteteve anëtare të SEECP-it janë anëtare në BE, ndërsa pjesa tjetër, përfshi Shqipërinë kërkon të anëtarësohet sa më shpejt në Bashkimin Europian, thotë Bello për Deutsche Welle-n.
“Rajoni ka perspektivë të qartë europiane, veçse ka ende rrugë të gjatë përpara, deri në plotësimin e kritereve për integrim të plotë në strukturat europiane. Një ndër sfidat mbetet lufta e pamjaftueshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndaj vetë BE po kërkon t’i nxisë vendet e rajonit të heqin dorë nga retorika dhe të realizojnë reforma të qenësishme, duke luftuar konkretisht këto fenomene negative…Përpjekje po bëhen edhe në drejtim të luftës kundër terrorizmit, i cili tashmë kërcënon krejt Europën. Deklarata e sotme shkon pikërisht në këtë drejtim. Rëndësi ka se të gjitha vendet janë të bashkuara dhe të ndërgjegjshme për këto rreziqe dhe me siguri do të rrisin kontributin e tyre konkret në luftën që bota e qytetëruar ka ndërmarrë kundër terrorizmit ndërkombëtar”.

Ish-ministri i Integrimit të Shqipërisë, Marko Bello vë në dukje rolin e protagonistit të Gjermanisë, sipas tij, ajo konsiderohet nga të gjitha vendet e rajonit si promotorja e BE dhe vendi më i fuqishëm i saj, e aftë të ndikojë në përshpejtimin e procesit të integrimit të vendeve kandidate në BE.
Samiti i Berlinit – shndërrimi i interesave e vullneteve në projekte konkrete
“Shembulli i Gjermanisë është padyshim frymëzues për vendet e Ballkanit Perëndimor. Por, nga ana tjetër, duket se pritshmëria është më e madhe, sesa vetëm angazhimi i këtyre vendeve për të adresuar problemet me të cilat ballafaqohen. Sipas mendimit tim, ka papunësi, varfëri, polarizim dhe shumë pak reforma serioze”.
Për ekspertin e shkencave politike, prof. asc. Afrim Krasniqi, pas Samitit të Berlinit, në gusht të vitit 2014, ka pasur disa sinjale të rëndësishme pozitive, siç ishin takimet në nivelet e larta midis kryetarëve të qeverive të rajonit. Sipas tij, ka pasur edhe nisma në nivel ekspertësh për të kaluar nga vullnetet politike tek projektet konkrete, por deri tani pas më shumë se gjashtë muajsh ende nuk ka asnjë projekt (të njohur) me rëndësi rajonale të prezantuar tek partnerët apo në publikun e vendeve përkatëse. “Për më tepër, kriza ekonomike në rajon vijon të jetë faktor frenues, problemet dhe ndryshimet politike në ndonjë vend rajonal kanë krijuar aty prioritete paralele me atë të Berlinit dhe se në thelb, nga Samiti i Berlinit ende qeveritë e rajonit nuk kanë arritur të përdorin shansin dhe mundësitë për të përfituar në të mirë të demokracisë funksionale dhe sidomos rigjallërimit ekonomik rajonal.
Premtimi për projekte të përbashkëta infrastrukturore, në fushën e energjetikës, të sigurisë kolektive dhe për një hapje cilësore ndaj kapitalit perëndimor vijon të jetë në fazat fillestare dhe krijon skepticizëm, nëse do të realizohet në të ardhmen e afërt. Shqipëria ka interes madhor në suksesin e vizionit të Samitit të Berlinit, por ka nevojë për një trajtim horizontal të këtij momenti, për t’i shndërruar interesat dhe vullnetet në akte konkrete ligjore, ekonomike, sociale dhe administrative. (dw)

Qytetarët: Aspak besim në institucionet

Pas publikimit të bisedave telefonike nga opozita, qytetarët thonë se nuk kanë aspak besim tek institucionet, dhe pikërisht për këtë arsye, nuk ndihen të sigurt. Disa prej personave që anketoi ekipi i televizionit Alsat, shprehen të zhgënjyer nga sistemi dhe pushteti.
Situata është e prishur, edhe marrëdhëniet ndëretnike janë të përkeqësuara. Pa pasur ndonjë tollovi nuk do të përmirësohet asgjë. Pa u ndërruar qeveria që e kemi. Duhet të ndërrohet e gjithë qeveria dhe udhëheqësi tanë, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për komunitetin shqiptar apo maqedonas”.
S’ka siguri, çfarë sigurie ata po na e i përgjojnë telefonat, Zaevi ato që i publikoi ka diçka.. A është Gruevski fajtor apo kush nuk e dimë por… ”
“Jo, sepse çdo moment mund të ndodhë diçka. Për çfarë shkaku? Për shkak të shtetit”
“Jo, aspak sepse situata është e tillë. Si është situata? Dihet se si është situata”
“A ju beson institucioneve në shtet? Jo, fare, fare, kujt ti besosh, cilave institucione”
“Jo aspak, prushi është mbuluar me hi. Hiri është hequr tani ka dalë prushi. Na kanë gënjyer, na kanë mashtruar, i kanë bërë gjenocid popullit shqiptar. Popullata shqiptar në Maqedoni doli në protesta për rastin Monstra, e dha kontributin e saj kurse tani mbetet të vendosë gjyqi”
“Situata që moti është e përkeqësuar. Sepse krimi lulëzoj, askush nuk do ta luftojë. Madje policia është e përfshirë në krime. I gjithë ekzekutivi shtetëror është i përfshirë, kjo është një sitatë shumë e rëndë për Maqedoninë. Por mendoj se i ka ardhur fundi kësaj qeverisjeje”
“A ndjeheni i sigurt për momentin? “Sot për sot fare jo, si një shërbyes i dikujt ndjehem”
A i beson policisë, tjerave institucione. Jo askujt nuk i besoj”
Ndonëse kanë humbur shpresën në zgjidhjen e problemeve në mënyrë institucionale, qytetarët vlerësojnë se njohja me të vërtetën do kontribuoj në forcimin e së drejtës dhe mirëqenies qytetare. Ferikan Iljazi

Përgjimet kapin edhe intelektualë të pavarur dhe gazetarë shqiptarë

Kush do të jenë intelektualët e pavarur, gazetarët, analistët dhe personalitete tjera shqiptare që koketuan me pushtetin aktual.Në materialet e përgjimeve që disponon opozita maqedonase janë edhe gazetarë shqiptarë, analistë, intelektualë të quajtur të pavarur dhe personalitete tjera publike shqiptare.

Siç mëson agjencia e lajmeve INA, janë emra të ndryshëm të personaliteteve publike si gazetarë të 35ve, intelektualë e emra të tjerë personalitetesh se si kanë mbajtur lidhjet dhe kanë koketuar me funksionarë shtetëror ministra, zyrtarë të lartë të MPB-së, funksionarë të tjerë shtetëror.

Materialet përfshijnë periudhën e përgjimeve nga viti 2009 – 2013, dhe se supozohet për dhjetëra biseda midis funksionarëve më të lartë qeveritarë shqiptarë dhe maqedonas me personalitete publike shqiptare, të cilat nxjerrin në shesh lidhjet e tyre dhe funksionimin e përbashkët përmes skenareve të ndryshme të përgaditura.

Mësohet se janë biseda midis ministrave të BDI-së me intelektualë të ashtuquajtur të pavarur dhe gazetarë shqiptarë, për lidhjet e tyre më shumë se profesionale, bizneset dhe koketimet për të përfituar beneficionet e pushtetit.

Në mesin e këtyre përgjimeve dyshohet për lidhje të përfitimeve materiale, biznese të ndryshme dhe skenare të tjera me prapavijë politike.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev ka theksuar se disponon me materiale të mbi 20 mijë personave të përgjuar. Pritet që të bëhen publike një pjesë e madhe e tyre ku do të dalin në shesh edhe të vërteta tjera. (INA)