Prokuroria: Doshi dhe Frroku në burg; kërkesa e organit të akuzës në Gjykatën e Lartë

doshi froku

Për shkak të kohës së tejzgjatur që u desh për të pyetur deutetët Tom Doshi dhe Marku Frroku, Prokuroria e Përgjithshme i dorëzoi në Gjykatën e Lartë kërkesat për masat e sigurisë përtej orës zyrtare 16.

Sipas zyrës së shtypit të Gjykatës së Lartë, të shtunën në orën 8.30, shorti me gogla do të caktojë se kush do të jetë kolegji penal prej pesë gjyqtarësh që do të shqyrtojë kërkesat e organit të akuzës.

Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga Gjykata e Lartë që të vlerësojë si të ligjshëm urdhërat e ndalimit të Tom Doshit dhe Mark Frrokut, si dhe të caktojë masa të sigurimit personal. Pas depozitimit të kësaj kërkese, Gjykata e Lartë ka kohë 48 orë.

Më herët gjatë ditës pragun e Gjykatës së Lartë e kaloi avokati i Tom Doshit, i cili kërkoi lirimin e menjëhershëm të klientit të tij. “Është një ndalim i kundraligjshëm, që ka tejkaluar kompetencat e tij”, tha avokati Vladimir Meçi shkurt për mediat.

Vetëm pas kësaj lëvizjeje avokatët e dy deputetëve iu drejtuan më pas policisë së Tiranës, ku veç njëri-tjetrit, ashtu sikurse edhe prokurorët, asistuan në marrjen në pyetje të Frrokut dhe Doshit.

Pas një seance që zgjati 1 orë e 30 minuta, avokatët e Frrokut, Genc Gjokutaj e Saimir Vishaj u shprehën se, pasi është marrë në pyetje si person nën hetim, Mark Frroku ka mbajtur të njëjtin qëndrim.

“Ai është akoma i befasuar se si është e mundur që persona të tjerë kanë sajuar një vrasje. Nuk kemi asnjë lidhje me akuzat fantazmë në lidhje me porositjen e vrasjeve nga kryetari i Parlamentit”, deklaroi Saimir Vishaj.

Por ai që është pyetur sërish më gjatë, për gati 4 orë, ka qenë i ndaluari tjetër Tom Doshi, që ka këmbëngulur, sikurse në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, se ndaj tij po komplotohej një vrasje. “Ai ka mbajtur edhe sot të njëjtin qëndrim që ka pasur gjithmonë”, tha Meçi.

Gjatë ditës prokruria ka pyetur edhe Durim Bamin, ndërsa për shkak të pretendimeve të Doshit se Bami është kërcënuar, dy oficerë të policisë gjyqësore kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në Drejtorinë e Tiranës, atje ku u mbajt për një kohë të gjatë 37-vjeçari Bami. / Top Channel

 

BB: Ekonomia shqiptare po rimëkëmbet, efektet duan kohë të ndihen

Patrizio

Patrizio Pagano, drejtori Ekzekutiv në Bankën Botërore që mbulon Italinë, Greqinë dhe Shqipërinë thotë se, rimëkëmbja e ekonomisë shqiptare do të varet nga suksesi i reformave të brendshme dhe zgjidhja e situatës në Eurozonë.   

“Ashtu si shumë ekonomi të tjera europiane edhe Shqipëria përjetoi një moment të vështirë. Por përfundimisht ekonomia tani ka filluar të rimëkëmbet. Megjithatë ritmet e saj do të varen nga dy faktorë. Së pari është jetike që reformat të vazhdojnë dhe nga takimet që kam patur me Qeverinë kam kuptuar se ka një vullnet për këtë. Por, në të njëjtën kohë, për një ekonomi të vogël dhe të hapur si Shqipëria, një tjetër faktor kritik është ambienti i jashtëm. Fatkeqësisht, situata në vendet fqinje nuk është optimale, çka do të thotë se ndonjëherë kjo ringritje vuan për shkak se, partnerët tregtarë nuk po rriten me ritme të shpejta”, tha Pagano.

Por, sa i mundshëm është një skenar i daljes së Greqisë nga Eurozona dhe cilat do të ishin pasojat e tij? Për zyrtarin e lartë të Bankës, përgjigjen e saktë të kësaj pyetje sot nuk e ka askush.

“Në tërësi rregullat e Eurozonës janë hartuar në mënyrë të tillë që ta bëjnë daljen e një vendi anëtar një ngjarje ekstremisht të pamundur. Por, gjithmonë ka të papritura dhe ne si politikëbërës duhet të jemi të përgatitur për çdo rezultat të mundshëm. Sa ekziston ky rrezik sot dhe cilat do të ishin pasojat? Unë mendoj se është shumë e vështirë të gjesh një njeri që të dijë t’i përgjigjet saktë kësaj pyetje”, tha Pagano.

Ashtu si FMN edhe Banka Botërore parashikon që rritja ekonomike për këtë vit të shkojë në 3 për qind. Megjithatë, Pagano thotë, se do të duhet ende kohë, që familjarët të ndjejnë përfitimet e saj.

“Që konsumatorët dhe familjet të ndjejnë përfitimet e rimbëkëmbjes duhet kohë. Veçanërisht në një situatë të tillë kur ka një axhendë reformash. Së dyti, një faktor i rëndësishëm i krizës ka qenë sektori financiar, veçanërisht bankat, te cilat u preken fort. Duhet kohe që ky sektor të rindezë motorët. Ju e dini që pas krizës rregullat mbi sektorin bankar janë forcuar, kërkesat për kapital janë rritur, pra duhet një farë kohe për bankat që të zgjidhin çështjet e tyre, para se të ndihen efektet edhe në pjesën tjetër të ekonomisë”, theksoi Pagano. / Top Channel

Deputetët e arrestuar merren në pyetje

Avokatët e zotit Doshi dhe Frroku këmbëngulin: Ndalimi është i jashtëligjshëm. Vendimi për masën e sigurisë i takon Gjykatës së Lartë

Në Shqipëri, dy deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku, të arrestuar një ditë më parë u morën sot në pyetje nga prokurorët, ndërsa avokatët e tyre presin seancën e Gjykatës së Lartë për të kundërshtuar masën ekstreme të ndërmarrë ndaj dy anëtarëve të parlamentit. Avokatët mbrojtës e konsiderojnë të jashtëligjshëm ndalimin. Nga ana e saj ambasada amerikane në Tiranë, përmes një deklarate ripërsëriti qëndrimin se Prokuroria dhe institucionet gjyqësore duhet të sigurojnë një proces të rregullt.

Kur kanë kaluar vetëm 24 orë nga arrestimi i dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku ende nuk ka asnjë njoftim se kur Gjykata e Lartë do të shprehet për masën e sigurisë ndaj tyre. Avokatët e deputetit Doshi, kërkuan sot nga Gjykata lirimin e menjëhershëm të tij, pa pritur afatin 48 orësh që parashikon ligji, pasi sipas avokatit Vladimir Meci arrestimi është i paligjshëm: “Prokurori ka tejkaluar kompetencat e tij duke abuzuar me vendimin e parlamentit”.

Prokurorët e po ashtu dhe avokatët e të dy deputetëve qëndruan sot gjatë në mjediset e Dretorisë së Përgjithshme të Policisë ku zoti Doshi dhe Frroku ju nënshtruan marrjes në pyetje. “Sot ishte një moment procedurial për pyetjen e të ndaluarit. Për të tjerat do të ballafaqohemi në Gjykatë. Nuk jemi njohur akoma me provat”, u shpreh Ferid Mucaj, avokati tjetër i deputetit Doshi.

Edhe avokatët e deputetit Frroku janë në pritje të marrjes së akteve dhe provave: “Ndalimi do të konsiderohet i paligjshëm, pasi nuk ka ndalim për veprat penale për të cilat ligji parashikon nga gjobë deri 1 vit burg. Nga prokuroria do na vihen në dispozizion aktet. Akuza, deklarim i rremë para prokurorit, fiton të drejtën e konsumimit vetëm pasi cështja shkon në gjykatë”, shpjegoi  zoti Saimir Vishaj, avokat i deputetit Frroku.

Në urdhërin e ndalimit për këtë të fundit, Prokuroria përmendte edhe një proces gjyqësor që zoti Frroku ka sipas saj në Belgjikë ku dyshohet për një vrasje. Por avokatët e tij thanë se nuk ka asnjë dokumentacion për këtë cështje: “Nga ministria e Drejtësisë, apo nga autoritetet belge apo të huaja nuk ka asnjë akt ndaj klientit tim. Nëse do të kishim njohje të vendimit të huaj apo arrest ndërkombëtar, do të kishim masa të tjera sigurie”.

Dy deputetët u ndaluan pasditen e djeshme vetëm pak orë pasi parlamenti votoi në favor të kërkesës së paraqitur më parë nga Prokuroria. Kjo e fundit veproi me shpejtësi duke zgjedhur të mos priste të kërkonte autorizimin për arrestim nga Gjykata por duke vepruar përmes një urdhëri ndalimi.

Për zhvillimet rreth kësaj cështjeje, pati një deklaratë edhe ambasada amerikane, në përgjigje të interesimit të mediave në Tiranë. “Ambasada e Shteteve të Bashkuara rithekson deklaratën e saj të mëparshme, e cila bën thirrje që Prokuroria dhe institucionet gjyqësore të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të zbatuar ligjin dhe për të siguruar një proces të rregullt”,  saktëson njoftimi duke shtuar se ambasada vazhdon “të nxisë të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive, si dhe të mbështesë përpjekjet e kuvendit për të hartuar legjislacionin në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit të kaluar”, ku palët ranë dakort për të nisur procesin e dekriminalizimit. (voa)

Këtë vit Germanwings do të zhduket

germanwigs

Që nga themelimi i saj në vitin 2002 shoqëria bijë e Lufthansës u kthye në shpresën e koncernit. Qëllimi: Me leverdi për të triumfuar ndaj konkurrencës. Por bilanci i suksesit u errësua nga rrëzimi i avionit në Francë.

Realisht Germanwings u themelua si shoqëri fluturimi bijë e Euroëings AG në vitin 1997. Selia që në fillim ndodhej në Köln, ndërsa Lufthansa mbajti një tretën e aksioneve të saj.

Pesë vite më vonë shoqëria Eurowings GmbH u kthye ne Germanwings GmbH. Me pesë avionë të tipit Airbus A3190-100 kjo shoqëri filloi të fluturojë drejt destinacioneve të reja turistike nga aeroporti i Köln-Bonn-it. Fillimisht filozofia e firmës së re bazohej në konceptin “Pa lukse” – pra në emër të çmimeve të leverdisshme të fluturimit duhej hequr dorë nga shërbimet ekstra pa kosto për pasagjerët. Më vonë u afruan tarifa me më shumë komfort dhe u shtua numri i aeroporteve ku aderonin avionët e shoqërisë së re.

Forcimi i Germanwings megjithë kundërshtitë

Nga viti 2009 Germanwings ka kaluar plotësisht tek Lufthansa. Në kuadër të konkurrencës së ashpër në tregun e shoqërive që fitojnë terren me biletat e lira, Germanwings u bë gjithnjë e më e rëndësishme per Lufthansën. Christoph Franz, në vitin 2011 ende kryetari i bordit të Lufthansës e deklaroi si punë të tijën forcimin e shoqërisë bijë. Kritikët e akuzuan se me forcimin e Germanwings ai po dobëson markën e njohur Lufthansa. “Nuk vlen asgjë nëse ofrojmë një produkt me cilësi të lartë në treg, por që klienti nuk do ta blejë”, kundërshtoi Franz.

Pasuesi i Franz, Carsten Spohr vazhdon të ndjekë kursin e paraardhësit edhe më radikalisht. Si pasojë shumë destinacione të Lufthansës i kanë kaluar Germanwings, dhe sipas Spohr nga viti 2015 shoqëria e fluturimit do të ketë një bilanc pozitiv.

Germanëings do të zhduket në vitin 2015

Por nuk do ta zgjasë shumë dhe emri i njohur Germanwings do të fshihet nga Lufthansa. Carsten Spohr bëri të ditur në fund të vitit 2014 se është duke u planifikuar zgjerimi i markës Eurowings në kontekstin e zgjerimit të ofertave të leverdisshme. “Germanwings ishte e suksesshme, por për arsye kostosh ne do të kalojmë tek Eurowings”, tha Spohr. Nga ana tjetër kjo markë ka shanse të futet më shumë në tregjet europiane.

Shoqëria e re bijë e Lufthansës do të fluturojë edhe destinacione në Amerikë, në rajonet e Oqeanit Indian dhe Afrikë. Çmimi do të mund të jetë 40% më i lirë se tek Lufthansa. që të arrihen këto çmime parashihet të kursehet tek personeli, sepse personeli i shoqërisë Eurowings nuk ka të njëjtat tarifa si Lufthansa.

Ky plan nuk është mirëpritur nga sindikatat dhe është një ndër arsyet e grevave të shpeshta tek Lufthansa dhe Germanwings. Shoqëria bijë e Lufthansës që do të shndërrohet së shpejti në Eurowings është aktualisht pas Lufthansës dhe Air Berlin, shoqëria e tretë më e madhe e fluturimit në Gjermani. Ajo ka një kapacitet prej 85 avionësh dhe punëson më shumë 2000 punonjës. (dw)

Jeta imagjinare në planetin Mars

Mars

Për breza të tërë, njerëzimi ka ëndërruar shkuarjen në planetin Mars për të eksploruar fqinjin më të afërt të tokës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan njofton se ndërsa agjenci të hapësirës si NASA po planifikojnë misione me njerëz drejt planetit, disa vullnetarë në shtetin Hauai po mësojnë se si njerëzit t’i përshtaten muajve të izolimit në një bazë që simulon planetin Mars.

Një vullnetare po jeton prej tetë muajsh në një terren që ngjason me sipërfaqen e Marsit. Gjashtë njerëz janë izoluar në lartësinë e malit vullkanor Mauna Loa, në Ishullin e Madh në Hauai, që ngjason me një bazë në Mars. Projekti, i financuar nga NASA, quhet HI-SEAS. Kim Binsted me Universitetin e Hauait mbikëqyr projektin. Ajo thotë se kjo bazë është ambjenti tokësor më i ngjashëm me Marsin.

“Nga ana vizuale ngjason me Marsin. Duket që nuk ka jetë bimore apo shtazore. Kemi një bukuri vullkanike të formuar ngu shkrumbi i llavës në Mauna Loa.” 

Ekipi prej gjashtë vetësh brenda tendës jeton i izoluar. Personeli mbështetës sjell ushqime dhe furnizime, por nuk lejohet komunikimi me ta. Zonja Binsted thotë se eksperimenti studion bashkëveprimin mes astronautëve.

“Studiojmë se sa mirë punojnë së bashku, si mund t’i mbajmë të kënaqur dhe me furnizime që të mos kenë konfrontime gjatë kësaj kohe tepër të gjatë.” 

Ekipi aktual jeton në tendë që nga muaji tetor dhe do të qendrojë deri në qershor. Ka patur edhe dy ekipe të tjera.

Pjestarët mbajnë lidhje me botën e jashtëme përmes emailit dhe blogjeve.

Dhe përmes videove në YouTube, si kjo nga komandantja e misionit Martha Lenio.

Po ashtu edhe përmes një programi të telefonave celularë që mundëson një komunikim me vonesë 20 minuta sikurse do të ndodhte nga Marsi.

“Po e shijoj këtë mundësi për të jetuar në këtë tendë dhe pretenduar që jam në Mars dhe po mësoj aftësi të reja.”

Por, ky nuk është i vetmi grup vullnetarësh që aspiron Marsin. Një organizatë e quajtur Mars One me qendër në Holandë, ka kërkuar vullnetarë nga e mbarë bota për ata që duan të shkojnë në Mars.

Ky student  inxhinierie nga India është një prej finalistëve të projektit ambicioz privat që po përpiqet të bëjë diçka. Vëzhguesit besojnë se agjencitë hapsinore të Amerikës dhe Evropës kanë më shumë shanse të arrijnë synimin nga viti 2030 apo më vonë. Pavarësisht se kush është i pari, thotë zonja Bindsted, ndërmarrja nuk do të jetë e lehtë.

Ndërkohë, vullnetarët po shijojnë copëza të jetës në një bazë imagjinare të Marsit. (voa)

Përplasje e ashpër në Kuvend për Gjykatën Speciale

Kuvendi i Kosoves
“Themelimi i Gjykatës Speciale, nuk e cenon sistemin e drejtësisë në Kosovë, si dhe Kosova dhe institucionet e saj janë duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në Kuvend, për sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale”.

Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, derisa ka folur në një interpelancë në Kuvendin e Kosovës lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Ai ka thënë se ligji për themelimin e Gjykatës Speciale është miratuar nga deputetët dhe si i tillë do të zbatohet.

“Nuk vihet në pyetje gjykimi i luftës çlirimtare të Kosovës, e cila ishte luftë për të mbrojtur pragun e shtëpisë nga forcat ushtarake dhe atyre paramilitare serbe”.

“Ne besojmë në pastërtinë e luftës së UÇK-së, prandaj sjellja e individëve që eventualisht mund të kenë bërë krime gjatë luftës apo pas luftës, nuk mund të identifikohet me luftën e pastër çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Mustafa.

Kryeministri Mustafa, po ashtu ua ka rikujtuar deputetëve se nëse Kosova nuk merr vendim për formimin e kësaj Gjykate, atë mund të bëjë dikush tjetër.

“Ende është në fuqi Rezoluta 1244 e cila mundëson që vendimet e tilla t’i marrë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara”, tha Mustafa.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, si iniciues për thirrjen e kryeministrit Isa Mustafa në interpelancë, lidhur me përgjegjësinë kushtetuese të Qeverisë së Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale, ka thënë se formimi i saj është një kthim prapa i shtetësisë së Kosovës.

Ai tha se përmes Gjykatës Speciale, cenohet integriteti i gjyqësisë.

“Përmes Gjykatës Speciale, integriteti i autonomisë së sistemit tonë të drejtësisë cenohet së paku në 5 nivele fundamentale: në nivelin e Gjykatës Themelore, në nivelin e Gjykatës së Apelit, në nivelin e Gjykatës Supreme, në nivelin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe në nivelin e Ombudspersonit”, tha mes tjerash Konjufca, duke shtuar se për shqiptarët po krijohet një tribunal i ri.“Pavarësia e pushtetit gjyqësor që buron nga Kushtetuta sipas parimit ‘në emër të popullit’, cenohet nga kjo strukturë që parashikon Gjykata Speciale e cila nuk ka të bëjë as më Kushtetutë e as me popullin si burim i sovranitetit”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, deklaroi se lufta e shenjtë për lirinë e vendit nuk do të gjykohet me themelimin e Gjykatës Speciale.

“Për shumë arsye, por mbi të gjitha për shkak të së ardhmes, duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të punojmë bashkë për themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do të trajtojë pretendimet e Dick Martyt”, tha Thaçi.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se me themelimin e Gjykatës Speciale, nuk po pastrohet asnjë etapë, por po mbrohen interesat personale.

“Jam i befasuar me dallimin që e shoh nga letërkëmbimi dhe çka është duke iu ofruar sot parlamentit dhe çka po synohet të arrihet, që është shumë më shumë”.

“Është diçka që ka ndryshuar shumë. Kush është marrë më ketë temë brenda një viti, po shihet trendi, ai nuk ka shkuar kah përmirësimi ose ruajtja e substancës, por ka shkuar kah një degradim më i madh. Këtë gjendje e kemi”, tha Haradinaj.

Partitë opozitare në Kosovë, e kanë kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate.

Ato kanë thënë se do të votojnë kundër ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës që do të mundësonte themelimin e Gjykatës, e cila do të merret me hetimin e pretendimeve të dala nga raporti i Dick Martyt në Këshillin e Evropës, “mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Shumica e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, nuk kanë përkrahur rekomandimet e Lëvizjes Vetëvendosje. Kundër rekomandimeve ishin 37, për 22, si dhe 2 abstenime.

Kuvendi i Kosovës në prill të vitit të kaluar, ka miratuar themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Vendimi ishte marrë me 89 vota për, 22 kundër dhe 2 abstenime përmes miratimit të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Zvarritjet e themelimit të Gjykatës Speciale, përveç se rrezikojnë që procesin ta kthejnë kah Këshilli i Sigurimit, sipas prokurorit Clint Williamson, rrezikojnë edhe vet dëshmitarët e rasteve që pritet të gjykohen.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogerini e cila ka qëndruar në Kosovë, ka deklaruar se ka pritje pozitive lidhur me formimin e Gjykatës Speciale.

Ajo i ka inkurajuar deputetët që të votojnë për formimin e kësaj gjykate, duke thënë se “kjo do të jetë mënyrë e mirë për të lëvizur përpara“.  (rel)

Media gjermane: Piloti ishte me depresion

Policia gjermane kontrolloi banesat e pilotit gjerman që mendohet se shkaktoi rrëzimin e avionit të linjës Germanwings në Alpet franceze duke vrarë veten dhe 149 personat e tjerë në bord. Sipas zyrës së prokurorit gjerman, piloti po merrte mjekim për probleme shëndetësore që nuk ia kishte bërë të ditura kompanisë.

Policia kontrolloi sot dy banesat që përdorte 27 vjeçari Andreas Lubitz kur nuk ishte me shërbim: një apartament në Duseldorf dhe banesën e prindërve në Montabour. Policia tha se ka marrë një numër objektesh si prova materiale.

Gjatë kontrollit të banesave, autoritetet gjetën “leje mjekësore” të grisura.

Një deklaratë nga prokurorët thotë se dokumentat mjekësore të gjetura tregojnë “ekzistencën e një sëmundje dhe trajtimin mjekësor të përshtatshëm për të”.

Deklarata nuk zbulon llojin e sëmundjes por media gjermane ka spekuluar se Lubitz vuante nga depresioni.

Dje, prokurori francez Brice Robin tha në një konferencë për shtyp se me sa duket Lubitz kishte rrëzuar avionin pasi kishte lënë jashtë kabinës së komandimit pilotin kryesor.

Prokurori tha se regjistrimet nga kutia e zezë e avionit tregojnë se Lubitz kishte çaktivizuar sistemin automatik të drejtimit të avionit duke e detyruar vetë avionin të zbriste gradualisht për tetë minuta, me një shpejtësi 700 km/orë.

Zyrtarët thonë se Lubitz nuk ishte në ndonjë listë të të dyshuarve për aktivitet terrorist. Media gjermane njofton se ai kishte marrë pushime në të kaluarën me arsyetimin se ndjehej i stresuar si dhe për probleme depresioni.

Mattias Gebauer, korrespondent për të përditshmen gjermane Der Spiegel citoi sot shokë shkolle të Lubitzit, sipas të cilëve ai ishte shkëputur për gjashtë muaj gjatë kursit si pilot në 2009, pasi ndjehej i lodhur psikologjikisht. Këto njoftime gjejnë jehonë edhe në një artikull nga gazeta gjermane Bild, e cila njofton se Lubitz mund të ketë qenë duke marrë kura kundër depresionit.

Zyrtarët e kompanisë Lufthansa nuk i kanë konfirmuar këto njoftime, megjithëse Shefi Ekzekutiv Carsten Spohr ka thenë se nuk ka si ta dijë nëse problemet shëndetësore ishin shkaktare për shkëputjen e pilotit nga kursi përgatitor, pasi ligjet gjermane të privacisët nuk lejojnë që hollësi të tilla të bëhen publike. Zoti Spohr ka shprehur shok nga përfundimet e prokurorit që piloti Lubitz e shkaktoi qëllimisht rrëzimin e avionit. Ai tha se analizat mjekësore të Lubitzit tregonin se ai ishte 100% i aftë për të kryer rolin e pilotit.

Prokurori Robin tha se regjistrimet në kabinën e pilotit tregojnë se pasagjerët nuk ishin në dieni të trajektores së frikshme që po ndiqte avioni, deri në momentet e fundit para rrëzimit kur dëgjohen britma.

Zoti Robin shton se regjistrimet tregojnë gjithashtu se piloti kryesor, i cili kishte dalë për të shkuar në banjo, i ra disa herë derës që piloti Lubitz ta lejonte të kthehej në kabinë, por trokitjet e tij pasohen gjithmonë me heshtje. E vetmja zhurmë që dëgjohet në kabinë është frymëmarrja e pilotit Lubitz.

“Nuk është frymëmarrje e vështirësuar, thjesht frymëmarrje e qetë,” thotë prokurori duke shtuar se nuk është zbuluar ndonjë lidhje mes këtij akti dhe ndonjë synimi terrorist.

Fluturimi 9525 ishte nisur nga Barcelona për në Duseldorf me 144 pasagjerë dhe gjashtë pjesëtarë të ekuipazhit, kur u rrëzua 100 kilometra në veri të qytetit francez Nisë. Nga avioni nuk u dërguan sinjale rreziku gjatë zbritjes vdekjeprurëse.

Personat në bord ishin nga 18 vende, 72 prej të cilëve gjermanë dhe të paktën 35 spanjollë. (dw)

Siguria kibernetike

Ndërkohë që një sulm me bombë ofron pamje dramatike për edicionet e lajmeve, çdo ditë ka aktivitete pothuajse të padukshme që mund të krijojnë shkatërrim më të madh. Ekzistojnë ndërhyrje në sistemet qeveritare dhe të korporatave private që mund të ndërpresin shërbime jetësore dhe të ndalojnë tregtinë normale.

Kur uragani Sandy goditi zonën e qytetit të Nju Jorkut në vitin 2012, mijëra vetë mbetën pa shërbimet jetësore, si elektriciteti dhe transporti, ndërkohë që ekipet e mirëmbajtjes luftonin të rikthenin sistemet në punë.

Çdo ditë, hakera keqdashës përpiqen të shkaktojnë një shkatërrim të tillë ndërkohë që kontrollojnë kompjuterat që komandojnë këto sisteme.

Shqetësimet për kërcënime të tilla dhe ndërhyrje kriminale mblodhën së bashku përfaqësues të qeverisë dhe sektorit privat në konferencën e sigurisë kibernetike të Chertoff Group.

Një shqetësim i veçantë këtu në Hjuston është kërcënimi ndaj sistemeve të energjisë.

Ish-sekretari i sigurisë kombëtare Michael Chertoff është kryetar i organizatës sponsorizuese.

“Kemi gjetur kode keqdashëse në sistemet e energjisë. Nëse ndodheshin aty për të vjedhur informacion ose për t’u parapërgatitur për sulme, është çështje spekullimi. Një kompani energjie, Saudia Aramco, u sulmua, dhe megjithëse nuk ia dolën ta nxjerrin nga rrjeti, u tregua se kompanitë e tilla janë shënjestra për sulme.”

Zoti Chertoff thotë se gjasat janë të ketë më shumë kërcënime ndaj sistemeve të kontrollit të industrisë energjitike nga terroristët dhe disa qeveri të huaja armiqësore.

Stuart McClure, drejtor ekzekutiv i “Cylance”, thotë se programet e kompanisë së tij mbrojnë klientët nga pjesa më e madhe e kërcënimeve, por se edhe vetë firma “Cylance” bëhet shpesh objekt i sulmeve të sofistikuara.

“Të vetmit që mund të realizojnë sulme të tilla janë qeveri të mëdha, me buxhet të madh dhe shumë njerëz që ekzaminojnë punën tonë dhe që mundohen ta prishin.”

Ekspertët thonë se teknologjia ofron vetëm një pjesë të zgjidhjes dhe se duhet gjithashtu vigjilencë e përhershme për të ruajtur sigurinë kibernetike.

Kompanitë ofrojnë trajnim sigurie për të paralajmëruar ndaj ndërhyrjeve të tilla, si p.sh. futja në një kompjuter rrjeti të një USB-je të panjohur.

Drejtori i firmës së sigurisë kibernetike “SS8, Inc.”, Faizel Lakhani, thotë se faktori njerëzor është i rëndësishëm pasi zgjidhjet teknologjike tentojnë të jenë shumë kufizuese.

“Ekonomia jonë dhe interneti janë të bazuara në një model ndërvarësie, në aftësinë për të komunikuar gjerësisht dhe për të ndarë idetë. Kur e kufizon këtë nëpërmjet një zgjidhjeje teknologjike, atëherë në thelb po heq avantazhin kryesor që ne kemi në Amerikë.”

Zoti Lakhani thotë se njerëzit në çdo organizatë do të bëjnë gabime që lejojnë ndërhyrjet në rrjet, dhe ai thotë se kompanitë duhet ta pranojnë këtë realitet dhe të zhvillojnë metoda për të identifikuar dhe zmbrapsur kërcënimet.(voa)

Zaev: Qeverisja e Gruevskit, kapitull i mbaruar!

Zaev

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka porositur sërish kryeministrin Gruevski që të jep dorëheqje dhe mos të mbajë peng qytetarët dhe opinionin. Zaev tani është koha që ai të tërhiqet i qetë pasi qeverisja e tij është kapitull i mbaruar.

“Me zërin e tij, me bisedat e tij telefonike, Gruevski u tregoi të gjithëve se cila është fytyra e tij e vërtetë. Për këtë shkak ai është i frikësuar, i frikësuar nga vetvetja dhe nga të tijtë, i frikësuar nga populli. Duhet të jetë i frikësuar, sepse mbaroi. Nikolla Gruevski, ende ke shans që të ikësh vetë dhe ta lirosh Maqedoninë nga mundimi. Përkrahës të VMRO DPMNE-së, a duhet të vazhdoni të përkrahni njerëz të tillë?”, deklaroi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Në bombën e sotme, të 14-tën me radhë, lideri i LSDM-së Zaev publikoi biseda telefonike mes kryeministrit Gruevski dhe ministrit të transportit Mile Janakievski, që sipas tij dëshmojnë skandalin më të madh korruptiv në vend dhe rajon. Sipas Zaevit, me kërkesë të Gruevskit dhe realizim të Janakievskit është arritur marrëveshje pa tender me një kompani kineze për ndërtimin e dy autostradave në Maqedoni, në vlerë të përgjithshme rreth 500 milion euro. Madje sipas bisedave telefonike të publikuara sot, Gruevski dhe Janakievski kanë kërkuar 5% provizion nga kinezët, ose rreth 25 milion euro.

Zaev ka publikuar bisedat mes kryeministrit Nikolla Gruevski dhe drejtorit të ‘Elem’-it, Vllatko Çingovski, ku kryeministri intervenon që një tender për nxjerrjen e qymyrit ta fitojë pronari i televizionit Sitell, Lubisav Ivanov.

Sipas Zaevit, Gruevski ka ndërhyrë edhe në tenderin për hekurudhën. Ai publikoi bisedat mes Gruevskit dhe Jankievskit ku kryeministri flet me shifra dhe përmend vetëm shkronjat e para të shteteve të Gjermanisë, Çekisë dhe Greqisë, prej ku vijnë kompanitë konkurruese.

Në bisedat e tjera mes Gruevskit dhe Janakievskit të publikuara nga LSDM-ja, sipas Zaevit kryeministri i bën presion Janakievskit që të firmos mendim për ndryshimin e fasadave të EVN-së dhe City Galerisë, për ti bërë ato në stilin barok. Gruevski e bind ministrin e transportit se përgjegjësinë eventuale për shkeljen e ligjit nuk do ta bartë ai, por administratorja e komunës Qendër.

I pyetur për pronën e kushërinjve të tij në Greqi, Zaev tha se nuk ka ndërmend të komentojë pronat e kushërirëve, por vetëm të familjes së tij. Megjithatë ai theksoi se një pjesë e madhe e patriotëve të VMRO DPMNE-së posedojnë prona në Greqi. Lideri i LSDM-së paralajmëroi sërish se bombat më serioze janë të planifikuara për periudhën në vazhdim, ndërsa përmendi tema si emrin e shtetit, Monstra, Nikolla Mlladenov, regjistrimi, A1 dhe të tjera. Benjamin Arifi

 

Gruevski nuk e përjashton mundësinë e destablizimit të vendit!

Nikolla Gruevski ka alarmuar se gjendja e sigurisë në vend është vënë në rrezik nga shërbimet e huaja të cilat i akuzoi se i ka dhënë liderit të opozitës, Zoran Zaev materialet që po i publikon në konferencat për shtyp. Bisedat e përgjuara sipas Gruevskit janë të  montuara, manipuluara dhe jo autentike. Rreziku më i madh që paralajmëroi Gruevski vjen pas publikimit të bombave që prekin marrëdhëniet ndëretnike.

“Ka tentim për rrezikimin e sigurisë së vendit. Jo rastësisht u paralajmërua edhe publikim i bisedave të krijuara lidhur me çështje ndëretnike, punë të ndjeshme, të cilat nëse në atë mënyrë priten, ngjiten, manipulohen, gjithsesi se mund të krijojnë situata të caktuara të ndjeshme tek qytetarët, ti manipulojnë ata, ti vënë në huti dhe të tentojnë të nxisin agresivitetin e tyre, reagimin e tyre”, deklaroi Nikolla Gruevski, kryeministër.

Këto komente ai bëri në seancën parlamentare “pyetje të deputetëve” ku Roza Tupuzova Karevska pyeti Gruevskin nëse ka plan për nxjerrjen e vendit nga kriza. Plani i tij për zgjidhjen e kësaj situate është ndëshkimi i personave që sipas tij kanë incizuar, përpunuar dhe publikuar materialet që kohëve të fundit publikohen nga opozita.

“Gjithsesi se kemi plan. Plani është që secili që në çdo lloj mënyre e ka shkelur ligjin edhe me regjistrimin e materialeve ilegale, me transmetimin e tyre edhe me çfarë do hap tjetër për të cilin do të gjinden argument se ka shkelur ligjin, të përgjigjen para institucioneve”, u shpreh Nikolla Gruevski, kryeministër.

Gruevski akuzoi liderin e opozitës, Zoran Zaev se është shndërruar në instrument të shërbimeve të huaja dhe se qëllimi i Zaevit është marrja e pushtetit.  Arben Zeqiri